DEPUTETJA HAJDARMATAJ: DO TË JEM ZË I VATRËS NË PARLAMENT PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE
DEPUTETJA HAJDARMATAJ VIZITOI VATRËN/
Të Mërkurën me 16 Mars pasdite Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Mimoza Hajdarmataj ishte për vizitë në Shtëpinë e Vatrës. Ajo shoqërohej nga vatrani Sejdi Hysenaj, anëtar i Advisory Board i Vatrës.Deputetja u prit nga Kryetari Gjon Buçaj me zonjën Nikoleta, dy nënkryetarët Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, anëtarëi i Këshillit të Vatrës Zef Balaj, anëtar i Advisory Board i Vatrës Zef Përndocaj dhe Editori i Diellit , anëtar i kryesisë së Vatrës Dalip Greca.
Kryetari i Vatrës Dr. Buçaj i uroi mirëseradhjen deputetes Hajdarmataj dhe e njohu me veprimtaritë e Federatës Panshqiptare të Amerikës në komunitet dhe qëndrimet e hapur për çështjen Kombëtare. Vatra, tha dr. Buçaj, është vendosur pas viteve ’90 në një vijë me forcat politike progresive antikomuniste duke i mbështetur demokratizimin e Shqipërisë, çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe duke kërkuar më shuëm të drejta të bashkatdhetarëve tanë në Mal të Zi , Maqdoni, Luginën e Preshevës, pa lënë mënjanë çështjen e pazgjidhur Çame.
Ka pasur raste kur qëndrimet e Vatrës kanë ranë ndeshë edhe me Partinë Demokratike siç ishte deklarat jonë denoncuse për ndërtimin e varrezave greke në tokën shqiptare, apo problemi i pronave apo kërkesa e vazhdueshme për integrim real të ish të përndjekurëve politik etj. Kryetari i Vatrës përmendi edhe takimin që Vatra bëri në Nju Jork me Kryeministrin Edi Rama në shtator 2013, ku i dorëzoi atij kërkesa me shkrim për problemet që e shqetësojnë Vatrën si: dekomunistizimi real i Shqipërisë, zgjidhja e problemit te pronave, problemi i ish të përndjekurve etj. Konkretisht, ne atë takim ne i thamë Kryeministrit se e konsiderojmë shumë të rëndësishme shkëputjen nga trashëgimia e diktaturës Komuniste, tepër prezente në jetën publike dhe politike në shoqërinë shqiptare në përgjithësi, dhe veçanërisht në Shqipëri. Jemi të bindur se, për të arritur një gjë të tillë, duhen dënuar krimet e komunizmit dhe duhet realizuar integrimi dhe dëmshpërblimi i shtresës së ish të përndjekurëve, kthimi i pronës së konfiskuar nga regjimi komunist tek i zoti, zbatimi i ligjit të lustracionit, ligjit për heqjen e imunitetit deputetëve dhe politikanëve në raste akuzash për krime e korrupsion, pastrimi i gjykatave nga individët e ngarkuar me përgjegjësi kundër shqiptarëve të pafajshëm gjatë diktaturës e tjera. E shohim si shumë të nevojshme një luftë të ashpër kundër korrupsionit të rëndë, që nuk ka ngjyrë rozë as blu, por ngjyrën e zezë të krimit.
Po ashtu i përcollëm dëshirën tonë si vatranë se dëshirojmë të shohim arritje konkrete drejt bashkimit kombëtar, me integrimin ndërshqiptar në të gjitha fushat: politike, kulturore, arsimore, tragtare, sportive e tjera, pa interferenca ideologjike ase interesa propangandistike.Është nevojë për luftë gjithnjë e më të intensive kundër varfërisë, pa mbajtur anë interesash partiake ase përsonale, duke i trajtuar të gjitha viset dhe të gjithë shqiptarët njësoj.I theksuam kërkesat tona dhe të komunitetit çam për çështjen çame.
I kërkuam vëmëndje dhe vëlerësim më të madh nga Qeveria e tij pë harmoninë ndërfetare te shqiptarët, e cila është halë në sy të armiqvet, por gur në themelin e trullit të përbashkët kombëtar. Nuk është e domosdoshme të jeshë besimtar për të njohur këtë vlerë që kemi trasshëguar nga Rilindësat. Klerikët dhe institucionet që shërbimin fetar përkatës e ushtrojnë në frymën kombëtare, kanë nevojë për vëlerësim e përkrahje më shumë, ndonjëherë edhe për mbrojtje, nga organet shtetërorë, qeveritare e kulturore.
Kanë kaluar gati tre vjet nga ai takim dhe asnjë mesazh nuk kemi nga Kryeminsitri, edhe pse ai ka ardhë jo pak në SHBA.
Mirëseardhjen deputetes së Kuvendit ia uruan edhe dy zv/Kryetarët e Vatrës z. Agim Rexhaj dhe Asllan Bushati, si dhe Zef Balaj dhe Zef Përndocaj. Editori i Diellit e njohu mysafiren me rrugëtimin historik të Vatrës për 103 vite dhe të Gazetës Dielli për 107 vite në SHBA. Përmes fotografive dhe dokumentave arkivore Editori e njohu deputeten me kontributin e Vatrës për çështjen Kombëtare, fushatat e mëdha të Vatrës për të shpëtuar Pavarësinë e Shqipërisë, fushata e madhe e 3 Qershorit 1917 si dhe ajo e Huasë Kombëtare, ku vtaranët dhanë për të parën 150 mijë dollarë e për të dytën më shumë se 197 mijë dollarë, për shërbim Kombëtar diplomatik të Vatrës nga vitet 1916 deri në vitet 1920 e më pasetj
Deputetja Hajdarmataj falenderoi për pritjen e ngrohtë dhe tha se ishte me fat që vinte në Shtëpinë e Vatranëve, po aq sa ndjehej me shumë fat që në festimet e 100 vjetorit të themelimit të Vatrës(28-29 nentor 2012) , si mysafire e Vatrës kishte prekur madhështinë e Federatës që kishte bërë punë aq të mëdha për Kombin.
Deputetja tha se ndjehet vatrane në shpirt dhe se do të jetë e gatshme që të çojë në Parlament zërin e Vatrës.
Më pas ajo përshkroi gjendjen e mjeruar të Shqipërisë, papunësinë në shifrat e larta, borxhin e rritur të shtetit, plagët e mëdha të vendit, keqqevrisjen, korrupsionin,shtimin e ushtrisë të të varfërve, ofensivën e krimit, futjen e kriminelëve në Parlament dhe në strukturat e shtetit, babzitjen e pushtetarëve për të grabëlluar gjithka nga pasuria Kombëtare përmes tenderave korruptivë etj. Ajo tha se opozita nuk do të rershtë luftën e saj në mbrojtje ët qytetarëve dhe pastrimin e Parlamentit, e shtetit nga kriminelët, të korruptuarit etj. Ajo vlerësoi mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkauar të Amerikës, të Ambasadës Amerikane, që po këmbëngulin për luftë reale kundër kriminalizimit të Parlamentit dhe shtetit si dhe reformën reale në drejtësi, duke e shpëtuar fale edhe përpjekjeve të opozitës, nga Kpaja prej Shtetit.
Në fund deputetja Mimoza Hajdarmataj la këtë shënim në librin e vizitorëve:
“Ndjehem shumë e nderuar që isha sot, këtu mes vatranëve në këtë 25 vjetor të rivendosjes të marrdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Si studente e Dhjetorit ’90 dhe firmëtare e themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kjo merr shumë kuptim për mua personalisht dhe e konsideroj veten si një motër e vatranëve, ndjehem njësoj si ju.
Si deputete e Kuvendit të Shqipërisë premtoj se do të jem zëri Juaj për Çështjen Kombëtare.
Jusuf Vrioni, Adoleshenti i përjetshëm
Sot njëqindvjetori i lindjes/ Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi/
Nga Klara Buda/
Sot mbushen 100 vjet nga lindja e një figure të shquar të kulturës shqiptare dhe të lidhur ngushtë me historinë e totalitarizmit shqiptar, Jusuf Vrioni, juristi, politologu, shkrimtari dhe përkthyesi i formuar në shkollat më prestigjioze franceze, trashëgimtari i noblesës shqiptare dhe atdhetari i bindur, që i mbijetoi burgut dhe torturës mizore të regjimit totalitar. Në botën frankofone, ai njihet si përkthyesi i Ismail Kadaresë, por për ata, që si unë patën fatin ta njihnin nga afër, intelektualin poliedrik, burrin me sqimë e elegant, nuk ka dyshim, se aristokrati i letrave shqipe ishte, mirë e bukur, ai vetë!
Është e vështirë të përmbledhësh jetën e Jusuf Vrionit në një shkrim të shkurtër pa u treguar e mangët në paraqitjen e vlerave e të dimensionit human e intelektual që ai përfaqësonte. Ndaj do të mjaftohen duke trajtuar marrëdhënien e tij me totalitarizmin, analizën erudite që ai i bënte atij dhe rëndësinë në këtë analizë të eksperiencës së tij personale dhe shembullore, që është edhe kalvari tipik i intelektualit shqiptar e që e shpreh aq mirë titulli i kujtimeve të tij, botuar në Francë, nga JC Lattes: “Mondes effacés”, botë të fshira, si me gomë, shqipëruar “Botë të harruara”.
Odiseja e Jusuf Vrionit mjafton e vetme për të ilustruar fatin e intelektualit në regjimin totalitar shqiptar. Jusuf Vrioni i mbijetoi diktaturës duke ulur kokën, duke u fshirë dhe më pas duke i fshehur vlerat dhe talentet e tij. Fati i tij është pasqyra më e mirë dhe prova sine qua non se ai regjim ishte para dhe mbi të gjitha, pushteti i mediokres mbi vlerat e mirëfillta, në art, letërsi, shkencë e gjetkë. Pas zhdukjes fizike të pjesës më të madhe të elitës intelektuale të angazhuar gjallërisht në politikë, menjëherë pas luftës, regjimi do të shtrinte kthetrat e tij edhe në pjesën paqësore të intelektit të kombit, për të cilën Vrioni ishte përfaqësuesi më i shquar. Duke përdorur të njëjtën rrugë, metodikisht: akuza të rreme e dënim pa fakte, burgosje, shpronësim për të përfunduar në fshirje totale nga jeta publike e zërit të ndryshëm, progresist e tolerant.
Më 13 shtator 1947, arrestohet dhe përfundon në qelitë e nëndheshme të Burgut të Vjetër të Tiranës, në ato, që ai do t’i quajë paradhoma të vdekjes. E torturojnë mizorisht dhe gjatë izolimit 27-mujor, ai do të tentojë, të presë pa sukses damarët. I akuzuar si bashkëpunëtor i agjenturave të huaja, Vrioni do të pranonte vetëm se kishte pasur kontakte për krijimin e opozitës legale të parashikuar në bazë të Ligjit Elektoral. Fiziku i sportistit do t’i vinte në ndihmë për të mbijetuar në këtë kalimin pa përgatitje nga një botë luksi mes elitave europiane drejt e në qelitë e Koci Xoxes. Ja si shkruan revista franceze “Ekspress”, pas botimit të kujtimeve të Vrionit në Francë: “Pas diplomimit në HEC, École des Hautes Études Commerciales, në Paris, Jusufi shkon në Zvicër ku lidhet me Coco Chanel dhe më pas në Romë […] ku do të lidhet me klanin Agnelli, Magnani, Visconti, Malaparte apo me vajzën e Mussolinit, gruan e Conte Ciano-s. Më 29 qershor 1950, Vrioni dënohet me 15 vite burg, si agjent i shërbimeve të huaja sekrete “Tenis, not, i riu shqiptar, një sportist i kompletuar, koleksionon trofetë, ndër të cilët edhe atë të anëtarit të ekipit kampion të Francës në hockey mbi akull”.
Në këto kujtime, ai i përshkruan hollësisht torturat në paradhomat e vdekjes, por kur personalisht e kam pyetur, se cili ishte kujtimi më i trishtë i jetës së tij, ai nuk foli për këto tortura, por një kujtim të nënës së tij: “Një herë shqova nga larg një grua plakë të kërrusur e të ngarkuar me dy trasta që ecte e ndalonte, ecte pak e ndalonte sërish, dukej sikur nga momenti në moment do të binte në rrugën e burgut që dukej nga vendi ku ne punonim… shumë nga ne ndaluan punën për të ndjekur atë nënë…Kur u kthyem, në çastin kur zbulova se ajo grua ishte nëna ime, ky është kujtimi më i tmerrshëm i jetës sime!”
Jusuf Vrioni i provoi në ekstrem, torturën, dënimin me burg, shpronësimin dhe më pas izolimin dhe të gjithave u mbijetoi. Gjenia e tij ishte që kuptoi se ajo që i kërkonin, ishte të shuhej, të mos ekzistonte intelektualisht. Duke kaluar në të gjitha fazat e kësaj shuarje të programuar, ai, politologu i formuar në shkollat elitare franceze, do të analizonte në thelb dhe do të arrinte të kuptonte si rrallëkush, sistemin totalitar shqiptar dhe do të mësojë t’i përshtatet e t’i mbijetojë atij mrekullisht.
Pas torturave dhe burgut individët tërhiqeshin për të mos bërë hije, dhe vinte faza e përdorjes së vlerave të tyre më të mira në shërbim të ndriçimit të individualiteteve mediokre, që ishin zëri i regjimit. Në kategorinë e të shuarve shënohen Kasem Trebeshina, Mitrush Kuteli për të përmendur vetëm dy. Ata që nuk e kuptuan apo nuk deshën të shuheshin, pra të pushonin së ekzistuari si individualitete intelektuale apo artistike, u ridënuan dhe u riburgosën, duke u asgjësuar madje edhe fizikisht, ose patën fatin të iknin si Arshi Pipa.
Në personin e tij vetëm, Jusuf Vrioni, do të ishte një dëshmitar okular dhe erudit i të gjithë fazave të procesit të shterpësimit intelektual të ushtruar në totalitarizmin shqiptar. Njohja dhe analiza e thellë që ai i bënte këtij sistemi, në bisedat me miq të afërt, do të ishte një perlë për trashëgiminë botërore, po të ishte hedhur në letër. Por Jusuf Vrioni, nuk e pati as kohën dhe as mundësinë t’i përkushtohej këtij studimi, pasi ai vdiq i varfër. Në të gjallë ai nuk mori asnjë prej pronave të tij, ai përsëriste shpesh, preferoj më mirë, të punoj se sa të rri pas dyerve për të kërkuar. Fatkeqësisht posti i Ambasadorit të UNESCO-s, nuk mund t’i siguronte atij një të ardhur dinjitoze për Parisin, ku kontaktet e tij të dikurshme u ringjallën menjëherë pas ardhjes më 1997. Jusuf Vrionit, një prej pronarëve më të mëdhenj të tokave në Shqipëri, iu desh të punonte deri në ditën e fundit të jetës së tij 85-vjeçare.
Por a ndihej ai i plotësuar prej “karrierës” së tij të përkthimit? Puna e tij e përkthimit ishte një mjet mbijetese, si dikur puna e burgut, çka del prej krahasimi të makinës së tij të shkrimit me lopatën e burgut, në kujtimet e tij: “E shtrenjta makinë e shkrimit, shoqja ime besnike!”
E ndiej që duhet t’i bëj homazhe asaj makine të markës Triumph, me të cilën isha lidhur fort, ashtu si dikur me lopatën me të cilën punoja nëpër kampet e burgjet e mia. Bashkë me të bëra “karrierë” e, ish falë saj që lexuesit frankofonë mundën të lexojnë “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” të Kadaresë. “Burgjet e mia…”.
E kam ende të gjallë goditjen e gishtave të tij mbi tastierën e kompjuterit, e që të mrekullonte për nga precizioni dhe shpejtësia, ndërkohë që mjeshtri ankohej se: ” … jo, ndjeshmëria e germave ndryshon nga makina ime e shkrimit dhe nuk ecën aq shpejt sa duhet…” Ai duhet të përkthente shpejt, deri në muajin e fundit, ai punoi dhe përktheu çdo tekst që kishte marrë përsipër.
Komuniteti ndërkombëtar i përkthyesve e njohu veprën e tij, më 1994, përmes çmimit prestigjioz “Halperin Kaminski”, ndërsa më 1998, Jusuf Vrioni nderohet nga Republika Franceze për kontributin e tij të çmuar në gjuhën frënge me urdhrin Chevalier de la Légion d’Honneur. Ai është padyshim ndër përkthyesit më të mëdhenj drejt gjuhës frënge, dhe më i madhi nga gjuha shqipe, falë edhe veprës prolifike të shkrimtarit Ismail Kadare.
Më 2006, Ministria e Kulturës së Shqipërisë krijon çmimin Jusuf Vrioni të përkthimit nga shqipja në gjuhë të huaja.
Ai u nda nga jeta në Paris, më 25 maj 2001, duke lënë një kujtim të rrallë te të gjithë ata që e njohën, për tolerancën, mungesën e urrejtjes dhe atdhedashurinë, por veçanërisht tek një grup artistësh të rinj shqiptarë e francezë me të cilët i kalonte orët e humbura. Eric Faye ishte një prej tyre, ja si do të shkruante laureati i Çmimit të Romanit të Akademisë Franceze: “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, europianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së ëmës, e cila e kish dashur aq shumë …”. Miku i tij, shkrimtari Claude Arnaud, për mënyrën e pastër dhe pa helm me të cilën ai e shihte dhe e trajtonte çdo çështje, do ta quante Vrionin: adoleshenti i përjetshëm. Maji i këtij viti shënon 15 vjet nga humbja e Jusuf Vrionit, kësaj figure të çmuar të kulturës shqiptare, të njeriut fisnik, të cilin torturat, vuajtjet e mundimet e kishin bërë edhe më fisnik, patriotit që e donte me shpirt Shqipërinë dhe popullin e tij, e të cilat i përfaqësoi me dinjitet, në UNESCO e kudo ku ai shkonte e mbarte me vete Shqipërinë. Shteti shqiptar dhe Presidenti i Republikës shpresoj do ta nderojnë atë në këtë përvjetor të vdekjes, për kontributin e tij në shkëlqimin e kulturës dhe të letrave shqipe në botë!(Shqip)
Kufiri Kosovë-Mali i Zi dhe Komisioni ndërkombëtar
Me nismën e presidentes një komision ndërkombëtar dueht të vlerësojë çështjen e kufirit Kosovë-Mali i Zi. Opozita e quan pozitiv vendimin, por druan se nuk janë të precizuara kompetencat e komisionit. Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, zyrtarisht nënshkroi të martën (15.03), vendimin për themelimin e komisionit “ad hoc” të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do ta vlerësojnë procesin e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Puna e kryer më herët nga një komision qeveritar i Kosovës, bëri që opozita të mos e pranojë demarkacionin me Malin e Zi, duke e akuzuar qeverinë e Kosovës se po i fal mbi 8 mijë hektar tokë të Kosovës Malit të Zi.
Komisioni vlerësues ndërkombëtar ad hoc, i themeluar nga Presidentja Jahjaga dhe që nisi punë të martën, është i përbërë nga tre ekspertë, një nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga Gjermania dhe një nga Britania e Madhe.
“Këta ekspertë në javët në vijim do të bisedojnë me të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë për procesin e demarkacionit, do të shqyrtojnë dokumentacionin dhe do të zhvillojnë vizita në terren për të krijuar një pasqyrë të qartë për rrjedhën e këtij procesi. Puna e ekspertëve do të përmbyllet me vlerësimin e procesit të demarkacionit dhe procedurave që janë ndjekur në atë rast. Vlerësimi do t’i dorëzohet Presidentes Jahjaga, pranë Zyrës së të cilës vendoset ky komision”, thuhet në njoftimin nga presidentja e Kosovës.
Komisioni vlerësues themelohet me iniciativën e Presidentes Atifete Jahjaga, pas shqetësimeve të ngritura nga opozita rreth marrëveshjes së nënshkruar vitin e shkuar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për vendosjen e kufirit shtetëror.
“Presidentja Jahjaga ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike, institucioneve dhe qytetarëve, të bashkëpunojnë me ekspertët ndërkombëtarë, për t’i mundësuar komisionit një vlerësim të saktë dhe gjithëpërfshirës të procesit të demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në njoftimin e Presidentes.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), i thanë Deutsche Welles se ata akoma nuk kanë marrë asgjë të shkruar rreth këtij komisioni, sikundër nuk e dinë se cili do të jetë roli i tij, kompetencat dhe metodologjia e punës.
“Gjithsesi kjo është një lëvizje pozitive, por ne druajm se nëse ky Komision nuk i ka të saktësuara të gjitha kompetencat dhe metodologjinë e punës dhe dokumentat mbi të cilat do ta “vlerësojë” demarkacionin e Kufirit me Maqlin e Zi, puna e tij do të jetë një improvizim. Për më tepër, me sa kemi parë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në pjesën e kompetencave të Presidentit, nuk ka një nen ku i jep të drejtë Presidentes të krijojë komisione të tilla. Ne dyshojmë nëse kjo është shkelje edhe e Kushtetutës”, tha anëtari i kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj.
Sipas AAK-së “Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, duhet të bëhët nga e para, duhet të jetë transparent. Ai duhet të bëhet nga një komision kredibil e profesional, i cili mund të jetë edhe i përzier, ku do të ishin edhe vendorët edhe ndërkombëtarët dhe natyrisht, versioni final të ratifikohet në Kuvendin e ardhshëm. Çdo veprim tjetër ne e konsiderojmë improvizim”, tha Muharrem Nitaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së.
Për të qenë sa më transparente, zyra e Presidentes publikoi edhe biografitë e tre ekspertëve ndërkombëtar që do ta vlerësojnë sic thuhet “procesin e demarkacionit me Malin e Zi”.
Është eksperti Fletcher M. Burton, diplomat i lartë amerikan në pension, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ballkan. Në vitin 2009, z. Burton ka mbikëqyrur përpjekjet për përcaktimin e kufirit midis Kosovës dhe Maqedonisë.
Është eksperti tjetër Dr. Ing. Herbert Wilmes shtetas gjerman dhe ekspert i njohur për shënimin e vijave kufitare ndërmjet shteteve. Ai ka diplomë universitare në gjeodezi, doktoraturë në gjeodezi nga Universiteti i Bonit dhe është vlerësues i hartave topografike. Nga viti 1998-2015 ka shërbyer si anëtar i komisioneve të përhershme të kufijve me shtetet fqinje Austrinë, Republikën Çeke, Holandën dhe Poloninë si dhe si këshilltar teknik në çështje vlerësuese për kufijtë me Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën dhe Danimarkën.
Dhe anëtari i fundit i komisionit, Fred Newton është ekspert i njohur evropian për menaxhimin e kufijve dhe ka punuar me Komisionin Evropian në këto çështje. Newton ka këshilluar rregullisht qeveritë e vendeve të ndryshme për sigurinë dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Sidoqoftë, një marrëveshje e nënshkruar në gusht të vitit të shkuar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për shënimin e kufirit dhe një tjetër marrëveshje e nënshkruar me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka bërë që në Kosovë tash e gjashtë muaj të ketë një krizë politike, mospajtime të thella ndërmjet opozitës që kundërshtojnë këto marrëveshje dhe partive në pushtet. Mospajtimi i opozitës rezultoi edhe me hedhjen e përsëritur të gazit lotsjellës në parlament dhe protestave në rrugë, në të cilat kishte edhe përleshje ndërmjet protestuesve dhe policisë. Një protestë e radhës e opozitës që kërkon dorëheqjen e qeverisë është paralajmëruar për datën 26 mars.(Bekim Shehu DW)
Kompania nga Kosova nderohet me çmim në SHBA
Kompania nga Kosova, KEDS, e cila merret me shpërndarjen e energjisë elektrike, mori dje në Uashington një çmim për angazhimin e saj në trajnimin dhe punësimin e të rinjve në Kosovë. Përfaqësuesit e Kompanisë ishin të martën në Uashington ku morën çmimin për kontributin e tyre në shoqëri nga Klubi Kombëtar i Shtypit.
Si pjesë e përgjegjësisë ndaj shoqërisë, kompania e Shërbimit të Shpërndarjes së Energjisë në Kosovë, KEDS në vitin 2014 krijoi projektin Akademia KEDS. Ky projekt çdo vit organizon trajnime për studentët e universiteteve të Kosovës dhe shkollës së mesme “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Kompania përmes një konkursi të hapur zgjedh 50 studentë të inxhinierisë elektrike, të cilët më pas i trajnon për një vit. Pas mbarimit të kursit të trajnimit, shumica e studentëve punësohen nga kompania KEDS. Dëri më tani 75 nga 100 studentë që kanë mbaruar këtë program, janë punësuar nga kompania.
“Kjo është pjesa më e mirë e programit. Të gjithë në Kosovë e dinë se niveli i papunësisë është tepër i lartë sidomos mes të rinjve, 60 për qind e tyre janë të papunë. Unë besoj se ne jemi në rrugën e duhur”, thotë Serhat Inç, nismëtar dhe themelues i projektit Akademia KEDS.
Për angazhimin në këtë projekt firma KEDS u nderua me një çmim nga Klubi Kombëtar i Shtypit në Uashington. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve morën pjesë dhjetëra kompani dhe organizata amerikane e ndërkombëtare të cilat kanë dhënë kontribute të ndryshme për shoqërinë. Sipas organizatorëve të kësaj ceremonie, nderimi me çmime ka për synim të nxisë angazhimin e kompanive dhe organizatave për të bërë ndryshime pozitive në shoqëritë e vendeve në të cilat ato operojnë. “Në një kohë kur retorika politike, dhe problem të tjera të ditës mbizotërojnë diskursin publik, është mirë që të kujtojmë kontributin e mirë që shumë organizata dhe kompani japin për çështje për shoqërinë”, tha në hapje të ceremonisë, prezantuesi i Klubit Kombëtar të Shtypit.
Menaxherja e Departamentit për Marrëdhënie me Publikun në KEDS, Naxhije Arifaj, thotë se kompania do të vazhdojë anagazhimin e saj në këtë drejtim.
“Çmimi ka një domethënie të veçantë për ne, për programin tonë KEDS Academy. Në të vërtetë, është një shtysë shumë e madhe, një motivim për ne që të vazhdojmë tutje, ta avancojmë programin tonë në të mirë të rinisë kosovare, por mbi të gjitha në të mirë të shtetit të Kosovës”.
Kompania KEDS në vitin 2013 është blerë nga kompanitë turke Çalik dhe Limak të cilat kanë investuar në infrastrukturën dhe mirëmbajtjen e rrjetit shpërndarës të energjisë në Kosovë. Drejtori i KEDS, George Karagutoff thotë se pavarësisht se Kosova ka burime të pasura energjie, mungesa e investimeve në infrastrukturën energjetike po dëmton nivelin e prodhimit të energjisë në vend.
“Për shkak të vjetërsisë së sistemit të prodhimit vendas të energjisë, i cili shpesh përballet me prishje, Kosova një vend i pasur me linjit, detyrohet të përmbush nevojat e saj përmes importit të energjisë elektrike. Ne kemi bërë përparim në përmirësimin e rrjetit të shpërndarrjes së energjisë brenda vendit dhe në rrjetin e importit të energjisë. Ne duhet të balancojmë shumë sektorë në mënyrë që të sigurohemi që sistemi i energjisë në vend të funksionojë dhe çmimi i energjisë elektrike të ulet”.
Megjithëse, Kosova vazhdon të përballet me probleme në sistemin e energjisë elektrike drejtuesit e kompanisë KEDS besojnë se përmes investimeve të duhura vendi mund krijojë një sistem të qëndrueshëm të prodhimit të energjisë, i cili mund të ndihmojë edhe në zbutjen e papunësisë në vend.(VOA)