• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRËFENJË NGA QYTETI STALIN

June 30, 2021 by dgreca

              Nga Agim Xh. Dëshnica/

     Pak histori/

Nëse dikur një shtegtar merrte udhën për Berat e pas Urës së Hasan Beut kthehej majtas në rrugën me plepa, herë në hije, herë në dritë, mbërrinte në qytetin, ku nxirrej naftë e bitum qysh në lashtësi. Ky vendbanim ndodhej në krye të fshatrave nën malin e Sulovës nga dielli del e zbret për nga perëndimi. Thonë se ajo qytezë ka ndërruar emrin disa herë, nga Seras në Zjarrishtë, më pas në Kuçovë. Ky emërrvend sllav, ndryshoi, edhe në kohën e miqësisë me Rusinë Sovjetike, e njohur për dimrin e gjatë, në hapësirat e gjera të pushtuara nga carët rusë.Nuk dihet dita e saktë, kur në qendër të qytetit u ngrit shtatorja e një burri të ngrysur, vetullzi me mustaqet e zgjatur anash buzëve. Nën shtatore qe gdhendur me daltë Josif V. Stalin.  Pas përurimit Kuçova mori emrin Qyteti Stalin, rusisht: Stalingrad, ndonëse ky qytet nuk njihej për beteja të përgjakshme! Pra, kujt i shkoi ndërmend ky emër i ri, gjysëm shqip e gjysëm sllav, të cilin populli e quante shkurt Qytet? Në biseda miqsh thuhej: “Do të shkoj në Qytet” “Ika nga Qyteti”, ose “Më caktuan në Qytet”. Ishte krejt e pamundur ta quanin shkurt, Stalin, sepse atëhere. duhej të sajonin, shprehje të pabesueshme e me rrezik si: “Vajta te Stalini,” “Ika nga Stalini.”, “U mërzita te Stalini!”,  “Më plasi shpirti  te  Stalini!”. 

Megjithëse nafta, qe shterruar dukshëm, skuadra e futbollit nga shefat e komitetit, u quajt Naftëtari dhe jo Stalini, ndryshe, do t’i gjente belaja me tifozët kundërshtarë, kur pas ndeshjes do të dëgjonin ulurimat e tyre: “Shkumbini i Peqinit e mbyti Stalinin,  Traktori i Lushnjës e dërrmoi Stalinin!’’

 Sot, edhe pse kemi alamet Akademie Shkencash, akademikët e quajnë prapë Kuçovë, ndaj historianët sërbë fërkojnë duart nga kënaqësia, kur hedhin sytë në harta e libra. Ndërkohë dijetarët tanë vrasin mendjen e thonë: “Ta quajmë Seras a Zjarrishtë, përsëri nuk shkon, sepse do të ngjalleshin kujtime të tmerrshme me tifozët e Naftëtarit, kur në mbarimin e një ndeshjeje, u sulën me tërbim të digjnin për së gjalli gjyqtarin tok me fubollistët e Dinamos. Nëse ia heqim Kuçovës mbaresën sllave ov, na del Kuç. Nuk mund ta quajmë as kështu, se Kuçin e kemi në malet e Kurveleshit, tek burronja nën rrepe.” 

Çudi! Sllavët, kudo tek shkelën, e harruan gjuhën, humbën etninë ose u larguan, lanë një varg marramendës emërvendesh, nga Novoselë në Zagori, nga Konispol në Poliçan e plot të tjerë. Ja, ç’do të thotë të jesh mikpritës e bujar ndaj ardhacakëve që kërkonin bukë e punë, për të mbajtur frymën. Pra, profesorët tanë ç’emër t’i vinin këtij qyteti që për çudi në kohë të ndryshme ndërron emrin?  Disa menduan ta quanin Plepas, disa Seras. Por, me urdhër nga lart i mbeti sërish emri sllav Kuçovë. Por, çudia më e madhe e kohëve të fundit, është se Ura e Hasan Beut, më pas Ura Vajgurore e ndodhur në truall fushor me lumin Osum mespërmes, nuk do te mbajë më ato emra. sepse disa burra fort të ditur nga qeveria e pagëzuan me emër te ri Dimal, si qyteti antik diku mbi Shpirag, Pra, vizitorët do të shohin jo një por, dy Dimale, njërin mbi mal, me  gropa, gurë e pluhur dhe heshtje, tjetrin në fushë me rrugë, urë, makina, lumë, shtëpi,  zyra, shkolla  e dyqane. Askush s’duhet të habitet, nëse edhe Beratit të njohur në histori me ndërrime emrash nga më të ndryshmit, me vendim po nga  ata burra, t’i ngjitet emrin Erdogan Kasaba,

 Portieri i Naftëtarit

  Në Qytetin Stalin të naftës, një ditë, ndërmjet dy djemve të rinj, plasi sherri për punë sporti, me fjalë pak si të ashpra. Njëri ishte  ndihmësmjek, i transferuar atje, nga Tirana, tjetri vendas, teknik nafte. Pas fjalëve nisën të flisnin grushtet. Tre policë kureshtarë, mbështetur në mur, e shikonin ndeshjen si në sallën e boksit. Në atë dyluftim, tiranasi, me goditjen e pestë, e hodhi kundërshtarin përtokë. Më pas, me urdhërrin e shefit, të dy i lidhën e i mbyllën në qeli. Ndihmësmjeku ishte edhe portier i Naftëtarit, madje i shquar në një ndeshje të bujëshme, në fushën sportive të Elbasanit, ku rrjeta e tij, u shqye keqas nga topat, e futbollistëve vendas, edhe për shkak të disa vajzave elbasanase të mbledhura tufë prapa portës. Ato, e qëllonin portierin, herë me guraleca, herë i tërhqnin rrjeten, duke bërtitur:

– O çuno!  Ktheje kryet!

– O çun i Qytetit, çile, çile portën!  

– Gol! Gol! Gol!

Në zyrën e shefit.

    Të  ngujuar në qelitë e ndriçuara keq,  të dy djemtë, pritën më kot të liroheshin po atë natë. Djaloshi nga Tirana, për të vrarë kohën, disa orë i kaloi duke hedhur e kapur një top ping – pongu në tavan e nëpër mure. Por, ja, erdhi çasti e u hap dera. Njëri prej tre policëve i thirri me zë të ashpër: 

-Ec me ne! Të pret shefi në zyrë! 

Toger Rakip Donofrosa rrinte ulur pas tavolinës me kokën mbi bllokun e  shënimeve dhe telefonin pranë. Nuk merrej vesh, flinte apo shkruante. Pas një heshtje të gjatë, ngriti ballin e gjerë.

– Hë, more portier, ulu e pëgjigju  drejt pyetjeve të mia! Emrin? 

– Kostandin.

– Mbiemrin?

– Vako.  

– Kur dhe ku ke lindur?

– Më 1933, në Londër.

– Si the!? Po ç’deshe gjer në Amerikë ti!?

– Jo, jo, në Angli  në Londër! Atje, më lindi nëna.

– Ç’bënte jot’ ëmë atje!? – uluriti togeri. – Fol!

– Ku ta di unë! 

– Kuptova! Më thuaj tani, merr vesh, e këndon apo jo gazetën e Partisë “ Zëri i  Popullit”? 

– Sigurisht!

-Pse ka atë emër ajo, gazeta?

– Sepse, nëpërmjet saj, populli, u thërret me zë  të lartë armiqve të brendshëm e të jashtëm.

– Po tjetër? Çfarë sheh mbi kokën e gazetës?

-Draprin e Çekanin. Drapri pret, çekani godet! Armiqtë e klasës, domosdo!

– Ashtu de! Më trego tani, nga cila faqe fillon ta këndosh gazetën ti?

– Nga faqja e parë, s’do mend! Shoh kryeartikullin dhe lajmet kryesore.

– Bukur! Pastaj?

– Kaloj te faqja e dytë, te “ Jeta e Partisë.”

– Vazhdo!

– E kështu me radhë! Në faqen e tretë gjej shkrime nga shendetësia, kultura , arti dhe…

 – Kaq? Po qysh e merr vesh ajo koka jote  se si është shtuar pambuku, misri, kupton, gruri ndër ara, kupton, dhe nafta tek ne në Qytet?! 

– Po si jo!

– Pastaj? 

– Hidhem në faqen e katërt, te lajmet e jashtme dhe sportive.

– Aty më qëndro! Te faqja e katërt mëson gjëra ti, kupton, edhe për qytetin ku je lindur? 

– Me raste.

– Si me raste!?

– Sepse kur ka raste, duhet të përfitojmë nga rastet, ka thënë Stalini.

– Si?

– Ja, për shëmbull, në Londër janë takuar Marksi dhe Engelsi.

– Ç’na përrallis, ore!? Ata qenë nga Rusia, ç’punë kishin me Londrën!? 

– Jo,  ishin nga Gjermnia!

– Pusho! – Për disa çaste pllakosi heshtja e plotë. Togeri, pasi u mendua, tha:

 – E di, e di. Vazhdo!

– Po, ja, në „Zërin e Popullit“ unë kam lexuar se në Londër, ka dalë për herë të parë  Manfesti i Partisë Komuniste.

– Manifesti? Ah po, nga Stalini ynë…

– Jo, jo, nga Marks dhe Engelsi.

– Pusho! Mos më jep mësime, po përgjigjju pyetjeve të mia, kupton?  Shefi nuk desh ta ngiste më atë udhë të vështirë hetimi, ndaj, e ndryshoi kahun, u hodh te gjimnastika e mengjesit, te puna vullnetare për korrjet e vaditjen e  ullishteve me fuçi e kova. Më në fund, u  kthye te sporti.

– Më thuaj tashti, përveç  Naftëtarit, me cilën skuadër  je?

– Me Partizanin. 

– Pse nuk je me Dinamon?! Mos ke qenë gjë partizan?

– Jo, ç’ne unë partizan.

– Ç’lidhje ke atëherë ti, me  Partizanin?

– Po, a nuk kam qenë pionier!? Kam mbajtur në qafë shallin e kuq! 

Për zënkën shefi nuk i bëri asnjë pyetje!

Doktor Vako në mërgim.

Në vitet e lirisë,  doktor Vako, mërgoi  në Angli. Me pasaportë angleze punonte mjek në klubin sportiv londinez me emrin “West Hamer.” Skudra e futbollit e atij klubi ndodhej në vendet e para të kategorisë së dytë të kampionatit anglez. Gjatë verës ajo zhvilloi dy ndeshje miqësore nëTurqi me skuadrën e mirënjohur “Fenerbahçe” të Stambollit. Ndeshja e parë  përfundoi 1-1 dhe e dyta 0-0. Skuadra angleze pushoi disa ditë në një nga plazhet e bukura të Izmirit. Atje lojtarët u njohën me dynmet apo si i thonë ndryshe me hanëmet e bukura, që shkuan nga Stambolli. Lozën tenis dhe vollejboll. Nuk thonë kot “Shih Stambollin pastaj vdis”! Biondët e Londrës mandej u larguan nëpër det, për në Greqi, me anijen turistike “Olimboz”. Në Selanik vizituan Lefkopyrgon. Natën u ndeshën me skuadrën vendase, “Aris”. Rezultati: 3-0.  

     Doktor Kosta, pas ndeshjes, në dalje të stadiumit pati një takim të këndshëm. Një djalë me pamje rreth të tridhjetave pranë autobusit po përshëndeste, me duart e ngritura lart, futbollistët.  anglezë.  Doktori iu afrua dhe e pyeti:

– Where are you come from?…

Djaloshi e pa i heshtur, u mendua pak dhe tha:

– Albania!

Doktorit i qeshi fytyra, e hoqi mënjanë për një kafe diku pranë. Atje, i foli shqip: 

– Shqiptar qenke!?  Po nga cili qytet? 

– Nga qyteti i Kuçovës.

–  Kuçova?! – thirri doktori me gëzim dhe i zgjati dorën. 

– Edhe ju shqiptar jeni?

– Po, nga Tirana. Si të quajnë ty?

– Josif –  pas pak shtoi: Donofrosa. 

         –  Ç’e ke Rakip Donofrosën?

– Baba. 

– Ou!  Pse, i biri i shefit qenke ti? Ç’ne, ky emër Josif?

   -E kam nga babai,  me atë kam çare këtu  për punë e strehim.

-Ashtu vërtetë. Po si është me shëndet babai yt tani?

– Mirë, mirë, por ca i plakur dhe i mërzitur. 

– Kur ta takosh, i bëj shumë të fala nga Kostandin Vako i Naftëtarit të Qytetit! Dhe pyete, a   e lexon më Zërin e Popullit?

Leximi i lajmeve

Doktor Vako, ndërsa pushonte në hotel, iu kujtua një ndodhi e largët e shkurtit 1975, me lexim gazete. Rrebeshi i shiut kishte vërshuar nëpër rrugët e Tiranës. Era përplaste shiun e rrëmbyer në trupat e kalimtarëve. Çadra nuk kishte më asnjë vlerë. Ftohtë. Doktori  i lagur qull u gjend në rrugën e Durrësit. Në shtëpinë e Naimit pa dritë. Tha me vete: „Sa të ulet  tërbimi i motit, po ngjitem pak lart!” 

Në katin e tretë trokiti fort. 

– Kush është?

– Hape! Jam unë! 

– O, kush paska ardhur! Kosta! Nga bredh kështu nëpër këtë kiamet! Qenke bërë ujë! 

Miku, pa përshëndetur, la çadrën afër derës, u përkul dhe zbathi këpucët. Pardesynë dhe xhaketën qull i vari në korridor dhe zuri vend në kuzhinën e ngrohtë. I mbërdhirë, edhe pse pranë sobës valë, thoshte i hutuar:

– Oh, çfarë rrebeshi! Ujërat e turbullta të kanaleve kanë shpërthyer lart. Lana ka dalë nga shtrati. Tirana  po mbytet!  

I zoti i shtëpisë i hodhi  në gotë çaj mali me pak sheqer. 

– Pije të ngrohesh! – i tha.-Dhe, për t’u qetësuar, merre ketë gazetë.  Ka lajme të reja.   

Kosta e pa në sy, pastaj nisi të shihte lajmet, radhë pas radhe.Në faqen e parë, në kryeartikullin me autor Brigata e Shtypit shkruhej:“Byroja  dhe Sekretariati i KQ të  PPSH, bëjnë thirrje për fitorje të reja.” Pastaj brodhi sytë lartë poshtë. Ktheu faqet në vijim e u befasua prej lajmeve për jetën e popullit në qendër e në rrethe, për arritjet nga puna në industri e bujqësi. Kudo rendimente të larta, thyerje normash e zotime!  Më tej me një farë kënaqësie hapi faqen e katërt. Lajme nga bota: nga Fronti i Fukienit. Krizë e rëndë financiare në Japoni.. Falimentim bankash amerikane. Kolaps ekonomik në Europë. Greva të fuqishme në Italinë e veriut. Bota kapitaliste në prag të katastrofës.“  Doktorin e kapi  papritur diçka, si turbullirë.  

-Të lutem, një gotë, por jo çaj! Ujë, ujë të ftohtë! – Piu me një frymë dhe iu kthye sërish gazetës. Për të larguar shqetësimin, hodhi sytë te rubrika sportive. Në lajmet për futbollin lexoi:  „17 nëntori i  Tiranës në prag  të ndeshjeve për turin e parë për kupën e Europës, në këtë vapë të nxehtë korriku, po kalon pushimet në plazhin e bukur të Durrësit, në ajrin e pastër buzë detit, me stërvitje të shumta, vrapime, vollejboll  dhe futboll  me porta të vogla.“ 

– Ç’dreqin bëhet kështu me këtë gazetë? – thirri. –  E kthehu me vrull  në faqen e parë.  I  befasuar pa: Zëri Popullit, organ politik i PPSH, n. 350 ( 8888877…)   20  korrik, 1965! 

  Naimi buzëgaz, iu qas dhe e pyeti: 

         -Hë, doktor! Si t’u dukën lajmet?-  

 Befas jashtë dritares  vetëtiu, shkrepi rrufeja  dhe më pas u degjua, diku afër bubullima pak si e zgjatur…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh. Dëshnica, Qyteti Stalin., Rrefenje

NDARJE PA LAMTUMIRË

June 30, 2021 by dgreca

EDITORIALI DHE NUMRI I FUNDIT I DIELLIT/

NGA DALIP GRECA/

Pas një rrugëtimi 12 vjeçar erdhi koha që të ndahem me gazetën e dashur të Vatrës ”Dielli”. Ka qenë një punë e bukur dhe e lodhshme njëkohësisht që jam përpjekë ta kryej me ndershmëri dhe pasion. Erdhi koha që të pensionohem.

Vendimi i emrimit tim u mor nga Këshilli i Vatrës me propozim të kryesisë me 1 gusht 2009, pra 12 vite të shkuara.

   KUJTESA: Kur Dielli mbushi motin e parë të jetës së vet me 15 shkurt 1910, editori i atëhershëm, i papërsëritshmi, i madhi Faik Konica shkroi: “Me këtë numër DIELLI mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjë herë, rri mbi një gurë, dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara,kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroj gjer atje…” Faiku deri në atë kohë kishte përshkuar një copëz rrugë fare te vogël të Diellit, numrin e parë e kishte publikuar me 22 tetor 1909, por i lodhur shpejt nga moskuptimet me kryesinë e Besa-Besës, u detyrua që me 25 shkurt 1910, dhjetë ditë pas përvjetorit të parë, të lajmëronte dorëheqjen, por i falenderonte me kortezi drejtuesit e shoqatës dhe i uronte Diellit shumë përvjetorë të tjerë. Dhe Dielli vazhdon dhe sot e do të vazhdojë përgjatë shekullit të dytë të jetës së tij. Ndjehem mirë që përvjetorin e 112-të të jetës së vet gazeta e përkujtoi me mua editor, duke regjistruar 12 vite plus në shekullin e dytë.

      Le t’i kthejmë sytë pas: Numri i parë i edituar prej meje ishte special dhe iu kushtua 100 vjetorit të Diellit.Të gjithë e mbajnë mend se gazeta, që nga qershori i vitit 2006 nuk dilte më duke e ndërprerë ciklin e mëparshëm kur dilte një herë në 3-4 muaj në vit. Në 100 vjetor, për shkak të financave, mungonte vetë Dielli. Në konferencën shkencore që u organizua në atë 100 vjetor kisha përgatitë dhe unë një kumtesë, pas një studimi 3 mujor në arkivin e Vatrës.

Vatra më mirëpriti.Në njoftimin që publikoi kryetari i ndjerë z. Agim Karagjozi, shkruhej:” Në mbledhjen e mbajtur me 1 gusht 2009, Këshilli i Vatrës miratoi unanimisht dhe me entuziazëm emrimin nga Kryesia të z. Dalip Greca editor të Diellit.Lexuesit do të shohin se z. Greca e nis punën në atë detyrë me këtë numër të Gazetës”…Më ra në sy për mirë togfjalëshi-u miratua:”unanimisht dhe me entuziazëm”. Njoftimi ndodhet në faqen e parë të Diellit të numrit special, shtator 2009.

Ishte kënaqësi që numrat e parë i përgatita në këshillim me kryetarin Karagjozi,i cili e kishte pasion punën me gazetën.Numri special u botua me 20 faqe, duke ruajtur ciklin e mëparshëm. Më pas i shtuam faqet dhe sollëm ndryshime në strukturë. Ndryshimi i parë ishte përgatitja e numrit special të 28 Nëntorit, festës së Flamurit Kombëtar. Fillimisht me 60 faqe, në  vitin pasuses me 84 faqe, për të arritur në një botim të qëndrushëm 36 faqe për çdo edicion mujor, dhe 108 faqe në numrat special të Festës së Flamurit.Në tërësi kam edituar 139 numra, një shifër që më bën krenar,duke mos harruar se online kemi nxjerrë Diellin e përditshëm. Ndërkohë që po të llogarisësh që në çdo numër special të festës së Flamurit gazeta ka dalë me 108 faqe, tre numra bashkë, i bie që të kenë dalë dhe 24 numra plus, gjithësej shkojnë 163  numra. Ndryshimi i dytë ishte futja e reklamave, pasi më parë gazeta nuk arkëtonte të ardhura dhe dhurohej. Në fakt ato s’ishin reklama të mirëfillta, mbizotëronin urime të vatranëve,dhe miq të Vatrës, që e suportonin gazetën. Ndryshimi i tretë ishte kolori, faqa e parë, dy të mesit dhe e fundit, ndërsa në numrat special faqet me ngjyra shkonin 36 e më shumë, praktikë që vazhdon ende. Gazeta krijoi rrjetin e vet të bashkëpunëtorëve në Kosovë, Shqipëri e trojet e tjera etnike, por përzgjodhi dhe bashkëpunëtorë cilësor në Europë, SHBA e Kanada.

         Për 12 vite kam synuar që Dielli t’ia lartësojë emrin vetes dhe Vatrës, si dhe ta  mbrojë atë nga shpifjet dhe thashethemet e dashakeqësve të saj, siç ka ndodhur përgjatë të gjithë historisë 112 & 109 vjeçare. Edhe pse janë përpjekur t’më pengojnë, t’më përgojojnë, të shpifin e sajojnë biografi të paqenë,të bëjnë aleanca brenda dhe jasht Vatrës, të hedhin gurin e të fshehin dorën, unë nuk jam tërhequr, deri në ditën e sotme, nisur nga këshilla e Dr. Rugovës se në pozicione të tilla duhet të mësohesh që të gëlltisësh edhe gurë të nxehtë.

      Ndjehem mirë se Dielli, nga një gazetë e mbyllur,e pavlerësuar, arriti të ndriçojë mjaftushëm, dhe falenderoj presidenti Bujar Nishani, që me këmbënguljen time në kryesinë e Vatrës,e miratoi kërkesën për dekorimin e gazetës, jo për mua, por për të gjithë ata që dhanë shpirtin e tyre në faqet e kasaj gazete historike. Dhe kërkesa ime më së fundi u dëgjua nga kryesia, kërkesa e hartuar prej meje u dërgua në Presidencë, dhe me 19 Maj 2017, me Dekret Nr. 10348, Gazeta“Dielli”u dekorua me Dekoratën”NDER I KOMBIT”, për veprimtarinë e saj të vyer gjatë një shekulli, të drejtuar nga figurat më të shquara të kombit tonë,si dhe për kontributin e jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Për rolin e pamohueshëm si misionare dhe zëdhënëse e çmuar e shqiptarëve të shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u kujdesur për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave e kulturës kombëtare si dhe duke ndërtuar e farkëtuar ura miqësie mes dy vendeve dhe popujve”.

Dielli u ka prirë fushatave në ndihmë të Vatrës, veçanërisht përgjatë festimeve të përvjetorëve të Vatrës dhe Diellit, por edhe në rast katastrofash natyrore në Shqipëri, siç  ka qenë rasti i përmbytjeve dhe tërmeteve.

Duke vlerësuar të gjithë paraardhësit e mi që kanë drejtuar Diellin,një pjesë prej të cilëve, gati ishin harruar, jam përpjekur që të sjell në faqet e gazetës jetët e tyre, veprat, kontributet.Kështu kam bërë për Kristo Floqin, Kostë Çekrezin, Nelo Drizarin, Athanas Gegaj, Arshi Pipa, e të tjerë. Po ashtu ia kam lënë lënë çelë derën edhe kam bashkëpunuar me paraardhësin tim, poetin e studiuesin e njohur Anton Çefa.

      Dielli gjatë këtyre 12 viteve u ka prirë veprimtarive promovuse, përvjetorëve historikë, veprimtarive komunitare dhe atyre të vetë Vatrës, duke synuar pjesmarrjen cilësore dhe masive në to. Kujtojmë përveç rolit prirës në 100 vjetorin e Vatrës dhe në çdo përvjetor të saj, përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës, përkujtimit të ngjarjeve historike, organizimit të konferencave dhe seminareve,organizimi i konkurseve mbarëkombëtare, Dielli u ka prirur edhe veprimtarive kushtuar figurave të tilla si Faik Konica, Fan S. Noli, Arshi Pipa, Mid’hat Frashëri, Musine Kokalari etj., ndërkohë që janë promovuar vepra të shkrimtarëve të njohur si Visar Zhiti, Frank Shkreli, Dine Dine, Arjeta Ferlushkaj, Ines Murzaku e të tjerë.

        Duke qenë zëdhënës i Vatrës gazeta, nën drejtimin tim është përpjekur që ta kryej misionin me paanësi. Probelemet e krijuara pas Kuvendit të qershorit 2017, Dielli i ka përcjellë me korrektesë, duke u orientuar nga Kushtetuta e Vatrës, që ka sanksionuar  frymën dhe detyrat e saj, duke i qëndruar besnikërisht strukturave institucionale të Vatrës, dhe kryesisë nga varet. Kjo ka qenë arsyeja që deklaratat e ndonjë dege të nervozuar, që i është kundërvënë qendrës, që sulmonin zyrtarët e Vatrës, apo deklarata të komisionit të paligjshëm, antikushtetus, anti Vatër, 5 tetori, nuk janë botuar në faqet e Diellit. Me ndërgjegje dhe mbështetur në frymën e Vatrës, jam përpjekur që ta mbroj Vatrën nga përçarjet, madje edhe duke kritikuar ashpër frymën përçarëse dhe rrugën pa krye ku përpiqen ta fusin Vatrën ende disa të pakënaqur.

Duke analizuar marrdhëniet me kryetarët, mendoj se kam shkuar mirë me drejtuesit e Vatrës. Z. Agim Karagjozi, mbetet i veçantë për vlerësimin dhe lirinë që më dha në drejtimin e Diellit. Po ashtu edhe ish Kryetari Gjon Buçaj, i cili me shkrim, me gojë, në takime, mbledhje, ka vlerësuar pozitivisht punën time, madje në ikje, pas Kuvendit të qershorit 2017, në mbrëmjen festive, si shumë të tjerë më nderoi me MIRËNJOHJE. Ndërsa kryetari Dritan Mishto, më la të punoj në lirinë e trashëguar nga kryetarët e mëparshëm, por mendoj se ai ka meritë nga që i shtoi Diellit editoren e anglishtes, që gazeta nuk e kishte që prej viteve ’80. Kryetari Elmi Berisha, më ka respektuar dhe më ka dhënë  mbështetjen e duhur, madje edhe më vlerësoi duke i propozuar Presidentit të Shqipërisë z. Ilir Meta, që t’më dekoronte me Urdhërin”Kalorës i Skënderbeut”. E vlerësoj miratimin e Presidentit, i cili me Dekret Nr. 13049, datë 21 Prill 2021, më nderoi me titullin”Kalorës i Skënderbeut” me motivacionin ”Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e kryeredaktor i gazetës”Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare VATRA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Në ikje e falenderoj Kryesinë e Vatrës,e cila pa përjashtim më ka mbështetur, Këshillin e saj, degët, të gjithë vatranët, kryetarët e degëve,bashkëpunëtorët e Diellit, lexuesit, korrespondentin në Prishtinë Behlul Jashari dhe shumë të tjerë. Ndjesë për ndonjë keqkuptim.

Falenderim të veçantë për gazetarin Sokol Paja, që me profesionalizëm, me shkrimet e tij, me intervistat e relalizuara me personalitet të mjeksisë, kulturës, shkencës, me drejtues të shkollave shqipe, në të gjithë kontinentet ku jetojnë shqiptarët, ka ngritur autoritetin edhe zërin e Vatrës dhe të Diellit.

Jashtë falenderimit nuk mund të lë mikun tim Veis Belliu, sekretaren Nazo Veliu, mbesat e saj studente  Kamila dhe Franka, e shoqen e tyre Rea,që më janë bërë krah duke ndihmuar në përgatitjen e gazetës për postim. Falenderim edhe për anëtarin e Kryesisë Zef Balaj, Mark Mrnaçaj,Marjan Cubi, Asllan Bushati, e të tjerë, që sa herë u kam kërkuar ndihmë, më janë gjendur. Falenderoj dizajnerin e Diellit, Hezër Hajrullaaga në Kosovë.

Në këto radhë nuk mund të lë pa përmenduar dy dy miq të çmuar, që nuk jetojnë më, që më dhanë gjithë mbështetjen e tyre,vatranët Jonuz Ndreu dhe Zef Përndocaj.

Së fundi dua të falenderoj familjen time, së cilës i kam munguar nga mëngjesi  deri në orët e vona të natës,duke punuar edhe të shtunave dhe të dielave. Nga ana tjetër, familja ka qenë pjesë e pandarë e punës time, e Diellit dhe Vatrës, duke shërbyer vullnetarisht, duke kryer edhe punët e rëndomta, të pastrimeve në vatër, apo të përgatitjes së gazetës për postim.

Largimi ishte vendimi im, por dhe këmbëngulja e familjes, që unë të shlodhem dhe të shoh problemet e shëndetit. Gjej rastin që t’i përcjell një falenderim prej shpirti dr. Skënder Murtezani, që aq shumë është kujdesur për shëndetin tim. Edhe këshilla e tij ishte pjesë e vendimit tim.

E uroj Vatrën dhe Diellin, që të fitojnë mbi sfidat e shekullit të dytë të jetës së tyre dhe të ngrihen mbi përçarjet dhe sulmet e dashakeqësve, nervozëve, të pakënaqurve, të shpifësve, të njerëzve të vegjël në shpirt, që nuk kanë munguar asnjëherë.

Një këshillë për Vatrën: Të ruaj frymën e bashkimit dhe të veprojë në mënyrë insitucionale, të shmangë thashethemet, përgojimet, grupazhet e vogla shkatërruse që funksionojnë përmes telefonatave e-meileve me përzgjedhje,të ruhet nga egoizmat dhe xhelozitë karrieriste,të respektojë Kushtetutën e saj të trashëguar nga  koha e Konicës.

Vatra dhe Dielli do të mbijetojnë se janë të shenjtë.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Editoriali i fundit, Ndarje pa Lamtumire

Anglia, hakmarrja pas 53 vjetëve

June 30, 2021 by dgreca

-Gjermanët largohen nga Europa 2020./
Nga Alban KOLONJARI/ Anglia është në çerekfinalen e  Euro 2020 pas një fitore emocionuese 2-0 ndaj Gjermanisë të martën në Wembley Stadium. Anglezët kishin 53 vite që nuk fitonin një ndeshje me eliminim direkt kundër gjermanisë në eliminatoret e një Europiani.  Raheem Sterling, i cili kishte shënuar dy golat e vetëm të Anglisë në fazën e grupeve, ishte heroi që i hapi rrugë fitores së Anglisë. Të dy ekipet hynë në këtë ndeshje me pikëpyetje  të mëdha pas paraqitjeve jo bindëse në fazës së grupeve. Anglia kishte shënuar vetëm dy herë pavarësisht se ishte në krye të grupit, ndërsa Gjermanisë iu desh shumë sakrificë për të siguruar kualifikimin përballë Hungarisë. Pas një pjese të parë të qetë, Luke Shaw u fut në lojë dhe ofroi një prefekte por edhe pasimin e fundit ndërsa Jack Grealish edhe një herë filloi në stol, në të 69 minutë në vend të Bukayo Saka duke ndihmuar Anglinë të ndryshojë lojën e saj sulmuese.  Në të 75 minutë sulmuesi i Manchester City Raheem Sterling i cili kishte shënuar për Anglinë në fitoret e tyre 1-0 të Grupit D ndaj Kroacisë dhe Republikës Çeke, gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Disa kalime të bukura me dy prekje, midis Grealish dhe Shaw, kulmon në mbrojtësin e majtë i cili hedh një kros të ulët në zonë për 26-vjeçarin Sterling, i cili e dërgon topin në cepin e rrjetës  së Neuer nga një distancë e afërt. 1-0. Wembley shpërthen në festë. Müller i ka të gjtha shanset të barazojë për gjermanët, por gjuajtja e tij në hyrje të zonës përfundon jashtë.Në të 86′, Harry Kane Kapiteni i Anglisë tund rrjetën e Muller pas një gjuajtje me  kokë nga një distancë e afërt për të dërguar Wembley në festën e kualifikimit!  Dhe sërisht janë potragonistë Shaw dhe Gnabry që në këtë ndeshje e nisën si zëvëndësues. Gjermania.Mandati 15-vjeçar i Löw përfundoi me një thriller në Wembley. Skuadra e tij do të zhgënjehete masivisht tifozë gjermanë gjatë EURO 2020.  Anglia shënoi e para kur dukej se Gjermania ishte një avantazh të lehtë, në fushën e lojës. Por ne e  dinim që më shumë herët se fati i kësaj ndeshje do të vendosej nga detajet më të vogla. Në tërësi, Gjermania thjesht nuk ishte në gjendje të shfrytëzonte maksimalisht potencialin e saj sulmues në këtë turne.AngliaFantazia e tranjerit Southgate ka bëjnë përsëri me këtë fitore të shumëpritur të nokautit të turneut ndaj Gjermanisë, duke luajtur kartat e tij me zëvëndësime prefekte që i dhanë fitoren.  Të gjithë kanë kontributin e tyre në të gjithë fushën – nga Pickford i shkëlqyeshëm duke mbajtur një tjetër gol të pastër, deri te Sterling që theu bllokimin me golin e tij të tretë në turne. Një fjalë gjithashtu për supersub Grealish, topi i të cilit ndihmoi Kane të merrte golin e tij të parë në EURO. Ndoshta nuk do të vijë në shtëpi akoma, por Anglia do të drejtohet në Romë.  Raheem Sterling, golashënues i Anglisë: “Ne e dinim që duhej të bënim një paraqitje të madhe kundër një skuadre shumë të mirë, dhe mendoj se e bëmë atë sot. Ne e dinim intensitetin në të cilin mund të luajmë, jo shumë ekipe mund të merren dhe maten me Gjermanine. Të dy djemtë në mesfushë {Rajs dhe Phillips] ishin super, ata hëngrën tokë, ata ishin vetëm “kafshë” atje “.Declan Rice, mesfushor i Anglisë: “eshtë e pabesueshme, shumë njerëz na kishin kritikuar në fazën e grupeve, por ne donim të provonim që njerëzit gabuan. Raheem Sterling po provon që shumë njerëz gabojnë, dhe këtë po e realizon  duke shënuar gola. Harry Kane është krijuar për raste të mëdha, ai shënoi golin që e vuri ndeshjen në shina”. Joachim Löw, trajner i Gjermanisë, duke folur për ARD: “Ky është një zhgënjim i madh për të gjithë ne. Ne shpresonim të arrinim shumë më tepër në këtë turne dhe besimi në këtë ekip ishte i lartë. Në ndeshje si kjo është e domosdoshme të përdoret Timo Werner dhe Thomas Müller, fatkeqësisht nuk mundën të shënojnë ne mundësitë e tyre per gol, kështu që ndihet shumë keq që jemi jashtë. Jam në krye të Gjermanisë prej 15 vitesh dhe me të gjithë përgjegjësinë e madhe, disa pushime duhen. Duhet kohë për të krijuar energji të reja, për momentin nuk kam ndonjë plan konkret’’. “Toni Kroos, mesfushor i Gjermanisë, duke folur për ARD: “Ju nuk mund ta imagjinoni sa e hidhur eshte ky eleminim. Ishte një ndeshje e ekuilibruar derisa ata shënuan golin e parë. Anglia nuk kishte pothuajse asnjë shans derisa ata e bënë 1-0. Performanca jonë ishte solide deri atëherë, por goli ndryshoi gjithçka”.Gareth Southgate, trajner i Anglisë: “këta lojtarë vazhdojnë të shkruajnë historinë dhe ata e kanë shansin përsëri – ne kemi vetëm ndonjëherë në një gjysmëfinale të Kampionatit Evropian kështu që, përsëri, ata kanë pasur mundësinë të bëjnë diçka me të vërtetë të veçantë Luajtëm në shtëpinë tone dhe nuk kam dëgjuar kurrë një atmosferë të tillë. Tifozët ishin prapa çdo prekje topi, çdo vrapimi të futbollistëve.”.
 Statistikat kryesoreKjo ishte ndeshja e parë nokaut në EURO që Anglia ka fituar pa ndihmën e një gjuajtje penalltish që nga fitorja e tyre në vendin e tretë play-off mbi Bashkimin Sovjetik në 1968.Anglia kurrë nuk ka humbur në finalet e një turneu të madh në Stadiumin Wembley (W10 D4).Tre Luanët kanë humbur vetëm një nga 15 ndeshjet e tyre të fundit të turneut në EURO, duke injoruar penalltitë (W8 D6).Skuadra e Southgate duhet të pranojë në këto finale pas katër ndeshjeve.Sterling ka shënuar 15 gola në 20 daljet e tij ndërkombëtare për Anglinë.Anglia ka fituar të gjitha 13 ndeshjet në të cilat ka shënuar Sterling.Gjermania ka fituar vetëm një nga gjashtë ndeshjet e fundit të turneut EURO.Mannschaft nuk arriti të shënojë për herë të tretë në 30 ndeshje.RreshtimetAnglia: Pickford; Walker, Stones, Maguire; Trippier, Rice (Henderson 88), Phillips, Shaw; Saka (Grealisht 69), Kane, Sterling
Gjermani: Neuer; Ginter (Can 87), Hummels, Rüdiger; Kimmich, Goretzka, Kroos, Gosens (Sané 88); Müller (Musiala 90), Havertz, Werner (Gnabry 68)

Filed Under: Sport Tagged With: Alban Kolonjari

Skllavëri e re

June 30, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Më mirë liri me rrezik sesa skllavëri me paqe. Fjalë të shkëlqyera nga një mendimtar i madh si Zhan Zhak Ruso. Për çfarë e ka fjalën? Qeveria sa do e mirë, nuk është zëvendësim për vetëkontrollin. Ndoshta është shkëmbim i rremë nuance fjalësh. Sepse liria me paqen janë në të njëjtën anë të peshores, skllavëria dhe rreziku në anën tjetër. Dhe shprehja do të ishte “Më mirë liri me rrezik sesa paqe me skllavëri”.
Në Francën e shekullit 18, kur shkroi filozofi, gjendja ishte pak-a-shumë si në Shqipërinë e sotme; njerëzit kërkonin dorëheqjan e mbretit, por ky nuk largohej. Francezët duruan sa duruan, derisa u hodhën në revolucion dhe ia prenë kokën pikërisht atëherë kur mbretit i ishte mbushur mendja të ikte nga frika. Por ishte vonë.
Pra, pyesni këdo ose studioni cilindo që është skllavëruar dhe do të mësoni se sa paqe ka në të. Ata që e kanë jetuar kohën e diktaturës e kanë në mendje “paqen” që ishte një lloj komunizmi në luftë në kohë paqeje e cila mbahej me peshën e rëndë të dhunës e frikës. Kjo ishte paqja që vazhdojmë të kemi. Edhe sot njerëzit nuk ndjehen të lirë kur vrasjet, krimi, paligjshmëria dhe frika përhapen nëpër rrugët e kombit deri në plazhe. Kjo është formë e re skllaverie, ku diktatura është zevendësuar me krimin i cili nuk është vënë thjesht pas parasë, por kërkon lirinë tuaj – si fituesi që i merr të gjitha.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Skllavëri e re

DR. SALI BERISHA I SHKRUAN BORDIT EKZEKUTIV TË VATRËS

June 29, 2021 by dgreca

Dr. Sali Berisha/

Ish President & ish Kryeministër i Republikës së Shqipërisë/

Rr. Mustafa Matohiti, P. 7, Tirana 1000/

Tel: +355 69 209 9410/

E-mail: profsberisha@albaniaonline.net/

Të dashur dhe të nderuar antarë të Bordit Ekzekutiv të Vatrës!/

Të dashur anëtarë të Vatrës!

Lexova me kënaqësi deklaratën e Bordit Ekzekutiv të Federatës Pan – Shqiptare të Amerikës, Vatra, në lidhje me shpalljen time, persona non grata, nga Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Për këtë ju falenderoj të gjithëve emër për emër.

Një masë e tillë e aplikuar ndaj familjes time dhe ndaj meje përsonalisht, më ka lënduar shumë. Kjo përveç tjerash edhe se ndjehesha dhe ndjehem luftëtari më i paepur kundër komunizmit në Shqipëri, i asaj ideologjie dhe sistemi kriminal të cilin Ronald Regan e ka quajtur “Perandoria e të Keqes”. Po ashtu ndjehem edhe miku më i madh i Juaji dhe i atdheut tuaj të dytë – ShBA – së.

Jam ndjerë dhe ndihem edhe sot si promotori i hapjes së Shqipërisë ndaj perëndimit dhe veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si mikja më e madhe e kombit shqiptar. 

Që në ditët e para të angazhimit tim politik – pro – amerikan dhe pro – perëndimor, kam ndjerë afërsinë e Vatrës, si organizata shqiptaro – amerikane më e njohur dhe më aktive në mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Ballkan. Ju, si patriotë të vërtetë, keni influencuar me mjetet tuaja  legale, mbi politikën e jashtme të shtetit amerikan ndaj popullit tonë. Unë e ndjej se principet dhe qëndrimet e Vatrës janë edhe sot e kësaj dite të njëjta që në kohën e themelimit të saj.

Shpalljen time persona ‘non grata’ e konsideroj si një veprim aksidental, të ndërmarrë tërësisht pa bazë, pa fakte dhe pa prova. Nuk ka ekzistuar kurrë   dhe nuk ekziston asnjë  akuzë e adresuar ndaj meje, bashkeshortes dhe fëmijëve të mi prej ndonjë entiteti ligjor as në Shqipëri dhe as në botë. Gjithçka në atë vendim është bazuar në   trillime të sajuara prej atyre që në vitet 1990 flaknin flamurin amerikan si leckë ndërsa sot hiqen si dashnorët më të mëdhenj të vendit tuaj.

Ata që kanë trilluar fallcitete të tilla, çdo gjë mund të jenë por jo miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ata janë armiq të demokracisë dhe lirisë për të cilën ne luftuam së bashku me ju vatranë të dashur, që në ditët e fundit të dhjetorit 1990 e deri më sot. Kapja e shtetit sot shkon në drejtim krejt të kundërt me atë që Ju ëndërronit dhe ne punuam për Shqipërinë.

Bordit Ekzekutiv të Federatës Pan Shqiptare të Amerikës, Vatra

New York 

Fatkeqësisht, tërë ata që në atë kohë ishin kundërshtarët më të egër të Amerikës, e kanë ndërruar lëkurën e ujkut dhe në një mënyrë iluzicioniste dhe të paqartë për Amerikën e vërtetë, janë maskuar dhe shiten si miq të Amerikës. Ndërkohë, njerëzit tuaj, të persektuar për gjysëm shekulli vetëm se e donin Amerikën, dhe ju kishin juve atje, sot janë thjeshtë të shokuar, të tëhuajtur në vendin e tyre, të pashpresë dhe të paqartë me qëndrimet toleruese që mbahen nga ata që më kanë shpallur mua ‘non grata’ ndaj keqbërjeve të falangave post – komuniste, në Shqipërinë e sotme.

Dua t’ju siguroj, të dashur vatranë, patritotë, shqiptaro – amerikanë, se nuk do t’ju zhgënjej kurrë! Ju siguroj se shpallja ime persona ‘non grata’, nuk e zbeh besimin tim të patundur te miqësia që kam personalisht, familjarisht dhe politikisht me Amerikën dhe me Juve. Ndërkohë ju siguroj që nuk do t’ju zhgënjej në besimin që ju keni se asnjë nga hamendjet që janë dhënë në atë arësyetim të thatë dhe atë vendim absurd, nuk qëndrojnë.

Unë i sfidoj trilluesit e një vendimi të tillë me mbrojtjen ligjore, me nderin dhe dinjitetin tim dhe të familjes time, me krenarinë e një patrioti shqiptar, dhe të një dashamirësi të patundur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke ju falenderuar nga zemra, mbetem,

I Juaji,

Dr. Sali Berisha

    ***. 

Dr. Sali Berisha

Former President & Prime Minister of the Republic of Albania

Rr. Mustafa Matohiti, P. 7, Tirana 1000

Albania

Tel: +355 69 209 9410

E-mail: profsberisha@albaniaonline.net

Tirana, Albania, June 25, 2021

Dear and honored members of the Executive Board of Vatra!

Dear members of Vatra!

I read with satisfaction the statement of the Executive Board of the Pan-Albanians Federation of America, Vatra, regarding the designation of me, as a persona ‘non grata’, by the US Secretary of State.

I do thank you all, the name by name, for your understanding!

Such a measure has severely hurt my family and me, personally. 

Furthermore, among other things, such a decision did hurt me, as I did feel and still feel myself the fiercest and invincible fighter against communism in Albania, an ideology, and a criminal system which Ronald Reagan once called “The Evil Empire”. At the same time, I feel that I am a great friend to you and your second home – the United States.

Moreover, I have felt and still feel today as a promoter of Albania’s openness toward the west and further down to the United States of America, considering the latter the greatest friend of the Albanian nation.

From the very first days of my pro-American and pro-Western political involvement, I felt the proximity of Vatra, as one of the more active Albanian American organizations, in defending the rights of the Albanian people in the Balkans. You, as true patriots, have influenced with your legal means, the foreign policy of the American state towards our nation. I do assert that the principles of Vatra are still today the same as those of the days when it was founded. 

I do consider the decision to declare me and my family as persona ‘non grata’ as an accidental action, taken completely unfounded, without facts, and any evidence. There has never been and there is no accusation/indictment submitted towards me, to my wife, or my children by any legal entity, either in Albania or in the world. Everything in that decision is based on fabrications invented by those who in the 1990s did throw the American flag like a rag while today they show themselves, hypocritically, as the “biggest lovers” of your country, the USA.

Those who have fabricated such forgeries can be anything but friends of Albania and Albanians. They are the enemies of democracy and freedom for which we fought together with you dear members of Vatra, from the last days of December 1990 until today. The capture of the state today goes in the opposite direction to what you dreamed of and we worked for Albania.

To the Executive Board of the Pan – Albanian Federation of America, Vatra

New York

Unfortunately, all those who, at the time were America’s staunchest opponents have disguised their wolf’s skin and in an illusory and vague way about true America, sell themselves like the friends of America. Meantime, your people, who were persecuted for half a century only because they loved America and because you were there, in the USA, today they are simply shocked, alienated from their country, hopeless and ambiguous about the tolerant attitudes held by those who have declared me ‘non grata’ to the wrongdoings of the post-communist phalanx in power in today’s Albania.

I want to assure you, my dear members of Vatra, the patriots, the Albanian-Americans: I will never disappoint you!

I assure you that the designation of me as persona ‘non grata’ does not diminish my firm belief in the friendship that I have personally together with my family towards the United States.

In the meantime, I assure you that I will not disappoint you in the belief that none of the allegations given in that dry reasoning and in that absurd decision, do stand.

I challenge the fabricators of such a decision with legal protection, with the honor and dignity of myself and my family, with the pride of an Albanian patriot, and an unwavering benevolence towards the United States of America.

Thanking you from the bottom of my heart

Yours

Dr. Sali Berisha

Filed Under: Emigracion Tagged With: Bordit Ekzekutiv, Dr. Sali berisha, leter, Vatra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT