• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Rihapet aeroporti i Stambollit – 41 numri i të vrarëve

June 29, 2016 by dgreca

Stambolli rihapi plotësisht Aeroportin Ndërkombëtar Ataturk, pas sulmit vetëvrasës, ku humbën jetën 41 vetë dhe u plagosën më shumë se 200.Kompania Turkish Airlines njoftoi se ka rifilluar të gjitha operacionet e fluturimit, duke përfshirë fluturimet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Stambollit.

Kryeministri Binali Yildirim tha se tre persona vetvrasës arritën të martën me taksi në aeroport dhe hapën zjarr me armë automatike, duke qëlluar pa dallim në drejtim të njerëzve, para se aktivizonin lëndët shpërthyese, ndërkohë që policia po afrohej.Një dëshmitar i paidentifikuar tha:

“Shpëthyen dy bomba dhe pati shumë të shtëna; njerëzit shtriheshin për tokë dhe u krijua panik. Pas disa minutash, na treguan se në cilin drejtim duhet të vraponim për të shpëtuar. Qëndruam në një bodrum për afro një orë. Nuk e di se sa njerëz kanë vdekur dhe janë plagosur. Nuk kam asnjë ide, por pamjet janë mjaft të rënda.”

Kryeministri Yildirim tha se provat e para flasin për një sulm nga ana e ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Grupi Shteti Islamik është fajësuar për dy shpërthime vetëvrasëse në fillim të këtij viti që kishin për objektiv turistët e huaj në Stamboll.

“Është një masakër e madhe. Turqia nuk e meriton një krim të tillë dhe unë e dënoj. Nuk ke ç’të thuash më shumë. Është një ngjarje shumë e trishtueshme. Nuk mund të kryesh një krim të tillë, por ka njerëz që e bëjnë. Është çnjerëzore,” thotë Ali Kolla, banor i Stambollit.

Vitin e kaluar, në Ankara dhe Stamboll u vranë dhjetra njerëz si pasojë e shpërthimeve të kryera nga Shteti Islamik apo rebelët kurdë.

Grupi kurd PKK zakonisht vë në shënjestër forcat e sigurisë, siç ndodhi këtë muaj me një sulm ndaj një autobusi të policisë, ku u vranë 11 vetë.

Korrespondentët e Zërit të Amerikës në Stamboll thanë se një nga sulmuesit hodhi vetën në erë në dalje të aeroportit, një zonë e ngarkuar me njerëz që presin transportin. Dy sulmues të tjerë besohet të kenë provuar të hyjnë në terminalin e mbrojtur nga policë të armatosur dhe detektorë me rreze X.

Një dëshmitar i tha shërbimit turk të Zërit të Amerikës se “pati dy shpërthime më të vogla të pasuara nga një më i fuqishëm. Njerëzit vrapuan gjithandej. Nuk dinin ku të shkonin.”

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, arriti në Stamboll mbrëmë, pak minuta pas sulmit. Në një postim në Twitter ai shprehu “keqardhjen e thelle për jetët e pafajshme të humbura në këtë tjetër akt barbar te atyre qe s’kanë as Zot as shpresë dhe as vend mes njerëzve!”

Reagon Shtëpia e Bardhë

Shtëpia e Bardhë e dënoi fuqimisht sulmin. Zëdhënësi Josh Earnest tha të martën mbrëma se “aeroporti ndërkombëtar Ataturk, ashtu si aeroporti i Brukselit që u sulmua më herët gjatë këtij viti, është simbol i lidhjeve ndërkombëtare dhe lidhjeve që na mbajnë të bashkuar. Ngushëllimet më të thella familjeve dhe të afërmve të atyre që u vranë dhe shërim sa më të shpejtë atyre që u plagosën. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për Turqinë, aleatin tonë në NATO dhe partnerin tonë, së bashku me të gjithë miqtë dhe aleatët në mbarë botën, ndërkohë që vazhdojmë të përballemi me kërcënimin e terrorizmit”.

Sulmi është dënuar edhe nga udhëheqësit kryesorë të Bashkimit Evropian të cilët u zotuan të qëndrojë përkrah Turqisë si aleatë të saj në luftën kundër ekstremizmit.

Turqia që është pjesë e koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it, është duke luftuar po ashtu militantët kurd në pjesën juglindore të saj.

ISIS-it, është duke luftuar po ashtu militantët kurd në pjesën juglindore të saj.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Kronike Tagged With: aeroporti i Stambollit, Rihapet

Tryezë shqiptare në Parlamentin gjerman

June 29, 2016 by dgreca

Që nga viti 1986 Parlamenti gjerman ofron bursa për praktikantë në zyrat e deputetëve gjermanë. Prej vitit 2001 në këtë program merr pjesë edhe Shqipëria.

Albanischer Stand IPS Programm Berlin Programi i Bundestagut për praktikantë në zyrat e deputetëve gjermanë

Prej 30 vjetësh Parlamenti gjerman ofron programin IPS(Internationales Parlaments-Stipendium), i cili u ofron çdo vit 120 të rinjve nga vende të ndryshme të botës mundësinë që të njohin nga afër mënyrën e punës së parlamentit dhe të deputetëve gjermanë.

Të rinjtë kanë mundësi të japin kontributin e tyre në punën e përditshme në zyrën e deputetëve, t’i shoqërojnë ata në takimet e Komisioneve Parlamentare, në aktivitete të ndryshme apo takime në zonën e tyre elektorale. Projekti në fillesat e tij ishte konceptuar vetëm për praktikantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por me kalimin e viteve është u hapure dhe për shumë vende të tjera nga Evropa Veriore, Lindore, Juglindore, vendet e Afrikës Veriore e të Lindjes se Mesme.

Albanischer Stand IPS Programm Berlin Arnisa Tepelija dhe Ermal Ndini bashkë me ambasadorin shqiptar, Artur Kuko

Pratikantë nga Shqipëria

Që nga viti 2001 për programin IPS përzgjidhen çdo vit edhe dy apo tre praktikantë nga Shqipëria. Këtë vit nga Shqipëria kanë ardhur Arnisa Tepelija dhe Ermal Ndini. “Kjo eksperiencë ka qenë jashtëzakonisht informuese, pasuruese dhe me vlerë.” – thotë për DW-në Arnisa Tepelija. Ajo shton se ka mundësinë për t’u njohur nga afër me punën e përditshme të Bundestagut, dhe “të shikoj shpërndarjen e pushtetit në nivele të ndryshme qeverisëse (që nga landet deri në nivel evropian), të shkoj nëpër takimet ku merren vendime kyçe për politikën e brendshme dhe evropiane, kam vërejtur dhe krahasuar edhe metodikën e punës, standardet e larta të angazhimit e profesionalizmit të stafit, atij grupi njerëzish që ekziston mbas personave të skenës politike, kam evidentuar kriteret e transparencës ndaj publikut që këtu konsiderohen të pakompromentueshme.”

Arnisa thotë se përmes kësaj pratike ka arritur të shohë edhe “atë që e bën politikën të njëjtë kudo: mbrojtjen e interesave krejtësisht të ndryshme në rangjet më të larta, përplasjen e ideologjive që mbulojnë të gjithe skeptrin politik nga e majta në të djathtën, përfytyrimet e ndryshme mbi konceptin e së mirës së përgjithshme, sfidat e përmirësimit të cilësisë së demokracisë, sfida e eliminimit të burokracive, përpjekjet për kapërcimin e hendeqeve mes popullit dhe përfaqësusesve të tij, problemet me të cilat ndeshet sot shoqëria gjermane edhe në kuadrin e madh evropian.”

Tryeza shqiptare

Çdo vit për mbrëmjen e praktikantëve në mjediset e Bundestagut organizohet edhe aktivitet prezantues për vendet nga vijnë praktikantët. Me ndihmën e Amasadës Shqiptare në Berlin tryeza e shqiptare këtë vit synonte prezantimin kulturor të Shqipërisë për botën e jashtme. Fletëpalosjet dhe broshurat informative plotësoheshin edhe me ushqime tradicionale shqiptare dhe verë nga Berati si dhe libra për historinë e Shqipërisë dhe të artit shqiptar.

“Besoj se jam rritur goxha nëpërmjet kësaj praktike”

Nga krahasimet mes punës në institucionet shqiptare dhe ato gjermane dy praktokantët shqiptarë, Arnisa Tepelija dhe Ermal Ndini, thonë se kanë identifikuar shumë aspekte konkrete që mund të përmirësohen në Shqipëri. Arnisa tregon se deputeti me të cilin ka punuar intensivisht është anëtar i Komisionit Parlamentar të Peticioneve, ku përpunohen ankesat e qytetarëve dhe përmirësimi i ligjeve sipas propozimeve të tyre konkrete në fusha që i prekin direkt. “Më ka impresionuar thellë puna që bëhet pranë qytetarëve këtu, që pavarësisht se jo perfekte, ushtrohet në shkallë të panjohura për ne. Mënyra se si ata trajtohen është barometër i funksionimit të demokracisë. Kjo, së bashku me transparencën në punën e institucioneve është diçka që tashmë e kam përzemër ta gjej edhe ne Shqipëri, e në mos qoftë akoma aty, të jap kontributin tim modest për ta bërë të mundur.” – thotë Arnisa duke konkluduar me fjalët: “Besoj se jam rritur goxha nëpërmjet kësaj praktike”(DW)

Filed Under: Rajon Tagged With: në Parlamentin gjerman, Tryezë shqiptare

Kosovë-Shqipëri, pikë e përbashkët e kontrollit kufitar

June 29, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës zhvillon mbledhjen e 30-të të vitit 2016, miraton strategji për reformën e Menaxhimit të Financave Publike për vitet 2016-2020/

 Gazeta DIELLI, nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 29 Qershor 2016/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për pikë të përbashkët të kontrollit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në sezonin veror.

Nga fillimi i verës në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi ka fluks  të shtuar që pritet të shënojë rritje gjatë gjithë verës e vitit 2016 edhe krahasuar me vitet e kaluara që ishin gjithnjë me ngritje.

Mes Shqipërisë e Kosovës, më shumë se 2.7 milionë (2732089) hyrje dalje të personave kishte vetëm gjatë tre muajve të verës 2015 – në qershor, korrik e gusht.

Në vendkalimin kryesor nëpër Autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, sot nga mesdita kolona në dalje nga Kosova në Shqipëri është 50 metra e në hyrja 10 metra dhe kalohet pa vonesa për 2 deri 5 minuta, bën të ditur në këto momente Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Në dy vendkalimet tjera Kosovë-Shqipëri, Qafë të Prushit dhe Qafë të Morinës, në hyrje-dalje kalohet për 1 deri 3 minuta, pa kolona.

Qeveria e Kosovës, zhvilloi sot mbledhjen e 98-të, të 30-tën në vitin 2016, drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ku u miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës së Bashkëpunimit të Rinisë. Në këtë marrëveshje janë përfshirë gjashtë shtete të rajonit dhe selia e kësaj zyre do të jetë në Tiranë.

KOSOVA, STRATEGJI PËR REFORMËN E MENAXHIMIT TË FINANCAVE PUBLIKE PËR VITET 2016-2020

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, miratoi sot edhe Strategjinë për reformën e Menaxhimit të Financave Publike për vitet 2016-2020 dhe Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë.

Strategjia synon arritjen e menaxhimit të shëndoshë financiar duke përmirësuar sistemet që sigurojnë disiplinë fiskale, efikasitet funksional dhe alokim efektiv të resurseve publike në Republikën e Kosovës. Duke vlerësuar rëndësinë e resurseve buxhetore të Republikës së Kosovës për ofrimin e shërbimeve publike, përmirësimi i menaxhimit të financave publike do të ndikojë në të gjitha fushat e shërbimeve dhe do të jetë i dobishëm për qytetarët që i shfrytëzojnë ato.

Në mbledhjen e sotme, qeveria miratoi edhe Koncept dokumentin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shëndetësi. Përmirësimi i cilësisë dhe efektshmerisë së shërbimeve shëndetësore, është një nga prioritetet kryesore strategjike të qeverisë së Republikës së Kosovës, u than ë mbledhje.

Kabineti qeveritar shqyrtoi edhe zgjerimin e listës së projekteve kapitale të cilat do të financohen përmes Klauzolës së Investimeve në Republikën e Kosovës. Kjo listë do të zgjerohet pas analizës dhe diskutimit në Këshillin Kombëtar të Investimeve.

Edhe vendimi i qeverisë për fillimin e përdorimit të prokurimit elektronik për të gjitha organizatat buxhetore në Republikën e Kosovës,është diskutuar nga kabineti qeveritar. Qeveria ka insistuar që afatet e miratuara më herët të respektohen dhe të fillojë zbatimi i prokurimit elektronik.

Është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e kontributit vjetor ndaj Qendrës Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për emërimin e anëtarëve në Bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe vendimin për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Kabineti qeveritar, në mbledhjen e sotme ka miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Protokollin Financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës. Marrëveshja parasheh huan për financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të zeza në Republikën e Kosovës.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, e kontrollit kufitar, Kosovë-Shqipëri, pikë e përbashkët

Evropa kundër vetvetes?!

June 29, 2016 by dgreca

Nga Zeno Jahaj/

Gjysma e anglezëve ka votuar për të lënë BE-në.  Një makth a gjëmë e stërmadhe ka pushtuar mediat, fjalimet, liderët për një efekt të mundshëm domino: Bashkimi Evropian shkon drejt shpërbërjes. Kësisoj, tashmë evropianët do të enden secili për hesap të vet në xhunglën e re gjeopolitike që mund të krijohet nga një Evropë e copëzuar, e paorientuar, pré e fantazmave që e patën sfilitur atë sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ky është pak a shumë skenari i gjëmës apo i makthit.

Për më shumë se dy shekuj Evropa ishte qendra e fuqisë, pasurisë, intelektit dhe e qytetërimit perëndimor. Si e tillë, ajo sundoi skenën botërore. Për rrjedhim, edhe formula e gjeopolitikës kishte vulën e saj. Natyrisht Evropa ka qenë dhe është një burim vlerash universale progresi me gjithçka që i ka sjellë dhe i sjell njerëzimit në politikë e shoqëri, ekonomi e financë, mendim e ide, teknikë e teknologji, në të gjitha fushat. Revolucione të mëdha e të rrjedhimeve globale ishin produkte Evropiane. Ashtu sikurse, për fat të keq, ishte Evropa për të cilën dhe në të cilën u zhvilluan dy luftëra të përmasave botërore. Dy ideologjitë më shkatërrimtare të njerëzimit, komunizmi e nazizmi hodhën rrënjë dhe u instaluan pikërisht në Evropë. Evropa ishte një Perandori edhe pa qenë e bashkuar: do ë ishte një nga vendet Evropiane do të mbante gjithnjë çelësat e botës, pavarësisht se quhej Britani e Madhe apo Holandë, Francë apo Spanjë. Kjo Evropë ishte që furnizoi me gjak dhe i dha jetë një kontinenti të tërë Amerikan, që krijoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’i besuar, pastaj, asaj, tërë çelësat e botës. Por, kur Evropa e kuptoi, më së fundi, se pushoi së qeni perandori; kur asnjë vend Evropian nuk mund të vendoste tashmë i vetëm fatet e botës; kur nuk do të mund të përdorte më instrumentet që kishte përdorur për më shumë se dy shekuj, atëherë ajo iu drejtua një zgjidhjeje tjetër: të organizohej dhe të vepronte si bashkësi, si Bashkim Evropian.

E vërteta është se kontinenti, një herë e një kohë i vetëm me treg botëror sundimi e influence, sot fuqitë Evropiane zor se shtrihen dot deri edhe brenda kontinentit. Vetëm 8 për qind e eksporteve Evropiane shkojnë në tetë ekonomitë e tregjeve më të zhvilluara siç janë ata të disa vendeve të Azisë, të cilat tashmë vlerësohen se janë gjenerues të rritjes së ardhshme të ekonomisë botërore. Dikur me popullsi sa 33% e asaj botërore, sot, popullsia e Evropës nuk përbën më shumë sesa 17% të saj – një ritëm rënieje që rrezikon madje edhe riprodhimin e vetvetes. Dikur Evropa jepte gjysmën e prodhimit botëror, në vitet 1980 një të katërtën dhe sot një të pestën. Parashikimet janë akoma më pesimiste.

Pikëpyetjet që ngrihen janë therëse: Do të varrosë Evropa të gjitha armët që i dhanë asaj privilegjin e të qenit truri politik i botës?  Do të varrosë Evropa rolin e vet si aktor kushtëzues gjeografik e ekonomik i zhvillimeve të ardhshme globale? Do të sakrifikojnë vendet evropiane identitetin e vet Evropian për hir të identiteteve kombëtare? A do të konkurrojë dot një Evropë e shpërbërë përkundrejt fuqitë të mëdha aktuale dhe atyre të reja që po afirmohen? Më në fund, por jo e fundit për nga rëndësia, a do të ndjehen më të sigurt vendet dhe qytetarët evropianë pa fuqinë unike gjeofinanciare të Evropës së Bashkuar?

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë për t’i dhënë fund tragjizmit të saj që e çoi gjithë botën në dy luftëra shkatërrimtare, për t’i dhënë fund nacionalizmit të formës së nazizmit e të fashizmit. Edhe pse u quajtën luftëra botërore e përmasat ishin të tilla, fushëbeteja ishte Evropa dhe milionat e të vdekurve nga këto luftëra ishin tragjikisht vetëm evropianë.

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë për t’i dhënë fund dobësisë së saj klasike – armiqësive shekullore, rivalitetit nacionalist, për të t’u riformësuar si një kontinent më të lirë dhe më me prospritet pikërisht nën kuadrin e integrimit ndërevropian, jo të lirisë për konflikt evropian. Pas dy luftërave shkatërrimtare të cilat “tëharrën” burimet e saj njerëzore, material e financiare, Evropa u ndërgjegjësua se shkaku i këtyre luftërave ishin pikërisht pengesat për tregtinë dhe lëvizjen e lirë të prodhimeve, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve nëpër të gjithë kontinentin.

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë për të vërtetuar se e mira e përbashkët nuk sigurohet me struktura perandorake si ato të Ish Bashkimit Sovjetik, por me struktura të lira demokratike.  Dhe Evropa e fitoi këtë betejë.

Evropa e Bashkuar lindi si nevojë e rirregullimit të balancave gjeopolitike, për të mos i lënë këto balanca në dorë të fatit apo të fuqive autarkike a komuniste. Vetëm një Evropë e Bashkuar me vlerat e saj të lirisë e të prosperitetit demokratik do të kishte bërë të mundur të ndikoheshin zhvillime me peshë gjeopolitike si integrimi i shteteve post-fashiste si Spanja, Portugalia apo Greqia apo i atyre post-komuniste të pothuaj tërë Evropës Lindore. Vetë këto vlera universale do të mundësonin që madje edhe Serbia, e njohur për dyzimet e saj gjeopolitike e trajtat agresive të nacionalizmit të saj, të aspirojë për integrimin Evropian.

A mund të dalë, prandaj, Evropa kundër vetvetes?

Evropa – djepi i vlerave demokratike – kontinenti më i pësuar historikisht nga politikat e ekstremeve ultra të djathta,  ultra konservatore e ultra nacionaliste, nuk mund të lejojë të bjerë në duart e neonazizmit, neofashizmit, shovinizmit, ksenofobisë, racizmit, autoritarizmit, e regjimeve të korruptuara. Pësimi i hidhur, shumë i hidhur është shumë i afërt në kohë për ta harruar.

Evropa – rast unik i kulturës dhe strukturave të bashkëpunimit në nivel kontinental, nuk mund të lejojë të shpërdorojë armët e fituara në sajë të kësaj kulture dhe të këtyre institucioneve.

Një nga këto armë është siguria që prodhon BE përmes ekonomisë e financave të saj. Ishte dhe është BE-ja që ushtron politikat dhe armën gjeofinanciare përmes sanksioneve nga të cilat mund të tkurret aventurizmi ekspansionist i oligarkisë ruse. NATO, sigurisht është në gjendje ta trajtojë problemin aventuresk të Rusisë në Ukrainë, Estoni, Letoni apo Lituani, por jo pa BE-në.

Vetë Britania e Madhe nuk do të ndjehet e sigurt jashtë BE-së. Mjafton të kujtojmë se do të ishte një burrështetas britanik, Uinston Çërçill, të cilit Britania e Madhe i detyrohet shumë, i cili do të jepte i pari alarmin për një Luftë të Ftohtë, që promovoi me arsye idenë e Bashkimit Evropian kur ende Lufta e Dytë Botërore ishte në mesin e ashpër të saj kur shkruante: “Mezi pres të shoh Shtetet e Bashkuara të Evropës, në të cilat barrierat midis shteteve do të minimizohen së tepërmi dhe se udhëtimi pa kufizime do të jetë I mundshëm… Ka një ilaç, që nëqoftëse adoptohet përgjithësisht apo edhe spontanisht nga shumica dërmuese e popujve në shumë vende, do të ishte sikur një mrekulli për të transformuar tërë skenën dhe në pak vjet do ta bënte Evropën po aq të lirë dhe të kënaqur sa Zvicra sot. Çfarë është ky ilaç sovraniteti? Ai është të rikrijohet Familja Evropiane, sa më shumë që mundemi, dh eta sigurojmë atë me një strukturë nën të cilën ajo të mund të jetojë në paqe, siguri dhe liri. Ne duhet ta ndërtojmë një lloj Shtetesh të Bashkuara të Evropës. Hapi i parë në këtë rikrijim të Familjes Evropiane duhet të jetë një partneritet midis Francës dhe Gjermanisë. Nëqoftëse, nga ana tjetër, komuniteti tregtar i Evropës do të ishte përgjithmonë i kufizuar vetëm për gjashtë vende, rezultatet mund të jenë më keq sesa të mos bëhet asgjë…Kjo prirje nuk do bashkonte Evropën, por do  ta ndante atë dhe jo vetëm në fushën ekonomike…”

Vrasja alla naziste e Jo Cox, këshillat e udhëheqësve të tre partive kryesore politike, thirrjet e shumicës së kompanive lider në biznese, prononcimet dhjetëra njerëzve të famshëm, yjeve të sportit e ta artit, paralajmërimet dramatike nga ekspertë të ekonomisë folën për të qëndruar në Evropën e Bashkuar. Vullneti i kombinuar i kryeqytetit dhe rinisë angleze që votuan 75% për të qëndruar në BE si dhe ato të Skocisë, përkundër provincave dhe pleqve konservatorë, flet po kështu që Britania duhet të qëndrojë në BE.

Prandaj, Britania e Madhe, në thelb nuk ka dalë nga BE-ja, për më tepër po të kujtojmë se ajo nuk ishte pjesë e Eurozonës.

Impakti natyrisht do të jetë i madh. Britania e Madhe është fuqi e madhe, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, një nga anëtarët më me peshë në NATO. Dalja e saj mund të ndërsejë nacionalizmin, ekstremizmin e separatizmin në të gjithë kontinentin. Të paktën për dy vitet që vijnë, BE-ja do merret me veten e vet, duke lënë kësisoj hapësira gjeopolitike boshe sidomos  në Ballkan, ku më pak Evropë e Bashkuar do të thotë më shumë Rusi e Turqi, domethënë një gjendje e vitit 1913…

E vërteta që nuk thuhet qartë nga e gjithë kjo zallamohi është frika nga dinamika e re e globalizmit: milionat e refugjatëve që i sulen Evropës. Një Evropë e Bashkuar e menaxhon sidoqoftë problemin, edhe pse bëhet fjala për shifra të llahtarshme masive refugjatësh, që jo vetëm prekin demografinë, por sidomos destabilizojnë Evropën. Sidoqoftë, një Evropë e Bashkuar mund ta menaxhojë që në origjinë problemin e miliona refugjatëve.

Po një Evropë e shpërbërë çfarë do bëjë? Italia e vetmuar, p.sh., edhe pse është fuqi e madhe, nuk e menaxhon dot këtë problem në origjinë. Si një shtet demokratik ajo nuk mund t’i lë ata të mbyten në det. Por nuk ka as fuqi për t’i absorbuar. Atëherë mbetet rruga e fundit: t’i hipë në trena e t’ia faturojë evropianëve të tjerë.

Evropa nuk duhet dhe nuk do të shthuret. Në çdo rast të gjithë evropianët janë të humbur e as anglezët nuk janë të fituar. Evropa vetëm do të reformohet, sepse është një nevojë e kohës, e zhvillimeve. Kombet demokratike nuk shkojnë në luftë, as në ndarje e izolim, por në reformë. Evropa nuk është një bashkim i dhunshëm, as artificial, por një bashkim vlerash e perspektivash të pakthyeshme.

Nuk jemi në kufijtë e shthurjes së Evropës, por në kufijtë e nisjes së reformimit të Evropës. Kjo është një betejë e re Evropës, beteja e riformimit e transformimit, jo e tërheqjes. Beteja dhe inati nuk është me Britaninë, por me të ardhmen e vetë Evropës. Evropa nuk mund të dalë kundër vetvetes.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Evropa kundër vetvetes?!, Zeno jahaj

Kosovë-Bono për Diasporën, prezantim në Austri

June 29, 2016 by dgreca

-Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, në Austri është takuar me përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve, ku shpalosi instrumentin e ri financiar- Bono për Diasporën. Ai bëri të ditur se, çdo vit në Kosovë,  në formë të remitencave vijnë rreth 600 milionë euro nga diaspora/

  PRISHTINË, 29 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri kosovar i Financave, Avdullah Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Austri është takuar me përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve me të cilët ka diskutuar për mundësitë e investimeve  në Kosovë, ku shpalosi instrumentin e ri financiar- Bono për Diasporën. “Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën, dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh dhe me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja”, tha ai.Ministri Hoti bëri të ditur se, çdo vit në Kosovë,  në formë të remitencave vijnë rreth 600 milionë euro nga diaspora.“Kapaciteti financiar nuk shfrytëzohet sa duhet, remitencat shkojnë për konsum ose patundshmëri. Andaj, kjo është një mundësi e shkëlqyer investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi”, vijoi ai.Hoti bëri të ditur se ky  instrument ka për qëllim të nxisë diasporën që të investojë në letra me vlerë të qeverisë dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. “Për Kosovën, Bonot janë mundësi e mirë për zhvillim. Interesi që paguhet mbetet në duart e bashkatdhetarëve dhe gjithashtu krijon lidhje më të forta financiare me diasporën”, theksoi ministri kosovar i Financave. Në takim ministri Hoti gjithashtu informoi edhe për reformat që po bën qeveria për të lehtësuar të bërit biznes në Kosovës. Si pjesë e këtyre reformave ai shpalosi pakon e re fiskale, Ligjin për Investime Strategjike, Fondin Kosovar për Sigurimin e Kredive si dhe Klauzolën e Investimeve. Përfaqësuesit e Unionit të Bizneseve në Austri gjatë takimit me ministrin Hoti shprehën falënderimet e tyre për interesimin e qeverisë së Kosovës, e cila po i ofron mundësi edhe diasporës për të investuar në Kosovë përmes  Bonove të  Thesarit. “Kjo i  mundëson diasporës të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të vendit”, vlerësuan ata derisa shprehën gatishmërinë dhe interesimin për të investuar në Kosovë, qoftë përmes bonove për diasporën apo edhe në forma të tjera.

Filed Under: Mergata Tagged With: Kosovë-Bono për Diasporën, prezantim në Austri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2692
  • 2693
  • 2694
  • 2695
  • 2696
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT