• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Papa Françesku emëroi dom Gjergj Metën Ipeshkëv të ri të Rrëshenit – Mirditë

June 15, 2017 by dgreca

1 gjergj MetaPapa Françesku pranoi dorëheqjen e Shkëlqesisë së Tij, imzot Cristoforo Palmieri, nga detyra e qeverisjes baritore të dioqezës së Rrëshenit e njëkohësisht, emëroi ipeshkëv të ri të Rrëshenit, imzot Gjergj Metën, deri tani, vikar i përgjithshëm i kryedioqezës Tiranë-Durrës. Ja fjala pas emërimit e atij, që jemi mësuar ta ndjekim në shtyp në mbrojtje të vlerave të krishtera në shoqëri:

Përshendetja e Ipeshkëvit të zgjedhur të Rrëshenit Gjergj Meta

Shumë i Nderuar Atë Kristofor, Bariu dhe Ati i kësaj dioqeze të Rrëshenit, fjalët e para janë për ju sot në shenjë falenderimi për shërbimin dhe të mirën që keni bërë në këto vite, më parë si famullitar e më pas si Ipeshkëv i Rrëshenit. Faleminderit e Zoti të shoqëroftë në vitet në vazhdim. Kjo dioqezë do t’ju kujtojë gjithmonë me respekt dhe dashuri dhe do të keni gjithmonë një vend të veçantë në këtë dioqezë.

Një fjalë dhe një mesazh për mirditorët e mrekullueshëm dhe shumë të vuajtur. Më pranoni si njërin prej jush. Unë i njoh vuajtjet tuaja, kohën dhe shekujt që kanë rënduar mbi ju. Zoti ka dashur që unë të jem bariu juaj në një moshë të re e prandaj ju lutem, me lutjen dhe miqësinë tuaj, bëni të mundur që të jem një i krishterë i mirë bashkë me ju dhe një bari i mirë për ju.

Një fjalë për ju të dashur meshtarë e motra. Papa Françesku nuk ka zgjedhur më të mirin ndër meshtarët shqiptarë për të shërbyer në këtë dioqezë. Për këtë të jeni të sigurtë. Ka qenë për mua një “po” shumë e vështirë, shumë e vështirë! Ajo që kam është humaniteti im, brishtësia dhe vogëlsia ime. E dorëzoj në duart tuaja që do të jeni bashkëpunëtorët e mi më të afërt. Ashtu sikurse Papa Bendikti edhe unë mund të them se Zoti ka zgjedhur një punëtor të përvujtë në vreshtën e tij. Më ndihmoni të jem një vëlla për ju dhe një bari që jep jetën e tij për delet e veta.

Së bashku të vazhdojmë të çojmë e të kumtojmë gëzimin e Ungjillit në çdo familje të dioqezës, te çdo i ri e sidomos tek të varfërit dhe të mënjanuarit e kohës tonë. Kumtimi i Mbretërisë së Hyjit është detyra jonë parësore. Ta bëjmë së bashku këtë gjë pa u kursyer. Zoti ju bekoftë të gjithëve! Marie Tuci dhe shokët e saj martirë na ndihmofshin në këtë rrugëtim të ri që feja jonë të veprojë nëpërmjet dashurisë.  Mediat janë fusha më e dashur e veprimit të imzot Gjergj Metës. Le ta dëgjojmë ipeshkvin e ri të dioqezës së Rrëshenit, në një intervistë të tij me Radio Vatikanin, pikërisht për mediat dhe Kishën…

Curriculum vitae e imzot Gjergj Metës

Lindi më 30.04.1976 në Durrës

1994-1995: ndjek vitin paraprak në Seminarin e kryeipeshkvisë së Barit, në Itali.

1995-2000: ndjek Seminarin Rajonal në Molfetta të Barit dhe Fakultetin Teologjik puljez.

21 prill 2001: shugurohet meshtar.

2001-2002: shërben si zv.famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës.

2001-2006: është anëtar i Këshillit presbiteral të dioqezës.

2002-2003: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë.

2003-2006: është administrator i famullisë në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Gjithashtu, emërohet përgjegjës kombëtar për baritorinë universitare të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë dhe të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

2006-2009: merr liçencën (diplomë universitare) në degën e së drejtës kanonike në Universitetin Papnor Gregorian.

2009-2010: shërben si zv.famullitar në katedralen e Shën Palit në Tiranë. Emërohet gjykatës i Gjykatës Ndërdioqezane Shqiptare nga viti 2009.

2009-2017: bëhet pedagog i së Drejtës Kanonike në Institutin Teologjik të Shkodrës, si edhe anëtar i Këshillit Presbiteral dhe i Kolegjit të Këshilltarëve.

2009-2012: është zëdhënës i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.

2010-2013: shërben si famullitar në kishën e Shën Gjonit Maria Vianej në Kamzë dhe si administrator i famullisë së Gramzës (Zoja Mbretëreshë) dhe të Luzit (Zoja e Ngjitur në Qiell).

2013-2016: shërben si famullitar në konkatedralen e Shën Luçisë në Durrës dhe është dekan i Dekanatit Perëndimor të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit. Gjithashtu, është anëtar i Komisionit ipeshkvnor për liturgjinë dhe formimin e përhershëm të meshtarëve.

Dhjetor 2016 e deri tani: shërben si vikar i përgjithshëm i kryedioqezës së Tiranë-Durrësit dhe është zëdhënës i ipeshkvijve të Shqipërisë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gjergj Metën Ipeshkëv të ri, Papa francesku, të Rrëshenit - Mirditë

VENDIM DEMAJ: RIKTHIME E LARTËSIME TË TIJ

June 15, 2017 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1 vendim
  1.  Sigurisht, Vendim Demaj është njeri i vendimeve, sikurse e ka emrin, rrugëtimet, karierën e tij. E, një prej këtyre vendimeve është rikthimi i tij në Atdhe më 2006, prej nga Londra- metropoli i moçëm i botës për në Tiranë– tek metropoli i ri panshqiptar. Atje i operoi suksesshëm dorë e kamb’ të majtë me plagë plumbash nga Lufta e Kosovës; kreu rezultativ në dy vite Kolegjin Lewisham London, i fitoi meritueshëm dokumentat e qëndrimit në Angli, fliste mirë gjuhën planetare angleze…Atje i kishte të gjitha, përveç Atdheut të tij, Shqipërisë. Ndaj ri-erdhi shqiptarisht, ndonëse askush nuk i kishte premtue shtëpi, punë, poste. Asnjë nga këto. Të gjitha do t’i fitonte vet. Do të integrohej aktiv e cilësisht në jetën shoqërore, universitare, zyrtare, politike. Gjithkund, me të gjitha.
Shumçka do e niste nga A-ja për të shkue drejt Zh-së.
Ia nisi në fill vit 2007 specialist në drejtorinë e shërbimeve në Bashkinë e Kamzës, kaloi përgjegjës për mbi një vit në gjendjen civile të atyhit, drejtor në mbi një vit i Ndërmarrjes të Ujësjellës-Kanalizime të Kamzës e, prej 1 korrikut 2011, në shtatë vite kalendarike, është nënkryetar i Bashkisë të Kamzës. Dëshmohet se vendi i punës e ka gjetur njeriun e vet. Dëshmohet se posti zyrtar e ka zyrtarin e vet model. Vendim Demaj është i vendosur, i përkushtuar, i sinqertë, korrekt, autoritetar, miqësor…Vendimi i ka të vetat tipike, i ka vendimtare, katër fjalët që janë në themeli të ecurisë e lartësimit të botës: “Po, Jo” dhe “Faleminderit, Më fal”. Ai është një malësor modern, një shqiptar tipik. Përndryshe, siç më thotë senatori demokrat Bahri Haki Hoxha i Kukësit e i Durrësit: “Shkruaje një portret për Vendim Demaj se njerëz si ky ta nderojnë penën”.
Sapo erdhi nga Londa iu bashkua strukturave të Partisë Demokratike të Kamzës, e pesta bashki në Shqipëri për nga numri i ndërtesave, e gjashta për nga popullsia e saj, një ndër kontribueset kryesore të urbanizimit të Shqipërisë. Ia nisi si antar i thjeshtë i PD-së. Në katër palë zgjedhjesh ishte antar i KZAZ (Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve) në Kamëz, në të cilat është çertifikuar fitorja e PD-së, pasi Kamza është një nga bashkitë ma blú e ma piedestalore të PD në Shqipëri. Vendim Demaj prej katër vitesh është në strukturat e larta vendimmarrëse të PD-së në Kamëz, i zgjedhur nënkryetar i saj. Ai, më thotë, se Bashkia Kamëz ka mbi 90 mijë votues, nga të cilët 60 mijë në Kamëz e mbi 30 mijë në Paskuqan. Janë peshë e madhe elektorale, veçmas për PD që është për të disatën herë fituese e Zgjedhjeve në Kamëz. Në Elektoriadën e 2013-tës për në Kuvendin e Shqipërisë pati një rritje me 8.000 vota në Kamëz, ky ishte një rekord i demokratëve në shkallë vendi, në hartën elektorale blu të Shqipërisë.
Tani, Vendim Demaj, shënon një lartësi tjetër të re në karierën e tij politike: në Elektoriadën e  25 Qershorit 2017, është kandidat për deputet i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë.  Ai garon në Bashkinë e Kamzës, në listën emërore të kandidatëve për deputetë të PD-së të kryesuar nga i veçanti Flamur Lufti Hoxha, ku janë dhe dy kandidatë të tjerë: Ahmet Prençi e Korab Lita. Të katër kandidatë meritor të Kamzës e Tiranës dhe të Shqipërisë, njerëz elitar, secili ma i mirë se tjetri, të gjithë sëbashku emra që e nderojnë dhe simbolizojnë ekipin e ri fitues “Basha” dhe “Republikën e Re”.
2.E thashë që Vendim Demaj është njeri i vendimeve. E, kjo, ka ndodh edhe pá hyrë në karierën e detyrave shtetërore vendimmarrëse. Pas diplomimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës (1997), kur ishte mësues i matematikë-fizikës në shkollën e Buçajt të Shipshanit (Tropojë), në të dytin vit kalendarik të punës, në mars 1998, mori vendim dhe e la detyrën e mësuesit, pasi iu bashkangjit aktivisht UÇK (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) në veprimtari logjistike, në luftën guerilase e frontale për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës. Ai u njoh nga afër e bashkëpunoi shumë ngushtë me eprorë të lartë të UÇK-së me zonë veprimi luftarak në Rrafshin e Dukagjinit: Agim Ramadani, Rrustem Berisha, Sali Çekaj, Hisen Berisha, Nasim Haradinaj, Isa Agushi, Fadil Hadërgjonaj e të tjerë. Në shtëpinë e tij në Papaj të Shipshanit, në afri të kufinit me Kosovën, u ngrit’ Shtabi kryesor i UÇK-së, në atë truall me tradita të larta historike e me kushte të mira rrethanore, mjedisore.
Vendim Demaj, ky djalosh 42 vjeçar, tashma ka statusin ligjor: “Veteran i UÇK”. Ai ende e përjetësisht ka plagët e plumbave të Luftës së Kosovës në trupin e tij. Ma shumë plagë se legjendari Gjergj Elez Alia i Eposit të Kreshnikëve. Ai nuk ka dëshirë t’i flasësh shumë për plagët e, aq ma tepër, për numrin e madh të gjurmëve të tyre në shtatin e hapat e tij. Për çka më përngjan si një kreshnik modern, si një legjendë e gjallë.
Ai, herën e parë, u plagos (vet i treti), më 17 korrik ’98, tek Livadhi i Madh në malet e Jasiqit në Junik të Kosovës, teksa paraprinin drejt kufirit të Shqipërisë dhe ranë në pritë të serbëve militarë, në përpjekje luftarake me ta. Bashkëluftëtarët e UÇK-së i zbritën në Junik e pas një jave kujdesi mjekësor të atyshëm i kaluan prapë ilegalisht kufinin, qëndroi për një muaj në Spitalin Ushtarak të Tiranës.
Vendim Demaj u rikthye prapë në frontin e luftës.
Pas disa muajsh, në nëntor ’98, luftëtari i lirisë, njeriu i sakrificave, Vendim Demaj, plagoset për herë të dytë në male të Junikut. Pas një përkujdesi mjekësor prapë shkon në frontin e luftës derisa në pranverën e vitit 1999 detyrohet të largohet nga përkeqësimi shëndetësor prej plagëve të luftës. Në Tiranë nuk munden t’i kryenin një ndërhyrje kirurgjikale të tilla.  Shkoi në spitale të Gjermanisë, po as atje nuk i dhanë garanci plotore, përkundrazi i thanë se i duhej prerë dora e majtë, e plagosur me tre plumba. Edhe kamba e majtë i kishte plagët e pesë plumbave…Vetëm në Londër e kreu operacionin suksesshëm, i shpëtoi dora, doli shëndosh e mirë, atë ditë e sot, përgjithnjë.
Këto janë, si të thuash, edhe dy rikthime të tij në jetë.
E dveti për vitet e luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Ai më rrëfen një rast të tillë emergjence e humanizmi njerëzor e luftarak: “Në verë 1998 ushtria serbe e militarizuar, e përforcuar edhe me paramilitarë e forca policore, e bllokoi kufinin Shqipëri-Kosovë. Në male të Gjerovicës, maja ma e lartë e Kosovës, mbetën mbi 5.000 gra, fëmijë, pleqë, invalidë. U detyruam të siguronim lëvizjen e tyre për në Shqipëri, për në Tropojë, e cila ishte kthye atë vit në “kryeqytet i pritjes së shqiptarëve të Kosovës”. I tërhoqëm të gjithë përmes bjeshkës së Dobërdolit në kufi me Malin e Zi…” Ai më tregon raste të tilla, edhe nga ato ma heroiket në frontin e luftës, në rrugëtimin luftarak drejt Lirisë e Pavarësisë së Kosovës.
Vendim Demaj i ka plagët e luftës si ma të mirat dekorata të tij, që rrallëkush mund t’i ketë, përndryshe: si asnjë tjetër deputet në Kuvendin e  Shqipërisë. 
3.Vendim Demaj, politikani i ri i PD-së e veterani i UÇK-së, është stërnip i Ahmet Sadri Demajt të Ballabanit në Papaj të Shipshanit, i këtij luftëtari të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që tregoi akte të larta trimërie në Luftën e Nokshiqit (1879-1880) në mbrojtje të Plavë-Gucisë. Kohërat shqiptare ende nuk ia kanë dhanë meritat e plota historike.
Përkundrazi, pasardhës të tij, si Mal Shaban Demaj, mixhoku i Vendimit, ndër mjekët e parë të Tropojës, pati një burgosje të kultivuar shumanshmërisht në burgun e Spaçit për ma shumë se një dekadë, derisa erdhi Demokracia.
 Vendim Demaj ka një kujtim të dhimbshëm nga koha e vështirë e Komunizmit sllavo-enverian, që arriti deri atje si edhe brenda Shqipërisë të krijonte dy shtete: “Shtetin e Njerëzve me Biografi të Mirë” dhe “Shtetin e Njerëzve me Biografi të Keqe”, që kishin ndërveti një brez të ashpër e klon të kuq me gjemba ndërmjet tyne, shpesh edhe ma i keq se ai i kufinit. Kur iu varros babagjyshi Shaban Bajrami, i kullës së njohur e derës së madhe Demaj, kishte pak veta të ardhur për në përcjelljen mortore të tij, aq sa gishtat e dorës, pasi ata kishin marrë sforcueshëm “shenjë” klasore, ishin klasifikuar ma shumë se qëllimshëm “me biografi të keqe” për kohën e atëherit, që rigjallëron e gjeneron dukshëm sot nën okelio e sllogane politike-elektorale, dogmatike e mafioze: “Rilindje”, të paraqitur nga e majta në ikje prej pushtetit pas 25 qershorit 2017.
Teksa flas me Vendim Demaj në zyrën e tij të nënkryetarit të Bashkisë Kamëz me vizionohet lartësisht figura e Ahmet Sadrisë të Ballabanit (Papaj), stërgjyshit të tij, që sëbashku me bajraktarin e Shipshanit,  Bek Din Bajrami (Kasaj) e Ali Ibër Nezaj (Buçaj), të tre përfaqësues të bajrakut e të fisit të Shipshanit; sëbashku edhe me bajraktarin e Krasniqes, Man Avdi Mulosmanaj e Qerim Binak Alia i Krasniqes; edhe me bajraktarin e Gashit, Halil Brahim Bajraktari e Ali Hoxhën e Gashit; ishin përfaqësues të Malësisë së Gjakovës në takimin zyrtar, diplomatik e ushtarak, në Qafën e Çakorrit, me Teodor Milanin – përfaqësues i Principatës së Malit të Zi e i Krajl Nikollës së Parë. Në atë kuvendim zyrtar ndërshtetëror, të njoftun edhe nga protokolli i Fuqive të Mëdha të Kongresit të Berlinit, u kundërshtue dorëzimi paqësor i Plavë-Gucisë dhe u ri-deklarue mbrojtja luftarake e saj nga forcat ushtarake e vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në atë luftë edhe Ahmet Sadri Demaj ishte një nga kryeheronjtë e gjallë të saj.
Vendim Demaj nuk është vetëm i pushkës së UÇK-së për Liri e Pavarësi të Kosovës, një hero i gjallë i saj, por është edhe njeri i dijes, i shkolluar me dy universitete: për mësuesi në Shkodër e për juridik në Tiranë, bile edhe me gradën “mastër i shkencave juridike” në “E Drejta Civile”, ka krye edhe kolegj dyvjeçar në Londër, ka marrë pjesë në disa konferenca e veprimtari të tjera ndërkombëtare në dy anët e Atlantikut. Janë të tillë edhe si familje, të dhanun pas dijes: motra e tij është universitare në shkenca sociale e jeton në Amerikë, ndërsa i vllai është inxhinier e jeton në Kanada. E, siç e thamë, Vendim Demaj, nuk don të jetojnë as në Amerikë, as në Kanada e as në Mbretërinë e Bashkuar, veçse nga Alpet Shqiptare të vendlindjes, Shipshanin e Malësisë së Gjakovës, në qytetin e Kamzës, në metropolin panshqiptar- Tiranë. Ai ka shkue mbi dhjetë herë në “planetin” Amerikë e, në një nga këto rrugëtime, lexova shkronja-dritë tek gazeta online “Dielli” se kishte çue 70 copë “Abetare” tek Federata PanShqiptare “Vatra”, dhuratë nga Bashkia Kamëz për mërgimtarët e vegjël shqiptarë që të mësojnë gjuhën shqipe në shkollën “Alba Life” në Nju Jork. Vendim Demaj përdallon edhe për faktin se është një vatran i flaktë i “Vatrës’ në Shqipëri e në Kosovë. Vendim Demaj – si një politikan i djathtë pro-amerikan është një nga mbështetësit e flaktë të Trumpit para e pas zgjedhjes President i 45-të i Amerikës. Me sa duket do të ketë pasë ndikimn e tij edhe në shpalljen e Donald Trump “Qytetar Nderi” i Kamzës e kur një Bulevardi në Kamëz ia dhanë emrin e Tij.
Pra, geni i mirë i trollit e i gjakut nuk hup kurrë, pasi i vjen koha me dalë në dritë, me u ngjitë në skenë, me rishkrue histori të breznive të veta. Kështu, edhe Vendim Ibrahim Demaj, tashti është një kandidatët për deputet i metropolit në rritje të Tiranës, i qytetit e bashkisë të re të Kamzës, i PD që solli Demokracinë e 1990-tës e po ri-vjen në pushtet me fitoren e 2017-tës. E, për ma tepër e ma mirë e kemi nevojë të ditës për të pasë figura të reja si Vendim Demaj në politikën e sotme shqiptare.
 
Kamëz, 15 qershor 2017

Filed Under: ESSE Tagged With: E LARTËSIME TË TIJ, VENDIM DEMAJ: RIKTHIME

Modeli i Monika Kryemadhit nuk është shembull për rininë shqiptare

June 15, 2017 by dgreca

1 Elida Bucpapaj

Nga Elida Buçpapaj/

 E dëgjova me vemendje Monika Kryemadhin sot tek Koha për t’u zgjuar.Akuzoi për tirani produktin që doli nga marrëveshja e 18 prillit;denoncoi ferrin që jetojnë qytetarët në zonën e Elbasanit ku është në kryelistë;përgëzoi zërin e fortë të bashkëshortit Ilir Meta në fushatë, pa marrë parasysh se ka shkelur Kushtetutën, sepse president i Republikës është mbi palët dhe institucioni që përfaqëson shpreh unitetin kombëtar.

Kryemadhi i bëri thirrje rinisë të votoi partinë e saj.Në fakt modeli që ofron Monika është në antitezë të plotë me modelin që duhet të ketë rinia shqiptare.Monika Kryemadhi ka 26 vjet në politikë. E ka filluar karierēn me forumin e rinisë socialiste dhe tani është de facto nr.1 i LSI pas marrjes të presidencës nga bashkëshorti i saj.

Monika Kryemadhi nuk ka punuar deri tani asnjë orë punë në jetën e saj. Edhe Ilir Meta po ashtu.Janë 26 vjet politikanë profesionistë që gjithë të ardhurat dhe pasurinë e kanë nga taksat e popullit.

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta janë pjesë e kupolës së klasës politike, pikërisht e asaj klase që Monika Kryemadhi denonconte sot tek emisioni i Bashkim Hoxhës.Për tmerrin, mjerimin dhe varfërinë në Elbasan për të cilin akuzonte Edi Ramën, Monika do të duhej të akuzonte edhe vetveten, Ilir Metën ose bashkëqeverisjet politike 8 vjeçare të LSI, një herë me PD, një herë me PS.

Tiraninë e ka krijuar kupola, kupola ka uzurpuar pushtetin, ku çifti Meta-Kryemadhi është pjesë e saj. Të dy e kanë kthyer LSI në pronësi private që vjel përfitime dhe pushtet për vete dhe enturazhin. LSI është pjesë e keqqeversjes, është një nga shkaktarët e mjerimit të popullit shqiptar.

Populli shqiptar nuk mund ta besojë Monikën sepse arritjet e saj, pasuria e saj janë në përpjestim të zhdrejtë me mirëqenien e popullit. Sa më tepër pasurohet familja Meta-Kryemadhi aq më tepër varfërohet populli. Populli s’ka mirëqenie. Populli ka varfëri.

Monika Kryemadhi ishte e vërtetë vetëm kur tregoi për ferrin që jeton zona e Elbasanit, por si Elbasani është e gjithë Shqipëria, e bashkëqeverisur edhe nga familja Meta-Kryemadhi ose LSI-ja e tyre.

Edhe tirania është produkt i kësaj bashkëqeverisje. PS, LSI,PD. Edhe posti i presidentit gjithashtu. Edhe kreu i LSI.

Në Shqipëri ka uzurpim të pushtetit nga kupola, ku çifti Meta-Kryemadhi, kanë dy copa torte, nëse krahasojmë me krerët e tjerë të partive kryesore.

Prandaj them se modeli që ofron Monika Kryemadhi është ai se si nuk duhet të jetë politikani që për 26 vjet shpërdori pushtetin, ndërsa popullin e la si në zonën e Elbasanit, ku mjerimi dhe skamia është ngritur në piedestal.

Këtë gjendje ferri e dëshmoi vetë Monika me gojën e saj.

Kjo ishte e vetmja e vërtetë që tha, por fajtor bëri Edi Ramën, kur si bashkëfajtor duhej të shpallte bashkëshortin e saj dhe vetë Monika Kryemadhin.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, modeli, Monika Kryemadhit

BALLKANI, ROLI AMERIKAN NE ZMBRAPSJEN E RUSISE

June 15, 2017 by dgreca

Roli amerikan, i nevojshëm për stabilitetin dhe zmbrapsjen e ndikimit rus në Ballkan/

1 Yee

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha të mërkurën se Ballkani Perëndimor përballet me sfidat më serioze që nga viti 1990. Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee foli në një seancë për rajonin në Senat, ku senatorë dhe ekspertë bënë thirrje për vazhdimin e angazhimit amerikan në Ballkan për të zmbrapsur ndikimin rus dhe për të shmangur përshkallëzimin e krizave, si edhe për të mbështetur reformat dhe stabilitetin. Keida Kostreci e Zërit të Amerikës, ndoqi seancën.

Në një ditë kur një anëtar i Kongresit dhe disa persona të tjerë u plagosën pranë Uashingtonit, zoti Yee e filloi seancën duke shprehur keqardhjen dhe solidaritetin e kolegëve të Departamentit të Shtetit, në seancën e Nënkomisionit për Evropën dhe Bashkëpunimin për Siguri Rajonale.

Zoti Yee tha se nëse kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, nuk marrin përgjigje, ato mund të kenë pasoja serioze për Ballkanin Perëndimor, Evropën dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ballkani Perëndimor përballet me një numër kërcënimesh: Institucione të brishta, mangësi në shtetin ligjor dhe media jo e lirë, i kanë hapur rrugën një korrupsioni të rrënjosur thellë. Ky korrupsion vë në rrezik këto demokraci të reja dhe u hap rrugën aktorëve destabilizues, përfshirë ekstremistë të dhunshëm, grupe të krimit të organizuar dhe vende që duan të ushtrojnë ndikim keqdashës”, tha ai.

Zoti Yee tha se problemet e brendshme, u kanë hapur rrugën kërcënimeve të jashtme si Rusia që synon të frenojë përpjekjet e vendeve të rajonit për të ndjekur një rruhë euro-atlantike.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, përmendi disa përparime të arritura me mbështetjen amerikane, përfshirë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

“Me angazhimin tonë dhe të Evropës, gjatë muajit të kaluar, kemi parë disa suksese reale, me hyrjen e Malit të Zin ë NATO, sigurisht me ndihmën e Senatit, udhëheqësit e Maqedonisë bashkëpunuan për të formuar një qeveri të re, opozita e Shqipërisë ra dakord që t’i jape fund bojkotit dhe të marrë pjesë në zgjedhje më 25 qershor dhe Serbia pritet të hapë dy kapituj të ri me Bashkimin Evropian këtë muaj”.

Ai gjithashtu theksoi nevojën e vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari republikan i nënkomisionit Ron Johnson, që sapo ka bërë një vizitë në rajon, tha se mesazhi i atyre vendeve është i qartë:

“Udhëheqja amerikane është e nevojshme në Evropën juglindore. Kur tërhiqen Shtetet e Bashkuara, vakuumi i ndikimit mbushet nga vende me synime të dëmshme”, tha ai duke iu referuar ndikimit rus, një nga shqetësimet më të mëdha që u shprehën në seanca.

Senatori Johnson tha se është në interesin e Shteteve të Bashkuara të ketë stabilitet në Ballkan.

Edhe nënkryetari i nënkomisionit, demokrati Chris Murphy theksoi se Shtetet e Bashkuara duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje Ballkanit, duke shprehur rëndësinë e rajonit në arenën ndërkombëtare.

“Tre nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet politika e jashtme amerikane, gërshetohen në Ballkan. Së pari, sfida e maskuar dhe e hapur e ndikimit rus që minon mbështetjen e instutucioneve perëndimore dhe gërryen më tej, qeverisjen demokratike; së dyti korrupsioni i rrënjosur që frenon përparimin ekonomik dhe i destabilizon qeveritë në gjithë rajonin dhe së treti radikalizimi në rritje i të rinjve myslimanë dhe numri relativisht i atyre që kanë shkuar në Siri nga ky rajon që të luftojnë me ISIS-in”.

… por senatori demokrat shprehu pakënaqësinë për mesazhin që përçon administrata aktuale amerikane e drejtuar nga republikani Donald Trump.

“Ka një mospërputhje totale mes ekspozesë që bëni ju dhe sfidave të shumta që kanë nevojë për shtimin e burimeve dhe buxhetit që është paraqitur”, iu drejtua ai zotit Yee.

Zoti Murphy i referohej projekt-buxhetit të Shtëpisë së Bardhë për politikën e jashtme që sapo është prezantuar në Kongres dhe që ai tha se parashikon shkurtime të mëdha për Ballkanin. Ai tha se sipas mendimit të tij, ato shkurtime nuk kanë asnjë shans për t’u miratuar.

Zoti Murphy foli për përshtypjet që merr kur takohet me udhëheqësit e Ballkanit.

“Ata janë të shqetësuar se ne po dërgojmë një mesazh me këto shkurtime, me mungesën e mbështetjes për NATO-n, me kritikat ndaj aleatëve të BE-së, se ne nuk jemi më të interesuar për rajonin”.

Si senatorët ashtu edhe zoti Yee dhe ekspertët, në shumë raste theksuan shqetësimin për rritjen e interesit dhe aktivitetit rus në Ballkanin Perëndimor dhe thanë se po punojnë me vendet e Ballkanit për t’u përballur me ndikimin keqdashës të Moskës. Ata thanë se dobësitë e brendhshme dhe presionet e Rusisë, ekspozohen në mungesë të politikave të qarta të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Argumenti i tyre ishte se mungesa e vëmendjes mund t’i kthejë problemet që janë të zgjidhshme, në situata të rrezikshme.

“Mesazhi im qendror është se paqartësia e vazhdueshme e mesazhit amerikan sot, mund të shkaktojë një krizë nesër, që nga ana tjetër do të kërkonte një angazhim shumë më të madh amerikan sesa do të ishte dashur për shmangien e krizës që pa filluar”, tha Damon Wilson, zëvendës president ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut.(Kortezi:Zeri i Amerikes)

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani, Rusi, SHBA

Parlamenti Evropian ka ftuar pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën

June 15, 2017 by dgreca

Parlamenti Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë një gjë të tillë në mënyrë që të rrisin kredibilitetin e BE-së.

epaselect epa04657510 A general view shows members of the European Parliament voting during the plenary session in the European Parliament in Strasbourg, France, 11 March 2015. The House will vote on separate resolutions on the murder of Russian Boris Nemtsov and the state of democracy in Russia, the annual foreign policy report, the annual report on human rights in the world, and on the cooperation with the League of Arab States. EPA/PATRICK SEEGER

Këtë thirrje, sikur edhe shumë herë më parë, Parlamenti Evropian e ka përsëritur përmes Rezolutës, e cila është miratuar në seancë plenare. Ajo u miratua me 474 vota në favor, 134 kundër dhe 64 abstenime.Në raportin e miratuar, të cilin e kishte përgatitur, zëvendëskryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, bëhet thirrje edhe për vazhdimin e dialogut me Beogradin, për zbatimin e dy kritereve të mbetura për liberalizimin e vizave, për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për vazhdimin e reformave në drejtësi.

Thirrja për normalizim të raporteve i është dërguar edhe Serbisë në një Rezolutë tjetër që u miratua edhe për këtë shtet të njëjtën ditë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek pas miratimit të kësaj rezolute ka thënën se votimi i sotëm, vetëm disa ditë pas zgjedhjeve në Kosovë, dërgon një sinjal të fortë se e ardhmja e Republikës së Kosovës është në Bashkimin Evropian.

“Para se gjithash ky raport u bën thirrje politikanëve dhe partive politike që shpejtë të formojnë qeverinë në një frymë Evropiane dhe të vazhdojnë rrugën drejt BE-së, si dhe të lëvizin drejt liberalizimit të vizave që e meritojnë aq shumë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ajo.

Në tekstin e Rezolutës, përmendët edhe rëndësia e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe miratimi që pritet t’i bëhet marrëveshjes kornizë për pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së.

Gjatë debatit i cili i ka paraprirë votimit të këtij raporti, shumë deputetë kanë tërhequr vërejtjen edhe për përzierjen e Serbisë në çështje e Kosovës, sidomos përmes serbëve të Kosovës.

Kanë inkurajuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të integrohen në institucionet e Kosovës dhe që më shumë të veprojnë në mënyrë të pavarur nga Beogradi.

Disa deputetë kanë përsëritur shqetësimet për rastet e ekstremizmit dhe radikalizmit fetarë në Kosovë, por shumë prej tyre kanë shprehur mirënjohje edhe për sukseset e Kosovës në luftë kundër terrorizmit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Parlamenti European, për njohjen e Kosovës, thirrje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1954
  • 1955
  • 1956
  • 1957
  • 1958
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT