• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

43 vjet nga revolta e Spaçit

May 21, 2016 by dgreca

Nga Albina Dede*/
 Revolta e Spacit, revolta e pare me karakter politik dhe kunder neperkembjes  se dinjitetit njerezor, dhunes me te eger e torturave  cnjerezore ndaj te denuarve politike. 
images.jpg
MIRDITE : 21 Maji 73 ne burgun famekeq te Spacit , kulmoj revolta me e madhe e te burgosurve. Në legjislacionin penal të republikës së Shqipërisë të regjimit diktatorial komunist, tortura gjoja ndalohej me  ligj,por në fakt ajo është përdorur vazhdimisht gjatë gjithë periudhës së diktaturës me urdhra verbalë, ose me shkresa zyrtare tepër sekrete.
Dhuna ushtrohej që në çastin e arrestimit, gjatë hetuesisë, dhe në vendet e vuajtjes së dënimit.
Po t’i hedhim një sy kalimthi historisë së dhimbshme gjysmë shekullore të burgjeve dhe të kampeve me punë të detyruar, nuk do të gjejmë asnjë të dënuar politik, mbi të cilin të mos jetë ushtruar dhunë dhe torturë fizike ose psikike.
Dhuna dhe torturat në vendet e vuajtjes së dënimit ishin në raport të drejtë me acarimin politik të gjendjes në vend, ose në arenën ndërkombëtare.
Kur situatat acaroheshin, si në rastet e prishjes me Jugosllavinë, e revolucionit hungarez, e prerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, e daljes nga Traktati i Varshavës, e prishjes me Republikën e Kinës etj., jo vetëm që shtoheshin arrestimet, por edhe dhuna e terrori ndër kampe dhe burgje, ndaj të dënuarve politikë, kishte rritje të konsiderueshme.
Si përgjigje ndaj kësaj dhune dhe torture të pajustifikueshme ndaj fajtorëve pa faj, kanë ndodhur me dhjetëra raste kur ish të dënuarit bënin tentativë arratisjeje, me shpresa shumë të pakta për të fituar lirinë dhe që, në fakt, përfundonin me vrasjen e tyre, ose me dënime shumë të rënda burgimi.
Po kështu, ka pasur me dhjetëra raste të tjera, që ish të dënuarit bënin vetëvrasje, duke u hedhur në telat e rrethimit, si pasojë e streseve psikike, për shkak të torturave të përdorura mbi ta.
Një mjet tjetër për të protestuar kundër dhunës ishin grevat e urisë, greva këto individuale dhe kolektive, ku disa herë përfundonin me vdekje si psh., Prof. Xhevat Korça, Ing. Zef Curri etj..
Edhe në kampin-burg të Spaçit, të ngritur në vitin 1968, në një vend të zymtë, ku shihej vetëm një kupë qielli dhe në dimër temperatura zbriste në 10 gradë nën zero, dhuna dhe torturat ishin të vazhdueshme.
Rreth 1000 të burgosur punonin në kushte mesjetare në thellësitë e tokës, për të nxjerrë pirit dhe bakër.
Kushtet e banimit dhe ato higjenike-sanitare ishin të vajtueshme.
Të burgosurit që nuk plotësonin dot normën e detyruar, rriheshin barbarisht nga gardianët dhe lidheshin me kavo çeliku nëpër shtylla betoni, si Krishti në Golgotë, gjersa humbisnin ndjenjat.
Të njëjtin fat pësonin edhe ata të dënuar, që kundërshtonin urdhrat e padrejta të gardianëve injorantë dhe shpirtkazëm.
Një tjetër mjet torture që ushtrohej mbi të gjithë të burgosurit e Spaçit për çdo ditë, ishte qendrimi në këmbë me orë të tëra, gjatë daljes dhe hyrjes në kamp, me pretekst numërimi.
Kështu, orari i punës nga 8 orë, shkonte në 10-11 orë. S’kishte ditë, që gardianët dhe oficerët e kampit të mos u thonin të burgosurve se nga Spaçi s’kishin për të dalë as të gjallë e as të vdekur.
Kufomat e të dënuarve, që vdisnin nëpër burgje ose në kampe me punë të detyruar, nuk u jepeshin familjeve të të dënuarve.
Birucat e kampit ishin gjithmonë plot me të dënuar për shkaqe nga më absurdet. Ata mbaheshin atje deri në 1 muaj me bukë thatë, duke i lënë vetëm me 1 batanije.
Para revoltës së Spaçit, në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste, kishin shpërthyer edhe revolta të tjera, si ajo e kampit për ndërtimin e aeroportit të Kuçovës, ajo e Gjadrit dhe, mbi të gjitha, shpërthimi i burgut të Burrelit më 2 gusht të vitit 1967 nga trimat guximtarë: Adem Allçi, Dhori Gërnjoti dhe Sazan Hadëri, e tronditën thellë aparatin shtypës të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Të burgosurit e Spaçit i ishin drejtuar shumë herë komandës, MP të Brendshme dhe organeve më të larta të Partisë-shtet për ndalimin e dhunës që ushtrohej mbi ta.
Kërkesat e tyre legjitime binin në vesh të shurdhër e dhuna vazhdonte të ushtrohej si më parë.
Preludi i revoltës së Spaçit, fillon pikërisht me 21 maji 1973 me shpërthimin e birucave nga ish i burgosuri guximtar, Hulusi Pashollari.
Ai, me një levë hapi katër birucat, duke lëshuar prej tyre 12 bashkëvuajtës, që vuanin dënimin.
Atje filloi edhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u zmbrapsën të tmerruar nga të burgosurit dhe u detyruan të dilnin jashtë kampit. Kampi ra në duart e të brugosurve të revoltuar.
Revolta shpërtheu si një erupsion vullkanik.
Ajo ishte kulmi i protestës për marrjen nëpër këmbë të dinjitetit njerëzor dhe e para revoltë me karakter të pastër politik.
Puna e detyruar skllavëruese, dhuna dhe torturat e përditshme që ushtroheshin mbi të dënuarit, e kishin çuar në kockë thikën e diktaturës së proletariatit.
Nuk durohej më. . Më mirë një vdekje e menjëhershme, sesa një torturë pa fund.
Në kamp shpërthyen si një gjëmim prej qiellit thirrjet:
Rroftë liria!
Poshtë komunizmi!
Poshtë diktatura!
Në mesin e kampit u ngrit flamuri i kuq me shqiponjën e zezë, pa yllin e komunizmit, kompozuar nga piktori Mersin Vlashi.
Byroja Politike, e zënë në befasi nga kjo revoltë, e padëgjuar deri atëherë, për madhësinë dhe karakterin e saj politik, urdhëroi shtypjen e saj me çdo mjet, sa më parë që të ishte e mundur.
Më datë 23 maj 1973 disa qindra forca speciale, të pajisura me shkopinj hekuri dhe të mbrojtur nga repartet e MP të Brendshme dhe Korpusi ushtarak i Burrelit, që qëllonin me zjarr në hapësirën e kampit, u vërsulën si të tërbuar brenda kampit, duke rrahur mizorisht të burgosurit e rraskapitur që rezistuan heroikisht pa bukë dhe pa ujë.
Operacionin për shtypjen e Revoltës së Spaçit e drejtonte drejtori i Sigurimit të Shtetit, krimineli i mirënjohur, gjeneral Feçor Shehu.
Pas një dekade, edhe ai do të ekzekutohej me një plumb pas kokës, nga ajo diktaturë që i kish shërbyer me aq zell për 30 vjet me radhë.
U riarrestuan 115 të burgosur, 4 prej të cilëve: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan brenda pak ditëve. 110 të tjerët u dërguan në burgun e ri të Tiranës, ku iu nënshtruan torturave nga më mizoret.
Mbas dy muajsh, ata i nxorën në gjyqin e inskenuar, në Rrëshen të Mirditës, të ndarë në katër grupe, duke i dënuar, në total, me 1700 vjet burgim!
Ky ishte epilogu fatal i revoltës së Spaçit, revolta më e madhe e shënuar në historinë e burgjeve dhe të kampeve me punë të detyruar të regjimit komunist shqiptar, kundër dhunës dhe terrorit që ushtrohej vazhdimisht mbi të dënuarit politikë.
Në “Kongresin për Llogaritjen e Krimeve të Komunizmit”, që u mbajt në Vilnius të Lituanisë, në qershor të vitit 2000, revolta e Spaçit, u klasifikua si revolta më e madhe me karakter politik, që ka ndodhur në vendet e Europës Lindore nga të burgosurit antikomunistë.
Revolta e Spaçit erdhi si një kulm i revoltave të tjera të vogla, për kundërshtimin e dhunës shtetërore, që ushtrohej ndaj ish të dënuarve politikë.
Mbas kësaj revolte, dhuna dhe torturat u shtuan edhe më tepër, jo vetëm në kampin e Spaçit, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera, në të gjithë Republikën.
Gjashtë vjet mbas kësaj revolte, me të burgosurit e Spaçit u inskenua edhe një gjyq tjetër, ku u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan intelektualët: Vangjel Lesho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka.
Burgu me punë të detyruar i Spaçit, që vazhdoi për një çerek shekulli, hyri në historinë e Shqipërisë, si vendi më rrënqethës për ish të persekutuarit politikë dhe familjet e tyre, ku u ushtrua dhuna më e egër nga shteti diktatorial komunist, por edhe si vendi, ku shpërtheu revolta më e madhe, kundër shunës shtetërore gjatë 45 vjetëve të diktaturës komuniste.
Qeveritarët e sotëm shqiptarë, pinjollët e atyre që shtypën me zjarr dhe me gjak revoltën e Spaçit, pasi na vodhën me hipokrizinë e tyre dashurinë tonë për vendet e Botës së lirë, me në krye SHBA-të, vazhdojnë sot të na mohojnë vitet e vuajtjeve në burgjet e komunizmit dhe refuzojnë të na dëmshpërblejnë për miliona ton mineral kromi, bakri dhe piriti, të nxjerrë nga thellësitë e tokës nën kamxhikun e policëve dhe për 100 vepra madhore, të ndërtuara anekënd Shqipërisë me djersën dhe gjakun e të burgosurve politikë.
Kjo eshte vetem nje nga vuajtjet dhe sakrificat e pafundme  njerezish qe nuk u perkulen por qendruan, qe ruajten dinjitetin dhe nderin deri ne sekondat e fundit te jetes se tyre.
Jane ata qe luftuan per te qene njerez atehere kur i trajtonin si kafshe. Ne asgje nuk provohet njeriu me shume se ne vuajtje dhe nuk ka fisnikeri me te paster se  ajo qe fitohet prej saj.
Shume prej tyre u shuan, shume te tjere sot jetojne ne mjerim. Por nese ka dicka te drejte dhe te vertete, dicka njerezore dhe burrerore gjate gjysem shekulli shtazerie jane pikerisht ata dhe vuajtja e tyre.
Sot ata kerkojne demshperblim per vitet e burgut, nuk kerkojne te burgosen ata qe u vodhen jeten.
Kerkojne minimumin e asaj qe iu takon, mundesine per te shtyre te qete ditet qe iu kane ngelur.
Megjithate eshte dicka tjeter qe une kerkoj te trajtoj ne kete teme.
Sa vend ze ne historine shqiptare, konkretisht ne tekstet shkollore, qendresa, vuajtja, sakrifica dhe dinjiteti i tyre …. dua te di nese keto tekste flasin per pushkatimet, internimet , varjet, burgosjet, kushtet c’njerezore dhe kalvarin ku kaluan keta njerez.
Nese ka nje gje qe ne mund te bejme sot per ta eshte te mos harrojme sepse ndryshe do te behemi pale me ata qe i vrane.
*Gjithashtu mbetet per tu theksuar se pjese e vuajtjes dhe persekutimit ishte dhe Mirdita qe mund te thuhet pa frike qe e pranoi e fundit regjimin komunist ku pas vrasjeve massive  persekutimeve  ne emer te ndjekjes;’’ se bandave kriminale dhe armiqve te popullit’’ vrane persekutuan dhjetra njerz dhe internuan familje  te  tera vetem e vetem qe komunizmi te ulte ne gjunje krenarine dhe pamposhtesine Mirditore si nje qender e qendreses nder shekuj.
Pikerisht per ta shtypur dhe per ti len vazhdimesine e ketij persekutimi u zgjodh  Spaçi  per burgosjen e fjales se lire per ndertimin e kampit famekeq aty ku shqiponja fluturonte e lire dhe I vetmi vend ku  duhej te mbahej nen terror dhe nen presion ,,,u zgjodh ndertimi I burgut famekeq…per te shtypur …shfrytezuar,,,persekutuar ,,,dhe denigruar fjalen e lire,,,lirine , besimin ,,u zgjodh Mirdita.
*Deputete e Kuvendit të Shqipërisë – Partia Demokratike Mirditë
 
4r.jpg

7r.jpg

featured_slider_toyprison.jpg

foto-e-spacit.jpg

images.jpg

sami-dangellia01.jpg

spac003.jpg

spac9-.jpg

u3_spaci1aj.jpg

Filed Under: Histori Tagged With: 43 vjet, Albina Dede, nga revolta e Spaçit

Isa Mustafa i kurthuar

May 21, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyci /

Kryeministri Isa Mustafa ndodhet i kurthuar ne menyre te dyfishte: Ne njeren ane eshte vetekurthuar, ne anen tjeter, ka rene ne kurthin e partnerit qeverises, PDK-se. Po e filloj nga kjo e dyta: Kur ai votoi Thacin president e kisha paralajmeruar se ky do te ishte fundi per kryeministrin Mustafa. Ishte krejt e natyrshme, se votimi i Thacit president perbente aktin e fundit te zbatimit te marreveshjes se qeverisjes. Pala qe leshoi vendin e kryeministrit, pra PDK, mori maksimumin e saj dhe me pas eshte e lire ta beje lojen politike sic i do qejfi. Nderkohe nderrimi i lidershipit ne PDK sherben si aresye plus per te mohuar nje marreveshje pa kurrefare sanksionesh te paraardhesit. Kadri Veseli e ka shume te lehte ta hedh poshte marreveshjen me LDK-ne e te krijoje nje koalicion tjeter qeverises. Nese ndodh kjo, gjysma e te keqes, sepse nje vit ne opozite LDK do ta kishte mundesine te rikuperohej, ne elektorat, nese Mustafa nuk do te ishte vetekurthuar ne partine e vet. Shenjat e para te krisjes se koalicionit jane dhene. Kreu i ri i PDSh-se ka dhene disa deklarata, me te cilat paralajmron renien e koalicionit. Po ashtu ne pushtetin lokal, psh ne Peje, eshte ashpersuar gjuha politike. Edi Rama nga ana tjeter, shkoi ne stadiumin e lojrave me dore te Prishtines dhe i bashkoi simbolikisht Thacin e Shpend Ahmetin e Vetevendosjes, duke bere xheloz per kete afrim Ramush Hajredinin qe vdes “per nje cope magazinier”, per t’ u bere ktyeminister. Me pare Rama e kishte lutur Haradinajn te bashkohej me Thacin e ta largonin Isa Mustafen, te cilin “nuk e duroj dot”, thoshte kryeministri i Shqiperise. Dhe keshtu Edi Rama futi standardin e dhenies se pelqimit nga Tirana zyrtare se kush do te drejtoje Prishtinen zyrtare, nje precedent ky shume i rrezikshem per Kosoven dhe interesat tona kombetare. Kurthi i Rames, i Thacit, i Veselit dhe opozites ne Kosove kunder Mustafes eshte ne fakt kurth kunder Lidhjes Demokratike te Kosoves. Por edhe LDK i ka thur vetes nje gardh te madh, duke ia ngushtuar mundesite e frymemarrjes. Dje u mblodh Keshilli Kombetar i LDK-se dhe me shpejtesi vendosi te mbledhe kuvendin kombetar, me duket se me 28 maj. Sesi pergatitet nje kuvend partie ne pushtet ne me pak se 10 dite, kjo nuk ka shpjegim. Por edhe pse do te mblidhet ky kuvend, nuk njihen aresyet. Ndoshta Isa Mustafa deshiron te shfrytezoje kohen e shkurter qe i ka mbetur si kryeminister qe duke perfituar nga pushteti te imponoje rizgjedhjen si kryetar i LDK-se. Ka mundesi qe ai ta kete nuhatur se partneri ne qeverisje do ta beje dalje e me shume gjasa ta coje Kosoven ne zgjedhje te parakohshme. Por kjo fitore ne llogari te Mustafes eshte e perkohshme. Ai nuk do te munde ta coje LDK-ne ne fitore. PDK nuk do te beje me koalicion me LDK-ne, sepse ia ka caktuar Edi Rama aleatet asaj. Atehere Isa Mustafa do te gjendet i rrethuar nga kurthi i vetevetes. Kete kurth e ka pergatitur vete, madje me kujdes. Dje dha shenja te qarta per kete. Ne vend qe te ulet me sinqeritet e t’i degjoje kritiket e tij, Isa dje perdori forcat e sigurise per te dhunuar nje nga kritiket e tij, Donika Gervallen, nje grua, e cila kishte pushtuar sheshet e Gjermanise, duke sensibilizuar opinionin europian per nevojen e clirimit te Kosoves nga Serbia. Po ashtu vajza e Jusuf Gervalles, nje autoritet ne vendin ku jeton. Skena e dhunes se ushtruar duhet perkthyer ne frike nga debati e kritika. Pra kreu i LDK-se jeton me frike, frike nga te tijet, kunder te cileve perdor force e fjalor fyes. Ky eshte rrethimi me i rrezikshem, sepse t’i ngushton alternativat e per pasoje edhe mundesite. I mberthyer nga fobia ndaj kritikeve Mustafa para disa kohesh nuk ia dha doren ish-presidentit e kryetarit te nderit te LDK-se, Prof. Fatmir Sejdiut. Ishte ky nje akt hakmarrjeje, qe e ngushton rrethimin e kreut te LDK-se. LDK eshte themeluar si parti ndryshe nga te gjitha ato qindra parti politike te krijuara ne hapesiren shqiptare e ballkanike par renies se perdes se hekurt – u krijua si parti kunder dhunes. Sa qe e tille ajo ishte autoriteti politik absolut ne Kosove, e pakonkurueshme. Por kur shqiptaret pane te thyheshin karriket kunder njer-tjetrit per postin e kryetarit, ata e humben nje pjese te besimit te partia qe u jepte shpresen. Isa Mustafa e ka thelluar tej mase kete sjellje, duke i dhene LDK-se tiparet e keqija qe bartin partite e tjera dhe kjo ka per t’i kushtuar ne elektorat. Ai u ben oferte elektorale atyre qe pelqejne dhunen, por LDK nuk mund ta marre kete monopol. Dhunen e votojne dhunuesit e partive tjera te majta. Atehere cfare synon Isa Mustafa?! Eshte vertete ne nje rruge pa krye, pa alternative dhe pa ide e zgjidhje. Une nuk mund ta konsideroj ne asnje rrethane dhunen si zgjidhje. Dhuna eshte deshtim, eshte zgjedhje qe te izolon dhe izolimi te con ne faliment. Uroj qe LDK te gjeje forca e mundesi te dale nga keto kurthe. Nese jo, asaj do t’i duhet te paguaje nje cmim te larte ne zgjedhjet e ardhshme, te cilat duket se do te afrohen nga vjeshta e ketij viti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, i kurthuar, Isa Mustafa

KOMUNITETI SHQIPTAR I DHA LAMTUMIRËN E FUNDIT GAZETARIT AGIM NEZAJ

May 20, 2016 by dgreca

Raporti: Dalip Greca/

Foto: Dritan HAXHIA(Me shume shihni ne fb)

New York 18 Maj 2016- Mbrëmjen e  16 Majit kishte përfunduar në mënyrë fatale beteja mes gazetarit Agim Nezaj dhe sëmundjes  së kancerit në stomak. Siç shkroi shtypi, ai nuk iu dorëzua vdekjes, por Zotit. Me kaq janë thënë të gjitha. Ai e përballoi dyluftimin duke e gëlltiur dhimbjen brenda vetes, por mbrëmjen e së Hënës, zemra e tij pushoi së rrahuri, duke shënuar fundin e betejës. Familja Nezaj hapi dyert e mortit dhe komuniteti shqiptar , jo vetëm në Nju Jork, por edhe shtete të tjerë iu gjend për ngushëllim. Të Mërkurën, me 17 Maj, familja priti ngushëllimet në Shtëpinë Mortore” Farenga Brothers” në Allerton, Bronx. Nga ora 2 e pasditës e deri në 9 të mbrëmjes vargu i njerzve, burra dhe gra, nuk kishte të sosur. Me qindra ishin ata që iu gjendën pranë familjes, jo vetëm krahinarë të tij, por nga të gjitha trojet shqiptare, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria.  Edhe Federata Vatra, me një përfaqësi të saj, me zv/Kryetarin Agim Rexhaj, sekretaren Nazo Veliu, anëtarët e Kryesisë Marjan Cubi e Dalip Greca(editor i “Diellit”), anëtarët e Këshillit Idriz Lamaj, Zef Përndocaj, Musli Mulosmanaj, së bashku me përfaqësuesit e medias së komunitetit Adem Belliu , Beqir Sina dhe Dritan Haxhia, i shprehën ngushëllimet babait të Agimit Bajram Nezaj, nëns Zoja, bashkëshortes Mira dhe vëllait, Agronit.

Të Enjten, me 18 Maj, në orët e para të  mëngjesit u organizua ceremonia e përcjelljes si dhe lutjet fetare në  Shtëpinë Mortore”Farenga Brothers”  për t’u nisur në orën 10 të paraditës drejt  Kensico Cemetery, në Valhalla, Westchester County, New York, një ndër varrezat e hapura në vitin 1889, në një vend tepër piktoresk, plot gjelbërim.

       Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë qindra vetë. Imam Elez Osmani dhe Mustafë Islami, kanë përcjellë lutjet fetare. Në mesazhin drejtuar të pranishmëve, Imam Elez Osmani, ndër të tjera, duke iu drejtuar Familjes Nezaj, prindërve të Agimit, Bajram dhe Zoja, vëllait Agron, bashkëshortes Mira  tha: Sot jemi tubuar që t’ia themi  lamtumirën e fundit, bashkëkombasit tonë, vëllaut tonë, familjarit tuaj të dashur, gazetarit, publicistit, studiusit,juristit, pedagogut të mirënjohur Agim Nezaj. Pata rastin të njihem me të personalisht dhe janë të pashlyera kujtimet për të. I afërt, modest, erudit me njohuri të larta.
Ishte ndër pendat e shquara që la  emër në letërsi, publicistikë, gazetari dhe në veprimtari shoqërore-politike.Agimi kishte një stil të lehtë shkrimi, që të bënte për vete. Shkrimet e tij lexoheshin me një frymë, sepse i shkruante vendit të tij, vlerave tona të shquara dhe gjeografisë së bukur .
Ishte një personalitet që nuk rreshti së promovuari shqiptarinë dhe Shqipërinë kudo që iu dha rasti.
“Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve, ka qenë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt” shënoi Agimi në veprën e tij.
Zoti e kishte paisur me një mëndje të ndritur që e shprehi në pendën e tij të artë.Kosovën e kishte pikë të dobët dhe ishte i pashmangshëm diskutimi për të  në çdo moment.Me një ndiesi të veçantë i përcillte zhvillimet politike të saj.
Qindra artikuj, kronika ,opinione,analiza të botuara, në media kombtare dhe ndërkombëtare, nga Agim Neza , i lexoje me andje, me një frymë, sepse Agimi i tjerrte mire siç thojmë edhe në bosht edhe në shtizë.
Imam Osmani e mbylli mesazhin e tij: Familja e Agimit , sot , krahas pikëllimit dhe dhembjes e ka kujtimin e pa shlyer për të, e ka krenarinë e ligjshme, sepse siç vunë në dukje të gjitha mediat tona, Agimi na la mesazhe të larta qytetarie në çdo hap të jetës së tij,në çdo vend ku shkeli në çdo institucion ku punoi. Kështu ky lartësoi edhe më shumë traditat tona, zakonet e vyera, virtytet e ndritura të para ardhësve dhe familjes së tij të nderuar.Në njëshkrim që lexova për të këto ditë dikush shkroi Agimi nuk iu dorëzua vdekjes por iu dorëzua Zotit, përfundoi Imam Osmani…..

Më pas Zenel Neza, në emër të familjes, ka falenderuar pjesmarrësit dhe i ka ftuar ata në drekën e lamtumirës së Agimit, e cila u shtrua nga familja në Eastwood Manor.

***

Vdekja e parakohshme e Agim Nezaj, në moshën 54 vjeçare, preku të gjithë kolegët e tij dhe mediat e përcollën me pikëllim e nderim të thellë. Gazetat, televizionet, rrjetet sociale e vlerësuan Agimin për kontributin që dha në median shqiptare, në mardhëniet me publikun, në fushën e mësimidhënies si pedagog, në promovimin e Shqipërisë turistike tek të huajët etj. Mesazh ngsuhëllimi përcolli edhe presidenti i Republikës, z. Bujar  Nishani, i cili, duke ngushëlluar familjen, shkroi:” “Të nderuar familjarë të Agimit të ndjerë,

Me keqardhje të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Agim Nezajt, i cili gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij ia përkushtoi përmbushjes së misionit fisnik të gazetarit dhe artit të vështirë të komunikimit me publikun, ku u shqua për mjeshtërinë dhe gojëtarinë e rrallë.

Ky personalitet mbresëlënës, me një kontribut të spikatur çerekshekullor në gazetari, në komunikim, në jurisprudencë si dhe në lartësimin e emrit të Shqipërisë në sytë e të huajve, përçoi ngaherë tek publiku shqiptar me një ndjenjë të lartë profesionalizmi vlerat më të spikatura profesionale dhe njerëzore.

Me ikjen e parakohshme të Agimit, gazetaria shqiptare, arti i komunikimit me publikun dhe institucionet tona shtetërore, ku u shqua për vite me radhë si një zëdhënës dhe këshilltar për shtyp i përkryer dhe jetëgjatë, humbën një nga personalitetet e spikatur, një nga pikat kryesore të referimit akademik dhe mbi të gjitha njerëzor, ndërsa ju, bashkëshortin, prindin dhe të afërmin tuaj më të shtrenjtë.

Ju lutem, më lejoni të ndaj me ju dhimbjen e thellë dhe në këto momente të vështira t’ju gjendem pranë shpirtërisht duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta personale dhe institucionale!” – theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit.

***

Agim Nezaj ka lindur në Tropojë. Studimet e mesme i ka kryer në Shkollën e Gjuhëve të Huaja për anglisht dhe ato të larta, në Fakultetin Filologjik të Tiranës për gjuhë -letërsi shqipe.Karriera dhe kontributi i Agim Nezës në gazetarinë shqiptare, letërsi, publicistikë, botën universitare, politikë etj. janë të mëdha dhe shumëdimensionale e do të mbahen mend gjatë.

Për ata që e njihnin dhe nuk e njihnin Agim Nezën, por njihnin shkrimet e tij apo bashkëpunimin me të si këshilltar i mediave në Ministrinë e Drejtësinë, Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Jashtme, në Kryesinë e Kuvendit etj. do ta ndiejnë që sot e tutje se Shqipëria ka humbur një personalitet.Një personalitet, që nuk reshti së promovuari Shqipërinë jashtë vendit me bukuritë dhe misteret e saj. Agim Nezaj shprehej:“Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve ka qënë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt nëpërmjet botimit dhe ribotimit të librave “Albania-Travel Guide” & “Welcome to Albania””

Agimi la në pikëllim të thellë bashkëshorten Mira, vajzat Ergian dhe Edonën, prindërit Bajram dhe Zoja Neza, të vëllain Agron, të afërm, miq dhe shokë të shumtë.

Federata Panshqiptare e Amerikes VATRA dhe Gazeta “Dielli” i shprehin ngushellimet me te thella familjes.

Lamtumirë miku ynë, kolegu ynë, të qoftë dheu i lehtë!

FOTOGRAFITE EKSKLUZIVE PER DIELLIN NGA DRITAN HAXHIA.

(Dielli)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, Dritan Haxhia, Lamtumire Agim nezaj

Lubonja: “Rilindasit raca më bastarde e Shqipërisë këto 25 vjet”

May 20, 2016 by dgreca

Në vitin 2001 kam votuar për herë të dytë dhe të fundit një nga partitë e koalicionit të udhëhequr nga PSja. Ndonëse isha i zhgënjyer nga korrupsioni dhe mashtrimet e Nanos, Metës, Ramës & Co; nga mënyra se si po degjeneronin mediet, nga fakti se prej premtimit për meritokraci kaluam në regjimin që Dritëro Agolli e cilësoi asokohe “shkërthatokraci”, aplikova, megjithatë, logjikën e së keqes më të vogël.

Sigurisht, kombinuar kjo me shpresën, që ende e ushqeja, se nga presioni i votuesit, zgjedhje pas zgjedhjesh, këto parti do të bëheshin gjithnjë e më pak të këqija; d.m.th., gjithnjë e më të mira.

Për të mbështetur zgjedhjen time, ndër të tjera, tregova një histori që më kishte rrëfyer një miku im i burgut, Romi. Po e përsëris pas pesëmbëdhjetë vjetësh pasi më është kujtuar shumë kohët e fundit.

Romi – emri i gjatë i të cilit ishte Romeo – në rini, përpara se të binte në burg politik, kishte ushtruar për ca kohë profesionin e hajdutit të xhepave. Ndër historitë e tij të asaj kohe më kishte treguar se, kur vidhte xhepat, kishte një parim: “Mos e shih kurrë viktimën!”. “Ç’do të thotë kjo?’ – e kisha pyetur.

“Sepse – më kishte thënë – po e pe viktimën, të cilit i ke vjedhur kuletën, se si qan, të këputet shpirti dhe nuk e vazhdon më dot profesionin”. Duke krahasuar çfarë kishte ndodhur gjatë rënies së piramidave nën udhëheqjen e Sali Berishës me vjedhjet e Fatos Nanos, Ilir Metës, Edi Ramës & Co në atë kohë, argumenti im elektoral, i bazuar në historinë e Romit, ishte se ata të PD-së, me në krye Saliun, jo vetëm që na kishin vjedhur, por edhe na kishin rrahur, kurse për socialistët shkërdhatokratë, të shkretët, thosha se janë një e keqe më e vogël: të vjedhin, por nuk të shohin në sy.

* * *

Kanë kaluar shumë vite që atëherë. Shpresat se e keqja më e vogël do të vinte duke u bërë gjithnjë e më e vogël, si rezultat i garës për t’i shërbyer sa më mirë publikut, kanë përfunduar me kohë në koshin e shpresave të fikura.

Thellimi në krim dhe lufta e egër për pushtet/para me çdo mjet, në rreth vicioz, e kanë çuar të keqen në politikë në humnera gjithnjë e më të thella. Ama, pas kaq vitesh rënieje, me këta rilindësit them se jemi përpara një humnere të re. Këta po tregojnë dita-ditës se janë një mutacion i ri i racës së politikanëve tanë që vjen edhe si ndryshim brezash.

Duke përdorur historinë e Romit -do të thosha se jemi përpara një race të re hajdutësh: nga ata që pasi të vjedhin, jo vetëm të shohin në sy pa iu dridhur qerpiku, por, po u ankove, me paturpësinë më të madhe fillojnë të të tallin e përqeshin duke të thënë: je qorr, je budalla që nuk e sheh se ne po t’i mbushim, s’po t’i zbrazim xhepat. Nëse ti qan, ata gajasen edhe më; nëse, i revoltuar, ngulmon t’u japësh prova se xhepat e tu po boshatisen, të fusin edhe ndonjë të rrahur jo vetëm me policët e shtetit, por edhe me policinë private të bashkëhajdutëve të tyre.

Vërtet që nga pikëpamja e përdorimit të dhunës nuk kanë arritur ende Berishën e viteve ‘91-‘97, por provat e dhunës i kanë bërë. Dhe më e lezetshmja është se dhunën e përdorin zakonisht në rastet kur e kanë shkelur ligjin vetë dhe me të dobëtit. Shikoni historinë e rrahjes së protestuesve te Parku i Liqenit.

Shkurt, me dhunë, pa dhunë ka shumë njerëz që të thonë se rilindasit, veçanërisht pasi morën edhe Bashkinë e Tiranës me Veliajn, po shfaqen si raca më bastarde e politikanëve që ka nxjerrë Shqipëria këta 25 vjet.

Them “me dhunë pa dhunë” pasi, kur u përmend dhunën e Berishës së parë, ata të thonë se dhuna asokohe, gjithsesi, tregonte se ti ekzistoje, kurse vjedhja sy ndër sy dhe pastaj tallja dhe përqeshja e mosçarja kokë për çka thua, janë edhe më poshtëruese. Shkaqet që kanë sjellë te dalja në krye e kësaj race janë komplekse.

Sigurisht kanë lidhje me degjenerimin e një sistemi ekonomik të bazuar mbi krimin, që çoi deri në futjen e kriminelëve në Parlament dhe në shumë bashki të Shqipërisë, me mungesën e shkollimit të rinisë, me varfërimin dhe degradimin e burimeve intelektuale e morale në vend për shkak të ikjes, me nevojën e mashtrimit të perëndimorëve, duke e ngritur në nivele më të larta gjuhën e dyfishtë, por, pa dyshim, kanë të bëjnë edhe me llojin e njeriut që i ka dalë për zot kësaj situate.

E kam fjalën për modelet në krye, një kryemashtrues dhe kryegënjeshtar si Edi Rama që ka prodhuar klonimet e tij të tipit Veliaj, Tahiri, Balla, që nuk u bën syri tërr të ta japin ta hash me zor sapunin për djathë, të të bëjnë qorr e budalla po s’e hëngre, të bindur se gënjeshtra dhe mashtrimi sy për sy janë rruga e sigurt e suksesit, pasi askush nuk ua ka treguar vendin ende.

Vështroni rastin e fundit të “Escobarit” të Ballkanit se si e shpëtuan nga duart e policisë europiane pa pikë turpi dhe nuk thonë asnjë fjalë. Shikoni se si tallen pasi u është zbuluar se kanë sjellë në mënyrë të paligjshme në zyrat e shtetit një aparat përgjimi të qytetarëve.

Shikoni se si, pasi Gjykata Kushtetuese ka dhënë provën finale se deputeti i tyre Kokëdhima ka marrë një numër të pafundëm tenderësh në kundërshtim me ligjin, akuzojnë drejtësinë, në vend se të kërkojnë procedimin penal.

Shikoni se si as nuk u zverdhet as nuk u skuqet fytyra kur kryebashkiaku i zgjedhur prej tyre në Kavajë deklaron se nuk e mban mend pse është dënuar në Gjermani.

Shikoni se si, pasi ta marrin votën duke premtuar zero ndërtime për Tiranën, deklarojnë se qyteti do të zhvillohet në densitet dhe planifikojnë të ndërtojnë kulla të reja brenda qytetit e kur u thua: “Ç’është ky stadium me kullë?!” të përgjigjen: merr vota ta bësh ndryshe. Nuk kanë fund mashtrimet e tyre në këta tre vjet.

Gjithnjë e më shumë po shtohet numri i atyre që të thonë se s’ka kuptim t’i vësh më në një kandar me PD-në dhe LSI-në, si pjesë e të njëjtit sistem, pasi këta, përveç të këqijave të sistemit, shtojnë edhe paturpësinë e arrogancës dhe arrogancën e paturpësisë me të cilën kërkojnë të na i imponojnë vjedhjet dhe mashtrimet e tyre si e vërteta e fundit, si ekspertiza e ekspertizës, si shembulli se si bëhen gjërat edhe në Europë.

Ka nga ata zëmergjerë që thonë, megjithatë, se do t’ua falnim edhe këto sikur të ngrinin ekonominë, por edhe këtë po e çojnë në pikiatë. Sipas meje, nuk janë pa lidhje arroganca në imponimin e gënjeshtrës me çuarjen në pikiatë të ekonomisë, sepse ato nxisin njëra-tjetrën. Shkurt, rilindasit po i kalojnë limitet e vënies në provë të durimit tonë.

Gjithnjë e më shumë ata po na sjellin ndërmend fjalën e urtë, por ndjellakeqe: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.”, apo atë edhe më ndjellakeqe të bashkimit të të gjitha qelbësirave kundër tyre. Personalisht nuk më bën zemra t’i këndoj këto këngë, ashtu siç nuk ma ka bërë zemra t’i këndoja edhe tre vjet më parë.

Por, ama, problemi për t’u zgjidhur po bëhet gjithnjë e më akut: si të shpëtojmë nga këta lloj kafshësh që po na çmerisin përditë e më shumë, pa risjellë në pushtet Sali Berishën dhe pa fuqizuar edhe më Ilir Metën, që paradoksalisht janë mbështetja më e fortë e pushtetit të tyre?

Duket një ekuacion i pamundur për t’u zgjidhur në një kohë të shkurtër, ndërkohë që koha nuk pret, sepse një mandat më shumë me këta do të na çojë në situata krejtësisht të paparashikueshme.

Por duhet zgjidhur sa nuk është vonë. Dhe, për mua, e vetmja rrugë është bashkimi i të gjitha forcave që i refuzojnë këto banda deri në atë pikë sa të formojnë një masë kritike e cila, edhe nëse nuk arrin të marrë pushtetin, të bëhet sa më parë aq e fuqishme sa të imponojë ndryshime rrënjësore edhe brenda vetë këtyre bandave.

Përndryshe, pas dhjetë vjetësh, historinë e Romit do ta tregoj për të përshkruar evolucionin e rilindasve nga një racë që të sheh në sy e të përqesh pasi të vjedh, në një racë që të nxjerr sytë dhe pastaj të vjedh.(Panorama).

Filed Under: Analiza Tagged With: Fatos Lubonja: "Rilindasit, raca më bastarde e, Shqipërisë këto 25 vjet"

Kodi i Thaçit për “dekriminalizimin”, një mision i pamundur

May 20, 2016 by dgreca

Zotimi i përsëritur i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për “dekriminalizimin” e skenës politike përmes hartimit të një Kodi, për përfaqësuesit e shoqërisë civile shihet si një mision i pamundur.

Ndërkohë që disa nga hartuesit e Kodit Penal të Kosovës, konsiderojnë se një zotim i tillë mund të përmbushet, por me disa kushte.

Ditë më parë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar inicimin e hartimit të një kodi më të cilin nuk do të lejohej që njerëzit e dënuar të jenë pjesë e skenës politike dhe institucionale, kurse njerëz që janë nën hetime nuk do të mund të përfshiheshin në listat zgjedhore. Kjo nismë, është përkrahur edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ligjërisht kjo çështje mund të ndryshohet. Sipas tij, njerëzit që kanë probleme me ligjin nuk duhet të jenë të përfshirë në pozita të larta në institucionet e Kosovës.

“Kodi penal duhet të ndryshohet në aspektin e krimit të organizuar, sepse krimi i organizuar përveç elementeve tjera, nënkupton edhe lidhjen e kryersve të veprave penale të personave që janë në pozita politike, partiake dhe shtetërore. Në këtë aspekt, mendoj që duhet të ndryshohet. Dhe, unë pajtohem që njerëzve që dyshohet se janë të ndërlidhur më krimin, duhet t’u pamundësohet përfshirja në listat zgjedhore dhe të jenë udhëheqës në pozita të larta”, ka theksuar Salihu.

Në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile thonë se është e paqartë që përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje. Sipas tyre, nevojitet një vullnet i të gjitha subjekteve politike për miratimin e një ligji të veçantë, për dekriminalizimin e bartësve të funksioneve publike dhe shtetërore.

Juristi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se në këtë kuadër duhet të merren parasysh edhe praktikat e shteteve të rajonit.

“Ne si institut e kemi të paqartë se si përmes Kodit Penal të Kosovës të rregullohet kjo çështje, pasi Kodi Penal përcakton veprat penale të cilat ndiqen penalisht nga organet e ndjekjes. Prandaj, kjo në njëfarë mënyre e bënë të pamundur që kjo fushë të rregullohet dhe t’iu pamundësohet vërtet personave të cilët bartin funksione publike dhe shtetërore në ushtrimin e funksioneve të tyre”, ka thënë Miftaraj.

Nisma e presidentit Thaçi, sipas Miftarajt, do të mund të konkretizohej nëse vet partitë e politike nuk do të lejonin që personat të cilët janë nën hetime të jenë pjesë e listave zgjedhore.

“Kjo pastaj do të mundësonte që në njëfarë mënyre të ketë njerëz pa dosje penale dhe më një qeverisje potenciale të mirë. Pasi, që personat që nesër mund të zgjidhen çoftë anëtar të Kuvendit, do të kishin dosje të pastër. Sidoqoftë, kjo do të kërkonte në radhë të parë vullnet politik të partive politike, të kryetareve të këtyre partive, që të sigurohet që personat me dosje penale të mos kenë mundësi që të jenë pjesë e listave zgjedhore”, ka thënë tutje Miftaraj.

Ndryshe, bartës të funksioneve publike nën akuza apo edhe të dënuar për vepra penale në Kosovë aktualisht ka si në nivelin komunal ashtu edhe atë qendror.

Njohësit e çështjeve ligjore kanë potencuar se pavarësisht aktakuzave apo edhe shqiptimit të dënimeve, këta persona kanë vazhduar dhe vazhdojnë të ushtrojnë detyra zyrtare, duke i shfrytëzuar edhe disa zbrazësi ligjore në Kosovë.(Kortezi:Nadia Ahmeti)

Filed Under: Analiza Tagged With: i pamundur, Kodi i Thaçit, një mision, për “dekriminalizimin”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2797
  • 2798
  • 2799
  • 2800
  • 2801
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT