Presidenti amerikan, Barack Obama, gjendet në një vizitë 3 ditore në Britanië e Madhe. Ndërsa komentet e tij për “Brexit” kanë ndarë britanikët, por kjo nuk e ka penguar atë që të ftojë për një lojë golfi kryeministrin britanik David Cameron. Shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe Shefi i Ekzekutivit britanik zgjodhën resortin “Chandlers Cross” për të sfiduar njëri-tjetrin. Ky resort është i njohur për faktin se aty grumbullohen lojtarët e kombëtares angleze përpara çdo ndeshjeje në “Wembley”. Gjithsesi, Obama, që po bën vizitën e tij të fundit si President i SHBA-ve në ishull, duke se po e shijon kohën e kaluar me Cameron. Përpara se ti drejtohej fushës së golfit, Obama vizitoi teatrin “Globe”, ku ndoqi performancen e veprës legjendare të “Hamletit”. {Sh.K}
Qytetarët:”Këta deputetë nuk na përfaqësojnë”!
Sondazh i qytetarëve shqiptarë për politikën: “Këta deputetë nuk na përfaqësojnë”/
Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim dhe Instituti Demokratik Amerikan publikuan dje në Tiranë një studim mbi shkallën e angazhimit politik të qytetarëve në proceset demokratike të Shqipërisë. Studimi zbuloi një zhgënjim në rritje të qytetarëve nga partitë politike si dhe një pakënaqësi të konsiderueshme ndaj parlamentit, qeverisë, dhe opozitës.
Ky studim mbi angazhimin politik i përgatitur nga Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim dhe nga Instituti Kombëtar Demokratik Amerikan është i pari i këtij lloji, që mat gadishmërinë e qytetarëve për të marrë pjesë në zhvillimin e demokracisë. Mbi 22 për qind e të anketuarve deklaruan prerë se nuk do të votonin në zgjedhje nëse ato mbahen tani, rreth 30 për qind janë të pavendosur, nëse do të votonin apo jo dhe afro gjysma e të amketuarve pohuan që janë gati marrin pjesë. Studiuesit pohuan se një pjesë e madhe e atyre që kanë prirje të votojnë janë punonjës administrate, anëtarë partie dhe veprimtarë të shoqatave.
Mosbesues dhe të zhgënjyer nga politika tradicionale e partive, sondazhi zbuloi se qytetarët janë gati të shtojnë pjesëmarrjen e tyre në protesta dhe veprimtari të shoqërisë civile, apo në takimet e këshillit bashkiak për çështje të caktuara konkrete dhe jo për pikëpamje të përgjithshme. Afro gjysma e tyre janë gati të përfshihen në veprimtari të nivelit vendor dhe vetëm 10 për qind e tyre janë gati të angazhohen në nivel kombëtar. Sipas sondazhit, një ndër 2 të anketuar është i pakënaqur me punën e parlamentit dhe të qeverisë aktuale, ndërsa 2 nga 3 pjesëmarrës nuk janë të kënaqur me punën e opozitës aktuale. Gjysma e të anketuarve pohuan se parlamenti nuk është transparent dhe nuk punon mbi baza etike qytetare. Po ashtu 2 në 3 qytetarë nuk janë dakord se parlamenti përbëhet nga përfaqësues të respektuar. Më shumë se 2 në 3 të anketuar, gati treçereku i tyre mendojnë se deputetët nuk i përfaqësojnë ata dhe familjet e tyre.
Shumica e të anketuarve dëshirojnë t’i përfaqësojë një deputet i përgjegjshëm dhe i ndershëm, deputet me arsim të mirë dhe që të kuptojë varfërinë dhe problemet e popullit.
Të anketuarit pohuan se nuk kanë ndërmarrë asnjë nismë me karakter social e politik, sepse; 40 për qind e tyre besojnë se asnjë njeri nuk i dëgjon, 40 për qind të tjerë pohuan se politikant mendojnë vetëm për veten e tyre dhe rreth 20 për qind pohuan se politikanët nuk mendojnë për njerëz të thjeshtë si ne. Mbi 80 për qind e qytetarëve pohuan se ata janë gati të angazhohen në procese politike për interesa personale, familjare dhe komunitare. Ndërsa 65 për qind pohuan se janë të gatshëm të angazhohen në çështjet që besojnë, por që nuk lidhet me ata personalisht. Gjysma e tyre pohuan se situata mund të ndryshojë duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe gjysma tjetër me votim në zgjedhje. Një masë po aq e madhe qytetarësh thanë se gjendja mund të ndryshojë duke marrë pjesë në veprimtari për të ushtruar presion ndaj vendim-marrësvePor vetëm 20 për qind e tyre pohuan se do ti bashkoheshin një partie politike për të ndryshuar situatën aktuale. Treçereku i të anketuarve pohuan se nuk janë anëtarë e as mbështetës të ndonjë partie politike dhe as të ndonjë shoqate. Vetëm një në 5 pjesëmarrës mendon se mund të angazhohet politikisht pa qenë pjesë e një partie politike. Pjesa tjetër mendojnë se e vetmja mënyrë të angazhohen në politikë është të bëhen anëtarë të partie politike. Nga sondazhi doli se 2 në 3 të anketuar pohuan se vota e tyre nuk ka asnjë ndikim në vendim-marrjen kombëare. Një në 2 pjesëmarrës pohojnë se nuk kanë asnjë ndikim në vendim-marrjen vendore, ndaj ata kërkojnë shtimin e takimeve të drejtpërdrejta me deputetët dhe bashkiakët, dhe detyrimin që ata tu përgjigjen me shkrim kërkesave të tyre jetike. Sondazhi vlerësoi se njohuritë e qytetarëve për institucionet demokratike janë të pamjaftueshme. Ata shprehën interesim më të lartë për qeverisjen vendore. 2 nga 3 të anketuar theksuan se nuk u intereson fare roli i deputetëve. Vetëm një e treta e qytetarëve tha se ishte gati të përfshihej në vendimmarrjen në nivel kombëtar dhe një në 2 është gati të angazhohet në çështje të nivelit vendor.
UJËVARA E SOTIRËS – MONUMENTI MË UNIKAL NË SHQIPËRI
NGA PËLLUMB GORICA/
Një udhëtim për në Ujëvarën e Sotirës së Gramshit, pamvarsisht kapërcimit të shtigjeve të vështira, herë- herë me pengesa, të ngjan se hap brenda teje një hapsirë të mrekullueshme gjelbërimi dhe uji. Është një hapsirë e çuditshme që shoqërohet me dashurinë për natyrën. Me ndërtimin tektonik, natyra ka krijuar mjedise të bukura, peisazhe tërheqëse dhe veçori: male, shpella, kanione, ujvara, liqene… Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë ato. Me kureshtjen për eksplorimin e kësaj natyre, si një nga arsyet më interesante, ajo të ofron mundësi t’i largohesh paksa përditshmërisë stresuese.
Një udhëtim i bukur
Pikërisht me pasionin e udhëtarit jemi nisur në Ujëvarën e Sotirës. High Albania Mountain Club, organizatore e udhëtimeve, ka vite që mundëson grupe vizitorësh vendas, por edhe të huaj të eksplorojnë natyrën shqiptare. Ujëvara e Sotirës është një nga perlat e natyrës sonë. Por, të shkosh atje është një aventurë, edhe pse ajo ndodhet 16 km larg qytetit të Gramshit, nën këmbët e malit Tomorr. Udhëtimi ynë drejt Ujëvarës së Sotirës shoqërohet nga një mugëtirë e lehtë, që herë davaritet në qiell e të pengon disi të sodisësh peisazhin parakalues. Për kilometra të tëra të shoqëron rrjedha e lumit Devoll. Prurjet e ujit, herë në njërin krah e herë në tjetrin, gurgullojnë mes zajeve e nëpër brigjet e gjelbërta. Befasohesh me pamjet e maleve në sfond. Grykat e ngushta dhe majat e thepisura,me ndjesinë e tyre madhështore rrethohen nga retë. Që këtu imazhi i malit Tomorr të përshëndet me rrezet e ngrohta këtë mëngjes. Pasi përshkon rrugën, që kalon në të djathtë të rrjedhës së lumit Devoll, aty ku H/C i Banjës po hedh shtat, e po konturohet si vepër energjitike e Shqipërisë, të shfaqet qyteti i Gramshit. Konfiguracioni i tij shtrihet në një kodër buzë lumit Devoll. Një qytet i vogël dhe me shumë gjelbërim, i krijuar para 60 vjetësh, e që e ka zanafillën nga fshati me të njënjtin emër. Dikur, para 40 vjetësh, këtu u ngritën fabrika dhe uzina ushtarake, ndërsa sot kjo industri nuk ekziston. U shkatërruan me një egërsi të pashembullt, dhe punëtorët mbetën të papunë, por jo vetëm kaq. Për të përballuar jetën në kushtet e reja që erdhën, shumica me familjet e tyre morën rrugën në emigracion, dhe në qytete të mëdha: si Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë. Në një pushim të shkurtër në qëndër të qytetit, e ndjen freskinë që vjen nga mali Tomorr. Është një ajër i dlirë dhe i pastër si vet mali i lartë. Ajo që të bën më shumë përshtypje në Gramsh, që në fillim është fakti se, banorët janë të qetë dhe të kulturuar, e gjithë respekt, që mishërohet në shpirtgjerësin e tyre.
Gramshi, vendi i mrekullive turistike…
Ndonëse, infrastruktura rrugore le shumë për të dëshiruar, kjo vështirësi bëhet e papërfillëshme çdo ditë nga dhjetra adhurues. Duhet thënë lexuesit, që krahinat e Gramshit janë një vend me kontraste gjeografike dhe peisazhe të mrekullueshme, që dita ditës po kthehen në një shkretëtirë të mjerueshme. Në përgjithësi ato i ka mbërthyer një zhgënjim, që vështirë të tejkalohet shpejt. Madje rruga e keqe dhe kushtet më elementare të jetës, e kanë bërë pjesën më të madhe të banorëve, që të braktisin këtë trevë dhe të largohen. Si kudo, ku më shumë e ku më pak, të njënjtat probleme ka. Por, në krahinat e Gramshit shenjat e braktisjes janë të dukshme. Po çfarë po mbetet pa emigruar? Pyjet po ja shkatërrojnë, gurët po ja marrin. Ështe fatkeqësi që ajo po shkatërrohet nga babëzia e pandalshme njerzore nën fjalën zhvillim. Është një katastrofë si shumë të tjera drejt degradimit ashtu si shoqëria, edhe flora e fauna jonë. Me tepër se kurrë, tani njerëzit duhet t’i thërrasin ndërgjegjes dhe të ndalin rrënimin e natyrës, por edhe institucionet duhet të mendojnë më shumë për turizmin malor, pasi natyra e ka bërë punën e saj. Nëse në Ujëvarën e Sotirës, Kanionin e Holtës, Shkëmbin e Kopaçit, Liqenin e Zi, Shpellën e Kabashit, Grabovë, Kanionin e Seraselit, Kalanë e Irmajt apo edhe të Tërvolit, infrastuktura e rrugëve me terrene të vështira shkon në nivelin e duhur, as diskutohet që e gjithë treva e Gramshit do të ketë gjallërinë e vendeve turistike. Madje mund të bëhet e zhvilluar nga ana ekonomike dhe sociale, si një magji pak e eksploruar. Gjithçka varet nga vullneti, jo vetëm i pushtetarëve, por edhe i banorëve, që të japin kontributet e tyre. Ndoshta nuk është momenti për të shkruar më gjatë për këtë gjë, por kjo evidenton krizën e thellë morale në thelb të të paaftëve, që përpliten në kërkim të identitetit të humbur në pellgut ujëqelbur të një përditshmërie të amullt dhe pa ide. Ndaj, me potencialin panoramik, kulturor e historik që ka kjo trevë kërkohet më shumë impenjim për ta bërë atë të vizitueshme, jo vetëm nga vendasit, por edhe turistët e huaj. Gjithsesi, duhen përgëzuar inisiativat e gramshiotëve, që në faqet elektronike sensibilizojnë opinionin për bukuritë e peisazheve të trevës.
Reliev piktoresk rural
Por le të kthehemi tek udhëtimi ynë i mëtejshëm drejt Ujëvarës së Sotirës. Kalojmë Devollin ujëshumë ndërmjet urës që lidh Gramshin me krahinën e Sulovës. Gjelbërimi e bën më të magjishëm udhëtimin. Ndaj bisedat rrjedhin natyrshëm për udhëtimet, vendet e bukura, eksperiencat. Jani, më i moshuari i grupit të vizitorëve, u jep udhë bisedave me informacione të ndryshme. Aleksandri, Roza, Artani ndërhyjnë dhe ajo bëhet më interesante. Fisniku në rolin e ciceronit tregon për ujëvarën, vendet ku do kalojmë, për malin Tomorr e për çdo gjë tjetër. Me këtë rast është për tu përmendur diçka shumë e veçantë e kësaj krahine të mbushur me lumenj, kodra, pyje, e monumente natyrore, si dhe historike. Një karakteristikë është se rrjedha e dy lumenjve; e Devollit dhe e Tomorricës që kalojnë përbri saj, por edhe e dhjetra përrenjve kanë krijuar një peisazh të veçantë. Ajo është një krahinë e punës, mëndjes, traditave të rralla e të admirueshme, të mikpritjes, respektit dhe bujarisë. Bukuritë e saj janë magjepëse dhe një privilegj për çdokush që i viziton ato. Në valëzime kodrash, që zgjaten pa mbarim, e që lartësohen drej malit Tomorr, aty këtu shfaqen vendbanime me pamje mbresëlënëse, e secili prej tyre paraqitet me veçanti karakteristike. Kushtet e përshtatshme gjeografike dhe klima e kanë bërë Sulovën të banueshme, që nga koha e hershme e zhvillimit të saj. Dora e njeriut i ka qëndisur akoma më shumë peisazhet e gjelbëruara, dhe tokat i kanë mbjellë me gjithfarë bimësh e drurësh frutorë. Duke jetuar me natyrën, sulovarët arrijnë të jetojnë edhe kështu, por dëshpëruese është rruga e pashtruar dhe e ngushtë, ku nuk shkëmbehen dot automjetet, që asnjë pushtet nuk ka arritur të ua ndërtojë ashtu siç duhet. Një rrugë gjarpëruese, që ngjitet e zbret kodrave të buta me ulje e ngritje të vrazhdë, e ku zgjaturinat e tyre priten nga rrjedha e lumit të Tomorricës, i cili i shoqëron për kilometra të tëra.
Rritur me Tomorrin në sy e në zemër
Tomorri është një nga malet më madhështore në Ballkan, dhe pamjen më të bukur e ka në krahinat e Gramshit. I magjepsur s’ngopesh, duke vështruar këtë mal, mahnitës e mbizotërues ai shpaloset gjithmon, i mbuluar majave me qeleshen e borës. Ecim dhe në qiell grumbuj resh të bardha shtëllunga – shtëllunga shfaqen lartësive të malit. Dielli i ngrohtë rrethuar nga copëza qielli të kaltër në kurorën e tij, e ka hedhur vellon shkëlqyese. E sodit dhe të jep të drejtën të meditosh në heshtje. Me madhështinë shekullore të shenjtërisë, perënditë e kanë bekuar atë, edhe me ujin kristal të burimeve, e bukururinë e pamata të pyjeve dhe shkëmbinjëve. I kam admiruar përherë këto vise, dhe i kam shijuar që në fëmijëri, duke ruajtur vazhdimisht dëshirën për të ardhur kohë pas kohe me kujtime e mbresa të bukura. Ndaj, nuk i shmagem dot emocioneve kur i shkel përsëri. Bashkë me mua ecën edhe fëmijëria me imazhin e Tomorrit madhështor, që të tërheq me pamjen e tij të paharrueshme dhe emocionale si një ëndërr, të kërleshur nga retë e bardha.
Ja dhe Sotira!
Makinat ndaluan njëra pas tjetrës dhe ne zbritëm. Rrugëtimi ynë na solli shpejt në Sotirë, e sapo ndalojmë kemi kohë e mundësi t’i hedhim një sy fluturimthi këtij vendbanimi. E ngritur poshtë disa bregoreve, Sotira të shfaqet me ato pak shtëpi çatigri nën hijen e pemëve. Diku më tutje të pret një natyrë e zemëruar me formacione erozionesh të degraduara, por edhe egërsia e peisazhit të braktisur nga jeta e banueshme njerzore. Mbase kjo ndjesi te shkaktohet kur vështron pamjen mjerane të lagjes së sipërme të Sotirës, që të ngjall një zbraztësi në shpirt me shtëpitë e gurta në rrënim e sipër. Ashtu të rrënuara e sado të braktisura, ato mbeten dëshmitare të pakundërshtueshme të banimit të hershëm, si dhe një trashëgimi për brezat. Largimi i shumë familjeve e ka shuar gjallërinë. Tani ka mbetur vetëm qetësia dhe cicërimat e zogjëve, por edhe ndonjë kumbim i zbehtë zile bagëtish.
Peisazhe mahnitës
Duke ngjitur rrjedhën e lumit të Sotirës, që humbet mes gurëve ngjyrë gri me madhësi të ndryshme, e mes gjelbërimit të një pylli që fëshfërin lehtë e të çlodh, morëm rrugën për në Ujvarë. Rruga është e vështirë, por ky detaj nuk të pengon të sodisim peisazhin me një ndjesi të pakrahasueshme, të lëndinave me bar e lule, ajrin e pastër dhe blerimin përthithës të pranverës. Syri të mbushet me kënaqësi. Rrezet e diellit tashmë të ngrohta, e po aq të këndshme në këtë stinë, janë një emocion i veçantë dhe e çiltërsojnë peisazhin. Tingëllojnë cicërimat e zogjëve të përzier me zhurmat e tjera të stinës. Vështrimin e marramenduar s’mund ta largojmë lehtë nga tufa bagëtish të përhapura në një pllajë të gjerë. Era lëkund lehtë degët e pemëve me lule, të ngjyrave të ndezura, që shpërndajnë aromën e tyre. Kështu të joshur nga pamjet e pashlyeshme herë pas here ndalojmë, dhe sodisim me kënaqësi bukurinë e peisazhit. I gëzohemi kësaj gjallërie buisëse. Përballë shfaqen konturet e një shkëmbi gëlqeror me një pamje tërheqëse. Ecën dhe ndjen një shprushje në shpirt, i yshqyer aq magjishëm nga atmosfera e ujëvarës së Sotirës me mrekullinë e saj. Shushurima e rrjedhjes së ujit vjen si muzikë magjepëse. Shumë rrallë të ndodh në jetë e natyrisht sytë dhe shpirti të fluturojnë nga gëzimi i pushtuar prej kënaqësisë. Padyshim rruga e gjatë,e aspak e përshtatshme në ngjitje, mbërritja aty dhe pamja mrekulluese me gurgullimën e fuqishme të ujit, të freskon ledhatueshëm, e të heq si me dorë lodhjen. Venitet ajo, edhe nga pesha e emocioneve, kur sytë përplasen në masivin e malit Tomorr të mbuluar me borë. Artani, më entuziasti i grupit tonë tund kokën, buzëqesh duke shijuar pamjet. Jemi përpara një mikrobote mrekullie, me ujra që rrjedhin tërsëllimë prej barkut të shkëmbit, dhe që shkumbzohen papushim. Këtu hijëzimi i pyllit me drurë të llojeve të ndryshme dhe të harlisur, por edhe lëndinat me bar e lule, të dhurojnë një tjetër kënaqësi çlodhëse, ashtu si ajri i lagësht, që drithërohet nga forca e ujit e të shpupurit flokët.
E bukur në çdo stinë
Ujëvara e Sotirës është veçanërisht tërheqëse në pranverë, kur edhe bora e malit fillon e shkrin, por në periudhën e verës ajo shteron prej uljes së nivelit të ujrave. Lidhur me këtë ujëvarë, gjeologu Selim Marishta, bir i Sotirës shkruan se ajo buron në rrugëfshehjen brenda shkëmbinjëve gëlqeror të malit të Tomorrit. Më shumë shton ai, ajo është një ujëvarë unikale në vendin tonë, si për nga forma e daljes dhe e derdhjes së ujit në trajtë çurgjesh. Ujërat e saj dalin nga dy tre çarje, njëra përmbi tjetrën. Pak metra nga ujëvara gjendet edhe një katarakt, që rrjedh nga përroi i fshatit Dardhë të Beratit. Uji rrëzohet me uturimë mbi 100 m, duke u përplasur në fund të shkëmbinjëve mbi disa gurë të mëdhenj, për të krijuar një pellg të vogël me ngjyrë të gjelbër. Pas rënies ujëvara rrjedh në një lum të vogël, por këto dy vitet e fundit ndërmjet një kanali ekologjik, e kanë bërë ekonomike atë me fuqinë prodhuese për të përfituar energji nga një H/C i vogël.
Epilog përshtypjesh
Ja kështu të ngazëllyer nga ajo ç’ka vështruam në udhëtimin tonë magjik me qetësinë e lëndinave të gjelbëruara,Tomorrin madhështor dhe ujëvarën, pikërisht aty ku edhe u çlodhëm, nisëm sërish rrugën e kthimit nën morinë e përshtypjeve. Në ambientet mirseardhës të një lokali, teksa pijmë kafenë e kthimit ke dëshirë që të shohësh sy më sy malin madhështor dhe banorët e Sotirës. Është një dialog pa zë, por shumë nënkuptues. Ndaj, epitetet më të zgjedhura për të janë të pamjaftueshme, dhe jo aq metaforike. Sepse, këtu e prek gjelbërimin, ndjen freskinë, aromën flladitëse të luleve, vështron bardhësinë e borës, lëndinat, ngjyrat e këndëshme, dëgjon tingujt gjallërues, blegërimën e bagëtive në kullota, ndaj në shpirt lumturohesh. Duke falenderuar, shtrënguam duart miqësisht me ata, që na dhanë mundësinë e shijimit të kësaj kënaqësie, që rrallë ndonjeherë mund ta përjetosh, duke ëndërruar për rikthimin.
Odisea e një fisi
Nga Reshat Kripa/*
Ato ishin dhjetë. Tetë prej tyre kishin të njejtin mbiemër ‘’Ndreu‘’, mbiemër i njohur në gjithë Shqipërinë. Diktatura i shpërnguli nga veriu në jug. i vrau, i burgosi, i internoi me qëllim që t’i çfarroste. Shifrat janë rrënqethëse. Vetëm pjestarët e familjeve që banojnë në Vlorë (familje të tjera jetojnë në vise të ndryshme të vendit ) kanë bërë 156 vjet burg, 650 vjet internim dhe tre të pushkatuar Ganiun, Avdiun dhe Sabriun.
Ato ishin bijat dhe nuset e djemve të tyre që u futën në grevë urije për të protestuar kundër shkaktarëve të gjëmës së madhe që mbuloi gjithë atdheun.
Kush ishin ato?
Vali nuk e prishi traditën familjare. i biri Eduardi pjesmarrës i grevës së urisë të studentëve. i vellaj Qazimi në grevën e urisë të të përndjekurve politikë të Tiranës. Vazhdimësi vetmohimi. Emineja 53 vjecare protestonte për të shoqin Avniun e gjymtuar që rregjimi nuk e la të plotësonte dëshirën e tij për t’u bërë shkrimtar dhe për të cilën kishte aq shumë prirje. Hyrija, Afërdita, Qerimeja dhe Pjereta që fatin e tyre e lidhën me atë të këtij fisi të dënuar. Ato nuk donin që fëmijtë e tyre të kishin fatin e baballarëve Pullumbit, Azizit, Lutfiut dhe Memduit . .Monda me Mozën që me vetmohimin e tyre kërkonin të drejtën e barazisë për veten dhe baballarët e tyre te shumëvuajtur Rexhepit dhe Baftjarit. .Me to ishte bashkuar natyrshëm edhe Shpresa që sapo ishte kthyer nga Berati ku kishte shkuar për të kërkuar eshtrat e të atit, Ramadan Zdravës, vdekur në qelitë e errëta të sigurimit. E fundit ishte Etleva e vogël 18 vjecare, bija e Etem Brahimit të drobitur nga vitet e burgut
I kam njohur këta njerëz 35 vjet më parë. Më bashkoi me ta idea e përbashket, vuajtjet e përbashkëta. Ishin ato vite kur njerëzit na shihnin me frikë, bile disa me mosperfillje. Oh ironi! Sa të varfër shpirtrat e tyre!
Nuk dua të shkoj larg në pemën gjenealogjike të ketij fisi. Po e filloj nga shekulli ynë. Gjyshi i tyre Elez Isuf Ndreu, luftëtar i shquar kundër turqve, armik i betuar i serbëve, besnik i parimeve republikane bie në dhjetor 1924 në mbrojtje të lëvizjes fanoliste.
Viti 1946. Atë që nuk e bënë dot serbët, e bëri rregjimi i Enver Hoxhës. i burgosën, i vranë, kullat u a dogjën, tokat dhe bagëtitë ua morrën, i shpërngulën forcërisht me gra dhe fëmijë në zonat e jugut të Shqipërisë. I gjatë dhe interesant itinerari që përshkuan. Filloi në Sllovë, vendlindja e tyre për të vazhduar në Strugë, Ohër, Qaf-Thanë, Elbasan, Berat, Kucovë, Lushnje, Fier, Tepelenë, Vlorë për të përfunduar në Lubonjë. Them interesant se duket e çuditëshme që për të ardhur nga Dibra në Vlorë duhej kaluar nëpër Jugosllavi. Me këtë veprim diktatori donte t’u tregonte padronëve të tij jugosllavë se ai po realizonte atë që ata nuk kishin mundur ta bënin, zhdukjen e këtij fisi të madh. Ai po u jepte atyre shpërblimin për ndihmën e dhënë kur e vendosën në krye të pushtetit. Viti 1949. në bangon e të akuzuarve 13 pjestarë të këtij fisi, 11 prej të cilëve vëllezër, bijtë e Cen Elezit. Dëshmitar i akuzës në gjyq, presidenti i ardhshëm i Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi. Thonë se edhe sot kur bie për të fjetur i dalin para syve seancat e këtij gjyqi. Atëhere ai dëshmonte:
– Këta janë të gjithë reaksionarë, që nga më i vogli dhe deri te më i madhi. Kështu kanë qenë edhe baballarët edhe gjyshllarët e tyre.
Ndërsa Xhelali, zotërues i anglishtes, italishtes, gjermanishtes, turqishtes dhe rusishtes, që më vonë do të shkruante dy drama në vargje, tre romane, dy monografi për jetën e dibranëve, si dhe mjaft poezi, të cilat nuk mundën asnjëherë të shohin dritën e botimit, u përgjigj me krenarinë e dibranit:
– Nëqoftëse kapemi prej baballarësh, ju jeni i biri i Halit Lleshit, personit me gjak të zi serbi, qi për nandë vjet rrjesht ka luftue kundër Dibrës, përkrah forcave serbe që kërkonin me vendosë kufinin në krahun e djathtë të lumit Drin.
Dëshmitari i rremë nuk gjente dot fjalë për t’u përgjigjur.
Sa vuajtje rënduan mbi shpatullat e këtyre njerëzve!
Kudo që shkonin ndjenin pas vehtes diskriminimin e tmerrshëm. I diskriminonte shteti me anën e agjentëve të sigurimit, i diskriminonin edhe servilët hipokritë të rregjimit. Po t’i pyesësh ata të flasin me neveri për mësues Enverin që u thoshte vazhdimisht fëmijve të tyre se do t’u shtypte kokën. Por si krye shembull të terrorit ata të tregojnë kampin e tmerrshëm të Turanit në Tepelenë.
– Mathauzeni dhe kampet e tjera naziste nuk ishin gjë para tij.- tregon Azizi i menduar.- Ende i kam parasysh lotët e nënave të pafuqishme përpara fëmijve që u vdisnin para syve për një kafshatë buke. Kujtoj Kec Grimcin që i ngrirë plotësisht në momentin e fundit përmblodhi ato pak fuqi që i kishin mbetur dhe u tha familjarëve te tij
– Mos harroni racionin tim të bukës!
Azizi hesht. Më lutet që këto të mos i botoj, pasi ndoshta ndonjë ditë do të ulet t’i shkruajë më me hollësi. Por unë po i shkruaj. Ato janë gjëra që nuk duhen harruar.
Dëgjoj fjalët e tij dhe para syve më dalin Haliti, Fuati, Islami, Irfani dhe të tjerë burra të këtij fisi që sot nuk jetojnë më. Më del Bexheti të cilit do i shkonte shumë për shtat malsori që Migjeni do ta quante:
‘’ Një copë mali e vendosun mbi dy kambë të forta.’’
E pra sot kjo’’copë mali’’ mezi qëndron në këmbë. Pesha e rëndë e këtyre viteve i ka dhënë frutet e saj. Megjithatë një gjë nuk ka mundur të mposhtë, forcën shpirtërore dhe besimin e tij.
– Kam një deshirë të madhe – thotë ai – dua që vajza e ime Brunilda të studiojë jashtë shtetit.
Brunilda është nxënëse e vitit të fundit të shkollës së mesme. Rezultatet i ka të shkëlqyera. Njeh mirë italishten dhe vazhdon të studiojë frëngjishten.
A do të plotësohet dëshira e Bexhetit? Apo do të vazhdojnë të mbajnë ende mbi supe peshën e rëndë të diktaturës? Kush do të vërë dorë për ta?
Presidenti, Parlamenti, Qeveria heshtin. Ata vetëm premtojnë. Sa do të vazhdojë kështu? Kjo pyetje kërkon pergjigje. Vlorë, më 28 tetor 1991
*Marre nga libri: “Një tregim për mikun tim”
Rilindja e krimit, ringjallja e Sokratit shqiptar dhe keqpërdorimi i presidentit të Republikës
Nga Enver Bytyçi/
“Edhe presidenti e ka quajtur të papranueshme këtë çështje dhe kur flet presidenti, kjo çështje s’ka më vend për diskutim kur e dënon dhe ai. Duhet lexuar siç e thotë presidenti”. Ky nuk është një pohim nga të djathtët. Përkundrazi, po perifrazoj deputetin ekstremist të majtë, ose ekstremistin oligark të rilindjes, Taulant Balla. Ai ka përdorur presidentin e Republikës me qëllim që të bëjë një diversion në “përligjje” të vendimit për ta përjashtuar Dr. Berishën nga seancat parlemntare të dhjetë ditëve të ardhshme. Dmth ka përdorur një prononcim të zotit Nishani, me qëllim që “t’i japë vetes të drejtën” për votën kundër pjesmarrjes së ish-kryeministrit në seancat e parlamentit. Madje Balla, duke perifrazuar presidentin ka dashur t’i kundërvihet gjithashtu kreut të parlamentit, pasiqë nuk i ka pëlqyer abstenimi i tij në vendimmarrjen antiBerisha të kryesisë së Kuvendit. Mendja e ngushtë e Taulantit ka dashur të godasë me një gur tre politikanët më me ndikim në këtë vend: Kryetarin e Shtetit, Kreun e Parlamentit dhe liderin historik të së djathtës, duke menduar se këta tre politikanë klasi na qenkan adoleshentë në politikë. Ndërkaq zëdhënësin e zellshëm të kryeministrit, zotin Balla, e kanë tradhëtuar dhe e tradhëtojnë vazhdimisht kolegët e tij ministra si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velia. Vetëm të dëgjojmë diskursin antipresident të Veliajt, ministrit Tahiri ose vetë kryeministrit të vendit dhe vetëmjaftohemi me faktet se si sillet ekzekutivi ndaj institucionit të Presidentit. Kur arrin kryetari i Bashkisë dhe urdhëron “Mos e lini presidentin të vizitojë vendin e krimit të betonit!”, nuk ka nevojë që të sillet ndonjë argument tjetër sesa destriktuivë dhe antiinstitucionalë janë rilindasit tanë. Rekord për Gines. Kurrë nuk ka ndodhur që një zyyrtar i cilitdo vend në botë të japë urdhër për të ndaluar presidentin e vendit në misionin e punën e tij. Ka ndodhur vetëm në kryeqytetin e paradokseve dhe qeverisjes nga fëmijët politikanë të rilindjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, në Tiranën tonë, të cilën po e braktisin të gjithë kundërshtarët politikë të kryetarit të Bashkisë, ministrit të Brendshëm, kryeministrit të vendit dhe zëdhënësit të tij të zellshëm, Taulant Balla. I fundmi ishte Zirkon Disha, i njohur për sakrificën e tij në mbrojtje të lirisë për të marrë frymë pa kundragazin e ofruar nga kreu i Bashkisë. Ndërkaq shkak i keqpërdorimit të një prononcimi korrekt të presidentit të Republikës, zotit Nishani, ishte diskutimi për marrjen e vendimit për ta përjashtuar nga punimet e Kuvendit të vetmin zë të lirisë në këtë vend, zërin e pakompromis të Dr. Sali Berisha. Shkurt, presidentin po e përdorin si me sharje, si me diversion për ta vrarë lirinë e këtij vendi, për ta fundosur Shqipërinë në humnerën ku e ka degdisur e ashtuquajtura rilindje. Rilindje i thënçin, ndonëse në këto afër tri vite ajo ka dëshmuar se në një drejtim është dhe mbetet rilindje: Rilindje e metodave arrogante të diktaturës komuniste në drejtimin e shtetit e të vendit, rilindja e bashkëpunimit me bandat e krimit, rilindja e mafies, trafikut dhe korrupsionit në çdo qelizë të shoqërisë, rilindje e luftës së egër e të dhunshme politike kundër atyre që besojnë te liria, rilindje e luftës kundër tregut të lirë, kundër pronës provate, kundër “armiqve të brendshëm të partisë”. Rilindja e pretenduar e Ramës, Ballës, Veliajt është rilindje e metodave fashiste dhe komuniste në drejtimin shtetëror, është rilindje e manipulimit të opinionit publik, është rilindje imponimit të mendimit të njëshit të rilindjes. Nëse Sali Berisha denoncon krimin e lidhur me rilindjen, atëherë ai shpallet “armik”. Nëse dikush tjetër proteston, si Nikollaq Neranxi, i vihen prangat. Nëse dikush futet në një garë zgjedhore pa lejen e padishahut, atëherë vihen në veprim bandat e krimit për ta ndaluar atë. Kjo është rilindja. Kush e denoncon atë duhet të ndëshkohet, duhet të dënohet, duhet të hetohet për t’i gjetur një cen në biografi, me qëllim denigrimin, dhunimin, arrestimin, heqjen e lirisë për të vepruar i lirë. Kjo është praktika e revolucionit rilindas, me të cilën fatkeqësisht ka ende shqiptarë, me të cilën mburren. Kundër kësaj rilindje janë ngritur të gjithë, opozita po e po, Sali Berisha që ditën e parë të saj, presidenti Nishani gjithashtu, partneri i qeverisjes dhe kreu i Kuvendit. Rilindja ka përfunduar në rivarrimin e këtij vendi. Duhet thjesht të organizohet ceremonia mortore dhe arkivoli të çohet te varrezat. Në këtë kuptim deklaratën e Dr. Sali Berishës për t’u armatosur e shoh si një deklaratë dëshprimi. Në dëshprim janë të gjithë shqiptarët, janë ata që ikin çdo ditë nga ky vend. Janë ata që për shkak të mendimit të lirë dhe protestës së lirë të aplikuar që në shekullin e katërt para Krishtit, sot në këtë vend dhunohen, tërhiqen zvarrë e përfundojnë në pranga. Të dëshpruar janë studentët, janë të rinjtë, janë bizneset, të cilat shkojnë drejt falimentit të garantuar thjesht për shkak të fobisë që kanë rilindasit ndaj pasurisë së shqiptarëve. Rilindja pasurinë e do të tërën për veten e saj. Të tjerët, jorilindasit, kundërrilindasit le të vdesin nga uria, papunësia, mjerimi dhe varfëria. Kjo devizë e bën Dr. Berishën të denoncojë lidhjet e rilindjes me krimin e bandat e krimit, me fakte, me emra, me sms, me data, me orë, minuta. Eshtë zëri i vetëm të cilit i besojnë shqiptarët, edhe ata që marrin një rrogë te rilindja e për këtë arësye përbuzen e trajtohen si njerëz të dorës së dytë e të tretë. Të gjithë ata që ndjehen keq nga kjo lloj rilindje i besojnë institucionit Berisha. Prandaj rilindasit janë tërbuar dhe kanë mbipopulluar burgjet e dhomat e paraburgimit si asnjë regjim tjetër në botë. As Koreja e Veriut nuk vuan nga ky lloj popullimi i burgjeve, që ka sjellë rilindja në Shqipëri. Ndërkaq rilindja ka prodhuar një Sokrat të ri, sokratin shqiptar të shekullit të XXI me emrin Sali Berisha. Shiheni dhe krahasoni shfaqjen e monodramës “Apologjia e Sokratit” nga Nderi i Kombit, Mirush Kabashi me shfaqjen e polidramës parlamentare shqiptare dhe do të kuptoni se rilindasit janë vënë në rolin e gjykatësit dhe prokurorit që dënuan Sokratin, ndërsa Dr. Berishën duan ta kryqëzojnë siç ndodhi këtu e 2400 vite më parë në Athinën e Lashtë. Kjo është rilindja e rilindjes së krimit, kriminelëve, korrupsionit dhe korrupsionistëve.