• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJMË ISH AMBASADORIN LUBLIN DILJA

December 13, 2017 by dgreca

NË KUJTIM TË ISH-AMBASADORIT LUBLIN DILJA  ME RASTIN E 60-VJETORIT TË LINDJES/

4 Lubi3 Lubi2 Lubi2ok Lubi ok

Nga Frank Shkreli/Me 10-Tetor të këtij viti, ish-ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington do i kishte mbushur 60-vjeç.  Fatkeqësisht, një sëmundje e rëndë e ndau para kohe nga kjo jetë, në vitin 2009, kur ai ishte në moshën 51-vjeçare — në kulmin e jetës dhe të veprimtarisë së tij diplomatike.  Ishte një vdekje e rëndë për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, pasi ndërroi jetë kur ishte në kulmin e fuqive mendore, profesionale, diplomatike dhe shoqërore.  Ishte kjo një vdekje e rëndë sidomos për familjen e të ndjerit Lublin, për Shqipërinë dhe për trupin diplomatik të saj.  Njëkohësisht, ishte një humbje e rëndë edhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, me të cilin Ambasadori Lublin Dilja pothuaj menjëherë pasi kishte filluar nga detyra në Washington – dhe pothuaj si asnjë ambasador tjetër i Shqipërisë në SHBA, si atëherë dhe sot — kishte lidhur marrëdhënie të ngushta me komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithësi, dhe me individë të komunitetit, në veçanti.

Unë e kam njohur Lublin Diljen për herë të parë, një ditë pasi kishte arritur në Washington në Nëntor të vitit 1993, si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara, i akredituar gjithashtu edhe në Meksikë dhe Kanada.  Ai qëndroi në këtë detyrë deri në tetor të vitit 1977.

Më kujtohet sikur të ishte dje, në shtëpinë time në Folls Çërç të shtetit Virxhinia, nja 10-kilometra jashtë Uashingtonit,  atë natë të nëntorit 1993 kisha disa mysafirë, pjesëtarë të një delegacioni të Partisë Demokratike nga Shkodra, edhe ata në vizitën e tyre të parë në Shtetet e Bashkuara.  Unë nuk e njihja Ambasadorin e ri shqiptar në Uashington, por vizitorët nga Shkodra më njoftuan se një ditë më parë kishte ardhur ambasadori i ri shqiptar të cilin ata e njihnin, në personin e Lublin Diljes dhe më sugjeruan që t’a ftoja edhe atë për darkë me qëllim që të njiheshim me njëri tjetrit.  Në atë kohë mezi prisnim të takonim njerëz të ardhur nga Shqipëria, e lere më ambasadorin e parë të rregullt të Shqipërisë në Washington. E pranova me kënaqsi propozimin e vizitorëve nga Shqipëria sepse — ndonëse kam qenë dëshmitar i nënshkrimit të protokollit për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit në Mars të vitit 1991– ardhja e ambasadorit të ri shqiptar në Uashington – përfaqsues i një qeverie post-komuniste të Shqipërisë –  më dukej gjithnjë si një ëndërr që ishte vështirë të merrej me mend si realitet.  Ishte diçka që në të vërtetë e kishim pritur dhe shpresonim për aq shume vite, por që pothuaj se kishim humbur edhe shpresën se do të ndodhte ndonjëherë – përball armiqësisë së regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj Shteteve të Bashkuara.

Sidoqoftë, Ambasador Dilja e pranoi ftesën për të ardhdur tek shtëpia ime pa asnjë hesitim, megjithëse ishte i lodhur nga rruga e gjatë ardhur nga Shqipëria vetëm një ditë më parë.  Ndejtëm deri vonë atë natë duke biseduar për Shqipërinë dhe ëndërrat e popullit shqiptar për liri demokraci pas pothuaj një gjysëm shekulli, nën njërin prej regjimeve më të egëra komuniste që ka njohur bota.  Natyrisht, ishte i interesuar për të mësuar sa më shumë për jetën dhe zhvillimet politike në Uashington si dhe për misionin e tij të ri diplomatik që e priste në kryeqyttein amerikan.

Ambasadori Dilja ka lënë pas gjurmë të pashlyeshme kujtimesh ndër të gjithë ata persona me të cilët është takuar shoqërisht dhe me të cilët ka punuar profesionalisht, jo vetëm në fushën diplomatike por dhe në fusha të tjera të veprimtarisë së tij dhe me të gjithë ata miqë e dashamirë shqiptarë dhe amerikanë, që e njohën.  Jo vetëm gjatë shërbimit të tij diplomatik, si përfaqsues i denjë i Republikës së Shqipërisë në Uashington, por më vonë edhe si Ministër-Fuqi-Plotë i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara, si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si pedagog në fushën e arsimit shqiptar.  Për mua personalisht, përshtypjet e mia shumë të mira për Ambasadorin Lublin Dilja si njeri dhe si përfaqsues i denjë diplomatik i Shqipërisë, u çimentuan atë natë në shtëpinë time në Virgxhinia jashtë Uashingtonit dhe nuk kanë ndryshuar atë ditë e sot.  Ndryshe nga shumë diplomatë të tjerë, gjatë viteve, Lublini të lente përshtypjen si njeri i thjeshtë dhe pa pretendime, posedonte shumë cilësi të larta njerëzore.   Megjith sfidat shëndetsore, ai e përballoi situatën me kurajo të thellë dhe me një ndjenjë të lartë përgjegjësie në punën e tij prej diplomati dhe në jetën e përditshme.   Ishte tepër i urtë, me sjellje të një zotënie, por serioz në punën e tij dhe i vetdijshëm se përfaqësonte Shqipërinë.  Si i tillë, gjatë shërbimit të tij diplomatik në Uashington dhe në Nju Jork, ai i solli nder Shqipërisë, si në qarqet diplomatike amerikane dhe ndërkombëtare, po ashtu edhe në radhët e komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte bërë ndërkohë që nuk mungonte kurrë në aktivitetet e tija, megjith sëmundjen e rëndë që e kishte lodhur shumë gjatë viteve të fundit të jetës së tij, ndërsa shërbente në Misionin e Përherëshëm të Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Jam dëshmitar se si diplomat i ri, ai përfaqësoi vendin e tij në kryeqytetin amerikan gjatë një periudhe shumë të vështirë për Shqipërinë dhe për ‘të personalisht.  Megjithë këto vështirsi përfshirë sfidat financiare dhe politike me të cilat përballej ambasada shqiptare në Uashington dhe vet Ambasadori Dilja     përfshirë krizën e mallëkuar që kishte pllakosur Shqipërinë në atë kohë, ai shërbeu me dinjitet dhe u këthye në atdhe, megjithse mund të rrinte dhe të vendosej në Amerikë në mënyrë permamente, ashtu siç bënë shumë diplomatë të tjerë shqiptarë gjatë viteve.  Me sjelljet e tija dhe bazuar në bisedat me ‘të gjatë asaj periudhe të vështirë për Shqipërinë dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, kurrë nuk u dëgjua t’i hidhte baltë Atdheut që përfaqësonte, të cilin e donte aq shumë, por ndjehej i privilegjuar që i ishte dhënë mundësia ta përfaqësonte atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Madje edhe në biseda private, Ambasador Dilja nuk shfryhej kurrë si disa të tjerë për problemet personale ose institucionale në të cilat hasnin, por si përfaqsues i vërtetë dhe i denjë i vendit të tij, të lënte përshtypjen se ai ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shërbim të Shqipërisë dhe jo domosdo në shërbim ose si përfaqsues i ndonjë partie ose individi të veçantë.

Puna e tij e zellshme dhe e palodhshme, megjith sfidat serioze shëndetësore me të cilat përballej trimërisht çdo ditë të viteve të fundit të jetës së tij – të pakën në publik, ashtu në heshtje dhe pa bujë vuante – si dhe dashuria e tij për Atdheun dhe interesat e tija, sidomos në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, e stolisin Ambasadorin Lublin Dilja me merita të veçanta dhe e bën atë shëmbull, të një diplomati të denjë dhe të respektuar të Shqipërisë, për brezat e ardhëshëm të diplomacisë shqiptare.

Për këtë arsye e kujtoj në këtë 60-vjetor të lindjes me respekt, jo vetëm për punën e tij si diplomat, por edhe si mik e dashamir i komunitetit shqiptaro-amerikan, pjesë e pandarë e të cilit ishte gjatë periudhës që përfaqësoi Shqipërinë në Uashington dhe në Nju Jork të Shtetet e Bashkuara.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Kujtojme Lublin Dilja, Lindjes, ne 60 vjetorin

Ngërçi kombëtar aktual

December 13, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Para pak ditësh, tre qeveritarë të lartë nga vendet e rajonit, ai i Greqisë, Bullgarisë, Rumanisë, dolën publikisht në mbështetje të Serbisë për përshpejtimin e proçedurave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Dhe ta mendosh që Serbia sapo ka dalë nga luftrat etnike, pasojat e shpërbërjes së Jugosllavisë nga 1990-ta e deri në 2006-ën, kur Mali i Zi përmes një referendumi popullor, vulosi përfundimisht shpërbërjen e federatës sllave. Dhe deri diku është akoma në konflikt të hapur me vetë Europën për shkak të mos njohjes së shtetit më të ri të shqiptarëve, atij të Kosovës. Por edhe për shkak se i plaset në derë Kremlit sa here që ka nevojë për të treguar superioritet. Një Serbi që në një farë mënyre imponohet me ekonominë stabël, shtetshmërinë, rrotacionin e butë politik e, plot të tjera.

Një vend a një shtet (megjithëse nuk identifikohet vendi dhe shteti) që ka aplikuar reprezaljet dhe genocidin, dasimet etnike, brenda një dhjetëvjeçari arrin deri këtu sa i kërkon karrike ku të ulet Europës. Dhe gjasat duken që do e marri shumë shpejt. Ia kërkon edhe me performance rajonale, shtetarësh. Kurse ne akoma në ato gërrvërret perverse të 5 burrave që nuk dine asgjë tjetër të bëjnë veç hiqe dhe futja njëri-tjetrit. Pas drejtimit të radhës që merr Bullgaria, vendet e rajonit si Greqia, Rumania dhe Serbia, thithin fonde marramendëse me projektet dhe politikat e tyre. Mjaft të kujtojmë atë që kryeministri bullgar Borisov e përmblodhi në një frazë tepër domethënëse, tashmë autostradat midis Sofjes, Bukureshtit, Selanikut e Beogradit janë tepër të ngushta. Kudo e dine, kudo e kanë moto se vendi fiton çdo të drejtë pasi kap parametrat optimal të një ekonomie bashkohore tregu. Rjedhat e rrugëve të forta, kamionët në dogana, trenat, anijet e të tjera janë oksigjen. Dhe kanë të drejtë të imponohen, madje ta marrin prej dore edhe Serbinë.
Por nuk e bëjnë me ne. Në fund të fundit më mire nga shqiptarët e kanë kuptuar ata, faktin që për ne oksigjeni i vërtetë është ai që frymon nga ideollogjia jo ekonomia e tregut dhe demokracia. Vrima e zezë e universit nuk është honeve të galaktikës, por në hollet e institucioneve të shtetit të shqiptarëve.
Vendet e rajonit mund ta bënin këtë edhe me ne. Por nuk e bëjnë. Veç ndonjë deklarate pro, asgjë tjetër. Madje sikur shpejtojnë të fusin Serbinë përpara nesh. Dhe pa diskutim që kjo ka një logjikë strategjike. Veto, vota etj. Megjithatë në raport me Serbinë, nga 90-ta e këtej, Shqipëria duhet të ishte anëtarësuar 10 here më shpejt. Por kjo nuk ndodh. Dhe deri sa nuk e bejnë ata, ajo që të habit është fakti se si nuk e bëjmë ne për veten tone. Ose si nuk e kuptojmë se kështu me gërrvërret nuk kemi asgjë në torbë?! Dhe shpjegimet janë dy, a) vendi është i futur në një ngërç për shkak se aktorët kryesorë i druhen pasojave. Dhe tjetra 2) ajo që fatet e shqiptarëve po kërkon t’i marrë në dorë Europa dhe Amerika. Kësisoj sot qytetarët shqiptarë janë thjesht sehirxhinj. I gjithë konflikti është mes ambasadës së Komunitetit Europian dhe Amerikës. Janë sehirxhinj për shkak të një pafuqishmërie pasi e kanë të pamundur të vënë në veprim votën. Vota e tyre është e vdekur. Askush të mos mendoj se sot është në koflikt të hapur vetëm opozita e sotshme me ambasadat. Dhe se, qeveria ka të drejtë. Jo, jo aspak. Do ishin në të njëjtat llogore edhe nëse kjo qeveri do të ishte opozitë. Tek ne si qeveria dhe opozita janë në konflikt të hapur me ambasadat, E veçanërisht me atë amerikane. Se kançelarite e europës jo të gjitha na kanë me sy të mire. Kështu që ne jemi futur në një ngërç kombëtar për shkak të klasës politike. E cila përmes një pjesë të saj fajëson pjesën tjetër. Por në një shoqëri fajtorësh askush nuk është pa faj. Eshtë një kohë e tillë, sidomos këto vite kur të gjitha idealet (me që jemi dhe në dhjetorin e transformimeve sociale tek ne) janë njëjtëzuar në emra të përveçëm. Dhe kjo na dallon shumë në raport me vendet e rajonit. Në këto 27 vite demokraci, duke filluar nga Kroacia, Rumania, Serbia, Bullgaria etj., plot qeveritar, apo Ish të tillë, me një fjalë politikanë kanë përfunduar në burg. Kurse tek ne, ata kthehen në shenjtorë. Tek ne në burg përfundojnë hallexhinjtë që ”vjedhin” drita. Jo baballarët e korrupsionit..
Kësisoj mos u çudisni kur ndonjë mëngjes, fare afër, Serbia të jetë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin e Europian. Dhe ne vazhdimisht aplikues për çeljen e negociatave…

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Ngërçi kombëtar aktual

AMBASADORI LU: REFORMA NE DREJTESI NUK KA VDEKUR

December 12, 2017 by dgreca

sot LuAmbasadori LU: Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.*/

sot Lu 2

E nderuar Zëvendës Kryetare e Kuvendit Zonja Hysi, e nderuar Zëvendës Kryeministre Zonja Mesi, e nderuar Avokate e Popullit Zonja Ballanca, kolegë diplomatë, zonja dhe zotërinj,

Shumë vite më parë, kur bashkëshortja ime bënte kërkime akademike mbi dhunën në familje, jepte mësime joge në një strehëz në Azinë Qendrore për gratë që kishin qenë viktima të trafikimit ose të dhunës me bazë gjinore. Shpesh herë, ajo kthehej në shtëpi me histori të pabesueshme për ato që gratë dhe vajzat kishin pësuar nga duart e trafikantëve të seksit dhe bandave kriminale.

Kur sapo mbërritëm në Shqipëri, vizituam të  treja strehëzat e OJQ-ve dhe strehëzën shtetërore për viktimat e dhunës në familje dhe trafikimit. Atje takuam vajza të reja të guximshme, disa vetëm 14 vjeçe, që ishin trafikuar dhe kthyer në Shqipëri. Pjesa më e madhe ishin refuzuar nga familjet e tyre dhe kishin përfunduar në këto strehëza.

Atje dëgjuam historinë e një viktime të dhunës në familje, të cilës një gjykatës i korruptuar ia kishte hequr fëmijët. Bashkëshorti i saj abuziv kishte qenë i dënuar për krime seksuale. Kur ajo më në fund pati guximin ta divorconte, në vend që të gjente drejtësi, gjykatat ia morën fëmijët e saj. Kujdestaria për dy nga tre fëmijët e tyre iu dha burrit i cili e rrihte, sepse ai kishte korruptuar gjykatësin. Kjo e shkatërroi atë.

Të gjithë ne luftojmë për arsye vetjake. Unë luftoj për reformën në drejtësi për këtë grua, për fëmijët e saj dhe për të gjitha familjet e tjera që kanë vuajtur nga një sistem gjyqësor i korruptuar. Luftoj për reformën në drejtësi edhe sepse është një përparësi e lartë e Presidentit Amerikan dhe e Sekretarit të Shtetit.

Reforma në drejtësi po hyn në një çast vendimtar. Komisionet e Vetingut dhe vëzhguesit ndërkombëtarë kanë punuar shumë. Së shpejti ata do të përfundojnë çështjet e para të vetingut. Kjo do të sjellë krijimin e organeve të tjera të reformës në drejtësi, përfshirë SPAK-un dhe BKH-në. Shqiptarët presin me padurim për drejtësi.

Dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur, por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur.

Sistemi i vjetër i drejtësisë mbronte njerëzit me pushtet dhe pasuri përmes korrupsionit dhe ndikimit politik.  Sistemi i ri nuk mund të ketë një Prokuror të Përgjithshëm që nuk ndjek askënd penalisht.  Ky vend nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian nëse vazhdon të ketë shkallën më të ulët të ndjekjes penale të krimeve të rënda në Evropë.

I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm  të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i përfundoi mandati pesëvjeçar më 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur  Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.

Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi gjyqësor të korruptuar, shpresoj që politikanët do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do ta zbatojnë këtë reformë në drejtësi.

Më lejoni ta mbyll duke lavdëruar Erinda Ballancën.  Ajo më ka bërë përshtypje si një  njeri me bindje dhe vlera të thella vetjake.  Ajo do luftojë fort për të drejtat e grave, fëmijëve, pakicave, komunitetit LGBTI dhe të personave me aftësi të kufizuar.  Ne qëndrojmë përkrah Avokates së Popullit në mbrojtje të të drejtave të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

* Fjala e Ambasadorit Lu në Konferencën vjetore të Avokatit të popullit

Filed Under: Opinion Tagged With: Ambasadori Lu, NUK KA VDEKUR, Reforma ne Drejtesi

PREMTIMI AMERIKAN

December 12, 2017 by dgreca

– Joe Biden, se bashku me DioGuardin, te paret zyrtare Amerikane qe kerkuan armatosjen e UCK-s/
1 Fation Bajden
Nga Tony Bislimi/
 Aeroplani që po ateronte në pistën e Madison, Wisconsin, merr mesazhin e mireseardhjes nga piloti, kurse e pasagjerët nguten për të dalë nga aeroplani për të arritë iterenaret e tyre. E mendoj se çdo aterim i aeroplanit brezit tim, dhe jo vetëm atyre, s’ka si të mos i sjellë në mendje ushtimat e avionëve që bënë lirinë e Kosovës me 1999 dhe rolin që kishte SHBA në fushatën ajrore të NATOs për të sjellë lirinë në Kosovë.
Joe Biden, është nga ata emra të përvetshëm që mendjen dhe zemrën e një burri të madh e kishte rreshtuar që të përkrahte fatin e Kosovës. Biden, që është një urtak i thinjur— unë parapelqej ta quaj, urtak ngase më asocon në urtësinë e Ibrahim Rugovës—është nga ata burra të SHBA-së që ka lënë gjurmën në politikëbërjen për sa kohë që ishte në detyrat më të rëndësishme të shtetit më të fuqishëm në botë.
Zevendes Presidenti Biden ka qenë nga zërat që kanë bërë gjerat e duhura në kohën e duhur për Kosovën, natyrisht këtyre emrave s’ka si të mos i shtohen edhe ai i Bushit te vjeter me “Kërcënimin e Kërshëndellave”, Presidenti Bush qe njohu pavaresine, Familja Clinton, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e Joe & Shirley DioGuardi, Lantos, Hyde, Gilman,  Rohrabacher, McCain, Royce, e shume e shume te tjere, sikur edhe shqiptarët e SHBA-së që kishin traditën e Vatrës që nga koha e Nolit dhe Konicës…
Biden, se bashku me DioGuardin ishin te paret zyrtare Amerikane qe kerkuan armatosjen e UCK-se dhe me ne fund binden Administraten e Clintonit per nderhyrje ushtarake ne Kosove.
Per këtë dhe per kontributin madhor te Joe Biden si dhe djalit te tij, tanime te ndjere, Beau Biden (i cili kishte sherbyer ne Gjilan pas luftes), ndonëse në pjesën më lindore të vendit, Gjilani, qyteti që më bënë krenar, nën lidershipin e Kryetarit Lutfi Haziri ka inicuar dhe perkrahur parezerve procesin e emërtimit te rrugës nacionale Gjilan-Ferizaj ne nder te Beau Biden, i cili po ashtu ne korrik 2016 eshte shpalle Qytetar Nderi i Gjilanit.
Ne fjalimin e tij me teme “Premtimi Amerikan” ne Madison te dielen, kushtuar lansimit te librit te tij dedikuar djalit Beau Biden, “Promise Me, Dad”, Joe Biden, nuk ka përtuar të paraqesë mendimin e tij para njerëzve të mbledhur andëkënd botës per Kosoven dhe besimin qe ka per vendin dhe popullin tone.
Ndjehem krenar qe pata rastin ta takoj Zevendes Presidentin Biden pas fjalimit te tij Madison, dhe derisa po ia dorëzoja një tabllo falënderimi me vendimin e shpalljes Qytetar Nderi per te birin e Biden, në emër të Kryetarit Komuës së Gjilanit Lutfi Haziri, ai me tha se kishte nje vend te vecant ne zemer per Kosoven dhe shqiptaret dhe se ndihej krenar me punen e tij per Kosoven edhe sa ishte ne Senat edhe sikur Zevendes President ne Shtepine e Bardhe te Presidentit Obama. Gjate bisedes shume miqesore qe patem, une ia percolla Zevendes Presidentit Biden edhe ftesen e Kryetarit Haziri per vizite ne Gjilan dhe ndihem me shume sesa krenar te them se Gjilani shume shpejte do te jete nikoqir i Joe Biden dhe keshtu do e kulmoje miqesine me dhe nderimin per SHBA-te perjetesisht! Joe Biden pranoi me kenaqesi ftesen dhe u ndame duke me thene: “shihemi perseri ne Gjilan, bashke” duke i derguar edhe pershendetje te sinqerta Kryetarit Haziri!
Biden ende s’e ka dhënë fjalën e fundit në politikë, dhe shumë kush nga ata që bëjnë mendimin dhe opionin demokrat në SHBA e shohin Biden, si njeriun që do të që çojë demokratët në Shtëpinë e Bardhë perseri!

Filed Under: Politike Tagged With: Joe Biden, Joe DioGuardi, Premtimi amerikan, Tony Bislimi

KRYEMADHI E PËRFUNDOI VIZITËN NË SHBA ME TAKIMIN NË VATËR

December 12, 2017 by dgreca

1 Dera1 D e Marjan1 dritani monika Ule2 Ibrahim ok1 Tav e nderit ok1 takimi

Me kërkesën e saj, zonja Monika Kryemadhi, e shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së z. Petrit Vasili, ka vizituar Selinë e Vatrës të Hënën me 11 Dhjetor 2017.  Zonjës Kryemadhi ia ka uruar mirëseardhjen Kryetari i Vatrës z. Dritan Mishto.Në fjalën e mirëseardhjes, ndër të tjera z. Mishto tha se: Është kënaqësi që presim këtu në Vatër kryetaren e LSI-së, deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, zonjën Monika Kryemadhi dhe deputetin, njëkohësisht Kryetarin e grupit parlamentar dhe nënkryetarin e kësaj Partie z. Petrit Vasili. Vizita e tyre tregon respektin,që klasa politike shpreh ndaj Vatrës. Ne jemi të hapur dhe ju presim në kuadër të detyrimeve që ka Vatra për zhvillimet në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, kudo, u tha z. Mishto mysafirëve. Ne, shtoi z. Mishto, jemi të pakënaqur me gjendjen e  Shqipërisë dhe sjelljen e shtetit ndaj qytetarëve, pavarësisht emrave që kanë ata që e drejtojnë shtetin, apo partive që qeverisin. Vatra shpreh mospajtimin e saj me qeverinë që e ka kthyer vendin në varfëri ekstreme, në qendër prodhimi dhe trafikimi të drogës,përfshi policinë e shtetit dhe ministrin e kabinetit qeveritar, dhe shqetësimin tonë e kemi prezantuar në vendin dhe kohën e duhur, dhe kështu do të bëjmë edhe në të ardhmen.

Z.Mishto ka spjeguar edhe për qëndrimin që mbajti Vatra ndaj të ashtuquajturit Samit të Diasporës, organizuar nga qeveria. Samiti nuk ishte gjë tjetër veçse një takim-fasadë, që Kryeministri u përpoq që ta përdorte për të përmirësuar imazhin e keqqeverisjes së tij.

Më pas z. Mishto ka prezantuar zhvillimet në Vatër, afrimin e intelektualëve dhe brezit të ri në Vatër, dhe rivitalizimin e Federatës që synon të shtrihet në të gjitha e shtetet e Amerikës dhe Kanada, duke synuar në të ardhmen edhe Europën.

Zonja Kryemadhi ka falenderuar Kryetarin e Vatrës për pritjen dhe informoi për takimet që ajo kishte bërë një ditë më parë në Famullinë e Kishës Zoja e Shkodrës, ku mori pjesë në meshën e së dielës dhe u takua me bashkatdhetarë në Qendrën Kulturore Nëna Terezë. Po ashtu ajo kaloi një drekë pune me Këshilltarin e Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj.

Synimi kësaj vizite në SHBA, tha zonja Kryemadhi, është e dyfishtë; së pari të kërkoj prej shtetit dhe politikës amerikane që të jenë më prezent dhe ta ndihmojnë Shqipërinë për të kapërcyer gjendjen e vështirë ku ndodhet; kërkova prezencë të investimeve të munguara amerikane, dhe së dyti, erdha të takohem me diasporën shqiptare dhe të kërkoj prej saj që të bëhet faktor në zhvillimet në vendlindje. Në Shqipëri duhet pranuar fakti se prezenca amerikane në ekonominë shqiptare është e papërfillshme, edhe tri kompanitë e fundit janë larguar.Po ashtu inekzistente është edhe kontributi i biznesmenëve shqiptaro-amerikanë.Në këto kushte, ajo bëri thirrje përmes Vatrës, që diaspora të bëhet diktuse ndaj qeverisë dhe klasës politike. Ndoshta ka ardhë koha, sygjeroi ajo, që Vatra ta ketë një qendër të sajën në Tiranë.

Më pas ajo ka denocuar krimin qeverisës, përfshirjene  ministrit Tahiri, dhe forcave policore në trafikun e drogës, denoncoi gjendjen e tejskajshme të varfërisë, rritjen e borxhit, nivelin e ulët të edukimit shkollor, gjendjen skandaloze të shëndetësisë, dhe braktisjen e vendit, veçanërisht nga inteligjenca dhe të rinjët. Ajo i bëri skaner keqeverisjes socialiste dhe është ndalë gjatë edhe në Reformën e Drejtësisë, të cilën Rama po përpiqet që ta shfrytëzojë për ta kapur, siç po bën me prokurorin e përgjithshëm.

Gjatë takimit Znj. Kryemadhi vlerësoi shumë pozitive çdo përpjekje që shqiptarët bëjnë për të kompaktësuar gjithmonë e më shumë komunitetin dhe mbajtjen gjallë të vlerave kombëtare shqiptare në një vend të madh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Kryetarja e LSI theksoi se sa më i fortë , sa më i stabilizuar e sa më mirë të eci shteti mëmë, kjo është një mbështetje për emigracionin dhe diasporen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ajo premtoi se kontaktet do të jenë të vazhdueshme dhe shprehu gatishmërinë për të diskutuar dhe me kualitetet intelektuale qe Vatra ka, edhe për cështje që kanë të bëjnë me zhvillimin sa më të mirë të marrëdhënieve të Shqipërisë mëmë e Diasporës.

Zonja Kryemadhi, ishte në një mendje me Kryetarin Mishto, për “kapjen” që përpiqet qeveria t’i bëjë diasporës përmes Samitit-fasadë.

Në takim ka folë edhe z. Petrit Vasili, i cili parashtroi idetë e partisë, ku është nëkryetar dhe platformën e saj për të nxjerrë vendin nga kriza.Ai u ndal gjatë në Reformën e Drejtësisë dhe spjegojë se pse LSI e ka mbështetur që në fillim, por denocoi kursin e qeverisë për ta shfrytëzuar atë për kapje të Drejtësisë. Ai u ndal gjatë edhe në degradimin e shërbimit mjeksor.

Gjatë takimit pati debate, pyetje, diskutime, ku u përfshinë: Zef Balaj, anëtar i kryesisë, Bashkim Musabelliu,Kujtim Porja, Gjergj P. Balaj, Frederik Ndoci etj.

Pyetje u bënë në drejtim të LSI-së për përgjegjësinë që ka kjo forcë politike në gjendjen e vendin duek qenë se ka qenë bashkëqeverisëse me qeverinë e sotme, sa e sinqertë është me aletët e vet në opozitë etj.

Kjo nuk është hera e parë qe deputetë të kësaj force politike vizitojnë Vatrën. Edhe para 2 vitesh një grup deputetesh femra, ku merrte pjesë dhe deputetja më e re e Parlamentit të asaj kohe Silvia Caka.

Në fund zonja Kryemadhi dha një intervistë të shkurtër për Televizionin Kultura Shqiptare(Albanian Culture TV).

***

Gjatë vizitës së saj në SHBA, zonja Kryemadhi dhe z. Petrit Vasili u pritën në takime në Departamentin e Shtetit, Byroja për Zbatimin e Ligjit dhe Luftën kundër Narkotivëve(INL)(7 dhjetor). Në takimin me Zv. Drejtorin për Europën dhe Euro-Azinë Don Stolworthy dhe Zyrtaren për Çështjet Ndërkombëtare Stepahnie Larsen, trafiku i drogës ishte problemi kyç i cili u diskutua gjerësisht pasi është një çështje kritike për Shqipërinë. U diskutua gjithashtu edhe qëndrimi refraktar i mazhorancës për çështjen Tahiri si dhe sasitë e mëdha të drogës të cilat po kapen në vazhdimësi, veçanërisht nga vendet fqinje si Italia dhe Greqia. Kryemadhi u shprehu autoriteteve Amerikane mbështetjen e plotë te LSI-së për reformën në drejtesi, por ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kjo reformë të zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe paketën e ligjeve të miratuara si dhe ngriti shqetësimin për përpjekjet e mazhorancës për të devijuar reformën, për te mos respektuar kushtetutën e reformuar dhe ligjet dhe veprimet për të kapur drejtësinë.

Me 8 dhjetor delegacioni i LSI-së u prit nga miku i shqiptarëve Kongresiti Eliot Engel. Takimi u fokusua ne zhvillimet me te fundit politike ne Shqiperi. Kryemadhi pasi falenderoj Z.Engel per mikpritjen e ngrohte, vleresoi rolin dhe kontributin e tij te vazhdueshem per Shqiperine dhe shqiptaret, per zhvillimin dhe integrimin Euro-Atlantik te Shqiperise, si dhe per forcimin e shtetit ligjor dhe demokracine ne vend. Kryemadhi duke u ndalur tek marredhenjet mes dy vendeve, theksoi se SH.B.A ka dhene nder vite nje ndihme te jashtezakoshme historike  per Shqiperine qe ajo te kaperceje me sukses sfidat e medha me te cilat eshte perballur dhe te hedh hapa te sigurte drejt zhvillimit.

Gjatë vizitës të saj në Washington Znj. Kryemadhi,zhvilloi takime edhe në Departamentin Amerikan të Tregëtisë, ku në Byronë e Industrisë dhe Sigurisë, zhilloi një takim me Ndihmës Sekretarin e Tregëtisë për Menaxhimin e Eksportit Z. Richard Ashooh.

Ndihmës Sekretari Ashooh shprehu kënaqësinë e veçantë që për herë të parë zhvillohej nje takim i tillë si dhe konfirmoi gadishmërinë e plotë për të mbështetur Shqipërinë në çështjet e sigurisë industriale dhe të eksporteve të teknologjisë.

Gjithashtu, Ndihmës Seketari Ashooh shprehu interesin për të asistuar Shqipërinë gjerësisht në hartimin e legjislacionit, akteve rregullatore dhe metodave të monitorimit, dhe partneritetit reciprok për çështje që lidhen me industrinë dhe sigurinë industriale. Znj. Kryemadhi konfirmoi predispozicionin maksimal të Lëvizjes Socialiste për Integrim që ajo të jetë mbështetëse por edhe promovuese e hartimit të legjislacionit në këtë fushë kaq të rëndësishme. Ajo siguroi se me tu përgatitur një legjislacion i tillë do të komunikojë me të gjithë aktorët e tjerë politikënë Shqipëri që kjo paketë legjislative e nevojshme për zhvillimin e vendit në tërësi por dhe sigurinë kombëtare në veçanti, të miratohet në një kohë sa më te shpejtë dhe Shqipëra të ketë standardet më të larta ndërkombëtare bashkëkohore në këtë fushë.
Zonja Kryemadhi u intervistua edhe nga Zëri i Amerikës gjatë qëndrimit të saj në Washington. Për kreun e LSI-së çështjet e drejtësisë nuk zgjidhen me tryeza politike ashtu siç bën thirrje kryeministri Edi Rama, por në Kuvend. Sipas kryetares së LSI-së kryeprokurori i përkohshëm zgjidhet ashtu siç e përcakton kushtetuta dhe jo me një votim të thjeshtë, ashtu siç e përcakton kushtetuta dhe jo me një votim të thjeshtë, ashtu siç pretendon maxhoranca.“Zgjidhja e çështjes është ndër më të rëndësishmet, pse në ditën e fundit duhet ta diskutojmë. Çështjet e drejtësisë nuk zgjidhen në tryeza, por në parlament, jo me allishverishe politike. Duhet të ulemi në institucionet parlamentare.Ne na kanë kaluar të gjitha afatet, duhet të ishin ngritur KED, KLP dhe të gjitha të tjerat. Nuk mund të përdorim dy standarde. EURALIUS dhe OPDAT të na thonë ku është shkruar në kushtetutë se Kryeprokurori mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë’ Ne nuk e kemi të shkruar në Kushtetutë që kryeprokurori të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Ne duhet t’i mësojmë vetëm një standard dhe jo dy standarde. Rama kërcënoi hapur SHBA dhe BE kur tha se ne kemi edhe opsione të tjera siç janë Kina dhe Rusia” – tha Kryemadhi.(DIELLI)

Filed Under: Featured Tagged With: Kryetari Mishto, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Vizite en Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1637
  • 1638
  • 1639
  • 1640
  • 1641
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT