- “Kulla”, fisi që u ndëshkua se priti Mbretin kur la Shqipërinë më 1939/
*Historia e familjes Kulla ose shqiptarët që përpara skuadrës së pushkatimit linin amanet Shqipërinë/
nga Dalip Greca/
* Në një promovimi në Nju Jork: Nga e majta: Vedat Kulla, Sami Kulla, Niko Kirka, Meri Kirka, Jonuz Kulla, Pëllumb Kulla dhe Gëzim Alickolli/
Dr. Fuat Myftia, i cili pat udhëhequr për më shumë se 35 vjet Organizatën Lëvizja e Legalitetit në Amerikë, më tregonte gjatë një bisede, se sa herë ka marrë rrugën drejt Connecticut për të kërkuar mbështetje për Organizatën legaliste, ka qëndruar tek fisi Kulla dhe sa herë ka trokitur atje, derën e ka gjetur të hapur. Edhe kur ka qenë fjala për mbështetje finanaciare, ata kanë qenë të gatshëm dhe kurrë nuk kanë thënë”jo”. Bujaria është karakteristikë e këtyre njerëzve.
Nga ana tjetër prej kohësh kam njohur njërin prej fisit Kulla, Vedatin, i cili për ca kohë ka qenë fqinji im në Lushnjë, tash jeton në Connectikut së bashku me familjen. E shihja gjithmonë ashtu të heshtur dhe të zhytur në hallet e veta nga që ishte me plagë në biografi dhe kurrë nuk ia dëgjova zërin për keq, ndërkohë që fëmijëte tij, Gëzimi dhe Albana ishin shembull dhe pasqyrë e edukatës familjare. Vedati përpiqej të shihte punët e tij, atëhere ishte shumë e vështirë që të mbijetoje në ato kohët e vështira, ku hijet të ndiqnin pas, veçanërisht kur vije prej klasës së përmbysur.
Me Vedatin jemi përshëndetur sërish këtu në Amerikë dhe kur flasim fundjavëve në telefon nuk shpreh asnjë lloj pezmi për hakmarrjen ndaj pafajsisë së vet për trajtimin që i bënë atëhere.
Kur të shkruash për historinë tonë, do të lutesha që penës mos i mësho shumë, nuk duam hakmarrje. Ne duam që përmes historisë tonë të përcillet mesazhi i mosharresës. Brezat që do të vijnë ta mësojnë se dikur në atë vend është qeverisur me logjikën dhe ligjet e absurdit, që ndëshkonin edhe pse ke dashur Shqipërinë, edhe pse ke qenë koshient për Shqipërinë Etnike- kështu më porositi Vedati në telefonatën që bëmë kohë më parë kur isha në procesin e shkrimit.
Nga ana e tij edhe i vëllai Samiu, i arratisur që në moshën 12-vjeçare, në një bisedë telefonike më përcolli të njëjtin mesazh:Le ta njohim të kaluarën që të mos përsëritet. Nuk kemi pse ia fshehim brezit pasardhës gjëmat që e kanë gjetur këtë popull.Të mos e fshehim faktin se shqiptarët kanë pushkatuar njeri-tjetrin, pse e kanë dashur në mënyrën e vet Atdheun. Ajdin Kulla psh, u shkua në plumb vetëm pse e donte Shqipërinë të tërë bashkë, me Kosovë e Çamëri. Kjo duket absurde, por ja që kjo është e vërteta tragjike e këtij populli.
Nuk e besoi këtë as profesori me emër i Kosovës, Zekeria Cana, por kur e ka parë aktakuzën që e çoi në plumb djalin më të shkolluar jo vetëm të Zemblakut dhe Korçës, por ndër djemtë më të mirë të Shqipërisë, i cili edhe në burg u mësonte të burgosurve anglisht,- është shprehur plot pezm:Paskan pushkatuar shqiptarë pse kanë dashë Kosovën?! Dhe bërr lotët….
Jonuz Kulla, pushka e mëmëdheut
Kam përpara shumë dokumenta dhe të dhëna për të zbuluar “njollat” e boigrafisë të fisit Kulla; kam dokumente të nxjerra nga arkivat e Tiranës, kam testamentin e shkurtër të mësuesit që njihte tri gjuhë të huaja, Ajdin Kulla, kam një ditar shumë të sinqertë të Xhevit Kullës, ku rrëfehet sinqerisht se si shpalleshin armiqtë, se si të arrestonin pa të thënë pse, madje edhe pa qenë ti fare në një vend njgjarjesh mund të akuzoheshe se kishte qenë atje, pa të lejuar që të paraqisje alibinë tënde të vërtetë.
Po nga ta fillojmë historinë e fisit Kulla?! Një libër ndoshta do të ishte pak për të treguar rreth 100 vjet histori. Nëse gërmon në jetën e tyre ke për të zbuluar vetëm emra atdhetarësh, patriotësh të mirë që kanë luftuar për Atdheun pa e llogaritur humbjen e jetës. Jonus Zemblaku(Kulla) ka qenë pushkë e gatshme për atdhe që në kohë të moçme, kur shqiptarët luftonin për të nxjerrë jashtë trojeve turqit, madje emri i tij është në radhën e atyre burrave që më 1908 u mblodhën në Manastir, në Kongresin që na dhuroi alfabetin e sotëm, atje ku ishin At Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri dhe burrat e tjerë të mençur të kombit që i dhanë gjuhës së bukur shqipe alfabetin e pavdeksisë së saj.Atje, në Manastir duhej dhe pushka për të mbrojtur shkronjat e pavdeksisë, për t’i mbrojtur nga turqit dhe patriarkana.Prandaj ishte atje Jonuz Kulla.
Kudo kur atdheu jepte kushrimin dhe kishte nevojë për burra trima, atje ishte ai, Jonus Kulla i Zemblakut. Ngjarjet e Flamurit e të mvetësisë të Shqipërisë e gjejnë në Vlorë rreth plakut të Flamurit. Katër vjet më vonë, kur do të shpallej Republika e Korçës, e cila qe e rrezikuar nga grekët, kapedan Jonuz Zemblaku do të ishte përkrah Themestokli Gërmenjit.
Ai së bashku me Ganiun kanë qenë bashkëluftëtarë edhe me Spiro Bellkamenin, Kajo Babjenin, Sali Butkën, Mihal Gramenon; burra me zë e trima të njohur në histroinë e Shqipërisë.
Kur në qytetin e Lushnjës do të mblidheshin burrat që do t’i dilnin zot vendit që të ndalinin coptimin e mëtejshëm të Shqipërisë, atje do të ishte edhe Jonuz Kulla. Ai gjatë gjithë aktivitetit të tij ka qenë një barrikadë e pakalueshme për shovinistët fqinjë. Familaj Kulla është shquar për bindjet e saj nacionaliste dhe ka qenë e deklaruar si mbështetëse e Mbretit Zog.Jonuz Kulla ra në shtratin e vdekjes në vitin 1937 i bindur se detyrën e vet si ushtar i atdheut e kishte kryer ndershmërisht. Bijtë e tij qenë krenarë për trashëgiminë morale e atdhetare që u la i ati: shembullin se si i shërbehej me nder Atdheut! Kur erdhën komunistët në pushtet fotografitë e burrave trima që kishin luftuar për Shqipëri u censuruan, u hoq nga grupi i luftëtarëve Jonuz Kulla!
Nacionalistët, partizanët dhe vëllavrasja pas Mukjes
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia Fashiste, Ganiu dhe Ajdini rrëmbyen armët dhe krijuan çetat e para kundër okupatorit, madje çeta e tyre, që kishte për komandant Ganiun dhe komisar nipin e tij, Ajdinin, vendosi dhe mbajti kontakte me çetën partizane të Agush Gjergjevicës e Zija Pipos në katundin Shyec, ku u bisedua për koordinimin e veprimeve të përbashkëta mes nacionalistëve dhe partizanëve kundër gjermanëve. Të dy palët luftonin për Atdheun kundër pushtuesit që kishte zaptuar vatrat. Gjithçka u rrokullis pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes, pas së cilës komunistët i shpallën kundërshtarë dhe armiq nacionalistët e si pasojë erdhi vëllavrasja. Zemërgjërsia e Gani Kullës dhe zgjuarsia e të nipit, Ajdinit, i cili ishte djalë me kulturë dhe tepër inteligjent(zotëronte dhe tri gjuhë të huaja; anglisht, frëngjisht dhe italisht) bëri që të shmangej vëllavrasja në atë zonë deri në vitin 1944. Madje ata arritën që të lironin edhe nga duart e gjermanëve partizanë të arrestuar, siç ishte rasti i Hysen Treni-t, të cilin pasi e liruan, e përcollën jashtë zonës së rrezikshme. Ka shume raste të dokumentuara kur ndërhyrja e Ganiut dhe Ajdinit ka shpëtuar nag reprezalja fshatrat e zonës.Është e arkivuar ngjarja e fshatit Poncarë: Pas rrethimit të fshatit Poncarë, të nesërmen kishte arritur nëj forcë e madhe gjermanësh, që kishte tentuar të digjte fshatin e të bënte reprazalje. Ajdini dhe Ganiu arritën që t’ua mbushnin mendjen gjermanëve që në fshat nuk kishte asnjë komunist dhe se të gjithë ishin nacionalistë. Kështu që fshati shpëtoi nga djegia. E njëjta ngjarje u përsërit edhe në Menkulas. Këto fshatra shpëtuan nga reprezaljet dhe banorët e tyre nuk përfunduan në kampet famkeqe të shfarosjes, falë edhe kontributit të xhaxha e nip. Po me ndër hyrjen e Ganiut dhe të Ajdinit shpëtuan, duke u liruar nga burgu rreth 60 partizanë, shumica nga Bozhigradi. Të gjithë emrat e tyre janë të identifikuar dhe dëshmi e gjallë i veprimit të nacionalistëve. Ndërhyrja e të dyve bëri që të shpëtojë një masë e madhe fshatarësh të përfshirë me lëvizjen partizane, të cilët u qenë dorëzuar në besë.Ka dokumente që provojnë se Ajdini dhe Ganiu arritën që të shpëtojnë nga qelitë e burgjeve me dhjetëra partizanë. Ata mendonin se të dy palët, si nacionalistët dhe partizanët, luftonin për Atdheun, ndërsa çështja e pushtetit do të zgjidhej pasi të përzihej pushtuesi. Kjo i motivonte që të lironin vëllezërit e tyre nga burgjet e nazizmit.Nëse do të përpiqeshim të hartonim një listë me emrat që u shëptuan, e cila ruhet ende, ajo do të ishte shumë e gjatë:Ibrahim Suli, Kasëm Islami, Karafil Seiti, Salih Muka, Ahmet Elmazi, Qemal Alia, Habil Seiti, Shefqet Musa, Shefqet Ahmeti, Vesel Aliu, Nevrus Avduli, Ramadan Refati, Dajlan Nexhipi, Ahmet Banushi, Karafil Hasani, Faik Zeneli, Avdyl Iljazi, Shaban Ibrahimi, Emin dhe Mustafa Musa e dhjetëra të tjerë, ish partizanë nga fshati Bozhigrad(me përjashtim të Ibrahim Sulit), të cilët janë shpëtuar nga kthetrat e gjermanëve në sajë të ndërhyrjeve të Ganiut dhe Ajdinit.
Ka shumë histori që vijnë nga ajo kohë e largët, si mesazh për të kujtuar të djeshmen, jo për t’u hakmarrë, por thjesht për t’mos harruar e për t’mos u përsëritur.Njihet dhe një rast si ai Bido Bitinckës, i cili iu dorëzua në besë nacionalistëve dhe ata e lanë të lirë që të shkonte me gjithë armë në shtëpinë e tij. Ndërsa kur u vra prej partizanëve djali i Qamil Koshnicës, ky kishte arritur që të mbyllte një pjesë të madhe të fshatarëve në shkollën e fshatit Baban dhe kërkonte që të hakmerrej. Ndërhynë me autoritetin e njerëzve që u dëgjohej fjala edhe Ganiu edhe Ajdini dhe zemërimi i fshatarit, që i iku djali, u zbut, e fshati shpëtoi. Kjo ngjarje është përcjellë në dokumente të kohës e pohuar nga kryepleqësia e fshatit Baban si dhe nga dëshmitarët e shumtë, disa prej të cilëve ishin: Zydi Emini, Sefedin Mehmet Aliu, Asllan Qamili, Xhevahir Tefiku, Qamil Ajdini, Fehmi Shabani, Nexhdet Ymeri Mustafa Xhelili, Vehbi Hyseni e dhjetëra të tjerë.Nga ditaret e atyre që nuk rrojnë më janë përcjellë edhe të dhëna të tjera që tregojnë se deri para Mukjes gjithçka shkonte vëllazërisht. Është e dokumentuar psh se partizanët i patën dhënë Hamdi Babanit rreth 17 pushkë dhe patën porositur për marrëveshje me Kareman Viçanin, por kjo mbeti tentativë e parealizuar si marrëveshje. Arsyeja ishte se gjermanët sulmuan Zemblakun dhe korrieri i nacionalsitëve, Sulejman Ahmeti, arriti me vonesë dhe çeta partizane qe çvendosur nga Kreshpanji në drejtim të Pogradecit.
Pushkatimi i Gani dhe Ajdin Kullës
Përse i shkëputëm shembujt e mësipërm dhe i radhitëm me imtësi në këtë shkrim? Jo pa qëllim. Ganiu dhe Ajdini ishin nacionalistë idealistë.Ajdini qe i shkolluar në shkollën amerikane “Harry Fultz”. Xhaxha e nip luftonin për Shqipërinë dhe nuk e çonin kurrë ndërmend se një ditë bamirësitë e tyre në shpëtimin e jetës së partizanvë do të shpërbleheshin në mënyrë cinike duke u marrë jetën në mënyrë të përbindshme duke i vendosur përballë skuadrës së pushkatimit. Duke qenë se Ganiu dhe Ajdini nuk patën bërë krime ndaj popullit të tyre, duke qenë se dhe në çastet e fundit lista e “bamirësive” të tyre në drejtim të partizanëve ishte shtuar(kishin shpëtuar nga vdekja edhe Rahmi Aliun, Ismail Cakonji, Xhevit Jashar Zvezda e të tjerë), ata nuk u arratisën nga Shqipëria, por i besuan thirrjes mashtruese të komunistëve.Nëntori i vitit 1944 xhaxha e nip i gjenë në Shkodër, qëndresa e fundit antikomuniste.Pjesa më e madhe e nacionalistëve morën rrugën e ikjes, ndërsa xhaxha e nip, nuk po shkëputeshin dot nga toka ku qenë lindur. Tamam në atë kohë erdhi ajo thirrja fallse,thirrja mashtruese që kumtonte lajmin e gënjeshtërt, thirrja që mashtroi shumë atdhetarë :”Kush nuk ka lyer duart me gjak të mos ikë por të kthehet për të punuar së bashku për të rimëkëmbur Atdheun.”Kjo ishte thirrja e Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar. Ç’të bënin? Ta besonin thirrjen?! E besuan se qenë të pafajshëm; zbritën nag varka dhe u kthyen për të punuar së bashku për të rindërtuar Shqipërinë, siç shkruhej në Thirrjen mashtruese. Një qetësi e rremë deri në Elbasan, por atje; ëndërra kishte përfunduar. Sinqeriteti u ndëshkua. Ata i arrestuan pikërisht kur mbërritën në Elbasan.Ku ta dinin ata se nuk kishte më burra që lidheshin për fjalësh! Qenë dorëzuar në besë tek të pabesët!Xhaxha e nip do të provonin”ëmbëlsinë” e ferrit të torturave e deri tek skuadra e pushkatimit.U akuzuan si tradhëtarë të Atdheut ata që kishin luftuar një jetë për Atdhe. U torturuan shtazërisht dhe u trajtuan ç’njerëzisht thjesht pse ishin akuzuar se ishin kundër “vëllezërve” jugosllavë për derisa ai, Ajdin Kulla në akt-akuzë “qenkish koshient për Shqipërinë Etnike”!Edhe pse e pat të paralajmëruar vdekjen, Ajdin Kulla, nuk u ligështua.Ditët e burgut për të kaluan aktivisht:U mësonte të burgosurve anglishten.Ç’kurajo!
Qëndresa e tij do të shfaqej edhe në ditëvrasjen përpara skuadrës së pushkatimit.
Ja si e ka përcjellë Mërgim Korça në shkrimin e tij”Shqiptarët pushkatojnë shqiptarët që shumë e deshën Shqipërinë”, çastin e mbramë të atyre që pafajsisht u vendosën përballë skuadrës së pushkatimit:Të vënë në radhë, në vijë të zhdërvjellët për një dhe të lidhur me litarë, ndodhen para gropës së çelur enkas për t’i gëlltitur patriotët që do të pushkatoheshin, Gani Zemblaku sypatrembur së bashku me të nipin, Ajdin Kullën. Sheh Qerimi, patriot i shquar dhe gojëëmbli i përkryer, i lidhur tok me të birin, Saliun, të riun ballist të vendosur dhe e mbyll vargun Zyhdi Tapia, elegant si gjithëmonë(i veshur enkas sikur shkonte në dasëm), që mëkat kishte vetëm se e donte shumë Shqipërinë…Xha Ganiu, i rrahur me jetën si dhe më i moshuar, duke pasur frikë se mos në çastin e fundit para vdekjes të nipin do ta lëshonin nervat e tendosura, ngre krahun e lidhur, e pushton të nipin dhe e shtërngon në krahëror për t’i dhënë zemër të qëndrojë si burrat dhe për disa çaste.Por Ajdini trim, jo që s’kish nevojë t’i jepnin zemër por u dha zemër ët tjerëve me fjalët që ish partizani kalivaças (ai që e pushkatoi), dëshmitarë i gjallë i çasteve të fundit para vdekjes të Ajdinit, akoma sot, i kumbojnë në veshë fjalët :”…. amanet Shqipërinëëëë!”
Testamenti i Ajdin Kullës
Po vritem si shqiptar dhe jo si tradhëtar….të rrojë Shqipëria, të rrojë Flamuri Kombëtar!Amanet Shqipërinëëë!…”.
Ky qe thelbi I Testamentit që shkroi më 18 qershor 1945 dëshmori i Nacionalizmës Shqiptare, Ajdin Kulla. Pas dy ditësh, pikërisht me 20 qershor 1945 ai do të ishte përballë atij, partizanit nga Kalivaci, i cili në emër të dashurisë për Atdheun dhe Partinë Komuniste, do t’i zbrazte plumba në krahëror djaloshit 32 vjeçar, Ajdin Kulla, me besimin se ky na paskish tradhëtuar partinë e partizanit nga Kalivaçi, Atdheun dhe “vëllezërit” Jugosllavë! Po pse thërriste:” amanet Shqipërinë” djaloshi nga Zemblaku, po të kish qenë tradhëtar?!Testamenti i Ajdin Kullës mbetet një akt-akuzë e rëndë për sistemin komunist. Ia morën jetën në mënyrën më të pabesë.U vra pse besoi në idealin për të cilin kishte lënë nxënësit dhe pat rrokur pushkën. Atëherë ëndërra e tij për ta patur Kosovën së bashku me Tokën Amë dukej e realizuar, Shqipëria dhe Kosova ishin një. Por pas lufte u pa se gjithçka qe e përkohshme, “vëllezërit” komunistë jugosllavë nuk do ta lëshonin aq lehtë Kosovën . Ata kishin më shumë se një shekull që përkundnin veten nën legjenda dhe mite të rremë se qenë autoktonë aty dhe se Fushë-Kosova qe djepi i miteve serbe! Dhe shpikën “Barazi-vëllazërimin” duke patur për ndihmë edhe vëllezërit komunistë të Shqipërisë Amë. Ajdin Kulla nuk e besoi për asnjë çast gënjeshtrën vëllazërimit sipas Internacionalizmit proletar dhe besimine vet nuk e shkeli as përballë hetuesve, as përballë skuadrës së pushkatimit.
Po ç’pat ai zemërkatrani, (nuk ka mbetur i dënuar pa e mallkuar), ai Navzat Haznedari, që e çoi në plumb?!Ajdin Kulla qe nga ata djem që shquheshin për atdhetarizëm që në bangat e Normales, ku studionte pasi kishte mbaruar tri vjet në shkollën Harry Fultz.Edhe ai, që do të bëhej xhelati i djemve të Nacionalizmit, Nevzat Haznedari qe nxënës po në Normalen e Elbasanit. Madje që të dy kundërshtarët e ardhshëm atëhere qenë në të njëjtën klase. Por ndërsa Ajdini ishte studenti më i mirë i Normales dhe në fundin e shkollës e kishin nxjerrë më të dalluarin; e kishin privilegjuar duke e ulur me trupën mësimore, për ta veçuar si më i miri i shkollës, ruhet dhe një fotografi e asaj kohe, ku Ajdini ka dalë në fotografi me ekipin e pedagogëve të shkollës. Madje është i vetmi student mes pedagogëve. Nevzat Haznedari, përkundrazi, qe nga ata që mezi shtyhej për ta kaluar klasën. Ka dhe një ndryshim tjetër mes të dyve; Ndërsa Ajdini kishte dalë në shesh për ta pritur me protestë pushtimin fashist të Shqipërisë, ai Nevzat komunsti do të vishte këmishën e zezë të xhelatëve pushtues dhe qe regjistruar në radhët e rinisë fashiste! Ajdini nuk pranoi që të vishte këmishën e zezë me të cilën u kapardis ca kohë Nevzat Haznedari. Nuk është për t’u çuditur se si një ish fashist bëhet komunist. Zhelio Zhelev, e thotë qartë se komunizmi dhe fashizmi janë fqinjë të afërt. Të dy instalojnë diktatura. Prandaj nuk e pat të vështirë ai Nevzat Haznedari që nga fashist të bëhej një ndër komunistët më të betuar(tërbuar). Se mos është vetëm ai nga lloji i komunistëve që ksishte hyrë në radhët e komunsitëve përmes portës së fashizmit?! Pse nuk qe i tillë edhe kryeprokurori Bedri Spahiu, i cili i ropi të gjallë nacionalistët, madje edhe këngë këndonin për të:
Reaksionaret por si miu
I dënon Bedri Spahiu….
Kryprokurori Bedri Spahiu pat kohë që të reflektonte pasi do të fitonte mërinë e ustallarëve të vet. Kur e provoi në shpinë të vet torturën dhe akuzat fallco e pa se sa e pështirë ishte raca e komunistëve. Dhe i mallkoi…Por le të kthehemi tek Haznedari që i kumtoi vdekjen e idealistit nacionalist. Atij nuk do t’i dridhej qerpiku kur do t’ia kumtonte vdekjen ish shokut të klasës.Dhe Ajdin Kulla kurrë nuk ia dha kënaqësinë që mezi priste xhelati; nuk u përul. Edhe para skuadrës së pushkatimit Ajdini do të çudiste ata pak që qenë dëshmitarë të aktvrasjes. Zëri i tij i fuqishëm-Amanet Shqipërinë!,- do të ishte më shumë se sa aktakuzë kundër përbindshëve që merrnin jetë të pafajshme pse kërkonin Shqipërinë me Kosovë e Çamëri….
Ditari i Xhevit Kullës
Jonuz Kulla la katër djem:Belul, Ajdin, Xhevit dhe Nazmi Kulla.Xhevit Kulla, detyrohet që të bashkohet me radhët e Brigadës së dytë, duke iu përgjigjur urdhërit, që çdo derë duhej të dërgonte një mashkull në radhët e ushtrisë. Ka qenë fundi i vitit kur ai do të bashkohej në Terovë të Pojanit me Brigadën. Komandant pat Neshat Kondi. Që atë ditë do të niste aventura që më vonë do ta rraste nëpër burgjet e kampet e internimit. Nga Tërova në Rëmënj e Zërvaskë. Parakalimi u bë në Pogradec, ku kishte shkuar Beqir Balluku.Aventura vazhdon; në këmbë ecin natë e ditë në gjurmë të kundërshtarëve që kishin mbetur maleve.Ditë të ftohta dimri. Ata ecnin majë maleve.15 ditë në mes të dëborës.Duke qenë se ditarin do ta paraqesim në numrin e ardhshëm, po ndalemi kalimthi në ngjarjet dramatike, të cilat u rrokullisën në një mënyrë marramendase sa as vetë personazhi ynë nuk e kuptoi se si morën atë rrjedhë:Xheviti sëmuret; i dëmtohet syri i djathtë, doktori e kishte strehuar në një kasolle më vete. Kur u çvendos brigada për në Kpashticë në ndjekje të dy personave që kishin ikur nga burgu, Xheviti nuk e mori vesh, pasi qe i izoluar. Atëhere ndodhi një ngjarje që nuk deshën ta besonin shumë nga ata që e dëgjuan; 20 ushtarë të brigadës dezertuan dhe kaluan kufirin duke shkuar në Greqi. Komandanti i Brigadës bëhet xhind dhe në pamundësi për të gjetur fajtorët që kishin ikur, arreston katër ushtarë. Pas çvendosjes së brigadës nga kufiri shkojnë dhe e marrin Xhevitin e sëmurë dhe i thonë se do ta çonin tek komandanti, i cili gjoja e kërkonte për një problem të rëndësishëm. Kur mbërriti në vendstrehimin e komandës, nuk po kuptonte asgjë se çfarë po ndodhte.Por shpejt do ta kuptonte sapo do të shkelte tek pragu; një pengec në hyrje, hundët gjak dhe seanca e pyetjeve të njëpasnjëshme.
-Di greqisht ti Xhevit-
-Jo
-Po italisht
– Jo de nuk di…
– S’do të tregosh ti…? E shpallën të rrezikshëm. I vunë roje tek dera. Aty qenë sjellë edhe katër të arrestuarit e tjerë për ngjarjet në kufi.Kur po kryhej seanca e pyetjeve, njëri prej të arrestuarve, një djal guximtar prej Shkodre, rrëmben pushkën e rojes dhe ia nis të shtënave.Dy orë luftë.Kur shkodranit i mbarohen fishekët, e kishet ruajtur një për veten. Vrau veten.Xheviti ngjarjen më shumë e dëgjoi se sa e pa; e dëgjoi nga bodrumi ku e kishin lidhur këmbë e duar….Po si rrodhën ngjarjet e mëvonshme? Si u dënua Xheviti, ku e kaloi dënimin dhe çfarë përfitoi pas vizitës së Mehmet Shehut në burg, si e priti e fejuara 11 vjet, ridënimi përsëdyti, internimi… I lëmë për radhën tjetër ngajrjet e kësaj natyre, ku të shfletojmë ditarin e tij… Le të ndjekim fatim e familjes Kulla…
Arratisja e vëllait të vogël, Nazmiut
Fati i familjes Kulla qe i paracaktuar që me arrestimin e Ganiut dhe Ajdint, që përfunduan në plumba. Pas tyre qe radha e Xhevitit që kurrë nuk arriti ta kuptoi se çfarë faji kishte kryer; më pas do ta kishte radhën që të hynte në burg Beluli. I vogli i vëllezërve, Nazmiu, e përjetoi thellë dramën e më të mëdhenjëve. Zemra do t’i dridhej kur do të mësonte pushkatimin e Ganiut dhe Ajdinit. Viti 1945 do ta gjente aty në vendlindje në Zemblak, por jo në shtëpinë që i kishin lënë trashëgim të parët. Që andej i kishin nxjerrë sapo kishin ardhur në fuqi komunistët. Ata jetonin në haur kafshësh. Jetën mezi e shtynin. Gjithçka u qe konfiksuar, pasuria, shtëpia, bagëtia. Edhe pse ua patën sekuestruar pasurinë sërish u kërkonin të paguanin tatimet e larta të shtetit. U detyruan që të shisnin deri edhe kalin e vetëm që u patën lënë. Çdo ditë jeta bëhej më e vështirë. Sa lanin një plan mbërrinte tjetri. Kërkonin t’i gjunjëzonin. U duhej që të blinin misër në treg të Elbasanit me çmim të kripur dhe të lanin planin e tatimit që u vinte shteti.Por mbi të gjitha jeta ishte e pasigurtë, cdo njerin nga fisi Kulla po e arrestonin radhazi.
– Në këto kushte Nazmiu thuri në mendje planin e arrastisjes, të cilin e realizoi me shumë kujdes. Me vete mori edhe dy nipërit, të cilët kërkonte që t’i hiqte nga thonjtë e diktaturës, e cila nuk kishte për t’u rezervuara tyre të ardhme tjetër veç atë të parardhësve që i pat rrasur burgjeve. Nipërit qenë djem të vegjël; Muhameri dhe Samiu .Rruga e vështirë e mërgimit për ta nisi me arratisjen në Greqi. Forcat e matanë kufirit, i cuan në kampin grek. Muhameri dhe Samiu, që qenë fëmijë, e ruajnë ende në kujtesë kapërcimin e vështirë të kufirit dhe vështirësitë e jetës nëpër kampet greke. Për tre vjet Nazmiu me të dy nipërit do të përballej me jetën e vështirë të kampeve greke. Pas tre vjetësh ai do të merrte rrugën për në Gjermani. Aty do të qëndronin edhe dy vjet të tjera derisa, pas dy vjetësh do t’i merrnin amerikanët dhe do t’i nisnin drejt kontinentit të largët, ku do të kalonin gati 50 vjet pa i parë dhe pa marrë lajme për pjesën tjetër të familjes e cila ndërkohë dergjej ca ndër burgje e ca ndër kampe internimi e ferma bujqësore në zona të izluara, nga ku të mos kishin mundësi që të arratiseshin. Beluli, më i madhi i djemve të Jonuzit, kaloi jetën nëpër kampe; në Peqin, në Bishqem, në rrethinate Divjakës, për të përfunduar në kampine Savrës, ku edhe do të vdiste. Në rrethinat e Lushnjës qe i internuar edhe Nesheti me Vedatin. Lufta e klasave i kositi të gjithë, edhe kushërinjtë do të përfundonin kampeve të internimit. Mediu dhe Tefiku, bijtë e Sabriut , u internua në Çermë, Savër, Gjazë të Lushnjës.
– Ditët e para të përmbysjes së sistemit komunist fisin Kulla e gjeti të shpërndarë; ca në Amerikë, ca në Kanada , ca në Austri, ndërsa një pjesë ende dergjeshin kampeve të përqëndrimit apo në zonat e izoluara bujqësore.
Sami Kulla:U arratisëm jo për të fituar dollarë
– Sami Kulla, në bisedën që bëmë të dielën pasdite me 4 prill më sqaron se është arratisur nga Shqipëria jo në moshën 12, por 15 vjeçare. Atëherë shteti e kishtë dërguar që të punonte vullnetar në hekurudhë.
– Ndodhesha në Fushë-Mbret, kujton ai. Nazmiu qe ushtar atëherë dhe e njihte mjaft mirë vijëne kufirit. E dinte shumë mirë se kur dhe si duhet të kalohej kufirit, megjithse nuk qe gjë aq e lehtë. Na u desh që të kalonim 6 seri të minuara. Por gjithçka kaloi pa pasoja ngaqë së bashku me ta ishin edhe Bilal Kalaja me të shoqen Shega, Doko Kalaja, Alithemiu, që qe specialist i minave, përvojë që e kishte fituar në ushtri.Kalimi i kufirit u bë me 3 shtator 1950
– Bashkimi me të afrmit e tjerë, Samiu kujton se u bë në kampin e Lavros, Greqi. Ai kujton se atëherë pati një ftesë nga vajza e Ganiut, babai i sëcilës qe pushkatura me 20 qershor 1945. Ajo pat ikur shpejt në Kanada dhe e ftoi edhe Samiun që të shkonte atje. Por përgjigja e Samiut qe e prerë:- Ne nuk kemi lënë Shqipërinë për të fituar dollarë, ne kemi dalë që të armatosemi, të stërvitemi dhe të kthehemi që të çlirojmë Shqipërinë nga Komunizmi.
Kur morëm rrugën për jashtë Shqipërisë ne kishim dëgjuar për krijimin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe mendonim se duhej të përgatiteshim për t’u rikthyer për ta çliruar vendin, por ashtu si rrodhën ngjarjet qe e pamundur.
Dështimi i desantimeve, tradhëtia e anglezit Filbi, kapja e Hamit Majanit , loja e Sigurimit Shqiptar, bëri që të kërkonim rrugë të tjera nëpër botë… Dhe Samiu mori rrugën drejt Francës, ku qëndroi shumë vite, më pas do të shkonte në Kanada, e pasi do të rrinte ca vite edhe atje, do të merrte rrugën drejt Amerikës…… Kudo që shkoi, Samiu la gjurmët e derës dhe fisit nga vinte. Pronari francez edhe tani e kujton sjelljen e tij ët përsosur. Madje, para ca kohësh, kur një grup specialistësh të bujqësisë(agronomë) nga Shqipëria kishin shkuar në Francë, pikërisht në zonën ku ka pas jetuar dhe banuar Samiu, pronari francez, pasi i kishte pyetur se nga vinin, kishte lëvduar shumë shqiptarin Sami Kulla, që dikur kishte punuar për të. Shqiptarët e kishin ndjerë veten të përkëdhelur në sedër dhe njëri prej tyre i kishte telefonuar Samiut. Dhe ia kishte rrëfyer me krenari lëvdatëne francezit…Ndërsa kur ishte në Kanada, nuk numërohen rastet e bamirësisë së tij ndaj shqiptarëve. Kur gazetat e Torontos flisnin për një shqiptare që mbeti rrugëve pas aksidentimit të të shoqit, dhe pa mundësi jetese, Samiu iu gjend për shumë kohë, derisa i shoqi iu rimëkëmb. Nuk është ky i vetmi rast, ndërkohë që në Cunnectikat, ku është vendosur prej kohësh, nuk numërohen mirësitë e tij ndaj shqiptarëve të porsa ardhur.Derë e hapur këtu në Amerikë si dikur dera e madhe në Zemblak…
Syrgjynosja e së shoqes dhe të birit të Ajdin Kullës
Në kohën kur Ajdin Kulla përgatitej për jetën e përtejshme; në kohën kur ai shkruante testamentin e tij të pavdeksisë, e shoqja Fidaria, qe nuse e re. Në testamentin e tij Ajdini lë vend edhe për shoqen e jetës, fatin e tij, që e pat dashur aq shumë. I ka shkruar përmes Testamentit nënës së tij, padyshim dhe vëllezërve. U është lutur përmes rreshtave të asaj letre-testament:”Pyeteni nusen nëse mbas pushkatimit tim ajo do të dëshirojë të qëndrojë e pamartuar apo jo….”
Shoqja e tij e jetës, Fidaria nuk u nda nga fati i saj i parë, edhe pse ai kishte ikur nga kjo botë aq shpejt. Bashkshortja besnike e lidhi jetën e vet, me djalin Jonuzin dhe me vajzën Luden.Mëma e gjorë u lidh fort pas fëmijëve dhe i mbrojti ata nga të këqiat e asaj jete plot rreziqe;për 40 e ca vjet jetuan të internuar në kodrat e Dumresë, diku në rrethinat e thella të Belshit.Pikërisht i biri i Ajdinit, Jonuz Kulla, që mban emrin e Jonuzit, luftëtarit që pat komanduar trimat e asaj ane, të cilët patën luftuar kundër turqëve, grekëve, bullgarëve, i pat treguar profesorit të shquar, historianit të Kosovës, Zekeria Cana, aktakuzën e tmerrshme”Ajdin Kulla dënohet për agjitacion dhe propagandë, koshient për Shqipërinë Etnike!” Kjo ka ndodhur atë ditë, ku gjithçka qe ndryshe: Qe shembur komunizmi si sistem(I vetmi privilegj që u krijua për të përndjekurit që zhvarrimi dhe rivarrimi).
…. Ngjarjet zhvilloheshin po atje, ku qe hapur ajo gropa e madhe, ku me 20 qershor 1945 qenë pushkatuar si tradhëtar ata trima që ranë mbi njeri-tjetrin me thirrjen :”Rroftë Shqipëria…Rroftë Flamuri! Ndërsa Ai, 32 vjeçari, Ajdin Kulla, që në çastin e largimit nga burgu drejt vendvrasjes, i pat ngritur peshë zemrat e të burgosurve antikomunistë, duke u lënë amanet Shqipërinë. Ishin të njëjtat fjalë që i dolën nga gjoksi edhe në kohëpushkatimin:Amanet Shqipërinë! Pikërisht atë ditë të ngrohtë vere të vitit 1992, mizëri njerëz qenë mbledhur pranë gropës, ku preheshin të pushkatuarit e pafajshëm pse deshën Shqipërinë. Aty pranë gropës pat ardhë atë ditë edhe Fidaria 80 vjeçare, e cila 47 vjet të shkuara, në një natë pa hënë, pat rrezikuar jetën e vet. Ajo pat ardhur aty tek gropa së bashku me gra të tjera si; të shoqen e Zyhdi Tapisë, të bijën e Sheh Qerimit dhe gra të tjera dhe pasi patën hapur gropën, secilit trup i kishin vënë përbri nga një shishe të taposur me nga një letër ku shkruhej emri i seicilit. Ditën që u gërmua gropa pas 47 vjetësh, njerëzit shtangën kur i panë dy skeletet përmbys, ku krahu i njërit ende qëndronte mbi shpatullën e tjetrit, ishin ata; xhaxha dhe nip, Xha Ganiu, i quajturi beu i Zemblakut dhe i nipi, Ajdini.Në atë ceremoni rivarrrimi, i biri i Ajdinit, nxjerr kopjen e Vendimit të Gjyqit, ku shkruhej e bardha mbi tëzezë:”Ajdin Kulla…Gjykata Ushtarake e dënon me vdekje… koshient i Shqipërisë Etnike”…
Po çfarë mendon sot i biri Ajdin Kullës-Jonuzi(i riu)?
Jonuzi e ka përjetuar gjatë humbjen e të atit, Ajdinit. Ai qe një ndër ata që së bashku me nënën dhe të motrën e provuan në shpinë peshën e vuajtjes. Ishin me baba të pushkatuar dhe kjo ishte e mjafët për t’u futur në radhën e të padëshiruarve të rrezikshëm. Por ai nuk do të flasë për vuajtjet e veta, të motrës dhe të nënës nëpër kampet e internimit.
– Ata na kishin vënë në shënjestër dhe ne ishim të destinuar që të vuanim, ndërsa një pjesë jona qe kontigjent për vdekje, më thotë ai dhe parashtron faktet: Pas pushkatimit të Xha Ganiut dhe tim eti, i erdhi radha që të arrestohej Beluli, Mediu, Tefiku, Hymeti.Po i vinin rrotull Nazmiut, vetëm ai pat mbetur dhe si duket ata kishin pritur që të rritej dhe pak. Kur ata po i afroheshin, Nazmiu mori nipërit dhe u arratis. Mos harro se një pjesë ashtu shpëtuan, duke u arratisur; kanë ikur 60 burra dhe gra prej Zemblakut.Nga shënjestra e diktaturës nuk shpëtuan as nipërit, thotë Jonuzi dhe rreshton emrat e Kullëve të tjerë:Hado, Enveri, Sefedini, Fikriu, Selmani, Qerimi….Kush s’mundi të largohej përfundoi në pranga; Faslli Kulla vdiq në tortura, qe vetëm 17 vjeç, se ç’farë i sajuan një aktakuzë koti; ka qenë korrier i diversantëve; Shaban Kulla kaloi 10 vjet në burg, sapo u lirua, vdiq….Jo vetëm nipërit, por edhe kushërinjtë u përcaktuan të padëshiruar. S’bënë përjashtim nga ky rregull as Feridi dhe Muhameri,(jo ky që u arartis) Ibrahimi, Avniu, Mustafaj…Një pjesë vdiqën internimeve si gruaja e Mediut, Kalemi dhe Hedija prindërit e Selmanit….
Pas hesh ca çaste Jonuzi shpërthen:- A e beson se ata, Ramiz Alia me të vetët e realizuan atë që deshën? Na përzunë të gjithëve nga Shqipëria, edhe ne që qemë nëpër kampe u detyruam të merrnim rrugët e mërgimit. Nuk na kanë kthyer asgjë nga pasuria jonë. Dhe kjo është bërë me qëllim të lig. A e ke vënë re se kosovarët janë më të lidhur me Kosovën? Ata janë të motivuar, kanë atje një tokë, kanë një shtëpi, kanë diçka, ndërsa ne asgjë nuk kemi tonën. edhe shtëpinë e madhe tonën, vetëm në letra e kemi…Pse ç’është Atdheu? Ja ajo shtëpia, ajo toka, që ende se kemi toonë…Atdheu nuk është në ajër…..
Vizita e Mbretit
Pushimi i Mbretit Zog i në shtëpinë e Kullëve në Zemblak është përfolur shpesh nga shtypi. Është e vërtetë se Mbreti ka qëndruar në atë shtëpi dhe është pritur me gjithë të mirat. Aty familja mbretërore ka qëndruar një natë. Pasi ata u plotësuan me dokumentacionin e nevojshëm nga pala greke, morën rrugën për matanë. Oficeri i Gardës Mbretërore Medi Kulla si dhe Gjeneral Aranitasi, shoqëruan oborrin Mbretëror deri në Follorinë.Por nuk është e vërtetë ajo që shkruan shtypi se gjoja ishte vetëm ajo vizitë që e bëri Zemblakun fshat me biografi të keqe. E vërteta është ajo që u shkrua në radhët e këtij shkrimi:Zemblaku qe një fshat nacionalist dhe bijtë e tij u çuan në plumb, ndërsa ata që mbetën gjallë provuan burgjet, internimet dhe survejimet. Është shkruar se Kullët nuk qenë me Mbretin, por qenë të inkuadruar me Ballin. Në të vërtetë Jonuz Kulla-Plaku, qe emëruar nga Mbreti Oficer rezerve. Ai, Jonuzi, qe krenar për këtë titull dhe e justifikoi atë deri në ditvdekjen e vet.
Në vend të mbylljes…
Familja e madhe Kulla, deri në kohën kur komunizmi nuk kishte ardhur në fuqi, jetonte e bashkuar në Sarajet e veta. Kjo familje me tradita fisnike , e njohur edhe për bujari në të gjithë zonën, numëronte në radhët e veta 43 pjestarë. Ajo qe krenare se futej ndër ato familje që i kishte dhënë Shqipërisë luftëtarë në çdo brez. Jo vetëm pse, Jonuz Kulla-Plaku, qe luftëtar i njohur dhe me çetën e tij pat firmosur në të gjitha luftrat: Në Kapshticë, me 1910, 1911, 1912, në Zvezdë, Pojan pat luftuar me bullgarët, ku la të vrarë luftëtarët e tij besnik Muharremin me gjithë të kushëririn,të atin e Mazarit e të atin e Hamdiut; të cilët qenë nipër të Jonuzit. Jonuzi me çetën e tij u përpoq të merrte hak për masakrat e grekëve, të cilët pasi mblodhën burrat e Plasës së Poshtme të Korcës, i futi të gjithë në xhami dhe i kositi me plumba;kurse fëmijët e vegjël i nxori në lëmë dhe i shtypi me kuaj…Jonuzi me çetën qe krahu i djathtë i francezëve për të mbrojtur Korçën. Në ato luftime Jonuzi do të merrte një plagë në këmbën e djathtë , që do ta linte me shenjë gjatë të gjithë jetës. Kur gjenerali francez u kërkoi korçarëve një njeri besnik që ta shoqëronte Korça zgjodhi Sabrinë, vëllanë e Jonuzit, pasi vetë Jonuzi tashmë e tërhiqte zvarrë këmbën e plagosur në luftë kundër austriakëve. Pas ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku mori pjesë edhe Jonuzi, ngjarjet u çvendosën në Korçë. Themistokli Gërmenji bashkë me Jonuzin, marshuan me luftëtarët e tyre nga Pogradeci në Pllocë, në Potgorije, Shëngjergj, Pojan, Pendavinj, hynë dhe në Korçë dhe valvitën flamurin kuq e zi me shkabën dykrenare. Ka qenë ruajtur një fotografi hyrja e tyre triumfuese, por pas ’45-sës, fotografia e Jonuzit u hoq. Atij i qe prishur biografia, edhe pse pat vdekur që më 1931.
Parimi i luftës së klasave do ta gjakoste familjen Kulla, duke u hequr të drejtën e jetës disa prej pjestarëve të saj, të tjerët i stërmundoi dhe i syrgjynosi kampeve të internimit dhe burgjeve.
Ja bilanci i masakrimit të kësaj familje:
Të pushkatuar
1- Gani Kulla 1945
2- Ajdin Kulla 1945
3- Rapo Kulla 1945
4- Fuat Kulla 1951(Varur në litar)
5- Fazli Kulla 1951(Vdiq në burg gjatë torturave)
Të burgosur
1-Xhevit Kulla
2- Belul Kulla
3- Medi Kulla
4- Tefik Kulla
5-Hymet Kulla
6-Shaban Kulla
7-Ridvan Kulla
Pjestarët e tjerë të kësaj familje provuan jetën me apel nëpër kampet e internimit, punën e vështirë në zona të izoluara të Shqipërisë dhe mohimin e arsimimit të fëmijëve
shefqet says
Nje shkrim historik qe pasqyron qarte kontributin e fisit Kulla ne cdo levizje patriotike te shqiptareve si dhe vuajtjet e tyre gjate rregjimit komunist. Vlerat e ketij fisi i bejne nder jo vetem Devollit por gjithe Shqiptareve.
urimet me te mira per zotin Dalip Greca qe sjell ne vemendjen e lexuesve te Diellit kete familje fisnike me histori te vecante.
Shefqet Kercelli