• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SPECIALE-Një ditë e lume, me vatranët nga SHBA në Kosovë

August 20, 2016 by dgreca

 

1 Vatranet Ipeshkevi-Delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, në Ipeshkvinë e Kosovës, në 16 gusht 2016, u prit me shumë nderim e respekt nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili e shoqëroi gjithnjë edhe gjatë vizitës në Katedralen “Nënë Tereza”…/

-Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë u vu në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezë nga ana e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik. Katedralja nisi të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu/

-E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan/

-Kosova përgatit koncertin “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, në 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të të Lumturës Nënë Tereza/

-Në Katedralen “Nëna Tereza” janë ngritur flamujt e festës – titulli i reportazhit që kam shkruar në 1 Korrik të vitit 2010 – në 100 vjetorin e Nënë Terezës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 20 Gusht 2016/ Lajmin e Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë se shqiptarët në Nju Jork – SHBA kanë kontribuar me afër 2 milionë dollarë për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës, të datës 18 gusht 2016, e morën dhe e botuan atë ditë, po edhe ditëve në vijim të javës e muajit, edhe shumë media kudo në trojt etnike e në botën shqiptare. Lajmi u transmetua shqip, edhe anglisht…

Si korrespondent nga Kosova prej çerek shekulli i  Agjencisë Telegrafike Shqiptare -Agjencisë së lajmeve të shtetit shqiptar, e raportova atë lajm nga vizita e delegacionit të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, në Ipeshkvinë e Kosovës, ku u pritëm me shumë nderim  e respekt nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili na shoqëroi gjithnjë edhe gjatë vizitës në Katedralen “Nënë Tereza”… Dhe, më tej Ipeshkvi Gjergji bashkë me delegacionin e Vatrës, që e ftoi, eci më këmbë nëpër rrugët e sheshet e Prishtinës për të marrë pjesë në ceremoninë e promovimit të emisionit të jashtëzakonshëm të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, që u bë në ambientet e hotelit më të madh të kryeqytetit të Kosovës.

Me delegacionin e shqiptarëve të ardhur nga SHBA, ku ishin Agim Rexhaj, zv/kryetar Vatrës, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e  fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe Laura Rexhaj, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj, i cili romanin e tij “Hyji në skëterrë” ia dhuroi Ipeshkvit Gjergji, gjatë gjithë kohës isha edhe unë, prej më shumë se një viti edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.

Delegacionin e Vatrës, gjatë pjesëmarrijes në  ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”, e takoi dhe përshëndeti me shprehje respekti dhe vlerësimi edhe  kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, si dhe kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha.

Delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra  gjatë qëndrimit në Prishtinë vizitoi nga mesdita edhe Shtëpinë e Pavërësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ndërsa kishte edhe shumë takime e biseda gjatë gjithë ditës edhe gjatë kalimit nëpër rrugë e sheshe të kryeqytetit kosovar. Takime, biseda dhe përshëndetje me plot respekt.

Ishte dita e 16 gusht 2016, të cilën pjesëtarët e delegacionit të Vatrës si dhe unë e nisëm me udhëtim drejt selisë së Ipeshkvisë së Kosovës në Prishtinë, për takimin në orën 09:00 me Ipeshkvin Imzot Dodë Gjergji, pritja e të cilit ishte plot përzemërsi.

Në Ipeshkvinë e Kosovës në mëngjes mbërrita herët që atje të pres ardhjen e delegacionit të Vatrës, vatranëve që vinin nga vise të ndryshme të tokave shqiptare. Para Ipeshkvisë kisha mbërritur në të njëjtën orë me Don Lush Gjergjin, Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës me seli në Prishtinë, i cili hapi dyertë dhe hymë brenda…Ndërsa, pas pak vjen të më takojë edhe zëdhënësi i Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqi, dhe së bashku presim delegacionin e Vatrës. Nga dritarja shohim se para Katedrales së pari mbërrin Fran Marku…Dyert e Ipeshkvisë hapen, vijnë edhe të tjerët…Së bashku mirëpritemi nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, ndërsa kryesuesi i delegacionit, zv/kryetari i Vatrës, Agim Rexhaj, falënderon dhe nisë një bisedë të gjatë ku flasin të gjithë, për punë, angazhime, aktivitete…

Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji vlerëson lart organizimin dhe kontributet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, me kryetarin Dr. Gjon Buçaj e gjithë vatranët.

“E vlerësoj veçantë mënyrën e organizimit tuaj, të Vatrës, nga të gjitha trojet shqiptare së bashku…Vatra është edhe vatër e të mirave dhe kontributeve të mëdha për kombin”, shprehet ai.

Edhe nga ana e delegacionit të Vatrës edhe nga ana Ipeshkvit theksohet se Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për mëse 9 vite  me afër 2 milionë – 1.800.000 dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

“Mendojmë të vazhdojmë që deri vitin e ardhëshëm shifra të arrijë në 2 milionë dollarë”, shprehet Marjan Cubi, kryetar i Komisionit që vepron në Nju Jork për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në kryeqytetin e Kosovës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punët e kryera në Katedralen “Nënë Tereza”, gurthemelin e së cilës e vuri Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe këtë të gjithë e kujtojmë gjatë bisedës.

Para 11 viteve, gjatë ceremonisë së vënies së gurthemelit të Katedrales katolike në Prishtinë, në 26 gusht 2005, Presidenti Rugova theksonte: “Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptaro-kosovare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin”.
Gurthemeli i Katedrales u vu për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze nga ana e Presidentit Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik, në oborrin e Gjimnazit “Xhevdet Doda”. Katedralja nisi të ndërtohet në 600 vjetorin e lindjes së kryeheroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.

Ndërsa, para 20 viteve, 17 gusht 1996, Presidenti i Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i dërgoi një urim Imzot Mark Sopit, Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës në atë kohë, me rastin e Ditës së shenjtë të kremtimit të 18 gushtit, duke shprehur besimin se së shpejti do kremtohet në Kosovën e lirë e të pavarur.
“Me rastin e Ditës së Shenjëtorëve të Ulpianës e të Dardanisë iliro-shqiptare, Florit e Laurit të viteve 117-138 pas Krishtit, pranoni urimet e mia të përzemërta.
Besojmë se së shpejti këtë ditë të shenjtorëve tanë ta kremtojmë në Ulpianë të Prishtinës në liri e pavarësi të Kosovës, si kremte popullore”, thuhej në urimin e Dr. Rugovës.

Edhe për Ditën e Shenjëtorëve të Ulpianës e të Dardanisë iliro-shqiptare, si urohej e kremtohej para 20 viteve…Edhe për gurthemelin e Katedralës  “Nënë Tereza” para 11 viteve kam raportuar nga Kosova si edhe për shumë ngjarje të tjera të lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, dhe në këtë ditë të lume me Vatrën shqiptare nga SHBA në Kosovën e lirë e të pavarur vizitojmë Ipeshkvinë dhe Katedralen e ndërtuar në Prishtinë…

Ipeshkvi Gjergji duke iu përgjigjur interesimeve të delegacionit të Vatrës, foli edhe për ftesën e mundësinë e një vizite të Papa Françeskut në Kosovë.

Imzot Gjergji njoftoi edhe për përgatitjet e Kosovës të koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, në 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të të Lumturës Nënë Tereza.

E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.

Ndërkohë, për të shënuar ditëlindjen e saj dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjen për shenjtërimin e Nënë Terezës, InfinityArt dhe Ipeshkvia e Kosovës organizojnë ekspozitë me portretet e Nënë Terezës, punime të artistëve të rinj të Kosovës.

Ekspozita do të hapet në 26 gusht në ora 10:00 e do të jetë e hapur deri në 28 gusht, prej orës 10:00 deri në 16:00, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

KONCERTI PËR NËNË TEREZËN NË VATIKAN

 Në 2 gusht 2016,  Ipeshkvia e Kosovës, në bashkëpunim me F.A. “Nënë Tereza” dhe Filharmoninë e Kosovës, ka mbajtur Konferencë për media për të paraqitur zyrtarisht programin e Koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, më 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

Don Fatmir Koliqi, zëdhënës Ipeshkvisë së Kosovës, tha se, “viti 2016 do të shënohet në Historinë e Kishës Katolike ndër Shqiptarë dhe të Popullit Shqiptar, sepse bija e kësaj Kishe dhe këtij Populli, e Lumja Nënë Tereza do të shpallet e shenjtë nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, në 4 shtator 2016 në Vatikan. Kurse për Kishën Universale ka rëndësinë të madhe, sepse Papa ka zgjedhur pikërisht Vitin e shenjtë – Jubileun e Jashtëzakonshëm të Mëshirës, për të treguar Nënë Terezën, shenjtëreshë të mëshirës dhe dashurisë së krishterë”.

Në vitin e shenjtërimit të Nënë Terezës, edhe ne, populli i saj, vijoi Koliqi, me nderim dhe falënderim Zotit për këtë dhuratë të madhe, jemi munduar të përgatitemi për t’u paraqitur në Vatikan me dinjitet.

“Kisha katolike do të shtegtojë në Vatikan me një numër të konsiderueshëm, për të marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për ne. Do të mbahet Koncerti për Nënë Terezën në Vatikan, në 3 shtator 2016”, tha ai.

Duke folur për atë se, prej nga ka ardhur ideja për të mbajtur Koncert në Vatikan në vigjiljen e shenjtërimit të Nënë Terezës, Don Koliqi tha:

Në vitin 2015, më 5 shtator, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, është mbajtur Koncerti për Nënë Terezën, i ideuar nga producenjta Diana Toska, i realizuar nga artistë të mirënjohur shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, i cili ishte një realizim i mrekullueshëm.

Nga këtu lindi ideja që i njëjti koncert të ekzekutohet në ambientet e Vatikanit.

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ia ngarkoi vetës detyrën për të kërkuar nga Selia e Shenjtë që të na mirëpret me këtë koncert, pikërisht në vigjiljen e Shenjtërimit të Nënë Terezës, me idenë për të falënderuar Zotin bashkë me Kishën Katolike universale për këtë Nënë të madhe të botës, që ka dhënë Kisha jonë.

Pas kërkesës së Ipeshkvit të Kosovë, Selia e Shenjtë me kënaqësi e ka pranuar ftesën dhe është bërë nikoqire e kësaj ngjarje kulturore dhe artistike.

Këtij organizimi të Kishës Katolike në Kosovë i është bashkangjitur edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë, Argjipeshkvia e Tivarit dhe Ipeshkvia e Shkupit.

Këtë ide dhe këtë nismë kulturore dhe artistike e ka përkrah dhe e ka mbështetur financiarisht Qeveria e Kosovës.

Vendi ku ka përcaktuar Selia e Shenjtë, që të na pret për ta mbajtur këtë koncert, është njëra ndër Bazilikat madhështore Papnore: Bazilika Papnore e Shën Palit.

Prandaj, vazhdoi zëdhënësi i Ipeshkvisë, dua të shpreh falënderimet Selisë së Shenjtë për mikpritjen, Ipeshkvin e Kosovës, Imzot Dodë Gjergjin për angazhimin e tij personal që ka bërë që ky koncert të realizohet në Vatikan, Qeverinë e Kosovës për mbështetjen dhe financimin, Diana Toskën, producenten e koncertit dhe punën e saj të vazhdueshme e të palodhshme, Filharmonin e Kosovës, artistët që kanë pranuar të bashkëpunojnë për të realizuar këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në mënyrë vullnetare, gjegjësisht pa honorare…

Në vazhdim, Diana Toska, producente e Koncertit, foli për pjesëmarrjen e artistëve të mirënjohur, që do të marrin pjesë në Koncert: Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Shkelzen Doli, Saimir Pirgu, Ramë Laja, Gëzim Mushketa etj, të cilët do të këndojnë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore për ta nderuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës. Diana i tregoi edhe recituesit e vjershave/uratave të Nënë Terezës: Don Lush Gjergji, Lorik Cana, Majlinda Kelmendi dhe dy artistët e rinj të filmit “Shok” Andi dhe Lumi, të cilët ishin të pranishëm në konferencë.

Drejtor i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari tha se Filarmonia e Kosovës është e nderuar që është pjesë e kësaj ngjarje artistike. Që nga fillimi kemi bashkëpunuar me të gjithë artistët dhe organizatorët dhe besoj se do të jetë një koncert që do të paraqes denjësisht popullin tonë. Do të tregojmë se Nënë Tereza ka bijë dhe bija të kulturës dhe artit, që dinë ta nderojnë veprën e saj të madhe. I pyetur se në çfarë gjuhe do të këndohet, ai tha se programi është në disa gjuhë, shqip, italisht dhe anglisht.

Don David Xhuxha, drejtor i programit të Radio Vatikanit në gjuhën shqipe, i caktuar nga Ipeshkvia e Kosovës koordinator i koncertit për Romë, foli për Bazilikën e Shën Palit, ku do të mbahet koncerti, si një vend me simbolikë të veçantë, pasi Shën Pali është ungjillëzuesi i shqiptarëve. Shën Pali ka mbjell farën e krishterimit ndër shqiptarë dhe Nënë Tereza është figura më brilante e këtij krishterimi. Koncerti i Nënë Terezës, tha Don Davidi, ka hy në axhendën e aktiviteteve të Vatikanit për shenjtërim e Nënë Terezës dhe si i tillë ka një interesim të madh nga mediat ndërkombëtarë që do ta transmetojnë bashkë me mediat shqiptare.

Nënë Tereza në rend të parë është bijë e këtij populli, e këtyre traditave, theksoi Don Davidi, ajo këtu është frymëzuar nga vatra e saj familjare… “Nënë Tereza është ikona të cilën Papa Francesku e ka dashur pikërisht në fazën përfundimtare të këtij viti jubilar për arsye shpirtërore, por edhe të jetë emblemë e atij qytetërimi të ri botëror, për çka Papa Francesku nënvizon se ka nevojë për figura për shembuj për stilin e një jete, siç ishte Nënë Tereza, dhe ne duhet të jemi krenarë për këtë”, tha Gjugja.

Për të paraqitur Koncertin për mediat ndërkombëtare do të mbahet një konferencë për media në Sallën e Shtypit të Vatikanit, në 1 shtator 2016.

Koncerti do të mbahet më 3 shtator, në ora 19:30, në Bazilikën e Shën Palit. Hyrja do të jetë falas, porse nevojitet të sigurohen biletat, të cilat e kanë rolin e rezervimit të vendeve. Kurse gjithë ata që do të marrin pjesë në koncert, duhet të jenë te Bazilika në ora 18:00, për shkaqe protokolli.

Të nesërmen, me 4 shtator 2016-që është dita kulminante, do të jetë mesha e solemne e shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilën do ta kremtojë Papa Françesku, në bashkëmeshim me qindra ipeshkvijë dhe meshtarë të botës, në ora 10:00, në Sheshin e Shën Pjetrit. Edhe për pjesëmarrje në meshë duhet të rezervohen biletat (falas) për të rezervuar vendet. Biletat mund të sigurohen te Ipeshkvia e Kosovës në Prishtinë, pranë Katedrales “Nënë Tereza”.

KOSOVA PËRGATITET TË SHTEGTOJË NË VATIKAN PËR SHENJËTËRIMIN E NËNË TEREZËS

Shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 shtator të këtij viti, është një ngjarje e papërsëritur dhe me rëndësi të madhe për popullin tonë, u tha në takimin mes Ipeshkvit të Kosovës Imzot Dodë Gjergjit dhe Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, i cili u zhvillua në ambientet e Kryeministrisë, në 24 qershor 2016 në Prishtinë.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji dhe Sekretari – Zëdhënësi Don Fatmir Koliqi, u bisedua për përgatitjet që po bëhen për Shtegtimin në Vatikan me rastin e shenjtërimit të Lumes Nënë Tereza.

Imzot Dodë Gjergji e informoi Kryeministrin Mustafa për përgatitjet e Ipeshkvisë së Kosovës që ka ndërmarrë për këtë ngjaje të papërsëritshme për të gjithë shqiptarët. Përveç shtegtimit 3 ditor në Vatikan, që do jetë i organizuar nga Ipeshkvia, në kuadër të kësaj do të jetë edhe koncerti i Himinit të Nënë Terezës, i cili do të mbahet me 3 shtator, në vigjilje të shenjtërimit.

“Populli i gëzohet kësaj ngjarje të madhe. Është një vit që Zoti e ka mbush me dhurata të mëdha popullin tonë dhe këtë rast duhet ta shfrytëzojmë për qenë të pranishëm në mënyrën më të dinjitetshme”, tha Imzot Dodë Gjergji.

Kryeministri  Mustafa tha se “Kosova dhe shqiptarët kanë një arsye më shumë që të ndjehen krenarë në këtë vit me shumë suksese. Shenjtërimi i Nënës Terezë është një përjetim i veçantë për qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi”.

Në këtë kontekst, kryeministri Isa Mustafa, bëri të ditur se Qeveria e Kosovës do të financojë koncertin, i cili do të mbahet në Vatikan, më vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, shprehu mirënjohje për Qeverinë për punën e saj në këtë drejtim dhe për mbështetjen e koncertit për nder të shenjtërimit të Nënës Terezë.

NË KOSOVË, VITI 2016 ËSHTË VITI I NËNË TEREZËS

Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.

Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

***

“Në Katedralen ‘Nëna Tereza’ janë ngritur flamujt e festës”, është titulli i reportazhit që kam shkruar në 1 Korrik të vitit 2010 – në 100 vjetorin e Nënë Terezës, botuar atë ditë në Agjencinë zyrtare-shtetërore të lajmeve të Shqipërisë – ATSH:

***

REPORTAZH I VITIT 2010 – NË 100 VJETORIN E NËNËS TEREZË:

Kosovë-Në Katedralen “Nëna Tereza” janë ngritur Flamujt e Festës

PRISHTINË, 1 Korrik/ATSH-Behlul Jashari/.- Flamujt janë ngritur këtë verë lart mbi kulmin e katedrales në ndërtim, me emrin e Nënës Terezës, në qendër të kryeqytetit të Kosovës, përballë Universitetit të Prishtinës.
Janë flamujt e ngritur në 100 vjetorin e lindjes së nobelistes shqiptare, në këtë vit jubilar, të cilin Kosova e shënon si “Viti i Nënës Terezës”, i shpallur e tillë nga presidenti i shtetit më të ri evropian.
I pyetur për këtë imazh flamujsh në Katedrale, Don Shan Zefi, thotë se “është flamuri kombëtar shqiptar, flamuri i shtetit të Kosovës, dhe Flamuri i Vatikanit. Janë tre flamujt, që paraqesin Kishën Katolike edhe në Kosovë”.
Ipeshkvia e Kosovës, e cila kishte selinë në qytetin e Prizrenit, tani ka selinë në Prishtinë, në një ndërtesë të sapondërtuar, shumë pranë, në një oborr, me Katedralen “Nëna Tereza”, e cila është në ndërtim.
Don Shan Zefi, i cili udhëheq punën për ndërtimin e Katedrales, thotë se projekti ecën përpara, sipas afatit të parashikuar. “Deri më 26 gusht 2010, kur kremtohet 100-vjetori i lindjes së Nënës Terezës, mendojmë se ndërtesa e Katedrales do hyjë nën kulm, do përfundojnë punimet e mëdha, do të ketë dyert e hyrjes dhe dritaret”, thotë ai.
“Dita e 100-vjetorit të Nënës Terezë është një jubile jashtëzakonisht madhor, do të kremtohet me një pjesëmarrje të madhe e shumë veprimtari. Do të ketë edhe një meshë solmene”, tregon Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi.
Ndërsa, shton ai, shenjtërimi – shugurimi i Katedralës “Nëna Terezë”, do të jetë më vonë, pas një kohe që do zgjasë sa dhe përfundimi i të gjitha punimeve, përfshirë edhe ato të brendshme në objektin e Katedrales, që do jetë edhe një mrekulli arkitekturore.
“Është një projekt që do kohë të realizohet. Do të ketë piktura, skulptura, simbole.Do të ketë dekorim me mermere të çmueshëm, me ngjyrat e Nënës Terezës.Edhe arkitektura do të ‘flasë’ shqip”, thotë Zefi.
Katedralja në Prishtinë do të jetë ngjarja më e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të “Vitit të Nënës Terezës” në Kosovë.
Më 11 nëntor 2009 në Prishtinë u mbajt takimi i parë i Këshillit Organizativ të Kosovës për 100-vjetorin e lindjes së të Lumes Nënës Tereze, ndërsa viti jubilar u hap në 10 dhjetor, me Akademinë kremtore me rastin e 30-vjetorit të laurimit të Nënës Terezës me Çmimin Nobel për Paqe.
Në këtë Akademi, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kujtoi se “30 vjet më parë, Nëna Tereza, teksa po dilte nga manifestimi solemn i pranimit të Çmimit Nobel, pasi i nënshkroi Dom Lush Gjergjit një foto-portret të sajin, shkruajti ‘Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tim shqiptar”.
Presidenti Sejdiu më atë rast shpalli dhe vendimin për “Vitin e Nënës Terezës”.
Don Shan Zefin tregon dhe për kalendarin e aktiviteteve kushtuar 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare me famë botërore, të cilat janë paralajmëruar deri në fund të këtij viti nga Këshilli Organizativ i Kosovës.
Ai ka folur dhe rreth temës “Kush ishte e Lumja Nënë Tereza?”, në një nga aktivitetet e zhvilluara deri tani, gjatë Panairit të Librit në Prishtinë, në qershor.
“Kjo datë historike e 100 vjetorit të Nënes Terezës do të jetë dhurata më e madhe për të krishterët, por edhe për mbarë botën për të cilën u flijua, e sidomos për popullin shqiptar, nga e mori gjakun, gjuhën dhe fenë”, pat theksuar më atë rast Zefi.
Gjatë kesaj vere, gushtit, pritet që “Figura e Nënës Terezës në letërsi” të jetë tema e një sesioni në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë.
Po gjatë gushtit, mendohet që të bëhet përurimi dhe emërtimi i Urës së Mitrovicës, mbi lumin Ibër, “Ura e Paqes – Nëna Tereza”.
Për ditën e lindjes së Nënës Terezës, krahas veprimtarive për Katedralen, do të jetë edhe një koncert i Filarmonisë së Kosovës, dhe pritet akordimi i Medaljes Humanitare “Nëna Terezë” nga presidenti i vendit.
Më 5-10 shtator është paraparë Konferenca Shkencore Ndërkombëtare “Jeta dhe vepra e Nënës Terezës”.
Ndër aktivitetet që priten deri në fund të vitit është dhe botimi i pullës postare me portretin e Nënës Terezës dhe përurimi i shtëpisë muze “Nëna Tereza” në qytetin e Prizrenit.
“Unë jam prej Prizreni, prindërit e mi kanë lindur në Prizren”, kujton fjalët e Nënë Terezes, Don Shan Zefi, nga takimi i parë me të në vitin 1975.
“Isha në gjimnazin klasik në Suboticë (qytet në Krahinën e Vojvodinës në federatën e atëhershme jugosllave), ku ishim rreth 40 seminaristë kosovarë. Kur i thamë se jemi nga Kosova, Nëna Tereza menjëherë u shpreh shqip. Tregoi se është nga Prizreni. Me një emocion të jashtëzakonshëm filloi të flasë shqip me ne shqiptarët.”, kujton Zefi.
Zefi tregon se me Nënën Terezën u ritakua dhe në Shkup, në vitin 1986. “Thoshte edhe atje se ishte e lindur në Shkup, se kishte prindërit nga Kosova”.
Po ashtu, Zefi tregon se me Nënën Terezën ka pasur 3-4 takime edhe në Romë.
“Edhe recitonte, lutej në shqip. ‘Punën e pendimit’ e thoshte shqip gjithmonë.E ka dashur shumë Prizrenin. Shkupin. Është një figurë padyshim që lidh botën shqiptare”, thotë Zefi, ndërsa bisedojmë në Selinë e re të Ipeshkvisë së Kosovës dhe në Katedralen në ndërtim në Prishtinë. Fryma, emri dhe shembulli i Nënës Terezës në Kosovë është kudo. Emrin e saj e mban dhe shoqata e bamirësisë, që ka vepruar e ndihmuar që nga kohët më të vështira për Kosovën. E mban dhe sheshi kryesor i kryeqytetit, Prishtinës.Do ta mbajë dhe ura e Mitrovicës mbi Ibër, me mesazhin për t’u shndërruar nga një simbol konfliktesh e ndarjesh në një simbol paqeje e bashkimi.
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, në Akademinë solemne me rastin e 30-vjetorit të dhënies së çmimit Nobel për Paqe Nënës Terezë, theksoi se “Nënë Tereza ishte dhe mbetet simbol i përkryer i ushtrimit të dashurisë ndaj të afërmit, dashuri kjo që tejkalon kufijtë njerëzorë e mund të shpjegohet dhe të kuptohet vetëm me dimensionin hyjnor”.

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: Behlul Jashari, me vatranët, ne Kosove, nga SHBA, Një ditë e lume

KULLAJT E ZEMBLAKUT, NJE HISTORI PER T’MOS U HARRUAR

August 20, 2016 by dgreca

  • “Kulla”, fisi që u ndëshkua se priti Mbretin kur la Shqipërinë më 1939/

 *Historia  e familjes Kulla ose shqiptarët që përpara skuadrës së pushkatimit linin amanet Shqipërinë/

 nga Dalip Greca/

* Në një promovimi në Nju Jork: Nga e majta: Vedat Kulla, Sami Kulla, Niko Kirka, Meri Kirka, Jonuz Kulla, Pëllumb Kulla dhe Gëzim Alickolli/

Dr. Fuat Myftia, i cili pat udhëhequr për më shumë se 35 vjet Organizatën Lëvizja e Legalitetit në Amerikë, më tregonte gjatë një bisede, se sa herë ka marrë rrugën drejt Connecticut   për të kërkuar mbështetje për Organizatën legaliste, ka qëndruar tek fisi Kulla dhe sa herë ka trokitur atje, derën e ka gjetur të hapur. Edhe kur ka qenë fjala për mbështetje finanaciare, ata kanë qenë të gatshëm dhe kurrë nuk kanë thënë”jo”. Bujaria është karakteristikë e këtyre njerëzve.

Nga ana tjetër prej kohësh kam njohur njërin prej fisit Kulla, Vedatin, i cili për ca kohë ka qenë fqinji im në Lushnjë, tash jeton në Connectikut së bashku me familjen. E shihja gjithmonë ashtu të heshtur dhe të zhytur në hallet e veta nga që ishte me plagë në biografi dhe kurrë nuk ia dëgjova zërin për keq, ndërkohë që fëmijëte tij, Gëzimi dhe Albana ishin shembull dhe pasqyrë e edukatës familjare. Vedati përpiqej të shihte punët e tij, atëhere ishte shumë e vështirë që të mbijetoje në ato kohët e vështira, ku hijet të ndiqnin pas, veçanërisht kur vije prej klasës së përmbysur.

Me Vedatin jemi përshëndetur sërish këtu në Amerikë dhe kur flasim fundjavëve në telefon nuk shpreh asnjë lloj pezmi për hakmarrjen ndaj pafajsisë së vet për trajtimin që i bënë atëhere.

Kur të shkruash për historinë tonë, do të lutesha që penës mos i mësho shumë, nuk duam hakmarrje. Ne duam që përmes historisë tonë të përcillet mesazhi i mosharresës. Brezat që do të vijnë ta mësojnë se dikur në atë vend është qeverisur me logjikën dhe ligjet e absurdit, që ndëshkonin edhe pse ke dashur Shqipërinë, edhe pse ke qenë koshient për Shqipërinë Etnike- kështu më porositi Vedati në telefonatën që bëmë kohë më parë kur isha në procesin e shkrimit.

Nga ana e tij edhe i vëllai Samiu, i arratisur që në moshën 12-vjeçare, në një bisedë telefonike më përcolli të njëjtin mesazh:Le ta njohim të kaluarën që të mos përsëritet. Nuk kemi pse ia fshehim brezit pasardhës gjëmat që e kanë gjetur këtë popull.Të mos e fshehim faktin se shqiptarët kanë pushkatuar njeri-tjetrin, pse e kanë dashur në mënyrën e vet Atdheun. Ajdin Kulla psh, u shkua në plumb vetëm pse e donte Shqipërinë të tërë bashkë, me Kosovë e Çamëri. Kjo duket absurde, por ja që kjo është e vërteta tragjike e këtij populli.

Nuk e besoi këtë as profesori me emër i Kosovës, Zekeria Cana, por kur e ka parë aktakuzën që e çoi në plumb djalin më të shkolluar jo vetëm të Zemblakut dhe Korçës, por ndër djemtë më të mirë të Shqipërisë, i cili edhe në burg u mësonte të burgosurve anglisht,- është shprehur plot pezm:Paskan pushkatuar shqiptarë pse kanë dashë Kosovën?! Dhe bërr lotët….

Jonuz Kulla, pushka e mëmëdheut

Kam përpara shumë dokumenta dhe të dhëna për të zbuluar “njollat” e boigrafisë të fisit Kulla; kam dokumente të nxjerra nga arkivat e Tiranës, kam testamentin e shkurtër të mësuesit që njihte tri gjuhë të huaja, Ajdin Kulla, kam një ditar shumë të sinqertë të Xhevit Kullës, ku rrëfehet sinqerisht se si shpalleshin armiqtë, se si të arrestonin pa të thënë pse, madje edhe pa qenë ti fare në një vend njgjarjesh mund të akuzoheshe se kishte qenë atje, pa të lejuar që të paraqisje alibinë tënde të vërtetë.

Po nga ta fillojmë historinë e fisit  Kulla?! Një libër ndoshta do të ishte pak për të treguar rreth 100 vjet histori. Nëse gërmon në jetën e tyre ke për të zbuluar vetëm emra atdhetarësh, patriotësh të mirë që kanë luftuar për Atdheun pa e llogaritur humbjen e jetës. Jonus Zemblaku(Kulla) ka qenë pushkë e gatshme për atdhe që në kohë të moçme, kur shqiptarët luftonin për të nxjerrë jashtë trojeve turqit, madje emri i tij është në radhën e atyre burrave që më 1908 u mblodhën në Manastir, në Kongresin që na dhuroi alfabetin e sotëm, atje ku ishin At Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri dhe burrat e tjerë  të mençur të kombit që i dhanë gjuhës së bukur shqipe alfabetin e pavdeksisë së saj.Atje, në Manastir duhej dhe pushka për të mbrojtur shkronjat e pavdeksisë, për t’i mbrojtur nga turqit dhe patriarkana.Prandaj ishte atje Jonuz Kulla.

Kudo kur atdheu jepte kushrimin dhe kishte nevojë për burra trima, atje ishte ai, Jonus Kulla i Zemblakut. Ngjarjet e Flamurit e të mvetësisë të Shqipërisë e gjejnë në Vlorë rreth plakut të Flamurit. Katër vjet më vonë, kur do të shpallej Republika e Korçës, e cila qe e rrezikuar nga grekët, kapedan Jonuz Zemblaku do të ishte përkrah Themestokli Gërmenjit.

Ai së bashku me Ganiun kanë qenë bashkëluftëtarë edhe me Spiro Bellkamenin, Kajo Babjenin, Sali Butkën, Mihal Gramenon; burra me zë e trima të njohur në histroinë e Shqipërisë.

Kur në qytetin e Lushnjës do të mblidheshin burrat që do t’i dilnin zot vendit që të ndalinin coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë, atje do të ishte edhe Jonuz Kulla. Ai gjatë gjithë aktivitetit të tij ka qenë një barrikadë e pakalueshme për shovinistët fqinjë. Familaj Kulla është shquar për bindjet e saj nacionaliste dhe ka qenë e deklaruar si mbështetëse e  Mbretit Zog.Jonuz Kulla ra në shtratin e vdekjes në vitin 1937 i bindur se detyrën e vet si ushtar i atdheut e kishte kryer ndershmërisht. Bijtë e tij qenë krenarë për trashëgiminë morale e atdhetare që u la i ati: shembullin se si i shërbehej me nder Atdheut! Kur erdhën komunistët në pushtet fotografitë e burrave trima që kishin luftuar për Shqipëri u censuruan, u hoq nga grupi i luftëtarëve Jonuz Kulla!

Nacionalistët, partizanët dhe vëllavrasja pas Mukjes

Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, Ganiu dhe Ajdini rrëmbyen armët dhe krijuan çetat e para kundër okupatorit, madje çeta e tyre, që kishte për komandant Ganiun dhe komisar nipin e tij, Ajdinin, vendosi dhe mbajti kontakte me çetën partizane të Agush Gjergjevicës e Zija Pipos në katundin Shyec, ku u bisedua për koordinimin e veprimeve të përbashkëta mes nacionalistëve dhe partizanëve kundër gjermanëve. Të dy palët luftonin për Atdheun kundër pushtuesit që kishte zaptuar vatrat. Gjithçka u rrokullis pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes, pas së cilës komunistët i shpallën kundërshtarë dhe armiq nacionalistët e si pasojë erdhi vëllavrasja. Zemërgjërsia e Gani Kullës dhe zgjuarsia e të nipit, Ajdinit, i cili ishte djalë me kulturë dhe tepër inteligjent(zotëronte dhe tri gjuhë të huaja; anglisht, frëngjisht dhe italisht) bëri që të shmangej vëllavrasja në atë zonë deri në vitin 1944. Madje ata arritën që të lironin edhe nga duart e gjermanëve partizanë të arrestuar, siç ishte rasti i  Hysen Treni-t, të cilin pasi e liruan, e përcollën jashtë zonës së rrezikshme. Ka shume raste të dokumentuara kur ndërhyrja e Ganiut dhe Ajdinit ka shpëtuar nag reprezalja fshatrat e zonës.Është e arkivuar ngjarja e fshatit Poncarë: Pas rrethimit të fshatit Poncarë, të nesërmen kishte arritur nëj forcë e madhe gjermanësh, që  kishte tentuar të digjte fshatin e të bënte reprazalje. Ajdini dhe Ganiu arritën që t’ua mbushnin mendjen gjermanëve që në fshat nuk kishte asnjë komunist dhe se të gjithë ishin nacionalistë. Kështu që fshati shpëtoi nga djegia. E njëjta ngjarje u përsërit edhe në Menkulas. Këto fshatra shpëtuan nga reprezaljet dhe banorët e tyre nuk përfunduan në kampet famkeqe të shfarosjes, falë edhe kontributit të xhaxha e nip. Po me ndër hyrjen e Ganiut dhe të Ajdinit shpëtuan, duke u liruar nga burgu rreth 60 partizanë, shumica nga Bozhigradi. Të gjithë emrat e tyre janë të identifikuar dhe dëshmi e gjallë i veprimit të nacionalistëve. Ndërhyrja e të dyve bëri që të shpëtojë një masë e madhe fshatarësh të përfshirë me lëvizjen partizane, të cilët u qenë dorëzuar në besë.Ka dokumente që provojnë se Ajdini dhe Ganiu arritën që të shpëtojnë nga qelitë e burgjeve me dhjetëra partizanë. Ata mendonin se të dy palët, si nacionalistët dhe partizanët, luftonin për Atdheun, ndërsa çështja e pushtetit do të zgjidhej pasi të përzihej pushtuesi. Kjo i motivonte që të lironin vëllezërit e tyre nga burgjet e  nazizmit.Nëse do të përpiqeshim të hartonim një listë me emrat që u shëptuan, e cila ruhet ende, ajo do të ishte shumë e gjatë:Ibrahim Suli, Kasëm Islami, Karafil Seiti, Salih Muka, Ahmet Elmazi, Qemal Alia, Habil Seiti, Shefqet Musa, Shefqet Ahmeti, Vesel Aliu, Nevrus Avduli, Ramadan Refati, Dajlan Nexhipi, Ahmet Banushi, Karafil Hasani, Faik Zeneli, Avdyl Iljazi, Shaban Ibrahimi, Emin dhe Mustafa Musa e dhjetëra të tjerë, ish partizanë nga fshati Bozhigrad(me përjashtim të Ibrahim Sulit), të cilët  janë shpëtuar nga kthetrat e gjermanëve në sajë të ndërhyrjeve të Ganiut dhe Ajdinit.

Ka shumë histori që vijnë nga ajo kohë e largët, si mesazh për të kujtuar të djeshmen, jo për t’u hakmarrë, por thjesht për t’mos harruar e për t’mos u përsëritur.Njihet dhe një rast si ai Bido Bitinckës, i cili iu dorëzua në besë nacionalistëve dhe ata e lanë të lirë që të shkonte me gjithë armë në shtëpinë e tij. Ndërsa kur u vra prej partizanëve djali i Qamil Koshnicës, ky kishte arritur që të mbyllte një pjesë të madhe të fshatarëve në shkollën e fshatit Baban dhe kërkonte që të hakmerrej. Ndërhynë me autoritetin e njerëzve që u dëgjohej fjala edhe Ganiu edhe Ajdini dhe zemërimi i fshatarit, që i iku djali, u zbut, e fshati shpëtoi. Kjo ngjarje është përcjellë në dokumente të kohës e pohuar nga kryepleqësia e fshatit Baban  si dhe nga dëshmitarët e shumtë, disa prej të cilëve ishin: Zydi Emini, Sefedin Mehmet Aliu, Asllan Qamili, Xhevahir Tefiku, Qamil Ajdini, Fehmi Shabani, Nexhdet Ymeri Mustafa Xhelili, Vehbi Hyseni e dhjetëra të tjerë.Nga ditaret e atyre që nuk rrojnë më janë përcjellë edhe të dhëna të tjera që tregojnë se deri para Mukjes gjithçka shkonte vëllazërisht. Është e dokumentuar psh se  partizanët i patën dhënë Hamdi Babanit rreth 17 pushkë dhe patën porositur për marrëveshje me Kareman Viçanin, por kjo mbeti tentativë e parealizuar si marrëveshje. Arsyeja ishte se gjermanët sulmuan Zemblakun dhe korrieri i nacionalsitëve, Sulejman Ahmeti, arriti me vonesë dhe çeta partizane qe çvendosur  nga Kreshpanji në drejtim të Pogradecit.

Pushkatimi i Gani dhe Ajdin Kullës

Përse i shkëputëm shembujt e mësipërm dhe i radhitëm me imtësi në këtë shkrim? Jo pa qëllim. Ganiu dhe Ajdini ishin nacionalistë idealistë.Ajdini qe i shkolluar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. Xhaxha e nip  luftonin për Shqipërinë dhe nuk e çonin kurrë ndërmend se një ditë bamirësitë e tyre në shpëtimin e jetës së partizanvë do të shpërbleheshin në mënyrë cinike duke u marrë jetën në mënyrë të përbindshme duke i vendosur përballë skuadrës së pushkatimit. Duke qenë se Ganiu dhe Ajdini nuk patën bërë krime ndaj popullit të tyre, duke qenë se dhe në çastet e fundit lista e “bamirësive” të tyre në drejtim të partizanëve ishte shtuar(kishin shpëtuar nga vdekja edhe  Rahmi Aliun, Ismail Cakonji, Xhevit Jashar Zvezda e të tjerë), ata nuk u arratisën nga Shqipëria, por i besuan thirrjes mashtruese të komunistëve.Nëntori i vitit 1944 xhaxha e nip i gjenë në Shkodër, qëndresa e fundit antikomuniste.Pjesa më e madhe e nacionalistëve morën rrugën e ikjes, ndërsa xhaxha e nip, nuk po shkëputeshin dot nga toka ku qenë lindur. Tamam në atë kohë erdhi ajo thirrja fallse,thirrja mashtruese  që kumtonte lajmin e gënjeshtërt, thirrja që mashtroi shumë atdhetarë :”Kush nuk ka lyer duart me gjak të mos ikë por të kthehet për të punuar së bashku për të rimëkëmbur Atdheun.”Kjo ishte thirrja e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar. Ç’të bënin? Ta besonin thirrjen?! E besuan se qenë të pafajshëm; zbritën nag varka dhe u kthyen për të punuar së bashku për të rindërtuar Shqipërinë, siç shkruhej në Thirrjen mashtruese. Një qetësi e rremë deri në Elbasan, por atje; ëndërra kishte përfunduar. Sinqeriteti u ndëshkua. Ata i arrestuan pikërisht kur mbërritën në Elbasan.Ku ta dinin ata se nuk kishte më burra që lidheshin për fjalësh! Qenë dorëzuar në besë tek të pabesët!Xhaxha e nip do të provonin”ëmbëlsinë” e ferrit të torturave e deri tek skuadra e pushkatimit.U akuzuan si tradhëtarë të Atdheut ata që kishin luftuar një jetë për Atdhe. U torturuan shtazërisht dhe u trajtuan ç’njerëzisht thjesht pse ishin akuzuar se ishin kundër “vëllezërve” jugosllavë për derisa ai, Ajdin Kulla në akt-akuzë “qenkish koshient për Shqipërinë Etnike”!Edhe pse e pat të paralajmëruar vdekjen, Ajdin Kulla, nuk u ligështua.Ditët e burgut për të kaluan aktivisht:U mësonte të burgosurve anglishten.Ç’kurajo!

Qëndresa e tij do të shfaqej edhe në ditëvrasjen përpara skuadrës së pushkatimit.

Ja si e ka përcjellë Mërgim Korça në shkrimin e tij”Shqiptarët pushkatojnë shqiptarët që shumë e deshën Shqipërinë”, çastin e mbramë të atyre që pafajsisht u vendosën përballë skuadrës së pushkatimit:Të vënë në radhë, në vijë të zhdërvjellët për një dhe të lidhur me litarë, ndodhen para gropës së çelur enkas për t’i gëlltitur patriotët që do të pushkatoheshin, Gani Zemblaku sypatrembur së bashku me të nipin, Ajdin Kullën. Sheh Qerimi, patriot i shquar dhe gojëëmbli i përkryer, i lidhur tok me të birin, Saliun, të riun ballist të vendosur dhe e mbyll vargun Zyhdi Tapia, elegant si gjithëmonë(i veshur enkas sikur shkonte në dasëm), që mëkat kishte vetëm se e donte shumë Shqipërinë…Xha Ganiu, i rrahur me jetën si dhe më i moshuar, duke pasur frikë se mos në çastin e fundit para vdekjes të nipin do ta lëshonin nervat e tendosura, ngre krahun e lidhur, e pushton të nipin dhe e shtërngon në krahëror për t’i dhënë zemër të qëndrojë si burrat dhe për disa çaste.Por Ajdini trim, jo që s’kish nevojë t’i jepnin zemër por u dha zemër ët tjerëve me fjalët që ish partizani kalivaças (ai që e pushkatoi), dëshmitarë i gjallë i çasteve të fundit para vdekjes të Ajdinit, akoma sot,  i kumbojnë në veshë fjalët :”…. amanet Shqipërinëëëë!”

Testamenti i Ajdin Kullës

Po vritem si shqiptar dhe jo si tradhëtar….të rrojë Shqipëria, të rrojë Flamuri Kombëtar!Amanet Shqipërinëëë!…”.

Ky qe thelbi I Testamentit që shkroi më 18 qershor 1945 dëshmori i Nacionalizmës Shqiptare, Ajdin Kulla. Pas dy ditësh, pikërisht me 20 qershor 1945 ai do të ishte përballë atij, partizanit nga Kalivaci, i cili në emër të dashurisë për Atdheun dhe Partinë Komuniste, do t’i zbrazte plumba në krahëror djaloshit 32 vjeçar, Ajdin Kulla, me besimin se ky na paskish tradhëtuar partinë e partizanit nga Kalivaçi, Atdheun dhe “vëllezërit” Jugosllavë! Po pse thërriste:” amanet Shqipërinë” djaloshi nga Zemblaku, po të kish qenë tradhëtar?!Testamenti i Ajdin Kullës mbetet një akt-akuzë e rëndë për sistemin komunist. Ia morën jetën në mënyrën më të pabesë.U vra pse besoi në idealin për të cilin kishte lënë nxënësit dhe pat rrokur pushkën. Atëherë ëndërra e tij për ta patur Kosovën së bashku me Tokën Amë dukej e realizuar, Shqipëria dhe Kosova ishin një. Por pas lufte u pa se gjithçka qe e përkohshme, “vëllezërit” komunistë jugosllavë nuk do ta lëshonin aq lehtë Kosovën . Ata kishin më shumë se një shekull që përkundnin veten nën legjenda dhe mite të rremë se qenë autoktonë aty dhe se Fushë-Kosova qe djepi i miteve serbe! Dhe shpikën “Barazi-vëllazërimin” duke patur për ndihmë edhe vëllezërit komunistë të Shqipërisë Amë. Ajdin Kulla nuk e besoi për asnjë  çast gënjeshtrën vëllazërimit sipas Internacionalizmit proletar  dhe besimine  vet nuk e shkeli as përballë hetuesve, as përballë skuadrës së pushkatimit.

Po ç’pat ai zemërkatrani, (nuk ka mbetur i dënuar pa e mallkuar), ai Navzat Haznedari, që e çoi në plumb?!Ajdin Kulla qe nga ata djem që shquheshin për atdhetarizëm që në bangat e Normales, ku studionte pasi kishte mbaruar tri vjet në shkollën Harry Fultz.Edhe ai, që do të bëhej xhelati i djemve të Nacionalizmit, Nevzat Haznedari qe nxënës po në Normalen e Elbasanit. Madje që të dy kundërshtarët e ardhshëm atëhere qenë në të njëjtën klase. Por ndërsa Ajdini ishte studenti më i mirë i Normales dhe në fundin e shkollës e kishin nxjerrë më të dalluarin; e kishin privilegjuar duke e ulur me trupën mësimore, për ta veçuar si më i miri i shkollës, ruhet dhe një fotografi e asaj kohe, ku Ajdini ka dalë në fotografi me ekipin e pedagogëve të shkollës. Madje është i vetmi student mes pedagogëve. Nevzat Haznedari, përkundrazi, qe nga ata që mezi shtyhej për ta kaluar klasën. Ka dhe një ndryshim tjetër mes të dyve; Ndërsa Ajdini kishte dalë në shesh për ta pritur me protestë pushtimin fashist të Shqipërisë, ai Nevzat komunsti do të vishte këmishën e zezë të xhelatëve pushtues dhe qe regjistruar në radhët e rinisë fashiste! Ajdini nuk pranoi që të vishte këmishën e zezë me të cilën u kapardis ca kohë Nevzat Haznedari. Nuk është për t’u çuditur se si një ish fashist bëhet komunist. Zhelio Zhelev, e thotë qartë se komunizmi dhe fashizmi janë fqinjë të afërt. Të dy instalojnë diktatura. Prandaj nuk e pat të vështirë ai Nevzat Haznedari që nga fashist të bëhej një ndër komunistët më të betuar(tërbuar). Se mos është vetëm ai nga lloji i komunistëve që ksishte hyrë në radhët e komunsitëve përmes portës së fashizmit?! Pse nuk qe i tillë edhe kryeprokurori Bedri Spahiu, i cili i ropi të gjallë nacionalistët, madje edhe këngë këndonin për të:

Reaksionaret por si miu

I dënon Bedri Spahiu….

Kryprokurori Bedri Spahiu pat kohë që të reflektonte pasi do të fitonte mërinë e ustallarëve të vet. Kur e provoi në shpinë të vet torturën dhe akuzat fallco e pa se sa e pështirë ishte raca e komunistëve. Dhe i mallkoi…Por le të kthehemi tek Haznedari që i kumtoi vdekjen e idealistit nacionalist. Atij nuk do t’i dridhej qerpiku kur do t’ia kumtonte vdekjen ish shokut të klasës.Dhe Ajdin Kulla kurrë nuk ia dha kënaqësinë që mezi priste xhelati; nuk u përul. Edhe para skuadrës së pushkatimit Ajdini do të çudiste ata pak që qenë dëshmitarë të aktvrasjes. Zëri i tij i fuqishëm-Amanet Shqipërinë!,- do të ishte më shumë se sa aktakuzë kundër përbindshëve që merrnin jetë të pafajshme pse kërkonin Shqipërinë me Kosovë e Çamëri….

Ditari i Xhevit Kullës

Jonuz Kulla la katër djem:Belul, Ajdin, Xhevit dhe Nazmi Kulla.Xhevit Kulla, detyrohet që të bashkohet me radhët e Brigadës së dytë, duke iu përgjigjur urdhërit, që çdo derë duhej të dërgonte një mashkull në radhët e ushtrisë. Ka qenë fundi i vitit kur ai do të bashkohej në Terovë të Pojanit me Brigadën. Komandant pat Neshat Kondi. Që atë ditë do të niste aventura që më vonë do ta rraste nëpër burgjet e kampet e internimit. Nga Tërova në Rëmënj e Zërvaskë. Parakalimi u bë në Pogradec, ku kishte shkuar Beqir Balluku.Aventura vazhdon; në këmbë ecin natë e ditë në gjurmë të kundërshtarëve që kishin mbetur maleve.Ditë të ftohta dimri. Ata ecnin majë maleve.15 ditë në mes të dëborës.Duke qenë se ditarin do ta paraqesim në numrin e ardhshëm, po ndalemi kalimthi në ngjarjet dramatike, të cilat u rrokullisën në një mënyrë marramendase sa as vetë personazhi ynë nuk e kuptoi se si morën atë rrjedhë:Xheviti sëmuret; i dëmtohet syri i djathtë, doktori e kishte strehuar në një kasolle më vete. Kur u çvendos brigada për në Kpashticë në ndjekje të dy personave që kishin ikur nga burgu, Xheviti nuk e mori vesh, pasi qe i izoluar. Atëhere ndodhi një ngjarje që nuk deshën ta besonin shumë nga ata që e dëgjuan; 20 ushtarë të brigadës dezertuan dhe kaluan kufirin duke shkuar në Greqi. Komandanti i Brigadës bëhet xhind dhe në pamundësi për të gjetur fajtorët që kishin ikur,  arreston katër ushtarë. Pas çvendosjes së brigadës nga kufiri shkojnë dhe e marrin Xhevitin e sëmurë dhe i thonë se do ta çonin tek komandanti, i cili gjoja e kërkonte për një problem të rëndësishëm. Kur mbërriti në vendstrehimin e komandës, nuk po kuptonte asgjë se çfarë po ndodhte.Por shpejt do ta kuptonte sapo do të shkelte tek pragu; një pengec në hyrje, hundët gjak dhe seanca e pyetjeve të njëpasnjëshme.

-Di greqisht ti Xhevit-

-Jo

-Po italisht

–  Jo de nuk di…

–   S’do të tregosh ti…? E shpallën të rrezikshëm. I vunë roje tek dera. Aty qenë sjellë edhe katër të arrestuarit e tjerë për ngjarjet në kufi.Kur po kryhej seanca e pyetjeve, njëri prej të arrestuarve, një djal guximtar prej Shkodre, rrëmben pushkën e rojes dhe ia nis të shtënave.Dy orë luftë.Kur shkodranit i mbarohen fishekët, e kishet ruajtur një për veten. Vrau veten.Xheviti ngjarjen më shumë e dëgjoi se sa e pa; e dëgjoi nga bodrumi ku e kishin lidhur këmbë e duar….Po si rrodhën ngjarjet e mëvonshme? Si u dënua Xheviti, ku e kaloi dënimin dhe çfarë përfitoi pas vizitës së Mehmet Shehut në burg, si e priti e fejuara 11 vjet, ridënimi përsëdyti, internimi… I lëmë për radhën tjetër ngajrjet e kësaj natyre, ku të shfletojmë ditarin e tij… Le të ndjekim fatim e familjes Kulla…

 Arratisja e vëllait të vogël, Nazmiut

Fati i familjes Kulla qe i paracaktuar që me arrestimin e Ganiut dhe Ajdint, që përfunduan në plumba. Pas tyre qe radha e Xhevitit që kurrë nuk arriti ta kuptoi se çfarë faji kishte kryer; më pas do ta kishte radhën që të hynte në burg Beluli. I vogli i vëllezërve, Nazmiu, e përjetoi thellë dramën e më të mëdhenjëve. Zemra do t’i dridhej kur do të mësonte pushkatimin e Ganiut dhe Ajdinit. Viti 1945 do ta gjente aty në vendlindje në Zemblak, por jo në shtëpinë që i kishin lënë trashëgim të parët. Që andej i kishin nxjerrë sapo kishin ardhur në fuqi komunistët. Ata jetonin në haur kafshësh. Jetën mezi e shtynin. Gjithçka u qe konfiksuar, pasuria, shtëpia, bagëtia. Edhe pse ua patën sekuestruar pasurinë sërish u kërkonin të paguanin tatimet e larta të shtetit. U detyruan që të shisnin deri edhe kalin e vetëm që u patën lënë. Çdo ditë jeta bëhej më e vështirë. Sa lanin një plan mbërrinte tjetri. Kërkonin t’i gjunjëzonin. U duhej që të blinin misër në treg të Elbasanit me çmim të kripur dhe të lanin planin e tatimit që u vinte shteti.Por mbi të gjitha jeta ishte e pasigurtë, cdo njerin nga fisi Kulla po e arrestonin radhazi.

–  Në këto kushte Nazmiu thuri në mendje planin e arrastisjes, të cilin e realizoi me shumë kujdes. Me vete mori edhe dy nipërit, të cilët kërkonte që t’i hiqte nga thonjtë e diktaturës, e cila nuk kishte për t’u rezervuara tyre të ardhme tjetër veç atë të parardhësve që i pat rrasur burgjeve. Nipërit qenë djem të vegjël; Muhameri  dhe Samiu .Rruga e vështirë e mërgimit për ta nisi me arratisjen në Greqi. Forcat e matanë kufirit, i cuan në kampin grek. Muhameri dhe Samiu, që qenë fëmijë, e ruajnë ende në kujtesë kapërcimin e vështirë të kufirit dhe vështirësitë e jetës nëpër kampet greke. Për tre vjet Nazmiu me të dy nipërit do të përballej me jetën e vështirë të kampeve greke. Pas tre vjetësh ai do të merrte rrugën për në Gjermani. Aty do të qëndronin edhe dy vjet të tjera derisa, pas dy vjetësh do t’i merrnin amerikanët dhe do t’i nisnin drejt kontinentit të largët, ku do të kalonin gati 50 vjet  pa i parë dhe pa marrë lajme për pjesën tjetër të familjes e cila ndërkohë dergjej ca ndër burgje e ca ndër kampe internimi e ferma bujqësore në zona të izluara, nga ku të mos kishin mundësi që të arratiseshin. Beluli, më i madhi i djemve të Jonuzit, kaloi jetën nëpër kampe; në Peqin, në Bishqem, në rrethinate  Divjakës, për të përfunduar në kampine  Savrës, ku edhe do të vdiste. Në rrethinat e Lushnjës qe i internuar edhe Nesheti me Vedatin.  Lufta e klasave i kositi të gjithë, edhe kushërinjtë do të përfundonin kampeve të internimit. Mediu dhe Tefiku, bijtë e  Sabriut , u internua në Çermë, Savër, Gjazë të Lushnjës.

–   Ditët e para të përmbysjes së sistemit komunist fisin Kulla e gjeti të shpërndarë; ca në Amerikë, ca në Kanada , ca në Austri, ndërsa një pjesë ende dergjeshin kampeve të përqëndrimit apo në zonat e izoluara bujqësore.

Sami Kulla:U arratisëm jo për të fituar dollarë

–   Sami Kulla, në bisedën që bëmë të dielën pasdite me 4 prill më sqaron se është arratisur nga Shqipëria jo në moshën 12, por 15 vjeçare. Atëherë shteti e kishtë dërguar që të punonte vullnetar në hekurudhë.

–   Ndodhesha në Fushë-Mbret, kujton ai. Nazmiu qe ushtar atëherë dhe e njihte mjaft mirë vijëne  kufirit. E dinte shumë mirë se kur dhe si duhet të kalohej kufirit, megjithse nuk qe gjë aq e lehtë. Na u desh që të kalonim 6 seri të minuara. Por gjithçka kaloi pa pasoja ngaqë së bashku me ta ishin edhe Bilal Kalaja me të shoqen Shega, Doko Kalaja, Alithemiu, që qe specialist i minave, përvojë që e kishte fituar në ushtri.Kalimi i kufirit u bë me 3 shtator 1950

– Bashkimi me të afrmit e tjerë, Samiu kujton se u bë në kampin e Lavros, Greqi. Ai kujton se atëherë pati një ftesë nga vajza e Ganiut, babai i sëcilës qe pushkatura me 20 qershor 1945. Ajo pat ikur shpejt në Kanada dhe e ftoi edhe Samiun që të shkonte atje. Por përgjigja e Samiut qe e prerë:- Ne nuk kemi lënë Shqipërinë për të fituar dollarë, ne kemi dalë që të armatosemi, të stërvitemi dhe të kthehemi që të çlirojmë Shqipërinë nga Komunizmi.

Kur morëm rrugën për jashtë Shqipërisë ne kishim dëgjuar për krijimin e  Komitetit Shqipëria e Lirë dhe mendonim se duhej të përgatiteshim për t’u rikthyer për  ta çliruar vendin, por ashtu si rrodhën ngjarjet qe e pamundur.

Dështimi i desantimeve, tradhëtia e anglezit Filbi, kapja e Hamit Majanit , loja e Sigurimit Shqiptar, bëri që të kërkonim rrugë të tjera nëpër botë… Dhe Samiu mori rrugën drejt Francës, ku qëndroi shumë vite, më pas do të shkonte në Kanada, e pasi do të rrinte ca vite edhe atje, do të merrte rrugën drejt Amerikës…… Kudo që shkoi, Samiu la gjurmët e derës dhe fisit nga vinte. Pronari francez edhe tani e kujton sjelljen e tij ët përsosur. Madje, para ca kohësh, kur një grup specialistësh të bujqësisë(agronomë) nga Shqipëria kishin shkuar në Francë, pikërisht në zonën ku ka pas jetuar dhe banuar Samiu, pronari francez, pasi i kishte pyetur se nga vinin, kishte lëvduar shumë shqiptarin Sami Kulla, që dikur kishte punuar për të. Shqiptarët e kishin ndjerë veten të përkëdhelur në sedër dhe njëri prej tyre i kishte telefonuar Samiut. Dhe ia kishte rrëfyer me krenari lëvdatëne  francezit…Ndërsa kur ishte në Kanada, nuk numërohen rastet e bamirësisë së tij ndaj shqiptarëve. Kur gazetat e Torontos flisnin për një shqiptare që mbeti rrugëve pas aksidentimit të të shoqit, dhe pa mundësi jetese, Samiu iu gjend për shumë kohë, derisa i shoqi iu rimëkëmb. Nuk është ky i vetmi rast, ndërkohë që në Cunnectikat, ku është vendosur prej kohësh, nuk numërohen mirësitë e tij ndaj shqiptarëve të porsa ardhur.Derë e hapur këtu në Amerikë si dikur dera e madhe në Zemblak…

Syrgjynosja e së shoqes dhe të birit të Ajdin Kullës

Në kohën kur Ajdin Kulla përgatitej për jetën e përtejshme; në kohën kur ai shkruante testamentin e  tij të pavdeksisë, e shoqja Fidaria, qe nuse e re. Në testamentin e tij Ajdini lë vend edhe për shoqen e jetës, fatin e tij, që e pat dashur aq shumë. I ka shkruar përmes Testamentit nënës së tij, padyshim dhe vëllezërve. U është lutur përmes rreshtave të asaj letre-testament:”Pyeteni nusen nëse mbas pushkatimit tim ajo do të dëshirojë të qëndrojë e pamartuar apo jo….”

Shoqja e tij e jetës, Fidaria nuk u nda nga fati i saj i parë, edhe pse ai kishte ikur nga kjo botë aq shpejt. Bashkshortja besnike e lidhi jetën e vet, me djalin Jonuzin dhe me vajzën Luden.Mëma e gjorë  u lidh fort pas fëmijëve dhe i mbrojti ata nga të këqiat e asaj jete plot rreziqe;për 40 e ca vjet jetuan të internuar në kodrat e Dumresë, diku në rrethinat e thella të Belshit.Pikërisht i biri i Ajdinit, Jonuz Kulla, që mban emrin e Jonuzit, luftëtarit që pat komanduar trimat e asaj ane, të cilët patën luftuar kundër turqëve, grekëve, bullgarëve, i pat treguar profesorit të shquar, historianit të Kosovës, Zekeria Cana, aktakuzën e tmerrshme”Ajdin Kulla dënohet për agjitacion dhe propagandë, koshient për Shqipërinë Etnike!” Kjo ka ndodhur atë ditë, ku gjithçka qe ndryshe: Qe shembur  komunizmi si sistem(I vetmi privilegj që u krijua për të përndjekurit që zhvarrimi dhe rivarrimi).

…. Ngjarjet zhvilloheshin po atje, ku qe hapur ajo gropa e madhe, ku me 20 qershor 1945 qenë pushkatuar si tradhëtar  ata trima që ranë mbi njeri-tjetrin me thirrjen :”Rroftë Shqipëria…Rroftë Flamuri! Ndërsa Ai, 32 vjeçari, Ajdin Kulla, që në çastin e largimit nga burgu drejt vendvrasjes, i pat ngritur peshë zemrat e të burgosurve antikomunistë, duke u lënë amanet Shqipërinë. Ishin të njëjtat fjalë që i dolën nga gjoksi edhe në kohëpushkatimin:Amanet Shqipërinë! Pikërisht atë ditë të ngrohtë vere të vitit 1992, mizëri njerëz qenë mbledhur pranë gropës, ku preheshin të pushkatuarit e pafajshëm pse deshën Shqipërinë. Aty pranë gropës pat ardhë atë ditë edhe Fidaria 80 vjeçare, e cila 47 vjet të shkuara, në një natë pa hënë, pat rrezikuar jetën e vet. Ajo pat ardhur aty tek gropa së bashku me gra të tjera si; të shoqen e Zyhdi Tapisë, të bijën e Sheh Qerimit dhe gra të tjera dhe pasi patën hapur gropën, secilit trup i kishin vënë përbri nga një shishe të taposur me nga një letër ku shkruhej emri i seicilit. Ditën që u gërmua gropa pas 47 vjetësh, njerëzit shtangën kur i panë dy skeletet përmbys, ku krahu i njërit ende qëndronte mbi shpatullën e  tjetrit, ishin ata; xhaxha dhe nip, Xha Ganiu, i quajturi beu i Zemblakut dhe i nipi, Ajdini.Në atë ceremoni rivarrrimi, i biri i Ajdinit, nxjerr kopjen e Vendimit të Gjyqit, ku shkruhej e bardha mbi tëzezë:”Ajdin Kulla…Gjykata Ushtarake e dënon me vdekje… koshient i Shqipërisë Etnike”…

Po çfarë mendon sot i biri Ajdin Kullës-Jonuzi(i riu)?

Jonuzi e ka përjetuar gjatë humbjen e të atit, Ajdinit. Ai qe një ndër ata që së bashku me nënën dhe të motrën e provuan në shpinë peshën e vuajtjes. Ishin me baba të pushkatuar dhe kjo ishte e mjafët për t’u futur në radhën e të padëshiruarve të rrezikshëm. Por ai nuk do të flasë për vuajtjet e veta, të motrës dhe të nënës nëpër kampet e internimit.

– Ata na kishin vënë në shënjestër dhe ne ishim të destinuar që të vuanim, ndërsa një pjesë jona qe kontigjent për vdekje, më thotë ai dhe parashtron faktet: Pas pushkatimit të Xha Ganiut dhe tim eti, i erdhi radha që të arrestohej Beluli, Mediu, Tefiku, Hymeti.Po i vinin rrotull Nazmiut, vetëm ai pat mbetur dhe si duket ata kishin pritur që të rritej dhe pak. Kur ata po i afroheshin, Nazmiu mori nipërit dhe u arratis. Mos harro se një pjesë ashtu shpëtuan, duke u arratisur; kanë ikur 60 burra dhe gra prej Zemblakut.Nga shënjestra e diktaturës nuk shpëtuan as nipërit, thotë Jonuzi dhe rreshton emrat e Kullëve të tjerë:Hado, Enveri, Sefedini, Fikriu, Selmani, Qerimi….Kush s’mundi të largohej përfundoi në pranga; Faslli Kulla vdiq në tortura, qe vetëm 17 vjeç, se ç’farë i sajuan një aktakuzë koti; ka qenë korrier i diversantëve; Shaban Kulla kaloi 10 vjet në burg, sapo u lirua, vdiq….Jo vetëm nipërit, por edhe kushërinjtë u përcaktuan të padëshiruar. S’bënë përjashtim nga ky rregull as Feridi dhe Muhameri,(jo ky që u arartis) Ibrahimi, Avniu, Mustafaj…Një pjesë vdiqën internimeve si gruaja e Mediut, Kalemi dhe Hedija prindërit e Selmanit….

Pas hesh ca çaste Jonuzi shpërthen:- A e beson se ata, Ramiz Alia me të vetët e realizuan atë që deshën? Na përzunë të gjithëve nga Shqipëria, edhe ne që qemë nëpër kampe u detyruam të merrnim rrugët e mërgimit. Nuk na kanë kthyer asgjë nga pasuria jonë. Dhe kjo është bërë me qëllim të lig. A e ke vënë re se kosovarët janë më të lidhur me Kosovën? Ata janë të motivuar, kanë atje një tokë, kanë një shtëpi, kanë diçka, ndërsa ne asgjë nuk kemi tonën. edhe shtëpinë e madhe tonën, vetëm në letra e kemi…Pse ç’është Atdheu? Ja ajo shtëpia, ajo toka, që ende se kemi toonë…Atdheu nuk është në ajër…..

Vizita e Mbretit

Pushimi i Mbretit Zog i në shtëpinë e Kullëve në Zemblak është përfolur shpesh nga shtypi. Është e vërtetë se Mbreti ka qëndruar në atë shtëpi dhe është pritur me gjithë të mirat. Aty familja mbretërore ka qëndruar një natë. Pasi ata u plotësuan me dokumentacionin e nevojshëm nga pala greke, morën rrugën për matanë. Oficeri i Gardës Mbretërore Medi Kulla si dhe Gjeneral Aranitasi, shoqëruan oborrin Mbretëror deri në Follorinë.Por nuk është e vërtetë ajo që shkruan shtypi se gjoja ishte vetëm ajo vizitë që e bëri Zemblakun fshat me biografi të keqe. E vërteta është ajo që u shkrua në radhët e këtij shkrimi:Zemblaku qe një fshat nacionalist dhe bijtë e tij u çuan në plumb, ndërsa ata që mbetën gjallë provuan burgjet, internimet dhe survejimet. Është shkruar se Kullët nuk qenë me Mbretin, por qenë të inkuadruar me Ballin. Në të vërtetë Jonuz Kulla-Plaku, qe emëruar nga Mbreti Oficer rezerve. Ai, Jonuzi, qe krenar për këtë titull dhe e justifikoi atë deri në ditvdekjen e vet.

Në vend të mbylljes…

Familja e madhe Kulla, deri në kohën kur komunizmi nuk kishte ardhur në fuqi, jetonte e bashkuar në Sarajet e veta. Kjo familje me tradita fisnike , e njohur edhe për bujari në të gjithë zonën, numëronte në radhët e veta 43 pjestarë. Ajo qe krenare se futej ndër ato familje që i kishte dhënë Shqipërisë luftëtarë në çdo brez. Jo vetëm pse, Jonuz Kulla-Plaku, qe luftëtar i njohur dhe me çetën e tij pat firmosur në të gjitha luftrat: Në Kapshticë, me 1910, 1911, 1912, në Zvezdë, Pojan pat luftuar me bullgarët, ku la të vrarë luftëtarët e tij besnik Muharremin me gjithë të kushëririn,të atin e Mazarit e të atin e Hamdiut; të cilët qenë nipër të Jonuzit. Jonuzi me çetën e tij u përpoq të merrte hak për masakrat e grekëve, të cilët pasi mblodhën burrat e Plasës së Poshtme të Korcës, i futi të gjithë në xhami dhe i kositi me plumba;kurse fëmijët e vegjël i nxori në lëmë dhe i shtypi me kuaj…Jonuzi me çetën qe krahu i djathtë i francezëve për të mbrojtur Korçën. Në ato luftime Jonuzi do të merrte një plagë në këmbën e djathtë , që do ta linte me shenjë gjatë të gjithë jetës. Kur gjenerali francez u kërkoi korçarëve një njeri besnik që ta shoqëronte Korça zgjodhi Sabrinë, vëllanë e Jonuzit, pasi vetë Jonuzi tashmë e tërhiqte zvarrë këmbën e plagosur në luftë kundër austriakëve. Pas ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku mori pjesë edhe Jonuzi, ngjarjet u çvendosën në Korçë. Themistokli Gërmenji bashkë me Jonuzin, marshuan me luftëtarët e tyre nga Pogradeci në Pllocë, në Potgorije, Shëngjergj, Pojan, Pendavinj, hynë dhe në Korçë dhe valvitën flamurin kuq e zi me shkabën dykrenare. Ka qenë ruajtur një fotografi hyrja e tyre triumfuese, por pas ’45-sës, fotografia e Jonuzit u hoq. Atij i qe prishur biografia, edhe pse pat vdekur që më 1931.

Parimi i luftës së klasave do ta gjakoste familjen Kulla, duke u hequr të drejtën e jetës disa prej pjestarëve të saj, të tjerët i stërmundoi dhe i syrgjynosi kampeve të internimit dhe burgjeve.

Ja bilanci i masakrimit të kësaj familje:

Të pushkatuar

1-         Gani Kulla 1945

2-         Ajdin Kulla 1945

3-         Rapo Kulla 1945

4-         Fuat Kulla 1951(Varur në litar)

5-         Fazli Kulla 1951(Vdiq në burg gjatë torturave)

Të burgosur

1-Xhevit Kulla

2- Belul Kulla

3- Medi Kulla

4- Tefik Kulla

5-Hymet Kulla

6-Shaban Kulla

7-Ridvan Kulla

Pjestarët e tjerë të kësaj familje provuan jetën me apel nëpër kampet e internimit, punën e vështirë në zona të izoluara të Shqipërisë dhe mohimin e arsimimit të fëmijëve

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: KULLAJT E ZEMBLAKUT, nje histori, PER T'MOS U HARRUAR

Presidenti Obama do shtojë pagën për orët jashtë orarit të punës për miliona Amerikanë

August 20, 2016 by dgreca

Përktheu për “Diell-in”, Herion Kërcelli/

Cdo javë, miliona Amerikanë punojnë më shumë se 40 orë, por nuk e marin pagesën jashtë orarit që u takon. I shqetësuar nga ky problem, Presidenti Obama po mer veprime që ta rregullojë këtë problem. Para disa ditësh në një shënim tek peticioni i firmosur nga mijëra qytetarë, Presidenti i dha detyrë Departimentit të Punës që të finalizojë një rregull që shton pagën jashtë orarit të punës  për më shumë se 4.2 milionë Amerikanë. Ja cfarë shkruan Presidenti për këtë: – “Unë dua t’ju informoj për një cështje të rëndësishme që ju intereson shumë; Tu siguroj që do paguheni me drejtësi. Bashkë me Departamentin e Punës ne do shtojmë pagesën jashtë orarit, do specifikojmë rregullat që sigurojnë punën e rëndë e të pashpërblyer të miliona Amerikanëve. Në qoftë se ti si qytetar punon më shume se 40 orë në javë, ti duhet të paguhesh për të ose të marësh kohë ekstra pushim për ta kaluar me familjen dhe të dashurit tuaj. Eshtë një nga hapat më të rëndësishëm që do të marim ne për të ndihmuar rritjen e të ardhurave të klasës së mesme duke vendosur 12 miliardë $ me shumë në xhepat e punonjësve Amerikanë në 10 vitet e ardhshëm. Për breza të tërë, mbrojtësit e kësaj cështje kanë thënë se puna e ndershme e një dite duhet të vlerësohet me pagesën e një dite normale. Kjo punë i ka ndihmuar punëtoret Amerikanë të ngjisin shkallën e suksesit. Kjo është ajo cfarë kërkon ekonomia e klasës së mesme. Por pas disa  vitesh të inflacionit dhe përpjekjeve të lobistëve që të dobësojnë mbrotjen e pagesës  jashtë orarit, e cila ka gryer së tepërmi  ekonominë e mijëra familjeve amerikane, ka ardhur momenti që Administrata që unë drejtoj të merret seriozisht me këtë cështje. Më poshtë presidenti Obama shkruan: Një prej Amerikaneve që ka punuar shumë në përpjekje për të mbajtur veten gjallë është një nënë nga Tucson, Arizona, me emrin, Elizabeth Paredes. Si një ndihmës menaxhere tek një dyqan sanduicesh, Elizabeth disa herë punonte 70 orë në javë, për një monedhë dhjetëcentëshe të pagesës jashtë orarit. Kështu znj.Elizabeth me shkruajti mua për të më sqaruar sa e vështirë është të ndërtojë një të ardhme të shkëlqyer për djalin e saj. Dhe ajo nuk është e vetme: sot vetëm 7 % e punonjësve paguhen jashtë orarit bazuar mbi rrogat e tyre. Krahasoje atë me 1975, kur më shumë se 60% e punonjësve paguhen jashtë orarit bazuar në rrogat e tyre. Kjo politikë tashmë duhet tejkaluar. Parimi themelor për pagesën jashtë orarit vjen nga një Ligj i periudhës së Depresionit i quajtur “Akti i Drejtë i Standarteve të Punës”, që i siguronte ata punonjës që shënojnë më tepër se 40 orë në jave për tu paguar në përgjithesi për më shumë kohë ekstra. Si President ju drejtova Sekretarit të Punës, zotit Tom Perez dhe Departamentit të Punës që të përditësojnë dhe modernizojnë rregullat jashtë orarit dhe të përkrahin atë ligj. Kështu pas më shumë se një viti të dëgjimit të shqetësimeve të punonjësve, nënpunësve dhe qytetarëve, Departamenti i Punës po nxerr një rregull të ri ku sqarohen punonjësit e bizneset për mënyrën e pagesës jashte orarit. Ky rregull e dyfishon pragun e rrogës dhe automatikisht e përditëson atë në cdo tre vjet. Rregulli hyn në fuqi më 1 Dhjetor 2016. Ky është një hap në drejtimin e duhur, që rrit rrogat e qytetarëve të SHBA, forcon e siguron klasën e mesme. Kur punonjësit kanë më shumë të ardhura, ata i shpenzojnë ato, shpesh tek bizneset në komunitetin lokal, që ndihmon rritje e ekonomisë për mijëra qytetarë. Në vite amerikanët kanë shpenzuar së tepërmi orë të gjata dhe shpërblehen pak. Me këtë vendim unë kudo dhe kurdoherë ju siguroj që ekonomia jonë shpërblen punën dhe përgjegjësinë e secilit. Kjo është Ajo cfarë unë do të bëj. Cdo punëtor amerikan meriton një pagesë në cek që i mundëson atyre të mbeshtesin familjet e tyre, të marin një siguri ekonomike, dhe tu lerë një trashëgimi fëmijëve të tyre. Ndaj është gjithmonë e vlefshme për të luftuar për këtë cështje. I falenderoj gjithë punonjësit e qytetarët amerikanë që ngritën zërin për këtë cështje kritike, ne nuk do të mund ta bënim atë pa ju”.

Presidenti Barack Obama.

Marë nga Zyra e Shtypit e Presidentit.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Herion Kercelli, oret jashte orarit, Presidenti Obama, shtim page

PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË DHE POLITIKA SHQIPTARE

August 20, 2016 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

11 korriku, me votimin “bullgar” të reformës së drejtësisë, duket se qe një përjashtim i rrallë. Kryetari i Shtetit, të cilin reforma e detyron të propozojë emrat e gjyqtarëve që do t’i nënështrohen vetingut, tregohet i shqetësuar, mbasi i mungojnë dekretet plotësuese të ligjit për reformën. Për pasojë nuk din se çfarë kriteresh duhet të zbatojë për caktimin e atyre emrave. Kryetari i komisionit për reformën, i cili duhej t’i kishte gati, në vija të përgjithëshme, ata dekrete, mbasi ka gati dy vjet që merret me atë punë së bashku me bashkëpuntorët e tij, duket si i shastisur nga “zbulimet” e Opozitës mbi veprimtarinë e vëllait të tij. Simbas saj, ai ishte i prekur nga një mandat arresti, i lëshuar nga organet e drejtësisë të Venezuelës, një Vend model i sprovës së fuqisë shkatërruese të ideve komuniste, të cilat në pak vite janë t’afta të katandisin në gjëndje urije edhe shtetin më të begatë të Amerikës Latine.

Opozita e cila, mbas shumë dredhash jo vetëm politike e juridike, për ndonjë çështje edhe me të drejtë, si pasojë e trysnisë së pashembullt për logjikën e thjeshtë të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, në çastet e fundit t’asaj dite “historike”, pranoi “konsensusin” e votoi njëzëri reformën. Ajo votë u përshëndet meentuziazëm nga të gjithë, shqiptarë e ndërkombëtarë, duke krijuar idenë se, më së fundi, mbas një të katërt shekulli dështimesh në zbatimin e ligjëshmërisë, veçanërisht në fushën gjyqësore, u krye hapi  i nevojshëm që do të bëjë Shqipërinë një shtet të së drejtës, në të cilin korrupsioni dhe paligjshmëria nuk do të kenë më të drejtë qytetarie. Duket si njëëndërr sa e bukur, po aq e vështirë për t’u besuar, edhe se nunët e saj në pagëzim janë ambasadorët e SHBA dhe BE.

Pa u thelluar në këtë rast n’arsyet, rrethanat apo motivet që sollën në këtë gjëndje të rëndë të drejtësisë e politikës shqiptare, që bëri të domosdoshme jo bisturinë, por sëpatën e shteteve perëndimore e që e kanë burimin në strategjinë e fshehtë të tjetërsimit të sistemit, të hartuar në fjalimin famëkeq të Ramiz Alisë në byronë politike të PKSH, në tetor 1989, një farë mosbesimi, përsa i përket rezultateve të pritëshme, bëhet i detyrueshëm. Për të krijuar besimin duhet një zotim i përgjithshëm, jo thjesht për të dënuar ndonjë gjyqtar qëështë pasuruar me ryshfetet e marra për të dhënë vendime të padrejta, por për të ndryshuar mendësinë zotëruese të këtyre viteve, të përmbledhur në moton “Shqipërinë do t’a gëzojmë ne dhe fëmijët tanë”, me të gjitha mjetet e mënyrat për t’u vënë në jetë. Por çfarë besimi mund të frymëzohet nga ata që e përqafuan me bindje dhe e bënë synimin kryesor të veprimtarisë së tyre postulatin e Ramiz Alisë, të cilët sot veshin qyrkun e “reformatorit”, për t’u ligjëruar në sytë e përfaqësuesve të SHBA apo të BE ?

Ai zotim kërkon një minimum bashkërenditje të bindjeve e veprimeve, një minimum respekti të ndërsjelltë. Në kundërshtim me këtë kërkesë tënevojshme, jemi të pranishëm në një garë të shfrenuar padish të ndërsjellta, të cilat shprehen pothuajse çdo ditë, jo vetëm nga zëdhënësit, por edhe nga përfaqësuesit e lartë të PD apo PS, në moskokëçarjen e përgjithëshme të institucioneve shtetërore shqiptare, përfshirë këtu edhe prokurorinë. Simbas padive të PD, qeveria shqiptare, kryesisht Kryeministri Edi Rama dhe ministri Tahiri, janë vetëm “baronë të drogës” të cilët, nëpërmjet sejmenëve të tyre në funksione tëndryshme, kryesisht n’organet e rendit, e kanë kthyer Shqipërinë në një mori plantacionesh me kanabis, nga shitja e të cilit nxjerrin fitime përrallore. Një realitet i tillë do t’i bënte t’u dridheshin eshtrat në varre të gjithë atyre që, njëqind vjet më parë, u munduan të krijonin Shqipërinë e pavarur.

Pohimet e ditëve të fundit të kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka, apo të kreut të departamentit të sigurisë t’asaj partie, Enkelejd Alibeja, të mbushura me shifra e me emra, edhe sikur t’ishin 50 % të vërteta, duhet të ngrinin në këmbë të gjithë shqiptarët, duke filluar nga Kryetari i Shtetit tek qytetari më i thjeshtë, përfshirë edhe oganet e drejtësisë. Imazhi i një shteti, në të cilin Kryetari i Qeverisëështë pronar i paligjshëm i tokave të mbjella me kanabis që çohet fshehtas n’Evropë, jo vetëm duhet të jetë i papranueshëm për secilin shqipfolës, kudo që të ndodhet, por duhet të bëhet një problem edhe për organizmat ndërkombëtare si NATO apo BE, me të cilat ajo qeveri mban lidhje.Ҫuditërisht nuk vërehet asnjë lloj kundërveprimi dhe kjo gjë më duket e papranueshme.

Imazhin e Shqipërisë mundohen t’a ruajnë të pastër qindra mijra qytetarë në territorin e saj, apo në botën e madhe. Nuk kanë të drejtë Lulzim Basha, Edi Rama, Edi Paloka, Saimir Tahiri, apo kolegë të tyre të politikës t’a përdhosin para shqiptarëve e para botës.Organet e Prokurorisë dhe Kryetari i Shtetit, si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e kanë për detyrëmorale dhe shtetërore të nxjerrin të vërtetën në shesh. Nuk duhet ndonjë gjë e veçantë për të zbuluar se ku qëndron kufiri mes së vërtetës dhe gënjeshtrës në këtë batërdi akuzash e në këtë mori përbaltjeje, jo vetëm të personave të zënë në gojë, por edhe të emrit të vetë Shqipërisë. Heshtja dhe moskokëçarja, si i tyre ashtu edhe i shoqërisë civile, janë një barrë e rëndë në ndërgjegjen e secilit. Nëse janë të vërteta pohimet e eksponentëve të lartë të PD, jo qeveria teknike që kërkon drejtuesi i saj, por dorëheqja e këshillit ministror e proçedimi simbas ligjit bëhen veprime të domosdoshme për t’u mëtuar nga shqiptarët. Nëse nuk janë të vërteta ata zotërinj duhet të paditen për shpifje kundër autoritetit të Shtetit e për njollosje të figurës së tij.

Në të mirë të imazhit të Shqipërisë, nuk duhet të ketë rrugë të mesme, aq më pak indiferentizëm e kthim koke nga ana tjetër, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Nëse politikanët tanë nuk e njohin aspak etikën e profesionit të tyre, sa që arrijnë në të tilla humnera poshtërimi, detyra e përbashkët kundrejt atdheut tonë dhe emrit të mirë të tij na detyron të mos jemi spektatorë të thjeshtë. Le shumë për të dëshëruar qëndrimi i kryeministrit dhe ministrave të tij kundrejt padive që u bëhen. Së pari ata janë qytetarë, të cilët, para akuzash “të paqena”, duhet të kundërveprojnë në përputhje me ligjet e shtetit dhe moralin e shoqërisë, ndërsa si njerëz me pushtet e kanë për detyrë që imazhin e tij t’a ruajnë të pastër. Mungesa e kundërveprimit apo të një të tilli shumë të vakët, kundrejt padive, tërthorazi i ligjërojnë ato. Habit fakti që ministri i brëndshëm “indinjohet” nga një shprehje pa rëndësi që një deputete i drejton një polici rrugor, por nuk kundërvepron aspak ndaj akuzave që i bëhen atij vetë si njeri i lidhur me krimin e organizuar, madje si pjestar e drejtues i tij!!!

Në këtë amulli idesh, qëndrimesh e veprimesh, në këtë atmosferë helmi, kundërshtie e guerriljeje politike, vihet në mëdyshje e gjithë ecja jonë drejt synimeve evropiane që, fatmirësisht, mbeten të pranuara nga të gjithë segmentet e jetës politike e nga shumica dërmuese e qytetarëve. Temperatura e lartë e kësaj fund vere politike çorodit mëndjet, sa që arrihet në veprime të njëanëshme e të pajustifikuara, si nga ana logjike ashtu edhe institucionale, siç ishte rasti i shpalljes si “i paligjshëm” nga ana e PS i dekretit të Presidentit për rivotimin e kryetarit të bashkisë së Peshkopisë.

Në këtë vorbull politike që nuk duhet të pengojë veprimtarinë e Kuvendit në plotësimin e reformës në të gjitha shtojcat e saj, deri në fillimin e zbatimit praktik, bie në sy aktivizmi i përshpejtuar i Kryetarit të PD, që “paralajmëroi dje nxitjen e revoltave popullore në rast se maxhoranca nuk do të pranojë kushtin e Opozitës për krijimin e një qeverie teknike”. Z. Basha edin mirë se një qeveri, në një Vend demokratik, ndërrohet kur nuk ka më votbesimin e parlamentit, gjë që tani për tani nuk është e vërtetë. Sigurisht Opozita e ka për detyrë të ndërmarrë të gjitha rrugët e mundëshme ligjore për të fituar dhe akuzat e përditëshme që i bëhen Qeverisë, mund të jenë një bazë e fortë për të kërkuar ndryshimin e saj. Ato padi nuk më duket se përbëjnë ende “pisqollën tymëse”, që do t’a vinte me shpatulla për muri kryeministrin, jo për peshën e tyre të padiskutueshme, por për vërtetimin e fakteve që paraqiten. Deri sa të mos ketë një pohim të organeve të Prokurorisë, që do të vërtetonte paditë e PD-së, Basha nuk duhet të mobilizojë masat e përkrahësve të tij në veprime që joo vetëm do të krijonin njëmjedis të panevojshëm për çastin, por do të krijonin një preçedent që nesër mund të kthehej kundër tij, në hamëndjen e një fitoreje të mundëshme të zgjedhjeve t’ardhëshme.

Mendësia e shtrëngimit të ngjarjeve nëpërmjet të logjikës së forcës, në një formë apo një tjetër, e cila ka kushtëzuar pjesën dërmuese të jetës politike të Shtetit të pavarur shqiptar, nuk duhet të jetë ende zotëruese në kohën tonë. Shqetësimi për të patur “zgjedhje të lira e të ndershme” është më se i ligjshëm, e duhet të jetë i tillë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Fakti që ende mbas 25 vjetësh ne nuk kemi arritur t’i kemi normale ato, tregon sa të vonuar jemi në proçesin e ndërtimit të demokracisë sonë. Në këtë drejtim ka mjaft për të bërë, duke filluar nga parimi i përbërjes së KQZ-së, që nuk duhet të jetë një organ politik me përfaqësues të caktuar nga partitë, por një institucion gjyqtarie e paanëshme e përbërë nga juristë, në vartësi të Kryetarit të Shtetit apo të Gjykatës Kushtetuese. Sa i takon të parit, mendoj se është e domosdoshme të ndryshojë mënyra e zgjedhjes së tij, duke kaluar në votimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve, për t’a paisur atë me autoritetin e duhur e të pakushtëzuar në ushtrimin e tagreve të tij. Madje në zgjedhjen e tij duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët shqiptarë, përfshirë këtu edhe ata që jetojnë jashtë shtetit, të cilët duhet të kenë të drejtën të paraqesin edhe kandidatët e tyre, pa kufizimet që politika shqiptare i ka vënë diasporës në këta vite.

Dihet se politika nuk është një vazo e artë ku jetojnë idealet, por një kazan ku vlojnë interesat, por mbi to duhet të ketë një synim të përbashkët për cilindo që merr rrugën e saj : përfytyresa e Atdheut, ideja e paraqitjes së tij në bashkësinë e Kombeve. Asaj ideje duhet t’i kushtojmë të gjithë një pjesë të shqetësimeve, të përpjekjeve, të vullnetit, të veprimeve tona.

Gusht 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, PËRFYTYRESA E SHQIPËRISË DHE, politika shqiptare

SHQIPTARET E AMERIKES DO TA FESTOJNE SE BASHKU SHENJTERIMIN E NENE TEREZES

August 20, 2016 by dgreca

VAZHDOJNË PERGATITJET PËR  FESTIMIN E  SHENJTËRIMIT TË NËNËS TEREZE/

Nga Esad Gjonbalaj/

New York 19 Gusht 2016-Mbrëmjen e së Enjtes në Bronx, New York, u mbajt edhe një takim i disa komisioneve të cilët po punojë pa ndërpreje për organizimin madhështor të Festimit të Shenjtërimit të Nënës Tereze që do bëhet në Battery Park në Manhattan me datën 4 Shtator 2016 në ditën e Shenjtërimit të Nënës Tereze në Vatikan. Njëkohësisht me ngjarjen ne Vatikan, komuniteti shqiptar i NewYork-ut me rrethe, në bashkëpunim me Asambleistin MarkGjonaj si dhe përkrahjen e te gjitha institucioneve fetare të komunitetit tone si kisha katolike shqiptare, dhe qendrat fetare shqiptare te besimin mysliman dhe atij ortodoks, dhe te gjitha shoqatat e komunitetit po bëjnë përgatitjet finale qe ky manifestim te jetë sa ma i fuqishëm dhe madheshtor. Nga 4 Shatori nobelistja e jone Nena Tereze do te jete shenjtëresha e tere njerezimit.

Nderkohe qe grupe shqiptaro-Ameriekanesh jane pergatitur per te udhetuar drejt Romes per te qene te pranishem ne diten e shenjte et shenjterimit te Nene Terezes. Nje grup i madh eshet organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare”Zoja e Shkodres” ne Nju Jork, nje grup tjeter nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, po ahstu nga Kishat e tjera Katolike Shqiptare ne Detroit.

 

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Esad Gjon Balaj, shenjterimi i nene Terezes, Shqiptaret e Amerikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2547
  • 2548
  • 2549
  • 2550
  • 2551
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT