• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Basha: Beteja e opozitës, zgjedhje të lira e të ndershme

August 6, 2016 by dgreca

Kreu i PD-së Lulzim Basha thotë se beteja e opozitës mbetet vendimtare për Zgjedhje të Lira e të Ndershme.

Në një njoftim për shtyp, Bashas tha në një deklaratë të shpërndarë për mediat, se tashmë vendimi është marrë.

“Edi Rama me një grusht mercenarësh mediatikë po përpiqen të shpikin fijen e kashtës në PD për tu kapur si i mbyturi. E njëjta intrigë që i doli huq në planin e tij për të kapur drejtësinë duke përjashtuar opozitën. Të njëjtat mendje të prishura që mbështetën atë kundër konsensusit për reformën në drejtësi sepse ashtu do të përçante opozitën. Nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Vendimi është marrë. Është një vendim popullor i pakthyeshëm”, deklaroi kreu i opozitës.

Filed Under: Politike Tagged With: Basha: Beteja e opozitës, të lira e të ndershme, zgjedhje

ELITAT SERBE QË NXITËN DHE JUSTIFIKUAN GJENOCIDIN

August 6, 2016 by dgreca

Gjenocidi ndaj shqiptarëve në Ballkan/

Nga Adil FETAHU/

Se ndaj shqiptarëve në Ballkan është kryer gjenocid nga regjimet fashite të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, kjo është e ditur botërisht dhe mund të vërtetohet me mijëra argumente, dëshmi e dokumente të pamohueshme, edhepse deri më sot nuk kemi asnjë rezolutë apo aktgjykim për këtë lloj krimi më të rëndë që njeh drejtësia ndërkombëtare.  Dhe ai gjenocid është kryer në disa valë, në vazhdimësi qe afro dy shekuj. Por, në qarqet zyrtare të shteteve që kanë kryer gjenocidin, as në ato ndërkombëtare, madje as në ato shqiptare, akoma nuk ekziston një mendim i prerë, një rezolutë apo deklaratë relevante zyrtare për gjenocidin e kryer ndaj Shqiptarëve. Gjenocid është bërë edhe ndaj Boshnjakëve, edhe ndaj Gjermanëve të Vojvodinës. Derisa ndaj  Shqiptarëve dhe ndaj Gjermanëve është kryer gjenocid  kryesisht në baza kombëtare, ndaj Boshnjakëve  është bërë në baza fetare. Për planifikuesit dhe ekzekutorët e gjenocidit, Shqiptarët dhe Boshnjakët duhej zhdukur nga faqja e dheut, apo duhej nënshtruar që kurrë të mos bëhën faktor i cili “paraqet rrezik” ose pengesë për projektet hegjemoniste të Serbisë së Madhe, Greqisë së Madhe apo Malit të Zi. Ç’është më keq, asnjë institucion shtetëror, shkencor, kulturor apo fetar i shteteve gjenocidale, nuk e ka gjykuar gjenocidin, as nuk ka kërkuar falje (ndonëse kërkimfalja nuk do të thotë asgjë). Përkundrazi, ato  me platformat, planet dhe programet e tyre, e kanë nxitur e ndihmuar përgatitjen dhe kanë justifikuar zbatimin e gjenocidit. Krimet e gjenocidit, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, i kanë reduktuar e adresuar si krime të individëve apo të grupeve joformale, “të pakontrolluara nga shteti”, gjë që nuk është aspak e vërtetë, ngase ato i kanë kryer organizmat e shtetit: ushtria, policia, formacionet e tjera të organizuara, të financuara dhe të kontrolluara nga shteti. Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, edhepse kishte prova e argumente të mjfatueshme për ta kualifikuar luftën në Kosovë si gjenocid, edhepse në aktgjykimet e veta kundër kreut politik, ushtarak e policor (dmth. kreut shtetëror të Serbisë/RFJ), shqiptoi kualifikimin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”,  ajo Gjykatë nuk e fajësoi as dënoi  shtetin apo ndonjë organizatë politike, fetare a kulturore për gjenocidin, veçse përgjegjësinë e individualizoi në disa persona, të cilëve iu shqiptoi dënime të lehta në krahasim me krimet e kryera në shkallë gjenocidi. Gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, të viteve 1876/78, 1912/14/18, 1941/45, e 1998/99, nuk e dënoi as pranoi ndonjëherë asnjë organizëm apo individ në Serbi. Ndonjë individ i dënoi krimet monstruoze të soldateskës serbe, pa e përmendur fjalën gjenocid, si Dimitrije Tucoviqi, Kosta Novakoviq, Dushan Popoviq e ndonjë tjetër gjatë luftërave ballkanike, apo Natasha Kandiqi për luftën e fundit, por ata janë zëra të vetmuar, të izoluar e të urryer nga shteti, nga kisha, nga shkenca dhe nga populli i ushqyer me urrejtje patologjike ndaj Shqiptarëve si komb, dhe ndaj Islamit si fe. Një rezolutë për gjenocidin e kryer në Srebrenicë në vitin 1995, e miratuar nga organizmat ndërkombëtare,  nuk i mbulon as përsëafërmi përmasat e gjenocidit të kryer ndaj Boshnjakëve gjatë luftës së fundit. Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, është zëri i parë nga fatorët ndërkombëtarë që publikisht e ka thënë, në një intervistë  në TV-n publike gjermane ARD, se “Asnjë qeveri nuk ka vepruar me minoritetet ashtu siç ka bërë Millosheviqi në Kosovë, ku ka vrarë, dëbuar dhe ushtruar gjenocid ndaj popullsisë shqiptare”.

Për krimet dhe gjenocidin grek të kryer ndaj shqiptarëve në Çamëri ( prej vitit 1913 deri më 1945), dy-tre shkencëtarë, historianë grekë, në studimet e tyre argumentuan dhe pohuan se ndaj Çamëve (myslimanë) është kryer gjenocid. Këtë e kishte bërë i pari profesori grek në Universitetin Yale (ShBA), z.Stathis Kalivas, ndërsa herën e dytë këtë e bënë profesorët grekë të Universitetit Pandio (të Greqisë): Lambros Buciotis dhe Konstatinos Ciceliqis (dhjetor 2009). Mirëpo, edhe ata janë zëra të vetmuar, pasi politika, shteti dhe kisha greke jo se e pranuan dhe dënuan gjenocidin, por çdoherë e mohojnë se çamëve  bile as u janë shkelur të drejtat fare! Shoqata Demokratike “Çamëria”, me seli në Holandë, në shkurt të këtij viti ia ka paraqitur Gykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, dosjen me katër kërkesa për popullsinë e Çamërisë: l) që Gjykata të vërtetojë se ndaj popullsisë çame shteti grek ka kryer gjenocid, 2) që të gjykojë krimet kundër njerëzimit që ka bërë qeveria (qeveritë) greke, në vazhdimësi prej vitit 1913 deri më 1945, 3) që t’i urdhërojë shtetit grek, të lejojë riatdhesimin e popullsisë së shpërngulur me dhunë e terror, dhe 4) që popullit të Çamërisë t’iu kthehen pronat e marruna.

Krimet monstruoze që kanë kryer mbi shqiptarët regjimet fashiste të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, përmbajnë të gjitha tiparet, elementet dhe motivet të cilat  cilësohen si gjenocid, në kuptim të (nenit 2) Konventës së OKB-së për Ndalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit (rezoluta Nr.260, datë 9 dhjetor 1948). Sipas definicionit të asasj dispozite, gjenocid paraqet veprimi që ka për qëllim: 1) zhdukjen e tërësishme ose të pjesërishme të ndonjë grupi kombëtar, etnik apo religjioz, si  dhe vrasja e anëtarëve të grupit; 2) lëndimi (dëmtimi) i rëndë i integritetit fizik apo shpirtëror të anëtarëve të grupit; 3) imponimi i qëllimshëm i kushteve të jetesës, me synim të zhdukjes fizike të plotë ose të pjesërishme; 4) masat me qëllim të parandalimit të lindjeve  në kuadër të grupit; dhe 5) zhvendosja e dhunshme e fëmijëve prej një grupi në tjetrin. Secili veprim (krim) i përmendur në dispozitën e cituar, veç e veç, paraqet gjenocid në vete. Ndërkaq, në rastin e shqiptarëve nën pushtimin sllavo-grek, gjenocidi është kryer në katër format e para (1-4) të përmendura më sipër. Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në vitet 1876-77, kur ka vrarë shumë shqiptarë dhe i ka shpërngulë me dhunë e terror nga rajoni i Toplicës. Ka kryer gjenocid gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore (1913-1918), gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-45), dhe në luftën e fundit (1998/99). Por, ajo ka kryer  veprime e krime gjenocidi në forma të ndryshme edhe gjatë kohës së paqes, me terrorin që ka bërë, për t’i detyruar shqiptarët të shpërngulën në Turqi, sipas marrëveshjes së lidhur me atë shtet. Greqia ka kryer gjenocid mbi shqiptarët e Çamërisë prej vitit 1913, në vazhdimësi deri në vitin 1945, kur me vrasje e terror, i ka detyruar të gjithë shqiptarët myslimanë të shpërngulën, njëherë në Turqi (vitet 1922-1925), e së fundi në Shqipëri (vitet 1944-1945). Edhe Mali Zi, prej pushtimit të viseve shqiptare, ka bërë gjenocid mbi shqiptarët dhe boshnjakët e mbetur nën pushtimin e atij shteti.

Për krimet e gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve, ka argumente e dëshmi të dokumentuara. Ato ekzistojnë në arkivat shtetërore, diplomatike e ushtarake të shteteve të ndryshme, në shtypin e kohës dhe në libra të autorëve të ndryshëm. Për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj Shqiptarëve, në luftërat ballkanike, të dhëna më të plota gjendën në librin: “Srbija i Albanci – pregled politike Srbije prema Albancima od 1878. do 1914.godine” (Sërbia dhe Shqiptarët – pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj Shqiptarëve prej vitit 1878 deri më 1914), Libri i Parë, botim i Revistës “Çasopis sa kritiko znanosti”, Lublanë, prill 1989). Argumentet e paraqitura në atë libër janë mbështetur kryesisht në burimet serbe. Shumë prej tyre gjendën në librin e social-demokratit serb, Dimitrije Tucoviq: “Srbija i Arbanija – jedan prilog kritici zavojevacke politike srpske burzoazije” (Serbia dhe Shqipëria – një kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë serbe, botim: “Kultura: Beograd-Zagreb” 1946), me parathënien e Millovan Gjillasit. Nga shtypi i huaj, të dhëna më të plota për gjenocidin janë përfshirë në librin e ish-deputetit austriak Leo Frenundlich: “Albania’s Golgotha – indictment of the exetrminators of the Albanian people” (Golgota e Shqipnisë – aktakuzë kundër shfrarosësve të popullit Shqiptar).  Argumente për synimet dhe qëllimet e gjenocidit gjendën në projektet, platformat, planet dhe programet e shumta të  shtetit të Serbisë e të Greqisë, qysh prej “Naçertanies” dhe “Megaliideas” (1844), deri te plani i Operacionit “Patkoi”, për shfarosjen dhe dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova (1999). Marrëveshjet e Greqisë e të Serbisë/Jugosllavisë për shpërnguljen e Shqiptarëve në  Turqi, gjithashtu kishin këtë qëllim dhe ishin në këtë funksion. Të dhëna të shumta e me interes në këtë temë janë përfshirë edhe në librin e Elena Kocaqit-Levanti, me titull: “ Planet për zhdukjen e shqiptarëve”. Klubi: “Forum-Index.hr”, në një shkrim me titull: “Genocid nad Albancima na Kosovu, zasto se cuti o ovome?” (Gjenocidi mbi Shqiptarët në Kosovë – përse heshtet për këtë?), jep nje pasqyrë kronologjike të krimeve serbe, të kryera prej 28 shkurt 1998 deri më 22 maj 1999, kryesisht për numrin  e të vrarëve në fshatra e vendbanime të ndryshme në Kosovë, krime këto që tejkalojnë pragun e gjenocidit, pa përmendur dëbimin e organziuar në regji të shtetit, të ma se 900.000 shqiptarëve nga Kosova! Disa libra të profesorit Nusret Pllana, edhe në gjuhë të hueja, me shifra, fakte e fotografi dëshojnë dhe akuzojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët.

Elita kishtare, kulturore e politike nxitën, shteti zbatoi gjenocidin

Në bazë të ideologjis për Serbinë e Madhe, elita politike, intelektuale dhe kishtare kanë përgatitur platforma, plane e programe të shumta, të cilat në kohë të përshtatshme për to i ka zbatuar shteti, duke kryer krime makabre, në përmasa gjenocidi. Me mijëra punime, libra, pamflete e programe të atyre elitave kanë indoktrinuar popullin serb me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve si komb, dhe ndaj myslimanëve (islamit) si fe, dhe kanë “justifikuar” zhdukjen  dhe pushtimin e tokave dhe pronave të tyre. Ka shënime, se sëpaku janë 24 plane e programe, të hapta e të fshehta, për zhdukjen e shqiptarëve, duke filluar nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844); “Gorski vijenac” i P.P.Njegoshit (1846); “Srbi svi i svuda” i V.Karaxhiqit (1849), projektet e Jovan Cvijiqit (1912 e 1921), të përpunuara më vonë nga Vasa Çubrilloviqi në elaboratin e tij: “Manjinski problemi u Jugoslaviji” (1937; 1944); “Elaborat o Albaniji” i Ivo Andriqit (1939); “Homogena Srbija” e Stevan Moleviqit (1941); Programi i  çetnikëve të Drazha Mihajlloviqit (1941); deri te plani “Patkoi” (1999) për zhdukjen dhe dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova! Për zhdukjen e popullsisë dhe pushtimin e tokave të shqiptarëve, ekzistojnë edhe marrëveshje ndërkombëtare, të hapta e të fshehta, siç janë marrëveshja midis Greqisë e Turqisë (1923) dhe ajo midis Serbisë (MSKS) e Turqisë (1938), për shkembimin, respektivisht shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Po, ekzistojnë edhe marrëveshje të fshehta midis shteteve ballanike, madje dhe midis fuqive të Antantës dhe Italisë (Marrëveshja e fshehtë e Londrës, 26 prill 1915), për copëtimin e Shqipërisë midis shteteve fqinje. Vetëm falë Zotit dhe Amerikës, shqiptarët janë sot si  një komb e si  dy shtete, por në territor pesëfish më të vogël se ai që ishte i tyre në shekullin XIX, ndërsa shtetet fqinje: Serbia, Greqia dhe Mali u zgjëruan duke pushtuar tokat shqiptare, e duke zhdukur shqiptarët prej vendit të tyre.

 Roli i orientalistëve serbë në justifikimin e gjenocidit

Shkencëtari i njohur amerikan, dr Norman Cigar, në veprën-studimin e tij: “Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj muslimanëve në Ballkan” (botimi shqip, “Logos-A”,2003), që në hyrje të librit konstaton se “orientalistët serbë kanë pasur lidhje direkte me politikën e spastrimit etnik (fq.9); se krijimi i atmosferës antiislame mundësoi rrëshqitjen e mëtutjeshme në gjenocid (fq.17),… dhe se zbatimi i veprimeve gjenocidale dokumentohet me mijëra dokumente autentike të proviniencave të ndryshme” (fq.18). Cigar përmend orientalistët më të njohur serbë: Aleksandar Popoviq, Darko Tanaskoviq, Mirolub Jevtiq, Nada Todoroviq, të cilët në kundërshtim me etikën morale e shkencore, islamin e trajtojnë si retrograde dhe shkaktar kryesor të kërcënimit të  modernizimit dhe civilizimit në përgjithësi, e të Serbisë në veçanti. Qëndrimet e orientalistëve, autori Cigar i vërenë të lidhura ngushtë, në një aleancë e simbiozë të strukturës së nacionalizmit serb, me  Kishën Ortodokse Serbe, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, mediat, politikën, financat,  dhe forcën ushtarake. “Fillesa kyçe e kampanjës orientalistike (në Serbi,a.f.) është përqëndruar mbi idenë që muslimanët i takojnë një religjioni dhe kulturës ekzotike e të huaj, dhe kështu ata kurrë nuk do të kishin pasur vend në Evropë” (fq.20). Orientalisti Mirolub Jevtiq, thotë se “Shqiptarët janë epropian të rrejshëm, ndërsa muslimanë të vërtetë” (fq.23). Në një intervistë dhënë revistës “Vojska”, orientalisti Darko Tanaskoviq ka deklaruar se “është duke e vërejtur xhihadin ekonomik, diplomatik e në veçanti xhihadin demokgrafik”, si rrezik për shkatërrimin e Serbisë dhe ordoksizmit (fq.37). Vojin Dabiq, muslimanët e Bosnjes, Sanxhakut, Shqiptarët e Kosovës dhe pakicën turke në Bullgari e në Greqi (?) i konsideron rrezik për Evropën (fq.41). …”Kështu, orientalistët ndihmuan që gjenocidi të bëhet realitet”(fq. 54), përfundon shkencëtari, publicisti e hulumtuesi i njohur amerikan, dr Norman Cigar.

Padia e Thaçit, për konsum të brendshëm         

Një deklaratë e presidentit Hashim Thaçi, se Kosova së shpejti do ta paditë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për gjenocin e kryer në luftën e fundit (1998/99), në mediat dhe në qarqet politike të Serbisë krijoi “cunami në një gotë ujë”! Ajo deklaratë më tepër ishte për konsum të brendshëm, por dhe për të krijuar nervozë në qarqet serbe, se sa ka të bëjë me realitetin. Sepse, Hashim Thaçi nuk mundi ta shtyjë  në rend dite as në Kuvendin e Kosovës, miratimin e një rezolute për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë në luftën e fundit, të cilën e pat propozuar Lëvizja Vetëvendosje (3 gusht 2015).

Nuk di sa ka njohuri zotëri Thaçi dhe këshilltarët e tij, por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, edhepse nuk është gjykatë penale,  ka standarde të larta e kritere  rigoroze për të cilësuar krimin si gjenocid e për të shqiptuar aktgjykim për gjenocid. Me gjithë mbështetjen ndërkombëtare, mezi e pranoi padinë e BH për gjenocidin në Srebrenicë, por e refuzoi për vendet e tjera (26 shkurt 2007). Dhe, përkundër faktit që Gjykata ka vërtetuar se “Serbia ka pasur ndikim   të caktuar policor, ushtarak e financiar në luftën në  BeH dhe ka pasur dijeni se gjenocidi mund të ndodhë”, megjithatë Gjykata e “amnestoi” Serbinë nga përgjegjësia për gjenocid! Aktgjykimi ishte një kompromis, dhe jo aq koherent, por edhe ajo Gjykatë në punën e saj ka parasysh interesat e politikës globale. Ndërkaq, padinë e Kroacisë kundër Serbisë, dhe kundërpadinë e Serbisë kundër Kroacisë, për gjenocid (1991-1995) ajo Gjykatë i ka refuzuar tërësisht (më 3 shkurt 2015), me arsyetim se “asnjëra palë nuk ka ofruar prova të argumentuara se ka ekzistuar konspiracioni apo qëllimi për të kryer gjenocid”?!

Krimet e luftës dhe krimet e gjenocidit nuk parashkruhen, dhe heret a vonë, kur të jemi përgatitur mirë për të argumentuar e dokumentuar,  dhe kur ta fitojmë përkrahjen ndërkombëtare për një rezolutë ndërkombëtare dhe një padi për gjenocid, atëherë duhet ta ngrisim padinë. Sepse, në rastin tonë ka, dhe është shumë më lehtë të ofrohen prova historike, teorike dhe  praktike, me të cilat vërtetohet se Serbia ka pasur për qëllim  zhdukjen e tërësishme ose të pjesërishme të shqiptarëve, duke planifikuar, përgatitë, nxitë, kurajuar, ndihmuar, shtytë dhe kryer gjenocidin, për të krijuar Serbinë e Madhe në trojet shqiptare.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, ELITAT SERBE QË NXITËN DHE, JUSTIFIKUAN GJENOCIDIN

Prizreni edhe kryeqytet filmi-Fillon DokuFest

August 6, 2016 by dgreca

-Pritet të shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, që janë përzgjedhur nga një numër rekord -mbi 5 mijë aplikime/

PRIZREN, 5 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/Në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, është hapur Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar DokuFest në edicionin e 15-të, jubilar, i cili do të do vazhdojë deri në 13 gusht, në 6 programe garuese dhe 18  speciale.

Organizatorët paralajmëruan shfaqen 238 filma nga 57 shtete të botës, që janë përzgjedhur nga një numër rekord -mbi 5 mijë aplikime, derisa mbahej ceremonia e hapjes së Festivalit, e zhvilluar në kinemanë mbi Lumëbardh.

Në programin e paralajmëruar, në një nga 6 kategoritë garuese – shteteve të Ballkanit, janë edhe filmat nga Kosova, si dhe dy filma nga Shqipëria: “Pritja” i Roland Sejko dhe “Selita” nga  Elton Baxhaku e Eriona Çami.

“Behemoth”, një dokumentar nga regjisori dhe artisti kinez Zhao Liang  bën hapjen e Festivalit, ndërsa filmi ikonik “Close Up” nga regjisori i ndjerë iranian Abbas Kiarostami do të jetë filmi i fundit-përmbyllës në këtë edicion.

“Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmëbërës dhe eskpertë të ftuar ndërkombëtarë dhe lokalë, punëtori dhe në një konferencë të teknologjisë” , kanë bërë të ditur organizatorët.
Verën e kaluar, në DokuFest 2015 në qendër ishte tema e migrimit me filma nga e gjithë bota dhe rajoni. Nga 228 filma të metrazhit të gjatë dhe të shkurtë, 124 bënin pjesë në programet garuese.

DokuFest e nisi udhën e tij në vitin 2002, me shfaqjen e një numri të madh filmash dhe me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë, artistësh nga rajoni dhe bota, duke e shndërruar qytetin historik të Prizrenit, më të madhin jugor të Kosovës pranë kufirit me Shqipërinë, edhe në një kryeqytet filmi çdo verë.

Filed Under: Kulture Tagged With: -Fillon DokuFest, B Jashari, edhe kryeqytet filmi, Prizreni

Trump, një agjent i pavullnetshëm i Putinit?

August 6, 2016 by dgreca

Deklaron Ish-zyrtari i lartë i CIA-s/

 Një prej ish-zyrtarëve të lartë të CIA-s ka sulmuar këtë të premte Donald Trumpin, duke e cilësuar atë si një rrezik për sigurinë kombëtare, duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin e ka kthyer kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë në një “agjent të pavullnetshëm” të Rusisë. Putin është ndier i kënaqur nga Trump për shkak se ai mbështet disa pozicione favorizuese ndaj Rusisë, tha Michael Morell, një ish-oficer i CIA-s dhe ish-zv.drejtor i agjencisë, gjatë një opinioni të publikuar në “New York Times”. “Në fushën e kundërzbulimit, ne do të thonim pa frikë se Putin e ka rekrutuar Trumpin si një agjent të pavullnetshëm të Federatës Ruse”, tha Morell në artikullin që më së shumti lavdëronte rivalen e Trumpit në zgjedhjet e 8 nëntorit, demokraten Hillary Clinton. Morell nuk dha prova se ku e bazonte këtë vlerësim të tijin, por tha se Putin ka përdorur aftësitë e tij si një ish-oficer kundërzbulimi, për të evidentuar dhe shfrytëzuar dobësitë e një individi.
“Kjo është qartësisht ajo çfarë bëri ai gjatë primareve. Putin luajti me dobësitë e Trumpit duke e komplimentuar atë. Ndërsa Trump iu kundërpërgjigj ekzaktësisht ashtu siç e kishte përllogaritur Putini”, shkruan Morell. Drejtues të fushatës së Trumpit kanë hedhur poshtë kritikat e Morell, duke e lidhur ish-oficerin e CIA-s me përgjigjen publike të administratës “Obama”, pas sulmeve të 12 shtatorit në Bengazi të Libisë. “Vëreni sesa reporterë do të publikojnë sot në Twitter, faktin që Michael Morell gënjeu për Hillarynë e kërrusur, për të mbuluar ngjarjet e Bengazit”, shkroi dikush nga fushata e Trumpit në një postim në “Twitter”. Incidenti libian, në të cilin mbetën të vdekur ambasadori dhe 3 shtetas të tjerë amerikanë, ndodhi gjatë kohës kur Clinton ishte Sekretare e Shtetit, ndërsa republikanët e kanë kritikuar prej kohësh mënyrën sesi ajo u përball me sulmet e asaj kohe dhe periudhën pas tyre. Kritikët thonë se zyrtarë të administratës u përpoqën të hedhin poshtë rolin e militantëve islamikë në atë sulm. Morell miratoi disa prej temave kyçe të atij incidenti. Zyrtarët amerikanë thanë se, çdo referencë për pjesëmarrjen e militantëve u la mënjanë fillimisht për shkak të informacioneve të klasifikuara. Morell punon aktualisht për “Beacon Global Strategies”, një firmë konsultimi që ka lidhje me demokratë të rëndësishëm të ekspertizës së sigurisë kombëtare, përfshi këtu edhe ish-Sekretarin e Mbrojtjes dhe drejtorin e CIA-s, Leon Panetta, si dhe ish-ndihmësin e Clintonit, Philippe Reines. Ndërkohë, kandidati për zv.president nga radhët e republikanëve, guvernatori i Indianës Mike Pence, hodhi poshtë gjithashtu komentet e Morell gjatë kësaj të premteje, duke thënë se “qëndrimi ndaj agresionit rus do të jetë tepër i ndryshëm nën administratën Trump-Pence”. “Këta njerëz po bëjnë thjesht lojëra politike”, tha Pence referuar deklaratave të Morell.

Filed Under: Opinion Tagged With: agjent i pavullnetshem, i Putinit, Ish Zyrtari i CIA-s, Trump

Buxheti i Kosovës 2016, rritje 17.1% në gjashtëmujor

August 6, 2016 by dgreca

Në foto: Dr. Avdullah Hoti, Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës/

– Po ashtu, gjashtëmujori i parë 2016 është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015/

PRISHTINË, 6 Gusht 2016-B.Jashari/Gjashtëmujori i parë 2016 ka shënuar rritje në Buxhetin e Kosovës prej 17.1% , sipas raportit të prezantuar sot nga Ministria e Financave.

“Po ashtu ky gjashtëmujor është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015,  ku rol të veçantë kanë luajtur masat e ndërmarra në kuadër të reformave të të bërit biznes, rritja e besueshmërisë së investitorëve, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm dhe gradual i ambientit të jashtëm ekonomik në përgjithësi”, deklaroi Ministria.

Deklarata thekson se, përveç ndikimit të këtyre politikave, në trendin pozitiv të të hyrave kanë ndikuar edhe masat e ndërmarra nga agjencitë mbledhëse të të hyrave për ngushtimin e hendekut tatimor, rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të hyrave si dhe në luftimin e ekonomisë joformale.

“Të hyrat kanë shënuar rritje prej 17.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje ka qenë kryesisht e shtyrë nga të hyrat e rregullta tatimore, ndërsa të hyrat jo-tatimore kanë pasur nën-realizim e në veçanti të hyrave nga devidenda”, shtohet më tej.

Ndërsa, sipas raportit, pagesat kanë shënuar rritje prej 10.0%, ku kontributin më të madh në këtë rritje gjatë kësaj periudhe e ka dhënë rritja e shpenzimeve kapitale. Në këtë rritje ka ndikuar gjithashtu edhe rritja e shpenzimeve në subvencione dhe transfere dhe shpenzimeve për paga dhe mëditje.

“Performanca e të hyrave tatimore gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore ka qenë e kënaqshme dhe kjo performancë pozitive nuk duhet parë si mundësi për iniciativa të reja në shpenzime pasi ka mjaft obligime nga politikat ekzistuese dhe investimet kapitale të cilat do të vazhdojnë edhe në dy vitet e ardhshme”, thekson Ministria e Financave e qeverisë së Kosovës.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Buxheti i Kosovës 2016, Jashari, në gjashtëmujor, rritje 17.1%

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2585
  • 2586
  • 2587
  • 2588
  • 2589
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT