• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUR ALI ASLLANI ISHTE KRYETAR BASHKIE I VLORES DHE POEZIA”HAKERRIMI”

August 23, 2017 by dgreca

1-Gezim-Llojdia-240x300

Nga Gëzim Llojdia/

1.Në çdo vend demokratik të botës,thoshte Ali Asllani,institucionet forcohen nga ana e shtetit,kurse qytetarëve iu bëhet e qartë ,se ato duhet të respektohen nga të gjithë. Përveç kësaj, porosiste Kryetari i Bashkisë, nëpunësit duhet ti njohin mirë problemet e tyre,që mbulojnë, dhe që i ndjekin për çdo ditë në mënyrë,që dhe rregullat e ligjet e shtetit,të bëhen shumë të kuptueshme dhe të thjeshta,për tu zbatuar nga qytetarët. Dhe këtë,ai e bënte vet i pari dhe në mënyrë të përsosur.

ali-asllani-c1200x600

Ja si më ka rrëfyer  Qëndro Meminaj për të atin  im Shuhaip Meminaj,djali i dajos së tij nga fshati Trevëllazër,i cili për disa vjet ,ka punuar dhe është kujdesur për lulishten kryesore të Vlorës.”Edhe ne, që e kishim nip bile edhe kushërinjtë tanë dhe bashkëfshatarë të tjerë nga fshati ynë,që Ali Efendiu i njihte dhe iu thërriste dajo,kur venin në Vlorë,nuk shkonim për ta takuar në Bashki,sa herë që të donin. Sepse ,ai sa i dashur që ishte me ne,kur vinte në shtëpitë tona,apo edhe kur shkonim ne në shtëpinë e tij,aq serioz ishte në zyrë. Prandaj shumë herë,ose e prisnim sa dilte nga zyra,ose shkonim në shtëpi për ta takuar.

Ali-Asllani-me-gruan-dalin-e-madh-dy-vajzat_2012_4_28

Ne Foto:Ali asllani me bashkeshorten, djalin e madh dhe dy vajzat/

2.Gjithmonë përpara Bashkisë, ai kishte urdhëruar që të punonte një lustraxhi,kurse brenda në korridor,të vendosej një gardërobë me disa xhaketa e bluza. Dhe kushdo që do të shkonte për ta takuar Kryetarin e Bashkisë,duhet ti fshinte këpucët dhe ti lyente me bojë,aq sa ato mbanin. Nqs qytetari nuk kish mundësi të paguante llustraxhinë, atë e paguante Bashkia nga fondi i saj,dhe pastaj sipas kohës dhe nevojës vishte dhe një xhaketë,e shkonte për të takuar Kryetarin,Ali Efendinë.Dalë nga dalë, qytetarët filluan ta kuptojnë dhe në takim me të shkonin më të pastër dhe të veshur më mirë,sipas edhe mundësive që kishin. Ali Asllani i vendosi këto kushte,jo vetëm se ato ndikonin në rritjen e kulturës qytetare,që atëherë ishte shumë e nevojshme,por edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët,se në ato zyra të shtetit,që iu zgjidheshin problemet dhe hallet,që iu mbrohej prona dhe iu garantohej dhe jeta,të shkoje i rregullt, ti doje e respektoje ata nëpunës e pushtetar,sepse doje dhe respektoje shtetin tënd që ahere ndihej shumë nevoja e tij. Ishte ky qëndrim dhe ky preokupim i Ali Asllanit që institucionet në qytetin e Vlorës,të funksionin normalisht, e të ecnin në rrugë të mbarë,duke i zgjidhur më së miri,hallet e problemet që kishin në atë kohë,Vlora dhe qytetarët e saj. Prandaj ishin të shumtë e përditë jo vetëm banorët e qytetit të Vlorës por edhe banorët të fshatarëve të rrethit,që përherë shkonin të takonin Ali Asllanin,Kryetarin e tyre. Edhe  ai i priste me kënaqësi e në bazë të kompetencave dhe mundësive që kishte,iu zgjidhte ankesat që kishin dhe nuk e mbyllte zyrën ,pa ikur i kënaqur edhe qytetari i fundit. Ai i realizonte këto detyra të rëndësishme,jo vetëm me punën e tij e tij të ndershme,por edhe me punën që bënin vartësit e tij,që punonin në zyrat e Bashkisë e kudo në qytet,sepse në to ai kishte zgjedhur dhe vendosur intelektualët më të mirë,ekonomistë,inxhinierë dhe teknik që kishin mbaruar shkollat jashtë vendit.

3.

Pavarësisht nga stafi që Ali Asllani kishte në Bashki,të cilët ishin me nivel të lartë dhe me arsimin përkatës,sipas funksionit dhe detyrave që kryenin,ai nuk mjaftohej me aq. Gjithmonë kur mbaronte orari zyrtar,Kryetari i Bashkisë nuk shkonte menjëherë në shtëpi,por kalonte andej nga ishin dhënë detyrat në mëngjes,dhe kontrollonte,se sa ishin zbatuar ato, dhe në mënyrë të veçantë shërbimet urbane. Siç ishin kanalet e ujërave të bardha e të zeza,që ndërtoheshin për herë të parë apo rikostruktoheshin,deri ku kishin arritur ndërtimet,në ndonjë rrugë,objekt në ujë të pijshëm,trotuar,lulishte et.j

4.

Në mëngjes kur mblidhte nëpunësit,ai nuk priste që ata të raportonin,se si ishin kryer detyrat që kishin patur ditën e parë,por jepte direkt detyrat e reja,mbasi ai i njihte vet,volumin dhe cilësinë e punimeve,duke iu bërë edhe vërejtjet për punën që nuk ishte bërë mirë. Kjo i vinte në pozita punonjësit që punonin me të në Bashki e gjetkë,prandaj edhe ata filluan të punonin dhe të vepronin ashtu si Kryetari i Bashkisë. Kështu që  punët në qytetin e Vlorës,përmirësoheshin dhe nga dita në ditë,bëheshin më mirë.

5.

Ato vite kur Ali Asllani ishte  Kryetar Bashkie,populli i Vlorës si dhe i gjithë populli shqiptar,kishte shumë nevojë për të siguruar drithërat e bukës dhe sidomos,në vitet që kishte thatësirë të madhe. Por Kryetari i Bashkisë i merrte masat me kohë dhe ndonjëherë e sillte drithin nga jashtë dhe e mbyllte nëpër magazina. Pastaj në bazë të kërkesave që kishte qyteti por edhe nga  fshatrat, mbështetur në sasinë që grumbullonte,bënte planin e shpërndarjes me grafik të rregullt për çdo periudhë kohore,duke u bërë furnizimi i tyre në mënyrë normale .Ja si e ka treguar Izet Dauti nga fshati Kërkovë:”Sipas datës që  na ishte  caktuar nga Bashkia,shkuam në magazinat e Portit,që të merrnin drithin që  na ishte  planifikuar për fshatin tonë.Por atje rojet italiane të portit,na nxorën shumë pengesa,mbasi ata ngrinin çmimin e kontrabandës,për të përfituar për veten e tyre,në rrugë të padrejtë dhe në kurrizin tonë. Katër –pesë burra nga fshati ynë shkuam në bashki,ku na priti menjëherë Ali Efendiu,të cilin e informuan për çfarë na kishte ndodhur. Ai u nervozua shumë sepse i erdhi keq për neve. Me të shpejt shkroi një letër dhe u foli aty tre xhandarëve të Bashkisë,ku njëri prej tyre ishte  italian.

-Do të shkoni tek depot në port dhe do të filloni menjëherë nga ndarja e drithit,se nuk ka xhandar nga Vlora apo të huaj,që të bëjnë dallavere dhe të pengojnë zbatimin e këtij urdhëri.

Kush të dojë le ta provojë,sepse i shkurtojmë nga  këmbët.

Bashkë me ta do të shkoni edhe ju-i tha italianit dhe mbas një ore jam edhe unë atje. Me tu dorëzuar letra,u hapën menjëherë depot për ne dhe për disa fshatra të tjerë që kishin radhën për furnizim. Ndarja e drithit u bë ashtu siç porositi Ali Efendiu,sepse në atë mënyrë nuk kishte asnjë kundërshtim nga ana jonë.

Ai vetë kishte ardhur më përpara seç na tha neve,por në atë kohë që ne e pamë, Ali Efendiu kish mbledhur xhandarët dhe po u jepte porosi:”Çdo njeri prej jush u thoshte,do të  përcjell fshatarët e një fshati sa të dalin nga qyteti,për të mos patur probleme e konfuzion gjatë rrugës.

6.

Ali Asllani zgjidhte edhe probleme të tjera për fshatarësinë,mbasi në atë kohë,ka qenë edhe Kryetar i Katundisë për rrethin e Vlorës. Njerëzit e mi  rrëfen Q.Meminaj,nga fshati Trevëllazër,na kanë treguar për një konflikt që kanë patur 4-5 familje nga ky fshatë me disa familje të fshatit Kaninë,të cilat i kishin në pronësi tokat e fshatit Beshishtë që ishte  kufi me fshatin tonë. Bëhej fjalë për disa sip. toke të vogla pyll,kullotë që ishin vazhdim i kullotave të mëdha e që njiheshin prej kohësh si musha,pronë e tërë fshatit. Por për këtë problem, kishte dëgjuar edhe Ali Efendiu i cili i kishte dërguar Kryeplakut të fshatit,që të mos bëhej asnjë lëvizje nga fshatarët,sepse për zgjidhjen e tij,do të vinte vet në fshat dhe kishte përcaktuar edhe datën e orën.

Me ta ardhur në qendër të fshatit,Ali Efendiu u përqafua me të gjithë,e menjëherë e mori fjalën:”Ato copëra kullotash që bëhet fjalë për tu zgjidhur nuk kanë ndonjë vlerë të madhe  tha ai,sepse ato janë në terrene të thyer dhe nga to nuk kini asnjë përfitim. Familjet do të kenë gjithmonë probleme se i kanë edhe larg nga fshati. Dhe meqë ato janë në vazhdim të kullotave të përbashkëta të fshatit,le ti bashkëngjiten asaj dhe atje të vendosim vetëm një kufi,që ndan fshatin Trevëllazër me fshatin Beshisht.

Ato do ta respektojnë atë kufi dhe nuk do të ketë më ngatërresa,sepse ai është kufiri i një fshati. Të gjithë ato familje që kishin pjesë në atë konflikt,u përgjigjën në një zë:”Të bëhet ashtu siç tha Ali Efendiu. Pastaj drejtuesi i mbledhjes  shprehu dëshirën që Ali Efendiu të vazhdonte të fliste edhe për problemet e tjera,sepse ata ishin mësuar me të dhe kishin kënaqësi të madhe ta dëgjonin. Kryeplaku i tha do të na plotësosh një kërkesë:të qëndrosh për drekë,se na kishte marr malli. Është shumë e drejtë, tha Ali Efendiu ,që të flasë dhe për problemet e tjera të qëndroj edhe për drekë,por sot do të përfundojmë me kaq,se unë bashkë me përfaqësuesit tuaj,do të shkojmë atje në atë vend ku është konflikti. Atje janë edhe kaninjotët se i kam lajmëruar unë që të vijnë. Që aty bashkë me Ali Efendinë shkuan në vend,vendosën kufirin të dy palët dhe i dhanë  dorën njëri-tjetrit në prezencë të tij .Qysh athere e deri mbas luftës,nuk pati asnjë konflikt ndërmjet dy fshatarëve,është për tu theksuar se pas vitit ’91 këto familje nuk i bënë dokumentet e pronësisë,për ato parcela që bëhej fjalë,pasi ato i qenë bashkangjitur kullotave të përbashkëta të fshatit. Kjo i tregon qartë ,jo vetëm, se si i zgjidhte ai hallet e qytetarëve,por edhe drejtësinë e vendimeve që merte e zbatonte Ali Asllani dhe nga na tjetër duket qartë besimi dhe respekti që kishin qytetarët për të e për fjalën e tij.

7.

Ka një të fshehtë ndoshta të panjohur,kohën e punës së Ali Aslanit dhe përqëndrimin e tij kundër këtij “kanceri”.Qëndro Meminaj ka zhbiruar duke u përqendruar më tepër tek luftimi që kërkon ndërgjegje të pastër si qelibari siç ishte  shpirti i poetit pushtetar .Kemi shqyrtuar më lartë,luftën që bënte ai në portin e Vlorës për kontrabandën që bëhej nga italianët me çmimin e drithërave që importoheshin.

Ali Asllani ishte i papajtueshëm me këto fenomene dhe në të gjitha drejtimet,u bënte luftë të pamëshirshme. Në marrëdhëniet që ndërtonte ai me nëpunësit e Bashkisë,të institucioneve të tjera të qytetit,të dikastereve qeveritare,me popullin e Vlorës dhe të krahinave,ai ishte tepër korrekt dhe i ndershëm dhe këtë transparencë e kërkonte vazhdimisht edhe nga vartësit e tij. Këto veprime i bënte Kryetari i Bashkisë,jo vetëm të tregonte transparencë për  veten e tij,por tu mësonte edhe vartësve se si të punonin,tu tregonte dhuruesve dhe tërë popullit të Vlorës,se si administroheshin dhe ku shpenzoheshin ato vlera monetare të tyre. Kështu e luftonte korrupsionin dhe kontrabandën në administratë,Ali Asllani si fenomene të rrezikshme ishin njohur në vende të ndryshme të botës. Këtë rrezik, që i kanosej vendit nga këto fenomene negative,dhe që ishin reale gjatë lutës së II botërore,i ka patur mirë parasysh Ali Asllani,kur shkroi poemën “Hakërrim”.Në atë poemë,ai u bënte luftë shumë të ashpër atyre elementëve të pandershëm e të molepsur,që për hir të pasurimit të tyre,brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë,në dëm të atdheut,kombit shqiptar .Prandaj  ai do të shkruante:

Hakërrim

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!

Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,
ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!
Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!

Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve;
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole!

Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,
ju shkëlqen në kraharuar dekorata “Grand Cordon”!
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes’
dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,
në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!

Grand Kordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,
ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur;
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,
ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!

E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,
mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!

Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet
dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!

Mirpo ju që s’keni pasur as nevoj’ as gjë të keqe,
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet…
Teksa fshat’ i varfër digjet… kryekurva nis e krihet!

Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!
Ç’na pa syri, ç’na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri:
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!

Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi!

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,
dylli bëhet si të duash, kukuvajk’ dhe dallëndyshe…
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar,
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!

Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,
fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri,
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!

Vendi qenka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,
bëni sikur veni vetull’, shoku-shokut kreni sytë…
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!

Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,
ky i sotmi zër’ i errët, bëhet vetëtimë
dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor’
nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,
ësht’ i syrit në lot mëkuar, ësht’ i vendit djegur, pjekur,
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur!

 

Filed Under: Politike Tagged With: Alia Asllani, Gezim Llojdia, Hakrrimi, Kryetar Bashkie

NDIESI PËR EMISIONIN “OPINION” TË BLENDI FEVZIUT NË TV-KLAN

August 22, 2017 by dgreca

 

opinionimage370nano-berishabasha-c-840x440zhulali-ministerfevzo

NGA ASLLAN BUSHATI/Për përdorim të shpejtë, po përdor termat  “Opinion dhe TV –Klan”, se aktualisht  ky emision jepet  në Klan dhe mban  këtë emër, por që në fakt ka nisur në TVSH dhe me tjetër emër, vetëm se drejtuesi dhe konceptuesi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë gazetari dhe publicist i njohur Blendi Fevziu.

Asllani 07

Si shumë teleshikues të këtij emisioni, edhe unë kam kujtime e ndiesi për shumë  puntata të vecanta  në këto dy dekada transmetimi . Por, po e nis me emisionin e parë që u transmetu më 31 Gusht 1997, pra njëzet vite më parë. Pak ditë para se të jepej ky emision më telefonoi  ish Shefi i Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes  dhe më thotë se:” a është e mundur të shkoni në një takim privat tip konsulte, për të biseduar me ish Ministrin e Mbrojtjes (sot të ndjerin)  Safet Zhulali ,sepse është ftuar nga gazetari Blendi Fevziu në një  emision  për ngjarjet e rënda të këtij viti ( 1997-të)“?  Pas një hezitimi të vogël, pranova dhe i thashë “po, do të shkoj “. E thashë pas një hezitimi të vogël se unë tashmë  isha liruar nga ushtria dhe nga detyra e Drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes ,që  më 6 gusht 1997 dhe kisha filluar pune si Kryetar i Departamentit të Mbrojtjes në Partinë Demokratike.

Pasi  kontaktova me të ndjerin  Zhulali, e lamë takimin në orën 11 paraditen e datës 30 Gusht në shtëpinë e tij. Në orën e caktuar shkova në shtëpinë e Familjes Zhulali ku më pritën me shumë respekt ish Ministri dhe bashëshortja e tij (Manushaqe).Biseda zgjati katër orë pa ndërprerje vetëm me ish Ministrin. Në bisedë diskutuam me detaje shumë  ceshtje  të  fushës mirfilltë ushtarake që kishin dalë sheshit në publik dhe që mendohej se  do të diskutoheshin në emisionin e Blendi Fevziut. Pa e mbyllur pjesën ushtarake të bisedës i ndieri Zhulali më pyeti: “si epror i lartë ushtarak (Drejtor ne Ministri  e Komandant Divizioni) , si mendon, pse ushtria nuk qëlloi kundër atyre që rrëmbyen armët nga depot e ushtrisë?  I  thashë :”E para mendoj se ushtria nuk pati përgjegjesi për ngjarjet e 2 Prillit 1991 në Shkodër,( sepse gjykoj se ajo ishte vepër e shërbimit sekret te regjimit komunist), por megjithatë ushtria  u ndot padrejtësisht nga kjo ngjarje, dhe në kujtesën kolektive ushtarake ajo ishte një përvojë negative. E dyta po të kishte qëlluar ushtria, kjo klasë politike e të dy krahëve  do të ishte në varreza dhe unë e kolegët e mi do të konsideroheshim kriminelë. Sot s’ka të drejtë  dhe as fakte ,askush të më quaj kriminel se nuk kam vrarë askënd.

Si përfundim për pjesë ushtarake  pothuaj  përafruam mendimet gati për gjithcka biseduam, kurse për pjesën politike, ai kishte më shumë njohuri, detaje e specifika dhe insistonte në  konkluzionon se” fajin e ka politika dhe se ushtria nuk duhet ngarkuar me pergjegjesi për atë që ndodhi në 1997. Ngjarjet e këtij viti janë një dosje e zezë që nuk ka për tu hapur kurrë”. Por në detaje ai kishte qefmbetje për një mbeshtetje të paktë në vitin e fundit nga ish Presidenti Berisha, (ose më saktë Berisha nuk e kishte mbrojtur nga disa sulme të padrejta që ai i quante shpifje). Kishte shume vrejtje e ngarkesa për punën e mardhëniet me Aleksandër Meksin,por  edhe një dozë negativiteti për Gazideden . Vec këtyre kishte një farë mllefi me gazetën Albania dhe e quajti atë”gazetë personale të Berishës dhe armike të Minisrtit të Mbrojtjes”. Po ashtu doza negativiteti, kryesisht për paaftësi  drejtuese më shprehu edhe për ish Sekretarin  e Shtetit për Mbrojtjen. I thashë se në se  e gjykon të arsyeshme, ju sygjeroj që problemin e gazetës Albania dhe të  Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen, mos i përmend në emission. Te tjerat unë nuk i di dhe s’mund t’ju jap asnjë këshillë. Kërkesën time ai nuk e mori parasyshë dhe të nesërmen të dy këto problemet e fundit i ceku në bisedë.

Pas emisionit të parë (për të cilin fola gjatë) ,e  të cilin  disa e kanë  konsideru si shumë  te vështirë dhe disa e  kanë quajtur edhe  të dështuar, kam parë një gamë të madhe puntatash që kanë rrokur problemet e ditës,por edhe të historisë e të perspektivës, etikës, estetikës, ekonomisë, kulturës, arsimit,shkences, sportit, shëndetsisë, rendit, mjedist, gjeografisë, gatimit, erotikës e shumë e shumë të tjera. Po të hidhej në letër cdo gjë që është thënë e bërë në këtë e për këtë emission, do të ishte një libër qindra mijëra faqesh dhe ndoshta me të drejtë do të quhej “enciklopedia e emisionit televiziv Opinion”.

Njerëz të ndryshëm kanë këndshikimi  e gjykim të ndryshëm për këtë emision. Por për mu ai ka qenë i dobishëm, informues, konkret, i prekshëm, i drejtpërdrejtë, jetëgjatë,e në mbrojtje të interest publik . Pikpamjet e mia politike janë të djathta dhe shpesh në “Opinion” kam gjetur vehten.Por edhe lëvrimi i pikpamjeve të së majtes shqiptare për mua  kanë qenë një gjë e drejtë dhe i pranueshem. Më kanë mbetur në kujtesë disa puntata  specifike (kujtime, përshtypje, analiza..) për  politikanët e shtetit shqiptar: Ismail Qemalin, Ahmet Zogun (dhe Familjen Mbretërore Shqiptare), Enver Hoxhën,Ramiz Alinë, Sali Berishën, Fatos Nanon, Edi Ramën, Lulzim Bashën,  Ibrahim Rugovën, Hashim Thaci, Ramush Haradinaj, Ali Ahmeti  dhe kohët e fundit edhe për Esat Pashë Toptanin etj. Këto puntata në shumicën e rasteve kanë qenë të balancuara me të mirat dhe të metat  e secilës figurë.Transmetimi dhe ritransmetimi i tyre mendoj se ka patur vlera historike dhe shpesh paqtuese për opinionin publik. Por po ashtu ruaj në kujtesë  me shume respect intervistat me Ismail Kadarenë, Isuf Vrionin, Dritëro Agollin e shumë e shumë të tjerë  të fushës artit e kulturës. Kurse  ( përvec specialistëve të fushave të vecanta të cilët janë vërtetë të shumtë),disa gazetar dhe analistë , në gjykimin tim ,e kanë mbajtur gjallë, i kanë  dhene  shpirt , i kanë dhënë frymarrje, e kanë bërë më të pranueshëm emisionin për një masë të madhe njezish duke  e cuar shikueshmerinë në nivelet më të larta në raport me emisionet e tjera. Shpresoj të mos ketë qefmbetje askush, por dëshiroj të ve në dukje disa emra të vecantë si: Zheji, Shkullaku,  Lubonja, A.Hoxha, Zogaj, Frangaj,  Bejtja, Peka, Dervishi, Rakipi, Balliu, Bushati, Vangjeli, i ndjeri Stefani, Nazarko,  Buzhala e shumë të tjerë që për momentin s’po më kujtohen. Këto,  krahas të qenit  personalite  publike me formin të gjërë  intelektual  e  me  dije të qëndrueshme i dhanë emisionit “opinion” një fytyrë të re.

Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia,  gazetari , publicisti  dhe shkrimtari Blendi Fevziu që e ideoi  e planifikoi dhe e realizoi  per njëzet vite emisionin televiziv”Opinion”, meriton shumë. Prapa tij është i pa dukshëm edhe një staf gazetarësh profesionist e me integritet (emrat e tecileve nuk më kujtohen përvec Drini Zeqos), të cilët  me punën e tyre e kanë ridimensionuar natyrën  dhe vërtetësinë e emisionit. Unë  jam tërësisht në  kundërshtim  me  pikpamjen e Zotit Edi Rama  që e quajti “kazan” si emisionin por edhe gazetarin  Fevziun . Emisioni nuk mund të them se  ka qenë i përkryer ne cdo puntatë, por  i dobishëm dhe në shumë raste  i domosdoshëm për  teleshikuesit. Ndoshta drejtuesi në disa raste e ka tepruar me ndërhyrjet vend e pa vend, ka lejuar që zhurma dhe personalizimi  ti bëjnë të qortueshme disa puntata të vecanta, por këto nuk e zvoglojnë këtë emission në përvjetorin e njëzetë të tij. Dëshiroj dhe shpresoj se edhe në të ardhmen  (me shume se deri tani) ,emisioni do të ketë integritetin e duhur, pavarsinë nga politika, kërkimin e së vertetës në interes te publikut.

Filed Under: Histori Tagged With: asllan Bushati, Blendi Fevziu, Emisioni Opinion, Safet Zhulali

VDEKJA E LARGET E KRISTINA KOLJAKES

August 22, 2017 by dgreca

1 Ylli Xhaferri 2

Nga YLLI XHAFERRI/

Po bëhen vite që përtej diellit e qiellit të Shqipërisë që i donte e dëshironte aq shumë , përtej oqeanit , në Amerikën e largët , vdiq e para skulptore shqiptare , Kristina Koljaka .

1 Kristina Koljaka

Ne Foto:Kristina Koljaka (4 qershor 1916 – 21 tetor 2005)/

Kjo vdekje kurrësesi nuk mund t’i shkonte asaj , që kishte qenë dyfish e gjallë dhe nënë , që i kishte dhënë gjak e qumësht fëmijëve të barkut të saj , që i kishte dhënë jetë e gjallëri argjilës , gurit e drurit , mermerit e alabastrës , bronxit të tokës amtare , që kishte kallur në zjarr e flakë pasionin e nxënësve për të bukurën e ngrirë që me daltën e tyre gdhendën fytyrën e ashpër të vuajtjes dhe gëzimit njerëzor . E ajo vdiq pa një fjalë shqipe , pa vajin e bashkëqytetarëve kavajas që e donin dhe respektonin si nënë e motër , u përcoll në banesën e fundit pa dorën ledhatare të nxënësve Muntaz Dhrami , Hektor Dule , Fuat Dushku , Arben Basha , Fitim Sula , Musa Qarri , Luan Berhami , etj . Kristina nuk është. Muzat dhe nimfat nuk vallëzojnë më ! Çukitjet e daltës jehojnë anembanë Shqipërisë . Këmbanat për shuarjen e saj në këtë heshtimë dimërore. Krijimet e saj monumentale , kudo që janë , rënkojnë . U tha dora që i ngjizi me dashuri dhe përkushtim . Kristina Koljaka përvijoi një figurë shumëdimensionale , si njeri me përmasat humane na kujton Nënë Terezën , ndërsa si artiste Vera Muhinas , skulptoren ruse me famë botërore. Artistët janë si re të bardha , qëndrojnë për një kohë të gjatë në qiellin e kaltër , duke na mrekulluar me magjinë e artit të tyre , pastaj treten , fjollëzohen në horizonintin e paanë , Si rrathë ajri , si krahë pëllumbi . Mbi qiellin kavajas prej muajsh një gjerdan reshë të bardha vjen nga deti , qarkon si gjerdan perlash kullën e sahatit dhe kodrinën pranë , pastaj si ta shpërndante me dorën mitike “ Hedhësi i farës “ i Konstadin Shpatarakut mbush fushëtirën , lagjet e qeta me një zbardhëllim qumështor . Qefini i munguar , që nuk mundën ta endnin në tezgjah qëndistaret duararta për motrën Kristinë që mori nga emri i tyre , por u dha dhe famë nga vetvetja . Eshtë shpirti i trazuar i artistes elitare që nuk prehet , nuk gjen paqe e qetësi larg horizontit piktorik kavajas . Atë nuk mund ta zërë dot një varr hapur në dhe të huaj , ajo ka plazmuar jetë , si një Evë moderne ruan të drejtën e amësisë në tokën që iu bë djep , por fatëkeqësisht jo varr për amëshim . Kristina kishte një zë impulsiv që kurrë se pranonte lodhjen dhe nuk e humbte asnjëherë shpresën . Përjetoi një tragjedi rrëqethëse , vrasjen e xhaxhait nga cubat e Haxhi Qamilit . Jani Koliaka , ky bashkëkohas dhe moshatar i aktorit të denjë për Hamletin , Aleksandër Moisiut , i shkëputi 2 vajzat e tij nga jeta e mbyllur dhe ferexheja , duke i dërguar në kolegjin “ Marcelline “ në Leçe të Italisë . Dy vitet larg Kavajës mblodhën në shpirtin e ndjeshëm të Kristinës dashuri dhe mall të pafund , si dhe hapësira fushore praën Qerretit , ku ajo humbej me orë të tëra të dëgjonte oshëtimën e dallgëve të detit . Endërrat e vajzës së vogël kalëronin Adriatikun , vraponin zbathur drejtë qytetit që e kishte skalitur në zemër . Me hapjen e kolegjit amerikan në Kavajë Kristina u kthye në vendlindje . Studjoja e saj e parë u bënë kostumet popullore qytetare kavajase që shkëlqenin sikur mbi to të ishte ulur vetë ylberi , dimijat prej mermeri larë në arë e argjend , dëshmi e kulturës dhe sqimës krenare për shpirtin aristokratik , vëllimet dhe format e peizazhit që krijonin një ëmbëlsi mikpritëse , ndërtesat e vogla dhe intime , ngjyrat dhe aromat e larmishme të luleve që amvisat i mbillnin parvazeve të dritareve dhe ballkoneve idilike , ambjentet baritore të Fosës dhe Leshniqes . Ajo nuk mungonte të shkonte pranë mjeshtrave baltëpunes që me duart e arta i jepnin formë dhe frymë argjilës . Para duarve të tonuara nga balta ajo ndjeu magjinë e krijimit . Mungesa e gurit në qytetin rrafshor në mileniumin e tretë frymëzoi bashkëqytetarin e saj , shkrimtarin Halit Shamata , të krijonte purgatorin e papërdorshëm , në romanin e absurdit logjik “ Dy dorëshkrime “ , ku një rremb i gurologut e pusologut të qytetit , vetëdijes historike dhe artistike të qytetit , frymëmonte edhe tek Kristina . Natyra i kishte falur me bollëk qytetit argjilën plastike , zeja e përpunimit të së cilës ishte aftësi e të gjithëve . Kukullat që modelonte Kristina piqeshin në furrat e tavave , shtambave dhe saksive me kujdes prindëror nga të rriturit . Pikërisht ato promovuan së pari artin e saj . Duke parë talentin e së bijës i ati e dërgon në Liceun Artistik të Romës , ku qe nxënëse e piktorit Bataglia .Këtu njihet dhe krijon miqësi me piktorin shkodran Zef Kolombi . Kristina dashurohet me skulpturën , dekoracionin që aq për zemër e kishin bashëqytetarët , nuk mund të harronte ikonat dhe afreskët muralë në Kishën e Shënepremtes , plastikën dhe vëllimet e artit klasik . Ajo përqafon devizën e Moisiut të Madh , “ Unë luftoj me të mirë e me të keqe , me të butë e me përdhunë për veprën , derisa të jetë mbushur me gjakun e me frymën time . Përmendim punimet e vitit 1933 : Nudo , Portret djali , Eros , Shën Gjon Pagëzori i vogël , etj . Më 1934 kthehet në atdhe . Fillon punë si mësuese ne Shkollën “ Nëna Mbretëreshë” në Tiranë . Lidh miqësi me nxënëset e saj Musine Kokalari , Vera Blloshmi dhe Safo Marko . Bëhet për to shembëlltyra që duhej të ndiqnin . Morali i saj ishte në forcën , vërtetësinë e vetes dhe veprës. Duke gdhendur realitetin , duke depërtuar në të , duke i dhënë frymë jetës , ajo 3 ishte shumë e moralëshme , jashtëzakonisht e vërtetë , plotësisht e besueshme . Më 1938 largohet për herë të tretë nga Shqipëria . Ndjek Akademinë e Arteve të Bukura në Romë , në drejtimin e artit klasik . Aty kishte mbaruar studimet para saj Vangjush Mio , Andrea Mana , Ibrahim Kodra . Kel Kodheli , Nexhmedin Zajmi , etj . Krijon galerinë me portretet: Nerina , Nudo ( Punim diplome në allçi ) , Portret i Shipion Afrikanit , etj . Më 1941 kthehet në atdhe . Jeton në Korçë ku dhe martohet . Vitet e vështira të luftës ia kushton rritjes së djalit dhe vetëpërsosjes së artit , nga i cili nuk do të hiqte dorë kurrë pavarësisht haraçit që duhej të paguante . Pas çlirimit vuan trusninë e vijës së masave , kolektivitetit përbuzës . Për të fituar bukën e gojës punon si dizenjatore reklamash për kinematë dhe rrobaqepse private . Përjeton tragjedinë e dytë , masakrimin e të atit më 1947 nga komunistët, inxhinerin Jani Koliaka , poliglotin që zotëronte 12 gjuhë , intelektualin patriot që nuk pranoi të vishte këmishën fashiste , por u përball me internimet e kohës .Përndiqet si pjesa më e madhe e familjeve të mëdha . Jeta e saj qe ferruar nga drizat shoqërore dhe familjare . Një numër i madh njerëzish e përdorin pjesën më të mirë të jetës së tyre për t’ua nxirë jetën të tjerëve . Fytafyt me absurdin e gulagut shqiptar . Forcën e merr si Anteu , sapo prek argjilën dhe mermerin . Më 1960 emrohet pedagoge ne Institutin e Lartë Tre Vjeçar të Arteve Figurative . Eksperienca e saj bëhet shkollë e madhe për brezat e rinj .Me shikim të kadifenjtë , të butë , e dashur , me një vështrim prej nëne , të folur të pastër , shembull saktësie , me këshillat dhe vrejtjet e saj na vriste me pambuk , shprehet me nostalgji për të ish-liceisti , Fitim Sula . Kristina krahas pedagogjisë krijon . Arti i saj fiton përmasa të reja . Ekspozon dhe fiton çmime të ndryshme . Veprat e saj vendosen shesheve dhe parqeve të Shqipërisë . Përmendim : Fidani , Fëmijët dhe pëllumbi , Doktor Shiroka, Balerina. Dora D’Istria , etj . Pasioi i saj titanik për skulpturën nuk mund të shuhej . Me 21 prill 2000 shpallet “ Mirënjohja e Qytetit të Tiranës . Më 19 Janar 2001 Bashkia e Qytetit të Kavajës e shpall “ Qytetar Nderi “ . Tanimë në moshë të thyer dhe shëndet të rrënuar merr si shpërblim mirënjohjen dhe respektin aq shumë të munguar për shpirtin e saj të ndjeshëm . Në vitet 90 vjen largimi i saj i katërt nga Shqipëria . Shkon në Amerikë pranë djalit . Edhe pse nën hijen e “ Statujës së Lirisë “ nuk mund të rrijë gjatë . Mungonte amëza e mëmëdheut . Flisja me fotografitë e skulpturave të mija , sepse skulpturat flasin gjuhën që u jep autori . Kështu 4 mbushja disi boshllëkun që kurrësesi nuk mund të mbushej . Prandaj u ktheva . Mes miqsh shprehet : Të keqen , o diell i Shqipërisë ! Vetëm ai e ngrohte shpirtin e saj akullimë . Në vitet 2000 ikën për të pestën herë nga Shqipëria . Një lajm i zi erdhi nga përtej detit . Pamporr , o dhogë e zezë ! Kristina nuk është më. Ajo duhet të ketë kthim . Në tokën që iu bë djep , duhet të thellohet dhe varri i saj . Kthimi pritet . Në zemrat e të gjithëve ka vend për të , toka që e lindi dhe e rriti do t’ia ruaj edhe hisen e varrit . Dielli i Shqipërisë do ta ngrohë atë . Me domosdo ! Mbi Kavajë nuk do të shpështillet kurrë gjerdani i reve , qefini i saj i munguar . Të prehet shenjëtorja në dheun e vet ! Mos e zgjoni ! Nuri i saj shndrit . La pas kuptimin e jetës dhe vdekjes . Rrëshkiti në heshtje . Arti është i gjatë , jeta është e shkurtër.. .

Filed Under: Histori Tagged With: E KRISTINA KOLJAKES, VDEKJA E LARGET, Ylli Xhaferri

AMBASADA NE WASHINGTON: LIBER ZIJE PER DR. BAJRAM REXHEPI

August 22, 2017 by dgreca

Ambasada e Kosoves ne Washington: Libri i zisë për ish Kryeminstrin Dr. Bajram Rexhepi/

2 Dr Bajram Rexhepi

Në emër të Ambasadores Çitaku dhe stafit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Uashington, DC, njoftohet komuniteti se libri i zisë për t’i bërë nderimet e fundit ish Kryeministrit të parë të Kosovës, Dr. Bajram Rexhepit, do të jetë i hapur prej orës 11:00 deri në orën 15:00 të enjten, më 24 gusht, dhe të premten, më 25 gusht, nëzyrat e Ambasadës – 2175 K Street, NW, Suite 300, Washington, DC 20037.

Embassy of the Republic of Kosovo

2175 K Street, NW, Suite 300

Washington, DC 20037

T: (202) 450-2130 | F: (202) 735-0609

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: ambasada e Kosoves, Bajram Rexhepi, dr, Liber Zije, Vlora Citaku

TRE PROBLEM NЁ PЁRBALLJEN ME TERRORIZMIN

August 22, 2017 by dgreca

TRE PROBLEME PЁR T’U PЁRBALLUAR NЁ LUFTЁN NDAJ TERRORIZMIT/

Shkruar nga Angelo Panebianco/

Shqiperoi:Eugjen Merlika/

  Mbёrritur nё kёtё pikё, nё kёtё fazё tё luftёs qё terrorizmi po drejton kundёr nesh, Evropa ka para saj tre probleme, dy tё fundit, kryesisht, tepёr tё vёshtirё pёr t’u zgjidhur. I pari, nё teori (por vetёm nё teori) ёshtё mё i thjeshtё, ka tё bёjё me foreign fighters, ata qё, qoftё edhe nё zotёrim tё njё nёnshtetёsie evropiane, kthehen n’Evropё mbasi kanё luftuar nё rradhёt e Shtetit islamik. I dyti – me njё rrugёzgjidhje shumё mё tё vёshtirё – ka tё bёjё me quantum (sa) liri Evropa ёshtё e gatёshme tё flijojё nё shkёmbim tё njё sigurie mё tё madhe, tё njё aftёsie mё tё madhe pёr tё mbrojtur jetёn e qytetarёve tё saj tё paarmatosur, nga veprimet e luftёs tё kryera nga “ushtarёt” – pasues tё luftёtarёve tё lashtё tё fesё myslimane – tё zotuar me xhihadin. Sё fundi, problemi i tretё ka tё bёjё me çfarё çmimesh, politike e shoqёrore, duhet tё paguajmё pёr tё fituar bashkёpunimin veprues tё bashkёsive myslimane evropiane me qёllim identifikimin, mёnjanimin e ndjekjen e xhihadistёve.Mbi çёshtjen e parё  nuk duhet tё jetё e vёshtirё tё gjendet zgjidhja. Bёhet fjalё pёr tё vendosur nё nivel evropian, e pёr tё pёrkthyer  nё ligjёshmёritё kombёtare, norma qё i shpallin luftёtarёt e kthyer tё Shtetit islamik kriminelё lufte – njerёz qё kanё kryer krime kundёr njerёzimit, e qё mund tё kryejnё ende – pёr t’u arrestuar e pёr t’u dёnuar me burgime tё gjata. Pёrndryshe do tё mbeteshin atёherё nё gjendje tё lirё tё rij tё kёrcyer, fajtorё pёr mizori, tё stёrvitur nё pёrdorimin e armёve dhe luftёtarё tё regjur. Nuk ka asnjё shkelje tё parimeve liberale (ёshtё vetёm njё veprim parak vetёmbrojtjeje) nёse ata vihen nё kushte tё mos bёjnё dёme. Ёshtё absurde qё kёto vendime ende nuk janё marrё.

Shumё mё i ndёrlikuar ёshtё problemi i dytё. Ka tё bёjё me mёdyshjen liri/siguri. Ka tё bёjё me çёshtjen , aq tё vёshtirё pёr t’u trajtuar nё demokracitё liberale, tё pushteteve tё gjёndjes sё jashtёzakonshme. Shumё prej atyre qё rrezikojnё jetёn e evropianёve nuk janё foreign fighters, janё njerёz qё janё radikalizuar sё fundi (siç ka shkruar Guido Olimpio nё Corriere tё djeshme ) Ҫёshtja, nё dramaticitetin e saj, ёshtё e thjeshtё : ose ndalohen mё parё se tё godasin ose duhet t’i nёnёshtrohemi faktit se do tё vdesin shumё njerёz tё pambrojtur. Por nёse kёrkohet tё ndalohen mё parё se tё veprojnё, kur ende mjaftohen me shfaqjen e ideve xhihadiste dhe me shoqёrimin e tё tjerё tё radikalizuarёsh si ata, atёherё duhet tё kuptojmё se si kjo mund tё pajtohet me mbrojtjen e lirisё sё fjalёs apo tё shprehjes. Duke u kufizuar me pёrzёnien (masё herё herё e pёrdorur nga qeveritё evropiane, edhe nga e jona), nuk ёshtё e mjaftueshme. Qoftё se njё pjesё ёshtё e pёrbёrё nga qytetarё evropianё, pёr tё cilёt ajo masё nuk mund tё zbatohet. Qoftё sepse i pёrzёni mbetet gjithmonё njё bumje e gatёshme tё shpёrthejё diku tjetёr. E pёrze nga Franca apo nga Italia dhe ai gjen mёnyrёn tё shkojё tё vrasё (apo tё rekrutojё ata qё do tё vrasin) nё Gjermani apo nё Spanjё. Ҫ’duhet bёrё pra ? Ёshtё e qartё se i takon Evropёs (nё kuptimin e Bashkimit Evropian) t’i tregojё atij qё kundёrshton dobinё se ajo i vlen diçkaje edhe nё fushёn e sigurisё. Pёr tё shmangur mundёsinё qё normat e prirura tё bllokojnё xhihadistёt kur paraqesin ende njё kёrcёnim tё mundshёm, tё kalojnё shtegun, nёpёrmjet tё cilit me kohё mund tё kalojnё masa iliberale nё gjendje pёr tё goditur tё gjithё, n’Evropё duhen marrёveshje tё qarta, vendime tё kthjellta, caqe tё vendosura mirё. Por diçka duhet bёrё. Kush thotё jo, kush thotё se nuk duhen masa ad hoc pёr tё pёballur terrorizmin islamik ( dhe qё duhet vetёm t’i nёnёshtrohemi bashkёjetesёs me tё) kujton shprehjen e mrekullueshme tё Ennio Flaiano-s mbi revolucionarёt qё ndёrtojnё barrikadat me mobiliet e tё tjerёve. Ata luajnё mbi mundёsitё : e quajnё pak tё mundёshmeqё viktimat e ardhёshme tё atentateve tё jenё ata vetё, t’ afёrmit apo miqtё e tyre. Liberalёt gjithmonё kanё ditur tё dallojnё situatat nё tё cilat siguria ёshtё relativisht e garantuar nga situatat kur nuk ёshtё, dhe kanё kuptuar gjithmonё se nё rastin e dytё, nёse bёhet fjalё pёr tё flijuar disa liri, ёshtё mё mirё qё kjo tё bёhet de jure, mbas njё rrahje mendimesh publike, se sa tё bёhet nё fakt, nё heshtje, fshehurazi, nёn trysninё e gjёndjes sё nevojёs.

Problemi i tretё ka tё bёjё me marrёdhёniet e ardhёshme me bashkёsitё myslimane  evropiane. Qeveritё duhet tё zhvillojnё bisedime (nё mёnyrё tё lёvdueshme janё duke e bёrё) me ato bashkёsi. Bёhet fjalё pёr tё qartёsuar pёrmbajtjet e shkёmbimeve tё pashmangёshme politike (tё kёrkohet bashkёpunimi i tyre me aparatet evropiane tё sigurisё, nё shkёmbim tё çfarё gjёje?) Ёshtё shqetёsuese qё nuk flitet haptas. Duhet tё vendoset se çfarё ёshtё e trajtueshme e çfarё jo, çfarё shpagimesh janё tё pranueshme e cilёt janё tё papranueshme. Bёhet fjalё edhe pёr faktin se duke biseduar, nuk duhen ligjёsuar pёrbёrёsit mё skajorё t’atyre bashkёsive. Shpesh n’Evropё bёhet gabimi i tmerrshёm tё quhen “tё moderuar” integralistёt qё nuk vrasin. Ata nuk vrasin por janё, kulturalisht, familiarё t’afёrm t’atyre qё e bёjnё. Bёhet fjalё pёr tё zgjedhur me kujdes bashkёbiseduesit, me qёllim qё çmimi i paguar nё shkёmbim tё njё ndihme kundёr terrorizmit, mos tё jetё shumё i lartё, mos tё jetё i tillё qё tё largojё nё krye tё disa viteve Evropёn nga vetvetja, nga historia e saj, nga parimet e veta. Sa mё parё tё fillojmё tё flasim aq mё mirё ёshtё.

 

“Corriere della Sera” , 20 gusht 2017                 E shqipёroi Eugjen Merlika

Filed Under: Featured Tagged With: Angelo Pianebianco, Eugene Merlika, ME TERRORIZMIN, NЁ PЁRBALLJEN, TRE PROBLEM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1835
  • 1836
  • 1837
  • 1838
  • 1839
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT