• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Rugova rrugës për në SHBA takoi Nënë Terezën

September 3, 2016 by dgreca

unnamed

1 Rugova Papa

brahim-Rugova-e-Bill-Clinton-

u1_Rugova-Klinton

-Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, rrugës për në Uashington, në Aeroportin e Romës, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen/

-Presidenti Rugova: Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës, Nënë Terezes i rodhën lotët… Nene Tereza-Peja-22tetor1982 imazhe4-Large-690x380Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë/

 

1 agimi Katedrale-Vatranët Presidentin Rugova e kanë pritur e shoqëruar në të gjitha vizitat në SHBA. I kujtojmë edhe në 16 gusht 2016 me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra gjatë vizitës në Ipeshkvinë e Kosovës, Katedralen Nëna Terezë dhe Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë/

-Rugova: Shtatorja e Nënës Tereze  në Prishtinë, dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA…Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze/

-Shtetet e Bashkuara të Amerikës,  20 vjet pranie në Kosovë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 3 Shtator 2016/ Rrugës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ka takuar të Lumen Nënë Tereza, nobelisten – nënën tipike shqiptare, që është edhe e gjithë botës, siç është shprehur ai.

Ishte viti 1995, kur në 7 dhjetor Presidenti i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, takohet me Nobelisten Shqiptare Nënë Terezen.  “Do të lutem për popullin e Kosovës”, tha Nëna Tereze gjatë këtij takimi me Presidentin Rugova.  Takimi u zhvillua në Aeroportin e Romës, gjatë rrugës së Presidenti Rugova për në Uashington.

RUGOVA: NËNA TEREZË MË KA FRYMËZUAR SHUMË GJATË KËSAJ KOHE PREJ QË MERREM ME PUNË EDHE TË SHTETIT TË KOSOVËS

“Unë e kam takuar vetëm një herë Nënën Tereze në Aeroportin e Romës, rastësisht, por veprën e saj e njoh shumë, shumë mirë…Ato pak çaste që kemi kaluar, kur iu prezantova si President i Kosovës i rodhën lotët, ishte në vitin 1995…dhe dëshiroi sukses dhe punë dhe e ndinte në zemër popullin e Kosovës dhe popullin shqiptar që e ka dëshmuar edhe me vepër”, ka treguar Presidenti Rugova.

Ai ka vlerësuar se, Nëna Terezë është sublimim shekullor i kulturës e traditës shqiptare, nënës shqiptare dhe se shenjtërimi i saj është një përjetësim i filozofisë së saj, merr një formë institucionale dhe kanonike.

“Mbas Skenderbeut që ka fut popullin shqiptar në historinë moderne të Evropës e  të  perëndimit e të botës, Nëna Tereze e ka inkuadrur popullin shqiptar sot në universin, në botën globale të sotme që ne identifikohemi me të dhe ajo identifikohet me ne, por është edhe e gjithë njerëzimit dhe ky është ndër kontributet më të madha të Nënës Terezë, që i ka bërë kombit shqiptar, Kosovës, popullit të saj… Shenjtërimi i saj është një akt i madh për popullin tonë dhe një përjetësim i popullit tonë në historinë modene dhe në kohërat që vijnë”, është shprehur Presidenti Rugova.

Në punën e Shtetit, ka thënë Presidenti i Kosovës Rugova, unë gjithmonë jam frymëzuar nga vepra e madhe e dashurisë së ushtruar ndaj të afërmit nga Nënë Tereza dhe pandërprerë e kam pasur shembull e ideal timin.

“Mua më ka frymëzuar shumë gjatë kësaj kohe prej që merrem me punë edhe të Shtetit të Kosovës që e kemi formuar Shtetin  modern të Kosovës, pra po bëhen rreth 15 vite, dhe Nënën Terezë e kam pasur si një shembull të dashurisë, të paqes, të mirëkuptimit mes njerëzve, të shërbimit për popullin e vet, për kombin e vet, ka qenë edhe një ideal, një prehje”, ka theksuar Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Ai ka përkujtuar edhe se, në Kosovë që nga viti 1990 ka funksionuarr shoqata “Nëna Terezë” e cila ka luajtur rolin e një ministrie sociale, ministrie të shëndetësisë…

2 KORRIK 2002: PRESIDENTI RUGOVA NË SHESHIN QENDROR TË PRISHTINËS PËRURON SHTATOREN E NOBELISTES SHQIPTARE NËNË TEREZA

Në 2 Korrik 2002, ditën e 12 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi, Presidenti i Kosovës dhe përjetëshëm i Pavarësisë së saj, Dr.Ibrahim Rugova, në Sheshin qendror të Prishtinës, para mijëra qytetarëve, ka zbuluar Shtatoren e Nobelistes Shqiptare Nënë Tereza. Ishin të pranishëm personalitete të jetës publike, politike e ushtarake të Kosovës dhe të komunës së Prishtinës.

Para pjesëmarrësve në solemnitet, Presidenti Rugova tha se sot është ditë e madhe për Prishtinën dhe për Kosovën. “Është ditë e madhe, sepse sot po bëjmë zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, Nënës sonë të dashur.

Këtë shtatore të çmuar po e zbulojmë në Rrugën kryesore të Kryeqytetit, që para sa vjetesh e emëruam me emrin e Nënës Tereze, që e pranoi Prishtina dhe e gjithë Kosova”, tha Presidenti Rugova.

Ai vijoi se, “kjo ditë bëhet më e madhe me zbulimin e shtatores së Nënës Tereze, simbolit të dashurisë njerëzore, të kujdesit për njeriun, për jetën dhe për të mirën. Pra, e kemi simbolin e Nënës shqiptare, Nënës Tereze, që do ta ndiçojnë zemrën e Prishtinës dhe të Kosovës së lirë, ashtu siç e ka dashur ajo”.

“Prej sot, shtatorja e Nënës Tereze, do të jetë pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Prej sot, fëmijët tanë dhe brezat e ardhshëm do të rriten me shtatoren madhështore të Nënës sonë të Madhe”, tha Presidenti i Kosovës, Rugova.

“Ne ndiehemi krenarë që jemi popull i Skënderbeut, që jemi popull i Nënës Tereze, Nënës sonë të shenjtë”, theksoi ai.

Dr. Rugova tha se kjo shtatore e Nënës Tereze është dhuratë e Lekë Gojçajt, veprimtarit dhe atdhetarit të njohur në SHBA, i cili për shumë vjet punoi për Kosovën dhe popullin shqiptar.

“Të njejtën shtatore zoti Gojçaj e ka dhuruar dhe vendosur pranë Kishës Katolike Shqiptare në Nju Jork. Tash Prishtinën dhe Nju Jorkun i lidh më shumë Nëna Tereze”, theksoi Presidenti i Kosovës, Dr. Rugova.

Presidenti Rugova me këtë rast shprehu mirënjohje të thellë për këtë dhuratë bërë Prishtinës dhe Kosovës, duke madhëruar festën e 2 Korrikut- Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Rugova uroi qytetarët e Prishtinës dhe të Kosovës për Shtatoren e Nënës Tereze dhe përmbylli fjalën e tij me lutje-urime bekimi:
– Zoti e bekoftë Nënën Tereze, siç e ka bekuar.
-Zoti e bekoftë familjen Gojçaj dhe shqiptarët e Amerikës.

-Zoti i bekoftë SHBA-të.

-Zoti e bekoftë Kosovën.

DELEGACIONI I FEDERATËS PAN-SHQIPTARE TË AMERIKËS VATRA, NË KATEDRALEN NËNA TEREZË NË PRISHTINË

Në ditën e 16 gushtit 2016, një delegacion i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, në Ipeshkvinë  Kosovës  dhe në Katedralen Nëna Terezë në Prishtinë u prit plot përzemërsi, repekt e vlerësim nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji.

Edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit u theksua se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë – 1.800.000dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj.  Gjatë gjithë kohës isha edhe unë, prej më shumë se një viti edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen “Nënë Tereza”, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtojmë gjatë bisedës.

IPESHKVI IMZOT DODË GJERGJI VLERËSON LART ORGANIZIMIN DHE KONTRIBUTET E VATRËS, ME KRYETARIN DR. GJON BUÇAJ E GJITHË VATRANËT

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerësoi lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, me kryetarin Dr. Gjon Buçaj e gjithë vatranët.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, u shpreh Ipeshkvi i Kosovës.

Gjatë pritjes për vatranët e shqiptarëve të SHBA në Ipeshkvinë e Kosovës dhe vizitës në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë përkujtuam se,  para 11 viteve, në 26 gusht 2005, gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, Presidenti Rugova theksonte: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vu për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze nga ana e Presidentit Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik, në oborrin e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Katedralja nisi të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Presidenca e Kosovës ka vite që ndanë dekoratën Medalja Humanitare “Nëna Terezë”, që u jepet personave që kontribuojnë në çështjet humanitare…

 

***

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, rrugës për në Uashington, pas takimit me Nobelisten Shqiptare Nëna Terezë në Aeroportin e Romës, të nesërmen, në 8 dhjetor takohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit Uoren Kristofer, për herë të dytë brenda vitit 1995, pas të parit në 22 qershor, kur po ashtu, takohet me liderin e shumicës në Senatin amerikan, Robert Dol.

RUGOVA UDHËTIME TË SHPESHTA DREJT UASHINGTONIT, DY TAKIME ME PRESIDENTIN CLINTON. I KUJTOJMË ME VATRANËT QË E KANË PRITUR GJITHNJË NË SHBA

Në rrugëtimin drejt lirisë e pavarësisë së Kosovës, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova kishte udhëtime të shpeshta drejt Uashingtonit, ku në vitin 1994, në 4 shkurt, kishte takuar Presidentin e SHBA-ve, Bill Clinton. Takimi u zhvillua në hotelin “Hilton” të Uashingtonit, para fillimit të Lutjes kombëtare të mëngjesit, që organizohet për çdo vit në kryeqytetin amerikan.

Presidenti amerikan Clinton, Nënpresidenti Al Gore  e personalitete të tjera ndërkombëtare, prezentuan sfidat aktuale dhe ftuan për çaste të prehjes shpirtërore, udhëheqjes morale dhe paqësore të politikës botërore.
Pas kthimit në Prishtinë në 14 shkurt 1994, Presidenti Rugova theksonte: “Vlerësoj shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm takimin me Presidentin Amerikan Clinton, i cili shfaqi shqetësime për gjendjen në Kosovë dhe vlerësoi lart politikën tonë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës me mjete politike e në rrugë paqësore”.  Clinton dhe Al Gor përsëritën qëndrimin se SHBA-të nuk do të lejojnë zgjerimin e konfliktit në Kosovë.
“Unë e kam takuar Presidentin Rugova dhe jam admirues i flakët i tij si dhe i hapave të rëndësishëm që populli i Kosovës i ka bërë për zvogëlimin e mundësive të përhapjes së një dhune me përmasa të gjera. Ne po e vëzhgojmë situatën për së afërmi atje. Për të penguar konfliktin në rajon ne kemi dërguar trupat tona në Maqedoni”,  deklaronte Nënpresidenti amerikan Al Gore në 27 prill 1994.

Edhe në vitin 1998, në 29 maj, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington takohet me Presidentin Amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaron: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton thotë se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.

Personalite të larta nga e gjithë bota, sa herë që vijnë në Kosovën e lirë e të pavarur kujtojnë me vlerësimet më të larta Presidentin historik Rugova.

Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar gjatë takimit.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”,  ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.

Këtë e kujtojmë edhe gjatë vizitës në 16 gusht 2016 në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë të delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…Vatranët Presidentin Rugova e kanë pritur e shoqëruar në të gjitha vizitat në SHBA.

SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS,  20 VJET PRANIE NË KOSOVË

Që prej 20 vitesh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Kosovë. Në vitin 1996, më 12 janar, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.

Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996. Presidenti Rugova bashkë me familjen ka marrë pjesë në hapjen solemne të Zyrës Amerikane në Prishtinë, të parës nga gjithë bota, në një ditë historike.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja para 20 viteve…

Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 korrik, Tina Kaidanow është betuar si Ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Zyra e SHBA-ve në Prishtinë u bë Ambasadë në një ceremoni ku kanë marrë pjesë udhëheqësit më të lartë të Kosovës. “Si rezultat i statusit të ri të Kosovës si vend i pavarur, i njohur nga shumë prej kombeve më të fuqishme dhe më të përparuara të botës, na është dhënë leja nga Kongresi i SHBA-ve për t’u hapur formalisht si ambasadë e Shteteve të Bash kuara”, ka thënë Kaidanow në ceremoninë solemne.

Ajo ka shtuar se, “derisa Zyra e SHBA-ve në Prishtinë ka funksionuar për shumë vite me të gjitha përgjegjësitë dhe detyrat e një misioni të zellshëm diplomatik, emërimi si ambasadë pasqyron një fazë të re në zhvillimin tonë dhe nënvizon përkushtimin tonë të thellë dhe të qëndrueshëm për të punuar për përparimin e Kosovës dhe popullit të saj”.

Diplomatja e SHBA-ve në Prishtinë, Kaidanow, siguroi për vazhdimin dhe intensifikimin e përpjekjeve në vitet në vijmim dhe se asistenca amerikane Kosovës do të ketë për qëllim sigurimin e një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

“Ju sjell urimet nga niveli më i lartë i Qeverisë së SHBA-ve për këtë rast shpresdhënës, përfshirë nga Sekretarja e Shtetit Rice, e cila dërgoi përshëndetjet e saj personale”, tha më tej Kaidanow.

“Është kanqësi dhe nder të jemi këtu në Kosovë në një kohë aq të rëndësishme, dhe i shprehim mirënjohjen tonë të posaçme popullit të Kosovës, i cili na ka ofruar besimin dhe bashkëpunimin e vet gjatë gjithë këtyre viteve”, ka theksuar e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë.

Duke e marrë fjalën në ceremoni atëherë Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu tha se “Kosova ka tashmë një histori të marrëdhënieve speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë farkuar nëpër kohë të stuhishme të ekzistencës sonë”.

Më tej presidenti Sejdiu përkujtoi:

“Po mbushen 12 vjet që kur kemi përfaqësim diplomatik të SHBA-ve në Kosovë. Hapja e Zyrës Amerikane më 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit John Kornblum, ka shënuar vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Ky shënonte moment të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes të Kosovës dhe SHBA-ve, do të thoshte më 1996 Presidenti Ibrahim Rugova, i cili me të drejtë e quante këtë lidhje ‘miqësi të përhershme’ në mes të dy vendeve tona”.
Më tej Sejdiu tha se Presidenti amerikan George W. Bush, në letrën e tij të njohjes së pavarësisë së Kosovës, që ia kishte dërguar atij të nesërmen e shpalljes, përkujtonte “lidhjet e thella dhe të sinqerta të miqësisë që bashkojnë njerëzit tanë”.

“Kjo miqësi, theksonte Presidenti Bush, ‘e farkuar gjatë orëve më të errëta të tragjedisë së Kosovës, është bërë edhe më e fortë në nëntë vitet që kur ka mbaruar lufta në Kosovë’”, tha Sejdiu.
“Sot, me hapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, po kurorëzohet njëra pjesë e punës për vendosjen e marrëdhënive të plota diplomatike në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Kjo do të përmbyllet me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Sejdiu, President në atë kohë.
“Dita e sotme është e veçantë për ne, sepse miku ynë më i madh, SHBA-të po avancojnë statusin e prezencës së tyre në shtetin tonë të ri”, ka thënë në ceremoni  atëherë Kryeministri Hashim Thaçi, Presidenti i tashëm i Kosovës.

Ai vlerësoi se, “duke e avancuar statusin e zyrës së deritanishme në Ambasadë të plotëfuqishme, dëshmohet së SHBA-të kanë besim në Kosovë”.

“Prandaj, unë si Kryeministër dhe i tërë populli i Kosovës jemi të nderuar dhe jemi mirënjohës për këtë gjë. Si përfaqësues i popullit tim, me lejoni që të them se edhe ne kemi besim të madh në Shtetet e Bashkuara. Ne gjithmonë e kemi çmuar dhe do ta çmojmë miqësinë dhe marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

“Besimi në liri, barazi, dhe drejtësi janë vlerat sublime, të cilat e bëjnë kombin amerikan të jetë madhështor sot. Prandaj, ne me vendosmëri shikojmë drejt Shteteve të Bashkuara dhe do të vazhdojmë t’i mbështesim dhe kultivojmë këto vlera të përbashkëta”, nënvizoi kryeministri në atë kohë.

“Ndërkohë, që Kosova do të vazhdojë udhëtimin e saj në mesin e vendeve të lira dhe demokratike të botës, ne përgjithmonë do të ruajmë në zemrën tonë respektin e veçantë për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë të përfaqësuar nga kjo Ambasadë këtu”, përfundoi Thaçi duke uruar “në këtë rast madhështor”.

Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa (tash kryeministër) dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.

Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.

Në 5 maj 2015, në Prishtinë u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e institucioneve më të larta kosovare, si dhe  të ambasadave në Kosovë.

“Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet”, theksonte atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, në fjalën e rastit, duke iu drejtuar, Ambasadores së SHBA-ve, Tracey Ann Jacobson, e cila përfundonte misionin në Prishtinë.

Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë me “mirëmengjes” niste prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë. “Unë jam Greg Delawie dhe është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona. Zyrën tonë informative në Kosovë e kemi hapur në vitin 1996. Tani pothuaj 20 vjet më vonë, objekti i ambasadës sonë të re në Prishtinë është në ndërim e sipër”, shprehej ambasadori duke shtuar se shërbimi publik është i rëndësishëm për familjen e tij.

“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, theksonte ambasadori amerikan.

Njoftimi dërguar nga ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, Greg Delawie ndjehet i nderuar që do të shërbejë si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë.

Në 21 gusht 2015, Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delaëie, dorëzoi letrat kredenciale në pritjen me ceremoni solemne shtetërore te atëherë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, bashkë me të cilën edhe shëtitën më këmbë shesheve të Prishtinës.

Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes. Shtetin e Kosovës deri sot e kanë njohur 112 shtete anëtare të OKB-së.

Filed Under: Reportazh Tagged With: dr. Rugova, rruges per SHBA, takoi Nene terezen

Vatikan- Mbahet koncerti madhështor për shenjtërimin e Nënë Terezës

September 3, 2016 by dgreca

Një koncert madhështor kushtuar Nënë Terezës u mbajt në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”, në Vatikan, ku interpretuan artistët shqiptarë më të njohur në mbarë botën./

14232528_10210502962511713_6482269064814133008_n

14184391_10210502965991800_5084377445089911419_nVatikani është shndërruar në qendrën shqiptare kur ka mbledhur yjet më të rëndësishëm të trojeve tona dhe elitën politike në koncertin e madh në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”. Në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, njëkohësisht 19 vjetorit të shuarjes së saj.

14238073_1261063877277286_3773486603703097689_n

1472928288_foto12

1472928296_foto13

1472927800_foto7Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës dha një historik poetik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.
Rita Ora dhe Lorik Cana zgjodhën që përshëndetjen e parë për të pranishmit ta bëjnë në shqip, në gjuhën që ushtoi në Bazilikën e Shën Palit.
“Ave Maria” me zërin e magjishëm të Inva Mulës ishte mirëseardhja muzikore.  Baritoni Gëzim Myshketa interpretoi “Libera Me”.
Një ndërthurje mes muzikës dhe narracionit të vargjeve të murgeshës së të varfërve solli më pas Andi Bajgorën me vargjet “Take Time”. Virtuozi Shkëlzen Doli, solli në fillim tingujt “Meditation të Massenet”.
Në këtë festim të madh nuk mund të mungonte edhe “Buka e Engjëjve, Panis Angelicus nën zërin e Ramë Lahaj. Lum Veseli përcolli magji me narracionin e tij sërish në gjuhën shqipe të vetë vargjeve “Gjithmonë kam në zemër” të vetë Nënës Terezë.
Rita Ora ishte shndërruar. Në pamjen e një katolikeje në një ndër bazilikat më të bukura artistikisht, ajo interpretoi simbolin “What Child is this”. Nën orkestrimin e Shpëtim Saracit.
Producentja Dijana Toska ja doli të bënte bashkë më shumë shqiptarë se asnjëherë në selinë e shenjtë për një shenjtore.
Sërish, Inva Mula finalizon himnin e Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me fjalët “Lamtumirë” që murgesha e të varfërve i shkroi në vitin 1928. Të ardhura nën kompozimin e Genc Tukiçit.
Kjo nuk ishte një lamtumirë, por një përkatësi më shumë, që Nënë Tereza, është e jona. Dhe kjo magji ishte e gjitha në Top Channel në transmetimin dhe mbështetjen mediatike.(Top Channel)

***

Në koncert eshte degjuar dhe duartrokitur edhe himni i Nënë Terezës “Valsi Hyjnor” me muzikë të Lorenc Antonit e me vargjet e poezisë “Lamtumirë” të shkruar nga Nënë Tereza gjatë udhëtimit të saj nga Irlanda në Kalkutë. Himni u këndua nga soprano Inva Mula e shoqëruar nga Filarmonia dhe kori i Kosovës me orkestrant nga Shqipëria e Maqedonia.

Pjesëmarrës në këtë aktivitetet ishin emra të njohur të muzikës botërore si këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, sopranot e famshme, Inva Mula, Ermonela Jaho etj. Zyrtarët thanë gjithashtu se presin që në koncert dhe në shenjtërimin e Nënë Terezës të ketë një numër të lartë shqiptarësh.

Ndërkohë, Këngëtarja Rita Ora ka kënduar së bashku me tenorin Saimir Pirgu këngën “What Child is This”. Nga ana tjetër, këngëtarja Ermonela Jaho ka kënduar  himin “Panis Angelicus” (Bukë për engjëjt), një liturgji e shkruar nga Shën Tomazo d’Aquino.Shenjtërimi – Mbahet në Vatikan koncerti për nder të Nënë Terezës

03/09/2016 – 19:09
 Koncerti u zhvillua në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”, ku interpretuan artistët më të njohur shqiptarë në botë. Ndërkohë, në koncert janë të pranishëm edhe krerët e lartë të shtetit shqiptarë, përkatësisht Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, etj. Fotot e vidiot kortezi Ora News TV…
***

Kosovë-Presidenti Thaçi në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan

Prishtinë, 3 Shtator 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Për nder të humanistës shqiptare, sonte në Selinë e Shenjtë do të mbahet edhe koncerti “Himni i Nënës Terezë”, ku do të marrin pjesë artistë të njohur botërorë.
Ndër solistët e njohur që do të përformojnë në këtë koncert janë edhe dy artistet shqiptare, Rita Ora dhe Inva Mula. Kurse futbollisti shqiptar, Lorik Cana, do të recitojë poezinë e “Nënës Terezë”.
Ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë do të mbahet nesër dhe pjesë e saj do të jenë rreth 100 mijë besimtarë, si dhe liderë e personalitete të shumta botërore.
Pas ceremonisë së shenjtërimit, presidenti Thaçi në mbrëmje do të jetë i pranishëm edhe në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë.
E dekoruar me çmimin Nobel për Paqe më 1979, Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali më 2003, pasi që Selia e Shenjtë kishte pranuar se falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të saj, Nënë Tereza kishte shëruar një grua indiane.
Më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, gjegjësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, që ka ndodhur më 9 dhjetor 2008.
Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të humanistes shqiptare.

14183802_590062131118913_8493284182656677439_n

Koncerti Vatikan

14224743_590062201118906_4232826722525859814_n

Koncerti Vatikan

14232424_590062217785571_6349931137230603281_n

Rita Ora gjatë koncertit në Vatikan

14237712_590062134452246_2474537058192935037_n

Koncerti Vatikan

14238325_590062307785562_2671857258431547725_n

Rita Ora gjatë koncertit në Vatikan

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: i Shenjterimit, Nene Tereza, Nis Koncerti

U.S. Embassy to Holy See to open exhibition of historic records documenting Mother Teresa’s visits to United States

September 3, 2016 by dgreca

U.S. Embassy to Holy See to open exhibition of historic records documenting Mother Teresa’s visits to United States/

Nene TerezaTIRANA, Sept 3– U.S. Embassy in Tirana announced Saturday that in celebration of the canonization of Mother Teresa on September 4, the U.S Embassy to the Holy See presents an exhibit of historic records and photographs documenting Mother Teresa’s visits to the United States.

“In celebration of the canonization of Mother Teresa on September 4, the U.S Embassy to the Holy See presents an exhibit of historic records and photographs documenting Mother Teresa’s visits to the United States,” U.S. Embassy said in a post on its Facebook page.

Mother Teresa bows towards President Reagan as Mrs Reagan looks on in this June 21, 1985 photo during the ceremony where the President presented the Medal of Freedom to Mother Teresa. The Sisters of Charity in Rome said Friday Sept. 5, 1997 that Mother Teresa has died, she was 87. ( AP Photo/Barry Thuma )

Mother Teresa bows towards President Reagan as Mrs Reagan looks on in this June 21, 1985 photo during the ceremony where the President presented the Medal of Freedom to Mother Teresa. The Sisters of Charity in Rome said Friday Sept. 5, 1997 that Mother Teresa has died, she was 87. ( AP Photo/Barry Thuma )

“Visit the following website http://www.motherteresainusa.net/about, to see some of the most memorable moments of Mother Teresa’s many extraordinary visits to the United States,” Embassy said.

Saint Mother Teresa, the founder of the Missionaries of Charity, was often a guest in the United States. An adamant pro-life advocate and opponent of the death penalty, she opened her first American-based house of charity in New York in 1971.

She was a frequent guest at the White House, met with the Senate Foreign Relations Committee on the World Food Resolution, addressed the United Nations in New York, and became an honorary American citizen in 1996. Although the Nobel Peace Prize winner was often the attention of the powerful and the media, she never forgot her true calling to care for the poor and sick.

Mother Teresa addresses the audience after receiving the Nobel Peace Prize in Oslo's University Aula, Dec. 10, 1979. Members of the Norwegian Broadcasting Orchestra listen in the background. (AP Photo)

Mother Teresa addresses the audience after receiving the Nobel Peace Prize in Oslo’s University Aula, Dec. 10, 1979. Members of the Norwegian Broadcasting Orchestra listen in the background. (AP Photo)

With materials collected from her past collaborators in organizations such as Catholic Relief Services, this exhibit features original speeches, congressional records, and rare photographs, all of which speak to her tireless efforts to rid the world of poverty, homelessness, and hunger.

We invite you to enjoy this U.S. Embassy to the Holy See tribute featuring some of the most memorable moments of Mother Teresa’s many extraordinary visits to the United States.

Filed Under: Kulture Tagged With: Mother Teresa’s visits, to United States, U.S. Embassy to Holy See to open exhibition

Pushtimi virtual

September 3, 2016 by dgreca

(Kjo vdekje e paemër)/

Nga Rexhep KASUMAJ/

Në një ndarje përgjithësore, pushtimi i një toke të huaj, e si pasojë, skllavnimi i një populli, bëhet dy udhësh.

Njëra, ndaj, është klasike me ushtri, marshim perandorak, shpatarë, kështjella që digjen, pastaj tanke, gjak, kampe, robër e mort. Dhe tjetra – virtuale, e kjo domethënë, e fshehtë që mbulon ftyrën e vërtetë pas një ideje madhnore: asistencë ndihmëtare, afrimitet historik a shpirtëror, përkitje interesash, aleancë natyrale…Nuk dëgjohen më rropamë kalorsie, karro të blinduara që shkallmojnë udhët, avionë mbi kulme ku ritmon butësia e jetës…Rrjedhimisht s’do ketë as burgje, flamuj tek valojnë sundueshëm, përsekutim, vrasje, dyndje biblike. Të moderuarit duan një t’vetme gjë të thjeshtë: dorë mbi pasuritë, resurset dhe fuqinë e lirë punëtore.

Dhe shtypja ngjan, ashtu, e shtruar, madje e kadifenjtë, kurse gjunjëzimi i pavërejtshëm, elegant dhe flladitës. Veçse më pas vjen  mekja e frymës që shuan ngadalë si një vdekje pa emër…

Por, megjithë ndryshmërinë, ato kanë një tipar të përbashkët: renegatët. Një racë, kurrizi i së cilës në të dy mënyrat e kohët krruset përdhé, për tu bërë urë kalimi apo flamur justifikimi i Fuqisë hegjemone. I Fuqisë së huaj!

Filed Under: Opinion Tagged With: Pushtimi virtual, Rexhep Kasumaj

GRACKA E RE E GRACKËS SË VJETËR

September 3, 2016 by dgreca

NGA BARDHYL MAHMUTI/

Dy ditë pas kritikave të shumta për bojkotimin e seancës parlamentare të 1 shtatorit, ku duhej të votohej Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Lista Serbe u lëshua në sulm të ashpër. Pretekst për këtë ofensive propagandistike shërbeu dëmtimi i pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër në Lipjan, pllakë kushtuar civilëve serbëve të vrarë në verë të vitit 1999 që propaganda serbe ua vesh “terrorit shqiptar”.

Akti i përdhosjes së pllakave përkujtimore është akt neveritës. Por, ajo që është thelbësore në këtë  çështje ka të bëjë me pyetjen se kush mund të qëndrojë realisht prapa vrasjes së këtyre civilëve serbë dhe kujt i intereson sot të bëhen akte të shëmtuara mbi pllakat përkujtimore? Pikërisht rreth kësaj çështjeje do të mundohem të jap përgjigje.

Strategjia serbe e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës është një strategji tanimë e njohur dhe e pranuar edhe nga vetë intelektualët serbë. Intelektuali i parë që ngriti zërin kundër kësaj forme të veprimit ishte Mirosllav Filipociqi, gazetar i gazetës beogradase «Danas», i cili, në të njëjtën kohë ishte gazetar i «Agjencisë France-Presse» dhe ana­list i «Institutit Raportues për Luftën e Paqen». Për akuzat që u visheshin shqiptarëve ky gazetar serb tërhoqi vërejtjen e opinionit publik serbe se “Serbia krijoi eskadronët e përbërë nga serbë që sulmonin serbët dhe pronat e tyre në Kosovë dhe kështu i ngritën tensionet ndëretnike”. Për denoncimet e krimeve serbe në Kosovë që bëri në mediet serbe dhe ato ndërkombëtare, më 26 korrik të vitit 2000 Gjykata Ushtarake në Nish shqip­toi dënimin me 7 vjet burg kundër Mirosllav Filipoviq. Një respekt i veçantë për këtë intelektual serb sepse denoncimet i bëri në kohën kur Millosheviqi ishte ende në pushtet.

Shumë vite më vonë, shkrimtari dhe politikani serb Vuk Drashkoviqi, i cili gjatë periudhës më të vështirë të luftës në Kosovë kishte qenë Zëvendës-kryeministër i Jugosllavisë dhe i ngarkuar të udhëhiqte marrëdhëniet me jashtë, nxori në shesh të vërtetën që tronditi opinionin publik të Serbisë.

Në intervistën e titulluar «Milosheqi urdhëroi Radetan dhe Legian t’i vrasin fëmijët serbë» (http://www.kurir-info.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359), Vuk Drašković-i foli edhe për mënyrën e organizimit, të funksionimit dhe të sjelljes së vendi­meve kriminale në funksion të nxitjes së urrejtjes kundër shqiptarëve dhe stig­matizimit të UÇK-së. Në këtë intervistë ai sqaron se “vendimin për serinë e krimeve kundër serbëve në Kosovë dhe kundër shqiptarëve, që e mbështetnin Serbinë dhe e dënonin publikisht UÇK-në, e solli Milosheviqi dhe Shtabi i tij strategjik. Në krye të eskadronit të vdekjes, të Njësisë për Operacione Speciale, u caktua Milorad Ulemek-Legija. Ky i merrte urdhrat nga Radomir Markoviqi, shefi i atëhershëm i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, i dënuar sikurse Milorad Ulemek-Legija, me 40 vjet burg për dhënien e urdhrit dhe porosinë e vrasjeve të shumta (…) ” deklaroi, ndër të tjera, Vuk Drašković-i për gazetën beogradase «Kurir».

Krahas publikimit të fakteve se Shtabi strategjik i Milošević-it kishte marrë vendimin për vrasjen e civilëve serbë dhe shqiptarë dhe publikimit të emrave të strukturës komanduese dhe operative të «eskadronit të vdekjes», ish-zëvendëskryeministri jugosllav, Vuk Drašković-i, bëri publik edhe qëllimin e këtyre akteve kriminale. “Përmes një varg sulmesh terroriste të kryera nga Shërbimi i Sigurisë Shtetërore, të cilat duhej t’i visheshin UÇK-së, do të arriheshin dy qëllime: UÇK-ja do të paraqitej në sytë e bashkësisë ndërkombëtare si organizatë terroriste dhe vrasja e civilëve të pafajshëm do t’u jepte zjarr ndjenjave antishqiptare në Kosovë dhe në tërë Serbinë.” (Intervista e cituar)

Për të ilustruar me shembull konkret këtë strategji të dyfishtë të regjimit të Milosheviqit, Vuk Drashkoviqi theksoi se “në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë, me në krye Radomir Marković-in, me ndihmën e Milorad Ulemek-Legija-s, më 14 dhjetor 1998 kreu masakrën kundër gjashtë djelmoshave serbë në kafenenë «Panda» në Pejë.” (Intervista e cituar).

Megjithatë, zbulimi i këtij rasti u bë falë gatishmërisë së ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb, Radomir Markoviqit, që t’i ndriçojë vrasjet e kryera nga ky shërbim me shpresë se do të përfitojë në uljen e dënimit prej 40 vjet burg. Por, refuzimi i autoriteteve serbe që t’ia ulin dënimin Radomir Markoviqit ndikoi që ky kriminel, “në kërkesën për falje të dënimit që ia drejtoi Kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolić-it, të kërcënojë se do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë nëse publikon listën e krimeve të bëra kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.” (http://www.kurir-info.rs/rade-markovic-dao-nalog-da-se-ubiju-srpska-deca-u-peci-1998-clanak-1182597).

Radomir Markoviqit u arrestua më 24 shkurt 2001 si organizatorë dhe udhëheqës në vrasje të shumta me motive politike në periudhën janar 1998 – janar 2001. Që nga arrestimi i tij e deri më ditën e sotme të vitit 2016  janë vetëm 10 vrasje që Serbia përpiqet t’ia veshë UÇK-së. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës (në komunën e Zveçanit dhe atë të Leposaviqit) atje ku shqiptarët vështirë se mund të depërtojnë.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës asnjë institucion me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk morri iniciativë që Radomir Markoviqi të transferohet në një vend neutral, të merret në pyetje për të gjitha vrasjet që është në dijeni, që një herë e përgjithmonë të ndriçohen të gjitha vrasjet e civilëve që do ta çlironin Serbinë e shndërruar në “peng të kriminelëve që kanë kryer këto krime” (Intervista e cituar e Vuk Drashkoviqit).

Pa ndriçimin e plotë të asaj që mban të fshehur Shërbimi Sekret Serb lidhur me vrasjen e civilëve në Kosovë, ekziston rreziku që të painformuarit të biem pre e sajesave në funksion të fshehjes së gjurmëve të krimit. Rasti i Grackës së Vjetër hap shtegun e grackave të reja propagandistike.

Bardhyl Mahmuti

3 shtator 2016

Filed Under: Politike Tagged With: Bardhyl Mahmuti, GRACKA E RE E GRACKËS, SË VJETËR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2517
  • 2518
  • 2519
  • 2520
  • 2521
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT