• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ministri Hyseni në samitin e NATO-s : Ekstremizmi i dhunshëm,terrorizmi, probleme transnacionale

October 24, 2016 by dgreca

Hyseni:Kosova është shtet sekular i definuar me kushtetutë, ndonëse 90 përqind popullsi  myslimane, kryesisht jo praktikuese  dhe Kosova dhe shqiptarët në tërësi  i shquan sensi për harmoni ndër fetare dhe ndër kulturore dhe bashkëjetesë ndër fetare dhe ndër kulturore dhe ne jemi të vendosur që këtë sekularizëm, këtë kulturë të fuqishme harmonie nderfetare ta ruajmë me çdo kusht./

1-skender-hyseniNga Skender Hyseni/*

Prishtinë, 24 tetor 2016/ Me jep kënaqësi të veçantë mundësia që t’i drejtohem juve sot, një auditoriumi kaq impresiv, rreth një çështje që e preokupon Republikën e Kosovës, po aq sa pjesën dërmuese të vendeve të globit. Me këtë dua të nënvizoj se ekstremizmi i dhunshëm, i cili shpeshtë herë përfundon në akte terroriste, radikalizmi i shoqërive të ndryshme, tashmë janë probleme komplekse transnacionale, nuk janë probleme ekskluzivisht të një vendi, dhe rrjedhimisht kërkojnë një koordinim transnacional dhe bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtarë, nëse duam të jemi të suksesshëm në adresimin dhe luftimin e këtij fenomeni.

Me 11 shtator me rastin e sulmeve të kullave binjake në New York, janë krijuar percepcionet se kjo ka të bëj me Amerikën dhe jo me pjesën tjetër të botës. Percepcion skajshmërisht i gabuar dhe historia e më vonshme e ekstremizmit të dhunshëm dhe akteve terroriste në botë, ishte një dëshmi e  dhimbshme se ishte percepcion i gabueshëm, sepse ekstremizmi, qasjet radikaliste, manipulimi i doktrinave mbi çfarëdo baze ideologjike për qëllime politike, apo  përfitimi materiale, janë më shumë se transnacionale. Prandaj edhe bota e ka pasur të vështirë që të përcaktoj një sfond specifik të shkaqeve rrënjësore. Cilat janë ato shkaqe rrënjësore që e bëjnë  një grup të radikalizuar të angazhohet në akte makabre terroriste, që për përfundimin kanë humbjen e jetës së njerëzve të pafajshëm.

Në Republikën e Kosovës kemi një vit që e kemi aprovuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm, përpos që kemi aprovuar edhe një ligj shumë të mirë për parandalim, i cili ndalon bashkimin e qytetarëve të Kosovës në konflikte të jashtme, ligji mbështet kryesisht në dispozitat e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, 21/78 e shtatorit të vitit 2014. Kjo rezolutë  përfundimisht e sanksionon edhe në rrafshin politik nevojën e bashkimit politik të botës kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Askush vetmas nuk mund ta luftoj këtë të keqe, kjo e keqe  mund të luftohet vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtarë, koordinimit të veprimeve, këmbimit në kohë të informacionit, sepse këmbimi i vonuar nuk ndihmon. Në këtë rrafsh Republika e Kosovës, ka dëshmuar si pothuaj askush në Ballkan për të bashkëpunuar dhe rezultatet janë evidente. Kemi pasur pothuaj një vit që nuk kemi regjistruar asnjë rast të shkuarjes së qytetarëve tonë në Siri dhe Irak. Ndërkohë që më fund të muajit shtator kemi gjashtë raste, dy prej të cilave i kemi konfirmuar që kanë arritur në vatra të krizes përmes rrugëve të ndryshme.

Sidoqoftë rezultatet në Kosovë janë të prekshme, janë të dukshme dhe këto vijnë  si rezultat i zbatimit konsekuent të strategjisë nacionale për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm, përkatësisht planit të veprimit të kësaj strategjie, sepse mbi  bazën e kësaj strategjie, Ministria e Punëve të Brendshme, ka hartuar një plan shumë të përpiktë të veprimit.

Republika e Kosovës është anëtare e koalicionit global anti-terrorist që nga samiti i Shtëpisë së Bardhë, i shkurtit të viti të kaluar. Kosova ka anëtarësuar pesë qytete të saja në atë që quhet rrjeti i qyteteve të forta. Një projekt ambicioz që është lansuar në samitin e liderëve kundër terrorizmit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vitin e kaluar. Natyrisht në pajtim me ligjin, policia, prokuroria dhe gjyqësia e Kosovës kanë vepruar dhe tashmë kemi një numër të madh për rrethanat e Kosovës, të arrestuarve, ose të dënuar ose në proces të gjykimit.

Në MPB theks të veçantë i kemi vënë tek parandalimi dhe këtu jemi duke bërë punë të madhe me gjithë spektrin social dhe politik të Kosovës, duke përfshirë edhe bashkësitë fetare, shoqërinë civile, shkollat, kryesisht përmes forumeve komunale të sigurisë, sepse ne mendojmë se zgjidha është te parandalimi, tek kundër mesazhi, tek kundër narracioni, e jo tek përballja me pasojat. Gjithsesi përballja efikase dhe e vendosur  me pasojat ka edhe ndikim parandalues, por synim i shoqërisë sonë është të parandalojmë pasojat dhe të intervenojmë sa më herët që është e mundshme, përmes fushatave të ndryshme në shkolla, në xhami, kisha, komunitet dhe këtë po e bëjmë për çdo ditë.

Në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, njërit nga njerëzit e zbatimit të planit të veprimit, vitin e kaluar dhe këtë vit, kam vizituar të gjitha komunat e Kosovës, me përjashtim të katër komunave në veri dhe kemi debatuar hapur me spektrin e gjerë social dhe politik rreth nevojës të angazhimit  në një fushatë të fuqishme kundër radikalizmit dhe ekstremizmit.  Kosova është shtet sekular i definuar me kushtetutë, ndonëse 90 përqind popullsi  myslimane, kryesisht jo praktikuese  dhe Kosova dhe shqiptarët në tërësi  i shquan sensi për harmoni ndër fetare dhe ndër kulturore dhe bashkëjetesë ndër fetare dhe ndër kulturore dhe ne jemi të vendosur që këtë sekularizëm, këtë kulturë të fuqishme harmonie nderfetare ta ruajmë me çdo kusht.

*

Filed Under: Rajon Tagged With: samitin e NATO-s : Ekstremizmi i dhunshëm, Skender hyseni

UNDP: Korrupsioni, problem i dytë pas papunësisë në Kosovë

October 24, 2016 by dgreca

1-korrupsioni
PRISHTINË, 24 Tetor 2016-Gazeta DIELLI/ Korrupsioni radhitet si problem i dytë më madhor në Kosovë, menjëherë pas papunësisë.
 Ky është raporti i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i cili analizon të dhënat e mbledhura nga anketa me 1300 respondentë/qytetarë dhe 500 intervista me përfaqësues të institucioneve publike të Kosovës.
 UNDP, përmes projektit Përkrahje Përpjekjeve Kundër Korrupsionit në Kosovë (SAEK)  lançoi sot botimin special të Pulsit Publik për korrupsionin, në një konferencë shtypi në Prishtinë./b.j/

Filed Under: Ekonomi Tagged With: korrupsioni, ne Kosove, UNDP

Ferhat Dinosha, ambasador i Malit të Zi në Kosovë

October 24, 2016 by dgreca

m-03-Presidenti Thaçi priti ambasadorin e ri të Malit të Zi në Kosovë, pranoi kredencialet e tij/

1-thaci-dinosha

-Dinosha  para ardhjes në Prishtinë ishte ambasador i Malit të Zi në Tiranë/

m-04

PRISHTINË, 24 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar kredencialet e ambasadorit të ri të Malit të Zi, Ferhat Dinosha.Presidenti Thaçi ka shprehur kënaqësinë që Mali i Zi ka ngritur përfaqësimin në nivel ambasadori në Kosovë.“Marrëdhëniet me Malin e Zi janë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Mali i Zi ka marrë vendimin më të drejtë kur ka njohur Kosovën, përkundër presioneve që kishte, si dhe vazhdon të përkrah Kosovën në të gjitha organizatat dhe forumet ndërkombëtare dhe për këtë jemi mirënjohës”, ka thënë presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, ambasadori i Malit të Zi, Ferhat Dinosha, u shpreh se do të “punojmë të thellojmë bashkëpunimin në mes dy vendeve dhe të promovojmë paqen, stabilitetin, bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe integrimin në NATO e BE për tërë rajonin”. Presidenti Thaçi i shprehu përkrahjen e tij ambasadorit Dinosha për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve në të gjithë sektorët.Mali i Zi është shteti i 48-të që ka njohur Kosovën në 9 tetor të vitit historik 2008 të shpalljes së pavarësisë.Ferhat Dinosha para ardhjes në Prishtinë ishte ambasador i Malit të Zi në Tiranë.

Filed Under: Rajon Tagged With: ambasador, Dinosha, i Malit të Zi, ne Kosove

SUZANNA SHKRELI DY JAVË PARA ZGJEDHJEVE PËR NË KONGRESIN AMERIKAN

October 24, 2016 by dgreca

*Gazeta Detroit News shkruan e cila thekson se Kongresisti i mandatit të parë  nga zonë elektorlae e shtetit Michigan, Mike Bishop i Partisë Republikane — i cili konsiderohej se kësaj radhe do të fitonte lehtë mandatin e dytë për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara – tashti dy javë para zgjedhjeve të 8 nëntorit, përballet me një sfidë agresive nga një politikane e re në fushatën për në Kongresin Amerikan, kandidatja e Partisë Demokrate, 29-vjeçarja Suzanna Shkreli, prokurore në lagjen Macomb./

1-suzana-640x349

*Megjithse shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli merr pjesë për herë të parë në një fushatë politike dhe megjithse ajo ka filluar vonë fushatën vonë, pas tërheqjes për arsye shëndetsore të kandidates së parë të nominuar nga Partia Demokrate,“Cook Political Report” një organizatë e pa-anëshme e cila analizon fushatat dhe zgjedhjet anë e mbanë Amerikës, njoftoi se demokratët po tregojnë një entuziazëm të papritur dhe të dukshëm ndaj kandidaturës së Suzanna Shkrelit për të përfaqësuar zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan, në Kongresin Amerikan./

1-frank_shkreli

Nga Frank Shkreli/

Po ngushtohet hendeku në fushatën për Kongres në lagjën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan ku po bën garë shqiptaro-amerikania, Suzanna Shkreli.  Kështu shkruan Gazeta Detroit News shkruan e cila thekson se Kongresisti i mandatit të parë  nga zonë elektorlae e shtetit Michigan, Mike Bishop i Partisë Republikane — i cili konsiderohej se kësaj radhe do të fitonte lehtë mandatin e dytë për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara – tashti dy javë para zgjedhjeve të 8 nëntorit, përballet me një sfidë agresive nga një politikane e re në fushatën për në Kongresin Amerikan, kandidatja e Partisë Demokrate, 29-vjeçarja Suzanna Shkreli, prokurore në lagjen Macomb. Gazeta thotë se ajo ka mbledhur më shumë fonde dhe është duke shpenzuar më shumë në krahasim me kundërshtarin e saj, ç’prej kohës që njoftoi kandidaturën e saj në korrik.  Por kongresisti republikan Bishop, shton gazeta e Detroitit, konsiderohet ende në avantazh me një sasi më të madhe fondesh, në përgjithësi.

Në një takim javën që kaloi në New York, Suzanna Shkreli tha se kishte filluar transmetimin e reklamave politike në televizion, ndërsa gazeta Detroit News njoftoi të premtën se kandidatja demokrate po transmeton një seri reklamash politike duke e lidhur kundërshtarin e saj Mike Bishop me kontribute nga korporata të ndryshme si dhe me komentet e vitit 2005 jo të hijshme për femërat, të kandidatit republikan për president, Donald Trump.  Sipas analistëve ka mundësi që problemet me të cilat përballet fushata e Trump-it për president të ndikojnë negativisht anë e mbanë vendit, jo vetëm në fushatën presidenciale, por edhe në fushatën e kandidatëve republikanë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqsuesve, duke shkaktuar humbjen e tyre ditën e zgjedhjeve në një numër më të madh se ç’pritej, duke humbur kështu shumicën që tani gëzojnë republikanët në të dy dhomat e Kongresit.

Gazeta shkruan se megjithse kandidati republikan Bishop se në një përpjekje për tu disntacuar nga Trump, u ka thënë votuesve se, “është i zhgënjyer nga komentet agresive seksuale” që Trump-i ka bërë rreth femrave në vitin 2005, po ai, shton gazeta, nuk e ka tërhequr mbështetjen e tij ndaj kandidatit republikan për president, duke thënë se ai dëshiron të përqendrohet në çështjet ekonomike.  Ndërsa kandidatja e Partisë Demokrate, Shkreli është shprehur, sipas gazetës, se kritikat ndaj mbështetjes së kundërshtarit të saj për Donald Trump për president janë me vend.  “Votuesit duan të dinë”, ka thënë Shkreli, “nëse kundërshtari i saj do të vazhdojë të mbështesë kandidatin republikan për president i cili ka denigruar një hero të luftës, i cili është tallur me një gazetar me aftësi të kufizuara, a do të vazhdojë të përkrah ai njeriun i cili ka fyer familjen e një ushtari të rënë në luftë dhe i cili tani tallet me sulme seksuale sikur nuk janë asgjë.”

Megjithse shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli merr pjesë për herë të parë në një fushatë politike dhe megjithse ajo ka filluar vonë fushatën vonë, pas tërheqjes për arsye shëndetsore së kandidates së parë të nominuar nga Partia Demokrate,“Cook Political Report” një organizatë e pa-anëshme e cila analizon fushatat dhe zgjedhjet anë e mbanë Amerikës, njoftoi se demokratët po tregojnë një entuziazëm të papritur dhe të dukshëm ndaj kandidaturës së Suzanna Shkrelit për të përfaqësuar zonën elektorale numër 8 të shtetit Miçigan, në Kongresin Amerikan.

“Cook Political Report” cilëson se hendeku i përkrahjes për të dy kandidatët po ngushtohet në këtë zonë elektorale që përfshinë lagjen demokrate Lansing, por përfshinë gjithashtu edhe shumë republikanë të edukuar të cilët mund të jenë të zhgënjyer për faktin se kundërshtari republikan i Suzana Shkrelit përbën një pengesë për kandidatin republikan Mike Bishop, i cili vazhdon të mbështesë Donald Trumpin për president dhe si rrjedhim, thuhet se kjo mund të shkojë në favor të kandidates demokrate Suzana Shkreli.   Redaktori dhe botuesi i Rothenberg&Gonzales Political Report, Nathan Gonzales citohet të ketë thënë se, “Në përgjithsi, demokratët besojnë se kësaj radhe do ta mundin republikanin Bishop”, dhe se deklaratat e Donald Trumpit mund të ndihmojnë për ta mundur Mike Bishop.  Suzana Shkreli shkruan në faqen e saj facebook se komentet e fundit të Doland Trump janë më tepër se ofenduese dhe se kongresisti Bishop duhet t’i denoncojë ato menjëherë dhe të tërheqë mbështetjen e tij për kandidatin republikan për president.

Ndërsa zyrtarët e fushatës së kongresistit Bishop thonë se janë të sigurt se kandidati i tyre do të fitoj përsëri në zonën elektorale ku ai fitoi me mbi 12 për qind të votave në krahasim me kundërshtarin e tij demokrat në vitin 2014.

E vërteta është se sipas disa shënjave, fushata në këtë zonë elektorale për në Kongresin amerikan po zhvillohet në një mënyrë që ka tërhequr vëmendjen e udhëheqësve më të lartë të dy partive kryesore, Partisë Demokrate dhe Partisë Republikane. Pak kohë më parë në atë zonë ishte ftuar të bënte fushatë në mbështetje të kongresistit republikan Bishop, Kryetari i Dhomës së Përfaqsuesve në Kongres, Paul Ryan.

Ndërsa ditët e fundit, duke parë ngushtimin e hendekut të mbështetjes për Suzana Shkrelin, në zonën elektorale numër 8 të Kongresit, në Miçigan kishin vajtur për të bërë fushatë me Suzana Shkrelin, tre senatorë demokratë të njohur të Shteteve të Bashkuara, Senatori Gary Peters, Senatoria Debbie Stabenow, të dy këta nga shteti i Miçiganit dhe Senatori Cory Booker i shtetit Nju Xhersi, gjatë një mitingu elektoral në Univerisitetin e shtetit Miçigan, javën që kaloi.

Suzanna Shkreli ka siguruar mbështetjen e Senatorit Peters, Senatores Stabenow, të dy nga shteti i Miçiganit dhe Senatorit Booker i shtetit Nju Xhersi, gjatë një mitingu elektoral në Univerisitetin e shtetit Miçigan, javën që kaloi.

Në një nga komentet në facebook të kandidates demokrate, një komentues shkruan se Suzanna Shkreli më në fund e detyroi kongresistin Bishop që të mësojë se si të shqiptojë mbiemërin Shkreli, duke sugjeruar se edhe kandidati republikan po e merr tepër seriozisht kandidaturën e shqiptaro-amerikanës për në Kongres.

Sidoqoftë, Suzanna Shkreli është duke zhvilluar një fushatë të fortë dhe dinjitoze, pa fyerje dhe inate, por duke u përqëndruar në zgjidhjen e problemeve dhe të sfidave me të cilat përballen qytetarët amerikanë të zonës 8 elektorale të Kongresit.  Gjatë një takimi me ‘të javën që kaloi në New York, Suzanna Shkreli u zotua se nuk do të pushojë së bëri fushatë deri në momentin e fundit të kësaj gare me qëllim që gjatë dy javëve të fundit të kësaj fushate, të informojë bashkqytetarët e saj mbi planet dhe programet që ajo ka në plan të sjellë në Washington, plane dhe programe për përmërsimin e jetës së tyre të përditshme, në përgjithësi.

Tani është në dorë të votuesve të kësaj zone elektorale që të vendosin më 8 nëntor, nëse do të dërgojnë një fëtyrë të re në Kongresin e Shteteve të Bashkuara në personin e shqiptaro-amerikanes Suzanna Shkreli duke bërë kështu dy herë histori.  Nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, Suzanna Shkreli, jo vetëm që do të ishte e para femër shqiptaro-amerikane e zgjedhur në Kongresin amerikan, por do të ishte edhe femëra në moshën më të re në historinë e Amerikës që ka shërbyer ndonjëherë në Dhomën e Përfqsuesve të Shteteve të Bashkuara.

 

Filed Under: Featured Tagged With: 2 Jave para zgjedhjeve, Frank shkreli, Suzana Shkreli

Ju puth duart me ndér si biri t’atit

October 23, 2016 by dgreca

1-eqerem-cabej

1-gjergj_fishta_1932Shkruar nga : Mërgim Korça*/

Kësisoji e mbyll letrën e tij tek i drejtohet  Atë Gjergj Fishtës profesor Eqrem Çabej, (dokument i cili gjëndet në Arkivin Qëndror të Shtetit, F17  D36 fl.12). E filluam këtë replikë ndaj shkrimit të profesor Nasho Jorgaqit me pozicionimin e profesor Çabeut ndaj Atë Gjergj Fishtës, pikërisht që ta mësojë profesor Nashua se që në fillim ai e nis shkrimin e tij me një insinuatë të gabuar !

Nisur nga fakti se dëshira e ime e sinqertë është t’u trashëgojmë brezave të rinj të dhëna historike si edhe sa më shumë të vërteta si edhe fakte bashkëkohore tonat që ata jo që nuk kanë se si t’i dijnë por as që i marrin dot me mënd, (nisur nga shtrëmbërimet që i janë bërë historisë nga historianët e periudhës diktaturës si edhe në vazhdim), prandaj edhe e fillova këtë replikë timen kësisoji, ndaj asaj të ashtuquajture analizë që i bën veprimtarísë së Atë Gjergj Fishtës profesori Nasho Jorgaqi i cili titullin e shkrimit të tij e ka përzgjedhur pikërisht të jetë :

A FLIRTOI GJERGJ FISHTA ME PUSHTUESIT FASHISTË ?

Pak informacion për lexuesin :  Në vitin e largët shkollor 1948 – 49, në shkollën e mesme Gjimnazi 29 Nëndori i Shkodrës, (qytet në të cilin na shpërngulën familjarisht duke na hequr nga Tirana në vijim të luftës së klasave), rastisi të kem shok klase paralele, (ai ishte nxënës i shkollës pedagogjike, nën të njajtën çatí si edhe drejtorí shkolle), autorin e shkrimit të lartpërmëndur, Nasho Jorgaqin. Ky i fundit bënte pjesë në kontingjentin e konviktorëve të asaj shkolle, të kërkuar urgjentisht nga kryetari i Degës Punëve të Brëndëshme Hilmi Seiti ministrit të Punëve të Brëndëshme Mehmet Shehut, për ta shtruar gjëndjen disidente të studentëve kundra-komunistë të asaj shkolle.

Për hír të së vërtetës si edhe objektivitetit që dua të ketë kjo analizë, nuk kam se si ta mohoj faktin që, me aq sa mundem, të pohoj simbas ngjarjeve për të cilat isha dëshmitár në vetë të parë, se Nasho Jorgaqi ecte asokohe për plogëtí, (duke mos qenë flamurtar egërsíje), mes radhës  konviktorëve të sjellë në Gjimnazin e Shkodrës me detyra të caktuara sa i takon ashpërsísë që e shquante masën e tyre të étur në drejtimin e zbatimit të luftës së klasave, si rezultat i punës së të cilëve pati përjashtime nga shkolla, arrestime, si edhe dënime me burgim bashkënxënësish tonë të asaj kohe !

Me kalimin e viteve doemos i humba lidhjet e drejtpërdrejta me Nashon i cili iu kushtua karrierës mësimdhënësit e në vazhdim të shkrimtárit si edhe analistit.

Ç’E SHKAKTOI FILLIMISHT ZHGËNJIMIN TIM PËR NASHON ?  Leximi i dy vëllimeve të tij, “MËRGATA E QYQEVE“ !  E përzgjodha jo rastësisht cakun gjuhësor fillimisht, sepse në vijim të viteve erdhën pastaj edhe intervistat e tija, (të N.Jorgaqit–shënim i M.K.), ku ai theksonte se si  ishte munduar, derisa edhe i bindi udhëheqësit komunistë të shtetit, ta miratonin shkrimin e në vazhdim doemos edhe botimin e një romani ku burim kryesor informacioni kishte qenë një i infiltruar i Sigurimit të Shtetit për thuajse dhjetë vite në radhët e emigracionit kundra-komunist, (Isuf Mullai), si edhe disa të infiltruar të tjerë jo të kësaj rëndësije !  Megjithatë, duke mos dashur  të bëj asnjë hamendësí, pa lé insinuatë sa i takon një ure eventuale mes konviktorit Nasho Jorgaqi si edhe shkrimtarit si edhe analistit bashkëkohës, nuk kam se si mos të ndalem e ta analizoj kritikën që ky i fundit i bën atdhetárit të shquar Atê Gjergj Fishtës !  Fillimisht pyes veten :  Cila kishte me qenë zanafílla e hullísë që vazhdon e ndjek profesor N.Jorgaqi me t’ashtuquajturën analizë të tij të botuar me 2 tetor të 2016-ës ?  Padyshim që janë direktivat që ka  pasë dhënë “KOMANDANTI” dhe botuar në gazetën Bashkimi të datës 22 gusht 1947, para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV-të të rinisë popullore që po e kopjojmë tekstualisht siç qé shprehur asokohe vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij :
“ Miqësínë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmëndur … ! ”

Pikërisht mëkimi, fillimisht me mësimet e Enver Hoxhës dhe në vazhdim pastaj karriera e tij … bënë që profesor Nashua ta hartojë atë shkrimin e tij gjuha e të cilit në pamje sipërfaqësore e predispozuar pozitivisht ndaj Atë Gjergjit por në efekt e mbushur me insinuata negative ku herë figurën e Atë Gjergj Fishtës e quan me probleme e gjithashtu me hije q’e rrethojnë.  E doemos objektivi kryesor është që figura e Atë Gjergj Fishtës të mjegullohet me pohime ekuivoke !  Shëmbull madhor përbën ajo që Nasho Jorgaqi e quan “tundimi fashist”, e si pasojë pranimi nga ana e Atë Fishtës për t’u bërë  akademik i Italisë !  Kësisoji profesor Nasho Jorgaqi sjell një shëmbull, një të vetëm por sipas tij fakt  tejet kuptimplotë lidhur me figurën problematike të Atë Gjergj Fishtës, një letër që Atë Fishta ia paska drejtuar, (në gjuhën italiane), NJË OFICERI TË LARTË FASHIST. Mirëpo profesor Nashua nuk e mendoi fare se si lexuesit të zakonshëm, pun’e parë që do t’i shkojë në mëndje kishte me qenë të pyeste : Kujt i drejtohet kjo letër ?  Nga ana tjetër letra i paraqitet lexuesit e shkruar në një toskërishte dialektale ku përkthyesi, sa për një shëmbull, i ka vënë në gojë Atë Gjergjit edhe shprehjen “ … kam rrufitur, në Resto del Carlino, artikullin tuaj magjistral …”.  Kurse unë shtoj se së pari, letra e Atë Gjergjit, (sipas profesor Nasho Jorgaqit), nuk është përgjigje që i jepet letrës që Ai ka marrë nga një oficer i lartë fashist e për më tepër edhe i paemër.  Për hir të së vërtetës, Atë Gjergj Fishta me 7 qershor të vitit 1939 mori një letër urimi nga Presidenti i Akademisë Mbretërore Italiane Luigi Federzoni ku ai e përgëzonte ndër të tjera Atë Gjergjin si më poshtë vijon : “ … Emërimi i Juaj si Akademik i Italisë, nga njera anë flet për vetë konsideratën e lartë të DUCE-s por nga ana tjetër ësht’edhe një shpërblim i drejtë sa u takon vlerave t’Uaja si edhe një shquarje e posaçme që i bëhet poezísë shqipe, duke marrë nga ana tjetër edhe kuptimin e një njësími të përkryer shpirtëror të dy popujve tanë që deti Adriatik, me lavdítë e tija shekullore i bashkon përjetësisht …”.    

Kurse Atë Gjergji me telegramin e Tij të datës 12 qershor 1939 i përgigjet Presidentit të Akademísë, Luigi Federzoni-t si vijon :

“ … I mallëngjyem Ju falënderoj për urimet si edhe sa i tokon miratimit t’Uej si edhe të kolegëve t’Uej akademikë lidhun me dekretimin t’êm si pjestar i institucionit mâ të naltë të kulturës të regjimit fashist si rrjedhoj’e miratimit prej anës Duces si edhe vullnetit të Perandorit tonë i bindun se prej gjinit të Italisë ka me u rilindë Shqipníja ideale …”  Unë personalisht e ftoj gjithsecilin ta verë veten në pozitat e Atë Gjergjit dhe t’i lexojë me sy kritik si thënjet e Federzonit e gjithashtu edhe telegramin e përgjigjes.  Mendimi im është se që të dyja, si urimet e Federzonit e gjithashtu edhe telegrami i falënderimit përshkohen si një éndje e thurur me gjuhë të dyanëshme diplomatike dhe me respekt të ndërsjellë !

Përgjatë kësaj vázhde, do t’i sjell profesor Nashos dy fakte, (jo si letra që ai e quan fakt që e mvishka me hije figurën e Atë Gjergj Fishtës), por dy fakte që t’i drejtpeshojë lexuesi.

Fakti i parë : Duke hamendësuar në mënyrë spekulluese rreth ndjenjave kundra-komuniste si klerik françeskan i vendosur që Atë Gjergj Fishta ishte, të cilat përkonin me pozicionimin politik të Italisë fashiste, hapi i parë i qeverisë italiane ishte që për vlerat e Tija madhore si edhe ndikimin e madh në popull që Ai gëzonte, qeverija fashiste italiane t’i akordonte Atë Gjergj Fishtës dekoratën nga më të lartat që ajo dekretonte. Këtu edhe pika kyçe e spekullimit rreth figurës At Gjergjit :  Nuk zihet në gojë fare fakti se jo që Atë Gjergji nuk e pranoi dekoratën e lartë por edhe si e priti Ai këtë dekoratë duke u shprehur se “ KJO DEKORATË NUK ÂSHT PËR MUE ! “

Fakti i dytë : Në meshën e përmortëshme që e mbajti Ipeshkvi Imzot Thaçi, i tha morísë së pjesëmarrësve në atë takim mortór “ … para dy ditësh, kah shkova m’e tokue Patër Gjergjin në spital, ashtu me gjysë fryme muejti me më thânë – Dekën e kena borxh të tânë, por âsht kah më vjen keq se po dés tue e lânë Shqipninë të shkelun prej kâmbës huej …!  Këtë fakt unë personalisht e kam mësuar nga kujtimet e Atë Zef Pllumbit të cilët profesor Nashua parimisht i përmënd në shkrimin e tij por ama pa u ndalur tek ky pohim madhor i Atë Gjergjit ! Me pak fjalë, edhe sikur vetëm këtë fakt të kishte mësuar profesor Nasho Jorgaqi duke lexuar kujtimet e Atë Zef Pllumit, duhej të ishte lëkundur sa u takon insinuatave të tija … pa lé sikur ta ketë lexuar edhe letrën e Profesor Eqrem Çabej-t drejtuar Atë Gjergj Fishtës !

Vijmë tek dekretimi si akademik i Italisë që iu bë Atë Gjergjit.  Pikërisht nga që ky fakt është fryrë kaq shum’e me aq keqdashje sa s’ka më nga ana e historianëve të ideologjizuar me frymën e partisë komuniste e doemos edhe nga ana e shkrimtarëve të rrymës realizmit socialist, (të shtyrë këta të fundit nga egoizmi si edhe cmira e tyre e pakufí ndaj veprës së Tij madhore letrare), do të ndalemi e t’i hedhim dritë pikërisht këtij fakti.  Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane.      (Për ta biseduar me Atë Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qé ngarkuar Prof. Agostino Gemelli, klerik françeskan si edhe akademik. ).

Me këtë  veprim  Akademia  e shpërfilli  si  edhe  e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skaj-shmërisht prestigjin  jo  vetëm  Atë  Gjergjit por bashkë me të edhe Shqipërisë.  Akademia Italiane, nga ana  e  saj, záret i kishte  hedhur.  Pritej përgjigja  e  Fishtës. Hapin tjetër të priftit krenár vërtet’e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje dhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar.  Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi :  Patër Gjergji e kish për ndér propozimin  që  i  bëhej  dhe  falënderonte  të  gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin ! Këtu tashti edhe forca e karakterit të atdhetárit të madh e cila hedh poshtë të tëra insinuatat :
Në  konferencën  e  parë  solemne si akademik në Kinema Rozafat, për t’a pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit të dikurshëm romak të Ilirisë me pushtimin e atëhershëm fashist të Shqipërisë Ai guxoi e tha :
“ … Rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe Mbretëritë Ilire të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vënd të lirisë …”

Sikur të përqëndroheshim vetëm rreth këtij pohimi të Atë Gjergj Fishtës, bërë nga ana e Tij publikisht si edhe zyrtarisht, nuk ka se si të mos na dal’e qartë se si akuza e ngritur kundra Tij si “shërbëtor i imperializmit si edhe i fashizmit italian”, (nga ana e udhëheqësit dhe diktatorit komunist të Shqipërisë Enver Hoxhës, cituar më lart), bíje poshtë me plot kuptimin e fjalës si një çpifje skajshëm keqdashëse, përçarëse si edhe e pavënd !

Nisur tashti nga të gjitha zhvillimet, të kundruara ato me përparësínë që na jep kqyrja në mënyrë  mbrapavështruese, si ta quajmë titullin e përzgjedhur nga profesor Nasho Jorgaqi ku pyetja e drejtuar lexuesit mbështetet në një “folje” (në paskajore – të flirtosh), e cila ka kuptimin të bësh dashuri por me kusht mos të jenë të përfshira aspak ndjenjat. Nuk mund ta mendoja se insinuata e autorit të shkrimit ndaj Atë Gjergj Fishtës, pa u zgjatur aspak se cila kategori femrash “flirtojnë”, do të formulohej kësisoji pikërisht 69 vite mbasi diktatori e quajti Atë Fishtën shovinist dhe shërbëtorin e fashizmit !  E të gjitha këto profesori Nasho Jorgaqi i mbështet në një letër eventuale gjuha e së cilës është skajshëm diplomatike dhe ai këtë letër e quan fakt kundra Atë Gjergj Fishtës !(?)

Dhe unë i mbyll këto radhë duke e riformuluar pyetjen :  Ishin duart e Atë Gjergj Fishtës për t’u puthur me respektin më të madh, siç qé shprehur profesori ai vet’i madh, Eqerem Çabej, apo ishte figura e klerikut, atdhetárit të madh si edhe poetit e shkrimtarit skajshëm të madh Atë Gjergj Fishtës, të qëmtohej në se kishte flirtuar ai me pushtuesin fashist,apo jo ?!

* Replikë e marrë nga Gazeta “Minerva”       

Filed Under: Opinion Tagged With: At Fishta, Eqrem Cabej, Ju puth duart me ndér si biri t’atit, Mergim Korca, Minerva

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2414
  • 2415
  • 2416
  • 2417
  • 2418
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT