Sukses i madh dhe vlerësim i Grupit Artistik të Këngës Qytetare Beratase, në Turqi/
Nga Pierre -Pandeli Simsia/Këto ditë Grupi Artistik i Këngës Qytetare Beratase me mbështetjen e Bashkisë së Beratit, Kryetari, zoti Petrit Sinaj ndodhet në Turqi ku po konkuron ndër grupet artistike të vendeve të Ballkanit; shoqëruar nga regjisori i suksesshëm Shpëtim Dyrmishi dhe Drejtoresha e Qendrës Kulturore Berat, Gena Dura.
Lek Mirakaj: Visar Zhiti, një diamant që trazon persekutorët
*Lek Mirakaj:A nuk do ishte e mjaftushme vetë dekorata që Z.President i ka akorduar Visarit për qëndresën e tij në burgjet e komunizmit. A nuk janë të mjaftushme shprehjet e vlerësimet që lideri i Partisë Demokratike dr.Sali Berisha, ka adresuar në drejtim të personit të Visarit./
Burgu i Spaçit. Një ditë pranvere e vitit 1980. Lek Mirakaj, ishte dërguar atje për të vuajtur ferrin e qelive dhe galerive të errëta, si të gjithë të burgosurit e tjerë politikë që gjeti në atë burg-minierë. Mes tyre ishte edhe Visar Zhiti, më të cilin thotë se ndau besim e respekt të plotë që nga momenti i takimit e deri sa dolën nga burgu, për të vijuar më tej më të njëjtin besim e respekt edhe në vitet pas rënies së regjimit e deri më sot.
Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti, së fundmi i ngarkuar me punë në selinë diplomatike shqiptare në Vatikan, është përfshirë sërish në një debat në distancë me presidentin e vendit Bujar Nishani, për shkak se ky i fundit dekoroi para pak kohësh një ish-hetues të regjimit komunist.
Por përgjigjja e persidentit ka qenë një akuzë e ashpër për Zhitin duke e fajësuar për rolin e spiunit gjatë periudhës së vuajtjes së burgut.
Kjo çështje hap sërish debatin mbi ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit që lakohen më shpesh e më ashpër se sa vetë xhelatët e diktaturës.
Lek Mirakaj, si një ish i përndjekur politik, dhe i njohur i z.Zhiti në rrethanat e burgut, pranon të bëjë këtë bisedë për gazetën Shqiptarja.com, ngacmuar nga debate i hapur këto ditë pas akuzave për spiunim ndaj Visar Zhitit, dalë nga zyra e presidentit Nishani.
- Mirakaj, në çfarë rrethanash jeni njohur me Visar Zhitin? Si ka vijuar njohja juaj me të?
Lek MIRAKAJ: -Me Visarin jam njohur në kampin famkeq të Spaçit në pranverën e vitit 1980. Disa shokë të mij që kishin përfunduar para meje në burg, ma prezantuan Visarin si një djalë serioz, i ndershëm, me të cilin mund të shoqërohesha dhe të flisja pa frikë dhe pa rezerva. Që nga ajo kohë e në vazhdim, ato raporte të respektit dhe besimit të ndërsjellët i kanë rezistuar, si viteve të burgut, ashtu edhe viteve të periudhes post diktatoriale.
Si mund ta portretizoni Visarin poet të burgosur?
Lek MIRAKAJ: -Poetët mund ti burgosësh, po nuk mund ti ndalësh që të jenë poetë. Të tillë kishte mjaft në burg. Me që është rasti po përmend disa pa dashur ti dalloj nga ata, që nuk do ti përmend. Poeti martir Havzi Nela me gjithë vitet e shumta të kaluara në tmerrin e burgut, ishte i apasionuar pas të bukurës, në cilëndo formë, që mund ti shfaqej. Luan Burimi, Zyhdi Morava, Hasan Bajo, Agim Hamidi, prifti katolik Simon Zefi (Hardhija) e plot të tjerë, punimet kryesore i kanë krijuar në kushtet e burgut, duke i memorizuar. Pa dyshim në këtë grup njerëzish të talentuar dhe të guximshëm, Visari shkëlqen si një diamant, që i bën hije pothuaj të tërë shkrimtarëve të ashtuquajtur, të realizmit socialist. Dhe mos të harrojmë se nëse punimet e tyre do binin në dorën e sigurimit, pasojat do kishin qenë fatale.
Si do t’i cilësonit akuzat kundër tij, për spiunim, gjatë kohës së burgut, artikuluar drejtpërdrejt nga zyra më e lartë e shtetit, ajo e presidentit?
Lek MIRAKAJ:-Më lejoni t’ju bëj një korrigjim të vogël. Nuk do ti konsideroj “akuza” thjesht do i cilësoj “SHPIFJE” të denja për korbat që vuajnë kompleksin e fajit ndaj Visarit e tërë Visarëve që u përballën me diktaturën dhe me qëndresën e tyre i prishin qetësinë dhe gjumin, atyre që në një mënyrë apo tjetër e ndjejnë vehten përgjegjës për krimet. Për tu thelluar dhe për të qenë pak më i qartë: Shpifjet që bëhen ndaj personit të Visarit, nuk kanë të bëjnë me Visarin si individ. Ato janë në vazhdën e përpjekjeve 25-vjeçare për të disktretituar të gjithë ish të burgosurit politikë, pra edhe mua personalisht e shokët e mi bashkëvuajtës. Jetoj në SHBA, kam ndigju gjithfarë shpifjesh, sharjesh e fyerjesh, nga më skandalozet, që janë adresuar ndaj president Obames, po ashtu ndaj presdentit Trump. Asnjëherë nuk ka bërë vaki që ata ta ulin prestigjin e ofiqit në nivele të atilla, që fatkeqësisht presidenti i vendit tim u bë protagonist, duke u marrë me shpifje, që mund ti tolerohen gazetave e revistave të gossipit dhe skandalit. E thashë se ka një praktikë të mirëorganizuar për të diskretituar ish të burgosurit politikë. Në mos gabohem kjo lojë e pistë pati filluar me akuzat e sigurimsit Neshat Tozaj, që akuzonte se ish të burgosurit politikë ,kanë qënë të gjith spiunë. Jemi dëshmitar të akuzave të zonjës së zezë, alias Nexhmije Hoxhës, se ish të burgosurit e ndergjegjes kanë qënë, hajdutë lopësh. Kjo e bën më të dhimbshëm reagimin e presidentit që e rradhit vehten me të lart përmendurit.
Sidoqoftë një dokument i botuar keto ditë nga drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit Agron Tufa deshmoi se z.Zhiti edhe pse ishte tentuar ti ofrohej ky rol, kishte refuzuar ta pranonte. A e njihni ju këtë histori?
Lek MIRAKAJ:-Le ta nisim nga fundi. Për këtë histori Visari ka shkrujtur në njërin nga librat e tij, kështu që nuk bën lajm. Sigurisht që e dinja direkt nga Visari. E dinja se kisha besim të ndigjoj çdo gjë nga Visari, ai e kishte kaluar proven e “zjarrit” me qëndresën shembullore në burgjet e diktatures komuniste. Sidoqoftë është pë tu përshëndetur veprimi kurajoz i Z.Tufa që e botoi këtë dokument, pa marrë parasysh se mund të ketë pasoja meqë përgënjeshtroi presidentin e Republikës. Ai jeton e punon në Shqipëri dhe ne e dimë se si shkojnë punët atje.
A e ploteson edhe më tej portretin prej qëndrestari të z. Zhiti ky fakt?
Lek MIRAKAJ:-Do i përgjigjem shkurt kësaj pyetje. Visari as që ka nevoje për këtë dokument per të vertetuar portretin e tij prej qëndrestari. A nuk do ishte e mjaftushme vetë dekorata që Z.President i ka akorduar Visarit për qëndresën e tij në burgjet e komunizmit. A nuk janë të mjaftushme shprehjet e vlerësimet që lideri i Partisë Demokratike dr.Sali Berisha, ka adresuar në drejtim të personit të Visarit. Apo tashti do na thonë se kanë gabuar, se ishin të pa informuar. Të shpresojmë se do jenë më seriozë dhe z. president do kete kurajon civile për ti kërkuar ndjesë Visarit dhe gjithë ish të burgosurve politike. Në fund të fundit, pranimi i gabimit vetëm të lartëson. Le të shpresojmë.
Kush mund të jetë ish i përndjekuri me inicialet P.V.që u aludua dhe me ç’qëllim u përmend ai?
Lek MIRAKAJ:-Jam më se i sigurtë se individi me inicjalet P.V. nuk egziston. Ai është krijesë e fantazisë inatçore të presidentit tonë që e vuri vehten në këtë pozitë të pa këndshme. Ai mund të pretendojë se etika nuk ja lejon të zbulojë identitetin e paditësit, se i është komunikuar në mirbesim, me siguri do perpiqet të bejë lojë fjalësh, une do thonja se ky P.V, ky lloj kujdestari që paska pasur hallin e pastërtisë morale të figurës, që do përfaqesonte vëndin pranë selisë së shenjtë, nuk ekziston.President mos harro se ne kemi dëgjuar shume akuza në drejtim të personit tuaj për ngjarjet e ish-shkollës së Bashkuar, po ne i kemi injoruar. Ju nuk mundët ta përmbanit veten por vendosët ti përgjigjeni në formën më të pa përshtatshme qytetarit Visar, që ndoshta, veç protestës për dekretimin e një ish-hetuesi, donte të të nxirte edhe ndonjë guriçkë që i shkaktonte dhimbje, që në rrethana specifike si ato të Visarit është më se e kuptueshme.
-Qëndrojme pak te jeta e burgut. A keni pasur ju përvoja personale qe lidhen me spiunë në burg. A ishte e vështirë të ruheshe prej tyre. Si e zgjidhnit çështjen e komunikimit të lirë në ato rrethana survejimi?
Lek MIRAKAJ:-Të pretendoje se nuk kishte spiunë në burg do të ishte përtej absurdes, do të ishte qesharake. Mbas viteve ’60-të dhe sidomos pas revoltës së Spaçit, regjimi për ta bërë jetën e të dënuarve më të vështirë, filloi të sjell nga burgjet ordinere elementë ordinerë. Këta në shumicën dërrmuese përbënin kontigjentin e spiunëve. Për t’ju shmangur spiunëve nuk ishte shum e vështirë. Flas për t’u rujtun nga bisedat politike, dhe më besoni këto lloj bisedash, i konsumonim pa rezerva. Mjafton që të zgjidhje shokët. Fatmirësisht ne ishim një grup shokësh që kishim kaluar tërë jetën me njëri-tjetrin në kampet e internimit. Në këtë grup pa asnjë rezervë ishte pranu edhe Visari, që me ironinë e tij, me batutat e gjetura i jepte kënaqësi tërë grupit tonë. Sigurimi përpiqej që të krijonte frymën e frikës dhe mosbesimit ndërmjet të dënuarve, por pa ja arritur plotësisht qëllimit. Po ju sjell një shembull. Të githa grupet dhe individët që janë ridënuar në burg, janë dënuar me dëshmitarë të rremë, që njiheshin nga gjithë të burgosurit si dëshmitarë profesionistë. Mjafton te lexosh Fatos Lubonjën.Sipas njohjeve të mia nga puna kërkimore në arkiva, një bashkëpuntor i sigurimit në burg, thënë ndryshe spiun në qeli, kishte disa mënyra rëkrutimi. Kishte sigurisht edhe pak vullnetarë mes tyre, por të shumtët e bashkëpunëtorëve, futeshin në rrjetin e sigurimit me rrethana shtrënguese, pra përmes forcës, torturave, kërcënimeve me anëtarët e familjes e njerëzve të tjerë të dashur…
Pra ishin viktima. Në këto kushte pse duhet të diskutojmë sot e 25 vjet për viktimat dhe jo për xhelatët?
Lek MIRAKAJ:-Konstatimi juaj për mënyrat e rekrutimit është mëse i saktë. Ishte dhuna fizike dhe psiqike, ajo që i denatyralizonte njerëzit. Për të ardhur keq se sa herë hapen këto diskutime, me shumë mllef dënojme ata fatkeqë që nuk mundën ti rezistojnë atij presioni të paimagjinueshëm dhe harrojmë ata që janë fajtorët e vërtetë, bishat që nuk linin gjë pa bërë kur gjenin pika ku mund të ushtronin presion. Ky diskutim na kthen te biseda që bëmë më lart. Është një politikë djallëzore dhe e qëllimshme për të diskretituar ish të persekutuarit dhe për të injoruar fajtorët e vërtetë. E kam thënë gjatë një interviste në Zërin e Amerikës, se spiunët janë hallka e fundit në zinxhirin e personave përgjegjës për krimet e diktaturës komuniste. Janë ish-sigurimsat, ish-hetuesit, ish-operativët, gjykatësit dhe ish-prokurorët që duhen demaskuar dhe në mjaft raste edhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, për dhunimin e të drejtave të njeriut.
A mendoni se ata qindra bashkëpunëtorë që janë vënë në shërbim në këto rrethana duhet të dalin hapur e ta distancojnë veten nga pusi i errët e plot sekrete që po mbahet i tillë, nga politika, me qellim prej 27 vitesh?
Lek MIRAKAJ:-Ju po thoni që të kemi Gunter Grras. Do kishte qenë një veprim që do i kishte hequr mundësinë dashakeqve, për të përdorur marifete si ky që u perdor karshi Visarit, për tu mbyllur gojën të gjithë atyre, që mund të protestojnë për trajtimin që i është bërë ish të persekutuarve, herë më shumë dhe herë më pak. Fatkeqësisht atë që nuk patën kurajo ta bëjnë këta individë të denatyralizuar, shpresojmë që ta bëjë autoriteti i hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit.
Në qarqet e politikes jane artikuluar gjatë këtyre viteve dy shprehje tipike: “bashkëvuajtes dhe bashkë fajtorë” si dhe “fajin e ka sistemi jo individi”. Çfarë komenti keni për këtë?
Lek MIRAKAJ:-Pa hyrë në analizë të qëllimit për të cilin u përdor kjo shprehje, mund të them se pati pasoja më tepër se të dëmshme. Së pari as unë dhe as shokët e mi nuk e ndjejmë veten fajtorë për atë që ka ndodhur. Aq më pak mund ta ndjejnë veten fajtor: poeti H.Nela, heronjtë e revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit, ata fëmijë të pafajshëm që vdiqën në kampin e Tepelenës sa për të përmendur vetëm disa. Do të kishte pasur një farë kuptimi kjo shprehje sikur ata që janë fajtorë dhe bashkëfajtor, të paktën të kishin kërkuar ndjesë, gjë që nuk ndodhi.
Përkundrazi duke i shmangur nga përgjegjësia, ata fajtorët, u bënë edhe më të pa fytyrë dhe agresivë. Edhe sot në tërë botën kërkohen kriminelët nazistë dhe kur identifikohen i jepen drejtesisë, pa marrë parasysh as kohën as rrethanat në të cilat ata kanë vepruar. Nuk ka dyshim qe sistemi ishte kriminal, po, për të vënë në jetë atë sistem kriminal kërkoheshin njerëz të përshtatshëm dhe të gatshëm për të bërë krime. Toleranca që ju bë kriminelëve dhe vënia e shenjës së barazisë ndërmjet dy ekstremeve të kundërta, solli atë pasojë që Partia Demokratike po e paguan sot. Krijoi përshtypjen se të dy palët e politikës janë njësoj. Një gënjeshtër monstruoze që pasuesit e Partisë së Punës po e përdorin me mjeshtëri. Fatkeqësisht njerëzit kanë filluar të harrojnë se në kurrizin e të ashtuquajtur të majte rëndojnë 50 vjet diktaturë dhe askush nga ata “bashkë vujtës dhe bashkë fajtorë” nuk ka kërkuar falje deri më sot.
A besoni se një ditë do të zbardhen të vertetat e krimeve të komunizmit?
Lek MIRAKAJ:-Të vertetat e krimeve të komunizmit. Për tu bërë transparencë e plotë e krimeve të komunizmit duhet vullnet politik dhe emancipim qytetar, gjë që në stadin aktual mungon plotësisht. Shkrimet e shkrimtarëve ish të burgosur ndoshta janë dëshmia më reale e asaj që ka ndodhur. Hapja e dosjeve të krimit komunist dhe Vetingu që kërkon transparencë për bashkëpuntorët dhe ish-komunistët, që duhet thënë se kanë qenë skalioni i parë i spiunëve të Sigurimit, po nuk u manipulua mundet të shërbejë në demaskimin e krimeve të komunizmit. Shoqëria shqiptare do jetë gjithnjë e sëmur po nuk arriti të shkëputet dhe të demaskojë krimet e diktaturës komuniste. Sot dhe brezat që do të vijnë do i jenë mirnjohës Visarit dhe atyre që me shkrimet e tyre kanë bërë që ajo periudhë e zezë, që kure mos u persërittë, të mos harrohet. Z.Visar është një pasuri kombëtare, jo vetëm për qëndresën po edhe për kontributin në thesarin e kujtesës, për të mos harruar. Do i uroja vendit tim që Visari o një tjetër Visar të jetë personi që do i japë institucionit që perfaqëson unitetin kombëtar, dinjitetin e munguar. Koha ka ardhur. Le të shpresojmë!(Kortezi:Shqiptarja.com. Publikohet me lejen e te intervistuarit)
A ka zoti Rama një plan B?!
Nga Enver Bytyçi/I zënë në befasi nga lëvizja shah-mat që i bëri kreu i opozitës, Lulzim Basha, kryeministri Rama ka shfaqur shenja lodhjeje dhe dobësie. Megjithatë duhet besuar se ai ka një plan A dhe një plan B. Protesta e opozitës dhe paralajmërimet e Bashës për të mos marrë pjesë në çertifikimin e zgjedhjeve farsë e të manipuluara kanë bërë që parlamenti dhe komisionet parlamentare të jenë të paralizuara. Ndërkaq replikat në distancë midis përfaqësuesve të dy partive të koalicionit, PS-së dhe LSI-së, së bashku me mungesën e opozitës në parlament kanë bllokuar jetën parlammentare në vend. Disa institucione të shtetit shqiptar veprojnë në mungesë të institucionalizimit të tyre e ndërkohë në prill pritet të fillojë proçedura e zgjedhjes së presidentit të Republikës. Ndërkaq opozita mund të bllokojë edhe funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këto kushte Edi Rama është i detyruar ose të pranojë dorëheqjen dhe kushtin e opozitës për qeveri teknike e shtyrjen e zgjedhjeve, ose të rezistojë në modelin e rezistencës së liderëve autoritarë oligarkë e diktatorë. Rezistenca e llojit diktatorial është njëra alternativë e tij, por edhe një mundësi e favorizuar për shkak të lidhjeve të tij me krimin e trafiqet e drogës, si dhe me politikën dhe lidershipin rus. Fijet e këtyre lidhjeve të sektit të Rilindjes i mban në dorën e tij i biri i diktatorit, Ilir Hoxha. Sipas diplomatit amerikan, Adam Ereli, Shqipëria, një vend I shndërruar në prodhuesin numër një të marijuhanës në Europë, ka një lidership në pushtet të lidhur me Rusinë. Të njëjtën gjë shprehu raporti i DASH për situatën e kriminalitetit dhe korrupsionit në vendin tonë. Zoti Rama ka si interes të tij themelor “fitoren” e një mandadti të dytë, me ose pa LSI-në. Për këtë arësye ka mundësi që ai të pranojë një qeveri me bazë të gjerë e të pranuar nga të gjithë aktorët politikë, me kusht që zgjedhjet të mos shtyhen. Qershori është koha ideale për të që ai të ketë mundësi edhe pa qenë kryeministër të manipulojë, bëjë presion dhe imponojë rezultatin zgjedhor. Kanabistët në qershor i kanë mbjellë plantacionet e hashashit dhe për interes të parave të drogës bëhen të gjithë bashkë në mbështetje të kryekanabistëve rilindas. Ndërsa në shtator e më tutje kjo mundësi zvoglohet në maksimum për shkak se qeveria e re teknike do të ketë dettyrim shkatërrimin e drogës dhe kanabisit, krahas përgatitjeve për zgjedhjet. Ndaj kërkesa e shtyrjes së zgjedhjeve e tmerron Edi Ramën. Opozita duhet të bëjë presion deri në fund që krahas qeverisë teknike të pranuar prej saj të imponojë shtyrjen e zgjedhjeve. Ndryshe aksioni i saj nuk do të kishte kuptim. Tentakulat dhe rrjeti i krimit e trafiqeve janë organizuar dhe shtrirë në të gjithë Shqipërinë. Këto tentakula duhen shkulur nga rrënjët përpara se të zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Dhe kjo kërkon kohën e vet, e cila kurrësesi nuk mund të përkojë me 18 qershorin. Mesa duket këtij qëllimi i shërben edhe vizita e kreut të opozitës në SHBA. Mbështetja ndërkombëtare, para së gjithash e administratës amerikane, është thuajse gjysma e punës për të arritur në finish. Nëse realizohet kjo, pra shtyrja e zgjedhjeve me qeveri teknike, Rama do të tentojë më pas planin B të tij, destabilizimin e vendit, për të fajësuar opozitën, si shkaktare të anarkisë. Nga deklarimet e zotit Rama të ditëve të fundit marrim vesh se kryeministri ka në fakt në planet e tij destabilizimin e Shqipërisë. Ai po përmend vazhdimisht ngjarjet e vitit 1997, si model të destabilizimit të vendit. Madje kishte vënë në këtë rol akademikun kosovar, Rexhep Qosja. Ky i fundit revoltën e Ramës dhe miqve të tij në vitin 1997 e pati konsideruar si “kryengritje të vonuar”. Ndërsa tani, në një valë me Tiranën zyrtare, por në invers, kërcënon nga skaji tjetër, është bërë bashkë me Rilindjen në pushtet. Para 20 viteve e konsideronte progress shkatërrimin e shtetit, tani e konsideron regres protestën kundër qeverisë. Të dy këta, Edi dhe Xhepi, po bëjnë këto ditë akuza sipas të cilave “Opozita në Çadrën e Lirisë qenka një opozitë anti-shtet, kundërrevolucionare”, duke dhënë mesazhin se kësaj radhe revolucioni do të vijë nga “shtetbërësi” Edi Rama. Kështu ata edhe kur janë me rebeluesit kundër institucioneve të shtetit (mars 1997), edhe kur janë në krye të institucioneve dhe kundër rebeluesve (mars 2017) na shfaqen si revolucionarë përparimtarë, që kanë si qëllim as më pak e as më shumë se (pu)shtetin e lidhur me krimin dhe lindjen ruse. Duket qartë se Rama do ta përdorë kartën e destabilizimit të Shqipërisë si presion të brendshëm e të jashtëm. Eshtë tashmë e ditur se shumica dërmuese e shqiptarëve, përfshirë demokratët, nuk e duan destabilizimin e konfliktin social në Shqipëri, janë kundër anarkisë dhe luftës civile. Këtë e dëshmon fakti se Çadra e Lirisë për më shumë se një muaj nuk ka prodhuar asnjë incident, pavarësisht provokimeve të qeverisë dhe kryeministrit shqiptar. Në fakt kryeministri shqiptar me kërcënimin për përsëritjen e ngjarjeve të vitit 1997 më shumë ka për qëllim të tremb e frikësojë bashkësinë ndërkombëtare, sesa opozitën. Kjo, sepse zoti Rama i druhet unifikimit politik të faktorit ndërkombëtar sa i përket denoncimit që tashmë media perendimore i bën çdo ditë pasoja kriminale të qeverisjes së Rilindjes. Edhe nëse ende gjenden sorosistë të Brukselit, të cilët mbështesin kryeministrin më të inkriminuar në Europë, administrata amerikane dhe shumëkush në BE janë vetëdijësuar se problem në Shqipëri nuk është droga, krimi, trafiqet, korrupsioni, por është qeveria e zotit Rama, e cila jo vetëm bashkëpunon me organizatat kriminale, por ka projektuar veprimtarinë dhe produktin e kësaj veprimtarie kriminale. Ndaj duket qartë se bota demokratike do të pozicionohet qartë kundër një oligarkie e një kryeministri të tillë. Ndaj zoti Rama përdor dordolecin e planit B, atë të shkatërrimit të Shqipërisë, pse jo edhe të rajonit, nëse opozita shqiptare nuk pranon kushtin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve më 18 qershor. Më me leverdi për Ramën do të ishte krijimi i trazirave në rajon, sepse në këtë rast ai do të lante duart nga përgjegjësia direkte politike e juridike. Por forca e liderit global është dobësuar aq shumë sa tashmë dhe kolegu e miku i tij në Beograd, Aleksandër Vuçiç, po e bllokon të japë intervista në konferenca shtypi pas samiteve ndërkombëtare. Për destabilizimin e rajonit Rama u përpoq e përpiqet të kapërcejë gardhin e Prishtinës e të Shkupit në ndihmë të realizimit të ndonjë skenari rus të destabilizimit për ta përdorur këtë si kartë të shpëtimit të pushtetit të tij të pakufiizuar personal. E ka dëgjuar dikush zotin Rama të dënojë ndërhyrjen ruse për grusht shteti në Mal të Zi?! Grushtin e shtetit në Turqi ai e dënoi menjëherë, fill pas presidentit rus, Vladimir Putin.Prandaj duhet bërë kujdes. Derri i plagosur është shumë herë më i rrezikshëm sesa një tufë derrash, të cilët nuk kanë në ndjekje gjuetarin.
VATRA, LETËR GJYKATËS SË COLMAR-it PËR LIRIMIN E HARADINAJT
Federata “Vatra” , Letër Gjykatës së Apelit të Colmar-it, Francë: “Lironi Ramush Haradinaj!” /
Në një letër, të shkruar në gjuhën frënge dhe dërguar Gjykatës së Apelit të Colmar-it, Francë, Federata Panshqiptare e Amerikës”VATRA” , kërkon që heroi i Luftës së Kosovës, Ramush Haradinaj, të lirohet nga akuzat e sajuara të Serbissë.
Në letrën e Federatës Vatra, ndër të tjera shkruhet: Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, shoqëria më e vjetër që përfaqëson diasporën shqiptare që prej vitit 1912, mendon se mbajtja e Z. Ramush Haradinaj nën kontroll gjyqësor, vendosur nga Gjykata e Apelit të Colmar-it, mbështetet mbi baza juridike të kontestueshme dhe se është me pasoja të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ajo mendon se kjo çështje është tërësisht politike dhe se po përdoret nga Serbia vetëm për qëllime provokuese që nxisin urrejtjen ndaj popujve ballkanikë, dhe posaçërisht ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.
Serbia vazhdon të mos njohë pavarësinë e Kosovës, megjithëse kjo pavarësi është pranuar ligjërisht më 2010 nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë dhe sot njihet nga 114 shtete. Serbia i mohon Z. Haradinaj dhe popullit kosovar çdo nënshtetësi që nuk është serbe, si dhe të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në kufijtë e tyre të ligjshëm, ndërkohë që vetë Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët kosovarë.
Duke abuzuar me kuadrin juridik ndërkombëtar, Serbia ka lëshuar mandate arresti ndërkombëtar ndaj tij dhe ndaj shumë personaliteteve politike kosovare, ndërkohë që Z. Haradinaj është paraqitur vullnetarisht në TPI dhe Gjykata ndërkombëtare e Hagës e ka shpallur më 2012 të pafajshëm për të gjitha akuzat që i janë bërë.
Veteran i UÇK-së, hero i Luftës së Kosovës, ish kryeministër i Kosoves, dhe drejtues aktual i AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Z. Haradinaj, është një personalitet i shquar dhe shumë i respektuar në gjirin e popullit shqiptar të Kosovës.
Federata “Vatra”, që ka dorëzuar tashmë dy peticione të nënshkruara tek autoritetet franceze, bën edhe një herë thirrje për lirimin e Z.Haradinaj, me qëllim që të marrin fund veprimet provokuese të Serbisë ndaj personaliteteve politike kosovare dhe ndaj pavarësisë së Kosovës.
New York, 20 mars 2017.
Kryetari i Federatës “Vatra”
Gjon Buçaj
Sekretare
Nazo Veliu
EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE

Ekspozitë retrospektive e Blerim Luzhës në Galerinë Kombëtare të Kosovës/
-“Puhi freskuese mes petalesh” në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë – ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në një ceremoni me shumë pjesëmarrës/

-Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI-organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA, Behlul Jashari, ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, nga e cila raportoi/

-Media e Kosovës: Ekspozita e artistit Blerim Luzha, spektër artistik plot ngjyra e florë pranverore/
PRISHTINË, 25 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ “Puhi freskuese mes petalesh”, ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës, në 80 vjetorin e lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë artistike të tij, është hapur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.
“Blerim Luzha ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni”, u shpreh kuratori Shyqri Nimani në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, ku theksoi “punën rreth gjashtë dekada art e bukuri”.
Shyqri Nimani për Blerim Luzhën ka shkruar: “Rëndësi parësore për të ka zhvillimi i perceptimeve të ndryshme të përdorimit të ngjyrës, yrnekut, trajtës dhe vijës, herë me kompozicione multiplikative, herë me trajtime asimetrike e herë-herë edhe me shfryrje të lira shpirtërore. Në këtë mënyrë autori përcakton filozofinë e konceptimit të krijimtarisë vetanake sipas parimit ‘simbiozë e traditës dhe e kontemporanes me vlera të mirëfillta’. Kështu, gjatë frymëzimeve nga flora natyrore krijohet një vargan me glosar të gjatë të luleve nga më të bukurat dhe nga më të llojllojshmet…:
“I urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare të Kosovës”, tha drejtoresha e Galerisë, Arta Agani, duke shtuar se disa nga veprat në ekspozitë janë të para shumë vitesh, “por çuditërisht janë bashkëkohore”.Artisti me studime e specializim edhe në Paris, Luzha nuk ka folur për veprën e vet, derisa pjesëmarrësit e shumë në hapje të ekspozitës, të cilët i falënderoi, shihnin në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës edhe “dizajnimet me një spektër të frymëzuar piktural që ka aromën e florës së lulëzuar pranverore”.Ekspozita retrospektive e Blerim Luzhës “Puhi freskuese mes petalesh” do jetë e hapur për një muaj, deri në 24 prill 2017.
Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI- organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA ishte ndër të ftuarit në ekspozitë, për të cilën ka raportuar edhe për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë.
Media kosovare vlerëson ekspozitën, KultPlus ka shkruar:
EKSPOZITA E ARTISTIT BLERIM LUZHA, SPEKTËR ARTISTIK PLOT NGJYRA E FLORË PRANVERORE
Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.
Arbër Selmani
Çka panë sytë e tij nëpër Paris, në Beograd e në qytete tjera ku qëndroi për vizita studimore, kjo duke u ndërlidhur edhe me kontaktet e tij me piktorin Ibrahim Kodra, dashuria për natyrën por edhe ajo për artin si diçka që nuk ka fund, sollën lule e petale në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Frymëzimi nga flora i doli në lule: në lulekëmborë, në luleshpatë, zogparajse, në orkide e në tulipanë, në luledielli e jasemin, jo më pak krizantemë. Blerim Luzha erdhi i tëri i kompletuar dhe me sekuencën e krijimtarisë së tij në ekspozitën retrospektive, sonte në kryeqytet.
Ekspozita retrospektive e artistit u hap në praninë e artdashësve të Luzhës. Arta Agani nga Galeria Kombëtare e Kosovës tregoi për ekspozitën e cila sjellë në retrospektivë punën e artistit.
“Së pari i urojmë ditëlindjen artistit, ndërsa e falënderojmë për rreth 17 vite sa ka punuar në Galerinë Kombëtare si kurator i koleksionit. Veprat që po i shihni sonte kanë elemente nga art nouveau e deri te op-arti, me teknike të jashtëzakonshme dhe dizajn të veçantë. Disa prej tyre janë punuar para shumë vitesh por çuditërisht janë bashkëkohore”, tregoi Arta Agani në hapjen e ekspozitës.
Galeria Kombëtare gjithandej ishte mbushur me piktura të artistit, me kompozicione multiplikative ku vërehej një asocim i ardhjes së pranverës. Spektri i veçantë i pëlhurave erdhi me ngjyra të ndryshme, me larushi dedikimesh unike dhe me një simbiozë mes të mirëfilltës, traditës dhe asaj të resë, bashkëkohores, kontemporanes.
Shyqri Nimani, kuratori i ekspozitës, derisa foli mbi jetën e artistit tregoi se ai i përket plejadës së shkollarëve që u larguan për studim në Akademitë e mëdha të Beogradit, Parisit, Ljublanës e Beogradit por u kthyen për të kontribuuar në vendin e tyre, shkruan KultPlus.
“Dhe e vërteta është se u kthyen në këtë vend, pasi specializuan në vende të ndryshme. Për Luzhën, është interesant se ai pati afinitet me Francën, artin e këtij shteti dhe e vizitoi shpesh Muzeun e Luvrit atje. E kjo ekspozitë që është hapur sonte, në fakt është koincidencë që po mbahet pikërisht në Javën e Frankofonisë në Kosovë” tregoi mes tjerash Nimani, në fjalën e hapjes së ekspozitës “Puhi freskuese mes petalesh”.
Kuratori Nimani pohoi në hapjen e ekspozitës së artisti Blerim Luzha, me punën e tij që kapë rreth gjashtë dekada art e bukuri, ka krijuar një floriadë të madhe, me trajtat, elemente, e me ngjyrat që ka përdorur.
“Ai ka krijuar kopsht me ngjyra e me forma të ndryshme. Për ata që janë sonte këtu ose edhe ata që do të kenë rastin ta vizitojnë studion e artistit, gjithçka ngjan sikur në Kopshtet e Samiramidas në Babiloni” thotë mes tjerash kuratori Shyqri Nimani.
Vetë artisti duke përshëndetur familjen dhe bashkëpunëtorët, sidomos bashkëshorten e tij, nuk ka dashur të flasë mbi veprën e tij, por vetëm është falënderuar për të pranishmit që e çmojnë dhe kësisoj e vlerësojnë karrierën e tij, një pjesë e mirë e së cilës erdhi e shpalosur në muret e Galerisë Kombëtare, nga e premtja e 24 marsit.
Blerim Luzha është ndër krijuesit e rrallë shqiptarë që tërë karrierën e tij ia ka kushtuar fushës së tekstileve. Krijimet e tij në Cikli i dezenëve shquhen për imagjinatën e pasur të stilizimeve të motiveve florale me kolorit gamash të ngrohta e të freskëta dhe me struktura atraktive.
Luzha ka punuar në projektet për pëlhura dekorative, për pëlhura të veçanta, të mëndafshit, të pambukut dhe për veshje solemne. Dy vite përfundon specializim në Paris ndërsa udhëtimet e tij studimore janë realizuar në Gjermani, Francë, Çeki, Belgjikë e në shtete tjera.