
Nga Mimoza Dajçi/
Më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës në Kosovë, plagët e shkaktuara nga forcat ushtarake, paramilitare dhe policore serbe vazhdojnë të mbeten të hapura, jo vetëm në kujtesën kolektive, por mbi të gjitha në trupat dhe shpirtrat e mijëra grave që u përdhunuan tragjikisht gjatë konfliktit në Kosovë.
Përpara se të detyroheshin të linin vatrat e tyre, mijëra gra dhe vajza u ballafaquan me tmerrin e përdhunimit, shpesh në sy të familjarëve të tyre. Dhunimet nuk ishin thjesht akte të izoluara, ato ishin pjesë e një strategjie të mirëfilltë ushtarake për të poshtëruar, thyer dhe shpërngulur popullsinë civile, kryesisht atë shqiptare, duke lënë pas viktima edhe në radhët e komuniteteve të tjera.
Por deri më sot, numri i krimeve të luftës për dhunë seksuale që kanë marrë ndëshkim gjyqësor për autorët në Kosovë apo përmes gjykatave ndërkombëtare është jashtëzakonisht i ulët. Dhuna seksuale e përdorur sistematikisht gjatë luftës, 1998-1999 mbetet një nga kapitujt më të errët të historisë, një e vërtetë që për vite me radhë u mbulua nga heshtja, turpi i imponuar shoqëror dhe frika nga paragjykimet.
Për një kohë të gjatë, ky krim lufte u shoqërua me një mbulesë heshtjeje. Për shkak të strukturës patriarkale të shoqërisë dhe frikës nga stigmatizimi, shumica e viktimave zgjodhën të vuajnë në vetmi, duke u përballur jo vetëm me traumën psikologjike, por edhe me rrezikun e braktisjes nga familja dhe rrethi.
Vitet e fundit, mbështetja institucionale dhe shoqërore ka shënuar hapa të rëndësishëm para, por rruga drejt drejtimit të plotë dhe rehabilitimit mbetet e gjatë dhe e dhimbshme. Një nga kthesat më të rëndësishme juridike ka qenë njohja zyrtare e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës, e cila u siguron atyre një pension mujor dhe lehtësi të caktuara.
Megjithatë, nga rreth 20,000 persona që llogaritet se janë prekur nga kjo dukuri, vetëm një pjesë e vogël, rreth dy mijë gra e burra kanë aplikuar dhe kanë fituar këtë status. E gjitha kjo vjen si pasojë e procedurave burokratike, frikës nga dekonspirimi dhe pengesave në dokumentimin e rasteve pas kaq shumë vitesh.
Pavarësisht ekzistencës së komisioneve qeveritare dhe qendrave të specializuara, si QKRMT e të tjera, mbështetja afatgjatë psikologjike dhe mjekësore shpesh ka hasur në pengesa të dukshme. Shpesh herë, nevojat e të mbijetuarave për barna për sëmundjet kronike të shkaktuara nga trauma mbeten të paplotësuara
Edhe pse ndërgjegjësimi publik është rritur përmes fushatave sensibilizuese, filmave dokumentarë, artit dhe zërit të vetë grave të guximshme që kanë thyer tabunë, stigma sociale nuk është zhdukur plotësisht. Të mbijetuarat nga komunitetet rome, ashkali apo egjiptiane, vazhdojnë të përballen me një izolim edhe më të madh dhe me mungesë të theksuar të mbështetjes institucionale.
Gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk janë thjesht statistika të një konflikti të kaluar, ato janë dëshmitë e gjalla të qëndresës njerëzore. Mbështetja ndaj tyre nuk duhet të jetë thjesht një detyrim burokratik apo ndihmë financiare periodike, por një angazhim kombëtar dhe moral. Shoqëria dhe shteti e kanë detyrim parësor që, përveç pensioneve, t’u kthejnë atyre dinjitetin e humbur, të luftojnë dhe të sigurojnë që drejtësia të mos mbetet thjesht një premtim.
Foto: https://storm-rks.com/sot-shenohet-dita-e-te-mbijetuarve…/