• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JOE BIDEN-DY VIZITAT NË KOSOVËN E PAVARUR…

January 11, 2021 by dgreca

-…AMERIKA, GJITHMONË PËRKRAHJE…/

-Kosova pret që miku i madh Joe Biden ta vizitojë tashmë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas dy vizitave si Nënpresident në Maj 2009 dhe në Gusht 2016, në të cilat solli mesazhe të fuqishme përkrahëse: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm” dhe “Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”…

Gazeta DIELLI-Speciale nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

????????????????????????????????????

PRISHTINË, 10 Janar 2021/ Kosova pret që miku i madh Joe Biden ta vizitojë tashmë si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e uron për zgjedhjen edhe duke përkujtuar dy vizitat si Nënpresident, të parën pak më shumë se një vit pas shpalljes së Pavarësisë.

Në 20 maj 2009 raportoja se,  Kosova pret në festë Zëvendëspresidentin Amerikan, Joseph Biden në vizitën e nesërme të vlerësuar historike nga institucionet e vendit dhe populli, ndërkohë që përgatitjet për mikpritjen e mirëpritjen e madhe shihen kudo në Prishtinë , kryeqytetin e shtetit më të ri në botë.
Më tej, mes tjerash, theksoja se, në orët e pasditës së sotme, derisa punëtorët komunal të kryeqytetit kishin përfunduar punët në stolisjen e shesheve dhe rrugëve me flamuj të SHBA-ve dhe të Kosovës dhe në vendosjen në bilborda të fotografive të mëdha të Zëvendësprsidentit Amerikan Biden bashkë me përshendetjet e mirëseardhjes.
Ndërsa , në ditën e vizitës, në 21 Maj 2009 raportoja:

21 MAJ 2009 – ZËVENDËSPRESIDENTI AMERIKAN BIDEN NË VIZITËN E PARË NË PRISHTINË: NJOHJA E PAVARËSISISË SË KOSOVËS PËRBËN PROCES TË PAKTHYESHËM


Zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden sot në Prishtinë në takim me drejtuesit më të lartë të vendit ka ritheksuar qëndrimin e SHBA-së se pavarësia e Kosovës përbën proces të pakthyeshëm.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë tashmë se njohja e pavarësisë së Kosovës përbën proces të pakthyeshëm. Kjo nuk do të ndryshojë”, tha ai pas takimit me Presidentin Fatmir Sejdiu e Kryeministrin Hashim Thaçi.

“Së dyti, një Kosovë e tërë dhe e bashkuar është kusht minimal, për aq sa i përket qëndrimit të SHBA-ve. Një Kosovë e Bashkuar dhe e pandarë është absolutisht kusht esencial dhe themelor”, theksoi Biden.

“Gjëja e tretë që dua ta potencoj është se mendoj se qeveria ka arritur një progres të konsiderueshëm gjatë vitit të parë. Progresi që qeveria e ka arritur brenda një viti është i jashtëzakonshëm dhe unë mendoj se një element qenësor i suksesit të vazhdueshëm të qeverisë dhe i faktit që kjo qeveri është përqafuar nga bota është natyra vërtetë shumetnike e kësaj shoqërie, e këtij vendi dhe e kësaj qeverie”, tha Biden.

“Dhe unë jam i bindur se përkushtimi për këtë është i vërtetë dhe njëmend i përhershëm. Për aq sa të ekzistoj ky përkushtim, do të ekzistojë edhe mbështetja e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, vijoi ai.

“Gjatë udhëtimit tim në Bosnjë, Serbi dhe tani në Kosovë, unë kam thënë se ky është një rast historik. Që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumica e shteteve evropiane kanë ëndërruar një Evropë të tërë, të bashkuar, të lirë dhe në paqe. E vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze – ndonëse më herët thashë paqe – e vetmja pjesë që i mungon kësaj gjëegjëze apo tërësie është që, për herë të parë në historinë e tij, Ballkani të ketë rast të jetë tërësisht i integruar në BE. Kjo është mundësia që ne e kemi tani, ky është qëllimi i SHBA-ve, ky është qëllimi i këtyre liderëve dhe ky është qëllimi i – kujtoj unë – pothuaj të gjithë liderëve të rajonit. Kur kjo të ndodhë, ëndrra që ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore do të bëhet realitet”, theksoi Zëvendëspresidenti Bajden.

Në vizitën e parë në Kosovë pas shpallljes së pavarësisë Biden tha se për të kjo ishte një ditë vërtetë e mrekullueshme.

“Bazuar në përvojën tonë, kur një vend është demokratik dhe kur është i bashkuar me vendet e tjera demokratike, të gjitha gjërat që e kanë pllakosur atë vend në të kaluarën tejkalohen dhe ofrohet një mundësi më e mirë për një të ardhme më të ndritshme, kështu që unë jam optimist. Jam optimist dhe edhe njëherë dua ta falënderoj qeverinë për mikpritjen dhe dua t’ju tregoj se sa kisha kënaqësinë të kthehesha në një Kosovë që po ndërtohet dhe zhvillohet. Pash njerëz nëpër rrugë që po buzëqeshin. Gjersa po fluturoja për në aeroport, pashë çati të shtëpive të tjera, të reja; pashë përparim, pashë se njerëzit po ecnin para. Për mua kjo është një ditë vërtetë e mrekullueshme, që pata rastin të kthehem. Dhe unë u jam shumë mirënjohës, jo vetëm qeverisë, por edhe tërë popullit të Kosovës”, përfundoi Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Biden.

Ndërsa, që në fillim të fjalës së tij, Zëvendëspresidenti Biden falënderoi për nderimin e tij nga Presidenti Sejdiu me Medaljen e Artë të Lirisë, duke e quajtur këtë si një nga nderet më të mëdha që i janë bërë ndonjëherë, raportoja, mes tjerash…

***

Në Ditën e Lirisë së Kosovës, 12 Qershor 2004 – në 5 vjetorin e hyrjes shpëtimtare në Kosovë të NATO-s së prirë nga Amerika në 12 Qershorin e vitit 1999, Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në akademinë solemne njoftonte se me rastin e atij përvjetori kishte vendosur të dekorojë me “Medaljen e Artë të Lirisë” burra shtetesh dhe personalitete të njohura të botës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës dhe për ndërtimin e lirë të Kosovës.

Në tekstin e Dekretit Presidencial thuhej:

“Në pesëvjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s/KFOR-it në Kosovë, 12 Qershorit, Ditës së Lirisë së Kosovës, në bazë të fuqive kushtetuese të Presidentit të Kosovës me Dekret të veçantë kam vendosur të dekoroj me ‘Medaljen e Artë të Lirisë’ shefa të shteteve, të qeverive, senatorë, kongresmenë, deputetë, ushtarakë, ministra, personalitete të Amerikës e të Evropës për meritat e tyre për mbrojtjen e lirisë së Kosovës, dhe për ndërtimin e vendit të lirë të Kosovës, si dhe për integrimin e tij në bashkësinë e kombeve të lira të botës”.

22 Maj 2009: KOSOVË – AMBASADA E SHBA: BIDEN, I PREKUR NGA TË SHPREHURIT MASIV TË DASHURISË DHE RESPEKTIT

Në 22 Maj 2009 raportoja: Ambasada Amerikane në Prishtinë falënderon popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrojhtë dhe zemërgjerë për Nënkryetarin SHBA-ve, Joseph Biden, gjatë vizitës në Kosovë, duke theksuar ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit.

“Ambasada e SHBA-ve dëshiron të falënderojë popullin e Kosovës për mirëseardhjen e ngrohtë dhe zemërgjerë që ia ofruan Nënkryetarit Biden me 21 Maj. Gjersa Nënkryetari nuk pati mundësi të takohet personalisht me gjithë ata mijëra njerëz që shfaqën entuziazmin e tyre duke u rreshtuar pranë rrugëve të Kosovës, ai ishte i prekur nga të shprehurit masiv të dashurisë dhe respektit”, thekson deklarata e kumtuar nga Ambasada Amerikane.

“Kërkojmë falje për çdo vështirësi të shkaktuar nga mbyllja e rrugëve dhe masave tjera të nevojshme që ishin të lidhura me vizitën”, shtohet në kumtesë.

JOE BIDEN NË VIZITËN E DYTË, 17 GUSHT 2016: KOSOVA DO TË KETË GJITHMONË PËRKRAHJEN E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Në vizitën e dytë në Kosovë Nënpresidenti i SHBA, Joe Biden, mbërrti në mbrëmjen e 16 Gushtit 2016, i pritur në Aeroportin e Prishtinës me ceremoni shtetërore, me nderimet më të larta e mirënjohjen e gjithëmonëshme.

Presidenti i Republikës Hashim Thaçi ka pritur në Aeroport Nënpresidentin Joe Biden dhe familjen e tij, siç është shprehur, për t’iu uruar përzemërsisht mirëseardhjen miqve të përjetshëm të Kosovës. “Partneriteti strategjik me SHBA-të na ka mundësuar të bëhemi shtet dhe gjithnjë e më shumë po na bën një shoqëri demokratike me mundësi të barabarta për të gjithë”, është shprehur Presidenti i Kosovës.

“Joe Biden, tash e dy dekada ka mbështetur luftën për lirinë, pavarësinë dhe integrimin e Kosovës në NATO e BE”, ka theksuar Thaçi duke shprehur falënderim.

Në pritjen në Aeroport të Nënpresidentit Amerikan Biden ishte edhe Majlinda Kelmendi, fituse e medaljës së artë në xhudo në “Rio 2016”, të parës medale olimpike të Kosovës shtet. 

Në Prishtinë, në 17 Gusht 2016, Nënpresidenti Amerikan Biden zhvilloi takime dypalëshe me Presidentin Hashim Thaçi dhe Kryeministrin Isa Mustafa.

“Kosova do të ketë gjithmonë përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rrugën drejt suksesit”, deklaroi  në konferencë për shtyp pas takimeve Nënpresidenti Amerikan Joe Biden.

“Kosova ka shënuar progres dhe ka marrë njohje më të mëdha globale. Jeni në një pozitë ku bota po ju njeh po ashtu jeni duke bërë përpara nën emrin tuaj dhe duke garuar me flamurin tuaj”, tha Nënpresidenti Amerikan Biden në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Kosovar Thaçi.

“SHBA do të qëndrojë përkrah Kosovës sepse ne besojme tek ajo. SHBA ka dhënë 2 miliardë dollarë ndihma dhe do vazhdojmë të ndihmojmë më tej Kosovën”, theksoi, mes tjerash, Nënpresidenti Amerikan Joe Biden.

Po në 17 Gusht 2016, nën patronatin e Qeverisë së Kosovës, Nënpresidenti Joe Biden dhe Dr. Jill Biden ishin për vizitë afër Kampit Ushtarak Amerikan “Bondsteel” për të marrë pjesë në cermoninë e emërimit të rrugës kushtuar djalit të tyre të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III.

Për këtë, në 17 Gusht 2016 në raportimin në Gazetën DIELLI  theksoja:

NË KOSOVË RRUGA FERIZAJ-GJILAN EMËRTOHET BEAU BIDEN

Në Kosovë, emrin e Beau Biden, djalit të ndjerë  të Nënpresidentit Amerikan Joe Biden e mori sot rruga 35 kilometërshe që lidh dy qytete, Ferizajn e Gjilanin.“Ky është një moment i ëmbël, por edhe i hidhur, pasi po këtu në këtë vend isha me Beau para disa viteve”, tha nënpresidenti amerikan dhe shprehu falënderimet e tij dhe gjithë familjes Biden,  në fjalën e mbajtur në ceremoni, ku morën pjesë edhe krerët e shtetit të Kosovës dhe drejtuesit e komunave.

Beau Biden ka ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015. Beau Biden, ka punuar në Kosovë në vitin 1998-99 pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe gjykatësve vendas për organizatën për siguri dhe bashkëpunim në Evropë (OSCE).Beau Biden ishte edhe Prokuror i Përgjithshëm në Delaware ndërsa për një kohë kishte shërbyer edhe me Forcat Amerikane në Irak.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari-Dielli, Dy vizitat e Joe Biden

SHKATËRRIMI I IMAZHIT MADHËSHTOR TË HERONJVE

January 11, 2021 by dgreca

SI PO SHKATËRROHET IMAZHI MADHËSHTOR I HERONJVE NËPËRMJET SKULPTURËS SË DOBËT/

NGA SOKOL PAJA/

Në median shqiptare u shfaqën punime të disa statujave e shtatoreve të heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, legjendës së gjallë të luftës së UÇK Adem Jasharit, shqiptares humaniste Shën Tereza, atit të Pavarësisë Ismail Qemali e disa personaliteteve të shquara të kombit shqiptar të cilat shkaktuan një zëmërim të madh në median sociale kryesisht rreth shëmtisë dhe mediokritetit të këtyre punimeve në skulpturë.

Imazhi madhështor i heronjve tanë, i personaliteteve më të larta e më të shquara të kombit vjen i transformuar në një mënyrë shumë të shëmtuar deri në keqardhje. Heronjtë, mitet, legjendat, personalitetet kombëtare kur vijnë të gjallë nëpërmjet skulpturës janë jo vetëm një vepër artistike por mbi të gjitha vepra shpirtërore ku përceptohet imazhi ynë dhe vetëdija për heroin në fjalë.

Skulptori Fiqiri Kasa, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, deklaron se: “Vitet e fundit janë realizuar shtatore, buste, monumente të ndryshme me nivel të dobët artistik ku Kosova ka me shumicë por edhe Shqipëria nuk ngelet mbrapa. Arsyeja është e qartë, si në çdo fushë tjetër, në Shqipëri e Kosovë korrupsioni është shtrirë gjerësisht, mungesa trasparencës e konkursit dhe komisioneve serioze dhe profesionale sjellin këto rezultate, ku mes të gjithave futet edhe padija, nënvlersimi, paaftësia, ku edhe një amator konkuron në mënyrë të padrejtë mes skulptorve më të mirë” arsyeton skulptori Kasa.

Në sheshet kryesore të qyteteve më të rëndësishme historike të Shqipërisë sipas Fiqi Kasës “është për të ardhur keq që shohim këto skulptura të shëmtuara në sheshet e qyteteve tona, a thua sikur na mungojnë skulptorët. Shqipëria dhe Kosova kanë skulptorë të talentuar dhe nuk na mungojnë skulptorët, por mënyra e organizimit dhe e tenderimit të një monumenti publik, është përgatitur në një farë mënyre që të bëhet e paarritshme, dhe si përfundim e fiton tenderin ai që bën marrëveshjen që në  fillim pa u shpall tenderi” tregon për “Dielli” –n skulptori Kasa. “Kam bindjen se një pjesë e shtatoreve nuk do ti rezistojnë kohës, në një të ardhme jo të largët ato edhe mund të rimodelohen” shprehet i bindur Kasa. “Jam i mendimit që të paktën kur vjen puna tek Heronjtë nuk duhet eksperimentuar me figurat kaq shumë të rëndësishme për shqiptarët, siç është Gjergj Kastrioti, Shën Tereza, Adem Jashari, Ismail Qemali etj, se tashmë e kemi krijuar imazhin e tyre, e kemi të qartë, dhe ajo që kam vënë re tek një pjesë që kanë patur polemika është se janë të deformuara, në disproporcion, ku mungojnë elemetet bazikë të një figure, anatomia, fizionomia, pa plastik ,pa emocion, vlerë artistike zero, pra është një paaftësi prej amatori dhe jo një trajtim ndryshe prej artistit” shprehet i revoltuar skulptori Fiqi Kasa. Sipas Kasës skulptura në përgjithësi ka edhe kundërshtime dhe këndvështrime të ndryshme tek çdo skulptor, por jo në këto nivele. Më ka rastisur të punoj shpjegon Kasa, brenda pak vitesh disa nga figurat kombëtare, dhe jam munduar ti trajtoj në mënyren time por brenda karakterit dhe imazhit që shqiptarët janë mësuar ti shohin heronjtë e tyre, do isha dakort nëse do luanim me elementë të caktuar duke u bazuar nga kërkimet shkencore, historike, gravura, piktura, mënyra e qëndrimit, e shikimit, veshja etj. Sipas Skulptorit Fiqi Kasa, objektet që mbajnë në duar këta heronjë, ose figura të rëndësishme, nuk është nevoja ti paraqesim të gjithë luftëtarët me pushkë, ka dhe mënyra të tjera trajtimit që të tregojë që kjo figurë është një luftëtar dhe hero. Ndër punimet më të rëndësishme të Skulptorit Fiqi Kasa është një portret i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit me lartësi 8 metra në material metal dhe beton, është punuar në vendndodhje dhe ka zgjatur rreth 5 muaj realizimi, ndodhet në Labinot-Fushë 6 km larg qytetit të Elbasanit. Një tjetër punim është busti i Shën Terezës në bronz, lartësia 80 cm dhe ndodhet në Reç të Ulqinit- Mal i Zi dhe busti tjetër Gjergj Kastriotit i punuar me lartësi 120 cm në material Bronz ndodhet në Triesh të Tuzit në Malin e Zi. Skulptori Fiqiri Kasa në çdo punim që realizon si fillim shfleton dhe konsulton një mori studimesh historike, antropologjike, albanologjike dhe dokumente të tjera arkivore në mënyrë që të realizojë në përfeksion heroin e radhës në skulpturë. Skulptori Fiqiri Kasa ka filluar të krijojë portrete në baltë që kur ishte 10-të vjeç, ndërsa sot është kthyer në skulptorin më të famshëm në hapsirën mbarëshqiptare Shqipëri për shkak të punimeve të tij për heronjtë dhe personalitet shqiptare më të rëndësishëm në historinë e shtetit e kombit shqiptar.  

Filed Under: Featured Tagged With: Imazhi i heronjeve, Skulptori Fiqiri Kasa, Sokol Paja

KTHIMI NË RREGULL I NJË BOTE TË PËRMBYSUR DUKE LUFTUAR PANDEMINË

January 11, 2021 by dgreca

Nga ALDO CAZZULLO-Përktheu: EUGJEN MERLIKA/

Mbas Luftës së Madhe në artin qe il rappel à l’ordre, thirrja për rregull. U qetësuan tërbimet e avangardave e u rizbuluan mjeshtrit e rilindjes dhe klasiçizmi. Për të thjeshtëzuar: më parë piktorët kishin sprovuar: abstraksionistë, kubistë, futuristë. Më pas edhe vetë Picasso u kthye në artin figurativ, pra për të bërë figura (më vonë do të mohojë se ka vizatuar një kuadër abstraksionist gjatë gjithë jetës së tij). Ja, 2020 do të kujtohet në politikë si viti I kthimit në rregull ; gjë që në një botë të përmbysur nga pandemia, mund të duket kërshëruese.

Për të thjeshtësuar: nëntëqindi është shënuar nga komunizmi që predikonte diktaturën e një klase shoqërore; nga fashizmi që teorizonte mbizotërimin e një race apo të një kombi (sigurisht të tijin) mbi një tjetër; e të liberalizmit, i bindur që liria e sipërmarrjes dhe e tregëtisë me kohë do t’i kishte sjellur përfitime çdo klase shoqërore e çdo Vëndi. Fashizmi u thye me luftën e dytë botërore, komunizmi me luftën e ftohtë. Në fillimin e shekullit të ri u duk se edhe vetë liberalizmi ndjehej keq. Më parë 2008 e krizës së madhe, pastaj 2016 e Brexit dhe Trump-it dukeshin se i kishin dhënë një goditje vdekësore idesë së shkëmbimit të lirë, të globalizimit të lumtur, të rritjes së përherëshme, me një fjalë të demokracisë liberale.

Nëse një vit më parë ndonjëri do të profetizonte një pandemi të aftë të shkaktonte shëmbjen e prodhimit e të punësimit, të bllokonte fluturimet ndërmjet Evropës e Amerikës, madje të na ndalonte të dilnim nga shpëpia, do të kishim menduar se ishte gati për të shpërthyer revolucioni. Ndërsa ndodhi e kundërta. Kthimi në rregullin, pikërisht; ose së paku kështu duket, Trump-i ka humbur një zgjedhje që pa Covidin me gjasë do t’a kishte fituar, e Shtetet e Bashkuara kanë zgjedhur presidentin më të moshuar të historisë, një demokrat të qëndrës; një tip “normal”. Brexit ka pjellur më së fundi një marrëveshje që shpëton tregun e përbashkët mes Londrës dhe kontinentit. Jo vetëm, pa Brexit ndoshta nuk do të ishte hovi i Evropës. 

Risia e madhe e vitit është që, mbi valën e krizës shëndetësore dhe ekonomike Angela Merkel i hapi portën borxhit të përbashkët evropian. Një veprim që mund t’i a dorëzojë historisë si shtetaren e parë t’Evropës e jo vetëm si shtetaren e fundit gjermane; edhe se mbi vaksinat Berlini është zhytur përsëri në egoizmin e zakonshëm në dëm të aleatëve. Evropa sigurisht nuk i ka zgjidhur problemet e saj; paratë e Next Generation Eu ende nuk janë parë; megjithatë Gjermania e Franca, Vëndet e mëdha të qeverisura fuqishëm nga qëndra, kanë rifituar qëndërsinë e tyre, ndërsa revanshizmat e përhapura në Lindjen evropiane janë riçuar në përmasën e tyre, shqetësuese por jo detyrimisht të zgjidhëshme.

Në Itali, kthimi në rregullin ka shënuar si zgjedhjet vendore, si vijën e partive që njëherej quheshin populiste. Të djathtët në Campanjë e Puglie kanë rizgjedhur De Lukën dhe Emilianon; venetët dhe ligurët e së majtës kanë votuar Zaian dhe Totin. Aty ku nuk kishte një dalës si në Toskanë, u ripohua sistemi. Pesë Yjet kanë kaluar nga Jelek Verdhët tek Macroni. Lega pyet veten a është vërtetë rasti të qëndrojë përkrah Marinë Le Penit – që këtë vit ka hequr dorë nga tonet skajore – apo të bisedojë me gratë që komandojnë vërtetë Evropën: Merkel, von der Layen, Lagarde.

Kjo nuk do të thotë aspak që 2020 ka shënuar fundin e sovranizmit. Aq më pak në Vëndin ndoshta më  të dobët të Perëndimit, që mjerisht është Italia. Prova e jashtzakonëshme e dhënë nga shoqëria qytetare – nga mjekë e infermierë që kanë luftuar pandeminë në rrjeshtin e parë, deri tek punëdhënës e puntorë që kanë qëndruar fuqishëm – nuk mund të fshijnë gabimet e klasës drejtuese. Shtresat më në dukje të ngasjes sovraniste janë ato më të goditurat nga kriza: shtresat popullore janë dobësuar më shumë; është zgjeruar gërshëra ndërmjet atij që është i siguruar e atij që nuk është, ndërmjet atij që mund të punojë në smart-working e të marrë pagesën e plotë dhe popullit të autonomëve, të zejtarëve, të të punësuarve përkohësisht.

Veç asaj po fillohet të kuptohet se Evropa ka bërë një gabim mjaft gjëmëmadh, duke synuar pothuajse gjithshka mbi një vaksinë që ende nuk është e të porosisë pak doza të asaj që është.  Për pasojë Kina , e dalë më përpara nga piskama, do të ndiqet nga Amerika, jo nga kontinenti i ynë; me përjashtimin e vetëm të Gjermanisë që po kërkon rrugën e shkurtër që nuk i bën nder.

Mbas Luftës së Madhe nuk erdhi në politikë kthimi në rregull. Erdhën revolucione komuniste e fashiste. Historia nuk përsëritet kurrë dy herë, madje: “Nuk kthehet kurrë më asgjë”, siç qorton Francesco de Gregori; dhe fakti duhet të pranohet “si një fitore”. Por nëse Evropa nuk do t’arrijë të vaksinojë në mënyrë të kënaqëshme qytetarët e saj – duke mbrojtur përveç të moshuarve edhe punonjësit veprues – , as të mos krijojë punë me paratë e Recovery-t, atëherë 2021 do të sjellë të tjera të papritura; dhe jo pozitive.

“Corriere della Sera”, 28 dhjetor 2020      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: ALDO CAZZULLO, Bote e permbysur, Eugjen Merlika

Qeveritarë që të këpusin shpirtin

January 10, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Eshtë bërë virale në internet një video ku disa qeveritarë shqiptarë darkojnë në një restorant në Dubai. Po pse ore si i dini qeveritarët tuaj ju, të varfër? Nuk kanë lekë sa për të ngrënë një drekë a një darkë në Dubai? I ngatërroni me veten ju që mezi shkoni një fundjavë në ndonjë lokal fshati? Se jo për gjë por kohët e fundit, jeni bërë dhe shumë bio. E doni gjithçka bio. Si kujtoni se nuk kanë lekë të shkojnë deri në Dubai ata? Nuk kanë me çfarë të ikin? Ta porosisin një tavolinë ku deri femrat me gjak të pastër arab të dredhin belin sipër tavolinës. Po ju paskeni mbaruar. Kaq fisnikë i dini ata sa me të vërtetë nuk kanë nga bredhin nëpër lindjen e mesme a të largët. Ata po i ha të gjallë euro-ja dhe dollari, leku kurse ju uji, mola, tërmeti, covidi, grindja. U rrofshin mëritë me njëri-tjetrin. Aq sa shqyheni edhe për firot dhe arritjet e Donald Trumpit në Amerikë. Dhe çfarë është për t’u theksuar ka të bëj me atë që mirë rrjeti bën humor, se në fund të fundit përkon edhe me një situatë përmbytjesh, ajo gangrena tashmë 30 vjeçare e mbi mungesën e investimeve në shtratifikimin e lumenjëve dhe kanaleve kulluese a hidrovorëve. Kurrë nuk e kuptuan se sa i rëndësishëm është një planifikim i tillë mbarë kombëtar sidomos për zonën e Lezhës dhe Shkodrës. Me faktin që plot qytetarë presin akoma për t’ju ndërtuar shtëpia nga tërmeti i dimrit të 2019-ës, për më keq që përkon me situatën e rëndë të pandemisë, me urdhëresat për shtet rrethim, për mbyllje pas orës 8 a 10. Me korrupsionin në investime ku për më keq akoma  asfalti thyehet e del si copa çokollatash, pra cilësia e dobët e investimeve fasadë. Dhe  mirë rrjetet sociale, po kërcen kryeministri e debaton me njerëzit në faqen e tij në fb. U hakërrohet që një i tretë ua ka paguar shpenzimet. I duket për mburrje që një i tretë të paguan, një tretë të ndërton rrugë, spitale. Kurse ti vetëm gërrvërr me qytetarët. Gati të na mbysi dhe mirë e ka se ne i dimë ministrat tanë kothere. Për gjynaf, të shkretët. Nuk e kanë bërë milionin e eurovë për kokë personi në familje akoma. Se sa të mbulon një i tretë e dinë mirë shumë nga ata që janë pjesëmarrës në samite, a, work shop-e. Madje pijet alkolike janë komplet jashtë standartit. Dhe kush e porosit e ka nga xhepi sa nuk e luan topi. Për më keq akoma kur thua nga një i tretë, sepse do të thotë që je i kapur pasi ai që po të paguan shpenzimet do mbrapsht një tender.  Për më keq akoma kur dalin shtypistat me xhel në kokë dhe ulërasin se, çfarë do hanë qeveritarët, suflaqe? Mirë e ka se, ne i dimë akoma kothere qeveritarët tanë. Pastaj janë qeveritarë ata, ”dinjiteti” i shtetit. Megjithëse ca javë më parë ndezën gjithë webet ku i kanë e ku nuk i kanë, si në Tiranë dhe Prishtinë për shpenzimet ditore të presidentes në detyrë të Kosovës, zonjës Vjosa Osmani gjatë qëndrimit të saj dy ditor në Shqipëri. Ishin kaq modeste sa ta mendosh për titullin që mban dhe ata që i përkasin protokollit etj., të emocionon modestia e shtetarit tënd. Mirëpo shtypistat e Tiranës i quanin dramatike. Madje ulërinin megjithëse një shishe vere në Dubai mund të kushtoj sa gjysma e shpenzimeve ditore të presidentes Vjosa Osmani. Boll më për Zotin. Mos u kacafysni me fjalë me Edi Ramën se, nuk dini gjë fare. Aq fonde sa lëvrohen në Shqipëri, vendi ishte bërë njëqind herë. Por kush e beson.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Qeveritaret tane

MJAFT ME TIFOZERI TE SEMURE!

January 10, 2021 by dgreca

Nga Thanas L. GJIKA/ Tifozëria (tifozllëku), kur përjetohet me tepri e bën njeriun të sëmurë mendërisht, pa e kuptuar ai vetë. Kur një person është tifoz i sëmurë, pra simpatizant i tepruar ndaj një ideje, njeriu, grupi shoqëror, ose partie politike, kjo e bën atë të pakënshëm në shoqëri. Një tifoz i sëmurë është i pakëndshëm në shoqëri sepse ai shpreh simpati të tepruar për një ide, person, grup shoqëror, ose parti politike pa dhënë argumente logjike dhe fakte reale, por vetëm se ashtu i është mbushur mendja atij. Me një fjalë, një tifoz i sëmurë mund të quhet njeri me tru të shpëlarë, që nuk ha logjikë, po shprehet e vepron vetëm sipas disa idesh fikse që i janë ngulur në kokë prej kohësh dhe nuk pranon të ndërrojë mendimin, opinionin e vet, nuk pranon të evoluojë në përputhje me rrethanat shoqërore.

Tifozi i sëmurë është i keqi i vetes dhe i familjes, sepse ai zihet dhe me njerëzit e familjes që mendojnë ndryshe, por kur tifozëria bëhet pjesë e mendësisë së një grupi të madh shoqëror, ajo kthehet në një dukuri me pasoja shkatërrimtare për mbarë shoqërinë e një vendi. Kur tifozëria merr përmasa globale bëhet rrezik për mbarë njerëzimin, si u bë komunismi në vitet 1945-1989.

Të gjithë ne që u lindëm e u formuam në shkollën socialiste gjatë regjimit komunist, u brumosëm me dashje a padashje me simpati të tepruar ndaj ideologjisë socialiste-komuniste. Kur na pyesnin vizitorët e huaj që na takonin: “Si jeni?, ne u përgjigjeshim: “Mirë, shumë mirë”. Këtë përgjigje e jepnim sepse ashtu mendonim, sepse nuk e dinim se sa të varfër ishim, se sa shumë të drejta na mungonin. Ne ishim njerëz me tru të shpëlarë. Ne ishim të tillë sepse ishim bombarduar gjatë gjithë jetës nga propaganda e partisë-shtet e cila e paraqiste jetën e botës kapitaliste si jetë në vuajtje, ku masat e popullit shtypeshin e shfrytëzoheshin nga kapitalistët. Në këto vende ne dëgjonim se masatpopullore ishin të pakënaqura dhe ngriheshin në greva, etj. Kjo propagandë na i mbushte mendjen se ne që jetonim në sistemin socialist ishim njerëz të kënaqur, sepse edhe pse na mungonin disa gjëra, ne punonim e sakrifikonim për të ardhmen e lumtur komuniste. Me një fjalë, ne nuk e kuptonim se njeriu në kapitalizëm ngrihej në greva sepse kishte të drejtën e grevës, të cilën e shfrytëzonte për të përmirësuar jetën e vet. Kurse ne votonim për kandidatët që ishin vënë në listë pa na pyetur kush, dhe nuk e vrisnim mendjen se ne nuk e kishim të drejtën e votës së lirë.

Në vitet 1990-1992 edhe në Shqipëri u pranua se sistemi socialist kapitulloi si sistem politiko-shoqëror dhe si ideologji. Pas vitit 1992 edhe në Shqipëri u krijuan kushte që shumë shqiptarë me shkollim mesatar e të lartë të ecnin në rrugën e re të formimit larg programeve të partisë-shtet. Por njerëzit që i kishin shërbyer sistemit të vjetër, duke mos pasur kurajo që të pranonin gabimet e krimet që kishin bërë në kohën kur ishin shërbëtorë të regjimit komunist, filluan të luftonin për ta paraqitur sistemin socialist si sistem më të mirë se sistemi i ri i ekonomisë së tregut të lirë. Këta njerëz mbas vitit 1992 kur u ndërrua regjimi, u bënë edhe më tifozë të sëmurë të socializmit. Duke qenë shumicë, ata e dëmtuan ecurinë e demokracisë së brishtë, mbushën partitë e reja opozitare me ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe arritën të krijonin një klasë politike që i shërben enverizmit, mban gjallë nostalgjinë komuniste dhe i mban masat popullore të trembura, trushpëlara, që nuk e njohin forcën e votës së lirë. 

Kam frikë se në Shqipëri ka shumë pak njerëz që punojnë për të kthjelluar popullin nga tifozëria e sëmurë prosocialiste, kështu që më 25 prill votuesit shqiptarë mund t’ua japin votën po shërbëtorëve të enverizmit, prej të cilëve kanë vuajtur 75 vjet, të cilët pas viteve 1990-1991 quhen socialistë pa qenë eurosocialistë, ose demokratë pa qenë demokratë të vertetë…

Filed Under: Analiza Tagged With: Mjaft, Thanas L.Gjika, Tifozeri te semura

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 240
  • 241
  • 242
  • 243
  • 244
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT