• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Joseph Biden: SHBA, mik i vërtetë i popullit të Kosovës

February 15, 2018 by dgreca

1 Biden Thaci1 Biden femijet0010021 ecje1 biden turme-Presidenti Thaçi pranoi letër urimi nga ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joseph Biden: Kosova është një shtet i ri, por jo shumë i ri për të ditur se për çfarë kanë nevojë dhe çka meritojnë qytetarët e saj. Kam besim se qytetarët e këtij vendi të madh do të vazhdojnë të ndërtojnë një Kosovë të qëndrueshme, të lirë, demokratike dhe të begatë – një Kosovë që manifeston shpresat dhe ëndrrat shumëvjeçare. Dhe unë besoj se me një Kosovë të tillë edhe vetë bota do të jetë më e mirë. Sot, ndërsa po festoni sukseset tuaja të shumta, e dini se Shtetet e Bashkuara janë, kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë një mik i vërtetë i popullit të Kosovës/

PRISHTINË,15 SHKURT 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë, ka pranuar një letër urimi nga ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joseph Biden.
Letra e plotë:/
I nderuar z. President,
Me krenari dhe kënaqësi të jashtëzakonshme ju ofroj urimet më të thella për ju dhe popullin e Kosovës në përvjetorin e dhjetë të pavarësisë suaj. Siç e dini, gjithmonë kam besuar në premtimin e popullit të Kosovës për të ndërtuar një shtet të rrënjosur në vlerat themelore të drejtësisë dhe barazisë.
Në një dekadë të shkurtër, ju me vendosmëri keni zhvilluar një betejë për pavarësi, jeni mirëpritur në bashkësinë e kombeve, keni ndërtuar një demokraci përfaqësuese, ku zgjedhjet e lira dhe të drejta janë shndërruar në normë dhe kodifikimi i të drejtave të njeriut është bërë ligj. Ju tani keni vendosur themelet e forta të një shtetit demokratik. Organizatat joqeveritare janë aktive, qytetarët lirshëm debatojnë për çështjet ditore dhe veprimet e tolerancës dhe pajtimit e pikëzojnë peizazhin.
Një nga udhëtimet e para që kam bërë si zëvendëspresident ishte ta vizitoja Kosovën më 2009. Vizita që i bëra vendit disa vjet më vonë ishte gjithashtu një nga vizitat e mia të fundit zyrtare si zëvendëspresident. Isha shumë i impresionuar për të parë nga afër progresin e shënuar në atë kohë të shkurtër falë guximit të patrembur dhe këmbënguljes së palëkundur të popullit të Kosovës. Ndërsa, atje ka ende shumë punë që duhet bërë, ju po lëvizni me shpejtësi për t’u bërë një demokraci plotësisht e integruar evropiane – një demokraci në paqe me fqinjët e saj në të cilën të gjithë qytetarët trajtohen me dinjitet.
Kosova dhe qytetarët e saj janë të vendosur thellë në zemrat e tërë familjes Biden. Kam rënë në dashuri me vendin tuaj në vizitën time të parë si një senator i ri i Shteteve të Bashkuara në mesin e viteve ‘70. E njëjta vlen edhe për djalin tim, Beau, i cili në pjesën më të mirë të një viti jetoi dhe punoi në Kosovë, më 2001, për të ndihmuar në avancimin e sundimit të së drejtës – një nga qëllimet më të rëndësishme të çdo shteti të ri të pavarur. Dhe çdo pjesëtar i ardhshëm i familjes Biden që do të bëjë pelegrinazh për të vizituar autostradën e emëruar në nder të Beau-t, jashtë kampit Bondsteel, sigurisht do të ndjehet aq thellësisht pjesë e suksesit tuaj të vazhdueshëm, ashtu siç ndjehem unë.
Beau erdhi në Kosovë si një këshilltar në Departamentin amerikan të drejtësisë për të ndihmuar institucionet të luftojnë korrupsionin dhe të krijojnë një shoqëri të barabartë për të gjithë qytetarët. Ai vazhdoi betejën për po këto qëllime në vendlindjen time, në shtetin amerikan Delaware, ku ai shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm. Beau, ashtu si edhe patriotë të shumtë amerikanë, e dinte fare mirë se puna e demokracisë nuk kryhet kurrë. Edhe në Shtetet e Bashkuara ne duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë. Beau, ashtu si shumë amerikanë patriotë, e dinte mirë se puna e demokracisë nuk është bërë kurrë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë çdo ditë në Shtetet e Bashkuara.
Kosova është një shtet i ri, por jo shumë i ri për të ditur se për çfarë kanë nevojë dhe çka meritojnë qytetarët e saj. Kam besim se qytetarët e këtij vendi të madh do të vazhdojnë të ndërtojnë një Kosovë të qëndrueshme, të lirë, demokratike dhe të begatë – një Kosovë që manifeston shpresat dhe ëndrrat shumëvjeçare. Dhe unë besoj se me një Kosovë të tillë edhe vetë bota do të jetë më e mirë.
Sot, ndërsa po festoni sukseset tuaja të shumta, e dini se Shtetet e Bashkuara janë, kanë qenë dhe gjithmonë do të jenë një mik i vërtetë i popullit të Kosovës. Ne i gëzohemi sukseseve tuaja dhe do të punojmë për t’ju ndihmuar që t’i tejkaloni sfidat me të cilat përballen të gjitha demokracitë. Dhe e di se edhe personalisht vazhdoj të qëndroj me popullin e Kosovën. Shpirti i juaj është i lirë, i palodhshëm dhe e ardhmja juaj është e ndritshme. Po pres me padurim se çfarë do të sjellin dhjetë vitet e ardhshme.

Filed Under: Featured Tagged With: Joseph Biden, leter, Presidentit Thaci

Në Shqipëri ra Monarkia e kuqe, fatkeqësisht, ‘monarkët e kuq’ mbijetuen

February 15, 2018 by dgreca

1-Repishti-300x212

Disa citime nga shkrimet e kohëve të fundit të Prof. Sami Repishti- ideologu i ditëve tona/

anton-cefa

Zgjedhur nga Anton Çefa/

– “Nëse e kaluemja kishte në esencë nji element tragjik, përsëritja e saj  tek ne do të ishte vetëm nji komedi fatale.”

*“Mbas votimeve të vitit 1945, perdja e hekurt ra mbi vendin tonë, dhe zgjedhjet e ardhme deri në vitin 1992 ishin nji tallje me të drejtën e popullit për votime, dhe nji manifestim i padëshirueshëm i nënshtrimit të përgjithshëm para frikës së persekutimit.”

*“Fatkeqësisht idetë fisnike të Botës së Lirë, sidomos ata të mbas Luftës së Dytë Botnore gjeten nji terren anmiqsor në vendin tonë, ku popullsia iu nënshtrue nji indoktrinimi të ashpër dhe nji fryme hakmarrëse.”

*“Ish – të persekutuemt shqiptarë antikomunistë kanë përbuzë hakmarrjen – cilësi shtazarake –  dhe kanë kërkue ‘drejtësi’, e cila u  asht mohue me pretekste absurde . . . Qendrimi i ‘fajtorit’ që nuk kërkon falje për krimet e kryeme, asgjason procesin e ‘pajtimit’ dhe ‘bashkimit’, nji proces qi na mundon të gjithëve, dhe që na pengon në çdo hap të jetës së përditshme.”

*“Nji klasë e re e privilegjueme ka ardhë në fuqi dhe asht mbajtë me dhunë, por ka deshtue në krijimin e nji shoqënije të re që trajton të gjithë qytetarët me dinjitet, tue mbjellë kështu farën e vetëshkatërrimit.”

*“Koncepti i qytetarit përmban pjesëmarrjen koshiente në jetën shoqënore e politike të vendit; pjesëmarrja asht pengesa kryesore në luftën kundra diktaturës dhe ideologjive totalitare.”

*“Që nga viti 2000, ne jemi dëshmitarë të ngritjes së nji rreziku të ri: ‘populizmit’, dhe lëvizjes së politikës së nacionalizmit agresiv, lëvizje që kërkon kthimin e pushtetit në duert e ‘kombit – shtet’ larg nga institucionet ndërkombëtare të mbas Luftës së Dytë Botënore, si NATO, B. E., dhe UNO-s, dhe nji serie organizatash ekonomike shoqënore e kulturore që përbajnë strukturën e ruejtjes së paqes që nga viti 1945.”

*“Roli historik i çdo shqiptari, dhe ai kolektiv i shoqënisë së lirë shqiptare asht përpjekja me u mbrojtë nga rreziku i ringjalljes së diktaturës në vendin tonë.”

*“Gabimi në politikë nuk falet. Aq ma shumë për ne që kemi përjetue katastrofën gjysëm shekullore. Kjo e vertetë na detyron me studjue historinë, të kaluemen tonë, sidomos atë të dekadave të fundit, dhe me kuptue cilat janë rranjët e tiranisë që na kërcënon, dhe cilat janë përgjigjet tona që na imponohen.”

*“Kultivimi ‘i njëshit udhëheqës’ si mjeti i vetëm i ‘shpëtimit’ të vendit përfundon në ‘kultin e individit’; një zgjidhje e mbrapshtë, dhe pa-evitueshmenisht tiranike.”

*“Për fat të mirë, ideja se autoriteti ‘objektiv’ mund të zgjidhë ‘ngërçin’ politik në vendin tonë tue qendrue larg politizimit partizanesk po rritet.”

*“Zgjedhjet nuk janë pjesore për ‘partitë politike’ të vendit; ata janë të përgjithshme, për të gjithë vendin. Ato janë për të ardhmen e ‘Nanës Shqipëri’, të ardhmen e të gjithë qytetarëve, pa përjashtim. Ky mentalitet duhet të mbizotnojë mendjet e votuesve para arkës së votimit, ditën e zgjedhjeve.”

*“Nji botë me qenie njerëzore plot dinjitet asht nji ideal që duhet të realizohet. Shpesh herë vështirësitë tona janë ma të mëdhha se aftësitë tona. Por historia na mëson se  randësia e mos-komprometimit me ‘murtajën’ diktatoriale asht vlera ma e naltë, e mbrojtja ma e mirë kundër përhapjes së diktaturës. Dinjiteti për të gjithë asht nji ideal i arritshëm.”

*“Gjendja e krijueme tregon nji përqendrim të fortë të tre pushteteve në duert e nji partie politike të vetme.Teorikisht, ajo asht nji kombinim forcash që lehtësojnë rrugën drejt nji regjimi autoritar, i cili damton  zhvillimin demokratik të vendit.”

*“Me ramjen finale të komunizmit, periudha e tranzicionit në demokraci tregoi se e vjetra refuzon me vdekë, dhe e reja demokratike nuk gjen fuqi të mjaftueshme me lindë dhe me u forcue. Sot, nevoja e rishqyrtimit të rrugës së kalueme gjatë këtyre 27 vjetëve asht e domosdoshme për të gjithë, sidomos tashti me krijimin e nji situate të re koncentrimi të pushtetit që rrezikon vetë demokracinë.”

*“Çdo popull ka nji  shpirt; shpirti i shqiptarit asht tradita shekullore e vlerave tona morale të besës, nderit, mikpritjes, burrënisë, lidhja me tokën e vendlindjes . . . Kur kjo traditë u thye nga uria e zgjedha politike, vendin tonë e mbuloi pabesia, shvlerësimi i nderit e burrënisë, dënimi me vdekje i mikpritjes, arratisja,  e talljet publike ‘për mbeturinat e së kaluemes së errët reaksionare . . .’ Terreni politik mbeti i hapun për abuzime, spekulime, çthurje morale e politike pa asnji pengesë. Shpesh të inkurajuem nga vetë ‘pushteti i popullit’. Lindi  ‘njeriu i ri’ ! Natyrisht, faktet kanë rrjedhime, efektet e të cilëve i pësojmë edhe sot.”

*     “Lavdia e madhe e revolucionit paqësor të vitit 1989 në Europën Lindore ka qenë natyra e qytetnueme, paqësore dhe civile e këtij revolucioni. Ai doli me sukses në organizimin e rezistencës civile dhe në ndërtimin e shoqënisë civile pothuejse tanësisht me mjete jo të dhunëshme. Ky asht edhe shembulli shqiptar i studentëve tonë heroikë të 8 dhetorit 1990, që shpresojmë të frymëzojë transformimin e shtetit dhe shoqënisë shqiptare në të ardhmen me zbulimin e tij të përgjegjësisë civile. Ky asht edhe shembulli i viktimave të komunizmit që përbuzen idenë e urrejtjes dhe hakmarrjes, dhe vunë shpresat e tyne në drejtësi, që i mashtroi randë.”

*“Në Shqipëri, me ramjen e ‘Monarkisë së kuqe’, fatkeqësisht, ‘monarkët e kuq’ mbijetuen. . . Faktori paqësor mbetet për mue nji element etik i dorës së parë. Personalisht e kam përkrahë që në fillim, sepse ky faktor tregonte edhe rrugën që duhet të ndjekim në politikë.

*“Sot kemi nji kryeminister që ka mundësinë me u ba nji diktator i vërtetë me përkrahjen e atyne që mbushin radhët e institucioneve tona legjislative dhe ekzekutive. Ma shumë se gjysma e Kuvendit janë anëtarë të zgjedhun me gisht nga kryeministri dhe të ‘aprovuem’ nga votuesit që as i njohin fare kandidatët. Me nji Kuvend të tillë, mund të kalohen ligje që i përshtaten vetëm kryeministrit. Opozita asht e pafuqishme me e ndalue, dhe ka zgjedhë rrugën ma të gabueme: abandonimin e Kuvenndit, i vetmi forum ku flitet lirisht dhe mesazhi transmetohet për  ata që duen ta ndigjojnë.”

*“Presidenti, teorikisht arbitri final i Shtetit, asht emnue nga kryeministri, dhe ka arsye me besue se nuk do të kundërshtojë kryeministrin në veprimet e tia, megjithëse natyra e tij e fortë mund të na vejë para situatash të paparashikueshme.”

*“Gjykata Kushtetuese varet në nji masë të madhe nga anëtarët e emnuem nga kryeministri dhe të aprovuem nga Kuvendi i kontrolluem prej tij. Pavarësia e tre pushteteve në demokraci asht damtue randë.”

*“Nga zhvillimet e 27 viteve të fundit del e qartë se qeveritë nuk kanë synue ngritjen e nji Shteti funksional, i sunduem nga ligji dhe jo nga individi. Këto qeveri janë përqendrue në krijimin e legjioneve përkrahësish të bindun ose ‘të bindun’ ideologjikisht, si dhe spekulatorë që përfitojnë nga forca brute e Shtetit  që ata mbështesin. Rezultati asht dalja në skenë e nji ‘shoqnie të nënshtrueme’, ku jetët e individëve janë lehtësisht të kontrollueme dhe të drejtueme nga nalt.”

*“Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve asht e padiskutueshme. Ashtu si asht e padiskutueshme randësia e ‘kujtesës’ dhe përbuzja e ‘harresës’. Si mund të vendoset paqa sociale në mes të kriminelit dhe viktimës, marrëdhanjet e maparshme, nji jetë ‘normale’, në nji botë ku kujtimet e llahtarisë diktatoriale janë aq të thella? . . .  Si mund të pranojmë që ende sot kriminelët të rikujtojnë me nostalgji rregjimin e krimit, vazhdojnë ‘dënimin’ e viktimave, mbrojnë aktin kriminal të tyne ose të prindëve të tyne, dhe që sot përkrahin lëvizje politike që duen kthimin e regjimit të ‘hurit e të litarit’, dhe e justifikojnë me shprehje se ‘koha’, kjo e panjohun që nuk lejon pushim për meditim, shlyen kujtesën tonë sot pjesërisht, dhe për breznitë e ardhshme, totalisht ?

*“Nji gja asht e sigurtë: asnjeni prej ‘atyne’ që ndihmuen vullnetarisht – ose u detyruen me u bindë –  nuk do të jetë në gjendje me ‘shkund përgjegjësinë për qendrimin e tyne gjatë periudhës 45 – vjeçare të terrorit të organizuem me mjete shkencore. Edhe në qoftë se nuk asht ‘fajtor’, ai / ajo duhet të ndiej veten të turpnuem. Viktimat e persekutimeve komuniste duhet të qendrojnë larg nga këto elementë mjeranë që kanë humbë humanitetin e tyne, solidaritetin natyral me qeniet njerëzore në ditët e vështira. Kështu ka qenë me fashistët, me nazistët, dhe kështu asht edhe për komunistët. Nuk duhet të harrojmë!

*“Harresa’ e krimeve të kryeme asht nji fenomen që vetëm koha mbulon, edhe të kaluemen tonë pa mëshirë! Mbetet gjykimi i aktit, dhe mundësia e faljes së tij. Falja e aktit asht nji gjest vullnetar vetëm për vuejtësit e krimit, kategoria e vetme dhe e privilegjueme, e aftë racionalisht dhe e paisun moralisht me falë fajin  . . . Asnji nuk ka të drejtë me falë në emën të viktimës . . . Sot na duhet të luftojmë ‘harresën’, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem.”

*“Viktimët e terrorit të kuq gjeten guxim të mjaftueshëm më përbuzë urrejtjen dhe pjellën e saj, hakmarrjen. Me këtë qendrim, ata kanë fisnikërue qeniet e tyne dhe kanë dhanë nji shembull të shkëlqyeshëm për historinë e popullit tonë. Ky gjest sublim mbeti pa përgjigje ! Fatkeqësi ! Randësia e gjykimit dhe e dënimit të fajeve të këtilla asht e padiskutueshme. Këtë nuk duhet ta harrojmë, sepse harresa ban të mundun përsëritjen e së kaluemes . . . Duhet folë, duhet tregue e përshkrue ferri komunist me të gjitha mjetet, por pa dhunë. Dhuna nuk asht arma jonë; drejtësia po !”

*“Sot ballafaqohemi me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës sonë në Shqipëri. Në fazën e parë kemi përbuzë urrejtjen dhe hakmarrjen. Sot kemi shpresë së do të jetë e mundun me ba hapin e dytë: pajtimin në mes nesh, sepse edhe na, viktimët, kemi nevojë për paqen tonë të humbun.”

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, citime, Prof. Sami Repishti

KOSOVË-Do rikthehet NEWBORN

February 15, 2018 by dgreca

-Prishtinë-Newborn i zhvendosur, do rikthehet me pamje të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës/
OLYMPUS DIGITAL CAMERA
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

 PRISHTINË, 15 Shkurt 2018/ Simboli i Pavarësisë së Kosovës, Newborn, në Sheshin Medlin Olbrajt në kryeqytet, Prishtinë, i vendosur para 10 viteve, ka ditë që nuk është në vendin e vet.Do rikthehet në prag të 17 Shkurtit, ditës së jubileut të 10 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, aty ku ishte, me pamje të re festive.Derisa po zhvendosej Newborn, në fillim të këtij muaji shkurt bëhej e ditur se po dërgohej për t’ia hequr ndryshkun e ngjyrat e pamjeve të viteve të kaluara  dhe do rikthehet edhe më i bukur, me pamje të re, ashtu si është bërë traditë.

Në 10 vjetorin e Pavarësisë në Kosovë po zhvillohen aktivitete festive 10 ditëshe, nga 8 deri në 18 shkurt.Pavarësia e Kosovës, e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 deri tani është njohur nga 115 shtete anëtare të OKB-së.

Gjatë 10 viteve, Republika e Kosova ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jo-rezidentë në rreth 60 shtete.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, New Born Kosva, rikthehet

SOT DITËLINDJA, “DIELLI” U BË 109 VJEÇ

February 15, 2018 by dgreca

Peter-prifti-300x139

-Peter R. Prifti: VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR KETO FJALE…?/

1 Dalipi & Presidenti Nishani

 Ne Foto: Presidenti i Republikes, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani duke i dorezuar Editorit te Diellit, dekoraten”Nderi i kombit” per Gazeten e kohes se Rilindjes”DIELLI” i Vatres./

Newspaper Dielli, Janar 2018 faqe 1

NGA DALIP GRECA*/
Gazeta më e vjetër e Botes Shqiptare, që vazhdon të botohet në Amerikë, Dielli,mbetet një monument i gjallë i gazetarisë shqiptare dhe i kulturës tonë Kombëtare, që sjell 109 vite histori të shqiptarëve të Amerikës. Në Gjoksin e Diellit ka shumë histori, ka dhe një cmim të tretë në konkursin e shpallur nga Organizata COMMON COUNCILL FOR AMERICAN UNITY, ku morën pjesë 1000 gazeta që botoheshin në Amerikë në gjuhë të huaja. Dielli konkuroi me Editorialin e shkruar nga editori i asaj kohe, Qerim Panariti, nje nga dishepujt e Nolit. Presidenti i Shqiperise, Shkelqesia e Tij, Bujar Nishani, i akordoi Diellit dekoraten e  larte”Nderi i Kombit”.
***
Gazeta më e vjetër e Botës Shqiptare, me emrin simbolik “Dielli” sot ka ditëlindjen, të Enjten, me 15 shkurt mbushi plot 109 vjet. Gazeta”Dielli” u themelua në Boston prej Shoqërisë atdhetare Besa-Besë dhe ka si ditëlindje datën 15 shkurt 1909. Më 11 mars 1912, mbasi shoqëritë shqiptare të Amerikës vendosën që të federohen në Vatër (dita zyrtare e themelimit të Vatrës 28 prill 1912, dita e njohjes nga Shteti i Massachusetts, 10 qershor 1912) Dielli u bë pronë e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra dhe nisi të dalë dy herë në javë. Me 18 Nëntor 1914, Gazeta nisi të botohet tri herë në javë dhe më 9 nëntor 1915 u bë e përditshme nen drejtimin e Kostë Çekrezit. Natyrisht është kjo koha më e artë e Vatrës dhe gazetës së saj Dielli. Historishkruesit e Vatrës dhe të Diellit e kanë bërë tashmë publik faktin se Dielli erdhi si nevojë shpirtërore dhe informuese për shqiptarët e Amerikës në një kohë të vështirë.
Mëkëmbsi i Mit’hat Frashërit, i shumëdturi Hasan Dosti, është shprehur se “Vatra” dhe “Dielli” na zgjuanë iden’ e zjarrit e të dritës, që do të thotë flakë patriotizmi dhe rreze kulture. Këtyre simbolizmave u janë përgjegjur edhe realitetet”.
Kronika e lindjes së Diellit, është e njohur: Me mbylljen e gazetës “Kombi” të Sotir Pecit në Boston me 10 Janar1909, diktohej nevoja e një tribunë kombëtare për të luftuar për të drejtat e Kombit shqiptar, ndërkohë që ishte mbyllur tashmë dhe Albania e Faik Konicës. Kur qe hapur Kombi me 6 qershor 1906 numri i shqiptarëve sipas regjistrave të kohës ishte rreth 7 mijë,ndërkohë që kur u mbyll gazeta e Pecit, numri i shqiptarëve së paku kishte shkuar në dhjetë mijë. Pa gazetën Kombi emigrantët shqiptar kishin mbetur si në shkretëtirë, në terrin e padijes e mosinformimit. Nevoja për një gazetë u bë më emergjente kur xhon turqit burgosën Dervish Himën sepse i gjetën Flamurin e Shqipërisë në gji dhe asnjë gazetë në Shqipëri nuk guxoi që të shkruante e ta mbronte atdhetarin nga frika e represionit turk. Atëhere Konica në Londër dhe Noli në Boston ranë në ujdi për botimin e një gazeta shqip në Amerikë. Deri në atë kohë dy patriotët nuk njiheshin përsafërmi me njëri-tjetrin, por ishin të njohur në distancë duke lexuar shkrimet e njëri-tjetrit në shtypin e kohës si dhe nga letërkëmbimi. Me përpjekjet e të dy kolosëve të mendimit shqiptar të asaj kohe u ndez ky kandil kombëtar, siç e cilëson ish editori Refat Gurrazezi, kandil që ndriçon ende edhe sot në SHBA falë kontributit të shqiptarëve të Amerikës.
Ende nuk dihet se kush e pagëzoi gazetën me këtë emër simbolik në kohën e errësirës otomane për Shqipërinë. Dihet se emri i Vatrës ka për Kumbar Konicën.Është e dokumentuar kjo në një artikull të botuar në gazetën Dielli me rastin e 10 vjetorit të themelimit të Vatrës, në numrin special, ku Konica dëshmon:”Për emrin, formën federale, Kanunoren, rregulloren, dhe shpiriten e parë të VATRËS, jam responsible (përgjegjës) unë. Po e drejta është që Vatra, të cilën un’ e lashë çilimi shtatë muajëshe, u rrit, u madhua, u bë një forcë nga Fan Noli dhe Vatranët e Amerikës, me 1915-1919 dhe në atë zhvillim unë s’kam patur asnjë pjesë (Faik Konica-Dielli, 31 mars 1922)
Në shkollën e Diellit kanë kaluar shumë gazetarë. Editor i parë i Diellit prej Shoqërisë Besa-Besë u emërua Faik Konica, por e vërteta është se 29 numrat e parë të gazetës i drejtoi Fan Noli, më pas erdhi nga Londra Faik Konica dhe e mori në dorë Diellin. Në historinë e Vatrës është shkruar se editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli, ndërkohë që në numrin e parë të Diellit qe botuar ky shënim:”Kjo gazetë do të botohet prej shoqërisë Besa-Besë, e cila do të bëjë mbledhje të përgjithshme me 15 të marsit(1909), në Boston për të zgjedhur një direktor.Gjersa të vijë direktori i kësaj flete, Dielli do të dalë një herë më dy javë, pastaj do të nisë të dalë për javë me rregull.”
Faik Konica mbërriti në Boston me 9 tetor 1909. Refat Gurazezi shkruan në Historinë e Vatrës se ”Kur doli nga “Inverna” ish veshur me kostum Kombëtar dhe i mbajti veshur disa ditë, jo vetëm aq, por s’desh t’i hiqte dhe i lutej Fan Nolit që të vishej edhe ai si prift me kamilaq të lartë dhe të shëtitjin tok nëpër rrugët e Bostonit. Më në funt e bindën shokët që i hoqi ato petka dhe veshi rroba të vendit.Më 22 të tetorit Konica mori drejtimin e Diellit.”

DIELLI DHE PROGRAMI KOMBËTAR

“Dielli ishte ungjilli i shqiptarëve të Amerikës, të cilët të mbledhur rreth Vatrës, e kthyen atë në një busull orientuese në kohë të trazuara, kur kombi shqiptar përjetonte çastet e vështira të egzistencës. Do të mjaftonte shfletimi i programit të kësaj gazete për të gjykuar mbi misionin, orientimin, guximin dhe arritjet në fushën e atdhetarisë, shtetësisë dhe natyrisht të gazetarisë shqiptare.
Dielli ka meritën historike se shtroi para shqiptarëve programin Kombëtar, i cili paraqet edhe kthjelltësinë Kombëtare dhe orientimin kombëtar të atyre që e hartuan atë program. Ka dy mendime për autorin e programit, një pjesë mbrojnë idenë se e shkroi Noli, një pjese këmbëngulin se sitli është i Konicës, balanca anon nga i pari. Në programin Kombëtar të Diellit kërkohej njohja e Kombësisë shqiptare prej qeverisë turke; njohja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, Arsim Kombëtar në shqip, kërkohej zhvillim ekonomik, ndërtim rrugësh, kërkohej përcaktimi i kufijëve kombëtar që të përfshinin Vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit dhe këmbëngulej fort për qeverisje të vendit prej shqiptarëve përmes një Parlamenti Kombëtar.Programi i Diellit kërkonte lirinë dhe të drejtat e Kombësisë shqiptare prej guvernës turke, por pa u ndarë nga Perandoria,duke patur të përbashkët veç ushtrinë, punët e luftës dhe punët e jashtme.
Gazeta Dielli luajti rol të rëndësishëm në përgatitjen e lëvizjeve kryengritëse të viteve 1910-1912 dhe duket se kjo ishte arsyeja që Perandoria e ndaloi hyrjen e saj në Shqipëri, por u përdor një reng për ta futur gazetën sërish në Portat e Perandorisë dhe në Shqipëri, u përdor emërtimi”Dielli dhe Flamuri”. Aty nga gushti 1912 Dielli u la i lirë pasi Qeveria e Qamil Pashës vendosi ta njohë autonominë e Shqipërisë, gjë që nuk u konkretizua sepse shtetet e Ballkanit i shpallën luftë Turqisë në tetor 1912.
Që në kryeartikullin e parë të Konicës në Dielli me 29 tetor 1909, u shfaq mendimi për krijimin e një shoqërie të fortë Kombëtare, rreth së cilës të mblidheshin të gjithë shqiptarët e Amerikës. Konica e drejtoi Diellin deri në mars 1910, më pas për ca kohë Diellin e nxori komisioni i Besa-Besën , por ai nuk vazhdoi më gjatë se fundi i prillit, Konica e rimori Diellin si editor në fillim të majit deri në korrik. Gazeta nuk doli për 3 muaj. Është koha kur Konica nxjerr Trumbeta e Krujës në St. Louis.

NOLI, KONICA DHE EDITORËT E TJERË QË DREJTUAN DIELLIN

Gazeta “Dielli” qe me fat sepse që në numrin e parë trashëgoi erudicionin e Fan Nolit, stilin e tij informativ, ironik e sarkastik; dhe më pas edhe përvojën e vyeshme e stilin polemizues, por dhe plot elegancë të Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit, Bahri Omarit, Rafat Gurrazezit,Qerim Panaritit, Nelo Drizarit, Xhevat Kallajxhiut, ish drejtorit të gazetës Demokratia e Gjirokastrës, Athanas Gegës etj. Mbi të gjitha Faik Konica, i mbiquajturi ”babai i gjuhës shqipe” sillte me vete shkollën e madhe të Albania-s, ç’ka shërbeu në rritjen e standardeve të profesionalizmin të mëtejshëm të Diellit.
Duke shfletuar koleksionet e Diellit, bindesh se secili prej editorëve i dha ngjyrën e stilit dhe të shpirtit të vet gazetës së shqiptarëve të Amerikës. Lënda që rrjedh në faqet e Diellit i ngjanë një përroi malor që rrjedh rrëmbyshëm, pa u ndalur; në të është përjetësuar jo vetëm historia e shqiptarëve të Amerikës, por e gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë. Aty është kombi shqiptar, aty është shteti shqiptar, pasi qe fat për Vatrën që lindi para shtetit dhe e orientoi shtetin, që foshnje.
Gurazezi, hartuesi i së parës Histori të Vatrës, shkruan se si Noli ashtu dhe Konica patën mosmarrëveshje me komisionin e Besa-Besën që nxirrte gazetën. Në kohën kur Noli vazhdonte studimet në Harvard, nuk e braktisi gazetën që e kishte krijuar vetë. Edhe pse ishte i ngarkuar me studimet dhe punët e kishës ai gjente kohë të drejtoi Diellin edhe për nëntë muaj, tetor 1910- qershor 1911. Pas Nolit ishte Efthim Natsi, që e mori përsipër barrën e drejtimit të Diellit për dy herë, por me periudha të shkurtëra kohore. Pas tij ishte Kristo Floqi editor i Diellit nga tetori 1911 deri në korrik 1912. Konica edhe pse e la Trumbetën e Krujës dhe iku nga St. Louisi, nuk u mor për ca kohë drejtëpërsëdrejti me Diellin dhe aso kohe lëshoi një batutë, që i zemroi ata që merreshin me Diellin ”Nuk e lexoj më Diellin pasi kam frikë se harroj shqipen” pat thënë Faiku, por në fakt iu afrua prapë Diellit dhe bashkëpunoi me të ngushtësisht, duke u rikthyer edhe si editor i gazetes rilindase.

Sipas nje studimi te realizuar nga Editori i Diellit ne vitet 1994-2009, poeti dhe studiusi Anton Cefa, 29 numrat e parë të Diellit i nxori Fan S. Noli, ndërkohë që nga 22 tetori 1909 gazeta doli nën drejtimin e Faik Konicës, që u thirr nga Londra. Përveç Nolit dhe Konicës, Diellin e kanë drejtuar pena dinjitoze, intelektualë të shquar, atdhetarë të përkushtuar si: Kristo Floqi, Kostë Çekrezi, që e bëri gazetën të përditshme( 7 nëntor 1914), Andon Frashëri, Bahri Omari(1916-1919), Aqile Tasi, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari,Peter Tikco, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj , Xhevat Kallajxhiu, Dr. Eduard Liço, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa etj.
Prej 9 vitesh Dielli drejtohet nga Kryeredaktori  Dalip Greca, duke patur një cikël të stabilizuar botimi në print të përmuajshem dhe të përditshëm Online, ndërkohë dhe që çdo 28 Nëntor publikohet numri special me më shumë se 100 faqe.

Mirenjohje per te gjithe Editoret e Gazetes Dielli!


*Editor i DIELLIT, Prej gusht 2009

***

VATRA DO MBYLLET, DIELLI U SHUA, SA HERE I KEMI DEGJUAR…?

Shkroi: PETER R. PRIFTI*/

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”!

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.”!
Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?
Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtë e lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.
Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.
Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.
Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.
Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.
Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.
Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.
Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotë dritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.
Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.
* Peter R. Prifti, ishte editor I Diellit dhe sekretar I VATRES. Ky artikull u botua DIELLI, Nju Jork, numri janar-shtator 1994.)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Dielli 109 Vjec, ditelindja, peter R Prifti

Komisioni i Garancive te Kanunores se Federates Panshqiptare Vatra shqyrtoi draftet qarkulluse

February 15, 2018 by dgreca

3 Komisioni
Ne mbledhjen periodike te muajit Shkurt 2018, Komisioni i Garancive te Kanunores se Federates Panshqiptare Vatra me pjesemarrjen e z. Bashkim Musabelliu, kryetar me anetaret z. Mehmet Kadria e Kujtim Porja, mori ne shqyrtim draftet qarkulluese te propozimeve te bera nga deget dhe nga anetare te Federates lidhur me Amendamentet e Kanunores.
Kryetari Musabelliu beri nje permbledhje te materialeve te gjendura dhe atyre qe qarkullojne mes anetaresise dhe u vendos qe per shkak te numrit te madh keto propozime dhe draftet e ndryshme do te permblidhen ne nje pakete dhe pasi te kryhen konsultimet e duhura do te paraqiten ne kuvendin e rradhes per miratim final. Pas votimit ne Kuvend, duke marre parasysh edhe sugjerimet e tjera qe po dalin dhe mund te dalin gjate periudhes parakuvendore do te botohet zyrtarisht Kanunorja dhe Amendamentet qe do te miratohen perfundimisht ne Kuvend.
Gjithashtu Komisioni shqyrtoi edhe ceshtjen e perkthimit te autorizuar dhe te njohur ne gjuhen angleze duke sugjeruar kryerjen nga nje grup juristesh pasi t’u jepet autorizimi perkates per kryerjen e detyres.
Komisioni ne teresi po sugjeron edhe entin botues te kanunores e cila do te jete sipas standarteve bashkekohore sa i perket regullesise dhe kuadrit ligjor te se drejtes se botimit dhe te copy right.
Komisioni I Garancive te Kanunores I kerkoi Kryesise qe te mund te paraqitet nje permbledhje te punes se tij gjate mbledhjes se Keshillit Drejtues te dates 3 Mars 2018.

Filed Under: Opinion Tagged With: Komisioni i Garancive te Kanunores, shqyrtoi draftet qarkulluse

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1543
  • 1544
  • 1545
  • 1546
  • 1547
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT