• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kreu i Veteraneve të UÇK: Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm

December 18, 2020 by dgreca

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati u deklarua i pafajshëm në paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tij.

“Në gjitha pikat që m’u lexuan deri ndjehem i pafajshëm dhe plotësisht i pafajshëm”, tha Gucati të premtën para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë. 

“Ne nuk e kemi pushtuar Serbinë, ne jemi të pafajshëm, une kam të drejtën e lirisë dhe shprehjes dhe të drejtën e shprehjes së mendimeve të mia. Është e drejtë e imja që në mënyrë të ligjshme të mbrojë vlerat e kombit shqiptar dhe të UÇK-së dhe do të vazhdojë t’i mbrojë këto vlera deri në fund”, tha ai.

Paraqitja e Gucatit para Dhomave të Specializuara u bë disa orë pasi të premten para kësaj Gjykate u paraqit edhe nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou ka konfirmuar aktakuzën ndaj Gucatit dhe Haradinajt më 11 dhjetor.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara më 14 dhjetor, është thënë se aktakuza lidhet me “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Këto vepra penale dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shtator 2020.

Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale.

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe të Policisë së Kosovës.

Tri herë gjatë shtatorit, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Prokurorinë Speciale.

Përmbajtja e tyre nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri më tash, ky institucion ka njoftuar se ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte kundër disa ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa.

Të gjithë këta të fundit ndodhen në objektet e paraburgimit në Hagë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Gucati, ne nuk e pushtuam, Serbine

Haradinaj nuk deklarohet para Speciales për aktakuzën kundër tij

December 18, 2020 by dgreca

Udhëheqësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, nuk është deklaruar të premten para Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, me seli në Hagë, lidhur me akuzat që ngarkojnë mbi të.

Në paraqitjen e tij të parë para gjykatës më 18 dhjetor, kur është pyetur nëse ka pranuar aktakuzën, Haradinaj ka thënë se nuk e ka lexuar këtë dokument.

“Kam nënshkruar diçka, por të them të drejtën as që e kam lexuar”, ka deklaruar ai.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou më 11 dhjetor ka konfirmuar aktakuzën ndaj Haradinajt dhe udhëheqësit tjetër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara më 14 dhjetor, është thënë se aktakuza lidhet me “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Këto vepra penale dyshohet se janë kryer në periudhën 7-25 shtator 2020.

Nasim Haradinaj deklaroi të premtën se Prokuroria Speciale është politike, selektive, e njëashme dhe e korruptuar.

“Për mendimin tim, kjo prokurori është së pari politike, selektive dhe e njëanshme. Por tani me këtë veprim të tyre, po dyshoj dhe po bindem se është edhe e korruptuar. Sepse ndryshe nuk do të dilte gjithë ai material nga zyrat e tyre dhe si përfundim sheshazi po del se kjo prokurori, pos tjerash ka edhe dy qëllime, mundohet të njollosë dhe të humbë kuptimin e luftës sonë çlirimtare dhe luftëtarëve të saj dhe nën dy, po mundohet të dënojë përfaqësuesit e këtyre luftëtarëve”.

Sipas tij, OVL e UÇK-së, nuk mund të fajësohet për, siç ka thënë ai, nxjerrjen nga sirtarët të këtyre dokumenteve.

“​Për mua dhe këdo që ka vetëm një pikë logjikë, nuk ka si kuptohet ndryshe, vetëm se kjo prokurori dëshiron të heqë vëmendjen e opinionit nga vetja dhe të kërkojë fajin diku tjetër. Ne duhet të përgjigjemi se pse ju dolën sekretet e tyre, dhe u sollën mijëra kilometra larg në zyrat tona dhe mos harroni, ato nuk ishin as një, as dy fletë, por me mijëra faqe. Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së nuk ka pasur qasje dhe nuk ka dhe as qe mundet të fajësohet për nxjerrjen nga sirtarët e tyre të këtyre dokumenteve”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka thënë se Gjykata Speciale nuk ka çfarë të presë nga ai, sepse dihet publikisht qëndrimi që ka për këtë trup.

“Mohimi i faktit, duke anashkaluar se kush i nxori nga sirtarët e kësaj prokurorie këto dokumente, kush i solli ne Kosovë, kush na i solli në selinë tonë, dhe tani për këtë, ta mbajmë ne përgjegjësinë e tyre, është çmenduri dhe aspak drejtësi. Kur dihet shume qartë mendimi ynë për këto dhoma, pra ne të fajësohemi për të larë fajet e kësaj prokurorie, është absurd i kësaj prokurorie në drejtësinë e këtij shekulli”.

Mes tjerash, Haradinaj ka thënë se tash e tutje do të përfaqësohet në gjykatë vetëm përmes avokatit.

“Unë më nuk flas, por do të flas vetëm përmes avokatit”, ka deklaruar ai.

Avokati i Haradinajt në këtë proces gjyqësor do të jetë Toby Cadman.

Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj “zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe nëpërmjet shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”.

Haradinaj dhe Gucati janë arrestuar më 25 shtator në Prishtinë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe të Policisë së Kosovës.

Fillimisht nuk janë dhënë detaje për arsyet e lëshimit të fletarrestimeve, por më vonë është thënë se ata kanë penguar drejtësinë.

Tri herë gjatë shtatorit, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Prokurorinë Speciale.

Përmbajtja e tyre nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deri më tash, ky institucion ka njoftuar se ka konfirmuar aktakuzën për krime lufte kundër disa ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e tyre: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Salih Mustafa.

Të gjithë këta të fundit ndodhen në objektet e paraburgimit në Hagë.(RFL)

Filed Under: Komente Tagged With: Aktakuza, Haradinaj, no Comment

Ndryshimi i ligjit zgjedhor – obligim demokratik ndaj qytetarëve

December 18, 2020 by dgreca

Ndër çështjet të cilat do të ballafaqohet qeveria e re në Mal të Zi, është edhe ligji zgjedhor i cili duhet të pësojë ndryshime përmbajtësore duke iu mundësuar qytetarëve të votojnë për listat e hapura duke votuar kandidatët që ata i vlerësojnë e jo listat partiake si deri më tash që nuk kanë treguar vullnetin e qytetarëve por të strukturave partiake  duke eliminuar vlerat  e demokracisë pluraliste, ndërsa për shqiptarët duhet të rikthehet njësia e veçantë zgjedhore, apo ndonjë model tjetër i pranueshëm, që do të ishte në favor të qytetarëve që këtu trajtohën si pakica kombëtare në  këtë  mjedis multinacional  si kudo në botën demokratike

Nail   Draga

Në sajë të përbërjës së saj heterogjene nga analistë të ndryshëm qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 30 gushtit të këtij viti cilësohet si eksperimentale, teknike apo me mandat të kufizuar, ajo nga fillimi është duke u ballafaquar më çështje të ndryshme organizative funksionale nga fuzionimi i ministrive të ndryshme, zgjedhjeve kadrovike, por edhe në propozim ndryshimin e ligjëve ekzistuese që janë trashëgimi nga qeveria e mëparshme. Pikërisht duke marrë parasysh gjendjen ekzistuese, për ndryshime cilësore duhet kohë të paktën gjashtë muaj si kudo në botën demokratike. 

Por,sa ka filluar mandatin kjo qeveri janë paraqitur individë me qasje kritike ku veçohen  ish qeveritarët të cilët ndaj  qeverisë aktuale kanë animozitet sepse pas tridhjetë viteve kaluan në opozitë pa përfitime të pushtetit. Ndonëse është e drejtë e çdo indvidi apo subjekti politik të kritikojë, në këtë drejtim me së paku  kanë drejtë të kritikojnë ata qe me veprimet e tyre këtë vend e kanë sjellë  pranë falemintimit financiar dhe polarizimit shoqëror sikurse në vitët 90-ta të shekullit të kaluar.

Listat e hapura në favor të demokracisë

Shumica parlamentare duhet të fillojë të realizoj në praktikë premtimet nga fushata parazgjedhore, duke dëshmuar seriozitetin e qeverisjës dhe të demokracisë parlamentare. Këtu kryesisht kemi të bëjmë me ligjin e prejardhjës së pasurisë, ligjin e lustracionit dhe ate te ligjit zgjedhor. Ndërsa në mënyrë të veçantë kemi të bëjmë  me vendosjën e mekanizmit të listave të hapura, duke aplikuar demokracinë e munguar qytetare për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim, e jo sipas shijës së kryetarit të partisë apo të klanëve të ndryshme.

Derisa Mali i Zi nuk do të ndryshoj sistemin zgjedhor duke miratuar listat e hapura zgjedhore, në mënyrë që qytetari të zgjedh deputetin, këshilltarin sikurse kryetarin e shtetit, nuk mund të flitet për shtetin serioz, përkatësisht demokracinë parlamentare e cila është rezultat i votës legjitime të qytetarëve.

Partitokracia në pluralizëm

Në Mal të Zi  edhe në pluralizëm kemi  formën e votimit të listës zgjedhore partiake, nga del së pushteti deri më tash nuk ka bërë përpjekje për të ndryshuar formën ekzistuese, sepse këtu  dominon sistemi partitokratik, që në një formë i ngjason monizmit.

Forma e deritashme e votimit dëshmon se qytetari nuk është pronar i votes së tij por ate ia ka “dhuruar” partisë, e cila mund të vendosë në emër të tyre. Nuk ka dilemë se kemi të bëjmë me mungesën  e vetëdijës  së qytetarëve për të kuptuar se ato janë pushtet, e jo partitë. Sepse janë qytetarët që me votën e tyre zgjedhin e jo e kundërta, por disave siç duket nuk iu konvenon që qytetarët të kenë të drejta të tilla, por ata të mbesin gjithnjë makineri votuese të partive të ndryshme. Dhe nga gjendja e tillë ekzistuese del qartë se Malit të Zi edhe në kohën e pluralizmit   institucioneve shtetërore dhe parlamentit  iu  mungon legjitimiteti.

Legjitim është vetëm presidenti i shtetit

Por, në këtë aspekt legjitim është vetëm një organ në sistemin juridik në Mal të Zi, e ky është presidenti i shtetit, sepse vetëm ate deri më tash e zgjedhin qytetarët. Dhe në mënyrë analoge duhet të ndodh edhe me zgjedhjen e deputetëve e këshilltarëve, e jo të zgjedhin listat partiake. Por, të gjithë jemi dëshmitarë së në Mal të Zi, subjektët politike si pozita dhe opozita, deri më tash nuk kanë shprehur gadishmëri për ta ndryshuar ligjin zgjedhor, sepse siç duket partive nuk iu konvenon  për të humbur pozitat e tyre.

Mungesë e dëshirës për ndryshime

Në sajë të informacionëve që disponojmë nga viti 1998, kur ligji zgjedhor është miratuar me dy të tretën e shumicës parlamentare, deri më tash janë bërë 15 ndryshime të këtij ligji, por për çështjën themelore nuk kanë shprehur dëshirë jo për ta zgjidhur, por as trajtuar në seancë parlamentare. Sepse  është e drejtë elementare e qytetarëve për të  zgjedh kandidatin në listen zgjedhore, me emër dhe mbiemër, ashtu sikurse zgjidhet kryetari i shtetit. 

Një formë e tillë e votimit do të krijonte barazi qytetare, duke iu mundësuar qytetarëve që të votojnë për kandidatin për deputet apo këshilltar  sipas preferencës së tyre, e jo për ate të vendosë partia, përkatësisht kryetari i saj apo një grup individësh reth tij, duke mos respektuar vlerat profesionale, individuale e meritokracinë si kategori shoqërore.

Ligji i tillë mund të aplikohet në zgjedhjet lokale

Andaj, një ndër prioritetët e qeverisë së re, duhet të jetë edhe ndryshimi i ligjit zgjedhor, sepse duhet të realizohet në praktikë premtimi parazgjedhor. Në këtë aspekt besoj se nuk do të mungojë vullneti politik nga shumica parlamentare, madje mendoj se do të mbeshtetet edhe nga opozita, sepse një ligj i tillë është në favor të demokracisë parlamentare. Vetëm me miratimin e  një ligji të tillë, qytetarët do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre që do të jenë legjitim sikurse dhe vet parlamenti. 

Në këtë aspekt ekzistojnë modele të ndryshme, që mund të zbatohën edhe në Mal të Zi, siç është p.sh. ai në Kosovë, por edhe të ndonjë vendi tjetër në regjion, duke mos anashkaluar pjesëtarët e popujve pakicë, të cilët janë pjesë e mozaikut politik në këtë mjedis. 

Pasi, në vitin e ardhshëm në disa komuna në Mal të Zi do të mbahën zgjedhjet lokale, nëse ka vullnet politik, fillimisht një ligj i tillë nëse do të miratohej nga parlamenti vitin vijues, ai  do të aplikohej në këto zgjedhje, duke zbatuar në praktikë për të parën herë  vullnetin e qytetarëve e jo të partive politike në procesin zgjedhor.

Për shqiptarët duhet njësia e veçantë zgjedhore

Në këto tridhjet vite të pluralizmit në Mal të Zi janë aplikuar disa modele zgjedhore, sipas dëshirës së pushtetit, duke ia përshtatur vetës sipas rrethanave shoqërore. Në këtë aspekt shqiptarët si popull pakicë nuk kanë pasur definim në ligjin zgjedhor, sepse për numrin e deputetëve që kanë zgjedhur viset apo vendvotimet shqiptare është vendosur në kuvend vazhdimisht pa pëlqimin e shqiptarëve. Ndonëse shqiptarët  nga viti 1996 e më pas kishin në një farë forme njësinë e tyre zgjedhore, e cila siguronte pesë mandate të deputetëve, ajo ishte e papërshtatshme për DPS-in. Shkaku ishte  viti 2009, sepse në këto zgjedhje  shqiptarët nga pesë fituan katër mandate, që ishte një alarm për pushtetin. Pikërisht nga ky shkak në fund të vitit 2011,  shumica parlamentare inicoi ndryshimin e ligjit zgjedhor, duke ofruar një model tjetër që shqiptarët mund të fitojnë më së shumti tre deputetë. Ndonëse një propozim të tillë deputetet shqiptarë e refuzuan, duke u larguar nga salla e parlamentit pozita e opozita malazeze e votoi, duke iu mohuar shqiptarëve të drejtat e arritura. Një veprim i tillë dëshmoi në mënyrë transparente se kur janë në pyetje të drejtat e shqiptarëve si pozita e opozita malazeze janë së bashku. Dhe nga zgjedhjet vijuese numri i deputetëve shqiptar u zvogëlua: në vitin 2012 më dy deputetë, me 2016 më një, dhe tash me 2020 me dy deputetë.

Andaj për të ndryshuar këtë gjendje në kuadër të ndryshimit të ligjit zgjedhor duhet angazhuar që për shqiptarët të rikthehet njësia e veçantë, apo ndonjë model tjetër i pranueshëm, që  do të jetë në favor të barazisë qytetare në këtë mjedis multinacional.

 ( Dhjetor 2020) 

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga, Ndryshimi I Ligjit zgjedhor

Vjosa Osmani dhe regjimi i Tiranës

December 18, 2020 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Shumë njerëz bëjnë habi se përse Edi Rama nuk ndodhej në Kuvend gjatë fjalës së Presidentit në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani. Eshtë fare e thjeshtë, ka të bëj me kultin e individit, regjimin e tij. Vetëm shqiptarët nuk e po e kuptojnë dot se Edi Rama aktualisht ka ngritur një regjim. Sado të prisni 25 prillin, prapë nuk do fitoni. Sado të shpresoni në një rrotacion normal, prapë ai do fitoj. Do ta gjej një kleçkë, një mënyrë, do e plasi një bombë tjetër ku ju të futeni në atë gangrenën, që, e bëri veza pulën apo pula vezën? Ju do gërrëvrreni prapë, pasi ai i ka kapur të gjitha. Dhe sado të dalldiseni studiove, pasi bini kollaj në rrjetat e makinerisë së tij, me meditimet mbi protestat, ligjshmëritë, vagabondët, adoleshentët, studentët etj.. Apo larjen e duarve nga përgjegjësia mbi protestat, mënjanimin sikur jeni të virgjër në politikë, prapë jeni të humbur. Përse? Sepse nuk po e merrni seriozisht regjimin e këtij individi. Por po bëni lojrat e tij. Nga ana tjetër dasimet sociale dhe pretendimet politike të bythecëve që e kujtojnë veten liderë të demokracisë, duke rishpikur forca me prirje tavolinash ku dominon kafeja turke dhe alkoli, plotësojnë kuadrin e një rënie totale të vendit amë. Një Kosovë e sfilitur luftrash duhej të kishte sot një nderim katërfishor, për shkak se shikon tek ne kombin. Deri pak vite më parë, pavarsisht të gjithave, lidereshipi politik i të të dy anëve, kishin vëmendje të lartë dhe të ndërsjelltë. 

Me ardhjen e Edi Ramës kryeministër, raportet Shqipëri-Kosovë futen në një konflitualitet të përditshëm sa sot askush nuk e ka të vështirë të kuptoj ftohjen e madhe mes Prishtinës dhe Tiranës. Dhe ta mendosh që ca javë më parë e gjitha makineria e propogandës e regjimit të Tiranës, çfarë nuk tha në lidhje me një kasetë ku lideri i opozitës paska hetuar kundër UÇK-ës. Megjithatë, kreu i regjimit, ky strateg i madh i rajonit, nuk denjon të dëgjoj drejtpërdrejtë fjalën e Presidentit në detyrë të Kosovës. Ai nesër mund të dali, siç edhe e ka zakon, ashtu masiv qillotash, me sy plot urrejtje, të japi mendje. Të flasi plot përbuzje si bullist që është, karshi kundër çdo mendimi ndryshe, pavarsisht titullit si kryeministër i shqiptarëve. Mund të përbuzi kërkënd duke i pëlqyer veç e vetëm mendja e tij. Dhe kjo mund t’i bëjnë të fërkojnë shalët perversët e kastës së tij, të gjitha ata që janë gati ta shkelin akoma Shqipërinë veç e vetëm për hatër të shefit të tyre dhe për inat të Sali Berishës etj. Në fund të fundit, Kosova apo çështja kombëtare nuk është punë e tyre. Punë e tyre është vetëm kulti i individit. Ndaj sot fjalimi i Presidentit në detyrë të Kosovës, stonon në Tiranë. Kjo për sinqeritetin, opozitarizmin e drejtëpërdrejtë, fisnikërinë dhe historinë e individit të përndjekur nga i huaji dhe i veti. Vjosa Osmani stonon edhe për mendësinë e femrës së Tiranës karshi asaj të Prishtinës, në raport me shefin dhe çështjen kombëtare. Ajo e Kosovës e sheh Skëndërbeun në Krujë, kurse ajo e Tiranës tek kryeministri në detyrë. Çështje regjimi, jo kombi. Edi Rama nuk ka se si ta duroj askënd që i del përpara planeve të tia. Për ‘të  takimet mes shqiptarëve janë vetëm të mbyllura, janë ato çfarë u servir mediave ertv-ja e tij. Kurse Vjosa është e hapur. Nuk punon për vete por për Kosovën dhe Shqipërinë. Në Tiranë Edi Rama punon për vete. Një vajzë nga Mitrovica e përvëluar nuk ka se si të punoj për vete. Një pinjoll i regjimit po. Madje ashtu si Enver Hoxha, u thotë të tijëve që Kosova  nuk është në axhendën tonë. Dhe nuk është. Nuk ka se si! Nuk është Vjosë…. Po ty faleminderit moj fisnike se çele bash në kohën e duhur. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Regjimii i Tiranes, Vjosa Osmani

Menaxhimi i Qendrës historike dhe Kalasë së Prizrenit

December 18, 2020 by dgreca

-Prezantohen planet e menaxhimit të Qendrës historike dhe Kalasë së Prizrenit, mirënjohje për Ambasadën e Amerikës dhe misionin e OSBE-së në Kosovë që po përkrahin vazhdimisht projektet/

PRIZREN, 17 Dhjetor 2020-Gazeta DIELLI/ Ministrja Kosovare e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ka bërë prezantimin e planeve të menaxhimit të Qendrës historike në Prizren dhe Kalasë së Prizrenit.

Me këtë rast Ministrja Vlora Dumoshi tha se Muzeu Kombëtar i Kosovës edhe në këtë kohë pandemie mbetet nga institucionet që po na bën bashkë për aktivitete të ndryshme.

“Sot jemi së bashku për të miratuar dy planet e para të menaxhimit të aseteve të trashëgimisë kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe për Kalanë e Prizrenit.” tha ministrja Dumoshi.

“E veçantë e këtij procesi është gjithëpërfshirja dhe transparenca e bartësve të këtyre proceseve që të dyja të hartuara nga organizatat jo qeveritare më përvojë në fushën e trashëgimisë kulturore Organizata Ec më ndryshe dhe Organizata e CHëB Kosova të kombinuara e mbështetura edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe institucionet varëse të saj. Pavarësisht sfidave kanë bërë një punë të shkëlqyer” – tha ministrja Dumoshi.

Gjithashtu ministrja Dumoshi shprehu mirënjohje edhe për Ambasadën e Amerikës në Kosovë dhe misionin e OSBE-së në Kosovë të e cilat po përkrahin vazhdimisht projektet e MKRS-së.

“Qendra historike e Prizrenit vazhdon të mbetet prioritet i Qeverisë. Është hartuar projekti për ndërtesën e ish-burgut në Prizren dhe jemi në procedurë përfundimtare për disa projekte në Prizren. Ne do të angazhohemi edhe në finalizimin e memorandumit për ndërtimin e muzeut të filigranit,” tha ministrja ndër të tjerash ministrja Dumoshi.

 Ndërsa, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti me këtë rast tha është gjithmonë kënaqësi pjesëmarrja në aktivitete kulturore, sportive të organizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Sot është ngjarje e veçantë meqë me anë të këtyre dy planeve ë menaxhimit, atij të Qendrës historike të Prizrenit dhe atij të Kalasë së Prizrenit po mundësohet ruajtja e trashëgimisë kulturore për brezat e ardhshëm” – tha Kryeministri.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Qendra e Prizrenit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 268
  • 269
  • 270
  • 271
  • 272
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT