-Qeveria e Kosovës miraton nismën për Marrëveshje me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe të tjera/
PRISHTINË, 19 Prill 2017-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.
“Marrëveshja ka për qëllim të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe në reagimin e shpejtë në rast të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, për të ndihmuar dhe bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes civile, në veçanti lidhur me planifikimin dhe masat parandaluese për t’u mbrojtur nga përmbytjet, tërmetet, bllokimet nga bora, zjarret, ndotja, aksidentet detare, ndotja radiologjike si dhe fatkeqësitë tjera që vijnë qoftë nga veprimtaria njerëzore, ndihmë të ndërsjellë në mbrojtje, kërkim-shpëtim dhe eliminim të pasojave që vijnë nga fatkeqësi natyrore dhe fatkeqësi të tjera”, u theksua në mbledhje.Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, zhvilloi sot mbledhjen e rregullt, të 142-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.Qeveria miratoi edhe vendimin për themelimin e Këshillit të Turizmit të Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vazhdën e përpjekjeve të përgjithshme të qeverisë për të përmirësuar zhvillimin e turizmit dhe për të mundësuar rritjen ekonomike në Kosovë, në pajtim me programin e qeverisë, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Raportin e Progresit 2016 për Kosovën, është e angazhuar në mënyrë aktive për zhvillimin e politikave turistike dhe ka për qëllim përmirësimin e ofertës turistike dhe rritjen e numrit të turistëve në Kosovë.Kabineti qeveritar, miratoi dhe vendimin për transferin e stafit dhe rialokimin e mjeteve financiare për integrimin e personelit nga fondi i kontingjentit i të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”. Ky vendim e rrumbullakëson zbatimin e marrëveshjes për zhbërjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile” në veriun e Kosovës me shumicë serbe.Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar u informua për takimin e Nën Komitetit të MSA-së për Tregti, Industri, Dogana dhe Tatime ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian. Në këtë takim, i mbajtur më 6 prill 2017 është diskutuar progresi për zbatimin e MSA-së dhe reformave, përfshirë edhe konkluzionet e vitit të kaluar, sfidat dhe janë dakorduar masat që duhet marrë në muajt në vijim në një varg sektorësh, që nga tregtia, industria, doganat, tatimet dhe lëvizja e lirë e mallrave.