• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

STUDENTE QE STUDIONI NE SHBA, KUJDES ME VIZEN!

July 28, 2017 by dgreca

Njoftim nga Ambasada amerikane në Tiranë për për studentët që studiojnë në SHBA./

1njoftim per studentet shqiptare ne SHBA

Më datën 27 korrik 2017, Ambasada amerikane në Tiranë ka dhënë një lajmërim për të gjithë studentët shqiptarë që studiojnë në SHBA.Ambasada njofton se “nuk është nevoja që studentët të kthehen në Shqipëri gjatë pushimeve verore vetëm për të rinovuar vizën”.

Megjithatë ajo njofton se “nëse ktheheni në Shqipëri gjatë verës dhe viza juaj skadon apo ka skaduar, sigurohuni që të nisni procesin e rinovimit të vizës të paktën tre javë para se të udhëtoni”.

Njoftimi i Ambasadës

Studentë, vini re – nuk është e nevojshme të ktheheni në Shqipëri gjatë pushimeve verore vetëm për të rinovuar vizën. Megjithatë, nëse ktheheni në Shqipëri gjatë verës dhe viza juaj skadon apo ka skaduar, sigurohuni që të nisni procesin e rinovimit të vizës të paktën tre javë para se të udhëtoni. Ndonjëherë mund të ketë vonesa gjatë procesit dhe ju nuk do të doni të vonoheni!

 

Filed Under: Emigracion Tagged With: KUJDES ME VIZEN!, QE STUDIONI NE SHBA, STUDENTE

Kush është deputeti grek që kërcënoi Shqipërinë?

July 28, 2017 by dgreca

*Deputeti Stefano Gjika,që nga viti 2009, ka kërkuar veto nga Greqia për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa e shpallur Autonominë e Veriut të Epirit( aneksim të jugut të Shqipërisë). /

*Deputeti GJIKA ka shoqëruar disa ditë kandidatin e PBDNJ për kryetar të bashkisë së Konispolit Anastas Gudën, më 2015, si dhe kandidatin për kryetar për bashkinë e Himarës, Fredi Dionis Belerin. Në zgjedhjet e qershorit 2017, Stefan Gjika u pa disa herë në jugun e Shqipërisë i shoqëruar nga Vangjel Dule./

1 Stefanos Gjika, ne fushate ne Shqiperi me PBDNJNga Arben LLALLA/Deputeti i partisë greke Demokracia e Re Stefano Gjika që kërcënojë Shqipërinë për Veto në anëtarësim në BE pasi u prishën disa ndërtime pa leje në Dhërmi nuk është një figurë e panjohur për shqiptarët dhe Shqipërinë. Ai  që nga viti 2009 ka kërkuar veto nga Greqia për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pa e shpallur Autonominë e Veriut të Epirit( aneksim të jugut të Shqipërisë).

Stefanos Gjika ka qenë një nga gjeneralët e lartë të flotës detare të ushtrisë së Greqisë. Ai në vitin 1991 ishte drejtues i Fregatës “LIMNOS”, F-451. Nga viti 2000-2003, përfaqësues diplomatik i Greqisë në selinë e NATO-s në Bruksel. Gjatë kësaj periudhe ishte përpilues i bashkëveprimeve të NATO-s me Bashkimin Evropian. Në vitin 2003-2004, komandant i Fregatës “SALAMIS”, F-455.

Spilio me JnaullatosinPasi erdhi më 2004, në pushtet Demokracia e Re e udhëhequr nga Kosta Karamalis, Stefanos Gjika nga viti 2004-2007, ishte drejtori i shtypit dhe zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Greqisë. Stefanos Gjika ka qenë edhe njëri nga përpiluesit e marrëveshjes të kufirit detar të Greqisë me Shqipërinë e cila u nënshkrua nga dy qeveritë në 27 Prill 2009.

Kur u nënshkrua kjo marrëveshje në Tiranë, Prill 2009, gjenerali i flotës greke Stefano Gjika bashkë me oficerin e lartë të aviacionit grek, Spilio Spilotopulo bënë një takim me kryepeshkopin e Shqipërisë, Anastasin. Se çfarë lidhje ka patur kryepeshkopi i Shqipërisë atë periudhë me këta dy ushtarakë të lartë grek, kjo mbetet tani për tani enigmë.

Më 22 Maj, deputeti Stefanos Gjika iu drejtua me pyetje ministrit të jashtëm grek Nikos Koxhas: A do të kushtëzohet pranimi i Shqipërisë në BE me kushtin e riaktivizimit të marrëveshjes së kufirit detar të nënshkruar më 27 Prill 2009 nga qeveria e shkuar?

Fill pas kësaj pyetje që ish-gjenerali, sot deputet, Stefanos Gjika i bëri ministrit të jashtëm për veto ndaj anëtarësimit të Shqipërisë në BE nëse nuk riaktivizohet marrëveshja e kufirit detar midis dy vendeve e vitit 2009, gazetat u mbushën me shkrime se Greqia do bllokojë Shqipërinë të anëtarësohet në BE ashtu siç ka bllokuar deri tani anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Më tej, kjo çështje u diskutua edhe në Kuvendin Evropian, ku eurodeputetja Theoharus ngriti të njëjtën çështje duke deklaruar hapët se Greqia do e bllokojë Shqipërinë e padëgjueshme.

Deputeti në fjalë Gjika disa herë ka qenë aktivë në zgjedhjet Vendore dhe për deputetë në Shqipëri. Ai ka shoqëruar disa ditë kandidatin e PBDNJ për kryetar të bashkisë së Konispolit Anastas Gudën, më 2015, si dhe kandidatin për kryetar për bashkinë e Himarës, Fredi Dionis Belerin. Në zgjedhjet e qershorit 2017, Stefan Gjika u pa disa herë në jugun e Shqipërisë i shoqëruar nga Vangjel Dule.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, për Veto, Stefano Gjika që kërcënojë Shqipërinë

Prishtinë-Festival poetiko-letrar me krijues nga diaspora

July 28, 2017 by dgreca

-Festivali poetiko-letrar “Promenadë mërgimtare 2017” do të vazhdojë me orën letrare, e cila do të ketë karakter garues/

1 Murati Diaspora

PRISHTINË, 28 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/  Mbështetur nga Ministria e Diasporës e Qeverisë së Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me moton “Ti je pjesë e atdheut”, u mbajt festivali poetiko-letrar  “Promenadë  mërgimtare 2017”.Njoftimi dërguar nga Ministria thekson se, ky aktivitet po organizohet  në kuadër të takimeve tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora. Festivalin e poezisë e hapi shkrimtari Hasan Qyqalla, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, i cili, ndër të tjera, tha se niveli i kulturës së një kombi matet me dy komponentë:  e para konsumimi, leximi i krijimeve letrare artistike dhe promovimi i vlerave artistike.

Ministri i Diasporës, Valon Murati, i pranishëm në këtë ngjarje kulturore,  tha se ky aktivitet është vazhdimësi e përpjekjeve për ta mbajtur gjallë frymën, atdhedashurinë dhe letërsinë shqipe edhe në mërgatë.“Përmes aktivitetit artistik letrar, ju ndihmoni në mbajtjen gjallë të gjuhës shqipe, promovimin e identitetit tonë kombëtar, shpërfaqjen e vlerave tona edhe në raport me vendet ku jetoni”, theksoi ndër të tjera ministri Murati.Ndër veprat e shumta që sot u promovuan ishin edhe: “Në ëndrra digjet nata”, e autorit Hasan Qyqalla, “Kthimi”, i autores Majlinda Nana Rama etj. Po ashtu, u promovua edhe  revista “Mirdita”, e shoqërisë kulturore-artistike “Mirdita”.

Festivali poetiko-letrar “Promenadë mërgimtare 2017” do të vazhdojë me orën letrare, e cila do të ketë karakter garues./b.j/

Filed Under: Emigracion Tagged With: Behlul Jashari, Festival poetiko-letrar, Minstri i diaspores, Murati

ARSHI PIPA- ME RASTIN, E 20-VJETORIT, TË VDEKJES

July 28, 2017 by dgreca

arshi_pipa 2(1)

Arshi Pipa, veprat e të cilit nuk do të dinë kurr mort, është i denjë i kujtimit dhe i nderimeve tona ndërkohë që meriton mirënjohjen e të gjithë Shqiptarëve, jo vetëm sot me rastin e 20-vjetorit të vdekjes, por gjithmonë./

1 frank Shkreli

Nga Frank Shkreli/ Të ënjtën me 27 Korrik në Muzeun e Kujtesës së krimeve Komuniste në Shkodër u përkujtua 20-vjetori i ndarjes nga kjo jetë në Washington, shkrimtari, politologu dhe kritiku i cili u përndoq dhe u burgos nga regjimi komunist, për qëndrimet dhe bindjet e tija anti-komuniste, njofton nga Shkodra, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo.  Sipas korrespondetit Sulo, pjesëmarrësit në këtë përkujtim u shprehën se Profesor Arshi Pipa dha kontribut të shquar në fushën e albanologjisë, demaskimit të komunizmit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare, ndërsa vepra e tij nuk njihet plotësisht nga publiku shqiptar shprehet Pëllumb Sulo në kronikën e tij nga Shkodra.

Profesor Arshi Pipa lindi në Shkodër me 28 Korrik, 1920 dhe ndërroi jetë në Washington në vitin 1997.  Ai kaloi pjesën me të madhe të jetës së tij jashtë Atdheut, në mërgim të detyruar.   Arshi Pipa ishte shume i njohur në qarqet akademike e kulturore në Perëndim e sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara, por gjatë periudhës së komunizmit ishte “persona nongrata” si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Megjithëse nuk e ndjejë veten as të denjë dhe as të kualifikuar për të shkruar për Arshi Pipen dhe veprat e tijë, dua vetëm të shënoj këte përvjetor si një detyrim, pasi e kisha njohur atë dhe motrën e tij Fehimën me të cilën kam punuar në Zërin e Amerikës për disa vjetë. Ndjejë një detyrim moral — për vuajtjet e kësaj familjeje nën regjimin e Enver Hoxhës, për burgun që pësoi Arshiu vetë në ferrin komunist shqiptar dhe per vrasjen nga regjimi komunist i të vëllait të tyre, avokatit të njohur shkodran, Myzaferin — që me dy tri fjalë të përkujtoj këte njeri të madh të kombit, në këte pervjetor të kalimit në amshim. Fatkeqsisht, familja Pipa e pësoi shumë keq nga komunizmi. Ishte kohë e keqe për të gjithë shqiptarët, kur burgosej shkrimtari dhe kur vritej avokati, vetëm e vetëm sepse mendonin ndryshe.  

Arshi Pipa përveç kontributeve të mëdha që i ka lenë kombit në fushën e letërsisë, gjuhësisë, filozofisë dhe publicistikës — në bazë të takimeve e bisedave të disa hershme me të në Washington — Arshi Pipën e mbajë mend më shumë si atdhetar dhe antikomunist, pasi afër zemrës kishte dashurinë për Shqipërinë dhe çlirimin e saj nga komunizmi. Ky ishte shpesh subjekt bisedash. Unë e vlerësoj shumë qendresën e tij anti-komuniste. Megjithëse kishte vuajtur ferrin në burgjet e Shqipërisë komuniste, duke e shikuar vdekjen në sy, ai kurrë nuk humbi shpresën për liri për veten dhe për kombin shqiptar dhe si rrjedhim, për këte ideal ai punoi pa ndërprerje deri në minuten e fundit të jetës së tij. Ai shpesh thonte se “Komunizmi nuk ka të ardhme. Ai do të përsëritet në involucjone gjithnjë ma të dobëta derisa të shterret vetvetiu”, kishte profetizuar ai.
Takimi im i parë me Arshi Pipën nuk ishte në person, por ishte Libri i Burgut, i shkruar prej tij ndërsa ishte në burg, si një dokument kundër regjimit komunist.  Një libër ky për të cilin vet autori ka thënë se “… u nis me qëllim që libri të delte nga burgjet prej të cilave unë ndoshta nuk do të delsha… Kështuqë, qysh heret shestova me mbledhë përvojen time, dhe jo vetëm timen, të kohës së robënisë, që të ishte ky libër dëshmi e jetës së burgut dhe të kampit — e një anës së jetës nën diktaturën komuniste e cila karakterizon mirë gjithe kompleksin.”  Kështuqë, pa e takuar në person, unë kisha njëfarë ideje se kush ishte Arshi Pipa, dhe se cilat ishin qëndrimet dhe bindjet e tija. Unë kam pas fatin të takoj këte dijetar të madh tonin disa herë dhe e kam admiruar sa ishte gjallë si edhe pas vdekjes. Ishte parimor, mbronte me aftësi qëndrimet e tija ndërkohë që kishte një përgatitje të dijës së gjithanshme. Dituria e tij ishte rrjedhim e frutë e studimeve të parreshtura dhe vuajtjeve personale e familjare. Ai, në bisedë të angazhonte intelektualisht dhe në argumentat e tij kishte një gjallëri përbindese të idealeve.
Arshi Pipa personifikonte patriotin dhe intelektualin, ndër më të shquarit e kombit shqiptar, i cili asnjë ditë të jetës së tij nuk pushoi së luftuari për liri e demokraci: për lirinë e fjalës, për lirinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, gjithmonë në papajtueshmëri të plotë dhe të vendosur ndaj regjimit dhe diktaturës komuniste.

Sot, në këte 20-vjetor të vdekjes, kujtojmë Arshi Pipën, personalitetin e madh kulturor, poetin e shkrimtarin, atdhetarin, demokratin e anti-komunistin e flakët që vuajti tmersisht në burgjet e diktaturës komuniste të regjimit të Enver Hoxhës. Kujtojmë gjithashtu personin që mund të thuhet, se jo vetëm që nuk është zbuluar ende si duhet nga publiku shqiptar — ashtu siç vunë në dukje edhe pjesëmarrsit e përkujtimit të tij në Shkodër të ëntjën — por mund të thuhet se nganjëherë e nga disa, ai mbetet i keq kuptuar dhe është trajtuar në mënyrë indiferente, për të mos thënë armiqësore, sidomos nga institucionet kulturore dhe akademike, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Le të shpresojmë që përkujtimi i këtij burri dhe intelektuali të madh të kombit, si ai në Shkodër, të ndihmojë në ruajtjen e trashëgimisë së konsiderueshme të këtij kontribuesi të palodhur të kulturës, shkrimeve dhe studimeve shqiptare, duke zenë vendin që i takon në radhëlt e shkrimtarëve më të njohur shqiptarë. Arshi Pipa gjithë jeten dhe vuajtjet ia kushtoi atdheut dhe kombit. Ai ishte ndër më të ndritshmit patriotë e shkollarë, veprat e të cilit janë jetike për kombin e vuajtur shqiptar nga terri 50-vjeçar komunist.

Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga dogmat e vjetra dhe të vlerësohen shkencërisht kontributi dhe vlerat që kanë veprat e elitës së qendresës anti-komuniste shqiptare, përfshirë edhe veprat e Arshi Pipës. Një gjë e tillë, do të rivendoste dinjitetin dhe nderin e nepërkëmbur njerëzor të elitës së vuajtur dhe të viktimizuar shqiptare dhe do i bënte nder kombit.
Arshi Pipa tërë jetën u mor me fatin e atdheut të vet, prandaj, në këte 20- vjetor të vdekjes së tij, ta kujtojmë, dhe ta nderojmë këte dijetar që solli dritë mbi historinë dhe kulturën shqiptare, si përfaqsues u denjë në boten e jashtme, me dinjitet duke e paraqitur kombin shqiptar si të denjë të zejë vendin qe i takon në radhët e kombeve të qytetëruara. Duke i këthyer ligjëshmërinë dhe vendin që i takon Arshi Pipës dhe veprave të tij në historinë e kombit shqiptar, Shqipëria dhe shqiptarët nuk bejnë asgjë tjetër veçse vene në dukje fisnikërine e vetës ndaj bijëve dhe bijave të kombit që kanë nderuar por që deri tashti nuk janë ende të njohur ashtu siç duhet për publikun e sidomos për brezat e rinjë të shqiptarëve.
Arshi Pipa — veprat e të cilit nuk do të dinë kurr mort — është i denjë i kujtimit dhe i nderimeve tona ndërkohë që meriton mirënjohjen e të gjithë Shqiptarëve, jo vetëm sot me rastin e 20-vjetorit të vdekjes, por gjithmonë.

Filed Under: Opinion Tagged With: ARSHI PIPA- ME RASTIN E 20-VJETORIT TË VDEKJES, Frank shkreli

Nji Trekendësh Bermude… në Lushnje!

July 27, 2017 by dgreca

 Jozef RadiShpend Sollaku NoéGëzim Hajdari

nga Jozef Radi/*

Një përvjetor i përbashkët dhe heshtja e padenjë e një kohe që s’e gjen vetvete! /

Dikur aty nga fillimvitet ’70, ose me saktë në vitet ’74-’76, në të njejtën klasë të gjimnazit të vetëm të qytetit të Lushnjes, (që asokohe quhej “20 Tetori”!), na ishin tre djem që vinin nga tre pika të ndryshme të Myzeqesë: njeri nga qyteti, tjetri nga njw fshat majekodre dhe i fundit nga nji kamp internimi…

Ishin kohë të vështira, por rinia edhe në të keqen më të madhe, di ta ngjyrosë jetën me shumë dritë. Nëse guxoj t’u vë nga nji nofkë secilit prej këtyre tre personazheve gjimnazistë: të parin do ta quaja: Rrebeli; të dytin: Finoku dhe të tretin Tërrnuri!! Sigurisht, tri nofka të ngjyrosura disi negativisht për kohën, ama tipike të asaj periudhe që ata i përkasin; po nëse do të kërkoja t’i zbusja sadopak këto emërtime negative e tua përshtasja vlerave të secilit, të parin do ta quaja Pasionanti i Pashëm; të dytin i Drojturi Darsisë; e të tretin Gjatoshi i Rafinuar… Pra, ngado që ta thur e ta shthur kët fakt, Trekëndëshi i Bermudës… më del i plotë…! në Lushnje, apo ndokund tjetër, kjo pak çon peshë, rëndësi ka që jeta e këtyre tre djemve me të njejtin numër vitlindjeje mbi shpinë 57, veç vitit, kishin të përbashkët edhe qytetin: të njejtën shkollë, të njejtën klasë, e nganjëherë edhe të njejtën bangë…! Kështu, ata (veçmas dhe tok) kanë pjesë realitetesh të përbashkëta, rrugësh të përbashkëta, guximesh të përbashkëta, sakrificash të përbashkëta, tëhuajsime të përbashkëta e që sot, (ashtu si edhe dje) duke i ndjekur vetet nga lartësia e 60 viteve ku kanë mbrritur, ata me të drejtë mund të besonin se atdheu, qyteti, shkolla, shoqëria apo edhe banorët më me kulturë të atij vendi… do të kujtoheshin qoftë edhe për nji ftesë kortezie (mirësjelljeje), për t’i pasur të pranishëm në biseda mes tyre…

E vërtetë është, se në kët këndvështrim ata prej kohësh ndjehen: “të përjashtuar nderi” të shoqërisë shqiptare, të qytetit të Lushnjes dhe gjimnazit të tyre!

Gjithkujt mund t’i lindë pse-ja e madhe dhe të pyesë: mos të tre së bashku ishin kompllotistë të mëdhenj, o mos mediokër mendjeflladitur, o ndoshta xanxarë të pandreqshëm… Mos ndoshta ende janë të tillë…?!

Mbetem i bindur që edhe sikur të ishin të tillë, të tre veçmas po edhe së bashku mbeten përçues të dashurisë pa asnji kompromis për vendin e tyre… Secili prej të treve – ka sot nji vepër dhe një angazhim solid sa brenda aq edhe jashtë territorit të atdheut, të tre ata (veçmas dhe bashkë) janë një atdhe shetitës, dhe shoqëria shqiptare asnji sekondë s’ka jetuar jashtë trazimeve të tyre… Vepra e secilit prej tyre, (po edhe e të treve bashkë) s’është tjetër veçse dashuri sublime ndaj një gjuhe, ndaj qytetit, ndaj një vendi dhe krejt nji bote për të cilën të tre (së bashku dhe secili më vete), duhej të ishin nji krenari jo e pakët e çdo lexuesi apo dashamiri të letrave po edhe krejt asaj që quhet e përbashkëta jonë…

Sot ata jetojnë dhe ndjehen të  nderuar e të respëktuar, po aq sa ndjehen edhe të përjashtuar e të shpërfillur nga vendi i tyre, dhe vepra e tyre jeton jashtë çdo komunikimi dhe vlerësimi që ata meritojnë…

Megjithatë në vetmitë e tyre të shenjta, ata ndjehen bashkë, si dëshmi të nji vullneti të epërm e të paepur, me kokfortësinë e sakrificës në rrugën e Letrave dhe në të vërtetat sublime që ata prej kohrash ndjekin…

Të tre këta djem të një atdheu s’e gjen vetveten, të një qyteti, të një shkolle, të një klase e të një bange prej me shumë se një çerek shekulli jetojnë paqshëm në Gadishullin e Çizmes, vetëm për të mos qenë të shtypur, në një tjetër trekëndësh (jo Bermude sigurisht) mbasi njëri jeton maje Alpeve, tjetri buzë Tirrenit dhe i treti në brryl të Adriatikut, gjithnji në përpjekje që klithma e shpirtit të tyre, qoftë edhe si jehonë t’i mbrrijë brigjet e Shurdhësisë së Madhe…

Mbas gjithë kësaj ligjërate, që do të mbetet gjithnjë e papërfunduar, për këta tre protagonistë “të panjohur” e të veçantë, e drejtë do të qe  të shfaqeshin me emrat e tyre,  edhe me vepra e tyre… në mënyrë që të tejkalohen fjalët e manipulueshme nga erërat ideollogjike dhe të ktheheshim te “Scripta manent” e latinit, që besoj se do të ishte më e drejta gjë për ta.

Ata quhen: Shpend Sollaku Noè, Gëzim Hajdari dhe Jozef Radi…

E mirkuptojmë, atdheun e madh të zhytur në halle të mëdha, e s’mund të merret me vogëlsira, mirë edhe qyteti i tyre gëlon prej figurash të përndritura dhe s’di kujt t’ia prishë e kujt t’ia ndreqë më parë, po ajo shkolla, ajo klasa ku këta tre djem kanë studiuar me sakrifica, dhe kanë shfaqur shenjat e para të vlerave të tyre, nuk paska aq fuqi sa ta dëshmojë vetveten e t’i ftonte këta djem. Duhej ta kishte për nder, që nga gjiri i një klase (rast jo fort i shpeshte) kanë dalë tre djem që në të mirë a në të keq, janë zëra letrarë, të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe; se ata kanë qenë mësues, kanë drejtuar revista dhe gazeta, kanë shkruar me dhjetra libra, në shqip e gjuhë të huaja, kanë folur publikisht në media të vendit e të huaja për çeshtjet dhe kulturën shqiptare, dhe se asnjë njollë kompromisi a korrupsioni s’mbajnë figurat e tyre…

A nuk do të qe më se e meritueshme që të tre ata, në të 60 vit të jetës së tyre, të ishin të ftuar, të vlerësuar e të dëgjuar në auditoret e së njëjtës shkollë, ku ata si nxënës me njëmijë sakrifica u ngjizën si modele lirie, si talente dhe si intelektualë jashtë pushteteve korruptive, modele të gjalla, të vërteta e të prekshme që dëshmojnë se talenti edhe pa pushtetin edhe pa partitë mundet të çajë rrugën e tij dhe ta realizojë vetveten, në shpërfillje dinjitoze të gjithë Trekëndshave Fatalë të Bermudës shqiptare…

shtator 2015-korrik 2017

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Jozef Radi, ne Lushnje, Nji Trekendësh Bermude...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1886
  • 1887
  • 1888
  • 1889
  • 1890
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT