• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Medalja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” për Christopher R. Hill

October 1, 2016 by dgreca

Presidenti Nishani vlerëson Ambasadorin Christopher R. Hill me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-së në Tiranë/

1 tetor 2016/

Në kuadër të 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës amerikane në Tiranë, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani organizoi në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës një ceremoni të veçantë ku shprehu mirënjohjen personale dhe institucionale për kontributin diplomatik të Ambasadorit Christopher R. Hill në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve politike e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në prani të personaliteteve të rëndësishme të politikës shqiptare në këto 25 vite, të Presidentëve Berisha e Meidani, deputetë të Kuvendit, etj, Kreu i Shtetit çmoi Ambasadorin Christopher R. Hill me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të rëndësishëm që ky mik i çmuar i shqiptarëve ka dhënë në rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës; për përkrahjen dhe inkurajimin e palëkundur ndaj vendosjes së demokracisë në vendin tonë në fillim të viteve 1990-të si dhe për ndihmesën e vyer në konsolidimin e marrëdhënieve historike, strategjike dhe miqësore mes popullit shqiptar dhe atij amerikan”.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani u shpreh se: “Pikërisht sot një çerek shekulli pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, – një gur themeli në marrëdhëniet tona strategjike, miqësore dhe të përjetshme, kam kënaqësinë e veçantë të organizojmë së bashku këtë ceremoni solemne për të nderuar dhe vlerësuar një mik të sinqertë të vendit dhe popullit tonë. Dhjetë muaj më parë festuam 25-vjetorin e shembjes së diktaturës komuniste në vendin tonë. Duke nisur nga demonstratat paqësore të studentëve në vitin 1990 e deri tek themelimi i partive të para opozitare, vendosja dhe konsolidimi i demokracisë – shqiptarët dhe Shqipëria kanë përjetuar ngjarje dramatike, që na kanë ndryshuar jetën kryekëput dhe tashmë jemi anëtarë të NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto arritje dhe fitore të Shqipërisë, vendit të fundit të Evropës që u çlirua nga Perdja e Hekurt, u bënë të mundura dhe realitet edhe në saje të ndihmës dhe mbështetjes së palëkundur të Shteteve të Bashkuara dhe popullit mik amerikan. Dhe tashmë Shqipëria e gjen veten një aleate besnike e Amerikës, pjesëtare kontribuese në koalicionin e madh ndërkombëtar që lufton terrorizmin dhe ekstremizmin e që përpiqet pareshtuar në përhapjen, mbrojtjen dhe lartësimin e vlerave dhe të parimeve të lirisë e demokracisë anembanë rruzullit.”

Më tej, Kreu i Shtetit vuri në dukje se: “Ambasadori Hill ishte diplomati i parë amerikan rezident në vendin tonë pas më tepër se katër dekadash, dhe dita e shumëpritur kur u më në fund, pas izolimit të imponuar nga vetë shqiptarët dhe territ të diktaturës komuniste, në Tiranë u hap Ambasada e Shteteve të Bashkuara, shënoi edhe një pikë kthese vendimtare në ripërtëritjen e lidhjeve historike dhe shpirtërore mes vendeve dhe popujve tanë. Nuk duhet të harrojmë se ndryshimet demokratike në Shqipëri gjatë viteve 1990-91 shënuan edhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me tri shtete të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, me të cilat Shqipëria e izoluar për gati gjysmë shekulli nuk kishte as një lloj kontakti diplomatik. Këto vende që në histori kishin qenë gjithmonë pranë shqiptarëve ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikani dhe Shteti i Izraelit, dhe pavarësisht lidhjeve të ngushta shpirtërore, historike dhe tradicionale që ushqeheshin dhe mbeteshin të patjetërsueshme në zemrat e qytetarëve të thjeshtë shqiptarë, regjimi i kishte privuar nga këto lidhje dhe komunkime.

Puna e palodhur, veprimtaria e pareshtur dhe kontributet e një miku të Shqipërisë dhe popullit shqiptar për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin, miqësinë, mirëkuptimin, ndjenjën e afërsisë, ofrimin dhe dhënien pa rezerva të shembullit, përvojës së vyer amerikane në shumë fusha me interes të përbashkët, kanë karakterizuar misionin diplomatik të Ambasadorit Hill në vendin tonë. Askush më mirë se ai nuk diti në fillim të viteve 90-të e më pas, të na gjendet në krah, këtu në mes të Tiranës, duke punuar fillimisht në Hotel ‘Dajti’ e më pas në selinë e rihapur të Ambasadës amerikane, të na ndihmojë me përvojën e tij të pasur diplomatike të shtrirë në disa kontinente, të ndajë me ne vizionin për një të ardhme më të ndritur bashkëpunimi dhe partneriteti strategjik, në ngulitjen e parimeve të shenjta të lirisë, demokracisë e të kulturës e mendësisë amerikane, si dhe në organizimin dhe planifikimin e vizitave të rangjeve më të larta zyrtare. E paharrueshme në kujtesën tonë do të mbetet vizita historike në Tiranë e Sekretarit të Shtetit James Baker dhe mesazhet frymëzuese e shpresëdhënëse që ai përcolli – vizitë që u parapërgatit dhe u mundësua në mënyrë të përkryer edhe nga Ambasadori Hill.” – u shpreh Kreu i shtetit referuar kësaj ngjarje historike.

“Ambasadorit Hill iu desh të largohet nga Shqipëria në përfundim të mandatit diplomatik për të vazhduar me sukses detyra dhe misione të tjera të rëndësishme, por sidoqoftë ai mbeti gjithmonë një mik i shtrenjtë, i cili na ka munguar, por nga ana tjetër, prania e tij sot sërish na ofron mundësinë që të bëjmë bilancin e sukseseve të punës së tij dhe të arritjeve të Shqipërisë e shqiptarëve gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit. Përfitoj nga rasti t’i shpreh sinqerisht nga thellësia e zemrës, edhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë mirënjohjen për kontributet e pamohueshme dhe veprimtarinë e palodhur në shërbim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve. Prandaj, për të gjitha arsyet e lartpërmendura, kam nderin dhe privilegjin të vlerësoj e të nderoj sot në emrin tim, të Institucionit të Kreut të Shtetit si dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë, kontributin e qenësishëm diplomatik të Ambasadorit Hill, të mikut tonë të vyer Chris në intensifikimin e gjithanshëm të marrëdhënieve politike, e diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.” – tha Presidenti Nishani në përfundim të fjalës së mbajtur me këtë rast, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen dhe falënderimet e përzemërta për gjithçka që Ambasadori Hill ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ambasadori Christopher R. Hill, pasi mori në dorëzim Dekoratën e lartë, falënderoi Kreun e Shtetit duke u shprehur se gjatë këtij rikthimi në vendin tonë ndihej pozitiv e i nderuar, duke qenë se përparimi dhe gjithçka që ka arritur Shqipëria gjatë këtij çerek shekulli i ngjan një projekti të madh ndërtimi mbresëlënës, por ende i papërfunduar dhe se të jesh shqiptar, është diçka e veçantë dhe krenari njëkohësisht.

Filed Under: Komente Tagged With: Medalja “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, për Christopher R. Hill, presidenti Nishani

Komisionerit Hahn, Çështja Çame, ndërgjegja greke

October 1, 2016 by dgreca

Nga Arben Llalla/

Deklarata e Komisionerit Hahn rreth problemeve të pazgjidhura që ekzistojnë mes Greqisë e Shqipërisë si kufiri detar dhe Çështja Çame ka futur marrëdhëniet midis dy vendeve në një ujdhesë të re, por ka ngjallur gjuhën e urrejtjes së Greqisë ndaj Bashkimit Europian dhe Komisionierit Hahn. Deklarata e këtij të fundit, jo vetëm i zuri në befasi deputetët grekë të Kuvendit të BE-së, por i dha një përgjigje shterruese deklaratës së bërë pak kohë më parë të ambasadores së Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani. Kjo e fundit u shpreh se çështja e kufirit ishte zgjidhur me marrëveshjen e nënshkruar më 2009 dhe Çështja Çame nuk ekzistonte.

Tashmë, pas kaq shumë vitesh dhe përpjekjesh të vazhdueshme nga Shoqata atdhetare “Çamëria” dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, PDIU, Çështja Çame ekziston zyrtarisht si fusnotë udhërrëfyese në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë, pra si një çështje e pazgjidhur ende, e cila mund të jetë boshti i një fqinjësie të mirë dhe të sinqertë, nëse gjen zgjidhjen e vërtetë. Dhe kush mund t’ua tregojë këtë udhë? Kush ka detyrë dhe detyrim, por dhe mundësinë për t’ë rrëfyer rrugën e zgjidhjes së Çështjes Çame? Ja një pyetje që u vihet sot intelektualëve, politikanëve, akademikëve të dy vendeve fqinje. Këtë rrugë duhet ta gjejnë intelektualët dhe politikanët e rinj nëpërmjet njohurisë të historisë së vërtetë, të shkaqeve të tragjedisë çame, për të cilën më së shumti është heshtur deri më sot. Historia e popullit shqiptar dhe në veçanti e shqiptarëve të Çamërisë ende nuk është e shkruar e tëra. Akoma mbeten të panjohura shumë shkaqe dhe shumë prirje tendencioze, nga të cilat disa konsiderohen të justifikuara, e të tjera të pajustifikuara, me gjithë se nuk duhet pranuar as edhe një justifikim në fshehjen a shtrembërimin e historisë së tragjedisë të shqiptarëve të Çamërisë. E pra, dalja në dritën e diellit e Çështjes Çame ka ardhur prej disa politikanëve dhe intelektualëve, të cilët janë goditur nën brez nga politikanët e gardës së vjetër të llojit Kastriot Islami. Nuk ka shumë që ky i fundit ju vërsul me gjithë ato fjalë fyese rreth Çështjes Çame Ditmir Bushatit, mëri shkaktuar prej përgjigjes që kryediplomati i dha ambasadores greke në Tiranë.

Çështja Çame nuk është thjeshtë një çështje historike dhe e pronave të konfiskuara me ligj nga shteti grek, por kjo çështje në radhë të parë është politike, ku prej vitit 1913, pas pushtimit grek të Çamërisë-Epirit të Jugut, filloi dhuna dhe racizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Ka patur disa dëbime me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria si në vitin 1913, 1922-1923, 1936-1938 dhe ajo më tragjikja e 1944-1945 që njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar me rezolutë të votuar në Kuvendin e Shqipërisë si: “Genocidi Grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri gjatëve viteve 1944-1945”.

Zgjidhja paqësore e Çështjes Çame sa më shpejt, do çlironte grekët nga ankthi i ndërgjegjes së sëmurë prej krimit. Grekët duke qenë të qartë se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa kurrfarë faji, pa asnjë fakt të vërtetuar se kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, përherë janë të dënuar të jetojnë me ankth, brengë për gjëmën e bërë ndaj çamëve. Meqenëse grekët shiten si besimtarë të mëdhenj, ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit të kryer.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame nis si fillim me heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë. Kjo do të lejonte çamët të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara, do të ishin hapat e parë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve ekziston dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurt. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë nuk do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Nuk e dimë se çfarë befasish na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon se në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, ceshtja came, Komisioneri Hahn

Qeveria e Kosovës miraton koncept-dokumentin për diasporën

October 1, 2016 by dgreca

-Ndryshim dhe plotësim i Programit Legjislativ për vitin 2016/

PRISHTINË, 30 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi koncept-dokumentin për diasporën, i cili ofron opsione për zgjidhje praktike lidhur me promovimin e të drejtave politike dhe sociale të diasporës, ruajtjen e identitetit dhe fuqizimin e lidhjeve me diasporën, integrimin e diasporës në shtetet në të cilat jeton dhe përfshirja e diasporës në zhvillimin ekonomik.

Qeveria miratoi edhe dy koncept-dokumente tjera – për bujqësi e zhvillim rural dhe për sigurimet shëndetësore, si dhe dy projektligje.

Fillimisht u miratua Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Republikën e Kosovës. Qëllimi i këtij Projektligji është rregullimi i statusit juridik të bashkësive fetare në Republikën e Kosovës dhe Ligjin për Lirinë Fetare në Republikën e Kosovës ta bëjë më të zbatueshëm dhe më funksional në fushëveprimin e tij.

Projektligji i dytë cili ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar është ai për kontrollin e brendshëm të financave publike. Qëllimi i këtij Projektligji është sistemimi i kontrollit të brendshëm financiar, menaxhimin e financave, auditimin e brendshëm dhe harmonizimin e këtyre veprimeve me standardet ndërkombëtare.

Me vendimin e aprovuar në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës është bërë ndryshimi dhe plotësimi i Programit Legjislativ për vitin 2016.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, zhvilloi sot mbledhjen e 110-të, të 42-tën në 2016-tën, në vazhdim të punës në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Filed Under: Emigracion Tagged With: -dokumenti per diasporen, koncept, miratohet

Iliriana Sulkuqi, një tur promovimi me motivin “Paqe dhe dashuri”

October 1, 2016 by dgreca

 

iliriana2-shkoder3-shkoder2-shkoderNga Albert Z. ZHOLI/Poetja dhe shkrimtarja Iliriana Sulkuqi mbetet unike në mënyrën e organizimit të aktiviteteve. Sa herë ajo vjen nga Amerika patjetër do të organizojë dhe do të mbledhë në salla të ndryshme poetë dhe shkrimtarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë. E thjeshtë, korrekte dhe me një mirësi të tejskajshme femërore, këtë radhë gjetja e saj promovuese ishte krejtësisht e veçantë.  Dëshira  e saj ishte të sillte pranë krijuesve poetët e talentuar Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja dhe Betim Muço, që tashmë kanë ndërruar jetë. Kush ishte e veçanta? Me intuitën e saj, ajo përgatiti për secilin nga poetët nga një libërth xhepi me poezitë më të mira, ku secili libër kishte në kopertinë foton e secilit poet dhe në faqen e dytë foton e tyre të hijezuar për të treguar përjetësinë. “Dashuri dhe paqe” ky ishte slogani i takimeve që organizoi Iliriana në qytetet kryesore shqiptare për të bërë  prezent veprën e poetëve që tashmë nuk jetojnë. Ajo i solli të gjallë me frymën e poezisë së tyre, me mënyrën e konceptimit të takimeve, me mënyrën e përcjelljes së veprës së tyre tek artdashësit. Jo më kot slogani ishte “Paqe dhe dashuri”. Ky slogan kishte në thelb krijimtarinë e poetëve, mesazhin e veprës së tyre, dëshirën e tyre. Sot Shqipëria përjeton vite të tëra tranzicioni të stërzgjatura, ku vrasjet janë të përditshme, hasmëria nuk duket në horizontin e sharjes, droga është problem i ditës, sharjet në parlament janë bërë si zhargoni i rrugaçëve. Ndaj duhet kjo frymë e vëllazërimit, ndaj sot më shumë duhet “Paqe dhe dashuri”. Të jesh pjesë e emocioneve të bukura, thekson poetja Fatime Kulli, në takime ku fjala poetike peshon rëndë, është po aq e shëndetshme, sa dhe shpresëdhënëse për jetën artistike, kur ndjen dorën e Zotit, se “JETA shëtit nëpër ëndrra” si në librin e poetes së talentuar.

Në Shkodër

Në datën  16 shtator në orën 12, në Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër, un ndje madhështia poetike e tre poetëve me klas të lartë letraro-artistik, më të mirët e të mirëve: Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja dhe Betim Muço. Respekt e mirënjohje pa fund poetes se mirënjohur Iliriana Sulkuqi, që me humanizmin e saj na dhuron tre vepra të tre poeteve brilantë dhe na mundëson këtë takim poetik, poetët mes poetëve, dhe një mirënjohje të veçantë për Bibliotekën “Marin Barleti”, për organizimin e takimit “Udhëtim poetik në krijimtarinë e Frederik Rreshpes, Ndoc Gjetjes dhe Betim Muços. Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja, Betim Muço, Zef Zorba,Sandër Gera, Tonin Shtjefni e të tjerë që nuk rrojmë më. Në këtë takim duhet të përmend disa nga pjesëmarrësit: Diana Çelepia, Fatime Kulli, Kolec Traboini, Iliriana Sulkuqi, Skënder Temali, Mimoza Rexhvelaj, Farida Zmijani Ramadani, Lida Lazaj.

Në Elbasan

“PAQE DHE DASHURI”- NGA SHKODRA NË ELBASAN

Në qytetin tim të ballakumeve do të bujtin me fjalën e tyre të pavdekshme poetët qiellorë Betim Muco, Frederik Rreshpja, Ndoc Gjetja, Martin Camaj, Bilal Xhaferri, Murat Isaku, Din Mehmeti, Viktor Qurku, Drita Çomo, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Dhori Qirjazi, etj, të shoqëruar nga Ai, Milianov Kallupi , që për vite me radhë ngjiti në skenën e Teatrit “Skampa” poetët nga të gjitha trojet shqiptare, Ballkani e më gjerë, në “Ditët Poetike të Verës”.
Këtë herë Novi do të ketë në krah të tij edhe pararendësin, që shkroi dhe botoi në shqip, për herë të parë poezinë Haik, poetin shkencëtar Betim Muço. Le t’i bashkojmë, në këtë kafe kujtimi, fjalën tonë poetike, fjalës së tyre të pavdekshme, duke konfirmuar kështu fjalën e Çelebiut, se Elbasani është Shtëpia e Poetëve.  Pas udhëtimit në Kryeqendrën e letërsisë dhe artit shqiptar, në Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër, ku ndjemë vlerat e artit të mirëfilltë poetik, prej TRE Kalorësve të Poezisë Kombëtare Shqiptare: Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja dhe Betim Muça, vazhdon udhëtimi “Kujto Poetin” në qendrën e Shqipërisë, në qytetin e Kristoforidhit, Elbasan.  “Paqe dhe Dashuri” është motoja e mesazhit që ka skalitur në mendje e shpirt, poetja më humane e letërsisë dhe artit shqiptar, Iliriana Sulkuqi, “Ambasadore e Paqes”, në turin e aktiviteteve letrare “Kujto Poetin” në nder të tre poetëve: Reshpja, Muça, Gjetja.
(Bashkëpunëtorë i tre poetëve kalorsian është, poeti, shkrimtari, publicisti, kineasti, Kolec P. Traboini)

Mes poetëve,  me “Poetin”!!

Sipas muzikantit të talentuar Zeqir Sulkuqi: Duke ndjekur këtë event origjinal letrar të organizuar nga I.Sulkuqi & K.Traboini sinqerisht u emocionova. Shikoja te pranishmit të përmallur, të lotuar, të ekzaltuar ku patetika lumturuese ndërthurej me atë dëshpëruese. Për dy ore vargu i “Poetit” në artikulimin e Poetëve që jetojnë dhe mbajnë gjallë këto krijime të çmuara të poezisë shqipe! Në veprat e tyre bëhen evidente dukuri shoqërore, të cilat i ndeshim dhe sot! Absurdja me Realen. Mrekullitë krijuese të një mendimi novator bëhet papritmas objekt apo subjekt i padukshëm i jetës reale. E shëmtuara përballë bukurisë së vërtetë. Sofrat bujare me qerasjen shqiptare (kafe, raki, karamele e një gotë ujë)- përballë pritjeve apo banketeve madhështore ku te ftuarit s’njohin njeri tjetrin..Së fundi kuptova, ,kjo është personale, që: Poetët janë me afër Paqes se askush. Kanë prekur dashurinë e vërtet, pak përpara të tjerëve dhe: godasin më direkt, mekanizmat që ngushtojnë hapësirat e lirisë njerëzore!

Nga Elbasani në Durrës

Sipas poetit Agim Bajrami: Tre Kalorësit e Poezisë Kombëtare Shqiptare, Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja dhe Betim Muça, vazhduan udhëtimin pa praninë fizike dhe me artin e pavdekshëm, nën kujdesin shpirtëror të kolegëve e artistëve: “Kujto Poetin” në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në qytetin më të lashtë të qytetërimit, në Durrës, poetja më humane e letërsisë shqipe, Iliriana Sulkuqi, e palodhura me “7 plagët e Gjergj Elez Alisë” siç thotë poeti Dritëro Agolli, vazhdon turin e saj nga njeri cep i atdheut në tjetrin me tre korifenjtë e poezisë shqipe. Në këtë takim merrnin pjesë artistë të shquar të këtij qyteti, të cilët me zërin e tyre na e bënë takimin edhe më të bukur, edhe më të paqtë, këtë mision që kërkon të përcjellë autorja Iliriana Sulkuqi, “Dashuri dhe paqe”. Bashkëpunëtor i tre poetëve kalorisianë  është, poeti, shkrimtari, publicisti, kineasti,Kolec P. Traboini, edhe pse në mungesë, u falënderua për bashkëpunimin e tij, nga poetja Iliriana Sulkuqi dhe ligjërues të tjerë gjatë fjalës së tyre, “Kujto Poetin” në Durrës.

Stafeta e përkujtimit të tre emrave ndër më të njohurit e letrave shqipe, (por që tashmë s’jetojnë me midis nesh), poetëve Frederik Reshpja “poeti i vetmisë “, Ndoc Gjetja “poeti Krisht “,dhe Betim Muço, pasi përshkoi qytetet e Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit ,u ndal dhe në Durrës. Ka qenë ideimi i poetes së mirënjohur me banim në Sh B A,si dhe e poetit Kolec Traboini që në bashkëpunim me klubin e shkrimtarëve Durrës ,t’i sillnin gjurmët e tyre letrare edhe këtu pranë valëve te detit , mes poetëve , shkrimtarëve dhe lexuesve të shumtë të këtij qyteti. Ishte një atmosferë e tillë emocionale që mund ta krijoje vetëm madhështia e vargut brilant të këtyre mjeshtërve të fjalës poetike, të cilët me krijimtarinë e tyre e ngritën metaforën tonë poetike në stade të lëvdueshme. Aktiviteti, i cili u zhvillua ne odeonin “Nikolin Xhoja” të pallatit të kulturës Aleksandër Moisiu u hap nga kryetari i klubit të shkrimtarëve të këtij qyteti Nikollë Spathari. Në fjalën e tij të hapjes, krahas evidentimit të vlerave poetike të tre poetëve të mësipërm, ai solli para auditorit edhe mbresa nga miqësitë dhe njohjet e tij të gjata me ta, kryesisht me Frederik Reshpjen. Me mjaft interes në fjalën e tij ishin momentet e bashkëpunimit të tyre të gjatë letrar , si dhe ato të momenteve të dënimit te tij nga diktatura Po kështu, poetesha dhe organizatorja e këtij përkujtimi Iliriana Sulkuqi, ngriti lart vlerat artistike dhe humane që rrezaton poezia e tyre gjatë shfletimit, për mbarë kulturën dhe letërsinë tone kombëtare. Lirikat e Frederikut , Ndocit dhe Betimit tha ajo, janë si gjerdanë me brilantë në fondin e artë të poezisë sonë bashkëkohore. Ndërkohe poetesha nuk harroi të ngrinte lart edhe rolin e disa prej botuesve me zë të diasporës si Nase Jani , Grigor Jovani, Fatmir Terziu, etj, të cilët me revistat e tyre, “Pegas”, “Pelegrin” dhe “Fjala e lirë” kanë bërë një punë lavdëruese për evidentimin dhe propagandimin e krijimtarisë së tyre. Fjalë të mira në këtë drejtim meriton edhe revista “Kuvendi” në Miçigan të Sh B A. Poeti Nazmi Roli u ndal në disa nga momentet e njohjes së tij në vite me Frederikun dhe Betim Muçon. Kujtimet e tij u ndoqën me mjaft interes nga salla. Ndër të tjera ai citoi edhe një thënie të studiuesit Moikom Zeqo, sipas të cilit Frederik Reshpja është një nga poetët më të mëdhenj dhe më fatkeq të letërsisë sonë. Fatime Kulli nëpërmjet leximit të disa prej poezive të Ndoc Gjetjes i solli takimit diçka nga mrekullia e metaforës së veçante të këtij poeti.  Të njëjtën gjë bëri edhe aktori i njohur elbasanas Eduart Cala i cili në repertorin e tij kishte edhe disa poezi të Iliriana Sulkuqit. E pasuroi këtë eveniment me interpretimin e saj virtuoz edhe artistja e njohur durrsake Aishe Starja. Emocionuese dhe të prekshme ishim edhe kujtimet e motrës se poetit Betim Muço, Jeta Hoti: “Betimi ishte vëllai ynë i vetëm tha ajo, por me krijimtarinë e tij të pasur, ai sot është edhe miku poeti i të gjithëve.”  Aktiviteti u mbyll me një kolazh poetik të zgjedhur interpretuar nga poeti durrsak Agim Bajrami. Kaluan shpejt çastet e përkujtimit të këtyre tre poetëve, por jehona e vargjeve të tyre është e pranishme ende në ajrin e qytetit bregdetar.  Durrësi di si t’i nderojë poetet e mëdhenj.

Filed Under: LETERSI Tagged With: iliriana Sulkuqi, promovimi i poetes, shqiperi

Presidenti Thaçi, vizitë zyrtare në Shqipëri

October 1, 2016 by dgreca

-Gjatë qëndrimit në Shqipëri, në 3 dhe 4 tetor, presidenti Thaçi do të takohet me krerët e shtetit, bën të ditur Presidenca e Kosovës në njoftimin dërguar sot/

PRISHTINË, 1 Tetor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fillim të javes së ardhshme do të vizitojë zyrtarisht Republikën e Shqipërisë.Gjatë qëndrimit në Shqipëri, në 3 dhe 4 tetor, presidenti Thaçi do të takohet me krerët e shtetit, bën të ditur Presidenca e Kosovës në njoftimin dërguar sot.

Të hënën (3 tetor), në orën 09:00, presidenti Thaçi do të pritet me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Ndërsa, në orën 10:30, dy presidentët do të mbajnë edhe një konferencë shtypi përbashkët.

Pas takimit me presidentin Nishani, në orën 11:00, presidenti Thaçi do të pritet nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kurse në orën 13:30, do të takohet edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.Pas takimeve me krerët e shtetit, presidenti Thaçi do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritero Agolli.

Ndërsa, në orën 16:30, presidenti Thaçi do të takohet edhe me liderin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Të nesërmen (4 tetor), në orën 09:00, presidenti Thaçi do të vendos kurore lulesh në monumentin “Nëna Shqipëri”.Ndërsa, në orën 09:30, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Velijaj.

Pas këtij takimi, para se të niset për në Bashkinë e Shkodrës, presidenti Thaçi do të vendos gjithashtu kurore lulesh edhe te shtatorja e Adem Jasharit në Tiranë.Ndërsa, në mesditë, rreth orës 13:00, në Bushat të Shkodrës, presidenti Thaçi do t’i vizitojë futbollistët e kombëtares së Kosovës, të cilët po i bëjnë përgatitjet e fundit për ndeshjen me Kroacinë.(Foto-arkiv)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Presidenti Thaçi vizitë, zyrtare në Shqipëri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2459
  • 2460
  • 2461
  • 2462
  • 2463
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT