EDITORIALI DHE NUMRI I FUNDIT I DIELLIT/
NGA DALIP GRECA/
Pas një rrugëtimi 12 vjeçar erdhi koha që të ndahem me gazetën e dashur të Vatrës ”Dielli”. Ka qenë një punë e bukur dhe e lodhshme njëkohësisht që jam përpjekë ta kryej me ndershmëri dhe pasion. Erdhi koha që të pensionohem.
Vendimi i emrimit tim u mor nga Këshilli i Vatrës me propozim të kryesisë me 1 gusht 2009, pra 12 vite të shkuara.
KUJTESA: Kur Dielli mbushi motin e parë të jetës së vet me 15 shkurt 1910, editori i atëhershëm, i papërsëritshmi, i madhi Faik Konica shkroi: “Me këtë numër DIELLI mbush motin e parë të botimit të tij. Kur bën një udhë të gjatë, udhëtari qëndron nga ndonjë herë, rri mbi një gurë, dhe hedh sytë pas tij. Është një çlodhje dhe një dëfrim, një kurajo për të vajtur më përpara,kur sheh se sa eci dhe ç’mbaroj gjer atje…” Faiku deri në atë kohë kishte përshkuar një copëz rrugë fare te vogël të Diellit, numrin e parë e kishte publikuar me 22 tetor 1909, por i lodhur shpejt nga moskuptimet me kryesinë e Besa-Besës, u detyrua që me 25 shkurt 1910, dhjetë ditë pas përvjetorit të parë, të lajmëronte dorëheqjen, por i falenderonte me kortezi drejtuesit e shoqatës dhe i uronte Diellit shumë përvjetorë të tjerë. Dhe Dielli vazhdon dhe sot e do të vazhdojë përgjatë shekullit të dytë të jetës së tij. Ndjehem mirë që përvjetorin e 112-të të jetës së vet gazeta e përkujtoi me mua editor, duke regjistruar 12 vite plus në shekullin e dytë.
Le t’i kthejmë sytë pas: Numri i parë i edituar prej meje ishte special dhe iu kushtua 100 vjetorit të Diellit.Të gjithë e mbajnë mend se gazeta, që nga qershori i vitit 2006 nuk dilte më duke e ndërprerë ciklin e mëparshëm kur dilte një herë në 3-4 muaj në vit. Në 100 vjetor, për shkak të financave, mungonte vetë Dielli. Në konferencën shkencore që u organizua në atë 100 vjetor kisha përgatitë dhe unë një kumtesë, pas një studimi 3 mujor në arkivin e Vatrës.
Vatra më mirëpriti.Në njoftimin që publikoi kryetari i ndjerë z. Agim Karagjozi, shkruhej:” Në mbledhjen e mbajtur me 1 gusht 2009, Këshilli i Vatrës miratoi unanimisht dhe me entuziazëm emrimin nga Kryesia të z. Dalip Greca editor të Diellit.Lexuesit do të shohin se z. Greca e nis punën në atë detyrë me këtë numër të Gazetës”…Më ra në sy për mirë togfjalëshi-u miratua:”unanimisht dhe me entuziazëm”. Njoftimi ndodhet në faqen e parë të Diellit të numrit special, shtator 2009.
Ishte kënaqësi që numrat e parë i përgatita në këshillim me kryetarin Karagjozi,i cili e kishte pasion punën me gazetën.Numri special u botua me 20 faqe, duke ruajtur ciklin e mëparshëm. Më pas i shtuam faqet dhe sollëm ndryshime në strukturë. Ndryshimi i parë ishte përgatitja e numrit special të 28 Nëntorit, festës së Flamurit Kombëtar. Fillimisht me 60 faqe, në vitin pasuses me 84 faqe, për të arritur në një botim të qëndrushëm 36 faqe për çdo edicion mujor, dhe 108 faqe në numrat special të Festës së Flamurit.Në tërësi kam edituar 139 numra, një shifër që më bën krenar,duke mos harruar se online kemi nxjerrë Diellin e përditshëm. Ndërkohë që po të llogarisësh që në çdo numër special të festës së Flamurit gazeta ka dalë me 108 faqe, tre numra bashkë, i bie që të kenë dalë dhe 24 numra plus, gjithësej shkojnë 163 numra. Ndryshimi i dytë ishte futja e reklamave, pasi më parë gazeta nuk arkëtonte të ardhura dhe dhurohej. Në fakt ato s’ishin reklama të mirëfillta, mbizotëronin urime të vatranëve,dhe miq të Vatrës, që e suportonin gazetën. Ndryshimi i tretë ishte kolori, faqa e parë, dy të mesit dhe e fundit, ndërsa në numrat special faqet me ngjyra shkonin 36 e më shumë, praktikë që vazhdon ende. Gazeta krijoi rrjetin e vet të bashkëpunëtorëve në Kosovë, Shqipëri e trojet e tjera etnike, por përzgjodhi dhe bashkëpunëtorë cilësor në Europë, SHBA e Kanada.
Për 12 vite kam synuar që Dielli t’ia lartësojë emrin vetes dhe Vatrës, si dhe ta mbrojë atë nga shpifjet dhe thashethemet e dashakeqësve të saj, siç ka ndodhur përgjatë të gjithë historisë 112 & 109 vjeçare. Edhe pse janë përpjekur t’më pengojnë, t’më përgojojnë, të shpifin e sajojnë biografi të paqenë,të bëjnë aleanca brenda dhe jasht Vatrës, të hedhin gurin e të fshehin dorën, unë nuk jam tërhequr, deri në ditën e sotme, nisur nga këshilla e Dr. Rugovës se në pozicione të tilla duhet të mësohesh që të gëlltisësh edhe gurë të nxehtë.
Ndjehem mirë se Dielli, nga një gazetë e mbyllur,e pavlerësuar, arriti të ndriçojë mjaftushëm, dhe falenderoj presidenti Bujar Nishani, që me këmbënguljen time në kryesinë e Vatrës,e miratoi kërkesën për dekorimin e gazetës, jo për mua, por për të gjithë ata që dhanë shpirtin e tyre në faqet e kasaj gazete historike. Dhe kërkesa ime më së fundi u dëgjua nga kryesia, kërkesa e hartuar prej meje u dërgua në Presidencë, dhe me 19 Maj 2017, me Dekret Nr. 10348, Gazeta“Dielli”u dekorua me Dekoratën”NDER I KOMBIT”, për veprimtarinë e saj të vyer gjatë një shekulli, të drejtuar nga figurat më të shquara të kombit tonë,si dhe për kontributin e jashtzakonshëm në historinë e shtypit shqiptar. Për rolin e pamohueshëm si misionare dhe zëdhënëse e çmuar e shqiptarëve të shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u kujdesur për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave e kulturës kombëtare si dhe duke ndërtuar e farkëtuar ura miqësie mes dy vendeve dhe popujve”.
Dielli u ka prirë fushatave në ndihmë të Vatrës, veçanërisht përgjatë festimeve të përvjetorëve të Vatrës dhe Diellit, por edhe në rast katastrofash natyrore në Shqipëri, siç ka qenë rasti i përmbytjeve dhe tërmeteve.
Duke vlerësuar të gjithë paraardhësit e mi që kanë drejtuar Diellin,një pjesë prej të cilëve, gati ishin harruar, jam përpjekur që të sjell në faqet e gazetës jetët e tyre, veprat, kontributet.Kështu kam bërë për Kristo Floqin, Kostë Çekrezin, Nelo Drizarin, Athanas Gegaj, Arshi Pipa, e të tjerë. Po ashtu ia kam lënë lënë çelë derën edhe kam bashkëpunuar me paraardhësin tim, poetin e studiuesin e njohur Anton Çefa.
Dielli gjatë këtyre 12 viteve u ka prirë veprimtarive promovuse, përvjetorëve historikë, veprimtarive komunitare dhe atyre të vetë Vatrës, duke synuar pjesmarrjen cilësore dhe masive në to. Kujtojmë përveç rolit prirës në 100 vjetorin e Vatrës dhe në çdo përvjetor të saj, përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës, përkujtimit të ngjarjeve historike, organizimit të konferencave dhe seminareve,organizimi i konkurseve mbarëkombëtare, Dielli u ka prirur edhe veprimtarive kushtuar figurave të tilla si Faik Konica, Fan S. Noli, Arshi Pipa, Mid’hat Frashëri, Musine Kokalari etj., ndërkohë që janë promovuar vepra të shkrimtarëve të njohur si Visar Zhiti, Frank Shkreli, Dine Dine, Arjeta Ferlushkaj, Ines Murzaku e të tjerë.
Duke qenë zëdhënës i Vatrës gazeta, nën drejtimin tim është përpjekur që ta kryej misionin me paanësi. Probelemet e krijuara pas Kuvendit të qershorit 2017, Dielli i ka përcjellë me korrektesë, duke u orientuar nga Kushtetuta e Vatrës, që ka sanksionuar frymën dhe detyrat e saj, duke i qëndruar besnikërisht strukturave institucionale të Vatrës, dhe kryesisë nga varet. Kjo ka qenë arsyeja që deklaratat e ndonjë dege të nervozuar, që i është kundërvënë qendrës, që sulmonin zyrtarët e Vatrës, apo deklarata të komisionit të paligjshëm, antikushtetus, anti Vatër, 5 tetori, nuk janë botuar në faqet e Diellit. Me ndërgjegje dhe mbështetur në frymën e Vatrës, jam përpjekur që ta mbroj Vatrën nga përçarjet, madje edhe duke kritikuar ashpër frymën përçarëse dhe rrugën pa krye ku përpiqen ta fusin Vatrën ende disa të pakënaqur.
Duke analizuar marrdhëniet me kryetarët, mendoj se kam shkuar mirë me drejtuesit e Vatrës. Z. Agim Karagjozi, mbetet i veçantë për vlerësimin dhe lirinë që më dha në drejtimin e Diellit. Po ashtu edhe ish Kryetari Gjon Buçaj, i cili me shkrim, me gojë, në takime, mbledhje, ka vlerësuar pozitivisht punën time, madje në ikje, pas Kuvendit të qershorit 2017, në mbrëmjen festive, si shumë të tjerë më nderoi me MIRËNJOHJE. Ndërsa kryetari Dritan Mishto, më la të punoj në lirinë e trashëguar nga kryetarët e mëparshëm, por mendoj se ai ka meritë nga që i shtoi Diellit editoren e anglishtes, që gazeta nuk e kishte që prej viteve ’80. Kryetari Elmi Berisha, më ka respektuar dhe më ka dhënë mbështetjen e duhur, madje edhe më vlerësoi duke i propozuar Presidentit të Shqipërisë z. Ilir Meta, që t’më dekoronte me Urdhërin”Kalorës i Skënderbeut”. E vlerësoj miratimin e Presidentit, i cili me Dekret Nr. 13049, datë 21 Prill 2021, më nderoi me titullin”Kalorës i Skënderbeut” me motivacionin ”Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e kryeredaktor i gazetës”Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare VATRA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Në ikje e falenderoj Kryesinë e Vatrës,e cila pa përjashtim më ka mbështetur, Këshillin e saj, degët, të gjithë vatranët, kryetarët e degëve,bashkëpunëtorët e Diellit, lexuesit, korrespondentin në Prishtinë Behlul Jashari dhe shumë të tjerë. Ndjesë për ndonjë keqkuptim.
Falenderim të veçantë për gazetarin Sokol Paja, që me profesionalizëm, me shkrimet e tij, me intervistat e relalizuara me personalitet të mjeksisë, kulturës, shkencës, me drejtues të shkollave shqipe, në të gjithë kontinentet ku jetojnë shqiptarët, ka ngritur autoritetin edhe zërin e Vatrës dhe të Diellit.
Jashtë falenderimit nuk mund të lë mikun tim Veis Belliu, sekretaren Nazo Veliu, mbesat e saj studente Kamila dhe Franka, e shoqen e tyre Rea,që më janë bërë krah duke ndihmuar në përgatitjen e gazetës për postim. Falenderim edhe për anëtarin e Kryesisë Zef Balaj, Mark Mrnaçaj,Marjan Cubi, Asllan Bushati, e të tjerë, që sa herë u kam kërkuar ndihmë, më janë gjendur. Falenderoj dizajnerin e Diellit, Hezër Hajrullaaga në Kosovë.
Në këto radhë nuk mund të lë pa përmenduar dy dy miq të çmuar, që nuk jetojnë më, që më dhanë gjithë mbështetjen e tyre,vatranët Jonuz Ndreu dhe Zef Përndocaj.
Së fundi dua të falenderoj familjen time, së cilës i kam munguar nga mëngjesi deri në orët e vona të natës,duke punuar edhe të shtunave dhe të dielave. Nga ana tjetër, familja ka qenë pjesë e pandarë e punës time, e Diellit dhe Vatrës, duke shërbyer vullnetarisht, duke kryer edhe punët e rëndomta, të pastrimeve në vatër, apo të përgatitjes së gazetës për postim.
Largimi ishte vendimi im, por dhe këmbëngulja e familjes, që unë të shlodhem dhe të shoh problemet e shëndetit. Gjej rastin që t’i përcjell një falenderim prej shpirti dr. Skënder Murtezani, që aq shumë është kujdesur për shëndetin tim. Edhe këshilla e tij ishte pjesë e vendimit tim.
E uroj Vatrën dhe Diellin, që të fitojnë mbi sfidat e shekullit të dytë të jetës së tyre dhe të ngrihen mbi përçarjet dhe sulmet e dashakeqësve, nervozëve, të pakënaqurve, të shpifësve, të njerëzve të vegjël në shpirt, që nuk kanë munguar asnjëherë.
Një këshillë për Vatrën: Të ruaj frymën e bashkimit dhe të veprojë në mënyrë insitucionale, të shmangë thashethemet, përgojimet, grupazhet e vogla shkatërruse që funksionojnë përmes telefonatave e-meileve me përzgjedhje,të ruhet nga egoizmat dhe xhelozitë karrieriste,të respektojë Kushtetutën e saj të trashëguar nga koha e Konicës.
Vatra dhe Dielli do të mbijetojnë se janë të shenjtë.