• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Senati amerikan voton për të mbajtur ambasadën në Jeruzalem

February 5, 2021 by dgreca

Senati amerikan me shumicë dërrmuese votoi për të mbajtur ambasadën e SHBA në Jeruzalem të Premten.

Ai votoi 97-3 për një ndryshim që lë mënjanë fondet për të mirëmbajtur ambasadën e Jeruzalemit, duke e bërë më të vështirë kthimin e lëvizjes së ambasadës së ish-Presidentit Donald Trump nga Tel Aviv. Biden ka thënë se ai nuk ka ndërmend ta zhvendosë ambasadën përsëri në Tel Aviv.

Ndryshimi, i sponsorizuar nga 21 republikanë të udhëhequr nga James Inhofe nga Oklahoma, iu shtua faturës masive të buxhetit prej 1.9 trilionë dollarësh që Senati kaloi si pjesë e paketës së presidentit Joe Biden.

Ndryshimi vë mënjanë fondet për të mirëmbajtur ambasadën e SHBA në Jeruzalem duke e bërë më të vështirë kthimin e lëvizjes së ambasadës së ish-Presidentit Donald Trump nga Tel Aviv. Biden kishte thënë se ai, në asnjë rast, nuk do të lëvizte ambasadën.

Të tre senatorët që votuan kundër ishin të gjithë demokratë: Bernie Sanders nga Vermont, Elizabeth Warren nga Massachusetts dhe Tom Carper nga Delaware.

“Jeruzalemi është kryeqyteti i Izraelit dhe unë jam krenar që prezantoj legjislacionin për të mbrojtur Ambasadën e SHBA nga zhvendosja ose ulja e gradës”, tha Inhofe në një deklaratë pas votimit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Jerusalem, Seanati amerikan, US Embessy

Kosovë-Izrael, thyhet rendi i dështimeve

February 5, 2021 by dgreca

Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin shënon një nga momentet më të rëndësishme të diplomacisë së Kosovës në vitet e fundit./

nga Akri Çipa*/

Vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin shënon një nga momentet më të rëndësishme të diplomacisë së Kosovës në vitet e fundit. Për mjaft arsye, kjo duhet të shërbejë si një moment kthese. Është e rëndësishme, që përtej celebrimeve, të ketë një diskutim më të gjerë për rëndësinë e marrëdhënieve diplomatike me shtetin hebre, por edhe për leksionet e nxjerra nga ky zhvillim. Miqësia e re me Izraelin hap perspektiva për bashkëpunim në rrafshin ekonomik, tregtar, inovacionit, si dhe në atë të sigurisë, dhe këto meritojnë një analizë më vete. Por çfarë është e rëndësishme për momentin është se kjo marrëdhënie mbart një kuptim më të gjerë për vetë konsolidimin e pozicionit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Njohja nga Izraeli erdhi pas një periudhe gati trevjeçare, në të cilën jo vetëm që nuk pati asnjë njohje të re, por edhe u intensifikua fushata dhe propaganda serbe për kundërshtimin e legjitimitetit të pavarësisë. Në fakt, gjatë kësaj periudhe kanë qenë shumë më vokale pretendimet serbe për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë.

Kosova jo vetëm që në këtë hark kohor dështoi në avancimin diplomatik, por mori përsipër dhe përgjegjësinë e disa gabimeve fëmijërore, sikurse ndodhi në rastin e fiaskos me Xhamajkën. Në atë rast, njohja e paralajmëruar nga zyrtarët në Prishtinë u mohua nga përfaqësuesit xhamajkanë, duke krijuar një situatë groteske. Gjithaq domethënëse ishte dhe performanca në fushatën për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ku shembulli më i bujshëm ishte dështimi me aplikimin në Interpol.

Njohja dhe formalizimi i raporteve me Izraelin thyejnë këtë rend dështimesh dhe jep tashmë një sinjal domethënës, mbi të gjitha për imazhin ndërkombëtar.

Elementi tjetër i rëndësishëm është se njohja reciproke Kosovë-Izrael u realizua pavarësisht angazhimit tejet të madh të diplomacisë serbe për të ushtruar rol bllokues.

Me gjithë punën disavjeçare të diplomatëve të Kosovës para dhe pas kuintave për të vendosur lidhje me shtetin hebre, Serbia ia ka dalë nëpërmjet kanaleve zyrtare diplomatike të shkurajojë dhe të ndalojë në gjenezë çdo lloj iniciative izraelite drejt Prishtinës. Në të njëjtën kohë, lobi serb në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara ka qenë tejet aktiv. Çdo përpjekje për ta ngritur si çështje në Izrael njohjen e Kosovës pasohej nga kundërvënie të menjëhershme të segmenteve të lidhura me Beogradin zyrtar.

Prandaj është tejet e rëndësishme të vlerësohet ndërhyrja dhe garancitë e ofruara nga Shtetet e Bashkuara si elementi kryesor që theu pengesat e Serbisë dhe vuri në lëvizje zhvillimet që u finalizuan me ceremoninë e kësaj jave. Është e rëndësishme që kjo të kuptohet mirë nga të gjithë, përtej rezervave dhe kontestimeve të tjera për takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Në të njëjtën kohë, këto zhvillime shërbejnë dhe për të trajtësuar ecurinë diplomatike dhe objektivat strategjikë që duhet të ndiqen në të ardhmen e afërt.

Pretendimi i Serbisë – mbështetur nga Rusia dhe Kina – se pavarësia e Kosovës duhet refuzuar si unilaterale dhe krijuese e precedentëve të rrezikshëm ka pasur deri më sot njëfarë efikasiteti. Në fakt, frika se njohja zyrtare mund të përdorej për të krijuar paralelizma, në fakt tërësisht të paqenësishme, me konfliktin në Lindjen e Mesme ka qenë arsyeja kryesore pragmatike që e ka shtyrë Izraelin t’i druhej deri më sot pranimit të realitetit të Kosovës së pavarur dhe sovrane.

Tanimë, pas vendosjes së marrëdhënieve me shtetin hebre, ekzistojnë të gjitha mundësitë për të ngritur argumentin e anasjelltë: nëse Izraeli, një shtet që përballet me një nga konfliktet territoriale më problematike dhe komplekse në botë, nuk i druhet rastit të pavarësisë së Kosovës si precedent, atëherë asnjë vend tjetër nuk mund të fshihet pas këtij argumenti. Me tejkalimin e kësaj situate, Kosova i ka shtuar arsenalit diplomatik një element tejet substancial.

E gjithë kjo duhet kontekstualizuar brenda një mësimi tjetër shumë të rëndësishëm.

Pavarësisht ecurisë së dialogut me Serbinë, nuk ka asgjë që e konsolidon më shumë pozicionin në arenën ndërkombëtare se vendosja e raporteve të barabarta me shtetet e tjera të botës.

Vëmendja ndaj Beogradit dhe Brukselit ka thithur rishtazi shumë më tepër energji nga sa duhej në Prishtinë dhe ka sjellë harresën ndaj kryeqyteteve të tjera të botës. Procesi dialogues me Serbinë mund të vazhdojë, por pa vënë në pauzë ose sakrifikuar konsolidimin e marrëdhënieve me shtete të treta, aq më shumë përpjekjet për t’i shumuar ato.

Madje edhe integrimi në organizatat ndërkombëtare duhet të jetë element shtesë, jo zëvendësues, i përpjekjeve për shtimin e njohjeve. Teksa anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara është bërë shpeshherë kryefjalë e diskutimeve për ecurinë diplomatike, duhet mos harruar se anëtarësimi duhet të jetë pasojë, jo qëllim në vetvete.

Orientimi i diplomacisë së Kosovës drejt këtij kahu duhet të bëhet dhe kryefjalë në raport me aleatët amerikanë. Administrata Biden mund të ofrojë një mbështetje shumë të fortë në këtë pikë, por Prishtina zyrtare duhet të tregojë iniciativë nga ana e saj. Angazhimi amerikan është i domosdoshëm për t’u qasur ndaj shteteve që ende refuzojnë ta njohin Kosovën, por edhe për të anashkaluar pretendimet serbe dhe për të rritur presionin ndaj Beogradit.

Së fundmi, është fatkeqësi që Bashkimi Europian nuk është palë mbështetëse në këtë përpjekje. Sikurse u reflektua pas ceremonisë së 1 shkurtit, në vend që të përgëzonte Kosovën dhe Izraelin, zëdhënësi i Bashkimit Europian për çështjet e jashtme e kritikoi Prishtinën për zyrtarizimin e vendosjes së ambasadës së saj në Jerusalem. Kjo pasi Bashkimi Europian vazhdon ta kundërshtojë Jerusalemin si kryeqytet zyrtar.

Këmbëngulja e përfaqësuesve europianë në këtë politikë rezultoi të ishte më e rëndësishme sesa mbështetja për Kosovën në një hap pozitiv të forcimit të pozicionit të saj dhe të krijimit të marrëdhënieve të cilat realisht avancojnë stabilitetin dhe paqen. Ky veprim absurd nuk duhet harruar dhe duhet të shërbejë si një mësim kuptimplotë për valencën që u duhet dhënë mesazheve që do vijnë nga Brukseli në të ardhmen.*Botuar fillimisht në Sbunker.net

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Kosove-Izrael

Jemi asgjë

February 5, 2021 by dgreca

Astrit Lulushi

NGA ASTRIT LULUSHI/ E vërteta është gjë. Na thotë se kush jemi, na tregon se me çfarë duhet të përballemi dhe si ta pranojmë atë. E vërteta pret. Ajo që vlen për të gjithë është se çdo gjë zhduket. Ti, unë, gjithçka, do të bjerë në errësirën ​e pavlerë. Dhe askush nuk është në krye të fajit. Në fund gjithkush mbetet zbrazët, me asgjë, si pikturë e varur edhe më pa jetë. Dhe çfarë bën njeriu përballë saj? Buzëqesh, si në tablonë e Monalizës. Misteri vazhdon. 
Realizmi, gjithashtu, është gjë; thjesht, pranim i një situate që është. Dhe të jesh i përgatitur për tu marrë me realizmin në përputhje me rrethanat do të thotë se jo ajo që thua, por ajo që sheh nuk është ajo që merr. Po t’i shtosh një mbiemër, realizmi shtrembërohet, bëhet shgjë, nuk është më ai që sheh. 
Miqësia është thelbësore. Miqësia është e veçantë për shpirtin. Dhe nëse beson se shpirti nuk ekziston, është zëri i brendshëm që e zevendëson. Kjo është gjë e mirë. Tregon se s’ka njeri pa ndërgjegje.
“Asnjë kockë e thyer” – i tha mjeku, “skanimi CT nuk gjeti shenja të tronditjes. Presioni i gjakut është mirë. Zemra, normal. Mushkëritë janë të shkëlqyera, edhe pse pi duhan. Sa paketa në ditë?”
-Nuk e di, mbase një.
“Nuk kam asnjë shpjegim për këtë. Është mister. Një lloj anomalie shkencore. E vetmja gjë që mund të kuptoj është se është një kombinim i fatit të mirë gjenetik. Përpiqem t’ju bind të lini duhanin, por kam frikë se do t’ju bëj dëm më shumë sesa dobi. Kur bëhet fjalë për gjëra të tilla si kanceri, nëse do t’ju vriste, do t’ju kishte vrarë”,
Pra, njeriu vjedh të drejtën për të jetuar; vjedh sytë e Zotit; rrëmben zemrën e tij; merr e shpërdor shkëlqimin, që duhej, të paktën, të kishtë bërë pakëz dritë. Tani ecën rrugëve prej ari dhe dëgjon gjuhë të argjendta, e zë nata, bie thellë në gjumë, dhe i lë të gjithë vetëm, duke besuar në ëndrrat që vijnë si shkëlqim dhe paralajmërojnë fushē me lule.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Jemi Asgje

BRITANIA E MADHE NË FAZËN MË KRITIKE QË NGA FILLIMI I PANDEMISË…

February 5, 2021 by dgreca

-FLET NGA UNIVERSITETI I OXFORDIT DR. HAMËZ GACAFERI/

Doktor Hamëz Gacaferi, kërkues shkencor në shkenca muskuloskeletore në Universitetin e Oxfordit, Britani e Madhe, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon mutacionin britanik të Covid-19 dhe shprehet se Britania po kalon momentet më kritike të pandemisë. Sipas Dr. Gacaferi vaksinimi është një mjet thelbësor për të fituar ndaj pandemisë globale dhe se efekti i vaksinës vepron edhe mbi mutacionet e zbuluara të virusit. 

MUTACIONI BRITANIK I CORONA VIRUSIT, BRITANIA E MADHE NË FAZËN MË KRITIKE TË PANDEMISË

Aktualisht, Britania e Madhe është ende në fazën e saj më kritike të pandemisë. Javën e kaluar, numri i të vdekurve nga COVID-19 në Britaninë e Madhe ka kaluar 100.000, një ndër më të lartët në botë. Kjo gjendje vërehet dhe nga rritja e numrit të shtrimeve spitalore në periudhën dhjetor 2020 – janar 2021. E kam vërejtur këtë rritje në spital edhe vetë: në spitalet e Universitetit të Oxfordit, numri i pacientëve të shtruar me COVID-19 është dyfishuar në krahasim me valën e parë në prill-qershor 2020, gjatë së cilës unë i ndërpreva shkurtimisht studimet kërkimore dhe punova ‘full-time’ në repartet e COVID-it. Momentalisht, Anglia mbetet në lockdown kombëtar, i treti që nga fillimi i pandemisë, dhe mendohet se kjo situatë do të zgjasë të paktën deri në 8 Mars. Një nga arsyet e kësaj rritje në rastet e COVID-19 është qarkullimi i një variant të ri të virusit në Britani, i quajtur B.1.1.7. Ky variant u identifikua për herë të parë në Angli në shtator 2020, dhe sipas raportimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u përhap në nëntor. Të dhënat tregojnë se ky variant është më i transmetueshëm sesa format e tjera. Për më tepër, ngarkesa virale (‘viral load’) ishte e lartë në pacientët e infektuar me variantinB.1.1.7, në krahasim me pacientët e infektuar me variante të tjerë. Për këto arsye, edhe pse nuk është i vetmi variant i identifikuar në botë, ky variant shkaktoi shumë shqetësim në popullatë dhe në komunitetin shkencor, duke sjellë dhe ndërprerjen e fluturimeve me Britaninëe Madhe të shumë shteteve. Sidoqoftë, sipas studimeve dhe të dhënave të deritanishme,vaksina Pfizer/BioNTech vepron mbi variantin britanik. Më në fund, unë jam optimist: mutacioni i Korona Virusit në Britani është shqetësues, por vaksinimet kanë filluar.

VAKSINIMI NË BRITANI, VAKSINAT E AUTORIZUARA: PFIZER/BIONTECH, OXFORD/ASTRAZENECA DHE MODERNA

Në Britaninë e Madhe vaksinimi ka filluar në datë 8 dhjetor 2020. Deri më tani, vaksinat eautorizuara janë tre: Pfizer/BioNTech, Oxford/AstraZeneca dhe Moderna. Qeveria e Britanisë ka blerë edhe vaksina të tjera, por këto janë ende duke u testuar dhe/ose në pritje të miratimit. Sipas planit të vaksinimit të publikuar nga qeveria e Britanisë së Madhe deri në 15 Shkurt synohet t’i ofrohet doza e parë e vaksinës për të gjithë personat në 4 grupet kryesore të popullatës: – banorët në shtëpitë e kujdesit dhe kujdestarët e tyre, – njerëzit e moshës 80 vjeç e lart, dhe punonjësit shëndetësore dhe të kujdesit shoqëror, – njerëzit e moshës 75 vjeç e lart, – njerëzit e moshës 70 vjeç e lart, dhe individë jashtëzakonisht të ndjeshëm (si individë me shumë faktorë risku). Pastaj, do të vaksinohen edhe grupet e tjera të popullatës. Deri tani, afërsisht 8 milion njerëz kanë marrë një dozë të parë të një vaksine, dhe më shumëse 450.000 njerëz kanë marrë një dozë të dytë. Personalisht, kam marr dozën e parë të vaksinës Pfizer/BioNTech dhe tani po pres dozën e dytë. Duke konsideruar dhe disponibilitetin e disa vaksinave në këtë vend, shpresoj që deri në fund të vitit të mundësohet që pjesa më e madhe e njerëzve të jenë vaksinuar.

VAKSINIMI, FILLIMI I FUNDIT TË PANDEMISË

Mënyra e vetme për të mposhtur këtë pandemi është nëse punojmë së bashku dhe në këtë rast kjo do të thotë që të gjithë ti respektojmë masat dhe që shumica e njerëzve të vaksinohen për të ngadalësuar përhapjen. Efikasiteti i vaksinave të koronavirusit është provuar të jetë derinë 95% (asnjë vaksinë në histori nuk ka siguruar mbrojtje me 100% siguri). Kjo nuk ka të bëjë vetëm me ju individualisht: shumë njerëz nuk janë në gjendje të zhvillojnë një përgjigje imune efektive ndaj vaksinimit (për shkak të sëmundjeve bashkëshoqeruese), gjë që i bën ata shumë të ndjeshëm ndaj COVID-19. Vaksinimi i pjesës më të madhe të popullsisë do të krijojë imunitet të tufës dhe do të ndihmojë parandalimin e transmetimit të virusit. Do t’i rekomandoja të gjithëve që të bëni vaksinën nëse keni mundësi (nëse ju ofrohet). Kjo gjithashtu do të lehtësoje barrën mbi sistemin shëndetësor. Vaksinat nuk do të zgjidhin të gjitha problemet tona rreth COVID-19, por ato do të na mundësojnë të përparojmë ngadalë në një situatë të re pa kufizime të rrepta aktuale. Unë e kam vërejtur që brenda komunitetit shqiptar, sikurse dhe në vende të tjera në botë, vihet re mosbesim në lidhje me pandeminë dhe vaksinat. Ky mosbesim, së bashku me teoritë konspirative, janë shumë të rrezikshme për shëndetin publik dhe për besimin e përgjithshëm në shkencë dhe mjekësi. Gjatë dekadave të fundit, kjo ka shkaktuar rishfaqjen e sëmundjeve infektive që dikur konsideroheshin të zhdukur në shumë vende, si fruthi (rubeola) në SHBA.

VAKSINIMI PARANDALON 2 DERI NË 3 MILION VDEKJE ÇDO VIT

Historia na dëshmon për rëndësinë e vaksinave në përballjen me shumë sëmundje, sikurse zhvillimi i poliovaksinës zhduku pothuajse poliomelitin në 1955, një sëmundje e tmerrshme që terrorizoi botën gjatë gjithë gjysmës së parë të shekullit 20-të. Ne nuk duhet të kthehemi shumë larg në kohë për të gjetur shumë shembuj të sëmundjeve infektive që brezi i ri ndoshta nuk ka dëgjuar kurrë (për fat), të gjithë falë vaksinave dhe për shkak të shkencës mjekësore. Poliovaksina së bashku më disa të tjera (tetanozi, difteria dhe pertussis etj.) po u jepen fëmijëve deri më sot dhe e kanë bëre botën pothuajse të lirë nga këto sëmundje infektive. OBSH vlerëson se vaksinimi aktualisht parandalon 2 milion deri në 3 milion vdekje çdo vit. Mosbesimi në vaksina është i pritshëm, sidomos në një kohë ku kemi qasje në kaq shumë informacion dhe fatkeqësisht gjithashtu shumë dezinformim, nga kanalet mediale, kryesisht rrjetet sociale. Është detyrë e çdo profesionisti të kujdesit shëndetësor të përçojë informacionin e saktë tek qytetarët dhe pacientët, që të mund të respektojnë si duhet masat e shëndetit publik, për të mbrojtur shëndetin e gjithë popullatës. Personalisht, më janë drejtuar shumë herë për të pyetur rreth vaksinave, nëse do të vaksinohem apo jo dhe publikimin e fotove apo videove nga kolegët kur vaksinohen, e shoh si një mënyrë shumë të mirë për të përcjellë mesazhin e besimit në shkencë. Për informacione të sakta, të bazuara në fakte shkencore mbi pandemisë COVID-19 në gjuhën shqipe, do t’i rekomandoja komunitetit shqipfolës faqen e internetit të HEDA (www.heda.al), një platformë informative e ndërtuar nga profesionistë shqiptarë të fushës së mjekësisë, për shqiptarët. 

“SHPATULLA E NGRIRË” NË KËRKIM TË PATOFIZIOLOGJISË SË SËMUNDJES SË PANJOHUR

Puna ime kërkimore gjatë doktoraturës fokusohet në një sëmundje të shpatullave të quajtur  “shpatulla e ngrirë” (frozen shoulder). Pacientët me këtë sëmundje përjetojnë ankesa progresive të dhimbjes dhe paaftësitë e lëvizjes, për shkak të inflamacionit dhe fibrozës së kapsulës së shpatullave, duke kufizuar aktivitetet e përditshme. Kjo sëmundje prek rreth 2-5% të popullsisë,  shfaqet zakonisht mes moshës 40 dhe 60 vjeç, dhe kryesisht është vetë-kufizuese, por  simptomat mund të zgjasin deri në 3 vjet. Një pjesë e konsiderueshme e pacientëve gjithashtu ankojnë për një kohë më të gjatë. Patofiziologjia e kësaj sëmundje është ende e panjohur, opsionet aktuale terapeutike janë nën optimale dhe një udhëzues i qartë për trajtimin mungon. Ne jemi  duke studiuar biopsitë nga kapsula e shpatullave të cilat i marrim gjatë operacioneve të pacientët me shpatull të ngirë. Jemi duke hetuar në laborator biopsitë e këtyre pacientëve dhe të grupeve të kontrollit, duke analizuar profilin qelizor, shprehjen e ARN-së, shprehjen e proteinave dhe faktorët kryesorë të sëmundjes. Këto analiza mund të ndihmojnë në kuptimin e mekanizmave patologjikë, të cilat do të mundësojnë zhvillimin e terapive të përshtatshme dhe efektive. Gjithashtu, të kuptuarit se si zgjidhet sëmundja e shpatullës së ngrirë mund të informojë trajtimet e  sëmundjeve kronike fibrotike në organet e tjera. Shpresoj që brenda 2  viteve të ardhshme të jemi më afër zgjidhjes së kësaj sëmundje, duke kontribuar në themelimin e një terapie të përshtatshme. 

“COVID SURG WEEK”- KOSOVA DHE SHQIPËRIA NË NJË STUDIM NDËRKOMBËTAR

Përveç kërkimeve shkencore mbi sëmundjen e shpatullës së ngrirë, gjatë pandemisë lindi dhe projekti Covid Surg Week, si një nga nën projektet e grupit Global Surgery  (https://globalsurg.org/covidsurg/). Ky është një projekt ndërkombëtar, që synon të studiojë kohën optimale të operacionit pas infeksionit SARS-CoV-2, dhe të përcaktojë vlerësimin e  treguesve kryesorë kirurgjik në nivel botëror, siç është vdekshmëria pas operacionit.  Momentalisht, janë përfshirë në studim 137.169 pacientë nga 1644 spitale në 116 shtete,  në të cilat dhe Kosova dhe Shqipëria. Të dhënat e hershme tregojnë se operacioni pas infeksionit  COVID-19 shoqërohet me rezultate të dobëta edhe nëse operacioni bëhet disa javë pas  diagnozës fillestare. Covid Surg Week do të na ndihmojë të planifikojmë si të vazhdojmë operacionet tona sapo rastet e Covid-19 të ulen dhe të stabilizohen. Kjo është shumë e rëndësishme: ekziston një grup i madh që nuk mund të operohet për shkak të kësaj pandemie, duke rezultuar në shtyrjen e operacioneve. Të gjithë këta pacientë janë në pritje të operacionit dhe mund të kenë pasur COVID-19 ndërkohë. 

KUSH ËSHTË DOKTOR HAMËZ GACAFERI

Doktor Hamëz Gacaferi është mjek dhe student i doktoraturës (kërkues shkencor) në shkenca muskuloskeletore në Universitetin e Oxfordit, Oxford, Britaninë e Madhe. Ka lindur dhe është  rritur në Holandë, por me origjinë është nga Juniku (Kosovë). Ka përfunduar mjekësinë në Hollandë, pas së cilës ka punuar për një vit si mjek në Qendrën Mjekësore të Universitetit Leiden, në departamentin e kirurgjisë ortopedike. Gjatë këtij viti (2019), fitoi një bursë konkuruese nga Dunhill Medical Trust (Londër) për të ndjekur një doktoraturë në Universitetin e Oxfordit. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Britania e Madhe, DR. HAMËZ GACAFERI, Sokol Paja

Fatos Nano si Jovan Bregu

February 5, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

1) Nëse i famshi Jovan Bregu kishte ëndërr një magazinë, Fatosi ka postin e presidentit. I pari çfarë nuk bëri, deri me pesëmbëdhjetë katshin i hyri drejtorit, por nuk u bë dot magazinjer. Zuri nga mblesëritë por e pamundur. Zuri nga letrat anonime, por prapë nuk u bë dot magazinjer. Edhe Fatosi, lideri me frymë liberale, i burgosuri i ”përndjekur” që kanë harruar ta dekorojnë, se, dëmshpërblimin e ka marrë katërfish. Të përndjekurit e vërtetë akoma merren me këstet shekullore të qeverive tona. Akoma nuk u zuri veshi një ndjesë publike për kalvarin e vuajtjeve, jetët e humbura, lirinë e grabitur, deri shuarjen e sojit. Nuk ka kush ta bëj. Të gjithë e pranojnë nën zë krimin historik, por të gjithë i shmangen sysh, aq sa nomeklatura e pas luftës erdhi nga një planet tjetër. Erdhi, qeverisi dhe iku. Kaq!

2) Sa herë që afrohen zgjedhjet presidenciale, Fatosi i hedh pak bojë mjekrës, flokëve dhe shfaqet frymëmarrë. Zakonisht me kohën burrat rrumbullakosen, Fatosi ishte zgjeruar. Fatosi nxjerr ëndrrën presidenciale. Megjithëse në rastin konkret, ka akoma kohë. Por Jovani modern investohet 100% kësaj radhe tek Rama, me mendimin se ai do t’i  fitoj i vetëm zgjedhjet e ardhshme. Dhe e ka shumë të kollajshme ta emëroi atë president, ashtu siç bëri me Ilir Metën në 2017-ën. Për ata që kanë memorie, Jovani modern e bëri këtë me Ilir Metën dhe Sali Berishën në 2012. Besoj u kujtohet pritja që kryeministri Berisha i bëri të ashtuqujturit liderit liberal, rivalit të dikurshëm, i cili ishte tërhequr nga politika më 2005. Atë kohë Edi Rama dhe partia nga ai vinte, nuk e mbështesnin. Qe një konflikt i hapur që me lëvizjen Mjaft. Pas mendjes së tij, i binte që për inat të Edi Ramës dhe mjaftistëve, Berisha mund ta suportonte në ëndrrën magazinë. Pas mendjes së tij Berisha nuk ishte kafsha poltike. Kjo zgjedhje do të ishte një grusht i fortë karshi Ramës. Por kjo nuk ndodhi. Berisha u justifikua me atë që do ishte normale që propozimi të vinte nga partia e tij. Mirëpo ”rilindasi” dhe mjaftistët nuk e honepsin. Kësisoj president doli një nga shumica. Që pavarsisht të gjithave, si proçedurë çoi përpara atë kulturën e firos sonë sociale, atë për një president amorf deri sa nuk e zgjedh populli. Tosi apo Jovan Bregu humbën sikur të mos kishin ekzistuar. 

3) Në zgjedhjet presidenciale të 2017 Jovani u rishfaq rishtas, kësaj here si garant palësh, i ”moderuar”, i qe mbushur mendja se partia nga ai vinte, por edhe mjaftistët, do e mbështesnin. Tashmë disa raporte ishin normalizuar. Ligji  me 84 votat e domosdoshme, ai që sillte çdo katërvjeçar zgjedhjen e presidentit, ai i ngërçeve parlamentare, i mos gjetjes së konsensusit për emrin, kishte rënë. Tashmë qe bërë një ligj i ri që president mund të zgjidhesh me një votim më të thjeshtë, qoftë me +1 votë. Pra 70 + 1 = 71. Kurrë se votonte opozita. Mirëpo ”rilindasi” dhe mjaftisti e kishin ndarë mëndjen. Nuk dëgjuan as këshillat e korifejve të letrave në emra konkretë. Jovan Bregun e socialistëve e përdorën sa për show. Madje në irritim e sipër, pyetjes se a keni biseduar me Nanon, a ju është ofruar ai për president. ”Rilindasi” iu përgjigj, ngrije piacën kur kalon në emra konkret, lista ime është shumë e madhe. ”Rilindasi” dhe mjaftistët kishin tjetër synim. Nxjerrjen në pension politik të një emri, aleati, një figure që tashmë nuk u duhej më. Ky ishte presidenti aktual i shqiptarëve. Rishtas një firo e vokacionit social, deri sa presidentin nuk e zgjedh populli. Pra Ilir Meta dhe jo Jovan Bregu.

4) Zgjedhjet e radhës, ato presidenciale janë korrikun e vitit që vjen. Jovan Bregu doli sot gjoja në atë rubrikën e kujtimore të të gjallëve të ndryshimeve të mëdha pos diktaturë. Në vend të një opinioni si aktor, Jovani bëri fushatë elektorale. Kësaj here në krah të ”rilindasit” dhe mjaftistit. Që domethënë ëndrra magazinë vazhdon. Pas mendjes së tij, ata që e zbythën janë sot aset kombëtar për shqiptarët. Dhe se ai do të jetë presidenti i 8 për shqiptarët. Duke dashur të na i plasi trutë në atë që akoma dështimi ynë social vazhdon. Megjithatë vëmendja sot është tek Jovan Bregu, jo tek shifrat. Zbulimi më i fundit, ndofta shkarasi, i një emisioni televiz, nga panelistet e Shqipëria live, informonte se 28% e të rinjëve janë të pa punë. Se sa është përqindja e të rinjëve në një shoqëri, ku ka fëmijë, mosha madhore, të moshuarit, nuk është e vështirë për ta kuptuar. Sidomos në një vend me afro dy milion banorë, ku 650 mijë janë pensionistë. Pra shifra 28% është katastrofë. Dhe jo rastësisht. Rikthimi i një 70 vjeçari që lyen mjekërr e flokë, i cili nuk dha kurrë llogari për çfarë ka në raport me atë që kishte, është pa dyshim vula e këtij regresi 30 vjeçar. Ndaj brezi i të rinjëve ka dy alternativa, o i pa punë, o refugjatë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Fatos Nano, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 207
  • 208
  • 209
  • 210
  • 211
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT