• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha kthehet nga SHBA: I jashtëzakonshëm- Takimi me Trump

June 15, 2017 by dgreca

Një grup mbështetësish kishin dalë në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur kryetarin e PD-së Lulzim Basha i cili kthehej nga një vizitë një ditore që pati në SHBA.

1 Basha

Në fjalën e tij të shkurtër Basha e quajti takimin me presidentin e SHBA-se Donald Trump të jashtëzakonshëm.

Lulzim Basha: “Jeni nga Tirana, Fushë-Kruja, nga zona perreth mesa po shoh. Ju falënderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme, për këta flamuj që valëviten krahë për krahë me aleatin tonë SHBA, nga e cila po kthehem nga një takim i jashtëzakonshëm me presidentin Donald Trump.

Në një vizitë të shkurtër gjatë një javë domethënëse, javës së Shtëpise se Bardhë për punësimin dhe prioritetit numer nje per ne, punesimit, stazheve, financimit te studenteve per krijimin e vendeve të punës.

I jashtëzakonshëm takimi me përshtypjet me të paharrueshme, e jashtezakonshme mbështetja e Trump për Shqipërine dhe shqiptarët.

Por edhe 10 ditë na ndajnë për t’u ndarë njëherë e mirë me Republikën e mashtrimeve, drogës, krimineleve dhe për t’i hapur derën Republikës se qytetarëve, ekonomisë së fortë dhe të nesërmes së sigurt.

Kjo është ajo që presim të gjithë, kjo është ajo për të cilen po luftojmë ditë e natë, apo jo, kjo është ajo që pret bota nga ne, aleatët nga ne, ndaj mos të harxhojmë asnjë minutë, le të marshojmë çdo ditë drejt republikës së qytetareve”.

***

FJALA E PLOTE BASHES

“Faleminderit për këtë pritje të jashtëzakonshme. Mirë se ju gjej në Tiranë.

Jeni nga Tirana, nga Fushë Kruja me sa shoh, nga e gjithë zona përreth, apo jo?

Ju falenderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme, për flamujt tanë kombëtarë që valëviten krahë për krahë flamujve të aleatit tonë të madh strategjik, SHBA-ve, nga të cilat po kthehem pas një takimi të jashtëzakonshëm me Presidentin e 45-të të SHBA, Donald Trump, me një vizitë të shkurtër gjatë një jave domethënëse, Javës së Shtëpisë së Bardhë dhe të Presidentit Trump kushtuar një prioriteti madhor për SHBA dhe prioritetit numër një për ne, punësimit, stazheve, trajnimit, ekonomisë dhe veçanërisht financimit të studentëve me qëllim krijimin e vendeve të punës.

I jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm takimi, me përshtypjet më të paharrueshme. E jashtëzakonshme mbështetja e SHBA, e Presidentit Trump për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Por tani edhe 10 ditë na ndajnë. 10 ditë për t’u ndarë njëherë e mirë me republikën e politikanëve, me republikën e mashtrimeve, me republikën e korrupsionit, me republikën e drogës dhe kriminelëve dhe për t’i hapur derën, republikës së qytetarëve, të ekonomisë së fortë, të së nesërmes së sigurtë për çdo shqiptar.

Kjo është ajo që po presim, apo jo?! Kjo është ajo po punojmë natë e ditë, apo jo?! Kjo është ajo që pret bota nga ne, aleatët tanë nga ne, ndaj të mos harxhojmë asnjë minutë, por të marshojmë drejt republikës së qytetarëve, republikës së re, ekonomisë së fortë, të nesërmes së sigurtë për çdo shqiptar.

Faleminderit për këtë mbështetje. Le të vazhdojmë punën natë e ditë, fitorja e madhe qytetare po na pret më 25 qershor.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe miqësinë shqiptaro-amerikane. Fitore!”

***

Takimi i Lulzim Bashës me Donald Trump/

1 Basha Trump

Kryedemokratik Lulzim Basha ka zhvilluar një vizitë dy ditore në SHBA, ku është takuar edhe me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.Këtë e ka bërë të ditur vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha me një postim në faqen e tij në Facebook.

“Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”, shkruan Basha.

Kreu i PD-së shprehet se “sapo mbylla një vizitë dy ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Javës së Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore ku po diskutohen iniciativat e administratës Trump mbi uljen e taksave, trajnimin profesional, stazhet e punës dhe financimin e studimeve”.

“Mirënjohje të pakufishme Presidentit Trump dhe SHBA për mbështetjen për Shqipërinë dhe shqiptarët!”, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha kthehet nga SHBA, Flet per takimin me Trump

Qeveria e Kosovës vazhdon punën,…

June 15, 2017 by dgreca

-Qeveria e Kosovës e zgjedhjeve të para tre viteve zhvillon mbledhjen e parë të pas zgjedhjeve të së dielës së kaluar/1 Qeveria e Kosov-Pas zgjedhjeve të së dielës, subjektet politike mungesë numrash për qeverinë e re/

*Shtetet e Quint-it mbështesin këdo që formon qeverinë/

PRISHTINË, 15 Qershor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës e zgjedhjeve të para tre viteve zhvilloi sot mbledhjen e parë të pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës së kaluar.

Mbledhja e qeverisë së Kosovës, e paraparë të mbahej dy ditë para zgjedhjeve, në 9 qershor, nuk u zhvillua për shkak të mospranisë së ministrave, të cilët do të duhej të prezantonin pikat e rendit të ditës, ndërkohë që fushata parazgjedhore vazhdonte në ditën e fundit.

Në 26 maj qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e 146-të, të 21-tën në 2017-tën, të dytën si qeveri në detyrë pasi u rrëzua në 10 maj në seancën e Kuvendit në mocion mosbesimi të propozuar nga opozita e me votat edhe të grupit parlamentar të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës PDK.

Në Kosovë të dielën e 11 qershorit u votua,  pasi sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dita kur duhet të mbahen zgjedhjet e parakohshme duhet të jetë ditë e diel, jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpërndarja e Kuvendit.

Tash në largim pas mocionit të mosbesimit dhe zgjedhjeve të së dielës, qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të 8 qershorit, të cilat poashtu ishin të parakohshme.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës, dhe as përfundimtaret që priten, nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, sipas llogaritjeve të medias, koalicioni i PDK-së mund të ketë 39 deputetë, VV 31 e koalicioni i LDK 30. Koalicioni fitues i zgjedhjeve, i PDK, me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër, nuk mund të bëjë bashkë së paku 61 mandate, sa është minimumi i duhur për votimin e qeverisë së re, edhe nëse do të kishte mbështetjen e të 20 deputetëve të komuniteteve pakicë, 10 të serbëve e 10 të tjerëve.

Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka bërë thirrje për bisedime për krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, subjekti politik i dytë në rezultatin e zgjedhjeve.

Subjekti i tretë, koalicioni i LDK-së së udhëhequr nga kryeministri në largim Isa Mustafa, i cili kandidat për kryeministër të ri kishte Avdullah Hotin, në një deklaratë sot hedh poshtë mundësinë e përfshirjes në një koalicion paszgjedhor me koalicionin parazgjedhor të PDK.

***

Kosovë-shtypi: Shtetet e Quint-it mbështesin këdo që formon qeverinë/

PRISHTINË, 15 Qershor 2017/ Shtetet e Quint-it kanë kërkuar nisjen e veprimeve të shpejta për konstituimin e institucioneve, shkruan sot  shtypi i Kosovës.Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet me mirëbesim, në mënyrë që udhëheqësit e zgjedhur të fillojnë punën rreth çështjeve të rëndësishme me të cilat përballet Kosova.

Në përgjigjen dërguar gazetës Koha Ditore, Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka kujtuar verdiktin e popullit më 11 qershor.

“Votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre. Procesi i formimit të Qeverisë së re duhet të fillojë shpejt dhe me mirëbesim, ashtu që udhëheqësit e sapozgjedhur të mundë të fillojnë punën rreth çështjeve të rëndësishme me të cilat ballafaqohet Kosova”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës amerikane.

Në 12 qershor, një ditë pas votimeve, ambasada e Shteteve të Bashkuara ka përgëzuar popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura të dielën.

“Votuesit e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar. Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, theksohej, mes tjerash, në deklaratë./b.j/

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, qeveria e Kosoves, vijon punen

Shuhet nga jeta Prof. Dr. Musa Kraja

June 15, 2017 by dgreca

Musa Kraja Shkruan:Hazir Mehmeti, Vjenë/

   Një lajm i  hidhur, u shua nga jeta Prof..Dr. Musa Kraja,  kreator i shkencave pedagogjike, themeluesi i Akademisë së Shkencave të Edukimit- Tiranë, kryetari i saj. Shkenca pedagogjike shqiptare humbi njeriun e saj me vlera të mëdha, por vepra e tij mbeti pasuri në rrugën e arsimit e edukimit kombëtar brezave dhe ai vet njëri nga personalitet më të shquara kombëtare.
    Gjithë veprimtaria shkencore hulumtuese, kreative , gjuhësore, publicistike e arsimore e Prof. Dr. Musa Krajës është zhvilluar për të mirën edukimit dhe arsimimit, zhvillimit të shkencës pedagogjike dhe rrjedhimisht çështjes kombëtare.
 Nga ligjëratat e tij në seminaret për mësuesit/et nga diaspora përfitoj edhe mësimdhënësi mërgimtar. Ai ishte me mish e me shpirte mes problemeve të organizimit dhe mësimdhënies në diasporë. “Ju jeni shembulli më i mirë i kohës sonë në kultivimin e gjuhës shqipe në vendet ku ju jetoni. Abetare punuan gjithë rilindësit të cilët jetuan jashtë vendi”,- tha mes tjerash në seminarin e Ulqinit.
  Në të gjitha simpoziumet, konferencat, seminaret, ku ai mori pjesë, nuk la pa marr shembull veprën madhore të mësuesve mërgimtarë. Ai veçonte mësuesit krijues të disa vendeve, gëzohej shumë kur botohej ndonjë vepër apo tekst shkollor dhe fliste me pasion, gjithmonë me frymë pozitive, duke dhënë kurajë, edhe atëherë ku kishte vërejtje nuk ngutej, me virtyte edukatori e sqaronte mendimin e tij bindës.  
    “Do ta hartoj një monografi mbi mësuesit e diasporës si shembulli më i shkëlqyer në rrugën e rilindësve tanë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe”, -thoshte Prof. Kraja. Ai do ta përfundon monografinë, pasi la pas bijën e tij, Prof. Emirjona Kraja, Akademinë e Shkencave të Edukimit-Tiranë, miq e student të tij aktiv të frymëzuar nga puna madhore e Prof. Dr. Musa Krajes.
  Fundi i shekullit njëzet dhe fillim shekulli ynë do flasin me respekt me emrin e Prof. Dr. Musa Kraja, mbi veprën madhore që la pas në pasurimin e rrugëtimi kombëtar drejt progresit dhe civilizimit.
   Letra e 27 –të, e fundit
   Ai kishte respekt të madh për mësuesit dhe veprimtarët e çështjes kombëtare. Në letrën e tij të fundit, me 5 maj 2017, mes tjerash lidhur me planet e Akademisë për organizimin e simpoziumit mbarë kombëtar, shkruan: “ I dashur dhe nderuari Hazir!  Kam biseduar në Tetovë, lidhur me 170 Vjetorin e Lindjes dhe 100 vjetorin e vdekjes se Prof. Rexhep Vokes-Tetova, personalitet i shquar i çështjes shqiptare, mësues , pedagog, iluminist etj, Për  këtë  personalitet  janë shkruar artikuj  studimore, është botuar një doktoratë nga Prof. dr. Vehbi  Bexheti, ka një monument në vendlindje, Shipkovicë.   Është dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë “Për veprimtari patriotike me Urdhrin e Klasit të  pare,” prandaj , në  kohën  e  lirë trajtova   për të  organizuar një  Simpozium mbarë kombëtar, nga ana e Akademisë sonë , siç kemi bërë për disa personalitete, përfshirë edhe Atë  Gjeçovin”. Shumë të fala  dhe  mirëupafshim!  Musai.  Tani, e rëndë kur nuk do shihemi më Profesor i nderuar frymëzues në punën time.

Biografi, Prof. Dr. Musa  Kraja

Prof. Dr. Hajrullah  Koliqit, Prishtinë. Në veprën “Historia  e  arsimit  dhe e mendimit  pedagogjik  shqiptar”, botim në vitin  2013, faqe 468, 469, mes tjerash shkruan:   “Musa  Kraja (1938),Mësues  i  Merituar,  është  doktor  i shkencave  pedagogjike, veprimtar arsimi, pedagog  universiteti, autor veprash  të  shumta  pedagogjike, duke  përfshirë  këtu  veprën  enciklopedike  historiko- pedagogjike, “Mësuesit  për kombin  shqiptar”, 1993.   Musa  Kraja  lindi  në  Shkodër, ku  kreu  shkollën  fillore, të mesme  dhe  studimet e larta në dy  degët : Gjuhe-Letërsi  dhe  Histori-Gjeografi  në  institutin e Larte  Pedagogjik  të  këtij  qyteti. Studimet  i vazhdoi në  Fakultetin  Histori-Filologji  te Universitetit  të Tiranës  dhe  arriti deri  në gradën  shkencore  doktor i shkencave  pedagogjike. Tetë  vjet ushtroi  misionin e mësuesit  në zona të  thella malore të Shkodrës  për  të  vazhduar pastaj  në  shkollat e qytetit të Shkodrës. Punoi  në organet drejtuese të arsimi  në rreth (Shkodër), dhe  në qendër ,  (Tiranë), arriti  deri  neë  postin e  zëvendësministrit  të Arsimit  dhe  Kulturës  të  Shqipërisë (Disa  muaj u ngarkua  edhe me  punën e ministrit), Musa  Kraja  dha  ndihmesën e tij edhe  në arsimin e lartë  shqiptar. Prej  vitesh ishte profesor i pedagogjisë në  Fakultetin  Histori Filologji  të Universitetit të  Tiranës. Që  herët  u  shqua   edhe si punëtor shkencor. Punoi  në Institutin e Studimeve Pedagogjike. Themelues dhe Kryetar i Akademisë së  Shkencave të Edukimit (Themeluar ne vitin 2011)  dhe  Rektor  i  Akademisë  Pedagogjike  të  Tiranës.

Musa  Kraja  është autor i  shumë veprave dhe studimeve  shkencore-profesionale  nga fusha e pedagogjisë, por  edhe nga  letërsia dokumentare, të  botuara  brenda dhe jashtë vendit. Botoi  shumë vepra, kryesisht  me karakter social-pedagogjik, si  “Portrete  mësuesish  dëshmorë (1967); “Migjeni Mësues” (1973); “Ndrec  Ndue  Gjoka..” (1974,”Per  forcimin e punës edukative  ne shkolle” (1981);”Mësuesit  në  Kohën e Partisë” (1986); “Probleme shoqërore-pedagogjike”; (1986) ;Mati  Logoreci”1987),ribotuar “Mati Logoreci, Jeta  dhe Vepra”(2001); ”Për  forcimin cilësor  të  shkollës”( 1988); ”Nexhip Alpan dhe  mendimi pedagogjik i tij”.(1992); “Mësuesit  për kombin  shqiptar” (1993; “Hakmarrja  tek shqiptaret (ne optiken e pedagogut),,1996; “Pestaloci  ne hapsirat  shqiptare”(1997); Teksti  universitar  Pedagogjia, (1998); ribotuar, me  2002; ”Harry  Fultz “Idetë  dhe  veprimtaria pedagogjike ne Shqipëri” (2000);”Vizione pedagogjike  për  zonat  rurale”,(2003); “Bije  të Lunxhërisë  për  arsimin  shqiptar”(Pandeli  dhe  Koto  Sotiri), 2002;”Pedagogji e  zbatuar”, (2008)  dhe  vepra  të  tjera  qofte si autor, qofte si bashkautor.

   Musa  Kraja, mësues, profesor, drejtor shkolle, rektor universiteti  dhe  veprimtar i shquar i arsimit, veç  punës se tij me përkushtim  dhe profesionalizëm, bëri  punë me vlerë  edhe për përjetësimin e dhe afirmimin  e veprës  madhore të  mësuesve shqiptare,  nga mesjeta deri në kohën tonë, nga mbarë  gjeografia  kombëtare  dhe nga diaspora shqiptare”. Prof. Dr. Musa Kraja shkroj edhe veprat “Shkolla shqipe me mësimin plotësues” (2013); “Monografi Social – Pedagogjike “Mësues dhe kriues në diasporë Hazir Mehmeti”. Mbajti ligjërata në shumë Universitete botërore. “Mësuesi, pedagogu, tradita dhe bashkëkohësia”; “Reformator i madh i arsimit, Postaleci”; “Vëllezërit Frashëri dhe mendimi pedagogjik” (Tetovë, 2000) etj.
Prof. Dr. Musa Kraja shkroi për të pavdekshmit: Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta,  Luigj Gurakuqi, Vëllezërit Frashëri e shumë tjerë, për tu bërë vet i pavdekshëm.
Tani dheu shqiptarë ngrohet me birin e saj, brumjete i brezave që vijnë.  Lavdi veprës suaj Prof. Dr. Musa Kraja! Prehu i qetë në botën e amshimit! Faleminderit për të gjitha!

 

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Hazir Mehmeti, Shuhet Prof.Musa Kraja

Faktorë të “lodhjes” së identitetit të peshterasve

June 15, 2017 by dgreca

Represaliet, dhuna, shpërngulja, analfabetizmi faktorë të “lodhjes” së identitetit të peshterasve!/Uglla ( Ugao) viti 1915Duke shfletuar literaturën që posedoj për Sanxhakun më ra në sy një e vërtetë e hidhur: ”Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla”. Si është e mundur një gjë e tillë, do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

Nga Ismet Azizi/

Deri në vitin e 90-të, të shekullit të kaluar, gjegjësisht fundi i viteve të 80-ta nuk kishim analiza , shkrime apo të dhëna  të sakta për gjendjen dhe pozitën e popullsisë së Sanxhakut. Ndër të parët dhe të  rrallët është autori Avdia Avdiq i cili u mor me këtë problematikë. Për pozitën arsimore kulturore të Sanxhakut shkruan: “Për arsimin, kulturën dhe shëndetësinë në periudhën në mes të dy luftërave botërore, është vështirë të flitet, posaçërisht nga viti 1930, kur popullata, pothuajse tërësisht ishte analfabete. Sanxhaku ka qenë i njohur jo vetëm si regjion i pazhvilluar, por edhe për prapambeturinë në aspektin kulturor dhe arsimor. Në fshatra të tëra nuk ka pasur kush të lexoj ndonjë shkresë, gjë që është dashur të udhëtohet me orë të tëra. Novi Pazari ishte qyteti në Jugosllavinë e atëhershme më i madhi për nga numri i analfabetëve. Sipas regjistrimit të popullsisë  së viti 1931, 60% e meshkujve  të moshës mbi 10 vjeçare ishte e pa arsimuar, ndërsa ajo e femrave ishte 92 %. Duhet pasur parasysh se bëhet fjalë për  popullsinë e përgjithshme, mandej pjesa dërmuese ishte popullsi fshatare, e cila jetonte në kushte të vështira jetësore. Dallimet e mëdha ishin edhe sipas qyteteve, p sh qarku i Tutinit, që ishte i banuar vetëm me shqiptarë dhe boshnjak, shkalla e analfabetizmit ishte  89%, ndërsa ai i Novi Pazarit 63%. Posaçërisht në Sanxhak, popullsia Muslimane (shqiptare dhe boshnjake I.A) ishte e tëra pothuajse analfabete. Ishte rast i rrallë që ndonjë Myslimane të jetë e arsimuar. Faktorët për një gjendje të tillë ishin të shumëfishtë, nga ato: popullsia myslimane nuk ka dashtë ta pranoj shkrim- leximin serb, ndërsa të vetin nuk e kishin,e deri te ajo se myslimanëve nuk ju duhet, posaçërisht femrave myslimane.”

Në tërë Sanxhakun në vitin 1931 kanë ekzistuar vetëm 127 shkolla fillore katër klasash. Shkollat kryesisht ishin në vendbanime të mëdha, ndërsa fshatrat  malore, sidomos ato të Peshterit ishin pothuajse pa asnjë shkollë, pra popullata ishte fare e paarsimuar.

Në tërë Sanxhakun në këtë kohë ekzistonin vetëm katër gjimnaze katërvjeçare ( gjimnazi i ulët) të cilat herë punonin herë ishin të mbyllur. Novi Pazari kishte vetëm një gjimnaz të ulët tetë vjeçar, edhe kjo shkollë mandej zbret në atë katërvjeçar, kështu që vetëm Plevle kishte një gjimnaz  tetëvjeçar në tërë Sanxhakun.

Shkollat ishin me numër të vogël të nxënësve. Prindërit nuk ishin të interesuar t’i shkollojnë fëmijët e tyre, rezistonin t’i dërgojnë fëmijët në shkolla. Posaçërisht popullsia Myslimane, sidomos  vajzat nuk ishin të interesuar t’i arsimonin. Pushtetarëve të atëhershëm kjo iu shkonte për shtati. Njerëzit me ndikim, posaçërisht në Peshter edhe pas vitit 1935, e kanë lutur deputetin e vet që në trevat e tyre mos të hapen shkolla. Si është e mundur një gjë e tillë?!Do të mundohem ta shtjelloj më tutje.

“Sa më larg shkollave dhe kulturës, për popullin ishte më mirë”; ishte bindja e popullatës Muslimane. Por edhe ata që kishin dëshirë që t’i shkollonin fëmijët e tyre nuk kanë pasur mundësi materiale.

Mali i Zi hyri në Luftën ballkanike me qëllim të zgjerimit të territorit të saj në drejtim të Shqipërisë dhe në verilindje drejt Sanxhakut.

Gjatë marrjes së territoreve, pothuajse pa luftë forcat malazeze kudo që hynin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë e pafajshme, Pasi që kishin marrë trevën e Bjelopoles, atë të Kolashinit, Plavën dhe Gucinë, Ushtria malazeze  niset drejt Senicës së cilës i shkon në ndihmë edhe ushtria serbe, të cilët kah do që shkonin vrisnin dhe plaçkitnin popullsinë vendase myslimane. Në tetor të viti 1912 shumë shpejt dorëzohet dhe bie në duart e ushtrisë serbo- malazeze. Udhëheqësi famëkeq ushtarak malazez Boshkoviq, menjëherë të nesërmen fillon çarmatosjen e popullsisë së Peshterit. Boshkovi vendoset në fshatin Doliq të banuar krejtësisht me popullsi shqiptare ku edhe kishte kaluar natën. Doliqin dhe disa fshatra të Peshterit  i çarmatosin dhe i mblodhën mbi 100 pushkë, Një raport i oficerëve flet; “të gjitha fshatrat i kanë sjellë armët, përveç një pjese e cila nuk i solli me dëshirë, por rezistuan dhe filluan të gjuajnë  mbi ushtrinë tonë gjë që qëndruam burrërisht dhe i vranë dhe i therën 20 kriminel. Në këtë raport nuk flitet për humbjen që kishin pësuar nga luftëtarët të cilët mbronin vendin e tyre nga ushtria okupatore serbo-malazeze. Në raport nuk janë raportuar të dhëna për njësitë ushtarake të këtij batalioni a kanë pasur humbje  apo të plagosur në radhët e tyre.

Për shpërnguljen e popullsisë së Sanxhakut, gjatë kësaj periudhe, po veçojmë autorin Safet Banxhoviq i cili shkruan; “Pas Luftërave ballkanike fillon me të madhe  shpërngulja e popullsisë për Turqi, para se gjithash pas krimeve të kryera ndaj tyre. Posaçërisht pas qërimit të hesapeve të ushtrisë malazeze me peshterasit, të përcjellë me plaçkitje, ndezjen e shtëpive. Për rrugën e “Stambollit”, e cila për shekuj ishte e rëndësisë jetësore, letrari Qamil Sijariq më vonë kishte shkruar; “E shkretë është ajo rrugë nëpër fushën e Peshterit, dhe s’ka në te hane, s’janë më hanxhinjtë dhe kafexhinjtë, nuk është askush sepse njerëzit kanë shkuar në anët tjera, të duket se me ta ka shkuar edhe uji- nuk është askush. Kalldërma e dikurshme, kush e di se e kujt, mund të jetë, e romakëve, ndoshta e turqve, e ka mbuluar barishta. Barishta më së shumti paraqitet aty ku dikur ishin hanet. Pavarësisht sa qëndron, apo sa do të presësh asgjë nuk do të dëgjosh, Kanë shkuar nga këtu kaherë karvanët,”

Krimet që i ka bërë Boshko Boshkoviq, sipas autorit Avdiq, flet Skender Turkoviq ( Hukiq) 90 vjeçar.

“Ende pa mbërri ushtria malazeze  iu kishte  shkuar porosia, me të cilën  i këshillohet popullatës myslimane që para se të vjen ushtria malazeze, në shtëpitë e tyre duhet të vendosen flamujt e bardhë, të gjithë t’i dorëzojnë armët, dhe municionin, të gjithë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të jenë të gatshëm t’ju përgjigjen ftesës se ushtrisë. Kush nuk iu përgjigjet këtyre urdhrave do të jetë i vrarë. Objekti për mbledhjen e armëve ishte caktuar shtëpia  më e madhe në qendër te fshatit Doliq. Shtëpia kishte 11 dhoma, dhe në te jetonin  6 familje. me 70 anëtarë

Një dhomë ishte caktuar për Boshkoviqin dhe një dhomë për palët të cilat i sillte patrulla. Kjo dhomë shërbente për  rrahjen dhe maltretimin, para se t’i ekzekutonin apo i zhduknin. Me vendosjen e Boshkoviqit me ushtrinë e tij fillon edhe plaçkitja e popullsisë, duke ua marrë kafshët për sigurimin e ushqimit. Mbledhja e armëve ishte pretekst për të ua bërë jetën të padurueshme, me qëllim përfundimtar pastrimin etnik të kësaj treve. Likuidimet kryesisht bëheshin me vrasje nga pushkët por edhe me therje. Gjithsejtë në Doliq janë vrarë 20 persona pa asnjë arsye. Boshkoviq i pakënaqur me këtë vazhdoi të njëjtën gjë ta bëjë edhe nëpër fshatrat tjera. Në Ugëll vritet Hajredin Qelaj, me dy djemtë e tij, mandej Hidë Uglanini, me gjithë vëllain e tij, hoxhë Omeri të cilin e vrasin me 13 plumba dhe e therrën në fyt. Përveç vrasjes së 5 njerëzve të pafajshëm ata i djegin dy shtëpi, dhe hanin e Hajredin Qelës. Para se ta bëjnë këtë, kishin plaçkitur 700 krerë dele, dhe 60 krerë gjedhe. Të njëjtën ditë në Boroshticë kanë vrarë Tahir Shkrelin, ndërsa në Tuzinje 10 persona të pafajshëm, mandej edhe tre në fshatin Bërniq. Në vazhdim e sipër në fshatin Rasno vrasin një person të Rshlaninëve. Qëllimi i tyre ishte të vazhdojnë edhe në fshatrat tjera, por për shkak se nga ana tjetër kishte hyrë ushtria serbe ata u desh të kthehen mbrapa. Edhe në kthim e sipër,  nëpër vendbanimet tjera ata vazhduan ta bëjnë të njëjtën gjë. Ushtria malazeze, vazhdoi me plaçkitje e vrasje kudo që iu jepej rasti. Kur kishin arritur në Koritë( në anën malazeze të Sanxhakut I. A) atje tashmë armët ishin mbledhur për t’i dorëzuar, dhe ishin vendosur në vend të caktuar, flamujt e bardhë ishin vendosur në të gjitha shtëpitë e Muslimanëve. Të gjitha masat e ndërmarra, si në Doliq, e edhe në fshatrat tjera, nuk i shpëtoi Myslimanët. Me metoda perfide,  marrjen e armëve, mandej,  therjen e popullit duarthatë, u përdorën edhe këtu sikurse edhe në pjesët tjera të Sanxhakut disa vite më vonë. Në këtë fshat ushtarët malazezë vranë 58 meshkuj dhe dy gra, të cilat u munduan t’i mbrojnë bashkëshortët e tyre. U vra edhe një djalosh 18 vjeçar, të vetmin që kishin prindërit, të cilin e ëma ashtu të sëmur, i shtrirë në shtrat, e mbështjell për kraharorin e sajë, duke ju lutur që ta kursejnë. Nuk kishin mëshirë. Së pari ia prenë hundën, mandej para syve të së ëmës e vrasin. Ishte tragjedi e madhe e këtij fshati dhe për banorët e tij të cilët ishin viktimë e një politike brutale.”

Çarmatosja e popullsisë ka vazhduar të zbatohet edhe pas Luftës së parë botërore gjegjësisht  menjëherë pas ri okupimit nga ushtria e Mbretërisë Serbe.

Çarmatimi ka pasur të bëjë me faktin se kjo popullsi konsiderohej e disponuar armiqësisht ndaj “gjendjes së re”. Citon Hakif Bajrami, autorët serb B. Hrabak, D Jankoviq,

Se deri kur kishte arritur në planin e çarmatimit, mësojmë nga raporti rezervë i Shtabit të Divizionit të Kosovës, dërguar Komandës së Armatës së tretë në Shkup, ku thuhet se kjo komandë ka forca të mjaftueshme për çarmatimin dhe se plani tejet sekret numër 172 mund të realizohet, por vetëm duke përdorur dhunën ndaj popullsisë shqiptare.

Për çështje të çarmatimit, në qarkun e Rashkës ishin në dispozicion dy qeta të Regjimentit 24 me 2 topa malesh në Novi Pazar dhe një çetë në Tutin.

Për shpërnguljen e shqiptarëve shkruanin të gjitha gazetat, duke “shpresuar” se për një kohë të shkurtër do të shpërngulen të gjithë shqiptarët. Askush nuk mundi t’i mohojë vuajtjet e fshatarëve të Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Sanxhakut dhe të Prishtinës që kanë pësuar mjaft dhe nuk mund të qëndrojnë më, por po i lëshojnë tokat e veta dhe po shpërngulen prej atdheut të vet. Shumë familje kanë lënë krejt çka kanë pasur dhe janë nisur për Turqi. Po dihet se shumë familje tani (1923) gjenden në Bullgari, pa të holla dhe jeta e tyre është në rrezik prej sëmundjeve të ndryshme. Për shpërngulje  po përdoret propaganda e dhunës,  Terrori ishte bërë dukuri sidomos në prag të zgjedhjeve.

Ali Hadri, në veprën e tij LNÇ në Kosovë  shkruante: “Kur merret parasysh pozita dhe gjendja jashtëzakonisht e vështirë e shqiptarëve në Jugosllavinë borgjeze, është plotësisht i arsyeshëm mendimi se Jugosllavia e vjetër për shqiptarët ishte burg me plot kuptimin e plotë të fjalës”.

Lidhur me propagandën serbomadhe nëpërmjet “Klubit Kulturor Serb”, studimi që shkaktoi më së tepërmi erupcion për të ndërmarrë aksione brutale e që ka qenë ndër akuzat më të rënda  kundër  pushtetit që nuk u “interesua” më tepër për të asimiluar popullsinë shqiptare, është padyshim  elaborati i Dr. Vasa Çubriloviqit “Shpërngulja e shqiptarëve”. Problemi i shqiptuarve theksoi ai, nuk lindi sot, ai, sipas tij, ishte problem edhe në mesjetë. Praninë e shqiptarëve Çubriloviqi e quante “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Qeveria Serbe e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë  serbe. Për të pasur efekt pozitiv  theksonte ai, duhet krijuar psikoza të nevojshme në këto forma: Është e njohur se masa shqiptare bie shumë vështirë nën ndikim dhe bindjet e veta i ruan me fanatizëm. Për këtë, në mes masave tjera  kësaj radhe po përmendim  atë që preferon në lidhje me ligjet të cilat duhet shfrytëzuar deri në maksimum, në mënyrë që t’i vështirësohet jeta  me anë të gjobave, burgimeve, me përdorimin e të gjitha formave të paskrupullt të të gjitha metodave policore me dënime në masë. Mandej e masave  sanitare., rrëzimi i mureve dhe gardhiqeve, masave në veterinari, rritjen e tatimeve. Shqiptari duhet të ngacmohet, duke ua prishur varret, ndalimin e martesave, duhet detyruar që fëmijët të dërgohen në shkollat, ku fyhej  elementi shqiptar dhe ku nxënësve u thuhej se shqiptarët janë njerëz me bishta.

Hajredin Hoxha, në punimin e tij në “Përparimi”; Politika e eliminimit të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë së vjetër, shkruan: “Gjoka Perina po ashtu ishte i mendimit si Çubriloviqi. Ky titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë thekson praninë e shqiptarëve në regjionin e Sanxhakut. Sipas Perinës popullsia shqiptare në Kosovë paraqet rrezik të përhershëm. Perina preferon shpërnguljen  ciklike brenda për brenda shtetit, sepse ndërrimi i këtillë i popullsisë nuk kërkon mjete të mëdha, ndërsa popullsia shqiptare , thotë ai, do të humbasë në detin e gjerë sllav.”

Represaliet, dhuna, shpërngulja, vazhdoi gjatë Luftës së I- rë, pas , në mes të Dy Luftërave Botërore, por edhe pas luftës së Dytë Botërore. Aksioni i mbledhjes së armëve në Jugosllavinë e Titos, nuk i kurseu sa shqiptarët e Peshterit. Peshterasit ishin therë në sy edhe gjatë  pushtetit të Sllobodan Millosheviqit. Peshterasit vazhdojnë të jenë element i padëshiruar edhe sot e kësaj dite, pavarësisht ndryshimeve të qeverive në Serbi.

Ishin këto vetëm disa të dhëna të cilat dëshmojnë për të kaluarën e hidhur të popullsisë së Sanxhakut me theks të veçantë të peshterasve. Dhe, nga kjo mund të konkludojmë se shqiptarëve të Peshterit, rreziku më i madh iu kanosej nga asimilimi, ishte pikërisht ndjekja e shkollimit në shkollat serbe, çka, që deri diku edhe u dëshmua. Shqiptarët e Peshterit kurrë nuk iu nënshtruan  pushtimit serbo- malazez. Ata ruajtën fenë, doket, zakonet, mënyrën e jetesës, por, në masë të madhe e humbën gjuhën shqipe.

Filed Under: Histori Tagged With: Faktorë të “lodhjes” së identitetit, Ismet Azizi, të peshterasve

Harta e re e qeverisjes në Kosovë dhe fatipolitik i Isa Mustafës

June 15, 2017 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Në Kosovë po vijon debati për krijimin e qeverisë së re. Të drejtën e e mandatit për qeverisje e ka partia ose koalicioni që ka marrë më shumë vota dhe sigurisht që kjo ka të bëjë me partitë PDK-AAK-Nisma. Presidenti i vendit ka detyrim kushtetues t’i japë mandat këtij koalicioni që ai ta krijojë qeverinë e re. Po a do të mund ta bëjë këtë Ramush Haradinaj?! Eshtë pak e komplikuar. Atij nuk i mjafton vetëm lista serbe, e cila ka deklaruar se nuk do të koalicojë me këtë grupim. Me listën serbe dhe pakicat e tjera numri i deputetëve në parlament shkon në 59. Zotit Haradinaj i duhen 61 vota për t’u bërë kryeministër. Nuk po hamendësoj për ndonjë abstenim në radhët e PDK-së, e cila e ka traditë krijimin e vështirësive në kësi procesesh. Atëherë atij i duhet si partner LDK ose Vetëvendosje. Të dyja këto parti kanë deklaruar se nuk bëjnë koalicion me PDK-në e zotit Thaçi e zotit Veseli. Vetëvendosje për shkaqe të pozicionit të saj antikorrupsion, program të cilin ia paraqiti elektoratit të saj. Ndërsa LDK për shkak të paqëndrueshmërisë së koalicioneve të mëparshme fajëson për këtë pikërisht PDK-në. Megjithatë ka eksponentë të LDK-së që do të duan ta realizojnë për të disatën herë një koalicion LDK-PDK, në rastin konkret edhe me AAK-në dhe Nismën. Këta zëra mesa duket duan që të nxjerrin nga përgjegjësia e humbjes kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa. Zoti Mustafa nuk kandidoi në listën e deputetëve të LDK-së. Fillimisht kjo u mor si modesti e tij. Në fakt po rezulton se ai nuk donte të thellonte dështimet e mëparshme. Po të kandidonte do të merrte aq vota sa Sabri Hamiti e Vjosa Osmani do të ishte shume më lart se sa kreu u partisë. Në këto kushte Vjosa do të kishte asin nën mëngë për ta larguar menjëherë Isën. Ndërsa moskandidimi ia ka krijuar atij mundësinë që të mjegullojë situatat. Në këtë lloj mjergulle ai dhe përkrahësit e tij nxisin partinë të bëjë koalicion me PDK-në, me qëllim që zoti Mustafa t’i thotë anëtarësisë së “Ne nuk kemi humbur, ne jemi në pushtet”. Ndoshta ai ka ofertë nga zoti Veseli për detyrën e kryetarit të parlamentit ose të zv.kryeministrit. Zoti Veseli do ta dëshironte shumë një bashkëqeverisje me zotin Mustafa, sepse e sheh atë si aleat për të eleminuar një ditë në formën e një puçi institucional kryeministrin e kandiduar, zotin Haradinaj. Pra në këtë pikë përputhen interesat dhe intrigat e politikës së djeshme. Por LDK duhet të ndryshojë, duhet të rinovohet, duhet të ketë një lidership të ri, i cili të afrojë figurat kontribuese të saj, të bashkëpunojë me këto figura, t’i respektojë ato, sepse në këtë mënyrë respekton trashëgiminë e saj dhe veten e saj. Në këto kushte një koalicion me PDK-në do të ishte vetëvrasje. Do të pengonte për të ndërtuar të ardhmen e saj dhe do ta sillte në një situatë të eleminimit si parti parlamentare. Më e mira është që LDK të mësohet të qëndrojë në opozitë. Në këtë mënyrë do të rritej, do të freskohej, do të kishte kohë dhe mjete të mjaftueshme për t’u rikthyer fuqishëm në skenën politike të Kosovës. Ndërkaq një koalicion i saj me Vetëvendosjen nuk do t’i sillte dëmet që sjell një koalicion me PDK-në, gjithësesi do bëhej pengesë për rritjen e saj. me Vetëvendosjen PDK ka më shumë afërsi sesa me PDK-në. Lidhja Demokratike ka qenë besnike e koalicioneve, ka programe progresive zhvillimi në ekonomi, kurse Vetëvendosja ka një vrull të padëshmuar për qeverisje. Kombinimi i eksperiencës së LDK-së dhe vrullit të Vetëvendosjes do të ishte mundësia e vetme e zhvillimit dhe përparimit të gjithanshëm të Kosovës. Në këtë kuptim, është interes i Kosovës që LDK dhe Vetëvendosje të bëhen bashkë për qeverisjen e vendit. Por do të ishte interes i LDK-së qëndrimi i saj në opozitë, duke e lënë Vetëvendsjen t’i bashkëngjitet koalicionit ë partive të dala nga lufta. Megjithatë një koalicion midis Vetëvendosjes dhe LDK-së do të vinte në rend, vetëm pas dështimit të zotit Haradinaj për të krijuar qeverinë e re. Kjo natyrisht kërkon kohën e vet, por jo pa limit. Më pas duhet ardhur te formula Vetëvendosje-LDK, gjithnjë nëse Albin Kurti do ta refuzonte një lidhje me PDK-në, siç edhe ka deklaruar. Skemën për të pranuar zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm zoti Kurti nuk ka gjasa që ta pranojë. Me LDK-në ai është e do të duhet të jetë kryeministër i vendit, së paku përmes një rrotacioni 2+2 vite. Këtë skemë mund t’ia ofrojë edhe PDK, por nuk ka për ta pranuar zoti Haradinaj. Përfundimisht duket se qeveria e re do të ketë dy aktorë, njëri i ri, Vetëvendosja, dhe tjetri i vjetër, LDK plus pakicave. Me këtë numër deputetësh vendimmarrja në parlament do të ishte solide dhe e pacënuar. PDK, AAK dhe Nisma do të mbeteshin në opozitë, e ndërkaq me kalimin e kohës mundet që zoti Hardinaj dhe zoti Limaj të shkëputeshin prej opozitës, duke iu bashkëngjitur koalicionit qeverisës. Kosova do kishte kështu një shans më shumë për të ndryshuar në rrugën e zhvillimit dhe integrimeve euro-atlantike. Natyrisht që zoti Kurti do të duhet të pozicionohet qartë në vijën politike të njohjes dhe konsolodimit të shtetit të Kosovës, gjë që kushtëzon edhe ndryshimin e koncepteve sa i përket bashkëpunimit rajonal, si kusht i integrimeve Euro-Atlantike.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Enver Bytyci, fati politik i Mustafes, Harta e re qeverisjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1955
  • 1956
  • 1957
  • 1958
  • 1959
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT