• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROBLEMATIKAT E SHËRBIMIT TË URGJENCËS NË KOSOVË E SHQIPËRI GJATË PANDEMISË

March 5, 2021 by dgreca

Shkruan: Sokol PAJA – DIELLI/

Pandemia COVID-19 ka vënë në vështirësi të gjitha hallkat e sistemeve shëndetësore në të  gjithë botën. Kjo pandemi ka evidentuar dobësitë dhe papërgatitjen e shumë shteteve për tu përballur me këto vështirësi. Një ndër arsyet për këtë janë dhe investimet e pakta në fushën e  shëndetësisë, duke përfshirë pajisjet, ambjentet, instrumentat dhe personelin shëndetësor. Në këtë kontekst, Shërbimit të Urgjencës i është dashur të riorganizohet për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efektive kujdesit dhe shërbimit ndaj popullatës. Mjekët shqiptarë kanë qënë në vijën e parë të përgjigjes jo vetëm në vendet shqip-folëse, por edhe më gjerë në Diasporë. Vështirësitë që ata kanë hasur gjatë kësaj periudhe u paraqitën në një webinar të  organizuar nga Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Itali. Gjatë këtij webinari Dr. Arben Gjata, Dr Skënder Brataj, Prof Basri Lenjani dhe Dr Esen Uysal paraqitën eksperiencën e tyre, sfidat  e hasura dhe mësimet e marra që nga fillimi i kësaj pandemie përkatësisht në Itali, Shqipëri, Kosovë  dhe Turqi.  

CILAT ISHIN SFIDAT E SHËRBIMIT TË URGJENCËS?

Me fillimin e pandemisë, Shërbimi i Urgjencës u përball me sfida të mëdha, të  cilat kërkonin krijimin e një strategjie për uljen e infektimeve dhe ngadalësimin e përhapjes, hartimin e  kritereve të monitorimit të rasteve të dyshuara si nga centrali operativ edhe në territor dhe krijimin e një rrjeti emergjent territorial. Në të njëjtën kohë duhej treguar vëmendje për  pajisjen e të gjithë personelit shëndetësor me dispozitivë të mbrojtjes individuale,  koordinimin me mjekët e specialiteteve të tjera, menaxhimin dhe trajtimin në emergjencën para hospitalore për pacientët e dyshuar me COVID-19. Gjatë muajit mars të vitit 2020, mjekët e Shërbimit të Urgjencës u përballën me një shtim të numrit të thirrjeve nga ana e  popullsisë që tregon edhe për panikun e krijuar nga një sëmundje e panjohur e që po  përhapej me shpejtësi kudo në botë. Fillimisht ishte e vështirë edhe të përkufizohej një rast i dyshuar me COVID-19. Kishte një numër të kufizuar të ambulancave të pajisuara me të  gjitha instrumentat e nevojshme sikurse respirator dhe transporti i pacientëve pozitiv kritik në shërbime më të specializuara hasi në probleme. Ndërkohë kishte një mungesë komunikimi e bashkëveprimi me departamentet e tjera, si psh ai i dializës. Në valën e parë personeli i Urgjencës u gjet i vetmuar në territor, në mungesë të dispozitivave të mbrojtjes individuale duke ndikuar gjithashtu në mosfunsionim e figurës së mjekëve të familjes. Në disa raste, të vënë përballë një armiku të panjohur e të padukshëm, personeli shëndetësor ka hezituar për të shkuar te pacienti. Ndërkohë u hasën vështirësi për të bindur personat e dyshuar, të konfirmuar, apo që ktheheshin nga jashtë shteti për të qëndruar në karantinë. Një rol të rëndësishëm edhe pse jo gjithmonë pozitiv, luajti dhe media e politika. Dizinformimi që u vu re gjatë kësaj pandemie vështirësoi shpesh punën e personelit shëndetësor e vendimmarrësve, të cilët u përballën me mosbesim të thellë nga ana e popullates. Edhe pse gjatë valës së parë u pa një solidaritet i lartë me ekipet mjekësore, kjo gjë ndryshoi me përhapjen e teorive të shumta dhe shpesh u vu re mosbesim deri në fajësim ndaj personelit mjekësor dhe skepticizëm ndaj këshillave të dhëna, kryesisht mbi përdorimin e maskave, mbajtjes së distancës sociale.

SI U MENAXHUA SITUATA E VËSHTIRË E PANDEMISË?

Në mungesë të protokolleve për menaxhimin e rasteve me COVID-19,mjekët e Shërbimit të Urgjencës u mbështetën tek protokollet e vjetra të hartura për SARS, në rastet kur ishin të krijuara dhe ekzistente. Me shtimin e njohurive dhe evidencave shkencore mbi virusin dhe pandeminë, shumë shpejt u hartuan protokolle të reja kombëtare e ndërkombëtare, të cilat iu mundësuan në mënyrë të përditësuar dhe të herëpashershme personelit mjekësor. Me numrin e rasteve që shtoheshin dita ditës, një tjetër sfidë ishte trajnimi dhe edukimi i stafit mjekësor mbi SARS-CoV-2, trajtimin e pacientëve dhe përdorimin e duhur të veshjeve mbrojtjëse. Duke konsideruar infektueshmërinë dhe transmetueshmërinë e lartë të virusit, u pa e domosdoshme dizinfektimi i herëpashershëm i ambjenteve të urgjencës dhe i ambulancave. Koordinimi midis departamenteve të ndryshme dhe bashkëpunimi midis tyre lehtësoi mbingarkesën e sistemit shëndetësor, duke përfshirë dhe Shërbimin e Urgjencës. Pati një ulje të numrit të thirrjeve për patologjitë e tjera akute për shkak të frikës nga COVID-19, gjë që tregon një shtyrje të kujdesit shëndetësor deri në rrezikim të jetës së pacientëve. Kjo çoi në një mbipopullim të ED në një moment të dytë. Për t’ju gjendur sa më pranë pacientëve, personeli i urgjencës ka qënë në kontakt të vazhdueshëm me ta, duke ritelefonuar ditë pas dite ata në gjendje kritike e të dyshimtë. Mjekët kanë pasur nivele të larta stresi për shkak të turneve të gjata e të lodhshme, infektimeve të tyre e të familjarëve, humbjeve të personave të dashur e të kolegëve. Për t’i ndihmuar janë vënë në dispozicion numra të këshillimit psikologjik si dhe kurse për menaxhimin e stresit. 

BETEJA ME VIRUSIN VAZHDON…

Shërbimi i Urgjencës, ashtu si i gjithë sistemi shëndetësor ndjeu mungesën e protokolleve dhe parapërgatitjes në fazat e para të pandemisë COVID19. Me shtimin e njohurive mbi virusin dhe me kalimin e kohës u bë një riorganizim për të ofruar një shërbim efektiv e në kohën e duhur për çdo pacient. Eksperiencat e ndara gjatë këtij webinari mund të shërbejnë si mësime për të gjithë mjekët shqiptarë të shërbimit të urgjencës, jo vetëm në përballjen me pandeminë që po kalojmë, por edhe në një emergjencë sanitare në të ardhmen. Si përfundim, duhet theksuar se deri në përmirësimin e situatës epidemiologjike, beteja me virusin vazhdon dhe në asnjë moment nuk duhet të ulim vëmendjen ndaj respektimit të masave të shëndetit publik.

Filed Under: Politike Tagged With: E SHËRBIMIT, PROBLEMATIKAT, Sokol Paja, TË URGJENCËS

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu

March 4, 2021 by dgreca

PRESS RELEASE/

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu/

VATRA is concerned with the pressure tactics on the Prime Minister elect of Kosova, Albin Kurti. The congratulatory message by the Israeli PM Benjamin Netanyahu and invite to meet in Israel at the inaugural opening of the Embassy in Jerusalem which prompted fierce reactions by Turkey, Palestine and the Arab League and even European Union should not deter or intimidate Kosova, the upcoming administration, its institutions and political class. 

The young Kosova state has no time to experiment on withdrawing from the Washington agreement of September 4, 2020 procured under President Trump and the official signings of diplomatic relations between Kosova and Israel on February 1, 2021.

The European Union has had sufficient time to facilitate Kosova’s integration yet it has opted to isolate the new state by blocking the traveling of its citizens, a measure imposed on Kosova’s aggressor, Serbia – Brussels’ pet project. 

VATRA appreciates Mr. Kurti’s non-rushed approach to encounter the pressure exerted by the EU yet the delay does not benefit him, his upcoming administration nor the citizens of Kosova. While his earlier statements that the establishing of diplomatic relations between Kosova and Israel is an important and positive step towards development were promising, his announcement that he will review the issue whether Tel Aviv or Jerusalem will be the location of Kosova’s embassy at the meeting with the Turkish Ambassador in Prishtina, Çağri Sakar on March 1, 2021 sows doubts and ambiguity. These decisions do take time yet as the expression goes: Well begun is half done! Washington was clear on the opening of the Embassy in Jerusalem, where the US offices are located. The new administration has approved the move and released the funds for the US Embassy in Jerusalem. Case closed!

In considering the dilemma of listening to the Americans to set up the embassy in Jerusalem versus the threats by Europeans to settle it in Tel Aviv, Kosova should apply a balanced practical and diplomatic sense in saying “YES” to the former and “NO” to the latter. Logic and international diplomatic relations’ practices relieve Mr. Kurti of his responsibility since the decision was made by his predecessors and secondly, the location of Kosova’s embassy is determined by the host country rather than Kosova. 

Kosova should waste no time to say “YES” to the invite of Israeli Prime Minister Netanyahu!

Executive Board of Pan-Albanian Federation of America Vatra

President

Elmi Berisha

Filed Under: Politike Tagged With: Izrael, kosova, Vatra

AGUSTIN A MIRAKA- MESAZHET, “PENGU” DHE NGUSHËLLIMI: PUSHOFSH ME ENGJEJT!

March 4, 2021 by dgreca

Nga Dalip Greca/ Agustin Anila Miraka shkoi të pushojë. Lutjet tona nuk u kursyen, por Zoti e mori për vete. Ka qenë shumë e vështirë që t’i shkruaja këto radhë për njeriun shpirtmirë dhe kurajoz. Nuk jam takuar asnjëherë fizikisht me të, por virtualisht shpesh herë kemi komunikuar. Madje edhe kur më përcolli thirrjen për ndihmë që të kurohej jashtë shtetit, më shkroi veçmas një mesazh shprese dhe thirrjeje bashkë… I lexoj tash mesazhet dhe ligshtohem: Me 13 Shkurt më shkroi mesazhin:”Zoti Dalip, me thanë se Klodiana Cuka ka qenë në internim në Lushnje. Ajo është shefe e një fondacioni që ka lidhje me Vatikanin … ka në dorë të më marri mua në itali për 24 orë. Ja kam çuar të gjithë ekzaminim tim shëndetësor të spitalit këtu… Në mujsh, shkruaj edhe ti diçka në këtë adresë….. ose në mesanger…Dalip nuk po më dhimset jeta, por po vuaj shumë!…

         Mesazhi më ra si një kambanë e trishtë, më tronditi. Edhe pse nuk e njihja Klodianën, i ktheva përgjigje Agustinit në 6 e 10 min, pasi kisha bërë një kërkim të shpejtë në internet për Klodianën: “OK vëlla Aguustin, po i shkruaj menjëherë Klodianës.”

 Ashtu bëra.Përgjigja e saj ishte e mënjëhershme(I kërkoj ndjesë Klodianës që po e përmend në këtë mesazh pa i marrë leje, por besoj në mirekuptimin e saj në respekt të shpirtit të Agustinit.

Mesazhi im: E nderuar Klodiana! Jam Dalip Greca, kryeredaktor i  Gazetës së Vatrës, Diellit, që botohet në SHBA prej  15 shkurtit 1909…Kam një kërkesë të dhimbshme prej Agustin A Miraka,i përnjdjekur politik, që jeton në Tiranë dhe po vuan shumë nga sëmundja e kanserit. Më ka shkruar që t’ju kërkoj ndihmë për  të ndërmjetësuar që të kurohet në Itali. Agustini më shkruan se ju keni mundësi të ndërmjetsoni përmes Vatikanit dhe ai të vijë sa më parë atje…..

           Përgjigja e Klodianës: Përshëndetje Dalip. Po po, mos ke merak. Kam folë me Agustinin…Me shpresë të Zotit,javën që vjen do të jetë në Itali. Po i rregulloj rrugëtimin dhe një konsultë në Romë…Faleminderit për emailin. Zoti na ndihmoftë!..

Dhe Agustini udhëtoi për në Romë. Lajmin e dha ai vetë, sapo arriti atje, të hënën me 16 Shkurt, ku dërgoi mesazhin e tij të shpresës: “Të nderuar motra vëllezër; ju bëj me dije se sonte ndodhem në një Poliklinikë në Romë… nesër më shtrojnë në Spital….E gjithë ky interesim nga të afërmit e mi… erdhi kjo shpresë për jetën time… falë jush, ndihmesës dhe dashmirsisë tuaj. Gjithashtu dhe të burgosurve politik… Zoti jua shpërbleftë për të mira në familjet tuaja… Foto: shumë i smurë, i lodhur, duke zbritur nga Avioni në Rromë.- Ju dua shumë-Agustin Anila Miraka… Por, ah sëmundja kishte përparuar…Ishte tepër vonë. Sikur të ishte ndihmuar më parë! Peng për familjen dhe miqtë e tij.Po po, ishte vonë…

Më pikoi në zemër mesazhi  i 26 shkurtit dhe ai i 1 Marsi: Të nderuar vëllezër e motra shqiptarë, kudo që jeni, kush të ketë mundësi ti lutet Zotit për shëndetin tim!……..Me përzemërsi e dashamirsi ….Agustin Anila Miraka.

            Lutjuni për mua! Natyrisht u luta si shumë të tjerë. Lutem edhe tash për shpirtin e Tij: Pushofsh me ëngjëjt i dashur Agustin!

              Ngushëllime familjes dhe bashkëvuajtësve…, për kauzën e pazgjidhur, ai luftoi deri në frymën e fundit! Pusho në Paqe ti shpirt i vuajtur!(Dielli)

Filed Under: Opinion Tagged With: Agustin Anila Miraka, dalip greca

REZULTATET- VETËVENDOSJA & VJOSA OSMANI MË TË VOTUARIT

March 4, 2021 by dgreca

KOSOVA PAS ZGJEDHJEVE TË 14 SHKURTIT 2021, SHPALLEN REZULTATET PËRFUNDIMTARE – FITORE E VETËVENDOSJES, VJOSA OSMANI MË E VOTUARA

-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve,  Sot në mesditë,  shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohëshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës  të 14 Shkurtit 2021. Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është fituese me 438.334 vota  – 49,952 përqind  – 58 mandate deputetësh të Kuvendit 120 anëtarësh,  e numri dy në këtë listë Vjosa Osmani është më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300.788 vota. Gjatë historisë së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova/

-E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 16,900 përqind – 148.296 vota e 19 deputetë. E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,647 përqind – 110.978 vota e  15 deputetë. E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,078 përqind – 62.111 vota e 8 deputetë…/

-Kosova të dielen e 14 Shkurtit 2021 votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme/

-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001/

-Legjislatura e tretë, e  zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007,  ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/

-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

Korrespondenti i Diellit per Kosoven, Gazetari Behlul Jashari dhe dr. Vjosa Osmani gjate pritjes me gazetaret.

PRISHTINË, 4 Mars 2021/ Në Kosovë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 Shkurtit 2021, sipas rezultateve përfundimtare të shpallura sot,  Lista e Lëvizjes Vetëvendosje është fituese me 438.334 vota  – 49,952 përqind  – 58 mandate deputetësh të Kuvendit 120 anëtarësh,  e numri dy në këtë listë Vjosa Osmani është më e votuara nga të gjithë kandidatët e të gjitha listave me 300.788 vota. Gjatë historisë së zgjedhjeve parlamentare në Kosovë më shumë vota ka marrë vetëm Presidenti historik i Kosovës Ibrahim  Rugova.

Nga votimet në zgjedhjet e Kosovës të 14 Shkurtit 2021 janë edhe këto rezultate përfundimtare:

E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 16,900 përqind – 148.296 vota e 19 deputetë.

E treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 12,647 përqind – 110.978 vota e  15 deputetë.

E katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7,078 përqind – 62.111 vota e 8 deputetë.

Me vendet e garantuara me Kushtetutën e Kosovës serbët kanë 10 deputetë dhe komunitetet tjera pakicë poashtu 10 deputetë.

Nisma Soacialdemokrate me 2,507 përqind – 21.998 vota  dhe parti të tjera shqiptare nuk e kanë kaluar pragun prej 5 përqind dhe nuk do jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, që do konstituohet pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Nga sot – nga momenti i shpalljes së rezutateve përfundimtare, brenda 24 orëve subjektet politike dhe kandidatët e zgjedhjeve mund të parashtrojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Sot në mesditë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohëshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Valdete Daka falënderoi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, që morën pjesë në këto zgjedhje dhe shprehën vullnetin e tyre.

Ajo falënderoi edhe institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare për ndihmën që kanë dhënë gjatë këtij procesi zgjedhor.

Kosova të dielen e 14 Shkurtit 2021 votoi në zgjedhjet parlamentare  – të tetat në 22 vjet liri, të pesta në 13 vjet pavarësi e të katërta të njëpasnjëshme të parakohëshme.

Në Vitin e Ri 2021 Kosova shkoi në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohëshme të 6 Tetorit të vitit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.

Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.

 Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.

 Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.

 Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%. 

 Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesëve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa  pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.

 Zgjedhjet e shtata parlamentare në liri, të katërta në pavarësi, u zhvilluan në 6 Tetor 2019 . Numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,961,213, pjesëmarrja në zgjedhje 826,916 votuesë – 44.56%.

Në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurt 2021 – të tetat në liri e të pestat në pavarësi numri i votuesëve të regjistruar ishte  1,851,927, pjesëmarrja në zgjedhje 48.78% – numri i pranuar i fletëvotimeve të vlefshme 877,503.

 Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para  29 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të dhunës e shtetrrethimit nga Serbia okupatore.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

—-
REZULTATET E PËRGJITHSHME SIPAS SUBJEKTEVE POLITIKEhttps://www.kqz-ks.org/wp-content/uploads/2021/03/2.Rezultatet-sipas-subjekteve-politike.pdf

KANDIDATËT E ZGJEDHUR SIPAS SUBJEKTEVE POLITIKEhttps://www.kqz-ks.org/wp-content/uploads/2021/03/4.Kandidatet-e-zgjedhur.pdf

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, KQZ shpall rezultatet, Rezultatet e zgjedhjeve

Korpusi i Paqes “zbarkoi” për herë të parë në Shqipëri Me 24 Qershor 1992

March 4, 2021 by dgreca

Me rastin e 60-vjetorit të themelimit dhe 29 Vjetorit të “zbarkimit” në Shqipërit të Korpusit të Paqes/

 “Korpusi i Paqes” “zbarkoi“ në Tiranë me 24 Qershor 1992 dhe u shpërnda në disa qytete të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Elbansan, Lushnjë, Berat,Fier, Vlorë, Durrës, Kavajë, Përmet, Pogradec, Gjirokastër, Korçë etj…

– Disa prej pjesëtarëve ranë në dashuri jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vajzat shqiptare, ndërsa një amerikane e korpusit u martua me një djalë shqiptar dhe lindën kështu çiftet shqiptaro – amerikane që bashkëjetojnë edhe sot. Kur u nisëm ishim 22, kur u kthyem u bëmë 32, më tha me të qeshur Craig…

Nga Dalip Greca

Korpusi amertikan i Paqes zbriti për të parën herë në Shqipëri në gusht të vitit 1992, gjashtë muaj pasi forcat demokratike qeverisnin plotësisht vendin. Që në aeroportin e Rinasit ata prekën realitetin e mjerë të Shqipërisë së varfër, ku lopët e bagëtitë e tjera kullosnin në fushën e avionëve pa u trembur nga zhurma e avionëve të rrallë. Po si e përjetuan ata realitetin e Shqipërisë? Kam njohur njërin prej 22 vullnetarëve të Koprpusit të Paqës të cilët patën ardhur në Shqipëri më 24 Qershor 1992 për të kontribuar në fushën e arsimit dhe të kulturës.

Mësuesin Craig Doughert, e kam pasur fqinjë në Nju Jork. Në fakt e ksiha njohur që në qytetin e Lushnjës, ku atij i ra “llotaria” për të dhënë mësim në gjimnazin e qytetit dhe njërës prej vajzave të mia iu dha mësimin e anglishtes. Njohja shkoi pak më tej sepse Craig u bë dhëndër i qytetit tonë, u martua me një vajzë të lagjes time. Kur erdha në Amerikë u takova sërish me të. Madje në zyrat e gazetës ILLYRIA ai solli nxënësit e klasës që u jepte mësim. Më pas erdhi me banim me familje pranë nesh në Bronx. Prej kohësh kisha tentuar që t’i merrja një intervistë, por me takt ai e kishte shtyrë në kohë. Më në fund arrita që t’ia shkëpusja intervistën gjatë një vizite në shtëpinë e tij në Barnas Avenue në Bronx. 

  ***

Craig Doughert ishte njëri nga pjesëtarët e Korpusit të Paqes që në verën e parë të demokracisë shqiptare, zbarkoi në vendin e shqiponjave për të kontribuar për demokratizimin e bastionit të fundit të komunizmit në Europë. Ai thotë se gazetat e asaj kohe në Shqipëri i patën epitetuar si “dallëndyshet e demokracisë amerikane”, ndërkohë që pas kësaj, një qytetar anonim shqiptar, i kishte provokuar më një shkrim të botuar para viteve ’90 në “Zerin e popullit”, ku Korpusi i Paqes, epitetohej si agresor dhe pushtues! Ai, anonimi, u kishte treguar një kopje të atij shkrimi të atëhershëm dhe këtu ishte mbyllur incidenti.

 Craig, ashtu si shumë kolegë të tjerë të korpusit, për herë të parë ia kishte dëgjuar emrin Shqipërisë më 1991, por kjo nuk e pengoi ata që të pranonte misionin e ngarkuar. Gati të gjithë pjesëtarët ishin të rinj në moshë. Disa sapo kishin mbaruar kolegjet në Amerikë. Një ndër ta ishte edhe Craig.

         Udhëtimi për në Shqipëri ishte një aventurë e lodhshme por e këndshme, ndërsa realiteti i atjeshëm, më shumë se sa sfidë, i paimagjinushëm. 

Craig Doughert nuk e pat të vështirë që të rikujtonte në detaje aventurën shqiptare. Po e quaj aventurë pasi asaj nuk i munguan elementët e papritur. Kështu psh., ai kujton se në ditën e parë të zgjimit në hotelin shqiptar, një zgjim paksa i vonuar, të ndëshkonte me moslarjen e fytyrës në mëngjesin e parë shqiptar pasi ujit i dilte “gjumi” shumë më shpejt se sa ata. Ndërsa kur dilnin në shëtitje nëpër Tiranë i shihnin me kurreshtje sikur vinin nga një planet tjetër. Element tjetër i aventurës është një fakt interesant: Shumë prej pjesëtarëve ranë në dashuri jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vajzat shqiptare, ndërsa një amerikane ra në dashuri dhe u martua me një djalë shqiptar dhe lindën kështu çiftet shqiptaro – amerikane që bashkëjetojnë edhe sot. Kur u nisëm ishim 22, kur u kthyem u shumuam, u bëmë 32, më tha me të qeshur Craig. Më pas ai kujtoi pritjen në ambasadën amerikane në Tiranë, ku takuan edhe ish presidentin Berisha, në prani të ambasadorit Ryerson. Biseda me Berishën është zhvilluar në anglisht. Ai u kishte thënë se ishte i sigurtë që herën tjetër, kur ekipi të largohej, biseda do të zhvillohej në shqip. 

-Der. Berisha na e parandjeu aventurën e martesës shqiptaro-amerikane, thotë Craig, i cili e flet bukur gjuhën shqipe. Berisha u kish thënë në takimin e parë me të qeshur se ishte i sigurtë se Shqipëria do t’u pëlqente, madje dhe vajzat e djemtë, dhe se ndoshta edhe martoheshin. Shqiptaret janë të bukura dhe familjare të mira. 

-Ne të gjthë u shkulëm së qeshuri duke mos i kushtuar vëmendje, por ja tani…kujton Craig.

Ish pjesëtari i Korpusit të paqes, Craig Doughert, nxjerr nga albumi personal një fotografi, e cila i takon muajit gusht 1992. Foto është bërë gati 3 muaj pas mbërritjes. Është një kujtim i tërë ekipit, dalë përpara Universitetit të Tiranës.

Craig m’i prezanton me radhë pjesëtarët e Korpusit të Paqes: në rreshtin e parë, nga e majta në të djathtë; Llenda Corry, e cila u emërua pedagoge në Vlorë, Aimee’, në Përmet, Lynnn Can’t në Fier, Roberti në shkollën e gjuhëve të huaja në Tiranë, Eddie Sottles në Universitetin e Shkodrës, Dina Siber në Kavajë.

Në rreshtin e dytë, nga e majta në të djathtë: Lisa Morgan, punoi në Universitetin e Gjirokastrës, Heidi, në shkollën e gjuhëve të huaja të Shkodrës, Shirley, fillimisht u emërua në Elbasan, pastaj në Tiranë, Anne dha anglisht në shkollën e gjuhëve të huaj të Korçës, Nancy Hohman në Berat, Kristen punoi në Durrës, Tim Walsh në Elbasan, Sean në Universitetin e Korçës, John shkoi e dha mësim në Pogradec, Tom në Universitetine  Tiranës, Robert në Gjirokastër, David në Tiranë, Jack në Universitetin e Shkodrës, ndërsa vetë Craig në gjimnazin e Lushnjës. Në intervistë Craig zbulon gjithë të fshehtat e misionit të tij dhe pjesëtarëve të tjerë të Korpusit të Paqes.

-Si ju lindi idea që të rreshtoheshit në Korpusin e Paqes dhe të shkonit vullnetar në një vend që nuk e njihnit dhe as ia kishit dëgjuar emrin?

-Mendoj se meritë për këtë gjetje ka mësuesja ime e praktikës, që ishte kujdestare për mua. Ajo hodhi idenë për Korpusin e Paqes.Më pëlqeu mendimi i saj. Jam i dashuruar pas udhëtimeve në vende të panjohura. Dhe vendosa të shkoj. Do të ishte një përvojë e re, pse të humbja rast? Aq më shumë që atje sapo ishte rrëzuar kështjella komuniste. Kurreshtja ishte e veçantë. Kështu aplikova.

-Sa zgjaten procedurat nga konkurimi, regjistrimi për vullnetar, deri në nisje?

-Pak a shumë një vit e gjysëm. Në fillim dërgova aplikimin në Washington pastaj dhashë disa intervista të njëpasnjëshme për pranimin tim në Korpusin e Paqes duke i bashkangjitur edhe gjashtë referenca nga pedagogët dhe shokët e mi.

-Çfarë kishit dëgjuar ju për Shqipërinë para se të niseshit drejt atij vendi të panjohur?

-Në fillim asgjë nuk dija. As në hartë nuk e dija se ku ndodhej Shqipëria. Kjo është e vërteta lakuriq, si thoni ju shqiptarët. Në fakt kisha dy alternativa për të zgjedhur: Varej nga unë, mund të zgjidhja Europën ose Afrikën. Zgjodha Europën dhe më caktuan në Shqipëri. Mendoj se kam qenë me fat që zgjodha Shqipërinë. Më dërguan një paketë me informacion për Shqipërinë, ku ndodheshin në hartë dhe disa faqe mbi historinë e këtij vendi ku mbizotëronin malet e ashpra. Nuk u mjaftova me kaq. Shkova dhe pyeta disa pedagogë historie dhe linguistë se çfarë dinin ata për këtë vend, por këtu isha i pafat. Nuk mësova ndonjë gjë të madhe tek ata. Mungonte krejtësoisht informacioni për atë vend të izoluar prej botës. Mos harro se ishte fillimi i viteve ’90, menjëherë pas rrëzimit të murit të komunizmit. Tani ndryshojnë punët. Për Shqipërinë mund të gjesh gjithandej informacion në Amerikë.

-Ju kujtohet ekipi me të cilët u nisët në Shqipëri? Sa emra mbani mend?

-I mbaj mend të gjithë emrat, fatkeqësisht jo të gjithë mbiemrat. Më kujtohet nisja, si të ndodhte dje. Për herë të parë u takuam në Philadelphia, ku qëndruam dy a tre ditë. Para se të niseshim u takuam tri herë. Ishim 22 studentë që takoheshim për herë të parë…Ndërsa emrat ua thashë më parë kur ju prezantova fotografinë e ekipit.

– Si u prezantua Shqipëria në sytë tuaj.? U zhgënjyet kur shkelët për të parë herë tokën e shqiponjave?

– Edhe po edhe jo…Pak a shumë e prisnim se jo më kot ishte zgjedhur Shqipëria.Ishte 24 qershor i vitit 1992. Natyra e atij vendi m’u duk shumë piktoreske. Lart nga aeroplani sodisja malet që më dukeshin sikur takonin me qiellin, ndërsa fushat, edhe pse të kursyera, dukej se rrinin ngushtë në prehër të maleve; një bregdet i bukur, që të shlodhte sytë. Të kuptohemi, kjo ishte ndjesia romantike që të falte peisazhi shqiptar. Ndërsa vendi kishte shumë probleme të trashëguara nga izolimi 50 vjeçar.

  • Diçka më konkrete për mbresat e para. Si ju pritën nëpër familjet shqiptare, në mjediset publike, në mjediset shkollore?
  • Na kishin njoftuar që më parë se në Rinas do të ishte i pranishëm televizioni shqiptar kështu që ishim të veshur me kostume. Ceremonia ishte zyrtare. Pas Rinasit na dërguan në Hotel Arbëria, ku qëndruam për dy net. Një hotel modest, kur ditën e parë provova të hap çesmën për të larë sytë, por…ah… s’kishte ujë. Më vonë do të mësoheshim me kapriço të atilla. Mëngjeset e tjerë nxitoja të çohesha shpejt….Na shpërndanë në familje të ndryshme tiranase. Qytetarët shqiptarë janë njerëz zemërmirë dhe bujarë. Kisha lexuar për këtë cilësi të tyre, por tani nuk kam më nevojë ta vërtetoj. E përjetova vetë në familjen Grezda. Më trajtonin ngrohtësisht dhe shumë miqësisht. Ata i kam miq dhe tani pas shumë vjetësh. Edhe shokët e mi më thanë se ishin ndarë shumë miqësisht me familjet e tyre ku kishin bujtur.

Nëpër familje tiranase qëndruam për sa kohë u trajnuam, më pas na shpërndanë nëpër rrethe të ndryshme të vendit; nga veriu në jug. Misioni ynë ishte mësimdhënia e anglishtes. Mua më caktuan në qytetin e Lushnjës. Erdhën dhe më shoqëruan për në Lushnje Asqeri Lamçe, drejtor i Drejtorisë së Arsimit,  Diana Aliaj mësuese e anglishtes. Bashkë me ta ishte dhe Dhimitër Sema, mësues, kryefamiljari, ku do të sistemohesha dhe do të flija. Familja ku më dërguan më priti shumë mirë. Kishim pak problem me komunikimin. Asnjë në atë familje nuk fliste anglisht, por djemtë e tyre flisnin italisht dhe unë flas spanjisht dhe kështu kemi komunikuar për një kohë të gjatë. Kam përshtypje shumë të mira për atë familje pasi më pritën dhe më trajtuan shumë mirë.

-Mund të tregoni disa nga mbresat tuaja në qytetin e Lushnjës? Si ju pritën lushnjarët, ekipi i mësuesve të gjimnazit ?

– Përgjithësisht kam kujtime shumë të mira. Ata ishin mësues që vërtet kishin pasion dhënien e mësimit, i respektonin dhe i donin nxënësit. Në fillim isha shumë kureshtar për eksperiencat e tyre. Por kam diçka që dua ta përmend. Ditën e parë që u paraqita në shkollë takova drejtorin e shkollës, Ilir Gjeçin. Në atë çast ai ishte duke vendosur xhamin e një dritareje dhe më kërkoi ta ndihmoja. Përkthyesja që ishte mësuesja e anglishtes po vihej në siklet të më thoshte mua. Iliri tha se unë isha mësues si gjithë të tjerët kështu që s’kishte ndonjë gjë të keqe ta ndihmoja qoftë dhe për vendosjen e një xhami. Duhet të mësohesha. Dhe unë sigurisht isha shumë dakort me të. Pastaj, mbaj mend se shkova në zyrën e tij, në drejtori; ku ai më pyeti: Dua të di një gjë, këtu, në gjimnazin tonë, jeni si simbol i pranisë amerikane si një mësimdhënës? Nëse je këtu si mësues do të trajtohesh njëlloj si mesuesit e tjerë.  Me simbol me sa kuptova unë ai do të thoshte sikur unë isha politikan dhe do të shkoja dy herë në javë në shkollë sa për t’u paraqitur. Por unë i thashë që isha atje si mësues do të mësoja nxënësit. Dhe dua t’më trajtosh njësoj si kolegët e mi shqiptarë. 

-Kaq dua të di,- më tha ai. Dhe këtu fillon jeta ime në Lushnjë. Me Illirin dhe kolegët e tjerë kalova shumë mirë; më donin dhe më respektonin. Nuk shkonin në kafe pa më marrë mua me vete. Më çonin në mjedise publike, por shpesh në to flitej vetëm për politikë dhe mua kjo nuk më jepte ndonjë kënaqësi. Sidoqoftë, ishte një përvojë për të përvetësuar gjuhën shqipe, që ia kisha vënë si qëllim vetes.

-Ju në Lushnjë gjetët edhe bashkëshorten tuaj. A e kishit në mend të ktheheshit çift në SHBA? Si e priti nëna juaj fejesën…?

– Gjendja s’ka qenë fare e përshtatshme për një fejesë dhe unë as e kisha në plan pasi sapo kisha mbaruar misionin për Korpusin e Paqes, punë s’kisha, por…Fakti që nusja ishte shqiptare s’ishte aspak problem në familjen time pasi të gjithë ishin të gëzuar që unë kisha vendosur të martohesha dhe nëna më tha nëse e do, mere… dhe kaq.

– Si ndodhi që gati gjysma e ekipit u martua në Shqipëri? Diçka më shumë rreth këtij informacioni?

  • Ne ekipin tone ishin 11 vajza dha 11 djem. Nga 11 djem 9 u martuan me vajza shqiptare dhe një vajzë amerikane u martua me një djalë shqiptar. I pari nga ne ishte Tom, që dha lajmin e gëzuar. Ai u martua me sekretaren e korpusit të paqes, që ishte një shqiptare. Tom rrinte në Elbasan pas martese u vendos në Tiranë dhe jepte mësim në universitet, pasi ata që kishin gradë shkencore u vendosën nëpër universitete. Dhe të gjithëve na bëri përshtypje dhe menduam ç’është kjo? Nuk na kishte shkuar në mendje se kjo lloj aventure ishte ngjitëse dhe do të na prekte edhe ne të tjerëve. Nuk zgjati shumë kohë; dhe “sëmundja” na preku radhazi; një nga një u martuam. Doli profecia e ish presidentit Sali Berisha.
  •  Mund të jepni ndonjë detaj më shumë për profecinë e Berishës? Bëri shaka apo…?
  • Jo, s’besoj se ka nevojë për detaje shtesë. Është ajo që ju thashë në fillim të bisedës. Në fillim, në pritjen që na u bë në ambasadën amerikane, takuam ish-presidentin Berisha, me të cilin komunikuam në anglisht dhe na tha që ndoshta herën tjetër do të komunikonim me të në gjuhën shqipe dhe na parashikoi fatin se do të njheshim me shumë vajza shqiptare dhe se ndoshta edhe martoheshim me to,… ne të gjithë qeshëm duke mos i kushtuar vëmendje, por ja tani…Ky fakt është bërë realitet. Ne bashkëjetojmë me shqiptaret. Kemi krijuar familjet tona. Kjo na ka mbajtur të lidhur me Shqipërinë.

– Për sa kohë punuat në Shqipëri? U larguat bashkë siç erdhët apo në kohë të ndryshme?

– Unë punova gjithsej dy vjet e gjysëm. Megjithëse në fillim erdhëm të gjithë bashkë kur u larguam, ikëm në kohë të ndryshme. Unë u largova në qershor, të tjerët ikën në korrik apo gusht, diçka e tillë.Tim, që ishte edhe gazetar dhe ishte vendosur në Elbasan, qëndroi edhe 6 muaj më shumë pasi kishte hapur një stacion Radio plus. Siç ju thashë ai ishte i martuar me një vajzë shqiptare. 

– Po t’iu bënin thirrje për të shkuar përsëri me një ekip që do të nisej në Shqipëri, a do të pranonit?

– Varet, ka mundësi që po. Por edhe varet se herën e parë unë isha vullnetar por tani kam familje dhe s’mund ta pranoj një ofertë të tillë pa pagesë. Unë jam shumë i lumtur që vajta kur isha student. 

– Çfarë ju ka pëlqyer në Shqipëri(përveç vajzave)?

– Njerëzit që kam takuar, ju shqiptarët jeni shumë të afrueshëm e bujarë. Unë jam tip i mbyllur dhe e kam shumë të vështirë të takoj njerëz por në Shqipëri s’e kisha këtë vështirësi. Në Shqipëri mu dha rasti të takoj plot njerëz edhe të huaj, si anglezë e italianë. Të gjithë ishin të kënaqur. Ndoshta e keqja e shqiptarëve është në marrëdhëniet me njeri-tjetrin, dhe kjo jo për të gjithë, por për ata që merren me politikë. Gjëja që më pëlqeu më shumë ishte eksperienca që fitova si mësues. Kisha punuar edhe më parë si mësues, por asnjëherë s’e kisha patur klasën të gjithë timen. Njerëzit ishin pak a shumë njëlloj edhe nga gjendja ekonomike dhe u përshtata shpejt. M’u duk një vend, ku varfëria i kishte barazuar qyetarët e vet. S’ka më keq se një vend i varfër, por të them të drejtën mua, vrfëria nuk më bënte përshtypje. E rëndësishme ishte se njerëzit po aspironin për një jetë ndryshe, një jetë demokratike, të lirë.Pata rastin që të shkoja edhe nëpër dasma. Më pëlqenin shumë. Më kujtohet që shkuam në dasmën e inspektores te gjuhëve të huaja në Lushnje, Afërditës. U kënaqëm. Bëmë dhe fotografi me nusen…

– Si do ta përcaktonit përvojën që fituat në Shqipëri?

  • Kur u ktheva nga Shqipëria burri i tezes, Mark, më ka thënë: Ti ishe djalë i mirë… por ke vajtur në Shqipëri si djalë dhe je kthyer si burrë. Mu hapën sytë, eksperienca që fitova në punën time si mësues, kuptova më shumë për jetën, fitova një gjuhë tjetër përveç anglishtes dhe spanjishtes. 

– A ekziston mundësia e një takimi të ish vullnetarëve të korpusit të paqes që punuan në Shqipëri?

-Unë do të kisha shumë qejf. Ndoshta ka mundësi pasi shumë grupe të tjerë e bëjnë një takim të tillë por s’e di. Nëse do ta organizojmë një takim të tillë do të ishte vërtetë shumë interesante.

*** 

Treguesit e fotografive: 1/ Gusht 1992. Pjesëtarë të Korpusit të Paqes përpara godinës qëndrore të Universitetit të Tiranës

2/Me familjen Grezda në Tiranë

3/ Në laboratorin e gjuhën angleze në gjimnazin e Lushnjës

4/25 maj 1994 me klasën e I-b në shkollën “18 tetori”

5/ Në një dasëm shqiptare.Nusja është kolegia shqiptare, inspektorja e frëngjishtes, Afërdita Arapi. Majtas Craig, djathtas,Glenda Corvallis, amerikania që punoi në Vlorë

6/ Një kujtim me familjen lushnjare Sema

7/Qershor 1944, me kolegët e gjimnazit”18 tetori”

8/Përpara korpusit të Paqes

9/ Në ditën e dasmës, Craig dhe Dallëndyshja

10/Bashkë me Eddie Suttles, i cili dha mësim në universitetin e Shkodrës

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Korpusi i paqes, shqiperi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 171
  • 172
  • 173
  • 174
  • 175
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT