Kosova: Kusht për Asociacionin, shuarja e strukturave të mbetura paralele të Serbisë
-Ministrja Tahiri edhe një herë ka përsëritur qëndrimet e qeverisë së Republikës së Kosovës që dialogu i Brukselit duhet të përmbyllet me njohjen reciproke mes dy shteteve para se secila të anëtarësohet në BE/
–Takim në Bruksel me drejtoren Angelina Eichhorst në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian/
Bruksel, 8 Qershor 2016/ Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, është takuar sot në Bruksel me Angelina Eichhorst, drejtore për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian.Në këtë takim, thekson njoftimi i dërguar, ministrja për Dialog ka diskutuar për bllokadat që Serbia po ia bënë zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, për nisjen e punës së KOSTT-it si sistem i pavarur i transmisionit të energjisë si dhe vonesat e dukshme për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e Urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës. Ajo po ashtu ka folur për angazhimet e Kosovës për të zbatuar marrëveshjet e Brukselit, duke thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha obligimet zbatuese dhe do të vazhdojë të jetë e përkushtuar, mirëpo pa u hequr bllokadat që Serbia po ia bënë këtij procesi nuk mund të ketë progres në zbatimin e marrëveshjeve. Ajo në veçanti theksoi se Kosova pa e marrë kodin telefonik shtetëror dhe pa filluar KOSTT të veprojë i pavarur nuk do të ndërmarrim asnjë veprim zbatues në lidhje me Asociacionin dhe se kusht për Asociacionin është shuarja e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë.
Ministrja Tahiri në takim ka theksuar po ashtu se dialogu i Brukselit ka ndihmuar për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe BE-së dhe rekomandimin e BE-së për liberalizimin e vizave duke falënderuar BE-në për angazhimet në dialogun e Brukselit që po i shërben paqes dhe stabilitetit në rajon dhe fqinjësisë së mirë.
Ministrja Tahiri edhe një herë ka përsëritur qëndrimet e qeverisë së Republikës së Kosovës që dialogu i Brukselit duhet të përmbyllet me njohjen reciproke mes dy shteteve para se secila të anëtarësohet në BE.
Ministrja Tahiri më foli gjerësisht për arritjet e Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve duke përfshirë marrëveshjen për drejtësi me të cilën Kosova po shtrinë sistemin e vet unitar të drejtësisë në veri të vendit të munguar një kohë të gjatë, për shuarjen e të ashtuquajturës ‘mbrojtja civile’ dhe integrimin e ish personelit në sistemin e Kosovës, etj.
Në veçanti, ministrja Tahiri ngriti shqetësimet për ngecjet në heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës së Ibrit për të cilin tha se nuk është duke u vërejtur progres i dukshëm për shkak të pengesave të Serbisë. Serbia, tha ajo, po arrin që madje ta pengoj edhe BE-në përkatësisht zyrën e BE-së në Kosovë e cila është e autorizuar që të realizoj heqjen e barrikadës dhe ta revitalizojë urën e Ibrit për të krijuar kushtet e lëvizjes së lirë për të gjithë. Ministrja Tahiri theksoi se Serbia po vazhdon me obstruksione duke mos e lejuar kryetarin e komunës veriore të Mitrovicës që ta nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor me të cilin konfirmohet se linja administrative në mes të komunës jugore dhe asaj veriore të Mitrovicës është në përputhje me hartat dhe zonat kadastrale të definuara sipas planit të Ahtisaarit.
Ndërsa, për regjistrimin e popullsisë në katër komunat veriore të cilat nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, e që është paraparë të mbahet në muajin tetor 2016, ministrja Tahiri kërkoi nga BE që të sigurojë mosndërhyrjen e Serbisë në pengimin e këtij procesi, për të cilin qeveria kosovare ishte dakorduar me kryetarët e komunave të veriut në fillim të vitit 2014 në takim të përbashkët ku kanë marrë pjesë edhe ambasada amerikane dhe zyra e BE-së në Kosovë.
Drejtoresha Angeline Eichhorst nga ana e saj theksoi se Bashkimi Evropian po përcjellë me vëmendje zhvillimet në procesin e dialogut të Brukselit si dhe është e ndërgjegjshme për pengesat dhe sfidat e këtij procesi sidomos ato të periudhës së fundit. Ajo tha më tej se për arsye të zhbllokimit të procesit të zbatimit ka qëndruar në një vizitë në Beograd me ç’rast me autoritetet e Serbisë ka diskutuar për të gjitha çështjet si dhe ka kërkuar angazhime nga Serbia për të zbatuar obligimet nga dialogu i Brukselit. Eichhorst siguroi Tahirin se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të këmbëngulë në zbatimin e marrëveshjeve duke potencuar se Bashkimi Evropian e sheh dialogun mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm në interesin e fqinjësisë mes vendeve por edhe në dobi të paqes dhe stabilitetin në rajon dhe të integrimeve evropiane për të dyja shtetet. Ajo shprehu bindjen se proceset zbatuese do të vazhdojnë duke paralajmëruar takime të radhës që nga java e ardhshme./b.j/
DEKLARATE E AMBASADES AMERIKANE NE TIRANE
Deklaratë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (8 qershor 2016)/
Ambasada e Shteteve të Bashkuara shpreh zhgënjimin e saj që takimi i 6 qershorit mes Kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi. Qeveria shfaqi fleksibilitet, por, në fund, opozita nuk bëri të njëjtën gjë. Prandaj, Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë. Për më shumë se 18 muaj, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqëria civile, dhe publiku, janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri. Ky proces shterues e ka përmirësuar draft-paketën e reformës dhe e afroi qeverinë dhe opozitën drejt një marrëveshjeje. Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias.
Hillary Clinton feston fitoren në Bruklin, Nju Jork
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës anëtarësohet në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve
-Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka rreth 140 shtete anëtare me mbi 60 mijë gazetarë nga e gjithë bota. /
PRISHTINË, 8 Qershor 2016-B.Jashari/Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), prej sot, është anëtar i barabartë me organizatat e tjera të gazetarëve të përfaqësuara në Federatën Ndërkombëtare të Gazetarëve – International Federation of Journalists (IFJ).
Vendimi për pranim është marrë në kongresin e 29-të të IFJ-së që po mbahet në Angers, Francë, dhe vjen si rezultat i përmbushjes së kritereve të kërkuara nga AGK.Njoftimi i dërguar pak më parë thekson se, pranimi në IFJ është mundësi shumë e mirë për ta fuqizuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar derisa do t’i hapet rrugë forcimit të rolit të gazetarëve në Kosovë.
Në këtë kongres, AGK po përfaqësohet nga kryetari, Shkëlqim Hysenaj dhe anëtari i bordit, Fidan Rama, të cilët kanë raportuar në sesionin e parë para komisionit. Përfaqësuesit e AGK-së do të jenë të pranishëm edhe gjatë dy ditëve në vijim, deri në zgjedhjen e strukturave të reja të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve ka rreth 140 shtete anëtare me mbi 60 mijë gazetarë nga e gjithë bota.