• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

90 -VJETORI I RADIO VATIKANIT

February 13, 2021 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Të premten që kaloi me datë 12 shkurt 2021 u shënua 90-vjetori i themelimit të radio Vatikanit. 90-vjet më parë, Papa Piu i XI kishte përshëndetur punonjësit e kësaj radioje duke i falenderuar ata për, “Punën tuaj që arrin deri në vendet më të humbura. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari kur i flisni botës.”  Ndërsa të premten, sipas radio Vatikanit, Papa aktual Françesku, duke përshëndetur në këtë përvjetor radio gazetarët, redaktorët dhe punonjësit e tjerë të kësaj radioje botërore, duke pasqyruar pikëpamjet e tija në lidhje me lirinë e medias dhe të fjalës së lirë, u bëri thirrje atyre që me punën e tyre të raportojnë të vërtetën dhe të ndërtojnë “të ardhmen me krijimtari”.

“Faleminderit për punën tuaj. Faleminderit për dashurinë që keni për të. Radio ka këtë gjë të bukur, që e çon fjalën edhe në vendet më të largëta. E sot e ndërthur edhe me pamje e me shkrime. Ecni përpara me guxim dhe krijimtari, duke i folur botës e duke ndërtuar kështu, një komunikim të aftë, që të na bëjë të shohim të vërtetën e gjërave”, është shprehur Papa Françesku në 90-vjetorin e radio Vatikanit, që njihet botërisht edhe si Zëri i Papës dhe i Kishës Katolike. 

Më kujtohej kur isha pranë Zërit të Amerikës në vitet e luftës së ftohtë dhe më vonë, se ekspertët e audiencave të radiove ndërkombëtare e konsideronin radio Vatikanin si njërën prej 5-6 radiove më me influencë dhe ndër më të dëgjuarat, sidomos në vendet ish-komuniste të Evropës Lindore dhe Qendrore e që transmetonte në dyzina gjuhësh të huaja. Si të tillë, e konsideronim edhe si konkurrente me programet tona të Zërit të Amerikës, veçanërisht për programet drejtuar disa vendeve ish-komuniste me popullsi dërrmuese katolike, siç ishte Polonia. 

Radio Vatikani ka një staf prej rreth 350 punonjësish të cilët transmetojnë në 41 gjuhët më të njohura të botës dhe jo aq të njohura, përfshirë gjuhën shqipe. Transmetimi i parë i radio Vatikanit në gjuhën shqipe shënon datën 3 tetor, 1951. Për drejtimin e programit të ri u thirr meshtari shqiptar në mërgim, Monsinjor, Zef Shestani.  Zëri i tij u dëgjua në valët e Radios së Papës më 3 tetor 1951, në orën 21, kur nisi transmetimi i parë i programit. Më vonë, Don Shestani thirri pranë tij si bashkëpunëtorë, Zef Palin, Andrea Shulin, motrën engjëllore, Luçia Laca dhe, si bashkëpunëtorë të jashtëm, Atë Danjel Gjeçajn, emëruar nga Selia e Shenjtë “Përfaqësues shpirtëror i shqiptarëve katolikë të mërguar”.

Pesë vjetë më parë, me rastin e 55-vjetorit të transmetimeve shqip të radio Vatikanit, si një prej programeve më të vogla për nga transmetimet dhe për nga stafi, thuhej se “Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligështa të Radios së Papës, e kemi ndjerë veten të rrethuar më shumë se të gjitha programet e tjera me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Kemi pasur e kemi gjithnjë pranë, Atin e Shenjtë, që nuk ka munguar ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave kemi ndjerë përherë praninë e Selisë së Shenjtë.”

Emisioni i parë në gjuhën shqipe i Radio Vatikanit drejtohej nga Don Zef Shestani

Thuhej gjithashtu se Shqipëria, Kosova e të gjitha trevat Shqiptare kanë qenë gjithnjë në zemrën e vëmendjen e papëve të Romës, ndërkohë që ne e kemi dhënë dëshminë tonë përmes fjalëve të transmetuara ditë për ditë me mjetin e brishtë, por të fuqishëm, të valëve të radios, i vetmi që as regjimi më i ashpër komunist nuk mundi t’a bllokonte plotësisht. Natyrisht, radio Vatikani në gjuhën shqipe shprehet krenare që mundi ta bëjë këtë shërbim në vitet më të errëta të historisë së Shqipërisë, kur vendi qe deklaruar zyrtarisht si i vetmi “shtet ateist” në botë. Por e njëjta radio dëshiron të vijojë ta shoqërojë ecjen e shqiptarëve në këtë epokë të re, në të cilën e vetmja paqe në liri, paqja politike e brëndshme e ndërkombëtare, paqja shoqërore e mbi të gjitha paqësimi i zemrave është ende detyrë që qëndron para nesh, thuhej në deklaratën e emisionit shqip të radio Vatikanit me rastin e 85-vjetorit të saj, pesë vite më pare. Radio Vatikani e realizoi këtë mision edhe gjatë krizës së Kosovës dhe angazhohen se do të bëjnë një gjë të tillë çdo ditë, duke u frymëzuar nga mësimet e Papës, në bashkim të thellë shpirtëror me Kishën katolike të pranishme në viset e gjuhës shqipe e me të gjithë burrat e gratë, veprimtarë e ndërtuesë të paqes. Në kohën kur regjimi komunist Enver Hoxhës bëri çmos të mbyllte çdo gojë që fliste në emër të Zotit, kur u rrokullisën kumbonët nga kumbonaret e heshtën uratët në Kishat e shkallmuara, zëri i radio Vatikanit vijonte të niste mesazhe përtej perdes së hekurt, përtej Adriatikut anë e mbanë trojeve shqiptare. U çonte shqiptarëve mesazhet e Atit të Shenjtë, mesazhe ngushëllimi e durimi, qëndrueshmërie e ngrohtësie vëllazërore, shprese e paqeje.

Telat me gjemba që ndanin Shqipërinë nga bota, nuk munden ta ndalonin këtë zë shprese të hynte në shtëpitë e atyre që besonin e shpresonin në Zot. Selia e Shenjtë nuk i kishte harruar bijtë e vet të masakruar. Në fillimet e veta, programi i radio Vatikanit në gjuhën shqipe transmetonte tri herë në javë.  Pastaj transmetimi u bë i përditshëm.Fillimisht, tematika ishte vetëm liturgjiko-kishtare, por më më vonë u pasurua, duke përfshirë dokumentet më të rëndësishme të papës, veprimtaritë dhe vizitat e Atit Shenjtë, për të vijuar me veprimtaritë e Kishës katolike në trevat Shqiptare e në botë, problemet e rëndësishme të etikës, të shoqërisë, të kulturës, letërsisë e artit, parë gjithnjë në këndvështrimin ungjillor. Në fillim rrethi i bashkëpunëtorëve vijonte të ishte tepër i ngushtë. Radioja fliste. Por ishte një monolog i gjatë. Një monolog i dhimbshëm, më se 40 vjeçar. Asnjë përgjigje nga dëgjuesit. Asnjë zë nuk dëgjohej përtej telave me gjemba. Zërat shqiptarë të radio Vatikanit flisnin me maturi, me kujdes të madh. Një fjalë e papeshuar mirë, përtej perdes së hekurt mund të shkaktonte një valë të re martirizimi. Po, lavdi Zotit, erdhi dita e ëndërruar. Diktatura u shemb dhe filloi bashkëbisedimi me dëgjuesit. Deri në vitin 1988 programin në hjuhën shqipe e drejtoi Monsinjor Zef Shestani. Pas këtij viti ai u largua nga mikrofoni për arsye moshe e sëmundjeje, duke e lënë drejtimin në duart e Gjon Gjomarkajt. Gjomarkaj vijoi ta drejtonte programin shqip deri në daljen e tij në pension, në vjeshtën e vitit 1992. Që nga kjo kohë, programi i gjuhës shqipe pranë radio Vatikanit e drejton aktualisht prifti nga Kosova, don David Gjugja. Në redaksi punojnë Katerina Nushi nga Prizreni, Ana Luka nga Shkodra dhe Klaudia Bumçi nga Tirana dhe një numër i konsiderueshëm bashkpuntorësh nga të gjitha trevat shqiptare në Ballkanin Perëndimor. 

*Bazuar kryesisht në burime të radio Vatikanit

          Kardinali shqiptar Ernest Simon Troshani me Don David Gjugjën, përgjegjës i radio Vatikanit në gjuhën shqipe

Filed Under: Opinion Tagged With: 90 -VJETORI I RADIO VATIKANIT, Frank shkreli

Një jetë…disa histori- LORETA STAMO

February 12, 2021 by dgreca

Marjana Zeneli BULKU-Një Informaticiene në një botë ku informacioni ka kaq shumë pushtet sepse burojnë të dhënat që orientojnë / çoriontojnë botën,si ndjeheni ju aty?

 LORETA STAMO- Ndjehem mire, si në ‘shtepinë  time! Është e vërtetë që është koha e analizave në bazë të informacionit, madje edhe e marrjes së vendimeve nga njësitë robotike, pa patur nevojë për nderhyrjen e përdoruesit  ose të informaticienit. Fusha e Inteligjencës  artificiale (Artificial Inteligjence) dhe e kompjuterave të mësuar  (Machine Learning) po hyn në çdo drejtim. Makinat pa shofer, bankieri robot që të identifikon në varësi  të sinjalit zanor, doktori robot që të dikton direkt  gjithë opsionet ekzistuese në varesi të analizave dhe ankesave, shahisti robot që mund edhe vet kampionet e shahut, edhe ata që e kanë programuar etj, etj…duken të frikshme për brezat më të vjetër , por s’ka asnjë mister aty tanimë . Në bazë  të të gjithave është mendja e njeriut por që edhe mendja vet ‘dorezohet’ para fuqisë  dhe shpejtësisë  llogaritese të super-kompjuterave të sotëm. Problem shoh edhe me të rinjtë e sotëm  që janë obsesuar me mediat sociale në atë masë sa nuk mund t’i ç’bëjnë  dot gjurmët e tyre kur rethanat personale ndryshojnë . Si mund t’ia mbushësh  mendjen një adoleshenti që të kuptoje siç duhet që një mendim i hedhur ashtu kot në një postim apo koment, mund t’i sjellë  probleme në pranimin në një universitet që ka për zemër mê vonë, ose edhe në sigurimin e nje pune në të ardhmen. Si t’ia shpjegosh asaj moshe që do i mendojë  gjerat ndryshe kur të piqet dhe ca?! Edhe mesuesit e tyre vet, nuk i kuptojne shumë nga këto nocione të web-informacionit, sigurisë  etj. Problemi që do vazhdojë  të thellohet është se teknologjia po përparon me hapa marramendese dhe njerezit nuk arrijnë  dot ta ndjekin në çdo moment…

Për çdo ditë në  maredheniet e mia me miq e të afërm, nuk ngurroj të shpjegoj diçka praktike nga gjithë këto , për shembull; t’i mbush mendjen dikujt që ka një biznes  që s’ka nevoje të shkojë në bankë  çdo ditë të çojë çeqet e pagesave pasi është më  e lehtë dhe më e sigurt ta bësh  depozitimin nga telefoni keshtu ke edhe nje rekord elektronik per depoziten qe do te duhet me tej. Ose kur bie fjala per mesazhet/emailet që vijne gjoja nga institucione ose individe të ‘besuar’ dhe perdoren nga dërguesit për të vjedhur informacion sensitiv me qëllim keqperdorimi në moment ose në të ardhmen. 

Një tjeter bisede që e gjej veten ta bëj gjithmonë është kur prinderit janë të shqetesuar dhe nuk e kontrollojnë  dot  prezencen dhe komunikimin e femijeve të tyre nëpër rrjetet sociale. Shpesh kalojnë në kontroll extrem dhe i ndalojnë të kenë llogari në to. Personalisht nuk mendoj që kjo është e mirë , sepse në radhë  të parë ajo moshë di edhe më shumë se prinderit për teknologjinë dhe lehtësisht hapin accounte sekrete që i bën ata edhe më të ‘lirshem’ te përdorin këto web-komunikime keq. Gjithashtu mendoj që është më mirë për adoleshentet të fillojnë të familjarizohen me internetin dhe informacionin digital dhe të fillojnë  të lene aty gjurmët  e tyre te vërteta, duke parandaluar kështu  që dikush tjeter t’i portretizoje negativisht ata, për diçka  që ata s’janë. 

Informacioni digital do vazhdojë  të rritet eksponencialisht në vitet që vijnë dhe profesionet që merren me analizen e informacionit, inteligjencen artificiale etj që perfshihen nën Data Science janë dhe do të vazhdojnë  të jenë shumë të kerkuara.

 Marjana Zeneli BULKU- A besoni se keni bërë zgjedhjen e duhur duke ditur se jeni bijë mjekësh të cilēt do apo nuk do profesionin e tyre duan ta tradhëgojnë?

LORETA STAMO- Absolutisht! Te gjithe mendonin se do behesha mjeke si prinderit, por une isha e prerë për inxhinieri ose matematike. Është fat që njeriu të mund të gjejë  herët çfarë i pëlqen dhe çfarë bën më mirë në jetë , kështu s’do humbasë  kohë e energji gjatë rrugës së gjatë të nxënies dhe gjithmonë do ta bëjë  punën  me qejf. I vetmi ‘problem’ me këtë profesion, është se duhet të vazhdosh të mësosh çdo ditë , për gjithë jetën. Në çdo profesion, do thoni ju, është kështu dhe është e vërtetë , por jo si me teknologjine dhe informatiken. Në këtë fushë të duhet ta ‘rifillosh’ gjithmonë ; sepse avancimet janë dramatike dhe shpeshherë  s’kanë  lidhje me metodat e përdorura  më parë . E mira e kësaj , është se ngelesh menderisht gjithmone i ri dhe të duket vetja student, gjithë jetën.

 Marjana Zeneli BULKU- Ju jeni ndër shqiptarët e parë që keni emigruar drejt Amerikës pas viteve 90-të,a ju ndodh shpesh të takoni shqiptarë në mjediset e tua të punës, udhëtimeve, trajnimeve, sa rol luan shkollimi apo fati në stabilitetin eko-social të shqiptarëve në emigracion? 

LORETA STAMO- Është e vërtetë që emigrova herët në Amerikë , qysh  në Maj të vitit 1993. Do i pergjigjesha shumë ndryshe kësaj  pyetjeje  nqs do bëhej fjalë për 5 vitet e para. Në ato vite kishte shume pak shqiptare këtu , por s’kishte as celulare e internet që të lidheshim kollaj. Për  çdo informacion do të duhej të vizitoje biblioteka e librari dhe të ishe me fat nqs do arrije tek informacioni më i mirë që po kërkoje. Por njekohesisht do e mbaj mend si kohë të bukur sepse  më lidhi me shumë njerëz të mirë që perndryshe s’do i kisha takuar ndonjehere në jetë , me të cilët i ruaj lidhjet edhe sot. Janë shqiptarë  nga të gjitha trevat, tet feve të ndryshme, të bizneseve të ndryshme, të perkatesive politike të ndryshme. Sot më duket vetja shume e pasur me këtë larmi miqsh që kam!

Une e kam shprehur gjithmonë që isha me fat për profesionin qe kisha, sepse e gjeta punen e pare si programiste me 20 resumete e para që dërgova , ashtu direkt me shkollat e Shqipërisë . Shpesh më duhej ta theksoja që isha ‘Albanian’ jo ‘Armenian’ dhe nuk isha nga Albany, NY :-). Amerikanet degjuan per Albanians gjate luftës  së Kosoves, por prape nuk mësuan shumë për ne. Mbaj mend që sa herë prezantohesha, e kisha shume të lehtë të provoja krenari për vendin tim, ca nga mungesa e informacionit për ne shqiptaret, dhe ca nga mungesa e paragjykimit për një vend i vogel si i yni. Vija re shpesh që tregonin kërshëri  për Shqiperinë .

Sot shqiptaret emigrante të mbas viteve 90 janë shumë , janë të sukseshem, femijet e tyre i bënë shkollat këtu dhe u integruan shumë më mirë . Kenaqesh kur i shikon se  sa shumë kanë arritur! 

Marjana Zeneli BULKU- Midis ritmit të jetës së përditëshme plot angazhime dhe progres profesional dhe nostalgjisë të së kaluarës që lidhet me vendlindjen cila dominon më fort në jetën tuaj nga këto të dyja?

LORETA STAMO- Gershetohen te dyja si dy sinjale me frekuenca e amplituda të ndryshme; njëherë  dominon njera, njehere tjetra…ndonjëherë tjeter bashkohen e dyzohen. Nuk e di në është mosha apo nostalgjia, por me kalimin e viteve kam një tërheqje  më  të madhe nga Europa. Sidomos në këtë vit Covid-i kur izolimi në mendje është edhe më i madh se ai 6 feet-shi, mendja më shkon më shpesh atje…dhe mbase vjen një ditë që të jetoj në të dyja botët e mia.

Marjana Zeneli BULKU- Sa e ndiqni jetën e komunitetit shqiptar në Amerikë, si ka ndryshuar ajo?  

LORETA STAMO- Kam qenë gjithmonë e angazhuar me komunitetin shqiptar, sidomos në New York, New Jersey, Boston, dhe Waterbury me të cilat jam edhe afer, por edhe në South Florida.

Për  më shume se  20- vjet kam qenë edhe në bordin e AAWO ‘Motrat Qiriazi’ dhe kam ndihmuar me çdo mënyrë , profesionalisht dhe njerezisht. Aty kam mesuar shumë më  tepër sesa dija për komunitetin shqiptar të të gjitha trevave, zakonet, traditat, dialektet. Sa herë kishte nje aktivitet komuniteti dhe mund te vidhja kohë nga jeta ime profesionale, merrja pjese me shume dëshirë . Është kenaqesi të gjesh një pjesë të vendit tënd në emigracion dhe të ndjehesh rehat si në shtëpinë tënde . Në vitet e para, këto aktivitete ishin shumë më  emocionale, sepse perballeshe me shumë halle emigrantesh dhe pasiguri për të ardhmen. Në dekadat e fundit ndjesia është krejt  ndryshe, takon njerez të plotesuar familjarisht e profesionalisht, që janë shkeputur disi nga origjina dhe diskutojne më  shume për këtu , sesa për atje.

Marjana Zeneli BULKU- Çfarë ka trashëguar nga ju vajza juaj, çfarë do donit që ajo të trashëgonte nga ju?
LORETA STAMO- Besoj se ka trasheguar indipendencën  e mendimit, altruizmin, dëshirën për të zbuluar botën dhe njerezit, dashurinë për shkencen, dhe pelqimin për djathin e bardhe (feta). (Hahah)

Por besoj ka marrë më shumë nga Agroni, sidomos qetesinë  dhe humorin. Miqtë e perbashket na thonë  që e kemi ‘programuar’ mirë se ka marrë më  të mirat e të dyve, dhe kjo ma mbush zemrën plot! 

Do doja të ishte më e fokusuar në organizimin e deshirave dhe projekteve të saj, por është në fakt një krijuese shumedimensionale dhe e apasionuar në shumë drejtime. Sinqerisht nuk e di cila është pika e saj më e forte dhe çfarë do perfundoje të bëjë në jetë , por uroj që ta gjejë  saktësisht udhën e duhur.
Tani për tani është e fokusuar në Environmental Science dhe këtë qershor do ketë  2 graduime një nga High Tech High School dhe një nga Hudson County Community College, besoj me rezultate  shumë të larta. Edhe aplikimet për kolegj i ka bërë në  të njejtën  fushë  Environment Science and Engineering.

Marjana Zeneli BULKU-Diku në shënimet e tua lexova; “Të gjitha fotot e vjetra familjare u humbën në një valixhe udhëtimi drejt emigrimit” – u preka thellësisht dhe u ndjeva njësoj si ju, çfarë mbeti e përjetêshme në kujtesën tuaj teksa udhëtoje drejt emigrimit?

LORETA STAMO- Ne kishim shumë foto familjare për standartin e asaj kohe dhe sigurisht që i doja të gjitha këtu , ashtu si solla pjesë -pjesë edhe librat e preferuar të bibliotekes sonë . U merzita shumë kur humbën , m’u  duk sikur 26- vjet të jetës time humbën  pergjithmone… por me vite, dhe sidomos pas lidhjeve familjare dhe shoqerore në  facebook, filluan të më vinin ca xhevaire aty-këtu Fotot bëheshin  në  2 kopje ato vite në Shqiperi, dhe qellonte që një kopje ta kishte mami, një daja, një shoqja e keshtu kam mbledhur disa.

E ku i dihet mbase do mbledh akoma më shumë nga koha e lënë pas, teknologjia vazhdon të na surprizojë ! 

Filed Under: Interviste Tagged With: Loreta Stamo, Marjana Zeneli Bulku

Bayerni i Mynihut “komandon”botën,6 trofe në 12 muaj

February 12, 2021 by dgreca

Flick ka më shumë tituj sesa humbje me skuadrë e tij/

Përgatiti për Diellin: Albano Kolonjari/Bridgeport, CT-USA

Bayerni i Mynihut u shpall të enjten në mbrëmje Kampion i Botës për klubet e futbollit.  Goli i pjesës së dytë i realizuar nga Benjamin Pavard në të 59-tën minutë, siguroi që ekipi gjerman të vazhdonte ecurinë e  jashtëzakonshme nën drejtimin Hansi Flick.  Skuadra gjermane fitoi trofeun e gjashtë në 12 muaj, pas një fitore 1-0 ndaj skuadrës meksikaneTigres. Bayerni i Mynihut në këto 12-të muaj ka fituar Ligën e Kampionëve, Super Kupën UEFA, dhe tre trofe ne Gjermani, Titullin Kampion, Kupën dhe Super Kupën.  Një arritje të tillë e kishte realizuar më parë vetëm Barcelona në vitin 2009 .

Ashtu siç pritej, Bayern pati më shumë raste për gol falë aftësive sulmuese të lojtarëve të saj, sesa skuadra meksikane Tigres, që arriti për herë të parë në finalen e Kupës Botërore të Klubeve (CONCACAF), ndërsa takimi u zhvillua në stadiumin ndërkombëtar Khalifa në Katar. Pavarësisht sulmeve dhe rasteve, gjermanët do të kalonin në avantazh vetëm në mesin e pjesës së dytë. Në të 59 minutë Robert Lewandowski gjuajti me kokë, portieri grushtoi topin, dhe sfera e rrumbullakët përfundoi në këmbët e Pavad që shënoi me portën bosh. Fillimisht u gjykua se ishte në pozicionjashtë loje dhe goditja e Pavard ishte e pavlevshme. Gjyqtari anësor ngriti flamurin për një pozicion jashtë loje. Por një rishikim i gjyqtarit ndihmës dhe sistemit VAR, zbuloi se thembra e Carlos Salcedo e mbante sulmuesin gjerman në lojë dhe goli ishte i vlevshëm. “Ne thjesht donim të fitonim sot,” tha Lewandowski në një intervistë të tij pas ndeshjes. “Unë thashë në pushimin e pjesën së parë që kishim nevojë të krosonim më shumë dhe kështu erdhi goli. Bajern është një histori e shkëlqyer.” Bayern, i cili mundi Al Ahly të Egjiptit 2-0 në gjysmëfinale, ishte pa Jerome Boateng, që mungoi për arsye personale dhe Thomas Muller, i cili rezultoi pozitiv me koronavirus përpara ndeshjes. Joshua Kimmich dukej se i dha epërsinë Bayern në të 18 minutë me një gjuajtje të fuqishme në këndin e poshtëm, por goli nuk u lejua pasi Lewandowski u zu në pozicion jashtë loje, megjithëse nuk e ai nuk preku topin duke hapur vend për diskutime. Kjo është hera e dytë që Bayern fiton  Kupën Botës për Klube. Fitoren e parë të ketij trofeu Bayern e realizoi në vitin 2013. Fitorja do të thotë gjithashtu që Flick ka fituar më shumë trofe sesa ka pësuar humbje me ekipin si menaxher i Bayern. Flick ka një rekord 58 fitoresh – 5 barazimesh dhe 5 humbjesh në 68 ndeshje që prej marrjes së detyrës si menaxher i Bayern. Dhe me këtë llogari i bie që të ketë fituar më shumë tituj gjatë sesa skuadra e tij ka humbur ndeshje.

Pas triumfit të FC Bayern München në Kupën Botërore të Klubeve FIFA Katar 2020 ™  falë një fitore 1-0 ndaj Tigres në finale, Grupi i Studimit Teknik (TSG) cilesoi  Robert Lewandowski si lojtarin më të mirë të turneut, duke i dhënë atij topin e Artë adidas. 

Duke fituar finalen e Kupës Botërore të Klubeve FIFA, Hansi Flick jo vetëm që bëri histori me FC Bayern München duke barazuar rekordin e Barcelonës me gjashtë tituj. Ai gjithashtu vendosi një rekord individual: 55-vjeçari u bë personi i parë që fitoi si Kupën Botërore të Klubeve (që nga viti 2000) dhe Kupën e Botës FIFA si trajner, pasi e kishte bërë këtë edhe në 2014 si ndihmës i Joachim Low.

“Urime ekipit tim,” tha Flick pas finales. “Ata kanë realizuar një arritje historike, ata kanë fituar gjashtë tituj në një sezon. Edhe për klubin e suksesshëm që është FC Bayern München, ky ishte sezoni më i suksesshëm ndonjëherë. Ekipi luajti jashtëzakonisht mire. Fitorja nuk ishte kurrë në rrezik, ne dominuam dhe fituam me meritë finalen”

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, BAYERNI

INTERVISTA E FUNDIT ME PRESIDENTIN HISTORIK RUGOVA-RILINDJA 12 SHKURT 2005

February 12, 2021 by dgreca

Gazeta DIELLI riboton intervistën ekskluzive të Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dhënë në jubileun e 60 vjetorit gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, botuar në 12 Shkurt 2005. Kjo është intervista e fundit – një nga intervistat ekskluzive që ka zhvilluar me Presidentin historik Rugova korrespondenti i tashëm në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI.

Mbititulli: PRESIDENTI I KOSOVËS, DR. IBRAHIM RUGOVA, I DHA INTERVISTË EKSKLUZIVE GAZETËS RILINDJA NË JUBILEUN E 60-VJETORIT

Titulli në faqen 1 e 2: PAVARËSIA E KOSOVËS ËSHTË E MIRA E TË GJITHË QYTETARËVE DHE DO TA QETËSOJË RAJONIN

 Titulli në faqen 3: SHUMË INSTITUCIONE NDËRKOMBËTARE E KANË KUPTUAR SE PAVARËSIA E KOSOVËS DUHET TË BËHET SA MË SHPEJT

Titulli në faqen 4: RILINDJA KA NDIHMUAR DHE DO TË VAZHDOJË TË NDIHMOJË ZHVILLIMIN DHE PERSPEKTIVËN E KOSOVËS 

——————–

Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo 
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i 
bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.

 “Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare,  kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova.
“Unë insistoj, edhe nstitucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e 
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka deklerësuar z. Rugova.

——————–

 Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për 
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.
RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë. 

RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje. 

RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt. 

RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës. 

RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre. 

RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda? 

PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave. 

Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara. 

RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik. 

Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj. 

Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë. 

RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon? 

PRESIDENTI RUGOVA:
 Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok. 

RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë. 

RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit. 
PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President.

***

KUJTESA- Gazeta historike e Kosovës Rilindja nisi të dalë para 76 viteve

-Numri i parë i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja me datë 12 Shkurt 1945 i botuar në Prizren, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 11 Shkurt 2021/ Para 76 viteve, në 12 Shkurt 1945 në Prizren, nisi të dalë gazeta tradicionale Rilindja, histori Kosove që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për vetëvendosje e të drejtë bashkimi me Shqipërinë e deri në shpalljen e pavarësisë e njohjet ndërkombëtare.

Gazeta Rilindja, e vetmja në gjuhën shqipe në Kosovë, nisi të dalë me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë).

Numri i parë i gazetës Rilindja u shtyp në një tirazh prej mëse 3.000 ekzemplarësh dhe u shpërnda në gjithë Kosovën. Në fillimet e saj, në rrethanat e një shkalle të lartë të analfabetizmit të asaj kohe në Kosovë, gazeta Rilindja u përdor edhe për mësimin e shkronjave shqipe, shkrimit e leximit.

Gazeta Rilindja nuk u ndal edhe kur u ndalua dhunëshëm nga Serbia okupatore në vitin 1990, gazetarët dhe punonjësit tjerë të saj sfiduan ndalimin – revistën  e përdymuajëshme “Bujku” e shëndërruan në gazetë të përditshme të rezistencës, pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, kryeredaktor i parë – themelues i së cilës isha.

Gazeta e përditshme “Bujku” doli nga 18 Janari 1991 deri në prag të 1999-tës, të një viti tjetër të ri të luftës që po zhvillohej në Kosovë, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të Rilindjes nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, gjithnjë në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme me emrin Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre, dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova…

Ekipi i gazetës Rilindja hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup.

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm të kohëpaskohshëm dhe për festa.

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurt 2008 dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim.

 Zgjidhja për Rilindjen pritet e kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, e cila është autoritet mbi ndërmarrjet e pronat shoqërore. Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës,  pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar,  që tash është ndërtesë qeveritare, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

Gazeta “Rilindja” e gjithë viteve të daljes ruhet në Arkivin Shtetëror të Kosovës dhe në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, si dhe në biblioteka tjera…

Filed Under: Interviste Tagged With: 76 Vjet, DR. IBRAHIM RUGOVA, Rilindja

URIME PER 70 VJETORIN E LINDJES PROFESORESHE MJAFTIME DUSHALLARI

February 12, 2021 by dgreca

Sikur të mos ishte kërkesa e djalit tuaj për një  fjalim të  shkurtër sot nuk do t’i kishim mësuar shprehjet pikante të Nënë Behares dhe mencurinë e saj. E pranoj se vitet japin një lloj njësije matëse të moshës, por mendoj se ju keni treguesë të tjerë kohorë. Si studente juaja në Fakultetin Filologjik, unë e konsideroj veten një lloj trashëgimtare të veprës suaj. Dhe nëse mund të numërohen studentët dhe nxënësit e disa brezave të edukuar nga ju, mosha juaj është mijëra vjecare dhe e pamatshme me kritere konvencionale. Titulli Profesor nuk e ka bërë askënd të tillë. Nuk janë titujt akademik por zotësia juaj profesionale dhe dhuntia e natyrshme ligjëruese që janë cilësitë tuaja të rralla.

Me mirënjohje të pafund, uroj të gëzoni shumë e shumë përvjetorë të tjerë!

Rafaela Prifti

Mund te lexoni: Gazeta Dielli Dalip Greca Seminari Shkencor Arsimor mbajtur ne Vater maj 2018

VATRA PRITI MESUESIT E SHKOLLAVE SHQIPE

Filed Under: Komunitet Tagged With: 70 vjetori, Prof. Mjaftime Dushollari, Rafaela Prifti, urime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 196
  • 197
  • 198
  • 199
  • 200
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT