-Federata Ndërkombëtare e Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA), wshtw themeluar në Edinburg në 30 shtator 1927, ka selinë në Hagë, Holandë. Është zëri global dhe më prestigjioz i profesionit të bibliotekës/
PRISHTINË, 21 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” është anëtarësuar në Federatën Ndërkombëtare të Shoqatave dhe Institucioneve Bibliotekare (IFLA).
Task-Forca e themeluar nga qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarësim të Kosovës në Institucionet / Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës në kuadër të punës së saj ka lobuar dhe asistuar në anëtarësimin.
“Anëtarësimi i Biblioteka Kombëtare e Kosovës në IFLA vlerësohet të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse përpos që është edhe një bashkëngjitje në rrjetin ndërkombëtar të institucioneve bibliotekare, ai mundëson përfaqësimin e institucionit kryesor bibliotekar të vendit në këtë mekanizëm ndërkombëtar, shkëmbimin dhe marrjen e përvojave të bibliotekave të shteteve tjera dhe shumë përfitime tjera”, deklaroi sot Ministria kosovare e Kulturës.Propozimi i kësaj ministrie për themelimin e Task-Forcës është miratuar nga qeveria e Kosovës në 1 qershor të këtij viti. Task-Forca për anëtarësim të Kosovës në Institucionet / Mekanizmat Ndërkombëtare të Kulturës përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit – kryesues, Presidencës, Kryeministrisë, Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Ministrisë të Punëve të Jashtme, Ministrisë së Integrimeve, ekspertë sipas nevojës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.IFLA, e themeluar në Edinburg në 30 shtator 1927, ka selinë në Hagë, Holandë, dhe njëherësh është organi kryesor ndërkombëtar që përfaqëson interesat e bibliotekave dhe shërbimeve të informatave ashtu sikurse të përdoruesve të tyre. Është zëri global dhe më prestigjioz i profesionit të bibliotekës.