• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ERA TRADHËTI KOMBËTARE NË BISEDIMET GREKO-SHQIPTARE

November 9, 2017 by dgreca

–            Në takimin e Kretës më 12-15 nëntor, ministri i Greqisë Nikos Kotzias e ka mbushur valixhen diplomatike me kërkesat e Greqisë ndaj Shqipërisë: 1.Njohjen e Himarës si zonë e pakicës greke, 2.Ndërtimin e pesë varrezave me rreth 8 mijë varre të ushtarëve të vrarë gjatë luftës italo-greke, 3.Marrjen e pjesës së Detit Jon që i takon Shqipërisë, ku flenë rreth 450 miliard rezerva nafte dhe gazi. Mediet greke kanë shkruar se me këto rezerva Greqia shlyen të gjitha borxhet. 4.Nënshkrimi një dokumenti që Çështja Çame është e mbyllur p;rgjithmon, 5.Njohjen e Institucioneve greke në Jugun e Shqipërisë me qëllim që Greqia të njohë Pavarësinë e Kosovës. 6.Njohjen Himarën si zonë greke.

–           Si ministër i jashtëm Ditmir Bushati në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 8, nuk ka ngritur asnjëherë zërin për mbrojtjen e të drejtave të Diasporës shqiptare apo të shqiptarëve etnik në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, etj. Përse asnjëherë Bushati nuk e ngriti zërin për rastin e Mostrës dhe Kumanovës? Përse ministri që lexon vetëm Mitologji greke nuk kërkojë hapjen e Konsullatës Shqiptare në Manastir, ashtu si funksionojnë 17 Konsullata të huaja, në qytetin e Alfabetit të gjuhës shqipe? Pra, z.Rama pusi është i thellë i paaftësisë diplomatike të drejtuar nga ministër Ditmir Bushati./

arben-llalla

Nga Arben LLALLA/

Prej kaq vitesh që është ministër i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati ka dështuar në diplomaci. Në mandatin e parë të tij si ministër ai u morë me punësime nëpër Ambasada dhe Konsullata të tarafit miqësorë e shoqëror, duke punësuar diplomat jashtë çdo kriteri, njerëz që vinin nga rruga, nga tregu i shitblerjes së fruta-perimeve nëpër rrugët e Evropës. Disa herë ka patur përplasje të forta më 2013-217, në Komisionin e Jashtëm të Shqipërisë midis ish-kryetares Arta Dade dhe ministrit Bushati, ku është kritikuar paaftësia e këtij ministri. Ajo që është më shqetësuese është mos menaxhimi i bisedimeve të Ditmir Bushatit gjatë takimeve të shpeshta me ministrin e jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias. Në këto takime të shpeshta vërehet zgërdhija e ministrit Bushati ku nuk ka munguar buzëqeshja nga cepi në cep që tregon mos seriozitetin e tij si kryediplomat. A thua Ditmiri takohem me vllahun e gjakut dhe të gjuhës ministrin e jashtëm të Kosovës apo me ministrin e jashtëm të Greqisë, vendi që mban Ligjin e Luftës, sekuestrimin e pasurive të shqiptarëve, mos lejimin e shqiptarëve nga Çamëria në moshë të thyer për të vizituar trojet dhe varret e të parëve?

Problemi i bllokimit qëllimisht i dy doganave me Shqipërinë, Kapshtica dhe Kakavia (sepse dogana ajrore Tiranë-Athinë nuk u bllokua, ndërsa doganat greke me Bullgarinë, Turqinë dhe Maqedonisë funksionon në rregull) për dy ditë nga ana e Greqisë me pretekstin rënia e sistemit TIMS, tregoj se grekët janë primitivë. Por shqetësuese ishte vrapi që mori ministri i jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati në Kakavie dhe telefonata me lutje nga ana e tij në drejtim të Nikos Kotzias, tregoj karakterin fëminor dhe jo diplomatik të këtij ministri shqiptar. Loja me rënien e sistemit TIMS apo mbajtjen me ditë të tëra në dogana emigrantët e përkohshëm ekonomik, njerëzit e halleve, nuk është e re, ajo gjithnjë ka qenë prezent sa herë në acarimet e lehta oratorike midis dy vendeve. Ka patur raste edhe më tragjike në bllokimin e doganave greke ku kanë vdekur edhe njerëz nga pritjet e gjata deri në 3-4 ditë, prandaj nuk duhet të kishte veprime me lutje dhe habi për sjelljen jo njerëzore nga ana e Greqisë.

Si ministër i jashtëm Ditmir Bushati në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Neni 8, nuk ka ngritur asnjëherë zërin për mbrojtjen e të drejtave të Diasporës shqiptare apo të shqiptarëve etnik në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë, etj. Përse asnjëherë Bushati nuk e ngriti zërin për rastin e Mostrës dhe Kumanovës? Përse ministri që lexon vetëm Mitologji greke nuk kërkojë hapjen e Konsullatës Shqiptare në Manastir, ashtu si funksionojnë 17 Konsullata të huaja, në qytetin e Alfabetit të gjuhës shqipe? Pra, z.Rama pusi është i thellë i paaftësisë diplomatike të drejtuar nga ministër Ditmir Bushati.

Një shqetësim tjetër për paaftësinë e Ditmir Bushatit janë lobimet që ai nuk ka bërë asnjëherë për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Prej 5 vitesh nuk pamë apo lexuam ndonjë lajmërim se Bushati bëri takime të suksesshme për njohjen e Kosovës nga ndonjë vend që Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera.

Fjalori rrugaçor që ka përdorur vetëm pak ditë më parë Ditmir Bushati në Komisionit e Politikës së Jashtë ku ka ofenduar kolegun e tij, pavarësisht se i përket një partie opozitare, apo për mendime të gabuara ndoshta që mund të jetë shprehur, tregon problemet psikologjike në edukatën diplomatike që ka ky ministër. Në vend të që të përdorë fjalor diplomatik ai ka përdorur një fjalor prej karagjozi. Niveli i ulët të edukatës së tij tregon se ministria e diplomacisë udhëhiqet nga njerëz me edukatë që janë nën nivelit së mesatares diplomatike.

Në takimin e Kretës më 12-15 nëntor, ministri i Greqisë Nikos Kotzias e ka mbushur valixhen diplomatike me kërkesat e Greqisë ndaj Shqipërisë: 1.Njohjen e Himarës si zonë e pakicës greke, 2.Ndërtimin e pesë varrezave me rreth 8 mijë varre të ushtarëve të vrarë gjatë luftës italo-greke, 3.Marrjen e pjesës së Detit Jon që i takon Shqipërisë, ku flenë rreth 450 miliard rezerva nafte dhe gazi. Mediet greke kanë shkruar se me këto rezerva Greqia shlyen të gjitha borxhet. 4.Nënshkrimi një dokumenti që Çështja Çame është e mbyllur p;rgjithmon, 5.Njohjen e Institucioneve greke në Jugun e Shqipërisë me qëllim që Greqia të njohë Pavarësinë e Kosovës. 6.Njohjen Himarën si zonë greke.

Ndërsa në dosjen e tij Ditmir Bushatit ka këto kërkesa. 1.Vula Apostolis për Emigrantët. 2.Zgjidhja e çështjes së pronave të shqiptarëve në Greqi, me përjashtim të shqiptarëve të Çamërisë, Kosturit, Follorinë dhe Edessës. 3.Hapja e qendrave për të votuar emigrantët shqiptar në rast zgjedhjesh, 4.Heqja e Ligjit të Luftës, 5.Korrigjimi i teksteve shkollore.

Nga këto kërkesa të dy palëve do arrihet përfundimi për zgjidhjen e probleme për Vulën Apostolis, Ligjin e Luftës në shkëmbim të ndërtimit të 5 varrezave të ushtarëve greke me 8 mijë varre bosh, korrigjimi i teksteve shkollore.

P.S. U hodhën mijëra euro nga sigurimi i Greqisë që Shpëtim Idrizi mos të zgjidhej deputet me qëllim mos të kishte një Zë kombëtar në Kuvendin e Shqipërisë dhe Komisionin e Politikës së Jashtme. Saimir Tahiri u bë Kurbani i Ramës se ka gisht edhe në në rastim Idrizi qëju vodhën votat pas orës 19.00 ditën e zgjedhjeve.

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, ERA TRADHËTI KOMBËTARE NË BISEDIMET, greko-shqiptare

Muri i Berlinit dhe Shqipëria*

November 9, 2017 by dgreca

Jonila-godole-shkrim

Nga Jonila Godole/

Më 26 mars 2013 një fragment i Murit të Berlinit iu dhurua Shqipërisë dhe u vendos në hyrje të ish-Bllokut në Tiranë duke formuar memorialin e parë për kujtesën, së bashku me një bunker si simbol të izolimit dramatik të dramatik dhe disa shtylla betoni të sjella nga galeria e minierës së kampit famëkeq të Spaçit, ku vuajtën dhe humbën jetën mijëra të burgosur dhe kundërshtarë politikë të regjimit komunist. Të rinjtë që kalojnë aty përditë e njohin Murin e Berlinit, por kur i pyet nuk njohin as kontekstin e vendosjes së tij aty në hyrje të Bllokut, dhe as kuptimin e pjesës „shqiptare“ të memorialit. Dhe pse nuk e njohin? Sepse ne nuk flasim për të shkuarën!

Kur u shemb Muri i Berlinit më 9 nëntor 1989, bashkë me të u vendos edhe e ardhmja e vendit tim. Propaganda zyrare e kohës u përpoq ta mbante sekret këtë lajm. Nuk duhej bërë i njohur, dhe mbi të gjitha duhej trajtuar si një rast i izoluar brenda Gjermanisë. Vërtet që u desh edhe një vit derisa të fillonte lëvizja demokratike në Shqipëri, por ishte shembja e Murit ajo që shënoi fillimin e fundit të komunizmit në Shqipëri. E kam pyetur shpesh veten se çfarë do të kishte ndodhur nëse Muri i Berlinit nuk do kishte rënë? Me siguri, Gjermania nuk do të ishte kthyer kurrë në Kore të Veriut. Sistemi i kalbur nga brenda do të ishte rrënuar brenda pak muajsh, apo vitesh. Por për Shqipërinë këtë nuk mund ta themi me siguri. Qysh nga ardhja në fuqi e komunistëve 1944 deri më 1991 ky ishte vendi më i mbyllur dhe i izoluar në Europë. Ky izolim, i nxitur qëllimisht nga vetë pushtembajtësit ua bëri më të lehtë instalimin e një aparati shtypës tëpakrahasueshëm me vendet e tjera të Europës Lindore. Në fund të regjimit komunist, më shumë se një e treta e familjeve shqiptare qenë prekur nga persekutimi politik. Në asnjë vend tjetër komunist në Europë, njerëzit nuk mund të bëheshin kaq “lehtë” viktima të persekutimit politik, të burgoseshin ndonjëherë për dekada të tëra vetëm me një akt të thjeshtë administrativ. Praktika e persekutimit drejtohej jo vetëm kundrej individëve të dyshuar “armiq të popullit”, por edhe kundër familjarëve të tyre. Rreth 60 mijë familje u dëbuan në kampe internimi, 34 mijëTërë vendi u shndërrua në një burg të madh: 48 kampe pune dhe internimi; 23 burgje politike; eleminim të elitës politike dhe ekonomike të vendit dhe zëvendësim të saj me vasalë partiakë; priftërinjtë katolikë dhe kleri në përgjithësi u vra, u përndoq, ose u burgos, derisa feja u ndalua përfundimisht në vitin 1967. Ky kapitull i historisë shqiptare ka kaq shumë ndikim në të tashmen tonë, sepse ende dhjetëra mijëra viktima të këtij persekutimi, jetojnë pranë persekutorëve të tyre. Një politikë sistematike që të synonte vendosjen e drejtësisë për të gjitha viktimat e përndjekjes politike nuk ka pasur. Anna Kaminsky, drejtore e Fondacionit Federal të Trajtimit të diktaturave ka thënë se ballafaqimi me të shkuarën nuk është një sprint, por një maratonë. Por ndërsa ajo shprehet në mënyrë figurative se Gjermania me gjithë punën e saj të palodhur në këtë drejtim sapo ka arritur në kilometrin 15, atëherë ne si shqiptarë i bie të jemi ende në fazën e nxemjes! Në fillim të procesit të transformimit dhe pas zgjedhjeve të para demokratike parlamentare në vitin 1992, ka pasur një fazë shumë të shkurtër, ku kërkesat e ish-të përndjekurve së paku dëgjoheshin. Pagesat e kompensimit për viktimat, të cilat u pezulluan për shumë kohë që nga viti 1997, nuk ishin as të qëndrueshme dhe as të mjaftueshme. Shumë prej tyre injoroheshin përgjithësisht për shkak të pikëpamjeve partiake politike afatshkurtra. Të tjerë provuan në kurriz se kompensimi zakonisht i organizuar me këste, nuk çohej deri në fund. Edhe në kushtet aktuale politike kjo temë luan vetëm një rol margjinal. Janë bërë disa përparime, përfshi Ligjin për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit, miratuar nga Parlamenti Shqiptar në maj 2015 dhe ngritjen një vit më pas të Autoritetit përkatës që do punojë me to. Por mbetet për t’u parë në praktikë nëse ky autoritet do të ofrojë besimin dhe transparencën e nevojshme për personat e përndjekur dhe për gjithë shoqërinë. Kurse nga ana tjetër, kryetari i tanishëm i Parlamentit është ministri i fundit i brendshëm i regjimit komunist, qoftë edhe simbolikisht, kjo tregon qartë mungesën e vullnetit politik për të bërë një mbyllje përfundimtare me të kaluarën. Dhe ky është një dështim! Një dështim edhe më i madh është mungesa e përpjekjeve për të aktivizuar një diskutim shoqëror mbi këtë të kaluar të afërt. As në shkolla, në universitete, as në diskursin publik, kjo çështje nuk ka luajtur rol për një kohë të gjatë. Kuptohet se popujve që kanë përjetuar kaq shumë dhunë dhe terror, u duhet kohë për ta përpunuar atë. Por ndërkohë, gjenerata të tëra po rriten pa kujtesë! Edhe nëse ky diskutim ka nisur para pak vitesh, kjo ka ndodhur vetëm falë mbështetjes së organizatave ndërkombëtare, mbi të gjitha të Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë, OSBE, por edhe institucioneve të tjera gjermane, si Fondacioni Federal për Trajtimin e por edhe për të na treguar se Bashkimi Evropian (ku Shqipëria synon të bëhet anëtare) është mbi të gjitha një bashkësi vlerash. Ne, nga ana jonë, kemi nevojë për këtë mbështetje ndërkombëtare për të thyer dekadat tona të izolimit nga pjesa tjetër e botës. Sepse historia jonë e vuajtjes, e represionit me gjithë pasojat e tij deri më sot, është pjesë e historisë europiane dhe duhet të trajtohet si e tillë. Që Shqipëria të mos mbetet thjesht një nocion gjeografik në hartën burokratike të Europës! Ky artikull është shkëputur nga fjalimi i autores mbajtur në ceremoninë përkujtimore të 28 vjetorit të rrëzimit të Murit të Berlinit, në Kapelën e Pajtimit (Versöhnungskapelle), Berlin 9 nëntor 2017.

Filed Under: Editorial Tagged With: Jonila Godole, Muri i berlinit, shqiperia

Kosovë-Dita Ndërkombëtare kundër Fashizmit dhe Antisemitizmit

November 9, 2017 by dgreca

1 ok rrethore

-Kryeministri Haradinaj: Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve/

1 haradinaj ekspo

-Shqiptarët e Kosovës aso kohe dhanë provimin e tyre, por në traditën, kulturën dhe unin tonë si popull, është një vlerë e pashkruar, që mikut mos t’ia përmendim të mirën që ia dhamë në një moment të caktuar kur ai ka nevojë/

PRISHTINË, 9 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër Fashizmit dhe Antisemitizmit.
Në këtë ngjarje, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues nga Izraeli, dhe nga institucionet fetare e kulturore në vend, u hapë ekspozita e fotografive dhe dokumenteve, të cilat pasqyrojnë dëshmi e ngjarje, që flasin për kontributin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve, sidomos të Kosovës dhe Maqedonisë, për shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së II Botërore. Gjithashtu, u promovua edhe libri “Rrugëtimi – Journey”, i autorëve Skender Asani dhe Albert Rama.

1 Haradinaj flet

Në vazhdim, po e japim të plotë fjalën e kryeministrit Haradinaj:

 Të nderuar përfaqësues fetarë,

Të nderuar të pranishëm,

Më vjen mirë qe jemi sot këtu. Dëshiroj të falënderoj për organizimin e këtij takimi të tillë, të kësaj dite, në përkujtim të “Natës së Kristaltë”. Sot kujtojmë dhe reflektojmë një natë, e cila njihet si Natë e Kristaltë e që është 9 nëntori i vitit 1938. Në Gjermani, kjo natë gdhiu me thyerjen e xhamave të dyqaneve hebreje, djegien e qindra sinagogave, shkatërrimin e varrezave dhe vrasjen e qindra hebrenjve të pafajshëm.

Kjo ishte një hyrje në tragjedinë e madhe njerëzore e njohur si holokaust, si fashizëm, e udhëhequr nga Hitleri.

Edhe pse populli shqiptarë në atë kohë ishte në gjendje të rëndë për vete dhe kishte kohë të gjatë në okupim dhe vuajtje, por i njohur me virtytet e larta të bujarisë, mikpritjes, solidaritetit dhe humanizmit, e tregoi veten dhe në ato momente tejet dramatike, nëpër të cilat kaloi populli hebre gjatë Luftës së II Botërore, shqiptarët, si në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ishin, morën rreziqe të mëdha mbi supe për të shpëtuar qindra familje hebreje, të cilat u depërtuan nga vende të ndryshme.

Është pranuar botërisht fakti, se derisa në shumë vende harta e ngulimeve hebreje tkurrej, vetëm në tokat shqiptare prezenca zgjerohej. Pra, ishin shqiptarët, ata që hapën dyert e tyre, hapën zemrat e tyre dhe strehuan shumë hebrenj, të cilëve edhe ua dhanë besën dhe as me çmimin e jetës nuk i dorëzuan.Shqiptarët e Kosovës aso kohe dhanë provimin e tyre, por në traditën, kulturën dhe unin tonë si popull, është një vlerë e pashkruar, që mikut mos t’ia përmendim të mirën që ia dhamë në një moment të caktuar kur ai ka nevojë.

Prandaj, shqiptarët edhe pse ishin më meritorët për shpëtimin e shumë hebrenjve nga Ballkani, pas mbarimit të luftës nuk ngarendën pas dekoratave apo pas çfarëdo kërkese tjetër me aktin e tyre të drejtë që kishin bërë.Mirëpo, e vërteta dhe faktet mbesin, janë prezentë dhe, këto të vërteta dhe fakte i ruajnë edhe në kujtime njerëzit tanë, por edhe ata që u pritën, pranuan dhe u mbrojtën nga shqiptarët.Sot, kam kënaqësinë, që me rastin e shënimit të “Natës së Kristaltë” së bashku me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqatës “Acta Non Verba” nga Shkupi, të hapim ekspozitën dhe të promovojmë librin dokumentar “Rrugëtimi” nga autorët Skender Asani dhe Albert Rama.Besojmë që përmes punës së tyre hulumtuese dhe shkencore do të dalin në shesh të vërteta të reja lidhur me kontributin e shqiptarëve në këtë kauzë të drejtë.Besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar vullnetin tonë përkrah popujve të qytetëruar të botës për kujtimin e luftës ndërkombëtare kundër fashizmit dhe antisemitizmit.Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve, pavarësisht racës, gjuhës, fesë apo kombit.I kujtojmë bashkë ato ngjarje të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos përsëriten më kurrë.

Faleminderit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Antisemitizem, Dita nderkombetare, fashizem, Haradinaj, kosova

Kosovarët e gjetën në Kukës ngrohtësinë e vatrës shqiptare

November 9, 2017 by dgreca

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në shenjë falënderimi për bujarinë kuksiane, ka ndarë Medaljen Urdhri i Lirisë për qytetarët e Kukësit. Kosovarët e gjetën në Kukës ngrohtësinë e vatrës shqiptare/

3 Thaci lule2 Thaci Gashi1 Thaci Kukesi1 Thaci ecen

KUKËS, 9 Nëntor 2017 –Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Pallatin e Kulturës në Kukës ka dekoruar qytetarët e Kukësit me Medaljen Urdhri i Lirisë.Presidenti Thaçi ka thënë se është në Kukës për të shprehur falënderimin e madh për të gjithë qytetarët e Kukësit, të cilët me zemërgjerësi dhe bujari të pakrahasueshme strehuan rreth 500 mijë vëllezër dhe motra të tyre nga Kosova, të shpërngulur dhunshëm në vitet e luftës.“Në periudhën më kritike të shqiptarëve të Kosovës, Kukësi i ri, Kukësi i vogël në dukje u bë Kukësi i madh, i hapur, i dashur dhe thellësisht bujar e fisnik”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi ka thënë se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sukseset e NATO-s e bënë edhe më të egër politikën antishqiptare të Beogradit, i cili filloi spastrimin etnik përmes vrasjeve, ndjekjeve, dëbimeve dhe gjenocidit.“Popullatën e paarmatosur, gra, burra, pleq dhe fëmijë i larguan me forcë nga vatrat e tyre në drejtim të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Në Kukës zunë vend rreth gjysmë milioni të dëbuar. Falë solidaritetit, dashurisë dhe ndjenjës së pastër atdhetare, kosovarët e dëbuar në Kukësin tuaj gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare dhe me durim pritën përfundimin e luftës”, shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se pas një historie të gjatë të përpjekjeve për liri, Kosova më në fund kishte krijuar organizatën më të rëndësishme politike dhe ushtarake, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, guerilen më të suksesshme të shekullit që shkoi, për të jetësuar idealin dhe ëndrrën e lirisë.

“Për herë të parë Kosova arriti që të jetë aktore në arenën ndërkombëtare në Konferencën e Rambujesë. Për herë të parë Kosova kishte në anën e saj miq të fortë ndërkombëtarë, botën e vlerave demokratike. Ishte pikërisht ky avancim politik i Kosovës që arriti të prodhojë dokumentin ndërkombëtar me të cilin bota demokratike angazhoi aleancën më të fuqishme të globit, NATO-n, për të intervenuar ushtarakisht mbi caqet ushtarake dhe policore serbe”, ka thënë presidenti Thaçi.

Banorët e Kukësit dhe lumjanët në përgjithësi, presidenti Thaçi ka thënë se janë pjesë e përbashkët e historisë së Kosovës.

Ai ka thënë se edhe ata i përjetuan ato që përjetonin vëllezërit dhe motrat e tyre nga Kosova.“Gjatë viteve ‎1998-1999, Kukësi u bë bazë e UÇK-së. Qyteti i Kukësit përjetoi granatimet e ushtrisë serbe. Shumë kuksianë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si hasjanët dhe tropojanët”, u shpreh presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se Kukësi dhe Prizreni patën fatin politik, historik dhe gjeografik të ndarjes me kufi shtetëror të padrejtë për një shekull të tërë. Porse, në këtë ndarje dhe izolim, sipas presidentit Thaçi, përmes Radio Kukësit ishte gjetur një formë e komunikimit midis Kosovës dhe Shqipërisë.“Në Radio Kukës u transmetua historia e ndaluar e Kosovës”, theksoi ai.Ndërsa, Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ka thënë se kjo është një ditë e shënuar për banorët e Kukësit për shkak të vlerave të larta dhe ndjeshmërisë që kanë treguar në vitet e luftës në Kosovë.“Thaçi ishte në Kukës si lider lufte, si luftëtar i lirisë, por sot ka ardhur si President i Kosovës për të na treguar se Kosova dhe kosovarët nuk na harrojnë”, ka thënë Shehu.Duke kërkuar mbështetjen e dy qeverive shqiptare, Shehu ka propozuar që të krijohet “Muzeu i Kujtesës”, për t’i përkujtuar ditët e vështira që kosovarët dhe kuksianët kanë kaluar së bashku.Në shenjë falënderimi për bujarinë kuksiane, presidenti Thaçi ka ndarë Medaljen Urdhri i Lirisë për qytetarët e Kukësit./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: kosovaret e Luftes, Presidenti Thaçi, qe priti, viziton Kukesin

PETER PAUAL WIPLINGER:“Si e kam njohur Ali Podrimjen dhe Ibrahim Rugovën”

November 9, 2017 by dgreca

1 Peter Paul Wiplinger

Flet  poeti, filozofi, fotografi i njohur austriak PETER PAUAL WIPLINGER/

1 Kryesia me Peter P. Wiplinger

Bisedoi: HAZIR MEHMETI, Vjenë/

“ … një rebel radikal, për të cilin nuk ishte aq e rëndësishme që ta shpjegojmë botën, mirëpo që ta ndryshojmë këtë botë dhe njerëzit, që të kemi drejtësi, ku të gjithë njerëzit të kanë mundësi të barabarta për një jetë humane.”

  1. Pyetje: A ju kujtohet,  kur keni  filluar të shkruani, ishte poezi apo prozë e parë, cili është motvi i saj dhe kur është botuar?

Wiplinger:  Ishte viti 1946, kur në shtëpinë e prindërve të mi, në shtëpinë e lindjes sime Haslach an der Mühl, 2-3 km larg nga kufiri i Çekosllovakisë së asaj kohe, një ushtarak ebre-rus  i strehuar për ndonjë arsye tek ne, më ka mbetur në kujtesë recitimi i tij të elegjive nga Rainer Maria Rilke, dhe unë si djalë i vogël qëndroja ulur pranë dhe dëgjoja me gojë hapur. Ky përjetim më ka prekur thellë dhe ndoshta ishte përcaktues në jetën time.Ka mbetur e pa  harruar dhe më shoqëron në pambarim tërë jetën time. Kjo ishte një shtytje në brendësinë e një bote krejt tjetër, sa në banalitetin e përditshëm, aq edhe në vërtetësinë e saj.
Kjo ishte bota e poezisë, e cila më pushton mua plotësisht prapa së cilës qëndron vendimi im për të shkruar poezi dhe të rritem me te.  Më vonë vijnë poezitë nga: Erich Kästner, Mascha Kaleko, Charles Baudelaire, Arthur Rimbaud, Paul Éluard, Garcia Lorca etj. Si gjimnazist poezitë e mia i botova në antologji  “ Flügel der Zeit“ dhe „Österreichische Lyrik nach 1945“. Përjetimet nga jeta dhe vjershat e poetit austriak Georg Trakl, e forcojnë rrugën time drejtë lirikës dhe shkrimeve të mia përgjithësisht. Poezia e parë si gjimnazist 16 vjeçar, i kushtohej natyrës dhe dashurisë. Njërën nga vjershat e dërgova në një gazetë, u botua dhe për këtë isha shumë krenar. Në këtë kohë lexoja poezi të përkryera dhe dëshiroja dhe unë të shkruaj diçka të tillë dhe të bëhem poet. Kjo ishte rruga ime letrare, një rrugë që unë e dëshiroja. Nga poezitë e para më kujtohen disa rreshta:
“ Nëse yjtë në dorë më bien,
një shenjë e sigurt për mua… “

    2.Pyetje:  Nga poezitë e juaja del një qëndrim njerëzor i veçantë në përkrahjen e të drejtës për njeriun pa marr parasysh kush e nga është. Ku e gjeni këtë motiv, forcë?
        Wiplinger:  Ne anën tjetër në këtë kohë ndikonte realiteti i shoqërisë klasore, që ende ishte i pranishëm, kundër së cilës ishte kthyer politikisht edhe socializmi. Shoqëria klasore Kjo shoqëri klasore dhe kushtet e jetës të lidhura me te ishin edhe për familje, një prej të cilës unë i takoja, një familje tregtare dhe kryebashkiaku, një gjë mjaft e natyrshme, si diçka “e dhuruar nga Zoti”; dhe kështu është trajtuar veprimi ynë janë trajtuar edhe shërbëtorët tanë, pra si qytetare të klasës së dytë, si të nënshtruarit tane-ashti sic dhe në të vërtetë dhe ishin në jetën reale. Kjo më lëndonte ndjenjat e mia të hershme ndaj drejtësisë dhe ngriste kundërshtimin bashkë me indinjatën time.
Kundër kësaj u ngrita, u rebelova. U solidarizove me “subjekte” “të nënshtruarit” të tilla e tillë  (p.sh. si kuzhinieri ynë i kuzhinjerja jonë e dashur Fani, i e cili ka jetuar 35 vjet dhe ka gatuar për familjen dhe bënte gjithë punët e shtëpisë!), edhe kundër prindërve dhe kundër familjes.
Për këtë shkak vizioni im u zgjerua në këtë rreth të shtypurish dhe të shfrytëzuar gjithnjë e më shumë, dhe ky vizion u bë kërkues dhe me i saktë.
Pashë më shumë dhe më shpesh, sidomos degradimin dhe deprivimin, padrejtësinë, shtypjen sheshazi shpesh dhe çnjerëzore: dhe atë  në  gjithë botën. Unë jam marrë me këtë çështje dhe kjo çështje më ka preokupuar.
Në përfundimin e luftës në vitin 1945 ishte një Europë e shkatërruar shkretëtuar me 60 milionë viktima e të vrarë, me fajin e madh në të dy anët, dhe Holokausti, për të cilin ne nuk dinim ende asgjë.

  1. Pyetje: Përveç poet, ju jeni edhe filozof dhe fotograf, ne veprat e jua gjendët një kontekst shpirtëror për një botë më të mirë. Cila nga këto tri karakteristika ka ndikuar ma shumë tek personaliteti i Wiplinger, është ndonjë qe ka pas me shumë ndikim? Cili personalitet letrar, artistik, filozofik apo politik është inspirim për ju?

Wiplinger:   Në të njëjtën kohë kur fillova të shkruaj poezi gjatë kohës si student, u ballafaqova shumë me filozofinë, përcolla  shumë ligjërata, ku merrja njohuri fillestare filozofike. Fakti që vëllai im shumë i talentuar Fridolin , vdiq i ri (1973),  ishte profesor në UN e Vjenës i cili ishte nxënës dhe shok i Heidegger, ai ndoqi një drejtimi filozofik krejtësisht ndryshe nga unë, me mendimet e mia, me detyroj që mos të futem shumë në filozofi. Ne ishim shumë të ndryshëm në shumë pikëpamje dhe opinione, dhe ndonjëherë diskutimet u bënin shumë të ashpra. Unë isha i inspiruar nga ekzistencializmi francez (Camus, Sartre), një rebel radikal, për të cilin nuk ishte aq e rëndësishme që ta shpjegojmë botën, mirëpo që ta ndryshojmë këtë botë dhe njerëzit, që të kemi drejtësi, ku të gjithë njerëzit të kanë mundësi të barabarta për një jetë humane. Për mua ishte drejtësia e rëndësishme, kurse jo aq shumë “e vërteta” – definicioni i së cilës shpeshherë e arsyetonte shkeljen e njerëzve dhe dhunën, jo rrallë edhe duke u bazuar në “vlera” te llojllojshme. Edhe parullat si “Kurrë më!” (Fashizmi/Auschwitz) ishin tonat, gjithashtu edhe thirrja jonë për t’i luftuar pushtuesit, si për shembull “No pasaran”, dhe “La Passionara” (Dolores Ibarruri Gomez) nga lufta civile në Spanjë. Ajo pati ndikim në mua dhe në udhën e jetës sime, në eksperiencat dhe “urtësinë e jetës”. “Megjithatë!”- një fjalë të cilën unë e mendoj si më të rëndësishmen për mua: “Megjithatë!”. Të jemi kryengritës!-edhe atëherë kur jemi të vetëdijshëm se mbase dhe mund të humbim dhe të vdesim. Kjo për më tepër nga ndërgjegjja dhe qëndrimi se të hiqet dorë (dorëzimi/dorëheqja) nuk është opsion, sidomos në këtë botë të sotme, në të cilën rezistenca dhe kryengritja është e vetmja gjë e cila njeriut i jep dinjitet.

 4.Pyetje: Disa vepra tuaja janë përkthyer në shumë gjuhë, edhe në shqip, cilën do ta dallonit dhe përse?

Wiplinger:  Që herët vjershat e mi u përkthyen në gjuhë të ndryshme dhe u publikuan. Fillim i vargut të gjatë të publikimit të librave të përkthyera në 20 gjuhë nisi me përmbledhjen  “Oporoka časa“   (Zeitvermächtnis) në sllovenisht dikur në ish Jugosllavi. Ne kemi grupet etnike slloven, kroate, çeke dhe grupeve etnike Roma e Sinit, ku ishte me rëndësi botimi i vjershave në këto gjuhë; kjo kishte domethënie për kohën në kontekstin kulturo-politik. Në vitin 1977 botohet dhe publikohet në dy gjuhë “Kufijtë“,  “Borders / Grenzen“, anglisht dhe gjermanisht në New York.  Në disa nga vjershat do të flitet për Holokaustin dhe Nacionalizmin socialist. Për këtë nuk dëshironte njeri të dëgjonte në Austri. Ky libër këtu krejt pak tërhoqi vëmendjen, por krejt ndryshe ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishte pikërisht kjo  „“Temë“ shumë e kufizuar e kohës, e cila në Vjershën time programatike ( “Pas Aushvicit“ (Nach Auschwitz) e formulon konceptin tim karshi qëndrimit të filozofit gjerman Theodor W. Adorno, i cili thoshte: “Të shkruash vjershë pas Aushvicit është barbari“ Përkundrazi, unë vendosa të shprehem me vjershën time. Ky qëndrim tërhoqi vëmendjen fillimisht jashtë, jo në Austri; sepse në këtë vend thënia mbi të vërtetën në disa dekada  do bazohen sikur ishin viktima të Nacional socializmit, e ngritur në shkallë të gënjeshtrës kolektive duke u munduar të mohohej pjesëmarrja në veprimet e tmerrshme të Nacional socializmit, shpesh të mahnitur nga bashkërendimi.

  1. Pyetje: A mundeni të na rikujtoni diçka të veçantë nga njohja e juaj me Dr.Ibrahim Rugovën, filozof, shkenctar dhe politika, dhe Ali Podrimen, poet?

Wiplinger:  Tek lidhja ime e hershme me shqiptarët.  Dr. Ibrahim Rugoven dhe poetin Ali Podrimja  i kam takuar në Konferencën e PEN-it në Slovenski PEN Centers në Bled që në vitin 1980. Konferenca e Bledit ishte një kthesë në kontaktet me kolegë nga shumë vende. Si vend i pa angazhuar në Paktin e Varshavës “shtet neutral“, nën regjimin e Titos, ishte vend takimi shumë i përshtatshëm edhe për kolegë nga vendet tjera komuniste (shumica nën vëzhgim). Tek Rugova vërejta një përqendrim të brendshëm, manifestuar me një qetësie gjakftohtësie tërheqëse.   Lëvizjet e tij të kujdesshme e mbresëlënëse, zëri i tij i qetë, fjalët e ngadalta dhe pa lëkundje, por i sunduar nga  një përqendrim i brendshëm.  Ai lente përshtypje kryesisht njeri i ëmbël, por me një qëndrim të pa lëkundur dhe këmbëngulës  në synimet e tij. Ishte shumë i sjellshëm, me shoqërim  kolegjial, por vërehej një dozë tërheqje, në kontakte  një shkëlqim në distancë.   Ai më dukej gati ndrojtur por kurrë i heshtur e i frikësuar. Ai duke disi i thjeshtë,  por asnjëherë nga dobësia. Ai ishte intelektual, shkencëtar me relief filozofi, i cili në pyetjen e të drejtave të njeriut me relevancë i angazhuar politikisht, para se gjithash ndaj popullit të tij si në Kosovë, në Serbi, në Maqedoni, gjithashtu në ish Jugosllavi ku shtypeshin pakicat nacionale. Ali Podrimja, ishte, si e ndieja unë dikur dhe verifikoja sot, ishte me natyrën e tij e cila  shkëlqente, krejt e kundërt me atë të Ibrahim Rugovës. Aliu ishte shumë njeri i hapur, plotësisht i  përzemërt dhe gazmor. Ne gjetëm menjëherë simpati njëri ndaj tjetrit, ishim, “për Ti“ dhe e tirrnim njëri tjetrin nga emri. Për këtë flet dhe vjersha ime për te.
Ne u takuam edhe në Strugë, në “Mbrëmja poetike në Strugë”, gjithashtu edhe në disa takime nga PEN- konferencat në vende tjera, dhe një herë në Vjenë. Ishte një kohë e kontakteve mes nesh, kjo ishte shumë e bukur dhe me vlerë për mua.
Me “Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu”, tani disa kohë jami në bashkëpunim rreth librave të mia dhe tjera, veçan me kolegët Besim Xhelili dhe Anton Marku Unë i kam ftuar me kënaqësi në lexime letrare dhe vet kam marr pjesë në lexime me ftesë nga ata. Jam i autorizuar për lidhje marrëdhëniesh shumëkulturore nga se jam shumë vjet i  angazhuar në këtë drejtim. Jam po ashtu themelues i “Platformës për autor/e me gjuhë tjetër nga gjermanishtj- gjuhë amtare në Austri”. Kjo do mbijeton akoma.

  1. Pyetje: Çka mund të presim në te ardhmen nga ju?

Wiplinger: Sa i përket një pozicioni pritës ndaj meje, sidomos nga kolegët shqip-folës, unë mund të them: Unë do luftoj, sa të kem mundësi, për të vërteten dhe për drejtësi, për interesat legjitime të të gjithë njerëzve dhe organizatave që jetojnë në demokraci, të vlerave për liri, barazi e solidaritet, drejtat e njeriut; unë do deklarohem edhe publikisht për këto gjera. Gjithë këto gjera me vetëdijen që zëri i ndërgjegjes dhe arsyes të mund të kuptohet lehte; mirëpo, ajo e bën edhe më të nevojshme mesazhin  e saj.

  1. Cili është mesazhi juaj për lexuesit/et tanë?

Vetëm që të them edhe disa fjalë rreth pyetjes për të ardhmen time letrare dhe rreth „mesazhit“ tim: Unë punoj ende me shumë kënaqësi dhe intensitet – edhe pse tani i kam 78 vjet dhe sigurisht jam shumë i moshuar; unë shpresoj, që kjo do vazhdoj të jetë kështu. Unë jam një poet me fantazi, mirëpo jam edhe një njeri pa iluzione, i prekur nga realiteti. Mirëpo unë mendoj që ende ka mundësi për një të ardhme pozitive për njerëzit. Por, për të pasur vërtet mundësi për një jetë njerëzore për të gjithë njerëzit, njeriu duhet të behet njeri më së pari. Sisteme dhe bartës të sistemit që janë jo-njerëzor duhet të munden e tejkalohen. Kjo është një rrugë që pothuajse nuk është e mundur, mirëpo  në të njëjtën kohë është mundësia e vetme që njerëzit të jetojnë një jetë të njerëzishme dhe që ky planet mos të shkatërrohet nga vet banuesit e tij. Edhe pse kjo mundësi është shumë e vështir të realizohet, ne duhet të  besojmë edhe me shume, te angazhohemi edhe me shume, te veprojmë me shumë në këtë drejtim, të besojmë në këtë mundësi. Ne duhet të besojmë në „Principin e Shpresës“ (filozofi gjerman, Eduard Bloch), dhe ta mbrojmë atë. Ne nuk duhet të heqim dorë kurrë nga „Principi i Shpresës“, sepse për ndryshe do heqim dorë nga vetvetja. Rezignacioni nuk është opsion për të ardhmen, sepse nuk është kurrsesi as për jetën.

Peter Paul Wiplinger

Ibrahim Rugova

Ti gjithmonë

fole me zë të ulët

dhe si përherë

kundër çdo dhune

por pyes veten

a mundet njeriu

pa dhunë

prej dhunës të mbrohet

varka na nxori

tek bregu tjetër

ngadalë i ngjitëm

shkallët lart

sa i brishtë

qenka njeriu

por dhe sa pa përgjigje

mendova njëkohësisht

(Përktheu: Ajet Shira, Vjenë)

                           PETER  PAUL WIPLINGER

.    U lind në lokalitetin Haslach në vitin 1939,  jeton në Vjenë. Ka mbaruar studimet në Shkencat Teatrore, Gjermanistikë dhe Filozofi. Është i njohur si Lirik, Publicist kulture e arti dhe fotograf.
Ka botuar deri me tani 46 vepra, kryesisht në poezi, shumë nga të cilat të përkthyera në mbi 20 gjuhë. Në shqip “Shënja Jete“ (Lebenszechen). Është anëtar i disa Klubeve e Organizatave letrare austriake e ndërkombëtare. Aktiviteti i tij letrar është i pasur, ka lexuar në mbi 350 orë letrare e artistike në shumë vende. Peter P. Wiplinger është njëri nga aktivët  në  P.E.N Clubin Ndërkombëtare dhe P.E.N Clubit  në Austri.  Është shpërblyer me shumë dekorata e mirënjohje ndër të cilat vitin 2015 “Dekorata e Lartë e Nderit për Merita ndaj Republikën e Austrisë”.  Ka një qëndrim parimor të ashpër ndaj politikave diskriminuese në mbrojtje të të drejtave të njeriut si është anëtar i disa organizatave. Krijimtaria e tij e gjithanshme flet për një personalitet me vlera të mirëfillta jo vetëm tek lexuesi austriak por dhe më gjerë.  Disa vite e mbështetë aktivitetin letrar të  Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu“ në Austri, ku është anëtar nderi. I kishte miq Dr.Ibrahim Rugovën  dhe Ali Podrimën.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ali Podrimja, Flet poeti, fotografi i njohur austriak, Hazir Mehmeti, PETER PAUAL WIPLINGER, Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1687
  • 1688
  • 1689
  • 1690
  • 1691
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT