• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri belg: Shumë viktima nga sulmet në Bruksel

March 22, 2016 by dgreca

Nga Belgjika raportohet se të paktën 26 njerëz janë vrarë si pasojë e dy sulmeve të tmerrshme në aeroportin e Brukselit, si dhe në një stacion të metrosë.

Zyrtarët thonë se të paktën 11 njerëz kanë vdekur në stacionin e metrosë, ndërsa mediet njoftojnë për 13 të tjerë të vrarë nga shpërthimet në aeroport.

Dy shpërthime kanë goditur zonat e nisjes në aeroportin Zaventem në Bruksel.Një prokuror belg e ka konfirmuar se njëri nga shpërthimet në aeroportin e Bruksel ishte sulm vetëvrasës.

Shpërthimet vijnë katër ditë pasi autoritetet belge kanë kapur në Bruksel Salah Abdeslamin, të dyshuarin kryesor për sulmet terroriste në Paris, më 13 nëntor të vitit të kaluar.

Aeroporti është evakuuar dhe është mbyllur për fluturime.Agjencia e lajmeve Belga raporton se përpara shpërthimeve janë dëgjuar brohoritje në gjuhën arabe.

Ka po ashtu raporte për një shpërthim në një stacion të metrosë në lagjen Maelbek, pranë institucioneve të Bashkimit Evropian.

Transmetuesi publik në Belgjikë, VRT thotë se asnjë person nuk është vrarë nga shpërthimi në stacionin e metrosë, përderisa raporte të tjera raportojnë për të paktën 10 të vdekur.

Operatori i sistemit të metrosë ka thënë se të gjitha stacionet në qytet janë mbyllur.

Rrjeti hekurudhor drejt aeroportit është ndërprerë dhe njerëzit janë udhëzuar të mos shkojnë në aeroport.

Sipas disa raporteve, së paku njëri nga shpërthimet ka qenë pranë hapësirës së kompanisë ajrore American Airlines, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel tha se “asaj që i jemi frikësuar ka ndodhur”, duke shtuar se autoritetet janë të shqetësuara për sulme të tjera të mundshme.

Duke folur gjatë një konference për media në Bruksel, Michel tha se “ka shumë të vrarë, shumë të lënduar” nga sulmet e sotme në aeroport dhe në stacion të metrosë.

Ai shtoi se kontrollet kufitare janë riforcuar.

Michel tha se “e kuptojmë se po përballemi me një moment tragjik. Duhet të jemi të qetë e të tregojmë solidaritet”.

Prokurori Federal i Belgjikës, Frederic Van Leeuw i ka quajtur të tri shpërthimet në Bruksel si “sulme terroriste”.

Ai tha se “njëri prej sulmeve më siguri që është bërë nga një sulmues vetëvrasës”.

Ndërkohë, shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke folur gjatë një konference për media në Jordani, ka thënë se “sot është një ditë e rëndë”, duke iu referuar sulmeve të sotme të Brukselit.

Mogherini e ka ndërprerë konferencën e planifikuar me ministrin e Jashtëm të Jordanit, Nasser Judeh, pasi ishte shumë e emocionuar për t’u prononcuar.

Liderët evropianë i kanë dënuar shpërthimet që goditën aeroportin e Brukselit dhe sistemin e metrosë në këtë qytet.

Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven e ka përshkruar shpërthimin si “sulm kundër Evropës Demokratike”.

“Është një sulm kundër Evropës demokratike”, ka thënë kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, përmes një deklarate. “Ne kurrë nuk do të pranojmë që terroristët t’i sulmojnë shoqëritë tona të hapura”.

Edhe kryeministri i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen i ka dënuar shpërthimet në rrjetin social “Twitter”, si “akte të neveritshme”.

Ndërsa, kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se Belgjika është “goditur nga sulme qyqare dhe vrasëse”.

Reagime ka pasur edhe nga Kremlini, prej nga zëdhënësi Dmitry Peskov e ka cituar presidentin rus, Vladimir Putin, të ketë thënë se “i dënon fort këto krime barbare”.

Belgjika tani ka rritur kërcënimin terrorist në nivelin më të lartë.

Ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon, kishte paralajmëruar të hënën sulme të mundshme hakmarrëse pas kapjes së Abdeslamit.

“E dimë se bllokimi i një qelize mund të nxisë një tjetër veprim. Jemi të vetëdijshëm për këtë”, i ka thënë ai radios belge.

Aeroporti Zaventem ndodhet 11 kilometra në verilindje të Brukselit. Vitin e kaluar, mbi 23 milionë njerëz kanë kaluar në këtë aeroport.

Filed Under: Komente Tagged With: Kryeministri belg: Shumë viktima, ne Bruksel, nga sulmet

34 të vrarë nga sulmet terroriste në Bruksel

March 22, 2016 by dgreca

Katër shpërthime kanë tronditur Brukselin në orët e para të mëngjesit të së martës, dy prej të cilëve të verifikuar në aeroportin Zaventem, ndërsa dy të tjerët në dy stacione metroje të kryeqytetit belg. Televizioni shtetëror belg VRT raporton se ka shkuar në 34 numri i të vdekurve nga sulmet terroriste në Bruksel.

Në 20 shkon numri i të vrarëve në metro, kurse në 14 numri i të vrarëve nga shpërthimet në aeroport.

Përveç tyre ka edhe qindra të tjerë të lënduar. Policia belge deri më tani ka arrestuar dy të dyshuar në lidhje me sulmet e sotme.

***

Motivet e shpërthimeve nuk dihen ende, ndërkohë që burime zyrtare flasin për të paktën 28 viktima, 13 prej të cilëve kanë humbur jetën në aeroport dhe 15 në stacionet e metrove. Gjithashtu, flitet për disa dhjetëra të plagosur. Shpërthimet vijnë katër ditë nga kapja në Bruksel të Salah Abdeslam, i dyshuari kryesor i sulmeve të nëntorit në Paris.

Nga raportimet e mediave lokale mësohet se, aeroporti është evakuuar, ndërsa fluturimet janë anuluar. Gjithashtu, janë pezulluar të gjitha shërbimet hekurudhore që të çojnë tek kompleksi. Të dhëna të tjera flasin se një nga shpërthimet ka ndodhur pranë check-in-it të American Airlines, por sërish ato janë të pakonfirmuara.

Ndërkohë, një shpërthim tjetër është verifikuar rreth një orë më vonë në stacionin e metrosë Maalbeek, fare pranë selisë së Komisionit Europian. Re të zeza tymi janë ngritur në rrugë dhe paniku ka përfshirë kalimtarët. Ai është pasuar nga një tjetër shpërthim në stacionin Schumann.

Transmetuesi belg RTBF citoi një dëshmitar të thoshte se, në ambientet e aeroportit kishte njerëz të shtrirë në tokë, të plagosur ose pa ndjenja, shumica e të cilëve në zonën e nisjeve, përballë hotel “Sheraton”.

Ndërsa një punonjës i aeroportit tha për televizionin holandez VRT: “Po bëja një moment pushim kur papritur dëgjova dhe ndjeva një shpërthim të madh. këtej nga jam shoh shtëllunga tymi të zi të ngrihen nga zona e nisjeve”. “Dritaret janë të thyera, njerëzit kanë dalë jashtë nga frika. Gjërat nuk duken mirë”, tregoi dëshmitari.

Ndërsa dëshmitarë të tjerë thanë se para shpërthimeve kishin dëgjuar të shtëna dhe thirrje në gjuhën arabe, duke ngritur dyshimet për sulme kamikaze. Të dhëna të mëtejshme sugjerojnë se brenda aeroportit është gjetur edhe një bombë e pashpërthyer.

Situata ka futur në kaos kryeqytetin belg, atje ku nodhen institucionet kryesore të Bashkimit Europian. Autoritetet kanë pezulluar qarkullimin e mjeteve publike si trenët, metrotë dhe tramvajet, pa harruar këtu pezullimin e të gjitha fluturimeve nga aeroporti.

Filed Under: Kronike Tagged With: 34 te vrare, ne Bruksel, sulmet terroriste

Kreu i KMSH, Bruçaj dënon sulmet në Bruksel: Terrorizmi nuk ka lidhje me islamin

March 22, 2016 by dgreca

TIRANË, 22 Mars/- Kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj dënoi të martën sulmet terroriste që ndodhën në Bruksel.

Gjatë vizitës në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me rastin e Ditës së Sulltan Nevruzit, Bruçaj tha për mediat se terrorizmi nuk ka lidhje me fenë islame, pasi islami do të thotë paqe.

“Aktet terroriste dhe terrori kanë goditur sërish. I lutem Zotit të sjellë paqe kudo në botë dhe shpresoj që siç është kjo ditë e Nevruzit, ditë e re, le të jetë për gjithë njerëzimin një ditë e re me paqen. Feja myslimane gjatë gjithë kohës e ka dënuar terrorin. Një fe që në islam do të thotë paqe, nuk ka lidhje me terrorin, terrori nuk ka fe. Nëse disa njerëz i lidhin në mënyrë të gabuar këto akte me fenë, do i bëhej qejfi atyre që i kanë bërë këto akte me qëllime të këqija”, tha Bruçaj

Filed Under: Featured Tagged With: denon sulmet e Brukselit, Skënder Bruçaj

Dita e Sulltan Nevruzit – Haxhi Baba Edmond Brahimaj thirrje për paqe, dënon aktet terroriste

March 22, 2016 by dgreca

TIRANË, 22 Mars.- Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, uroi sot besimtarët bektashinj në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane në Tiranë, për Ditën e Sulltan Nevruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu.

Në fjalën e tij para besimtarëve bektashinj, Haxhi Baba Edmond Brahimaj duke bërë thirrje për paqe, dënoi ashpër çdo akt dhune dhe terrori që po bëhet ndaj njerëzimit në botë.

“Sot në këtë ditë të bukur të pranverës ju uroj paçi përherë bekim në jetën tuaj. Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqimi në rrugën tuaj. Në këtë ditë gjejmë rrugën për te i madhi Zot për të na lehtësuar me praninë e tij qëllimin tonë për t’iu afruar drejt tij. Ne të gjithë së bashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në rrugën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën e mbi të gjitha paqe në veten tonë. I lutem Zotit të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë, të falim dashuri te njeriu për njerinë, shpirtin human dhe lumturinë familjare”, tha Haxhi Baba Edmond Brahimaj.

Ai uroi qofshi përherë të lumtur kudo që ndodheni, Zoti ju uroftë e bekoftë të gjithëve.

Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Në Shqipëri, Dita e Novruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në 1996. Në vendin tonë sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas synitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman. Përfaqësuesit e Bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.

Bektashizmi është një urdhër fetar islamik me një teori filozofike të vetën dhe të veçantë. Ai lindi në Anadoll në shekullin e XIV dhe mori këtë emër nga themeluesi i saj Haxhi Bektash Beliu. Në Shqipëri Bektashizmi depërtoi me pushtimin osman në qytete dhe qendra garnizonesh si Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Tepelenë, Frashër etj.

Sipas burimeve historike, Bektashizmi njohu një përhapje të gjerë në popullsinë shqiptare të pakënaqur nga reformat centralizuese të Portës së Lartë, pasi kleri bektashi përkrahu lëvizjet popullore kundër pushtetit osman si dhe përdori gjuhën shqipe për një letërsi të tijën.

Gjatë Rilindjes Kombëtare bektashinjtë e mbështetën luftën për liri dhe gjuhën kombëtare, ndër të cilët veprimtarët Baba Alushi i Frashërit dhe Baba Hyseni i Melçanit. Një varg teqesh të tyre u shndërruan në qendra të lëvizjes kombëtare. Pas Kongresit të Lushnjes bektashizmi u njoh zyrtarisht si komunitet fetar i pavarur. Në vitin 1924 selia botërore e Bektashizmit u shpërngul nga Anadolli në Tiranë. Bektashizmi, si pjesë e ideologjisë fetare e pushoi veprimtarinë e tij në vitin 1967, për ta rifilluar përsëri gjatë vitit ’91

Filed Under: Opinion Tagged With: – Haxhi Baba Edmond Brahimaj, Dita e Sulltan Nevruzit

Kosova, mundësi Diasporës në Bono Thesari

March 22, 2016 by dgreca

-Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti: Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re/

PRISHTINË 22 Mars 2016-B.JASHARI/ Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, në konferencë shtypi sot ka bërë të ditur se Ministria e Financave po e hap zyrtarisht kampanjën informuese për mundësinë e re të investimit që do t’i ofrohet diasporës sonë.“Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi. Ne si Ministri do të vazhdojmë koordinimin me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës sa i përket shpërndarjes sa më të gjerë të mesazhit njoftues për këtë mundësi të re”, shtoi ministri Avdullah Hoti.Ai gjithashtu theksoi se gjatë kampanjës informuese në ditët dhe javët në vijim, do të njoftoheni edhe me detajet tjera në lidhje me këtë produkt, përfshirë edhe normën e interesit si dhe procedurat për investim. Në këtë Konferencë ministri Avdullah Hoti paraqiti para mediave edhe një kronologji të zhvillimit të hovshëm të këtij tregu që nga themelimi, ku bëri të ditur se ”Tregu i letrave me vlerë në Republikën e Kosovës filloi më 18 janar të vitit 2012, kur Ministria e Financave në bashkëpunim të ngushtë me Bankën Qendrore por edhe me sektorin bankar, emetoi për herë të parë Bono Thesari në vlerë 10 milionë euro dhe me afat maturimi 3 muaj”.

 “Mirëpo ky ishte vetëm fillimi, sepse në po të njëjtin vit, u lansua edhe Bono me afat 6 mujor, dhe viti 2012 përfundoi me gjithsej 74 milionë euro të emetuara. Në vitin 2013 (24 prill) portofoli i instrumenteve të ofruara u zgjerua edhe më tutje me lansimin e Bonos me afat 12 mujor dhe në po këtë vit u emetuan edhe 80 milionë euro Bono të reja. Në vitin 2014 (31 mars) u lansua edhe Obligacioni i parë qeveritar, me afat prej 2 vitesh dhe viti u përmbyll me emetimin e 102 milionë eurove. Ky vit gjithashtu është shënuar si vit ku për herë të parë kemi blerjen e Bonove edhe nga individë privatë, sepse deri në këtë vit blerësit ishin kryesisht institucione financiare ose pensionale. Viti 2015 ndërkaq do të mbetet si viti kur ky treg kishte zhvillimin më të hovshëm, ku  vlen të theksohet se u emetuan gjithsej 120 milionë euro Bono të reja si dhe u lansuan me sukses Obligacionet me afat 3 vjeçar dhe 5 vjeçar. Gjithashtu u zgjerua edhe baza e investitorëve: në bashkëpunim me Bankën Qendrore u ndryshua korniza ligjore për të lejuar edhe kompanitë e sigurimeve të blenin letra me vlerë, kurse investimi nga personat privatë tejkaloi 10 milionë euro”, shtoi Ministri Hoti.

Ai bëri të ditur se në vitin 2016 në qarkullim kemi një portofol të letrave me vlerë prej afro 400 milionë euro, kemi 6 instrumente me afat maturimi që fillon nga 3 muaj e shkon deri në 5 vite, kemi një treg sekondar që funksionon dhe me nivel të likuiditetit që rritet dita ditës, si dhe  kemi plane që të zgjerojmë bazën e investitorëve edhe më tutje.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, kosova, mundësi Diasporës, në Bono Thesari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2975
  • 2976
  • 2977
  • 2978
  • 2979
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT