• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Aleksander Gera poeti i fjalës së heshtur dhe i fjalës së shpallur

March 20, 2017 by dgreca

4anton-cefa

Nga Anton Çefa/ 

Aleksandër Gera u lind në Fier me 26 dhjetor 1926 nga një familje shkodrane.  Shkollën fillore e kreu në Shkodër, po ashtu edhe të mesmen në liceun françeskan  “Illyricum” dhe në liceun e shtetit “At Gjergj Fishta” (dega klasike). Në lice shquhet për mendimet e tij intelektuale e të lira në fushën e artit, sidomos atij letrar, gjë që u bë shkak për  përjashtimin nga liceu i Shkodrës dhe nga të gjitha shkollat e mesme të Shqipërisë . Mbas dy vjetëve arrin ta mbarojë atë, dhe fillon punën si mësues letërsie deri në vitin 1953, kur arrestohet me akuzën për agjitacion e propagandë, dhe dënohet me 10 vjet burgim.

Mbas daljes nga burgu, në nëntor 1954 (amnestia e parë dhe e fundit në Shqipëri),  fillon punën në shtëpinë e kulturës në Bushat, dhe pastaj për 20 vjet në bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, në Sektorin e Albanologjisë, të Fondeve të Gjuhëve të Huaja e të Antikuarit. Vazhdon të japë ndihmesën e madhe si metodist. Gjatë këtyre viteve arrin të kryej studimet në Istitutin e Lartë Pedagogjik, dega “Letërsi”, në Shkodër.

Që në moshë të re e dallon një dëshirë e flaktë për poezinë, por njëkohësisht është i prirun edhe kah muzika e piktura. Në burg shkruan poezi dhe merret me përkthime nga spanjishtja. I lirë, i kushtohet sidomos teksteve të këngëve për kompozitorët dhe miqtë e tij si Prenk Jakova, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Tish Daija, etj , por pa u shkëputur nga poezia. Ndër botimet e shumta përmendim përmbledhjet poetike: “Lugina e qetë”, “Gjurmë të kohës”, “Kangë e zbritun nga malet”, “Nora e Hotit”, “Kangë agimesh” etj.; por gjatë viteve të diktaturës, shkruan edhe poezi disidente, të cilat ai i quante me një titull të përgjithshëm “Kangët e nëndheshme”. Vitet e fundit punoi me ngulm mbi to, për t’ i lënë të gatshme për botim.

Në vitin 1997, botoi poemën autobiografike : “Via Lucis” (“Rruga e dritës”), kushtuar së shoqes Luçie Gera – Vuksani. Vitet e fundit të jetës, mbas vdekjes së gruas, Sandri emigroi në Itali, në Torino, ku vdiq, më 22 prill 2001.

*   *   *

Kur, mbas përmbysjes së diktaturës, në vitin 1992, punova si anëtar i këshillit redaktorial të gazetës “Shkodra”, (e para gazetë demokratike lokale, që u botua mbas rënies së komunizmit), i pata kërkuar një intervistë, dhe ai më pati dërguar një “Intervistë – Autodafe”,  si e quajti ai, të cilën po e bie këtu të plotë:- Ju, Sandër, keni shkrue tekste kangësh së paku tash 47 vjet. Ato janë muzikue nga Prenkë Jakova, Tish Daija, Tonin Harapi, Kolë Gjinaj, Mark Kaftalli, etj. dhe dikur janë këndue nga bilbilat e Shkodrës Pjetër Gjergji, Gac Çuni (i vdekun mizorisht në burgun e Burrelit), Mark Kaftalli, etj.

Po, a vetëm tekste kangësh?

– Po nuk e fillove me kangë jetën, me çfarë tjetër do ta fillosh? Ato kangë kanë qenë limonadat e para në sofrën e madhnueshme të poezisë. Në Shkodër, po nuk e fillove me shtregullat klasike e baritoret e maleve, më thotë mendja se asht zor me këndue.

-E pastaj filloi poezia ?

-Atëherë kanë fillue “Sonatat e Kain Abelit”. Kam ulë kokën ndër “Epitafe te Zalli i Kirit”, jam freskue në “Pika shiu në tokën e rreshkun”, jam endë në soditje te “Bukuria e gjarpnit” (nji roman në vargje), dhe megjithatë kam qenë “Alastor flatërdjegun” e nuk po përmend libra të tjerë që kam botue nën duertrokitjet e realizmit socialist, të cilët i ka shfrye zemra me gojë të mbyllun. Mos u çudit, po legjenda e Sizifit më ka kapë edhe mue, si mallkim, qysh në vitin 1945, dhe qysh prej asaj kohe, kam qeshë, kam lotue, kam mallkue, kam shpresue, tue bartë gurët në shpinë. Kam nynykatë gojëmbyllun “Sonatat e Kain Abelit”, si të gjithë, i heshtun mbrenda Aeropagut të shëmtuet, e tue i lidhë të gjitha shfrimet e mia poetike në fillin e Arianës, e cila, them të drejtën, më ka dashunue dhe po më nxjerr nga labirinti për të puthë pa frikë flijimin e Rozafës sonë të nepërkambun..

-Ma së fundi, i the të gjitha, po të uroj që Sonatat gati gjysmëshekullore të dalin në dritë e të këndohen pa ia pasë frikën asnjë Minotauri.”

* * *

Së bashku me këtë “Intervistë – Autodafe”, më dërgoi edhe pesë poezi disidente të shkruara në vitet e diktaturës, të cilat po i botoj më poshtë.

Ai nuk arriti të botojë asnjërin prej titujve që kemi përmendur më lart, në intervistën e tij, e që ai i quante me një titull të përgjithshëm “Kangët e nëndheshme”. Dy poezi që më dërgoi nga Italia, e bija, Paola Gera, janë nxjerrë nga përmbledhja e titullueme “Gufime kangësh të theruna”. Dorëshkrimet gjinden pranë së bijës, Paola Gera (në Itali).

Kritika letrare e ka vlerësuar poezinë e Gerës.

“Tradicionalja me vazhdimësinë e saj ma përfaqësuese dhe modernia me praninë mbizotnuese si strukturim bazë poetik dhe në ndërsjellje figurative transmetojnë forcën domethanëse të poezisë së Sandër Gerës” shkruan në kopërtinën e brenshme të “Via Lucis”, kritiku Hasan Lekaj.

“Poezia e Gerës shëmbëllen me një produkt të harmonisë mes traditës dhe modernitetit, në poezinë tonë. Me siguri që në rendin ekzistues të monumenteve të poezisë shqipe, ajo do të afirmojë vokacionin e saj autentik, tue i imponue këtij rendi ndryshime cilësore estetike, të tilla ndryshime që imponuen, me botimin e tyre, poezia e Camajt dhe e Zorbës”, shkruan po aty kritiku Arben Prendi.

Poezitë disidente që më dërgoi Sandri:

     Feniks

Një shpend i vonë rreh flatrat.

Ndjej çukitje thellë e thellë

E një drithtimë.

Më ndez një mall për bardhësinë

E kangëve

Që bulojnë në krahanore çupash

E më ndez një puthje sqepi

Që ma ther zemrën e shkretë.

Për vite e vite

Në gjoks m’flen një feniks.

Nuk do ta dija,

Po të mos vdiste

E prap

Po të mos ngjallej.

(1947) 

     Çdo gja më kujtohet

Çdo gja më kujtohet. Zhurma, aeroplanat

E qielli i zymtë si një tempull lashtësie

Gati me derdhë mallkimet e Zeusit.

Çdo gja më kujtohet. Hija e vdekjes, udhët

Plot pluhun e me gjak prej kah mërgohej

Frika me dhimbjen zharg kah e panjohuna.

Çdo gja më kujtohet. Lamtumira loti e gjaku,

Fate të ndrydhuna ndër gryka pushke

Tek endej një trishtim i humbun

Kah horizonti i mbyllun i njerzimit.

Çdo gja më kujtohet. Edhe gazi i ndritun

I rinorve tek kalonin tue tallë frikën

Nën sqetulla të përbindëshme të Marsit

Si nën një hark triumfi. Sepse e dinin,

Ata, kështu duhej të qeshnin, të qeshnin

Ndoshta me plagë edhe në krahanorë e gazi i tyne

Gjithmonë ylber – shpatë historie.

Çdo gja më kujtohet . . .

Sot, mbas pak vitesh,

Edhe në pluhun lulja don me çelë.

(1948)

Rrëshajë 

Shpatullash i shkrryhej hija e togës së Neronit

Trishtim i shuem.

Shikoi e s’qeshi.

Në sytë i dilte një shkëndi epshore

E furishme për ndoj sulm.

Çoi dorën e nuk preku.

Një grusht i shtrydhte lang

Me helmatisë agimet foshnje.

 

Kaluem nën te si nën çudinë bamirëse

Me u terë nga shtërgatat.

Po ai

U ndal e s’foli, shikoi e u ngërdheshqeshi,

Çoi grushtin si një shtagë. . .

 

E kur, kokultë e të dëshpruem u kthyem

Tue hedhë lulet për tokë,

Për shpatullash na kapi e na plandosi

Der’ që kaloi mbi shpinat tona

Rrëshajë e etëshme për gjak.

(1950)

 

     Mumje

 

Sa qeshë fëmijë askush s’më tha ke za të bukur,

Tingull të shkyem e ke diku n’korin e turbull.

E u rrita në krahnorin përvëlues plot me plagë lulesh,

E u thava për një varg ta virshe n’gushë shqiponjash,

E u thava për një strofë ta pikëzoja ndër ballna dashunie,

E u thava për një krah flutrues pa cak e pa kufi.

 

Sa qeshë fëmijë askush s’më tha ke za të bukur.

Tash po  ta kem’ nuk kam ma gojë të njomë.

Gjatë motesh,

Tue puthun mumjet n’piramidën e krahnorit,

Buzët u ftohën, kangët u gurëzuen.

(1953)

 

     Patkoni

 

Gjeta një ditë një patkue kali.

E mora tinzë, ogur ta kisha në shtëpi.

Në dhomën e vetmueme e vara te një gozhdë,

Që fati i gjorë t’buronte poezi.

 

S’ish gja kjo punnë. Patkoni ogurzi

Tunndej në mur e tamthat m’i shkallmoi,

I lypa ndjesë, kah nuk e lashë te rruga,

Ndoshta ndoj kali mund t’i sillte fat.

 

Po për çudi, një ditë, kur doja me këndue,

Ai qeshi e u dridh e gozhda e lëshoi,

E ra  mbi kangën time, buzët m’i përgjaku,

Me ndryshk e pluhun keqas m’i fërkoi.

 

Pastaj si një kunorë, t’vruguemin ballë m’mbërtheu.

Aty, sot e asaj dite,

Sfingje e pashpirtë qëndron . . .

(1955)

 

 

 

 

 

Nga përmbledhja ” Gufime Kangësh të theruna”

 

    

Flutura zjarri

 

Askush s’e din ma mirë se hijet

sonte

se çfarë po shkruejmë me gjurmët tona

n’errësirë . Askush.

….E ti, Statujë hyjnore,

e fshehun ndër gryka malesh , je larg –

flutur zjarri që nuk kapet .

Askush s’e din ma mirë se hijet

sonte

çfarë po skalisim me gjurmët tona

n’errësirë . Rrëshqanas

kaptojmë mbi një andë rr t’adhurueme

tue drashtë mos t’ shklasim mbi gjumin e saj …

Ngarendim tue këputë ndoj fije yjzish –

me fijet në gojë

jemi zogj nate me krande folesh në sqep…

…E nuk kujtohemi ç’po shkruejmë –

në një copë kozmosi

fatin e hapave , që ikin , ikin

puthje të gacta në buzët robina –

në buzët tona

që për natë dridhen në ma t’idhtën lamtumirë .

Mos u çudit !

Jemi skllevër të hijeve . E na duket

se nga goja e tyne parafolëse

po dëgjojmë një Afroditë

hakmarrëse –

dëshrake t’na gjujëzojë , t’na kthejë n’statuja

mù ndër kambë Pigmalionash të shastisun…..

 

         Po ata,

Patjetër do të na falin

 

Asht e largët dita,

kur dielli hyni ndër sytë e mi

bashkë

me mjegullinën e shekullit të luftës.

Me dashë sot me kujtue

nuk kam ma sy të thellë . Në ballë

kanë mbetë dy gaca sa me ndritë sapak.

Asgja ma tepër.

Çdo gja

kur vrap m’u qas, qè zjarri vetë –

endje motesh

në zhgun të murrmë netësh të pasigurta.

Kujtimet kur i mbledh në dhomë të fshehtë ,

gjithmonë një dorë tejpase

porsi shigjetë , m’i hedh ndër sy ….

E kur shpresoj

me pritun fishekzjarre –

prap më ndriçojnë dy gaca

te votra e mallëngjimit tim.

Ah, jetë lojcake !…. Jeta –

ka përmbytje,

të çon e të rrëzon, të mbyt e të ringjall,

gjithmonë tue lanë gjurma kalvaresh

tinëzisht kudo-

edhe ndër shpresa profetike…..

Rrallë

kur me kujtime njerëzit kanë mall –

ajo hyn pa u kuptue e shkrime vetë n’kujtime –

tue zgjidhë gjarpijt e Laokoontit

të lidh ylberet që kërkojnë me lindë .

E pa u kujtue, të vdekunit harrohen…

……Ndoshta

pse atë ditë dhjetori, kur me diellin

ndër sy më hyni mjegullina e shekullit –

unë u hutova përballë netëve

e humba trashigimin e të vdekunve.

Po ata, patjetër do t’na falin.

Sepse, e dijnë ma mirë se na –

kudo që janë në për shkretitë e tokës së djegun

e nëpër gropa kockash të shkallmuem….

Ata na falin .

S’ka se si t’mos falen kangët mumje

mbrendë piramidash ngrehalucë n’ këtë shekull

mbi gjoksin e kuq të mizorisë ….

Filed Under: ESSE Tagged With: Aleksander Gera, Anton Cefa, poeti i fjales, se heshtur

Nishani: Kandidatura e Xhafajt si ministër, e papërshtatshme

March 20, 2017 by dgreca

  • Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani tha të Dielën në mbrëmje se ai ishte kundër kandidaturës së zotit Famir Xhafaj për ministër të Brendshëm, i propozuar nga kryeministri Edi Rama pas shkarkimit javën e shkuar të ministrit Sajmir Tahiri. A e konsideroi atë një kandidaturë të papërshtatshme, por saktësoi se Kushtetuta nuk ja njeh atij kompetencën për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pas në rast të kundërt ai nuk do ta kishte dekretuar atë. Qëndrimi i tij vjen në një moment tensioni të theksuar politik. Opozita e ka kundërshtuar me forcë kandidaturën e zotit Xhafaj, ndërsa këmbëngul në kërkesën për qeveri teknike. Kryeministri Edi Rama anga ana e tij tha sot se zgjedhjet do të mbahen edhe nëse opozta vendos të mos futet në to./
  • Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, zoti Xhafaj saktëson se ai është shkëputur nga sistemi i Drejtësisë i kohës që në fund të vitit 1985, pra përpara ngjarjeve për të cilat akuzohet, duke nënvizuar gjithashtu se “asnjë ditë të jetës sime, nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme./

Përpara se të shprehej direkt për kandidaturën e zotit Xhafaj, presidenti bëri një vlerësim të gjatë të situatës politike në vend. “Opozita është jashtë parlamentit dhe është në një protestë publike, dhe njëkohësisht polarizimi i shoqërisë për fatin e keq është mjaft i theksuar, çka e ngarkon dhe me shumë situatën politike të vendit. Jemi pranë nisjes së fushatës elektorale dhe kjo situatë e tensionuar politike nuk e ndihmon procesin e fushatës dhe të vetë zgjedhjeve në një kohë që opozita ka artikuluar kërkesën për të garantuar zgjedhje të lira”, u shpreh zoti Nishani duke nënvizuar se “në këtë kontekst, të kësaj situate, edhe këto qëndrime e vendimarrje politike të përbërjes së Qeverisë kanë një speficikë të veçantë, dhe më e e veçanta, është te Ministria e Brendshme”.

Sipas presidentit Nishani “për fatin e keq, gjatë viteve të fundit është konstatuar një politizim i skajshëm i Policisë së Shtetit, çka e dëmton në tërësi situatën parazgjedhore”, tha ai duke vënë në dukje përgjegjësinë e policisë për përhapjen e kultivimit të marijuanës apo “konstatimi i lidhjeve të individëve të angazhuar në grupe të krimit të organizuar me politikën”. Kreu i Shtetit theksoi më pas rolin që Ministria e Brendshme ka lidhur me procesin zgjedhor. “Ajo ka përgjegjësi në garantimin e Rendit dhe të Sigurisë. Kemi parasysh përballjen dhe qasjen e fenomeneve të identifikuar dhe nga organizma ndërkombëtar, siç është shitblerja e votës, apo angazhimi i individëve me rekorde kriminale në fushatë. Ka përgjegjësinë për funksionimin e infrastrukturës për pushtetin lokal. Si dhe është prodhuese përmes Drejtorisë së Gjendjes civile, e listave të votuesve”.

Presidenti foli më pas edhe lidhur me “dëshmi publike,shqetësuese, të cilat akuzojnë kandidaturën e ministrit të Brendshëm për ushtrim dhune dhe torturë gjatë procesit hetimor jo vetëm ndaj subjekteve që hetohen por dhe familjarëve të tyre, për më tepër sipas dëshimeve publike, ky hetim fokusohet për shkak të reagimit të subjekteve nën hetim ndaj vdekjes së diktatorit”. Eshtë rasti i dy personave që për të njejtçn çështje, kanë pretenduar në media, se janë keqtrajtuar në mesin e viteve ’80 nga zoti Xhafaj.

“Në këto rrethana, në këtë kontekst të rëndësisë që ka angazhimi i strukturave të mininistrisë së Brendshme dhe garancive që duhet të japë personi që duhet të drejtojë së pari në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të garantimit të paanshëm të ushtrimit të të drejtave themelore, posacërisht në proçeset zgjedhore që janë procese politike të përballjes së alternativave të ndryshme politike, në vlerësimin tim kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme. Por Kushtetuta nuk ja jep të drejtën, presidentit të Republikës për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht i cili përcakton Kushtetuta është ai plotësimit të kritereve për të qene deputet”, deklaroi presidenti Nishani due saktësuar se “në rast se kushtetuta do t’ja njihte të drejtën presidentit për të refuzuar kandidaturat e kryeministrit, në bazë të arsyetimeve, unë do ta refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm. Por në kushtet kur nuk ja jep këtë të drejtë presidentit, shpresoj dhe besoj se ai institucion të cilit Kushtetuta ja njeh këtë të drejtë, për të vlerësuar kandidaturat, që është parlamenti i Shqipërisë do të gjykojë dhe vlerësojë të gjithë rrethanat dhe specifikën që ka jeta shoqërore, politike e publike, që janë zgjedhjet e ardhshme politike”.

Prej disa ditësh opozita është shprehur publikisht kundër kandidaturës së zotit Xhafaj, madje duke i kërkuar pubkikisht presidentit Nishani mosdekretimin e tij. Kryetari demokrat Lulzim Basha përdori dhe terma të fortë e kërcënues pak ditë më parë kur tha se opozita zotohej se “Fatmir Xhafaj nuk do kalojë pragun e Ministrisë së Brendshme përveçse mbi trupat tanë”. Opozita prej më shumë se katër javësh këmbëngul në krijimin e një qeverie teknike si një kusht të panegociueshëm, ndërsa ka kërcënuar dhe me mospjesmarrjen e saj në procesin zgjedhor.

Te Dielen pasdite duke folur për kërkesat e opozitës, kryeministri Edi Rama, në komunikimin e tij javor përmes Facebook-ut u shpreh se zgjedhjet do të mbahen edhe nëse opozita nuk do të pranojë të futet. “Për të mos lënë asnjë ekuivok, lejomëni t’ju them për çdo rast, që një eventualitet i tillë më dhëmb seriozisht shumë, por seriozisht nuk më tremb aspak. Pavarësisht se mosparaqitja në zgjedhje e partisë më të madhe të opozitës, apo kujtdo partie tjetër parlamentare, është një anomali e rëndë, ne nuk do t’i bashkohemi kurrë një mungese të tillë haluçinante respekti të politikës për popullin. Ne – vijoi zoti Rama – do të respektojmë datën e zgjedhjeve dhe deri në atë datë do të angazhohemi në fushatë si asnjëherë më parë për të dalë përpara gjykimit të sovranit me sa shumë kemi bërë për Shqipërinë, për sa shumë mbetet për të bërë për shqiptarët dhe sa shumë kanë për të humbur Shqipëria dhe shqiptarët nëse kthehemi mbrapa. Jemi në marsin e 2017 dhe nuk jemi në marsin e 1997 dhe orën e përpjekjeve për të bërë shtet dhe ardhmëri për Shqipërinë e gjeneratës tjetër nuk e ndal dot kush dhe asgjë”, theksoi kryeministri.

***

Xhafaj hedh poshtë akuzat për të kaluarën e tij

Në Shqipëri, ministri i Brendshëm i emëruar javën e shkuar në këtë post, hodhi sot poshtë akuzat se gjatë ushtrimit të detyrës si hetues në prokurorinë e Krujës ka ushtruar dhunë dhe ka torturuar dy shtetas, lidhur me një çështje me sfond politik. Të dy personat që kanë akuzuar zotin Xhafaj përmes deklarimeve mediatike, janë shprehur se dhuna ndaj tyre është ushtruar në vitin 1986. Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, zoti Xhafaj saktëson se ai është shkëputur nga sistemi i Drejtësisë i kohës që në fund të vitit 1985, pra përpara ngjarjeve për të cilat akuzohet, duke nënvizuar gjithashtu se “asnjë ditë të jetës sime, nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe, dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme. Gjithçka ëshë thënë e komentuar këto ditë, janë thjesht shpifje të ulëta në funksion të fushatës politike të ndërmarrë kundër meje”.

Pas dëshmive mediatike, opozita e cila prej më shumë se katër javësh po vazhdon protestat poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, reagoi me ashpërsi duke e quajtur emërimin e zotit Xhafaj “një provokim”, dhe “një akt luftë ndaj opozitës”, duke kërcënuar se nuk do të lejonte hyrjen e tij në zyrën e Ministrit të Brendshëm. Ne deklaratën e tij zoti Xhafaj shprehet se “jam i befasuar edhe nga mënyra që opozita ka zgjedhur për të përdorur historitë e dy emigrantëve, të cilët i ka kthyer në dëshmitarë të rremë, për të provuar një akuzë të rremë, në sallën e gjyqit të rremë të organizuar në selinë e re të Partisë Demokratike”.

Kjo çështje u përmend dje si argument dhe nga presidenti Bujar Nishani, se përse ai e cilësonte “të papërshtatshme” kandidaturën e zotit Xhafaj. Kreu i Shtetit saktësoi se po kryente dekretimin e tij vetëm sepse Kushtetuta nuk i linte hapësirë për të refuzuar propozimet e kryeministrit, ndërsa kërkoi që parlamenti të mund të mbante qëndrim për rastin.

Zoti Xhafaj u propozua nga kryeministri Edi Rama në vend të zotit Saimir Tahiri, si pjesë e disa lëvizjeve që ai bëri në kabinetin e tij duke ndryshuar dhe tre ministra të tjerë. Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu u shpreh se “nëse zoti Xhafaj punon në mënyrë agresive kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, ai do të ketë mbështetjen tonë të plotë”, duke nënvizuar dhe bashkëpunimn e ngushtë që ka patur me të dhe gjatë procesit të Reformës në Drejtësi.

 

 

(Zeri i Amerikes)

Filed Under: Analiza Tagged With: e papershtatshme, kandidature, Nishani, Xhafaj

Europarlamentari McAllister inkurajon Shqipërinë

March 20, 2017 by dgreca

Europarlamentari gjerman i CDU-së dhe kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister paralajmëron në “Die Welt” nga rritja e ndikimit rus në Ballkan./

Në një artikull të së hënës, (20.03) me titullin “Ballkani një rajon me rrezikshmëri të lartë”, gazeta “Die Welt” shkruan se sikur Bashkimit Europian të mos i mjaftojnë problemet me Brexit, populizmin, Trumpin dhe Turqinë, tani para dyerve të BE-së po rriten tensionet. Në shumë vende të Ballkanit situata zien. Në të njëjtën kohë përpiqen Rusia, Turqia, Kina, Arabia Saudite e Katari të rrisin influencën në rajon -një përzierje e rrezikshme. Kreu i Komisionit të Parlamentit Europian për Politikën e Jashtme, David McAllister, (CDU) thekson se “Ballkani është një rajon me rrezikshmëri të lartë, ku në një kohë të shkurtër një veprim i papërgjegjshëm mund të rindezë konfliktet që besonim se i kishim tejkaluar.”

McAllister: Shqipëria në rrugën e duhur

BE kërkon të kundërveprojë ndaj këtij rreziku duke sjellë një atmosferë të re në bisedimet e anëtarësimit. Shpresa nuk ka vetëm Serbia, shkruan “Die Welt”, por edhe Shqipëria. McAllister thekson, se “sipas Komisionit Europian, parlamentit dhe qeverive ky vend është në rrugën e duhur. Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë mund të hapen brenda 12 muajve të ardhshëm, më së voni në fillim të vitit 2018”.Eurodeputeti gjerman McAllister ka lëvduar ujdinë që arritën partitë politikë në Tiranë për reformën në drejtësi. “Ky ka qenë një kriter i rëndësishëm për fillimin e negociatave. Kur të fillojnë negociatat, do të hapet që në fillim çështja e shtetit ligjor”, ka theksuar europarlamentari me influencë në Bruksel. Por megjithatë McAllister e sheh Shqipërinë ende larg anëtarësimit në BE.

Serbi: Rrezik nga ndikimi rus

Ndërsa duke folur për Serbinë, e cila i ka hapur në janar 2014 bisedimet e anëtarësimit me BE, McAllister shikon përparime, por edhe probleme. Shqetësimi i tij është përpjekja ruse për influencë në këtë vend. “Moska përpiqet të ndikojë në mënyrë masive mediat, pjesë të shoqërisë civile në Serbi”, thotë eurodeputeti. BE me 1,5 miliardë euro asistencë financiare në Serbi është -me distancë- donatori më i madh në këtë vend që mbështet reformat dhe projektet ekonomike. Megjithatë McAllister është i vetëdijshëm, se në të njëjtën kohë Rusia perceptohet në Serbi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të vendit. “Për BE kjo do të thotë që së bashku me ndihmën e politikës serbe dhe shoqërisë civile të bëjë më prezentë angazhimin e saj.”(DW)

Filed Under: Politike Tagged With: Ballkani, McAllister: Shqipëria, në rrugën e duhur, Rreziku rus

Fakulteti teknik – stop krimit arkitektonik

March 20, 2017 by dgreca

(Humbja e identiteti urban të Prishtinës dhe Kosovës)/

Shkruan:  arch. Ylber Vokshi -Ylli/*

Ma në fund pas 17 vite në shekullin e ri përjetova një protestë të arkitektëve dhe disa profesorëve me moton “stop krimit arkitektonik “, të cilët janë lodhur me gjithë atë që është duke ndodhur në Kosovë këto vite në fushën e ndërtimit. Shkas ishte ndërhyrja në fasadën e objektit të Fakultetit Teknik,gjegjësisht në degradimin total të një objekti të “arkitekturës brutaliste”, që është gabimi i pa falshëm,të cilin ata që e kanë bërë këtë veprim e kanë pasur obligim ligjor dhe profesional që mos ta bëjnë. E kur kjo vjen nga ata që po na i edukojnë gjeneratat e reja se si duhet punuar duke i respektuar normat,standardet teknike, ligjet dhe konventat ndërkombëtare të ndërtimit apo rehabilitimit,atëherë kjo është shqetësuese dhe kërkohet ndërhyrje urgjente e  strukturave vendimmarrëse në këtë shoqëri, sa nuk është bërë tepër vonë.

Thelbi i problemit është se edhe profesionistët tanë,të instaluar në institucionet e larta arsimore (universitete dhe kolegje),nuk e vlerësojnë dhe nuk e dinë çka është IDENTITETI URBAN I QYTETIT. Nuk ka vetëm vlera arkitektonike objektit në fjalë, i projektuar nga një arkitekt i njohur slloven me nam botëror, që askush nga këndvështrimi i sodit nuk mundet ta kontestojnë. Është vlera historike e objektit me një të kaluar specifike identitare, i ndërtuar para 45 vite (1972) në kohën kur populli shqiptar i Kosovës filloi të frymoi pak ma lirë. Atë duhet gjithsesi ruajtur me disa ikona tjera të kohës si dëshmi të një kohe,e jo në këtë mënyrë vandale ma ia zhdukur identitetin e sajë të krijuar me mund të madh.

U befasova për të mirë me reagimin e një grupi të profesionistëve të rinj,pjesa dërmuese e të cilëve ishin arkitekt të ri dhe student të arkitekturës,të cilët pakënaqësinë e tyre me disa punime ndërtimore në objektin e Fakultetit Teknik u detyruan ta shprehin edhe publikisht në formë demonstrate apo proteste kundër degradimit të objektit. Ishte i vogël numri i atyre që demonstruan por ishte veprim i madh,i pa parë deri me tani për kauzën e drejtë për të cilën protestuan, për ruajtjen e identitetit urban të Prishtinës, gjegjësisht të objektit të Fakultetit Teknik.

Nuk ishte kjo pakënaqësi e ndërlidhur me grupet e ndryshme të interesit, siç ka ndodhur disa herë në këto hapësira tipike të Ballkanit. Arkitektët në vitet e pas luftës,në shekullin 21 kanë ditur publikisht të demonstrojnë “me sukses” edhe kundër licencimit të tyre ,në mënyrë që të ketë rregull dhe ligjshmëri në fushën e ndërtimit në Kosovë, të cilën plotësisht e kanë degraduar duke bashkëpunuar me të keqen.

Askush nuk mundet të jetë kundër rehabilitimeve gjegjësisht rindërtimeve, revitalizimeve,regjenerimeve,restaurimeve arkitektonike dhe urbane,zhvillimi i shoqërisë e kërkon këtë. Është ky proces i pandalshëm nëse dëshirojmë të përcjellim dhe të aplikojmë të arriturat teknologjike në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit në botë. Për këtë ka disa rregulla dhe kritere që domosdo duhet respektuar, çka ende nuk vlen në Prishtinë dhe Kosovë. Kjo në mënyrë të pa dukshme do të na hakmerret nëse nuk i ndalojmë këto veprime të çoroditura,pa i respektuar as rregullat elementare të qytetërimit. Në rastin konkret ka metoda dhe mënyra të shumta se si të izolohet objekti në aspektin termik  dhe akustik e mos të degradohet,ndryshohet pamja e jashtme (fasada) e tij.

Kur në vitin 2010 tentova të sensibilizoi komunitetin profesional të arkitektëve dhe të tjerëve, të reagojnë me ndonjë deklaratë publike,peticion apo demonstrim pakënaqësie lidhur me degradimin e madh të disa komplekseve dhe objekteve me vlera arkitektonike dhe historike,hasa në zërin e shurdhët të atyre që ma së shumti iu përkiste mbrojtja e tyre, arkitektëve që vepronin në numër të  madh në tërë Kosovën.

Shkas ishte ndërrimi skandalozë i fasadës së  hotelit Grand në  Prishtinë mu në qendrën e ngushtë të kryeqyteti,të tëra këto veprime kaluan pa reagimin ma të vogël të arkitektëve dhe intelektualëve të shumtë që veprojnë dhe jetojnë në Prishtinë. Personalisht isha tmerruar me këtë veprim dhe u detyrova të bëjë një reagim publik personal me një shkrim kritikë i cili pati reagime të shumta e asgjë tjetër. Kjo  tregoi një të vërtetë të hidhët se sa neve dimë dhe çmojmë identitetin urban të krijuar me mund të madh me dekada dhe shekuj. Se si ne dimë me e harruar të kaluarën e cila ma së miri dokumentohet me objekte të ndërtuara në vazhdimësi deri me sot.Nuk është ky rasti i vetëm, kështu është vepruar edhe me disa objekte tjera në Prishtinë, kësaj dukurie të shëmtuar nuk kanë mundur ti ikin edhe shumë objekte në qendrat tjera komunale në Kosovë si:

  • Fasada e qelqit në objektin e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë e cila të jep përshtypjen e një”arrne”të shëmtuar,degraduese nga aspekti arkitektonik,vepër e arkitektit të njohur Juraj Neidhart. Kush ishte ai që e bëri këtë krim arkitektonik,nga mosdija apo me qellim.
  • Bastardimi i objekti të pallatit të shtypit ,(ish Rilindja ), autori i punimit (prof. Konstadinovski),as që e njohu veprën e tij kur ishte në vizitë në Prishtinë.
  • Zhdukja e gjurmëve të ish hotelit “ Iliria “ e me te edhe të një pjese të historisë së Prishtinës,ku u ndërtua një strukturë e re hoteliere (Swiss Diamond).
  • Rrënimin e hotelit të vjetër ”Pashtriku”në Gjakovë, që me aq mund u inkorporua në strukturën e re të qendrës së qytetit.
  • Rrënimin e shumë monumenteve arkitektonike si objektet sakrale (xhamit) e shumë shtëpia banimi karakteristike, monumenteve kulturore,të cilat ishin nën mbrojtjen e shtetit për vlerat e tyre të pa mohueshme arkitektonike dhe historike,aq me lehtësi janë zhdukur nga faqja e dheut këto vite.

Përse është i rëndësishëm identiteti urban shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën me theks të veçantë në kryeqytet. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira. Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën tonë e cila ma së miri identifikohet me objekte, të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet, ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur,e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe tani me paturpësi në shekullin 21,kjo është e pa falshme.Kjo çështje nuk i përket vetëm një objekti të degraduar me renovimin e tij,është e ndërlidhur me filozofinë primitive jetësore të mjedisit ku jetojmë e veprojmë,të trashëguar  me dhunë nga pushtuesit e ndryshëm gjatë shekujve të kaluara. Ndryshe nuk ka shpjegime logjike për veprimet vetë shkatërruese tona. A mos jemi “popull i marrë” që me dorën tonë po zhdukim identitetin tonë arkitektonik,urban dhe historik ?Uroi që në të ardhmen të mos kemi ndërmarrje të tilla destruktive,të mos  detyrojmë gjeneratat e reja që me këto forma të shprehin mospajtimet e tyre, pasi vendimmarrësit kosovar duhet të kuptojnë dhe të vetëdijesohen se një herë e përgjithmonë ka kaluar koha kur kanë bërë çka kanë dashur në fushën e Planifikimit Hapësinor,Urbanizmit dhe Arkitekturës. Janë të obliguar të zbatojnë format bashkëkohore të komunikimit, me pjesëmarrjen aktive të komunitetit në proceset vendimmarrëse me transparencë të duhur.  Kërkohet të ketë veprime konkrete për të ndryshuar situatën e krijuar e jo të jemi indiferent ndaj identitetit urban,si deri me tani duke i lejuar këto veprime të dëmshme  për të gjithë ne.

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

20 mars 2017                                                                                   arkitekt i pavarur

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)…

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, Fakulteti teknik - stop, krimit arkitektonik

Shqiptaro-amerikanët, të tretët për remitanca në Shqipëri

March 20, 2017 by dgreca

Emigrantët shqiptarë po e shpëtojnë Athinën nga kriza/

Në kulmin e krizës ekonomike që ka pllakosur Greqinë, janë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, ata që kanë shpëtuar nga kolapsi total tregun imobiliar. Lajmi u bë public më datën 19 mars 2017, nga qendra ndërkombëtare e studimeve imobiliare “PEV Research Center”. Sipas studimit të kësaj qendre, emigrantët shqiptarë gjatë viteve 2015-2016, vlerësohen si blerësit më të mirë të banesave. Shqiptarët paguajnë me para “KESH”, banesa të ndërtuara 20-40 vite më parë, në zonat e qendrës së Athinës dhe qyteteve më të mëdha të vendit. Ekspertët e tregut të banesave deklaruan se familjet shqiptare, të përbëra prej 3 ose 4 personash, me të ardhura mesatare, janë targeti i preferuar i agjencive imobiliare vendase, pasi sipas tyre, kjo kategori interesohet për blerjen e një banese për të strehuar familjet e emigrantëve, të cilët investimin në blerjen e një banese me çmim nga 20 deri në 100.000 euro, mund ta përballojnë duke e paguar me para në dorë, pa qenë nevoja për t’iu drejtuar bankave, ku mundësia e kreditimit është pothuaj zero. Kjo kategori është më shumë e interesuar që të investojë paratë e fituara nga puna në emigracion, për shkak të përfitimeve të ulëta nga interesat bankare, ose pasigurisë së lartë në bankat vendase, duke “shpëtuar” edhe prej qirave mujore që vërtiten nga 250 në 400 euro në muaj. Ekspertët thonë se, emigrantët shqiptarë kanë preferuar t’i mbajnë paratë e tyre jashtë sistemit bankar gjatë kohës së krizës, që arriti deri vendosjen e kontrollit bankar, çka iu dha përparësi në negocimin e çmimit të një banese, duke paguar pothuaj tërësisht vlerën në KESH, e duke shmangur kështu pagesat nëpërmjet bankës. Sipas kërkimit të qendrës “PEV”, rezultoi se emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, ishin edhe dërguesit kryesorë të remitancave me plot 480 milionë dollarë të dërguara nga Greqia, nga Italia emigrantët shqiptarë kanë dërguar 100 milionë, nga SHBA, 81 milionë dhe Turqia me 4 milionë.

Shënim i “Dielli-t”: Nga studimi shihet qartë se shqiptaro-amerikanët janë të tretët në dërgimin e remitancave në Shqipëri.

Por, ajo që është shqetësuese, është fakti se pamvarësisht këtyre dërgesave që mbajnë në këmbë buxhetin dhe disa banka në Shqipëri, bashkë me të dhe ofiqarët e burokracinë shtetërore, emigrantët shqiptarë nuk kanë mundësinë e ushtrimit të votës?!

Pse nuk rikthehet tradita e viteve 1920-’30, ku shqiptarët në SHBA, kishin deputetët e tyre në parlamentin shqiptar? Është evidente përfaqësimi i diasporës e emigrantëve shqiptarë më deputetët e tyre, konkretisht në SHBA, Angli, Gjermani, Belgjikë-Francë, Itali dhe Greqi. Sa për rregjistrimin e procedurat, e bën shumë shpejt e lehtë diaspora dhe kandidatët e saj, e ja jep gati Ambasadave Shqiptare në këto vende.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Athina, Emigrantët, SHQIPTARO-AMERIKANET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2126
  • 2127
  • 2128
  • 2129
  • 2130
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT