• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kjo verë e nxehtë…

August 3, 2016 by dgreca

nga Andon Dede, Nju York/

Është thënë edhe nga metereologët se kjo ka qënë vera më e nxehtë, qysh kur ka filluar regjistrimi i temperaturave. Në Mitribah të Kuvajtit është regjistruar në fund të korrikut temperatura 54 gradë celsius ndërsa një ditë më pas, në Basra të Irakut, 53.9, që u  njohën edhe zyrtarisht si dy rekordet e reja botërore të temperaturave më të larta që janë regjistruar ndonjëherë në planetin tonë. Por, edhe pa  na e thënë ata, ne  e përjetuam vetë gjatë korrikut zhegun e padurueshëm. Edhe gushti parashikohet të jetë po kaq i nxehtë. Ne nuk po themi ndonjë gjë të re, se lexuesi këto ose i di vetë ose mund t’i gjejë me lehtësinë më të madhe përmes disa disa klikimeve në Internet, ndaj nuk e vlen të zgjatemi më tej me këtë dukuri. Qëllimi ynë me këto radhë është krejt tjetër: mirë të nxehtit e motit që nuk varet nga ne dhe do ta përballojmë atë me mundësitë që kemi, por, mos vallë, me veprimet që kryejmë, qëndrimet që mbajmë apo vendimet që marrim, ia lehtësojmë apo ia vështirësojmë vetes përballimin e këtij të nxehti apo dhe dukurive të tjera të Motit? Ky është problemi!

Logjika më elementare do të kërkonte që ne të bënim të parën, si e si t’ia lehtësojmë vetes dhe të tjerëve përballimin e saj. Por, si për çudi, njerëzit kudo që janë, po bëjnë të kundërtën. Edhe për këtë pohim lexuesi s’ka nevojë të lodhet shumë se ai e ka parë dhe po e sheh përditë, përmes burimeve nga më të ndryshmet që vërshojnë nga të katër anët.  Ja, le të hedhim një vështrim të shpejtë se ç’po ndodh rreth nesh.

*    *    *

Ka rastisur disa herë që edhe në ditët me mot të tmerrshëm, me shira të rrëmbyshëm, që përmbytin rrugët e i marrin makinat me vete si të qenë lodra kalamajsh, diçka tjetër ka tërhequr vëmendjen e njerëzve:  vrasjet nga terrorizmi që është bërë një tmerr i vërtetë për tërë popujt. Ai ka ekzistuar edhe më parë, por kohët e fundit ka marrë përmasa të reja dhe, më e llahtarshmja, status të ri: viktimat e tij janë të të gjitha moshave, grupeve sociale e nacionaliteteve. Dora kriminale e vrasësve nuk u drodh as para fëmijve të vegjël që po hanin bukë në një lokal apo dhe para një prifti tetëdhjet e ca vjeçar që po meshonte në një kishë. O Zot, të dridhet trupi edhe kur i mendon! Viti i kaluar shënoi ngritje në numrin e viktimave të sulmeve terroriste në shekullin XXI. Numri i të vrarëve e të plagosurve ishte mbi mesataren e 45 viteve të fundit. Por dhe 2016 del të jetë viti më i përgjakshëm i këtij shekulli në Evropë dhe jo vetëm aty.       Frika nga terrorizmi, nga vrasjet e papritura të të pafajshmëve, gjallon kudo. E gjithë bota është tronditur si kurrë më parë, saqë edhe kur lëviz në rrugë, mes shumë gjërave që mendon me vete, pandehma se pas një çasti mund të mos marrësh më frymë, s’të hiqet nga mendja. Hija e vdekjes të ndjek në çdo hap, sidomos ku ka shumë njerëz, ndaj dhe ke frikë të udhëtosh me tren, aeroplan apo autobuz; të marrësh pjesë në një ceremoni të rastit, apo të ndjekësh ndonjë ndeshje sporti a shfaqje artistike. Njerëzit kanë frikë të festojnë, të gëzojnë, të shijojnë jetën që iu ka falur Zoti apo Natyra. Hë pra, a nuk është përballimi i kësaj frike edhe më cfilitës se ai i vapës përvëluese?! Tronditje, pyetje pa përgjigje, zemërim, dëshpërim. Ndaj, viktima të kësaj situate nuk janë vetëm të vrarët e të plagosurit bashkë me të afërmit e tyre, por të gjithë ne.

*    *   *

Përvec dy “zagushive” të mësipërme, Amerika po përjeton këtë verë edhe një “vapë” tjetër: është fjala për zgjedhjet presidenciale që janë, pa pikë dyshimi, sui generis nga të dy palët: republikanët përfaqësohen nga një miliarder që s’ka asnjë përvojë politike, nuk ka mbajtur kurrë një post publik e nuk ka shërbyer kurrë në qeverisje; ndërsa demokratët, për herë të parë në historinë e këtij vendi, nxorrën si kandidate një grua.

Kandidati republikan befasoi botën, brenda e jashtë Amerikës kur shpalli kandidaturën. Disa të përditëshme, këtu në Nju York, që i kam parë vetë, shkruanin atë kohë: “Një klloun kërkon të bëhet president”. Pavarësisht dozës së ironisë apo dhe përçmimit, një farë të vërtete ka në atë pohim: Trampi njihej jo vetëm si miliarder por dhe si “shou men”.. Ndaj, shumë pak njerëz e morën seriozisht atë, kur shpalli kandidaturën. Madje, dhe ai vetë, sipas shtypit, e mori këtë inisiativë si me shaka, edhe pse bëhej fjalë për statusin e njeriut më të fuqishëm të botës. Të shumtë qenë ata, edhe nga radhët e republikanëve, që u shprehën hapur kundër kandidimit të tij. Në mars 2016, qindra këshilltarë republikanë, që përfaqësonin një spektër të gjerë këndvështrimesh mbi politikën e jashtme, firmosën një letër të hapur duke shprehur shqetësimin dhe kundërshtinë e tyre ndaj Trampit. Por, miliarderi njuorkez, me atë babaxhanllëkun e tij në pamje, nuk e prishte terezinë. Jo vetëm që i vazhdoi deri në fund primaret por, për habinë e të gjithëve, edhe i fitoi ato duke eliminiuar jo pak por afro njëzet kandidatë të tjerë të partisë së vet.

Befasuese qe dhe beteja në krahun tjetër me kandidimin e Sandersit, që bëri për vete jo pak zgjedhës, sidomos të rinjtë, të cilëve iu premtonte lehtësira të jashtzakonshme në shkollimin e punësimin e tyre. Por Hillari Klinton, pa shumë vështirësi, e fitoi betejën, për t’i hapur rrugën një përballjeje tjetër shumë më të ashpër e më të vështirë, atë me Trampin. Ndryshe nga fushatat e tjera që kemi ndjekur, kjo e sivjetmja nuk ndryshon vetëm nga kandidatët por dhe nga forma: filluan sulmet ndaj njeri tjetrit, herë-herë edhe me denigrime e sharje, që të kujtojnë Shqipërinë. (Ne sikur po na bëhej qejfi: të paktën t’i ngjajmë Amerikës në të këqija se në të mirat e saj as që i afrohemi dot?!). Beteja mes tyre sapo ka filluar dhe pa dyshim që do vijë duke u ashpërsuar në muajt e ardhëshëm.

Fushata nuk duhet konceptuar thjesht midis dy personave apo edhe dy partive, por mes dy qëndrimeve e platformave që ndryshojnë shumë nga njera tjetra. Shtjellimi i tyre kërkon shkrime më vete, por këtu po ndalemi vetëm në ndonjë përparësi të deklaruar e që ka rëndësi jo vetëm për Amerikën, siç është fjala vjen, politika e jashtëme. Hillary Klinton, ka premtuar vijimësi, një administratë që do të mbetet një partner me vullnet të mirë ndaj miqve dhe aleatëve të Amerikës, dhe se parimet e përgjithshme të politikës së jashtme të këtij vendi nuk do të ndryshojnë. Një vizion krejt të ndryshëm, tepër të zymtë, shpërfaq pala tjetër përmes Donald Trampit. Ai mendon se, gjatë qeverisjes së Obamës, vendi ka rënë në një humnerë nga e cila mund të mos dalë kurrë, nëse nuk fiton ai. Trump ka pohuar se ai do të rishikojë detyrimet e Amerikës ndaj NATO-s, dhe institucionevet të tjera ndërkombëtare. Jo rastësisht, vetë Obama këto ditë, iu bëri thirrje republikanëve që të mos e votojnë Trampin, si jo të përshtatshëm për president. Por, miliarderi kandidat ia ktheu me një gjuhë më të ashpër: presidenca jote, i tha ai, ka qënë më e keqja në historinë e Amerikës. Përsëri m’u kujtuan politikanët tanë, jo vetëm këta të sotmit, por edhe të mëparshmit, që merren më shumë me denigrimin e para-ardhësve se sa me qeverisjen e vendit.

Por, le ta lëmë Amerikën dhe amerikanët t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Diçka tjetër desha të theksoja me këtë rast. Tek shumë nga ne, është krijuar përshtypja se amerikanët nuk e vrasin shumë mendjen për presidentin e ardhëshëm apo se cila parti do të qeverisë, nisur nga fakti se tashmë ky shtet ka hyrë me kohë në shinat e duhura dhe pak rëndësi ka se kush e drejton “trenin” qeveritar. Në këtë pohim ka një të vërtetë të padiskutueshme: edhe sikur presidenti të marrë vendime të gabuara, ka një staf të tërë që ia korrigjon “busullën”, le pastaj dy filtrat e mëdhenj, siç janë Senati edhe Dhoma e Përfaqësuesve që e shohin çdo veprim të presidentit me lente smadhuese.  Por, ndryshe nga herët e tjera, këto zgjedhje po ndiqen me një interes të veçantë e po shoqërohen me diskutime të zjarrta. Këtë po e përjetoj dhe vetë me që prej vitesh banoj e punoj këtu. Kolegët e mij të punës, në shumicën e tyre, afro-aziatikë e hispanikë, janë të shqetësuar sidomos nga deklaratat e Trampit dhe nuk kanë shumë besim tek ai. Unë iu kundërvihem përmes argumentave që sapo shpreha më sipër, por ata më kundërshtojnë. Nëntori do jetë një e papritur për të gjithë, brenda e jashtë Amerikës dhe vështirë të bësh parashikime. Le të presim. Veç, nuk mund të mohoet se fushata e zgjedhjeve ua rëndoi sadopak vapën amerikanëve.

*   *   *

Po shqiptarët e gjorë si po e përballojnë të nxehtit e këtij viti? Them të gjorë se me përjashtim të politikanëve dhe biznesmenëve të fuqishëm, populli i  thjeshtë nuk i ka  përherë mundësitë që të freskohet me kondicionerë, të shuajë etjen me ujë të ftohtë apo të shullëhet plazheve. Por, si të  mos t’i mjaftonin tërë këto, atë e trullosën me të ashtuquajturën “Reformë në Drejtësi” që iu është bërë si burri i nënes prej kushedi sa kohësh. U duk se me miratimin e saj, do të ndodhnin çudira që nuk janë parë kurrë më parë, por… a do të ndodhin vërtet?! Një Zot e di!

Kryeministri Rama, në një nga shfaqjet e tij të përditëshme në media, dha sihariqin se falë miratimit të Reformës së Drejtësisë, shqiptarët i pret një realitet krejt tjetër, më i mirë, më i sigurt, më demokratik, me mundësi shumë më të mëdha për rritjen e ekonomisë, të investimeve të huaja, etj, etj…

Ndërkohë, nuk pushojnë trompetat për fitoren e arritur e sidomos për autorësinë e saj dhe, bashkë me to, dhe akuzat se kush po e pengon ecurinë e Reformës. Në këtë kakofoni që shoqëron vapën nuk merret vesh se kush është për Reformën dhe kush jo. Për më tepër që edhe ata që e miratuan, siç e kanë pranuar vetë, as nuk e kishin lexuar draftin e saj, duke filluar nga kryeministri që nuk nguron të pohojë se ajo duhej miratuar e zbatuar se kështu e kërkonin SHBA-ja dhe BE-ja, pavarësisht se ç’mendonin ata që do të ngrinin kartonin jeshil. Po të ndjekësh dialogjet e ndërsjellta të duket sikur gjithë reforma është reduktuar në mundësinë për hakmarrje dhe ndëshkim ndaj politikanëve dhe ndaj njerëzve të Drejtësisë, në mundësinë për t’i parë nën këmbë e pas hekurave ata që janë duartrokitur në tribuna politike apo në sallat e gjyqit me togë të zezë, se sa për të ndryshuar marrëdhënien e Drejtësisë me shoqërinë.

Ka zgjatur vetëm pak ditë “festa” e arritjes së konsensusit për votimin e ndryshimeve në Kushtetutë. Forcat kryesore politike, i janë rikthyer sherrit dhe akuzave për votimin e 7 ligjeve të reja dhe për vettingun, që janë pjesë e Reformës në fjalë. Flitet për qeveri teknike, për zgjedhje të parakohëshme, për përçarje të koalicionit, për…e përse nuk flitet?! Shprehja që do t’i shkonte më për shtat asaj situate, kur njeri i bije gozhdës e tjetri patkoit, do të ishte: “Bir Selman i nënës, ç’të të qaj më parë?!”. Them kështu se edhe pse u arrit konsensusi i shumë pritur, në vend që të hedhin hapin tjetër, për ta zbatuar atë, po merren me cic-micra se si u arrit ai, pse ranë dakord palët, kush i detyroi e blla,blla,blla, do të thoshin amerikanët. Llafe pa bukë, tipike e politikanëve mistrecë që nuk dalin dot nga vetja. Shkrimtari çek Karel Çapek, në një nga parabolat e tij thotë se për dhelprën të gjithë të tjerët janë o grabitqarë o viktima. A nuk i shkon kjo më tepër se kujtdo tjetër politikanëve tanë që po hanë kokat me njeri tjetrin me akuza të ndërsjellta, ndërkohë që populli përballet çdo ditë, përveç vapës përvëluese dhe me njëqind halle të tjera?! Të ndalemi vetëm në një tregues: ndërsa çmimet e fluturimeve në Europë janë ulur e po ulen në kufijtë e rekordeve, në Shqipëri ato vazhdojnë të jenë tepër të shtrenjta, si në asnjë vend tjetër, qoftë dhe në raport me rajonin.

Nga gjithë sa më sipër, si zor të shpresosh se bashkë me vapën do të lehtësohen dhe hallet e atij populli përsa kohë që në pushtet e në opozitë do jenë protagonistët e sotëm.

Nju York, 3 gusht 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Kjo verë e nxehtë…

Shtypi i Kosovës : Dështon debati, nisin protestat

August 3, 2016 by dgreca

Dështon debati, nisin protestat – është kryetitull në shtypin e neserm të Kosovës.

“As pas dymbëdhjetë orë diskutimesh në tryezën e organizuar për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, pozita dhe opozita nuk i kanë përafruar qëndrimet. Lëvizja “Vetëvendosje” i ka ftuar për sot në mëngjes qytetarët në protestë para Kuvendit, përderisa ambasadori amerikan, Greg Delawie, i ka akuzuar palët se po e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës”, thekson në ballinë gazeta Zëri.

PËRFUNDON DEBATI PËR DEMARKACIONIN, VV PARALAJMËRON…

Ka përfunduar debati në tryezën për demarkacionin e kufirit Kosovë-Mali i Zi, pa përfundime të dakorduara.

Pak më parë Lëvizja Vetëvendosje, mes tjerash, deklaroi:“Ftojmë qytetarët e aktivistët, që nesër në orën 10:00 të mblidhemi para Kuvendit. Është momenti vendimtar që ta mbrojmë Republikën tonë… Demarkacioni nuk do të kalojë…Nëse nuk tërhiqet Qeveria, gjendja do të dalë jashtë kontrollit dhe rezistenca do të jetë edhe më e ashpër se kurdoherë”.

Kosovë-Qeveria vlerëson lart debatin për shënjimin e kufirit

PRISHTINË, 3 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi sonte se vlerëson lartë debatin e zhvilluar sot lidhur me procesin e shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e debatit për kontributin e tyre në këtë debat shumë të dobishëm për proceset e rëndësishme nëpër të cilat po kalon vendi.

Qeveria e Kosovës, pas dëgjimit të çdo argumenti dhe fjale në këtë debat, vlerëson se në të ka dominuar argumentimi i cili konfirmon se procesi i shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi është bërë në përputhje me aktet kushtetuese e ligjore të Kosovës, si dhe në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira që kanë të bëjnë me kriteret dhe aspektet tjera të realizimit të këtij procesi.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohje të posaçme për qëndrimet shumë të vlefshme të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit të BE-së.

Në përputhje me qëndrimet racionale dominuese në këtë debat, Qeveria e Kosovës, do të vazhdojë angazhimet e saj në procedimin e kësaj çështje më tutje, përfundon deklarata e dërguar.

Në mjediset e Kuvendit të Republikës së Kosovës përfundoi sonte debati profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit, Kosovë – Mali i Zi./b.j/

 

Filed Under: Komente Tagged With: Dështon debati, Kosove, nisin protestat

Hillary Clinton, një grua me potencial të jashtëzakonshëm

August 3, 2016 by dgreca

Nga Kozeta Turishta/ SHBA/*

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po përjetojnë një histori jo shumë të zakonshme.Bëhet  fjalë për  kandidimin e Hillary Clinton , kandidates zyrtare të nominuar nga një  prej partive  më të mëdha në vend, e pikërisht të Partisë Demokratike. Sa herë emri i saj përmendet, kemi thënë gjithshka, duke      qenë se ajo është  e vetmja femer e cila jo vetëm bëri histori në këto zgjedhje të sivjetshme , por  pa frikë mund të quhet një grua me potencial të jashtëzakonshëm.

Sa herë ajo n’a drejtohet nga foltorja e saj e politikës, aq herë  me forcën e saj të fjalës na bind për një mijë e një qind arsye pse duhet t’a votojmë.

Hillary Clinton, është një bekim i padiskutueshëm për vetë Amerikën, por dhe për të gjithë botën. Ajo është  modeli më i mirë, më i denjë dhe  një përfaqësuese dinjitoze nga gjitha pikëpamjet  për të përfaqësuar  Amerikën, por dhe botën, me sharmin e saj dhe mendjen e ndritur që e karakterizon.
Unë sot do shkruaj më shumë si femër dhe për femrat, për të drejtat e tyre, për mbrojtën dhe barazisë gjinore. Të gjithë e dimë , dhe kemi  dëgjuar në çdo deklaratë që është pikërisht  Hillary ajo e cila ngre  zërin për mbrojtën e gruas, për hartimin e politikave pro tyre, që asgjë mos t’i cenojë.

Hilari, kjo grua  sa e fortë  aq edhe e  sinqertë është e  vendosur të punojë  në dobi të gruas, kundra diskriminimit të femrave dhe të gjitha nënave kudo që ato janë. Ajo është e vendosur  të bëjë të mundur që të gjitha pa dallime mes tyre, të gëzojnë të drejta, mundësi të barabarta, pagesa dhe respekt. Ky është thelbi kryesor dhe kyç të cilin  Hillary e quan një punë që do shumë dashuri, vullnet dhe vendosmëri për t’u realizuar, dhe pse znj. Clinton, e ka treguar bujarinë, e fisnikërinë e saj ndër vite me mbeshtetjen që I ka dhënë fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke i shkolluar, e duke i dhënë mundësi të madhe për t’i përmbushur dhe për të bërë ata që të gëzonin jetën si të barabartë me fëmijet e tjerë, e për mos harruar pajisjen me sigurimet mjekësore për të gjithë, duke i kthyer buzëqeshjen dhe shpresën për një të ardhme dhe jetë më të bukur seç mund t’a kishin.
Të luftosh për të drejtat e njeriut, kryesisht atë të grave e fëmijëve, mbetet një ideal më vete, që shumë pak politikanë mund t’a kenë të përfshirë në programet e tyre të qeverisjes.
Hillary Clinton, vjen me një kauzë të qartë, e të  ndershme në atë që thotë, kërkon dhe  premton, pasi ajo e ka treguar ndër vite zgjuarsinë që e karakterizon vetëm për punë të mira që kur ishte Senatore e Shtetit të Nju-Jorkut, apo Sekretare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me rolin e saj ajo ka shkëlqyer duke përfaqësuar me vlera të mëdha jo vetëm vendin e saj, dhe popullin amerikan, por dhe vet politikën duke u kthyer në modelin dhe ikonën më të dëshiruar të femrës e cila aspiron për arenën politike të së nesërmes.
Nëse do që të bësh një krahasim se me kë mund të përafrohet Hillary, është tepër e veshtirë, për të mos thënë e pamundur, t’i ngjajë dikush për nga dominanca dhe intelekti i saj. Kur e mendon thellë, e vetmja femër në botë është Margaret Thatcher, ish kryeministre e Britanisë së Madhe, me të cilën ajo ka  një ngjashmëri shumë të përafërt në shumë dimensione, që nga personaliteti, forca e saj si grua, dhe aspirimi i saj në hartimin e qeverisjes me të ardhur në pushtet.
Margaret Thatcher, njihej për modelin e saj dhe natyrën e hekurt duke e pagëzuar si ‘Iron Lady’, një grua e hekurt. Ky epitet do ti shkonte më së miri dhe figurës së Hillary Clinton, jo vetëm si një grua fisnike, plotë klas e sharm, si një nënë model për vajzën e saj Chelsea, si një bashkëshorte që bën të ndihet aq krenar të shoqin, familjen, shoqërinë, por dhe për të njohur e të panjohur, të gjithë amerikanët, e shumë qytetarë të shteteve të tjera të botës e të  europës.
Jam shumë koherente me simpatizantët e të dyja partive, asaj Republikane, dhe Demokratike. Siç e kërkon dhe rregulli, dikush ka më shumë ose më pak dashamirësi ndaj kandidatit të tyre të dëshiruar, dhe me sinqeritetin më të madh, kudo jam, e kudo shkoj me miq, apo dhe thjesht kalimtarë , dëgjoj me një ndjenjë shprese që Amerika  më në fund po ndjen bekim . Për të  po fryen era e së ardhmes, e së drejtës, e lirisë, e sigurisë.  Sa shumë optimizëm ndjehet për  kandidaturën  që do mbetet një histori përjetë, sepse me Hillary Clinton Amerika është më e sigurt  dhe  bota më e qetë nën kujdesin e veçantë të Zonjës së madhe. Është pikërisht programi I saj I cili ka objektiva të qarta  dhe të verteta, I  cili  pritet të bëhet  realitet në funksion të së mirës së vendit, për një ekonomi më solide, për mundësi më të mëdha punësimi. Puna e vazhdueshme e Znj.Clniton ka qenë kolosale  përsa i përket të drejtave të grave, pasi  asnjë kandidate tjetër femër në botë nuk ka arritur të bëë  sa Hillary Clinton. Vetëm gjatë periudhës kur ajo mbante postin  si Sekretare Shteti, ajo  ka investuar në shifra marramendëse për t’i ardhur në ndihmë shteteve të tjera në realizimin e sistemit shëndetësor, ashtu sikurse ka investuar miliona dollarë për edukimin e grave dhe vajzave të reja kudo nepër botë.
Gratë, mbesin problemi më i madh kudo nëpër botë, Ato gëzojnë shumë pak të drejta , e shumë pak prej tyre përfaqësuese të politikës së jashtme kanë arritur të ngrenë zërin apo të bëjnë diçka konkrete për mirëqenien e tyre.

Do të dëshiroja të ndaloja  tek ‘Konferenca e Katërt Botërore për Gratë’ para disa vitesh, ku besoj gjithsecili e kujton mjaft mirë fjalimin e famshëm të Hillary për “Gratë” – ‘Women’s rights, are human’s right’ – “Të drejtat e grave, janë të drejtat njerëzore”,  fjalim I cili  na bën të reflektojmë e t’a mendojmë mirë që vota jonë është e shenjtë, e duhet të dimë sesi t’a hedhim për të ndryshuar jo vetëm fatin e vendit, por fatin tone dhe të fëmijëve tanë.
Shqipëria  ka një marrëdhënie të lidhur ngushtë përjetësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si në rolin e demokracisë së sotme, ashtu dhe në  shumë reforma të ndërmarra për të mirën e vendit dhe popullit shqiptar, duke mos lënë pa përmendur për asnjë çast  luftën e Kosovës. Roli I çiftit Clinton, veçanërisht i Presidentit Bill Clinton, mbetet i pashlyer, për atë cfarë ai ka bërë në ato vite të vështira për Kosovën, me nje rebel të pa etur për pushtet siç ishte Milosheviç, i cili me pahir donte të mbante peng vendin dhe popullin e Kosovës.
“Ju keni vuajtur mjaft. Unë nuk dua që dikush tjetër të humbë një krah ose një këmbë ose një fëmijë për shkak të një mine tokësore.” — kjo është një nga shprehjet e vet Bill Clinton përgjatë rolit të tij diplomatik në Kosovë, në periudhën e luftës, ku ai ka parë njerez të dëbohen nga shtëpitë, familjet e tyre, të vriten, e të prehen nga regjimi shtypës i tiranit serb Sllobodan Milloshevic.
Ndaj Kosova  dhe Shqipëria, kurrë nuk mund të fshijnë nga kujtimet e tyre kohën më të vështirë të luftës më të ashpër ku kanë vdekur gra e burra,  madje dhe nëna me  fëmijë në krahë.
Shqiptarët, i janë mirënjohës përjetë Bill Clinton-it, sa të gjithë e njohim për mikun më të madh, më të dashur, e më besnik të Shqipërisë e Kosovës. Në nderim të tij, në Bulevardin që mban dhe emrin e tij në Prishtinë, qëndron Statuja e z. Clinton 3 metra e gjatë. Kjo statujë është punuar me shumë  dashuri, përkushtim, e mirënjohje  dhe do të mbesë përgjithmonë në historinë e këtij shteti. Si shenjë të dashurisë dhe mirënjohjes së përjetëshme shumë familjarë kanë dëshiruar që fëmijëve  , kryesisht djemve t’i vënë emrin  Bill, apo Clinton.
Një gjë është e sigurtë “Pas një mashkulli të suksesshëm qëndron një grua e fortë”  ndaj dhe  Billi ka qënë i bekuar të kishte përkrah një Grua si Hillary, ku dashuria e njerëzve për të është e pakufi . Kjo gjë u shpërfaq më së miri dhe nga  shqiptarët. Vetëm  pak muaj më parë në qytetin e bukur të Shqipërisë -Sarandës, fansa, dashamirës, e simpatizantë të znj. Clinton, kanë vendosur  bustin e saj, pasi me  përulësi i janë mirënjohës për rolin e saj dhe të shoqit, duke I konsideruar si  miqtë e vertetë në të mirë e në të keq të vendit tonë.
Unë padiskutim kam ndjekur Konventën Kombëtare Demokratike, para disa ditësh, të gjitha fjalimet, e të gjithë folësit, si dhe artistë, këngëtarë, aktorë, muzikantë, etj…
Ajo çfarë më bëri më shumë përshtypje dhe më tingëlloi më bukur ishtë thënia e së vertetës, ” Strong ëomen, get things done” nga Gabrielle Giffords.
Sepse vetëm gratë e forta, të zonjat, dinë të kryejnë punë, e për këtë ka nevojë bota.

Ajo  çfarë i duhet pikërisht  Amerikës, janë  gra  dhe femra si Hillary, që dinë ku i dhëmb e ku i djeg vendit, popullit, ekonomisë, të cilat hartojnë politika  për mirëqenien sa më të mirë të njerëzve, por dhe të shtresave në nevojë.

Ndërsa Hillary në Konventën e saj, hapësirë me shumë meritë e respekt, i kish lënë të gjitha shtresave  shoqërore  deri tek ata me aftësi të kufizuara që meritojnë po aq të drejta sa ne.  Nga  ana tjetër pamë kandidatin  Republikan Donald Trump I cili  tallej, dhe  i imitonte me doza humori prej karagjozi, këta njerez të vuajtur e të dënuar nga fati e pak nga sëmundja.Çfarë besimi, çfarë të ardhme, çfarë të mire mund të ketë  Amerika me një njeri që të tjerët i trajton si skllevër, kur nuk di gjuhën dhe etikën e komunikimit, nuk njeh respektin ndaj femrave, e ndaj vet popullit të tij.

Të gjithë sëbashku jemi më të fortë , si një shpërblim ndaj miqve tanë familjes Clinton, pasi për Shqipërinë janë të shenjtë, të shtrenjtë, e të dashur pafund. Ndaj j sot më shumë se kurrë kemi kohën në favorin tone. Më 6 Nëntor, kemi mundësinë që  me votën tonë, të tregojmë dhe  dëshmojmë mirënjohjen e  pafundme për të çka  Clintons  kanë bërë për ne. Shqiptarët e kanë në gjak besën, mirënjohjen. Jam besimplotë  se në  ditën e votimeve, ata do j’a shperblejnë mundin dhe  gjithë dashurinë që kanë dhënë për ne. Ndaj një votë është një falënderim e shumë vota tregojnë dinjitetin tonë, që nuk jemi bukëshkalë, e nuk i harrojmë lehtë veprat e mira.
Dëshiroj  që këtë shkrim t’a mbyll me një thënie të Margaret Thatcher “She’s wasn’t lucky, but she deserved it” – pra as Hillary nuk është me fat, thjesht ajo e meriton dhe askush tjetër.
Albania for Hillary !!

* Autorja e shkrimit me presidentin Bill Klinton gjatë fushatës elektorale te kandidates Hillary Clinton

Filed Under: Featured Tagged With: Hillary Clinton, Kozeta Turishta, një grua me potencial, të jashtëzakonshëm

Kosovë-Debat për kufirin

August 3, 2016 by dgreca

-Në Prishtinë ka filluar debati profesional-shkencor për çështjen e shënjimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi/

PRISHTINË, 3 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/ Sot, në mjediset e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka filluar debati profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për Shënjimin e kufirit dhe Grupit të njohësve që kanë kërkuar debatin për diskutim dhe ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit, Kosovë – Mali i Zi.

Në këtë tryezë po marrin pjesë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidenti, kryeministri, anëtarët e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, ekspertë të propozuar nga grupi i deputetëve që e kanë kërkuar debatin, përfaqësues të institucioneve relevante të fushës, organizata joqeveritare, media, diplomatë të akredituar në Republikën e Kosovës. “Dilemat dhe kundërshtimet rreth shënjimit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi duhet të sqarohen, në mënyrë që vendi të ecë përpara”, thanë pjesëmarrësit. Debati me pikëpamje e vlerësime të ndryshme po vazhdon dhe në përfundimin e tij do raportojmë gjerësisht edhe nëse do të ketë edhe përfundime të përbashkëta apo jo./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: Kosovë-Debat, Për kufirin

Kosovë-Serbi, në Bruksel mbi 19 orë bisedime

August 3, 2016 by dgreca

-Progres në zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjeve. Delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë plotësisht i angazhuar në mbrojtjen e interesave shtetërore/

PRISHTINË, 3 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Raundi më i ri i bisedimeve në Bruksel i delegacioneve të Kosovës e Serbisë ka qenë maratonik dhe ka zgjatur mbi 19 orë, bënë të ditur sot burimet zyrtare të qeverisë kosovare.

Delegacioni i Republikës së Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka qëndruar në Bruksel në raundin e ri të bisedimeve të ftuar nga Bashkimi Evropian me qëllim zhbllokimin e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më 25 gusht 2015, të cilat janë bllokuar nga ana e Serbisë tash e një vit.

“Me gjithë faktin se këto kanë qenë bisedime mjaft të vështira, por në një atmosferë konstruktive të ndërmjetësuara nga Drejtoresha e BE-së për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin,  Angelina Eichhorst, është shënuar progres në zhbllokimin e marrëveshjeve në fushën e heqjes së barrikadës nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe marrjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën”, deklaroi ministrja Tahiri.

Njoftimi i sapodërguar nga Brukseli thekson se, angazhimi i Bashkimit Evropian në këto bisedime ka qenë maksimal në mënyrë që këto dy çështje më në fund të zbatohen dhe qëndrimi i BE-së ka qenë i qartë që palët duhet t’i plotësojnë obligimet e tyre zbatuese duke theksuar se ky dialog është për fqinjësinë e mirë dhe është kusht për të dyja shtetet në rrugën e tyre të integrimit evropian.

“Delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë plotësisht i angazhuar në mbrojtjen e interesave shtetërore duke marrë parasysh se kodi telefonik shtetëror për Kosovën ka një rëndësi të madhe në fushën e telekomunikacionit sidomos në planin sovranitetit ndërkombëtarë në telekom”, tha ministrja Tahiri.

Ajo theksoi se në çështjen e kodit telefonik për Kosovën bisedimet kanë shënuar progres dhe në ditët në vazhdim do të mbahet takimi i radhës në të cilin do të përmbyllet çështja e kodit telefonik shtetëror për Kosovën.

Ministrja Tahiri vlerësoi se angazhimi i grupit punues për çështje të telekomit i kryesuar nga Kreshnik Gashi, kryesues i grupit shtetëror punues për çështje të telekomit në dialogun e Brukselit ka qenë maksimal, si dhe ka treguar kompetencë dhe përgjegjësi të lartë shtetërore për zbatimin e përpiktë të marrëveshjes për telekomin e cila Kosovës ja mundëson kodin telefonik +383 dhe që së shpejti ITU pritet t’ia alokojë Kosovës.

Ky raund i bisedimeve u fokusua edhe në çështjen e zhbllokimit të marrëveshjes për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Mitrovicës ku bisedimet zgjatën deri në orët e para të mengjesit të ditës së sotme.

“Qëllimi i këtyre bisedimeve ishte që sa më shpejtë të fillojë procesi i revitalizimit të urës në Mitrovicë dhe qëndrimi i Bashkimit Evropian ishte i qartë që kjo çështje nuk mund të zvarritet më tej dhe sipas tyre revitalizimi duhet të filloi para datës 15 gusht 2016”, bën të ditur ministrja kosovare për Dialog.

Ministrja Tahiri thekson se, në kuadër të diskutimeve për hapat praktikë të revitalizimit u ritheksua që marrëveshja e arritur më 25 gusht 2015 duhet të zbatohet plotësisht, ura e Mitrovicës të funksionalizohet dhe të jetë urë për lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve sipas planit të dakorduar në dialogun e Brukselit.

“Ishte vlerësim i përbashkët i të tre palëve që hapja e urës për lëvizje të lirë do të jetë simbol i normalizimit të relacioneve mes komuniteteve dhe kjo urë më në fund do të kryejë funksionin e vet si çdo urë në botë që bashkon njerëzit”, u shpreh ajo.

Filed Under: Komente Tagged With: Kosove-Serbi, mbi 19 orë bisedime, ne Bruksel

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2593
  • 2594
  • 2595
  • 2596
  • 2597
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT