• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ruçi, degjenerimi i politikës dhe turpërimi i PD

September 14, 2017 by dgreca

1 Tomorr alizoti

Nga Tomorr Alizoti/

Për të gjithë ata që duan të gjejnë arsye apo justifikime për emërimin e Gramoz Ruçit si Kryetar të Parlamentit dhe Fatmir Xhafajt si ministër të Brendshëm, shoqëria duhet të ketë vetëm neveri dhe asgjë tjetër. Në vitin 2012, u dënua me 5 vjet burg Xhon Demjanuk, 91-vjeçar, për shkak se kishte qenë roje në burgun nazist në Sibohor të Polonisë, ndërsa në vitin 2016 u dënua, po me 5 vjet burg, Reinhold Hanning, i cili, gjithashtu ka qenë roje në kampin e Auschvitcit.

Imagjinoni ç’mund të thuhet në rastin e Gramoz Ruçit, i cili ka qenë ministër i Brendshëm dhe drejtor i Sigurimit Kriminal të Shtetit apo për rastin e Fatmir Xhafës, që ka qenë hetues dhe gjyqtar në një regjim genocidial-totalitarist si komunizmi. Pra, edhe rojet e kampeve po dënohen me burg gati 70 vjet pasi ka rënë nazizmi, ndërsa ne po vendosin në krye të shtetit sot, ata, që 27 vite më parë, ishin në krye të regjimit komunist. Çdo kujtim, dhimbje dhe vuajtje e komunizmit është gjallë, çdo psherëtimë apo rënkim nga torturat, piskamë nga lajmet dramatike për arrestime, burgosje apo pushkatime, çdo imazh i skalitur i kampeve të Spaçit, Burrelit dhe kujtdo tjetër është e gdhendur pashqitshmërisht në mendjet e atyre që vuajtën, por edhe tërë popullit.

Krimi kishte emër, ndonëse fshihej pas një regjimi, pas një partie, pas një ideologjie. Emrat ishin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu, por edhe Ramiz Alia, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, Nexhat Haznedari, Fehmi Abdiu, etj., etj. Dhimbja do të na shoqërojë ne, siç do të shoqërojë hija e krimit ata, që e mbajtën në këmbë diktaturën, por edhe ata, të cilët sot, sjellin në krye të vendit njerëzit e diktaturës dhe gjejnë justifikime për rikthimin në krye të vendit të Ruçit apo Xhafajt.

Një turp i rëndë do të shoqërojë edhe ata që uzurpuan apo përdorën opozitën dhe Partinë Demokratike, duke u hequr si parti që ngrihet mbi gjakun, dhimbjet dhe idealet e atyre që masakroi komunizmi. Partia Demokratike, sot, më shumë ngrihet mbi turpërimin apo talljen me dhimbjen e atyre që u pushkatuan apo persekutuan nga komunizmi. Dy ditë më parë, grupi parlamentar i Lulzim Bashës tregoi se është aq i ndotur, sa tre prej tyre votuan pro Gramoz Ruçit.

Është e qartë se ata janë ish-spiunë të Sigurimit të Shtetit, të cilëve Ruçi me siguri ua ka emrat, pseudonimet dhe u njeh dosjet. Një turp më i rëndë ishte mënyra se si Lulzim Basha dhe njerëzit e tij në grupin parlamentar u përpoqën të shpjegojnë votimin. Ata e mohuan fare atë, ata thanë se Rama manipuloi votat. Në këtë moment, këto të vërteta të mëdha, të rënda dhe shumë të turpshme për partinë, lajmet, për të cilën të burgosurit e komunizmit i ndiqnin me drithërima në qeli në vitin 1990, do të zhurmohen nga një kor zvarranikësh, të cilët do të thonë se kritikët e Bashës kanë inate personale, se ata që kritikojnë Bashën, kanë qenë hajdutë dhe ministra për tetë vite, se mes tyre ka spiunë apo ish-sigurimsa etj.

Ky kor i poshtër që nuk ka asnjë ideal, nuk e ka fare problem hajdutërinë e ish-ministrave, nëse ka patur ish-ministra hajdutë, nuk e ka problem të qenit ish-spiunë të ndonjërit prej kritikëve, sepse vetëm dje u provuan se Basha minimumi, ka tre prej tyre të zgjedhur të tijtë, nuk e ka aspak problem faktin që mes kritikëve mund të ketë njerëz që kanë punuar me Nexhmije Hoxhën sepse vetë Basha ka zgjedhur njerëz të tillë më parë, por edhe tani.

Ky kor është ndoshta një prej grupeve me pa formë, pa trajtë që ka njohur ndonjëherë Shqipëria në këto 27 vite. Gramoz Ruçin apo Fatmir Xhafën nuk i emëroi Partia Demokratike dhe Lulzim Basha, por Partia Demokratike dhe Lulzim Basha po tregojnë dhe kanë treguar se nuk e kanë fare shqetësim një gjë të tillë, po tregojnë, dhe këtu po tregohen të sinqertë, se ata nuk janë një grup apo një parti që ka ndonjë bindje politike, ndonjë qëndrim moral që ka lidhje me të djathtën. Partia Demokratike, sot, kori i njerëzve të Bashës, po tregojnë se janë që të gjithë një grup interesi, të cilët kanë për parim gjithçka që u bën punë.

Ata kanë parim mungesën e parimit. Gjithkush në Shqipëri, çdo demokrat sidomos, e ndien se kjo PD është një parti e tillë. Ky ishte momenti ideal që PS, një parti që në thelb nuk ka reflektuar asgjë nga krimet e komunizmit dhe nga bartja e vetëdijes kriminale të partisë së punës, të emëronte Ruçin Kryetar të Parlamentit. Ky është momenti kur PD është më e dobët se kurrë dhe ky është momenti kur PD është zhveshur krejtësisht nga çdo ide apo bindje dhe moral i djathtë.

Sigurisht, duke e ditur këtë, njerëzit pranë Bashës, deputetë të afërt të tij, po përdorin një gjuhë të ashpër kundër komunizmit, me qëllim që të fshehin sadopak karakteret bosh dhe mungesën e plotë të parimit dhe bindjeve. Kur ata shajnë apo kritikojnë komunizmin, duken si karikatura dhe kjo gjë do t’i ndjekë përgjithnjë. Të qenit i djathtë dhe antikomunist është çështje bindjeje të brendshme. Tërë lista e kandidatëve të Bashës, me përjashtime periferike, të qëllimshme, nuk pati asnjë zë të qartë, të njohur të djathtë dhe antikomunist dhe këtu nuk po flas asfare për veten.

Dua të qetësoj çdo përfitues dhe servil profesionist pranë kryetarit, se beteja ime nuk është një betejë për vendin tim në PD, por një betejë në kujtim të vuajtjeve të atyre që u masakruan sepse ishin patriotë dhe antikomunistë dhe një betejë për të dhënë një mundësi fluksit të djathtë të ketë zë. Lulzim Basha do të vazhdojë të bëjë si i djathtë, do të shtyjë njerëzit e tij bosh të flasin si të djathtë, të hakërrehen si antikomunistë, por emërimi i Ruçit do të pasohet nga të tjerë, djemtë dhe vajzat e byrosë politike do ta popullojnë gjithnjë e më shumë politikën dhe parlamentin sepse kjo është opozita më pa bojë e gjithë këtyre viteve.

Të djathtët e vërtetë, ata që e njohin se ç’është ajo, atyre që iu dhemb ajo. Ata Basha dhe grupi i tyre i mbajnë jashtë, larg, ose i përdorin si zbukurim, duke qenë deri në fund perversë. Jam i bindur se do të vijë një moment, kur vetë PD të nxjerrë në sipërfaqe atë që fsheh, të nisë të flasë për ta lënë pas atë që ka ndodhur në komunizëm, të shohim “përpara”. Në këtë moment, që nuk do jetë larg, do të kemi zyrtarisht jo më ish-gazetarë të ZP-së, apo ish-nëndrejtorë të institutit të studimeve marksiste-leninsite, por vetë njerëz të byrosë politike.

Mund të kemi edhe ne Ruçin tonë. Atëherë do të kemi ndoshta një parti të re demokratike të djathtë, nëse brenda PD nuk do të ketë patur një lëvizje për t’i dhënë kësaj pamjes së tanishme. Ia vlen shumë më tepër ta mbrosh kujtimin e atyre që u masakruan, ta nderosh dhimbjen e gjakun e atyre që u vranë apo persekutuan nga ai regjim dhe të jesh jashtë parlamentit, jashtë PD-së, se sa të jesh aty dhe të jesh karikaturë dhe votues apo mbrojtës i votuesit të Ruçit.(Panorama)

Filed Under: Analiza Tagged With: degjenerimi i politikes, Tomorr Alizoti, turperimi i PD

“BETEJA KUNDËR RUÇIT – FUNDI I ANTI-KOMUNIZMIT”!

September 14, 2017 by dgreca

….problemi kryesor, në mendimin tim nuk është emërimi i Z. Ruçi në vetvete si një person që ka shërbyer në ish-sistemin monist – por është sistemi post-komunist i 27-viteve të fundit, pjellë e dy partive kryesore politike të vendit, që ndonëse me shembjen e komunizmit, shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa/

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Ish drejtor i Divizionit të  Euro-Azisë  në  Zërin e Amerikës/

Ky ishte titulli i një programi televiziv ditët e fundit në Shqipëri, duke iu referuar emërimit të Z. Gramoz Ruçi si Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.   Nuk e di nëse drejtuesja e programit kishte në mend, që me të ftuarit në studio, dëshironte të pasqyronte qendrimet pro dhe kundër emërimit të Z. Ruçi në karrigën e Kryetarit të Kuvendit, a po të nënvijonte shpresën e saj (wishfull thinking) se me emërimin e tij në detyrën numër dy të shtetit shqiptar, më në fund, do u mbyllet goja njëherë e mirë, anti-komunistëve mbrenda vendit, megjithse është vështirë të përcaktohet se kush janë sot “anti-komunistët”në Shqipëri, ose nëse ekziston një shtresë e tillë — me përjashtim të disa ish-të përndjekurve të regjimit komunist — që kanë mbetur ende gjallë.   Këto 27 vitet e fundit të jetës politike në vend, kanë dëshmuar se as në radhët e pozitës dhe as në radhët e opozitës, nga njëra qeveri në tjetrën, nuk ka patur “anti-komunistë”.   Kështuqë reagimet ndaj emërimit të Z. Ruçi në detyrën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nuk përbëjnë një “betejë” dhe as nuk po ndërmerret një “betejë” e tillë nga “anti-komunistët” në radhët e kësaj politike, pasi të tillë nuk ekzistojnë, në asnjërin krah.   Prandaj të nderuar panelistë të programeve televizive, merrni frymë lehtë dhe mos u shqetësoni as për fillimin dhe as për mbarimin e antikomunizmit, sepse antikomunizëm dhe “antikomunistë” nuk ka në radhët e klasës politike shqiptare të periudhës post-komuniste.   Mendoj gjithashtu se as opozita e sotëme nuk e ka seriozisht kur kritikon emërimin e Z. Gramoz Ruçi në detyrën e lartë shtetërore.…Në fund të fundit, opozita e sotëme, që ishte pozita e djeshme, e ka patur Z. Ruçi aty për 27-vitet e fundit.…Për më tepër, është hipokrizi dhe nuk i takon opozitës të ankohet për këtë emërim, pasi edhe në radhët e saj, në të kaluarën por edhe sot, ka patur dhe ka protagonistë të ish-regjimit komunist, në një nivel ose një tjetër, përgjegjësie.   Për më tepër, çfarë bëri opozita e sotëme kur ioshte në pushtet për të zbardhur krimet e komunizmit dhe çfarë masash mori që shoqëria shqiptare të përballej me këtë histori të errët, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të lindjes?

Për mua Gramoz Ruçi nuk është problemi kryesor. Pa marrë parasyshë të kaluarën e tij politike, nuk mund të thuhet se emërimi i tij sot si Kryetar  Kuvendi nuk është legjitim, pasi ai është votuar  nga zgjedhësit në zonën e tij elektorale dhe u votua me vota të lira të shumicës parlamentare dhe me disa vota të opozitës në Kuvendin shqiptar. Por, emërimi i Z. Ruçi në atë detyrë mund të konsiderohet nga disa, si një vendim që nuk është menduar mire nga udhëheqja socialiste dhe Kryeministri Rama, sepse në çdo shoqëri tjetër një emërim i tillë do të reflektonte një mungesë ndjeshmërie ndaj krimeve ndaj viktimave të komunizmit të gjallë e të vdekur.   Prandaj, problemi kryesor, në mendimin tim nuk është emërimi i Z. Ruçi në vetvete si një person që ka shërbyer në ish-sistemin monist – por është sistemi post-komunist i 27-viteve të fundit, pjellë e dy partive kryesore politike të vendit, që ndonëse me shembjen e komunizmit, shqiptarët e donin Shqipërinë si e gjithë Evropa – por ndryshe nga mbarë Evropa ish-komuniste – klasa politike shqiptare e çerek shekullit të kaluar, nuk dënoi kurrë krimet e regjimit komunist dhe as nuk u përballua me të kaluarën komuniste, madje as nuk kanë caktuar minimalisht një ditë në kujtim të viktimave të komunizmit, ashtu  siç kanë bërë vendet ish-komuniste të bllokut sovjetik.   Caktimi i një dite për të përkujtuar viktimat e komunizmit në Shqipëri nuk nevojitë fonde as debate, por në përputhje me vendet e tjera ish-komuniste, kërkon vetëm kurajo dhe përgjegjësi morale   Për më tepër, nuk mbahet mend asnjë debat serioz në Kuvendin e Shqipërisë, asnjë projekt-ligj ose rezolutë që të jetë paraqitur e miratuar nga cilado palë ose parti politike në raport me diktaturën e egër komuniste dhe mbi pasojat e saj që gjithnjë ndjekin fatin e kombit shqiptar sot.   Njihen mirë nga të gjithë dokumentacioni, rezolutat dhe ligjet evropiane mbi nevojën e domosdoshme për tu përballuar me krimet e komunizmit dhe për marrjen e masave për të ç’rrënjosur një herë e mirë trashëgiminë e regjimit komunist në kontinentin evropian.   Deri, më tani, Shqipëria nuk e ka bërë këtë, prandaj të nderuar panelistë, mos humbni kohë duke debatuar simptomat e sëmundjes së vërtetë të jetës politike dhe parlamentare të Shqipërisë, por merruni me trashëgiminë politike të ishs-regjimit komunist dhe me nevojën e madhe për tu përballur me krimet e ati sistemi.   Një debat i tillë nuk kërkon dhe nuk duhet të ketë hakmarrje, pasi kundër hakmarrjes janë shprehur shpesh edhe ata që kanë vuajtur më së shumëti nga komunizmi, ish-të përndjekurit politikë, por kërkon kurajo civile dhe morale nga kjo klasë politike — si pozitë ashtu edhe opozitë — për tu ballafaquar me krimet dhe me të vërtetën historike të së kaluarës.   Fatkeqsisht, deri më tani një gjë e tillë nuk ka qenë prioritet për asnjerën pale në Shqipëri.

Prandaj, sado që të dëshirojnë disa analistë e komentatorë “fundin e anti-komunizmit” në Shqipëri, fundi i anti-komunizmit të vërtetë nuk do të realizohet as me një debat në televizion as me emërimin e një protagonisti të lartë, të ditëve të fundit të pushtetit komunist, në detyrën e Kuvendit të Shqipërisë.   Por anti-komunizmi do të marrë fund në Shqipëri, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet ish-komuniste të lindjes, kur klasa politike shqiptare të lënë mënjanë arrogancën politike dhe hipokrizinë dhe të vendosë me pjesën tjetër të Evropës se ,“Çdo viktimë e cilit do regjim totalitar qoftë, ka të njëjtin dinjitet njerëzor dhe si e tillë meriton prej nesh drejtësi, kujtesë dhe njohje të vuajtjeve të tyre”, siç është shprehur Komisionerja për Drejtësi e Bashkimit Europian, Viviane Reding.

 

Filed Under: Politike Tagged With: “BETEJA KUNDËR RUÇIT – FUNDI, Frank shkreli, I ANTI-KOMUNIZMIT”

JA KUSH I DREJTON KOMISIONET E KUVENDIT

September 14, 2017 by dgreca

Me 128 vota pro, Parlamenti ka miratuar ditën e sotme ndarjen e deputetëve në komisionet parlamentare. Ashtu siç ishte vendosur, PS do të ketë drejtimin e 5 komisioneve të përhershme, PD 2 dhe LSI 1./

1 ruci

Komisioni i Ligjeve/

Ulsi Manja Kryetar

Eduard Halimi zv.kryetar

Klotilda Ferhati sekretare

Komisioni i Integrimit

Genc Pollo Kryetar

Bledi Çuçi zv.kryetar

Fatmir Veliaj sekretar

Komisioni i Jashtëm

Mimi Kodheli kryetare

Klajda Gjosha zv.kryetare

Elona Gjebrea sekretare

Komisioni i Ekonomisë

Erjon Braçe kryetar

Jorida Tabaku zv.kryetare

Anastas Angjeli sekretar

Komisioni i Sigurisë

Ermonela Felaj kryetar

Flamur Noka zv.kryetar

Pjerin Ndreu sekretar

Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese

Eduard Shalsi kryetar

Florjon mima zv.kryetar

Besnik Bare sekretar

Komisioni i Shendetësisë

Petrit Vasili kryetar

Elisa Spiropali zv.kryetare

Klodiana Spahiu sekretare

Komisioni i Mediave

Albana Vokshi kryetare

Milva Ekonomi zv.kryetare

Fidel Ylli sekreta

Filed Under: Kronike Tagged With: Kryetaret e Komisioneve, Kuvendi

MARTIN SHKRELI, NGA LIRI ME KUSHT- PRAPA HEKURAVE

September 14, 2017 by dgreca

1 ok ShkreliNjë gjyqtare dha urdhër të mërkurën për burgimin e Martin Shkrelit, ish drejtor ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, pasi arriti në përfundimin se ai kishte shkelur marrëveshjen e lirimit me kusht, duke shkruar një mesazh në Facebook që ajo tha se përbënte kërcënim për ish-kandidaten presidenciale Hillary Clinton.

Muajin e kaluar, Shkreli u shpall fajtor për mashtrim të investitorëve në dy fonde financiare që ai administronte, por ishte lejuar të qëndronte i lirë me kusht, deri në shpalljen e dënimit, që është caktuar për në mes të janarit.

Urdhri i djeshëm i gjyqtares në gjykatën federale të Bruklinit erdhi pas një postimi të Shkrelit, ku ai ofronte një dhuratë prej 5 mijë dollarësh për cilindo që do t’i shkulte zonjës Clinton një fije floku gjatë turit që ajo po bën për promovimin e një libri të ri.

Avokatët e Shkrelit thanë se postimi ishte një satirë politike. Por gjyqtarja Kiyo Matsumoto tha se nuk e shihte këtë si humor dhe se oferta e Shkrelit mund të merrej seriozisht nga kundërshtarët e ish-kandidates Clinton.

Oferta mund të shihet si “një thirrje për të sulmuar”, tha gjyqtarja, duke i hequr Shkrelit lirinë me kusht të arritur kundrejt një pagese prej 5 milion dollarësh.

“Kjo nuk mbrohet nga Amendamenti i Parë”, tha gjyqtarja. “… Ekziston rreziku që dikush ta marrë seriozisht ofertën.”

Autoritetet qeveritare i kishin deklaruar gjyqtares se mesazhi në Facebook kishte alarmuar Shërbimin Sekret që mbron zonjën Clinton.

Të mërkurën paradite, Shkreli i shkroi gjykatës duke kërkuar falje për sjelljen e tij, me fjalët: “Unë nuk jam një person i dhunshëm”.

Por për gjyqtaren Yamamoto kërkesa ishte e vonuar.

“Ai nuk duhet të më kërkojë falje mua,” – tha ajo. “Ai duhet t’i kërkojë falje qeverisë, Shërbimit Sekret dhe Hillary Clintonit.”

Pala mbrojtëse këmbënguli se fjala ishte thjesht për një shaka pa kripë, të krahasueshme me disa nga komentet e Presidentit Donald Trump.

Shkreli u bë i njohur për rritjen shumëfish të çmimit të një ilaçi, por shpallja e tij fajtor nga gjykata muajin e kaluar nuk kishte lidhje me këtë incident që tërhoqi vemendje të madhe në media.

Në seancën e shpalljes së dënimit më 16 janar ai përballet me deri në 20 vjet burgim.(Sipas Zerit te Amerikes)

Filed Under: Kronike Tagged With: Arrestohet, Martin Shkreli

Në ‘hall’ me marrëveshjen për demarkacionin

September 14, 2017 by dgreca

1 demarkacioniKryeministri i sapo zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe ka emëruar ish-deputetin Shpejtim Bulliqi në krye të tij./

Nga Anton Konushevci/

Qeveria e re e Kosovës duhet të ndjekë disa hapa nëse është e interesuar që t’i rikthejë negociatat me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Zhbërja e marrëveshjes aktuale apo edhe dërgimi i saj në arbitrazh ndërkombëtar, konsiderohen si hapat e domosdoshëm që mund të ndiqen.

Por, meqë bëhet fjalë për një marrëveshje ndërkombëtare, sipas analistëve, në këtë proces duhet të përfshihet edhe Qeveria e Malit të Zi.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë se nëse një palë nuk është dakord për ta diskutuar sërish çështjen e kësaj marrëveshjeje, atëherë ka instanca të tjera të cilat mund të përfshihen.

“Nëse Mali i Zi i ka kryer procedurat e brendshme dhe nëse ka vullnet edhe nga pala e tyre për ta ri-negociuar një tekst të tillë, atëherë është çështje tjetër, sepse vjen në shprehje vullneti i të dyja palëve. Kjo mund të ndodhë. Por, nëse pala malazeze nuk dëshiron, atëherë nuk mund të ndodhë që ne të vijmë deri te një version tjetër dhe ta ratifikojmë atë në Kuvend, pa pëlqimin e palës tjetër”, tha Ujkani.

Nga ana tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Vigan Qorolli, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se për të shkuar përpara lidhur me çështjen e demarkacionit, Kosova ka mundësinë që fillimisht ta refuzojë në Kuvend marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi në vitin 2015 dhe më pas të hapë rrugë kushtetuese dhe ligjore që të kërkojë negociata të reja me Podgoricën.

“Anulimi i marrëveshjes nga ana e Kosovës do t’i hapte rrugë negociimit të një marrëveshjeje të re me Malin e Zi, sepse pa pajtimin e dy palëve nuk do të ketë mundësi të caktimit të kufijve të ri. Versioni ekzistues i komisionit Meha të refuzohet me votë, për çka qeveria Haradinaj duhet ta njoftojë zyrtarisht Malin e Zi”, tha Qorolli.

Arbitrazhi ndërkombëtar për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi mund të vijë në shprehje si opsion nëse institucionet e Kosovës dështojnë përfundimisht që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin.

Ujkani thotë se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi nuk është çështje shumë problematike që nuk mund të zgjidhet vetëm mes dy shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi.

Qorolli thotë se nëse çështja e demarkacionit shkon në arbitrazh, nuk mund të zgjasë shumë, pasi që palët do të caktonin kohën se kur mund të përfundonte procesi.

“Çështja mund të zgjasë jo më pak se gjashtë muaj dhe jo më shumë se 12 muaj. Pasi kjo çështje të marrë epilogun, palët do të duhej ta respektojnë vendimin e arbitrazhit dhe ta zbatojnë”, tha Qorolli.

Zgjidhja më e mirë, sipas analistëve do të ishte që Prishtina dhe Podgorica së bashku ta adresojnë çështjen tek arbitrazhi ndërkombëtar, nëse nuk arrijnë marrëveshje dy-palëshe.

Sidoqoftë, edhe nëse nuk ka pajtim që ta dërgojnë si dy shtete çështjen në arbitrazh ndërkombëtar, mundësitë janë që vetëm njëra qeveri ta bëjë këtë.

Ndryshe, Prishtina dhe Podgorica nënshkruan Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit në gusht të vitit 2015, në praninë ndërkombëtare. Mali i Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, por jo edhe Kosova. Kjo marrëveshje më pas u shndërrua në një kusht nga Bashkimi Evropian për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri i sapo zgjedhur, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Komisionin shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe ka emëruar ish-deputetin Shpejtim Bulliqi në krye të tij.

Haradinaj dhe Bulliqi njihen si dy kundërshtuesit më të zëshëm të versionit aktual të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Filed Under: Opinion Tagged With: demarkacioni, Kosove, problem i Reverse

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1793
  • 1794
  • 1795
  • 1796
  • 1797
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT