• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PAZARI I VJETER I SHKODRES

December 9, 2017 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/1 Pazari i Vjeter Shkoder

Deri kah viti 1968 vazhdonte me qendrue në kambë kjo pamje, derisa shkatrruesit janë kujtue per sheshimin e plotë të kësaj qendre tregtare të Shkodres së vjeter. U emnova mësues në vitin 1962, dhe me të vertetë si diten e parë që shkova, me aq knaqësi punova per 8 vjet me fëmijët Lagjes së Re, që ishin banorë të Pazarit të Vjeter brij Rozafës.

Kishte shumë pak nga ndertesat e vjetra, ku Bexhisteni vazhdonte me kenë e pranë tij edhe Shtëpia e lëkurave, ndertime të bukra dhe me histori të dokumentueme.

Ura e Pulave karrshi shkollës ishte pamja e perditshme që më çonte tek Posta e Pazarit, dhe krejt brij saj fillonte ngjitja e rrugës per në Kështjellen Rozafat, një mbrekulli…

Atëherë kam formue bindjen se në Shkoder asgja që asht prishë, djegë e shembë, nuk asht kenë rastësi… Po, gjithshka e paramendueme dhe e sajueme per me mërrijtë deri tek “Piramida e kufinit me Jugosllavi” që ishte “drrasa e parë e Urës së Bunës”… Turpi i një tradhtije të pashueme që në 1913, kur “daja Esad Pashë Toptani” e shiti Shkodren!

Ngjarjet shkatrruese të Shkodres ishin një vazhdimsi e urrejtjes së Turqisë, që nuk i ka mungue asnjëherë dhuna dhe gjakderdhja sllave, shoqnue me shpartallimin ekonomik dhe kulturor, tue i pre të gjitha rrugët e një qytetnimi Europjan Shkodres e Shqipnisë.

Fillimisht kur Mark Kakarriqi mendoi me kanalizue Bunen dhe me kthye Shkodren në port detar, tue e sigurue edhe nga rreziku i permbytjeve me anën e thellimit dhe të një ndertimi modern në bashkpunim me një firmë të njohun angleze, “ishin anadollakët e Pazarit të Vjeter, që nuk donin ndihmen e kryqalijve të Anglisë, me na u sjellë këndej..!”

Asht pikrisht koha kur Familja Parruca, shet ndertesen e Shtëpisë së Kulturës, dhe iku pergjithmonë nga Shkodra, tue “puthë prakun e Derës dhe, tue mallkue ata që kthejnë!”

Malazezët sulmojnë Shkodren, dhe e mbajnë të rrethueme derisa shpallet Pavarsia!

1913: At Gjergj Fishta ven Flamurin në Kompanjelin e Kishës së Fretenve, kur rinia shkodrane sheh me sytë e vet kandilat e ndezun dhe të lidhun nga Kompaneli i Kishës tek minarja e Xhamisë së Fushës së Çelës, dhe këndon pergjatë Shkodres “Hymnin e Flamurit” me muziken e Kurtit… Francezi nuk mund ta shohin dhe do “me e ulë me topa!”… Sufleri u tha: “Jo, nuk e duem me e ndigjue Hymnin e Fratit me Alfabetin e Manastirit “Porsi fleta e Ejllit Zotit…” se, ma i mirë asht per “shqiptarë” hymni me muzikë rrumune që këndohet edhe sot! “Të pakten sllavët nuk i zen me gojë!”

1920: Kur u mblodhen “intelektualët e Haxhi Qamilit” me caktue Kryeqytetin e Shqipnisë, dhe kur mendohej se “Shkodra asht ma e pershtatshme se të gjitha qytetet tjera, si e ka pasë shpjegue Luigj Gurakuqi, per interesat tona kombtare dhe Europjane” … “Jo, ne jemi per Tiranën e Toptanëve”… E madje, mbas 90 vjetëve i shembin edhe “Shtëpinë e Atdhetarit Luigj Gurakuqi”, se gaboi: “Ai në 1908 na hapi edhe Shkollen Normale në Elbasan..!!” E, mbas Tij edhe Ministri fashist Ernest Koliqi, na hapi nja 200 shkolla Shqipe nder trojet tona… Kur shoku Tito nuk i donte ato, madje edhe vrau pa ju tutë syni Mësuesit e Nderuem Ymer Berisha, Kol Margjini, Gjergj Martini e Kol Parubi, që ua mësonin fëmijve Shqiptarë nder ata shkolla Hymnin e Flamurit të Skenderbeut!

1944: Po, tregtarët e Shkodres ku ishin kur “shokët komunista” që ua dergonin paret me shegertat e vet, ua sollen në 1945 “vllezërit grekë’ me fjetë aty dhe me i vue flaken Pazarit, kur Shkodren e drejtonin terroristët Qamil Gavoçi me Arif Gjylin, Sheuqet Peçin dhe Mehmet Shehun e kompani, tue këndue sesi “ua bëjmë… nënën Gegëve…” ?!

Vidheshin dyqanet e Pazarit të Shkodres, rraheshin e ngordhnin në hu tregtarët e atyne dyqaneve, derisa dorzonin arin… Pushkatoheshin Profesorët e nxanësit e Gjimnazeve ku partizanët vidhnin “objektet e zbulueme nga At Gjeçovi, me ua dhurue tradhtari Enver Hoxha shokve Stalin dhe Tito…”, ideatorëve të pavdekshem të pushtimit Shqipnisë nga sllavokomunistët e Veriut dhe të Jugut, pa mendue fare: “Po sot, çka do ti dhurojmë?!”

I ranë mbas shpine Atdhetarit Prek Cali forcat e Mehmet Shehut e ato të Titos, u vranë

118 Burra t’ Atyne Maleve, ua treten nder prroje Trupat e Tyne, ua plaçkitën Kullat dhe bagtitë… “Se, ashtu urdhnoi shoku komandant nga Tirana…” E sot, vazhdon tragjedia!

1945: Bash atëherë, kur “çlirimtarët” sollën grekët dhe dogjën Pazarin e Shkodres, “ata heshtën”!… kur u pushkatue “Grupi Atdhetar i Deputetëve” në Tiranë, prap  heshtën… Kur u vrane “pa faj grupi i Bashkimit Shqiptar” në Shkoder, edhe atëherë “heshtën”…

Kur u dogj Kinema Rozafat, “tue vrritë kurvat: Plumbin ballit armiqëve!”, heshtën…

Kur u ba “Revolucioni Kulturor i 1967” në Shkoder, heshtën… Kur filluen fëmija me u thanë Nanave “nënë”… Heshtën… Ashtusi, kur në Vaun e Dejës u shemb Kisha ku u kunorzue Gjergj Kastrioti, dhe “me kongrese turpi” u perjashtue në 1972 Gegnishtja…

Prap heshtën! E prap, vazhdojnë me heshtë… edhe pse Skenderbeut i vehet perqe!

Ua kanë vue traktorat Kullave të Prek Calit… E Malësorët tanë po thonë se “Heshtin”!

Edhe pse Ata Kulla ndaluen “zgjanimin e Jugosllavisë së Re e t’vjeter” prap heshtin…

Edhe pse Ata Kulla e mbarë Një Shqipni, u shkatrrue nga sllavokomunistët e Titos dhe të tradhtarit gjinokastrit Enver Hoxha, trashigimtarët e tyne SOT, po duertrokasin per “Ballkanin Përendimor”… E Shqiptarët shka bajnë?! Ate e ka thanë At Gjergj Fishta me

“28 Nandor 1913” :   “Ah! T’ mjerët na, t’ mjerët! E sod, me ‘i pecë të kuqe

E me ‘i orrl duem qi Shqyptaria e mjera

T’dalë vedit n’ dritë, si vedit çilë n’ bubuqe

Nji drandofille e njomë, kur kthen pranvera…

Jo, jo, Shqyptarë! Por banje flamrin duqe

E zhytnje n’ Dri t’ mos t’ a zhvillojë kurr era.

Flamri Kombtar nuk ka shka ban nder né,

Po kjé se dashuni nuk kem’ p’ r Atdhé

E, drue dashtni p’r Atdhé nuk ka Shqyptari;

Me gjasë, s’ çan kryet Shqyptari per komb t’ vet,

As per njatë gjuhë t’ ambel qi i la i Pari,

As pse Shqypnia n’ vedi u ba sod shtet;

Pse e shoh se veç atje, ku xhixhillon ari

Pa frymë e tue dihatun vrap ai nget:

Si Krishtin shiti Juda Iskarjotë,

Drue Atdheu nder né po shitet p’r zallotë…” (“LIRIKA” fq. 20).

Melbourne, 9 Dhjetor 2017

Filed Under: Fejton Tagged With: Fritz radovani, Pazari i vjeter, shkoder

Shenjtëreshë për Dashuri – Nëna Tereze (1910-1997)

December 8, 2017 by dgreca

2017- Përvjetorët e Shenjtëreshës- Nëna Terezë: 20 vjetori i vdekjes, 1 vjetori i shenjtërimit; 38 vjetori i Çmimit Nobel për Paqe/

1 Don Lushi

Shkruan: Don Lush GJERGJI/

Vitin që po e lëmë pas, 2017, për ne, Kishën katolike dhe popullin Shqiptar kudo në botë, ka qenë i  shënuar dhe i bekuar, shumë i frytshëm dhe domethënës në shumë kuptime dhe drejtime, sidomos në përkujtimin e përvjetorëve të Shën Nënës Tereze:

1 nene Tereza

  • 38 – vjetori i Shpërblimit Nobel për Paqe, në Oslo (Norvegji), 10 dhjetor 1979;
  • 20 – vjetori i vdekjes së Shën Nënës Tereze,  në Kalkutë,  5 shtator 1997;
  • 1- vjetori i shenjtërimit të Nënës Tereze nga Papa Françesku, në Vatikan (Romë), 4 shtator 2016;
  • Shugurimi i Shenjtërores dhe Katedrales “Nëna Tereze” në Prishtinë,  5 shtator 2017.

Këto ngjarje shënojnë historinë e Kishës Katolike në popullin Shqiptar, si dhe historinë tonë kombëtare, me domethënie dhe porosi të mëdha dhe shumë aktuale për ne, por edhe për mbarë njerëzimin.

Ta njohim, zbërthejmë, shqyrtojmë, përjetojmë Nënën tonë Tereze, tiparet e saja dalluese, porositë e saja karakteristike,  risitë që i ka dhuruar Zoti nëpërmjet saj, domethënien  për ne dhe prej brezat e ardhshëm, veçoritë që atë e kanë karakterizuar dhe dalluar,  sidomos në domethënien e  fesë dhe të dashurisë së krishterë.

Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianët  të ndryshme të botës, që nga takimi im i parë personal në vjeshtë në Romë në vitit 1968. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian” në Romë. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986; isha me të gjatë Çmimit Nobel për Paqe (Oslo, 1979); në shumë vende të Evropës Lindore;  sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë (1989)…

Çdo takim ishte si i pari dhe  i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos malli për Atdhe, lidhja e ngushtë shpirtërore me Popullin dhe Kishën ndër Shqiptarë,  por edhe vuajtja me ne dhe për ne, por edhe  për njerëzit e mbarë botës.

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës: tradita dhe përvoja familjare, kombëtare shqiptare, që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, si dhe përvoja dhe jeta dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit që identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e  bëtë për mua” (Mt 25, 40). Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 17 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashterrshme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllaun apo motrën Njeri.

  1. Disa risi në jetën dhe veprën e Nënës Tereze: feja, shpresa dhe dashuria

Ndër risitë më të rëndësishme që kam hetuar unë janë këto: feja – që për Nënën Tereze ishte kërkim i Zotit në Njeriun dhe i Njeriut në Zotin në çdo fazë të jetës së saj. E kishte kërkuar Zotin dhe thirrjen, planin e tij prej moshës 12 deri 18 vjeçare, kur kishte vendosur plotësisht t’i kushtohet atij: “Dua të bëhem motër misionare për t’i ndihmuar të varfrit e botës” (Letnicë, 14 gusht 1928). Gjatë 18 viteve si “Motër e Loretos”  dhe së fundi prej vitit 1950 e deri te kalimi në amshim. Ajo kurrë nuk e ka ndarë Zotin prej Njeriut dhe Njeriun prej Zotit.

Shpresa – veprim gjithnjë dhe kudo me dashuri dhe për dashuri, me parimin: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”. 

Dashuria – flijim dhe dhurim pa kursim për t’u bërë dhe mbetur Nëna e Dashurisë.

  1. Nëna universale – universalizmi i jetës dhe dashurisë

Misioni i Nënës Tereze është Dashuria, vendveprimi është bota, mbarë njerëzimi, metodologjia është dëshmia e krishterë, qëllimi është lehtësimi dhe pakësimi i vuajtjeve, mënyra është pjesëmarrja e plotë dhe e lirë në jetën e tyre, të privilegjuar janë të braktisurit dhe të dëbuarit e botës.

Risia e dytë e Nënës Tereze ishte UNIVERSALIZMI në çdo kuptim dhe drejtim kohor dhe hapësinor në dy parime themelore: Për Zotin – Dashuri dhe Njeriun – vëlla apo motër, pra, i jetës dhe dashurisë. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur në vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, gnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë. Ajo nuk kishte për qëllim kthimin e të tjerëve në fenë e krishterë, në Kishën Katolike, por “që të jetë në mesin e tyre rrezja e Pranisë dhe e Dashurisë së Zotit, që t’ ua dhurojnë të gjithëve Zotin – Dashuri – Atë”.

Qëllimi i saj, pra, ishte diçka tjetër, dashuria dhe prania e Zotit në botën e sotme, sidomos ndër të varfrit më të varfër, të braktisur, të gërbulur, njerëz të përbuzur dhe të përjashtuar nga jeta e rëndomtë, për t’ua dëshmuar të gjithëve se çdo njeri është së pari Njeri, i afërmi ynë, vëlla apo motër, deri te ajo që në çdo Njeri ta shohim, njohim, duam dhe shërbejmë vetë Jezusi, dhe këtë me shembullin e jetës dhe dëshminë e përditshme.

Ja çka thotë Nëna Tereze për motrat që i ka themeluar ajo me emërtim “MISIONARET E DASHURISË”: ”Misionarja e Dashurisë duhet dhuruar, por mbi të gjitha duhet ta dhurojë vetveten… Për t’iu dhuruar të varfërve dashuri, ne duhet të jemi të afta ta duam njëra-tjetrën në bashkësinë tonë rregulltare, t’i dhurohemi tërësisht Zotit nëpërmjet të afërmit, nevojtarit… Ne jemi motra rregulltare dhe thirrja jonë nuk është puna me të gërbulur, apo me njerëz në buzë të vdekjes: Thirrja jonë është të jemi tërësisht të Jezusit. Pasi jam e Jezusit, puna ime është mjet për ta treguar dashurinë ndaj Tij. Prandaj puna është mjet e jo qëllim jete”.

  1. Vuajtja – bekim e jo mallkim

Risia e tretë e Nënës Tereze është kjo: vuajtja, pësimi, mjerimi, varfëria, gërbula, Sida, si dhe çdo pësim tjetër, nuk është mallkim, dënim i Zotit, por hir, mundësi për ta treguar dashurinë ndaj Jezusit që vuan në njerëz të tillë. Ajo e shihte, e njihte, e shërbente  dhe e dashuronte Jezu Krishtin në ata që nuk kishin më as pamje njerëzore.

Ajo thoshte kështu:”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Ne varemi tërësisht prej Provanisë hyjnore… Ja ana më e bukur e rregullit tonë… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

  1. Dhurim falas dhe në tërësi

Risia e katërtë e Nënës Tereze është dhurimi falas dhe në tërësi, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëre këtë punë me zemër, ose mos e bën aspak!”.

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.Ja, prapë mrekullia e dashurisë dhe e shenjtërisë: Më e varfra e botës, Nëna Tereze, më së shumti i ka ndihmuar të varfrit e botës, jo vetëm në anën materiale, por edhe më tepër në atë shpirtërore dhe morale, sepse është dhuruar falas dhe tërësisht, me gëzim dhe me dashuri të plotë Zotit  nëpërmes njeriut.

  1. Kontemplative aktive në botë

Veçoria e pestë e Misionareve të Dashurisë është kjo: kontemplative aktive në botë. Kjo do të thotë të jenë tërësisht të kushtuara Zotit në lutje, meditim, adhurim, pendesë, dhe si pasojë e kësaj jete shpirtërore, të jenë edhe aktive në botë me dashuri vepruese. Pse dhe si? “Të gjitha për Jezusin, në Jezusin dhe me Jezusin”.Urata, meditimi, adhurimi, mesha, kungimi, me një fjalë e tërë jeta shpirtërore ka për qëllim që motrat të aftësohen për dashuri, për dëshmi, për veprim, për ta njohur, ndihmuar, dashur dhe shërbyer Jezusin në njerëz që vuajnë.Kontemplative aktive domethënë ta kërkojmë, gjejmë, shërbejmë Zotin jo vetëm në çaste të kushtuara atij, në jetën tonë shpirtërore, por gjithkund dhe gjithnjë pikërisht me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë.

Nëna Tereze thoshte: ”Nëse e njohim, duam, adhurojmë, ushqehemi me Jezu Krishtin vetëm në meshë, në Kungim, është tepër pak. Ne lutemi, meditojmë, adhurojmë, marrim pjesë në meshë, e marrim Jezusin në Kungim në zemër për ta vazhduar këtë kërkim dhe shoqërim me të në përditëshmëri. Nëse e gjejmë dhe shërbejmë Jezusin në të varfrit tanë, atëherë jemi kontemplative në mesin e botës”.

Për këtë Nëna jonë Tereze ishte dhe gjatë do të mbesë Ungjilli i gjallë, risia ungjillore, Misionarja e Dashurisë, Nëna e botës së mjerimit, tash Shenjtëresha  Jetës dhe Dashurisë.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: (1910-1997), don Lush Gjergji, Nena Tereze, Shenjtëreshë për Dashuri –

Monika Kryemadhi takon kongresmenin Engel në Uashington

December 8, 2017 by dgreca

1 monika-kryemadhi

Deputetja, njekohesisht Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është takuar me kongresmenin Elliot Engel në Uashington. jë ndihmë të jashtëzakonshme historike për Shqipërinë që ajo të kapërcejë me sukses sfidat e mëdha me të cilat është përballur dhe të hedhë hapa të sigurtë drejt zhvillimit.“SHBA është aleati ynë më i madh strategjik dhe ka një rol të pazëvendësueshëm në historinë, të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, është shprehur kryetarja e LSI.Më tej Kryemadhi bëri një ekspoze sintetike të situatës aktuale politike në vend duke vënë theksin tek problematika e kanabizimit, të trafiqeve, si dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryemadhi foli edhe për domosdoshmërinë e avancimit të zbatimit rigoroz të reformës në drejtësi. “Zbatimi i reformës në drejtësi ka rëndësi jetike për qytetarët shqiptarë dhe klasa politike ka përgjegjësi madhore për të mos humbur më kohë në këtë proces”, vijoi kryetarja e LSI.

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Eliot Engel, Monika Kryemadhi, takon Kongresistin

SHQIPËRIA- DREJTË LINDJES APO PERËNDIMIT?

December 8, 2017 by dgreca

 1-Frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Në takimin e nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor organizuar nga “Miqtë e Europës” në Bruksel këtë javë, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama u ankua se Evropa nuk po ngutet të  antarësojë Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe  deklaroi se përveç integrimit në Bashkimin Evropian, për Shqipërinë dhe për Ballkanin, ka edhe alternativa të tjera.  Ndër “alternativat” tjera, ndoshta sipas tij të pranueshme për të dhe për vendin që ai përfaqëson, për ndryshe pse do t’i përmendëte, kreu i qeverisë shqiptare tha se ato alternativa përfshijnë Rusinë, Turqinë dhe Kinën dhe islamin radikal.  Ja deklarata që bëri Z. Rama në Bruksel, në lidhje me këtë çështje:“Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë.  Po, po kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes.  Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi, ka ndodhur në mes të Evropës që qeveria, që kryeministri gjatë zgjedhjeve u kërcënuan me vdekje dhe kryeministri gati u vra dhe kjo ndodhi në Malin e Zi, një vend që negocion në BE.

 Pra, rreziku është real, është rrezik i pranishëm, siç do thonin kolegët tanë amerikanë. Por që Kina mendon në afat të gjatë, për 20 vite të tjera, ndërkohë që këtu mendojmë për 4 vjet megjithatë nuk mund të themi që nuk kanë asgjë për të ofruar, dhe ju harruat edhe një forcë tjetër që është islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë, shumëçka dhe tashmë me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE. Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të presë, por të vrapojë të na kapë, atëherë më besoni do të kenë një larmi problemesh të tjera që do të nisin dhe do të jetë shumë herë më e kushtueshme që të martoheni me ne.”

Që të jemi të drejtë, Z. Rama nuk është as i pari as i mbrami ndër udhëheqsit shqiptarë që kanë bërë deklarata të tilla, megjithse ky vet i ka përsëritur disa herë këto “alternativa”, si opsione të mundshme,ose si mënyra trysnie, për të mos thënë shantazh ndaj Bashkimit Evropian.  Është e vështirë të konstatohet nëse me këtë deklaratë dhe të tjera si kjo, Z. Rama ka në mend të kërcënojë evropianët apo është një flirtim i tërthortë me Putinin, Erdoganin e kinezët, për të tërhequr ato që ai i quan “alternativa” dhe influencën politike, ushtarake dhe ekonomike të këtyre vendeve në Shqipëri dhe në rajon, nëqoftse BE-ja, sipas tij, “nuk vrapon për t’i kapur” ato, duke ofruar integrim të plotë euro-atlantik për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.    Ndërkaq, as komentet e kryetarit të opozitës shqiptare Z. Basha, dhënë një gazete ruse — të raportuara nga disa portale shqiptare pothuaj në të njëjtën kohë – nuk i bëjnë nder atij, partisë që ai përfaqëson dhe as Shqipërisë dhe as nuk ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejtë integrimit evropian.  Nëqoftse Z. Basha pret simpati për Shqipërinë e shqiptarët nga lexuesit e një gazete pro-qeveritare ruse, ai gabohet rëndë.

Bashkimi Evropian mund të ketë bërë gabime gjatë kësaj periudhe të tranzicionit në Shqipëri.  Por Bashkimin Evropian dhe zyrtarët e tij nuk mund t’i akuzojë askush se nuk kanë qenë të qartë dhe transparent me Shqipërinë mbi kushtet që kërkohen, përsa i përket antarësimit të Shqipërisë në BE, ashtu siç u është kërkuar të gjitha vendeve anëtare dhe siç u kërkohet të gjithë atyre të mbetura jashtë, e që aspirojnë antarësimin e tyre në Bashkimin Evropian. Rregullat dhe kushtet për antarësim në BE, janë të njëjtat për të gjithë dhe të tilla janë edhe për Shqipërinë.

Por pse këto kushte të BE-së nuk i kanë zbatuar qeveritë shqiptare gjatë viteve, kjo është diçka tjetër.  Zyrtarët evropianë kanë qenë kryesisht transparent dhe konsekvent në kërkesat dhe kushtet që duhet të plotësojë gjithnjë Tirana zyrtare, për antarësim.  Të gjithë e dinë se Shqipërisë i kërkohen rezultate konkrete si dhe plotësimi i pesë kushteve të përcaktuara nga komuniteti evropian.  Por është pikërisht mos plotësimi i këtyre kushteve, gjatë 27 viteve post- komunizëm nga klasa sunduese shqiptare, ai që ka ngadalësuar dhe që po vonon procesin e integrimit të plotë të shqiptarëve në Evropë, më shumë se një çerek shekulli pas rënjes së Murit të Berlinit.

Kryeministri Rama citohet të ketë thenë në Bruksel se Turqia, Kina dhe Rusia, “Po, po kanë shumë të ofrojnë (Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit)…kanë para që t’i derdhin…” — sikur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara nuk ka derdhur mjaft para në Shqipëri gjatë 27 viteve të fundit.  Duket se autoritetet shqiptare e shikojnë Bashkimin Evropian si një thes me plot para, që me antarsimin në BE do të derdhën në Shqipëri.  Fatkeqsisht, ky është problemi. Autoritetet shqiptare e kanë shikuar vazhdimisht antarësimin në BE si një përfitim ekonomik, që në të vërtetë do të ishte, por për vendet anëtare është diçka më tepër se kaq.  Besohej se antarësimi në BE për Shqipërinë dhe për shqiptarët duhej të ishte diçka më shumë se një “derdhje parashë”.   Me shembjen e një regjimi komunist, ndër më mizorët në botë, shqiptarët shpresonin dhe u deklaruan se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa.  Nënkuptohet, jo vetëm për parat dhe ndihmat që mund të derdheshin aty nga  Evropa, por mbi të gjitha për vlerat perëndimore, për lirinë dhe demokracinë, për drejtësinë, për të drejtat e njeriut, për respektin për jetën e njeriut, e të tjera.  Tiranës zyrtare gjatë gjithë kësaj periudhe, fatkeqsisht, i ka munguar vazhdimisht ndërmarrja e veprimeve konkrete dhe serioze për një transformim rrënjësor demokratik të vendit dhe si rrjedhim ka munguar edhe zbatimi i reformave që kërkohen nga Evropa si kushte për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.Në këtë pikë, nuk mund të mburren as pozita as opozita se njëra apo tjetëra palë kanë bërë më shumë në procesin e integrimit.  Fakti është se as njëra palë politike, në pushtet ose në opozitë në Shqipëri, nuk e kanë kuptuar ende se kanë përgjegjësi të përbashkët, jo vetëm për integrimin, por për mbarë mirëqenjen e popullit shqiptar dhe të kombit në përgjithësi.  Kjo klasë politike ende nuk ka mësuar se një nga përgjegjësitë ndaj popullit, në një demokraci të mirëfilltë, është dialogu serioz politik midis palëve kundërshtare, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe konstruktiv, duke përfshirë edhe respektimin për rolin që duhet të luajnë media dhe shoqëria civile në një vend demokratik.  Me fjalë të tjera, për çështjet madhore të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar duhet të ketë një konsensus politik midis palëve. Një ndër këto çështje madhore të kombit është edhe integrimi i i vonuar i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në përgjithësi, në Bashkimin Evropian.

A ka evropianë që ndoshta nuk e duan Shqipërinë dhe shqiptarët në organizmat evropiane? Edhe mund të ketë.  Por është kjo klasë politike shqiptare, me mos veprimin e saj, ajo që ua ka bërë qëndrimin e kundërshtarëve të integrimit të shqiptarëve në Evropë, më të justifikueshëm dhe më të lehtë për ta mbrojtur.  Pa dyshim se Evropa ka përgjegjësitë dhe fajet e saja aktuale dhe historike ndaj shqiptarëve, por janë udhëheqsit shqiptarë të post-komunizmit, ata të cilët kanë vonuar, me qëllim e pa qëllim ndoshta, antarësimin e plotë të Shqipërisë në organizmat euro-atlantike.  Atyre dhe vetëm atyre duhet t’u kërkohet përgjegjësia, nëqoftse “alternativat” ruse, turke e kineze, për të cilat flet Kryeministri shqiptar në forume ndërkombëtare si në takimi i javës që kaloi në Bruksel, bëhen realitet. Ky do të jetë faji i kësaj klase politike dhe jo i Evropës dhe aq më pak i popullit shqiptar, i cili është përcaktuar me kohë se ku dëshiron ta ketë vendin e tij.

Mendohej se Shqiptarët e kishin vendosur në fillim të 1990-ave se e donin Shqipërinë si gjithë Evropa.  Madje megjith zhgënjimet e politikanëve shqiptarë gjatë këtyre dy-tre dekadave për të plotësur më në fund këtë dëshirë historike, shqiptarët e thjeshtë — gjatë kësaj periudhe — e kanë përcaktuar qartë alternativën e tyre të preferuar:   Me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara dhe jo me “alternativat” dhe opcionet e mundëshme që përmendi Z. Rama në Bruksel: Rusinë, Turqinë, Kinën, a po radikalizmin islamik.  Dihet se me qindra mijëra shqiptarë janë shpërngulur drejt vendeve perëndimore, duke votuar siç thuhet “me këmbë”, në favor të alternativës perëndimore, të vlerave dhe demokracisë perëndimore, që ata dëshirojnë edhe për vendin e tyre.  A mund të thotë Z. Rama ose ndonjë politikan tjetër aktual ose i periudhës post komuniste, se sa shqiptarë  në këtë ndërkohë i janë drejtuar Rusisë, Kinës, ose Turqisë gjatë 30-viteve të fundit për një jetë më të mirë, si alternativë ndaj Bashkimit Evropian ose botës perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara?  Kombi shqiptar është përcaktuar qartë se gjeografikisht dhe historikisht i përket Perëndimit.  Fatkeqsisht, duket se autoritetet shqiptare të këtyre 27-viteve ende nuk e kanë të qartë dhe si rrjedhim nuk janë të vendosur, se kah do t’ia mbajnë, drejtë Lindjes apo Perëndimit? Drejt një demokracie të vërtetë perëndimore, apo drejt thellimit të mëtejshëm të një sistemi autoritar të llojit putinist dhe erdoganist lindor?

Filed Under: Politike Tagged With: APO PERËNDIMIT?, Frank shkreli, SHQIPËRIA- DREJTË LINDJES

BASHA-RINISE: Mos zgjidhni largimin, zgjidhni përballjen

December 8, 2017 by dgreca

*Dr. Sali BERISHA: Historia e Shqipërisë duhet të jetë historia e përmbysjes së narko-shtetit, historia e përmbysjes së Edi Ramës, klikës së tij./

1 bashke  Sot eshte perkujtuar 27 vjetori i Levizjes Studentore, organizuar nga FRPD. Kryetari i Opozites, Kryedemokrati Lulzim Basha shkroi ne fb: 8 Dhjetori është dita e parë europiane në Shqipëri. Ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur. Shqipëria gjendet përsëri në një udhëkryq mes politikës së kriminalizuar dhe vlerave të lirisë. Edhe një herë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Të rinjve që duan të ikin u bëj thirrje të qendrojnë, të mos ikin! Të përballemi, të luftojmë dhe të fitojmë mbi të keqen! Bashkë do të ndryshojmë Shqipërinë!

1 basha1 Berisha ok1 rinia1 Basha djali azemit1 Berisha

FJALA E PLOTE E KRYETARIT BASHA/

Më lejoni të ndaj në fillim të fjalës sime, dy emocione të jashtëzakonshme që  më përshkrojnë sot. i pari,  i kujtesës së domethënies së 8 Dhjetorit , cili më transporton me shpejtësi nga ky moment, tek ditët kur isha më i ri, ose më i riu prej jush  në këtë sallë. Dhe ky emocion merr sot formën  e mirënjohjes më të thellë dhe përkuljes më të madhe me krenari të thellë kombëtare ndaj Dhjetoristëve, me në krye Azem Hajdarin e pavdekshëm . Me respektin më të jashtëzakonshëm ndaj intelektualëve, përfaqësuesve të studentëve të Dhjetorit, shumë prej të cilëve i shoh sot në këtë sallë, krah për krah  rinisë demokrate dhe për të cilët, kanë në zemrën time , mirënjohjen më të thellë si shqiptar si democrat dhe  si kryetar i partisë që lindi  për shkak të sakrificës dhe përpjekjes  së tyre.Emocioni i dytë që më përshkon sa herë që jam në mesin tuaj,është emocioni që dini të falni vetëm ju, rinia demokrate, Forumi rinor i PD ,për  të cilin  ju falenderoj nga zemra.

Jemi mbledhur sot këtu për  8 Dhjetorin që  është një ndër ditët më të bukura të historinë tonë. Është një ditë e madhe për atë që solli, por  mbetet një ditë e madhe për mesazhin dhe domethënien që vazhdon të ketë   çdo Dhjetor,  e do të vazhdojë të ketë në përjetësi.

8 dhjetori 1990 ishte dita kurtriumfo kurajo i mbi frikën, kur triumfoi dëshira për liri mbi dhunën robëruese të diktaturës. Nga kurajo e studentëve të Dhjetorit dhe liderit të tyre të pavdekshëm Azem Hajdari, shqiptarët rigjetën lirinë e humbur: lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes , lirinë politike, lirinë e besimit në Zot , lirinë e lëvizjes.

Por 8 dhjetori ishte po kështu dita e triumfit të përpjekjeve për dinjitet njerëzor. Lëvizja e Dhjetorit nisi së pari si refuzim i studentëve për t’u trajtuar si turmë e nënshtruar, të cilën mund ta shtypnin, mund ta shpërfillnin, mund ta fyenin dhe turpëronin, ta linin në varfëri, pa dritë dhe pa ngrohtësi. Studentët kërkuan dinjitet, kërkuan respekt për vlerat njerëzore.

Kjo kërkesë për dinjitet njerëzor çoi natyrshëm në kërkesën për liri politike për  pluralizëm, sepse liria politike është në themel të dinjitetit njerëzor. Nuk mund të ketë dinjitet njerëzor pa  liri politike.  Në një shoqëri ku nuk ka liri politike, ku njerëzit nuk kanë asnjë ndikim mbi mënyrën si qeverisen dhe se nga kush qeverisen, nuk mund të ketë as dinjitet njerëzor, nuk mund të ketë as vlera njerëzore.

Por studentët e dhjetorit u ngritën edhe kundër sundimit të injorancës dhe sundimit  errësirës. Injorancës së klasës qeverisëse dhe injorancës ku ishte braktisur  shoqëria shqiptare.

Në thirrjet e e studentëve, urrejtja ndaj diktatorit Enver Hoxha u përzie përherë me talljen ndaj lolove qesharake të byrosë politike dhe injorantëve që kishin dalë në krye të vendit, sepse atje, ku nuk ka liri dhe ku nuk ka konkurencë, në krye dalin përherë injorantët.

Ata u ngritën ata edhe kundër errësirës së mendjes. Që në orët e para, që ditët e para, ata brohoritën fjalët e ndaluara të Fishtës, të Koliqit, të Frostit, të Xhon Lenonit. Injoranca është mjeti kryesor i diktaturave dhe lëvizja studentore shembi edhe murin e injorancës dhe izolimit mendor që kishte ngritur diktatura.

8 Dhjetori ishte dita kur Shqipëria u ritakua me Europën, kur shqiptarët u rikthyen tek vlerat europiane. Prandaj 8 Dhjetori mund dhe duhet të quhet pa frikë Dita e parë europiane në Shqipëri, pas një gjysëm shekulli endje nëpër humbëtirat e Lindjes.

8 Dhjetori ishte fillimi i një udhëtimi të pandalshëm drejt identitetit të humbur, drejt ëndrrave më të bukura tonat, drejt fitimit të kohës së humbur. Në atë fillim rrugëtimi, ne besonim si askush tjetër në botë, tek liria dhe tek e ardhmja jonë.

Është e padiskutueshme që Shqipëria është transformuar rrënjësisht, që atë ditë. Në shumë drejtime, përparimi është i paimagjinueshëm, i pakrahasueshëm sepse liria bëri punën e saj dhe shpirti i paepur i shqiptarëve  dhe në vecanti i rinisë, bëri pjesën tjetër.

Në kthimin e tyre tek liria, shumë shqiptarë  e në vecanti shumë të rinj zbuluan botën dhe, shkëlqyen në shumë vende të botës, duke provuar vlerat e mrekullueshme të individit tonë, të shqiptarit, të punës të tij, të  imagjinatës dhe shpirtit të tij.

Por nga ana tjetër, jo gjithcka shkoi sic e kishim menduar.  Disa  gjëra shkuan keq, shumë gjëra u vonuan dhe ishin më të vështira  sa ç’i menduam 27 vite më parë atëherë.

Sikur në ditët e Dhjetorit 1990, dikush tu kishte thënë studentëve, të cilët luftuar dhe sollën lirinë politike, se 27 vite  më vonë, të rinjtë e Shqipërisë do të kërkonin mundësitë dhe dinjitetin e tyre nëpër botë dhe jo në atdhe, me siguri  do ti merrnin për të çmendur.

Nëse atëhere dikush do t’u thoshte studentëve  se edhe pas 27 vitesh, ne do të vazhdonim të ishim një ndër vendet më të izoluara nga Europa, do të mendonin që dhe  do të  ishte tallje.

Por fatkeqësisht kjo është gjendja ku jemi katandisur sot. 27 vjet pas rënies së komunizmit, liritë politikë të shqiptarëve janë sërish të kufizuara, se shqiptarët ende nuk votojnë të lirë, se dinjiteti i tyre është i nëpërkëmbur, mundësitë e tyre për përparim njerëzor dhe shoqëror janë më të vogla se në cdo vend tjetër në Europë, nga e cila vazhdojmë të mbetemi një nga kombet më të izoluara.

Ndërsa bota perëndimore ka arritur një mirëqenie dhe përparim të paimgjinueshëm edhe për ata vetë para 2-3 dekadash dhe nuk ndalet në ecjen e saj përpara, Shqipëria është sot e mbytur nga problemet që përjetohen  vetëm në vendet më të prapambetura të Azisë dhe Afrikës.

Është e paimagjinueshme që sot në Shqipëri, në vend që të flitet për biznese të reja nga rinia, për përparime teknologjike, për arsim dhe dije, flitet për një bandë trafikantësh injorantë dhe mizorë.

Në vend që të diskutojmë dhe punojmë për zgjidhjet dhe politikat më efektive, luftojmë si të pastrojmë Parlamentin dhe qeverinë nga kriminelë ordinerë që kanë trafikuar, përdhunuar dhe vrarë.

Në vend që të mendojmë si të përmirësojmë sistemin bankar për të nxitur ekonominë me kredi të favorshme për të rinjtë që duan të hapin biznese, diskutojmë si ta shpëtojmë sistemin bankar dhe ekonominë nga paratë e pista të krimit.

Në vend që të investojmë dhe prodhojmë, kemi përfunduar në një ekonomi që vetëm importojmë dhe shet.

Në vend që të mendojmë për më të pamundurit mes nesh, e tu  gjendemi në krah atyre, grave, nënave kryefamiljare, të rinjve dhe të rejave, ne diskutojmë si të ndalojmë një grusht politikanësh  tëkorruptuar dhe oligarkësh grabitqarë që të mos plaçkisin vendin.

Para Dhjetorit të 1990, një grusht njerëzish mizorë përdorën ideologjinë për të nënshtruar, dhunuar dhe plaçkitur një popull të tërë për privilegjet e tyre, sot dhuna nuk ushtrohet në emër të ideologjisë, por të krimit të bërit njësh me politikën dhe të politikës të bërë njësh me krimin.

Ndërsa propaganda vazhdon si dikur, për të gënjyer, për të manipuluar dhe për të mbajtur njerëzit në padije ndaj të vërtetës, për t’i sunduar me të njëjtët mekanizma.

Njësoj si në vitet e para të tranzicionit, sërish qëllimi kryesor i shqiptarëve është të ikin. Por ndërsa ikja e atëhershme ishte motivuar nga dëshira për të prekur dhee gëzuar sa më parë lirinë dhe mirëqenien perëndimore, ikja e sotme është nga dëshpërimi, nga fjalët dëshpëruese se, ky vend mund të mos bëhet kurrë.

Ndaj sot, në këtë përvjetor të rëndësishëm, bashkë me respektin e thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj sakrificës  së Dhjetoristëve , në praninë e kësaj salle ekzaltuese, luftëtarsësh të lirisë, të betejave që kemi bërë  dhe do të bëjmë së bashku, unë dua që t’ju ftoj të gjithë të kthejmë sytë sërish nga Dhjetori 1990 dhe të reflektojmë.

Studentët dhe pedagogët e Dhjetorit 90, sot shikojnë mbrapa me krenari. Për shumë prej tyre energjia, dashuria, pasioni, energjia, shpresat dhe ëndrrat që u ndezën ato ditë, janë edhe sot energjia më frymëzuese në jetën e tyre.

Solidariteti që ata kërkuan dhe gjetën tek njëri tjetri ishte mrekullia që solli çlirimin nga frika. Bashkimi me njëri tjetrin për këtë shpresë të madhe ishte celësi  magjik që mposhti frikën dhe ngriti kurajon.

Kështu ata gjetën me këtë kurajon u ngritën, luftuan dhe fituan kështu ndryshuan Shqipërinë dhe jetët e miliona shqiptarëve.

Nëse të njëjtën gjë do të bëjë dhe  brezi i sotëm , Shqipëria do të ecë përpara. Sepse  nuk është vonë. Sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë më parë, gjatë këtyre tre dekadave për atë forcë, për atë idealizëm, për atë kurajë të Dhjetoristëve.

Sepse sot  gjendemi  në një udhëkryq: nëse do të humbasim të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve të marrë peng nga një grusht politikanësh të inkriminuar, apo do t’u rikthehet vlerave të lirisë, të dinjitetit njerëzor dhe të Evropës.

Përsëri edhe një herë, po kësaj radhe më shumë se kurrë më parë, kjo sfidë është sfida e rinisë. Sytë e cdo shqiptari janë nga ju, janë nga rinia shqiptare.

Dhe unë e di se, ju rinia shqiptare, rinia demokrate, rinia e ciltër dhe e panjollosur,  do ta merni në dorë këtë mision. Kini besim, kini besim, besim  total  të palëkundur në forcën tuaj dhe në aftësinë tuaj.

Sot ju bëj thirrje , mos zgjidhni largimin, zgjidhni përpjekjen, përballjen.

Bëjeni zërin tuaj të bucasë, guxoni, ngrihuni, luftoni ta ndryshojmë Shqipërinë.

Partia Demokratike, bija tjetër së bashku me lirinë politike e Dhjetorit 1990, do të jetë përherë me ju. Me rininë në ballë të përpjekjes, ndryshimi do të vijë, dhe do të vijë shpejt!

Mirënjohje përjetë studentëve liberatorë! Zoti e bekoftë Rininë shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë!

***

FJALA E PLOTE E ISH KRYETARIT TE PD, DR. SALI BERISHA

I dashur zoti kryetar i FRPD, Belind Këlliçi

I dashur kryetar i PD, Lulzim Basha

I nderuar zoti Patrik Voller, sekretar per marrëdhëniet ndërkombëtare i EPP,

I nderuar zoti Gloss, drejtues i fondacionit Konrad Adenauer

Të dashur miq, vendas e të huaj,

Të dashur studentë dhe ish studentë të dhjetorit 1990

Intelektualë që iu bashkuat asaj kohe në këtë lëvizje

Të dashur studente dhe studentë, anëtarë të FRPD të pranishëm në këtë sallë!

Është nder, privilegj i madh të kremtojmë sot së bashku Ditën e Rinisë shqiptare, që është dhe dita e revolucionit demokratik paqësor, më madhështor, më të rëndësishëm në historinë e lirisë së shqiptarëve, ajo që quhet Lëvizje Studentore e Dhjetorit.

Miqtë e mi, historia është një e shkuar dhe natyrisht të merresh shumë me të edhe nuk duhet, por sa herë kujton këtë ditë, frymëzohesh, frymëzohesh dhe vetëm frymëzohesh. 8 dhjetori është ditë frymëzimi. Si sot 27 vjet më parë bashkëmoshataret tuaj, u ngritën mbi frikën, dhunën, terrorin dhe u përballën në këtë qytet të bekuar, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me diktaturën më staliniste, më barbare, më çnjerëzore që Europa kishte njohur në historinë e saj. U ngritën me një kurajo të jashtëzakonshme dhe së pari çliruan qytetin e tyre, e shndërruan këtë qytet në kështjellën e lirisë së shqiptarëve, hapën dyert e lirisë për shqiptarët.

Dua t’u adresohem ju, audiencës së rinisë së sotme, fantazia dhe imagjinata juaj nuk ka fund, por përsëri ajo nuk rrok dot guximin e jashtëzakonshëm të atyre ditëve të bashkëmoshatarëve tuaj. Kjo sepse, ata në atë kohë, dhe ju që jeni këtu, nuk jeni të vetëdijshëm për forcën e jashtëzakonshme shpirtërore që ju keni. Në vitin 1990 ne nuk mund të krahasoheshim as me Korenë e Veriut të sotme.Pak ditë më parë ndofta keni parë në lajme, në Youtube, apo dhe portale,   se si 3-4 ushtarë të Korësë së Veriut ekzekutuan shokun, bashkëmoshatarin e tyre sepse po arratisej, po ecte drejt hapësirës së lirisë. Po çfarë ndodhte në Shqipërinë e viteve 90?

Në Shqipërinë e viteve 90’ ishin ekzekutuar me regjistër të ministrisë së brendshme 96 të rinj, djem dhe vajza, të cilët pasi e hoqi diktatura nenin e e tradhëtisë së lartë për arratinë, u nisën të gjenin botën e lirë, të gjenin lirinë.

Jo vetëm kaq, por akoma më makabër. Trupat e disa prej tyre zvarriteshin ditën për diell, në Sarandë, Gjirokastër, Korçë, në Skodër vetëm për të mbjellë terror kudo. Në memorien time më të hershme më kujtohet kur, trupa të bërë shosh të atyre që quheshin diversantë, na vendoseshin afër shkollës për tna tmerruar, apo i shëtisnin nëpër qytete të tjera. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri vëtëm në vitet ’50 por dhe në Shqipërinë e viteve ’90, vetëm e vetëm për të ulur poshtë kokën e shqiptarëve, për t’i tmerruar dhe terrorizuar ata.

U ndala në këto shembuj për të treguar se cilat ishin përmasat e guximit të atyre të rinjve, të atyre vajzave dhe djemve të udhëhequr nga Azem Hajdari që u ngritën natën e 8 dhjetorit, dolën në shesh dhe u përleshën me diktaturën. I goditi pabesisht ai që i priti. Të nesërmen nuk u strukën, nuk u shpërndanë në shtëpitë e tyre, por të nesërmen, këta vajza dhe djem u mblodhën përsëri në atë shesh dhe u nisën për të pushtuar bulevardin e Tiranës me një akt epik heroizmi.

Sot kanë kaluar 27 vjet dhe përsëri kjo datë e bekuar në historinë e lirisë së shqiptarëve ka një mesazh të madh. Mesazhi i madh i saj është guximi. Guximi. Fitojnë ata që guxojnë!

Asnjë nuk besonte përveç studentëve në fitoren e tyre, nuk besonin se do gjunjëzonin diktaturën. Por ata besonin, ata ishin trima, ata u rrahën në mënyrë barbare në rrugë dhe u mblodhën fill mbrapa për t’i dhënë goditjen tjetër diktaturës.

Ku jemi sot pas 27 vitesh?! Cilido ngado ju, se unë jam i bindur që ju e doni vendin, se në idealet tuaja keni një Shqipëri, më të bukurën që mund të ekzistojë, unë e di se ju dëshironi shumë që energjitë tuaja t’ia kushtoni këtij vendi siç ishte ëndrra e studentëve të dhjetorit 90, ta bëni atë si gjithë Evropa!

Po sot ku jemi? Veç viteve të zeza të diktaturës, kurrë nuk kemi qënë në këtë gjendje. Ju lexoni çdo ditë mediat e botës, vetëm kronikë negative për Shqipërinë; “Kanabistan”, “Droga e Shqipërisë në zemër të Europës”, “Narkoshtet” etj. Dhe po ndërtohet narko-shteti, se kur ministri i brendshëm bën trafiqe atëherë ai është narkoshteti. Kur kryeministri nuk e dënon ministrin e brendshëm, atëherë ai është vet i implikuar. Nuk është Karzai po është i vëllai i Karzait.

Ngremë pyetjen a është i implikuar Edi Rama? Po, është i implikuar përderisa është i implikuar Olsi Rama, Saimir Tahiri e të gjithë me radhë. Kush është zgjidhja? Zgjidhja është vetëm guximi juaj, trimëria juaj. Ju keni 1001 arsye të ngriheni fuqishëm, dhe unë ju garantoj ju se ju jeni dhjetra herë më shumë se kjo sallë por dhe vetëm kjo sallë do mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri.

Nuk ishin më shumë ata natën e parë, ditën e parë të përballjes së tyre me diktaturën, por e gjunjëzuan.

A meritoni ju t’i shndërrojë shqiptarët ai në përdoruesit më të madh të drogës? Që droga të bëjë drejtësinë? A meritoni ju që shqiptarët duan të ikn?

A meritoni ju që të shiheni kudo si përfaqësues të Kanabistanit? A meritoni ju që droga që prodhohet në Amerikën Latine ti shndërrojë shqiptarët në përdoruesit e saj më të mëdhenj në botë? A meritoni ju që ligjin të mos e bëj drejtësia por ta bëj kanabisi? A meritoni ju që sot, mirë në vitin 90 që të ardhurat për frymë ishin 204$, po sot të gjithë, mjekë, inxhinierë, të largohen nga Sqipëria, nga ky vend i pasigurtë?

A meritoni ju të paguani për studimet tuaja universitare katër herë më shumë se sa paguajnë në Austri, se në Gjermani, se në çdo vend të BE? Prindërit tuaj janë më të varfërit. Atyre iu dridhet dora dhe buza për të siguruar paratë për ju. Pse? Se një njëriu i teket “unë do bëj shtet” duke trefishuar – katërfishuar tarifat për ju.

Sepse ky njeri i kapur nga klientela, barazon çmimet e publikut me privatin vetëm për të mbajtur të gjallë universitete, të cilat kurrë nuk duhen mbajtur me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Universitete të klientelës.

Në historinë e Europës, studentët kanë përmbysur qeverira demokratike dhe e kanë merituar. Historia e Shqipërisë duhet të jetë historia e përmbysjes së narko-shtetit, historia e përmbysjes së Edi Ramës, klikës së tij.

Edhe një herë një përshëndetje të përzemërt të gjithë studentëve të 90-ës, por më të përzemërt studentëve të sotëm, të rinjve të sotëm kudo që janë.!

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: fjalimet, Lulzim Basha, Perkujtohet Levizja e 8 Dhjetorit, Sali berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1643
  • 1644
  • 1645
  • 1646
  • 1647
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT