• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

1921, kur qeveria Vrioni zhvilloi zgjedhjet e para në Shqipëri

April 29, 2017 by dgreca

Përplasjet politike mes grupimeve të kryesuara nga Pandeli Çale, Eshref Frashëri dhe Koço Kotta. Si ia “fusnin” politikanët njeri-tjetrit kur hartoheshin listat e kandidatëve për deputetë. Kush nuk kishte të drejtë të ishte në listat e zgjedhësve. Devijimi nga vendimi i Kongresit të Lushnjës dhe “prapësitë” që erdhën si pasojë/

1 HarallambNga Harallamb Kota*/

Një nga vendimet e rëndësishme të Kongresit të Lushnjës, ishte mbajtja  e zgjedhjeve  për “Asamblenë Kushtetuese”, të cilat do të organizoheshin me një ligj të hartuar nga Këshilli Kombëtar. Por Ligji u hartua nga Qeveria më 5 dhjetor 1920 dhe u dekretua nga Këshilli i Naltë më 10 dhjetor 1920.

Duke organizuar zgjedhje “Parlamentare”, në vend të atyre për “Asamblenë Kushtetuese”, qeveria Vrioni dhe Këshilli i Lartë, dolën hapur kundër vendimit të Kongresit të Lushnjës.

Ligji u hartua nga qeveria

Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas burrë apo grua, që kishte mbushur moshën 30 vjeç, dinte gjuhën shqipe me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurkujt”. Sipas nenit 26, Oficerët që japin kandidaturën për deputet, duhet të japin dorëheqjen nga shërbimi ushtarak. Sipas nenit 2, deputetët zgjidhen në emër të Prefekturës, si përfaqësues të popullit të saj.

Nuk pranoheshin kandidat për deputet, Sipas nenit 1 dhe 8: burrat që janë dënuar me shëmtim, ata që janë falur po qe se nuk kanë të drejtat qytetare, si dhe ata që janë të burgosur, të falimentuar dhe të çmendur.

Zgjedhës mund të ishte ç’do shtetas (burrë), që sipas nenit 6, kishte mbushur moshën 20 vjeç në shkallën e parë dhe 25 vjeç në shkallën e dytë dhe paguan a s’paguan vergji.

Përjashtohen nga e drejta e votës, Sipas nenit 6: gratë. Sipas nenit 25: Fuqija e armatosur, komandantët, oficerët e ushtarët. Sipas nenit 1 dhe 8: burrat që janë dënuar me shëmtim, ata që janë falur po qe se nuk kanë të drejtat qytetare, si dhe ata që janë të burgosur, të falimentuar dhe të çmendur.

Sipas neneve 23 dhe 24 të “Ligjit” zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, me dy shkallë. Emri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votuesi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emrin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë.

Ligji për zgjedhjet, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, pasi siç thekson akademiku shqiptar Arben Puto në veprën “Shqipëria Politike 1912-1939”, Ligji i zgjedhjeve nuk dallohej për parime demokratike. Parimet anakronike përcaktuan edhe përbërjen e parlamentit. Në fakt, zgjedhjet që u bënë në pranverën e 1921-shit, dhanë një rezultat në favor të rrymës konservatore. Nga 78 deputetë ku bënte pjesë edhe Fan Noli përfaqësuesi i Vatrës, shumica shprehte interesat e bejlerëve, pra vazhdimin e rendit feudal, ashtu si kishte mbetur që nga koha e Perandorisë Osmane.

Listat e deputetëve

Zgjedhjet e para parlamentare u organizuan në muajin e parë të vitit 1921 nga qeveria me Kryeministër Iliaz Vrionin, sipas listave të miratuara nga Qeveria për çdo Prefekturë. Megjithatë, duhet nënvizuar se kandidatët që u përfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arsimuar në Europë e Amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”.Veç të kandiduarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga shtresa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistë dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”.

Zgjedhjet tepër problematike

Zgjedhjet e para pluraliste, krijuan mjaft situata problematike në të gjithë Shqipërinë.

Në zonat e Shqipërisë së Mesme, elementë turkoman nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata “frynin” urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar. Sipas Sejfi Vllamasit, “nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Sipas teorisë së këtyre propagandistëve, shprehet Vllamasi; “Ç’do geg që bashkëpunon me toskët nuk është geg. Geg i vërtetë është ai që është kundër toskëve”.

Në Jug të Shqipërisë, krahas elementit turkoman, vepronte energjikisht elementi grekoman, i cili pengonte organizimin e zgjedhjeve në ato Krahina.

Lufta Politike

Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një “luftë midis personave të të njëjtit grup politik”, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, pra të zbatohej vendimi i Kongresit të Lushnjës, kurse grupi Pandeli Çale-Eshref Frashëri ishte për zgjedhje parlamentare, pra kundërshtonte pikëpamjen dhe kërkesën e grupit të Koço Kota-s.

Prefekti provizor i Korçës Nikolla Zoi që përkrahte zgjedhjet parlamentare, dhe kryetari i Bashkisë Sotir Kotta që përkrahte zgjedhjet për asamblenë kushtetuese, ngritën komisionet zgjedhore dhe morën të gjitha masat e duhura, që kandidatët për deputet, pjesëmarrës në këto zgjedhje, të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Emrat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, sikurse shënon Sejfi Vllamasi,  u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref  Frashëri dhe Pandeli Çale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Në këtë grup bënte pjesë edhe prefekti Nikolla Zoi, komandanti i xhandarmërisë Ferit Frashëri dhe ministri P.Brendshme Xhafer Ypi. Ndërkohë që përgatiteshin listat e zgjedhësve, sipas Dr.Kaliopi Naska në librin “Këshilli Kombëtar 1920”,  në krahinën e Korçës vazhdonte lëvizja për mbledhjen e një “Asambleje Kushtetuese”, që “sipas vendimeve të Kongresit të Lushnjës, kishte të drejtën të shpallte formën e regjimit në Shqipëri”.

Kundërshtarët politikë

Ndërsa lëvizja për zgjedhjen e “Asamblesë Kushtetuese” ishte përkrahur nga kryeministri Sulejman Delvina, ajo ishte kundërshtuar nga një pjesë e qeverisë dhe e Këshillit Kombëtar. Për këtë shkak Sulejman Delvina dha dorëheqjen dhe kryeministër u caktua Iliaz Vrioni. Përkrahësit e kësaj lëvizje, konsideroheshin nga qeveria si kundërshtarë politikë dhe ndaj tyre po organizoheshin komplote. “Fazlli Frashëri, thotë Vllamasi, për një fjalim që kishte mbajtur në një miting për zgjedhjen e një “Asambleje Kushtetuese”, ishte ngatërruar keq me Xhafer Ypin, ministrin e Drejtësisë dhe të P.Brendshme në qeverinë e Iliaz Vrionit”.

Komploti sipas Vllamasit, “ishte organizuar qysh në Tiranë për zëvendësimin tim me Xhafer Ypin.  Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kandidat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i Krahut Kombëtar, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Çales me shokë”.

“Kundërshtia e Koços me ta, thotë Sejfi Vllamasi, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 myslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Çale edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës”.

Kështu mendonte Vllamasi. Por, e vërteta ishte krejt ndryshe. Kundërshtia e grupimit të përfaqësuar nga Koço Kotta ndaj grupimit qeveritar të përfaqësuar nga  Pandeli Çale, nuk ishte punë listash, apo luftë për karrigen e deputetit, siç e kishte kuptuar në kohën e tij Sejfi Vllamasi, por ishte punë idesh. Ishte lufta pa kompromis për të mbrojtur vendimet e mara nga Kongresi Lushnjës ku Koço Kota përfaqësonte popullin e Korçës dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar-Senator.

 

 

PROBLEMI FETAR

Në administratë do të punësohen të krishterë apo myslimanë?

 

Për të kuptuar nga se erdhën mbrapshtitë e zhvillimeve të ardhshme, është e domosdoshme të sjellim në vëmendjen e lexuesit, të vërtetën e hidhur por reale, lidhur me ekzistencën e dy mentaliteteve: mentaliteti oriental dhe mentaliteti oksidental, si dhe të nivelit të arsimimit të popullsisë e të administratës shtetërore. Shumë personalitete shtetërore, shfaqnin ende mentalitete orientale dhe parapëlqenin të mbanin titujt, gradat dhe privilegjet e dhëna nga Sulltani, gjë e cila vërtetonte ekzistencën e mbeturinave të mentaliteteve orientale dhe sipas nacionalizmës grekomane “karakterin turk të shtetit shqiptar”. Kjo situatë favorizonte pretendimet greke, për të ndërhyrë brenda shtetit shqiptar, në mbrojtje të popullsisë ortodokse, që sipas tyre “dhunohej nga administrata turkomane shqiptare”. Po ti referohemi statistikave qeveritare, situata në krahinat e Shqipërisë Jugore paraqitej: Analfabetizmi përfshinte  80% të numrit të shqiptarëve. Pjesën më të madhe të analfabetëve e zinte popullsia myslimane. Shqiptarët e arsimuar përbënin 20% të numrit të popullsisë. Pjesa më e madhe e të arsimuarve ishin të besimit ortodoks që zinin 75% të shqiptarëve të arsimuar.

Pyetja është e thjeshtë dhe kuptimplote: Kush duhej të punonte në administratën shtetërore, shqiptarët analfabetë, apo shqiptarët e arsimuar? Si mund të përparonte Shqipëria? Përgjigja është gjithashtu e thjeshtë dhe kuptimplote: Duke qenë se të krishterët ortodoksë përbënin 75% të shqiptarëve të arsimuar, duhej që në strukturën e pushteteve vendore, të punësoheshin 75% të krishterë e 25% myslimanë.

Aplikimi i baraspeshës në përfaqësim, 50% analfabetë dhe 50% të arsimuar, është miopi politike, shterpëzuese, antikombëtare dhe pragmatiste për qëllime elektorale.

Aplikimi në përfaqësim, 100% shqiptarë të arsimuar, pa dallim feje, krahine dhe ideje, ishte dhe mbetet  “politikë e drejtë kombëtare”.

Largimi nga mentaliteti oriental turkoshak dhe orientimi drejt një mentaliteti të ri oksidental, do ishte e vetmja mënyrë zhvillimi dhe rruga që të çonte drejt përparimit, ekonomik, kulturor, e social-shoqëror.

Administrata shqiptare duhej ndërtuar, me elementë shqiptar të arsimuar,të formuar dhe të edukuar me mentalitete oksidentale dhe të orientuar drejt aleancave euroatlantike. Është krejtësisht e besueshme, që ky është thelbi i mendimit të Burrit të Shtetit Shqiptar dr.Koço Kota, lidhur me krijimin e një Shteti Shqiptar, të fuqishëm dhe të zhvilluar. Fatkeqësisht, Kryeministri Vrioni, jo vetëm nuk kishte guxuar ta sillte në axhendën e qeverisë së tij këtë projekt, por e kishte anashkaluar.

 

 

Pandeli Çale

Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Lindi në Korçë më 1874. Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1900-1904 punon në koloninë e Bukureshtit. Më 1904 kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1908. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos manifestin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Emërohet Ministër i Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë. Vitet e Luftës së Parë Botërore i kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Më 1919 kthehet në atdhe. Më 1920 hartues dhe firmëtar i Protokollit të Kapshticës. Më 1920 emërohet Prefekt i Korçës. Në shkurt 1921 zgjidhet deputet në të parin parlament shqiptar. Vdiq i sëmurë në vitin 1923, nw një spital të Selanikut.

 

Eshref Frashëri

Ishte njw politikan me origjinw nga Korça. Ishte anëtar i Komitetit Kombwtar tw Mbrojtjes sw Kosovws. U emwrua Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920.Ishte njw nga figurat kryesore nw kwtw kongres, sw bashku me ASqif pashw Elbasanin dhe Ahmet Zogun. U dërgua nw Korçw me qwllim qw tw siguronte se ushtria franceze do t’ia dorëzonte qytetin qeverisw shqiptare dhe jo trupave greke qw ishin grumbulluar pranw kufirit. Organizoi njw miting popullor nw kwtw qytet ku u proklamua bashkimi i Republikws Autonome tw Korçws me Shqipwrinw. Militoi nw radhwt e partisw sw quajtur “Partia e Popullit” qw dominohej nga Ahmet Zogu. Shërbeu si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 1922 deri më 1923. Në vitin 1924 u zgjodh Kryetar i Kuvendit Kushtetues të Shqipërisë dhe në vitet 1924-1925 ishte Kryetar i Senatit. Mori pjesw nw dy rebelime kundër Presidentit Zog nw vitin 1925, por gjithsesi arriti tw ruante regata tw mira me kryetarin e shtetit. Vdiq nw vitin 1938.

 

Koço Kotta

U lind në Korçë në vitin 1889. Mësimet e para i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Në vitin 1912 Kota iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij duke punuar si kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në Qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali. Në vitin 1920, Koço Kotta mori pjesë në Kongresin e Lushnjes si deputet i Korçës ku u zgjodh dhe Sekretar i Kongresit. Nga viti 1921 deri në 1923 ai ishte prefekt i prefekturës së Beratit. Në vitin 1924 u emërua Ministër i Punëve Publike. Pas ngjarjeve të qershorit 1924, ai u largua nga Shqipëria për në Greqi. Mbas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit, Kota u kthye në postin e tij ministror. Ai shërbeu si Ministër i Arsimit në janar 1925. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1925, Kota u zgjodh deputet i Korçës. Ishte kryetar i Parlamentit 1925-1928 dhe 1930-1936. Ishte Kryeministër i Shqipërisë nw periudhat 10 shtator 1928 – 5 mars 1930 dhe 9 nëntor 1936 – 7 prill 1939 si dhe Ministër i Brendshëm nw periudha tw ndryshme. U dwnua nga regjimi komunist dhe vdiq nw burgun e Burrelit mw 1949.

*Studiues i historisë

Filed Under: Histori Tagged With: 1921, kur qeveria Vrioni. zgjedhjet e para

Ata qe ne emer te popullit…

April 29, 2017 by dgreca

2Sadik-ElshaniNga Sadik ELSHANI/Ata qe ne emer te gjakut te deshmoreve mundohent’ia pine gjakun popullit, qe ne emer te popullit ia bien atij shpirtin me dale, perbejne pjesen me te poshter te races njerezore.Kur i sherben kombit, atdheut, sherbimi mbetet i perjetshem.

Permendorja me e madhe qe mund t’u ngritet heronjve, eshte venja ne jete e idealeve, veprave, porosive  te tyre.Çlirimi nga pushtuesi i huaj, nuk do te thote gjithmone edhe liria e fituar. Despotet vendes jane po aq te pameshirshem sa edhe pushtuesi i huaj, madje mund edhe t’ua kalojne atyre.Disa njolla mund edhe te shlyhen, njolla e tradhtise kurre.

Demagogu te çon per te pire uje e te le pa pire uje.

Rruga qe na e pershkruan demagogu eshte e shkurter dhe e shtruar me lule, por nuk te çon askund. Ndersa rruga qe na e pershkruan njeriu i arsyeshem, eshte pak me e gjate e me e veshtire, por te çon ne cakun e deshiruar. Befasia eshte se, shumica e njerezve e zgjedhin te paren.

Demagoget premtojne shume, sepse ata vete nuk kane arritur asgje te rendesishme ne jeten e tyre. Prandaj, ata nuk e kane as idene me te vogel sesa veshtire arrihet dicka e rendesishme e qe ka vlere.

Mesues i mire eshte ai qe nxjerr nxenes me te zote se vetja e vet.

Edhe lemshit me te nderlikuar i gjindet fija, vetem duhet durim e perkushtim.

Cdo gje qe nxehet shpejt, ftohet shpejt – miqesi jetegjate eshet ajo qe krijohet duke u pjekur ngadale.

Nese njerezit nuk ndryshojne, atehere as koherat nuk mund te ndryshojne.

Koherat e medha nuk i kane lindur njerezit e medhenj. Jane njerezit e medhejne ata qe i kane bere koherat e medha.

Philadelphia, 29 prill, 2017

*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Ata .qe ne emer te popullit…, Sadik Elshani

Bashkimi Evropian gaboi me Kosovën

April 29, 2017 by dgreca

Bashkimi Evropian po tregon standarde të dyfishta kur është fjala për Kosovën dhe rrugën e saj integruese, thonë njohësit e zhvillimeve politike. Sipas tyre, Brukseli e ka lënë anash Kosovën, duke i dhënë përparësi të dukshme integrimit të Serbisë, çka ka ndikuar me rritje frustrimesh në Kosovë.

Ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ai i cili kritikoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe, siç kishte deklaruar ai, favorizimit që po i bëhet Serbisë.

Duke lënë anash faktin që institucionet e Kosovës kanë mundur të bëjnë më tepër në përmbushjen e agjendës evropiane, ka edhe një të vërtetë tjetër që ndërlidhet me neglizhencën e BE-së karshi Kosovës, thotë Emrush Ujkani,njohës i zhvillimeve politike dhe integruese.

Sipas tij, Kosovës po i kërkohet t’i plotësojë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, madje edhe ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por në anën tjetër, BE-ja, thotë Ujkani, nuk e ka të qartë nëse do t’i liberalizonte apo jo vizat për Kosovën edhe po të përmbushej ky kriter.

“Edhe po t’i plotësonte Kosova të gjitha kriteret, si atë të demarkacionit dhe të tjerat, pra jo vetëm ato që ndërlidhen me agjendën e liberalizimit të vizave, por edhe shumë fusha tjera, prapë mendoj që pengesa tjetër do të vinte nga pesë vendet anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, të cilat vazhdojnë ta bllokojnë atë”, thotë Ujkani.

Retorika e ashpër e lidershipit të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian, sipas Emrush Ujkanit, megjithëse paraqet një joseriozitet, nuk pritet t’i dëmtojë marrëdhëniet dhe Brukselin dhe proceset integruese evropiane.

“BE-ja sikur është mësuar me reagime të tilla, pasi që edhe ajo ka qenë neglizhente në raport me Ballkanin Perëndimor, në këtë rast edhe me Kosovën, çka po e pranojnë edhe vetë zyrtarët në Bruksel. Prandaj, unë nuk mendoj se një retorikë e tillë i dëmton raportet dhe imazhin, por do të dalim jo serioz karshi partnerëve ndërkombëtarë”, thekson Ujkani.

Ndërsa, kryeministri Isa Mustafa e kishte cilësuar si të pakuptimtë kushtin e Bashkimit Evropian për ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi për liberalizimin e vizave, këto ditë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka adresuar kritika të ashpra në drejtim të zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Duke u ndërlidhur me mesazhet e zyrtarëve të BE-së, të cilët e qortuan në mënyrë indirekte Thaçin për deklaratat e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet nëse Brukseli nuk ofron perspektivën integruese evropiane për Kosovën, Thaçi tha se zyrtarët e BE-së po bëjnë deklarata të gërditshme.

“Kërcënim për Bashkimin Evropian është nacionalizmi serb, është Beogradi, i cili është duke punuar në destabilizimin e rajonit dhe instalimin e ndikimit të fuqishëm të Rusisë në Serbi, prej bazave ushtarake deri në MIG-at rus dhe kjo përkëdhelje dhe deklarime nga zyrtarët e Bashkimit Evropian për Beogradin janë shumë bajate, shumë të gërditshme dhe neveritëse”, tha Thaçi.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se Bashkimi Evropian ka një kohë të gjatë që nuk e trajton Kosovën në mënyrë të barabartë me vendet tjera.

Aplikimi i standardeve të dyfishta në raport me Kosovën, sipas tij, ka ndikuar edhe në retorikën e ashpër politike të lidershipit të Kosovës, ndonëse sipas tij, institucionet e Kosovës nuk është dashur ta tolerojnë që në start këtë qasje të BE-së në raport me Kosovën.

“Kemi një neglizhim, kemi një injorim, kemi një qasje krejtësisht hipokrite të BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës, posaçërisht sa i përket liberalizimit të vizave, sepse është krejtësisht e pa kuptimtë që të mos ndodhë liberalizimi, ndërkohë që vendeve tjera, të cilat kanë pasur probleme edhe më të mëdha sesa Kosova, u janë liberalizuar vizat”, thotë Muhaxhiri.

Trajtimi jo i barabartë i Kosovës nga Bashkimi Evropian, thekson Artan Muhaxhiri, vërehet edhe në procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. Ai konsideron se Beogradi, nuk është qortuar as në momentet kur ka provokuar dhe sfiduar seriozisht sigurinë në Kosovë, siç ishte rasti me trenin rus që ishte nisur nga Serbia për në Mitrovicë.

“Ka pasur standarde të dyfishta ndaj Kosovës dhe ndaj Serbisë. BE-ja, ndaj Kosovës ka qenë shumë më e ashpër dhe shumë më hipokrite, sesa që ka qenë ndaj Serbisë, të cilës i janë lejuar edhe projekte provokuese edhe fashiste, siç ka qenë ai i trenit me slogane anti-kosovare dhe anti-shqiptare”, thekson Muhaxhiri.

Kosova ka mbetur prapa në proceset integruese evropiane, si shteti më i izoluar, dhe i vetmi në rajon pa liberalizimin e vizave.

Një gjendje e tillë, sipas analistëve, po i shton frustrimet dhe zhgënjimet, të cilat tani besohet se po reflektohen edhe në deklaratat e udhëheqësve të shtetit.(Zijadin Gashi-RFL)

Filed Under: Featured Tagged With: Be, gaboi me Kosoven

NJË E KEQE OGURZEZË QË PO GODET PA MËSHIRË

April 29, 2017 by dgreca

Nga Sokol Demaku/Abuzimi me substanca psikotrope është një problem i madh shoqëror dhe shendetësor në tërë botën, nga se pasojat që dalin nga efektet e drejtëpërdrejta dhe të tërthorta nga kjo shprehi e kobshme njerëzore janë shumëfish të dëmshme për njeriun që bëhet rob i kësaj të keqje, i marrjes së materieve dehëse, po ashtu edhe për rrethin e gjërë social ku jeton dhe vepron ky ose një grup abuzuesish të drogave.

Duhet të dijmë se droga paraqet një varg materiesh psiko-aktive të cilat nëse merren nga ana e njerëzve, ato kanë aftësi të dëmtojnë dhe ndryshojnë integritetin psiko-fizik të atij që i përdorë. Organizata Botërore e Shendetësisë ka dhënë një definicion mbi varshmërinë nga droga në të cilin thuhet:”Vartësia nga droga paraqet një gjendje helmimi kronik ose periodik të individit me droga naturale.gjysëmsintetike e cila karakterizohet me një dëshirë dhe pasion të pafrenueshëm që të merret me cdo kusht, prirje për të rritur dozën si dhe varshmëri fizike dhe psiqike me veprim destruktiv mbi përsonalitetin e narkomanit. Ky problem del më i mprehtë dhe më serioz kur kihet parasysh fakti se kjo epidemi ugurzezë moderne si të themi prek më së shumti rininë, ardhmerinë e cdo shoqërie në rruzullin tokësor duke mos bëre dallim në shtresat sociale të shoqërisë,gjininë apo moshën e tyre. Të gjithë ata që abuzojnë me këto lendë shkundullisëse përballen me dukurinë e shfaqjes së sindromit abstencial pas nderprerjes se konsumimit të ketyre materieve por më shpesh me varshmeri totale të individit nga këto materie. Keto materie do i ndajmë në bazë të efektit të crregullimeve mentale si rezultat i përdorimit kompulsiv në:Alkooli, iopiatet, kanabinodet, sedative dhe hipnotikë, kokaina, kofeina dhe stimulues të sistemit nervor qendror, halucionagjenët, duhani dhe tretësit që avullohen. Por në anën tjetër është më shumë rëndësi të dihen shkaqet dhe faktorët që sjellin deri tek paraqitja dhe përhapja në përmasa kërcënuese të këtij vesi kompleks që dëmton  mirëqenien e njerëzimit. Dukuria e narkomanisë sa vjenë e bëhet aktuale, ngase për cdo ditë po rritet numri i konsumuesve të rinjë, bile edhe ndër nxënës të shkollave fillore. Eshtë njërrjet shumë i organizuar i prodhimit, përpunimit, distribuimit dhe përdorimit të drogës. E këto janë kanale të thella në këtë veprimtari por mbetët që të punohet në ndergjgegjësimin e rinisë sonë dhe të potencohen rrethanat që qojnë në parandalimin e kesaj shprehie ugurzezë. Janë disa faktorë që shpien në përhapjen e narkomanisë e këtajanë faktorët që përcaktojnë :

a) përsonalitetin e narkomanit ku në raste tipike këta janë adoleshentë psiko-labil të cilët janë intolerant ndaj streseve dhe traumave fizike e psikike, endacak me teke të cuditshme, psikopat latentë të papjekur, neurotikë.

b) kushtet socile-ekonomike ku rolin dominant e ka funksinimi i shendoshëi mjedisit familjar me të gjitha premisat e harmonizuara morale e materiale. Ambienti ku rinia shkollohet dhe edukohet ndikon pozitivisht por në të shumtën e rasteve negativisht në paraqitjen e kësaj

dukurie ogurzezë si dhe raportet e këqija ndernjerëzore në mjedise të

caktuara.

  1. c) substancat psikoaktive si faktor provokues me cilësin e tyre toksike dhe farmakologjike përbejnë nje moment inicues e favorizues për të kerkuar shpëtim idilik, e ketë e kërkojnë dhe e gjejnë tek droga. Por edhe përdorimi legal i medikamenteve, hipnotike bile edhe narkotike që arsyetohet nga mjekët me anë recete, indirekt shton kuotën e narkomanëve.

Derisa bejmë fjalë për faktorët stimulues të kësaj dukurie me implikime të parenovueshme soaciale ekonomike duhet të pranojmë si inkurajues faktin se masat e ndryshme preventive deri në 50% kanë ulur numrin e narkomanëve ndër adoleshentë për një periudhë 10 vjeqe.

Pra cilat janë këto masa që duhet nderrmarrë që mundësojnë një efikasitet kundër kësaj sëmundje socilae?

Së pari duhet punuar më shumë me prindër e mësues të cilët rrisin dhe edukojnë brezin e ri, personeli mjekësor me mjekun familjar, psikiatrët, psikologët, sociologët dhe pedagogët. Praktika jetësore na mëson se një e keqe nuk shkon vetëm andaj edhe ky lloj ”dëfrimi” rrënues përcillet me sëmundje të ndryshme si hepatiti, (Sida) Aids si dhe me kriminalitet, vjedhje, dhunë, prostitucion dhe vrasje. Shumë shpesh ne bejmë gabim kur stigmatizojmë narkomanët ku ata edhe më tepër mbyllen në botëne tyre të pa shpresë ene më këtë veprim ata i qojmë kah gremina jetësore e izolimit dhe bojkotimit social e profesional. Narkomanëve u duhet mbeshtjetje morale e materiale për një risocializimsa më human, qendrim ky i cili do të rriste numrin e atyre qe do të hiqnin dorë nga ky aktivitet ogurzezë keqëberës.

Filed Under: Analiza Tagged With: NJË E KEQE OGURZEZË QË, PA MËSHIRË, PO GODET, Sokol Demaku

AT PJETER MESHKALLA S.J.

April 29, 2017 by dgreca

1967- A  KISHIN  MBETË  BURRA  QË  E  KUNDERSHTUEN “REVOLUCIONIN  IDEOLOGJIK  E  KULTURAL” ?/

1 pjeter-meshkalla-1PAPA GJON PALI II ka thanë: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vëllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit…”/

Nga Fritz RADOVANI/

■Kishin mbetë edhe pak!..

Tirana zyrtare komuniste e “tipit të ri kinez” publikonte artikuj dhe thirrje të “rinisë revolucionare” per një vendosmeni të pashoqe per me çue deri në fund idetë e detyrat e “shokut” Enver… Dhe, kur u kthye nga Shkodra kamera e kinostudjos së Tiranës, dilnin detyra tjera urgjente nga podet e sallës së Institutit Pedagogjik, ku kishte ardhë me “zbatue” ata ide në Shkoder “hija e drejtuesit revolucionit” ose “dora vetë” Ramiz Alia.

■Aso kohe kishte “disa dr. Profesora” që kur ishin në Bulevardin e Tiranës në xhiro dhe, po të fillonte me cikrrue shi… Po të ishin pa mrrela, futeshin derisa të pushojnë shiu në Komitetin Qendror të PPSH, ose edhe në Kryeministri… Ndersa, po t’ ishin tek qendra pra, tek Xhamija, futeshin në ministrinë e mbrendshme jo per gja, po “pinin një kafe”!

■Këta “intelektualë” edhe sot vazhdojnë me thanë dhe me shkrue se: “Mbas vitit 1946 në Shqipëri nuk kishte më kundërshtarë të regjimit dhe as të PPSH, pas atyre që u vranë deri në 46 (dyzetegjashtën), pushteti popullor nuk kishte më asnjë pengesë kundershtare as në qytet dhe, as në fshat. Populli punonte për ndertimin e plotë të socializmit!…”

■Kjo thanje atëherë dhe sot ishte vetem dobsi që mbrohej nga injorantët me tituj. Shumë prej tyne e perforcuene këte “ide” kur filluene bashkpunimin me sigurimin e shtetit.

Në kjoftëse nder “demokraci popullore të Lindjes”, “me të vertetë në 1967 nuk kishte kundershtarë të qeverive atje”, Shqipnia vazhdonte me pasë ma shumë kundershtarë që e dishronin ose e kerkonin perditë permbysjen e pushtetit komunist, sesa e donin ate!

■Një nder Herojt ma të mëdhaj kundershtarë të sistemit komunist në Shqipni (e ndoshta në krejt Lindjen komuniste) asht kenë i Madhi At Pjeter Meshkalla…

■Pak ditë para arrestimit të dytë i ka tregue Nanës s’ime se do të arrestohet, sepse i kishte shkrue një letër kriminelit Mehmet Shehu për shka po ngjante me “Revolucionin Kultural” në Shqipni…Mbasandej, …“Edhe ndonjë meshtar që ka pasë kenë në burg, ka vdekë, e asht e nevojshme me hy dikush prej nesh mbrendë, se aty ka shumë nevojë për meshtar, mbasi ndër burgje janë shumë të rijë dhe njerëz që janë dëshprue nga mërzia dhe vuejtjet e randa, që janë tue kalue tash sa vite. Asht e nevojshme prania  jonë aty…”

Me daten 29 Prill 1967, ora 17.00 u organizue një mbledhje e madhe në auditorin e Institutit Pedagogjik, ku merrnin pjesë instruktorë partije, profesorë dhe intelektualë të “njohun” per kulturen e gjanë ateiste dhe antishqiptare, shumica agjenta sigurimi…  Luigj Shala, i ngarkuem me drejtue mbledhjen i dha të drejtën e fjalës At Mëshkallës.

Ai porsa doli para auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:

“Ah, sa mirë që po më jepet rasa me folë njëherë para Popullit me altoparlanta!

Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue Popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe, më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka kenë gjithmonë i mirë…me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!.. Këte kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojmë në një Zot, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerzë që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça dhe nda, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafët, e një ditë ka me ju hangër kryet… Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni…

Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu fëmijëve para me hangër, sepse të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës… Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi…

Ju i përgjithësoni veprimet, ju flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në Shek.XX…Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale e tashti nuk ka as liri feje e ndërgjegje…Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu, a e dini se po bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht ruejtë nga z. Nikolin Muzhani).

U ndigjue një za nga salla, ishte “shoku” Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” –Mëshkalla ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, ka dymijë vjet që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e po forcohet! Shqiptarët nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prind Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quejtën Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet dhe u bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar e derisa të vdes do të jem SHQIPTAR! Unë i përkas  Popullit tem, ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba unë për té, por ai  mos harroni se ju njeh mirë edhe ju!”…

■Filluen mbas At Mëshkallës diskutimet e zjarrta në sallë kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij Urdhni i përkiste edhe At  Mëshkalla. Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu anadollaku Jup Kastrati, miku i Ramiz Alisë. Ky ishte i porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare (Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet. Ishte koha e bashkpunimit me oficerin Rakip Beqja.

Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa “pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla i tha: “Shko e lexoi mirë, se as nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i shtërngoi dorën Shefik Osmani, për fjalët e “bukra” që shprehi në drejtim të At Mëshkallës… Asht kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë mësues At Mëshkallën dhe nuk mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte moshë kundër mësuesit tim”. Xhemal Dini, sekretar i Komitetit të PPSh, njoftoi per ata Degën e Mbrendshme, “Me pasë në kujdes qendrimin e tyre.”.

■Nga vendët e para u çue xhelati i njohtun i Sigurimit Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i Seksionit Katolik në Degën e Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u ngërdheshë i vuni prangat. Tue hy At Mëshkalla në gjips të Sigurimit, krimineli i ra me shqelm…

***

DOSJA 4191/1 Padër Pjetër Mëshkalla Dosja (Arkivi M. M. Tiranë, 1998)

Hetimet fillojnë me 30 prill 1967, ora 08.00. Oficeri pyetës asht Llambi Jegeni, asistues Skënder Myftafaraj. Në kontrollin që u ba në shtëpinë e tij asistoi oficeri kriminel Dhimitër Shkodrani. Arrestimi dhe kontrolli i shtëpisë u ba me urdhën të prokuror Faik Minarollit. Hetimet u banë në disa seanca gjatë muejt qershor, me dt. 10, 15, 20, 24, 26.

Pyetjet fillojnë nga materiali i mbledhjës së zhvillueme në Institut… Përsa i përket veprimeve të Shtetit në drejtim të Fesë, ata për At Meshkallën janë të papranueshme: “Janë shkelje e të drejtave të njeriut, për të cilat vetë Qeveria Shqiptare asht angazhue se do t’i ruejë të paprekuna.”

■Nga një proçes-verbal rreth dy faqësh i mbajtun me 19 korrik, në orën 14.00, shënohet: “Mbas hetimëve të bëra ndaj armikut të popullit Padër Pjetër Mëshkalla, Gjykata e Rrethit të Shkodrës e përberë nga: Kryetar: Muhamet Tyli, anëtarë: Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror Kostaq Shandro dhe kryesekretari Ibrahim Stankaj, me vëndimin nr. 44, dënoi të pandehurin Pjetër Mëshkalla me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie dhe, me konfiskimin e pasurisë (së tundëshme dhe të patundëshme)”. Ai u dënue me masën maksimale se në gjyq deklaroi: -Se po të shprehin lirisht mendimët e tyne (njerëzit), ky Pushtet nuk ka për të zgjatë shumë.”(Marrë nga proçes-verbali i Gjykatës së Rrethit të Shkodrës). Duket se ajo copë letër nuk tregon asgja, por, jo!..Tregon ate që mohohet!

***

■Gjyqi u zhvillue po, pak kush dinte mbylljen e asaj ngjarje të madhe historike per të cilen vazhdon edhe sot heshtja… E kjo heshtje me siguri njëditë “do të shkrepin”!

Në fjalen e fundit në gjyq At Mëshkalla tha: “Ju më dënoni sa të doni, mbasi mue nuk keni shka më bani, unë prap se prap do të dal, sepse, ju shpejt keni me mbarue, mbasi shoshojnë keni me hangër, e aty asht fund i juej! Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë!”

At Pjeter Mëshkalla ia mbërrijti asaj ditë që pat profetizue ma parë. Ai  pa me sy shka paralajmëroi. Diktatorët me të vërtetë hangrën kokat e njeni tjetrit dhe këtij nuk patën shka me i ba. Ai dhe Ideali i Tij FITOI !

***

Mbas Gjetsemanit, përsëri Kalvar,…. Kalvar i pafund ishte për Klerin Katolik Shqiptar rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej, dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për së gjalli, mbytej e pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”! Shikonte Europa… e bante sehir! Ndokush… edhe zgërdhihej!..Per me vertetue këte që kam shkrue do të Ju paraqes Letren që At Pjeter Mëshkalla S.J., i ka shkrue terroristit njohun të Spanjës, pra atij Kryeministrit që kur u ngjitej shkallave të Kryeministrisë, hapeshin dyertë “vetvetiu”… dhe, ja çka i thotë:

Kryetarit të Këshillit të Ministrave

Mehmet Shehu Tiranë

Shkëlqesë,

   Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjes dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i kthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.

   Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.

   Por unë dëshiroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.

   Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrnija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditen.

   Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vaj, si përfaqësuesin e fesë së vet.

   Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonaret, e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjegje populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahet synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitet shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të ?

   Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.

   Unë them se, me këte luftë kundra fesë neve, edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjegjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.

   Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit.

   Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                               Me nderime

Mehmet Shehu                                                                   Pjetër Mëshkalla

në Kryeministri – Tiranë                                          meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.

5 Prill 1967.

■Shënim FR: Letra u kopjue nga origjinali në Arkivin e Ministrisë së Mbrendëshme në (1998). 

***

1992 Shkova tek Don Mikel Koliqi per dekorimin e At Mëshkallës e u gëzue shumë. Mbasi firmoi peticionin, më tha: “Ai e meriton, mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të Tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, ua ka shti Ai ndër mend atyne arrestimin, gja të cilën, na të tjerët nuk e kemi ba.”

2017 Prill: Po sot, a u kujtue kush per Veprat Heroike të At Pjeter Mëshkallës !?

■At Pjeter Mëshkalla S.J. nuk asht shpallë “I Lumnueshem!”. A duhet rishikue Lista?!

Filed Under: Histori Tagged With: At Pjeter MËSHKALLA S.J, Nga Fritz RADOVANI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2039
  • 2040
  • 2041
  • 2042
  • 2043
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT