• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FEJZO LEPENICA – VEPRIMTAR PATRIOT, PUBLICIST ANTISHOVEN

August 26, 2016 by dgreca

Portret* – bazuar në librin e Enver Memisha, me të njëjtin titull/

Nga IDAJET JAHAJ/

1.Libri i Enver Memishaj dhe befasia/

Në prill të vitit 2015 doli libri i Enver Memishaj “Fejzo Lepenica”. Autori, paraprakisht, na kishte bërë një ekspoze për personazhin e këtij libri. Ai kishte qenë luftëtar i 1920-tës, veprimtar i luftës për demokraci në vitet 1920-24, nëpunës në xhandarmërinë e kohës,etj. Por ajo që e bënte të veçantë  këtë personazh ishte veprimtaria e tij tej kufirit tonë shtetëror, në Janinë. Ai  jetoi atje për një kohë prej afro 12 vjetësh, me ndërprerje të pakta.Ishte i arsimuar në një kolegj  arbëresh në Itali dhe dinte disa gjuhë të huaja. Kishte prirje gazetarie dhe në vitet 1926-1932  , në Janinë, shkroi shumë artikuj në gazetat shqiptare të kohës, ku denonconte shtypjen dhe genocidin që i bënte shteti grek popullsisë çame në trojet e saj . Pas vitit 1932 ai i rralloi këto shkrime, pasi, nga torturat e shumta që i bënë grekët, u sëmur dhe vdiq pas disa vjetësh .

Ai ishte një aspirues dhe luftëtar i së drejtës njerëzore e kombëtare ,  tek bashkëkombasit e tij në Çamëri. Po ashtu ai u përndoq edhe nga organet e shtetit të  këtushëm ( amë), sepse e urrente shtypjen monarkiste.

Duke na kallzuar këto të dhëna, autori i librit, Enveri, i cili është  edhe një pasardhës në trungun e fisit të Fejzos,  na shkaktoi  habinë  : se si një Lumas ( nga Lumi i Vlorës) shkëlqeu  si  luftëtar në epopenë e Njëzetës e të Demokracisë më pas, por sidomos në fushën e  publicistikës, atje, tej kufirit, brenda territorit grek, duke mbrojtur me guxim të drejtat e çamëve, të cilat nëpërkëmbeshin nga ai shtet .

Historia e krahinës së Lumit të Vlorës është shumë e pasur me heronj e patriotë, me veprimtarë të pushkës , të mendjes e të penës , kundër çdo pushtuesi, nëpër kohë e shekuj, por sidomos  kundër shovenëve të jugut, të cilët kanë synuar vazhdimisht të marrin trojet tona e të genocidojnë popullsinë shqiptare në atë vend. Kështu janë dalluar, midis luftëtarëve të shumtë, figura të shquara  antishovene si : Shako Xhakë Tërbaçi e Selam Hasan Velça,  në mesin e shekullit të kaluar, kundër hordhive greke në Mecovë, Kallabakë , më vonë në Lëkurës të Sarandës e në shumë pika të kufirit tonë jugor. Është shquar  (nga kjo krahinë) sidomos  kuçioti Myslym Gjoleka, biri i të famshmit Zenel Gjoleka,  si një luftëtar me armë e me veprimtari  organizuese kundër aneksionimeve shovene në gjysmën e dytë të shek të 19-të…

Kundër atij shovinizmi  ngriti penën edhe djaloshi  nga Lepenica e Lumit të Vlorës.  Ai e mprehu publicistikën e tij atje, në Janinën – dikur shqiptare e tashmë në arealin grek… Dha tablo të jetës së mjerë të çamëve, me arsenal shifrash e faktesh, me rubrika të hollësishme të dhënash , të trajtimit çnjerëzor që u bënte shteti grek këtyre banorëve autoktonë. Publicistika e tij kumboi  si pushkë, jehona e së cilës merr aktualitet edhe sot, kur mekanizma të fshehta  e të hapura të shtetit grek tentojnë jo vetëm mohimin e çështjes çame, por edhe penetrimin e thellë në arteriet e shtetit e të shoqërisë sonë, për ekspansion…për “Vorio-Epirin “- sipas tyre, duke patur në pararojë Fanarin famëkeq të Athinës si dhe fenerin e Janullatosit në krye të Kishës sonë Ortodokse, në Tiranë.Fakti i zbulimit të këtij veprimtari, nga historiani Enver Lepenica, na befasoi. E morëm librin, të botuar ,dhe e lexuam me një frymë, duke u kënaqur nga informacioni i gjerë i tij. Dhe kështu , u njohëm me publicistin patriot, antishovenin-Fejzo Lepenica,- puna, lufta dhe pena e të cilit i shtohet një vazhde të ndritur të qiellit të atdhetarisë sonë.

  1. Jeta dhe veprimtaria e Fejzo Lepenicës

Lindi në Lepenicë, në vitin 1902. Quhej  Fejzo Tafil Memishaj, por mori mbiemrin “ Lepenica”, larg vendlindjes së tij,   në Gjirokatër e Janinë,  për  ta evidentuar më mirë . Ishte nipi i ushtarakut të shquar  -Ahmet Lepenica,- i cili planizoi sulmet në luftën e vitit 1920. Fejzua mbeti  jetim që kur ishte tre vjeç, i vdiq nëna.  Më vonë pati një vëlla (me babë), Zijain.

Jetoi 35 vjet. Vdiq në Janinë, në vitin 1937. Atje u martua dhe la pas dy vajza.  Shkollën fillore e mbaroi në Drashovicë, në vitet 1908-1910. Plotoren e kreu  në Vlorë, në shkollën e parë, në lagjen  “Muradie”. Në vitet 1915-18 ndoqi një shkollë në kolegjin e arbëreshëve- Shën Mitër Korona, në Itali.  Atje përvetësoi italishten. Greqishten do ta mësonte më vonë, kur punoi në zonat e Gjirokastrës e në Janinë.

   Në luftën për çlirim e demokraci 1920-1924

Sapo erdhi nga Italia, në vendlindje, u aktivizua në shoqëritë patriotike, që vepronin në Vlorë e në Lumin e Vlorës. Në shtator 1918 u aktivizua në shoqërinë “Lidhja e Djelmoshave”, me udhëheqës Halim Xhelon, Jani Mingën, Kristo Karbunarën…Më pas në shoqërinë “Opinga” të Zaçe Xhelos në Mesaplik.    Gjatë vitit 1919 punoi në avokaturën e Agja Libohovës, në Gjirokastër.Gjithashtu në shoqëritë “Shtizat e Qytetërimit’ dhe “ Mbrojta Shkollore” në Brataj. U njoh e lidhi miqësi me patriotë si  me : Ali Çakërrin, Ibrahim Shytin, Avdul Kuçin, Ibrahim Abdullahun, etj. Me Halim Xhelon pati lidhje të ngushta për shumë kohë. Nga librari i madh Ibrahim Shyti merrte vazhdimisht libra, të cilat i lexonte me etje.

Mori pjesë në demonstratën antiitaliane në Vlorë, në vitin 1919. Në këtë kohë xhaxhai i tij, Ahmet Lepenica, ishte shquar si ushtarak, në forcimin e organeve të xhandarmërisë në Jug. Ai e merrrte kurdoherë me vete Fejzon, duke e kalitur si punonjës e veprimtar të ri, të palodhur.

Pas Kongresit të Lushnjës, më 21 janar 1920, Fejzua  e ndihmoi shumë Ahmetin për kuvendin e krerëve të Vlorës, i cili u bë në vendlindjen e tyre, në vendin e quajtur “Krivovë” të Lepenicës. Ai kuvend u bë në datat 23-27 shkurt 1920 dhe u drejtua nga  kryeministri Sulejman Delvina.  Ishte një nga kuvendet e mëdha të Labërisë, për vendimin dhe nisjen e Luftës së Vlorës.  Emrin e  dashur “Krivovë” Fejzua do ta përdorte si  pseudonim në shkrimet e tij të mëvonëshme.

Në Luftën e Vlorës- 1920

Fejzo  u aktivizua për lajmërimet në fshatrat e Lumit të Vlorës për Mbledhjen e Mesaplikut,  në Kuvendin e Baçallasë- 29 maj  të atij viti, etj. Në sulmin mbi garnizonet ushtarake italiane, Fejzua u zgjodh zv. komandant i çetës së Gjorm-Lepenicës. Ishte vetëm 18 vjeç. U plagos në Llogora. Pas atij sulmi, ku u vra komandanti Sheme Jazo, Fezon e caktuan  komandant çete. E drejtoi çetën me zotësi në luftimet në Bestrovë, Panaja e Nartë, si edhe në sulmet në lagjet e qytetit të Vlorës, deri në çlirimin e tij, më 3 shtator 1920.

   Pas vitit 1920

Në Vlorë u organizua xhandarmëria  Kombëtare. Për merita lufte djaloshin Fejzo e graduan n/officer në këto organe. Gjatë luftës e më pas ai u lidh edhe më shumë me patriotët e njohur si : Halim Xhelo, Muço Delo, Mihal Peço, At Shtjefën Gjeçovi, etj. Kudo shoqëronte Ahmet Lepenicën , i cili organizonte e kontrollonte detyrat e rendit në organet e xhandarmërisë. Fejzua u emërua komandant  njësie në këto forca.

Veproi në aktivitetet e Federatës “Atdheu”, e cila kryesohej nga Avni Rustemi.

Në qershor të vitit 1921 , me njësinë e tij, ai u inkuadrua në batalionin e xhandarmërisë që marshoi  në Himarë, për ta kthyer atë  krahinë brenda shtetit amë. Edhe më vonë, bashkë me Ahmetin, shkoi në Kuvendin e madh zakonor të Kuçit –më 28 nëntor 1924.

 Në Dibër

Nga fundi i vitit 1921, Fejzua, bashkë me Ahmet Lepenicën, komanduan forcat e xhandarmërisë së Jugut për të çliruar zonat e Matit  e të Dibrës nga okupacioni serb. Me njësinë e tij ai luftoi në fshatin Buall e Qafë-Murrëz. Në ato luftime ranë edhe tre dëshmorë  nga Vlora : Nuro Tërbaçi, Nuredin Cekaj e Shefit Kropishti.

   Në gjindarmërinë e Gjirokastrës

Në shkurt  të vitit 1922 xhaxhai i Fejzos, Ahmeti,  u emërua Qarkomandant i gjindarmërisë së Gjirokastrës. Ai e mori Fejzon adjutant të tij dhe më pas e emëroi në detyra të ndryshme. Pak muaj Fajzua punoi në protokollin e qarkut deri në fund të vitit 1922. Në v. 1923  erdhi në Vlorë, ku ndoqi një kurs profesional xhandarmërie.Në prill të këtij viti u caktua në grupin e ushtarakëve shqiptarë që do të ishin pranë gjeneral Telinit (italian), për piketimin e kufirit tonë shtetëror në Jug, në bazë të vendimit të Fuqive të Mëdha. Aty provoi peripeci e pengesa të shumta dhe pa me sytë e tij dhelpëritë deri edhe krimet nga ana e grekërve, të cilët donin si e si ta  shtynin kufirin brenda territorit tonë. Grekët vranë  gjeneral Telinin, i cili ishte i predispozuar ndaj shqiptarëve.

Fejzua, bashkë me Ahmetin e një sërë patriotësh shqiptarë, bënë çmos , duke kërkuar vazhdimisht pranë komisioneve të Fuqive të Mëdha  dënimin e vrasësve të Telinit.

Në qershor 1923 u emërua  komandant poste xhandarmërie në Çajup. Ishte 21 vjeç.

Kishte inteligjencë e pjekuri  për detyrat që i ngarkoheshin. Shkruan në gazetën “Zëri i Gjirokastrës” për pronat e fshatarëve, për padrejtësitë  që bëheshin dhe u  jepte rrugëzgjidhje problemeve. Që aty, pranë kufirit,  ndjeu dhe pa  djallëzitë e grekërve, të cilët akuzonin e shpifnin  ndaj drejtuesve shqiptarë në vijën e kufirit.

Në dhjetor 1923 Fejzua mbrojti  ligjësinë e zgjedhjeve të vendit tonë.  U gradua nëntoger.  Përkrahu vijën demokratike të Nolit.

 Në revolucionin e  vitit 1924  

Në mars të vitit 1924 shkoi në Vlorë  ku ndoqi një kurs tjetër kualifikimi  xhandarmërie. Më 1 maj të atij viti mori pjesë në varrimin e Avni Rustemit, të cilin e vranë agjentët e Ahmet Zogut. Në marshimin për përmbysjen e monarkut Zog, Fejzua komandonte një njësi xhandarmërie të Vlorës. Në përbërje të batalionit që drejtohej nga Halim Xheloja, ai,  me njësinë e tij luftoi  në Berat e në shkallën e Tujanit, drejt Tiranës.

Gjatë periudhës së vendosjes së regjimit demokratik,  punoi oficer në drejtorinë e rekrutimeve  në Elbasan e Vlorë.

Pas dështimit të revolucionit, Fejzua u përndoq nga forcat e monarkut Zog. Për të shpëtuar, ai tentoi të kalojë kufirin  për në Janinë, por  e kapën dhe e burgosën në kalanë e Gjitokastrës. Pas një muaji , i ndihmuar nga patriotët e Libohovës e të Gjirokastrës, u arratis nga burgu, kaloi kufirin dhe shkoi në Janinë. Por atje, i informuar nga policia shqiptare, u  arrestua nga policia greke dhe u internua në ishullin e Qefalonisë, për një periudhë prej 6  muajsh. Doli nga burgu, qëndroi pak kohë në Janinë, ku u njoh me një vajzë shqiptare. Më pas, në tetor 1925 , erdhi ne atdhe, në vendlindje, sepse  qeveria e  e Zogut e kishte falur. Nuk e pranoi ofertën për të punuar në xhandarmëri.

Shkoi në Janinë.  Ishte i papajtueshëm më politikën greke ndaj shqiptarëve atje. Në tetor 1926  e arrestuan dhe pas pak ditësh e nisën për në Shqipëri. Nga fundi i këtij viti kaloi sërish në Janinë. Atje u martua me  vajzën që kishte njohur, dhe , krahas punës për mbajtjen e familjes, iu përkushtua  edhe publicistikës, për demaskimin e politikës greke , që diskriminonte  popullsinë  çame.

   Veprimtaria publicistike  në Janinë (1926-1932)

Aty u lidh me rethet patriotike shqiptare dhe shkroi herë pas here artikuj në gazetat shqiptare brenda dhe jashtë vendit.  U lidh me patriotët çamë si : Musa  e Ahmet Demi, Haki Musai, etj. Shkonte nëpër fshatrat  e qytetet  çame, mblidhte të dhëna e fakte për artikujt.

Gjatë vitit 1931, qëndroi në shtëpinë e tij  në Janinë, i survejuar nga organet lokale greke. U lidh me Halim Xhelon, Hysni  Lepenicën, Qazim Kokoshin, Seid Qemalin, Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Gani  Abazin, etj. Pati korespondenca letrash me ta.  Në  shkurt të atij viti grekët e arrestuan, e burgosën në ishullin Zaqinthos, për disa muaj.  I bënë tortura të shumta, bile duke e helmuar edhe me  me narkozë të fortë .  Në shtator të atij viti (1931) erdhi  në vendlindje, në Lepenicë, ku qëndroi për afro një vit. Ndërtoi  një shtëpi  të re dykatëshe në pronat e tij.

Në gusht të vitit 1932, me shumë patriotë të tjerë , u përfshi  në Grupin e Fshehtë të Vlorës, për përmbysjen e qeverisë së  mbretit Zog.  Grupi u zbulua, por Fejzua, në gjyqin që iu bë, u mbrojt me vendosmëri e zgjuarsi  dhe  nuk e dënuan. Në prill të vitit 1933 shkoi në Janinë , pranë familjes së tij. Pas disa kohësh  i rralloi artikujt , sepse u sëmur. Grekët i kishin injektuar bacil tuberkulozi në gjak.

Vdiq në vitin 1937.

Figura e luftëtarit dhe publicistit

Veprimtaria e Fejzo Lepenicës  kap dy periudha kohore : E para : 1918-1926- ku spikatin : veprimtaria në shoqëritë patriotike të viteve 1918-20; pjesëmarrja në luftën çlirimtare të Vlorës, në vitin 1920; puna si  ushtarak në xhandarmërinë e Vlorës e të Gjirokastrës dhe pjesëmarrja në revolucionin e vitit 1924…

E dyta : Vitet 1926-1937 – në Janinë, ku  kaloi afro 12 vjet. Atje krijoi familje dhe u muar me veprimtarinë publicistike në  gazeta të ndryshme.

Pra , 20 vjet punë e luftë  të pandërprerë në shërbime patriotike, ku u dallua si një veprimtar, luftëtar i pushkës e i penës, për idealet kombëtare. Ishte luftëtar i vendosur për përparim, çlirim e  demokraci e kundër monarkisë, brenda vendit,  si dhe i papajtueshëm me politikën  shovene greke . U persekutua nga të dy qeveritë, nga kjo- e shtetit amë, dhe ajo e huaj- greke. E arrestuan, e brugosën, e torturuan, e bastisën shumë herë , në disa vite. Ai tregoi heroizëm qëndrese, por më së fundi, shëndeti  i  tij ra nga persekutimet e shumta që i bënë, sidomos shovenët  matanë kufirit.

Shkëlqeu  me artikujt e tij (jo të paktë) që bëri në Janinë, duke shkruar , me shifra dhe fakte , për gjendjen e mjeruar të çamëve, të cilët lëngonin  nga  persekutimi.  U bë një avokat i talentuar i tyre; shkroi në gazetën  shqiptare në Rumani, por sidomos në gazetat brenda vendit. Pati  letërkëmbim me Musa Demin, patriotin e shquar çam; me Halim Xhelon,  Mitat Frashërin , Azis Çamin, Karagjozajt e Gjirokastrës,etj. Një pjesë e kësaj korrespondece ende nuk është gjetur. Në artikujt  duket inteligjencia e tij, intuita e hollë e kapjes së problemeve çame, nuhatja politike, vendosmëria  në kërkesat që i parashtron opinionit të gjerë,deri në organet ndërkombëtare, erudicioni  i tij. Bëhet kështu një perkursor i rëndësishëm i  çështjes  kombëtare lidhur me Çamërinë. Kritikoi  ashpër  qeverinë e  Tiranës , e cila nuk reagonte ndaj masakrave greke në Çamëri.

Në shkrimet e tij kumbon shpirti atdhetar. Penelatat përshkruese marrin herë-herë forcë të shndritshme…Nëpërmjet artikujve të tij ai  dha një pjesë të historisë së Çmërisë. Spikat për kulturën, argumentin, faktologjinë  dhe erudicionin e shkrimeve.

Shkëlqeu si një qytetar  i së drejtës kombëtare e ndërkombëtare , me aktakuzën që i bëri shtypjes shovene  ndaj çamëve. Janë gjetur  25 shkrime të tij, por mendohet se mund të ketë edhe të tjera.

Pseudonimi “Krivova”, me të cilin i nënshkroi artikujt, flet për nostalgjinë e tij për vendlindjen e dashur si edhe për fshehjen nga përndjekjet e shovenëve. Ky emër do të shkundte pluhurin e harresës nëpër shekull.

   Pasfjalë : Një yll atdhetarie

Harresa e historiografisë komuniste (gjysma e dytë e shekullit XX) nuk ishte gjë tjetër, veçse një shërbim i verbër ndaj shovinizmave  të jashtëm, që rrezikonin ( e rrezikojnë ) vendin tonë. Fejzo mbeti një martir i pavdekshëm i  luftës për liri e demokraci si dhe për mbrojtjen e bashkëkombasve tanë tej kufirit.  Pati një jetë të shkurtër, por intensive, ndiçoi si një meteor në qiellin e atdhetarisë sonë…

   4.Penelata nga publicistika e Fejzo Lepenicës

Ai shkroi artikuj në gazetën “Demokratia” e Gjirokastrës, ”Vullneti i Popullit”, ”Besa”, ”Gazeta e Korçës”, ”Shqipëria e Re” e Kostancës, në Rumani, etj.

Iu përkushtua informacionit të ngjeshur,  me të dhëna e fakte nga gjëndja e  çamëve. Janë gjetur rreth 60-70 faqe të artikujve të tij të botuar. Shkrimet kanë forcë stilistike, frymë polemike; janë të copëzuara në sytha të shkurtër, për lehtësi  asimilimi. Arsenali  i tij gjuhësor është përgjithësisht i pastër, në leksik e sintaksë. Shprehje e erudicionit të tij janë edhe përdorimi  i fjalëve të përparuara të kohës si: antitudë, difikultete, konservacione, shovene, vitale, semplice, mitologjike,etj.  Ka edhe ndonjë fjalë të leksikut të hershëm, por ato tingëllojnë  më tepër për kolorit kohor. Informacioni i tij vlerësohet lart nga redaksitë e gazetave.

Këtu po japim disa nga penelatat shkrimore të tij :

  1. Nga letërkëmbimet
  2. I shkruan një miku nga Janina : “ Më duhet të informohen thellësisht …Çamëria ka sot rreth 40 000 banorë.  Shteti grek i çan, i thellon dallimet myslimanë-helenë. Ai vjedh katundarët shqiptarë. Tatojnë rëndë çamët myslimanë, i detyrojnë të punojnë argatë te greku !…

…Shkollat shqipe i quajnë krim, njëlloj si sulltanët e Turqisë. 24 katundet e Filatit u shpronësuan.

…Tradita shovene vazhdon në të gjitha qeveritë greke. Në fshatrat çame si Kardhiqia e Dragomia gjen fëmijë të therur rrugëve, të cilët bëlbëzojnë : “bukë, bukë ”!

…Shteti ynë  s’hap gojë.

Çamëve myslimanë shteti grek u shet edhe varret ! Fanatizmi fetar i grekëve  është shumë i qelbur, nuk ndryshon. E barazojnë fenë me kombin.  Në katundet Voshtimë e Konicë familjet shqiptare kanë dalë në shpellat e natyrës.

…Tashmë në Çamëri nuk gjallon më frymë shqiptari…

Qeveria shqiptare bën gjumë letargjik .   Rrezikohet të humbasë kështu një gjymtyrë e madhe e kombit tonë-Çamëria martire…

  1. Nga artikujt e botuar

1927.Në gazetën “Telegraf” : Çamët janë dënuar me vdekje nga grekët. Ata po shtypen. Grekët u kërkojnë qira të larta  për shtëpitë e pronat e tyre.

Pse qeveria jonë (në Shqipëri) të  mos kërkojë shkëmbimin e popullsisë shqiptare në Greqi me popullsinë greke në Shqipëri ?

…Çamëria është pjesë vitale e kombit tonë.

…1928. I shtypin vetëm se janë shqiptarë. Pronarët shqiptarë i  flakin në rrugë. Foshnjat vdesin rrugës me fjalën : “ Bukë!” dhe i shtrojnë krahët dheut të ftohtë…Autoritetet lokale greke tallen me kufomat e tyre, fërkojnë duart e thonë me skërmitje : “Plotësuam një detyrë patriotike “ !

…Gjendja e çamëve është e tmerrshme. Jeta e një çami  i kushton grekut sa jeta e një zezaku-një të bardhi  në Amerikë. Veprimtaria  e shtetit grek është një turp i shekullit të sotëm. Të mjerët çamë ! Përdoren nga greku në vend të kuajve !

…Si venë sot punët në Çamëri, nuk do shkojë shumë kohë e popullsia aty do të shfaroset plotësisht. Përpara këtij genocidi qeveria shqiptare fle gjumë …Ç’bën shoqëria e Kombeve , si Institut i Paqes e Drejtësisë Ndërkombëtare ? Na duket se edhe ajo po shkel parimet e saj !

…Shurt 1930 : Një gazetë shqiptare e vlerëson artikullin e Fejzos si “Letër ndriçonjëse nga Çamëria”. Artikulli i Fejzos vazhdon : “Grekët duan të realizojnë dënimin me vdekje të Shqipërisë.”

Gazeta shqiptare e Rumanisë e vlerëson Fejzon si “trumpetar shqiptar në Çamëri”.

…Arsimi?-Fjalë e thatë ! Asnjë shkollë shqipe…nën maskën e qytetërimit grek! Asnjë deputet çam në parlamentin grek ! Çamëria-shesh shfrytëzimi  për grekët . Asaj i merren taksa të larta, ushtarë…Çamëria bën jetë fatale. Lëvizja brenda shtetit amë-shqiptar-indiferencë letargjike.Kjo përbën një krim kundrejt kombit tonë. Çështjen çame grekët e dërguan në arkivat e harresës. Grabitje e stërmadhe shtetërore ndaj popullsisë shqiptare.

…Një profesor grek në Paramithi paraqitet si bishti i rjepur i një dhelpre… me mashtrimet e tij. Qeveria i nis vetë banditët e saj kundër shqiptarëve. Nga thellësia e shpirtrave të dëshpëruar çamë del rënkimi agonik i vdekjes…I vdekjes së një pjese të popullit shqiptar.

Kjo gjendje na thërret të vrapojmë në ndihmë të tyre.

  1. Hajdutëri shtetërore në Filat : bastisin familjet e mëdha çame –Denatë e Sykatë…Shteti grek nxjerr ligje vdekjeje për shqiptarët.

1931 . Çamët po shuhen. Ja ç’ bëri Venizellosi . Po ç’ bën Tirana ? Çamët e mjerë po i shkulin çdo ditë !…

  1. Sërish për monografinë e Enver Memishaj “Fejzo Lepenica…”

…Libri u botua në vitin 2015, në një shtypshkronjë të Vlorës. Ka 255 faqe.Është një monografi voluminoze dhe e hollësishme.

Enveri, një pasardhës i sotëm i gjenezës së Fejzo Lepenicës, e ka punuar me dashuri të madhe librin.Po me këtë paion ka punuar ai edhe monografitë e tjera voluminoze si atë të Hysni Lepenicës, të Ahmet Lepenicës, të figuravë të shquara te epopesë së Njëzetës, etj.

Me plot gojën mund të themi se ky autor i ka pasqyruar me sukses të plotë këto figura madhore të historisë së popullit tonë. Fakti që dy prej tyre-Hysniu dhe Fejzua, janë në trungun e fisit të tij,  i ka dhënë  autorit  më shumë shpirt e vullnet krijues në pasqyrimin e këtyre figurave.

…Të tre këta : Ahmeti, Hysniu dhe Fejzua, ishin figura pothuajse krejt të panjohura më parë. Dhe s’ kishte si të ndodhte ndryshe : regjimit komunist as i shkonte në mendje të lejonte njeri të merrej me këto figura  të rëndësishme, pasi “ ishin nga Lepenica”, të cilën, si shumë fshatra të tjerë, ai regjim i kishte eklipsuar plotësisht.

Për këto vepra të Enver Memishait , ndodhi si me skulpturat e lashta të antikitetit : i nxorri nga dheu i harresës e i mohimit, dhe ato, falë punës së tij, ndriçojnë tashmë si statuja të bardha kombëtare plot dritë…

Bukur e shprehu poeti i spikatur vlonjat, Nertesi Asllani, punën e Enverit për Fejzo Lepenicën : “ Pena e tij ( e Enverit) derdhi lot për martirin, derdhi gjak e dhembje, derte e brenga,britma e nderime…Ai flet shekullit me një oqean faktesh për martirë të tillë…”

Ndërsa recensionuesja e librit  për Fejzon, prof. dr. Kaliopi Naska, midis një analize të hollësishme, jep edhe këtë definicion : “ Enveri në këtë vepër voluminoze ndriçoi jetën dhe veprën e një ylli të patriotizmit shqiptar,- të Fejzo lepenicës, i cili iu kushtua çështjes sonë kombëtare edhe atje tej kufirit ,deri në ditët e fundit të jetës. Pena e Fejzos u bë armë e madhe në vitet 30-të të shekullit XX”.

Të tria këto figura që nxorri në dritë  Enveri- mbajnë mbiemrin “Lepenica”. Libri për fejzon i kapërcen dukshëm kufijt e një monografie. Ajo jep kuadrin e gjerë kohor ku u zhvillua veprimtaria patriotike e Fejzos. Kështu libri ka edhe vlerën e një arkivi të madh për referime nga brezat e rinj të studjuesve. Me një serial të pafund të dhënash e referimesh ai ndriçon kontekstet historike. Pasioni i hulumtuesit shkëlqen. Krenaria ndrit.

Ligjërata spjeguese e Enverit  është e pasur dhe e pastër gjuhësisht. Ka përshkrime emocionuese, gjithherë në funksion të ndriçimit të personazhit të monografisë. Pasazhet e gjera të spjegimeve e hulumtimeve të japin imazhin e një romani.

Libri është i tipit akademik. Forca e argumentit shndrit. Copëzimet në kapituj janë funksionalë.

Të tilla monografi, si këto të Enver Memishait, janë kontribute të çmuara në historiografinë e sotme, dhe me vlera shumë të mëdha për brezat e ardhshëm.

Kështu , Enveri është evidentuar e realizuar si një historian-monografi i talentuar e  i shquar në këtë fushë. Për të tillë studiues skrupulozë ka nevojë në çdo kohë çështja jonë kombëtare.

  1. Dhe lira e këngës

Dhe lira e këngës flet vetë. Me melodinë e saj, me kumbimin e saj. Lira popullore labe nuk le trim a veprimtar pa përmendur, por, siç u tha më lart, vepra e Fejzo Lepenicës nuk ishte e njohur. Kur kjo lirë njihet me veprën atdhetare, ajo gjëmon, me tone madhore, me timbër elegjiak, me krenari kolektive.  Sepse substanca atdhetare është hemoglobina dhe klorofila e saj. Heroizmi është aureola e saj. Për Fejzon , tashmë vonë , kanë shkruar  disa poetë popullorë si N.Asllani, T. Lelo e ndonjë tjetër. Veçanërisht vargjet e Nertesi Asllanit shndritin nga një metaforizëm melankolik :

…Vjen një zë që nga Janina,

Një zë i bukur bilbili;

Udhëton trimi mbi trima,

Patriot Fejzo Tafili.

Fejzo Tafil Lepenica

e kaloi jetën e tij

nëpër dallga e sakrifica,

E merrte vdekjen në sy.

…Vjen një zë që nga Janina,

Trupi tretet, shpirti rron;

Nëpër flakë e vetëtima

Fezo Tafili gjëmon…

Vlorë, më 20.8.2016

*NE FOTO: FEJZO LEPENICA 

Filed Under: ESSE Tagged With: FEJZO LEPENICA, Idajet Jahaj, patriot, publicist

Triptik përjetimesh për Nënë Terezën

August 25, 2016 by dgreca

 

1 andon dedenga Andon Dede, Nju York/

1.Çdo fund gushti e fillim shtatori më kujton një përjetim jo të zakonshëm që do të dëshëroja ta ndaja me lexuesit, jo thjesht për të kënaqur një kuriozitet por dhe për të dhënë një mesazh.

Atë mbrëmje kishim për darkë dy miq dhe po bisedonim shtruar në tavolinë. Kur, papritur, transmetimet e televisionit ndërprtien, siç ndodh shpesh kur ka ndonjë ngjarje të rëndësishme: në aksidentin e Parisit, të transmetuar një ditë më parë, kishte mbetur e vdekur edhe Princesha Dajanë. U ndërprenë të gjitha emisionet e tjera, e gjithë media po merrej vetëm me këtë temë. Të krijohej përshtypja se ato mezi po e përballonin fluksin e jashtzakonshëm të lajmeve. I kushtuan shumë më tepër rëndësi nga sa mund ta kishim menduar.

Në bisedë e sipër u them të tjerëve, tek po shihnim kronikat e pandërprera: “Sikur po e tepërojnë ca, se ajo vërtet mund të ketë bërë shumë gjëra, po nuk është Nënë Tereza, de!? Nuk e marr dot me mënd se si do ta njoftojnë vdekjen e kësaj të fundit, me gjithë këto superlativa që po thonë për Dajanën…”

Kjo bisedë do të kishte kaluar si shumë të tjera, pa u kujtuar më për të sikur, pas disa ditësh, tek po pushoja në dhomë të gjumit, hyn ime shoqe e më thotë: “Vdiq Nënë Tereza!”.      Kërceva nga krevati për të ndjekur lajmet. Kujtova bisedën që bëmë para pak ditësh. Edhe për këtë ngjarje, të gjitha kanalet televizive, po jepnin kronikat e rastit. Kjo ndodhi edhe të nesërmen e vazhdoi për ditë me radhë. Por, për hir të së vërtetës, më duhet të them se princesha Dajanës iu kushtua shumë më tepër vëmendje. Kamerat zhvendoseshin herë pas here, prej Kalkute në Paris, buzë Senës, në tunelin e Pont d’Alma, ku kish ndodhur aksidenti i përgjakshëm. Emisionet e lajmeve fillonin shpesh me bukuroshen e vrarë dhe më pas vinte Nënë Teresa. Për më tepër flitej për dy bamirëset e mëdha që humbi njerëzimi, duke e portretizuar edhe princeshën me të njëjtat penelata. Mali i kurorave për të, në sheshin e Londrës, theu çdo rekord. Edhe për Nënë Terezën nuk u kursyen lulet, por jo sa ato për princeshën e Uellsit.

E di se nuk është mirë të flasësh sado pak keq për ata që ikin nga kjo botë dhe unë as që kam ndër mënd të flas e të shkruaj keq për Dajanën. Por, për të qënë i sinqertë me lexuesin, më duhet të pranoj se po më revoltonte pa masë gjithë kjo që po ndodhte?! Ku ka të krahasuar Nënë Teresa me Princeshë Dajanën?! Jam dakord se edhe kjo e fundit kishte bërë shumë bamirësira, për të cilat meritonte respekt. Jo vetëm kaq, por dhe sfida që i bëri ajo Familjes Mbretërore, si askush tjetër deri atëhere, ia shton vlerat biografisë së saj. Por jo, kurrsesi nuk mund të meritojë ajo një përcjellje më madhështore se Nënë Teresa. Dajana konsiderohej e mbahet akoma, nga shumë veta si “britanikja më e famshme e botës”.  Por, për hirë të së vërtetës duhet pranuar se nuk janë të paktë edhe ata që pohojnë se ajo e arriti këtë duke ndërruar fustanet, bizhuterite e makinat luksoze.

Ato dy ngjarje treguan edhe një herë se sa subjektiv apo dhe i padrejtë është njerëzimi në vlerësimin e personaliteteve që i kanë shërbyer atij.

Diskutova me shumë veta për këtë temë. Shumica më jepnin të drejtë. Por, aty-këtu, pati edhe ndonjë që përpiqej ta përligjte atë që po ndodhte, duke sjellë si argument faktin që Dajana ishte një figurë më e njohur publike se Nënë Tereza etj. Vulën ia vuri presidenti i Italisë, Skalfaro. Pyetjes së një gazetari, para se ai të nisej për në Kalkutë, në ceremoninë e varrimit, se, si shumë vëmendje po i kushtohej edhe princeshës Dajana dhe ç’mendim kishte, kur i krahasoje me njera tjetrën, ai iu përgjigj shkurt e prerë: ”As që kanë të krahasur! Nënë Teresa është shenjt i gjallë…Ka bërë aq shumë për njerëzmin sa nuk krahasohet me asnjë tjetër…”. Këtë e përforcoi më tej ambasadori amerikan në Vatikan, James Nicholson, kur u shpreh, pas vendimit të Papës për shenjtërimin e saj: “Nuk u habita që Papa ka zgjedhur të shenjtërojë Nënë Terezën. …Në këtë kohë të heronjve nga fusha e sportit dhe artit, ai ndjen se bota ka nevojë për lloje të tjerë heronjsh”, theksoi ai.

Kjo temë, qysh atëhere, më ka ngacmuar vazhdimisht. Kujtoj Dajanën që i ndërronte fustanet e bizhuteritë, disa herë në ditë, e që i shkëlqente fytyra prej së largu, për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve. Edhe kur shpërndante ndihma, nuk e prishte luksin e vet mbretëror, pa hequr dorë prej argëtimeve e kënaqësive të një zonje të sërës së lartë. Dhe më del përpara Nënë Tereza, me atë veshje të thjeshtë, me sarin e saj të bardhë e të gjatë karakteristik që kushtonte vetëm një dollar, në atë trup të paktë, të mpakur, si gjithë nënat tona; me atë fytyrë tërë rudha e fisnike, tamam si mund të përfytyrohet një shenjt i gjallë. Më bënin përshtypje këmbët e saj të zbathura me sandalet e pluhurosura nga ecja. Hante e jetonte si të varfërit e të sëmurët e saj, prekte e ledhatonte me duart e veta trupat e tyre tërë plagë nga lebra e sëmundje të tjera, po aq të rrezikëshme e ngjitëse sa ajo. Po përmend vetëm një episod, nga të panumurtat që janë shkruar e thënë për të: Një e sëmurë rëndë, e befasuar që Nënë Tereza po e merrte në duar e po kujdesej për të si të qe motra e saj, e pyeti me buzë të dridhur: “Pse po e bën tërë këtë?”. “Sepse të dua, sepse Zoti ju do!” ia ktheu Nëna e Madhe. “Ma thuaj prapë. Eshtë hera e parë në jetën time që i dëgjoj këto fjalë…” – shtoi e sëmura. Dhe Shenjtorja e ardhëshme ia thotë përsëri e përsëri. “Nëse nuk mund ta shërojmë dot të sëmurin, të paktën t’ia lehtësojmë dhimbjet, ta ngrohim shpirtërisht, siç ngroh përqafimi i një nëne”, – ishte filosofia e saj.

Edhe njerëzimi sikur u ndie më jetim kur ajo mbylli sytë përgjithmonë. Të parët e shteteve të botës shkonin me radhë para arkivolit të saj, i ledhatonin ballin, i puthnin këmbët, binin më gjunjë, luteshin dhe përsiatnin aty, aq sa ndodhte të vinin kujdestarë nga personeli i shërbimit për t’i ngritur.

Nene Tereza nderroi jete me 13 shtator 1997. Ne varrimin e saj, moren pjese 1 milion vete, në një varg 9 kilometër të gjate; 3 miliard teleshikues të tjerë ndoqën direkt ceremonine e varrimit. Ajo nderroi jete, mbasi shenjtoret nuk vdesin. Si një mesazhere biblike, Shenjtorja e gjallë dhe e prekshme, sillte atë dashuri njerëzore që aq shumë i mungoi shekullit XX. Ndoshta vlerësimin më të madh për të e bëri presidenti Francez Zhak Shirak, i cili, ditën e vdekjes u shpreh: “Këtë mbrëmje, ka më pak dashuri, më pak humanizëm dhe më pak dritë në botë”.

2.Kisha pak kohë që pata filluar punë në JSA,(James Satërwajt Academy). Një ditë, vjen tek unë sekretarja, Ms. Darlin dhe me shumë takt e përzëmërsi, më thotë: “Zoti Dede, a keni ndonjë gjë për partin, ceremoninë që do të bëjmë për Vitin e Ri?”. “Jo!” – ia ktheva menjëherë, pa u menduar gjatë. Ç’ne unë, i sapovajtur aty të bëhesha pjesë e programit, kur atje kishte tërë ata me PH-dira e me përvojë apo dhe artistë të vërtetë për humor, këngë e të tjera si këto. Por, më pas, më lindi ideja për të recituar poezinë e nënë Terezës, “Sidoqoftë”, (Anyuay), që me siguri, një pjesë e tyre në mos të gjithë, nuk do ta kishin lexuar. U çova dhe ia thashë sekretares këtë ide e cila e mirëpriti. Ndërkohë, i them mikut tim, piktorit Hektor Alvarez që të ma printonte poemën sa më bukur, me letër speciale e me ngjyra, siç dinte ai. Qe mjeshtër për këto, ndaj dhe e kishin punësuar aty, si pllkatist. Dhe ai bëri një punë të shkëlqyer: me shkronja speciale, ngjyra të ndryshme, kornizë të bukur etj. që të tërhiqte edhe pa e lexuar atë ç’ka ishte shkruar në të.

Filloi parti dhe dikur prezantuesja më dha fjalën. Unë kisha përgatitur një hyrje të shkurtër: “Ju e keni dëgjuar dhe e njihni të gjithë Mother Terezën, por ndofta, jo të gjithë e dini, se ajo është nga vendi im, Shqipëria. Pavarësisht nga kjo, qëllimi im, nuk është ky, por desha të recitoj një poezi që hedh dritë mbi një anë tjetër, të panjohur të saj: ajo nuk qe vetëm bamirëse e shenjtore e gjallë, por dhe tepër realiste; e njihte natyrën njerëzore me thellësi, me të mirat e të këqijat e saj. Megjithatë, ajo nuk u lëkund për asnjë çast në vendimin që kishte marrë për t’i shërbyer njerëzve në nevojë.”

Më pas recitova poezinë e saj. Heshtje e plotë, si rrallë herë në atë sallë. Kur mbarova, pasuan ca çaste të tjera heshtjeje, a thua se pjesëmarrësit ishin shokuar apo ngrirë… Pas pak shpërthyen duartrokitje frenetike. Iu shpërndava të gjithëve nga një kopje të poezisë. Të dy palët ndjeheshim tepër të kënaqur, sidomos unë që ia arrita qëllimit. Por, kjo histori nuk mbaroi me kaq: sa e sa veta më erdhën më pas në kubikun ku punoja dhe më shprehën mirënjohje e falenderim, në emër të tyre apo të pjestarëve të familjes që ata ua kishin lexuar. Poezia e printuar nga piktori u afishua në tërë ato dyer e mure të Akademisë, ku mund t’i gjesh akoma, edhe pse kane kaluar gjithë ato vite. Nënë Teresa më dha kështu një kënaqësi aq të madhe sa rrallë e kisha provuar më parë.

 3. Falë erës demokratike që po frynte në të gjithë Evropën Lindore, Nënë Terez nuk mund të ndalej më dhe u lejua, më në fund, të vinte në Atdheun e saj, më 1989.

Në Botë, për Nënë Terezën qenë botuar libra e artikuj të shumtë, ndërsa në Shqipëri as edhe një rresht i vetëm. Megjithatë, ne kishim dëgjuar të flitej për të dhe, siç ndodh zakonisht, sa më tepër që të përpiqesh për ta fshehur një të vërtetë, aq më shumë i bën njerëzit kureshtarë për të. Ndaj dhe unë, si shumë të tjerë, isha kurioz ta shihja. Mora vesh se do të kalonte në bulevardin kryesor dhe po e prisja tek ura e Lanës, afër hotel “Dajtit”. Nuk vonoi të duket rreshti i gjatë i makinave. Hapa sytë që të mos më shpëtonte objekti dhe ia arrita qëllimit.

Po e riprodhoj edhe këtë episod jo rastësisht. Vë re se bashkë me mua, disa hapa më tej, po rrinte dhe po priste për ta parë Misionaren e njohur edhe një nga kuadrot e larta të PPSH-së, që e mbanin edhe si dorën e djathtë të udhëheqjes. Thoshin, madje, se nuk bëhej asgjë në politikën e jashtëme, pa miratimin e tij. Si i tillë, pa pikë dyshimi që ai kishte gisht në qëndrimin e mbajtur ndaj saj. Dhe ja tani, edhe ai, si unë, ndënji deri sa u largua karvani. Momentalisht apo dhe fizikisht, po kryenim të njëjtin ritual, por mendërisht e shpirtërisht, ishim në pozicione krejt të kundërta. Vetvetiu, nisa të përsias me vete:  “Ç’po bluan në mëndje ai, ndërsa  po ndjek me sy, gjithë përqëndrim, si unë vargun e makinave?! Mos vallë i vjen keq që iu iku nga duart e nuk e ndaluan dot as kësaj here?”

Tek e fundit, e ç’rëndësi ka edhe kjo?! E rëndësishme, për mua është që ndërsa mesazhet e fuqishme të saj, i dëgjon, i respekton e përpiqet t’i zbatojë gjithë bota përparimtare, në vendin tonë nuk ndjehet një gjë e tillë, në një kohë që, o kemi ne nevojë për to o asnjë tjetër. Nuk është vendi të zgjatem për ta shtjelluar gjerësisht këtë temë, por mjafton një argument për të më dhënë të drejtë edhe lexuesi më indiferent. Kur erdhi për herë të dytë në Shqipëri, në momentin e ndryshimit të madh, tek pa shoqërinë tonë të mbarsur me konflikte, si ato të një lufte civile, ajo dha mesazhin e madh: “Do ta doni më shumë Shqipërinë, po të doni më shumë njeri-tjetrin”. Kur kemi parasysh situatën aktuale, po aq konfliktuale sa atëhere, në mos edhe më keq, a nuk ju duket ky mesazh më aktual se kurrë?!

Nju York, 26 gusht 2016

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Andon Dede, Nene Tereza, Triptik

TAKIMI I NISHIT- PUNË BALLKANASISH, HESAPI

August 25, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Është njoftuar se qeveria e Republikës së Shqipërisë do të takohet me qeverinë serbe në Nish. Është folur njëkohsisht edhe për pjesëmarrjen e  mundshme të qeverisë së Republikës së Kosovës, por deri tashti nuk është e qartë pjesëmarrja e qeverisë së Prishtinës, ose në çfarë niveli mund të përfaqësohet Kosova, në atë takim.

Sidoqoftë, duket se ky takim është një nismë e Serbisë dhe Beogradi duket se po bën të gjitha përgatitjet dhe planifikimet, përfshirë edhe faktin se kush do të ftohet dhe kush jo.  Ndonëse cilësohet si një takim, jo doemosdosmërisht midis qeverisë serbe dhe asaj shqiptare, por si një takim, Radio Europa e Lirë (REL), e cilëson atë si  një “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon.Për këtë arsye edhe do të ftohen përfaqësues politikë të shqiptarëve nga Kosova”, thotë REL.Dialog për marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve në rajon, por pa përfaqsuesit legjitim të nivelit më të lartëtë strukturave të qeverisë dhe shtetit të Republikës së Kosovës së pavarur, e njohur tanimë nga 111 shtete anë e mbanë botës???!!!

Mbetet për tu pa se në çfarë niveli do të përfaqsohet Kosova, por Kryeministri serb Vuçiq citohet të ketë thënë se, “Do të mirëpresim edhe disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës dhe Metohisë, do të mirëpresim shumë njerëz në forumet e biznesit, në takime”, në takimin e ardhëshëm shqiptaro-serb të Nishit. E ku do ulen këta “përfaqsues të shqiptarëve të Kosovës e Metohisë”, në tavolinën e përbashkët apo në karrigat pas delegacionit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, si “paper boys”, dhe si do të identifikohen ata në takimin e Nishit, si përfaqsues shqiptarë të “Kosovo-Metohisë”? Si mund të ketë një takim për “dialog për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe serbëve në rajon”, pa përfaqësinë legjitime të niveleve më të larta politike të Republikës së Kosovës, në një takim ku merr pjesë Kryeminsitri i Shqipërisë dhe ai i Serbisë?A nuk janë shqiptarët e Kosovës, shqiptarë të rajonit? A mos vallë edhe ky takim është një vazhdim i përpjekjeve të vjetëra nga ana e Beogradit për të përçarë shqiptarët në Ballkan, në ata që sllavo-serbët i kanë cilësuar historikisht si “albanci”, ose “dobri albanci” shqiptarët e mirë–pra shqiptarët mbrenda kufijve të Shqipërisë londineze — dhe shqiptarët (e këqij) irridentista dhe problematikë nën ish-Jugosllavi, me epitetin ofendues “shiftari”, përfshirë shqiptarët e Kosovës?

A do të jetë ky një takim midis serbëve dhe shqiptarëve ku të gjithë pjesmarrësit konsiderohen dhe trajtohen si të barabartë? Në sipërfaqe duket se ky takim nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një rast ku serbët, për interesa të veta, do të përpiqen ti tregojnë botës, sidomos asaj perëndimore, se ata janë të gatëshëm për dialog dhe bashkjetesë me shqiptarët e rajonit.  Sidomos kur të merret parasyshë se kryeministri serb e njoftoi këtë takim gjatë vizitës së fundit të Zëvëndës Presidentit amerikan Joe Biden në Beograd.  Serioziteti i këtij propozimi për takimin serbo-shqiptar dhe prapaskenat e përgatitjes së një takimi të tillë, duhet të shikohen nga këndveshtrimi se kush janë përfaqsuesit serbë, me të cilët do të takohet në Nish, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me delegacionin e tij dhe mepërfaqsuesit e tjerë të“shqiptarëve nga rajoni”.

Në krye të delegacionit serb do të jenë trashëgimtarë dhe gjithnjë mbështetës të pandëshkuar të politikave kriminale të Sllobodan Millosheviçit, përfshirë, Kryeministrin e tanishëm Aleksandër Vuçiq, ish-ministër i informacionit në administratën e Millosheviçit nga fundi i 1990-ave.Marr me mendë se ndër të tjerë do të jetë, Ministri i jashtëm serb dhe zëvëndës kryeministër, Ivica Daçiq dhe ministri i punës Aleksandër Vulin, të cilët edhe pas kaq vitesh dhe provash, me këmbëngulje vazhdojnë të thonë se Millosheviqi nuk ishte fajtor për gjenocidin dhe për krimet kundër njerëzimit në ish-Jugosllavi.Përball këtyre përfaqsuesëve serbë, do të qendrojë delegacioni i Shqipërisë dhe me këta do të bisedojë për “marrëdhëniet e shqiptarëve me serbët” në rajon.

Bazuar në të kaluarën,  Serbia nuk e ka ndër mendë të përballet dhe siç duket nuk ka të ngjarë se do të përballet me krimet e tmershme ndaj popujve të Ballkanit si dhe me rolin e Milllosheviçit dhe ish-bashkpuntorëve të tij në ato luftëra, etë cilët sot janë në krye të shtetit serb.  Ata sillen sikurë nuk ka ndodhë gjë fare në territorin e ish-jugosllav. Ndërkombëtarët kanë insistuar se Serbia ka nevojë për zbatimin e një ligji të lustracionit që do pastronte trashëgiminë e Millosheviqit dhe që do të largonte nga detyrat e larta të shtetit dhe qeverisë serbe mbështetsit e tij dhe njerëzit e inkriminuar në luftërat e ish-Jugosllavisë, përfshirë krimet kundër shqiptarëve të Kosovës.  (Edhe Shqipëria ka nevojë për një ligj lustracioni, por për arsye të tjera që i përkasin një periudhe tjetër).

Këta njerëz jo vetëm që nuk dënojnë krimet e së kaluarës, por për ta është i pranueshëm madje edhe reabilitimi i ish-udhëheqsve kriminelë, ndërkohë që disa prej tyre kërkojnë shpalljen e tyre heronjë. Kjo bëhet në përpjekje për tëjustifikuar duke reabilituar jo vetëm politikat diktatoriale të së kaluarës, por si rrjedhim përpiqen të arsyetojnë dhe të justifikojnë edhe qëndrimin e tyre në pozita të larta udhëheqjeje në qeveri dhe në shtet.

Udhëheqsit e Ballkanit të gjysëm shekullit të kaluar e deri më sot, përfshirë kasapin e Ballkanit, Millosheviçin dhe trashëgimtarët e tij,nuk janë heronjë, përkundrazi janë mbetje e ish-regjimeve të deskrekidituara komuniste dhe si të tillë duhet të trajtohen.

Përsa i përket takimit shqiptaro-serb në Nish, dialogu është i mirë në çdo kohë dhe për gjithçka, por është procesi të cilit duhet t’i kushtohet kujdes dhe vëmendje e veçantë. A  do të jetë takimi i Nishit një hap i parë dhe tepër i nevojshëm drejtë pajtimit dhe drejtësisë midis dy popujve – e vetmja mënyrë për paqë dhe stabilitet në rajon – a por do të jetë një rast i radhës për të dëgjuar retorikën tashmë të mërzitshme serbe mbi “Kosovo-Metohinë”, gjë që nuk ka ndihmuar as nuk i ndihmon zhvillimit normal të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.

E kaluara historike nuk mund të përgnjeshtrohet as nuk duhet të harrohet. Kriminelët dhe mbështetsit e tyre nuk mund dhe nuk duhettë reabilitohen si heronjë. Pa një angazhim serioz për pranimin e gjenocidit dhe të krimeve kundër njerëzimit në territorin e ish-Jugosllavisë nga ana e Serbisë dhe pa një pajtim midis popujve, takimi në Nishose kudo tjetër — midis serbëve dhe shqiptarëve –nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e kotë, sa për sy e faqe, me premtime alla ballkançe dhe pluhur syshë botës, se ja po zhvillojmë dialog.

Prandaj, pa një zotim të tillë nga Beogradi — si hap i parë minimal –takimi në Nish, sidomos në mungesë të përfaqsuesëve më të lartë të shtetit dhe të qeverisë së Kosovës, pjesëmarrjen e vet në atë takim, delegacioni shqiptar në krye me Kryeministrin Rama, duhet ta konsiderojë jo vetëm si dështimdhe përgnjeshtrim të historisë dhe të realitetit politik sot, por mbi të gjitha si një ofendim ndaj mijëra viktimave shqiptare të regjimit të Millosheviçit dhe bashkpuntorëve tij në territorin e Republikës së Kosovës. Pa një pranim të tillë ose pa një shprehje gatishmërie për një pohim të tillë nga ana e Beogradit – pa marrë parsyshë se sa takime dhe ku mbahen – nuk do të ketë as paqë të mirëfilltë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe si rrjedhim as stabilitet e siguri në Ballkan.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, pune ballaknasish, takimi i Nishit

Klubi i Intelektualëve i Rugovës për Demarkacionin

August 25, 2016 by dgreca

Dërguar institucioneve të Republikës së Kosovës:presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të Kuvendit, kryetarit të Qeverisë, ministrit të Jashtëm, ministrit të Brendshëm dhe mediave/

Me nismën e Këshillit Drejtues të Klubit të Intelektualëve të Rugovës: prof. dr. Riza Smaka, prof. dr. Mujë Rugova, prof. dr. Zymer Neziri, prof. dr. Ali Muriqi, si dhe me pjesëmarrjen e prof. dr. Salih Kelmendit e të dr. Jeton Kelmendit nga Akademia Shqiptare-Amerikane në Nju-Jork; të Fo­rumit të Intelektualëve të Rugovës: Idriz Muriqi, kryetar, dhe Ali Lajçi, kryetar i KD-së; të përfaqësuesit të Degës së PDK-së Pejë, Sa­lih Lajçi, nënkryetar; të Lëvizjes Vetë­ve­ndosje, Dega në Pejë, prof. ass. dr. Bash­kim Lajçi, kryetar; të AAK-së, Dega në Pejë, Salih Lu­kaj; të shumë intelektualëve të tjerë dhe të pjesëtarëve të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; të për­faqë­suesve të pu­sh­teti lo­kal në Ru­go­vë; Agron Nikçi, BT I, dhe Rexhep Kurtbogaj, BT II; të përfa­qësuesve të LDK-së në Rugovë: Mu­stafë Xh. Lajçi, Nëndega I, dhe Blerim Rexhë­bogaj, Nën­dega II; të për­faqë­su­esve të rrethinës së Pejës: mu­lla Sadri Zekaj (Podgur) dhe Rasim Mulaj (Llukë e Epër­me); të përfaqësuesit të Shoqatës së Avo­katëve të Kosovës dhe të Shoqatës së Juristëve të Ko­so­vës, Bekë Lajçi; të LDK-së, Rro­ka­qielli, Pejë (2500 banorë), Agim Nikçi, si dhe të shumë qy­te­tarëve, në takimin e mbajtur në Pejë, më 22.8.2016, lidhur me çështjen e de­ma­r­­kacionit të kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, njëzëri u miratua kjo

REZOLUTË

Jemi kundër ratifikimit, më 1 shator 2016, të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit të Re­pu­blikës së Kosovës me Malin e Zi, nga deputetët e Kuvendit të Rep­ublikës së Kosovës, të cilën, më 25 gusht 2015, në Vjenë, e kanë nënshkruar zëven­dëskryeministri i Qeverisë së Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, si dhe nga pala ma­­lazeze e kanë nënshkruar zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Lluk­shiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq, sepse territori i Republikës së Kosovës dëm­tohet për mbi tetë mijë hektarë, rrezikohet sisitemi i mbro­jtjes së saj, kurse ujërave të pellgjeve Bjelluha dhe Mokna-Vaganicë, të cilat janë furnizues të mëdh­enj të Drinit të Bardhë, mund t’u ndërrohet drejtimi dhe, si pasojë e këtij veprimi, Rrrafshi i Dukagjinit do të rrezikohej për fur­nizim me ujë bashkë me Fierzën, Komanin dhe Vaun e Dejës, prandaj

– Komisioni Shtetëror ka bërë gabim të papranueshëm, duke mos e përfillur kufirin inicial ekzistues të vitit 1945, që është bazë juridike kushtetuese,

-në bazë të hartave zyrtare të Jugosllavisë II, të Malit të Zi, të Serbisë, dhe të Kosovës,

-të zgjidhjeve kushtetuese e ligjore (të Jugosllavisë II, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Kosovës),

-të së drejtës historike të fituar (1946-2016),

-të leksikoneve gjeografike dhe të enciklopedive,

-të teksteve shkencore,

-të analizave kritike,

-të opinioneve akademike,

-të opinioneve kundërshtuese të opozitës paralmentare,

-të dëshmive kundërshtuese të ekspertëve në Kuvendin e Kosovës, më 3 gusht 2016,

-të protestave kundërshtuese të qytetarëve,

-të mbi 200 mijë nënshkrimeve kundërshtuese të qytetarëve të Kosovës,

-të qëndrimeve kundërshtuese të qytetarëve të Rugovës, të Podgurit (Komuna e Burimit), të katundeve të anës së Pejës deri në Rekë (Komuna e Deçanit),

-e, para së gjithash, duke u mbështetur në ndërgjegjen kombëtare e shtetërore,

APELON

-te deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të votojnë kundër ratifikimit të versionit të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit të Re­pu­blikës së Kosovës me Malin e Zi, të Komi­sio­nit Shtetëror për Demarkacion, në krye me Murat Mehën;

-Qeverisë së Kosovës i kërkon të mos ushtrojë presion në deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që, në kundërshtim me përcaktimet e drejta, të votojë, më 1 shtator 2016, Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, më 25 gusht 2015, nga zëvendëskryeministri i Qeverisë Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni;

– Kërkon të mos ushtrojë presion mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veça­nër­isht mbi deputetët e pozitës, që me indinjatë po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrë­veshjes së Demarkacionit të Kufirit të Republikës së Kosovës me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, më 25 gusht 2015, nga zëvendëskryeministri i Qeverisë Kosovës dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, sepse ky problem është çështje shtetërore dhe nuk ka lidhje me këtë koalicion qeverisës apo cilindo qoftë nesër dhe bëhet fjalë për një çështje madhore të territorit të vendit;

-Autoriteteve të Malit të Zi u bëjmë apel, që, me mirëkuptim, deri në demarkacionin përfundimtar të kufirit Kosovë-Mal i Zi, të pranueshëm dyanshëm, që të përfillin linjën kufitare Çakorr-Mokna-Gllo­xhi-Murgash-Smilevicë-Hajlë-Zhleb, që është parakusht për kultivimin e marrëdhënieve fqinjësore.

Këshilli Drejtues i Klubit të Intelektualëve të Rugovës

Prof. Dr. Riza Smaka, Prof. Dr. Mujë Rugova, Prof. Dr. Zymer U. Neziri,

Prof. Dr. Ali Muriqi, Prof. Dr. Shemsedin Dreshaj

Kontakti: Zymer U. Neziri, +377 44 149 256, zneziri@hotmail.com

Prishtinë, më 24.8.2016/

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: demarkacioni, Klubi i Intelektualëve i Rugovës, Zymer U. Neziri

Prend Doçi-Abati i Mirditёs

August 25, 2016 by dgreca

“…njё nga burrat mё tё parё tё kombit tonё “ Gjergj Fishta/

30 albana-web

NGA Albana Mëlyshi-Lifschin/

Ai ishte i vetmi djalё i familjes dhe i vetmi mashkull i shtёpisё. I vunё emrin e tё jatit, i cili vdiq vetёm pak ditё para se tё lindte foshnja. Do tё rritej i pashёm e i fisёm e do tё mund tё merrte vajzёn mё tё bukur tё krahinёs, t’i mbushte prehёrin nёnёs me nipёr e me mbesa, dhe t’i pёrkushtohej familjes. Por jeta e tij mori drejtim tjetёr . Ai iu pёrkushtua Shqipёrisё.

***

Kur i besoi tё birin, ende njomcak, ipeshkv Pal Domazeit, pёr ta arsimuar e pёrgatitur pёr prift, mirditorja e urtё pёshpёriti ato fjalё qё janё meraku i çdo nёne: “Tё bёhet pёr vete”. Ajo e kishte mёkuar Prendin e saj me virtytet e krahinёs, tё besёs e tё nderit, e po e pёrcillte nё njё rrugё njё rrugё tё gjatё prej sё cilёs ai do tё kthehej tek ajo, si njё nga burrat mё tё shquar tё kombit.

Fёmijёria kaloi shumё shpejt dhe rinia erdhi e burrёruar. Nё moshёn 17 vjeç, ai, Prend Doçi,student i Kolegjit Urban tё Romёs, kishte nisur tё kuptonte se teologjia nuk pёrbёnte gjithё strumbullarin e interesave tё tij. U dha shumё pas veprave tё shkrimtarёve tё vjetёr shqiptarё, e gjuhёs e letёrsisё arbёreshe. Rioshi shkonte shpesh nё katundet arbёreshe nё Itali dhe zuri miqёsi me Jeronim De Radёn, miqёsi e pёrjetёshme. Ndёrkohё, tek studionte filozofinё kristiane dhe njihej me qytetёrimin evropian, mёndja e tij rrinte nё Shqipёri e veçanёrisht nё Mirditë, vёndlindjen e tij, marëdhëniet e së cilës më Portën e lartë sa vinte e keqësoheshin. Kishte dështuar kryengritja e Mirditës e vitit 1862 dhe Porta e Lartё synonte ta zhdukte me çdo kusht autonominё e saj. Prend Doçi u kthye nё atdhe, nё vitin 1871, pas pёrfundimit tё studimeve dhe nisi punёn nё Abacinё e Oroshit, pranё Gaspёr Krasniqit. Abat Krasniqi kishte qenё frymёzuesi dhe organizuesi i kryengritjes tё vitit 1862. Prej tij Prend Doçi u informua me hollёsi pёr kryengritjen dhe veçanёrisht arsyet e dёshtimit tё saj. Njëkohësisht mёsoi se në krahinё vazhdonin tё emёroheshin klerikё tё huaj tё cilёt luanin njё rol shumё negativ nё popull, duke predikuar nёnshtrim ndaj autoriteteve osmane. Qё nga fёmijёria, i kishte mbetur nё kujtesё qё edhe nё Bulgrin ku kish lindur, njerёzit ankoheshin qё prifti nuk fliste shqip. Gjendja qe bёrё edhe mё keq. Pikёrisht shqetёsimi pёr emёrimin e njё prifti tё huaj, nё Kalivare, e detyroi abat Kransiqin ta dёrgonte atje Prend Doçin, edhe pse kish nevojё pёr ndihmёn e tij nё Orosh. Prend Doçi qe ndёrgjegjёsuar se puna e tij nuk do tё kufizohej kurrё vetёm pёrreth grigjёs sё tij, por shumё mё pёrtej. Kur në 1877 filloi kryengritja nё Mirditё frymёzuesi dhe organizuesi i saj qe vetё ai, Prend Doçi. Meshtari i ri ndoqi gjurmёt e Abat Krasniqit dhe kryengritja ishte vazhdim i asaj të vitit 1862, por mё e gjёrё e mё popullore. Ai i kushtoi vёmendje lidhjes sё besёs nё mes tё 12 bajrakёve tё Mirditёs, dhe nё krye tё saj nuk ishte vetёm njё njeri(si nё 1862) por krerёt e 12 bajrakёve dhe Prend Doçi qe kёshilltari i tyre. Prend Doçi e pёrfytyronte Mirditёn si qendёr tё kryengritjes, dhe çlirimi nga Perandoria Osmane do tё fillonte prej saj, sё pari, e pastaj do tё pёrhapej nё tёrё Shqipёrinё kur tё arrihej çlirimi i gjithё atdheut, vetё populli tё zgjidhte formёn e qeverimit, mbretёri apo republikё. Frymёzuesi dhe luftёtari i kryengritjes, prifti me veladon, i armatosur si luftёtar i lirisё, nga njё krahinё nё tjetrёn pёr t’ja arritur bashkimit. Kleriku linte mbresa tek njerёzit, si burrё i kuvendit, i besёs dhe i pushkёs. Nga Shkodra kishte siguruar mbёshtetjen e njё grupi atdhetarёsh, nё mes tё cilёve Zef Jubanin, e ndёrkohё mbante lidhje tё ngushta me mikun e tij Jeronim De Radёn. Arbёreshёt kishin krijuan njё komitet nё ndihmë të kryengritjes. Dora D’istria, nga ana e saj, bёnte tё njohur nё Evropё zёrin e kryengritёsve. Nё Korrik tё 1876, Porta e lartё kishte kёrkuar qё Mirdita tё dёrgonte vullnetarё kundёr Malit tё Zi. Duke ndjekur kёshillёn e Prend Doçit, krerёt e bajraqeve e refuzuan kёtё kёrkesё, nё tё kundёrtёn kёrkuan lirimin nga internimi tё Preng Bib Dodёs si kryetar i vendit dhe simbol i bashkimit tё 12 bajrakёve, gjё qё u realizua. Me ardhjen e Preng Bib Dodёs nё Mirditё, At Prend Doçi vazhdoi misionin e tij pёr bashkimine forcave dhe shtimin e aleatёve tё kryengritjes. Nё udhёtimet e tij zuri miq tё rinj e takoi miq tё shquar. Nё takimin me Dede Gjo Lulin i tha me pёrmalim: “Mos harroni se nё kёto male as nuk ёshtё shuar dhe as nuk ka me u shue kurrё pёr jetё e mot flaka e lirisё…e pёrderisa rron emri i Skenderbeut, tё cilin e dёgjon kudo nё kёto male, rron e ka me rrue Shqipёria”.

Ndёrkohё nga Lezha eprori i tij, ipeshkv Malçinskij, i bёnte thirrje qё tё braktiste kryengritjen e tё kthehej nё krye tё detyrёs kishtare. I zёnё ngushtё midis detyrёs fetare dhe asaj atdhetare ,Prend Doçi zgjodhi kёtё tё fundit. Ipeshkv Malçinskij e pezulloi nga puna. Ai raportonte se”Prend Doçi nxiti rrebelimin nё Famulli, sillet nёpёr male me “trimat e tij, me bazhibozukёt e Preng Bib Dodёs, pёr tё ngritur popullin nёn flamurin e vet’. Autoritetet turke e shpallёn “tё jashtligjshёm” me ferman nga sulltani . Por At Prend Doçi, edhe pas shtypjes sё kryengritjes, vazhdonte tё qёndronte maleve me bashkёluftёtarёt e vet duke u dhёnё zemёr atyre, deri ditёn qё u rrethua. Dhe atё moment i kёrkoi komandantit turk qё t’i lironte shokёt e tij tё malit,se “ata anё shёrbёtorёt e mi e nuk kanё faj’. Ky gjest fisnik u shpëtoi atyre jetën, kurse Prend Doçi , u pёrcoll nё pranga nё Stamboll. Atё kohё ishte vetёm 31 vjeç . Kur e rrethuan, mund ta kishte ruajtur edhe njё plumb pёr veten qё tё mos dorёzohej i gjallё, por gjykoi qё nёse do tё vdiste do tё linte misionin e tij tё pakryer. Ndaj tha bashkёluftёtarёve: “Burgu e ka njё derё, varri jo”. Në burgun e Stambollit, ku i kishin pёrgatitur vdekjen, u gjend njё engjёll shpёtimtar, ujёmbajtёsi i burgut ,qё ndodhi të qe njё djalё nga Mirdita. Prend Doçi, i dha atij njё letёr pёr patriarkun katolik armen Stefan Azarjan qё ishte njёkohёsisht edhe mik i Sulltanit. Patriarku sёbashku me konsullin austro-hungarez mundёn tё nxirrnin nga Sulltani dekretin pёr lirimin e Prend Doçit nga burgu me kusht qё ai ” tё largohej menjёherё jashtё kufijёve tё Perandorisё Osmane,e tё mos kthehej mё pa leje tё veçantё nga Porta e lartё’.

Kёshtu vjeshta e vitit 1877 e gjeti Prend Docin mijra e mijra mile larg atdheut, nё njё vend qё ndoshta as qё do t’i kishte rёnё ndёrmend ndonjёherё. Fill pas lirimit nga burgu, i paligjshmi Prend Doçi i qe drejtuar Selisё sё Shejtё pёr ndihmё pёr bashkёatdhetarёt e vet, qё ata tё fillonin sёrish veprimet luftarake kundёr Turqisё. Si pёrgjigje, Kongregacioni i shejtё e nisi atё me detyrё kishtare nё St.John, Foundland, Kanada .

Ishte i pari shqiptar qё shkeli kontinentin amerikan nё njё nga pikat mё tё ftohta tё tij. Imagjinata njerёzore nё kёto kushte do tё zgjonte vizionin e njё njeriu tё vetmuar, pa njё tё dytё pёr tё shqiptuar njё fjalё nё gjuhёn e nёnёs, tё rёnё shpirtёrisht. Por Prend Doçi nuk ishte njeri i zakonshёm. Edhe nё kulmin e dimrit misionari shqiptar shkonte nё qendra punёtorёsh dhe peshakatarёsh dhe nёpёr fshatra, pasi u vinte rrathё kёpucёve pёr ta bёrё mё tё lehtё ecjen nёpёr dёborё. Emri i Prend Doçit, meshtarit tё qytetit, pёrmendej me respekt dhe u bё i njohur nё gazetat kanadeze tё asaj kohe. Shqipёri Pas 6 vjetёsh nga dita qё vuri kёmbёn nё St.Johns bёri njё pёrpjekje pёr t’u kthyer nё atdhe, edhe pse e dinte se mbi emrin e tij rёndonte fermani i Sulltanit qё ia bёnte tё pamundur kthimin. Gjithёsesi nga Selia e shenjtё iu dha njё obcion: tё shkonte me detyrё nё Athinё . Pranoi, sepse aty ndodhej mё pranё atdheut dhe e mbante shpresa se njё ditё do tё nxirrte lejen nga Porta e Lartë pёr t’u thyer nё atdhe. Nё Athinё u njoh me shqiptarё patriotё qё kishin krijuar besёlidhjen “Komiteti i Korfuzit”. Njohja dhe shoqёrimi me shqiptarёt e Greqisё u pa me dyshim dhe ipeshkv Malçinskij, i cili e ndiqte nё çdo hap veprimtarinё e At Prend Doçit gjeti shkas pёr ta akuzuar se ai ka dёrguar udhёzime nёpёr Mirditё pёr ta ngritur popullin nё kryengritje. Akuzat shkaktuan qё Selia e Shejtё ta dёrgonte Prend Doçin nga Athina nё Bombei tё Indisё. Sa mё larg atdheut!

Gjithёsesi, vitet nё Kanada dhe mё pas nё Bombei i dhanё Prend Doçit mundёsinё pёr tё njohur kulturat e popujve tё ndryshёm, mёnyrёn e jetёs, por dhe mёnyrat e qeverisjes. I pajisur me experiencё dhe mё njё bagazh kulturor si asnjёherё, ai digjej nga dёshira pёr tё rinisur edhe njёherё punёn e tij patriotike nё atdhe. Mallin pёr atdheun e derdhte nё letrat qё shkёmbente me mikun e vjetёr, De Radёn. Njerёn prej kёtyre letrave e mbyllte me fjalёt:”Mos e harronin tё mёrguemin tuaj”. Largёsia nga atdheu e ndizte mё shumё dashurinё pёr tё, siç ndez era zjarrin.

***

”Forca lёvizёse e çdo shqiptari, qoftё mysliman apo i krishterё, ёshtё dashuria pёr atdhe dhe ndjenja e ruajtjes se kombёsisё sё vet dhe e gjuhёs sё vet”.

Prend Doçin e thirrёn nё Romё në vjeshtёn e vitit 1886. Vendi i punës pranё degёs sё misionit tё Ballkanit, qe mjaft i pёrshtacёm pёr tё njohur nga afёr veprimtarinё antishqiptare tё Patrikanёs greke e Stambollit, gjё qё e shtyu atё t’i dёrgonte njё letёr Kardinal Simonit, funksionar i lartё në Vatikan,qё drejtonte misionet e Lindjes, ku theksonte faktin qё patrikana greke ka ndaluar gjuhёn shqipe nё tё gjitha shkollat e krishtera nё trojet shqiptare dhe po hapte shkolla greke nё Shqipёri duke i shpallur tё gjithё shqiptarёt e krishterё grekё. Nё letrёn e tij, ai sillte argumenta se nё Shqipёri si myslimanёt edhe tё krishterёt janё vetёm shqiptarё, sepse tipari dallues i shqiptarit nuk ёshtё besimi fetar, por vetёm pёrkatёsia etnike shqiptare. Citoj kёtu fjalёt e tij monumentale: ”Forca lёvizёse e çdo shqiptari, qoftё mysliman apo i krishterё, ёshtё dashuria pёr atdhe dhe ndjenja e ruajtjes se kombёsisё sё vet dhe e gjuhёs sё vet” .

Gjithnjё duke patur qёllim tё vetёm kthimin nё atdhe pёr tё vazhduar punёn e tij tё lёnё pёrgjysmё, ai gёrmoi nёpёr arkiva tё Vatikanit materiale qё flisnin pёr vjetёrsinё e abacisё sё Mirditёs, e cila pas vdekjes sё Abat Krasniqit ishte suprimuar. Prend Doci mendonte se ajo duhet jo vetёm tё rikrijohej por t’i njihej edhe njё status i veçantё. Ai u kёrkoi eprorёve tё vet qё ta caktonin nё Mirditё me statusin e abatit Nullius, status qё i krijonte vartёsi direkte nga Vatikani. Ai ishte i ndёrgjegjshёm qё kthimi nё atdhe nuk do ishte i lehtё, por qe i vendosur pёr t’ja arritur qёllimit. Nё ndihmё i erdhi pёrsёri miku i tij i vjetёr patriarku armen Azarian i cili u bё dorёzёnёs pranё Portёs sё lartё se “ Prend Doçi s’kishte pёr tё trazuar mё dheun…”

Kёshtu me dekret tё Sulltanit ,Prend Doçi u lejua sё fundi të hynte në atdhe, si kryeshpirtёror i mirditasve, por me kusht “qё tё mos i kapёrcente kufijtё e provincёs”. Kjo do tё thoshte qё ai nuk mund tё dilte jashtё dioqezёs sё Shkodrёs.

***

Kthimi i Prend Doçit nё vendlindje, nё 6 nёntor 1888 shoqёruar nga djemtё e Mirditёs, i pritur nё çdo katund me dashuri tё madhe, ishte njё ngjarje e jashtёzakonshme. Ai hyri nё Orosh me statusin e abatit Nullius tё Mirditёs.

“Dalja e papritur dhe plot shkёlqim nё detyrёn e abatit tё Mirditёs’-vё nё dukje Nopça-‘e kёtij njeriu nё çdo kuptim tё jashtёzakonshёm,qё kishte qenё zhdukur nga sytё e mirditasve 11 vjet mё parё, shkaktoi mbresa nё tёrё Shqipёrine e veriut…”

Mirёpo kthimi i tij njёkohёsisht krijoi shqetёsim tek kolegёt e tij pasi abati me vete solli edhe dekretin e Vatikanit qё abacisё sё Mirditёs i jepeshin 5 famulli nga ipeshkvia e Lezhës. Mё tej ai e shtoi abacinё e vet deri në 13 famulli,qё do tё thoshte mbi gjashtё herё nga kthimi i tij. Kisha historike e Oroshit e projektuar nga ai vetё, u ndёrtua nё vitet 1889-1890.

Zgjerimi i abacisё, vёnia nё vend e krenarisё sё saj tё dikurshme, ishte vetёm njё qёllim i Abat Doçit. Qёllim kryesor qё vlonte nё zemrёn e tij prej dekadash ishte: çlirimi i atdheut nga sundimi turk. Dhe pёr t’ja arritur kёtij qёllimi sёpari nevojitej bashkimi i shqiptarёve me fe tё ndryshme, duhej qё, “feja e shqiptarёve tё ishte vetёm Shqiptaria’.

Ai filloi tё punonte me tё gjitha energjitё e tij qё t’ia arrinte kёtij qёllimi edhe duke qёnё i vёzhguar nё çdo kohё e nё çdo veprim tё tij. Tё gjitha raportet qё shkonin nё Vjenё kundёr Abat Doçit kishin njё thelb ‘ prifti merrej mё shumё me veprimtari politike se me atё shpirtёrore” Madje qe javёt e para tё mbёrritjes sё tij nё Mirditё, thuhej se”pikpamjet e tij nuk do tё mbeten tё panjohura“. Ёshtё rasti kёtu tё pёrmend njё episod qё studiuesi Pal Doçi ka pёrfshirё nё librin e tij mbi Abat Doçin. Nё njё drekё tё shtruar nga konsulli austro -hungarez nё Shkodёr, ku ishte ftuar gjithё paria e klerit katolik, ky i fundit duke folur pёr shqiptarёt tha:” Ju shqiptarёt nuk i keni nё gjuhёn tuaj fjalёt “atdhe “e“ mirёnjohje’

Abat Doçi ju pёrgjigj:” Po habitem se si njё zyrtar aq i lartё, i cili duhej ta njihte mirё historinё, mund tё pohojё gjёra kaq tё çuditshme e tё kundёrta me tё vёrtetёn, pasi ёshtё e njohur se shqiptarёt nё tё gjitha kohёrat kanё treguar dashuri tё flakёt pёr atdhe. Pёrsa i pёrket mirёnjohjes, ne nuk kemi kujt t’ja tregojmё sepse askush kurrё nuk ka pas pёr ne simpati pa interes, askush nuk na ka shtrirё dorёn nё fatkeqёsi”.

Ndryshe nga priftёrinjtё e tjerё katolikё, ai bёnte miqёsi edhe me myslimanё. Afrimi i shqiptarёve pa dallim feje i shёrbente besёlidhjes sё madhe. Ai i ftonte banorёt e Matit dhe tё Dibrёs nё festat fetare tё krahinёs. Sjellja e tij ra nё sy. Shuarja e armiqёsive midis shqiptarёve me feve tё ndryshme, nuk i vinte pёr zemёr Turqisё. Asaj nuk i interesonte bashkimi, por pёrçarja midis shqiptarёve. Por Abat Prend Doçi kishte njё synim pёr tё arritur, ai hartoi njё program i cili i shёrbente tё ardhmes tё atdheut , krijimit tё njё shteti shqiptar “tё aftё pёr mё jetue i pavarur”. Programi i tij pёrfshinte disa pika të rëndësishme ndёr tё cilat“njё pajtim i pёrgjithshёm kombёtar, duke lёnё mёnjanё çdo ndasi krahinore e fetare dhe te vendoseshin lidhje me komitetet jashtё Shqipёrisё veçanёrisht me arbёreshёt”;“tё krijohej njё besёlidhje krahinore nё pesё njёsi kryesore,Kosova me qendёr Prishtinёn, Gegёria-Shkodrёn, Shqipёria e mesme Durrёsin, Toskёria-Vlorёn dhe Epiri ose Cameria-Janinёn, si edhe “nё çdo krahinё tё krijoheshin çetat kombёtare tё cilat nё kohёn e volitshme tё kthehen nё ushtri tё vetme kombёtare”.

Mirёpo synimi i tij kombёtar binte ndesh edhe me interesat e Vjenёs. Vjena udhёzonte qё”ёshtё me rёndёsi qё tё mёnjanohen tё gjitha gjёrat qё mund tё interpretohen tek Sulltani si zhvillim i pavarur i Shqipёrisё”. Nё koordinim me Turqinё, Viena hartoi njё projekt pёr ta zhdukur përfundimisht autonominё lokale tё Mirditёs duke e vёnё atё nёn administrimin e Portёs sё lartё. Nga ana tjeter ajo kёrkonte tё informohej me hollёsi mbi aktivitetin e abatit. Konsulli austro-hungarez nё Shkodёr informonte se mendimet e abatit janё po ato si tё 22 vjetёve mё parё”tek ai ka njё patriotizёm intensiv qё tё detyron respekt dhe qё ky patriotizёm ёshtё shtytёsi mё i fuqishёm nё veprimet e tij.

Qё Turqia do tё binte nje ditё kjo s’kishte asnjё dyshim, por cili do tё qe qёndrimi i fqinjëve ndaj Shqipёrisё pas rёnies sё saj? Kjo pyetje e shqetёsonte abatin Preokupimin e tij ai e shpreh nё njё bisedё me Edit Durhamin ku sipas pёrshkrimit të saj, ai tha”vendi ynё ka vuajtur tmerrёsisht nga Turqia, por Shqiperia nuk vdiq….Tani kemi njё armik tjetёr shumё mё tё keq qё po rritet dita ditёs dhe ky ёshtё sllavi. Rusia me kishёn e saj fanatike dhe me çetat e egra serbo-bullgare ёshtё gati ta shkatёrojё Shqipёrinё e ta fshijё nga faqja e dheut katolikё e myslimanё sёbashku.’ …Pastaj, shkruan Durham, ai zgjati doren drejt Pejёs :….Tej nё ato anё ,tha ai, ёshtё njё vend qё serbёt e quajnё Serbi e vjetёr. Por atje ёshtё njё Shqipёri shumё mё e vjetёr. Tani ajo ёshtё populluar me shqiptarё shumё prej tё cilёve janё viktima ose bijtё e atyre qё bёri viktimё Traktati i Berlinit, shqiptarё tё vёrtetё qё kanё jetuar nё ato vise brez pas brezi….Vёshtro atje poshtё Ulqinin. Qytet thjesht shqiptar qё u kёrcёnua nga luftanijet e Fuqive tё Mёdha. Na i rrёmbyen me forcё. Si do t’i kundёrshtonim ne gjithё Evropёs? Populli ynё u pёrdor me shtazёri prej serbёve dhe malazesёve shkelёs. Dhe i madhi Gladston bёnte sikur nuk shihte. Tani bёhen ankime se shqiptarёt e Kosovёs keqpёrdorin sllavёt… Ç’mund tё presёsh prej tyre? Ata e dijnё fare mirё se gjersa nё njё vend ndodhen 10 serbё bashkё, Rusia bёn be qё e gjithё krahina ёshtё sllave!… Kur tё rrёzohet perandoria turke, dhe do tё rrёzohet pa dyshim, ne nuk duhet tё biem as nё duart e austriakut e as nё ato tё sllavit”. Ai fliste si një general që aspironte për fitore, sepse s’mund të pranonte rrugë tjetër”. Parashikimet abat Prend Doçit i vёrtetoi koha.

***

“Abati i Mirditёs”- me kёtё emёn e kanё quejtё e mundet me u thanё pёr siguri se nuk asht kund njё skaj Shqypnijet ku burrat e mençёm dhe tё kalemit tё mos ta kenё ndje e pёrmend kёtё emёr.“ Gjergj Fishta

Me pushkё e me penё

Ata qё e kanё njohur abat Doçin, kanё pёrcjellё nё breza portretin e njeriut tё mbyllur, tё paepur dhe njёkohёsisht shumё inteligjent dhe largpamёs. At Prend Doçi kishte luftuar me armё nё dorё kundёr sundimit osman, por nё fillim tё shekullit XX,siç shkruante Zef Skiroi ‘ai vepron me dituri e mendje krejt tё kohёs sonё”. Prend Doçi gjithё jetёn e vet detyrën kishtare e realizonte nё mёnyrё tё tillё qё t’i shёrbente detyrёs kombёtare . Shkrimtari M.S.Gurra shkruan “ Me t’i shkelur kёmba nё vendin e vet fillon nga propaganda kombёtare,duke predikuar dashurinё e atdheut dhe tё gjuhёs shqipe çel shkolla. Me njё fjalё Prend Doçi ka qenё i çdo veprimi me fytyrё kombёtare”.

Pushkёn pёr liri abati i Mirditёs s’e ndau nga arma pёr dituri. Pena i shёrbente zgjimit tё ndёrgjegjes kombёtare, bashkimit dhe çlirimit kombёtar . Edhe pse nёn mbikqyrje, ai filloi tё ftonte nё abaci kolegё tё tij atdhetarё, me tё cilёt konsultonte ngritjen e njё shoqёrie gjuhёsore, letrare, kombёtare. Nёn drejtimin e tij u krijua nё 1899 nё Shkodёr Shoqёria “Bashkimi “. Nё vitin 1900 “Kalendari i Maleve”shkruante:” Mё e madhja qё ndodhi pёr kombin shqiptar ёshtё krijimi i Shoqёrisё “Bashkimi’ nё Shkodёr, pёr pёrparimin e gjuhёs kombёtare. Kjo shoqёri zgjodhi pёr kryetar Prend Doçin i cili gёzon besimin dhe shpresёn e tё gjithё shqiptarёve.

Historiani gjerman K. Lange e rendit Prend Doçin nё radhёn e personaliteteve tё shquara historike tё Evropёs Juglindore dukё vёnё nё dukje se “ Rёndёsi politike Prend Doçi fitoi edhe njё herё si udhёheqёs i klubit letrar ‘Bashkimi’, i themeluar nё Shkodёr nё 1899”.

Megjithёse e maskuar si shoqёri fetare qёllimi kombёtar dukej qartё nё objektivat e saj : vendosjen e njё alfabeti tё gjuhёs shqipe, pёrgatitjen e njё fjalori tё gjuhёs shqipe, krijimi i gjuhёs sё njёsuar letrare, rregullave tё drejtshkrimit, hapja e shkollave laike shqipe, pёrgatitja e teksteve shkollore. Abat Prend Doçi afroi nё shoqёrinё “Bashkimi’ elitёn intelektuale tё gegёrisё At Gjergj Fishtёn, Dom Ndoc Nikajn, Dom Dod Kolecin, At Pashk Bardhin, Imzot Lazer Mjedёn, Luigj Gurakuqin, etj.”

Rrolin kryesor nё kёtё shoqёri –thotё studiuesi i njohur Mentor Quku,- e kanё luajtur klerikё tё abacisё sё Mirditёs’. Famullitё e Mirditёs nё kёtё kohё u shndёrruan nё qёndra tё veprimit arsimor e kulturor. Po atё vit, nё 1899, u rihap shkolla shqipe nё Orosh. Nё fillim vjeshtёs tё 1899 , abat Doçi dёrgoi nё Vjenё katёr tekste shkollore pёr tё shtypur :gramatikёn, gjeografinё, arithmetikёn dhe katekizmin. Nё nёntor kishte gati pёr shtyp librat e kёndimit pёr shkollёn fillore. Shkolla ka patur pёr mёsues figura kombёtare, duke nisur me Dom Zef Marashin dhe u vazhdua nga njё plejadё e nderuar mёsuesish, Kolё Dema, Kolё Gurakuqi, Luigj Shkjezi, Prenk Jakova, etj.

Albania” e Konicёs dhe shoqёria“Bashkimi’ kanё patur lidhje tё ngushta me njёri tjetrin. Anёtarё tё shquar tё shoqёrisё ‘Bashkimi’ shkruanin tek “Albania”. Faik Konica ka mbrojtur e mbёshtetur shoqёrinё “Bashkimi” tё Shkodrёs, madje shkroi njё artikull fshikullues ndaj shoqёrisё qё u hap vite mё vonё nё Bukuresht, e cila edhe pas kёshillave tё tij pёr tё zgjedhur njё emёr tjeter, nguli kёmbё tё mbante edhe ajo emrin ‘Bashkimi’. Konica e quajti atё “Bashkimi plagj.”

Nё shtypin e kohёs disa herё ёshtё vёnё nё dukje qё” Emzot Doçi ,s’ka shkrue pak, por gjithnjё pa emrin e tij”. Prend Doçi shkruante me pseudonimet “Primo Doçi, dhe “Njё djalё prej Shqypnie”. Si poet i zgjimit kombёtar, Prend Doçi me poezinё “Shqipnia nё robni”renditet nё treshen e parё, pas Naim Frashёrit me poezinё “Dallёndyshja”, e Pashko Vasёs me “Moj Shqypni”.

Ai shkroi 32 vepra nё nёntё vjet tё Shoqёrisё Bashkimi. Por edhe autorё tё tjerё nuk firmosnin me emrin e tyre. Kёshtu edhe Fjalori e ri tё shqipes, pёr tё cilin Profesor Shaban Demiraj thotё se edhe sot mbetet njё nga mё tё mirёt, u shkruajt nga Dodё Koleci,(nga Selita e Mirditёs) .

Hartimi i alfabetit tё gjuhёs shqipe- qe detyra mё e parё dhe mё e rёndёsishme qё i vuri vetёs shoqёria”Bashkimi”qё nё mbledhjen e parё tё saj. njё alfabet qё do tё ndihmonte nё njёsimin e gjuhёs letrare. Deri atё kohё nё Shqipёri kishte mjat alfabete sa, siç ka pohuar baroni Franz Nopcza,”kishte aq alfabete sa kishte njerёz qё dinin shkrim e kёndim. Alfabeti mё i pёrdorur qe ai i Stambollit ( i Mithat Frashёrit),por ai megjithёse me bazё latine kishte pёrzier nё tё edhe shkronja sllave e greke,qё siç ёshtё shprehur Prof. A. Xhuvani pёrbёnte njё ‘ngatёrresё’ dhe organet mё tё njohura tё shtypit nuk e pёrdornin. Pёrveç Albanisё sё Konicёs, edhe organe tё tjera tё kohёs qё dilnin nё atdhe dhe jashtё tij pёrdornin shkronjat e “Bashkimit. Ndaj nё hartimin e fjalorit, Prend Doçi dhe komisioni i drejtuar prej tij mendonin qё alfabeti tё ishte praktik qё me tё, tё mund tё botoheshin libra kudo edhe ne Shqipёri edhe tej kufijve nё Evropё apo nё Amerikё, nё çdo shtypshkronjё ku pёrdoreshin shkronja latine. Edit Durhami shkruan se Prend Doçi, qe “shpikёsi i njё sistemi tё shkёlqyer pёr tё shkruar shqipen, sipas tё cilit, duke pёrdorur shkronjat e rёndomta latine qёroi theksat e ndryshёm e shkronjat e tepёrta”.

Roje vigjilente e pavarёsisё

Nё nёntor 1912 ndёrkohё qё Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi shkonin drejt Vlorёs pёr tё shpallur pavarёsinё, midis abat Doçit dhe Ismail Qemalit shtohet letёrkёmbimi i cili zanafillёn e vet e kishte qё nё vitin 1903 thuajse njё dekadё mё parё. Ismail Qemali e quante Prend Doçin si tё vetmen shtyllё tё pёrkrahjes sё qeverisё sё pёrkohёshme nё malёsitё rreth Shkodrёs. Mirdita ishte me qeverinё e Vlorёs dhe kjo ishte nё radhë tё parё meritё e Abat Doçit.

Ndёrkohё qё pёrgatitej shpallja e pavaresise atdheut fat-trazuar rreziku i coptimit i varej si re e zezё mbi kokё. Aradha serbe marshonte drejt Prizrenit, Oroshit e Lezhёs. Megjithese nё kushte tё pushtimit, abati e gjeti mundёsinё qё tё 2 dhjetor t’i dёrgonte letrёn e urimit Ismail Qemalit. Pas shpalljes sё pavarёsisё nё Vlorё, abati organizoi nё Orosh nё selinё e tij njё kuvend me pjesmarrjen e 12 bajrakёve tё Mirditёs dhe pёrfaqёsuesit e Matit, Dibrёs, Pukёs, Dukagjinit, Bregut tё Matёs dhe Kurbinit, nё tё cilin pjesёmarrёsit njohёn qeverinё e Vlorёs dhe u betuan se do tё ndiqnin Ismail Qemalin dhe Nikoll Kaçorrin nёnkryetarin e qeverisё, mirditorin e tyre, si përfaqsuesё tё Shqipёrisё. Historia vlerёson pёrpjekjet e abat Docit pёr ruajtjen e pavarёsisё e cila do tё arrihej vetёm nёpёrmjet forcimit tё besёlidhje sё shqiptarёve. Megjithёse nё kushte tё vёshtira, kur grykat e topave serbe nё Orosh mbaheshin drejtuar nga qela e abatit, ai bёn thirje pёr mbajtjen e njё kuvendi tё ri nё 23 prill,1913, ‘pёr njё fjalё e pёr njё besё”.

Mirёpo njё ditё mё pas,mё 24 prill,erdhi lajmi i zi pёr rёnien e Shkodrёs nё duart e malazesёve.

Nё librin e saj,”Brenga e Ballkanit”, nё kapitullin “Rёnia e Shkodrёs”, Edit Durham shkruan:”Princi Danillo hyri nё kalanё e Shkodrёs nё 24 prill, ngriti atje flamurin malazes dhe mori çelsat nga Esati, i cili u nis menjёherё pёr Tiranё me ushtrinё turke”. Nё 25 prill 1913 Prend Doçi shkruante”. Ndodhem nё njё gjendje tmerrёsisht tё tronditur. Mora vesh lajmin e ramjes sё Shkodrёs nё duart e malazesve. Ky lajm erdhi zyrtarisht nё komandёn serbe tё kёtushme me urdhёn qё tё pёrshendetet fitorja e mbretit Nikollё me tё shtime topash, gjё qё u bё sot nё mёngjes nё ora 10:30”.

Vetёm njё javё mё vonё, me thirrjen e abat Doçit, u mbajt njё kuvend nё qytetin e Lezhës me pёrfaqsues tё Bregmatjes, Dibrёs, Dukagjinit, Kurbinit, Lumёs, Malsisё sё Madhe, Matit Mirditёs Pukёs, Zadrimёs dhe Shkodrёs. Kuvendi lidhi besё “t’u dalё zot trojeve shqiptare deri nё tё mbramen pikё gjaku duke mёsy edhe Shkodrёn, pёr me nxjerrё jashtё Malin e Zi”. Kuvendi zgjodhi njё komision prej 16 vetёsh qё pёrfaqёsonte gjithё krahinat e veriut i cili i dёrgoi njё dokument komandantit tё flotёs ndёrkombёtare ku protestohej kundёr pushtuesve sёrbo-malazes dhe u kёrkohej Fuqive tё mёdha t’i largonin nga vendi, qё Shqipёra tё mbetej shtet i pavarur nёn mbrojtjen e Fuqive tё Mёdha. Besa ishte e shenjtё dhe e njё rёndesie tё pazёvendёsueshme pёr ruajten e pavarёsise. Populli e quante Prend Docin ‘ roje vigjilente e pavarёsisё’.

Edhe gjatё kohёs sё luftёs balkanike, ai mblidhte krahinat vetёm mё njё qёllim: pёr besёlidhje e pёr t’ju falur flamurit shqiptar. “Flamuri Kombёtar ёshtё shenjё bese, vllazёrimi, bashkimi, dashurie pёr liri e pavarёsi. Kush don flamurin, don familjen e vet, shtёpinё e vet, qytetin e vet vendin, atdheun e vet. “ Ky ishte perkufizimi qё i bёri abati flamurit nё njё fjalim tё tijin nё vitin 1914 nё kalanё e Shkodrёs.

Vitet e fundit tё jetёs sё Abat Doçit, ishin vitet më të mjerueshme pёr shpirtin i kёtij patrioti tё madh, qё kishte luftuar gjithё jetёn e vet pёr çlirimin e vendit nga perandoria osmane, ta shikonte atё tё nёn pushtime tё reja, edhe pse zemra ia kishte ndjerё kёtё mёnxyrё kohё pёrpara. Emri i abatit tё Mirditёs, Prend Docit, pёr pushtuesit e rinj qe po aq i rrezikshёm,siç kishte qenё pёr perandorinё osmane. Me pushtimin e Shqipёrisё veriore nga Austro –Hungaria, komanda eprore e ushtrisё kёrkoi largimin e Abatit tё Mirditёs, Prend Doçit, nga posti i tij si dhe nga Oroshi, si njё nevojё urgjente. Duhej qё Abat Prend Doçi tё internohej nё thellësi tё vendit. Po ku? Pёr kёtё i u kёrkua mendimi konsullit tё pёrgjithshёm austriak nё Shkodёr. Përgjigja e tij qe njё ironi e madhe.” Mё thellё se nё Orosh, nuk kish se ku ta çonin’.

A imagjinohet ky vigan i burgosur pikёrisht nё shtёpinё e vet, nё Oroshin e tij, nёn mbikqyrjen e rreptё tё njё garnizoni tё huaj ushtarak? Njё fund krejt i pabesueshёm. Zemra e Prend Doçit, pushoi nё njё ditё shkurti, tё vitit 1917. Tregojne qё vetminё e tij e shoqёronin librat dhe njё çifteli. Kёndonte kёngё tё vjetra, ato qё i diktonte shpirti i tij i plagosur.

Gjergj Fishta nё gazetёn ‘Posta e Shqypnisё’, botoi kryeartikullin me titull “Abati i Mirditёs” ku shkruante: “Abati i Mirditёs”- me kёtё emёn e kanё quejtё, e mundet me u thanё pёr siguri se nuk asht kund njё skaj Shqypnijet ku burrat e mençёm dhe tё kalemit tё mos ta kenё ndje e pёrmend kёtё emёr. Ne na dridhet penda nё dorё prej dhimbet, kah po na duhet me shnue dekёn e tij nё fletoren tonё, sadoqё edhe shkrimtari ma i lanun kishte me mujtё me nxjerrё landё shkrimit prej jetёs sё tij,sa me mbushё e me hijeshue shtyllat e fletoreve ma tё para tё Evropёs”.

Ismail Qemali sipas dёshmisё sё Ali Asllanit, duke iu referuar figurёs sё Abat Prend Doçit, ka thёnё: “Ne bёmё si e bёmё Shqipёrinё, por ai(Abat Doçi) do ta bёnte pa ne, e mё mirё se ne” . (Ali Asllani, kujtime gojore,Tiranё 1959)

Historiani Ndoc Nikaj duke i kushtuar atij botimin e Historisё sё Shqipёrisё nё 1917, shkruante: “Pёrkujtimit mё tё madhit ndёr kombёtarё tё kohёs sonё, Imzot Prend Doçit, Abatit tё Mirditёs’

Diplomati anglez J.Swire e konsideroi vdekjen e tij si “njё humbje tё pazevendёsueshme pёr vendin e vet”.

“Njeri i jashtёzakonshёm nё çdo kuptim” e pat pёrshkruar Franc Nopça.

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: -Abati i Mirditёs, Albana Mëlyshi-Lifschin, Prend Doçi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2537
  • 2538
  • 2539
  • 2540
  • 2541
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT