• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria demokraci e re, apo demokraci me re?

April 6, 2017 by dgreca

nga Majlinda BUSHJA/

Shqipëria demokraci e re, apo demokraci me re? Le ta analizojme: Kur shihet si rrugëzgjidhje kërcënimi nuk flitet më për aktorë që qendrojnë në krye të forcave politike, por për forca politike që i mungon kryeja. Pasi kërcënimi është shenjë dobësie, ku më i dobti në mungesë të aftësive reale për të dominuar gjen një rrugë tjetër force për të treguar se ekziston. Kërcënimi është “forca” e tij që parandjen humbjen dhe për të mos u përballur me të duhet të gjej me patjetër “gurin e baraspeshës” për të fshehur mangësitë dhe shmangur përballjen. Sepse përballja është mësim, pësim dhe tregues i gjendjes, por ndonjëherë dhe mospranim i saj përsa kohë nuk je në gjendje të pranosh forcën e vetvetes që vendos kufijë dhe na tregon vendin. Kështu, përballja përsa kohë është tregues shfaqet e rrezikshme dhe të pranosh atë është atribut vetëm i atyre që duan të njohin dhe pranojnë realitetin. Pse e them këtë? Shkaku i mospranimit të përballjes në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit po trazon së fundi ujërat  në politikën shqiptare, ku dialogu nuk pranohet realisht, por shihet si zgjidhje kërcënimi në distancë, si “forcë” për të ndryshuar gjendjen. Nuk është diçka e re kjo në politikën shqiptare, por një vazhdimësi duke e lënë Shqipërinë prej 26 vitesh një vend në tranzicion dhe duke konsideruar tranzicionin arsye për krizat e herë pas hershme politike në vend. Kriza të sajuara për karrigen e pushtetit, por dhe për t’i shpëtuar të shkuarës që fundos dhe gjendet si mjet shpëtimi “kriza” në momente të vështira.

Çfarë po ndodh realisht në vend, Shqipëria një demokraci e re, apo një demokraci me re, ku fjala dialog konsiderohet e huaj në ambjentet tona politike. Mesazhe kërcënuese, denigruese, (ku media fatkeqësisht është përcjellësja) “hidh e prit” që në muajin shkurt të këtij viti dhe kokëfortësia për dialog kanë krijuar një krizë politike institucionale artificiale të panevojshme që më së shumti rëndon qytetarët, dhe të ardhmen e vendit. Kërcënimi po përdoret si “aftësi” për të dominuar në politikë, dhe kokëfortësia po shihet si zgjidhje, duke u ngatërruar gabimisht me vendosmërinë në realizimin e qellimeve. Por, politika e forcës nuk tregon forcën e politikës, por paaftësinë e saj për të zgjedhur dialogun si mjet paqësor të demokracisë. Flitet shumë për dialog në parim, por kur shkon puna për t’u ulur në tryezë e për të bërë bisedime e lëshime (se bisedimet prandaj bëhen) atëherë aty dialogu mbaron dhe çdo njeri nga aktorët mendon se e drejta i takon atij, meqenëse dhe nuk ekziston e drejta absolute në vetvete. Mirëpo në këtë rast, mençuria politike është të mbrosh “të dobtin” për të treguar se je “i fortë” përmes paqes së ofruar si privilegj i atij që sundon.  Problemi është të mos e shohësh pushtetin si “Zot” e të përkulesh para tij, pasi pushteti është Verbëri dhe si i tillë nuk të lë të shohësh përreth e të kuptosh se cilat janë mjetet e paqes së detyruar, (si detyrë themelore e pushtetit dhe atij që e mban). Sa herë përkulemi para pushtetit aq herë humbasim si lidër para atyre që na kanë zgjedhur dhe kthehemi në problem përmes arrogancës që vjen prej këtij të parit dhe që na zë sytë. Por gjithmonë ka një zgjidhje për të mos u rrëmbyer nga pushteti, e për t’u treguar atyre që qendrojnë në anën tjetër zgjidhjen dhe detyrimet. Zgjidhja është të shohim të vërtetën dhe jo të krijojmë të vërtetë, të mos krijojmë nyje në fillin e pakëputur, por të zgjidhim fillin e ngatërruar pa e këputur atë. Të kuptojmë së pari se pushteti (dhe rruga drejt tij) është “një lëmsh” që ngatërrohet shpejt në duart e shumë njerëzve dhe duke qenë i tillë vetëm dialogu dhe toleranca shmangin krizat artificiale të panevojshme dhe përcaktojnë të drejtën që takon. Pasi lufta më e madhe bëhet për të fituar të drejtën dhe ai grup që hamendëson se janë shkelur të drejtat është i prirur të shkaktojë kriza dhe përgjithësisht qendron në anën e pakicës. Problemi është të bindësh pakicën se gjithmonë do ekzistojë e kundërta(pakica) pavarsisht se kujt i takon ky rol dhe kjo nuk duhet të shihet si nënshtrim për të. Vendi i gjithsecilit përcaktohet nga pëlqimi dhe besueshmëria që kushtëzohen nga të tjerë persona që kanë të drejtën të vendosin për vendin e gjithsecilit, që në këtë rast janë votuesit. Çdo kërcënim, fyerje, apo presion nuk zhbën dot të vërtetën, nuk ofron zgjidhje, por është vet problemi që pengon zgjidhjen.

E vërteta e pakundërshtueshme është se për gjithçka e çdo gjë ekziston e kundërta, sikundër edhe në politikë. Nuk ka pëlqim absolut në shoqëri, ndaj dhe ekziston e kundërta që pranohet dhe merret në konsiderat për arsyet e saj të mospëlqimit. E kundërta konsiderohet e domosdoshme dhe e dobishme në funksion të zhvillimit dhe pasurimit të ideve dhe të tërës. Ndërkohë ai që i përket kësaj pjesë duhet të gjejë arsyet reale pse ndodhet aty. Pasi kërcënimi nuk është mënyra për të kaluar në anën tjetër, por problemi që nuk na jep kohën e mjaftueshme të kuptojmë formën normale të ndryshimit.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: apo demokraci me re?, Majlinda Bushja, Shqipëria demokraci e re

Republika e Re e Jugosllavisë si projekt i marrëveshjeve Rama – Vuçiç

April 6, 2017 by dgreca

Nga Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi /

2 enver-Bytyci-1

Para disa javësh dy kryeministrat ballkanas, Edi Rama i Shqipërisë dhe Alesandër Vuçiç i Serbisë, lëshuan në Sarajevë një ofertë e njëkohësisht një kërkesë: – Të ndërtojmë Tregun e Përbashkët Ballkanik. Shumë, ndoshta shumica e shqiptarëve, u shprehën entuziastë për këtë nismë të re serbo-shqiptare. Megjithatë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e refuzoi një projekt si ky. Ai u shpreh jo vetëm skeptik, por njëkohësisht kundër një të ashtuquajturi “Treg i Përbashkët Ballkanik”. Mbështetësit e këtij projekti e kritikuan zotin Mustafa me arësyetime të ndryshme. Argumenti ishte se “Një Treg i Përbashkët Ballkanik” do të ishte një mundësi dhe shans për zhvillimin e rajonit. Sot zoti Vuçiç, tashmë në postin e presidentit të ri të Serbisë, ka ndriçuar më shumë detaje për projektin në fjalë, duke i dhënë atij ngjyra të theksuara politike. Ai, ka folur për një Republikë të Re të Jugosllavisë. Në njëintervistë për portalin amerikan “Politico” Vuçiç është shprehur se plani i tij do të krijojë një treg për 20 milionë banorë dhe se bëhet fjalë për “Jugosllavinë e vjetër plus Shqipërinë”. Ndërkaq ka përmendur faktin se Tito pati sukses në një projekt të tillë. Takimet e panumërta midis zotit Rama dhe zotit Vuçiç zbuluan të vërtetën se të dy këta janë marrë vesh për ndërtimin e një Ballkani të ashtuquajtur “Perendimor” të llojit të Jugosllavisë së Titos. Jugosllavia, e cila u varros nga dhuna e Serbisë, tashmë po na shfaqet në horizont si një projekt i ri, madje me një aktor plus, kryeministrin e Shqipërisë. Të dy këta, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç, mbështetën për katër vite njëri-tjetrin, me qëllim që të forconin pozitat elektorale në vendet përkatëse, por me një çmim të lartë për shqiptarët: – Përjashtimin e Kosovës nga vendimmarrja, ose më e pakta, krijimin e rrethanave të pafavorshme për institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre për forcimin e shtetësisë në këtë vend. Por në këtë koment nuk dua të ndalem thjesht në pasojat e bashkëpunimit Rama-Vuçiç. Këto pasoja si dhe lidhjet konspirative midis tyre i kam shtjelluar në dhjetra komente së paku prej tetorit 2014 e deri më sot. Ajo që sot dua të kujtoj është ngjashmëria që ka inciativa Rama-Vuçiç për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe “Bashkim-Vëllazërimin Serbo-Shqiptar” me përpjekjet mbi 100 vjeçare të të gjitha qeverive të Beogradit për të krijuar një aleancë ballkanike ose për të realizuar atë lëvizje që quhej “Ballkani ballkanasve”, me qëllim asgjësimin e shqiptarëve. Në pranverën e vitit 1912 Mbreti i Serbisë i inkurajonte shqiptarët që të luftonin kundër Turqisë osmane, duke ju premtuar aleancë dhe mbështetje të pakufishme. Madje ai dërgoi armë, me qëllim që t’i bindë shqiptarët për seriozitetin dhe sinqeritetin e ndihmës serbe ndaj tyre. Nuk po përmend emrat e udhëheqësve të kryengritjes shqiptare të asaj kohe, të cilët e pranuan marrëveshjen dhe ndihmën e Karagjorgjeviçit. Në ditët e sotme Aleksandër Vuçiç i ka ofruar shqiptarëve (të Shqipërisë) bashkëpunim, madje dhe ndihmë për të krijuar një treg unik, duke e reklamuar veten e tij një Tito të ri, i cili “Do të ndërtojë autostradën Nish-Prishtinë”. Ai e ftoi kryeministrin Rama në Nish tetorin e kaluar, me qëllim që të dy të vendosnin “gurin e themelit” të këtyre marrëdhënieve. Por në Prishtinë qëndruan ftohtë. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, i tregoi kryeministrit Rama kufijtë e sjelljes së tij ndaj Kosovës. Pse? Sepse po flitej për projekte të përbashkëta, të cilat përfshinin edhe Kosovën, por që nuk përfaqësohej e barabartë si shtet sovran në këto iniciativa. Ndërsa Mbreti i Serbisë në vitin 1912, teksa i ftonte shqiptarët në “luftë të përbashkët” kundër Perandorisë Osmane, nënshkroi fshehtas tyre tri marrëveshje ballkanike, atë më Greqinë, marrëveshjen me Malin e Zi si dhe marrëveshjen me Bullgarinë. Aleanca midis këtyre katër vendeve ballkanike u quajt shkurt “Aleanca Ballkanike”. E përafërt me termin e sotëm “Tregu i Përbashkët Ballkanik”. Po çfarë ndodhi atëherë, në Luftërat Ballkanike. Ushtria 300 mijëshe e Serbisë asgjësoi e masakroi gati 30 mijë shqiptarë, thjesht se donte të evitonte krijimin e shtetit shqiptar. Shqiptarët u zgjuan, por shumë vonë. Ata nuk e vunë re tradhëtinë e Mbretit të Serbisë në kohën e duhur. U joshën nga “lufta e përbashkët kundër pushtimit osman” dhe nuk panë se po përgatitej asgjësimi i kombit shqiptar. Tani Vuçiç e di se nuk i ka mundësitë të asgjësojë shqiptarët si komb, por krijimi i një “Tregu të Përbashkët Ballkanik” me ndihmën e kryeministrit Rama, do t’ia mundësojë atij realizimin e një iniciative politike të krijimit të një Jugosllavie të Re, brenda së cilës të ishte Shqipëria. Beogradit i duhet Shqipëria në këtë të ashquajtur Jugosllavi të Re, sepse me anë të Tiranës zyrtare kërkon t’i bindë shqiptarët e Kosovës të bëhen pjesë e kësaj Jugosllavie. Isa Mustafa e ka kuptuar këtë hile. Nuk e di nëse janë dakord politikanët e tjerë me këtë aventurë të re, jo aq të presidentit të ri të Serbisë, sa të kryeministrit të Shqipërisë. Aleanca Ballkanike e vitit 1912 kundër shqiptarëve u arrit me angazhimin e drejtpërdrejtë të Rusisë, madje direkt të carit rus. Projekti i sotëm i “Tregut të Përbashkët Ballkanik” ka bekimin dhe miratimin e carit të sotëm të Rusisë, Vladimir Putin, sepse ai e di që në çdo organizëm ku bën pjesë Serbia është e do të jetë e pranishme edhe Rusia. Në këtë treg Rusia do të ishte present së paku 50 me 50 përqind krahasuar me Perendimin, Europën e SHBA-të të marra së bashku. Këtë ia mundëson Serbia. Kaq kishe fituar vetë Stalini në Jaltë. Prandaj dhe projekti i Vuçiç është dhe mbetet gjithashtu projekt i Kremlinit. Këtij projekti i bashkëngjitet me vetëdije apo me naivitet kryeministri ynë, Edi Rama. Por nuk e pranon atë Isa Mustafa dhe nuk jam i bindur se zoti Rama ka shfaq ndonjë kureshtje pse kryeministri i Kosovës është kundër një projekti të tillë. Një projekt ballkanik u inicua nga Beogradi edhe në periudhën e Mbretit Zog, në vitin 1936. Madje në Beograd u mblodhën të gjitha vendet ballkanike dhe formuan atë që e quajtën “Aleanca Ballkanike”. Qëllimi ishte që këto vende të bëheshin bashkë për të kundërshtuar praninë e Fuqive të Mëdha në Ballkan. Por Mbreti Zog refuzoi të bëhej pjesë e kësaj farse. Ai kishte kuptuar se aleancat ballkanike, aq më tepër të inicuara nga Beogradi, janë thikë pas shpine për shqiptarët. Dhe periudha e bashkëpunimit të komunistëve shqiptarë me komunistët serbo-jugosllavë i dha atij plotësisht të drejtë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj komunistët shqiptarë dhe qeveria komuniste e Enver Hoxhës krijuan lidhje të ngushta me komunistet dhe qeverinë komuniste të Beogradit. Tito dhe udhëheqësit komunistë serbo-malazezë e përdorën këtë lidhje për të shfarosur nacionalistët shqiptarë në Kosovë. Beogradi kishte kuptuar se Tirana zyrtare komuniste kishte interes eleminimin e faktorit nacionalist në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë, prandaj e pranoi ushtrinë patizane shqiptare në territorin e Kosovës, me qëllim që të mbante në zap popullsinë shqiptare atje për të mos reaguar për masakrat masive kundër tyre në Drenicë e deri te Masakra e Tivarit. Titos i duhej bashkëpunimi me Enver Hoxhën që të mbyste në gjak Kosovën dhe të asgjësonte fizikisht faktorin shqiptar. Gjithçka u bë në emër të “Bashkim-Vëllazërimit”. Sot Aleksandër Vuçiç ka thirr në ndihmë Edi Ramën që ta mbysë lirinë e pavarësinë e saj. Retorika nacionaliste e kryeministrit të Shqipërisë është demagogji e paster, sepse në asnjë rast ajo nuk i kundërvihet planeve konkrete të Aleksandër Vuçiç. Madje zoti Rama e sheh me përbuzje dhe e prezanton si “injorancë” reagimin e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për t’i thënë “JO” projektit të Vuçiç, i cili ngjason me atë projektin e Titos për “ta gllabëruar Shqipërinë”, siç thoshte Stalini dhe për ta bërë atë Republikë të Shtatë të Republikës së Jugosllavisë Socialiste. Asokohe kjo Republika e Shtatë e Jugosllavisë u paraqit si një republikë që përfshinte edhe shqiptarët e Kosovës, por nuk dihet se cila do të ishte sipërfaqja e territorit të Kosovës që do të mund të përfshihej në këtë Republikën e Hoxhës që do të bëhej Republikë e Titos. Ndërsa sot Republika e Ramës, që do të futet “vullnetarisht” në Republikën e Vuçiçit, mbasi ta zhbëjë lirinë e pavarësinë e Kosovës do ta ndante territorin e saj, jo më në Ibër, por gati në portat e Prishtinës. Ngjashmëritë e Republikës së Re të Jugosllavisë së Vuçiçit me tezën e “Tregut të Përbashkët Ballkanik” janë të shumta. Mbi të gjitha iniciativat serbe përkojnë me të ashtuquajturën politikë e neutralitetit, të cilën e ka promovuar Tito dhe e përsërit Beogradi i sotëm. Mosangazhimi titist është thelbi i politikës së sotme të Vuçiçit, me qëllim krijimin e një zone tampon midis Lindjes e Perendimit në Ballkan. Në fakt ky Tregu i Përbashkët Ballkanik, sidomos në kushtet e shpërbërjes së mundëshme të BE-së dhe zgjerimit të influencës ruse në Ballkan do të linte brenda gadishullit Moskën e Kremlinin dhe do të nxirrte prej andej Uashingtonin, Berlinin, Londrën e Vjenën, sigurisht nëse këto kryeqytete do ta toleronin iniciativën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Gjasat janë që të mos e tolerojnë dhe të dallojnë komplotin e tij, të cilit i vjen në ndihmë zoti Rama. Por ky I fundit nuk është në gjendje t’i kundërvihet ish-homologut të tij serb dhe projekteve të tij antishqiptare. Nuk i kundërvihet, sepse të gjithë të majtët shqiptarë, që nga Noli, Enver Hoxha, Ramiz Alia, Fatos Nano e deri tek Rama janë joshur gjithnjë nga sllogani “Ballkani ballkanasve” dhe marrëzia e dakortësisë për të nxjerrë jashtë gadishullit tonë Fuqitë e Mëdha proshqiptare dhe për të pranuar prezencën e Perandorisë Ruse. Nuk po radhis këtu faktet e shumta bazuar në dokumente arkivore, të cilat e dëshmojnë këtë. Rama nuk i kundërvihet kësaj formule, pra asaj që pretendohet si Aleancë e Re e vendeve të Ballkanit Perendimor, por që nuk është tjetër veçse Aleancë që synon të krijojë një Jugosllavi të Re me vendet e ish-Jugosllavisë, minus Sllovenia e Kroacia dhe plus Shqipëria, sepse tashmë nuk ka kredite të kundërshtojë projektet dhe planet e Aleksandër Vuçiç. Në Sarajevë kryeministri serb e provokoi dhe e paralajmëroi zotin Rama, duke i nxjerrë në publik një dakortësi të fshehtë midis tyre. Dhe ne nuk jemi në dijeni të shumë marrëveshjeve të tjera të fshehta midis tyre. Shpalosja e qëllimeve të hapura nga ana e presidentit të ri serb për “Tregun e Përbashkët Ballkanik” dhe krijimin e një Jugosllavie të Re do të duhet të jetë një sinjal tjetër se Edi Rama mund të shpëtojë, çka mund të shpëtojë, vetëm nëse jep dorëheqjen, madje pa kthim, pa kërkuar më si person ndonjë mandat tjetër për qeverisjen e vendit. Vetëm në këtë rast ai ka shansin që të mbyllë në kasafortën e Vuçiç për një fare kohe pazaret antishqiptare që kanë bërë në këto katër vite, shumë prej të cilave mbajnë vulën e diletantizmit të kryeministrit tonë në diplomaci ose të egoizmit të tij për protagonizëm. Tiranë, më 06.04.2017

Filed Under: Opinion Tagged With: e Jugosllavisë si projekt i marrëveshjeve, Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi, Rama-Vucic, Republika e Re

HARADINAJ- LOJA FRANKO-SERBE VAZHDON

April 6, 2017 by dgreca

*Vendimi për Haradinajn shtyhet për 27 prill/

*Ramush Haradinaj: Serbisë duhet t’ia tregojmë vendin /

Ne Foto:Ramush Haradinaj në një gjykatë në Colmare të Francës/

Një gjykatë në Colmar të Francës ka vendosur që të shtyjë për 27 prill një vendim për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ekstradimin e të cilit e kanë kërkuar prej disa muajsh autoritetet në Serbi.Haradinaj u paraqit të enjten, përpara gjykatës në Colmar por trupi gjykues kërkoi tri javë të tjera afat për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë.Autoritetet serbe kanë prezantuar, siç thonë, dokumente të reja me të cilat akuzojnë Ramush Haradinajn për, siç thonë, krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1998-1999.

Pas përfundimit të seancës Haradinaj deklaroi se drejtësia do të fitojë.”Është vendosur që një vendim të merret më 27 prill. Deri atëherë po presim edhe pak. Jemi në të drejtën dhe e drejta ka për të fituar“, tha Haradinaj.Ai tha se kërkesa e Serbisë për ekstradim është ‘e pabazuar dhe politike’ dhe e cilësoi ‘abuzim’.“Unë nuk kam ikur nga ligji as i Kosovës e as nga ai i huaj [ndërkombëtar]. Më 29 nëntor 2012, ka ndodhur e vërteta, është konfirmuar kush jam dhe sa i pastër jam. Juridiksionin e Serbisë nuk e njoh dhe nuk do ta njoh kurrë. Jemi ndarë nga ta dhe përgjigjen sa herë që e kërkojnë e marrin njëjtë. Siç edhe e kanë marrë“, tha Haradinaj.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, u paraqit të enjten për të tretën herë në seancat gjyqësore në Colmar të Francës, që prej se u ndalua në janar të këtij viti në aeroportin e Bazelit nga policia franceze, mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Serbisë.Prokuroria Speciale e Serbisë, menjëherë pas ndalimit paraqiti kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, për t’u përballur, siç tha, me akuzat e pretenduara për krime lufte.

Por Haradinaj ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Tribunalin e Hagës për krime lufte ne ish-Jugosllavi.”Baza e ndalimit tim është krejtësisht politike. Do të thotë aktakuza burimin e ka në vitin 2004, një aktakuzë që është nisur përpara proceseve gjyqësore që i kam kaluar në Tribunalin e Hagës. Në të vërtetë këto gjëra në Francë ndodhin, procesi është gjyqësor, por baza e këtij procesi është krejtësisht politik“, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të fletarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.Zoti Haradinaj u shpall në vitin 2012, i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi.Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.

***

Ramush Haradinaj: Serbisë duhet t’ia tregojmë vendin /

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se është peng dhe se drejtësia franceze ka rënë pre e Serbisë.

Duke folur ekskluzivisht në një intervistë për  Info Magazine të Klan Kosovës nga Colmari i Francës Haradinaj tha se është  i bindur se në fund do të ngadhënjejë.

“29 nëntor 2012 është vërtetuar e vërteta për pafajësinë time, por kjo nuk po i pëlqen Beogradit”.

“S’ka qare, jemi në drejtën tonë. Do të jetë një lirim i pakusht. Jo gjyqtarët por edhe gazetarët e kanë parë se nuk qëndron një kërkesë e tillë, krejtësisht politike”.

Haradinaj ka thënë poashtu se Serbisë duhet t’i tregohet  vendi.

“Fqinjët i kemi të këqij, Serbisë duhet të ja tregojmë vendin qysh ka bërë Kroacia”.

Ai ka thënë poashtu se po merr në mënyrë të vazhdueshme mbështetje dhe se ata po i japin forcë për të mos u dorëzuar.

“Të gjithë kanë një kërkesë ndaj meje: Mos lësho pe. I falënderoj të gjithë nga zemra, që bashkëndiejnë me mua jo si individ, por me një të drejtë tonën, të shqiptarëve. S’ma ndien për Serbinë”.

Filed Under: Featured Tagged With: 27 prill, dalip greca, Haradinaj, shtyhet vendimi

Trump: Assad nuk do të tolerohet më

April 6, 2017 by dgreca

Mbas sulmit me gaz kundër popullsisë civile, zoti Trump deklaroi: “Aksionet e tmerrshme të regjimit të Assad nuk do të tolerohen më”./

1 Presidenti Trump dhe mbreti jordanez

Kështu deklaroi Presidenti amerikan Donald Trump në një konferencë të përbashkët për shtyp me mbretin e Jordanisë në Shtëpinë e Bardhë. “Kur gazi vret fëmijë dhe të sapolindur, për mua janë kaluar shumë vija, ajo e kuqe po e po”, ka thënë Trump.  Ai ka theksuar se, administrata Obama ka humbur një mundësi të artë për të zgjidhur krizën siriane.  “Sulmi kimik në Siri ishte i tmerrshëm. Nuk ka fjalë për ta përshkruar. Ishte një sulm ndaj njerëzimit”, ka vijuar Trump. Nga sulmi me armë kimike në Siri mbetën të vrarë 72 persona, mes të cilëve 20 fëmijë dhe 17 gra.  Moska zyrtare mohoi që regjimi i Assad ta ketë kryer qëllimisht sulmin dhe refuzoi të njihte projekt/rezolutën e OKB-së. “Këto akuza janë një provokim”, ka thënë Kremlini. Ndërkohë, sulmi është dënuar edhe nga ati i shenjtë, Papa Françesku, që ka shprehur keqardhjen dhe e ka cilësuar si “të papranueshëm”.

Filed Under: Komente Tagged With: Assad nuk tolerohet, Trump

Gëzim infantil i së majtës… fërkim duarsh…Urra?!/

April 6, 2017 by dgreca

Fundi i PD-ës thonë. Mori fund PD-ja. Eshtë ëndërr e ëndërruar kjo djema. Përkundrazi PD-ja sapo është kthyer….dhe do bëj mire ta bëj mire ta kthejë atë boulevard në lum të njerëzve me tufa kanabisi…/

Nga Ilir Levonja/

Në disa webe të majta shoh një gëzim infantil. Gati naiv do thosha. Me fërkim duarsh. Gati-gati në frenezi. Të lumtur nga urraja. Pasi ky vëllai i atij buçkos së Koresë së Veriut. Ka vendosur të shkojë i vetëm në zgjedhje. Këtë ia pohoi edhe një…, nga ato lloj deputetesh femra. Në një inagurim pragfushate. Nga landi i Bavarisë. Pamja e së cilës mund ta shtrëngojë Gjermaninë së shpejt, të çojë lart trarët e doganave. Si ke ai filmi anglez…, e të lejojë futjen e refugjatëve nga ballkani etj, si e si të përmirësojë rracën e tyre. E gjitha në një përfundim të lumtur se zgjedhje mund të mbahen deri sa është e shkruajtur qartë në Kushtetutën e vendit. Madje kjo vendosmëri e vëllait të Kim Yongut, që vdes për djath Zvicre dhe konjak francez, kur populli i tij është turrë brigadash mencash punëtorësh me krahun më të lire të punës në botë. Ky pra vëllai i madh baskebollist, do çojë kështu edhe PD-ën drejt një fundi të pashmangëshm. Daljen nga jeta politike e Shqipërisë. Lëvrijnë sytë me shpresën që ky ekzekutim të ndodhi nesër.

Dhe ajo që është më ulëria, flasin për bojkotin si një shpërbërje e vetdijshme, krejt natyrale, a normale të kujt.
Të njërës nga forcave që duam apo nuk duam ne, është historia e demokracisë sonë. Ose pranvera e pluralizmit në Shqipëri. Një soj bluje sa paqja e qiellit. I kohëve kur liria njerëzore është më shumë se kulturë reciprociteti. Se sa paraqitja prej buçkoje e Kim Yongëve që u ka zënë dhjami kyçat e duarve.
Mund të mendoni me të drejtë pasi vërtetë brenda PD-ës ka plot xhaketa të kthyera. Apo djem komunistësh. Nga ata që nderonin darkave me grushtin tek tëmthat. E kemi thënë këtë me dhjetra here. Nga ai soj rrace që e yshtin qëllimisht konfliktin. A qëllimisht i mbajnë të zhytura në pluhur dosjet etj. Po, është e vërtetë. Por kjo është demokraciia. Moralisht dy herë më shumë pranverë për këtë soj rrace që teksa hedhin supeve xhaketat. Ia kanë bërë në kokë shtetit ligjor. Kjo është hapësira e të drejtës pa persekucion. Por nganjëherë edhe penetrimi i burave pa burrllëk për të ndërtuar shtetin e së drejtës ligjore. Vërtetë një PD që lejoi informalitetin, kioskat etj. Por kioskat ama, ku brenda asaj zallamahie informale, ushqeheshin robtë me gjerat e njerëzore. Jo me ato antinjerëzoret si drogat aq sa sot në kronikat televizive, pushteti i drogës ka uzurpur plotësisht minutazhin e reklamave. Një treg informal i cili zor se do e shkulim kollaj. Atëhere kishim një memorandum të skafeve. Sot ne revolucionarët e rinj. Akoma hezitojmë për një kaq të domosdoshëm për avionët, token. Vërtetë një PD që tek-tuk ka nga ata që të flasin për demokracinë. Që të thonë se je apo nuk je demokrat. Pasi brenda një viti ata, kanë zbritur nga fshati më i humbur, kanë dhënë tendera… kanë blerë nga dy tre shtëpi. Dhe vdesin që në çelebrime datash të shënuara. Të të tregojnë se si e shkojnë në hell, në kopshtet e tyre private. Një kopje e shëmtuar e traditës greke a italiane. Qingjin e kurban bajramit dhe berrin e krishtlindjeve. Të gjitha i kanë bërë për një vit . Dhe nga ana tjetër të flasin për demokraci, shtet, ligjor etj. Po ta dini, fitimtarë infantilë. Vetëm kaq janë. Ta dini….Që, tipa të tillë i keni më me shumicë. PD- ja e infromalizmit socialist …Njerëzit e lidhur me krimin i la në qeli, nuk i bëri deputetë. Ta dini … Nuk merr fund kaq thjesht PD-ja. Apo pluralizmi. Pasi PD-ja nuk është kjo. Nuk është kaq. Kjo është veçse një gjëndje. Që në historinë e pluralizmit i lejon një force politike të tretet, ribëhet dhe të kthehet fuqishëm. Mjerimi më i madh ndodh kur krahu tjetër lumturohet. Kur bën menefregun karshi stoicitetit të një force sot opozitare, por në të njëjtën kohë është kollonë e bazës së demokracisë së vendit.
Eshtë një histori bajate tashmë, që opozitari i djeshëm quan normale ato të drejta që i pretendonte dje. Si rasti i kodit zgjedhor, tashmë demode. Dhe që çdo mëndje sa është në opozitë e kërkon reformimin. Sa vjen në pushtet, jo. Thotë pse, mire është. Çdo mëndje që që i bojkotonte…, I xhelozuar nga dhëndrri Brenda. Sa erdhi në pushtet, i gëzohet faktit që çezma ka ujë. Dhe se çezma është e tija. Nuk ka të drejtë askush të mbushi ujë. Dhe shyqyr që ky ujë shkon i gjithi në baçen time.
Fundi i PD-ës thonë. Mori fund PD-ja. Eshtë ëndërr e ëndërruar kjo djema. Përkundrazi PD-ja sapo është kthyer….dhe do bëj mire ta bëj mire ta kthejë atë boulevard në lum të njerëzve me tufa kanabisi.

 

Filed Under: Politike Tagged With: fundi i PD, gezim infantil, i se majtes, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2091
  • 2092
  • 2093
  • 2094
  • 2095
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT