• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORI- 97 VJETORI I MEMORANDUMIT TË BERATIT

April 23, 2016 by dgreca

Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Korfuzit, shpërtheu lufta botërore e viteve 1914-1918/

30 prill 1919 – 30 Prill 2016/

 Paria e Beratit kërkon: “Shqipëria të Qeveriset nën Mandatin Amerikan”/

– Presidentit amerikan Wilson lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, deklaron që “shqipëtarët janë të aftë për vetqeverisje”/

– Më 29 janar 1916, në Elbasan mbritën trupat bullgare dhe një forcë ushtarake e përbërë nga fuqitë e Ahmet Zogut/

– Krahasimi: Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Beratit dhe qëndrimet e befasuese të fuqive të mëdha/

 Nga Harallamb Kota, studiues i historisë/

Xhonturqit  -Kundër Shqipërisë Sovrane/

Në kryeqytetin perandorak po frynin erërat e një politike të re, në favor të ruajtjes së teritoreve perandorake dhe në dëm të çështjes shqiptare. Më 3 shkurt 1913, xhonturqit ndryshuan politikat e tyre lidhur me aleancat ballkanike e europiane dhe si përgjigje, Sebia bashkë me  Malin e Zi e prishën armëpushimin. Menjëherë ushtria greke sulmoi në drejtim të Korçës dhe pas disa ditësh luftimi u fut në qytet. Prej këndej, iu drejtua përsë dyti Janinës. Qyteti mbrohej nga trupat ushtarake osmane, ku bënin pjesë edhe ushtarë të rekrutuar shqiptar. Më 12 prill 1913 Shkodra kështjella madhështore e Veriut, i dorëzohet ushtrisë malazeze. Garnizoni osman e braktisi mbrojtjen e qytetit, pasi mori urdhër nga “Shteti Turk” i qeverisur nga “Triumverati i Turqve të Rinj”. Fuqitë e Mëdha e kishin caktuar Shkodrën brenda kufijve të Shqipërisë. Esad Pash Toptani –gjeneral në ushtrinë  osmane, i caktuar me detyrën e zv/komandantit për mbrojtjen e qytetit, me tu larguar komanda turke, e dorëzoi qytetin në duart e malazezve dhe me ushtrinë e mbetur, për të shpëtuar kokën e tij, u vendos në Tiranë.

Pushtimi i Shqipërisë

Disa muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes së Korfuzit, shpërtheu lufta botërore e viteve 1914-1918. Princ Vidi, i përballur me vështirësitë e brendshme, nuk ishte më zot i situatës dhe u largua. Largimi i sovranit në një moment kaq kritik e zhyti Shqipërinë në anarki. Qeveria greke përfitoi menjëherë nga kjo situatë. Ngaqë marrëveshja e Korfuzit nuk paraqiste më interes për të, ajo e hodhi poshtë. Venizellosi premtoi futjen e vendit të tij në luftë në krah të Antantës. Ushtritë greke depërtuan në Shqipëri dhe, në fund të vitit 1914, Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara dhe u trajtuan përfundimisht të aneksuara, ndërsa administrata ushtarake u zëvendësua nga administrata civile. Pas pushtimit të Korçës dhe Gjirokastrës prej Greqisë, Italianët më 31 tetor pushtuan Shqipërinë dhe u vendosën në Ishullin e Sazanit përballë gjirit të Vlorës dhe më 26 dhjetor 1914, edhe brenda në Vlorë. Ky pushtim shkaktoi zhdukjen e asnjanësisë shqiptare, vendosur  nga gjashtë fuqitë e mëdha në Londër më 29 korrik 1913. Sipas Nuçi Kotës, Doktor i Shkencave Juridike, diplomuar në Universitetin e Sorbonës në Francë, më 22 Maj 1915, “Italia, duke prishur aleancën e saj me Gjermaninë dhe Austro-Hungarinë, u rreshtua në krah të Francës dhe të Anglisë.Ky ndryshim i qëndrimit italian solli si rrjedhojë një marrëveshje të fshehtë mes Qeverisë italiane dhe Qeverive franceze, angleze dhe ruse (paktin e fshehtë të Londrës), ku Italia zotohej: “Në rast se do të formohet në Shqipëri një “Shtet i Vogël Autonom dhe Neutral”, t’i ndajë krahinat veriore dhe jugore të Shqipërisë me Malin e Zi, Serbinë dhe Greqinë; pjesa e Shqipërisë së jugut, nga kufiri italian i Vlorës deri te Kepi i Stillos, do të jetë asnjanëse. Ky pakt i fshehtë, po të ishte zbatuar, do të kishte shënuar fundin e Shqipërisë, por nuk u zbatua. Presidenti Uillson, që nuk ishte në dijeni për këtë çështje, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës u futën në luftë, iu kundërvu me të gjithë fuqinë e bindjeve të tij dhe, të paktën në këtë pikë, doli fitimtar”.

 

Synimet serbo- malazeze mbi Shqipërinë

Me të hyrë në Shkodër, komanda ushtarake malazeze u vu në kërkim të Çerçiz Topullit. Në mesditën e datës 14 korrik 1915, malazezët e kapën në pabesi Çerçizin, sëbashku me shokun e tij Muço Qulli. Kapedanët u arestuan si austrofil dhe u mbyllën në një gazermë. Disa orë më pas u arestua edhe Sejfi Vllamasi bashkë me Koço Kotën, të cilët u mbajtën të izoluar në kazermat e ushtrisë. Natën e 14 korrikut 1915, duke u gdhirë dita e 15 korrikut 1915, patrioti dhe trimi legjendar, heroi i Mashkullorës Çerçiz Topulli, me shokun e tij Muço Qulli, u nxorën nga qelia dhe u dërguan në fushë të Shtoit, afër katundit Golem për tu pushkatuar. Vrasja e kapedan Çerçizit tronditi anembanë patriotizmën shqiptare. Komanda malazeze, u informua dhe mori masat e menjëhershme për asgjësimin e organizatës Krahu Kombëtar dhe të Komitetit për Shpëtimin e Kosovës. Njësitet operacionale ushtarake malazeze ndiqnin maleve Isa Boletinin dhe  Ded Gjo Lulin, ndërsa në qytet filluan arestimet masive të figurave patriotike shqiptare. Po atë ditë që u vra Çerçizi, u arrestuan edhe shumë figura të tjera të patriotizmës shqiptare, Preng Pasha, Aqif pashë Elbasani, Sotir Peci, Luigj Gurakuqi, Fejzi Alizoti, Eshref Frashëri, Kristo Floqi, e tjerë. Mbajtja e tyre në qeli dhe në kazerma, po sillte frikë dhe panik në komandën malazeze. Si pasojë u vendos internimi i tyre në Mal të Zi, në Cetinjë. Duke qenë nën presionin e fuqive ushtarake austrohungareze, komanda ushtarake malazeze nuk mundi të marë masa ndëshkuese karshi patriotëve shqiptarë, por u detyrua t’i nxjerë nga burgjet në liri. Më 15 shtator 1915, ushtria austrohungareze shpartalloi trupat ushtarake serbo- malazeze.  Për patriotët shqiptar, të cilët kishin qëndruar në Cetinjë në pritje për tu rikthyer në Shkodër, kishte ardhë ora e lirisë. Pas disa bisedimeve të bëra me komandën austrohungareze në Cetinjë, ata u kthyen në Shkodër. Më 24 shtator 1915, forcat serbo-malazeze, me ndihmën e bashkëpunëtorëve esadist, shtinë në dorë Ded Gjon Lulin dhe e vranë në Sheshëz afër Oroshit të Mirditës. Ushtria autro-hungareze më 17 janar 1916 hyri në Shkodër. Megjithatë, fuqi të armatosura malazeze që mbanin nën terror shqiptarët dhe kryenin masakra ndaj tyre, ndiqnin nga pas Isa Boletin me trimat e tij që vepronin në mbrojtje të bashkatdhetarëve të tyre. Pas luftimeve të përgjakshme më 23 janar 1916, Isa Boletini u vra në Podgoricë nga ushtritë serbo – malazeze. Para se të mbyllte sytë, ka dhënë këtë porosi: “Mos më leni në duar të shkaut. Më hidhni në hon, se atje dëshiroj me u preh”.

Ardhja e ushtrive austro –hungareze në Shqipëri.

Qendra e Korps Komandës austro-hungareze dhe e administratës qendrore shqiptare u bë Shkodra. Ushtria austro-hungareze mori në dorë administratën e mobilizoi disa batalione me ushtarë. Prefektura drejtohej nga një gjeneral me autoritet civil dhe ushtarak. U mbyll zyra e post-telegrafës, u suprimua gjykata penale dhe mbetën vetëm gjyqtarët civilë. Më 29 janar 1916, në Elbasan mbritën trupat bullgare dhe një forcë ushtarake e përbërë nga fuqitë e Ahmet Zogut. Ushtria austro-hungareze marshoi nga Shkodra dhe u vendos në teritorin e kufizuar deri me lumin Shkumbin. Matanë Vjosës, në krahinën e Vlorës ishin vendosur ushtritë italiane, ndërsa në krahinën e Korçës hynë forcat Franceze. Ushtria serbe, e përqëndruar në Durrës zbarkoi në Korfuz. Në kushtet e reja të pushtimit, qeveria e Durrësit humbi teritoret administrative dhe pushtetin mbi ato teritore. Si pasojë Qeveria e Esad Toptanit, quhej e rëzuar dhe Pashai u largua nga Shqipëria. Me të mbëritur ushtria austriake, disa krerë shqiptar më  3 mars 1916, morrën inisiativën për organizimin e një kongresi kombëtar në Elbasan, për krijimin e një qeverie provizore në emër të Ëidit, me kryeministër Aqif pashë Elbasanin. Mbajtja e kongresit nuk u pranuar nga komanda  ushtarake austro-hungareze, me justifikimin që veprime të tilla nuk lejohen në kohë lufte. Në të vërtetë, Vjena kishte planet e veta dhe i kushtoi një rëndësi të posaçme administrimit të Shqipërisë në kohën kur mungonte qeveria e vëndit. Ushtria austro-hungareze që zotëronte teritorin shqiptar nga Shkodra deri në vijën e Shkumbinit, avancoi me shpejtësi në drejtim të Vjosës dhe maleve të Korçës. Disa reparte ushtarake austrohungareze të mbështetura nga vullnetarë matjan, lushnjarë e myzeqar, nën komandën e Zogut, zunë Vjosën,   ndërsa pjesa tjetër e ushtrisë e ndihmuar nga vullnetarë shqiptar nën komandën e Sali Butkës iu drejtuan Korçës. Organizimi austrohungarez i qeverisjes lokale, funksionoi shumë mirë edhe në prefekturën e Beratit. Më pas, me ndërhyrjen e Aqif pashë Elbasanit dhe me mbështetjen e ministrit të Punëve të jashtme të Austro-Hungarisë në Shkodër, komanda ushtarake bëri emërimet e prefektëve në Berat, Durrës, Elbasan, të nënprefektëve në Fier, Lushnjë, Mallakastër, Skrapar, Peqin, Gramsh dhe disa kryetar komunash, duke formuar një administratë legale shqiptare në vend të asaj të Esad Pash Toptanit. Krahas administratës civile, u krijuan dhe njësi vullnetarësh shqiptarë, për të siguruar rendin, qetësinë dhe për të marrë pjesë në operacionet ushtarake. Vullnetarët shqiptarë edhe pse nën komandën austro-hungareze, ruajtën ndjenjën kombëtare dhe interesin publik kombëtar.

Ardhja e ushtrive Franceze në Shqipëri

Në teritorin juglindor të Shqipërisë, që sundohej nga ushtria greke, papritur situata pësoi një ndryshim të madh. Në tetor 1916, një ditë në befasi të plotë, zbret nga gryka e Mborjes një fuqi ushtarake franceze prej 400 kalorësish, të cilët hynë në Korçë si pa gjë të keq dhe menjëherë u dhanë ultimatum autoriteteve greke që të largoheshin nga Korça e të tërhiqeshin në Janinë. Në Selanik ishte instaluar Esat pash Toptani me një fuqi të vogël milicësh, që përfaqësonte sipas tij, “Qeverinë Shqiptare” të emigruar. Në Selanik ishte instaluar edhe Venizelua me një fuqi ushtarake të përbëra nga civilë anadollak dhe ushtarë me veshje të regullta, që kishte krijuar sipas tij një “Qeveri Vorioepirote”, aleate me anglo-francezët. Në këtë kohë çetat shqiptare të organizuara nga austriakët dhe që komandoheshin nga Salih Butka e Themistokli Gërmenji, në marëveshje edhe me Francezët thurnin plane për ta çliruar Korçën të okupuar nga grekët. Më 8 dhjetor 1916, Themistokliu me shokë, me një fuqi të armatosur prej 3000 veta hyri natën në Korçë. Më 10 dhjetor 1916 u shpall “Republika Shqiptare e Korçës”.

Çështja Shqiptare pas përfundimit të “Luftës Parë Botërore”

Më 30 tetor 1918, përfundoi Lufta I Botërore. Koalicioni i Boshtit, ku reshtoheshin: Turqia e xhonturqve, Autro-Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania u mund. Ç’do të ndodhte me Shqipërinë?.  Lufta I  Botërore,  e varfëroi së tepërmi ekonominë shqiptare, vëndi u fut në kaos, ndërsa populli u zhyt në mjerim të thellë. Mijëra vetë vdiqën nga zija e bukës dhe epidemitë. Mjaft dyqane dhe ndërtesa u shkatëruan. Berati duke qenë qendër komande për ushtrinë austrohungareze, ishte bërë fushë luftimesh ndërmjet Italisë dhe Austrisë, me pasoja për ekonominë e prefekturës. Në krahinën e Korçës, kontrolli i grekomanëve dhe francezëve ishte tepër i lartë. Koço Kota i kthyer në Korçë në pragun e largimit të ushtrive austro-hungareze nga Shkodra, filloi organizimin dhe grumbullimin e korçarëve rreth vetes dhe shumë prej tyre i anëtarësoi apo i bëri simpatizant të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar”. Edhe situata në Dibër paraqitej e tensionuar. Një ushtri franceze ardhur nga Manastiri pushtoi Dibrën. Sipas marëveshjes së lidhur me qeverinë jugosllave, francezët me tu larguar nga Dibra, do ja dorëzonin qytetin Jugosllavisë. Për të mbrojtur krahinën e Dibrës, u mblodhën fuqi shqiptare të komanduara nga Isuf Elezi. Ndërkohë, një ushtri serbe vrapoi të hyjë në Shkodër dhe pas disa luftimeve me austriakët hyri në qytet, ku ngriti flamurin e saj. Italianët kishin mbritur edhe ata në dyert e Shkodrës. Konflikti i mundshëm midis italianëve dhe serbëve për të sunduar Shkodrën u zgjidh nga Komanda Aleate dhe qyteti ju dorëzua ushtrisë franceze, e cila erdhi duke marshuar nëpërmjet vijës Gjakovë-Malësi dhe Kosovë-Shalë-Shkodër. Me largimin e austrohungarezëve dhe ardhjen e francezëve, situata qeverisëse në Shkodër ndryshoi. Në kushtet e reja, organizata “Krahu Kombëtar” u shfaq me emërin “Komiteti Kosovës” dhe kryesohej nga Hoxha Kadri Prishtina. Krahu Kombëtar i kërkoi komandës franceze, organizimin e një Kuvendi  për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por sipas Sejfi Vllamasit,  koloneli francez Sardi de Fourtou nuk lejoi mbledhjen e një kongresi në Shkodër. Pas refuzimit francez, Fejzi Alizoti, Luigj Gurakuqi, Avni Dabulla e Preng Pasha, u nisën për në Lesh, e cila ishte zonë e okupuar nga ushtritë italiane, për të realizuar mbledhjen e kongresit në qytetin e Leshës. Por edhe italianët e refuzuan kërkesën e tyre.

Qeverisja e Shqipërisë nga “Komanda Ushtarake Italiane”.

Pas largimit të Austro-Hungarisë, vëndi qe i pushtuar nga italianët, me përjashtim të Korçës dhe Shkodrës, që kontrolloheshin nga francezët. Ndërkohë u hapën zëra për shpërbërjen e Shqipërisë në favor të Greqisë dhe Jugosllavisë. Për normalizimin e kësaj situate, në 1 nëntor 1918, Myfit Libohova i kërkoi komandës italiane në Shqipëri, të lejonte ngritjen e një qeverie shqiptare nën përkrahjen e Italisë. Ministri i jashtëm i Italisë, Sonino, kërkoi të thireshin në Romë Turhan Pasha, Myfit Libohova dhe Mihal Turtulli për të biseduar për krijimin e një qeverie të re shqiptare nën ndikimin e tyre. Mehmet Konica dhe Myfit Libohova, pas kthimit në Shqipëri nga takimi në Romë me qeverinë italiane, e thirrën Kongresin në Durrës që ishte ende kryeqytet i Shqipërisë. Më 25 dhjetor 1918 u krijua qeveria shqiptare e kryesuar nga Turhan Pasha.

Konferenca e Paqes dhe fati i Shqipërisë

Pak ditë pas formimit të qeverisë së re shqiptare, në fillim të janarit 1919, mori rrugën për në Romë ish-kryeministri shqiptar Ismail Qemali, i cilësuar për politikën italiane si anti-italian. Sapo hyri në tokën italiane, Profeti i shqiptarëve, u prek nga një sëmundje e rëndë dhe nuk mundi të mbërijë në Romë. Vdekja e tij e papritur, e ardhur pas kongresit të zhvilluar në Durrës, përhapi dyshime se mund të ishte helmuar. Mosmarëveshjet politike të patriotëve shqiptar dhe qëndrimet armiqësore midis tyre në përzgjedhjen e aleatëve, kishin krijuar terenin e përshtatshëm për fqinjin tonë jugor lidhur me pretendimet e tij ndaj teritoreve të cunguara shqiptare në vitin 1913.  Si pasojë, në “Konferencën e Paqes” që po zhvillohej në Paris, qysh nga 12 shkurti 1919, ishte diskutuar problemi grek, që kishte të bënte me synimet e hershme të tyre mbi Shqipërinë Jugore. Një komision i posaçëm nisi të shqyrtonte kërkesat greke.

Komiteti i Shpëtimit Kombëtar

Rreziku që vinte nga fqinji jugor, diktoi nevojën e organizimit të popullit për mbrojtjen e kufijve të cunguar etnik dhe historik nga sulmet pushtuese të forcave ushtarake greke. Në shkurt të vitit 1919, u formuan në Berat dhe në disa qytete të tjera të kësaj prefekture “Komitete të Shpëtimit Kombëtar”. Koço Kota bënte pjesë në radhët e intelektualëve beratas dhe ishte një nga inisiatorët e krijimit të tyre. Komitetet e Shpëtimit Kombëtar, morrën përsipër misionin e organizimit të forcave vullnetare popullore brenda Shqipërisë dhe bashkëveprimin e veprimeve të tyre, me inisiativat politike të patriotëve shqiptar, që vepronin pranë kryeqyteteve të Fuqive të Mëdha dhe në sallonet diplomatike në Konferencën e Paqes që po zhvillohej në Paris. Komitetet e Shpëtimit Kombëtar, krijuan lidhje me Shoqëritë Atdhetare në Korçë, Bukuresht, Sofje, Aleksandri, Amerikë dhe kudo ku kishte shqiptar, për të ngritur dhe bashkuar zërin në mbrojtje të kufijve të cunguar etnik të Shqipërisë. Për realizimin e këtij qëllimi, dr.Koço Kotta në fillim të shkurtit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N.Kotta.

Amerikanët: Shqipëria e aftë për vetqeverisje

Për të qartësuar situatën lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, Presidenti amerikan Ëilson emëron konsullin e SHBA në Torino, Josef Haven, si delegat për të bërë hetimet e nevojshme në Shqipëri. Qeveria e Turhan Pashës dhe Komanda ushtarake italiane e mirëpritën ardhjen e tij dhe i vunë në dispozicion gjithçka mundën për mbarëvajtjen e misionit që konsulli kishte marë përsipër. Konsulli qëndroi disa ditë në Vlorë. Në shtëpi të Ali Asllanit, ai bisedoi me Qazim Kokoshin. Në takim morrën pjesë edhe gratë vlonjate. Konsulli Haven konstatoi i kënaqur që jo vetëm burrat por edhe gratë që mbanin kostume popullore shqiptare, u fjalosën me të, në gjuhën shqipe. Qazim Kokoshi i parashtroi konsullit amerikan, se shqiptarët dhe vlonjatët nuk pranojnë asnjë dominim Italian.   Pas Vlorës, në të gjitha krahinat e Jugut të Shqipërisë, ku konsulli udhëtoi dhe i shkeli fshat më fshat, konstatoi se popullsia autoktone ishte shqiptare dhe fliste vetëm në gjuhën shqipe. Në Tepelenë, n/prefekti Qazim Koculi, kishte mbledhur të gjithë fshatarët me kostume popullore shqiptare, të cilët demostruan për çështjen shqipatre dhe shprehën simpatinë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Gjirokastër komisioni i drejtuar nga Thoma Papapano dhe Jorgji Meksi, kishin organizuar një pritje të nxehtë. Populli i veshur me kostume popullore shqiptare, i lutej konsullit ti transmetonte presidentit amerikan Ëillson, se dëshira e shqiptarëve është që të jetojnë më vehte si kombet e tjerë.  Në Përmet pritja e organizuar nga patriotët Dhimitër Kacimbro dhe Koço Tasi, u bë më madhështore dhe populli i kërkoi konsullit që ti jepej Shqipërisë vetqeverim i plotë. Pritje madhështore u organizuan edhe nga populli shqiptar në Leskovik e Kolonjë. Pas këtij udhëtimi, konsulli amerikan Josef Haven i tha Mborjes: “Pretendimet greke janë krejt të kota”. Në zonën franceze të pushtimit, konsulli Josef Haven e filloi inspektimin nga Korça, ku qëndroi tre ditë. Autoritetet franceze të pushtimit, kishin ndaluar çdo manifestim popullor në favor të çështjes shqiptare. Korçarët, midis të cilëve kishte edhe nga ata që kishin qenë në amerikë dhe e flisnin mirë gjuhën amerikane, u paraqitën me shumë përfaqësi dhe kërkuan pavarësinë e Shqipërisë me të gjitha kufitë e saj, duke shfaqur edhe simpatinë e tyre të veçantë për Amerikën. Në vijim të misionit të tij, konsulli amerikan shkoi në Pogradec, ku nga takimi me major Mortier, u entuziazmua nga vlerësimi që ai kishte për shqiptarët. Mortier u shpreh kundra grekëve, serbëve dhe italianëve dhe kundra politikës franceze që i përkrahte ata. Pas Pogradecit, Konsulli amerikan Josef Haven shkoi në Delvinë, ku u prit nga n/prefekti Leonidha Frashëri, një nga patriotët më të dalluar shqiptar. Edhe këtu kërkesat e popullit ishin për pavarësinë e Shqipërisë. Në fshatin Himarë, u shfaqën disa persona për protektoratin Italian, ndërsa në Vuno populli i kryesuar nga vëllai i Spiro Kolekës, kërkoi me këmbëngulje vetqeverimin e plotë të Shqipërisë. Mbas disa ditësh konsulli amerikan Josef Haven, i shoqërua nga Tefik Mborja, inspekton Durrësin, Tiranën, Shkodrën dhe Krujën. Nga Kruja konsulli amerikan Erikson u kthye në Vlorë. Misioni i tij kishte përfunduar. Në raportin që përpiloi dhe ja dërgoi presidentit Ëillson, konsulli Josef Haven çfaqi mendimin që: “Shqipëria është një vend që qeveriset vetë, sepse i ka të gjitha elementet e duhura që i nevojitet për vetqeverim”.

 Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Beratit

Qëndrimi i Presidentit amerikan Ëilson lidhur me pretendimet greke mbi Shqipërinë, dhe deklarimi i tij që “shqipëtarë janë të aftë për vetqeverisje”, nxitën besimin e popullit shqiptar tek politika proshqiptare Amerikane. Patriotët shqiptar në pragun e mbajtjes së Konferencës së Paqes në Paris, hartuan dhe paraqitën para Fuqive të Mëdha dy dokumenta historike të asaj periudhe: Memorandumi i Aleksandrisë dhe Memorandumi i Korçës.  Nisur nga rëndësia historike dhe përmbajtja atdhetare e dy Memorandumeve, dokumentat po i citojmë të plotë.

MEMORANDUMI  ALEKSANDRISË

Shqipëria Natyrale

Adresuar: Konferencës Paqes në Paris !

Konferenca e Paqes, nuk i përfilli kërkesat e drejta të delegacionit shqiptar, për të ruajtur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të shtetit shqiptar dhe për të rishikuar kufijtë në favor të tij, duke përfshirë brenda tyre ato territore shqiptare që ishin shkëputur më 1878 e 1913.

Memorandumi i Aleksandrisë u pregatit në Kajro nga N.Kasneci e A.Zako Çajupi. Më 8 dhjetor 1918, Komisioni i zgjedhur nga Mbledhja P.Shoqërive Shqiptare të Egjiptit,  anëtar i të cilit ishte edhe Llambi N.Kotta, i mbledhur në shtëpinë e Filip Shirokës, e miratoi tekstin dhe e firmosi memorandumin. Memorandumi, i hartuar në favor dhe interes të mbrojtjes së të drejtave të shtetit shqiptar të pavarur dhe Sovran, nga ambiciet dhe synimet antishqiptare që shtetet shoviniste fqinje i kishin paraqitur Konferencës së Paqes, iu dërgua ambasadorëve të Shteteve Aleate, Anglisë, Francës, Italisë dhe SHBA me seli në Kajro, me lutjen që  ta dërgojë secili në Ministritë e Punëve të Jashtme të shteteve që përfaqësojnë dhe kësisoj të arijë në duart e delegatëve të tyre në Konferencën e Paqes. Krahas Memorandumit, Komisioni hartoi edhe telegrame, që ju dërguan: Presidentit të SHBA z. U. Uillson;  Ministrave të Punëve të Jashtme të Francës, Anglisë, Italisë e SHBA;  Shoqërisë “Vatra” në Amerikë, Shoqërisë “Bashkimi” në Shkodër;  z.Mehmet bej Konitza në Londër, Pandeli Cale në Lozanë, Pandeli Evangjeli në Bukuresht, Kol Rodhe dhe Tefik Mborja në Romë, Kristo Luarasi në Sofje, Sotir Kotta në Korçë; filo-shqiptarëve Herbet në Londër, Miss Durham në Boston dhe Nerve në Paris. Dy anëtar të komisionit, Llambi N.Kotta e Leonidha Naçi shkuan në Skënderie për tu marrë vesh me vëllezërit shqiptar të atjeshëm.

 

MEMORANDUMI  BERATIT

Shqipëria nën Mandatin Amerikan

Adresuar: Shkëlqesisë së tyre Komandos Franceze në Shkodër !

Mbas punëvet të Gjirokastrës, të cilat u pregatitën e u bënë vetëm prej Mufid beut, jashtë dëshirës e mendimit të popullit, duke u bashkuar me vendimin e fundit të Guvernës Provizore në Durrës, e cila kundërshtoi rreptësisht protektionin Italian në Shqipërinë e lirë, e shohim të arësyshme edhe ne populli i Beratit të çfaqim pranë Shkelqesisë s’Uaj ndjenjat atdhetare, duke Ju lutur të kini mirësinë e të ia paraqitni Qeverisë Madhështore e Mirdashëse, kërkesat e popullit të qarkut të këtushëm. Me këtë rast shpresoim se do të pranoni nderimet e të përzemërta e të qiruara:

I-Populli shqiptar duke u mbështetur në parimet kombëtare qi u vunë në veprim, dëshiroi t’i njihen të drejtat e tij qi ka, për të rojtur në sinisië Ballkane i lirë e indepandant, pranoi nji qeveri provizore e dërgoi delegate të posaçëm në Konferencë të Paqes, vetëm për të mprojtur indepadancën e plotë e tërsiën toksore të Shqiprisë me kufit e sajë etnografike e kombëtare.

II-Delegatët shqiptarë qi u dërguen në Konferencë të Paqes, kanë në dorën e tyre nji program të nënshkruar e të pëlqyer prej të gjith antarëve të qeveris së Durrësit, qi ky program tregonë kompetencën e tyre dhe e përfytëron idealain e kombit shqiptar, qi ka për independencën të papërkufizuar për vendin e tië.

III- Në kioftë se shtetet e mëdhenj qi po mëshirokan për liriën e popujve të vegjël, e sidomos për ne shqiptarët qi jemi populli ma i vjetër e ma i famshëm dhe mjerisht më i piklluar e më i përgjunjëzuar i Europës; nuk mundet ti pushojnë intrigat e Ballkanit dhe në e shohin të domosdoshme qi shteti shqiptar të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë nadëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë. Shtojëm se ket deshirë e vërtetojën edhe dokumentat qi janë dhanë konsulit amerikan qi shetiti Shqipërinë.

 Nenshkruesit e Memorandumit

Paria e Prefekturës Berat

Nëshkrue:

1-Hekur be Vrioni:             Kryepari i Katundariës

2-Zarif Aga Haznatari:       Kryetar i klubit “ B A S H K I M ”

3-Fevzi Ruli:                      Advokat

4-Themistokli Kassapi:      Notablë i krishter

5-Kostaq (Koço) Kota:       Inspektori i Arrësimit

6-Salih Gjuka:                     Direktori Arsimit

7-Adem  Shehu:                  Sekretari i Arësimit

8-Islam be Vrioni:               Notabël muhamedan

9-Melek be Frashëri:           Kapitanë,

10-Xhevdet Mehqemea:      Advokat

11-Zejnel be Prodani:          Notabël

12-Teki be Selenica:            Notabël

13-Zoj  Tonçi:                     Tregtar

14-Todi  Naska:                   Nëpunës  drejtësie

15-Bektash H.Berberi:        Zanatli

16-Gaqe papa Zaharia:        Direktori i Kancelarisë së Prefekturës

17-Emrullah Psarizi:           Sekretari i Perlimentares

18-Hajredin Kuçi:               Notabël

19-Andon Capo:                 Tregtar

20-Hysni aga Kafasi:          Këshilltari i Perlimtares

21-Nuri Osman Smundja:   Sekretari i Drejtësisë.

Nji kopje për Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës.

 

Nënshkrue Fevzi Ruli  d.v.

Berat 30.04.1919

Filed Under: Histori Tagged With: 97 VJETORI, Hrallamb Kota, I MEMORANDUMIT TË BERATIT

Hapet Konsullata turke në Prizren

April 23, 2016 by dgreca

Prizren, 23 prill 2016-B.Jashari/Në qytetin e Prizrenit në Kosovë është hapur sot Konsullata e Turqisë. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe ministra të qeverisë kosovare, zëvendëskryeministri turk Numan Kurtulmus, përfaqësues diplomatikë dhe personalitete nga Prizreni. Gjatë ceremonisë u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy shteteve dhe u shpreh përkushtimi i dy anshëm për bashkëpunim të mëtejshëm.   Ndërkohë, në Kosovë është festuar Dita e Turqve -23 Prilli, e cila është e përcaktuar si një nga “ditët memoriale” me Ligjin për festat zyrtare, të miratuar pas shpalljes së pavarësisë para 8 viteve.Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë 1.08 %  e banorëve janë të komunitetit turk. Mamusha, në rajonin e Prizrenit, është e vetmja nga gjithësej 38 komunat kosovare e banuar me shumicë nga pakica turke.

Filed Under: Kronike Tagged With: Hapet, Konsullata turke, ne Prizren

“Trojet e Arbrit”, kundër 8 akademikëve gjakovarë për Fadil Hoxhën

April 23, 2016 by dgreca

Reagim i Shoqatës “Trojet e Arbrit”, lidhur me një kërkesë të 8 akademikëve gjakovarë të Kosovës që Fadil Hoxhës t’i jepet titulli “Nderi i Kombit”./
Na habiti shumë informata që, në rrethanat aktuale në Kosovë, ku ndasitë dhe problemet ekzistenciale po e rrezikojnë seriozisht edhe perspektiven e saj si shtet i pavarur, të dalin nostalgjikët komunistë të akomoduar në Akademinë tonë dhe të përpiqen të lartësojnë veprimtarinë e Fadil Hoxhës, liderit kryesor komunist në Kosovë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në një reagim të “Expresit” na është rifreskuar kujtesa për disa nga gjynahet e shumta të Fadil Hoxhës, të cilat i ka shumë të njohura edhe ideatori i këtij propozimi, Jusuf Bajraktari. Prandaj shtrohet pyetja pse u pranua në Akademi vetëm ky “historian” nostalgjik i Fadil Hoxhës e u refuzuan pa asnjë sqarim, Zekeria Cana, Ramiz Abdyli, Jahja Drançolli, Izber Hoti etj.  Cili nga Akademia i ka refuzuar shkencëtarët më të zotë në Kosovë dhe, në vend të tyre, ka pranuar vetëm Jusuf Bajraktarin? Si është e mundur që recensionin për të ta shkruajë një “historian” i filozofisë marksiste dhe shef shumëvjeçar i Kabinetit të Fadil Hoxhës?!  
Në  shoqatën “Trojet e Arbrit” jemi të inkurajuar kur mësuam se Presidenti Nishani  nuk kishte rënë në grackën e mjeshtërve të dredhive dhe të prapaskenave për këtë lloj maskarade. Na duket e çuditshme, përse akademikët nga Gjakova e injorojnë institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe i drejtohen presidentit të Shqipërisë. Ne mendojmë, se propozuesit do të ishte dashtë që kërkesën t’ia bënin presidentit të Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaqi. Dhe ky, si ish komandant, historian, si dhe President i Kosovës, por edhe nëse duam edhe si drenicas, do të mund ta vlerësonte më mirë se askush tjetër, “ndihmesën” e Fadil Hoxhës për të “mirën” e Kosovës dhe kujdesin e tij për shtypjen e “kontrarevolucionit” në Drenicë, për dhunën dhe terrorin që ushtrohej, sidomos në këtë krahinë, për mobilizimin e djalërisë heroike të Drenicës në kolonat e vdekjes për në Tivar e gjetiu dhe, sidomos, për kujdesin, që asnjë gjakovar të mos gjendej bashkë me ta në këtë kalvar të pashembullt… Këta kanë mundur të llogarisin në presidentin Thaqi, sepse ky e pat nderuar Fadil Hoxhën, madje duke i bërë varrim me nderime ushtarake. Por tani këtë ai nuk do ta bëjë presidenti Thaqi, sepse ka kaluar plotësisht koha e nostalgjisë për ata që ishin bashkëpjesëmarrës në ripushtimin e Kosovës me vise dhe kumbarë të copëtimit dhe aneksimit të tyre nga Serbia, me ata që miratuan dhunën dhe terrorin, aksionin e armëve, konfiskimin e tepricave ushqimore, burgjet dhe internimet, shpërnguljen dhe gjithë vuajtjet që pësoi popullli i Kosovës me vite e dekada. Nuk do të bëhet kjo, ngase, me këtë akt, do të ndiheshin të fyer e të injoruar me qindra e mijëra dëshmorë e heronj, që luftuan dhe u flijuan për Kosovë e Shqipëri. Do të lëndoheshin me dhjetëra mijëra studentë të dikurshëm që demonstruan trimërisht, e të cilëve, për sakrificat dhe angazhimin shumë  atdhetar, Fadil Hoxha u tregoi “birën e miut 300 grosh” dhe i quajti “plehu i Kosovës”.
E Fadilin e kanë njohur mirë shqiptarët dhe rinia e Kosovës. Prandaj atij i është kënduar edhe kështu:
“Sepse sot vajton Kosova,
E trathtueme nga Fadil Hoxha.”
Ishte kjo këngë e Tiranës, e adaptuar për Kosovën, e kënduar më 1967, edhe Ditën Flamurit, nga studentët e asaj kohe të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prizren. E këtë këngë e kënduan ata edhe në demonstratat e vitit 1968.
Po të ishte Fadili, ashtu siç u munduan ta  kontrabandonin akademikët gjakovarë, ai, pas heqjes se autonomisë se Kosovës, do të dilte në botën e jashtme si Dalaj Lama i Tibetit, kur Kina ia pushtoi dhe aneksoi vendin e tij dhe të alarmonte botën se, e njejta gjë, po i ndodhte edhe Kosovës, apo të bënte edhe ndonjë akt tjetër për t’u vlerësuar.
Prandaj anëtarët e shoqatës “Trojet e Arbrit” kërkojnë që Akademia e Kosovës, në vend të këtyre propozimeve të pakuptimta, të zotohet për hartimin dhe realizimin e projekteve, që do të jipnin ndihmesë për afirmimin e shtetësisë së Kosovës, për zhvillimin dhe për përparimin e saj. Kjo do të kishte më shumë vlerë se zotimi për Fadil Hoxhën, kur dihet se mbi figurën e tij rëndojnë dyshime të mëdha, të pazbardhura kurrë, që nuk do ta lejonin atë për të fituar respektin e popullit shqiptar. Ithtarët e Fadil Hoxhës mund t’i shprehin mirënjohjen e tyre personale idolit të tyre, por jo edhe në emër të Kosovës dhe të shqiptarëve.
Duam të theksojmë, se në asnjë vend ish – komunist nuk ka ndodhur që dikush nga strukturat drejtuese të asaj kohe të shpallet hero apo nderi i kombit. Përjashtim, ndoshta, mund të bëhej vetëm për Millan Kuçanin e Sllovenisë, të cilin populli slloven e ka dashur dhe e ka zgjedhur President edhe pas shpalljes se pavarësi së Sllovenisë.
Për shoqatën e intelektualëve mbarëshqiptarë “Trojet e Arbrit”
Prof. dr. Muhamet Shatri, kryetar,
Mr. sc. Nue Oroshi, nënkryetar.

Filed Under: Opinion Tagged With: "Trojet e Arbrit", kundër 8 akademikëve gjakovarë për Fadil Hoxhën

LILI

April 23, 2016 by dgreca

Tregim nga Ilir LEVONJA/

Lili/

Lili është një vajzë pesë vjeçe. Prindërit e sjellin përditë tek gjyshja që me natë. Punojnë larg dhe me orë të gjata. Gjyshja e ka shtëpinë në një lagje të re, faqes së kodrës, ku dikur ndodhej një fermë agrumesh dhe vreshtarie. Tani e shkuara është coptuar në kopshtije. Tek-tuk gjallon ndonjë pemë ulliri, më shumë për dekor. Kurse vreshtave u humbi gjithçka.

Lili mërzitet pasi e kalon ditën vetëm. Në shtëpinë përballë, jeton një moshatar i saj. Pak është takuar me ‘të. E quajnë Endri. Po gjyshja nuk shkon mirë me fqinjin. Kështu Lili e ka të ndaluar të kërkojë të luaj me djalin moshatar.

Dimrit bën si bën. Natyra pa shumë gjallëri, pa zogj e ngjyra, sikur nuk e tërheqin përjashta. I buhaviten duart nga të ftohtit.

Ndërsa tani është pranverë. Kopshti ka plot bar të njomë. Kanë çelur zymbylët dhe kaçet gjithandej. Megjithatë gjyshja nuk e lë.

Një mëngjesi poshtë në kopësht u dëgjua një kërkëllitje sikur të rrëzoheshin një mal me dërrasa. Pastaj plot cicërima të tjera dhe ca flatra shpezësh. Lili iu avit dritares duke u ngritur në majë të gishtave. Në fillim u hutua pasi për shkak të diellit, aty përball në xhamin me vraga plahuri, iu shfaqën dy sy të kthjellët. E vështronin ngultas. Kaq të kthjellët ishin sa trishtimi që kishin brenda, pikohej të harku i buzëve të vogla. Flokët e verdhë patën krijuar tek-tuk ca cullufe kryeneçe. Por shpejt u kujtua se kukulla përballë nuk ishte tjetër kush por ajo.

-Hë, haje tani, mjaft u bëre çupë e keqe. Nëna të ka xhan fort ti e di. Por përjashta nuk të lë të dalësh. Ka rrugeçër rruga. Sikur të ma marrin vajzën mua. Ë? Si t’ia bëj nëna pastaj pa mbeskën e saj të bukur e sy shkruar?

Lilit i hipi në kokë. Nuk e hapi gojën. Madje në heshtje mori një vendim. Hataja të bëhej nuk kishte për të ngrënë një lugë nga çfarë i gatoi gjyshja. Pastaj këto përrallat me ta marrur e me të shitur. Kush do ta merrte? Në atë rrugë flinte gjithçkaja dhe nuk pipëtinte veç asgjëja. Qe vetëm  Endri. Por gjyshes i qe shkrepur në kokë që ata most ë shoqëroheshin bashkë. Dhe me sa kishte kuptuar nga bisedat e gjyshes me prindërit dhe dajen e saj, shkurt nuk i pëlqente familja. Ajo thoshte se ishin soj nga ata që shisnin me tezga në rrugë. Por që u kishin rënë për pjesë. Ndaj një e më dy ngushëllohej duke thënë se, vetëm fqinjin nuk e zgjedh dot njeriu.

-Po lëre moj mama gocën të lozi përjashta, -tha daja teksa po dilte.

-Rri urtë se e di unë atë punë, – ia ktheu ajo.

-Epo mërzitet, fëmijë është, -tha ai.

-Ja ka plot lodra ajo. Televizorin po e ka, – tha gjyshja.

-Po çtelevizor moj. Vi unë e zë e shoh lajmet. Iki unë e zë ti me telenovelat. Pikë e zezë, – tha daja dhe doli.

Por gjyshja as që vrau shumë. U ngrit e shkoi të përgatiste banjon pasi ishte djersitur gjithë natën. Kështu do bënte mire t’i hidhte trupit ca ujë.

Lilit i pikoi. Tani që doli edhe daja i humbi shpresat fare. Shikoi kopshtin plot diell. Ulliri i ngjan një kaçubeje të këndshme përrallash. Ka shumë zgërbonja nga ku futen e dalin zogj. Vajza dalloi një zog midis zogjve. I shkathët,  e çukiste trungun duke i ardhur përqark si një gaztor në botën e filmave.

-Shiko se do lahem pak nëna. Se mos më del nga shtëpia ë?. Hë të keqen.! Kush e duron tët ëmë pastaj. Ma morën gocën, ma hëngrën gocën….

Lili u squll pas perdes. Vendi ku fut qukapiku qe një gojëz e vogël. Zogu ndenji për pak brenda, pastaj doli sërish. Çukiste, nxirrte diçka me sqep, futej brenda. Pastaj prapë të njëjtën gjë. Lili mendoi se duhej të ishin zogjtë e tij. U bë kaq kureshtare sa frymëfikur, zbriti shkallët dhe doli pupël e lehtë përjashta e drejt e në kopësht. Qukapiku flatroi diku më sipër ku koloviteshin ca zogj të tjerë. Çoir ajrit ca piskama. Lilit aq i bënte. Futi dorën por në vend të zogjve zuri me majë të gishtave dy thingla si rrumbullake. Duhet ishin vezët. Me frikën se  mos i krakeshin në dorë, u përpoq t’i nxirrte. Donte të shikonte se si ishin vezët e qukapikut. I ndjente, ua kuptoi formën. Por donte të shikonte ngjyrën. Zogu rrapallitej sipër kokës. Flatronte gjethet me krahë, ndalonte për pak në një gjymtyrë dege. Më pas i vërsulej trungut me kërkërrre të mëdha. Lilin e zuri paniku. Nuk po e nxirrte dot dorën. Nga ana tjetër nuk e shtrëngonte dot. Se ndofta ashtu mund edhe ta nxirrte. Por i trembej krakjes së vezës. Donte vetëm sa t’i shikonte.

Sakaq e thirri gjyshja nga dritarja.

-Lili, ku je moj korbë?

Vajza i la vezët, por prapë nuk e nxorri dot dorën. I dhembi në anët. Diku u gërvish. Vrimëza e zgërbonjëzës qe gjithë ngleçka.  U hutua…

Gjyshja  erdhi gjithë tërsëllimë. I shkuli veshin.

-Si të thashë të dalësh, ë?

Mirëpo në çastin që e tërhoqi, Lili u step mbrapa. Zuri të qajë me të madhe. Gjyshja vetëm atëhere e kuptoi se vajzës i kishte ngecur dora brenda në folenë e qukapikut. Madje që gërvishur.  I kishte dale pak gjak. U alarmua. I ra qielli mbi kokë.

-Prit të marr ca ujë e sapun. Oh, jo.

Sillej vërdallë. Vajza ulërinte. Nga jashtë u dëgjuan të thirruara.. Erdhi njëri fqinj. Erdhi tjetri… e kështu bënë disa. Ndërkohë një burrëplak u nis të thërriste infermieren e lagjes. Erdhi dhe ajo. Lili qante.

Ranë në hall, një tufë gjyshe e gjyshër. Infermerja. Dikur u afrua edhe Endri.

-Po ti këtu?

Djali i fqinjit mblodhi supet.

Gratë bën si bën dhe e qetësuan vajzën. Por prapë dorën nuk po dinin si t’ia nxirrnin.

-Sikur ta tërheqim njëherësh?

-Qyqja t’i këpusim krahun?!

-Je në terezi, pesë vjeçe fëmijë!

-Bobo erdhi dreka, ç’më gjeti mua të zezën. Kush e duron time bijë.

-Kur vine ata?

-Nga darka!

-Deri në darkë e kemi sharruar këtë ulli njëzet herë ne.

-Sharrojmë?

-Në mos e sharrojmë, ja një sopatë kësaj bujashke dhe kaq.

-O bo bo, sopatë…hata e madhe. Po pse moj të keqen nëna nuk rrije dot brenda me televizorin ë? Shikoje kukullat, luaje syllambylla. Bëje shtëpi, ashtu si ne. Nuk e di lojën me shtëpi ti. Ta mësoja unë ty ?

Ndërkohë Endri u afrua. I vuri dorën në kokë Lilit. Ajo e pa me dashuri.

-Po ti, – kërceu gjyshja.

-Lëre, – i tha infermerja dhe i doli përpara gruas.

Plaku sapo erdhi me sopatën e madhe. Dihaste. Dy gratë e tjera i kërkuan të mos ngutej. Ndofta fëmijët e gjenin gojën përmes njëri-tjetrit. Nganjëherë ata janë më të mençur se ne të mëdhenjtë. Kështu i tha njëra nga ato, burrit me sopatë në dorë.

-Lili qyç e paçe kul e fute? – foli Endri.

-E pata paçe e bëla guçe! – ia ktheu Lili.

-Bëje plapë paçe qyç e paçe dhe xile jaçe, – i tha Endri.

Dhe Lili fësht, e nxorri dorën.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: LILI, Tregim nga Ilir LEVONJA

KARATEISTET E ULQINIT NE TURNEUN E 15-të NDERKOMBETAR

April 23, 2016 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Klubi i Karatesë “Ulqini” do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York.Lajme të gëzuara dëgjojmë prej trojeve tona shqiptare ku këtë radhë e kemi fjalën për Klubin e Karatesë “Ulqini” i cili do të marrë pjesë në turneun e 15-të ndërkombëtar në New York. Ekipi i Ulqinit nga Mali I Zi njohur për rezultate të larta sportive ka disa ditë që ka ardhur në ishullin e Staten Island në New York dhe po stërvitet intensivisht për të garuar në turneun ndërkombëtar. Ftesa e ardhur nga traineri i ekipit të karatesë në Staten Island nga z.Safet Tahiri së bashku me bashkëshorten e tij dhe djalin që e ka sportist në karate e pritëm me shumë kënaqësi, pasi kemi kohë që i ndjekim stërvitjet dhe rezultatet e tyre.

Z.Tahiri me rezultate të dukshme dhe tepër të kënaqshme ka ditur bukur të punojë me bashkatdhetarët matanë oqeanit, me shqiptarët e Ulqinit, dhe ja ku u konkretizua puna së bashku e tyre me legjendën e Shatokan Karate në Staten Island.  Shqiptari Tahiri është mik i afërt me legjendën e Shatokan z.Hanshi Scarda i cili ka praktikuar artet marciale mbi 50 vjet.Ai ka fituar rripin e zi të rangut më të larte në ShBA i njohur nga Japonia.  Ai është i specializuar në mësimin e fëmijëve me nevoja të vecanta dhe që iu ka humbur besimi.  Kujdesi i tij i jashtëzakonshëm prej mjeshtri ka bërë që këta sportistë të jenë anëtarë aktivë të komunitetit dhe të jenë mjekë, avokatë, mësues dhe në profesione të ndryshme.  Kjo është prova më e qartë për një legjendë si z.Hanshi, i cili i sjellë studentët të stërviten dhe të lëvizin për jetën.

Eshtë shumë interesante stërvitja e tyre dhe puna aq serioze që bëjnë së bashku si ekip për të fituar trofenë ndëkombëtare të karatesë.  Gjatë bisedave direkte në dhomën sportive ku ata stërviteshin, karateistët dhe kryetari i Klubit të Karatesë “Ulqini” z.Gjergj Daboviq na folën fjalë miradie për legjendën e Shatokan Karate të Staten Island z.Hanshi i cili ndihmon shqiptarët që të stërviten dhe frymëzon për të vazhduar me gjenerata këtë sport të mrekullueshëm.

Z.Skënder Tahiri menaxher i klubit të karatesë “Ulqini” tha se në Ulqin u bë hapja e organizimit të turneut 15-të ndërkombëtar ku morën pjesë 49 klube nga 9 shtete të ndryshme.  Klubi i Karatesë “Ulqini” është regjistruar në vitin 1985, por ka qenë qysh në lindje të shoqatës së Ulqinit për sportin e cila është themeluar në vitin 1975.

Z.Ruzhdi Rama kryetrainer i klubit “Ulqini” foli me krenari të ligjshme për stërvitjen dhe sukseset e njëspasnjëshme që ka fituar Klubi i Karatesë “Ulqini” ku theksoi se Dardan Ceka ka fituar dy herë kampion kombëtar dhe shumë rezultate në Ballkan dhe në Europë.

Ajo që do të më bënte përshtypje në këto biseda me drejtuesit e Klubit të Karatesë si z.Gjergj Djadoviq, Rama dhe Tahiri ishte se ata sollën pranë nesh dhe Dr.Bari Cekën i cili ka qenë karateist aktiv dhe ka qenë i pari që ka sjellë medaljen e arit në Ulqin.  Në bisedën para kamerave me Dr.Cekën me humor i thashë se tashmë mos u jep pacienteve të tu barna të ndryshme për t’i kuruar, por hap salla sportive për pacientët e tu ku të ushtrojmë sportin e karatesë në vend të barnave të shërimit.  Dr.Bari Ceka është një doktor mjaft i dashur për mijëra shqiptarë që janë nën kujdesin e tij dhe që qendrën shendetësore e ka në Staten Island, New York  i cili është i specializuar për sëmundjet e zemrës dhe që punon për Staten Island University Hospital në New York.

Studentët e Ulqinit së bashku me studentët në Staten Island këto ditë u stërvitën dhe nga trainerja e skuadrës kombëtare në SHBA Ariel David.  Midis djemve karateistë kishte dhe 4 vajza si Diellëza, Antigona etj të cilat i kishin sjellë Kombit dhe Ulqinit trofe të ndryshme.  Ato folën me krenari dhe plot kulturë për sportin e tyre, stërvitjen me orë të tëra dhe rezultatet që kishin arritur.  Ne ndihemi të barabarta me djemtë dhe në disa raste me trofetë tona jua kemi kaluar atyre.  Antigona vazhdonte studimet në universitetin e Prishtinës, ndërsa Diellëza vazhdonte shkollën e mesme në Ulqin.

Në fund të stëvitjes Legjenda e Shatokan z.Hanshi Scarda u dha rripin e zit të gjithë sportistëve të Karatesë si Çmimi më i lartë. Të gjithë drejtuesit e Klubit të Karatesë “Ulqini” dhe në Staten Island janë optimistë se do t’i sjellin Kombit dhe Ulqinit trofenë e fitores në turneun e 15-të botëror që do të zhvillohet në  New York.

22 prill, 2016

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: KARATEISTET E ULQINIT, Keze Zylo, NE TURNEUN E 15-të NDERKOMBETAR

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2873
  • 2874
  • 2875
  • 2876
  • 2877
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT