NGA IBRAHIM VASIARI/*
Monografia ‘’Arshi Selfo Dalani – një vatër kombëtare në Kaninë’’, përveç kureshtjes së zakonshme, të tërheq vëmendjen edhe për faktin se objekti i trajtesës jo rastësisht ka hyrë në fokusin hulumtues të Prof dr Bardhosh Gaçes, autor me përvojë për studime në këtë fushë.
Duke qëmtuar nëpër kohëra episode ngjarjesh, figura dhe kontribute patriotike, në dukje anësore e me pak ‘’peshë’’, historia e kombit bëhet më e plotë, më e gjallë dhe e larmishme. Veçanërisht në zhanrin e monografisë, autorit i jepet mundësia të hyjë më thellë në mikrohapësira periudhash duke evidentuar atë lidhje të brendshme të ngjarjeve dhe kontributeve madhore me një shtresë më të gjerë miningjarjesh e faktorësh veprues më pak të dukshëm, por që në fiziologjinë e mbijetesës etno-kulturore të kombit kanë dhënë gjithnjë lëngun jetësor ushqyes. Pa të tilla studime të larmishme, hartës së madhe historike do t’i mungonte ‘’topografia rurale’’, do të mbeteshin në hije imtësitë e episodeve, karakteret, kundërshtitë dhe dilemat, do të ishin të cungëta detajet e kuvendeve dhe pak të njohura shqetësimet e rretheve më të ngushta miqësore e familjare, ato vatra të prushta që u dhanë flakë lëvizjeve madhore të kombit për liri e progres.
Prof Bardhosh Gaçe është një personalitet shumëplanësh, kontributi i të cilit shtrihet në shumë fusha të dijes dhe kulturës, të studimeve historike, pedagogjike, etnografike, folklorike, estetike si dhe në krijimtari të mirëfilltë letrare, i njohur nga opinioni shkencor e më gjerë për vepra dinjitoze.
I mirëpritur në mbarë trevat shqiptare jo vetëm si autor, por edhe si veprimtar e misionar i trashëgimisë kulturore kombëtare, ai ka vite që është nisur me një çantë librash në krah, ‘’udhëton’’ pa u lodhur në hapësirë dhe kohë, shtegton nëpër troje dhe epoka. Hera-herës qëndron e çlodhet pranë ndonjë burimi, i mrekulluar nga bukuria e viseve dhe bujaria e njerëzve që takon, shpalos me kujdes një ‘’hartë udhërrëfyese’’ paksa të çuditshme dhe nis sërish ‘’udhëtimin’’ për diku më tej, diku më larg e më thellë… hyn qetë-qetë me hap të përkorë në botën e magjishme të përrallave, në misteret e riteve e gojëdhënave, duke thithur e mjaltëzuar nektarin e pyjeve të fjetur, gjurmon çerdhe bilbilash të polifonisë labe, ndien nëpër fëshfërima gjethesh valëzimin e fustanellës arbërore. Dhe gjithçka e mbedh me një dashuri të veçantë, me përpikmëri e seriozitet shkencor, duke u përcjellë brezave ‘’sekretin’’ e mbijetesës dhe ngrohtësinë e vatrës stërghyshore.
Si gjithnjë i suksesshëm, i nderuar me tituj e çmime, prof Gaçe vijon pa ndërprerë punën e tij kërkimore me një klas të lartë profesionalizmi: i thellë në mendime, i mprehtë në gjykim e i ftohtë në analizë, skrupuloz ndaj vërtetësisë arkivore, përzgjedhës inteligjent i tematikave të veçanta, më pak të rrahura, por që meritojnë të dalin në dritë për vlerat që mbartin.
Në studimet dhe monografitë e tij gjejmë një varg figurash të respektuara kryesisht të trevës së Vlorës e Labërisë, si: Osman Haxhiu, Ibrahim Shyti, Ibrahim Abdullai, Beqir Velo Kanina, Spiro Koleka, xha Selimi i Brate etj. I zhytur deri në thellësi të turbullta kohësh ku, si në guaska koralesh, flenë perla vlerash historiko-kulturore, prof Gaçe, falë këmbënguljes dhe pasionit kërkimor shkencor, ka arritur t’i nxjerrë ato në dritë duke e bërë çdo ditë e më të plotë diademën rrëzëllitëse të thesarit tonë kombëtar.
Objekti i studimit të tij këtë herë është një tjetër figurë e respektuar e parisë tradicionale kaninjote: Arshi Selfo Dalani dhe vatra e ndezur e Dalanajve, e këtij fisi rrënjëthellë, të njohur në histori e të përjetësuar në këngë që, ashtu siç del qartë nga dokumente autentike arkivore, nga kujtime e dëshmi luftëtarësh bashkëkohës mbetet një buronjë ujëkthjellët patriotizmi me rrjedhë të pandërprerë nga brezi në brez, plot mund, gjak e sakrifica në shërbim të çështjes shqiptare.
Dalanajt janë njëri mes fiseve të dëgjuara kaninjote, aspak i rrallë e i veçantë as i shkëputur nga të tjerët, përkundrazi, pjesë e asaj elite të pranuar tradicionalisht për bëma dhe vlera morale e patriotike të provuara në vijimësi, e përfshirë organikisht në jetën dhe përpjekjet e komunitetit për liri e dinjitet. Dhe historikisht Kanina shquhet për elita të tilla. Ata që janë marrë me studime shqiptare, vendas ose të huaj, duke gërmuar dokumente jo vetëm në arkivat tona të varfra, por kryesisht në to të Romës, Bizantit, Stambollit, Vjenës e gjetkë, nuk e fshehin respektin që të imponon Kanina, ky kryefshat impresionues me emër ‘’të rëndë’’, me histori dhe rol të veçantë në hapësirën shqiptare.
Në këtë kuadër të përgjithshëm dhe brenda kohështrirjes së vet, merr dimensionin real personaliteti i spikatur i Arshi Selfo Dalanit, objekt i kësaj monografie të prof Gaçes.
Duke e hedhur vështrimin disa breza më parë në zbulim të rrënjëve të tij patriotike, autori shkon deri tek Seit Dalan Kanina, lindur rreth vitit 1776, i cili përmendet për ‘’marrëdhënie të ngushta me Ismail bej Vlorën, gjyshin e Ismail Qemalit, pranë të cilit kishte shërbyer disa vite në Bursë të Turqisë. Por edhe me Brahim Pashë Begollin nga Kosova, i cili ishte vënë në shërbim të mbretit të Egjiptit’’. Në vazhdim autori përmend se ‘’në vjeshtën e vitit 1821, në ndihmë të suliotëve në betejat kundër hordhive otomane shkuan edhe 2000 lebër, të komanduar nga Tahir Abazi e Ago Vasjari, ku midis krerëve ishin edhe Dudë Sinani (Gumenicë), Seit Dalani (Kaninë), Selim Zeneli (Shkozë) dhe Spiro Leka (Dhërmi)… në këto luftime të përgjakshme u plagosën Dudë Sinani, Seit Kanina, Selam Hasan Velça, Hamza Delvina, Kiço Qeparoi si dhe u vranë 42 luftëtarë’’. Po kështu, Seit Dalani: ‘’në vitin 1828 ishte ndër ndërlidhësit kryesorë të Ismail Pashë Vlorës me parësinë e krahinave të Skraparit, Myzeqesë, Përmetit, Tepelenës, Vlorës, Delvinës dhe Himarës për realizimin e një varg kërkesash kundër Mehmet Reshid Pashës si sanxhakbej i Janinës, për t’u rikthyer përsëri krerët vendas në administratën e kësaj treve’’
Dhe tradita patriotike kalon nga brezi në brez, nga babai tek i biri: ‘’Në luftërat e shqiptarëve për të shkëputur vargonjtë e robërisë otomane në shek XIX del në skenë i biri i Seit Dalanit, Dalan Seiti, i cili mori pjesë në disa takime e kuvende me kapedanët e tjerë të Jugut për organizimin e qëndresës antiturke’’.
Dalan Seiti shquhet për trimëri në kryengritjet e viteve 1833-1834 si dhe në vitin 1846 kundër reformave të Tanzimatit, në luftimet e përgjakshme për marrjen e kalasë së Beratit. Për të flasin mjaft dokumente arkivore, po edhe më bukur vargjet e disa këngëve popullore të kohës së tij. Disa vite më vonë, ‘’gjatë kohës që punoi në administratën e Janinës, Dalan Seiti pati një miqësi të ngushtë edhe me rilindësin e madh Abdyl Frashëri, i cili aso kohe punonte edhe ai në administratën e atij vilajetti dhe më pas u zgjodh deputet i Janinës në parlamentin otoman’’.
Traditën patriotike të fisit e vazhdoi i biri i Dalan Seitit, Selfo Dalani dhe më tej djali i Selfos, objekti i kësaj monografie, Arshi Selfo Dalani. Të duket sikur ke të bësh me një sagë, me historinë e një zinxhiri të pandërprerë brezash.
Për jetën dhe aktivitetin e ngjeshur patriotik të Arshi Selfo Dalanit flasin shumë faqe të këtij libri. Ai jetoi dhe punoi në periudhën e përpjekjeve heroike për shpalljen dhe mbrojtjen me gjak të shtetit të parë shqiptar pas një robërie të gjatë otomane. E nisi qysh herët në rini, qysh nga kontaktet e para me idetë e Rilindjes deri tek përhapja në ilegalitet e librave shqip dhe propagandimi i çështjes kombëtare; e vazhdoi më tej me klubet patriotike, me përkrahjen e çetave të para të lirisë e deri tek mbështetja e plotë e aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë.
Hapat e parë të shtetit të ri ishin të vështirë, kohët të turbullta dhe armiqtë kombëtarë të shumtë. Po këto më mirë se kushdo i trajton në mënyrë shkencore autori i librit. Këto kohë dhe situata kritike që kaloi atdheu, ashtu si të gjithë, e ndoqën Arshi Selfon deri në pleqëri. Gjithsesi, ai dhe djemtë e tij qëndruan gjithnjë pranë atdheut, gjithnjë në krahun progresist. I përkiste atij brezi të papërsëritshëm idealistësh rilindas që mbi gjithçka vinin atdheun, ishin bashkëkohës, miq besnikë e idhtarë të palëkundur të Ismail bej Vlorës. Fati e deshte që djali i tij i vogël, Dadan Dalani, dëshmor i Brigadës V S të ishte kurbani i fundit që i dha atdheut, para se të mbyllej në një pleqëri të rëndë e me halle të reja.
Duke hedhur dritë mbi figurën e Arshi Selfo Dalanit qysh prej rrënjëve të thella e deri tek filizat e rinj gjelbërues, prof Gaçe rigjen e vendos në vendin e duhur edhe një pemë tjetër në kopshtin e bukur të patriotizmit vlonjat.E përgëzoj autorin për këtë monografi të arrirë në të gjitha pikëpamjet dhe i uroj suksese të mëtejshme në punime të tilla dinjitoze.
*Shënime për librin e Prof B. Gaçes ‘’Arshi Selfo Dajlani – një vatër kombëtare në Kaninë’’
Rakip says
Z Ibrahim vasjari ju pergezojme si familje xhela per shkrimin dhe falenderojme autorin e librit per kete monografi te njeres nga familjet me ne ze te vlores qe per shume kohe e mbuloji hiri i harreses.