• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nëpër gjurmët e trashëgimisë patriotike

August 31, 2016 by dgreca

NGA IBRAHIM VASIARI/*

Monografia ‘’Arshi Selfo Dalani – një vatër kombëtare në Kaninë’’, përveç kureshtjes së zakonshme, të tërheq vëmendjen edhe për faktin se objekti i trajtesës jo rastësisht ka hyrë në fokusin hulumtues të Prof dr Bardhosh Gaçes, autor me përvojë për studime në këtë fushë.

Duke qëmtuar nëpër kohëra episode ngjarjesh, figura dhe kontribute patriotike, në dukje anësore e me pak ‘’peshë’’, historia e kombit bëhet më e plotë, më e gjallë dhe e larmishme. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, autorit i jepet mundësia të hyjë më thellë në mikrohapësira periudhash duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etno-kulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte ‘’topografia rurale’’, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.

Prof Bardhosh Gaçe është një personalitet shumëplanësh, kontributi i të cilit shtrihet në shumë fusha të dijes dhe kulturës, të studimeve historike, pedagogjike, etnografike, folklorike, estetike si dhe në krijimtari të mirëfilltë letrare, i njohur nga opinioni shkencor e më gjerë për vepra dinjitoze.

I mirëpritur në mbarë trevat shqiptare jo vetëm si autor, por edhe si veprimtar e misionar i trashëgimisë kulturore kombëtare, ai ka vite që është nisur me një çantë librash në krah, ‘’udhëton’’ pa u lodhur në hapësirë dhe kohë, shtegton nëpër troje dhe epoka. Hera-herës qëndron e çlodhet pranë ndonjë burimi, i mrekulluar nga bukuria e viseve dhe bujaria e njerëzve që takon, shpalos me kujdes një ‘’hartë udhërrëfyese’’ paksa të çuditshme dhe nis sërish ‘’udhëtimin’’ për diku më tej, diku më larg e më thellë… hyn qetë-qetë me hap të përkorë në botën e magjishme të përrallave, në misteret e riteve e gojëdhënave, duke thithur e mjaltëzuar nektarin e pyjeve të fjetur, gjurmon çerdhe bilbilash të polifonisë labe, ndien nëpër fëshfërima gjethesh valëzimin e fustanellës arbërore. Dhe gjithçka e mbedh me një dashuri të veçantë, me përpikmëri e seriozitet shkencor, duke u përcjellë brezave ‘’sekretin’’ e mbijetesës dhe ngrohtësinë e vatrës stërghyshore.

Si gjithnjë i suksesshëm, i nderuar me tituj e çmime, prof Gaçe vijon pa ndërprerë punën e tij kërkimore me një klas të lartë profesionalizmi: i thellë në mendime, i mprehtë në gjykim e i ftohtë në analizë, skrupuloz ndaj vërtetësisë arkivore, përzgjedhës inteligjent i tematikave të veçanta, më pak të rrahura, por që meritojnë të dalin në dritë për vlerat që mbartin.

Në studimet dhe monografitë e tij gjejmë një varg figurash të respektuara kryesisht të trevës së Vlorës e Labërisë, si: Osman Haxhiu, Ibrahim Shyti, Ibrahim Abdullai, Beqir Velo Kanina, Spiro Koleka, xha Selimi i Brate etj. I zhytur deri në thellësi të turbullta kohësh ku, si në guaska koralesh, flenë perla vlerash historiko-kulturore, prof Gaçe, falë këmbënguljes dhe pasionit kërkimor shkencor, ka arritur t’i nxjerrë ato në dritë duke e bërë çdo ditë e më të plotë diademën rrëzëllitëse të thesarit tonë kombëtar.

Objekti i studimit të tij këtë herë është një tjetër figurë e respektuar e parisë tradicionale kaninjote: Arshi Selfo Dalani dhe vatra e ndezur e Dalanajve, e këtij fisi rrënjëthellë, të njohur në histori e të përjetësuar në këngë që, ashtu siç del qartë nga dokumente autentike arkivore, nga kujtime e dëshmi luftëtarësh bashkëkohës mbetet një buronjë ujëkthjellët patriotizmi me rrjedhë të pandërprerë nga brezi në brez, plot mund, gjak e sakrifica në shërbim të çështjes shqiptare.

Dalanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Dhe historikisht Kanina shquhet për elita të tilla. Ata që janë marrë me studime shqiptare, vendas ose të huaj, duke gërmuar dokumente jo vetëm në arkivat tona të varfra, por kryesisht në to të Romës, Bizantit, Stambollit, Vjenës e gjetkë, nuk e fshehin respektin që të imponon Kanina, ky kryefshat impresionues me emër ‘’të rëndë’’, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare.

Në këtë kuadër të përgjithshëm dhe brenda kohështrirjes së vet, merr dimensionin real personaliteti i spikatur i Arshi Selfo Dalanit, objekt i kësaj monografie të prof Gaçes.

Duke e hedhur vështrimin disa breza më parë në zbulim të rrënjëve të tij patriotike, autori shkon deri tek Seit Dalan Kanina, lindur rreth vitit 1776, i cili përmendet për ‘’marrëdhënie të ngushta me Ismail bej Vlorën, gjyshin e Ismail Qemalit, pranë të cilit kishte shërbyer disa vite në Bursë të Turqisë. Por edhe me Brahim Pashë Begollin nga Kosova, i cili ishte vënë në shërbim të mbretit të Egjiptit’’. Në vazhdim autori përmend se ‘’në vjeshtën e vitit 1821, në ndihmë të suliotëve në betejat kundër hordhive otomane shkuan edhe 2000 lebër, të komanduar nga Tahir Abazi e Ago Vasjari, ku midis krerëve ishin edhe Dudë Sinani (Gumenicë), Seit Dalani (Kaninë), Selim Zeneli (Shkozë) dhe Spiro Leka (Dhërmi)… në këto luftime të përgjakshme u plagosën Dudë Sinani, Seit Kanina, Selam Hasan Velça, Hamza Delvina, Kiço Qeparoi si dhe u vranë 42 luftëtarë’’. Po kështu, Seit Dalani: ‘’në vitin 1828 ishte ndër ndërlidhësit kryesorë të Ismail Pashë Vlorës me parësinë e krahinave të Skraparit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Vlorës, Delvinës dhe Himarës për realizimin e një varg kërkesash kundër Mehmet Reshid Pashës si sanxhakbej i Janinës, për t’u rikthyer përsëri krerët vendas në administratën e kësaj treve’’

Dhe tradita patriotike kalon nga brezi në brez, nga babai tek i biri: ‘’Në luftërat e shqiptarëve për të shkëputur vargonjtë e robërisë otomane në shek XIX del në skenë i biri i Seit Dalanit, Dalan Seiti, i cili mori pjesë në disa takime e kuvende me kapedanët e tjerë të Jugut për organizimin e qëndresës antiturke’’.

Dalan Seiti shquhet për trimëri në kryengritjet e viteve 1833-1834 si dhe në vitin 1846 kundër reformave të Tanzimatit, në luftimet e përgjakshme për marrjen e kalasë së Beratit. Për të flasin mjaft dokumente arkivore, po edhe më bukur vargjet e disa këngëve popullore të kohës së tij. Disa vite më vonë, ‘’gjatë kohës që punoi në administratën e Janinës, Dalan Seiti pati një miqësi të ngushtë edhe me rilindësin e madh Abdyl Frashëri, i cili aso kohe punonte edhe ai në administratën e atij vilajetti dhe më pas u zgjodh deputet i Janinës në parlamentin otoman’’.

Traditën patriotike të fisit e vazhdoi i biri i Dalan Seitit, Selfo Dalani dhe më tej djali i Selfos, objekti i kësaj monografie, Arshi Selfo Dalani. Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash.

Për jetën dhe aktivitetin e ngjeshur patriotik të Arshi Selfo Dalanit flasin shumë faqe të këtij libri. Ai jetoi dhe punoi në periudhën e përpjekjeve heroike për shpalljen dhe mbrojtjen me gjak të shtetit të parë shqiptar pas një robërie të gjatë otomane. E nisi qysh  herët në rini, qysh nga kontaktet e para me idetë e Rilindjes deri tek përhapja në ilegalitet e librave shqip dhe propagandimi i çështjes kombëtare; e vazhdoi më tej me klubet patriotike, me përkrahjen e çetave të para të lirisë e deri tek mbështetja e plotë e aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë.

Hapat e parë të shtetit të ri ishin të vështirë, kohët të turbullta dhe armiqtë kombëtarë të shumtë. Po këto më mirë se kushdo i trajton në mënyrë shkencore autori i librit. Këto kohë dhe situata kritike që kaloi atdheu, ashtu si të gjithë, e ndoqën Arshi Selfon deri në pleqëri. Gjithsesi, ai dhe djemtë e tij qëndruan gjithnjë pranë atdheut, gjithnjë në krahun progresist. I përkiste atij brezi të papërsëritshëm idealistësh rilindas që mbi gjithçka vinin atdheun, ishin bashkëkohës, miq besnikë e idhtarë të palëkundur të Ismail bej Vlorës. Fati e deshte që djali i tij i vogël, Dadan Dalani, dëshmor i Brigadës V S të ishte kurbani i fundit që i dha atdheut, para se të mbyllej në një pleqëri të rëndë e me halle të reja.

Duke hedhur dritë mbi figurën e Arshi Selfo Dalanit qysh prej rrënjëve të thella e deri tek filizat e rinj gjelbërues, prof Gaçe rigjen e vendos në vendin e duhur edhe një pemë tjetër në kopshtin e bukur të patriotizmit vlonjat.E përgëzoj autorin për këtë monografi të arrirë në të gjitha pikëpamjet dhe i uroj suksese të mëtejshme në punime të tilla dinjitoze.

 

*Shënime për librin e Prof B. Gaçes ‘’Arshi Selfo Dajlani – një vatër kombëtare në Kaninë’’ 

Filed Under: Histori Tagged With: Bardhosh Gace, Ibrahim Vasiari, Monografi

MISIONARI I PAQES DREJT VATIKANIT

August 31, 2016 by dgreca

TONY NDOJ PRENDUSHI, MISIONAR PAQEJE, NGA SANTA ROSA-KALIFORNIA, NE NJU JORK , DREJT VATIKANIT/

… Tony Ndoj prendushi pasi vizitoi VATRENme 28 Gusht, i shoqëruar nga dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens-anëtar i Kryesisë së Vatrës, dhe nag Editori i Diellit, Dalip Greca, vendosi tufa me lule tek varri i Mithat Frashërit, dhe Prof. Zef Palit e nacionalisëtve të tjerë që pushojnë në varrezat Ferncliff, Westchester, Nju Jork./

* Turp për Demokracinë e shartuar shqiptare që për 25 vjet nuk kthen në Atdhe eshtrat e Apostullit të Shqiptarzmit, Mithat Frashëri…/

1 Ne Vater Skender

Tony Ndoj Prendushi, autor i librit “Paqe dhe Dashuni”, perkthyer edhe në gjuhën angleze”Peace and Love”-(Memoirs of a son Albania, dedicated to dhe beatification of Mother Teresa and to Ambasador of Peace, Robert H. Frowick) sot, e Mërkurë 31 Gusht niset drejt Vatikanit,ku Nëna Terezë do të shënjtërohet. Numri i shqiptarëve që udhëtojnë drejt Vatikanit është i madh. Krahas besimtarëve që janë të organizuar sipas Famullive në Nju Jork e Michigan, udhëton edhe një grup i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e Joe DioGuardit. Ndërsa Tony Ndoj Prendushi  udhëton më vete, ndërkohë që e presin miqtë e tij në Vatikan.

….Tony Ndoj Prendushi nuk është i panjohur as për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, as për  shqiptarët e Amerikës dhe të Italisë. Ai është një Misionar Paqeje, jo me fjalë. Veprat i ka të mëdha. Ishte ndër të parët që shkoi në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. Krijoi një grup miqësh amerikanë me influencë dhe u kërkoi që të kontribuonin për rimëkëmbjen e Shqipërisë dhe kalimin në demokarci të saj. Ia arriti që me Kongresmenin Don Klausen, Imzot Mark Hurley, Dr. Bill Sulivan, dhe ai,Tony Ndoj Prendushi me familjen e vet, të udhëtonin drejt Shqipërisë dhe prekën realitetin mjeran. Kjo ishte vizita e parë e Toni Ndoj Prendushit me bashkëshorten Angjelinë, që prej vitit 1950 kur e patën lënë Shqipërinë. Vizituan spitale, azile pleqësh,shtëpinë e Misionares Nënë Tereza, dhe morën takime me qytetarët në Tiranë, Durrës, Shkodër, veçanërisht me ish të përndjekurit politik, por dhe shtresat e tjera të qytetarëve.

Tony e ka ndihmuar Shqipërinë me të gjitha mundësitë, ka dërgua ndihma mjeksore dhe ushqimore, ka ndihmuar për specializimin e mjekëve shqiptarë në Santa Rosa, duke i ushqyer ata në restorantin e tij, ak ndihmuar në kurimin e të sëmurëve etj.

Tony Ndoj Prendushi e pat njohur nga afër Nënë Terezën, e kishte takuar, kishte pasur letërkëmbim të rregullt me të, dhe e kishte suportuar Misionin e saj.Kështu që ai shkon me një barrë kujtimesh në ditën e shenjtë të shqiptarëve në Vatikan.

Të Hënë me 28 Gusht Tony Ndoj Prendushi vizitoi selinë e Vatrës, ku u prit nga dr. Skënder Murtezani, kryetar i degës së Vatrës në Queens-anëtar i Kryesisë së Vatrës, dhe nga Editori i Diellit, Dalip Greca.

Ai tha se ndjehej i gëzuar që vizitonte selinë e Vatrës, federatës famëmadhe të Shqipatrëve të Amerikës,themeluar nga korifejtë Fan S. Noli e Faik Konica me bashkëpunëtorë, Vatrës që ka bërë aq shumë për kombin.

Veprimtari i palodhur i çështjes shqiptare kërkoi që të vizitonte Mithat Frashërin , Zef Palin dhe nacionalistët e tjerë, që prehen në Nju Jork.

Tek varri i Mithat Frashërit, dishepulli i tij, që nuk ishet ndarë nag Partia që krijoi Apostulli i Shqiptarizmës, Tony Ndoj Prendushi, ka vepruar aktivisht, duke qenë edhe kryetar për  shtetin ku jetonte, por në vitin ’90, ai njoftoi Partinë se që nga ai moment do t’i përkushtohej bamirësisë dhe nuk kishte kohë të merrej me veprimtari politike. Duke vënë lulet mbi pllakën e mermertë, ai u përlot dhe së bashku me dr. Murtezaninin folën gjatë për kontributin e Mithat Frashërit për çështjen kombëtare. dr. Murtezani e informoi për veprimtaritë që ka organizuar ai dhe dega e Vatrës që drejton për figurën e Mithat Frashërit.

Është turp, që shteti shqiptar, edhe pse kanë kaluar 25 vjet nga rënia e komunizmit, nuk ia ka kthyer eshtrat e kolosit të madh, antikomunistit Mithat Frashëri.

Dr. Skënder Murtezani tha se ishte gati të nxirrte lejet nga shteti amerikan, të bënte gati të gjithë dokumentacionin, por do të duhej paralelisht me këtë që shteti shqiptar të marrë përsipër obligimet e veta, dhe eshtrat të kthehen në Atdhe, ashtu siç i ka hije Mithat Frashërit.

Më pas u kalua në parcelën ku prehen shumë nga nacionalistët. Një tufë lule Tony i kishte sjellë edhe për prof. Zef Pali, ish drejtori dhe profesori i tij. Duke pastruar me duar barin që kishte mbuluar pllakën e varrit, përmes emocioneev, ai na tregon rrethat e vrasjes me kasident, duket e porositur nga Shërbimet sekrete shqipatre ose Jugosllave. Profesor Zef Pali po kthehej nga Radio Vatikani, ku përgatiste emisione, kur e goditën me një makinë, që pasi e përplasi në tokë për vdekej, u zhduk me shpejtësi. Tony Ndoj Prendushi ishte në komisionin e shqiptarëve që e morën trupin nga Roma dhe e sollën në këtë varrezë të Nju Jorkut, ku prehet Apostulli i Shqiptarizmës Mithat Frashëri, por edhe të tjerë nxënës të devotshëm të Mithat Frashërit: Luan Gashi, Dr. Ali Koprencka,Ruzhdi Daca, Talat Karagjozi e të tjerë. Ata janë varrosur  në rresht njëjri pas tjetrit, pa ua ndërpreë rreshtin!

Një tufë lule mbi varrin e prof. Zef Pali duket se ia shkarkojnë emocionet atdhetarit misionar.

Më pas vizita në Kishën Katolike “Zoja e Shkodërës” dhe takimi me famullitarin don Pjetër Popaj do të mbyllte veprimtarinë e asaj dite të nxehtë gushti.Edhe pse 86 vjeçar Tony nuk jep shenja lodhjeje. Ai sot ka qetësuar shpirtin dhe u bën thirrje shqiptarëe të Amerikës të mso i harrojnë ata që punuan për Shqipërinë tonë të dashur. I mbeti peng qe nuk mundëm t’ia gjeme varrin e luftëtarit antikomunsit Kol Çuni…

Të Martën me 29 Gusht Tony Ndoj Prendushi erdhi sërish në Vatër dhe u prit nga anëtari i këshillit të Vatrës Zef Balaj dhe editori i Diellit Dalip Greca.

Ai dhuroi  për Bibliotekën e Vatrës dy libra të tij në shqip dhe anglisht. Nëse ka të interesuar për lexuesit ne kemi në Vatër rreth 20 libra të autorit, që mund t’ua dërgojmë në adresat tuaja. Çmimi për një libër është $15.00, ndërsa postimi   $3.61

Në fund të këtyre radhëve i urojmë rrugëtim të mbarë drejt Romës, Misionarit të Paqes, Tony Ndoj Prendushi.

 

Filed Under: Featured, Vatra Tagged With: dalip greca, Dr. Skender Murtezani, misionari i paqes, Tony Prendushi, Vatikan

FLET MBESA E NENE TEREZES: HALLA IME E ËMBËL VUAJTI NË HESHTJE

August 31, 2016 by dgreca

*“La Shqipërinë kur ishte 18 vjeçe dhe regjimi i ndaloi të shihte nënën dhe motrën”, tregon mbesa Age. “Por i fali ata që i kishin bërë atë padrejtësi”/

*Ageja është vajza e vëllait të madh të Nënë Terezës, Lazrit, që më 1939 la Shqipërinë për t’u shpërngulur n’Itali, ku në Lucca u martua me Maria Sanguinin dhe pati vetëm një vajzë, pikërisht Agen./

Shkruar nga Paolo Scarano /

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika/

1 Gente

Nënë Tereza e Kalkutës, siç nuk e kishte treguar askush deri atëherë. E bëri GENTE, në numurin 39 të 30 shtatorit 1997, me një intervistë të posaçme për të nga Age Bojaxhiu, mbesa italiane e fetares, që sot është 64 vjeçe. Ai shërbim, që sot po e risjellim, ishte firmosur nga kolegu ynë i paharrueshëm Paolo Scarano, që na la në tetorin e 2013-ës. Fetarja, e mësuar të përballonte me guxim dhimbjen e të sëmurëve dhe të të fundmëve të Tokës, duroi me dhjetëvjeçarë në heshtje një dramë familjare që qe sfilitja m’e madhe e jetës së saj : mungesa e dashurive më të shtrenjta, një mizori që i u shkaktua nga trashësia mendore e një regjimi komunist nga më të mbyllurit. Një vuajtje e përballuar me shumë dinjitet, e mbajtur gjithmonë fshehur nga murgesha.

1 La Familia

Ageja është vajza e vëllait të madh të Nënë Terezës, Lazrit, që më 1939 la Shqipërinë për t’u shpërngulur n’Itali, ku në Lucca u martua me Maria Sanguinin dhe pati vetëm një vajzë, pikërisht Agen. Lazri gjeti pastaj punë në Palermo, drejtonte një veprimtari shpërndarjeje barnash në farmacitë dhe spitalet, duke u vendosur atje deri në vdekje, më 1981.

Zonja Bojaxhiu, e martuar me dy fëmijë, jeton tani në Palermo dhe në vitet para vdekjes së Nënë Terezës ka patur mundësinë të takohet në disa raste me Shënjten e Kalkutës. Në këtë intervistë zbulon para së gjithash dramën vetiake të jetuar nga Shënjtja e Kalkutës. “Halla ime, që kur më 1928, braktisi Shqipërinë ku kishte lindur, për të filluar misionin e saj fetar, qe e shtrënguar të mos shihte më nënën dhe motrën që vazhduan të jetojnë n’atë Vend. Një sërë rrethanash të veçanta, të lidhura me misionin e saj fetar e ndaluan, deri në fund të luftës së Dytë botërore, të kthehej e t’i përqafonte. Pastaj, mbas mbarimit të luftës, qenë autoritetet komuniste shqiptare që i ndaluan familjarëve të saj të linin Shqipërinë”. Via Crucis e Nënë Terezës zgjati shumë, siç na tregon e mbesa : “ Në 1972 nëna e saj vdiq. Mbas pak më shumë se dy vjetësh u shua edhe motra e saj. Halla ime në vitet e mëpastajmë pati mundësi vetëm të shihte varret e tyre, të mbetura pa kryqe për ndalimin e diktaturës që detyronte ateizmin. Kryqet mbi varret i vuri ajo në kujtim të njerëzve që kishte dashur aq shumë e që pasojat ogurzeza të një epoke politike i ndaluan të vazhdonte t’i donte nga afër”.

Zonja Bojaxhiu, a mund të përshkruani prejardhjen familjare të hallës suaj, Nënë Terezës ?

“Halla ime në familje thirrej Gonxhe, që në shqip do të thotë lule e paçelur. Kishte të njëjtin mbiemër timin : Bojaxhiu. Lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, kryeqyteti i tanishëm i Maqedonisë. Familja e Nënë Terezës ishte shqiptare dhe kishte një traditë të fuqishme katolike”.

Kush ishin prindërit e saj ?

Babai quhej Kolë, n’italisht Nicola. Zotëronte një ndërmarrje të lulëzuar të materialeve të ndërtimit. Ndërsa nëna e saj, Drane, ishte një grua me karakter të fortë, që dinte të mbante të bashkuar familjen. Në familje Gonxheja, Nënë Tereza e ardhëshme, ishte m’e vogla. Kishte një motër, Agen, nga e cila kam trashëguar emrin, pesë vjet më të madhe dhe një vëlla, babain tim Lazrin, tre vjet më të hershëm.

Si e kaluan fëmijërinë Nënë Tereza dhe vëllezërit e saj ?

“Një fatkeqësi e theu atë klimë familjare aq të qetë. Ngjau në 1919 kur gjyshi Kolë u zhduk papritmas në rrethana dramatike. Drania dhe fëmijët e saj u desh të përballonin një kohë shtrëngesash  ekonomike. Gjyshi Kolë kishte një ortak italian që i dha pjesën e tij të ndërmarrjes së vesë në të holla. Me ato para arriti  të mbante familjen dhe e bëri me një shpirt të pabesueshëm flijimi. Bojaxhinjtë, siç më kanë treguar ati im, Lazri, dhe vetë Nënë Tereza, në vështirësi u bënë edhe më të bashkuar, edhe atëherë kur rrethanat e jetës i detyruan të mbeteshin larg njëri tjetrit.”

Kush  u largua nga   familja?

“Mbasi kishte kapur thirrjen e Zotit, më 1928, kur ishte 18 vjeçe, Nënë Tereza u nis në drejtim të Dublinit, n’Irlandë, për të filluar kohën e provës së rishtarit në kuvendin e murgeshave të Loreto-s, një urdhër që karakterizohej për veprën misionare, kryesisht në Hindi. Halla ime dëshironte me gjithë shpirt të bëhej një misionare.

Nga se buroi prirja e saj ?

“Besoj se në edukimin fetar të hallës sime roli i shembullit të nënës ka qenë vendimtar. Im’atë më ka thënë se nuk kishte natë që gjyshja Drane nuk i mblidhte fëmijët për  t’u lutur. Nuk kishte të dielë që nuk shkonin në meshë e, gjatë muajit të majit, i kushtuar Zojës, ato shkonin çdo ditë për të recituar Ruzarin. Nëna ime i përcolli hallës sime edhe dashurinë për të varfërit, që ajo i ndihmonte me përkushtim të përzemërt. Përcaktues ishte edhe roli i disa jezuitve jugosllavë të pranishëm në Shkup. Prej tyre Nënë Tereza mësoi historitë e para  mbi veprimtarinë e misionarëvet.”

Kur e pe për herë të parë Nënën Terezë ?

“E njofta për herë të parë hallën time më 1960 në Romë, ku ajo kishte arritur gjatë etapës së parë të udhëtimeve të saj të gjata nëpër botë. Ishte hera e parë që kishte lënë Hindinë. Është e kotë të them se sa prekës ishte takimi, kryesisht për babain tim. Sapo e pa mbeti i befasuar. E kuptoi se trupi i saj ishte i raskapitur nga mundimi e ishte mbledhur në vetvete. Ishte katandisur n’atë gjëndje nga travajët të lidhura  me veprimtarinë e saj të dëndur e të palodhur. Babai që ishte i gjatë një metër e 86 cm., u desh të përkulej më dysh për t’arritur t’a përqafonte.”

Ҫfarë i thatë njëri tjetrit gjatë atij takimi ?

“Babai dhe halla filluan të flasin në mënyrë të ngjeshur. Nuk kuptova pothuaj asgjë nga ajo bisedë aq e rrasur. Flisnin shqip, një gjuhë që e njoh pak. Më parë , gjatë bisedave telefonike e në takimet e tjera, flisnja me të gjithmonë n’anglisht. Mbas pak im’atë më tha se përse kishin biseduar ai dhe e motra. Babai i foli menjëherë për nënën dhe motrën Age : “Duhet të bëjmë diçka për t’i nxjerrë nga Tirana”, i tha Nënës Terezë. “Besoj se mund t’a bëjmë”, u përgjigj ajo, duke i dhënë kurajë. “Kam miq shumë të rëndësishëm nëpër botë që munden të na ndihmojnë”, i u hap ajo.

Ҫfarë ndodhi më shumë gjatë këtij takimi të parë mes jush dhe Nënës Terezë ?

“Në Romë e pamë edhe katër ditë të tjera. Ҫdo herë na kushtonte vetëm një orë bisede, mbasi ishte shumë e zënë me Shoqatën e saj fetare. Nënë Tereza vazhdoi të inkurajojë babain : “Do të shohësh se do t’arrijmë t’i bëjmë të dalin nënën dhe Agen nga Shqipëria”, i përsëriste. Që atëherë halla i u përvesh punës, duke biseduar me përfaqësuesit më të lartë të diplomacisë ndërkombëtare. Pikërisht n’ato ditë Nënë Tereza shkoi n’ambasadën shqiptare n’Itali, në të cilën hasi një mur moskuptimi. Edhe mbasi la Romën, halla ime vazhdoi ndërmjetësimin e brishtë për t’i kthyer lirinë nënës dhe motrës së saj.”

A pati ndonjë përfundim inkurajues ?

“Në fillim dukej se gjithshka shkonte mirë. Ҫështja e Nënës Terezë dhe babait Lazër kishte prekur zemrat e të mëdhenjve të botës. Mjaft personalitete që vlerësonin hallën time e që ishin thirrur prej saj bënë çmos për të zgjidhur këtë dramë familjare : personalitete si Sekretari birman i Kombeve të Bashkuara U-Thant, si Presidenti francez Charles De Gaulle, si Presidenti amerikan John Kennedy, si Kryeministreja e Hindisë Indira Gandhi. Por as ata nuk arritën të shkundin autoritetet e Tiranës. Koha kalonte dhe shpresat pakësoheshin.”

Kur filluat të frikësoheshit se nuk do të mbetej asgjë tjetër për të bërë në lidhje me lirimin  e gjyshes suaj Drane e hallës suaj Age ?

“Një ditë babai mori një mesazh që të këpuste shpirtin nga gjyshja. I drejtohej edhe hallës sime, Nënë Terezës. Nga ajo letër morëm vesh se ajo dhe halla Age ishin të sëmura : “I vetmi hir që i kërkojmë Zotit”, shkruhej, “ishte ai që të mund t’u përqafonim edhe një herë”. Tashmë ishte kthyer në një vrap kundër kohës. Halla kërkoi ndërhyrjen e ministrit të punëve të Jashtëme të Francës, Couve de Murville, që kishte lidhje shumë të fuqishme me Kinën Popullore të Mao Ce Dunit. De Murville mori nga Tirana një përgjigje çarmatosëse”.

Në ç’mënyrë u përgjigj ministri i Jashtëm shqiptar ?

“Tha : “Ato dy gra janë në kushte fizike të tilla që nuk mund të përballojnë udhëtimin për të dalë nga Shqipëria”. Ishte një gënjeshtër e stërmadhe. N’atë pikë babai dhe halla humbën çdo shpresë. “Në jetë”, i tha Nënë Tereza babait, “kam arritur të kem gjithshka kam kërkuar, nëpërmjet dashurisë. Fatkeqësisht në këtë rast ekzistojnë pengesa që dashuria nuk është e aftë t’i rrëzojë.” Nëna e saj Drane vdiq mbas pak, më 1972. Disa ditë më parë i dërgoi një letër lamtumire murgeshës, bijës së saj, duke e thirrur me emrin e saj të vërtetë : “Gonxhe, po të çoj një të puthur, nëna”. Dy vjet më vonë u shua edhe halla Age. Kishin vdekur më shumë prej vetmisë se prej sëmundjes”

Halla juaj, Nënë Tereza, siç thatë më parë, së paku arriti të kthehej në tokën e saj të lindjes. Kue e pa përsëri Shqipërinë ?

“Ndodhi në qershorin e 1978, kur regjimi i diktatorit Enver Hoxha e liroi pak darën rreth kufijvet të Shqipërisë. Nënë Tereza përfitoi, jo vetëm për të parë vendet ku kishte lindur e jetuar, por edhe për të themeluar një institut të shoqatës së saj. Shkoi shpejt në varrezat e Kombinatit, që gjinden në rrethinën e Tiranës, ku ishin varrosur nëna dhe motra. Mbi ata dy varre të thjeshtë e pa asnjë simbol fetar, në përputhje me ateizmin e Shtetit, bëri të vendoseshin  dy kryqe. Por kjo ndodhi disa vite më vonë, më  1991, kur regjimi komunist ishte shembur”.

Halla juaj, Nënë Tereza, si e komentonte atë mujshi në dëm të familjes suaj ?

“Nuk shprehu kurrë ndonjë fjalë pezmatimi. Pak sepse nuk donte të fliste për politikë. Por, mbi të gjitha, sepse në zemrën e saj kishte falur atë që i shkaktoi atë dhimbje kaq dërmuese e të gjatë. Ndoshta, e gjithë kjo, n’emër t’atij virtuti heroik, pothuajse kurrë të ndjekur nga qëniet njerëzore, që quhet mëshirë.”

 

Marrë nga revista GENTE SPECIALI,  Numuri 1, Shtator 2016.

E përktheu nga italishtja Eugjen Merlika

Filed Under: Featured, Interviste Tagged With: HALLA IME E ËMBËL, Paolo Scarano, VUAJTI NË HESHTJE

Dokumente Hapësinore nuk janë dëshmi, as garant të vijës kufitare me Malin e Zi

August 31, 2016 by dgreca

Flet spacialisti/

Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/

 Qeveria e Kosovës dhe Komisioni Shtetëror për Shënimin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi, në disa raste po tenton që me anën e disa kumtesave-“proklamatave” të bind opinionin publik se puna e tyre ishte e drejtë dhe e bazuar në Planin zhvillimor të Komunës së Pejës dhe në Planin Hapësinor të Kosovës 2010-2020 +,te miratuara në vitet 2006 dhe 2011.

Si pjesëmarrës aktiv në ato procese edhe një herë deklaroi se këto Dokumente Hapësinore nuk kanë mundur të jenë dëshmi apo garant të vijës kufitare me Malin e Zi,si po tentohet. Në mungesë të vijës së definuar kufitare janë përdorur metodat krahasuese,orientuese dhe progresive, që lejohen në Planifikimin Hapësinor Strategjik në tërë botën,me mundësin e inkorporimit  të dhënave apo elementeve në momentin kur të definohen apo ratifikohen kufijtë e Kosovës,punë e cila është në proces edhe sot, pos kufirit me Maqedoninë që është përfunduar.

Nëse mendoni seriozisht ashtu si theksoni se “Plani Hapësinor, pas Kushtetutës, është ndër aktet më të rëndësishme që rregullon shfrytëzimin e hapësirës me të cilën administron shteti në interes të qytetarëve dhe të nevojave të tyre.” Atëherë si mundeni të arsyetoni të vërtetën,realitetin se askush nga ju nuk e ka respektuar apo zbatuar këtë dokument të rëndësishëm hapësinor që duhet të ishte “Kushtetuta e dytë e shtetit”.

Për atë situata hapësinore dhe urbane në tërë Kosovën është kaotike e pa planifikuar në realitet,me mbi 350 000 ndërtime pa leje të evidentuara,në realitet ka shumë ma shumë. Fajtorët kryesor jeni ju vendimmarrësit kosovar, që keni lejuar e në shumë raste keni detyruar banorët e Kosovës të ndërtojnë kështu që 17 vite,duke mos i ditur pasojat të cilat sot po vërehen,pengojnë e në formë akuzojnë.

Mos e keq-përdorni fushën e Planifikimit Hapësinor për politika ditore,ajo është çështje fondamentale për funksionimin e një shoqërie-shteti,shpresoi se e keni kuptuar ma në fund.

Ma detal për këtë problematikë mundeni të lexoni shkrimin tim “Prapë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, të cilin e ka botuar shtypi gjith-shqiptar në adresën: http://www.ekonomia-ks.com/?page=1,9,391296

Filed Under: Analiza Tagged With: arch. Ylber Vokshi Ylli, Dokumentet hapsinore, Kosove-Mali i Zi, vija kufitare

INTEGRIMI I KOSOVËS ME MALIN E ZI DUHET TË KALOJNË VETËM NË RRUGËN DEÇAN-PLAVË

August 31, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
  1.Ruejna Zot, po a kini ndie çka po fjalnojnë (fallnojnë) disa zyrtarë të BE-së në Prishtinë e deri në Bruksel, se qysh po kakarisin disa “kokë-pulatikana” të Kosovës: Rruga e integrimit për në Europë kalon nga Mali i Zi (!) Turp e faqja e zezë!
Kjo, sipas këtij kushti poshtalak: u dashka ratifikue Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, se atëherit Kosovës i vjen Lëvizja e Lirë “Shengen”, e pret Integrimi Euro-atlantik, etj. Ç’ka asht gjithë kjo “dashuri me kushte” e Europës ?! Qysh po luen kështu, kaq skutnisht e skuthnisht me parimet e vlerat e veta, kjo, Europa e Bashkuar?!
 Europa plakë dhe e re prapë po na kërkon t’iu japim fqinjëve tanë sllavë toka etnike shqiptare. Jo pak, por 82 km2, nja 40 herë ma shumë se Principata e Monakos. Kosova nuk është “monedhë tregu”! Krejt Europa kontinetale, përveç shtetit ishullor të Islandës, ka probleme etnike me toka e kufinj, por askujt e asnjiherë, përveçse Kosovës, BE nuk i ka parashtruar kërkesa të tilla kushtëzuese.
 2.Kosova, dikur, rreth nji gjysëm shekulli ma herët, në Planin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të saj në vitet 1971-1975 ka pasë planifikue të ndërtohen tri auto-rrugë nacionale për ta lidhë atë me republikat fqinjë:  Rruga Deçan-Plavë me Malin e Zi, rruga Prizren-Tetovë me Maqedoninë, rruga Gjilan-Preshevë  me Serbinë Jugore. Vetëm rruga Deçan-Plavë nuk u ndërtue asokohe dhe as deri më sot, në shek. XXI. Atë e pengonte Tito me administraten e tij të lartë, etj., tuj arsyetue politikisht: “nuk do të ndërtojmë rrugë me u lidh me Shqipërinë”, sepse kjo rruga Deçan-Plavë do të kalonte në afri, përskej, kufinit Shqipëri Londineze- Kosovë (Ish Jugosllavi).
Kjo që thoshte Tito atëherit ishte vet platforma shovene ideo-politike e diplomatike e Pansllavizmit, e Ortodoksizmit Sllav, prej nga Uralet në Beograd, në Çetinë (kryeqyteti i Fronit i Malit të Zi), në Shkup e në Prishtinë. Kjo e ka vonue tepër gjatë hapjen e Rrugës së sotme Deçan-Plavë, e cila mund të fillonte edhe në vitet ’90, pasi projekti i saj ishte krejt i gatshëm. Kjo platformë sllave po e pengon dhe sot hapjen e Rrugës nga Plava deri në vijën e kufinit me Kosovën.
 3.Në vitin 2007 pati një interesim të lartë, të drejtpërdrejtë, të shumanshëm, të pandalshëm, për hapjen e Rrugës Deçan-Plavë. Si nga Kosova. Si nga Shqipëria. Si nga vet Deçani dhe nga Plavë-Gucia me diasporat e tyre të fuqishme. Ishte një start i ri, një stad i ri, një standard i ri.
Në historikun e ri të kësaj rruge ndërkombëtare që lidh direkt Kosovën me Malin e Zi (si dhe me Shqipërinë nga Vermoshi, Çeremi e Bjeshkët e Bekuara – Nemuna), janë shkrue fjalë të mira për përpjekjet e kontributet e Sali Berishës – ish kryeministër i Shqipërisë (2005-2013), të Hashim Thaçit – ish kryeministër i Kosovës (2008-2014), të gjeneral Ramush Haradinajt – ish kryeministër i Kosovës, kryetar i AAK, të Rasim Selmanajt – ish deputet i Parlamentit të Kosovës, kryetar i komunës së Deçanit prej nga viti 2010, të Orhan Shahmanoviq – kryetar aktual i komunës së Plavës, prej origjinës derë e shquar shqiptare e tashma i kthyem në boshnjak, etj.
Sot, çështja shtrohet: – Kush e pengonte hapjen e Rrugës ndërkombëtare Deçan-Plavë? Kush nuk po ia mundëson përfundimin e saj plotor brenda vitit 2016 apo 2017-të ?!
Dihet. Ka vetëm nji shkaktar e përgjegjës të përhershëm: Boshti Pansllav në Europë dhe Ortodoksizmi Sllav në Moskë, Beograd, Çetinë (Mali i Zi), Kosovë, etj. Sigurisht, pengonte dhe Popi Sava Janjiq i Manastirit të Deçanit, i cili kishte ndërhyrë tek ambasada të huaja në Prishtinë, në  institucione të Bashkimit Europian në Kosovë, etj. Këtë fakt e dinë fort mirë edhe Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ish ministri i Jashtëm i Sllovenisë. Për disa vite kjo çështje madhore mbeti stopuese me atë shprehjen e përseritur keq e shpesh : “Nuk po lejojnë Ndërkombëtarët” (!).
Manastiri i Deçanit është i njohur në histori për gjithato qëndrime kundërshqiptare. Mark Milani, antar i Senatit të Malit të Zi, vojvodë i Kuçit, një nga ushtarakët malazezë të Luftës së Nokshiqit, e ka pasë ngritë një celulë spiunazhi në Manastirin e Deçanit për të ndjekë me gjurmime e skedime veprimtarinë kombëtare shqiptare në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Manastiri i Deçanit është i privilegjuar nga Ndërkombëtarët e tipit diplomatik Petersen (ish Përfaqësuesi i BE në Prishtinë), nga shtetarë të Kosovës të niveleve të larta. Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e fundit ia shtoi sipërfaqen Manastirit të Deçanit dhe me 23 ha toka publike komunare të Deçanit. Në koft se nji ditë populli i Kosovës do ta dijnë saktësisht të vërtetën e hidhur se sa km2 sipërfaqe i merr tokës së Kosovës ky Manastiri i Deçanit dhe të tjerë të ngjashme me të, atëherit kishte me u çue në kamb’ protestueshëm për me i nxjerrë nga zyrat e shtetit me gurë e shkopinj gjithata shqiptar zyrtarë të lartë të Kosovës që kanë gisht në këso punësh të liga.
4.Para disa vitesh u mblodhën në nji takim të përbashkët për Rrugën Deçan – Plavë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ambasadori amerikan Kristofer Dell (nisiator i takimit e përkrahës i flaktë i kësaj rruge), Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, kryekomunari i Deçanit, Rasim Selmanaj.
Aty, në atë takim, Popi Sava i Manastirit të Deçanit, kur e pa se të gjithë ishin për hapjen e kësaj rruge ndërkombëtare nga Deçani në Plavë, ai nuk foli as për mirë e as për keq, qëndroi neutral, iku i heshtur. Po ai nuk ishte aq paqësor apo mirësor. Jo.
Ai, Sava i Manastirit të Deçanit,  ishte me Boshtin Sllav, me Boshtin e së Keqes. Ai ishte dhe mbetet kundër Rrugës Deçan-Plavë. Këtë e tregon dhe fakti se rruga u detyrue me e anash kalue Manastirin e Deçanit. Me ndryshue projektin e kahershëm. Me krye projekt të ri e punime shtesë. Me pasë kosto ma të lartë. Me ia shtue kilometrat kësaj autorruge ndërkombëtare.
 5.Rruga ndërkombëtare Deçan-Plavë filloi në vitin 2014 dhe është krye loti i parë i saj. Projekti i saj mendohet me u krye deri nga viti 2020, në rreth pesë vite. Ajo, deri në kufi me Plavën kap 33 km, ndërsa deri në Plavë shkon në 40 km. Aktualisht kjo rrugë ndërkombëtare po hapet me fonde të pamjaftueshme të Qeverisë së Kosovës e të komunës së Deçanit, të planifikuara në katër apo pesë vite deri në përfundimin e saj. Kjo nismë, kjo punë, duhet përshendet, po rruga nuk duhet “lanë në rrugë”, por të shkojnë nga Deçani në Plavë, si ma e mira “Rrugë e Alpeve.
Rruga Deçan-Plavë të çon shpejt në dy qytetet etnike shqiptare Plavë e Guci e prejandeja, nëpër Vermosh e shkon deri në Shkodër dhe në Podgoricë e në Ulqin. Dikur, dr. Ibrahim Rugova thoshte për Rrugën e Kombit se është aq afër sa “për nji kafe në Tiranë”, ndërsa për Rrugën Deçan-Plavë thuhet se është aq afër sa “për nji kafe në Ulqin”.
Sikur Rruga e Kombit për Kosovën, sikur Korridori VIII nga Porti i Durrësit drejt Shkupit në Maqedoni, është dhe kjo Rruga Deçan-Plavë për Rrafshin e Dukagjinit dhe Veriun e Malit të Zi.
Kjo rrugë është zhvillim i gjithanshëm, qytetërim bashkëkohor, mos asimilim i  mëtejshëm i shqiptarëve, mos shpërngulje e tyre nga trojet e veta etnike në Veriun shtetit të Malit të Zi. Njëherash, i sjell zhvillim të madh e të shumanshëm dhe Deçanit e Rrafshit të Dukagjinit të Kosovës. E, bash këto janë arsyenat reale gjeostrategjike që këtë rrugë e lufton Mali i Zi, Serbia, Kisha Ortodokse Serbe, etj. dhe po e pengon, anashkalon, po na e vonon vet Bashkimi Europian.
            6. Shteti i Malit të Zi e ka lëshue ndonji fjalë, nga ato të zakonshmet të tyne, të shtetit të tyne: “Rruga Deçan-Plavë është në projektet tona deri në vitin 2020”, “Do të flasim me Bashkimin Europian për fonde”, “Do ta shqyrtojmë hapjen e Rrugës pas Ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit”, e të tjera të tilla si këto.
Fakti se në anën e shtetit të Malit të Zi nuk po hapet kjo rrugë ndërkombëtare deri në kufi me Kosovën tregon se nga pala malazeze nuk ka gadishmëri të mirë e fshihen qëllime të liga të saj.
            As Kosova, as Shqipëria, asnjana nga shtetet shqiptare në Ballkan nuk i ka vnue kushte Malit të Zi për hapjen e Rrugës Deçan-Plavë, ndërsa Shqipëria e Kosova po ua plotësojnë të gjitha kërkesat që ua ban’ shteti i Malit të Zi (!) Hashim Thaçi para dy vitesh, bash në ditën e zgjedhjeve të komunës shqiptare të Ulqinit, në një të dielë uikendi në Prishtinë, më 26 janar 2014, iu premton Gjukanoviçit e Vujanoviçit të Malit të Zi se Kosova ka me e njoft “komunitetin malazez”, “ka me e caktue Ditë Festën e tyne”, duke ndërhyrë dhe në Kushtetutën e re të Kosovës dardane e euro-atlantike. Po qysh Thaçi nuk ia vuni kusht Malit të Zi të pakten ndërtimin e Rrugës Deçan-Plavë?!
Në koft se faktori Shqiptar dhe ai Ndërkombëtar nuk do të merren me Rrugën Deçan-Plavë, atëherë shteti i Malit të Zi nuk ka me ba kurrgja. Veç ashtu si përherë, tash nji gjysëm shekulli; fjalë dhe vetëm fjalë, shovinizëm dhe vetëm shovinizëm.
 7.Mali i Zi nuk don të ketë lidhje me korridore rrugore të komunikimit e të zhvillimit të Shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë me Shqiptarët e komunave të Plavës e të Gucisë, etj.
Kjo duket dhe tek fakti se ende nga Mali i Zi nuk po ngrihet pika kufitare (e deri doganore) në Qafën e Previsë në Plavë (!) Pavarësisht se para disa vitesh është nënshkrue një Marrëveshje e përbashkët nga kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç dhe nga kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha.  Pavarësisht se në komunën e Plavës janë hap 12 km e rrugës deri në Qafë të Vranicës dhe në Bashkinë e Tropojës janë hap 14 km rrugë me 6 m. gjerësi të saj nga Çeremi në Dragobi.
Kjo rrugë tjetër ndërkombëtare (ndonëse e paasfaltuar, etj.) e lidh krahinën e Plavë-Gucisë me Tropojën, e përgjatë brigjeve të Drinit me Hasin e Pukën, me Malësinë e Madhe, Shkodrën e Lezhën, apo si i thonë fjalës: nga Plava e pinë kafen në Portin e Shëngjinit e anasjelltas. Në një të afërme të shpejtë kjo rrugë nga Plava do të jetë e lidhun dhe me Auto-rrugën e re dhe me Hekurudhën e pritshme Bregut të Drinit.
 8.Bashkimi Europian, si e cekëm ma nelt, po flet shumë e shpesh për Ratifikimin e Marrëveshjes të Demarkacionit me Malin e Zi si kusht për Integrimin Euro-Atlantik, etj.
Nga ana tjetër, BE nuk ka asnji nismë politike e financimi për lidhjen e Kosovës me Malin e Zi me Rrugën Ndërkombëtare Deçan-Plavë.
Bashkimi Europian, përplot një vit ma parë, në Samitin e Vjenës, financoi tri projekte të Malit të Zi për ta lidh me “Autostradë të Kaltër” deri në Igumenicë të Greqisë, për ta lidh me hekurudhë dhe me autostradë nga Tivari në Beograd, po asnji fond për lidhjen rrugore me Kosovën (!)
Bashkimi Europian në Samitin e Vjenës (gusht 2015) dha fonde për tri projekte të Kosovës: Autostrada nga Nishi i Serbisë për në Prishtinë. Hekurudha nga Kraljevo (Serbi)–Prishtinë–Gorçe Petrov (Maqedoni). Autostrada Prishtinë – kufiri Kosovë/Maqedoni.
Pra, BE nuk ka dhanë asnjë Euro për Rrugën Deçan-Plavë, që e lidh Kosovën me Malin e Zi.
BE, me ose pa dashje, edhe në këto dy vitet e fundit, sidomos me fondet e dhanuna për korridore rrugore e hekurudhore, po e ravijëzon e konturon “Bllokun, Boshtin” e vjetër Sllavo-Ortodoks në nji pjesë të trupit të vet gjeo-politik euro-lindor, veçmas në Kosovën dardane?! Kjo po ndodh dhe me nji fare dobësimi të “Boshtit Anglo-Sakson” pas largimit nga BE të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe, dhe të nji forcimi e rivalizimi të Boshtit Franko-Gjerman, të gjallërimit ofensiv të Boshtit Sllavo-Ortodoks, të synimeve të vjetra e të reja ndaj Ballkanit, etj. Shkak e pasojë e këtij “Boshti-Blloku” Sllavo-Ortodoks janë dhe problematikat me Demarkacionin me Malin e Zi sot, si dhe Demarkacioni me Serbinë nesër (!)
Europë e Bashkuar, aspak mos të duket tepri kjo kërkesë panshqiptare, ky apel i yni, për Rrugën ndërkombëtare Deçan-Plavë, sepse tashti jemi në “Epokën e Korridoreve Rrugore dhe Hekurudhore të Europës”, pasi jemi në kohën e integrimeve euro-atlantike, pasi jemi në shek. XXI.
Europë e Bashkuar, nëse Integrimi i Kosovës, sipas disa “asish e kësish” në Prishtinë apo në Bruksel kaloka rrugës nëpër Malin e Zi, atëherit po të them(i) se ka vetëm një rrugë kalimi e, kjo, asht’ vetëm Rruga Ndërkombëtare Deçan-Plavë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Integrimi i Kosoves, mal i Zi, nis ne rrugen Decan- Plave

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2525
  • 2526
  • 2527
  • 2528
  • 2529
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT