• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pafytyrësia e Ramës për diplomatët delenxhinj e pazarxhinj

August 26, 2017 by dgreca

Në Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik Rama emëroi militantët e PS-së, të cilët nuk plotësonin asnjë kriter diplomatik, të sigurisë kombëtare dhe të katit të tretë në Ministrinë e Punëve të Jashtme./

2010, Konsulli, Artur Porpollogu me ish ministrin e brendshem grek,Mihalis Krisohoidhis5-vjetorit-e-PS-ne-Greqi-27.3.2011-640x420Konlsl.Pavlina, letrat si minoritare greke (1)

Nga Arben Llalla/

Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër diplomatët shqiptarë në takimin e përvitshëm që mbajnë këta të fundit për llogaridhënie dhe prespektivën diplomatike për të ardhmen. Rama foli me gjuhën kritike dhe fyese sikur të ishte udhëheqësi i opozitës dhe jo përcaktuesi i diplomatëve shqiptarë nëpër botë.Unë pajtohem plotësisht me etiketimin e diplomatëve shqiptarë nga kryeministri Rama si: “Ende kemi diplomatë delenxhinj, pazarxhinj, s’po zbres deri te shoferët e ambasadave, ku akoma gjendet ndonjë timionier kaçak”.Por, Rama nuk është i sinqertë dhe i vërtetë, sepse shumica e diplomatëve shqiptarë, të cilët i etiketoi me frazat më të ulëta janë emëruar nga vetë ai. Ata janë diplomatë që vijnë nga rrethi i tij i ngushtë shoqëror. (Faktet që shumica e diplomatëve janë të afërt e rrethit të Ramës dihen. Nëse ka nevojë ia përmend lidhjet e tarafit duke filluar nga Fuga e me radhë). Prandaj zoti Rama bën mirë para se të japë ndonjë deklaratë të shikohet në pasqyrë duke bërë krahasime. Shikimi në pasqyrë i jep mundësinë që të mundi unin e tij, këtë njeri brenda njeriut.Prej disa kohësh kam qortuar pa asnjë prapavijë politike dhe karriere për kriteret e ulëta për caktimin diplomat gjatë kohës që Edi Rama ka qeverisur Shqipërinë nga 2013 (të njëjtën gjë kam bërë edhe me kryeministër Berishën për diplomacinë rrugaçore 2005-2013).Disa diplomatë shqiptarë nuk e kuptojnë rëndësinë e postit që kanë, të punës së tyre, prandaj Shqipëria pas viteve 1990 është përballur shpesh me skandalet e shkaktuara nga këta zyrtarë jo të ndërgjegjshëm. Shumë diplomatë shqiptarë janë arrestuar për trafik të lëndëve narkotike, disa janë kapur nga shërbimet e huaja nën shoqërinë e prostitutave të rëndomta. Shqipëria ka nevojë për t’u përfaqësuar denjësisht nga diplomatë seriozë, nëse pretendojmë të jemi një vend i rëndësishëm në politikën e Ballkanit, por me diplomatë që vijnë nga rruga, të cilët nuk përmbushin asnjë kriter profesional do të vazhdojmë të na shohin si një shtet i brishtë që është ndërtuar mbi një kala prej rëre.Gjithnjë Ministria e Punëve të Jashtme ngjan si një uzinë që prodhon jo më diplomatë, por servila, sahanlëpirës. Kuptohet se ka edhe diplomatë që ne krenohemi që shërbejnë në shumë vende.

Denoncimi më 25 mars 2015

Të dhëna rreth emërimit diplomat në Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik të militantëve të PS-së, të cilët nuk plotësonin asnjë kriter diplomatik, të sigurisë kombëtare dhe të katit të tretë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.(Kur botova këto të dhëna Rama me miqtë e tij hodhën helm nëpër rrethin e përbashkët shoqëror që po ai çfarë ka që na kritikon. Zoti Rama unë nuk kam asgjë personale me asnjë politikan apo qenie njerëzore, unë dua që ne të ndihemi krenarë dhe e njoh më shumë se çdo njeri funksionimin e diplomacisë shqiptare në Ballkan.)Konsullja e Përgjithshme e Konsullatës në Selanik Pavlian Evro-Ylli u caktua në këtë post pa asnjë kriter diplomatike dhe sigurie. Ajo ka letra greke si minoritare dhe prej vitesh përflitet për njohje të thella me personalitete greke dhe të minoritetit që promovojnë autonominë e Veriut të Epirit-Aneksimi i Jugut.

Një rast dramatik të punësimit diplomat në Konsullatën e Selanikuk kemi atë të Artur Porpollogu, sekretar i përgjithshëm i konsullatës, i cili vjen nga 20 vjet emigracion në Greqi, në qytetin e Verias.Artur Porpollogu ka qenë kryetar i Shoqatës “Solidariteti” në Veria dhe ka patur kontakte të rregullta me kryetarin e Bashkisë së Verias, por edhe me shefin e policisë së këtij qyteti. Që nga viti 2011, ai ka qenë këshilltar në Bashkinë e Verias dhe është shoqëruar shpesh me anëtarë të organizatës OMONIA, të cilët nuk promovojnë miqësinë greko-shqiptare, por propagandojnë greqizmin e jugut të Shqipërisë. Veprime të tilla të diplomatit Artur Propollogu bien ndesh me betimin diplomatik për mbrojtjen e interesave shtetërore shqiptare.

Vite më parë Artur Propollogu është parë disa herë në fushatën parazgjedhore në Greqi duke propaganduar për partinë e PASOK, në shoqërinë e ish-ministrit të punëve të brendshme, zotit Mihalis Krisohoidhis. Propollogu doli diplomat nga puna në tregun e fruta-perimeve në Veria, falë kontributit partiak ndër vite.

 

Filed Under: Komente Tagged With: arben llalla, diplomatet delenxhinj, Rama dhe

Superjahti ish“Trump princess” u bregëzua në portin e Durrësit

August 26, 2017 by dgreca

1 super Jahti

Nga Shefqet Kërcelli/Dielli

Paraditen e datës 25 gusht, u bregëzua në molin nr.4 të portit të Durrësit super jahti ish”Trump Princess”, pasi më parë ky mjet lundrues ka qenë në pronësi të Presidentit Trump. Tashmë ky superjaht mban emrin “Kingdom 5KR” dhe është në zotërim të Princit miliarder saudit Alwaleed Bin Talal Bin Abdulaziz Al Saud, njeriu i 45-të më i pasur i botës. Princi Alwaleed mbrriti në portin e Durrësit me jahtin e tij “Kingdom5”, {me tonazh 618 t, 1763DWT}, i shoqëruar nga jahti tjetër “Moonlight II”, {917t, 3056DWT}. Jahtet kanë lundruar nga ishulli i Korfuzit (Greqi) drejt Durrësit. Jahti “Kingdom5” mban flamurin e Arabisë Saudite dhe është regjistruar në portin e Jeddahut. Ambasadori i vendit tonë në Arabinë Saudite, Sami Shiba tha se, princi ka ardhur në Durrës në kuadër të një vizitë njohëse- turistike në Adriatikun lindor, ndërkohë  anëtari i familjes mbretërore të Arabisë Saudite zhvilloi një takim dhe me kryministrin e Shqipërisë Edi Rama. Mëngjesin e datës 26, gusht princi saudit me suitën e tij u largua nga porti i Durrësit me kurs për në veri, drejt brigjeve dalmate.

Po cila është historia e këtij jahti luksoz?

Mjeti lundrues është ndërtuar në vitin 1980, nga kantieri Benetti dhe punimet origjinale në brendësi të tij janë realizuar nga anijendërtuesi Luigi Sturchio. Jahti është 85 metra i gjatë dhe në kohën kur u ndërtua kushtoi rreth 100 milion dollarë, fillimisht ishte pronë e miliarderit saudit Adnan Khashoggi. Në fillim, jahti mbajti emrin e vajzës së miliarderit arab, Nabila. Në kohën që u ndërtua ai ishte një nga jahtet më të mëdha të botës, por tani renditet në vend të 60-të dhe do të ulet edhe më tej në renditje, pasi mania e tanishme e pasanikëve është të ndërtojnë jahte gjithnjë e më të mëdha. Në periudhën kur mbante emrin Nabila, jahti u shfaq edhe në filmin e James Bond, “Never say never again”, në të cilin mbante emrin “Flying Saucer”. Jahti frymëzoi bandën e famshme të rrokut, Queen, për këngën e tyre “Khashoggi-s ship”, e përfshirë në albumin“The miracle”. Pas problemeve financiare që po kalonte miliarderi arab, ai vendosi ta nxirrte jahtin në shitje. Jahti u ble në vitin 1988 nga sulltani i Bruneit, sundimtari më i pasur në botë, që më pas ja shiti z.Donald Trump për 29 milion dollarë. Zoti Trump, tashmë president i SHBA-së, i vuri në atë kohë emrin “Trump princess”. Mbas një farë kohe dhe vetë zoti Trump, ja shiti jahtin princit Al-Waleed bin Talal për 20 milion dollarë. Superjahti mori emrin e kompanisë së investimeve të princit Kingdom, ndërkohë që shifra 5 përfaqëson numrin e tij me fat, ndërsa shkronjat K dhe R përfaqësojnë inicialet e fëmijëve të princit saudit.

Filed Under: Kronike Tagged With: në portin e Durrësit, Shefqet Kercelli, Superjahti ish“Trump princess” u bregëzua

Koliqi ringjalli ndërgjegjen arbëreshe

August 26, 2017 by dgreca

2Ernest-Koliqi

Nga Bardh Frangu/

1 Zef Kjaramonte

Arbëreshi nga Sicilia, Zef Kjaramonte (1946), është njëri nga arbëreshët më të vjetër të Seminarit Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare që tani për herë të 36 mbahet në Prishtinë.Për gazetën “Zëri” të Kosovës, Zefi ka folur  me pasion për historinë dhe përpjekjet e mbijetesës identitare të arbëreshëve të Italisë. Si studiues i Evropës Lindore është pajisur me njohuri të shumta për Ballkanin e në veçanti për shqiptarët. Duke studiuar “Mesharin” e Buzukut nga këndvështrimi historik, Zefi ka mësuar shumë për historinë e shqiptarëve në përgjithësi dhe të arbëreshëve në veçanti.

I lindur në Santa Kristina Gela të Sicilisë, ka kujtuar fëmijërinë e tij, përkatësisht moshën kur për herë të parë ka nisur të interesohet për identitetin e tij.

Deri në moshën 11 vjeçare nuk e dija pse flisja arbërisht, ndërsa na quanin grek. Pas klasës së pestë shkova në një shkollë të horës së arbëreshëve që ndodhej katër kilometra larg. Atje, nipi i Pal Skiroit, zbuluesit të “Mesharit” të Buzukut, Papa Gjergji Skiroi, një herë në javë na jepte mësim në arbërisht. Këtu mësuam si shkruhet arbërishtja. Dhe mund të them se nga kjo kuptova se kush jam”, thotë Zefi, i cili tashmë jo vetëm që e flet për mrekulli gjuhën shqipe, por edhe merret me studimet rreth saj.

Kujton Zefi pastaj kalimin tek Manastiri Greto Fortes, që ishte një lice klasik, ku mësohej edhe arbërishtja. Po në kujtesën e tij si përmendore qëndron figura e Ernest Koliqit, me të cilin u njoh dhe u miqësua në kolegjin grek. “Ditën e shtunave vinte Ernest Koliqi dhe na mbante mësim në gjuhën shqipe. Kishte edhe arbëresh të tjerë që ndiqnin mësimet e Koliqit. Koliqi nuk na mësonte vetëm gjuhë, por edhe histori të shqiptarëve. Në këtë mënyrë na e forconte ndjenjën kombëtare. Them me sigurinë më të madhe se Koliqi ringjalli ndërgjegjen arbëreshe. Na motivoi të shkruanim edhe në revistën e tij “Shejza”. Kështu shumë arbëreshë u bënë bashkëpunëtorë të revistës së tij”, kujton Zefi, ndërsa flet me shumë admirim për punën e palodhshme të Koliqit, të cilin në këtë mënyrë edhe e kishte bërë mik të dashur shumë.

Zefi kujton sesi pesëqindvjetori i vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, kishte ndikuar shumë jo vetëm në forcimin e identitetit të tij, por edhe të arbëreshëve në përgjithësi.

“U bë një manifestim i madh në Romë, por edhe në Sicili. Për herë të parë në Bazilikën e Shën Pjetrit u mbajt meshë në arbërisht. Kjo bëri që të krijohet një frymë e re tek arbëreshët. Në këtë manifestim të madh edhe njoha fytyrat më të rëndësishme të diasporës shqiptare”, shprehet me nostalgji Zefi.

Për Kosovën thotë se për herë të parë ka dëgjuar nga një pejan që e ka takuar në sheshin e Roms, ndërsa vizita e tij e parë ishte në vitin 1976.

“Ai që më priti në Kosovë ishte Ymer Jaka, ndërsa u njoha me emra të rëndësishëm të dijes dhe kulturës shqiptare, si me Idriz Ajetin, Ali Aliun, Esad Mekluin, Anton Çettën, Mark Krasnqin, Ibrahim Rugovën, etj. Po Simon Shirokën e bëra mikun tim më të mirë”, kujton Zefi.

Me Rugovën kishte një raport më të veçantë, sepse kishte pasur rastin të ishte edhe përkthyes i tij.  “Si korrespodent i radio Vatikanit që isha, dola dhe  prita refugjatët që erdhën nga Kosova në Itali. Kur erdhi t’i vizitojë Rugova, unë përktheva për të, ndërsa ai në shenjë miqësie tha si me shaka se unë isha përkthyesi i tij personal”, kujton Zefi, duke folur më gjatë për përvojat e tij me refugjatët nga Shqipëria në vitin 1991 dhe me refugjatët nga Kosova në vitin 1999.

“U thosha edhe atyre në Itali se refugjatët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova nuk ishin të njëjtë. U thosha se këta nga Kosova kanë ikur nga dhuna e okupatorit dhe me t’u çliruar vendi i tyre do të kthehen të gjithë. Dhe kështu ndodhi vërtet”, kujton Zefi atë kohë të dyndjes së madhe të shqiptarëve.

Arbëreshi nga Sicilia e pranon se Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm tek arbëreshët. Ndërsa në pyetjen tonë se cila është gjendja aktuale e arbëreshëve të Italisë, Zefi vihet në një dilemë të madhe.

“Dy tendenca zhvillohen njëkohësisht; ajo e ruajtjes dhe ajo e zhdukjes. Kjo është më shumë në duart e politikanëve të dy shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës, në veçanti të atyre të Shqipërisë, të cilët duhet të bëjnë më shumë për arbëreshët e Italisë. Po vështirë është të kërkosh më shumë nga politikanë inferiorë, që në Itali vijnë si lypsa. Dihet se ne arbëreshët jemi ortodoks me Romën, ndaj ka rëndësi shumë që nëpër kishat tona mesha të mbahet në arbërisht dhe kjo e drejtë duhet t’u takojë arbëreshëve”, shprehet Zefi shumë skeptik për të ardhmen e këtij komuniteti.

Ai në seminarin e 36-të vjen me një kumtesë shumë të rëndësishme për gjuhën dhe kulturën arbëreshe. Zefi do të lexojë një kumtesë që ka të bëjë me mbishkrimet në gjuhën arbëreshe, dëshmi këto që faktojnë më së miri qenien arbëreshe në Itali dhe përpjekjet e tyre për të ruajtur identitetin arbëresh. Kumtesën e tij Zefi e ka ilustruar edhe me foto nga vendet ku ekzistojnë këto mbishkrime. Sipas këtij arbëreshi të pasionuar për gjuhën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi, mbishkrimi më i vjetër është ai AS TRUAR GEZUAR, që gjendet afër pallatit Matranga në Horë të arbëreshëve.

“Tek arbëreshët e Sicilisë mund të vërehet se arbërishtja është përdorur ndoshta edhe përpara botimit të “Mësuarës së krishterë” të Lekë Matrangës”, pohon Zefi i impresionaur me trashëgiminë arbëreshe, por njëkohësisht edhe i dëshpëruar për të ardhmen e saj.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Ernest Koliqi, ndergjegja arbereshe, Zef Kjiaramonte

Fjalë imzot, vetëm fjalë

August 26, 2017 by dgreca

1-Reshat-Kripa-300x150

Nga Reshat  Kripa/23 gusht 2017 -.  Dita Europiane e Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe  Komunizmit. Në Muzeun Historik Kombëtar zhvillohet simpoziumi i organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit dhe drejtoria e muzeut. Do të kisha dashur të isha i pranishëm në këtë aktivitet por nuk kisha ftesë dhe as më njoftoi njeri. Sidoqoftë boshllëkun e plotësova duke lexuar njoftimet e gazetave.

Mendoja se do të shihja aty ndonjë personalitet të lartë të vendit, kryeministër, ministër, dretues parlamenti, president, kryetar partie e të tjerë të këtij rangu por nuk m’i zuri syri. Mendoja se aty do të bëhej një pasqyrim i krimeve të kryera nga regjimi komunist në periudhën 46 vjeçare të sundimit të tij, se do të flisnin ata që i kishin kaluar vetë mbi shpatullat e tyre pasojat e atij genocidi duke e konkretizuar me shembuj konkretë por kjo nuk ndodhi. Në të  kundërt pashë “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”, siç shkruante shekuj më parë Shekspiri i madh.

Lexoj në gazetën “Panorama” kumtesën e mbajtur nga zonja Gentiana Sulaj, kryetare e autoritetit që organizonte simpoziumin. Prisja që të shihja në të të dhëna të nxjerra nga dosjet që shqyrton ky autoritet dhe që besoj se janë burimi më i mirë për të kuptuar se çfarë ishte diktatura komuniste. Por si dhe herë të tjera, një gjë e tillë mungonte.

Lexoj titullin e kumtesës: “Reflektim për memorien historike: bashkim jo përçarje”. Bashkim jo përçarje. Kush duhen të bashkohen, fajtorët me të pafajshmit, apo kriminelët me viktimat? Një gjë e tillë mund të bëhej po të ishin dënuar shkaktarët e katastrofës së madhe, po të ishte bërë një Nuremberg shqiptar. Por kjo nuk e bë. Nuk e di, mos ka pasur parasysh shprehjen e famshme të biblës që thotë “Kur të godet njerën faqe ktheji tjetrën”, domethënë “fitimtarët fitimtarë, të mundurit të mundur në përjetësi” siç shkruante poeti Bardhyl Londo në një poezi të viteve të para të pluralizmit.

Në atë kumtesë autorja deklaroi se do t’i propozonte Kuvendit të Shqipërisë që data 23 gusht të ishte dita përkujtimore e viktimave të komunizmit. Me sa di unë deri më sot janë caktuar edhe dy data të tjera për këtë ditë, ajo e 23 majit, dita e revoltës së madhe të Spaçit dhe 21 shkurtit, dita e rrëzimit të monumentit të diktatorit, por që asnjëherë nuk janë përkujtuar më. Mos vallë çdo qeveri shqiptare do të caktojë një datë që më vonë do ta lerë në harresë

Në atë çast më doli para syve séanca e parlamentit rumun ku shqyrtohej raporti perfundimtar i Komisionit Presidencial për Analizimin e Diktaturës Komuniste, më 18 dhjetor 2006, ku foli edhe presidenti i vendit, zoti Traian Basescu, i cili midis të tjerave tha:“Për këto qrsye, si kryetar i shtetit rumun, unë e dënoj publikisht dhe në mënyrë kategorike sistemin komunist në Rumani, që nga themelimi i tij mbi bazën e imponimit gjatë viteve 1944-1947 e deri në shembjen e tij, në dhjetor 1989. Duke marrë në konsideratë realitetin e prezantuar ne raport, deklaroj me përgjegjësi të plotë: Regjimi komunist në Rumani ishte i palighshëm dhe kriminal”.  Ndërsa më poshtë vijoi:“Në emër të shtetit rumun, shpreh keqardhjen dhe ngushëllimin tim për viktimat e diktaturës komuniste. Në emër të shtetit rumun, kërkoj zemërgjërësi nga ata që vuajtën, nga familjet e tyre dhe nga të gjithë ata, që në një mënyrë apo tjetër, jeta iu shkatërua nga abuzimet e diktaturës”.

            Një kërkim ndjese i vërtetë, i barabartë me atë të Gjon Palit të Dytë që kërkoi ndjesë për viktimat e shkaktuara nga krishterimi në mesjetë, me atë të kancelares Merkel që kërkoi ndjesë për krmet e kryera nga nazizmi gjerman, së fundi me atë të një qytetari gjerman që kërkoi falje për krimet që kishte kryer i ati në maskrën e Borovës në Luftën e Dytë Botërore.

Po në Shqipëri a keni dëgjuar të kërkohet ndjesë? Me përjashtim të ish Presidentit Nishani që e bëri një gjë të tillë, asnjë president tjetër, kryeministër, kryetar parlamenti, kryetar partia apo ndonjë tjetër i këtij rangu nuk e ka bërë këtë. Ndjesa është shprehja e parë që  një autoritet qeveritar duhet të kërkojë.

Lexoj po në gazetën panorama shkrimin e gazetares  Dr. Jonila Godole me titull “Europa dënon krimet e komunizmit, por rezoluta jonë fle”. Një shkrim i shkëlqyer  por në të njetën kohë një konstatim real. Kanë kaluar 11 vjet nga miratimi i saj dhe ende nuk është zbatuar asnjë pikë.  Përse? Përgjigjen le ta japin politikanë.

Rezoluta u miratua vetëm me votat e deputetëve demokratë. Deputetët socialistë dolën nga salla e parlamentit në kohën e miratimit ashtu siç nuk kishin denjuar të ngriheshin në këmbë në shenjë respekti kur në vitin 1992 u propozua një minutë zi për të rënët në luftën kundër komunizmit. Ajo u hartua në mbështetje të dy rezolutave të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe konkretisht asaj Nr. 1096 (1996) “Masat për të çrrenjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare komuniste”, për të cilën shteti shqiptar as u prononcua zyrtarisht, megjithëse kishte votuar për të si anëtar i Këshiilit të Europës dhe atë Nr. 1481 (2006) “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.

Le të përqëndrohemi në disa prej pikave kryesore të saj dhe në reflektimin ndaj tyre në Shqipëri:

Pika 8. Kuvendi i Shqipërisë dënon diktatorin Enver Hoxha si ideatorin, frymëzuesin, drejtuesin dhe ekzekutuesin e sistemit më të egër diktatorial komunist në Europën Lindore që çoi në izolimin dhe varfërimin e tejskajshëm të Shqipërisë dhe kërkon heqjen e të gjithë titujve dhe dekoratave të dhëna atij e bashkëpunëtorëve të tij nga regjimi komunist.

            Kush duhet t’ia heqë këto dekorata e tituj atij dhe të tjerëve? Unë mendoj se kjo i përket pikërisht Kuvendit të Shqipërisë që ka miratuar këtë rezolute.  Ku është zëri i tyre?

Pika 9. Kuvendi i Shqipërisë kërkon rishikimin e datave simbol të sistemit komunist që shënojnë instalimin e diktaturës komuniste në Shqipëri si dhe heqjen e këtyre datave nga protokollet zyrtare shtetërore.

            Terma të tilla si “24 maji”, “11 janari”, “21 dhjetori”, “10 korriku”, “Komuna e Parisit” “Konferenca e Pezës” e të tjera i  gjen ende në emërtimet e rrugëve, lagjeve, shesheve, shkollave,  madje  në sheshin që dikur mbante emrin e datëlindjes së diktatorit Stalin është ngritur një memorial me numrin “11”. A e ka parë këtë memorial Kryetari i Bashkisë? Besoj se po. Atëherë përse nuk urdhëron të hiqet? Nuk mundet apo nuk do?

Pika 11. Kuvendi  i   Shqipërisë  kërkon  hapjen  e dosjeve të ish-bashkëpuntorëve të Sigurimit të Shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës publike qëndrore e lokale, si dhe të mediave kombëtare audio-vizive apo të shkruara.

            Njëzeteshtatë  vjet demokraci dhe Shqipëria është i vetmi vend i Europës Lindore që nuk janë hapur dosjet.  Është hartuar një ligj gjysmak sipas të cilit  ato mund të hapen nga autoriteti i krijuar por askush nuk mund të ndëshkohet për të kaluarën e tij kriminale. Dy muaj më parë u zhvilluan zgjedhjet    për në Kuvendin e Shqipërisë. Me përjashtim të dy partive të vogla, asnjë prej partive të tjera , të mëdha e të vogla, të djathta dhe të majta, nuk paraqiti listën e kandidatëve për deputet në autoritetin përkatës. Asnjë institucion kushtetues, i sistemit të drejtësisë, i administratës publike, apo mediave kombëtare audio-vizive dhe të shkruara, nuk ka paraqitur në autoritet listën e punonjësve të tyre.  Përse? Përgjigjen le ta japin vetë.

Pika 15. Kuvendi i Shqipërisë fton institucionet shtetërore të përmbushin të gjitha detyrimet ligjore lidhur  me statusin e të përndjekurit politikë për integrimin, arsimimin, punësimin, strehimin, dhe dëmshpërblimin e tyre në një kohë sa më të shpejtë, si dhe akordimin e një fondi për gjetjen e të zhdukurve dhe të vrarëve me apo pa gjyq për arsye politike.

Me përjashtim të detyrimit për arsimin që mendoj se është kryer  të tjerat janë ende larg. Të përndjekurit politikë janë të parët që pushohen nga puna sa herë ndërrohen qeveritë. Dëmshpërblimi  tyre ka hyrë në kalendat greke dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. Përsa i përket caktimit të një fondi për gjetjen e  të zhdukurve dhe të vrarëve me ose pa gjyq për arsye politike dhe nuk janë pak por mbi 4000 persona, nuk ka asnjë fond të caktuar.  Familjarët duan një varr për të afërmit e tyre ku të derdhin dy pika lot dhe  të vendosin një tufë me lule.  Duan edhe një varrezë të veçantë për të rënët ku të mos kenë mbi krye yllin e kuq të komunizmit, atë yll që i vrau  dhe dënoi pasardhësit e tyre dhe që gjendet ende në varrezat e dëshmorëve të kombit..

Pika 16. Kuvendi i Shqipërisë nxit fillimin e një fushate kombëtare për ndërgjegjësimin rreth krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste duke përfshirë rishikimin e librave shkollore, shpalljen e nje dite kombëtare për përkujtimin e viktimave të komunizmit, hapjen e muzeumeve përfshirë dhe rikthimin në muze të burgjeve të tmerrshme politike, si dhe ngritjen e memorialeve në nderim të shqiptarëve që u vranë për kundërvënien ndaj regjimit totalitar.

            Ka shumë vjet që flitet për rishikimin e librave shkollore por deri më  sot  nuk  është  bërë absolutisht asgjë. Të gjitha ngjarjet historike të vendit tonë, në këto tekste vështrohen nën prizmin komunist. Ende nuk është ngritur një komision i përbërë nga specialistë të fushës për rishikimin  e tyre. Me përjashtim të një pavioni të vogël në Muzeun Historik Kombëtar dhe njerit në Shkodër, nuk ka asnjë muzeum tjetër. Nuk është kthyer asnjë burg i tmerrshëm apo kamp në muze, megjithëse ka disa vite që është krijuar Shoqata e Hapjes së Kampit të Spaçit por që nuk po gjen përkrahje nga autoritetet shtetërore. Ndërsa përsa i përket ngritjes së memorialit përkujtimor, megjithëse ka vite që është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, në të vërtetë nuk është bërë asgjë. Kur do të realizohen këto?

Pika 17. Kuvendi i Shqipërisë mbështet organizimin e një konference kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të persekutuarve, akademikëve, historianëve si dhe të ekspertëve të OJQ-ve,  për krimet e kryera nga regjimet totalitare.

            Pothuajse për çdo ditë në vendin tonë organizohen konferenca për çështje të ndryshme të të gjitha fushave  të shoqërisë shqiptare, madje deri edhe ato për homoseksualët, vetëm për çështjen e krimeve të regjimit totalitar sundon heshtja. Kur do të organizohet një konferencë e tillë? Kush do ta organizojë? Akademia e Shkencave, Autoriteti i Hapjes së Dosjeve apo  Instituti i Hetimit të Krimeve Komuniste? A do të realizohet kjo konferencë?? Do të presim dhe do të shohim. Mendoj se kjo është e domosdoshme dhe duhet thirrur sa më parë.

Lexova mesazhin e Kryetarit të Partsë Demokratike, zotit Lulzim Basha, në këtë ditë përkujtimore:.

“Dënimi i krimeve të komunizmit, mision i pambaruar për Partinë Demokratike”.

Ku veç të tjerave theksonte:“Jetët e humbura dhe të shkatërruara nga stalinizmi shqiptar, akuzë e rëndë për shoqërinë që s’i dënoi kriminelët komunistë”

E përshëndes zotin Basha për këtë mesazh por dua t’i them se nuk duhet të mbetet si një mesazh për një ditë përkujtimore. Ai duhet të fillojë që tani një  betejë të madhe kundër mentalitetit komunist që ekziston në Shqipëri. E them këtë pasi jo gjithmonë në kohën e qeverisjeve demokratike ka pasur  vullnet politik në drejtim të përndjekurve politikë. Më lejoni t’ju jap vetëm dy shembuj:Në muajin mars 2010,  një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kish kërkuar Shqipërisë që të dënojë krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara t’i kërkonte Shqipërisë dënimin e krimeve të komunizmit, do të thotë se kjo çështje qëndronte në vendin toë. Për këtë fakt nuk u dha asnjë informacion, asnjë lajm nuk iu dërgua shtypit shqiptar. Çdo gjë u mësua nëpërmjet mediave online.

Gjithashtu, më 14 dhjetor 2010, gjashtë ministra të jashtëm dhe pikërisht ata të  Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez, zotit Audronius Azubalis, i drejtuan Komisares Europiane për Çështjet e Drejtësisë, zonjës Vivian Reding,. një letër që përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Komisioni i BE-së, të cilit i ishte drejtuar letra, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të madh. Përsëri asnjë deklaratë apo lajm i botuar në shtyp. Përsëri lajmi merret vesh nga mediat online.

Do të kishte qenë e moralshme që krahas firmave të gjashtë ministrave të  jashtëm, të cituar më sipër, të kishte qenë edhe ajo e ministrit tonë, si vendi me terrorin më të egër komunist. Por ajo nuk ndodhi. Ministër i Jashtëm ishte Presidenti i sotëm i Republikës, zoti Ilir Meta, ish-aleati ynë.

Duke përfunduar dua të theksoj se në rast se do të vazhdohet si deri më sot, deri sa nuk do të dënohet krimi komunist, deri sa të ekzistojë mentaliteti komunist, Shqipëria nuk ka për të qenë kurrë e qetë. Rruga e saj drejt Bashkimit Europian do të jetë e mbyllur.

Mjaf më me “Fjalë imzot, vetëm fjalë!”

 

*   Ish i dënuar politikë nga regjimi komunist

Filed Under: Opinion Tagged With: Fjalë imzot, reshat kripa, vetëm fjalë

DEMOKRACIA KOMUNISTE E RAMIZ ALISË KA TRIUMFUAR

August 26, 2017 by dgreca

3 Kolec

Nga KOLEC TRABOINI/

Në dhjetor 1990 por edhe shkurt 1991 nuk ishte aspak e vështirë të vihej re se pushteti po kalonte nga komunistët tek po komunistët. Mjafton të sjellësh emrat e personave që i kishin zgjedhur për pardesy të bardha, o komunistë ose bashkëpunëtorë të sigurimit. Siç merrnim ushqimet me listë, Ramiz Alia i zgjodhi politikanët e të ardhmes me listë.

Të gjithë pardesytë e bardha, të piketuar për udhëheqës duheshin mbrojtur nga sigurimi i shtetit në situata të turbullta nëse gjendja dilte jashtë kontrollit. Lexoni emrat e atyre që u gjenden dhe formuan Partinë Demokratike. Dhe dëgjoni pohimin fantastik të Preç Zogajt kur në një emision TV tha se në formimin e partisë të gjithë ishin të ftuar, pra formimi ishte i hapur, çfarë nuk ishte aspak e vërtetë, po nuk thotë se kush e hartoi listën dhe si na u gjendën ta zëmë i biri i kriminelit komunist Josif Pashko, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, pra i ati  ka qenë kryetar gjykate në dënimet me vdekje të nacionalistëve shqiptarë kur e morën pushtetin komunistët, çfarë shënonte jo çlirimin por robëruan popullin. Ky do të përfaqësonte përmbysjen e madhe të komunizmit, ku bashkë me ish agjentët e sigurimit që u gjendën në atë mbledhje. Pra bijtë po përmbysnin baballarët?!  Po kush kishte qenë armiku kryesor i komunizmit në dyzet vjet, kush kishte hequr mizoritë në burgje e internimet. Ku ishin bijtë e të pushkatuarve, pse nuk i bënë vend as dhe njërit.

Preç Zogaj është një poet i mirë, por një politikan i keq, sepse kushtëzohet prej pengut të vet në diktaturë, është si puna e kalit që nëse e rreh një herë ai nuk bën më për kalë shale, por veç të mbrehet në karrocë, kështu që mbrehur në karrocë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mirë këta të PD-së që gjetën një ish sekretar partie e komunist prej 24 vjetësh dhe e vunë në krye, është afër mendsh që nuk mund të vinin një njeri që nuk kish qenë komunist e nuk kishte lidhje me udhëheqësit komunistë. Po kush i thirri këta, kush i bëri vend në atë formim të partisë “opozitare”? Padyshim krejt udhëheqës-ekipi i Partisë së re u hartua nga të dërguarit e Ramiz Alisë. Kishin përvojë komunistët në këtë drejtim dhe ka një përqasje aspak të çuditshme në mes të formimit të PD dhe të PKSH. Më 8 nëntor 1941 të gjitha letrat i luante jugosllavi Miladin Popoviç,  i cili gjeti tek Enver Hoxha dishepullin e vet a më mirë të thuash gjeti shërbëtorin e vet siç e thotë edhe Liri Belishova në intervistën  e vet tek gazeta “Panorama” 15 janar 2015.

Kështu ndodhi edhe në dhjetor 1990 kur Ramiz Ali kish afruar pranë studentëve njerëzit e vet për të parë mundësitë për të ndikuar në çdo lëvizje që ato do të bënin. Sigurimi shqiptar ka qenë shumë i zhvilluar, dinte edhe sa lugë kishe në shtëpi, siç thoshte populli dhe nuk na paska qenë në gjendje të kontrollonte zhvillimet në qytetin e studenteve. Problemi i saj ishin disa studentë të cilët për shkak të temperamentit të tyre ishte e vështirë t’i përpunoje, prandaj dhe për të krijuar një solucion zbutës u dërgua tropojani i mjekësisë. Le ta mbulojnë sa të duan, të gjithë që në atë kohë i kanë përjetuar ngjarjet kanë thënë, nga na doli ky doktori si udhëheqës politik, e kur u shfaqën Gramoz Pashko dhe Aleksander Meksi e të tjerë,  nga na dolën edhe këta.

Por këto dilema nuk i kishte as ministria e brendshme, as Komiteti Qendror i Partisë së Punës. Gjithçka shkonte sipas parashikimit ani pse të dërguarit e Ramiz Alisë i dolën fjale e nisën të mendojnë për vete, por gjithnjë duke e ruajtur mesazhin që ishte dhënë, që udhëheqja e komunistët pavarësisht që për 40 vjet kishin shtypur  me egërsi me dhunë, nuk do të pësonin asgjë dhe pushteti do t’u jepej bijve të tyre dhe jo reaksionit, nacionalistëve e ballistëve. Pra kemi dy formatime që përqasin aq shumë, një formin nga Miladin Popoviçi 1941, tjetri prej Ramiz Alisë 1990, ndryshimi i vetëm është se ky i fundit u bë nga një shqiptar dhe jo nga një jugosllav.

Kulmi ka qenë kur na doli edhe ministri i diktaturës Gjinushi e bëri dhe ai parti bashkë me Lisjen Bashkurtin që ka qenë sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste dhe në atë kohë ruaj në kujtesë që dërgova një shkrim rreth diplomacisë së shtetit komunist e riciklimit të komunistëve nëpër parti të reja dhe ia dërgova Frrok Çupit në gazetën e sapo dalë RD, në fund të janarit 1991, por nuk ma botoi. Më kishte botuar më parë më 16 janar shkrimin “Vlera e simboleve kombëtare” ku kërkoja heqjen e yllit komunist nga flamuri kombëtar, por këtë për riciklimin e komunistëve në partitë kërpudha që po mbinin në prag të derës së PPSH, nuk e botoi.

Me refuzimin e atij shkrimi, dyshimi që kisha mu vërtetua katërcipërisht. Në të gjitha partitë po gëlonin ish komunistët.  Prandaj kam mendimin se gjithçka ka qenë e manipuluar veç rasteve të veçanta kur kjo nuk ka qenë e mundur dhe u ka dalë dore. Xhelil Gjoni, ish anëtar i Byrosë Politike që ka dalë së fundi me një intervistë ka të drejtë kur thotë se ishte piketuar rruga nëpër të cilën do të ecte demokracia me pikatore. Sepse ja ku jemi, vërtet iku Xhelili nga pushteti asokohe, por ja ku mbeti i biri. U bë ministër i brendshëm. A mendohej kjo në dhjetor 1990 apo në shkurt 1991? E keni deputet edhe sot e kësaj dite.

Po të kish ndodhur demokracia e vërtetë kjo vazhdimësi e pjella komuniste nuk do të kishin vend në parlament dhe as në pushtet. Kurrësesi në ndonjë post qeveritar, nuk do të kishte as bashkëpunëtorë të sigurimit ministra e deputetë. Prandaj  është jo pandehmë, por bindje e plotë se siç e planifikuan ashtu ndodhi. Nga ana tjetër Xhelil Gjoni gënjen kur thotë se mitingu që organizoi ai kundër atyre që u futën në ambasada më 2 korrik 1990, ishte i lirë. Jo. Ka pas urdhër të rreptë nga Komiteti i Partisë së Tiranës që duhej të ishin të gjithë punonjësit në miting tek Pallati i Kulturës, dhe po mungove pushoheshe nga puna. Për këtë kishin vënë edhe njerëz të merrnin firmat nëpër institucione që do të shkoje patjetër në miting. Janë gjallë njerëzit që i vunë ata të Byrosë së Partisë të na i merrnin firmat në Kinostudio në korrik 1990. Pra ka qenë miting me detyrim dhe me firmë, ndryshe nuk do të shkonte asnjë veç komunistëve.

Por edhe gjendja reale që kemi ende dhe sot e kësaj dite tregon se demokracia e vërtetë me dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare nuk është bërë kurrë, ndaj edhe më tej Shqipëria do të jetë e kapur prej pinjollëve të tyre, edhe kur këta shtiren si demokratë të mëdhenj. Ja edhe mendësinë e medias që ka kurajën të shpalosë në publik edhe lajme të këtij lloji, në “A1 Report TV” thuhet se “Nipi i Spiro Kolekës arreston nipin e Enver Hoxhës”. Pra edhe prej televizionit që është afër Qeverisë e përkëdhelet prej saj, duke i dhënë  tendera, i konsideronte këtë arrestim të Ermal Hoxhes si luftë brenda llojit.  Kujtojme se me tenderin Bunker Art #1 dhe #2, italiani bos i shtyp -TV ne Tiranë Carlo Bollino fitoi miliona euro.

Konkluzioni që del është se që nga viti 1944 e sot pushtetin vazhdojnë ta kenë komunistët e pinjollët e tyre biologjikë. Rasti më tipik është i vitit 2017, kryeministri shqiptar në mes të parlamentit afishoi pozicionin e tij duke thënë se jam partizan (kuptohet partizan i Enver Hoxhës se ai i kishte partizanët) dhe jo i Ballit Kombëtar, që sipas tij hanin e vazhdojnë të hanë pula. Një fjalor krejt i ngjashëm në histeri me atë të Enver Hoxhës gjatë 40 vjetëve të sundimit të tij. Asnjë protestë nuk u pa nga opozita për këtë skandal, as nuk e dërgoi çështjen në Gjykate Kushtetuese sepse kryeministri është i gjithë popullit e jo i komunistëve e partizanëve të Enver Hoxhës. Si kryeministër ka bërë një betim të cilin e thyen publikisht në parlament e ku deputetët, që kanë një nivel kulturor mjeran,  heshtin si mumie egjiptiane. Dhe e dini se pse nuk u ankuan, se edhe këta te Enver Hoxhës kanë qenë, madje me shumicë spiunë sigurimi të emëruar për faqe të zezë deri edhe ministra.

E vetmja gjë që ka ndryshuar në këto 27 vjet, të emërtuar tinëzisht si tranzicion  është liria për të folur dhe shkruar, por edhe kjo e kufizuar se nuk ka një Media plotësisht të lirë e jashtë politikës në Shqipëri. Nuk gjen dot një organ që kritikon e investigon të dy palët e politikës, partitë e korruptuara deri në palcë prej të cilave buron një pushtet i kalbur, që veprojnë si banda, të cilat nuk janë opozitarë me njëra-tjetrën, por thjeshtë kundërshtare në pamje e solidare në thelb. Me qëllim për të zhvatur popullin, çfarë e tha hapur nga kryeministri. Vetingu nuk bëhet për ne, – ju drejtua kundërshtarëve të vet,  por për të tjerë. Kësisoj i qetësoi dhe i siguroi bashkë hajdutet kundërshtarë se nuk ju prek njeri. Pra ai që do të kontrollohet se mos vjedh qenka populli dhe jo qeveria, as nëpunësit e lartë, as deputetët apo krerët e opozitës e ish kryeministri, e ish ministrat. Kjo po është reformë si ato të Tanzimatit në epokën e mallkuar të sulltanëve, sikur të ishim në shekullin e 19. Dhe diplomatët e huaj shohin  dëgjojnë e heshtin si bufa.

Ajo çfarë mund të konsiderohet e paimagjinueshme në një shtet normal, në Shqipëri qendron e rregullt. Kësisoj Prokuroria në vend të shqyrtojë çështje e afera skandalesh korruptive,  është kthyer në një institucion për të mbyllur dosjet e politikanëve e shtetarëve të korruptuar. Flitet ne shtyp për 300 të tilla. Pra  thënë hapur, ky organ bashkë me drejtësinë në tërësi  janë kthyer në një lavatriçe korrupsioni dhe merret me peshq të vegjël, ca sardele që kanë ngecur në rrjetë nga padija për të vjedhur me shumicë. Këto parti gjoja kundërshtare  nuk dallohen nga njëra-tjetra prej  ideve a platformave, por thjeshtë prej kolltukëve për të cilët bëhet lufta si qëllim në vetvete. A nuk u vu re se Kryeministri shqiptar, që është dhe kryetar i PS, nuk përmendi asnjë program për mirëqenien e popullit, punësimin a pensionet. Madje nuk premtoi për ndonjë zhvillim ekonomik apo kujdes social. Rast unik në botë të shkosh dhe të zgjidhesh pa premtuar asgjë. Gjithë kohën në fushat u muar me bejte e zhargone deri në banalite estradash:  “Qe të mos na e luaj tjetri timonin andej e këndej na jepni atë dreq vote”.

Pra fushata e kryeministrit kishte qëllim në vetvete pushtetin, “timonin” e as gjë tjetër, pa thëne as se çfarë do të bënte me këtë pushtet e si do ta dredhonte timonin. Një fushate e tillë vulgare pa asnjë premtim real e ka degjeneruar tërë sistemin zgjedhor në Shqipëri duke e bërë të pakuptimtë. Gjithsesi të shfaqet e çfarëdo demagogjie që të përdoret, demokracia komuniste e platformës së Ramiz Alisë me pikatore ka triumfuar. Duam apo nuk duam ne, duan apo nuk duan ta pranojnë të huajt, dielli me shoshë nuk mbulohet.

Filed Under: Politike Tagged With: DEMOKRACIA KOMUNISTE E RAMIZ ALISË, KA TRIUMFUAR, Kolec Traboini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1828
  • 1829
  • 1830
  • 1831
  • 1832
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT