• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOVRANITETI I INTERESAVE

May 17, 2016 by dgreca

“Interesi i flet të gjitha gjuhët dhe reciton të gjitha rolet, edhe atë të të dizinteresuarit”-/

La Rochefoucauld/

Shkruan: Eugjen Merlika/

Aktivizimi i ambasadorëve të SHBA-ës dhe BE në Shqipëri, kohët e fundit, është vënë në tehun e kritikës së disa politikanëve e  gazetarëve në bisedat e tyre. Takimet e tyre me grupet parlamentare për të shpejtuar proçesin e miratimit të Reformës së Drejtësisë, është quajtur si diçka e pazakontë, si kalim i “vijës së kuqe”, madje edhe si shkelje e “sovranitetit” të Shtetit shqiptar, anëtar i NATO-s. Ky përshkallëzim, edhe se në dukje të jashtëme mund të ketë diçka të vërtetë, sinqerisht më duket i tepruar dhe kundërprodhues.

Pa hyrë në imtësi të teorive të sovranitetit në politologjinë e sotme, jam i mendimit se bashkësitë e shteteve nuk mund të shkojnë përpara, pa respektuar dhe zbatuar rregulla të pranuara njëzëri, pra pa patur një kalim kompetencash nga Vendet e veçanta tek Institucionet e Bashkësisë. N’Evropën e sotme ka një krizë funksionimi të kësaj ideje, madje kjo shpjegon edhe faktin se pse ajo ka mbetur prapa në proçeset vendim marrëse, në krahasim me një tjetër Bashkësi më të hershme e më të konsoliduar si SHBA-ës.

Por tema për të cilën flitet këto ditë nuk ka asgjë të përbashkët me këto pikëpamje. Besoj se ka të bëjë me një farë provincializmi të mendimit e politikës sonë, që kushtëzohen jo nga teori akademike, por nga interesa të ngushta e një farë vështirësie për të pranuar gabimet e përgjegjësitë, edhe kur këto janë të dukëshme. Shprehjet e mësipërme janë shqyti i fundit që politika shqiptare ka gjetur për t’u mbrojtur nga padia që i vjen nga vetë rendi i gjërave, që detyron masa të shpejta, të cilat nuk janë vetëm kërkesa të brëndëshme të jetës së Vendit, por edhe një “detyrim” që e kërkon BE, në përputhje me strategjinë e tij të zgjerimit.

Është një gjë e pazakontë që ambasadorët më të rëndësishëm të trupit diplomatik t’akredituar në Tiranë, të ndërhyjnë në grupet kuvendore për t’i bindur ata që të miratojnë Reformën e Drejtësisë, por anomalia e rastit nuk qëndron tek ta por tek përfaqësuesit e politikës sonë. Kjo duhet të dalë nga bizantinizmat e një çerek shekulli, të sqarojë idetë e saj, të thotë shkoqur, shqip, nëse don të hyjë në BE apo jo. Dyfaqësia e qëndrimit kundrejt kësaj zgjedhjeje është në dritën e diellit prej vitesh. Të gjitha shtetet që janë futur në BE kanë qenë të detyruar të kryejnë disa reforma, të cilat janë quajtur të domosdoshme nga Komisioni Evropian. Sot e tillë për ne quhet Reforma e Drejtësisë, për të cilën prej shumë muajsh po punohet nga dhjetra specialistë të së drejtës, shqiptarë e të huaj, me këshillimin e vazhdueshëm edhe të Komisionit të Venedikut, një autoritet i njohur në kontinent në fushën e ligjevet. Në drejtim të pavarësisë së sistemit të drejtësisë, kusht i domosdoshëm për reformën, jam i bindur se ai Komision është një siguri e plotë.

Në një Vend normal, me një klasë politike të vullnetëshme për të çuar përpara atdheun në rrugën e demokracisë dhe modernizimit, një proçes i tillë do të kishte zgjatur jo më shumë se tre-katër muaj. Tre apo katër fishi i kohës, që kërkojnë partitë politike në Shqipëri, bëjnë pjesë në anormalitetin e gjëndjes. Ngulmimi për të ruajtur gjëndjen ekzistuese, e cila e ka kaluar me kohë “vijën e kuqe” të rrezikut të përhershëm, tregon se në lojë janë interesa madhore vetiake apo të grupeve. Janë ata interesa që kanë përcaktuar ngjarjet në Shqipëri, në këta vite të kalesës mbas komuniste, që përkojnë me strategjinë e Katovices, të shpallur dikur nga Ramiz Alia.

Gjithshka ka shkuar simbas atyre udhëzimeve e parashikimeve, në të cilët mungonte vetëm integrimi në BE, i cili ishte i parakohshëm edhe për t’u menduar në 1989, por që mbas 15 vjetësh u bë një flamur që kalon nga një dorë në një tjetër, simbas alternativave pushtetore. Në këtë drejtim mendoj se ka një marrëveshje të fshehtë, të pashpallur, të mbuluar e pa zë : Shqipëria nuk duhet të hyjë n’Evropë, sepse interesat e drejtuesve të saj nuk përkojnë me atë veprim. Një Vend që, në një çerek shekulli, ka krijuar miliarderë nga njerëz që janë marrë vetëm me politikë, nuk mund të jetë i interesuar për rregulla, ligje, kode që rregullojnë jetën e Bashkësisë. Si pasojë, politika ka vetëm një synim, vegjetacionin, statu-quon, por duke dhënë përshtypjen se lëviz, se përpiqet të ndryshojë, se do të plotësojë kushtet që i kërkohen. Kështu është shkuar përpara për shumë vite, por sot nyja ka hasur në krëhër.

BE kushtëzon gjithshka në proçesin e integrimit me Reformën e Drejtësisë. E po atij mendimi është edhe Qeveria e SHBA-ës. Përfaqësuesit e tyre, përballë pingpongut të shkarkimit të përgjegjësivet nga njera parti shqiptare tek tjetra e anasjelltas, kanë mbetur keq. Duan të bëjnë katalizatorin e një proçesi politik, që shkon kryesisht në dobinë tonë si komb, sepse interesat e tyre, në një Vend të vogël e problematik si i yni, janë të vogla e të realizueshme.

Politikanët tanë, përfaqësuesit e popullit, “të zgjedhur me vota të lira “ në listat e paracaktuara, nuk dihet mirë se mbi çfarë kriteresh, fyhen e ankohen se u është shkelur “sovraniteti”. Po t’ishte e vërtetë, qoftë edhe për një refleks atavik të krenarisë kombëtare, do të kishim qënë të gjithë përkrah tyre. Nuk ka nevojë për të shtjelluar teoritë e ndryshme gjeopolitike mbi temën e marredhënieve mes shteteve. Kujtoj se vlen më shumë të ndërgjegjësohemi për gjëndjen e Shqipërisë së sotme, të bëjmë krahasimet me të tjerët e raportin mes asaj që kemi bërë e asaj që duhej të kishim bërë, mes asaj që jemi e asaj që duhej t’ishim. Besoj se para këtij kuadri nuk ka vend as për një grimcë vetëkënaqësie. Përulësisht klasa politike, që është përgjegjësja kryesore e kësaj drame shqiptare, duhet të bëjë një provim ndërgjegjeje. Por ajo nuk e bën atë, fle mbi dafina të përfytyruara, edhe se gjithandej ka vetëm ferra. Provimi i saj është ai i interesave, i milionave të fituara. Sigurisht, kjo nuk vlen për të gjithë, por pjesa e ndershme, nëse ekziston, duhet t’a thotë me forcë fjalën e saj, sepse kemi hyrë në ceitnot politik e nuk mund të ecim më me ritmet e këtij çerek shekulli.

Për reformën ka gati një vit që diskutohet, mund të diskutohet përsëri, mund të merren këshillat e të huajve të painteresuar, por nuk mund të fshihemi mbas gjethes së fikut “se atë do t’a bëjnë shqiptarët” Po, ata do t’a bëjnë, por deri tani, fatkeqësisht, nuk e kanë bërë dhe  gjasat janë se nuk do t’a bëjnë, se nuk kanë dëshirë t’a bëjnë, se sovranitetin e duan për interesat  e tyre. I jepet rëndësi formës për të mbuluar mungesën e përmbajtjes. Nuk kam dëgjuar asnjë prej këtyre zotërinjve politikanë, apo analistë në justifikim të tyre, të flasin ndonjëherë për sovranitetin kombëtar dhe thelbin e tij, synimin strategjik të bashkimit të kombit. Ai i delegohet Evropës, si përgjegjësi e si perspektivë, pa patur kurajën as t’a venë në tryezën e bisedimit. Ngrihet “problemi” i sovranitetit, kur dikush me njerëzi u thotë se drejtësia në Shqipëri është një kazan në pikën e vlimit.

A e dijnë këta zotërinj se si funksionon, në Vendin e tyre, ky segment, nga më të rëndësishmit për një shtet ? Ka gjyqtarë e gjyqtare në Shqipëri që janë kthyer në kohën e Hasan Zyko Kamberit : “Kadiut po t’i rrëfesh paranë / Ters e vërtit sherianë”. Ata tjetërsojnë pronësitë e qytetarëve, duke ligjësuar padrejtësisht në dobi t’atyre që paguajnë më shumë, lirojnë kriminelë e  dënojnë një fakir që kishte gjetur një ombrellë në rrugë dhe e kishte shitur, detyrojnë qytetarin të paguajë dy herë faturën e korrentit, i japin burrit gjithë pasurinë e një familjeje të ndërtuar nga puna e të dyve, kur gruaja kërkon ndarjen,  arrijnë të venë në diskutim edhe testamentet e firmosura para një noteri, një përbindshmëri juridike e panjohur n’asnjë Vend të qytetëruar etj., etj.

Idhtarët e sovranitetit të interesave, në vënd të padisë për sedrën vetiake të “fyer”, do të ishte mirë të na thonin se si u arrit në këtë gjëndje, kush e mban përgjegjësinë e cila është zgjidhja e këtij problemi që po i merr frymën Shqipërisë. Në vënd që t’i tregojnë “vijën e kuqe” ambasadorëve, të cilët po përpiqen të futin bisturinë e kirurgut në plagën tonë të gangrenizuar, do të ishte mirë të hynin shpirtërisht në dramat e mijëra bashkatdhetarëvet të tyre, që përballen prej vitesh me një drejtësi të korruptuar e me një shtet që është bashkëpuntor me të.

Personalisht nuk gjej asgjë shqetësuese në marredhëniet e ambasadorëve me klasën politike, madje si një qytetar i Shqipërisë, edhe se jetoj jashtë saj, e quaj për detyrë t’i falënderoj për punën e tyre, në dobi të çështjes sonë. Jam i bindur se duke ruajtur gjëndjen e tanishme, duke mbajtur në brendì të institucioneve njerëz jo të pastër moralisht, duke u dhënë mundësi atyre t’a kthejnë Shqipërinë në një çiflik për t’u vjelur nga bijtë e bijat e saj të pandershme, humbasim të gjithë ne, dëmtohet Atdheu, por nuk humbasin asgjë SHBA-ës dhe Evropa.

 

Maj 2016

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, SOVRANITETI I INTERESAVE

TRAGJEDIA E REVOLUCIONIT KULTUROR KINEZO-SHQIPTAR

May 17, 2016 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

16 Maji, 1966 shënoi 50-vjetorin e revolucionit ideologjik dhe “kulturor” kinez. Kjo ditë shënon mbledhjen e Byrosë Politike të Partisë Komuniste të Kinës që konsiderohet si data zyrtare e fillimit të Revolucionit Kulturor, një ngjarje që nuk ishte as revolucion dhe nuk kishte aspak të bënte me kulturën. Përkundrazi, ishte një periudhë që shkroi një kapitull të tmershëm dhe të dhimbshëm në historinë e popullit kinez, një periudhë vrasjesh e torturash, linçimesh dhe gjyqe linçi, duke e këthyer vendin në një eksperiment tragjik, në dorë të të ashtuquajturave masa revolucionare të rinjshë, kryesisht, por edhe të shtresave të tjera të shoqërisë kineze.

Është ky një përvjetor i një historie të shëmtuar dhe gjakatare të komunizmit kinez kundër popullit të vet, që sipas mediave ndërkombëtare pothuaj nuk u përmend aspak në Pekin, as zyrtarisht dhe as në median kineze, duke pasqyruar kështu ndjenjat e thella që ekzistojnë ndaj një periudhe që me të drejtë është cilësuar si një katastrofë në historinë e Kinës. Ishte një lëvizje që bënte thirrje për luftë të pa mëshirëshme klasash me qëllim të zhdukjes së elitës intelektuale dhe kundërshtarëve politikë të udhëheqsit numër një dhe të Partisë Komuniste. Revolucioni Kulturor është cilësuar si një kapitull dhune politike dhe fizike në historinë e Kinës për të cilin udhëheqsit e sotëm të Kinës turpërohen dhe për të cilin as nuk duan të flasin publikisht as zyrtarisht.
Ndonëse në Kinë, siç thashë më lartë, sipas mediave ndërkombëtare, ky përvjetor nuk u përmend nga Pekini zyrtar dhe u injorua nga media kineze, e njëjta gjë duket se ndodhi edhe në Shqipëri, ku ndonëse në dy tre raste media përmendi 50-vjetorin e Revolucionit Kulturor kinez, por pa thënë asgjë për Revolucionin Kulturor të Shqipërisë, pjellë e së cilës ishte. Me fjalimin e Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1967, Shqipëria komuniste kishte nisur gjithashtu revolucionin e saj me kopjimin e Revolucionit Kulturor kinez, duke e zhytur kombin shqiptar në një katastrofë përmasash historike, ndërkohë që ndërmori krimet më çnjërzore kundër popullit të vet, elitës intelektuale dhe fetare shqiptare si dhe kundër kulturës dhe traditave mija vjeçare të kombit shqiptar, me fjalë të tjera një fushatë kundër çdo gjëje të “vjetër”.
Gjatë 1960-ave, Kina dhe Shqipëria ishin aleatë të ngushtë në një kohë kur asnjëra palë nuk kishte shumë miqë anë e mbanë botës. Kjo aleancë midis dy vendeve komuniste, që shumë ekspertë e kanë karakterizuar si jo natyrale, u përforcua më tepër pas vdekjes së Stalinit. Në mospajtim me politikën e ish- udhëheqsit sovjetik Nikita Krushçev për destalinizimin e vendit, Tirana komuniste vendosë lidhje të ngushta, jo vetëm në fushën ideologjike, por edhe në fushën strategjike me Kinën komuniste. Të frikësuar nga kërcënimet që mund t’i vinin pushtetit komunist nga pakënaqësitë e popullit shqiptar në lidhje me gjëndjen ekonomike dhe politike në vend, pasi Mao Tse Dungu kishte deklaruar tanimë Revolucionin Kulturor dhe Ideologjik në Kinë në vitin 1965, — Enver Hoxha, në fjalimin e tij famëkeq të 6 shkurtit, 1967 njoftoi Revolucionin e vet Kulturor dhe Ideologjik. Si përfundim, Shqipëria u u përshkua me ndryshime rrënjësore në jetën e përditshme, përfshirë ndër të tjera ndryshimet në ushtri dhe në burokracinë shtetërore dhe qeveritare.
Eliminoi ministri të tëra, përfshirë edhe Ministrinë e Drejtësisë. Kolektivizimi i tokave dhe shtetëzimi i pasurisë u përhapën anë e mbanë vendit, përfshirë edhe zonat më të izoluara të Shqipërisë. Por, rezultati më famëkeq i Revolucionit Kulturor në Shqipëri, ishte pikërisht zhdukja e kulturës kombëtare dhe përfaqsuesve të saj, shfarosja e fesë dhe e traditave shumë shekullore shqiptare, pasojat e të cilit, fatkeqsisht, shihen edhe sot në jetën politike, kulturore dhe shoqërore të Shqipërisë, madje edhe 25-vjetë pas shëmbjes së komunizmit. Gjatë 1960-ave, regjimi komunist enverist, duke u bazura në përvojn e revolucionit kinez, kritikoi, torturoi, arrestoi, vrau, internoi dhe ridënoi deri në zhdukje elitën kombëtare, përfshirë shkrimtarë, klerikë dhe artistë të dalluar. Ndër të tjera, regjimi enverist ndryshoi sistemin arsimor dhe ndaloi fenë duke e shpallur me krenari Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë, ndërkohë që organizoi grupe agjitatorësh, të rinjshë e të rejash, për të shkatërruar objektet fetare anë e mbanë Shqipërisë duke zhvilluar një fushatë të egër anti-fetare, sidomos kundër klerit katolik, të pa parë askund tjetër në botë.
Ishte kjo një përpjekje e qëllimshme nga ana e regjimit komunist shqiptar që ta izolonte edhe më shumë Shqipërinë nga rrënjët e saja të kulturës dhe të traditave europiane duke e vet-izoluar popullin shqiptar, me objektivin për ta mbajtur Shqipërinë larg atyre që regjimi komunist i kohës i konsideronte si “influenca të huaja”. Duke zhdukur në këtë mënyrë, trashëgiminë, kulturën dhe traditën e vjetër të shqiptarëve, për t’i hapur rrugën, sipas regjimit, një revolucioni të ri kulturor për të krijuar “njeriun e ri”, por në të vërtetë ishte një fushatë që u këthye menejëherë në një barbarizëm të vërtetë shfarosës kundër qytetërimit shqiptar dhe evropian.
I parë nga përspektiva e sotëme, në këtë 50-vjetor, i ashtuquajturi Revolucioni Kulturor në Shqipëri – një kopje fatzezë e Revolucionit Kulturor dhe Ideologjik të Kinës Komuniste – nuk ishte gjë tjetër veçse një krim përmasash kombëtare, i kryer nga një regjim anti-kombëtar, në emër të një ideologjie sllavo-aziatike kundër historisë dhe kulturës së kombit shqiptar.
Disa vjetë më parë, Radio Vatikani do ta cilësonte fjalimin e Enver Hoxhës të 6 shkurtit 1967, që në fakt shënoi fillimin e revolucionit kulturor në Shqipëri, si një ”kopje e turpshme e revolucionit kinez dhe një njollë e zezë në historinë e një kombi.” Ishte kjo një kohë, thuhej në komentin e Radio Vatikanit, kur një aventurier ballkanik duke ndaluar Zotin me ligj, ëndërronte të ulej vetë në fronin e Perëndisë. Thuhet se ishte një periudhë kur, “Viktimat qenë të shumta: biblioteka me libra të rrallë, ikona të vjetra të papërsëritshme, vlera arkitektonike dhe etnografike. Në atë pranverë të akullt, Shqipëria ngrohej në flakët e zjarreve, ndezur me një lëndë të veçantë: libra. Ngrohej a digjej? Kur digjej Ungjilli, Lajmi i Mirë, që ia kishte ngrohur zemrën dhe Lahuta e Malcís, që ia kishte mbajtur gjallë kujtesën kombëtare”, popullit shqiptar. Ishte ky një kapitull i shëmtuar i historisë së shqiptarëve, “Kur shembeshin një mori ndërtesash dhe kur njeriu shqiptar bëhej më pak njeri, duke humbur shumë nga vlerat njerëzore e shqiptare.” Revolucioni Kulturor i diktaturës ateisto-komuniste rrënoi faltoret e shpirtit, “duke lënë njolla kaq të zeza në historinë e kombit, njolla e farsa që kërkojnë rishkrimin e ndershëm e të paanshëm të kësaj periudhe të historisë së Shqipërisë”. Radio Vatikani më në fund ka cituar Dom Simon Jubanin, i cili gjatë meshës së parë në nëntor të vitit 1990, qe shprehur se megjithë përpjekjet e Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë fenë në Shqipëri, me shëmbjen e komunizmit në Shqipëri, “kishat e xhamitë i lartësojnë përsëri këmbënaret dhe minaretë e tyre drejtë qiellit si rrufepritëse, sinjal i shembjes së vet diktaturës”.
50-vjetori i katastrofës së Revolucionit Kulturor kinezo-shqiptar duhet të shërbejë si një kujtim për ta gjykuar dhe për ta dënuar zyrtarisht atë tragjedi kombëtare, kur “njeriu shqiptar bëhej më pak njeri” dhe kur populli shqiptar humbi shumë prej vlerave historike shpirtërore dhe kombëtare shekullore të tija. Duke shkruar me rastin e 50-vjetorit të Revolucionit Kulturor, eksperti gjerman i çështjeve kineze Felix Wernheuer thotë se ka giasë që Revolucioni Kulturor të ketë shkatërruar për gjithmonë kulturën dhe marrëdhëniet njerzore të shoqërisë. Ekziston mendimi, shton ai, se problemet e sotëme, siç janë lakmia e tepëruar për mall e para, korrupcioni dhe rënja e moralit nëpërgjtihsi, e kanë origjinën në “shkatërrimin e qytetërimit”, të shkaktuar nga Revolucioni Kulturor Kinez. Eksperti gjerman përfundon duke thënë se, “Nëqoftse shoqëria kineze merret ndonjëherë seriozisht me të kaluarën e saj, ajo nuk do të mund të injorojë as padrejtësitë e sotëme në atë vend”, të cilat janë rezultat i të kaluarës 50-vjeçare. Kjo vlenë edhe për Shqipërinë! Edhe Shqipëria duhet, jo vetëm ta kujtojë këtë katastrofë historike duke zbardhur njollat e zeza të Revolucionit të saj Kulturor, por njëkoshisht edhe të dënojë krimet e bëra. Ashtu si edhe për krimet e tjera të komunizmit pothuaj gjysëm shekullor, nëqoftse ato krime nuk gjykohen, nëqoftse nuk ndëshkohen dhe nëqoftse, të pakën nuk kujtohen në raste siç është 50-vjetori i krimeve të Revolucionit Kulturor në Shqipëri, atëherë vendi është i destinuar që t’a përsërisë atë histori tragjike të popullit shqiptar. Njëkohsisht, nëqoftse nuk zbulon të vërtetën mbi njollat e zeza të historisë së saj, siç është revolucioni kulturor dhe të periudhës komuniste në përgjithësi dhe nëqoftse nuk mëson prej saj, atëherë Shqipëria nuk mund të ketë as një vizion të qartë dhe as të drejtë për një të ardhme më të mirë të vendit dhe të kombit shqiptar në përgjithësi dhe si rrjedhim as nuk mund të bëjë pjesë në botën e vendeve të përparuara pa ndëshkimin e krimeve anti-njerëzore dhe anti-kombëtare, të shkaktuara nga Revolucioni Kulturor shqiptar 50-vjetë më parë.

Filed Under: Analiza Tagged With: E REVOLUCIONIT KULTUROR, Frank shkreli, KINEZO-SHQIPTAR, tragjedia

Macedonia Albanians Make Push for Federal State

May 17, 2016 by dgreca

Discontented with the current Albanian parties working in coalition with Macedonian ones, some Albanian intellectuals say it is time to consider the option turning Macedonia into a federation./

Nga Fatjona Mejdini/BIRN/

Intellectuals and others who have contributed towards the rights of Albanians in Macedonia say it is time to find new ways for an ethnic community comprising around 30 per cent of the population to organize itself afresh within the Macedonian state.

At a time where the country is being swept by political crises and by institutional stalemate, these Albanian voices say the way they have been represented for the last 25 years in Macedonia has to change, as they still feel like second-class citizens, with little rights.

The creation of a federal state or a parliament with two chambers are seen as two possible ways to give the two main communities in Macedonia equal rights.

However, the majority of Albanians are also clear that before pioneering new forms of organization they first have to unite with each other.

They are disappointed with the main Albanian parties that have represented them in government or opposition in the past, and have little trust even in newly formed parties.

Nijazi Muhamedi, an author and publicist living in Tetovo, told BIRN that now is the time for Albanians in Macedonia to unite in a kind of league that will bring about a social, cultural and economic awakening.

“We need a unification league, where Albanian political representatives in a unified way can elaborate a political and economic program for the Albanians in Macedonia and later think about the ways in which this program can be implemented,” he said.

Discontended with implementation of Ohrid agreement, which ended the armed conflict between Macedonian security forces and ethnic Albanian guerrillas in 2001, they believe that a new deal is necessary.

Disappointed with old Albanian parties:

Teuta Kamberi Llalla was 24 when she quit her job as assistant professor in Tetovo University and left to fight the Macedonian security forces in northwest Macedonia.

Her brother had left to fight with the guerillas before her, and many their relatives and friends did the same.

Fifteen years after the 2001 conflict, she believes the Albanian political parties lost all their ideals and sacrifices at the table of political agreements.

Now an activist for Albanian issues, far from the political parties, Llalla told BIRN that parties like the ruling Democratic Union for Integration, DUI, had “privatized” and abused the gains of the war in 2001.

“The DUI took all the credit from the war, at a time when most of the people now ruling the party were not even present during the war itself,” she said.

“They have privatized the contribution of all of Albanians in Macedonia; they made the war their private property,” she added.

For Llalla, the Ohrid agreement was never fulfilled and the Albanian politicians have disappointed the people who trusted that after the war they would have more rights.

Nevzat Halili, leader of the first Albanian party in Macedonia, the Party of Democratic Prosperity, PDP told BIRN that the ethnic Albanian politicians in Macedonia have followed only their own interests.

“None of the requests made by Albanians during the 2001 conflict was fully met and the parties never respected the 90 martyrs and other civilians killed in the war. They have pursued the personal interest of people… and have lied to Albanians for a long time,” he said.

Some of these Albanians do not believe the situation with their rights will change much because of the newer political parties have emerged on the political scene.

“These new parties are being used by the Macedonian opposition – and they just contribute to the further division of the Albanian political factor in the country,” Nijazi Muhamedi told BIRN.

Federation might bring about equality:

Teuta Kamberi Llalla believes Albanians in Macedonia can feel equal and free only once the structure of the state is changed fundamentally.

“It has been proven for years now that the collaboration of Albanians with the Macedonian parties is not bringing about either prosperity or equality. Albanians are still second-class citizens,” she said.

“To achieve our rights, we either have to create a parliament with two chambers or a federative state, in order for us to be equal partners, and not give the Macedonian party the right to choose which of the Albanian parties they will take into government,” she continued.

Nevzat Halili told BIRN that the bi-national state in Macedonia might be difficult to be implement, which is why a federal state like Switzerland or Belgium could be the better option.

“States in Europe that have the same ethnic structure have been organized as federations, so this could be a sustainable solution – for equality and prosperity,” he concluded.

This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Caption: Albanians in Macedonia during a protest | Photo: BIRN/Sinisa Jakov Marusic

 

Filed Under: Analiza Tagged With: for Federal State, Macedonia Albanians Make Push

Regjistrimi i diasporës deri në fund të vitit

May 17, 2016 by dgreca

* Mendohet se  rreth 700 mijë kosovarë jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

Me ofrimin e sezonit të verës, periudhë kjo kur në Kosovë vijnë për pushime qytetarët e Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës, Ministria e Diasporës ka shtuar aktivitetet që kanë të bëjnë me regjistrimin e diasporës dhe mërgatës.

Ky proces ka filluar në vitin 2013 dhe po vazhdon edhe gjatë këtij viti. Pjesë e këtij regjistrimi është çdo person që ka vendbanim apo vendqëndrim jashtë Republikës së Kosovës, që ka lindur ose ka prejardhje nga Kosova.

Zëdhënësi i Ministrisë se Diasporës, Lorik Pustina për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se vitin e kaluar janë evidentuar rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës. Kurse të dhënat e reja të këtij viti, sipas tij, pritet që të bëhen publike në fund të muajit dhjetor.

“Në këtë kontekst ne tashmë e kemi filluar fushatën tre mujore, sikurse ka qenë edhe vitin e kaluar, me moton; “Ti je pjesë e atdheut”, ku gjatë periudhës verore, kur bashkatdhetarët tanë do të vijnë në Kosovë për vizita ata do të familjarizohen më procesin e regjistrit dhe do të kemi regjistrim, besoj masiv, i cili do të reflektojë edhe në suksesin të cilin e kemi pasur si pasojë e kësaj fushate”, ka thënë Pustina.

Procesin për regjistrimin e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, e konsiderojnë projekt të rëndësishëm dhe më interes të veçantë edhe demografët.

Profesori Rifat Blaku, demograf, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se është e domosdoshme të dihet se cili është numri i diasporës.

Qytetarët që jetojnë jashtë vendit, vijon ai, posedojnë një kapital të madh intelektual dhe financiar, dhe më një politikë të mirëfilltë të kthimit dhe migracionit, siç thotë ai, mund të paraqiten faktor i rëndësishëm për zhvillimin e Kosovës, por edhe kthimin gradual të tyre në vendlindje.

“Natyrisht që procesi i filluar, gradualisht duhet të vazhdojë edhe pse është mjaft kompleks. Por, shpresojmë që ky proces do të ketë rezultate pozitive dhe të dihet se sa i madh është numri i atyre që në rrethana të ndryshme, nga e kaluara e pa fat, janë detyruar të braktisin Kosovën dhe të kërkojnë shpresë dhe jetë më të mirë në botën e jashtme”, ka thënë Blaku.

Ndërkohë, Lorik Pustina tregon se në bazë të regjistrimit të deritashëm vërehet se numri më i madh i qytetarëve të Kosovës jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, procesi i regjistrimit fizik, pritet të përfundojë në fund të këtij viti, periudhë kjo kur pritet të publikohen edhe rezultatet përfundimtare.

“Ndërsa përditësimi, pasi kemi të bëjmë më regjistrim dhe përditësimin, do të vazhdojë gjatë gjithë kohës, pasi është proces dinamik. Struktura demografike e diasporës tonë, sikurse edhe gjithë njerëzve tjerë është dinamike. Njerëz të rinj lindin, njerëz të moshuar vdesin, ka ndryshim të vendbanimeve, ka ndryshim të shkollimit apo ndryshim të statusit social. Prandaj, ky proces do të vazhdojë me përditësim gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlerësohet se janë rreth 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre në Evropën Perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.(Nadie Ahmeti)

Filed Under: Mergata Tagged With: deri në fund të vitit, regjistrimi i diaspores

Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Kosovën

May 17, 2016 by dgreca

Kosovë-Thaçi: Anëtarësimi në BE, qëllim me prioritet strategjik/

PRISHTINË, 17 Maj 2016/ Viti 2016 është vit evropian për Kosovën dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet qëllimi ynë me prioritet strategjik, tha sot Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi. Ai foli në hapjen e Konferencës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, e cila i dedikohej mundësive të reja që sjell ajo për zhvillimin ekonomik.

“Shteti i Kosovës mishëron vlerat evropiane dhe Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Kosovën. Ne jemi Evropë, nuk jemi më vend i izoluar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe rekomandimit për liberalizim të vizave, perspektiva evropiane për Kosovën nuk është vetëm një deklaratë, por një kontratë.

“Marrëveshja për Stabilizim-Asociim është një marrëveshje për të ardhmen e shtetit tonë. Nën këtë mesazh sot bashkohemi të gjithë pa asnjë dallim. Ajo paraqet një mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, sepse zgjeron marrëdhëniet tregtare ndërmjet BE-së dhe Kosovës me krijimin gradual të një zone të tregtisë së lirë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se MSA do të ndikojë edhe në rritjen e besimit të investitorëve të huaj, sepse siguron një mjedis më të parashikueshëm për të bërë biznes.

Krahas aspektit ekonomik, presidenti Thaçi ka thënë se MSA-ja i jep rëndësi edhe bashkëpunimit rajonal dhe në këtë drejtim qëndrimi ynë si shtet është i qartë.

“Ne jemi përqendruar në bashkëpunim afatgjatë e dialog, si dhe në dobitë që do të krijohen për të gjitha shtetet në rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjithashtu, ai ka shtuar se bashkëpunimi midis institucioneve publike dhe shoqërisë civile duhet të forcohet edhe më shumë.

“Shoqëria civile duhet të jetë pjesë e procesit të zbatimit të MSA-së”, është shprehur presidenti Thaçi.

Me punën tonë, ai ka thënë se duhet ta rrisim besimin e qytetarëve tek shteti ynë.

Në konferencën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës, po marrin pjesë edhe komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, si dhe Presidenti i Këshillit Evropian të Investitorëve, Emmanuel Mitsou.

Si pjesë e kësaj konference, në mbështetje të zbatimit të MSA-së, gjatë ditës do të prezantohen edhe analiza dhe studime të ndryshme lidhur me reformat ekonomike, tregtinë dhe investimet në Kosovë./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: -Bashkimi Evropian, nuk është i plotë, pa Kosovën-, Thaci

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2805
  • 2806
  • 2807
  • 2808
  • 2809
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT