• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mohimi i Kolosit

October 21, 2016 by dgreca

Konica – “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë”/

1-viti-konica

Dy Esse per Konkursin kushtuar Faik Konices/

anton-cefa

1- Mohimi i Kolosit/

NGA ANTON CEFA/

Nga fundi i viteve ’50 dhe fillimi i viteve ’60, kur fryma liberale e Hrushovit u duk se po fillonte të shkrijë ngricat e hapësirës së jetës shqiptare dhe të kulturës sonë, u ngarkuan profesorët Vehbi Bala dhe Jup Kastrati të përgatitnin nga një monografi, i pari për Fishtën dhe i dyti për Konicën, për t’i riabilituar dy kolosët e mëdhenj të kulturës dhe të veprimtarisë kombëtare. (Duhet thënë se për regjimin diktatorial komunist mohimi deri në vdekje dhe riabilitimi deri në apoteozë i personaliteteve të ndryshme, sipar erërave të interesit politik, nuk përbënin ndonjë pengesë a vështirësi).

Në këtë rast, Dh. S. Shuteriqi – atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve, si dhe një ndër ideusit kryesorë të historiogarfisë sonë letrare – qe shprehur në mënyrë konfidenciale, ndoshta për të arsyetuar qëndrimet e tij: “Ne i nxjerrim nga dera, ata na futen nga dritarja” (Ishte fjala për Fishtën dhe Konicën). Dhhe megjithëse, këto ishin “fjalë veshi”, ato morën dhenë. Ishte etja për kulturën e vërtetë kombëtare, dëshira e madhe për njëfarë lirie si dhe shpresa se diç e mirë po ndodhte, që i përhapte ato.

Mirëpo menjëherë, me përcaktimin kategorik të Diktatorit që u deklarua haptas kundër “revizionizmit hrushovian”, në Mbledhjen e Përfaqësuesve të 81 Partive Komuniste që u mbajt në Moskë në nëntor të vitit 1960, as që mund të bisedohej më për riabilitimin e dy kolosëve dhe aq më pak për botimin e monografive për jetën dhe veprën e tyre., që ishin plotësisht gati dhe, me sa dimë, ishin dorëzuar për botim.

Si në çdo diktaturë, dhe diktaturat më të egra janë ato të kuqet, në Shqipëri, në çdo fushë e për çdo gjë, ka vepruar dikatati. Kjo është një dëshmi më se e qartë që vërteton se ndalesa e botimit të monografive për Fishtën e Konicën u bë thjesht për arsye politike.

Aq është e vërtetë sa, po në këtë vit, u shndërrua në letër romani “Krim e ndeshkim” i Dostojevskit, që ishte përfunduar së shtypuri dhe priste të dilte në shitje (dhe këtë fat pati edhe ndonjë vepër tjetër), ndërsa një përmbledhje poezish e poetit të madh rus Sergej Esenin, që qe botuar në atë periudhë, u fut menjëherëq në indeksin e librave të ndaluar të bibliotekave dhe u zhduk nga raftet e librarive.

Sigurisht, kishte përfaqësues të kulturës dhe të institucioneve kulturore që qenë fanatizuar mbas poltikës “largpamëse” të Partisë, ose të tillë puthadorë që ishin gjithnjë të gatshëm të plotësonin me një ëndje shtinjake çdo fjalë e porosi “të dhënë nga lart”; por kishte padyshim, bile edhe më shumë, edhe të tillë që nuk u vinte mirë për këto gjëra që po ndodhnin, por që nuk mund të bëzanin, sepse pipëtimma më e vogël donte të thonte “t’i biesh murit me kokë”. d. m. th. burgim e më pas internim, internim i familjes, vënie në shënjestër të “luftës së klasave” e farefisit, shokëve, etj.

Natyrisht, nuk mund të mohohen edhe qëllimet dashakeqe, impulset e gjelozisë dhe prirjet ambicioze e dukuri të tjera negative të psikologjisë individuale të shkrimtarëve e studiuesve të letërsisë, të cilat shpiegojnë zellin e tyre për të anatemuar zi e më zi të aftët.

Kritika letrare zyrtare nuk arriti deri në atë shkallë sa të mohojë talentin letrar, kritik e publicistik të Konicës, siç ndodhi në ndonjë rast me Fishtën, të cilit iu mohua edhe talenti.

Në tekstin e fundit zyrtar të historisë së letërsisë shqipe, që vinte deri në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, Botim i Akademisë së Shkencave, Institutit të gjuhësisë dhe Letërsisë, Tiranë, 1983), qenë “përjashtuar” nga letërsia shqipe Fishta, Konica, Mithat Frashëri, Koliqi, At V. Prendushi, Dom Lazer Shantoja, At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, Dom Ndre Zadeja, Arshi Pipa, Martin Camaj etj. Këta përmenden aty këtu vetëm sa për t’u hedhur baltë e për t’u diskredituar me çdo kusht. Konica në këtë tekst rreshtohet në të ashtuquajturen “rrymë reaksionare” të letërsisë sonë, ku përmenden si kryesorë edhe Fishta e Sqiroi (f. 112).

Lidhur me vepra të tilla si “Shqipëria si m’u duk”, “Dr. Gjëlpëra . . . “, etj., është thënë se “shpesh e paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesim në një të ardhme të përparuar dhe, përgjithësisht, në forcat popullore përparimtare”. (Po aty, f. 471).

Errësohet fakti se veprat madhore letrare Konica i shkroi në vitet ’20 e mbas, kur pati përfunduar nevoja e “mitizimit” të vlerave etnopsikologjike të popullit tonë, e cila qe përcaktuese në periudhën e Rilindjes; në atë periudhë kur rilindësit punonin për të zgjuar vetëdijen kombëtare. Mbas formimit të shtetit shqiptar, në plan të parë dilte formimi i qytetarit, bile i qytetarit demokrat dhe prandaj Konica dhe shkrimtarë të tjerë u përpoqën të nxirrnin në pah të metat e tij, për t’i ndrequr.

Ndërsa në hullitë e veprimtarisë atdhetare, Faiku etiketohet si “politikan i paskrupull”; për “Albaninë” thuhet që u vu në shërbim të poltikës austro-hungareze ndaj Shqipërisë.

Në fushën e kritikës letrare, Konica akuzohet se mbrojti pikëpamjet regresive, sipas të cilave “kritika nuk është shkencë”, se “kritika është subjektive”, etj. Natyrisht, Konica, ndër të tjera, pohonte që “kritika letrare nuk është një shkencë, ku çdo e thënë mund të pohohet me dy e dy bëjnë katër”. E thënë qartë, me saktësi dhe bile në formë matematike! A mund të hidhet poshtë një gjë e tillë? Mandej, a mund t’i hiqet subjektiviteti gjykimit të një vepre letrare? Sigurisht që estetika e kritika letrare e Konicës nuk kishte si të mbështetej e të përfitonte nga metoda “shkencore” e realizmit socialist dhe sidomos nga mendimi teorik i P. P. SH.-së dhe shokut Enver Hoxha!

Kritika letrare zyrtare e ka paditur Konicën edhe sepse “u prir më shumë nga rrymat estetizante e impresioniste të kritikës borgjeze të fundit të shek. XIX” (Idem, ibidem f. 127). Për kritikën letrare të realizmit socialist, rrymat estetizante e impresioniste dhe çdo rrymë tjetër e filozofisë, estetikës dhe kritikës letrare “borgjeze” ishin një sakrilegj, para së gjithash politik. I mbështetur në dijenitë e tij të gjera rreth kulturës dhe letërsisë botërore dhe falë talentit të tij, Konica nuk qe thjesht nismëtar në këtë fushë; ai i vuri themele kritikës sonë letrare. Ndonjë rrëshqitje e shkaktuar sa nga shkaqe letrare aq edhe nga shkaqe jashtëletrare, siç ishte rasti i Naimit, i trajtuar drejt nga Sabri Hamiti në veprën “Faik Konica: jam unë” si një temë-obsesion për Konicën, dhe në të cilën u shfaqën “hujet dhe huqet” e tij, nuk qe dhe nuk u paraqit ndonjëherë si shkaku kryesor pët ta “përjashtuar” atë nga letërsia shqipe.

Veç kësaj, Konica nuk u përjashtua vetëm nga letërsia, ai u “përjashtua” nga e gjithë veprimtaria e tij atdhetare dhe mbi personalitetin e tij u hodh për afër 50 vjet një baltë e neveritshme.

2- Konica – “Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë”

“Për shpiriten e Vatrës jam resposible unë” – një dëshmi e gjallë e një ndergjegjeje, që pohon, zotohet e merr përsipër pasojat deri në fund e pa asnjë kusht.

Është kjo responsible, me të cilën shpirtësove tek mërgimtarët shqiptarë shpirtin e bashkimit në emër të një ideali, idealit të shenjtë kombëtar. Tingëllon si një kushtrim kundër përçarjes: “Të realizojmë shpiriten e bashkimit që të mos humbasim!”

Është kjo responsible, me të cilën shpirtësove tek shqiptarët idealin e qytetërimit, në emër të përparimit. “Të përhapim mes shqiptarëve të Amerikës stërvitjen dhe doktrinat morale!”

Është kjo responsible, me të cilën shpirtësove tek shqiptarët shpirtin e demokracisë në emër të së ardhmes.Është kjo dëshmia që shkëlqen me virtytin e moralit, moralit të veprimit, veprimit të detyrës,detyrës së ngadhnjimit.

Është kjo resposible, që të bënte luftëtarin më të zjarrtë të evropianizimit të shpirtit shqiptar, që tingllon aq aktual në dtët tona; por që politikanët tonë ia kanë mbyllur dyert.

Fjalët tua, mësimet tua, kanë qenë dhe mbeten profetike. Ja një nga profecitë: Shqipëria “U-ngjall nga idealistët, U-ruajt nga rastet, U-vra nga politikanët.” A nuk po e vrasin sot politikanët kuqalosha!

Vatra e shpalli këtë vit, Vitin Tand. Do të jesh gjatë këtij viti i pranishëm në mendjet e në zemrat e gjithë shqiptarëve të vërtetë, atyre shqiptarëve që e duan Shqipërin siç e ke dashur Ti.

Do të dritësohemi duke kujtuar fjalët tua, do të ngrohemi në flakët e zjarrit të dashurisë suaj për Atdheun, do të përpiqemi të ecim në gjurmët e tua.

Dhe së fundi, është kjo responsible që ne e lëmë në hije, që na mungon, a më tej që na e mohojmë, a edhe më përtej e qestisim, e kundërshtojmë dhe e luftojmë.

*   *   *

Përkrah Nolit, me bashkëluftëtarë të përkushtuar si Kristo Floqi, Kristo Kirka, Paskal Aleksi, Llambi Chikozi, Elia Tromara, Kosta Vasil, bashkove shoqatat e fshatrave dhe themelove Vatrën, këtë Kështjellë Kombëtare, Vatrën e dritës dhe të ngrohtësisë, dritës sëshpirtit, ngrohtësisë së zemrës; Vatrën që edhe sot e kësaj dite edhe pse e plakur në moshë, është më e re se kurrë.

Në nyjën e parë të Kanunores së Vatrës, shënove si detyrë të parë të sajën: “Të ritë në mes të Shqipëtarëve t’Amerikës, dhe me  anë të tyre në mes të Shqipëtarëve të Shqipërisë, shpiritën e ndihmës  në mes të tyre edhe të dashurisë për kombësin’ e tyre . . .”

Në farkën e Vatrës u kalitën vargane pas varganesh luftëtarë të rinj si Kosta Kotta, Naum Cere, G.Konda Gjoleka, Efthim Natsi, Ilo Zografi, Vani Çekani, Thoma Nassi, etj., brezni pas breznie, deri në ditët tona.

Vëllezër, të mos i harrojmë këto emra, por t’i kujtojmë e t’i mbajmë në shpirt se na ndriçojnë, t’i ruajmë në zemër se na ngrohin. Këto emra janë të madhërishëm, t’u përulemi; janë të shkëlqyeshëm, të ndriçohemi, janë të përjetshëm, t’i ndjekim !

 

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Anton Cefa, Konkursi-Konica, Mohimi i Kolosit

GJIGANTI AT GJERGJ FISHTA DHE LILIPUTËT QE SULEN KUNDËR TIJ!

October 21, 2016 by dgreca

1 fishta ok

Nga Islam Spahiu/Ish i dënuar politik/

PREMISË – Duke shfletuar shtypin e ditës, hasa disa artikuj ku trajtohej figura e At Gjergj Fishtës. Këtë nismë e paskan marrë ca enveristë të njohur – sidomos njëri syresh – duke hapur kështu një debat, të thuash publik. Duke e ndjerë veten te pa-parapërgatitur (për arsye subjektive) nuk desha t’i hyj kësaj “valleje”. Mirëpo, tek shihja portretin e Poetit tonë kombëtar, të paraqitur në gazeta si objekt sulmi, m’u ngacmuan kujtimet e fëmijërisë për të cilat Dostojevski ka thënë që, mjafton një nga ato, kur është i shenjtë, e vlen më shumë se edukata e një jete të tërë. Kështu është vërtet, veç para se të parashtroj mendimin tim për këtë çështje, do të desha të tregoj ca prej tyre. Pata dëgjuar fjalimin që mbajti Enver Hoxha nga ballkoni i bashkisë, para sheshit “Skënderbej”; ishte viti 1946, në “kulmin” e “miqësisë” së tij me Titon. Duke dashur të shfaqë gjoja “dashurinë” e popullit tonë për Jugosllavinë e Mareshalit Tito, e deklaroi me zë shumë të lartë: “Ndjenjat e Fishtës nuk janë ato të popullit shqiptar!” Isha në moshën 16 vjeçare, e thashë me vete: Si gënjen pa skrupul ky njeri. E kujtimi më ktheu disa vite mbrapa, kur vazhdoja shkollën fillore në fshatin e lindjes, me mësues tim-atë. Qe koha e mbretit Zog. Në atë shkollë këndoheshin këngë të poezive të Fishtës, e ne të vegjlit rrëqetheshim duke kënduar:

Edhe hana do ta dije,

edhe djelli do t’ket pá

se përqark ksaj rrokullie

si Shqypnija i’ vend nuk ka!

E po në atê kohë, nëpër darsmat e malësorëve këndoheshin këngë trimërie e kreshnike. Nuk isha më shumë se 8 vjeç. Në një rast të tillë hyra te dhoma e burrave e dëgjova dy rapsodë që po këndonin këngën e Oso Kukës. Ata si analfabetë që ishin, nuk e dinin që atë këngë e kish shkruar një frat shkodran. Por ashtu siç ishin, me qeleshet e mbështjellat me shami, e musteqet “vesh e m’vesh” dukeshin vetë legjendarë tue vikatë:

Ke bje dielli e ke merr hana

Oso Kukë nuk ban ma nana

As n’beglerë e as n’kapidana!

– Kur këndohej kënga, “dhoma e miqve” ishte mbushur plot me burra malësorë, të ulur këmbëkryq, të heshtur ndërsa pinin duhan. Atmosfera e dhomës e mbushur me tym të turbullt, të reflektuar nga kandilët apo zjarri i oxhakut, krijonte një fantazmagori: të gjithë tashmë ishin në ekstazë; një solemnitet dehës. Kur e kujtoj këtë skenë shpeshherë mendoj: sa i ulët apo i cekët duhet të jetë ai njeri që edhe sot mendon si Enver Hoxha dikur. E shumë vite më vonë, pasi mbarova Liceun Artistik, (ku për pak më përjashtuan nga shkolla), sepse si adoleshent me temperament sanguin nuk pata kujdes, por, i ekzaltuar, u recitoja shokëve poezitë e Fishtës, ato që sot e kësaj dite i di përmendësh. Pasi m’u anulua bursa për studime jashtë shtetit nisi kalvari: u internova e pastaj u arrestova dhe u dënova për akuzën “agjitacion dhe propagandë” që tashmë ish bërë e zakonshme nën diktaturë (ky nen nuk ka ekzistuar në asnjë vend tjetër të botës komuniste). Një ndër çështjet që ishin radhitur në proçesin gjyqësor, ishte admirimi im për At Gjergj Fishtën. Kur prokurori më pyeti: “Ç’ne ti në këtë moshë, ku ke rënë në kontakt me veprat e atij, për të cilin shoku Enver ka thënë ‘Rroi e vdiq si akademik i fashizmit’?”. E këtu po tregoj pa u mburrur si u përgjigja: “Së pari ai ka qenë anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë e jo i një partie. Unë e kam çmuar si nder këtë edhe për popullin shqiptar, kur kemi parasysh që Italia është një shtet europian. Edhe pas kapitullimit të fashizmit, pra edhe pas luftës, Akademia në fjalë ekziston dhe emri i At Fishtës qëndron aty. Pastaj, përsa i përket se si “rashë në kontakt me veprën e Fishtës” u përgjigja kështu: Kur unë vazhdoja shkollën fillore, ishte koha e regjimit të mbretit Zog I-rë, dhe Fishta në atë kohë ishte shpallur Poet Kombëtar. Në librat e këndimit ishin poezitë e Fishtës të cilat ishin muzikuar dhe ne i këndonim me emocion, si psh:

“Edhe flamuri i Shqypnisë

Si flak mnije e Perëndisë

Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik po do t’valvitet

Kuqezi flamuri i shqyptarve

Përse toka shqyp ku flitet

Ajo vetë asht, qi prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrend i huej, jo, ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë, kur vjen për mik.”

Këto vargje nuk i citova në gjyq se nuk të linin po i kisha ndërmend kur iu përgjigja prokurorit se ç‘ish arsyeja që isha i prirur ndaj vargjeve fishtjane. E mbaj mend mirë përgjigjen që dhashë, fare sinqerisht: Ato poezi më kanë ushqyer atdhedashurinë bashkë me qumështin e nënës. Çuditërisht trupi gjykues heshti dhe nuk bëri asnjë vërejtje për këtë. Nuk e kapa menjëherë këtë, veç më vonë e kuptova se pohimin tim e vlerësuan nga ana teknike. Ishte pranimi i akuzës dhe nuk pengonte procesin.

Besoj rrëfimi i mësipërm mjafton si premisë. Më poshtë po mundohem të ballafaqohem me enveristët e ditëve tona. Nuk besoj ta kem të vështirë sepse kam aleat figurën e një titani; kundërshtarët janë shumë të vegjël.

Në gazetën DITA të datës 14 gusht 2016, lexova me shumë interes artikullin e Hasan Ulqinit me titullin Faiku që nuk njohim. Dhe më vonë, po në këtë gazetë lexova po mbi këtë temë, artikujt që m’u dukën akoma më interesantë, të Fitim Çaushit, e që janë: 1. Faik Konica miti i një matrapazi – 2. Faik Konica, luftë Luftës se Vlorës – 3. Faiku: Zuzarët nga Frashëri! – 4. Konica me Esadin kundër qeverisë së Vlorës – 5. Faiku spektakël lajkash me Zogun. – Pasi i lexova këto analiza mbi këtë personalitet prestigjioz të letrave shqipe, mbeta sa i impresionuar aq i habitur nga këto hollësira që nuk i dija. Nga ana tjetër, më erdhi mirë që u demaskua një figurë të cilën, për arsyet që dihen, lobi grek po përpiqet ta përdorë këto kohët e fundit për të errësuar imazhin e Nolit tonë të madh.

Para ca kohësh kur më ra në dorë libri voluminoz Fan Noli i Nasho Jorgaqit, m’u dha rasti t’i shtrëngoj dorën dhe ta përgëzoj sinqerisht autorin; por pak më vonë, çuditërisht po e shihja që ky në media po e lavdëronte me superlativë Faik Konicën, më parë mik pastaj kundërshtar i Nolit, do të thosha si Niçe me Vagnerin. Prapë m’u dha rasti dhe e pyeta Jorgaqin për këtë gjë. Ai më shpjegoi me këndvështrimin e tij. E quante Faikun gjeni (!!!). –Se si mund të jetë gjeni një që nuk ka asnjë vepër, këtë vetëm ai e di. – Sigurisht këtu kisha të bëja me një  zhgënjim nga ana e ime, dhe m’u kujtua epigrami i njohur i Nolit:

“Dhe Faiku faqe ndërron

Die shante sot lavdëron

Fryn bulçitë e trumbeton

Që katrani zbardhëllon”.

Epo, të tillë janë ata që ndërrojnë fytyrën. Por këtu na vjen rasti më i çuditshëm akoma: Fitim Çaushi paska nisur një fushatë tjetër fatkeqe: kësaj radhe e paska me gjigantin e letrave shqipe, Patër Gjergj Fishtën. Por edhe kjo mund të kishte një kuptim nëse nuk do të ishte absurdi që ky qenka mik i Jorgaqit me të cilin bie në kundërshtim përsa i përket Konicës. Atëherë: si është e mundur? Çdo gjë mund të jetë kjo përveç ndershmërisë. Këtu kemi të bëjmë me liliputë që i kundërvihen një gjiganti. Arsyet janë të shumta, na mjaftojnë këto që po parashtrojmë më poshtë:

Fitim Çaushi, sulmin kundër Fishtës e fillon ndaj një Gurakuqi të rremë për të cilin nuk dua të flas gjersa ky me deklaratat e tij rezulton të jetë një militant i PD, dhe çështjen në fjalë e banalizon me sloganet Edi Rama dhe Blloku i tij i aventurierëve kanabistë. U çudita kur mësova që ky zotëri na qenka profesor universiteti ndërsa jetoka me mentalitetin e një vulgari. Mjafton ky fakt, me të cilin do t’i jepja të drejtë Fitimit, por ai, duke e çuar më tej analizën, siç duket nuk bën më dallim nga Gurakuqët e rremë, me ata të vërtetët, por “rrëshqet përpjetë” duke i atribuar Luigj Gurakuqit historik, ide e veprime që nuk kanë qenë kurrë të natyrës së tij. Autori i artikullit në fjalë shkruan: “Po t’ishte gjallë Luigj Gurakuqi në vitin 1940, të parin që do të godiste, do t’ishte Gjergj Fishta, sikundër goditi Faik Konicën me shkop kokës në Vlorë, kur tentoi ta shkëpuste nga Ismail Qemali për ta lidhur me Esat Pashën”. Mirëpo, këtë lajthitje e hedh poshtë Gurakuqi i pavdekshëm me kushtimin monumental të veprës së tij «Vargënimi në gjuhë Shqype» :

Fort të ndritshmit Zot

AT GJERGJ FISHTA

Qi me vepra të larta e të shkëlqyeshme

I fitoi nderë e famë të pasosme

Zanave shqyptare

Në shej çmimit e bindjet

Ket punë të vogël

Auktori i përvûjtun

Kushton

Do të mjaftonte ky kushtim për të kuptuar se kush ishte Patër Gjergji dhe kush ishte miku i tij, “vigani liberator” siç e pat quajtur Noli, Luigj Gurakuqin. Por, jemi të shtrënguar t’i përgjigjemi fushatës propagandistike të komunistëve të sotëm që, çuditërisht, si asnjëherë tjetër kanë ndërmarrë këto kohët e fundit kundër vlerave më të mëdha të patriotizmit tonë kombëtar. Fitim Çaushi, çuditërisht e pranon që Gjergj Fishta njihej si kundërshtar i vendosur i Italisë, – por pastaj aty për aty rrëshqet: – por pas, 7 Prillit u mbulua me nder e shpërblime nga italianët, çka ndërroi qëndrimin dhe filloi bashkëpunimin me italianët. – Këtu kemi të bëjmë me një pohim të vërtetë në fillim i cili ndiqet me sajime e thashetheme nga më grotesket. Alergjia instinktive e një komunisti të indoktrinuar gjer në palcë, përpiqet me çdo kusht të eliminojë kundërshtarin në mënyrën më trashanike duke u bërë qesharak. Jo vetëm kaq, i verbuar nga urrejtja luan rolin e injorantit duke u bërë edhe cinik. I themi këto me këtë logjikë: Fishta pra, paska qenë i njohur si kundërshtar i Italisë; por këtu do të ndalemi dhe ta shqyrtojmë këtë dukuri. Kur themi për dikë apo për diçka që njihet, këtu nuk kemi të bëjmë me një thënie “kalimthi” apo me ndonjë individ të rëndomtë, por me një opinion publik, me një shoqëri të tërë. E këtu nuk ka kotësi. Ndërsa ajo që përcjell artikullshkruesi, pas 7 prillit 1939 kur qenka mbuluar me ndere e shpërblime nga italianët, e çka ndërroi qëndrimin e filloi bashkëpunimin me italianët, është pa asnjë bazë dhe vërtetohet lehtësisht e kundërta. Pas pushtimit (7 prill 1939) Fishta nuk është parë në publik. Por ka një fakt tjetër që e shemb përtokë kështjellën prej kartoni qe ngre komunisti enverist: në librin e shkrimtarit të njohur Injac Zamputi, “Fishta – koha, njeriu, vepra” lexojmë: “Akademik i Italisë (Fishta) duke qenë në konferencën që mbajti në kinemanë “Rozafa” për s’di se çfarë rasti përkujtimor – në fundin e jetës së tij, – e solli fjalën te paralelizmi i pushtimit fashist me pushtimin romak të lashtësisë. Dhe pati guximin të fliste për rezistencën që hasën romakët ndër fiset dhe mbretëritë ilire, deri tek kryengritja e kryesuar prej Batos. “Të gjitha këto – përfundoi ai – ndodhën sepse Ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vend të lirisë të cilën mburreshin se po ia sillnin botës bashkë me drejtësinë romake”. Aluzioni ishte i qartë. Nuk plasi skandali, por në fytyrat e të gjithëve lexohej habia e madhe për këtë guxim. Ç’rrjedhime do të kishte pasur nuk e dij, sepse në fund të atij viti Fishta vdiq.”

Atëherë, kështu e mbylli jetën ky njeri i madh dhe nuk u la kohë anatemuesve, “flirteve” ala-jorgaq, për të vazhduar lojën djallëzore. Mund të mohosh me fjalë edhe një realitet, por kur është fjala për pavdekësinë kushdo që i kundërvihet dështon. Jean Paul Sartre ka thënë “Ne jemi veprat tona”, e nëse është kështu, vepra universale e Fishtës nuk vdes për sa kohë flitet gjuha, bilbil i së cilës pat qenë ai vetë. Me atë vepër ai, si Horaci i lashtësisë, i ngriti monument vetes, një monument të atillë për të cilin poeti i madh latin pat shkruar: “Kam ngritur një përmendore më të qëndrueshme se tunxhi e më të lartë se piramidat e pamatura mbretërore; këtë përmendore, as shiu rrënues, as Akuiloni i tërbuar, as vargu i pambarim i vjetëve, as rryma e kohëve s’do të mund ta dërrmonin”. Kështu e ka dhe Fishta ynë i madh, të gjitha këto dukuri që përmend Horaci nuk kanë për ta rrëzuar monumentin e tij, e lëre më pastaj orvatjet e liliputëve, as mund t’i afrohen lartësisë së tij.

 

Tiranë, tetor 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: At Gjergj Fishta, DHE LILIPUTËT, GJIGANTI, Islam Spahiu

KOMUNITET- NE ARIZONA,NISIN PERGATITJET PER FESTEN E FLAMURIT

October 21, 2016 by dgreca

 

1-lulzim-mulliqiNGA LULZIM MULLIQI-SHBA/
Me rastin e festave tona kombetare,e vecanerisht te 28 nentorit,festes kombetare te te gjithe shqiptareve qe njihet ndryshe edhe si “Dita e Flamurit”,si cdo vit edhe kete here me aktivitete dhe manifestime te ndryshme kulturore do te kremtohet ne menyre dinjitoze nga ana e Komunitetit shqiptar te Arizones.Jehona e pergatitjeve te kesaj feste kombetare ka filluar te ndjehet kudo ne mesin e bashkeatdhetareve tane me banim ne shtetin e larget te Arizones.Kjo feste njera nga me te rendesishmet ne historine e popullit shqiptar eshte nje date e vecante,data kur u ngrit flamuri yne kombetar ne Vloren heroike,duke simbolizuar Pavaresine e shtetit shqiptar.Me aktin e shpalljes se Pavaresise se Shqiperise edhe kombi yne shqiptar beri nje rrugetimin te gjate per realizimin e aspairatave te lirise dhe Pavaresise se tij.Andaj kjo feste e rendesishme kombetare,duhet te jete nje feste qe do te kremtohet ne menyre madheshtore nga te gjithe shqiptaret e te gjitha trojeve tona etnike e posaqerisht ne mergaten tone shqiptare te Amerikes.Edhe kesaj radhe si ne vitin pararendes,komuniteti shqiptar i Arizones,ka paralajmeruar se do t’i organizoj dy koncerte festive me rastin e 104 vjetorit te Pavaresise se Shqiperise.Sipas organizatorit te Albo Party’s Arizona dhe instrumentistit te mirenjohur,Murat Rama,ne kete pervjetor te Pavaresise se Shqiperise per here te pare ne koncertin festiv ne Arizona do te performoj kengetari brilant i skenave tona muzikore dhe legjenda e muzikes shqiptare,Sabri Fejzullahu.Ky eveniment kombetar dhe kulturor do te mbahet me daten,24 nentor ne American Royal Palace ne adresen:1915W: Thunderbird Rd.ne Phoenix,Arizona,ndersa kengetari tjeter do te jete surprize deri ne diten e shfaqjes se koncertit festiv,theksuan organizatoret e ketij eventi.
Nderkaq sipas nje njoftimi te publikuar ne rrejtin social-fejsbuk,edhe Shoqata kulturore shqiptaro- amerikane ” Shqipe e Arizones” me rastin e festes se 28 nentorit,do te organizoj nje koncert festiv me kengetaret,Irma Libohova dhe Edmond Nikolla.Ky koncert do te organizohet poashtu me daten,24 nentor ne restorantin,Phoenix Airport Marriot ne adresen: 1101 N. 44 st.Phoenix,Arizona.
Hyrja per te rritur 60 dollare dhe per femijet 30 dollare,ne cmimin e biletes eshte e perfshire edhe darka thuhet nder te tjerash ne  rrejtin social te kesaj Shoqate.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Arizona, e Flamurit, Lulzim Mulliqi, NISIN PERGATITJET PER FESTEN

Biblioteka Kombëtare e Kosovës anëtarësohet në IFLA

October 21, 2016 by dgreca

-Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA), wshtw themeluar në Edinburg në 30 shtator 1927, ka selinë në Hagë, Holandë. Është zëri global dhe më  prestigjioz i profesionit të bibliotekës/

1-biblioteka-kosove

PRISHTINË, 21 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është  anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA).

Task-Forca e themeluar nga qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarësim të Kosovës në Institucionet / Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës në kuadër të punës së saj ka lobuar dhe asistuar në anëtarësimin.

“Anëtarësimi i Biblioteka Kombëtare e Kosovës në IFLA vlerësohet të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse përpos që është edhe një bashkëngjitje në rrjetin ndërkombëtar të institucioneve bibliotekare, ai mundëson përfaqësimin e institucionit kryesor bibliotekar të vendit në këtë mekanizëm ndërkombëtar, shkëmbimin dhe marrjen e përvojave të bibliotekave të shteteve tjera dhe shumë përfitime tjera”, deklaroi sot Ministria kosovare e Kulturës.Propozimi i kësaj ministrie për themelimin e Task-Forcës është miratuar nga qeveria e Kosovës në 1 qershor të këtij viti. Task-Forca për anëtarësim të Kosovës në Institucionet / Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – kryesues, Presidencës, Kryeministrisë, Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme,  Ministrisë të Punëve të Jashtme, Ministrisë së Integrimeve, ekspertë sipas nevojës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.IFLA, e themeluar në Edinburg në 30 shtator 1927, ka selinë në Hagë, Holandë, dhe njëherësh është organi kryesor ndërkombëtar që përfaqëson interesat e bibliotekave dhe shërbimeve të informatave ashtu sikurse të përdoruesve të tyre. Është zëri global dhe më prestigjioz i profesionit të bibliotekës.

Filed Under: Kulture Tagged With: anëtarësohet, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në IFLA

Realitete të çertifikuara me vlerë historike

October 21, 2016 by dgreca

1-albana-perendim-mistik
(Rreth librit “Perëndimi Mistik” i Albana Melyshi Lifschin)/
NGA MHILL TANUSHI-LONDER/
Albana Melyshi Lifschin, shkrimtare e njohur shqiptaro-amerikane, pas një përvoje shumë të gjatë në letërsinë artistike me disa vepra të botuara në prozë dhe poezi, i është rikthyer publicistikës, pasionit të saj të vjetër dhe të pa ndërprerë që e ka mbajtur të lidhur ngusht me profesionin fillestar, gazetarinë. Shkrimtari dhe publicisti shpesh nuk qëndrojnë në një, nuk janë domosdoshmërisht e njejta gjë. Ka shkrimtarë që nuk kanë botuar ndonjëherë publicistikë, ashtu siç ka publicistë që nuk kanë shkruar ndonjëherë letërsi artistike. Por ama kur i njejti autor lëvron njëherazi edhe letërsinë artistike edhe publicistikën letrare, si në rastin e Albanës, atëherë mbështetja mbi realitetin është më e fortë dhe veprat janë më dinjitoze e i rezistojnë më gjatë kohës. Ndaj nuk është e rastit që tek të gjitha veprat e botuara të Albana Melyshit ndjehet fort kjo lidhje me realitetin.
Të gjithë e kemi vënë re që librat publicistik rrijnë shumë mirë në bibliotekat tona. Krahasuar me letësinë tjetër të shkruar, si romanet, tregimet, poezitë etj, në të vërtetë ato janë më të vlefshme për lexuesin, për historinë dhe për kohën. Ndësa tek letërsia tjetër, ndonëse ngasjet dhe ngjarjet marrin shkas nga realiteti dhe më pas vishen me imagjinatën dhe trillin artistik, me publicistikën ndodh ndryshe. Ajo është vetë realiteti i fotografuar në çast. Ngjarjet, personazhet, rrethanat, përshkrimet, janë realitete të çertifikuara, e kësisoj janë referenca të padyshimta për historianët dhe çdo të interesuar rreth ngjarjeve të caktuara. Por ndodh shpesh që publicistika humbet e harruar pasi botohet në ndonjë të përditëshme për shkak të pamundësisë, neglizhencës apo moskujdesit të autorëve, prandaj botimi i kësaj përmbledhje publicistike nga ana e Albanës duhet vlerësuar si një kontribut me vlerë në përgjithësi për letërsinë e në veçanti për historinë.
Publicistika letrare e përmbledhur në  librin “Perëndimi Mistik” është një lloj dritë-hije nga dy kontinente, ashtu siç është e ndarë vetë jeta e Albanës shkrimtare e gazetare në mes Shqipërisë dhe Amerikës. Në rrëfimet e saj ndjehet përgjegjësia serioze e gazetares që shkruan e tregon bukur që është korrekte dhe shqetësohet për ato që thotë. Ajo qëmton me kujdes ngjarje dhe fakte interesante dhe i sjell në vëmendjen e lexuesit me natyrshmëri dhe me një stil të këndshëm. Në udhëtimet e saj nëpër Amerikë por edhe gjatë vizitave në kthimet e saj të herë pas herëshme në Shqipëri, Albana jo vetëm ka nuhatje të thellë në fakte e ngjarje, por ka edhe një të ecur të mençur të penës së saj, pa pretenduar t’i mbushë mendjen lexuesit, por me kërkesën që të hyjë thjeshtë në përfytyrimin e tyre.
Për lexuesin shqiptar janë mjaftë interesante disa fakte historike, një pjesë të panjohura, të treguara bukur e me ndjenjë, siç janë rrëfimet për Amishët – një popull i çuditshëm amerikan që jeton i mbyllur brenda zakoneve e dokeve të veta fisnore, jashtë kontakteve me botën e qytetëruar, misionin komunist të kultit të Xhim Xhonsit që bëri vetvrasjen më të madhe të shekullit me rreth 1000 njerëz, apo lirinë e shprehjes me kushtetutë të protestës deri në lejimin e aktit të djegjes së flamurit amerikan, e shumë e shumë rrëfime të tjera të ngjashme. Ashtu sikurse edhe lexuesi amerikan, nëpërmjet reportazheve e shënimeve të Albanës gjatë udhëtimeve në vendlindje njihet me copëza të historisë dhe të realiteteve të hershme e të vona shqiptare.
Libri më i ri “Perëndimi Mistik” i Albana Melyshi Lifschin është një vlerë e shtuar në publicistikën letrare shqiptare e më gjërë. Ai lexohet me një frymë, sepse ngjarjet janë interesante që të mbajnë të mbërthyer deri në faqen e fundit dhe janë të rrëfyera me një gjuhë të thjeshtë dhe me një stil të jashtëzakonshëm profesionist.    
 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albana Mëlyshi-Lifschin, Mhill Tanushi, Perendim Mistik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2419
  • 2420
  • 2421
  • 2422
  • 2423
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT