• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA Dërgonë në Tiranë prokuroren Suzanna Shkreli

June 18, 2016 by dgreca

 Suzanna Shkreli, nga qyteti i Macomb i Michiganit e cila është e përzgjedhur si një nga gratë shqiptarë më të suksesshme të Projektit Albanian American Success Stories – Histori Suksesi Shqiptaro Amerikane, që drejtohet nga Vera Mjeku në New York./
13415424_1175483412484989_731113349218319403_o.jpg

Shkruan:Beqir SINA New York/

WASHINGTON D.C: Ambasada e SHBA në Tiranë, ka njoftuar se në Shqipëri, ka shkuar një prokurore amerikane, pjësë e programit OPDAT – i cili po ndihmon zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm në Tiranë me krijimin e programit të parë shqiptar për mbrojtjen e viktimave të krimit.
 Bëhet fjalë për prokuroren shqiptaro-amerikane, Suzanna Shkreli, e cila ështëë nga qyteti i Macomb i Michiganit. Ajo gjithashtu  është e përzgjedhur si një nga gratë shqiptare më të suksesshme në Amerikë, pjesë e Projektit Albanian American Success Stories – Histori Suksesi Shqiptaro Amerikane, që drejtohet nga Vera Mjeku në New York.
Sipas njoftimit të ambasadës së SHBA,  në Tiranë, thuhet se gjatë javës së kaluar me 13 qershor, shqiptaro-amerikania Suzanna Shkreli, e cila është një prokurore me përvojë në sektorin e dhunës në familje dhe abuzimin me fëmijët në qarkun Macomb, në Michigan, shoqëroi dy Koordinatoret për Asistencën e Viktimave gjatë një turi ndërgjegjësimi nëpër Shqipëri.
Duke folur për prokurorët e penalë në qytetet e Durrësit, Fierit, Vlorës, Sarandës, Gjirokastrës, Tiranës dhe Shkodrës, Znj. Shkreli theksoi se ndërsa sistemi i drejtësisë penale duhet të sigurojë të drejtën e të pandehurit për një gjykim të drejtë, koordinatorët e viktimave sjellin një balancë në sistem duke u siguruar që viktimat e krimeve të rënda të marrin informacionin dhe mbështetjen për të cilën ata kanë nevojë”.
Shtypi shqiptar shkruan se Shqiptaro – Amerikania Suzana Shkreli, ka mbrritur në Shqipëri, në një kohë kur atje reforma në drejtësi atje është në fazën e saj kulmore, ndërkohë, që në rrethe të ndryshme politike, ka kohë që përflitej se pikërisht – shqiptarëve të Amerikës do t’u besohet zbatimi i reformës në drejtësi.
Madje kjo si shifet i besohet shqiptaro amerikanes Suzana Shkreli, e cila është një shqiptare e Amerikës, mjaft e suksesshme.
Ajo  është pjesë projektit ” Histori suksesi shqiptaro-amerikane” që i kushtohet veprimtarëve të dalluar të komunitetit shqiptar në SHBA. Një projekt ky prestigjoz, ku personalitete të njohura nga komuniteti shqiptar, të cilët kan krijuar emër në fusha të ndryshme në Amerikë, tashmë veç suksesit këtu mund të japin kontributin e tyre, edhe në Shqipëri, Kosovë, dhe vendorigjinën e tyre.
Suzanna, dhe dy vëllezërit e motrat e saj kan arritur suksesin përfundimtar si avokatë, duke e praktikuar atë në fushat e tyre përkatëse të ligjit, si dhe në krijimin e shoqatës së parë të avokatëve shqiptaro amerikan “Albanian American Bar Association” në Michigan, shkruhet në biografinë e saj.
Suzanna Shkreli, është e bija e Zef dhe Maria Shkreli, me prindër nga Ulqini dhe Gruda, e cila emigroi në Shtetet e Bashkuara së bashku me familjen e saj në kërkim të një jete më të mirë.
Suzanna, është një nga katër fëmijët e kësaj familje, me një motër më të madhe se vetja Diana, një vëlla binjak Pauli, dhe një vëlla më të vogël, i quajtur Mark.
Si gjeneratë e parë shqiptaro amerikanë, vëllezërit e motrat e saj u inkurajuan vazhdimisht nga prindërit e tyre, që për të arritur suksesin ata mund t’a marrin atë vetëm nēpërmjet një arsimimi të lart.
Tani, ata janë dëshmitarë të dorës së parë se sa shumë prindërit e tyre kanë punuar për të siguruar shkollimin për ta, ndërkohë që ata ishin të bindur në jetën e tyre, se arsimi ishte jetike për të ardhmen dhe ngritjen personale dhe profesionale. Çka edhe me të vërtet ata e kan arritur këtu në SHBA.
Suzanna-Shkreli-1-700x520.jpg

Suzanna-Shkreli-2-700x447.jpg

Suzanna-Shkreli-3-700x406.jpg

Suzanna-Shkreli-5-700x380.jpg

Suzanna-Shkreli-6-700x354.jpg

Suzanna-Shkreli-7-700x438.jpg

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Beqir Sina, SHBA Dërgonë në Tiranë prokuroren, Suzanna Shkreli

ORA E MALEVE-GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT E ÇAMËRISË

June 18, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

“ORA  E  MALEVE”:  4 GUSHT 1923/

Viti I, Shkoder, e Shtunë, nr. 17…/

Ne Foto:AT  BERNARDIN  PALAJ O.F.M. (1894 – 2 DHJETOR 1946)/

  • GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT E ÇAMËRISË/

Lexojmë në fletorën greke “Patris”, se Qeverria e Athinës ka dhanë nji vëndim që do të dergojë në Epir nji Komision, – të cilit do ti epët forca diktatoriale, – me qellim që me çue ndër ata vise nënshtetasit grekë që kanë pasë ikë prej Azisë së Vogël, në kohën e luftës që ka kenë zhvillue mes Angorës e Greqisë.

            …Lajmi i të përbartunit prej krahinës së Çamërisë, bash në atë pjesë krahine thjeshtë Shqiptare që Europa e qytetnueme e ka pa me vend me e shkëputë nga trupi i përgjithëshem i Atdheut tonë, tue shkelë kështu, të drejtat tona Kombëtare…Qeverria Greke mësa shihët e ka qitë cekën me ndjekë pikëpërpikë sistemin e Mbretnisë Otomane, përsa i përket elementave të ndryshëm që banojnë në qytete e fshatra të pushtueme me forcën e armëve e me pelqimin e Evropës; e këte sistem barbar do me e ndjekë me qellim që me i elenizue nji orë e maparë krahinat e pushtueme pa asnji të drejtë ligjore, tue i shporrun prej aty ata elementa prej të cilëve nuk mund të presin, nuk po thomi bashpunim, po në mostjetër nji të nënshtruem të plotë e të qetë të sundimit të sajë dhe nji mohim të vërtetë të ndjesive kombëtare.

            Për me ia mërritë këtij qellimi…që nuk përkon me asnji nga parimet e qytetnimit që shpallën nga Shtetet Ballkanike me propozime të neveritëshme, Qeverria greke asht tue përhapë lajme krejtë të rrejshme, lajme të cilat prej Evropës bujare merrën si të vërteta, pa u përkujdesë fare me shqyrtue burimin e tyne e fillin e mësheftë që mundën me pasë.

            Tregojmë se ditët e fundit asht hapë fjala nga Preveza, se në Çamërinë e pushtueme prej grekëve kanë ndollë disa vrasje, të cilat kanë sjellë turbullina. Ky lajm i rrejshëm ka dy qellime, njeni ma i dobët dhe ma i turpshëm se tjetri. Qellimi i parë asht me skreditue atje Shqiptarët faqe Evropës së qytetnueme, tue na paraqitë si njerëz gjakësorë, barbar, njerëz që nuk i bindën ligjve shtetnore; dhe i dyti qellim asht me frigue me gjithfarë mënyrash Shqiptarët që banojnë në Çamëri, me mujtë me këta mjete të liga me i detyrue sa ma shpejtë me ikë nga ajo krahinë dhe, t’ikmën me ju konfiskue pasuninë për me ia shpërnda shtetasve të vet, që do të sjellin ndër ata vise, të cilët sot janë në vorfninë ma të madhe.

            Përfaqësuesi i Shqipnisë n’ Athinë, tue parapa dy qellimet e dobëta të Qeverrisë greke, që ajo ka pasë me përhapjen e këtyne lajmëve të rrejshme, ka protestue me rrebtësi tek Kryeministri, z.Gonatas; por, si zakonisht protestave tona nuk i epët fare rendësi, si dihët edhe nga të interesuemit se Shtetet e Mëdha të Evropës, nuk kujdesën fare për të mbrojtë të drejtat e Popullit Shqiptar, t’ Atij Popull që së fundi ka të drejtë me jetue si çdo popull tjetër.

            Shtetet Ballkanike e quejnë të egër Popullin Shqiptar; ndonse, na nuk mund të thomi se në mes të Popullit tonë shkëlqen dija e qytetnimi i vërtetë, mund të dëshmojmë me fakte në dorë se egërsia e ndjekun nga ana e disa shtetëve fqinjë ndër visët e pushtueme prej tyne në Shqipni, asht kenë, e ndoshta, asht edhe sot aq e randë, e mënershme, sa Populli ynë me pasë kenë i lirë me vëprue, nuk kishte mujtë kurrë me ba ata barbarizma që shkapërcejnë çdo ndjesi njerëzore e bujare.

            Asht koha që egërsinat me u zhdukë njiherë e përgjithmonë nga faqja e Evropës, tue mendue se sot popujt nuk mund të sundohën nga egërsinat, të cilët janë mohimi i pakundërshtueshëm i qytetnimit dhe i përparimit, sëpse sot, simbas parimëve shkencore e qytetare që ndiqën në gjithë botën e qytetnueme, nuk mund të përdorën popujt si kafshë mbi të cilët sundimtarët mund të kenë të drejtë me shfrye egërsinë e vet, sikur, popujt t’ishin frymorë pashqisa.

            Përveç kësaj dhune të turpëshme që Evropa, pikërisht në shek. e XX guxoi me i ba nji Populli të vogël po, por kreshnik, nji Populli që kërkon e lypë respektimin e të drejtave të veta Kombëtare, të mbështetuna mbi thëmele historike, etnike, gjeografike, sot, ajo heshtë mbi padrejtësitë që kryhen mbi korrizë të Shqiptarëve, që ora e zezë i ka dënue me ngelë nën zgjedhën e robnisë së huej; dhe, me heshtjen e vet Evropa sot, nën rizhvillimin e qytetnimit ma të shkelqyeshëm, pëlqen, pranon, vulosë të gjitha padrejtësitë që lirisht kryhën prej atyne drejtuesve, prej atyne rrënuesve të Atdheut tonë, kundër Shqiptarëve të mjerë, të cilëve, ju mohue e drejta Kombëtare.

            Sidoqë të jetë, deri sot Qeverria Qendrore e Tiranës asht sjellë shumë mirë e me takt diplomatik fort të lavdueshëm me Shtetet që kemi përreth…Populli ynë dëshron me pasë mardhanje miqësore e tregëtare me popujt fqinjë.

            Shteti Shqiptar…respekton të drejtat e pakicave të ndryshme që tue banue në Shqipni përbajnë minoritetin, ndonse, këto të drejta nuk i respektohën Vëllazënve tonë as në Jugosllavi, as në Greqi, aqsa në asnjenën mbretni ata nuk kan asnji shkollë në gjuhën amtare.

            Grekofonët e Shqipnisë kanë të çiluna në vendin tonë ma shumë se 40 shkolla, ku mësohet gjuha greqishte, të mbajtuna nga Shteti ynë ose ma kjartë me folë, të mbajtuna me të hollat e Popullit Shqiptar, të atij Popull… që sot ka nëvojë me shtue shkollat e veta.

            Po i sillemi pra, n’emën të Popullit Shqiptar, Fuqive të Mëdha të Evropës, për me Ju lutë me u kujdesue për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjindën Vëllaznit tonë të Çamërisë, tue e detyrue Qeverinë e Athinës mos me përdorë masat e padrejta kundër atyne Shqiptarëve, që edhe pse nuk pranojnë me u elenizue, kanë të drejtë me jetue në vendin e tyne…”                                             W. (At Bernardin Palaj).

 

■Shenim nga F.Radovani: Materiali tregon qendrimin e At Bernardin Palaj, mendimtar  nder ma të shquemit e Klerit Katolik, i mbytun në tortura në 1946 me korrent elektrik nga dy kriminelët e Sigurimit Fadil Kapisyzi dhe Dul Rrjolli, me urdhën të Enver Hoxhës.

■Po mbas vitit 1944 cili ishte qendrimi i disa “intelektualëve” çamë, në Veri të Shqipnisë, ose ma sakt: Teme Sejkos në 1945, dhe i Hilmi Seitit nga 1949 – 1961, tue iu referue dy “Dosjeve” Don Ejëll Kovaçit (1958 me hetues Shyqyri Çokun), dhe Don Dedë Malaj, , të pushkatuem pafaj me 11 Maji 1959, nga vetë krimineli çam gjeneral Hilmi Seiti…

■Populli Shqiptar i Çamërisë duhet të njohin Atdhetarët, por dhe tradhëtarët që e shiten!

            Melbourne, Qershor 2016.

Filed Under: Histori Tagged With: -GREQIA KËRCËNON SHQIPTARËT, At bernard Palaj, e Çamërisë!, Fritz radovani, ORA E MALEVE

Bashkepunim Shqiperi-SHBA: Emergjencat civile në fokus të institucioneve shtetërore

June 18, 2016 by dgreca

Zhvillohet seminari  “Defence Support to Civil Authorities”, (Mbështetje Ushtarake të Autoriteteve Civile), DSCA/

Nga Shefqet Kërcelli & Brisilda Zere/

 Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe FA të SHBA, nga data 13-17 qershor 2016, u zhvillua në auditoriumin e MM seminarinë “Defence Support to Civil Authorities”. (Mbështetje Ushtarake të Autoriteteve Civile), DSCA. Në seminar morrën pjesë specialistë, ushtarakë dhe lektorë nga SHBA, Anglia, Italia, Kryqi i Kuq, Gjenevë dhe Shqipëri, përfaqsues të Ministrisë së Brendshme, nga Drejtoria e Emergjencave Civile, e Kufirit dhe Migracionit, Policia e Shtetit, Shërbimi i Zjarrfikësve, etj. Ky projekt i rëndësishëm drejtohej nga Znj.Ashley Woodson, SHBA dhe Z. Scott Moreland, Z/v menaxher i programit për stërvitjet, SHBA. Lektorë të tjerë ishin Z. Joel Hendrix,  Z. James Hardy,
Kunderadmiral® Alberto Cervone, Z. Jean Pierre Chenel, Ivan Antonic,  Znj.Zhaneta Kola. Ndërsa nga Forcat tona të Armatosura morën pjesë përfaqësues nga Drejtoria e Politikave të Mbrojtjes dhe Drejtoria Juridike në MM, Drejtoritë J3/7, J4, J5/8, J9 në SHPFA, Qendrës së Bashkuar Operacionale, Forcat Tokësore, Forca Detare, Forca Ajrore, Komanda e Mbështetjes, Komanda e Doktrinave dhe Stërvitjes, Policia Ushtarake, Njësia Mjekësore Ushtarake e FA, Batalioni xhenios, Batalioni i Mbështetjes Rajonale, Batalioni i Furnizimit, Detashmenti CIMIC, Batalioni i Policisë Ushtarake, Batalioni i Mbështetjes, pra, pjesmarrës ishin kryesisht specialistë  të operacioneve e bashkëpunimit civilo-ushtarak, etj. Gjithashtu dhe Krenar Muço, shef i Sektorit të Kufirit në Drejtorinë e Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Policia e Shtetit, Kryekomisar Saimir Boshnjaku, Specialist në Sektorin e Migracionit në Drejtorinë e Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, zoti Xhuvanaq Gjylameti, specialist në Drejtorinë e emergjencave civile, MB, komisar Pavli Ballo dhe Luan Shehu, etj.Aktiviteti i organizua, bashkërendua dhe drejtua nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ushtarako-Civil në Shtabin e Përgjithshëm të FA dhe zyra e ODS në MM.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja, familjarizimi, demostrimi i kapaciteteve ushtarake, si dhe  mbështetja e autotiteteve civile bazuar në kërkesat për menaxhimin e fatkeqësive të ndryshme. Aktiviteti u përqëndrua në aspekte të ndryshme në DSCA, (Mbështetje Ushtarake të Autoriteteve Civile), duke përfshirë, por jo kufizuar në, themelet ligjore për përdorimin e Forcave të Armatosura në mbështetje të autoritetit civil, politikat dhe doktrinat,metodologjitë e planifikimit, aftësitë ndërinstitucionale, çështjet e bashkëpunimit civilo-ushtrak, perspektivat shumëkombëshe, dhe mësimet e nxjerra. Gjatë ditëve të seminarit u prezantuan cështje e probleme në lidhje me temën kryesore nga lektorët e SHBA-së,vendeve anëtare të NATO-s, Kryqit të Kuq, Ministrisë së Mbrojtjes dhe ministritë e tjera të rëndësishme shqiptare për çështjet dhe mësimet e nxjerra për DSCA, duke  përfshirë çdo ndryshim të bërë për organizimin e brendshëm dhe çështjet që lidhen me DSCA dhe bashkëpunimin civil-ushtarak, ndërinstitucional. Në ditën e parë të workshop-it, datë 13 qershor, fillimisht, Kolonele Manushaqe Shehu, Drejtore e Drejtorisë së Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak të FA, falenderoi ushtarakët dhe  specialistët e huaj si dhe lektorët nga institucionet tona shtetërore dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar për pjesmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm. Në vijim Kolonele Shehu evidentoi punën dhe përpjekjet e strukturave të Forcave tona të Armatosura gjatë  emergjencave të ndryshme civile, rolin parësor gjatë këtyre operacioneve në nbashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore, duke marrë dhe vlerësimin pozitiv të opinionit publik shqiptar. Tashmë FA ka krijuar fizionominë e saj në menaxhimin e emrgjencave të ndryshme civile në sajë dhe të ndihmës e bashkëpunimit me partnerët e huaj, si ushtrinë amerikane, Gardën Kombëtare të New Jersey-it, strukturat përkatëse të NATO-s, ODS, USAID, organizata ndërkombëtare etj. Pararendës të këtyre operacioneve kanë qenë dhe mbeten trajnimi dhe kualifikimi i vazhdueshëm i kuadrove  dhe specialistëve të FA, nëpërmjet seminareve, workshopeve, takimeve e formave të ndryshme të cilat ka organizuar gjatë këtyre viteve Drejtoria e BCU në FA. Kështu aktiviteti i këtyre ditëve është vazhdim i workshopit të zhvilluar në vendin tonë vitin e kaluar, “Defence Support to Civil Authorities”, në periudhën 27-30 prill 2015, theksoi zonja Shehu. Gjithashtu Kolenele Shehu trajtoi cështje të familjarizimit të FA me aspekte të veçanta të DSCA (ligjor, politikën, doktrinën, planifikimin, aftësitë, etj), faktin se si DSCA mund të përdoret për të përmirësuar përgatitjen kombëtare ne fatkeqësi duke identifikuar rolet me agjencite ndërinstitucionale dhe përgjegjësitë specifike; mbështetur në arritjet e përvojën e deritanishme, FA mund të mbështesin autoritetet civile dhe është e aftë për të siguruar në mënyrë të përshtatshme të kërkuar mbështetje të menaxhimit të fatkeqësive autoriteteve civile). Po atë ditë zoti Joel Hendrix, përfaqsues i USACE,prezantoi menaxhimin e emergjencave civile SHBA, duke sjellë fakte dhe përgjegjsitë e strukturave ushtarake në përballimin e emergjencave të ndryshme. Ndërsa,  Major Arben Mollaj, specialist civil në drejtorinë e BCU shpjegoi problematikën e Mbështetjes Ushtarake ndaj Autoriteteve Civile në Shqipëri. Në këtë kuadër, Zoti  Mollaj bëri një përshkrim të hollësishëm mbi rolin e ushtrisë sonë në mbështetje  të reagimit ndaj fatkeqësive brenda shtetit, ilustruar me shembuj konkretë. Autoritetet, organizatat, pajisjet trajnimi; mekanizmat koordinues; aftësitë kryesore; dhe kufizime ose limitet për mbështetjen ushtarake ndaj autoriteteve civile në përgjigje gjatë katastrofave në vend, ishin ceshtje të tjera të leksionit të zotit Mollaj.

Natyrisht gjatë dhe mbas cdo leksioni kishte pyetje dhe diskutime të hapura, ku shkëmbehej eksperienca e cdo vendi, mënyrat, mjetet dhe pajisjet e përdorura për përballimin dhe normalizimin e situatave. Në ditën e dytë, z. James Hardy, konsulent për rregullat e ligjet e luftës,  nëpërmjet një diskutimi të hapur prezantoi Çështje studimore mbi Mbështetjen Ushtarake ndaj Autoriteteve Civile, ku solli shembuj nga konflikte të ndryshme dhe menaxhimin e tyre nga faktorët ushtarakë dhe civilë dhe si është zbatuar DSCA për përgjigje gjatë katastrofave në vend gjatë  kohëve të fundit. Ai solli para auditorit një pasqyrë të përgjithshme të parimeve gjerësisht të pranuara të menaxhimit të emergjencave,  duke përfshirë fazat e menaxhimit të fatkeqësive, udhëzime të  përgjithshme për strukturat organizative (p.sh. udhëheqja civile), konsiderata juridike, dhe  një panoramë të modeleve ndërkombëtare kombëtare, rajonale (USAID, BE, OKB, etj.)

Në vijim të programit zoti Gjuvanaq Gjylameti, specialist në Drejtorinë e Emergjencave  Civile në MB, shpjegoi gjerësisht Planin Kombëtar të Emergjencave Civile, gjatë së cilit  trajtoi elementët kryesore të Planit Kombëtar Shqiptar të Reagimit. Zoti Gjylameti u fokusua në aktivitetet kyçe agjencive, funksionet, dhe mekanizmat e përdorura për planifikimin e reagimit ndaj fatkeqësive, koordinimin dhe zbatimin në Shqipëri. Ai nxori në pah shembuj të kohëve të fundit se si është zbatuar DSCA për t’ju përgjigjur emergjencave e katastrofave në vend, praktikat e përdorura, risku, bashkëpunimi ndërinstitucional, institucionet përgjegjëse, strukturat në nivel qendror e lokal, përgjegjsitë, mësimet e nxjerra dhe zonat më të rrezikuara. Gjatë prezantimit zoti Gjylameti solli shembuj në përballimin e përmbytjeve v.2009, 2010, tërmetet apo zjarret në pyje v. 2007-2008. Gjithashtu ai nënvizoi bashkëpunimin me Gardën e New Jersey-it dhe Komandën e SHBA në Evropë, ku krahas ndihmës së deritanishme ka projekte interesante për të ardhmen. Në vijim Z.Scott Moreland prezantoi Qasje nga Shtetet e Bashkuara për mbështetjen ushtarake ndaj autoriteteve civile dhe modelin e FEMA për identifikimin e kërkesave thelbësore, aftësive dhe si mund të përshtatet për palët e interesuara dhe përgjegjse në vendin tonë. Ndërsa z.Ivan Antonic, përfaqesues i Organizatës Ndërkombetare të Kryqit Kuq dhe Znj.Zhaneta Kola, përfaqesuese nga Kryqi i Kuq Shqiptar, shpjeguan punën e bërë nga Kryqi i Kuq gjatë lëvizjes së refugjatëve sirianë në Ballkanin qendror. Më datën 15 qershor u bë një prezantim nga Kunderadmiral® Alberto Cervone, Profesor i Studimeve për Sigurine në Garmish, në lidhje me trafikun detar të qënieve njerzore, sidomos ai nga Libia, ku trafikantët kanë sofistikuar përpjekjet e tyre, psh. duke furnizuar mjetet detare me pak karburant, kështuqë kërkojnë ndihmë në det. Gjithashtu nga Drejtoria e Pergjithshme e Kufirit dhe Migracionit për problematikën aktuale të kufirit, parandalimin e shkeljeve ligjore, të akteve terroriste, etj. Në vijim u kalua në punën me grup, ku u dhanë situata të ndryshme për ceshtjet e referuara.

Psh, rasti i parë, Prezantimi ofroi masa paraprake dhe një përgjigje rajonale ndaj krizës bashkëkohore të refugjatëve (psh, migrimi masiv sirian). Ai më tej vlerësoi mekanizmat institucionale, aftësitë e nevojshme, autoritetet ligjore, rrethanat e sigurisë, si dhe sfidat funksionale për reagimin ndaj një fluksi masiv të refugjatëve. Situata përgatiti terrenin dhe  shërbeu si sfond i përgjithshëm për Ditën 3 dhe 4, në aktivitetet e grupeve të punës. Skenari tjetër paraqiti një krizë imagjinare të refugjatëve bazuar në objektivat e informacioneve të mësuara nga Dita 1 dhe 2. Ai përcaktoi bazat për aktivitetet e punës në grup ku zbatohen modele kombëtare për të planifikuar, vlerësuar, dhe përgatitur për një krizë refugjatësh në Shqipëri, që do të kërkojë DSCA. Gjatë punës në grup u shqyrtua se si ushtria mund të kontribuojë në vlerësimin e situatës, duke përdorur skenarin e krizës të refugjatëve në sfond. Diskutimet u përqendruan në atë se si mund të përshtatet planifikimi ushtarak për vlerësimin më të arsyeshëm të rreziqeve, mjetet në përdorim, se si ushtria mund të bashkërendojë operacionin me aktorë të tjerë, dhe për të ndërtuar një plan konkret për mbështetjen e DSCA për vlerësimin e katastrofave të krizës së refugjatëve. Më datën 16 qershor u referua tema Mbështetja e NATO-s për planizimin e emergjencave civile, ku u tregua se si NATO mbështet emergjencat civile, mekanizmat për të kërkuar ndihmën e NATO-s, dhe një shembull praktik të një emergjence civile. Pastaj u kalua në punë me grup sipas dy situatave, Roli i Kryqit të Kuq në tituatë krize, (emigrantësh) dhe identifikimi i kapaciteteve sipas kërkesave. Gjatë punës në grupë pjesmarrësit duke përdorur FEMA apo modele të tjera të aftësive të zhvillimit, përgatitën një listë apo matricë të kërkesave thelbësore, aftësive dhe identifikuan kur ushtria do të luajë një rol udhëheqës ose mbështetës në ofrimin e këtyre aftësive. Në ditën e fundit u prezantua, Zhvillimi i Mbeshtetjes Ushtarake ndaj Autoriteteve Civile, trajnimi, edukimi, stërvitjet. (Moreland, Hardy&USACE), gjithashtu u shprehën mendime e konsiderata se si mund të përmirësohet edukimi dhe trajnimi për të përgatitur më mirë për DSCA. Ceshtjet përfshijnë pjesëmarrjen ndërinstitucionale në terren, koston, rrezikun, modele trajnimi gjithëpërfshirës për personelin, trajnimin e reaguesve të parë dhe fokusimi te detyrat standardet bazë per vlerësimin e trajnimit. Prezantimi shfrytëzoi shembuj të praktikave më të mira dhe mësimeve të nxjerra nga ngjarjet DSCA, duke u fokusuar në trajnimet bashkëkohore për angazhimin e përpjekjeve të ardhshme propozuar në këtë linjë të re. përfaqsues nga të tre grupet ofruan zgjidhjet e tyre në lidhje me situatat e dhëna më parë. Gjatë punës me grupe u praktikuan pyetje të hapura, debate, nxjerrje e të dhënave paraprake, radhitje të ngjarjeve, sondazhe dhe vlerësime të pjesmarrësve, të cilat i shërbyen direkt përvetsimit të programit. Theksojmë se niveli i lartë teoriko-pedagogjik i drejtuesve dhe lektorëve, pyetje-përgjigjet, debati i hapur, serioziteti, diskutimi dhe shkëmbimi i eksperiencës bënë të mundur arritjen e objektivave të këtij seminari. Këtë e plotësoi më së miri trajtimi i cështjeve të larmishme, ashtu sic është dhe problematika e emergjencave civile, bashkë me shkallën e pjesmarrjes nga të gjitha institucionet ushtarako-civile. Në lidhje me nivelin e seminarit, cështjet e trajtuara, shkallën e përvetsimit, cfarë mund të përmirësohet, etj, drejtuesit e seminarit ne fund tërhoqën mendime sipas një formulari të përgatitur më parë. Ushtarakët dhe specialistët tanë morën vlerësime pozitive për nivelin profesional dhe praktik të treguar në këtë aktivitet të rëndësishëm ndërshtetëror. Ndërkohë u vlerësua dhe puna e Drejtorisë së BCU, J-9, për organizimin, bashkërendimin dhe zhvillimin e këtij seminari, që pasohet nga të tjerë në të ardhmen. Në mbyllje të pranishmëve ju dhanë certifikatat përkatëse. Theksojmë se gjatë ditëve të seminarit, ushtarakët miq vizituan objekte muzealë dhe historikë në qytete të ndryshme të vendit tonë, për të cilat ata shprehën mendime pozitive para largimit nga vendi ynë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Bashkepunim Shqiperi-SHBA:, Emergjencat civile, Shefqet Kërcelli & Brisilda Zere

Një xhentëlmen i nxehur keq

June 18, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja-Florida/

Një nga fitoret më të mëdha të opozitarizmit ishte dhe heqja e mandatit të Koço Kokëdhimës. E bëri këtë edhe me ministrin Beqja ca vite më parë, në mos gabojë 2011. Arsyet janë vërtetë cinike. Një person i veshur me autoritet shtetari, apo ligjëvënësi, nuk mund të përfitojë fonde. Sidomos kur këto kanë si burim, investimet qeveritare. Afërmendsh është e kuptueshme që ndikon autoriteti i personit në fjalë, pra në përfitimin e tenderave publikë. Dhe kjo ka ndodhur, po ndodh dhe do ndodhi rëndom në vendin tonë. Shumë nga këta ”xhentëlmenë” miliarderë, që sot flasin për kulturë fisnore të sojit të parelliut. Me praktikën që, leku shkon tek leku, nuk janë asgjë tjetër por një soj alarmant i shushunjave që po pijnë gjakun e një populli të budallepsur. Madje po kaq të sigurtë në lëvizjet e tyre, futën dhe atë kulturën e çuditshme midis turkoshakut, perëndimorit katolik dhe ortodoks të përmirësimit të emrave që u kanë dhënë prindërit e gjakut. Janë këta shpikësit e transformimeve emrore. Duke i cilësuar si terorira të jetës private. Ndërkohë që alarmohen me kravata të firmave nga më të shtrnjta, për ndonjë ligj që është normal me botën e perëndimit. Ashtu si ai për të drejtat e njerëzve me orintime të ndryshme seksuale etj. Janë një tërësi shushunjash që me fasadat e tyre prej manekinësh, flasin për moral dhe familje. Edhe pse teoricienë e parimorë të të privacisë. Ndofta është kjo, ajo koha e plenimit të strategjisë së xhentëlmenëve me gra të pasuara dhe burra të varfër. Që fatkeqësisht ka zënë vënd në vigjiljen e një populli të tërë. Dhe është çimentuar. Zor se do shkëputet.

Sot shqiptarët kanë zënë e diskutojnë se, si është e mundur që Koçua i doli kundër Ramës? Si është e mundur që një nga krahësit e tij. Një nga më të besuarit etj…, shkoi e bëri aleancë me nervat e prera të opozitës, në lidhje me nenin 88 të reformës në drejtësi?
Si është e mundur që iu bashkua karshillëkut të LSI-së etj?
E bëri për parimet?! Jo, jo, aspak…, eshtë taktika e vjetër e shushunjave. Kjo e nisur edhe nga koha e shushunjave. Nga diktatura. Unë e kam thënë dhe herë të tjera…, diktaturat nuk kanë për autorë një emër të vetëm. Por disa, me dhjetra, shumë. Dhe një nga arsyet e destinimit të dështimit, të mos hapjes së dosjeve, edhe sot e kësaj dite është pikërisht edhe kjo, bashkëautorësia në krim.
Në fakt është i gjithi një karshillëk që i shkon për shtat kohës sonë entuziaste. Dhe që duam apo nuk duam ne, po u jep një dorë edhe kjo pjesëmarrja e Shqipërisë në arenën e futbollit europian. Shqiptarët e botës perëndimore, nga janë e ku nuk janë…, janë aty si një luk i ëndërruar i ndjenjave të pastra të një kombi. I atij se si duhej të ishte. Jo i atij që është. Kjo është një kohë e artë për shushunjat. Pasi ne mund të falim edhe shpirtin si e si të mos na shuajnë entuziazmin. Edhe pse nga ana tjetër, është një soj vdekje e qytetarisë që në vendin amë, hanë fara luledielli dhe flasin veç për botën, se si është ajo, se si janë kulturat. Dhe që akoma nuk e kuptojnë se demokracia normale, ajo që ata mbetën vetëm duke e ëndërruar, nuk është asgjë tjetër por pjesmarrje me të drejta të plota në vendimarrje. Jo privilegj, vetëm i shushunjave.
Këtë e bëri Greqia para pak ditësh në sheshin Sintagma dhe në Selanik. Thjesht dhe pastër, dorëhiqu. Por këtë ne e kemi tmerrësisht të pakonceptueshme. Aq sa sot mund të themi se, përfundimisht se në Shqipëri nuk ka popull. Por vetëm socialistë rilindas, demokratë militantë dhe lsi-sta që fërkojnë duart.
Në horizont, sapo u shfaq një shushunjë e madhe. I shkon për shtat historisë së lsi-ste. Vendi i baba Takut ka mbetur bosh. Dhe Koços i kanë mbetur aq para sa për të blerë votat e nevojshme.
Kjo është e gjitha.

Filed Under: Komente Tagged With: i nxehur keq, Ilir Levonja, Një xhentëlmen

VATRANË, BASHKËNGJITUNI PARADËS KUQ E ZI NËN DREJTIMIN E “RRENJEVE SHQIPTARE”

June 17, 2016 by dgreca

E SHTUNË, 18 QERSHOR 2016 PARADA E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS. NJË PËRFAQËSI NGA  DEGA E VATRES NE TAMPA KA ARDHUR PËR TË QENË BASHKË ME NE NË PARADËN KUQ E ZI. EJANI DHE JU VATRANE QE JETONI NE NJU JORK E NJU XHERSI./

Parada bëhet ne 27 Street & 6th Avenue.Grumbullimi nis që në orën 9.00, parakalimi me pas. Për më shumë se dy orë përmes koncerteve, fjalimeve, veshjeve Kombëtare, do të shpaloset identiteti ynë Kombëtar.

Vatrane, kemi kënaqësinë që t’ju njoftojmë se një Përfaqësi nga dega e Vatrës në Tampa, ka udhëtuar për në Nju Jork, duke u bërë pjesë e Paradës tonë. Ata jane: Tasim Ruko, Zamira Rubjeka, Isuf Spahiu dhe Jason Sulisufaj.

Merrini me vete fëmijët tuaj, nipër e mbesa, vishini kuq e zi, mbështillini ata me Flamurin Kombëtar, që të ndjehen shqiptar. Shihemi në Paradë! Sa me shume flamuj shqiptar dhe amerikane.

KLIKONI SIPER FLYER-it per em shume te dhena

MIRUPAFSHIM NE PARADE!

Filed Under: Vatra Tagged With: BASHKËNGJITUNI PARADËS, VATRANË

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2716
  • 2717
  • 2718
  • 2719
  • 2720
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT