• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Booby Trap i Dosjeve të Komunizmit

April 19, 2017 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Ndërgjegja humane është një rrjet me dy hyrje të shkallëzuara:  porta e vetëdijes dhe porta e dijes. Lidhja e ngushtë e tyre paraqet dy hallkat e një zinxhiri. Nëse dija nuk është e mjaftueshme, është vetëdija ajo që ngarkohet për të plotësuar boshllëkun…

Të parën e shohim si mëshirim tek besimi në një inteligjencë e cila shkon deri tek harmonia kozmike. Të dytën, e hasim ngado dhe kudo, si një ingranazh jetik, si formulë dhe hallkë për ekzistencë.

Në këndvështrim objektiv, njeriu pajtohet me kushtet e rrethanat e caktuara në kohë dhe hapësirë, krijon një  kompromis (të varfër) të detyruar. Sigurisht kjo nuk duhet të bëhet një modus vivendi në mënyrë definitive për zgjidhjen. Nëse ne pranojmë kushtet dhe rrethanat si përcaktuese, duhet të pranojmë se këto kushte dhe rrethana janë të lëvizshme siç janë kushtet e botës fizike dhe shpirtërore. Njeriu mund të sillet si një trup i ngurtë, pra si një objekt, por kjo nuk sjell dobinë e kërkuar relative. Ngatërrimi i informacionit pa burim të filtruar dhe braktisja e vetëdijes çojnë në konfuzion dhe shtrembërim të të vërtetave të jetës. Nëse ne e përdorim trurin si të tillë, ne nuk kemi  privilegjin për të dalluar shkëmbin dhe shpellën, të vërtetën dhe gënjeshtrën, abstrakten dhe realen. Megjithatë, ndërgjegja e degraduar humane është e prirur për të besuar më tepër gjërat e sheqerosura ose sajimet e qëllimshme (dënuese e denigruese të grupimeve diktatoriale apo të ndotësve demagogjikë) se sa të vërtetën e prekshme, nganjëherë tejet të dhimbshme.

Lufta e njeriut me njeriun është e lashtë sa vetë historia. Mitologjia antike, edhe pse fryt i përfytyrimeve, fillon me luftën e Perëndive dhe përshkallëzohet më gjaksore tek njerëzit, ndërsa Bibla, e pasqyron edhe më qartë agresivitetin çnjerëzor, realitet i përsëritur herë pas here në histori, sa sot me të drejtë dyshohet në ekzistencën e një ndërgjegje universale. Kjo, sepse dukshëm shumë njerëz nuk kanë mësuar asgjë nga përvojat e së shkuarës. Kështu  ngjet edhe tek ne dhe më e kapshme kjo dukuri bëhet sa herë bie fjala për qendrimin ndaj së shkuarës. Dikush hedh një fjalë, të tjerë lëshohen ta tjerrin sipas dëshirës, duke endur kështu skenarin e një shfaqjeje të shformuar.

Kështu në skenë po shfaqen  sërish dramat e personazheve realë. Të vuajturit e djeshëm, janë ribërë subjekti i preferuar i përfaqësuesve të institucioneve, opinionistëve dhe mediave. Dija dhe vetdija janë përmbysur duke përdhosur norma e kode të tëra e për rrjedhojë janë ngatërruar edhe rolet. Tipik është rasti i njërit nga personalitetet e mbijetuara nga regjimi çnjerëzor komunist, Visar Zhiti. Ai ka mbrojtës dhe akuzues, çmues dhe përçmues. Çmuesit e tij janë të sferave dhe bindjeve të ndryshme, ashtu si dhe kundërshtarët. Në skenarin që luhet në kurriz të tij, shohim djajtë të sillen si engjëj duke i propozuar kurorë pas ndëshkimit dhe autoritetin e lartë të papërgatitur në gjykim. Dikush e nënçmon tek i tregon një letër, një tjetër e mbron se nuk ka vënë firmë…

Adhuruesit e thjeshtë janë spektatorë të pafuqishëm në lojra të tilla. Ata, qoftë kur japin mendim pozitiv, qoftë kur japin mendim negativ, nuk arrijnë të ndryshojnë ndonjë gjë, përveç ndryshimit të opinionit të tyre nën trysninë e opinionit zyrtar. Sepse në fund të fundit, ata janë aty për të kryer ritualin e duartrokitjes e për të përshëndetur suksesin e aktorëve. Në këtë kontekst, ne ballafaqojmë qëllimin dhe objektivin, sarkazmën dhe cinizmin, dëshirën dhe zhgënjimin. Vuajtjet e Visarit nuk i kanë provuar as mbrojtësit dhe as kundërshtarët. Të gjithë flasin kuturu si në pazarin e dhenve, ku përsëri diferencën e bën  kasapi.

Tek e sheh këtë teatër primitiv, vetiu vijnë disa pyetje: Të gjithë këta njerëz të “kulluar”  të shekullit  XXI, a kanë bërë një ditë të vetme në tmerrin që ka kaluar Visari dhe mijëra bashkëvuajtës të tij?  A kanë  patur rastin që në pjatën e tyre të gjellës të largojnë krimbat për të ngrënë lakrat? A kanë provuar prangat  gjermane  dhe duart e tyre tek shtërngoheshin me cepin e kapotës deri në zero, kur dikush rrëzohej përdhe pa ndjenja, apo një tjetër vdiste duke e lënë zemra? A kanë patur rastin që të ngrihen në acarin minus 20 gradë, kur për të mbijetuar, trupin e mbështillnin me gazeta, dhe këmbët me lecka dhe copza batanijesh të kohës së luftës së parë botërore? A kanë patur rastin të lageshin përditë në dushin e galerive (dy mijë metra në thellësi të tokës) me ethe që vibronin në palcë? A kanë patur rastin që në apelin e përditshëm të shohin rrallimin e shokëve të fatit një e nga një nga vdekjet e pritura dhe të papritura? A kanë  patur rastin të provojnë elektroshok, apsez, haloperidol, 2 me 1, chloropromazin, terralene, nozinane, imipramine, opium dhe torturat çnjerëzore, gjoja në emër të eksperimentimeve shkencore? A kanë patur rastin  të informohen për pushkatimet, internimet e të afërmve të tyre?

Dr. Kristo Kallapolli, për hatrin e fëmijëve të tij (sigurimi e kërcënonte se do t’ia ndëshkonte familjen), do të pranonte akuzën bajate të “poli-agjentit”! Eshtë kollaj që të predikosh moralin e qëndresës, pa peshën e zinxhirëve mbi shpinë dhe kaskat e vdekjes mbi kokë. Po zotërinj! Eshtë kollaj dhe turp!!!

Tablloja rëndohet, kur shohim dhe njeriun e letrave Kadare, tek shprehet se nuk do ta falë Lubonjën (për të cilin  nuk kam ndonjë konsideratë për vetë flip-flop-et e tija), i cili, gjoja e paskësh paditur. Ja klemenca e përçudnuar e shkrimtarit …! Çudi! Por çudia nuk mbaron me kaq edhe pse rrallë kush pyet se çfarë i ndodhi shkrimtarit Kadare nga paditja e Fatos Lubonjës? Pse nuk e burgosën, kur të burgosnin për një fjalë goje…?! Lavdia e pompuar nga privilegjet rozë vetpaditet tek bëhet qesharak duke bërë rolin e viktimës, kur në fakt, viktima është Lubonja. Por le ta pranojmë për një çast që dhe vetë Kadare është viktimë. Cili do të ishte atëherë kuptimi i këtij debati?! Fajtorë janë vetë viktimat, dje dhe sot! Hartuesit, urdhërdhënësit dhe përdoruesit e dosjeve famëkeqe, domethënë, vetë Sigurimi dhe ish kasta e lartë e PPSh, nuk janë përgjegjës për krimet e diktaturës dhe pasojat e saj.

Siç shihet, asnjë nga të “kulluarit” kritikë nuk i njeh vuajtjet dhe tmerret që kanë kaluar të persekutuarit. Atëherë, si mund  të bëhet një gjykim racional kur nuk ekziston njohja…?!

Të gjithë njerëzit që kanë kaluar nëpër dyert e terrorit komunist e dinë se si janë bërë dosjet dhe kush i ka udhëhequr. Tani me dosjet e persekutorëve duan të vrasin përsëri viktimat e rregjimit, e kush bën këtë gjykim? O Zot, më fal…! Gjykimi është kalibri që mason të mirën dhe të keqen.

Nuk i ka hije asnjë personi të bëjë rolin e gjykatësit apo aktorit mbi tragjedinë e viktimave dhe aq më pak ta quajë veten të përndjekur, kur njihen që disa prej tyre e kanë çuar në piedëstal dikatorin Hoxha…

Letrat ill-smelling që ka lënë diktatura janë një stisje e tmerrshme që ngjan si një booby trap, që vret më tepër të persekutuarit (90%) sesa përsekutorët e kuq që i sajuan ato …

Atëherë, çfarë u mbetet të persekutuarve për të mbrojtur nderin e tyre të nëpëkëmbur, të bëhen kamikazë ?!

Rumi thoshte : “Plaga është drita në të cilën ju hyni!”

Falë persekutorëve, të persekutuarit e kanë fituar atë.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, Booby Trap, i Dosjeve, të komunizmit

Kosovë-Serbi, 4 vjet nga Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve

April 19, 2017 by dgreca

-Çka thuhet në marrëveshjen e 19 prillit 2013 e të 25 gushtit 2015 dhe çka thuhet për marrëveshjen për Asociacionin… në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 23 dhjetorit 2015?/
-Qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”/
– Në Bruksel – 30 takime kryeministrore, 2 me pjesëmarrje edhe të presidentëve/
PRISHTINË, 19 Prill 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Para katër vitesh, në 19 prill 2013, në Bruksel, Kosova dhe Serbia  – kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, në raundin e 10-të të dialogut,  kanë parafuar Marrëveshjen e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve, të vlerësuar historike. Marrëveshja 15 pikëshe, në 6 pikat e para  ka Asoaciacionin apo Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në tekstin e Marrëveshjes, nën një, përcaktohej: “Do të ketë një Asociacion / Bashkësi e komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët pajtohen”.
Asociacioni i komunave me shumicë sebe në Kosovë është një nga katër marrëveshjet Prishtinë-Beograd të nënshkruara nga krerët e dy qeverive, Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç, në mbrëmjen e 25 gushtit 2015 në Bruksel, në raunin e 28 të dialogut në nivel kryeministrash, ndërsa kundërshtohet nga opozita kosovare.
Në marrëveshje, e para pikë është kjo: “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë themelohet si një Asociacion/Bashkësi i komunave siç parashihet me Marrëveshjen e Parë, Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Ligjet e Kosovës”.
Mes tjerash, në marrëveshje, te “Objektiva” thuhet se Asociacioni “vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare”.
Ndërsa, te “Buxheti dhe përkrahja”  theksohen “kontributet, grantet, donacionet si dhe përkrahja financiare nga asociacionet dhe organizatat tjera vendore dhe ndërkombëtare si dhe nga Republika e Serbisë”.   
Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.
Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.
Në raundin e 30-të kryeministror në Bruksel, në 27 janar 2016,  ku është biseduar për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri atëherë dhe rrugën përpara në dialog, temë kryesore ka qenë zbatimi i marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë dakordim për afat kohor dhe kryeminsitri kosovar Mustafa dhe ai serb  Vuçiç kishin “qëndrime të kundërta rreth vendimeve të Kushtetueses” së Kosovës.
Ky ishte raundi i shtatë i takimeve në Bruksel i kryeministrave Mustafa e Vuçiç, i pari në vitin 2016, i fundit në nivel kryeministrash.
Kosova dhe Serbia, në Bruksel, kanë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA.
 Takimet në nivel të lartë në Bruksel të kryeministrave aktualë Mustafa e Vuçiç, të qeverive të zgjedhjeve 2014 në të dy shtetet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë, pasojnë 23 raundet e zhvilluara nga kryeministrat e mëparshëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, të cilët në shtatë raundet tjera ishin pjesëmarrës delegacionesh në këtë dialog si ministra të punëve të jashtëme.
Ndërkohë, Thaçi është prej mëse një viti president i Kosovës dhe edhe Vuçiç është tashmë i zgjedhur president i Serbisë këtë vit, në 2 prill, të cilët pritet ta vazhdojnë dialogun në nivel presidencial.
Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar në në Bruksel edhe dy takimi në nivelin më të lartë-me pjesëmarrjen edhe të presidentëve Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliç, madje Brenda një jave  në 24 janar dhe 1 shkurt 2017, me fokus në realizimin e marrëveshjeve.
Bisedimet Kosovë-Serbi në nivel të lartë kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Katër vjet pas Marrëveshjes së parë, ende nuk dihet  kur do formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Po, në Kosovën e pavarur edhe para formimit të Asociacionit komunat serbe kanë përgjegjësitë nga Paketa Ahtisaari e procesi i decentralizimit, i nisur para nëntë viteve e zhvilluar më tej.
Në Kosovë, Mitrovica e Veriut është komuna më e re, e 38-ta, e 10-ta me shumicë serbe, e 5-ta pas Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut e Parteshit, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Procesi i decentralizimit në Kosovë ka nisur zyrtarisht në shtator 2008 – vitin historik të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt, të njohur deri tash nga 114 shtete anëtare të OKB-së.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
 
 PËRMBAJTJA E TEKSTIT TË MARRËVESHJES KOSOVË – SERBI, TË PARAFUAR NË 19 PRILL 2013:

1. Do të ketë një Asociacion / Bashkësi të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për cilëndo komunë, me kusht që anëtarët të pajtohen.

2. Bashkësia / Asociacioni do të krijohet me statut. Zhbërja e tij/saj mund të ndodhë vetëm me një vendim të komunave pjesëmarrëse. Garancitë ligjore do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës).

3. Strukturat e Asociacionit / Bashkësisë do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.

4. Në pajtim me përgjegjësitë e ofruara nga Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë mundësi të bashkëpunojnë për të ushtruar fuqinë e tyre në gjithë Bashkësinë / Asociacionin. Asociacioni/Bashkësia do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.

5. Asociacion / Bashkësia do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.

6. Bashkësia / Asociacioni do të ketë një rol përfaqësimi te autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsultativ për komunitete. Në përputhje me këtë, është paraparë një funksion vëzhgues.

7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kuadrit të Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).

8. Pjesëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat përkatëse të Kosovës.

9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandant i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i emëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Asociacionit/Bashkësisë. Përbërja e PK-së në veri do të pasqyrojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonal për komunat e Mitrovicës, Skënderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunojë me komandantët e tjerë rajonalë.

10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të veprojnë brenda kuadrit ligjor të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektorit të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.

11. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE-së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.

12. Një plan zbatimi, përfshirë edhe kuadrin kohor, do të hartohet më 26 prill. Për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të adresohet parimi i fondit transparent.

13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.

14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar përparimin e palës tjetër në rrugëtimin drejt BE-së.

15. Me ndihmën e BE-së, nga të dyja palët do të krijohet një Komitet i Zbatimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: 4 vjet, Behlul Jashari, marreveshja e pare

Kosova dhe Shqipëria marrëveshje për bashkëpunim dhe ndihmë në raste të fatkeqësive

April 19, 2017 by dgreca

-Qeveria e Kosovës miraton nismën për Marrëveshje me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe të tjera/

PRISHTINË, 19 Prill 2017-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.

“Marrëveshja ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe në reagimin e shpejtë në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, për të ndihmuar dhe bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes civile, në veçanti lidhur me planifikimin dhe masat parandaluese për t’u  mbrojtur nga përmbytjet, tërmetet, bllokimet nga bora, zjarret, ndotja, aksidentet detare, ndotja radiologjike si dhe fatkeqësitë tjera që vijnë qoftë nga veprimtaria njerëzore, ndihmë të ndërsjellë në mbrojtje, kërkim-shpëtim dhe eliminim të pasojave që vijnë nga fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të tjera”, u theksua në mbledhje.Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e rregullt, të 142-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.Qeveria miratoi edhe vendimin për themelimin e Këshillit të Turizmit të Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vazhdën e përpjekjeve të përgjithshme të qeverisë për të përmirësuar zhvillimin e turizmit dhe për të mundësuar rritjen ekonomike në Kosovë, në pajtim me programin e qeverisë, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Raportin e Progresit 2016 për Kosovën, është e angazhuar në mënyrë aktive për zhvillimin e politikave turistike dhe ka për qëllim përmirësimin e ofertës turistike dhe rritjen e numrit të turistëve në Kosovë.Kabineti qeveritar, miratoi dhe vendimin për transferin e stafit dhe rialokimin e mjeteve financiare për integrimin e personelit nga fondi i kontingjentit i të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”. Ky vendim e rrumbullakëson zbatimin e marrëveshjes për zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” në veriun e Kosovës me shumicë serbe.Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar u informua për takimin e Nën Komitetit të MSA-së për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Në këtë takim, i mbajtur më 6 prill 2017 është diskutuar progresi për zbatimin e MSA-së dhe reformave, përfshirë edhe konkluzionet e vitit të kaluar, sfidat dhe janë dakorduar masat që duhet marrë në muajt në vijim në një varg sektorësh, që nga tregtia, industria, doganat, tatimet dhe lëvizja e lirë e mallrave.

Filed Under: Kronike Tagged With: fatkeqsi, Kosova dhe Shqipëria marrëveshje, për bashkëpunim

Kosovë-Serbi, normalizim marrëdhënieve dhe njohje pavarësisë

April 19, 2017 by dgreca

ZKP-003

-Dialogu në Bruksel të përfundoj me njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë/

-Tryeza e diskutimit “4 vjet pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi, Sa po ndihmon dialogu politik?”/

PRISHTINË, 19 Prill 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në tryezën e diskutimit “4 vjet pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi, Sa po ndihmon dialogu politik?”, i organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa foli për rëndësinë e procesit të dialogut, për marrëveshjet e arritura, për pengesat në zbatimin e tyre, duke theksuar edhe rëndësinë e përfshirjes së opozitës dhe të shoqërisë civile në procesin e dialogut me Serbinë.

Kryeministri Mustafa tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën.

Sa i takon Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kryeministri Isa Mustafa tha se ai mund dhe do të themelohet vetëm duke respektuar tërësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Dialogu në të ardhmen duhet të jetë qartë i kornizuar, të jetë i përcaktuar në kohë, në mënyrë që të arrijmë që për një periudhë më të shkurtër të kemi njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si qëllim përfundimtar i dialogut”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe shefja e zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave.

Gjatë tryezës, u prezantua edhe një Raport lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i hartuar nga Agron Bajrami, si dhe u zhvilluan diskutime lidhur me procesin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Fjala e kryeministrit Mustafa në tryezë:Do të bëj përpjekje të jap opinionet e mia lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me dialogun, duke iu përmbajtur edhe titullit të kësaj tryeze se “4 vjet pas Marrëveshjes Kosovë-Serbi sa po ndihmon dialogu politik?”.Unë do të mundohem të jap disa përgjigje në këtë, të ndalem pak edhe për Asociacionin të cilin zoti Bajrami e prezantoi këtu dhe atë se si ne e mendojmë vazhdimin e dialogut në të ardhmen.Jam shprehur edhe më parë se konsideroj që dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dhënë rezultate pozitive për Kosovën. Në këtë rast, unë nuk mendoj vetëm në lehtësimin e BE-së, por mendoj edhe në një mbështetje të fuqishme që e kemi pas nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e cila mbështetje na nevojitet edhe më tutje ta kemi.
Ky dialog ka dhënë rezultate të mira për arsye se të gjitha marrëveshjet janë arritur mbi bazën e Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve të Kosovës. Qëllimet themelore janë arritur në disa fusha. Ajo që është themelore është shtrirja e sovranitetit shtetëror në tërë territorin e vendit, përfshirja e qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës, zvogëlimi i dëmeve ekonomike dhe ekonomisë informale të shkaktuara nga veprimi i strukturave paralele serbe por edhe i ndërhyrjeve të shtetit serb në disa komuna dhe në disa kompani dhe avancimi i rrugës së Kosovës në integrimet evropiane.

Një prej rezultateve të cilin konsideroj se e kemi si kontribut edhe të dialogut është arritja e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, por e cila marrëveshje na obligon edhe më tutje të vazhdojmë dialogun me Serbinë dhe të implementojmë marrëveshjet nga ky dialog.
Mendoj se e arritur tjetër është vendosja e reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në disa fusha, në fushën e lëvizjes së lirë, në fushën e tregtisë së lirë, në fushën e njohjes së diplomave, të sigurimit të automjeteve, certifikatave fito-sanitare, etj. Do të thotë, për herë të parë kemi arritur t’i bëjmë dhe të arrijmë reciprocitet ndërmjet dy vendeve. Është pastaj hapja e zyrave ndërlidhëse, e Kosovës në Beograd dhe e Serbisë në Prishtinë, prapë si e arritur në vitin 2013, është marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve, që na ka mundësuar që ne të kemi kufij shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të bëjmë kontrollimin dhe mbikëqyrjen e këtyre kufijve, të fillojmë të ndërtojmë edhe pikat e përhershme kufitare me mbështetjen e Bashkimit Evropian, që është prapë rezultat i këtyre marrëveshjeve. Është vendosja e institucioneve shtetërore të Kosovës në katër komunat veriore, meqenëse nuk e kemi pasur përpara të vendosura atje dhe veprimi i këtyre institucioneve para së gjithash e kemi funksionimin e doganave në veri, e kemi funksionimin e Policisë së Kosovës në veri dhe heqjen e veprimit të policive paralele, që kanë qenë dhe kanë vepruar atje. Është e arritur shuarja e disa strukturave paralele, po them disa jo të gjithë strukturave paralele, sepse strukturat janë shuar vetëm në fushat në të cilat ne kemi arritur marrëveshje. Këto kryesisht kanë të bëjnë me shuarjen e “Mbrojtjes Civile” në veri të vendit. Sot, përfundimisht në Qeveri kemi vendosur që edhe pjesën prej 50 sa kanë mbetur nga pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile”, ta integrojmë në institucionet e Kosovës dhe me këtë e kemi përfunduar krejtësisht. Është funksionimi i organeve të drejtësisë me marrëveshjen për drejtësi që e kemi arritur në Bruksel, që nënkupton se do të shuhen të gjitha gjykatat ilegale serbe, të cilat kanë vepruar në Kosovë dhe do të zbatohen ligjet e Kosovës në tërë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe veriun e Kosovës dhe është pastaj edhe zbatimi i marrëveshjes për heqjen e targave ilegale nga përdorimi.

Si të arritur, e vlerësoj edhe heqjen e të gjitha barrikadave që kanë qenë në veri. Ju e dini se ka pasur shumë barrikada dhe përfundimisht barrikada është hequr në vitin e kaluar edhe nga Ura e Mitrovicës dhe presim që kjo, me financim të Bashkimit Evropian, të fillojë shpejtë të funksionalizohet dhe të bëhet komunikimi ndërmjet pjesë jugore dhe pjesës veriore të Mitrovicës.
Kemi filluar tani me pajisjen e qytetarëve serbë në veri me dokumentet e Republikës së Kosovës. Kemi proceduar në Qeveri me aktet lidhur me këtë dhe mendoj se edhe kjo është një e arritur mjaft e madhe e procesit të dialogut. Është arritur kodi shtetëror telefonik i Kosovës mbi bazën e kësaj marrëveshjeje, që nuk ka vetëm simbolikë ose karakter shtetëror, por ka karakter ekonomik, sepse përmes kësaj ne i kemi kursyer Kosovës qindra miliona euro, që i kemi shpenzuar më parë për këto çështje.

Ka mbetur akoma në vazhdim që të implementohet marrëveshja për energjinë, për të cilën jemi marrë vesh në vitin 2015; marrëveshja për kadastër, për diploma, pastaj marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sa i përket Asociacionit, është pjesë gati kryesore e marrëveshjes së parë të arritur në Bruksel dhe poashtu është komponentë themelore e marrëveshjes së dytë që e kemi arritur në Bruksel në vitin 2015.Kjo marrëveshje është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, por ajo që ne kemi arritur në vitin 2015 të bëjmë këtë marrëveshje, është se për herë të parë e kemi caktuar se Gjykata Kushtetuese duhet të japë opinionin e vet lidhur me implementimin e kësaj marrëveshje.

Edhe Serbia ka pranuar në Bruksel, që komponentë e kësaj marrëveshje të jetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës nga fakti se ka qenë një marrëveshje e re e pa sprovuar në pikëpamje kushtetuese dhe ne kemi kërkuar që asnjë marrëveshje në Bruksel të mos arrihet jashtë Kushtetutës dhe të vërtetohet apo konfirmohet kushtetutshmëria e saj.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë disa rekomandime lidhur me frymën kushtetuese të kësaj marrëveshje dhe ne kemi insistuar dhe do të insistojmë tërësisht që themelimi Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet mbi bazën e këtyre marrëveshjeve, duke respektuar tërësisht rekomandimet, përkatësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në qoftë se dikush do të më pyeste se a ka dhënë përgjigje të plotë Gjykata Kushtetuese mbi atë se çfarë dhe si duhet të jetë Asociacioni, unë nuk jam tepër i sigurt në këtë, por domosdoshmërisht ne edhe gjatë themelimit të Asociacionit, gjatë shkrimit të statutit të tij do të konsultojmë gjithë sferën e drejtësisë, në mënyrë që asgjë të mos del jashtë Kushtetutës dhe kornizave kushtetuese.
Unë nuk kam parë kohëve të fundit ndonjë disponim shumë të madh të përfaqësuesve serbë në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës për të vazhduar me themelimin e Asociacionit, sepse i kam ftuar disa herë që të ulemi ta aktivizojmë ekipin menaxhues që ata të fillojnë dhe të punojnë. Ndoshta edhe arsyeja është se atyre nuk ju pëlqen shumë që kjo të bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por rrugëdalje tjetër në themelimin e kësaj nuk ka, andaj Asociacioni mund dhe do të themelohet vetëm duke respektuar tërësisht Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sa i përket asaj se çfarë ne duhet të bëjmë në të ardhmen, unë jam i bindur se nuk do të ishte e arsyeshme që ne të vazhdojmë me tempon e deritanishme të  dialogut. Është e domosdoshme që ta ngjeshim agjendën e dialogut, në mënyrë që të merremi vesh se cilat janë temat, përkatësisht çështjet që ne duhet t’i zgjidhim përmes dialogut me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. Pastaj, duhet të sqarojmë procedurat e implementimit të marrëveshjeve, sepse ne kemi diskutuar edhe në vitin 2016, ndoshta edhe në 2017 do t’i diskutojmë marrëveshjet që janë arritur në vitin 2012, se si ato të implementohen. Do të thotë është shpenzuar një kohë shumë e rëndësishme e arritjes së marrëveshjeve dhe tash pas pesë vjetëve duhet të shpenzohet edhe një kohë të diskutohet se si ato të implementohen dhe pasi të bëhet marrëveshja për implementim, të bëhet edhe një marrëveshje tjetër se si të realizohet marrëveshja për implementim, gjë që do të thotë se është një praktikë totalisht e papranueshme që kryesisht po imponohet nga pala serbe dhe këto probleme ne duhet t’i tejkalojmë.
Me arritjen e marrëveshjes, ne duhet të arrijmë edhe marrëveshjen për implementimin e tyre dhe kjo të shkurtohet sepse kam përshtypjen se të gjitha këto po zgjaten për arsye të proceseve të cilat Serbia po i kalon në procesin e integrimit të saj evropian dhe të kushtëzimeve të caktuara me faktorin e dialogut. Po ashtu, konsideroj se në këtë proces të dialogut duhet të gjejmë hapësirë që të kyçet edhe opozita, edhe shoqëria civile, në mënyrë që këto çështje të diskutohen më gjerë dhe të jenë të pranueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Unë kyçjen e opozitës e shoh qoftë përmes përfaqësueseve të tyre në delegacionet tona në Bruksel ose përmes tryezave që ne do t’i organizonim këtu për të trajtuar çështjet për të cilat dialogohet në Bruksel. Por, meqë është fjala për dialog dhe për një proces i cili nuk mund të kushtëzohet vetëm me vendimet apo qëndrimet e njërës palë, por ato duhet të harmonizohen gjatë procesit të dialogut, në një formë edhe kyçja e shoqërisë civile edhe e opozitës do të kishte më tepër karakter konsultativ në të gjitha këto procese, karakter informues, në mënyrë që asnjëra palë të mos e sheh vetën se është shkyçur apo e izoluar nga ky proces.
Procesin e konsideroj të rëndësishëm që të vazhdoj sepse kemi trashëguar probleme me Serbinë të cilat nuk mund t’i zgjidhim në formë tjetër përpos procesit të dialogut.

Prandaj, ne presim një shtytje të Bashkimit Evropian që marrëveshjet të implementohen, ato që janë arritur deri më tash, që të mos lejohet pala serbe që të kushtëzoj në implementimin e marrëveshjeve brenda edhe marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe që dialogu në të ardhmen të jetë qartë i kornizuar, të jetë i përcaktuar në kohë, në  mënyrë që të arrijmë që për një periudhë më të shkurtër të kemi njohje të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si qëllim përfundimtar i dialogut.
Faleminderit!

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Serbi, njohje e pavaresise, normalizim marrdheniesh

SA PO I KUSHTON LOBIMI NE WASHINGTON POLITIKES SHQIPTARE?

April 19, 2017 by dgreca

*Lobimi i tre partive të mëdha Shqiptare në Shtëpinë e Bardhë dhe shqiptaro-amerikanët/

*Partia Socialiste do të paguajë 240 mijë dollarë te Kompania “Ballard” për një periudhë njëvjeçare./

*Partia Demokratike do të paguajë kompaninë “Muzin Capitol Partners”  me 75 mijë dollarë, në 3 këste me nga 25 mijë dollarë secili/

  • LSI-ja i pagoi “Global Security and Innovative Strategies” 175 mijë dollarë për lobim në Uashngtion. /

 Nga Shefqet Kërcelli/

 Paralel me luftën politike në Tiranë, mes partive më të mëdha shqiptare po zhvillohet edhe një tjetër betejë më e padukshme, ajo për ndikim dhe mbështetje në Uashington. Vetëm gjatë muajit të fundit në Departamentin amerikan të Drejtësisë janë depozituar dy kontrata, përmes të cilave, dy partitë më të mëdha në vend kanë punësuar lobistë për të promovuar veten në Uashington.
E para, Partia Demokratike ka pajtuar kompaninë “Muzin Capitol Partners” në datën 31 mars të këtij viti. Sipas kontratës, kompania do të promovojë vizionin dhe qëllimin e Partisë Demokratike tek bizneset dhe udhëheqësit politikë në Uashington. Në këmbim, PD-ja do të paguajë 75 mijë dollarë, në 3 këste me nga 25 mijë dollarë secili, respektivisht në datat 22 mars, 22 prill dhe 22 maj të këtij viti. Kontrata e dytë është e Partisë Socialiste dhe është nënshkruar vetëm pak ditë më parë, saktësisht në datën 13 prill, me kompaninë lobuese “Ballard Partners”. Sipas kontratës, kompania do të këshillojë dhe asistojë Partinë Socialiste në komunikimet e saj me zyrtarët e qeverisë amerikane. Edhe pse kontrata e lobimit nuk është dorëzuar e plotë në Departamentin amerikan të Drejtësisë, “The Hill”, një gazetë shumë afër Kongresit amerikan, zbulon se Partia Socialiste do të paguajë 240 mijë dollarë te “Ballard” për një periudhë njëvjeçare. Sipas gazetës, “Ballard Partners” është një kompani shumë e afërt me presidentin amerikan, Donald Trump. Pronari i saj, Brian Ballard ka qenë gjatë fushatës elektorale të Trumpit, shefi i financës për shtetin e Floridës dhe ndoshta kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme për socialistët. Dy kontratat e partive më të mëdha në Tiranë vijnë në një kohë kur partia e tretë e madhe e vendit, Lëvizja Socialiste për Integrim, sapo ka përfunduar edhe ajo një marrëveshje të ngjashme lobimi. LSI-ja i pagoi “Global Security and Innovative Strategies” 175 mijë dollarë për lobim në Uashngtion. Objekti i kontratës ka qenë mundësimi i takimeve të zotit Meta me zyrtarë të ndryshëm në Kongresin dhe qeverinë amerikane.

Gjykuar në një analizë të thjeshtë të këtyre kontratave theksojmë se, lobimi i vërtetë, thelbësor për Shqipërinë dhe shqiptarët në SHBA, janë shqiptaro-amerikanët dhe jo partickat e këtyre 25 viteve. Pse? Sepse për mëse dy shekuj në sajë të punës, ndershmërisë, integritetit e dashurisë për kombin e atdheun e tyre, shqiptaro-amerikanët kanë lobuar për pavarësinë, zhvillimin dhe prosperitetin e trojeve shqiptare. Është një rast unikal kontributi i diasporës sonë në SHBA, që pamvarësisht largësisë globale ka qenë e lidhur ngushtësisht me vendin e saj, shpirtërisht, moralisht, finaciarisht, etj. Por, ka dhe një ndryshim thelbësor, sepse ndërsa shqiptaro-amerikanët kanë shkrirë pasurinë e tyre për Shqipërinë, partickat tona po shkrijnë Shqipërinë për partinë. A e dini se deputetë, politikuej e ofiqarë vijnë në SHBA për punë e qejf, në sajë të remitancave dhe taksave që paguajnë shqiptaro-amerikanët. Nipa, mbesa, stërnipa, stërmbesa, kushurinj, dhëndurë të këtyre pinjollëve të karikaturës postkomuniste demokratike, bëjnë kurse e arsimohen falas në fusha të ndryshme në SHBA me bursa që indirekt rrjedhin dhe nga taksat apo “bill-at” e shqiptaro-amerikanëve. Kurse shqiptaro-amerikanët shtrëngojnë rripin për të ardhur njëherë në Shqipëri e anasjelltas, për të parë vendin dhe të dashurit e tyre. Ndërsa kastës së re postkomuniste nuk ja bën syri tërt për $, protofolin plot. Shqiptarët ende nuk po kuptojnë se problem kryesor në këto 26 vite është shpërndarja e të ardhurave dhe pronave në Shqipëri, dhe ndërkohë që vazhdojnë të diskutojnë bukën dhe kripën japin jetën për partickat. Vetëm ne s’kemi minimum jetik në skemën ekonomike, por vazhdojmë avazin, c’kërkonte shqiptari në shekuj?…..pak bukë, pak kripë dhe hekur. Gjithashtu është fakt se ata politikanë, diplomatë, finacierë, studjues, qytetarë, ushtarakë e shtetarë amerikanë që kanë takuar dhe mund të takojnë shqiptaro-amerikanët në vite, politikuejtë tanë i shohin me dylbi. I qan syri për një kongresmen e senator deputetëve tanë sa herë vijnë në SHBA, për të bërë një self, për të mbuluar hordhëqet e për të siguruar karrigen e tyre. Sigurisht që zoti Trump dhe administrate e tij i dinë mirë këto gjëra. Pamvarësisht paraqitjes joreale të situatës në Shqipëri, ata le t’ja marrin dollarët këtyre partive lobingkërkuese, por puna është se këto para janë të popullit, se ofiqaro-politikanët tonë s’nxjerrin gjë nga xhepi i tyre. Pastaj, vërtet fitohen disa mijëra dollarë, por nga ana tjetër humbasin miliarda, dëmtohen rëndë interesat dhe bashkëpunimi shqiptaro-amerikan, që për mua nuk e ka arritur atë të viteve ‘20-’30 dhe aktualisht po gërryhet nga forca e klane të ndryshme. Ndaj rasti i Shqipërisë duhet parë specifikisht, ashtu sic është miqësia shqiptaro-amerikane. Në këto kushte do ishte mirë që partitë politike shqiptare të kishin përfaqsuesit e tyre në diasporë, SHBA e gjetkë, madje dhe deputetë, ashtu si në vitet 1920-’30. E kush më mirë se shqiptaro-amerikanët do përfaqësonte  Shqipërinë, shqiptarët dhe partitë në institucionet e niveleve të ndryshme apo metropolet e SHBA? Le të bëhemi pak diasporë si në vitet ‘20-’39-të, të shekullit të kaluar, {e në cfarë kushtesh?!}, sepse në fund të fundit kjo është cështje mbijetese. E për këto nuk ka nevojë për show e pështjellje emigrantësh, sepse komunikimi me internet bën punën e vet. Cdo shqiptaro-amerikan e di se ka interesa me vendin e tij për njëmijë e njëqind arësye. Atëhere lind pyetja?- lobimin për Shqipërinë kujt t’ja lemë?! A duhen anashkaluar shqiptaro-amerikanët, që momentalisht e kanë kaluar milionin në SHBA dhe më mirë se cilido e njohin demokracinë e atij vendi?!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: politikes shqiptare, SA PO I KUSHTON LOBIMI NE WASHINGTON, Shefqet Kercelli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2062
  • 2063
  • 2064
  • 2065
  • 2066
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT