• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TRE MOTRAT LEPENICA,TË BURGOSURA, DHE TË INTERNUARA NGA FASHIZMI DHE KOMUNIZMI

April 18, 2016 by dgreca

*“Vajza shqiptare, çohuni në këmbë për të mbrojt atdheun nga robëruesit. Duam liri! ”./

 *Unë propagondoja se komunistët vepruan si fashistet. Fashistët i vunë flamurit tonë shpatat e Duçes ndërsa komunustët i vunë yllin e Rusisë. Ne duhet të kemi një Shqipëri të lirë nacionaliste./

 Nga Enver MEMISHAJ/

Shumë familje që dhanë me përkushtim dhe me dashuri për atdheun dhe lirinë gjithëçka që mundën, në kohë shumë të vështira, u mbuluan me pluhurin e harresës gjatë diktaturës komuniste.

Një nga këto familje që duhet kujtuar dhe nderuar është edhe ajo e Numan Lepenicës. Numani lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1892, dhe kreu arsimin e lartë në Stamboll. Ai i shërbeu vendit të tij për 32 vjet, nga 1912, si oficer në qeverinë e Ismail Qemalit, i plagosur në Luftën e Vlorës më 1920, kryetar komune dhe nënprefekt deri më 31 dhjetor 1944 dhe ashtu si miku i tij Ali Asllani vdiq pa pension, në mjerim.

Numani u martua me dashuri me mësuese Zenepen, të  bijën e Mustafa Xhomos, një bej i rënë nga vakti nga Leskoviku dhe mbesë në familjen Vlora.

Të tre vajzat e tij: Tefta, Afërdita dhe Elisabeta, nën shembullin e prindërve, u aktivizuan si luftëtare për përparimin e femrës shqiptare dhe si luftëtare për liri kundër pushtuesit fashist. Ato u burgosën dhe internuan dhe patën një fund tragjik.

Sot nga ajo familje me famë e emër të mirë ka mbetur vetëm një vajzë Donata. Është detyrë atdhetare dhe kulturore të hedhësh dritë mbi veprimtarinë qytetare dhe atdhetare të tre motrave Lepenica.

 

  1. TEFTA LEPENICA

Tefta ka lindur në Vlorë, më 28 prill 1917. Ajo fitoi konkursin për të ndjekur Institutit Femror “Nana Mbretëneshë”. Gjatë kohës së studimeve në Tiranë, ajo ra në dashuri me Emin Selenicën nga Korça, marrëdhënie që u kurorëzua me martesë më 27 dhjetor 1934, siç shënohet në regjistrin e Gjendjes Civile.

Martesa nuk e pengoi në vazhdimin e shkollës. Ajo me vullnet të fortë u diplomua në vitin shkollor 1936-1937, me rezultate të larta, në degën e gjimnazit.

Në bibliotekën e motrave Lepenica mundëm të gjejmë një kartolinë pas së cilës ishte shkruar: “Dhurue Tefta Lepenicës, Instituti Femëror “Nana Mbretneshë”, për nota të mira”. Më poshtë në kartolinë shënohet: “Silluni mirë gjithmonë kundrejt shtazëve…” Prej kësaj kartoline dhe të dhënave të tjera gojore marrim vesh se Tefta ka qënë një nxënëse e shkëlqyer në mësime.

Krahas diplomës Tefta përvetësoi shumë mirë edhe gjuhën italiane, ndërsa në familje ajo kishte marrë njohuritë fillestare per gjuhën turke, frënge dhe greke, prej prindërve.

Në shenjë kujtimi e nderimi për ato vajza që u bënë flamurtare të përparimit dhe luftës për liri po përmendim maturantet e këtij viti shkollor:

Dega e gjimnazit: Musine Kokalari, Vera Bogdo, Agllaia Harito, Tefta Lepenica, Qamuran Toptani, në sesionin e vjeshtës.

Dega e normales: Gjylsyme Dervishi, Liri Poshi, Margarita Nosi, Pullumbe Libohova, Eleni Toroshani, Ganije Bejko, Ganimet Gjilani, Gliqeria Koça, Gjenovefa Bojaxhi, Mukadez Serezi, në sesionin e vjeshtës.

Me rastin e diplomimit të maturës së parë të Institutit “Nana Mbretneshë”, shtypi kohës shkruante:

“Në se sot kemi shkolla të mesme që na nderojnë Instituti “Nana Mbretneshë”, është në radhën e parë. Kishte nevojë të madhe vendi ynë për një strehë  dritëdhënëse dhe edukonjëse të brezit femëror që po rritet. Dhe u plotësua me çeljen e këtij Instituti që qysh katër vjet punon palodhje për arsimin e 500 e ca vajzave shqiptare… U provua se vajza shqiptare është e zonja të punojë tamam si femrat e tjera të botës së qytetërueme. U pa qartazi dëshira dhe vullneti që ka vajza shqiptare për dritë përparimtare”. (Revisa “Diana”, nr. 32, korrik 1937, f. 32.)

*       *      *

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, të tre motrat Lepenica: Tefta, Afërdita dhe Elisabeta, falë traditës familjare dhe shembullit të prindërve, që në ditët e para u gjendën në vijën e parë të rezistencës dhe luftës për liri. Shtëpia e tyre në lagjen “Lirim” së bashku me atë të Aleksandra Premtit etj., fqinja e tyre, u kthyen në baza të luftës për liri.

Në korrik të vitit 1939, Tefta së bashku me Viktori Gjikondin, veterane e Lëvizjes Antifashiste, në Vlorë, u caktuan të shoqëronin fëmijët shqiptarë që shkonin në kampet italiane. Të dy shoqet vazhdonin të bënin propogandë të pa reshtur kundër pushtimit fashist, por fashizmi ashtu si edhe komunizmi, më vonë, kishte agjentë në çdo qelizë të shoqërisë.

Kështu që agjentët fashistë arritën të zbulonin aktivitetin antifashist të këtyre dy vajzave.  Federata e Luftimeve në Brindzi më 7 korrik 1939 i shkruan Fashistit Giovani Giro, Inspektor në Tiranë:

“Referuar komunikimit telegrafik të shokut Bianki, dje janë paraqitur dy mësuese përkthyese të kampit Znj. Tefta Lepenica dhe znj. Viktori Gjikondi. Sipas udhëzimeve të shoqes Poli, të cilës i kam telefonuar, parashtroj riatdhesimin e tyre të menjëhershëm për motivet e më poshtëme: Kanë treguar entuziazëm të pakët për ardhjen e tyre në Brindsi, duke folur me një nga bashkëpunëtorët e mi, ato janë shprehur si më poshte:

  • ne ishim të kënaqura me Mbretin Zog (Mbret maskara e i poshtër), sepse ishte shprehja e një shteti të lirë dhe të pavarur.
  • ne nuk kuptojmë se si Italia u ka hequr lirinë një milon shqiptarëve, të cilët duan të jetojnë të lirë.
  • Kur Republika e Venecias kishte raporte të mira tregëtare me Shqipërinë, nuk ishte kjo Italia e sotme që pushton shtetet e vogla.
  • Ju italianët e njihni historinë tuaj siç ua kanë mësuar në librat tuaja. Historinë tonë, do të ua mësojmë ne, historinë e vërtetë që njihet ndërkombtarisht.
  • Ne kemi nostalgji për Shqipërinë, që për ne, mbetet atdheu jonë i bukur.
  • Ne kemi ardhur në Itali, për një shpërblim prej 400 liretash dhe që të kemi mundësi të blejmë ndonjë fustane apo sende të tjera.
  • Të gjitha mësueset e tjera i kanë nisur me detyrim.
  • Duam të jemi të lira, sidomos mbrëmjeve për t`u argëtuar.

E quaj të domosdoshme të shënoj që njera prej të dyjave ka pohuar se është vajza e kryetarit të komunës së Vlorës.

Ju lutem të merrni masa urgjente për t`i kthyer në vendin e tyre dy mësueset që ndodhen në Brindsi. Po kështu dy mësueset e tjera njera është bullgare dhe nuk di asnjë fjalë italisht, ndërsa tjetra di pak italisht.   Sekretari Federal Franko Fedele Bozi “ (AQSH, F. 161, V. 1939, D. 975, f. 1)

Nuk ishte e vështirë për fashistët që të verifikonin menjeherë se bëhej fjalë për kryetarin e komunës Numan Lepenica, babai i Teftës, ndaj të cilit edhe do të hakmerreshin.

Shkresës së sipërme, më datën 8 korrik 1939, i përgjigjet Partia Fashiste e Shqipërisë, Drejtoria Qëndrore, Tiranë: “Përgjigje e Francesko Jakomonit Mëkëmbës i Përgjithshëm i Mbretit Perandor Tiranë.

Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët pranë kolonive të Federatës së Brindzit, kanë manifestuar ndjenja antiitaliane, për më tepër janë shprehur në momentin në të cilin Organi i Partisë Nacionaliste Fashiste, po përkujdeset me dashuri për mysafirët e vegjël shqiptarë.

Sjellja e dy mësueseve shqiptare, siç del nga raporti i Federatës së Brindzit, është e papranueshme dhe ju kërkoj domosdoshmërisht pushimin e shpejtë nga shërbimi që kryejnë. Tek elementë të tillë të këqinj bashkohet shpirti keqdashës me paqartësinë.

Duke mbrojtur shërbimin tonë, shfytëzojmë veprën e ripërtëritjes politike dhe morale dhe duke e marrë me shumë besim dhe me entuziazëm të madh bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.

Të dy mësueset e sipërcituara në koloninë e Federacionit të Brindzit, do të zëvëndësohen me të tjera që rezervohem t`i shënoj. Inspektori P.N.F. Giovani Giro” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 2-3)

Sekretari, Mëkëmbësit të Përgjithshëm ka vënë këtë shënim për S.E. Koliqin: “Relacioni i dërguar më datën 8 korrik 1939, nga inspektori i P.N.F. i dërguar për njohje nga E.V. përforcon idenë se dy mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që kanë demonstruar papajtueshmëri në situatën e re pushohen nga shërbimi. I jam mirënjohës E.V. në se do të na informojë, në kohën e duhur për sa i përket çështjes. Sekretari Mëkëmbësi i Përgjithshëm” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 6)

Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, më 13 korrik 1939, u përgjigjet shqetësimeve fashiste: “Me keqardhje kam marrë njoftim mbi shkresën tuaj të datës 8 korrik 1939. Shoqërueset Tefta Lepenica dhe Viktoria Gjokondi nuk janë mësuese, por vetëm ish nxënëse në Institutin Femëror “Nana e Skënderbeut” të Tiranës, ku kanë krye liceun në vjetin shkollor 1938-1939. Kam marrë shënim që ndonjë kërkesë eventuale e tyne për punë ose bursë të mos merret në konsideracion.

Të përmëndurat janë kenë dërgue me shpejti prej Vlonës, për me zavëndësue dy shoqëruese të tjera që janë kenë sëmurë.  Ministri Ernest Koliqi” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 5)

Ndjekja e autoriteteve fashiste vazhdon. Më 24 korrik 1939, për mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi, gjejmë edhe këtë informacion: “Informues të vlefshëm raportojnë se mësueset shqiptare… kanë manifestuar një qëndrim të tillë ndaj situatës që ka qënë e mjaftueshme për riatdhesimin e tyre… Ësht gjithashtu në vijim … masa paraprake për pushimin e tyre. Francesko Jakomoni” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 7)

*     *    *

Viti 1939, kishte ardhur i zi për shqiptarët, por veçanërisht për ata që u gjendën në vijën e parë të rezistencës dhe të luftës  kundër pushtrimit fashist.

Babain e Teftës, Numan Lepenicën, kryetar komune, i aktivizuar me qarqet antifashiste, më 10 tetor 1939, e pushuan nga puna.

Teftën e riatdhesuan nga Italia duke mbajtur shënim që të mos punësohej në administratën shtetërore dhe të mos lejohej me bursë të ndiqte universitetin ne Itali, siç kam cituar më lart vendimin e Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi.

Ato vajza që kryenin degën e gjimnazit në Institutin “Nana Mbretneshë”, që fashistët e quajtën “Nana e Skënderbeut”, kishin të drejtë të ndiqnin studimet universitare në Europë. Por, Tefta,  për shkak të qëndrimit antifashist të saj dhe të familjes, ajo nuk mund të ndiqte studimeve në Itali, është kjo arsyeja  që babi sajë kërkoi një udhë tjetër për të arsimur të bijën.

Ajo mundi të regjistrohej për konkurim në Universitetin e Zagrebit, për farmaci. Tefta  fitoi konkursin ndoqi studimet dhe u diplomua farmaciste. Për kohën e studimeve që kaloi në Zagreb na mungojnë të dhënat. Ajo duhet të jetë diplomuar në vitin1944 dhe pasi u kthye në Shqipëri, me ndihmën e miqve të babait, hapi një farmaci në Durrës. Komunistët që kishin ardhur në fuqi e shihnin me dyshim vajzën e një nepunesi të lartë të regjimit “antipopullor” të Zogut. Kështu që ajo punonte në kushte të vështira dhe aty nga viti 1947 (?), u gjend e helmuar, në moshën 30 vjeçare, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën,  në rrethana që mbetën të pa sqaruara.

Është rasti të bëjmë një krahasim midis fashistëve dhe komunistëve: Tefta, për mendimet antifashiste, vetëm u riatdhesua nga Italia. Motra e saj Afërdita, siç do të shohim më poshtë, për të njëjtat mendime, por tashmë kundër komunistëve, në vitin 1950, në moshën 24 vjeçare, u gjykua dhe prokurori kërkoi dënimin me vdekje, por gjykata “mëshiroi” dhe i dha vetëm 10 vjet burg!

  1. AFËRDITA LEPENICA

Pas daljes nga burgu, Afërdita mbeti e persekutuar deri në fund të jetës. Ajo punoi mami në qytezën e sharrëxhinjëve, në Hotolisht të Librazhdit, deri sa doli në pension. Çdo vit, ajo së bashku me Donatën vajzën e sajë, i kalonte pushimet verore në shtëpinë e autorit të këtij shkrimi, në Vlorë. Nëna ime, me gjith hallet e sajë, e priste dhe e përcillte me dashuri dhe respekt dhe nuk u lodh asnjëherë duke i shërbyer. Po kështu edhe Gatua, motra ime në Tiranë, me dashuri prej motre, i hapi Afërditës dhe Donatës derën e shtëpisë dhe të zemrës. Afërdita i tregonte autorit të këtij shkrimi jetën e sajë plot peripeci dhe vuajtje të pa fundme. Pas vitit 1992, kur mu dhanë mundësit të shfrytëzoj arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme harmonizova tregimet e Afërditës me dokumentat e kohës. Ja se ç`farë ka treguar Afërdita, nën tortura, në hetuesinë komuniste:

“Unë kam lindur në Vlorë më 8 korrik 1925. Mbas mbarimit të arsimit fillor, prindërit më regjistruan së bashku me motrën binjake Elisabetën në Shkollën Tregtare në Ujë të Ftohtë, të Vlorës, në atë kohë një shkollë me emër shumë të mirë.

Në vitin 1940, kur unë vazhdoja Shkollën Tregtare, Ministria e Shëndetsisë me anë të një lajmërimi në gazetë, kërkoi 35 vajza  për t`i çuar në Itali për studime… Babai pasi mori pëlqimin tim me anë të miqve të tij më siguroi një bursë.

Më 2 qershor 1940, u nisa së bashku me shoqet në Itali. Më 1 korrik mbritëm në Bari. Aty qëndruam 6 muaj, për studime për mami, por duke qënë se Bari ishte zonë lufte dhe bombardohej nga anglezët na trasferuan në Kamerino.

Në pushimet e verës të vitit 1942 erdha në Vlorë dhe shkova për disa ditë në fshatin e origjinës së babait, në Lepenicë. Në shtëpinë e xhaxhallarëve që ishte shndërruar në bazë të luftës, vinin partizanë ilegal, midis tyre edhe djali shtëpisë tonë Sadik Premtja. Nga ai mora njoftimet e para për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, mësova këngët e para revolucionare dhe në përfundim të pushimeve u ktheva në Itali për të vazhduar studimet. Në të vërtetë e urreja në kulm fashizmin dhe italianët.

Ndër shoqet e mia studente në Itali kujtoj: Xhemile Gjinishin, motrën e Mustafa Gjinishit nga Peqini, Nimete Luzatin, nga Luzati, Melani Kafeja nga Shkodra, Aspasi Roshi nga Kavaja, Lefteri Dhamo nga Durrësi, Nixhije Hila nga Delvina dhe tash banuese në Tiranë, Senka Andrea nga Shkodra, tash mami në Lezh, Sofije Bejtja nga Elbasani, tash banuese në Tiranë, Bukurie Meçaj nga Elbasani, tash mami në Peqin, Hasime Janina nga Berati, tash në burg politik, Milla Paço nga Përmeti, tash me banim në Tiranë, Fahrie Deliu nga Elbasani tash nuk e di ku banon, Evjani Ndija nga Elbasani tash mami në Përmet, Eftiqi Noçka nga Gjirokastra tash mami në Vlorë, Margarita Papleka nga Elbasani, tash mami në Tiranë, Meropi Shyqyriu tash me banin në Elbasan, martuar me major Kopi Nikon, Bepina Shala nga Shkodra, Athina Marku nga Elbasani. (Fjala tash, tregon vitin 1950, kur Afërdita flet për jetën e sajë)

Me këto shoqe, në sallë ku mblidheshim me pretekst studimi, bisedonim shpesh herë për luftën që bëhej në Shqipëri. Këtë frymë vendosëm ta përhapim në të gjitha shoqet e konviktit. Mirpo aktivitetin tonë e raportoi në karabineri shoqja jonë Maria Bobe nga Shkodra, e cila më pas u martua me kapitenin e karabinerisë së Kamerinos.

  1. E burgosur dhe internuar prej fashistëve italianë.

E spiunuar, më 27 shkurt 1943, u arrestova nga Kuestura e atjeshme si antifashiste, meqënse në konvikt flisnim për Lëvizjen Antifashiste që bëhej në Shqipëri dhe këndonim këngë revolucionare, që i kishim mësuar kur ishim me pushime në Shqipëri. Shpesh herë këndonim një trakt që më kishte dhënë mua Sadik Premtaj – Xhepi, në muajin tetor të vitit 1942, kur isha me pushime në Shqipëri.Në këtë trakt Parti Komuniste i bënte thirrje popullit që të hidheshin në luftë kundër fashizmit.

E mbaj mënt, se si më arrestuan: Kryemurgesha që ishte në konvikt Ana Piaxha më tha se duhet të shkoja në Karabineri. Atje kapiteni Karabinerisë më kërkoi që të ngrinim në konvikt Organizatën e Fashios dhe të merrnim triskat e Fashios. Unë e kundërshtova duke i thënë se ne nuk kemi ardhur këtu për të bërë politikë, por për të vazhduar studimet.

Athere ai më tha se ju keni lidhje me partizanët shqiptarë dhe këtu keni ardhur jo vetëm për të mësuar, por edhe për të bërë propagandë kundër fashizmit dhe se kishte urdhër nga Ministria e Jashtme Shqiptare të më internonin pse isha kundër fashizmit.

Pra, sentimentet e mia ishin zbuluar dhe prandaj të nesërmen në katër të mëngjezit më morën dhe më internuan në kampin Polence tre orë larg me tren nga Kamerino. Në atë kamp vuanin 2000 gra të huaja dhe italiane. Dy ditë më parë kishin internuar edhe shoqen time Milla Paço. Fashistët na trajtonin shumë keq…, na jepnin vetëm 150 gr. bukë në ditë, por mua më ndihmonte familja, për çdo muaj merrja prej saj 1000 lireta ose edhe më shumë. Atje kishja si shoqe të ngushtë vetëm një turke që quhej Suela…

Në Polence qëndrova pak kohë pasi u sëmura prej vuajtjeve…, dhe mua më trasferuan në katundin Fiuminda, që fashistët e quanin “ampo libero” Aty jam njohur me disa familje italiane, por shumica nuk më kujtohen emrat… Edhe këtu vuanim, pasi na jepnin vetëm 150 lireta në muaj…

Mund të kujtoj Alberto Rossin, familjarisht. Me këtë unë shoqërohesha, por ishte e ndaluar nga karabineria që ne të internuarat të kishim intimitet me italianët.

Këtu qëndrova deri më 15 nëntor 1943, prej kësaj date na çuan në një kamp tjetër në Apiniano ku qëndrova deri në shkurt të vitit 1944.

Aty më ka ardhur kuestori komandës dhe pasi më bëri komplimenta donte të dinte se cilët ishin komuniste që ndodheshin akoma në konviktin tonë. Unë i thash se neve asnjera nuk jemi komuniste, por jemi vetëm studente që kemi ardhur këtu të kryejmë studimet dhe të kthehemi në atdhe. Ai nuk më besojë dhe më tha se deri sa të mbarojë lufta ti do të qëndrosh e internuar. Më 15 shtator 1943, më trasferuan në Ampinjero.

Para se të më transferonin më erdhi një telegram nga Eqrem Çabej, njeri krejt i panjohur nga mua, ku më thoshte të shkoja në Romë… Unë këtë njeri nuk e njihja dhe nuk e dija çfarë detyre kishte në Romë…

Dy shoqet e mia Milla Paço dhe Hasije Janina u liruan, kurse mua nuk më liruan, për këtë unë pyeta dhe më thanë: Nuk kemi asnjë urdhër as nga Ministria e Jashtme dhe as nga Ministria e Luftës.

Kështu që unë mbeta e internuar dhe u trasferova në Apijano, ku vuante edhe një ruse e bardhe edhe kjo e internuar.

  1. E burgosur dhe internuar prej nazistëve gjermanë.

Sapo e okupuan këtë fshat gjermanët, mua më burgosën me akuzën se jam në lidhje me partizanët, gjë që unë e mohova me këmbëngulje. Në burg kam qëndruar nga data 7 shkurti 1944, deri nga fundi muajt qershor 1944 dhe kam vuajtur nga trajtimi keq dhe ushqimi keq: lakra dhe 150 gram bukë në ditë.

Oficerët gjerman, të shoqëruar nga ata italian, kërkonin nga mua të tregoja bazat e partizanëve. Unë u thoja se nuk di gjë, për këtë dy herë më kanë vënë në torturat e fronit me korent dhe duke qënë se unë nuk fola u bindën …

  1. Liria nga forcat amerikane dhe idetë antikomuniste.

Më nxorrën nga burgu dhe më çuan në fshatin Karidone. Atje qëndrova deri sa erdhën forcat amerikane. Mbas dy muajve të çlirimit nga gjermanët shkova në Bari në Misionin Ushtarak Shqiptar, i kryesuar nga n/kolonel Kadri Hoxha, i cili më caktoi infermjere në kamp…

Në kontaktin e parë që pata me partizanët e plagosur që kishin ardhur në Itali mora vesh për dezertimin e Sadik Premtes – Xhepit, njeri që unë e doja dhe e admiroja pa masë si edhe ai mua. Simpatia e madhe që kishja për të, më bënë që edhe unë të ndërroj opinjon dhe rrugën, pasi arsyetoja se deri sa ai jetoi dhe luftoi për Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe u kthye mbrapa, si duket kjo Lëvizje nuk është e drejtë dhe e mirë…

Mosha ime e re, 18 vjeçare, dhe rrethi shoqëror që kishja frekuentuar para se të bija në kontakt me partizanët shqiptar kishin influencuar në ndërrimin e mendimeve të mia dhe lajmi për Sadik Premten – Xhepin, ndikuan kryesisht në ndjenjat e mia revolucionare, kështu që unë besova anglo-amerikanët. Në kamp me partizanët shqiptar qëndrova në tepër se një muaj e gjysëm.

 

  1. Kthimi në atdhe dhe aktiviteti antikomunist.

Më 21 dhjetor 1944, u ktheva në Shqipëri, në familjen time në Vlorë. Aty mësova se një xhaxha, Xhelal Hoxha, ishte vrarë në luftë si ballist, gjithashtu edhe Hysni Lepenica, dy njerës që unë kisha për ta një dashuri të madhe. Pastaj më thanë se partizanët kishin djegur shtëpinë tonë në Lepenicë dhe kishin marrë të gjithë mallin. Këto ngjarje e rënduan më tepër shpirtin tim. Që në ditët e para të kthimit tim në Vlorë fillova miqësinë me disa shoqe që kisha pasur më parë… Ishin shoqë të pakënaqura dhe antirevolucionare… Kisha miqësi me familjet e çifutëve që kishin një urrejtje të madhe për Pushtetin Popullor. Te këta gjeta tamam ata që kërkoja…

Vendi ku mblidheshim ishte shtëpia e Xhon Matathia-s. Atje vinin Rafo Jakoeli, Moisi Levi, tani në Vlorë, Nino Ganiu, Xhakovino Matathia, tani në Tiranë, po ashtu vinte djali doktorr Çupishtit, Skënderi, me të motrën Shukranen, tani familjarisht në Shkup, dhe shoqet e mia çifute Mini Jakoeli dhe Tuçi Matathia dhe nga ndonjë herë mblidheshim te shtëpia e Mini Jakoelit.

Ne mblidheshim çdo të shtunë dhe bisedonim mbi reformat, shtetëzimet, regjimin që ne s`na pëlqente. Mbas kërkesave të tyre unë u shpegoja për ushtrinë anglo-amerikane dhe regjimin demokratik që ishte në Itali, që i dedikohej udhëheqies së De Gasperit etj. U flisja për ushtrinë anglo-amerikane, e cila e trajtonte mirë popullin italian, përgënjeshtroja lajmet e gazetës sonë. U thoshja se në Itali gjendej çdo gjë, ju thoja se Kryqi i Kuq amerikan shpërndan ushqime dhe ndihmon të dëmtuarit e luftës etj. U thoshja se shumë oficerë amerikanë dhe anglez më kishin thënë se nuk është e largët dita kur do të vimë në Shqipëri. Lavdëroja rregullin dhe disiplinën anglo-amerikane.

Në vitin 1946 në Vlorë zura miqësi me vajzat e Risiliotëve: Diana Risilia, Rubie e Nergjize Risilia të cilat kishin marrë pjesë aktive në radhët e Ballit Kombëtar.

Në këtë shoqëri nuk mungonte asnjëherë Shukrie Çupishti, e cila gjatë viteve 1940-1943, kishte qënë në gjimnaz në Itali, një vajzë tepër e zgjuar. Doktor Çupishti i ati Shukranes u trasferua në Peshkopi ku mori edhe familjen me vete. Më 28 nëntor 1948, familjarisht u arratisën në Shkup,  Jugosllavi. Shukrania më kishte propozuar edhe mua të arratisesha bashkë me ta, por në atë kohë unë u arrestova në Burrel për agjitacion dhe propogandë.

Mbledhjet i bënim tek Diana Risilia pasi shtëpia e saj ishte në periferi të qytetit. Ne nxisnim edhe shoqe të tjera të vinin në takimet tona. Kështu u bëmë gjithsej 11 vajza: Afërdita Lepenica, Shukrane Çupishti, Diana Risilia, Rubie Risilia, Nergjeze Risilia, Nedime Kasëmi, Mimi Kasëmi, Nefrone Agalliu, Tahnime Mustafaraj, Mini Jakoeli, Tuçe Matathia.

Ky grup ishte vepra ime. Ne jemi mbledhur katër herë në shtëpinë e Diana Risilisë. Në këto mbledhje bisedonim për luftën dhe rolin që kishte luajtur femra në atë luftë, që sipas pikpamjes tonë ajo i kishte shërbyer më tepër burrave se sa luftës. Flisnin ato që e kishin jetur luftën… Nedime Kasëmi që kishte qënë pjestare e celulës së Ballit Kombëtar në Vlorë lavdëronte Ballin Kombëtar  dhe thoshte se edhe neve kemi qënë shumë shoqe në celulë, por nuk ka pasur degjenerim…

Këto lidhje u shkëputën duke filluar nga fundi i vitit 1946 deri në itin 1949, pasi jeta na shpërndau.

  1. Në shërbim femrës shqiptare dhe vullnetare në hekurushë.

Në janar –shkurt 1945, u emrova mami në Himarë, nga Himara u tasferova në Mesaplik e Drashovic. Në Drashovic mu dha mundësia që të shoh biografinë time ku shkruhej se isha person i padëshëruar dhe që nuk duhet të besohesha. Kjo gjë më revoltoi kundër pushtetit. Kuptova qartësisht se ndiqesha nga policia.

Nga muajin qershor i vitit 1945 u tasferova mami në Valias të Tiranës. Këtu qëndrova për 4 muaj dhe në nëntor të këtij viti u ktheva pranë familjes, pasi isha dobësuar shumë dhe babai më tha që të kthehesha në shtëpi pa lejen e Ministrisë. Pranë familjes qëndrova 8 muaj pa punë, deri sa mora veten.

Në gusht të vitit 1946 më emëruan mami në Kurvelesh.

Në muajin gusht 1947, kam qënë vullnetare në hekurudhën Peqin – Elbasan. Me t`u kthyer nga hekurudha kam punuar provizorisht llogaritare në Ndërmarjen e Grumbullimit në Vlorë, afro një vit.

Në muajin mars 1948 jam trasferuar në Burrel ku edhe krijova një rreth antikomunist.

Më 27 tetor 1948 më arrestun në Burrel dhe më akuzuan për agjitacion dhe propagandë, por pas tre muaj e gjysëm më liruan për munges faktesh…

U lirova pas rezolutës të Kongresit të Parë të PKSh –së më 22 dhjetor 1948 dhe shkova në Vlorë ku qëndrova 8 muaj pa punë, deri në gusht të vitit 1949, sepse nuk pranoja të shkoja në punë në rrethin e Maliqit ku më kishte emëruar Ministria e Shëndetësisë.

Më 26 gusht 1949, me kërkesën time shkova në rrethin e Gramshit sepse atje ndodhej i fejuari im Hysen Dervishi. Aty u njoha me nëpunësa dhe fshatarë antikomunist, të cilët m`i prezantoi i fejuari im. Edhe këtu dhe në çdo vend tjetër nuk mungova të vazhdoj aktivitetin tim antikomunist…

Të gjith njerëzit e mi të afërt janë kundër komunistëve në pushtet: Refati, Shaqia, Qemali, Imeri, Fetiu. Dilaveri, etj.”.

  1. Mendimet dhe idetë e mia.

Në rrethin tim shoqëror kam pasur dhe kam mbrojtur këto mendime: Unë kam menduar se kjo qeveri nuk vete shumë.  Kam menduar gjithnjë se edhe neve duhet të luftonim kundër komunizmit dhe kam biseduar se një ditë do të vinin anglo-amerikaët dhe do rrëzonin komunistët nga pushteti.

Unë propagandoja se komunistët vepruan si fashistet. Fashistët i vunë flamurit tonë shpatat e Duçes, ndërsa komunustët i vunë yllin e Rusisë. Ne duhet të kemi një Shqipëri të lirë nacionaliste.

Për këto mendime më nxiste xhaxhaj im Refat Lepenica, djali xhaxhait Qemal Lepenica, kushriri im Perlat Selami, sot në vitin 1950 i vdekur dhe shoqia ime vlonjate Athina Marku që është mami në Elbasan.

Unë mendoja se Shqipëria duhet të jetë e lirë dhe të zhvillohet në rrugën demokratike, por jo në rrugën e komunizmit. Mua nuk më pëlqente diktatura komuniste, më pëlqente demokracia e tipit të perëndimit.

Simpathia për tipin e demokracisë së perëndimti më ka lindur që kur erdhën aleatët në Itali duke lexuar revista, gazeta amerikane dhe angleze të shkruara italisht dhe duke biseduar me ushtarakët e misionit anglo-amerikan dhe ndihma që ata i jepnin popullit, tek neve la përshtypje të mira për demokracinë e perëndimit. Ne kemi folur gjithmonë për ide nacionaliste për një Shqipëri të lirë, për flamur pa yll.

Kur ishja me punë në Drashovicë të Vlorës, së bashku me një shoqen time, të quajtur Liri, së cilës i ishte pushkatuar i ati, përgatitëm disa trakte ku i bënim thirrje popullit të protestonte kundër qeverisë, pasi qeveria nuk ishte njohur akoma dhe thoshim se kjo qeveri po na burgos dhe na pushkaton, por këto trakte na u zunë nga Sigurimi. Mua më morën në pyetje në Drashovic, më këshilluan dhe më liruan.

Njerëzit e pushtetit më quanin armike dhe nuk më afronin. Në gjirin e familjes nuk kam qëndruar, që kur u ktheva nga Italia, veçse si mysafire kështu që ndjenjat e mia vazhdonin të ishin kundër pushtetit të komunistëve…

 

  1. E burgosur dhe internuar prej komunistëve shqiptarë.

Bashkëpuntorët e Sigurmit të Shtetit: Xhemal Laçka, Sul Galla, ”Sifoni” dhe rezidenti ”Medicina”, që punonte bashkë me mua, më raportuan dhe mbi bazën e raporteve të tyre, më arrestun më 17 prill 1950… Pas 4 muajve në tortura, pa ushqime dhe barna, pa ndihma nga familja, u sëmura rëndë nga mushkritë. Në gjendjen e rëndë shëndetsore Hetuesia e Elbasanit me shkresën nr. 61/1 datë 3.8.1950, i shkruan Tiranës: ”Rezervoni një birucë të përshtatshme si e sëmurë për Afërdita Lepenicën…”…

Pas 6 muajve në tortura dhe vuajtje të pa fundme, Prokurori shpirtzi, kapiten Xhavit Struga në pretencën e tij më akuzoi për agjitacion dhe propogandë dhe si agjente anglo-amerikane dhe kërkoi dënimin tim me vdekje. Në atë kohë unë isha vetëm 24 vjeçe vajzë. Gjykata e përbërë prej major Rexhep Kollit, major Pilo Shantos dhe kapiten Manol Milos dhe sekretar Braho Maliqi, u tregua e ”mëshirshme” dhe më 1 tetor 1950 më dha vetëm 10 vjet burg!?

Më 12 mars 1956, pas 6 vjetëve të vuajtjes në burg, i kërkova Gjykatës lirimin me kusht, me arsyetimin se: E mbetur pa asnjë ndihmë nga familja, pasi të dy prindërit ishin pa punë, motra e madhe kishte vdekur në rrethana të pa qarta në vitin 1947, motra tjetër ishte e shtruar në sanatorium në Vlorë dhe duke qënë se vuaja nga sëmundja e mushkrive, zemra dhe azma.

Drejtoria e Sigurimit të Shtetit me shkresën nr. 990 datë 13.1.1957, i shkruan Gjykatës së Lartë: ”Gjatë kohës që vuan dënimin në burg, nuk mban qëndrim të mirë, nuk tregohet e penduar për fajin e kryer dhe se lirimi i saj para kohe me kusht paraqet rrezikshmëri shoqërore. Gjithashtu edhe qëndrimi i familjes nuk është i mirë. Kjo Ministri jep opinjonin të mos lirohet nga burgu. Zv/ministri i Punëve të Brendshme gjeneral Major Mihallaq Ziçishti”…

Jam liruar nga burgu me kusht më 15 dhjetor të vitit 1957… Në shtëpinë time në të cilën kisha qënë më tepër mysafire gjeta vetëm nënën pa pension dhe motrën Elisabeta të sëmurë nga mushkritë e cila vdiq pas dy vjetëve, në vitin 1959.

E mbetur pa punë shkova në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kërkova të ushtroja profesionin tim si mami ku të kishte nevojë. Më emruan në Hotolisht të Librazhdit. Atje mora me vete edhe nënën time plakë, e cila vdiq në vitin 1963 dhe erdha dhe e varrosa në Kuzumbaba në Vlorë atje ku ishin varrezat e familjes dhe ku ishte varrosur edhe babai im. (Arkivi MPB, F. 1, D. 5575 dhe Dosja operative 5706.)

  1. Lindja e vajzës.

Në Hotolisht të Librazhdit u martova me Eqerem Hysenbegasi dhe pas  lindjes së vajzës, më 22 korrik 1961 u ndamë. Vajzën e quajta Donata që në italisht do të thotë dhuratë nga Zoti. Donata arsimin e mesëm e kreu në Prenjas. Shkrimtarja Zyba Hysen Hysa e përshkruan Aferdita Lepenicën me këto fjalë: “Nuk mund të harroj Afërdita Lepenicën, e cila ka jetuar vite e vite në Hotolisht, në vendlindjen time. O Zot, sa tronditesha, kur edhe më të mbeturit i hidhnin vështrime përbuzëse. Po vajza e sajë? Donata! Një perëndeshë! Ajo vishej thjesht, por reflektonte një fisnikëri të fisme në fytyrë, saqë kurrë nuk kam ndeshur deri më sot një bukuri të tillë njerzore. Hante si të tjerët, vishej si të tjerët, por shkëlqente, se kishte sjellje të fisme që buronte nga origjina e saj. Bekuar qofshin nënat dhe gratë fisnike shqiptare! Vetëm ato nëna lindin dhe rritin bij e bija për të marrë në dorë frerët e drejtimit të kombit tonë të përvuajtur nga jo fisnikët”. (Zyba Hysen Hysa “Sharrajt në jetën e kombit”, Maluka, Tiranë 2012, f. 171)   

Donata u martua në Tiranë, me Petrit Gurí Selmanaj me origjinë nga Lapardhaja e Vlorës,  me të cilin pati dy vajza: Artemida e lindur më 24 qershor 1987, diplomuar për biologji dhe Alma e datëlindjes 28 shkurt 1992, diplomuar në Svicër për drejtësi, Mardhënie Ndërkombtare.

Donata kreu në Tiranë arsimin e lartë për drejtësi dhe ishte për shumë kohë juriste në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 1997, ajo refuzoi marrjen në riprovim që organizoi qeveria dhe doli në profesion të lirë, avokate, profesion që e ushtron edhe sot e kësaj dite me sukses të plotë.

  1. Saktësinë e kujtimeve të Afërdita Lepenicës dhe të aktivitetit të saj e gjeta të pasqyryar edhe në dokumentat e kohës. Po citoj disa nga këto dokumenta:

“Të lartpërmëndurat Aferdita Lepenica… kanë dalë në forma të ndryshme kryengritse, si p.sh. nuk kanë dash me vue një shirit me ngjyrat e flamurit italian, bashkë me ato të flamurit shqiptar, e kur janë detyrue, hidhnimin e tyre e kanë shfaqur në konvikt duke shkrue në gjuhën shqipe mbi dyer: “Vajza shqiptare, çohuni në këmbë për të mbrojt atdheun nga robëruesit. Duam liri! etj.”. (AQSH, F. 295, V. 1942, D.113, f. 239 )

*  * *

“Shtojmë se pesë studenteshat e përmëndura janë pjestare të Lëvizjes Komuniste Shqiptare, mbasi këtu ka pas edhe manifestime terroristike… Në komunikimin që ju bëmë më sipër lutemi me i vëzhgue me imtësi zonjushat e thëna”. (AQSH, F. 293, V. 1942, D. 367, f. 25 )

*        *       *

“Ministria e Punëve të Brendshme. Zyra Politike. Tiranë, më 26.3.1943. Kemi nderin të ju njoftojmë se Drejtoria e Institutit të Asistencës Publike në Kamerino në të cilin vazhdojnë studimet bursistët për mami të kësaj drejtorie, na njofton se për arsye politike Ministria e Punëve të Brendshme Italiane sipas propozimit  të Komandës Lokale të Karabinerisë ka arrestue bursistat znj. Mila Paço dhe Afërdita Lepenica dhe i ka internue  të parën në komunën e Esantolios dhe të dytën në atë të Fiuminatas.

Drejtoria e Institutit në fjalë nuk di arsyet e këtij arrestimi prandaj ju lutemi të kini mirësinë me intervenue ku duhet për të bërë hetimet e rastit mbi arsyet e këtij arrestimi, tue pas mirësinë që përfundimi të na njoftohet për me mujt e me vendos mbi pozitën e tyre si bursista të kësaj administrate. Drejtori i Përgjithshëm Dr. Hamdi  Sulçebe”. (AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 163,  f. 1)

*      *      *

“Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Politike, Tiranë, më 29. 5.1943. Drejtoria e Shëndetësisë, me shkresën e datës 22 të vazhduesit kërkon që të ndërmjetësohet për lirimin dhe kthimin në atdhe të tre vajzave të internuara politikisht në Itali  të cilat vazhdojnë studimet e tyre pranë Universitetit të Kamerionos për mami, emrat e të cilave janë: Hasije Janina, internue ne Kamerino, Aferdita Lepenica, internue ne Fiumanto, Mila Paço, internue në Esantolio të provincës Makerato.

Lutemi prandaj si vajza që janë të ndërmjetsohet për lirimin dhe kthimin e tyre në atdhe, mbasi familjet e tyre ndodhen të shqetësueme tuj mos pasun as ndonjë lajm për gjendjen e tyre. Shtojmë se Kryesia e Këshillit Ministror me shkresën e datës 26 dhe 30.7.1942, asht lutun të ndërmjetsojë për lirimin e tyre, por deri tash nuk asht pa të jetë kryer ndonjë veprim. Kishte me na pëlqye të kemi një sigurim mundësisht sa më parë.  Ministri” ( AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 159,  f. 35; AQSH F. 151, V. 1943, D. 21, f. 188)

         Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë të njetën shkresë ua ka drejtur autoriteteve të Kamerinos, për Aferdita Lepenicën. (AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 163,  f. 1)

*       *      *

“15.7.1943. Drejtoria e Samitit Publik të kësaj Mbretënie, komunikon që studenteve të poshtë shënuara nuk u është lejuar riatdhesimi nga autoritetet e Kamerinos: Naxhije Hila, Meropi Shuteriqi, Hasije Janina, Margarita Syko, Bukurie Muço, Afërdita Lepenica, Milla Paço. Për të shënuarat është shënuar vendi i internimit: Kuestura nr. 390, në një kohë të mëvonshme do të shihet e mundur zgjatja e kohës së internimit”. (AQSH F. 153, V. 1942, D. 227, f. 173)

*       *       *

“Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë. Tiranë, më 19.7.1943. Drejtuar Ministrisë së Punëve të Brëndshme, Zyrës Politike.

Kemi nderin t`u njoftojmë se prej tre vjetësh kjo drejtori pat dërgue me burs të vet në Bari 43 vajza për me studjue për mami. Ma von këto u transferuan  në Kamerino ku vazhduan deri sa kryen kursin tue u diplomue brenda vitit vazhdues.

Mbasi mbaruen studimet këto vajza u kthyen me përjashtim të zonjushave Afërdita Lepenica e Milla Paço të cilat janë ndalue nga kuestura lokale e internue në atë provinc, katër muaj ma parë, ndërsa zonjushat Naxhije Hila, Meropi Shuteriqi, Hasije Janina, Margarita Syko dhe Bukurie Muço u ndaluen me u kthye në Shqipëri nga autoritetet e vendit.

Të na lejohet të shënojmë se ngjarja e sipërme vë në pozitë delikate këtë administratë ndaj familjeve të tyre deri sa zgjedhja e kanidatëve ka qenë ba në bazë të raporteve të lëshueme prej zyrave lokale për sjellje të mira dhe vendbanimi tyre në Kamerino ka qenë gjithëmonë në internatin e caktuem në marreveshje me shkollën.

Ju lutem, prandaj, të keni mirësinë për një demarsh të favorshëm për lirimin dhe kthimin e tyre në atdhe. Drejtori i Përgjithshëm Dr. Hamdi M. Sulçebe” (AQSH, F. 149 V. 1943, D. I-449, f. 334; AQSH, F. 152/2 V. 1943, D. 159, f. 14, 31)

*      *      *

“Ministria e Punëve të Brendshme. Zyra Politike. Tiranë më 30.7.1943. Drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave.

Kemi nderin me parashtrue se me përjashtim të Hasije Janinës nga Berati vjeç 18, të gjitha studentet e tjera që përmënden në shkresën tonë të sipërme janë lirue dhe kthye nëpër shtëpitë e veta.

Prandaj, lutemi, bëni demarshet e duhuna që të lirohet edhe Hasije Janina studente në Kamerino të Italisë. Përfundimi të na njoftohet. Ministri” (AQSH, F. 149 V. 1943, D. I-449, f. 335)

*      *     *

“Prefektura e Vlorës. Vlorë  1943. Lista e të internuarve politik në Itali, të qarkut të prefekturës së Vlorës.

Afërdita Lepenica, e bija e Numanit, lindur dhe banuese në Vlorë, studente në Universitetin Obstertik e internueme në komunën Fiumanta, nr.13, via “Vitorio Veneto”, provinca Makerata Italia, ose Kamerino.

Qazim Kokoshi me gruan dhe të bijën e tij, lindur e banues në Vlorë, i arrestuar prej ushtrisë italiane në Mitrovic- Kosovë, më 1939. Në kohën e fundit ata ndodhen në Bergamno-Gandano Itali.

Sinan Gjoni, i biri Islamit, lindur në Tragjas, banues në Vlorë, me profesion student, i arratisur nga ushtria italiane më 1941.

Subi Hallo, i Manxharit dhe Qafilesë, Ibrahim Shyti…, Mihal Birga …, Ksenofon Zani …, Petro Marko, i biri Janit dhe Zoicës, lindur  dhe banues në Dhërmi. Arrestuar më 1941, ndodhet në Palermo Itali, Grigor Strati … “ (AQSH, F. 152/2 V. 1943, D. 159, f. 53)

*       *      *

Në propagandën antifashiste që bënte në shkollë Afërdita Lepenica është dalluar së bashku me  Xhemile Gjinishi  të cilën e nxiste Mustafa Gjinishi i vëllai me anë të letrave që i dërgonte.

(Astrit Kaziu “Legjenda Gjinishi, përballë së vërtetës”, Tiranë 2004, f. 56-59)

 III. ELISABETA LEPENICA

Elisabeta ka lindur në Vlorë, më 8 korrik 1925 dhe ishte binjake me Afërditën motrën e saj. Të dy motrat ndoqën Shkollën e Tregtare të Vlorës dhe Elisabeta duhet të jetë diplomuar në vitin 1942 apo 1943.

Tradita familjare dhe shpirti atdhetar i tre motrave do ta hidhte të gjith familjen në luftë kundër pushtuesit fashist. Ndërsa Tefta dhe Afërdita gjatë viteve të pushtimit 1939 – 1944, ndiqnin studimet jashtë shtetit në Ital dhe Zagreb, motra e tretë Elisabeta jetonte në Vlorë. Ajo ishte në vijën e parë të propogandës antifashiste. Shtëpia e sajë në qytet dhe në fshatin e origjinës, në Lepenicë, u kthye në bazë të luftës për liri. Xhaxhai saj Xhelal Hoxhaj ishte nje figurë e njohur e Lëvizjes Antifashiste, në Lumin e Vlorës. (“Historiku i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për Qarkun e Vlorës”, Vëll. I, f. 125; Shamet Gjika “Ditari i kohëve me gjëmime…”, Tiranë 2005, f.73)

Elisabeta njihej në qytet ai aktiviste dhe flamurtare e të rejave të qytetit, për përparim,  për t`i nxitur dhe bindur që të rezistonin dhe luftonin kundër fashizmit, me të gjitha format e mundëshme.

Dita e çlirimit e gjeti Elisabetën në vendlindje në Vlorë me dëshirë për të  ndjekur udhën e nënës së saj si mësuese. Për këtë ajo ndoqi në Tiranë një kurs 9 mujor dhe u diplomua si mësuese për shkollën fillore.

Pas mbarimit të kursit u emërua në katundin Vajzë dhe pas një viti u transferua në zonën e thellë të Mesaplikut ku punoi dy vjet.

Viti 1950, do të ishte fatal për familjen Lepenica. Motra e sajë Afërdita u arrestua dhe u dënua si armike e Partisë dhe Pushtetit popullor. Tashmë Sigurimi i Shtetit kishte rastin ta asgjesonte këtë familje reaksionare!

Tefta, motra e madhe ishte helmuar në Durrës, para 3 vjetëve, motra tjetër Afërdita u burgos. Nëna e sajë, mësuse Zenepja, ajo atdhetarja dhe mësuesja e përkushtuar që nga viti 1917, u pushua nga puna.

Megjithë respektin që kish populli, për Elisabeta Lepenicën, për këtë vajzë të ditur, të edukuar të bukur dhe të përkushtuar ndaj fëmijëve, e pushuan nga puna, sepse ishte motra e një armikje të popullit!

I ati Numani që nga 1 janari 1945, kishte mbetur pa punë, pa pension dhe pa triskat e bukës, pra nuk i jepnin bukën e gojës! Në këto kushte terrori e persekucioni, shpirti tij nuk duroi më, vdiq në vitin 1953, në një moshë ende të re 61 vjeçare.

Për të nxjerrë bukën e gojës për vete dhe për prindërit e sajë, Elisabeta u detyrua të punojë në bujqësi, krahas nënës së autorit të këtij shkrimi. Në vitin 1956, Elisabeta u pa se vuante nga mushkritë dhe u shtrua në sanatariumin e Vlorës.

Në kushte shumë të vështira jetese, tre vjet më vonë, në vitin 1959, ajo do të dorëzonte shpirtin e saj të bukur, në një moshë ende e re, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën.

Kështu pa asnjë faj u shua familja atdhetare e Numan Lepenicës, prej komunistët të  Vlorës.

    – F u n d –

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: DHE KOMUNIZMI, DHE TË INTERNUARA NGA FASHIZMI, TË BURGOSURA, TRE MOTRAT LEPENICA

Kosovë-AAK dhe Nisma nënshkruajnë marrëveshje

April 18, 2016 by dgreca

Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Selia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës/

-Merren vesh për inicimin e krijimit të boshtit opozitar në Kosovë/

PRISHTINË, 18 Prill 2016-B.Jashari/ Dy nga tre partitë e opozitës së bashkuar që ishte edhe me bllokime të seancave të Kuvendit e protesta, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, sipas një njoftimi zyrtar sot, merren vesh për inicimin e krijimit të boshtit opozitar në Kosovë.

“Lederët e këtyre dy partive, sot në orën 16.00, në selinë e Nisma-s, nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja mbetet e hapur për parti të tjera dhe përfaqësues të shoqërisë civile e përsonalitete nga jeta publike”, bën të ditur njoftimi i dërguar, nga AAK e Nisma.

Por, subjekti më  madh opozitar, “Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar prej AAK-së dhe Nismës të sqarojnë ‘flirtin’ me partitë në pushtet, si parakusht për të vazhduar bashkëpunimin e mëtejshëm opozitar, i cili do të manifestohej edhe me protesta”, sipas shtypit të sotëm kosovar.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ftuar e vetme protestë kundër qeverisë “së bashku me 14 maj në Prishtinë”.

“Formulimet dykuptimshe për gjoja koketimet me partitë në pushtet të ndonjërit prej nesh, as nuk janë të sakta e as nuk janë të ndershme. Kush është opozitar dhe kush është i vetëdijshëm për këtë keqqeverisje, bashkohet me 14 maj”, ka deklaruar AAK.

Një deputete që ishte e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi prej dje është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila tash ka 17 deputetë nga gjithësej  31 opozitarët në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh.

AAK sipas rezultatit të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014 kishte 11 deputetë, por tash ka 8, pasi më parë nga ky subjekt janë larguar dy deputetë të tjerë. Nisma për Kosovën ka 6 deputetë.

Filed Under: Komente Tagged With: AAK dhe Nisma, nenshkruajne marreveshje

Flota e SHBA do bashkëpunojë me aleatët për sigurimin e hapësirave të tyre aero-detare

April 18, 2016 by dgreca

Përktheu për  gazetën “Dielli”, Kapiten i Rangut të III-të Artan Malo*/

Ne nuk do të heqim dorë nga hapësira në Balltik, ne nuk kemi frikë, tha në bordin e anijes,  Komandanti  i destrojerit amerikan USS“Donald Cook”, pas fluturimit të dy avionëve sulmues rus në Detin Balltik. Në vijim Komandant Charles Hampton, i shqetësuar nga dy avionët sulmues rusë në detin Balltik, theksoi se Marina Amerikane nuk do të heqë dorë nga mbrojtja e hapësirës aero-detare të aleatëve në deti Balltik nga forcat ruse. Këto deklarata Ai i bëri në portin e Klaipedas, ku është bregëzuar Destrojeri amerikan USS“Donald Cook”. Reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me ngjarjen, nuk ka të bëjë me frikën, por me sigurinë dhe sjelljen profesionale ndërmjet forcave ushtarake ndërkombëtare në hapësirën aero-detare ndërkombëtare. Flota e SHBA do vazhdojë të bashkëpunojë me të gjithë aleatët e saj, dhe nuk do të heqë dorë për mbrojtjen e haësirës aero-detare në detin Balltik, vuri në dukje Komandant Charles Hampton, gjatë konferenës për shtyp. Gjithashtu Komandant Hampton sqaroi se, sic e keni parë në media, fluturimi ishte shumë i ulët, i shpejtë dhe i papajtueshëm  me operacionet normale të ushtrive ndërkombëtare në ujërat ndërkombëtare dhe në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Kjo sjellje e avionëve rusë është e papajtueshme me sjelljen normale ndërmjet dy marinave në kohë paqe, sqaroi Komandanti i destrojerit USS“Donald Cook”. I pyetur për shqetësimin dhe zhurmën e avionëve rusë, të cilën analistët ushtarakë e përshkruajnë këtë ngjarje si “Strafing run”, {tip pikiate sic e njohim ne}, Komandant Hampton tha se avionët ishin shumë afër anijes. Sigurisht që destrojeri USS“Donald Cook” është multifunksional, për të kryer shumë misione luftarake. Itinerari i tij ishte i saktë, sipas skenarëve që ne përgatisim  për trajnimin e ekuipazhit  Anija ka parametrat e duhur operacionalë për të zbuluar objekte të tilla disa qindra milje larg. Kështu ne i ndoqëm avionët 100 milje larg dhe gjykuam e vlerësuam situatën shpejt. Në këtë rast kundërshtimi i SHBA-ve nuk ka të bëjë me frikën, por me sjellje të sigurt e profesionale, sipas legjislacionit ndërkombëtar. Destrojeri USS“Donald Cook” është i projektuar e ndërtuar teknologjikisht për këtë lloj kërcënimi, vijoi Komandant Hampton, gjithashtu dhe ekuipazhi i kësaj anije është tepër i aftë për këto raste. Në fund Komandanti i Destrojerit USS“Donald Cook” u shpreh se ekuipazhi i destrojerit është i kënaqur që ndodhet në Lituani dhe falenderoi popullin lituanez për mikpritjen e tyre të ngrohtë.

Sqarojmë lexuesit se Destrojeri “Donald Cook”, ka vizituar dy herë vendin tonë vitet e fundit.

 

*Nga Konferenca për shtyp e komandantit të destrojerit USS “Donald Cook”, mbajtur në Portin Lituanez të Klaipedas, data 14 prill 2016 

 

Filed Under: Kronike Tagged With: Artan Malo, bashkepunim me aleatet, Flota Detare SHBA

Në vargjet e Rita Saliut lexoj historinë tragjike të kombit tim

April 18, 2016 by dgreca

Poezia e Ritës është filtër persiatjesh historike- (Agim Gjakova1)/

 Shkruan: Dr. Yllka FILIPI/

Në katedralen e Shën Gjergjit në Boston, një ditë të ftohtë dhjetori vitin që lamë pas, (me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Fan Nolit), takoj midis të ftuarish nderi, poeten dhe humanisten Rita Saliu, e cila me modestinë dhe fisnikërinë që e karakterizon, më dhuron vëllimin “Ndjenjë Perëndie”. Nga fleta në fletë, nga vargu në varg, në çdo fjalë, në çdo shkronjë, rritej në sytë e mi, skalitur e gdhendur deri në detaje, nga pena e mprehtë e poetes, imazhi i gjysmës së atdheut tim Kosovës, Zonjës së Rëndë Dardane, mbretëria autoktone e së cilës u krijua që në shekullin IV, para Krishtit, gjë për të cilën shkrimtarët antikë tregojnë se trimat e saj në çdo rast rreziku kishin si veçori faktin se hidheshin të gjithë së bashku në sulm, e po ashtu, njësoj tërhiqeshin me radhë të shtrënguara, duke mos lënë në shesh të luftës asnjë nga të plagosurit e tyre. Kjo zonjë hijerëndë, pjesë e pandarë nga trungu mëmë i Shqipërisë, gjithnjë në kërkim të lirisë dhe vetëvendosjes e ka larë historinë me gjakun e bijve të saj, prehur një pjesë në varreza masive, (gra e fëmijë midis), djegur e bërë hi shtëpi e bagëti, dhunuar e surgjynosur njerëz të pafajshëm, popull liridashës, popull të thjeshtë jetëdashës, dhe nisjen e një karvani të gjatë të mijëra familjeve në një rrugë pa kthim, natës së zezë të historisë së vetëdijes së saj.  Në brendësi kujtimet/ e një romani të kohës zezonë/ damarë mbyllur/ E shtrenjta Toka ime/ Ti je dashuria e vetme dërguar nga Zoti/ Emrin ta njoha nga koha/ e vjetër mijëravjeçare… m’u dridh shpirti nga lëngata… (Ndjenjë perëndie, po aty, fq.3)

Studiuesi Reginald Hibbert shprehet: Shqiptarët janë ndër  popujt më të vjetër të Evropës, por vendi i tyre është një nga shtetet më të reja të Evropës. Të jesh kaq i vjetër dhe njëkohësisht kaq i ri, është një farë fati i keq.*

Ç’është kjo histori? Përse ky tragjizëm në kërthizë të Ballkanit? Shtegtares shqiptarodashëse Edit Durham, “Mbretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë”2, i ka tërhequr vëmendjen madhështia dhe tragjizmi i këtij populli të lashtë, i ndodhur përballë lakmive të pafre pushtuese të Malit të Zi, Sërbisë e Greqisë. Duke depërtuar në thellësi të shpirtit dhe karakterit të popullit shqiptar ajo filloi ta ketë për zemër, e të bëhet jo vetëm një vrojtuese e mprehtë dhe përshkruese e hollë e jetës së tij shpirtërore, begatia e traditave dhe zakoneve të bukura, ngjarjet dramatike e tragjike të jetës së tij, lindjet, dasmat, vdekjet, por ajo e ndjeu për detyrë të bëhej zëdhënëse e të drejtave të tij të nëpërkëmbura, duke zhveshur në sy të Evropës së qytetëruar masakrat mbi këtë popull, edhe pse shumë dyer nuk ju hapën kurrë.

Shtegtarja shqiptare e përtej oqeanit Rita Saliu, me shpirt e zemër në Dardaninë e të Parëve e të Tashmëve të saj, verbuar nga nata e terri që zemrën ja mbushën me lot, lëshon klithma të bardha lutjesh:

 

Lërmë të shkoj në Dardani/ Që ma përflakën/ Që ma plakën/ Që ma përgjakën lakmitarët/…/ Se vetëm atje për mua hëna ndrit/…/ Toka ime ka nevojë për varrin tim / Unë për prehjen që më fal …/…/ se akrepat e orës gëlltisin jetën/ lërmë të shkoj…(Lërmë të shkoj në Dardani, fq.51

Simbolika e Hënës, mbush me dritë imazhin e atdhut, si dheu i të parëve: varri i tyre-varri im dhe anatemon me leksemat foljore të përshkallëzuara: Përflakën/ plakën/ përgjakën/ si dhe me kryeleksemën anatemuese lakmitarë- (akrepat e orës që gëlltisin jetën).  Përforcohet më tej:

Re të ngatërruara me borën e parë/ Lufta e kuajve vrapuar pas kocit/ shqetësuar më kanë/ Ku uji zjarrit i jep shpirt…/ Pastaj rreth syve mavi / prej lotëve të orëve të natës/…/ ta zbraz zemrën/ të mos e le të vuajë /…/ Çel o luleborë/ ago dhe ti, o dritë/ Se nata e terri verbuar më kanë…(Sot bora më ngrin, fq.6)

Por prapë nuk dorëzohet, mbahet fort, vazhdon të mbetet zë kumbues i Dardanisë, i Kosovës së dashur. Edhe pse frymëmarrja e lodhur skamnorësh/ Më bën të zverdhem/ Dufin ma akumulon, gjakun ma ngrin/ Por përtokë nuk bie./…/ Vazhdoj të mbetem zë kumbues… (Kuptimi i mëmëdheut, fq.8)

Përshkallëzimi i dhimbjes vjen gradualisht, kap shpesh shpërthime të parakohshme, bie në qetësi, si qielli pas furturës, mbushet sërish me re e bubullon nga dhimbja, me shpresën tek Zoti: Herë në formën e vetërrëfimit, hërë si dialog i brendshmëm, (ku zëri i heshtur i atdheut i bëhet palë), herë si lutje, herë si revoltë dhe herë si përulja e një një mëkatari të vdekshëm që kërkon thjesht një bekim për të vazhduar të ecurit e zakonshëm të popullit  të saj: Pranë meje një tufë lulesh të venitura/ Ankohen apo/ Kërkojnë frymëmarrjen e vendlindjes/…/ Çdo ditë i lutem Zotit/ Në gjuhën që e njeh bota/ Në gjuhën e Perëndive / Kam nevojë për ty/ ta shëroj më lehtë thellësinë e dhembjes. (Lutja, fq.10)

Evokohet e kaluara, dhimbja, të rënët, nderim për luftëtarët e lirisë:

…/ Duke ndërtuar ura bashkojnë brigje/ Dhe bëhën flamuj të të gjitha kohërave/

 (Luftëtarët e lirisë, fq.11)

As diktatorët më të egër të historisë gjatë kohërave të rënda historike nuk e kanë mohuar dot të drejtën për liri të popullit shqiptar të Kosovës, shkëputur pabesisht e padrejtësisht nga trungu mëmë, plagë që ende dhemb: Nga kjo luftë heroike që do të bëjë populli i Kosovës, kundër Fashizmit, kundër Merlikëve, kundër Mihajlloviçëve, do të lindë liria e vërtetë e Kosovës, liri që askush nuk do ta prekë… Këtej rrjedh bindja e patundur se s’do të ketë njeri që të guxojë të prekë lirinë e popujve dhe vetëvendosjen mbi fatin e tyre. (E.Hoxha)3

Përdorimi i njëjësimit në funksion të shumësit, tkurr portretin e përvuajtur të të gjithë kombit brenda një imazhi të vetëm, atij të Të Mjerit. Vërejmë analogjinë: Populli shqiptar-(i mjeri); Aurora (Agu i diellit, lindja e lirisë)- në Prishtinë (Kryeqyteti i Dardanisë së zërit poetik); Ai-Unë, në lidhje simbiozë,  (ai ma lexon dhimbjen), unë- kuptoj më mirë se kushdo përgjakjen e tij nga kamxhiku i lirisë: Frika mposhtjet nga heshtja; heshtja në vetvete është sfidë prej un-it tim, sfidë prej meje e dhimbjeve të tij- të të mjerit – në rrafsh universal  të popullit tim shqiptar në trojet e veta.

_________________________________________________________________________

Përtej dritareve të “Aurorës ” në Prishtinë/, ai lexon dhembjen time / Ngrihet në këmbë/ Dal jashtë e lagem në shiun e dëshpërimit/ Pse askush nuk do ta kuptojë kur tregon/ Sa i rëndë ishte kamxhiku i robërisë./ Hedh frikën prapa si shaminë bartur/ marrë heshtjen e tij qëndisë me zë/ Dhembshurie/ Barkut të uritur ja mundi dhembjet… (I mjeri, fq.12)

Poetja kalon në retorikë tronditësë më pas. I lëkundet shpresa: Por… nuk di si do ta ketë fundin i mjeri?  (I mjeri, fq.12)

Kërkon ndihmë tek Zoti, pas një intimiteti-trup-shpirt me dritën hyjnore, larg atdheut, larg njerëzve të dashur, në përpjekje të largojë vetminë.

Në shtëpinë e trupit tim/ fola me vetveten e dritën hyjnore/ Sa për ta mbytur vetminë (Mëngjes në mërgim, fq.13)

Merr forcë, rikthehet si romantikët e dikurshëm duke gjetur prehje larg brengave, mallit, dëshpërimit, në gjirin të natyrës, pranë një gurre në Marash. (Vini re përdorimin e dendur të toponimeve, duke materializuar mungesën fizike të Atdheut!) Paralajmëron ngadhnjim, lavdinë shndërron në këngë, shpresa triumfon. Nënteksti: E ardhmja do të mbushet me diell.

Te gurra në Marash një zog këndonte/ Gurgullimës së ujit Kristal/ paralajmëronte ngadhjimin/ Lavdinë duke shndërruar në këngë. (Peizazh, fq.14)

Çastet poetike, ashtu si vegimet e ëndrrës nuk zgjasin shumë. Evokohet historia e mbushur me gjak. Poetja klith në kupë të qiellit të vetvetes. E dyzuar Rita- njeri (humanizmi përthyer në lutje të vazhdueshme për vuajtjet e kombit). Rita – poete (ndjeshmëria e lartë, zbërthimi i skutave më të thella të shpirtit dhe konvertimi i lotëve të zemrës në verb):

Në kupë të qiellit thirra me vete/, Trupa të pajetë preka me shikime/ Dhe ndjeva mungesë oksigjeni/ …/ (Dashuria nuk planifikohet, fq.15)

   Simbolika e Shqiponjës konoton Kosovën, Zonjën hijerëndë, me krahë të prerë vazhdimisht. Kulla e lirisë mbulohet nga bora e dëshpërimit ndër kreshta, qielli merr flakë nga rrufetë, poetja mban frymën, truri të mos i pëlcasë.

Kudo në tokën time të lashtë priten krahët e shqiponjës/ të kësaj zonjë të rëndë/ dhe të kapitur thyer krahësh…/ nesër do të ikin njerëzit/ me krah të thyer duke u ngutur/…/ e jeta rrëshqet tinëzare/ Nga lugjet e maleve bien rrufetë/ prapa kullës së lirisë/ borë dëshpërimi zbardh kreshtat/…/ Mbi ty Zonjë…/ Përçues të tensionit të lartë/ qiellin shndërrojnë në arenë flakësh…/ Unë mbaj frymën/ truri mos më pëlcas…(Në tokën time të lashtë, fq.20)

Shpirtit poetik i mungon vatra, oxhaku, ai lutet, qan, nën ngricën e oxhakut pa zjarr dhe askush nuk mund ta dëgjojë në vetminë e largësisë ku ndodhet, djeg vetveten, rilind si Nositi në formën e lutjes, ankthit, ofshamës: vini re metamorfozën kontekstuale të dyfishtë:

  • Nga zjarr (supozohet që oxhaku të kërcasë nga zjarri bubulak) – në ngricë shpirtërore, përmallim, këngë të përlotur: Oxhaku nën hije u bë ngricë…
  • Metamorfoza e un-it poetik nga qenie humane në lutje, ankth, ofshamë: E unë jam shndërruar në lutje/ ankth e ofshamë jam bërë…

Oxhaku nën hije u bë ngricë/ larg ikëm, larg/ se vetëm shpirtin e shpresën i lamë pëng në vatër/ duke djegur vetveten/…/ As qiell, as diell/ s’na dëgjuan/ vajin, as këngën e përlotur…/ E unë jam shndërruar në lutje/ ankth e ofshamë jam bërë…(Pa titull, fq.22)

Intuita poetike sintetizohet me ndjeshmërinë e lartë të shpirtit humanist prej nga burojnë metaforat tronditëse: ditë të zverdhura, brenda zemre shtrydhur, në mure të padukshme. Forcohet panorama e errët nga similituda në vijim:

Mbi supe heshtat e luftës/ duken si ditë e zezë/…/nuk di si ta filloj vajin/ Ditët e mia të zverdhura/ Brenda zemre shtrydhur/ në mure të padukshme/… (Mbi supe, fq.24)

Në të gjithë strukturën poetike kryetërthor vëllimit vemë re konstatime rrënqethëse që kalojnë nën filtrin historik, dëshmi e gjallë e tragjizmit të jetës së kombit: Njohuritë historike mbuloi harresa; sikur të mos ishin monstrat shkatërruese/ për të na udhëhequr drejt humnerës. Kur poetja thotë marr frymë thellë, për të zënë shtratin, togu para agut, rrëzohet nëntekstualisht dhe ngrihet kokëfortë leksema shtrat. Krijohet kështu paradigma: harrësë-shkatërrim- humnerë- shtrat.

Qytete më shumë të hutuara, sesa të trembura/ nuk është vetëm ky lajm i  keq/ Njohuritë historike mbuloi harresa/ Sikur të mos ishin monstrat shkatërruese/ për të na udhëhequr drejt humnerës/ Marrë frymë thellë për të zënë shtratin para agut. (Ata, fq.26-27)

Zbërthejmë leksemat kyç në vargjet në vijim: skelete- të vdekurit- varre- shkretëtirë- të sëmurë- ura të Djallit dhe e përmbyll klithma: Klithje- A vritet miku i shtëpisë? Të kujtohet skena e përgjakur makbethiane, klithjet ”Vrasje, vrasje!”. Retorika në pyetjen a vritet miku, pasi botërisht miku është i shenjtë për shqiptarët, është një klithmë ekuivalente a vritet vetvetja, por edhe më keq se kaq, a vritet e përçudnohet shpirti? E adhmja e kombit?

Skelete të murosur/ ku i kanë varë të vdekurit të ngritur prej varresh nga dëshpërimi/ Mund të vdesim zgjuar / të vdesim në shkretëtirë/ të sëmurë nga ëndrrat/ duke kaluar urave të Djallit/ duke këlthitur/ …A vritet miku i shtëpisë? (Merreni me mend, fq.36)

Ky është mallkim! Vijojmë me leksemat përforcuese: Të mallkuar-thërrime-lot-mund-gjak. Është një itinerar pa pikëmbërritje, si një udhëtim në hapësirë drejt zhbërjes së vazhdueshme. Ajo çka mezi arrihet me mund, thërrmohet me gjak e lot.

Të mallkuar / poshtë e lart/ zemra më  bën thërrime/…/ me mall e lot/ me mund e gjak (Metropoleve të botës, fq.36)

Evokohet e shkuara heroike në vijim: Jo më kot Bajroni do të mbetej gojëhapur nga trimëria e shqiptarëve: Të rreptë bijtë e shqipes, armiku ua pa kurrizin ndonjëherë? Pa ia kthyer kujt shpinën-portretizon Rita Saliu: Zhvendosim leksemat kyç: Trimat-ballëpërgjakur-zemrat e plagosura- krushqve. Leksema përmbyllëse krushqit, është kurorëzimi i misionit final, lufta dhe vdekja, e shkuara tronditëse sfidohen nga shpresa e rilindjes së një jete të re, e ardhmja që prin!

… trimat ktheheshin nga betejat/pa ja kthyer kujt shpinën/ me gjokse e ballë të përgjakur/ Në duar mbanin zemrat e plagosura/ Derisa u prinin krushqve (Dikur, fq.38-39)

Autoren e shkrin malli për Tokën mëmë, për natyrën e virgjër: Përvëlohet e niset rrugës për në kullë, me shpresën të arrijë…Rrugës i duhet të mbrohet nga rrebeshet e kohës së egër. Konstatimi therës malli shkrin gurin i jep nota të forta tronditëse gjithë poezisë e cila e kapërcen tematikën e mallit, si mall i un-it lirik duke u kthyer në mall universal të çdo shpirti të ndjeshëm ndaj fateve kombëtare të atdheut të vet, në luftë e paqe, ndaj merr rrugën drejt kullës, me kurorën e lavdisë së kombit në krye (simbolika e shamisë së lidhur kurorë). Edhe pse e përplasin rrebeshet e kohës së rëndë, përdorimi i sintagmës foljore dua të arrij, tregon se un-i lirik është shumë këmbëngulës, i vendosur të arrijë ne destinacion.

…Fuqia e shpirtit/ përvëluar në zemër/…/natyrë e virgjër toka jonë/ largësi malli/ Kohë hapësirë/ Malli shkrin gurin/ Mbrohem nga rrebeshet / E kohës së egër/ Udhëhiqem përtej shtegut/ me shami lidhur kurorë/ Rrugës për në kullë/ Dua të arrij. (Rrugës për në kullë, fq.42)

Planet e ardhmërisë e kanë pikëprerjen tek simbolika e dasmës. Në bazën e trekëndëshit barabrinjës rri hijerëndë Jeta, në kraharorin e copëtuar të së cilës pikasim brinjën AC-Luftën dhe brinjën BC-Paqen, AC- i takon të shkuarës së errët (sa t’i shporrim të huajt) dhe CB- të ardhmes dhe shpresës ( do të bëjmë dasëm të madhe). Brinja ac- (majtas kulmit) është kryengritja, brinja bc (djathtas kulmit) është liria, porta e luleve. Në bazë rrjedh i qetë lumi Valbona, rrjedha e pandalshme e jetës. a∆b Formula e mosbarazimit a+b>c; a+c>b; b+c>a. Shuma e këndeve të brendshëm është gjithmonë 180 gradë, përqark një rrethi të brendashkruar vicioz ku shtillen, përplasën, kacafyten e bien në ujdi, në marrëveshje të heshtur e shpesh të rreme, vdekja, jeta dhe shpresa. (∠A+∠B+∠C=180), nga ku Perimetri, analogjikisht graviteti i ardhmërisë është i barabartë me shumën e tre brinjëve, pra: P = a+b+c, pra luftë + paqe + lumë që rrjedh… Në këtë formulë absurde është pagëzuar vdekja, jeta dhe shpresa e kombit shqiptar.

Sa t’i shporrim të huajt/ Do të bëjmë dasëm të madhe/ Kur kryengritja të përfundojë/ do të shihemi te porta e luleve/ Më prit se do të vij/Kur koha s’i mbyll plagët/ takohemi te lumi Valbona. Shihemi te porta e luleve (N.Kelmendit, fq.43))

Lëvizjet dhe luftërat e shqiptarëve nuk janë kryengritje “njerëzish të egjër”, kundër qytetërimit, siç e paraqesin disa, dhe as pjellë e gishtit dhe e qëllimeve të agjentëve të huaj, sikundër i prezantojnë të tjerët 4,-  do të shprehej Dimitrije Tucoviqi.

Me zërin e zemrës, aty ku fryn ky fllad i ngrohtë që pjek qershitë në muajin e tyre në qershor, shpirti poetik kapërcen male e dete, fluturon drejt qiellit të vatrës, si Marathonomaku antik i cili jep lajmin dhe vdes! Kjo është nga ato vdekjet e lumtura të mezipritura, si në shtratin e ngrohtë të nënës; Vemë re kujdesin artistic me të cilin autorja mbështjell numrat. E ka nisur numërimin kah një kohe të gjatë dhe gjithnjë i del një varr më pak, në mëmëdhe: Të mos jetë një varr më pak! Çfarë pikëllimi të thellë ka ky konstatim! Kuluaret  e botës nuk kanë asgjë mëmëdheu, përpos ëndrrave: ndaj Ibri rrjedh vajtueshëm, ata që e deshën atdheun kanë hyrë në përrallë! Lind pyetja? Po tani? Është kjo akuzë? Pamjaftueshmëri, dilemë? Qershitë piqen dhe në zemrën time, Fluturoj mbi male e dete/ për të mbërri në shtëpi/ para se malli të më bëjë shkrumb/ Ky fluturim është zë i zemrës sime/ Që nuk më lë të vdes në dhe të huaj/ Nën qiellin e vatrës sime/ Të mos ketë një varr më pak/…/ Shpirt dhe këngë nuk më lënë/ të tretem kuluareve të botës/ ku pos ëndrrave gjithçka është e huaj. (Kur vjen qershori, fq.44)

Ishte kohë e rëndë/kur njeriu vritej si një mizë/ E vetmja gjë që mund të hanim/ ishte shpresa dhe një  supë pa ujë/ Nga dritaret e errëta të shtëpive të djegura/ Nga urrejtja e atij që nuk e donim/ Numëronim arkivolet e drunjta/ që bartnin për në vorreza një pjesë tonën. (Njësoj, fq.47)

Ibri rrjedh vajtueshëm/shënon ndarjen…/ujit lulen e mallit/ Dita i ngjet natës/ Nata i ngjet korbit/gjaku i derdhur ruan kujtesën/…/Ata që mund t’i bashkonin brigjet/ kanë vdekur duke e dashur atdheun/ kanë hyrë në përrallë. (Te ura e Ibrit, fq.49)

Kuintesenca e gjithë vëllimit, në përimtimin e kujdesshëm të çdo lekseme të zgjedhur me shumë kujdes në verbin poetik, përmblidhet  brenda këtyre vargjeve: ”Shikoni zemrat dhe shpirtrat, a ka vend të vendosi apo të varë/ pak Shqipëri?/ Që të mund ta ndiejmë të gjithë?/ Zemra më çon përditë atje/”

Në vargjet e vëllimit “Ndjenjë Perëndie”skalitet me daltë të artë historia tragjike e kombit shqiptar. Filtri historik me të cilin poetja përimton gjendjet e trazuara shpirtërore janë dëshmi të gjalla të kohëve të rënda nëpër të cilat shqiptari ka vuajtur ndër shekuj, duke bërë fli bijtë e tij më të mirë, heronjtë, imazhin e të  të cilëve e kërkon sërish duke i thirrur nga largësitë për rikthim:

Ka njëqind njëmijë vjet/ Që presim kthimin e tij/…/ Gjarpëri ende na e përthekon trupin…/ …/Plagës sonë të rëndë/ I duhet dritë e diellit tuaj/ Eja para se vdekja të na sjellë tek ti … (Dedë Gjo Lulit, fq.53)

George Fred Uilliams, më 1914 do të shkruante: është tragjedi e madhe tej çdo përfytyrimi që kjo racë e madhe dhe shumë e lashtë të katandiset në këtë gjendje, e cila meriton të quhet skandal i qytetërimit evropian. Nuk është për t`u çuditur që pushtuesi otoman ndalonte çfarëdo lloj gërmimesh në tokën shqiptare që mund t’i kujtonin popullit lavdinë e tij të dikurshme.5

Zbathur e mbathur eci për ta kapërcyer veten/ majat e dëshpërimit për t’i mundur/…/Gjersa bijtë e shqipes përplasen/ Logjeve të përgatitura pas shpinë/ Mua me dridhet buza e shpirtit/ fushën e të cilit e qëllojnë rrufetë /…/ ndërsa koha ecën si brenda dhe jashtë/ me opinga në këmbë dhe këpucë në kokë/ Rrugët e atdheut mëton t’i bashkojë (Zbathur apo mbathur, fq.55-56)

Mbinjeriu për të cilin u orvat Niçja, apo trajtat e të cilit ravijëzoi Migjeni, rikthehen në poezinë e Rita Saliut në formën e lutjes hyjnore për ardhjen e një Mesie, shpëtimtarit të botës:

Enigmat na mbulojnë si retë shterpe/ të ditëve të errëta/ sëmundja është e rëndë/ Lutem të lindet një shpëtimtar (Thonë, fq.58)

Heronjtë  e të shkuarës që autorja thërret në jerm, luftëtarët e trimat ndër shekuj, do të kthehen në vargjet e Ritës në një trup  e shpirt të vetëm, tek një shpëtimtar: Lindja është rikthim, lidhorja e foljes të lindet ekuivalenton me lidhoren e foljes të kthehet.

…dhe thanë: “ Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jesus që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell”   (Veprat e apostujve, 1:11)

      Rita Saliu evokon të kaluarën e lavdishme përmes vargjeve, heronjtë, lutet përmes lotëve të shpirtit për të tashmen dhe kërkon rikthimin e heronjve si Mesia, për të shëruar të ardhmen. Lutem të lindet një shpëtimtar– nënkupton-të rikthehet shpëtimtari/ shpëtimtarët, heronjtë!­­­­­­­­­­­­­­____________________________________________________________

5 Williams-George-Fred, https://history.state.gov/…,/ PREJARDHJA E SHQIPTARËVE, 1914

… dhe pa dy engjëj të veshur me të bardha. Ata i thanë:” O grua pse po qan”  Ajo u përgjigj atyre: “ Sepse e kanë hequr Zotin Tim dhe nuk e di ku e kanë vënë ” (Gjoni 20:12,13)

Që në titull e kryetërthor gjithë vëllimit poetit, vihet re lidhja e ngushtë me fuqinë supreme, lutja e vazhdueshme Zotit:

E shtrenjta Toka ime/ Ti je dashuria e vetme/ e dërguar nga Zoti /…/ Ti je e vetmja dhuratë/ dërguar nga Zoti/…/  Të qofsha falë, O Zot! (Ndjenjë Perëndie, fq.3)

Çdo ditë i lutem Zotit/ në gjuhën që njeh bota/ Në gjuhën e perëndive (Lutja, fq.10)

Ju luta Zotit të më dhuronte/ Një mëngjes të tillë edhe në Dardani (Mëngjes  në mërgim, fq.13)

Sëmundja është e rëndë/ lutem të lindet një shpëtimtar: (Thonë, fq.58)

Shi dashurie ka rënë për ne/  vetëm 5 minuta/ sa për të njomur kujtimin për Zotin (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75)

Autorja nuk bie aspak në pesimizëm kur thotë: Shpresën e sëmurë na e prenë me shpatë/ (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75) apo: Numëronim arkivolet e drunjta/ që bartnin për në varreza/ një pjesë tonën.           (Njësoj, fq.47)

Portreti shpirtëror i kombit në vargjet e Rita Saliut, gjithnjë paraqitet me nje pjesë të gjallë dhe një pjesë të vdekur. Është si një lloj drite që mbulohet pjesërisht nga errësira dhe një lloj errësirë që përflaket hera-herës nga drita. Ky dualizim i cili e ka shoqëruar kombin shqiptar pashmangshmërisht ndër shekuj, paraqitet më një realizëm therës absurd në thjeshtësinë gjeometrike të vargut, kur poetja, ngre gishtin tregues drejt vdekjes, nis numërimin dhe vetërrëfehet: Numëronim arkivolet e drunjta/ që bartnin për në varreza/ një pjesë tonën…

Po t’i referohemi periudhës bashkëhore të ekzistencializmit mbi çështjen e besimit në vetvete, do të shohim se Marrëdhënia midis Zotit dhe individit është një përvojë unike e subjektive.(…)Vetëm një akt besimi mund ta sigurojë individin ekzistues për lidhjen e tij vetjake me Zotin. Që ai duhet të gjejë vetërealizimin e tij tek Zoti, kjo gjë bëhet e qartë për njeriun kur ai zbulon pamjaftueshmërinë e ekzistencës së tij.(…)

Sipas Kirkegard e vetmja mënyrë për të kapërcyer hapësirën midis njeriut dhe Zotit, atë dallim të pafund cilësor midis kohës dhe përjetësisë, është nëpërmjet besimit. 6

gjumin tim/… ma vodhi trishtimi / Pasi pashë kullën/ Ma kishin rrethuar ujqit…/…/ Ankthi për të ndihmuar tokën mëmë e risjell Prishtinën afër shpirtit të poetes: ky nuk është një lloj ankthi apatik që të çon në mosveprim, përkundrazi: Këtu në ferrin tonë/ nuk di si të ndihmoj/ Lisat janë tharë e braktisur/ midis tyre do të mbijë fara/ sikur të rilindin të pavdekshmit (Këtu, fq.34)

Po sipas Kirkegard, pavdekshmëria mbetet interesi më i flaktë i subjektivitetit, ku për hir të objektivitetit, njeriu e injoron interesin rregullisht. Pra, sipas kësaj teorie pavdekshmëria është zhvillimi më i lartë i subjektivitetit.

________________________________________________________________________________________________

 

Si në këngë mëshire pyesin/- a gjetët sot punë?/ Ç’ka bëtë sot për nënën e largët?/…/… Dhe më bëhet se jam në Prishtinë (Mallëngjim, fq. 67-68)

  Ç’ka bëtë sot për nënën e largët? /…/… kjo pyetje, ky ankth, e ka munduar ndër vite çdo shqiptar të vërtetë, aq sa shpesh janë habitur e befasuar edhe të huajt me solidaritetin, shpirtdhembushurinë ndaj vëllezërve të të njëjtit gjak: Shfletojmë historinë:

Në trupin diplomatic të shtetit shqiptar në Argjentinë, në vitin’81, janë dhënë disa mendime nga ambasadorët e Austrisë, Greqisë, Algjërisë, Turqisë, Belgjikës, Meksikës etj. Disa prej tyre do të shtronin pyetjen: Ku e gjen forcën Shqipëria që i përgjigjet flak më flak’ dhe me forcë Jugosllavisë, tani që nuk ka mbështetjen e asnjë fuqie të madhe?8 Diplomatë të ndryshëm në vazhdim kishin vënë në dukje se mbështetja që Shqipëria i bën kërkesës së parashtruar nga populli i Kosovës është e drejtë.

Dhe kështu më shumë kundër se pro, më shumë lakmitare se dashamirës, e kanë përgjakur, shtrydhur, zvetënuar, historinë e të parëve të këtij populli liridashës në trojet e veta të kahhershme. Por, këto krime… që i vulos lufta më barbare e më e përgjakur që i ngjason luftërave të mesjetës, “këto nuk janë vetëm përroskat e gjakut në një anë, por edhe trupat e shprishur të të vrarëve, fëmijëve të pafajshëm, grave dhe të pafuqishmëve të popullit të Serbisë së vjetër (Kosovës, Maqedonisë, Sanxhakut e deri në Nish, f.xh.),  faji i vetëm i tyre që është se i luten një Zoti tjetër, e flasin një gjuhë tjetër e mbajnë një emër tjetër dhe jetojnë në vatrat e veta shekullore… Këto krime të pafalshme nuk janë vepra të individëve nga urrejtja e tyre vetjake, por pjesë përbërëse e politikës nacionale të Serbisë, me një bindje kriminale që nëse e zhbëjmë këtë botë të pafajshme (shqiptarët pra, f.xh.) do ta heqim qafe armikun me të cilin në të ardhmen do të kemi problem” do të shprehej Tucoviq, (1881-1914) humanisti serb që kundërshtoi mizoritë ndaj popullit shqiptar dhe luftës për mbrojtjen e të drejtave universale njerëzore.9

Rita Saliu kujton me nderim figurat që dhanë dritë për kombin me punën e tyre: largimin e netëve të zeza, mjegullave, ardhjen e lirisë:

…/  Me bardhësi shkruante historinë/ Për të mundur natën kob të zezë/ Mjegullën për ta përzënë horizonteve/…/ Dhe shpirt i shqipes ishte në secilën stinë…/ S’e përkulën stuhitë/ as furtuna e kuqe s’e plandosi dot/ me një kryq të thyer në gjoksin e djegur/…/… erdhi deri te kjo kohë lirie. (Kalorës i bardhësive, Prof. Mark Krasniqit, fq.69)

Poetja ndien dhembje dhe krenari, për ikjen e hershme të poetit Ali Podrimja, Kudo në tokën që e rriti/ ka rënë dhimbja si nata e zezë/…/ për të dalë nga pylli i zi  i mërzisë/ ……Vetëm ai nuk rrëzohej kurrë/…/edhe kur bënte mot i lig/ edhe kur binin rrufetë (fq.71-72)

Në filtrin e persiatjeve historike, poetja përmes dëshpërimit të thellë kujton Gogotën, gjakun që u derdh: Deri në asht zhveshim dëshpërimin/…/ shpresën e sëmurë na e prënë me shpatë/ Në Golgotën që ndërtuam për kohën e sëmurë/…/derisa koha e paturpshme pret shiun e gjakut tonë të bie/…./

Pohimi dhe pranim i heshtur i dhimbjes në tokë të huaj: Duket se shi dashurie ka rënë për ne / vetëm 5-minuta/ sa për të njomur kujtimin për Zotin/…/… në një fushë të huaj (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75)

_________________________________________________

 

Shpirti poetik ngërthehet fort pas trupit, duke e detyruar ta shkundë dhimbjen personale, te veshë zhgunën e rëndë të dhimbjes së kombit, ta mbartë atë zvarrë mbi supe, duke u përpjekur ta degdisë në humnerat e thella të së shkuarës, për të hedhur dritë në tunenet ku e ardhmja, se s’bën do të agojë: Rozhaja…/ është ende e njomë/ se frymon e rritet me frymën e vet… (Degë e këputur, fq.78)

Poetja portretizon flamurin mbarëkombëtar të Shqipërisë Etnike. Ky nyjëtim gjeografik brenda krejt hapësirës eteriko- subkonshienciale përfshin në kohë e në hapësirë, vetëdijen, universin simbolik të lirisë së shqiptarëve në shekuj:

Të ëmbël të gjej në Prishtinë/ më të bukur të takoj në Vlorë/…/ashtin e kujtimeve duke ma veshë me buzëqeshje/si me fustan të ri/…/ se pa ty më vret vetmia/ siç vret rrufeja një rrap të vetëm në fushë…(një e djeshme e afërt, flamurit, fq.80-81)

Risjellim në kujtesë fakte historike: Në marrëveshjen afatshkurtër të Mukjes (…) në formulimin që përmend kufijtë e vitit 1913, u zëvendësua me shprehjen “Për Shqipërine Etnike”. Në dokumentin përfundimtar nuk u përmend fjala Kosovë, por Shqipëri Etnike, dhe veç kësaj kjo të parashtrohej me dy-tre rreshta, tue e mbështetë në hartën e Atlantikut. 10

Është në subkoshiencën e çdo shqiptari të vërtetë ëndrra e brishtë e njësimit të trojeve të të parëve, trojeve Ilire, pjesët dërrmuese të të cilave kanë rënë pre e sulmeve të lakmive të të huajve.

“O, i njoh mirë unë shqiptarët”-u hodh e tha një zonjë, “janë ca njerëz  të çuditshëm me sy të kuq e flokë të bardhë”11

 (në anglisht përdoret fjala “albino*, që do të thotë abrash dhe prandaj trajtën angleze “albanians” për shqiptarët ajo grua e ngatërron me “albino”)

Mirëpo, Edith Durham, bashkëqytetare e zonjës në fjalë, do të shprehej për shqiptarët e veriut: Jeta e njeriut është e lirë, shumë e lirë. I thatë e i thantë, gjithë muskuj të fortë dhe i shkathët si panterë, shqiptari ecën me hap të gjatë e të lehtë, pa bërë zhurmë, sepse në këmbë ka opinga lëkure të lehtë, të cilat u puthiten shkëmbit, kur ai ngjitet lart… 12 Në imazhin e saj shqiptari ishte një krijesë që i donte majat, lartësitë, që ngjitej gjithnjë lart! Aty ku fle liria!

Emri Albanian që përdorin anglezët për shqiptarët vjen nga emri i një fisi ilir, Albanët, me të cilin lidhet edhe trajta “Arbërit”. Ndërsa emri “shqiptarë nuk lidhet me shqiponjën, por me ndajfoljen “shqip”, që gjatë mesjetës së vonë nisi të shënontë gjuhën shqipe e më pas edhe popullsinë që e flet këtë gjuhë. Nga kjo rrënjë vjen si emërtimi i shqiptarëve, ashtu edhe i vendit të tyre, Shqipërisë.

Vijojmë me konstatime filozofike në dialogjet dhe ngërçet me vetveten, mbi mallin, dhimbjen, këngën e nënës andej nga parajsa, si për të mbuluar me një garniturë të hollë drite, tragjizmin e brengës së popullit më të lashtë të Ballkanit: Çdo mëngjes në drekë, në darkë/ më lag shiu i dëshpërimit/ pse s’arritëm të jemi gjithmonë në atdhe/ të peshonim sa guri në vend të vet (Sonte me lag shiu i kujtimeve, fq.82) Më tej: Dëshirat, ëndrrat, ankthi/ na pështillen rreth qafe/ si gjarpri…/…/mërgimi na merr pas vetes e na nxjerr në breg mbuluar me dhembje… (Sot e gjithmone, fq.86) Si edhe: Të ikë gjumi nga ngërçet e natës/ këtu do rri dhe pak/ për të qenë gjallë/ të dëgjoj këngën e nënës /andej nga parajsa…(Ëndërr dritëruese, fq.89)

63- poezitë e vëllimit “Ndjenjë Perëndie”  të poetes dhe humanistes Rita Saliu janë 63-pika gjaku të derdhura nga shpirti për atdheun e të parëve, duke përflakur kujtimin e të rënëve, mallin dhe dhimbjen, dashurinë hyjnore për Dardaninë ilirike. Në çdo varg skalitet më daltën e artë të dritës portreti i Kosovës, Zonjës së rëndë Dardane dhe i bijve të saj të cilët, as rrufetë dhe as plumbat e hasmit nuk i mposhtën dot. Filtri historik i kohëve të rënda brenda absurdit të fateve tragjike të kombit, përndrit për më se një shekull luftën, të rënët, shpërnguljet, mallin, ashtin, lirinë dhe antihumanizmin famëkeq të  dyndjeve barbare të kohërave moderne mbi popullin liridashës shqiptar, si edhe vuajtjet e vazhdueshme të heroit lirik, (amaneti i patretur i të parëve të mërguar), për të sendërtuar ëndrrën mbi Të.

Besoj se edhe këtu në mërgim / Do ta sendërtoj ëndrrën për të.                                                        ( Ç’është kjo?, fq.50)

Vargjet e poetes kanë zë të lartë dhe pyesin se cila është e ardhmja e këtij Dheu 13.

 13 Musa Jupulli, Paris, Rita Saliu, NDJENJË PERËNDIE, po aty, fq.94

 II- Rita Saliu, poetja që shëron trëndafilët  e dhimbjes së atdheut/                 

Duke i lexuar poezitë e Rita Saliut bindesh, se në hapësirën tonë shpesh jeta ishte e qëndisur me pikla gjaku.-

(Ali Podrimja 14)/

Simbolika e Trëndafilëvë të Kuq në vargjet e Rita Saliut merr konotacione gjithëpërfshirëse brenda filtrit poetik të vëllimit “Ndjenjë Perëndie”.

Trëndafilat me shekuj kanë qenë pjesë e dhuratave dhe kanë simbolizuar apo shprehur ndjenja të ndryshme në komunitetet e mbarë botës, simbolika e tyre ka qenë në kombinimin e numrave edhe të  ngjyrave.Trëndafilat e  kuq janë simbol tradicional i dashurisë dhe  një mënyrë e denjë për të të thënë “të dua”, dikujt të shtrenjtë për ty. Simbolika zgjerohet më tej me zbehjen e ngjyrave, si simbol i mirësisë dhe elegancës, pafajësinë dhe pastërtinë, i nderit, nderimit, kujtimit. Shpesh me energjinë e tyre flakëruese, janë mishërim i dëshirës, entuziazmit, pasionit, emocionit e romancës së zjarrtë.

Semantika e simboleve kryesore: Lulja, kulla, vatra vërehet si një trinom, konceptim polivalent i simbolit bazë – trëndafilit. Polisemantika e niveleve të kodit poetik të çon realisht në një sinkretizëm konceptimesh : Trëndafilët në thelb janë kopshti i virtyteve, i lumturisë, i ngadhnjimit. Nisur nga kjo, simbolika disashkallëshe e trëndafilit në vargjet e Ritës, nuk lidhet thjesht me përsosmërinë, mirësinë, bukurinë, ndriçimin e ndjenjës, arsyes, dëlirësinë, por me dhimbjen, pikëllimin, mallin, vuajtjen (e të vuajturit), brengën, pasi brenda këtij vëllimi, trëndafilët rriten në tokën e ftohtë dhe janë ende të paçelur.

Trëndafili evokohet shpeshherë drejtpërdrejt si simbol i shpirtit poetik : trëndafili është shpirti i trazuar poetik. Përgjithësisht në opozicionin midis jetës dhe vdekjes, ai dekodifikohet si shenjues  i lirisë, por në krahun tjetër të përjetimit, ngërthen  nëntekstin poetik të dhimbjes. Pra kjo kundërvënie kontekstuale jetë-vdekje; liri-dhimbje; midis tyre do të forconte marrëdhënien midis dashurisë për atdheun e të parëve dhe  mallit për vatrën, kullën, duke bartur konceptet humaniste të idealit poetik, të përmbysjes, kundërvënies, e në kahun tjetër, të shpresës për ardhmërinë e ndritur të kombit: Polisemantika e trëndafilit të Rita Saliut, përftohet mbi bazën e sinkretizmit filozofiko – estetik; bart kumte të shpresës, ëndrrës, jetës së lirë të popullit shqiptar në trojet e të parëve të vet. Trëndafili  nuk shfaqet si shenjues i së bukurës, i ditëve të lumtura, i haresë, gëzimit, dritës. Trëndafili paraqitet në raporte opozicionale, si marrëdhënie midis luftës dhe paqes: Në këto kontekste polidimensionale, trëndafili merr vlerë të fortë simbolike unikale, ndaj strukturat poetike ku mbruhen idetë poetike, paraqiten të ngarkuara emocionalisht. Nyjëtuar sipas këtij pikëvështrimi trëndafili nuk shfaqet thjesht si simbol i mirësisë njerëzore që është e mundur të të shpjerë te shkalla e përsosmërisë në trajtën e lumturisë, por: si detyrë, obligim kombëtar, patriotik, e vetëflijues, ku shkrihet e shkuara, historia e kombit, e tashmja dhe ardhmëria në një trup e shpirt të vetëm, ashtu si kërcelli më rrënjën:

____________________________________________________________________

Dua t’i shoh trëndafilat/ me rrënjët thellë në token e vet… (Sa dua të jem atje,fq.16) – klith poetja!

Rrënja (thellë në tokë), e shkuara (e padukshmja vizualisht) – shpirti. T’i shoh trëndafilat (e dukshmja, trupi, dëshira për ta parë kombin të lumtur).

Trëndafili në simbolikën e Rita Saliut, e kapërcen nocionin e simbolit estetik dekorativ duke qenë i ngërthyer në konceptime filozofike që janë të lidhura me vertikalitetin e kodit poetik bashkëkohor, me thellësinë e mistikës së filozofisë së tij.

Poetja di të konvertojë konvencialitetin, figuracionin dhe fjalorin e poezisë folklorike, (rrafsh domethëniesh i kapërcyer në nivel bërthamash konotative), në një ligjërim të përsosur simbolik të vargut modern.  Trëndafili së bashku me kullën shkrihen në organizimet lirike duke u bërë bosht në krijimin e simbolikës filozofike. Ai përfshihet në konceptimet e jetës, vdekjes dhe të kohës të cilat janë jo thjesht si ndikim i misticizmit të traditës gojore dhe të burimeve filozofike të saj, por dhe si tipar unikal i poezisë. Trëndafili si simbol artistik rimodelohet në poezinë e Ritës në përqasjet midis jetës dhe vdekjes në funksion të “triumfit, ngadhnjimit mbi të djeshmen e rëndë të jetës së kombit”. Trëndafili rimodelohet në një tjetër trajtë;

  1. në trajtën e qershive të mallit për atdheun: Qershitë piqen edhe në zemrën time/…/ para se malli të më bëjë shkrumb (Kur vjen qershori, fq.44)
  2. Shkaku për pasojen: trëndafil- analogjikisht pranverë: Atje ku pranvera u kthye në këngë (Lërmë të shkoj në Dardani, fq.52)
  3. Zjarr malli, rrëzim e ngritje, rrënjë e degë dy mijë vjeçare, amanet për t’i ruajtur  e rritur: Tash e një shekull/ tash e dymijë vjet/ rrënjët për t’i ruajtur, degët për t’i rritur (“Dielli” dhe “Vatra”, fq.64) 
  4. në trajtën e pemës së lashtë të lavdisë, ku degët rëndohen nga lotët e nënës: Kur te pema e lashtë takoja lavdinë/ dhe pastroja sytë me lotët e nënës (Pejzazh, fq.14)

      Në përsiatjet filozofike trëndafili nuk shfaqet thjesht si simboli në kërkim të lumturisë shpirtërore individuale. Trëndafili simbolizon përsosmërinë, ndërsa rrënja tek ai është pragu i fundit tokësor në shkallën qiellore (kërcelli, trungu), për të arritur tek përsosmëria, gjuha e Perëndisë, Zoti. Po të thellohemi në mistikën e trëndafilit, trëndafil i paçelur (stinë e ftohtë-Toka) dhe analogjikisht trëndafil i çelur (Kopshti i parajsës, Qielli, Zoti) si simbol metafizik, bartës të së fshehtës së tharmit ngjizës: Zot-Njeri. Analogjikisht na vjen ndër mend panteizmi naimjan i cili e sheh zotin të shkrirë kudo dhe i shërben konceptit të shkrirjes në gjithësi me sublimen, madhështinë e krijuesit, modelin simbolik të parajsës- trëndafilishtë të poetit e cila, estetikisht shëmbëllen shkrirjen e parajsës hyjnore me atë tokësore. Ndërsa, po t’i referohemi Kantikut të Kantikëve hyjmë fare lehtë në parajsën e luleve, trëndafilit, zambakut, arave me grurë dhe të vreshtave e kopshteve me shegë e mollë, gazelave e kaprojve, të bukurisë fizike dhe shpirtërore të dy të dashuruarve në malet e aromave.

Kënaqësia ime është përmua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit. (1:14)

Unë jam trëndafili i sharonit, zambaku i luginave (2:1)

Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave (2:2)

I dashuri im është imi, edhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve (2:16)

Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjakë të gazelave, që kullosin midis zambakëve. (4:5)

Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte… bimë…kanellë, temjan… aloe. Ti je një burim lulishtesh, pus ujërash të freskëta (4:13, 14,15)

Shokë hani, pini, po dehuni, o të dashur (5:1)

Buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët (5:13)

Barku yt është tog gruri, i rrethuar nga zambakë (7:2)

Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës…qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve (7:7,8)

… se vreshti ka lëshuar lastarë…, nëse kanë çelur lulet e tij dhe nëse shegët kanë lulëzuar…(7:12)

Të kam zgjuar nën mollën ku nëna jote të ka lindur, të ka nxjerrë në dritë. (8:5)

Hyra në kopshtin tim… o nusja ime, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim.

Në vargjet e Rita Saliut, trëndafili i sharonit biblik, vera e mjalti, zambaku i luginave, pusi i ujërave, gazelat, mjalti, vera,  qumështi,  janë shëmbëlltyrë e përthyer kontrastuese e trëndafilëve të kuq të paçelur, gonxhes që pret të çelë, kopshteve të venitura, mungesë e dukshme lulesh, luleborash, zambakësh, lulesh janari, zogjsh, buzë lumbardhit, Valbonës, Ibrit, qershish, humnerash e lugje malesh, tokë e blertë e përflakur, qiell e arenë flakësh, pasione engjëjsh, kurorë ullinjsh, fije bari, shegë në vjeshtë, gotë vere e papirë, lisa të tharë, rrape të moçëm të vrarë nga rrufetë:

Çel o luleborë/ago dhe ti o dritë (Sot bora më ngrin, fq.6)

…një lule në verandë…/ lule që frymojnë shqip (Kuptim I mëmëdheut, fq.8)

… një  tufë lule të venitura ankohen…(Lutja, fq.10)

Ata duhet t’i lini të lirë si zogjtë (Luftëtarët e lirisë, fq.11)

Gonxhe që pret të çelë/ fushave të blerta të lirisë (Mallëngjim, fq.67)

Vetëm në një fushë të huaj/ ku gurë nuk ka, po s’ka as lule. (Vegim, fq.750

Me zjarr të kuq e flakë të zeza/binin mbi tokën time të blertë (Kalorës i bardhësive, fq.69)

Buzë lumbardhit zgjohet qyteti/ te gurra në marash një zog këndonte (Peisazh, fq.14)

Ajo (dashuria) Mbin livadheve të shpirtit (Dashuria… fq.15)

Dua t’i shoh trëndafilët/ e lulëzuar… (Sa  dua të jem atje, fq.16)

Pranverën të na  e përtërij, bukurinë me lule Janari/…/ As dashuria, as kujtimi që ruan dhembjen/ s’i bën të çelin trëndafilët e kuq (J.G, fq.19)

Shpirti im është krijuar/ për të dashuruar /me pasionin e engjëjve (Gjithmonë, fq.28)

Kurorën e ullinjve kërkova/ lulet e freskëta/…/ t’i mbledhim shegët në vjeshtë /…/ përkedhela çdo mur e gur/ çdo fije bari/…/Tok këndova bashku me ju/me një gotë verë të papirë…(Ballëdjersiturit, fq.30)

Lisat janë tharë e braktisur (Këtu, fq.34)

Pa ty më vret vetmia/ siç vret rrufeja një rrap të vetëm në fushë (Një e djeshme…, fq.81)

Lulet e kuqe të flamurit/zambak i bardhë i dashurisë

Do të bëjmë dasëm të madhe…/…/ do të shihemi te porta e luleve…/takohemi te lumi Valbona (Shihemi…, fq.43)

Qershitë piqen dhe në zemrën time/…/ para se malli të më bëjë shkrumb (Kur vjen qershori, fq.44)

Ibri rrjedh vaitueshëm/…/ujitë lulet e mallit (Te ura e Ibrit, fq.48)

Ngjyra e kuqe e trëndafilëve biblikë është zjarr, pasion, dashuri, lumturi, ngjyra e kuqe e trëndafilëve të Ritës është Odiseja e kombit shqiptar, e stërpikur  me gjak. Kërkoj liri shpirtërore/ Odise Kombëtar/ me mund e gjak, (Metropleve të botës, fq.37) – konstaton poetja.

Dhëndurët e nuseve në vargjet e Rita Saliut, shtatderdhur e të bukur si në Këngët e Solomonit biblik, kthehen nga beteja me gjoks e ballë të përgjakur, në dorë mbajnë zemrën e plagosur tek i prijnë krushqve…

Gratë e fshatit habiteshin/ duke shikuar nëpër bira të gardhit/sytë e tyrë të shqiponjës/ shtatin e tyre të derdhur/ harronin kurorat, harronin fëmijët në djep/…kuleçët e nuseve i merrnin fëmijët/ si rrotat i rrokullisnin nëpër pluhur/…/ trimat ktheheshin nga betetjat/ pa ja kthyer kujt shpinën/ me gjokse e ballë të përgjakur/ në duar mbanin zemrat e plagosura… (Dikur, fq.38-39)

Shpirtin e të dashuruarve biblikë e godet zjarri i dashurisë, shpirtin e poetes e godasin rrufetë:

… derisa mbështetem te rrapi i moçëm i shpresës/ Mua më dridhet buza e shpirtit/ fushën e të cilit e qëllojnë rrufetë (Zbathur…, fq.55)

Mbërritja në nivelin e përsosmërisë si qëllim i ndriçimit filozofik. Shkak bëhet vuajtja, vetësakrifikimi: Dashuri e përsosur /është ajo që nuk na le/ të jemi të lumtur (Dashuri e përsosur, fq.61)

Në kantikun biblik, parajsa është qiellore, hyjnore tek imazhi i lumturisë së nuses dhe dhëndrrit, ndërsa në vargjet e Ritës parajsa tokësore përflaket veç në ëndërr me imazhin e nënës:

… të dëgjoj këngën e nënës/ andej nga parajsa/ më puthi në ëndërr…(Ëndërr, fq.89)

Ngjashmëria është misioni atdhetar, patriotik: Ajo: Unë ju lutem shumë o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë t’i thoni? I thoni që jam sëmurë nga dashuria. Çfarë ka më tepër i dashuri yt, se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, që përgjërohesh kështu? (5:8,9)  Pikëllimi i ndarjes së dhëndrrit nga nusja: (Ai): Unë zbrita në kopshtin e arrave për të parë bimët e blerta të luginës, për të parë nëse hardhitë ishin në lulëzim dhe shegët kishin bulëzuar. Nuk e di se si, por dëshira ime më vuri mbi qerret e popullit tim fisnik (6:12, 13) 

E unë jam shndërruar në lutje/ankth e ofshamë jam bërë/ drejt diellit e qiellit. (Pa titull, fq.22)

Shkak poetik i krijimit të modeleve në të cilat poetja bart këtë përpjekje për të synuar të pakapshmen, të paarritshmen, është Zoti :

Të qofsha falë o Zot, (Ndjenjë Perëndie)fq.4

 Çdo ditë i lutem Zotit (Lutja, fq.4)

Ju luta Zotit/ të më dhuronte/ një mëngjes të tillë edhe në Dardani,  ( Mëngjes në mërgim, fq.13)

 Sytë e shpirtit dhe duart e zemrës/ kam drejtuar nga qielli, nga Zoti.(Pak diell lirie, fq.17)

Ankth e ofshamë jam bërë/ drejt qiellit e diellit (Pa titull, fq.23)

Këtu vemë re se Zoti është i pranishëm edhe në mungesë! Sa herë na vjen ndër mend Zoti ravijëzohet në mendje drita hyjnore, drita e përjetësisë e nyjëtuar në dritë shpirti, diell lirie, ajër në fluturim:

Sa dua të jetë sot ditë me diell (Kujtim takimi, fq.5)

T’u bëhet dritë, t’u shërojë plagët (Dashuri e përsosur, fq7)

 Pak diell lirie… trimave (Sa dua të jem atje, fq.16)

 Se vetëm atje për mua hëna bën dritë/ se për mua dielli vetëm atje lind…(Lermë të shkoj në Dardani, fq.51)

Duke pritur diellin dritëdhënës /…/ plagës sonë të rëndë/ I duhet dritë e diellit tuaj (Dedë Gjo Lulit , fq.53)

 Derisa shekujve zgjat vajtimi/shpirti i bëhet dritë të mirës (Mendja, fq.57)

… të bëhem dritë t’u shëroj plagën, (Dashuri e përsosur, fq.61)

 Kullë prej drite “dielli” (“Dielli” dhe “Vatra”, fq.63)

 Me dritën e mendjes ta mundte errësirën e huaj (Kalorës i bardhësive, fq.69)

 Diell bëhet, dritë u dhuron horizonteve (Degë e këputur, fq.79)

 Dua të bëhem ajër/ të fluturoj bashkë me ty. (Një e djeshme e afërt, fq.80)

Ndjenja dhe sakrifica merr atributet e përjetësisë: Fuqitë magjike janë atribute që e veçojnë shpirtin si ritual, drejt komunikimit me Zotin, që siguron edhe pastrimin e individit, mbërritjen në nivelin sakral, të pastër. Në stukturën poetike përveçohet estetikisht “ekstrakti” purifikues, shpirti i sakrificës sublime: Trinomi Trëndafil- Zot- Parajsë:

Largohem në agim…/…/Një ndjenjë e furishmë më merr në tokë për në parajse/ shpirti im është krijuar për të dashuruar me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve (Gjithmonë, fq.28)

Apo: Do të ndërtoja një shtrat parajse (Në shtëpinë e pleqve, fq.60)

Shumëfishohen kështu dimensionet filozofike të kuptimeve të tyre. Trëndafili si kryesimbol, përçues i mendimit e i frymëzimit mistik, thërrmon mikroorganizmat poetike të cilat mbartin  të fshehtën e së përjetshmes (rrënja), të komunikimit të botës së djeshme (varrit, vdekjes) me botën e sotme (të gjallët, shpresa).

Hijet dhe përthyerjet e dritës në brigjet konotative të simbolikës së trëndafilëve parë në vetvete:  Nga poezia : Sa dua të jem atje

Dua t’i shoh trëndafilat/…/ me rrënjë thellë në tokën e vet/ duke sfiduar terrin e mërzisë/ këtë jetë të stërmunduar/ ta kthejnë në buzëqeshje/… Sa dua të jem atje/ ku me sy të blertë më përpin toka ime/…/ Sfidohem nga skena tmerri/…/ të moteve të këqija/ që nuk mbaruan as këtë shekull/…/ Midis njerëzve të mi/ Atdheut për t’ia hequr terrin/ Muzgjet për t’ia varrosur../  …/ Për hir të nënave zemërbardha/ mbuluar me pelerinën e zezë të robërisë/ Sytë e shpirtit dhe duart e zemrës kam drejtuar nga qielli, nga Zoti/ Për të gjallët lutem/ për të rënët nderim/ …/  Natë e ditë kacafytem/ me vdekjen e parakohshme/…/ Pak diell lirie duke na dhuruar/ Trimave që as tradhtia/ as vdekja s’i qëllon. ( fq.,17)

Trëndafili  (me rrënjë thellë në tokë) – lashtësia, autoktonësia, autenticiteti i vlerave kombëtare: Rrënja-guri i themelit, pavdekësia; Trëndafili-përpjekje për të mposhtur terrin, stërmundimin e jetës, skenat tragjike, motet e rëndë;

Dua t’i shoh trëndafilat/…/ me rrënjë thellë në tokën e vet/ duke sfiduar terrin e mërzisë

  1. trëndafili -buzëqeshja, hapja e gonxhes që përpiqet t’ i buzëqeshë qiellit, jetës në vazhdim;

këtë jetë të stërmunduar/ ta kthejnë në buzëqeshje/… Sa dua të jem atje/ ku me sy të blertë më përpin toka ime/…/

  1. trëndafili- dëshira për heqjen e territ të atdheut, varrosjen e muzgjeve;

Sfidohem nga skena tmerri/…/ të moteve të këqija/ që nuk mbaruan as këtë shekull/…/ Midis njerëzve të mi/ Atdheut për t’ia hequr terrin/ Muzgjet për t’ia varrosur../  …/

  1. trëndafili, zemra e bardhë e nënave- anatemues i pelerinës së zezë të robërisë; …/ Për hir të nënave zemërbardha/ mbuluar me pelerinën e zezë të robërisë
  2. trëndafili – shkalla qiellore që bën lidhjen Njeri-Zot, petal i lutjes; Sytë e shpirtit dhe duart e zemrës kam drejtuar nga qielli, nga Zoti/ Për të gjallët lutem/ për të rënët nderim/ …/
  3. trëndafili – sakrifica për mohimin e natës, vdekjes së parakohshme; …/  Natë e ditë kacafytem/ me vdekjen e parakohshme/…/
  4. trëndafili – shpresa, malli i lirisë; /…/ pak diell lirie duke na dhuruar/
  5. trëndafili – përjetësia e lavdisë së heronjve që ranë për lirinë e atdheut. Trimave që as tradhtia/ as vdekja s’i qëllon

Siç e pamë edhe më lart, Simbolika e trëndafilit zgjerohet e përshkallëzohet me simbolikën e kullës, vatrës dhe me simbolikën e shamisë së bardhë të nënave:

Nënat nuk i lenë të qeta/s’u lënë shami të bardha në kokë/…/ njërk të vetvetes/ kemi mbetur/, larg kullës, larg vatrës/ që na pret brigjeve të dhembjes/…/ Si të ta jap fjalën/ as e gjallë, as e vdekur/ ende bën stinë e ftohtë/ s’i bën të çelin trëndafilët e kuq. (Jusuf Hërvallës, fq.18)

Trëndafil i paçelur– rreze shprese bllokuar nga retë në horizont. Shamia e bardhë (në mungesë) – dhimbja shpirtërore e nënave për bijtë e humbur;

Nënat nuk i lenë të qeta/s’u lënë shami të bardha në kokë

Kulla (largësia, malli), vatra, (largësia, malli)- breg i dhimbjes në stinë të ftohtë;

 njërk të vetvetes/ kemi mbetur/, larg kullës, larg vatrës/ që na pret brigjeve të dhembjes/

Në pritje të çelin trëndafilët e kuq– në pritje të realizimit të ëndrrës, shpresës, (Bac’ u kry!) Si të ta jap fjalën/ as e gjallë, as e vdekur/ ende bën stinë e ftohtë/ s’i bën të çelin trëndafilët e kuq.

                              Përsiatjet filozofike rreth nomit të shndërrimit:

Këto janë lirika ku zhvillohen “përsiatjet rreth nomit të shndërrimit” (J.Bulo).15

Sipas këtij këndvështrimi analog, le të hedhim dritë mbi trajtat e shndërrimit të simbolit-bazë. Trëndafili shfaqet në një tjetër formë, si dru i moçëm, rrapi historik ku mbështetet shpresa, apo ku bien rrufetë, në ishullin e banuar me njerëz, nga ku: Liritë janë hyjnore-thotë poetja (Mendja, fq.57)

Eci për të kapërcyer vetveten/…/derisa mbështetem te rrapi i moçëm i shpresës (Zbathur apo mbathur, fq.55)

Vijojmë: se pa ty më vret vetmia/ siç vret rrufeja një rrap të vetëm në fushë (Një e djeshme e afërt, fq.81)

Simbolika e trëndafilit përcjell domethënien e shkrirjes së trupit me shpirtin, trëndafili bëhet përçues i tokësores dhe hyjnores, vdekjes dhe ringjalljes; përmes ngritjes, shkrirjes, mallit, baltës, dhe rilindjes sërish. Tashmë nga trëndafil në njeri, në forcë e zë njerëzor, human:

Jam çelur/ nga aty, shoh botën time (Kuptimi i mëmëdheut, fq.8)

_______________________________________________________________

15 Jorgo Bulo,  TIPOLOGJIA E LIRIKËS SË NAIM FRASHËRIT, Akademia e Shkencave,Tiranë 1999

Nga trëndafil (i zverdhur) analogjikisht në: ditë të zverdhura, ikje në pakthim:  Nuk di s’i ta filloj vajin/ për ditët e mia të zverdhura (Mbi supe, fq.24)

Zbritja në nivel tokësor të semantikës së trëndafilit si prirja e përgjithshme e strukturave poetike me vargje të lira, të thyera, konotative e filozofike, bën që tashmë të përgjithësohet lulja si simbol. Ajo shenjon bukurinë e paqes në përgjithësi, pranverën e jetës ( “lule në verandë”), por dhe të dhimbjes, dufit, gjakut, rrëzimit, vjeshtës ( “më bën të zverdhem”), e ringritjes përsëri më tjetër forcë(“por, përtokë nuk bie”), në mjaft raste duke krijuar marrëdhënie semantike kontrastuese, në pranëvënie të tilla si:

Forcë më jep një lule në verandë/lëvizja e petaleve imiton jetën/ edhe pse frymëmarrje e lodhur skamnorësh/ më bën të zverdhem/ dufin na akumulon, gjakun ma ngrit/ por përtokë nuk bie. (Kuptimi i mëmëdheut, fq.8)

Nuk ndosh si në trashëgiminë e lirikës popullore, poetja e risjell trëndafilin si desakralizim, një lloj çshenjtërimi e transformimi në simbol të dhimbjes, mallit, shpresës së munguar, që në fazën njomëzake shfaqet në trajtën e gonxhes, që pret… të çelë:

Gonxhe që pret të çelë/ fushave të blerta të lirisë/…/ derisa ujin ja përtërij me lot (Mallëngjim, fq. 67-68)

Me zjarr të kuq e flakë të zeza/binin mbi Tokën time të blertë (Kalorës i bardhësive, fq.69)

… Simbolika e këtyre luleve risjell të freskët trëndafilishtën biblike, e cila e ngritur në rrafshe kontrastuese gjithëpërfshirëse filozofike shpërfaqet si:

a-) Ruajtja e gjuhës amtare përtej oqeanit, gjuha e nënës, gjaku i të parëve: Lulja shndërrohet në gjuhë amtare: “me lule që frymëtojnë shqip”, fq.9

b-) përjetimi, ndjeshmëria e thellë e shpirtit poetic e cila kapërcen vetveten dhe tenton të shërojë dhimbjen kombëtare, mallin dhe betimin për një pllakë varri dhuruar: lulja shndërrohet në përjetim, qenie e gjallë: ”me lule përjetimi”, fq.9

c- ) historia, tragjizmi i popullit tonë ndër shekuj: lulja shndërrohet në gur ”me lule histori guri”(Kuptimi i mëmëdheut, fq.9)

d-) Në rrafsh kontekstual kontrastues trëndafili tashmë merr konotacione më të fuqishme, në mungesë. Pasi vendoset në kontrast me sfondin e errët:

lule e kuqe në kontrast me zambak i bardhë,  brenda të njëjtit funksion poetik:

Lule e kuqe e flamurit/ zambak i bardhë i dashurisë…  (Florës, fq.40)

Apo: Që këtë tymnajë, errësirë, kob, dëshpërim në kontrast me shpresë:

Që këtë tymnajë, errësirë, kob e shpresë/ që ka përmasat e dëshpërimit tim (Tollovi në metronë nervore, fq.66);

Vijon kundërvënia gur-lule: Vetëm në një fushë të huaj/ ku gurë nuk ka, po s’ka as lule (Vegim i lodhur nga vetvetja, fq.75)

Më tej: Lule –kurorë lavdije e zezonës historike:

Me kurora lavdije të stolisura / me lule nga djersa e njeriut…(Zezonë e lavdishme, fq76)

e-) Pjesa për të tërën; degë e këputur, ende e njomë që rritet me frymën e vet: Rozhaja, krahina shqiptare e rrëmbyer nga malazezët gati një shekull më parë.

Rozhaja është degë imja e këputur/ e qëlluar nga sëpatë e lakmisë/ e ndarë nga trungu më i moçëm në këtë dhe/…/është ende e njomë/ se frymëton e rritet me frymën e vet (Degë e këputur, fq.78)

f-)  Në strukturën e vargjeve poetike trëndafili përbën fillesën dhe lulja destinacionin final të familjes së madhe të llojit në vertikalen diakronike kuptimore; shpërthimet lirike marrin intimitet artistik, aty ku shpirti human, poeti- ndan çdo të fshehtë me shpirtin tjetër po kaq njerëzor, lulen; qajnë hallet bashkë, ankohen. Por zgjerimi i simbolit dhe më tej kthimi në simbol universal e individualizon formën e dialogut konfidencial, si karakteristikë e strukturës poetike të Ritës, duke i veshur kështu, funksione të tjera estetike e didaktike ku lulja simbolizon qetësimin prej vuajtjes, fashitjen e brengës, shërimin e plagës, nëntekst që rrjedh pas ankesës:

Pranë meje/ një tufë lule të venitura/ ankohen… (Lutja, fq.10)

g-) Përforcimi me simbolikë plotësuese kontekstuale. Shmangia enkas nga simbolika ktonike e gjarprit, gjallesë joktonike pa atributet e dikurshme totemike primitive, përforcimi me figurën e krokodilit. Gjarpri në këtë kontekst shenjon armikun, vdekjen, kërcënimin:

… trurin zemrën na kafshon/ e derdh lotë si krokodili/…/ Dëshirat, ëndrrat, ankthi/ na pështillen rreth qafe/ si gjarpri, mbret i frikës/ me gjakftohtësi dhembjen na dhuron (Sot e gjithmonë, fq.86)

Përmbysje  e ritit dhe besimit popullor shqiptar: Ndër shqiptarët, gjarpri është i lidhur fort me shtëpinë dhe familjen. Ndaj, në rite e besime popullore shqiptare, gjarpri paraqitet si hyjni mbrojtëse e jetës, e mirëqenies dhe mbarësisë në familje.16

Ktonizmi i simbolit të diellit, si një stilizim abstrakt gjeometrikisht përjashtues, shumë original, (gjarpër e diell bashkë, njëri i nëmur, tjetri i shenjtë!): Gjarpri ende na e përthekon trupin/ gjersa kalojmë pranë hijes tënde/ duke pritur diellin dritëdhënës /(Dedë Gjo Lulit, fq.53)

Simbolika ktonike e diellit vazhdon të mbetet po njësoj e shenjtë, magjike, jetëdhënëse:

Se për mua Dielli vetëm atje lind (fq.51)…ofshamë drejt diellit, (fq.23), pak diell lirie, (fq.17), sot dielli lindi… (fq.13), Diell bëhet, dritë u dhuron horizonteve, (fq.78) kullë prej drite “Dielli, (fq.63”)                                                          ____________________________________________________________________________________

 Sipas studiuesit Gj. Mano-Zisi,17 në shekujt e fundit të epokës para Krishtit, dhe në fillim të epokës sonë, tek ilirët, përveç ekzistimit të njësimit kulturor, mënyrës së jetesës, djegies në tumule apo varrimit, kemi edhe bashkimin e kultit ktonik dhe diellor. Bashkimi i këtyre dy kulteve mund të shpjegohet edhe me faktin se, sipas A. Stipçeviqit,18 gjarpri nuk ishte vetëm simbol ktonik, porse edhe simbol i plleshmërisë bimëtore dhe ishte i lidhur edhe me burimet e tjera të jetës siç ishte Dielli. Në Egjipt dhe në Greqi, gjarpri ndonjëherë paraqitet edhe si personifikim i Diellit. Për rrjedhojë, këto dy kulte të paraqitura së bashku, qoftë në formë të stilizimit abstrakt gjeometrik, apo në formë figurale – realiste,i hasim edhe te ballina e djepit të Rrafshit të Dukagjinit, pastaj tek nëntrari dhe shtylla qendrore e ballinës së hajatit.

Nëse trëndafili, ky simbol i përdorur që në mitologjinë greke: (Agimi gishtatrëndafili), në zanafillën biblike: Unë jam trëndafili i Sharonit, në poezinë popullore: Gushën që kam të vënë,/ trëndafil more me erë,/ e kam gjerdan të vënë,/ trëndafil me erë, e më pas në poezinë e kultivuar gjerësisht nga një mori autorësh. Vlen të përmendim Naim Frashërin, në analogji me poezinë popullore: (Trëndafil i kuq me erë/E di vallë sa të dua?) Ruajtja e këtij simboli edhe tek arbëreshët e Greqisë (në këngët e mbledhura nga C.H.Reinhold më 1855 (Trantafile fletëgjorë/ eja të të puth njëherë ); në këngët e mbledhura nga G.Hahn më 1854, në “Studime Shqiptare”: (As këndon, more birbil / Ndë një degë trëndafil / Thëllëzë krahëjeshil / Del ndë penxhere si yll). Semiotikani bashkëkohor Umberto Eko, në romanin Emri i Trëndafilit, më 1980 dhe një varg poetësh e shkrimtarësh modernë nga e gjithë bota që e kanë nyjëtuar seriozisht këtë simbol.

Puritanizmi gjuhësor e ndihmon poeten Rita Saliu për t’i dhënë krahë shpërthimeve lirike dhe prurjeve të reja duke përthyer e përmbysur imazhet poetike të mëparshme,  nëpërmjet ngarkesës specifike të kodeve moderne, simbolikës së rifunksionalizuar në trajta dhe forma të papërsëritshme me tjetër ngarkesë, në funksion të cilësisë  së purifikimit, humanizmit, të lidhjes së tij me shpirtin, parajsën, Zotin si edhe sinkretizmin e filozofisë së ndriçimit, të thellësisë së mistikës së komunikimit shpirtëror, nga ku, ky simbol kapërcen konceptet estetiko-didaktike dhe integrohet në ashtin filozofik e universal të vargjeve në vëllimin “ Ndjenjë Perëndie”.

Ne kemi ide, përpos tre lloj substancave: 1) Zotit, 2) Inteligjencave të fundme, 3) Trupave. ( Orig. We have the ideas but of three sorts of substances:1) God 2) Finite intelligences 3) Bodies )19______________________________________________________________________________

 

1 Rita Saliu, NDJENJË PERËNDIE, Saga, Prishtinë, 2014, fq.93 (gjithë citimet në vijim për efekt studimi janë marrë aty!)

2 Edith Durham, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT, 8-Nëntori, Tiranë 1991; Introdukte 1ss.

*Reginald Hibbert, FITORJA E HIDHUR, LUFTA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE, përktheu Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve 1991, London,  N.Y, përktheu Xhevat Lloshi, fq.11

3 Historia e Luftës Antifashistë Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar 1939-1944, vëll.2, Janar1943, shtator 1943, Instituti i Studimeve Marksiste-leniniste pranë KQPPSH, Tiranë, 8- Nëntori 1986, fq. 118-119

 4 Zekeria Cana, LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË KOSOVË 1908-1912, Rilindja, Prishtinë 1979

6 Samuel Enoch Stumpf, FILOZOFIA, HISTORIA DHE PROBLEMET, Periudha bashkëkohore, Ekzistencializmi, Toena, Tr., 449-450

7 Samuel Enoch Stumpf, FILOZOFIA, HISTORIA DHE PROBLEMET, Feja, Mbi jetën pas vdekjes, fq.230-231, Toena, Tr., 449-450

8 AMPJ, Viti 1981, dos.1140/1, fq. 100-102, Informacion nga Ambasadori Shqiptar në Buenos Aires, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Tiranë, Qershor 1981

9 Dimitrije Tucoviq, Krvna osveta soldateske, Iz arbanskih pisama, KOHA DHE VEPRA, Rilindja, Prishtinë 1983, 334 pp

10 Faik Quku, QËNDRESA SHQIPTARE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE, fq. 253, 1,2 Ilar, Tiranë 2006

11 Edith Durham, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA, 8-Nëntrori, Tr.1991, fq,39

12 Po aty, fq.543

14 Rita Saliu, NDJENJË PERËNDIE, po aty, fq. 98

16  Mark Tirta, MITOLOGJIA NDËR SHQIPTARËT, Mitologjia ndër shqiptarët, Tiranë 2004, f. 145

17 Djordje Mano-Zisi, ANTIKA, Beograd/Zagreb/Mostar 1982, f.21.

18 Aleksandër Stipçeviq, SIMBOLET E KULTIT  TE ILIRËT, Prishtinë 1983, f.60.

19  Rasiel Abelson, Marie Louise Friquegnon, Michael Lockëood, THE PHILOSOPHICAL IMAGIANTION, Soul and Self, John Locke , p.211

LITERATURË E KONSULTUAR:

Aleksandër Stipçeviq, SIMBOLET E KULTIT  TE ILIRËT, Prishtinë 1983, f.60.

Butler, J., OF PERSONAL IDENTITY, In works, EDITED BY W.Gladstone, Oxford, Oxford University Press, 1986. A critique of the bundle theory and an argument for the soul of substance.

Bulo, Jorgo, TIPOLOGJIA E LIRIKËS SË NAIM FRASHËRIT, Akademia e Shkencave,Tiranë 1999

Descartes, R., MEDITATIONS, Translated by L.J.La fleur, Meditation II, New York, Liberal Art Press, 1960, Classic statement of dualism

Djordje Mano-Zisi, ANTIKA, Beograd/Zagreb/Mostar 1982.

Durham, Edith, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA PËR SHQIPËRINË DHE SHQIPTARËT, 8-Nëntori, Tiranë 1991

Edith Durham, BRENGA E BALLKANIT DHE VEPRA TË TJERA, 8-Nëntrori, Tr.1991

Mark Tirta, MITOLOGJIA NDËR SHQIPTARËT, Mitologjia ndër Shqiptarët, Tiranë 2004

Penelhum, T., SURVIVAL AND DISEMBODIED EXISTENCE, New York, Humanities Press, 1969. A detailed criticism of dualism and survival after death.

 Hibbert, Reginald,  FITORJA E HIDHUR, LUFTA NACIONAL ÇLIRIMTARE SHQIPTARE, përktheu Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve 1991, London,  N.Y, përktheu Xhevat Lloshi

Quku, Faik, QËNDRESA SHQIPTARE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE, 1,2 Ilar, Tiranë 2006

Rasiel Abelson, Marie Louise Friquegnon, Michael Lockwood, THE PHILOSOPHICAL IMAGIANTION, Soul and Self, John Locke

Saliu, R., NDJENJË PERËNDIE, Saga, Prishtinë, 2014

Samuel Enoch Stumpf, FILOZOFIA, HISTORIA DHE PROBLEMET, Periudha bashkëkohore, Ekzistencializmi, Tr., Toena

Sartre, J.P., EXISTENCIALISM IS A HUMANISM, Translated by P.Mairet, London: Methuen, 1949. Deduces morality from the concept of self.

Tucoviq, Dimitrije, Krvna osveta soldateske, Iz arbanskih pisama, KOHA DHE VEPRA, Rilindja, Prishtinë 1983,

Zekeria Cana, LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË KOSOVË 1908-1912, Rilindja, Prishtinë 1979

 Dr. Yllka FILIPI

16 Prill 2016,  Monroe College, Bronx, New York, U.S.A

 

Filed Under: ESSE Tagged With: dr. Yllka Filipi, lexoj historinë, Në vargjet e Rita Saliut, te Kombit Tim

Trump, Clinton pritet të fitojnë në Nju Jork

April 17, 2016 by dgreca

Senatori Cruz siguroi dje 14 delegatë të tjerë pas fitores në zgjedhjet paraprake të shtetit Uajoming, duke e ngushtuar diferencën me pretendentin kryesor republikan, Donald Trump. Rivalët në zgjedhjet presidenciale kanë një sprovë të rëndësishme të martën kur zhvillohen zgjedhjet paraprake në shtetin e Nju Jorkut.Sipas anketave Donald Trump pritet të fitojë në garën republikane, ndërsa Hillary Clinton ndër demokratët: Donald Trump pret të fitojë të martën në shtetin ku ai jeton.

Por Trump ka hedhur kritika të ashpra ndaj udhëheqjes së partisë republikane, duke shprehur pakënaqësinë që rivali i tij Ted Cruz po merr mbështetjen e disa delegatëve të pavendosur në shtetet e tjera.

“Ata nuk flasin aspak për faktin që unë jam miliona vota përpara. Ata flasin vetëm për numrin e delegatëve. Unë jam qindra delegatë përpara. Por sistemi është i manipuluar, i neveritshëm dhe i padrejtë”.

Senatori Cruz thotë se Trump është duke u ankuar dhe po përpiqet të frikësojë partinë dhe delegatët.

“Emërimi i Donald Trump-it do të ishte një gabim i madh.  Në qoftë se Donald Trump merr emërimin e partisë, Hillary Clinton do të fitonte ndaj tij me një avantazh mbi 10%”.

Senatori Cruz dhe guvernatori i Ohajos John Kasich janë mbrapa zotit Trump në Nju Jork. Guvernatori John Kasich thotë si ai është e vetmja  alternativë optimiste.

“Disa kandidatë ushqehen nga frika dhe zemërimi që ndjenë disa prej nesh dhe e shfrytëzojnë këtë për të ushqyer dëshirat e tyre për famë apo vëmendje. Kjo mund të dëmtojë Amerikën e jo ta rikthejë madhështinë e saj”.

Kryesuesja e garës në partinë demokrate, Hillary Clinton është favorite ndaj rivalit të saj Bernie Sanders në zgjedhjet paraprake të Nju Jorkut.

Clinton ka një epërsi mbi 10% në shumicën e sondazheve dhe duket se do t’i shkaktojë një humbje të madhe në Nju Jork rivalit të saj Bernie Sanders.

“Kam vënë re se në Nju Jork senatori Sanders ka patur probleme në përgjigjen e pyetjeve në lidhje me çështjen e tij kryesore, pra ato që kanë të bëjnë me bankat”.

Por Sanders vazhdon të tërheqë turma të mëdha si kjo në Manhatan dhe shpreson që të martën të ngushtojë hendekun me zonjën Clinton.

“Ne kemi fituar shtatë nga tetë zgjedhjet e fundit paraprake. Dhe një turmë e pabesueshme si kjo më bënë që unë të besoj se ne do të fitojmë këtu në Nju Jork të martën e ardhshme”.

Analisti Tom DeFrank i tha Zërit të Amerikës se gara e demokratëve në Nju Jork është intensifikuar.

“Gara po bëhet gjithnjë e më agresive, jo vetëm në anën e republikanëve, por edhe në anën e demokratëve, ku dy pretendentët, Hillary Clinton dhe Bernie Sanders, po hedhin akuza absurde ndaj njëri-tjetrit për mungesë kualifikimesh për të qenë president”.

Dy kandidatët demokratë kanë lidhje të forta me Nju Jorkun. Sanders është rritur në Brooklyn ndërsa Clinton ka përfaqësuar Nju Jorkun në Senat.(VOA)

Filed Under: Komente Tagged With: Clinton pritet të fitojnë, ne Nju Jork, Trump

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2888
  • 2889
  • 2890
  • 2891
  • 2892
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT