• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NËNTË IKONAT E MËDHA PËR NË PARAJSËN E ARTIT

March 6, 2016 by dgreca

IKONA E PARË: LEONARDO DA VINÇI/

Ese nga Xhevair Lleshi/

Po. Të zgjedhësh për ikonë një autor të madh, të pavdekshëm! Jo për t’u bërë si ai, por duke e pasur idhull, një kandil për të ndriçuar rrugën tënde të vështirë. Ti mund t’i biesh violinës, mund të jesh këngëtar, skulptor, të pikturosh në kanavacë, si dhe mund të bësh mozaikart. Pra, je Sajmir Strati i madh. S’di prej kujt mund ta kem këtë trill, thoshte Sajmiri një mbrëmje të bruztë. Mundet prej aromës së trëndafilave, sepse kjo lule e rrethuar nga gjembat vetëmbrojtës ka një përsosmëri të pakrahasueshme, magjike. Aromë dhe ngjyra të pakrahasueshme. Mendova se duke luajtur gjatë fëmijërisë sime në natyrë, në bar e lule, me dallgët e detit, madje duke e parë detin nga lartësia e fiton me siguri artistin. Atje në malin përmbi det trillon, pavarësisht se çfarë, por të rrëmben engjëlli me krahë trilli. Ku mund të shkoja kur të rritesha? Në ç’vend? Në ç’det? Dhe për të gjitha këto u zgjova nga letargjia e tmerrshme mjaft vonë, atëherë kur ra gongu im. Po. Ky do të ishte Leonardo da Vinçi. Ikona ime e parë. Sepse, pavarësisht mjeteve të përdorura (gozhdë, pikërisht ato që mbërthyen Krishtin në kryq!) unë mund të ngrija një madhështi tjetër bote. Kisha lexuar shumë për të, kisha menduar gjatë për rrënjët e fuqishme të madhështisë dhe ngadalë-ngadalë ajo madhështi më ngriti në krahë, më frymëzoi, më bëri të palëndët, një frymor të qiejve. Dhe s’mund të isha më në lartësinë e malit për të parë detin, por nga lartësi të papara qiellore për të zgjedhur rrugën më të përshtatshme për të shkuar drejt Artit të Madh. Ky yll magjie u shërben të gjithëve për t’i bërë njerëz. Mendo, Leonardo po aq urtësisht do të merrte në krahë edhe një dáun, edhe një fukara dhe do të frymonte në qiej bashkë me ta. Dhe e mendova kthjellët plot drithërimë. Ai mund të ishte edhe njëzetepesë metra lartësi dhe një bazë që do t’i shkonte bustit dhe torsit të tij të shumëfishuar. Pastaj mjekra do të varej poshtë si dallgët e detit në sublimitet. Por fillimisht mund të ishte me përmasa të vogla dhe njëherësh eprane e me to të luaja me ngjyra, me thërrmija, si hojet e bletës që instinktivisht ndërton diçka të mahnitshme. Kjo do të thotë se duhej t’i dorëzohesha instinktit, nuhatjes së pavdekshme, që rron me ty edhe pasi ke mbaruar punë me këtë botë dhe i dorëzohesh një bote tjetër… Më dukej se do të rrija shtrirë mbi bar, duke vështruar qiellin lart, me sy mbyllur, nëpërmjet përfytyrimit dhe fytyra madhështore e Leonardo da Vinçit herë zmadhohej dhe herë zvogëlohej. Mendoni pak nëse i jeni dorëzuar vetes ndonjëherë kështu? Thashë që sikur të mendoheshit. Dhe për mua duhej vizatuar gjithçka nëpërmjet magjisë së Artit të Tij. Dhe me dridhje jo konvulsive, por nga ato dridhje të ëmbla që t’i fal vetëm Arti, të rrija përballë fasadës bosh, ndoshta siç bënte Onufri i madh para se të pikturonte ikonat e tij. Jo, mos mendoni që unë të paktën ta lë mënjanë Onufrin dhe një prej ikonave të tij. Por në këtë rast le të shkoja tek njëzetepesë metrat lartësi, pse jo në një nga fasadat madhështore të Tiranës, fundja edhe të Nju Jorkut. Se Onufri u përket të gjithëve, botës dhe shpirtit të saj, ndonëse Berati i çmendur pas birësimit, nuk lë dy gurë bashkë për ta mbajtur të fshehur në gjirin e Kalasë. Them nganjëherë se ashtu mund ta çosh edhe atë, Beratin, në qendër të botës, në Nju Jork. E, pra, le të kthehem te Leonardo…

Puna me të ishte sikur t’i kthehesha një vizite të zakonshme te gjyshja ime, buzë detit në Vlorë. Ajo teksa më mbante për dore, qeshte me erën dhe valët, më përkëdhelte mua, nuk ma lëshonte dorën dhe më pas më linte të lirë, të vrapoja buzë detit, të thithja gjithçka mundja, të ngrihesha kas e të bëhesha gati për fluturim. Kjo ndjesi më ndoqi gjatë gjithë punës. Lodhja fluturonte diku sipër meje. Skela herë zmadhohej e herë zvogëlohej ndërsa syri im bëhej qiklopik. I madh. I madh dhe ndalonte pak te drita e diellit. Sikur ndizej e gjithë bota në flakë, ndërsa pika e djersës, si kripë deti futej ngadalë brenda syrit tim dhe ma përcëllonte pak. Ndërkaq ngjyra para meje bëhej si e bruztë duke e larguar dritën të zbriste poshtë valëve të mjekrës. Domethënë se  asaj dritës tjetër, nesër që do të projektohej poshtë portretit të madh, duhej të krijonte një sintoni energjie së poshtmi, nga Toka, aty ku qëndronte përjetësisht ky njeri i qiellit, i botës së etertë. Ky do të ishte trillimi i të vërtetës artistike dhe unë fare mirë së këndejmi mund të filloja rrugën time të lartësuar artistike. Këta do të ishin ikonat e Artit të Madh, ikonat e mia të madhërishme. Ikonat! E pse jo. Më ndihmoi Onufri i madh, Leonardo da Vinçi shqiptar që ta gjeja formulimin e vërtetë.  Dhe ai do besuar patjetër, se është biri i shenjtë i tokës sonë, ikonë më vete, bashkë me ikonat e vjetra. Onufri si dhe Leonardo da Vinçi mos vallë më mbajnë për mendjelehtë? Jo pse iu futa një rruge të tillë, që çdo dembel tjetër, çdo qenie njerëzore që merr frymë do të largohej prej kësaj sëmundjeje e çdo frymori me një fat të shenjtë. Kur isha i vogël gjyshja më mësonte ato që edhe vetë nuk i dinte mirë, se nuk i përkiste ortodoksisë, më thoshte që të gjunjëzohesha para Shën Mërisë që mbante Jezu Krishtin në krahë dhe se si duhej të qaja. Ajo ishte një ikonë e Onufrit, por mjaft që ishte e Zotit. Mjaftonte. Edhe emrin e ka të bukur thoshte gjyshja. Mëria e shenjtë, që askush tjetër nuk do ta pranonte. Po kjo Mëri e shenjtë (jo Mari e shenjtë!) më shihte në sy teksa vendosja një pas një mbetjet e kthyera në mjete artistike e për t’i vendosur në portret, duke ruajtur raportet e burimit të dritës, thyerjen e saj, këndin, vendosjen, refraktimin e saj, lidhjet, hapësirat. Dhe lodhja gjithnjë largohej tej duke më vështruar e përmallur, e dëlirë, e këndellur. Atë ikonë të trashë e të brejtur, me ngjyra të drithëruara gjyshja ime myslimane jo e thekur nuk dihet nga ç’kohë e mbante në arkëzën e saj me ngjyrë më të zvetënuar nga ikona. Gjyshja e mbështillte me shami mëndafshi dhe e vendoste në vendin e saj duke belbëzuar ca fjalë të kthjellëta dashurie. Nuk e pyeta dot asnjëherë, nuk e kisha atë fuqi magjike për të arritur deri tek pyetjet, ndonëse kërshëria më gërryente së brendshmi. Vonë sigurisht do ta dija saktë se gjyshja ime e trashëgoi atë ikonë, ashtu siç e kishin trashëguar të parët e saj, derisa arriti gjer tek unë, duke më mbajtur para syve e duke më ushqyer me Artin e Madh, me dritën e saj të mekur që t’i shihja gjërat brenda çudisë së tyre, edhe pse drita kurrë nuk mjaftonte… A duhej të sakrifikoja më shumë se kaq, ndonëse trembesha mos më prishte punë befasia e mënyrës së vështrimit të gjërave më të mëdha se unë. Eh, ikona ishte e vogël, aq sa mund të mbështillej me një shami të trashëguar mëndafshi që mbante erë ftoi… Ndërsa unë ndodhesha përballë ikonës sime të madhe: Leonardo da Vinçit. Me shqisën e Onufrit, me sytë e detit të Vlorës, me shikimin e vendosur qiklopik. Pa këtë sy s’mund të bëhej ajo vepër. Po edhe me durimin e harbuar mbi veten time, shoqëruar nga intuita dhe me lëvizjen e smirtë të instinktit të sertë, agresiv. Duhej shkuar përpara, duhej bërë edhe pak më shumë sot, se dje. Dhe flija në këmbë si kali, ndonëse me përfytyrim të ndezur, si somnambul. Somnambul të Artit. Vetëm kjo ndjesi mund ta mbante në këmbë idenë, pa më tradhtuar asnjë sekondë. Të drejtën, këto që ju rrëfej janë gjëra të shpirtit, të padukshme, të pamjaftueshme kurrë që të ngrihet në këmbë e tëra, që të lëndohet paksa e djeshmja, që… O Zot! Ç’po bëja? Ndoshta një mëkat tjetër? Ndoshta një imazh të kthjellët, prej të verbri? Ndoshta. Atë ikonë më duhej t’ia falja jo kishës, por gjithë botës, duke ia lënë në gji mëmës, vendit tim, i cili më bëhej se më shihte shtrembër, madje edhe pa përkrahje, të dridhesha në duart e erës. Qeshja pakëz me trishtim, sepse kjo qe bërë për mua, pa më bekuar kush, pa ma dhënë uratën kush, duke më nxitur indirekt drejt një rruge pa krye, pa mecenat, sepse këto ikona nuk i ka për zemër askush dhe unë këtë gjë e dija kaherë dhe bash për këtë duhej të më vente mbarë. Po flisja me gjuhën e plakave, po me atë vështrim të vagëllyer përmes trishtimit. Se ka forcë të habitshme trishtimi. Ua them unë. Trishtimi sakrifikon edhe ikonat, edhe Leonardon tim, edhe Onufrin, sigurisht për mua. Po e vërteta rron, rrojnë edhe mecenatët me dorën e largët të uritur, ose më saktë për të më mbajtur kurdoherë të lodhur e të uritur. Duhej t’i kthehesha ikonës që ma kishte lënë trashëgim gjyshja, që kurrë nuk i dha emrin e ngatërruar të Shën Baba Aliut, as e ngriti mbi Tomorr, as e çoi në rrëzë të Nemërçkës, as e lëndoi me ngatërresën e emrave të tjerë. Dhe darkave kur sigurisht edhe unë prehem ledhatoj shaminë e mëndafshtë të ikonës onufriane, mbetem si pa frymë duke mos menduar kurrë më për mecenatët, për Makbethët, për Shekspirët. Ah, Shekspiri! Shekspiri i madh ulëritës, agresori më i madh që kam njohur, dashnori i lavdishëm, ikona njerëzore pa dritë të jashtme por me dritë magjie. Pse jo, ai duhej të ishte një ikonë tjetër e mua s’duhej të ma prishte marrëdhënien time me Leonardon dhe Onufrin. Ishte vendosur një raport i rrallë, një marrëdhënie biunivoke dhe e pa tradhtuar nga ide të tjera… Po shihja se portreti po merrte formë. Ditë pas dite. Eleganca e gishtave që më dukej se zgjateshin pa fund, që drithëronin edhe ata me ndjeshmëri. O Zot i madh! Çfarë paskam pritur! M’u bë se kjo ishte shqisa ime e tetë: gishtat. Harroja se ata janë simbol i prekjes, e vërteta e kulluar e prekjes. Dhe kështu jo shqisë e tetë, e tepërt, por krejt e njohur. A nuk marrin formë edhe vetë format nga lëvizja plot solemnitet shtypës dhe këndelljeje të majave të gishtave? A nuk bëjmë të mundur të zgjojmë dashuritë e fjetura me majën e gishtave, sidomos me mollëzën e parë të tyre? A nuk japim jetë e dashuri me prekjen tonë magjike? Ishte vetë prekja e lumnueshme, vetë magjia e saj? Ndaj dhe merrte formë përditë e më shumë Leonardo im, duke pasur pranë edhe syrin e Onufrit tim, ndoshta edhe të vështrimit të fshehtë të ikonës sime të vjetër…

Por së brendshmi rritej edhe frika. A do ta përfundoja? Sytë, vështrimi pak i errësurar. Format e plota të fytyrës, mjeshtëria e lartësuar e ballit, këndi i dritës. Ah, kjo dritë lemeritëse që ma trazonte aq keq shpirtin e mbyllur brenda një pike vështrimi. Tundja kokën me vete dhe e shihja nga kënde të ndryshme, duke vrapuar, duke ndenjur një orë të tëra se ku mund të mbyllej depërtimi i vështrimit të atyre syve të jashtëzakonshëm. Me sa ngjyra e shihte ai botën, me ç’dritë e mbështillte pikën ku ngulitej i përqendruar? Si në një film për Leonardon. Ku mund ta shihja apo thjesht më ndihmonte imagjinata ime e pakursyer? Duhej të ishte një skenar madhështor diku në Firence ose në Romë, apo më saktë në Mangalemin e Onufrit, një nga njëmbëdhjetë ikonat e mia. Po për këtë duhet dashuri tjetër. Se edhe Mangalemi mund të ishte një ikonë për njerëzimin. Edhe ai do të kalonte nëpërmjet këtij kaleidoskopi krijues? Pse jo? Një rrafsh Gjirokastre po ashtu, një lab duke kënduar e duke qëndruar si shkëmb, një malësor Veriu duke i rënë lahutës, një… Zot i Madh, ku më vete mendja! Jam me Leonardo da Vinçin tim! Dhe pikë! Këtu të robtohem, këtu le të vdes! Kjo është ikona ime e parë për njerëzimin. Bota do të kujtohet për këtë. Bota më përket mua. Përse? Për… Kurrë jo! Bota nuk ma shpërblen dot kurrë, edhe sikur të isha nën sqetullën gjigande të ndonjë Sorosi. Hm. Pikërisht atëherë do të ndodhte dhe tragjedia. Do të plakesha, do të rrëgjohesha, do të luaja mendsh me siguri. Se tjetër gjë më fal kjo punë. Tjetër shpirt. Tjetër kënaqësi: e lëbyrtë, plot drithërimë, aq shumë frymë dashurie!… E them solemnisht: nuk mund ta kem, madje as të kem të bëj me këtë gjë…

E pashë tek e mori formën. Mora frymë thellë për t’u siguruar që do të jetoja. Se një ikonë edhe të merr me vete, të mban në gji, duke menduar se së shpejti të ngjall përsëri. Eh ç’nuk bën fryma e shenjtë. Mund të marrësh sërish rrugën për të qenë në bregun e Vlorës dhe të shohësh lëkundjen e përshpirtshme të valëve të detit dhe pastaj të hedhësh vështrimin nga Çika. Brrrr. Ç’do të thoshte kjo? Çika mund të ishte sogjetimi i tretë drejt klasifikimit të ikonave të mia. Retë që vallëzojnë sipër. Një vallëzim makabër, i përbindshëm, duke dashur ta bëjnë për vete vashën, çikën, dritën e syrit. Përfytyrojeni pak. S’ka Perëndi që e mposht këtë frymëzim qiellor e të shenjtë për të vajtur te Çika! Ky frymëzim i maleve mund të më shpjerë tek Tomorri, te Bjeshkët e Namuna, te Gryka e Rugovës, tek solemniteti i Grykës së Kaçanikut, tek Qafështama që bekonte Skënderbeun, ose Skënderbeu duke vështruar detin nën furinë e erës në Kepin e Rodonit… Dhe ndalem, do t’i lë pak mënjanë malet dhe do të kungoj ikonën time të parë, ta lajë me dritë dielli, madje t’ia lë diellit, reve, shiut, syve njerëzorë dhe… kurrë mos u mbylltë në magazina të mëdha pritjeje. Se një ikonë, qoftë edhe Arti, duhet të jetë për njerëzit, ata duhet t’i falen, pikërisht në atë udhëkryq ku kalojnë më shumë, ndoshta në një grykë Gjibraltari ose në një grykë Otrantoje dhe të vështrojë detet. Se edhe ikona do hapësirat e saj, ashtu siç i kërkon me këmbëngulje sytë njerëzorë. Kjo më kujton Danten e gdhendur prej erës në Duino, pa hyrë në tunel. Si e gdhendi era Danten? Si? Pse të mos gdhendë era edhe Leonardon? Mos vallë kjo frymë Perëndie, Era, do ta gdhendë edhe Leonardon? Cila dorë skulptori do ta bënte këtë? Cili Fat do të përlindej për të rënë nën duart e daltës së Erës? Zot, ma jep këtë fuqi shkatërrimtare, këtë ndjesi të freskët puhize, për të vajtur tek e vërteta, për t’i vënë pikën e fundit Leonardos. Dhe e vështroja. Thellë, atje ku vështrimi bëhet një pikë e vetme. Dhe mbylla sytë. Dy lot kokërrmëdhenj më shpëtuan. Bekuar qoftë! Kjo është ikona e parë, rekordi im i parë Guinness… Amen!…

Tiranë, më 05.03.2016

Filed Under: ESSE Tagged With: : LEONARDO DA VINÇI, IKONA E PARË, Xhevair Lleshi

Përqasja e rastit të gazetes “Zaman” me fatin e medias shqiptare

March 6, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Pamjet e transmetuara nga Turqia ditën e djeshme ishin trishtuese, të paimagjinueshme dhe shkatërruese për një sistem vlerash të një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian. Trupat policore kanë hyrë me forcë në godinën e gazetës “Zaman”, një gazetë kritike e qeverisjes aktuale të Turqisë, dhe kanë marrë nën kontroll administrimin e kësaj gazete, e cila çdo ditë del me më shumë se një milion kopje në treg, duke konkuruar shtypin e shkruar europian. Arësyetimi i kësaj dhune shtetërore kundër gazetës më të madhe turke lidhet me faktin se ajo kritikon qeverinë dhe presidencën e zotit Erdogan si mbështetje e kundërshtarit të presidentit turk, udhëheqësit shpirtëror të Lëvizjes “Hizmet”, Fethullah Gylen. Zoti Erdogan e ka akuzuar kundërshtarin e tij si “komplotist”, që me anën e rrjetit të tij mbështetës në drejtësi, polici, në media dhe në arsim synon të rrëzojë pushtetin aktual në Ankara. Më këtë akuzë sot u shkërmoq media më e fuqishme e fjalës së lirë në vendin e madh të Turqisë, “Zaman”, si dhe një agjenci lajmesh e lidhur me të, “Cihan”. Qytetarë të shumtë në Stamboll janë përleshur me policinë në përpjekje për ta ndaluar aktin e dhunimit të tempullit të vetëm të fjalës së lirë të mbetur në këtë vend. Policia ka përdorur pompat e ujit për të shpërndarë turmën dhe ka hyrë me forca të shumta në ambjentet e gazetës. Kjo ndodhi pasi gjykatat kanë ndëshkuar dhe dënuar disa gazetarë opozitarë të rrjetit mdiatik të mbështetur nga Gylen me akuza absurde. Rasti në fjalë ka shkaktuar gjithashtu një reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos në Bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk pajtohen me veprime të tilla arrogante të tipit totalitar kundër medias dhe fjalës së lirë. Në të vërtetë tolerimi i një akti të tillë nga ana e qeverisë turke do të ishte inkurajim e frymëzim për forcat e errëta antidemokratike për të shtuar dhunën kundër kritikëve të qeverisjes dhe për të ndaluar e cennsuruar fjalen e lirë jo vetëm në Turqi, por edhe në vende të tjera anëtarë të NATO-s e të BE-së, ose në vendet që janë në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Presidenti i Parlamentit të Bashkimit Europian, Martin Schulz, u shpreh sot se “Turqia po luan me veten e saj sa i përket afrimit të saj të mëtejshëm me BE-në”. Qeveria amerikane kritikoi këtë akt duke e konsideruar si të papranueshme përpjekjen e qeverisë së Ankarasë për të vënë nën kontrollin e saj gazetën më të madhe të vendit. Shefi i Partisë së të Gjelbërtëve në Berlin me origjinë turke, Cem Ozdemir, i kërkoi kancelares Angela Merkel që të deklarohej qartë kundër aktit të dhunshëm ndaj gazetës “Zaman” dhe stafit të saj. Ai shprehet i ashpër me ndërhyrjen qeveritare turke për vënien nën kontroll të medias dhe paralajmëron institucionet e BE-së, kur thotë se “Do të ishte fatale, nëse Bashkimi Europian do të jepte sinjalin e gabuar, sipas të cilit, “Politika për refugjatët është më e rëndësishme sesa respektimi i vlerave themelore të lirisë”. Me këtë pozicion opozita gjermane do ta vendosë në vështirësi autoritetin e zonjës Merkel, e cila do të jetë e detyruar të ashpërsojë qendrimin e saj ndaj Turqisë. Kjo do të thotë gjithashtu se presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, llogarit në interesat konjukturale të Bashkësisë Europiane, e cila është në vështirësi për menaxhimin e krizës së refugjatëve që vijnë nga vatrat e konfliktit në Siri. Ai po e shfrytëzon këtë krizë për të rrit pushtetin e tij absolut në vend dhe për ta drejtuar atë më një dorë të fortë autoritare me elementë të shumtë të tatalitarizmit. Ai shpreson se në këto kushte Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të reagojnë ashpër, së paku nuk do të vendosin sanksione ndaj Ankarasë. Por nëse Perendimi vendos të reagojë me ashpërsi, atëherë qeveria turke do të vihej në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse Ankaraja ka humbur tashmë një aleat të pazakonshëm, Rusinë, të cilën e përdori, njësoj si edhe Beogradi, si kartë për të ushtruar presion ndaj NATO-s dhe BE-së, me qëllim krijimin e një hapësire tolerance për veprimet antidemokratike të presidentit Erdigan. Tashmë Moska dhe Ankaraja ndodhen në konflikt midis tyre dhe në rastin e një reagimi serioz të Perendimit, atëhere Turqia do të gjendej në një pozitë të pafavorshme. Martin Schulz i ka telefonuar kryeministrit turk, Davutoglu, por ky i fundit e ka justifikuar ndërhyrjen dhe marrjen nën kontroll të gazetës “Zaman”, në zbatim të një vendimi të gjykatës turke, sipas së cilës gazeta në fjalë do të duhejadministruar nga një administrator i caktuar nga qeveria. Kjo do të thotë, ndryshim i politikës editoriale të gazetës dhe përfundimisht mbylljen ose vënien e saj në shërbim të qeverisë. Në Shqipëri nuk i telefonojnë kryeministrit tonë për fatin e medias, sepse tek ne nuk janë shfaqur ende skenat e tilla të dhunës policore sin ë rastin e “Zaman”. Por në përmbajtje një sjellje e tillë me median është prezente. Në dy-tri vitet e fundit të qeverisjes së antirilindjes dhuna, terrori, kërcënimi mbi median, gazetaret e moderatorët e saj, janë ngritur në sistem, aq sa kritikat e saj për qeverisjen e dështuar janë sipërfaqësore, për çeshtje anësore, duke u larguar qëllimisht nga thelbi i zhvillimeve negative në këtë vend. Panorama e sjelljes arrogante të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit të tij me median kanë arritur shkallën më të lartë, por me një ndryshim nga ajo që ndodh në Republikën e Turqisë: Tek ne makiazhi, fshehja e dhunës, arroganca e shitur si debat demokratik, blerja e pronarëve të medias, kërcënimi jo publik i tyre, kushtëzimi në biznes etj, janë skemat perfide të sjelljes me median nga ana e ekzekutivit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, Përqasja e rastit të gazetes “Zaman” me fatin e medias shqiptare

ZËRAT E RINJ- NJË FESTIVAL QË PROMOVON FËMIJËT E TALENTUAR SHQIPTAR NË SHBA

March 5, 2016 by dgreca

Në Foto: Besa Eduard Buçaj duke interpretuar “Think of Me”, shoqëruar  në piano nga  Lorivert Çobo/

Festivali ” Zërat e Rinj” nën drejtimin e artistes Pranvera Çobo(Sula) që ka nisë rrugëtimin e tij në Nju Jork që nga viti 2013, vitet e shkuara ka promovuar vlera muzikore dhe talentë të rinj në diasporën shqiptare ët Amerikës. Edhe këtë vit Festivali do të vazhdojë rrugëtimin e tij. Në vijim të parapërgatitjeve të Festivali “Zërat e Rinj 2016” me 27 Shkurt 2016 u organizua një veprimtari artistike në “Grappa 46 Restaurant”, i cili kishte për qëllim që të mblidhte fonde për këtë festival.
Gazeta “Dielli” botoi me këtë rast në versionin online(www.gazetadielli.com) një reportazh nga bashkëpunëtorja Violeta Mirakaj, e cila ka sjellë atmosferën artistike dhe emocionale në të cilën interpretuan artistë të rritur dhe artistët fëmijë.
Ndër interpretimet e fëmijë të talentuar u duartrokit gjatë interpretimi brilant i vajzës së talentuar Besa Eduard Buçaj, e cila e shoqëruar në piano nga një tjetër i ri i talentuar, Lorivert Çobo, interpretoi mrekullisht “Think of Me”.
Të pranishmit mirëpritën e duartrokitën edhe fëmijët e tjerë, interpretues të Festivaleve të kaluar “Zërat e Rinj” :Ëngjëll Junçaj dhe Enesa Dednica me këngën” Unë Bari e ti Baresh”(Zërat e Rinj 2013), Motrat Enesa dhe Jona Dednica me këngën e Festivalit Zërat e Rinj 2015″ Brezi me Kapuç të Bardhë”, etj.
Atmosferën artistike e ndezën edhe artistët Ervin Bushati, Entela Ilirjani, Kujtim Shehu, ndërkohë që aktorja-moderatore Julia Ilirjani dhe gazetarja Kozeta Turishta, e drejtuan me profesionalizëm mbrëmjen artistike -fondmbledhëse.
Mbrëmjen e ndoqi Gazeta Dielli dhe Televizioni Kultura Shqiptare në Nju jork.
Veprimtarinë e mbështeti Federata Vatra, TV ALB, Radio Emigranti, prindërit e fëmijëve, individe e familjare.Morën pjesë Kryetari i Vatrës z. Gjon Buçaj me zonjën dhe vajzen, zv/Kryetari i Asllan Bushati me zonjen, Zef Perndocaj me zonjën, zv/kryetari i degës së Uashingtonit Eduard Buçaj me vajzen Besa, editori i Diellit me zonjen, Presidenti i TV Kultura Shqiptare Adem Belliu me zonjen, Pronari i ALB TV Bajram Dreshaj me zonjen Drenusha e bashkepunetore. Mori pjese edhe presidenti i Rrenjeve Shqiptare Marko Kepi. Po ashtu ishin te pranishem pedagoget Kadri Brogi me zonjen, Edmond Lleshi me zonjen, prinder e te afert te femijeve interpretues, dhe nje grup familjesh te tjera shqiptare.
Për më shumë informacion lexoni në Dielli online reportazhin e Violeta Mirakaj(www.gazetadielli.com- kerko: Viloleta Mirakaj, festivali zerat e rinj 2016)

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, FËMIJËT E TALENTUAR SHQIPTAR NË SHBA, QË PROMOVON, ZËRAT E RINJ- NJË FESTIVAL

Ministri Kosovar i Arsimit, anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave dhe Arteve

March 5, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 5 Mars 2016/ Në Salzburg, Austri, është mabjtur sot ceremonia e inaugurimit të anëtarëve të rinj të Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve. Në këtë ceremoni u promovua edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë e Kosovës, Prof.Dr. Arsim Bajrami, i cili është pranuar anëtar i rregullt aktiv i kësaj Akademie.

 Njoftimi dërguar sot nga Ministria thekson se, anëtarësimi në Akademinë Evropiane të Shkencave dhe Arteve është nder dhe respekt për personalitetet që bëhen anëtarë të saj dhe për shtetin që përfaqësojnë, ngase shumica e laureateve të çmimit Nobel kanë qenë anëtarë të kësaj Akademie.

 Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami, i cili është anëtari më i ri i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës, është pritur zyrtarisht nga kryetari i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve, Felix Unger dhe anetarë tjerë të kësaj Akademie, me të cilët ka biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy Akademive respektive./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: anetar i Akademise Europiane, Arsim Bajrami, te Shkencave

Përkujtohet në Tiranë Adem Jashari

March 5, 2016 by dgreca

TIRANË, 5 Mars/ Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Kosovës kanë përkujtuar sot 18-vjetorin e Ditës së Rënies së heroit legjendar të luftës së Kosovës, Adem Jashari.

Për këtë qëllim u zhvilluan homazhe te Monumenti i heroit që gjendet në Rrugën e Durrësit, ku mori pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Kosovës në vendin tonë, Ramiz Lladrovci, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, anëtarë të Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Tiranës dhe Shoqatës së ish-Luftëtarëve Shqiptarë në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emër të Bashkisë së Tiranës, kryetari Veliaj vendosi kurorën me lule në nder dhe kujtim të veprës së Adem Jasharit në përpjekje për çlirimin e Kosovës.

Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ai vlerësoi lart figurën e heroit Adem Jashari, i cili me luftën e tij u kthye në një motivim për të gjithë ata që kërkonin pavarësinë e Kosovës, brenda dhe jashtë saj.

“Më vjen mirë që bashkë me ambasadën e Kosovës vazhdojmë një traditë të përkujtimit çdo vit të komandantit Adem Jashari, sepse për të ecur përpara duhet të kujtojmë si kemi mbërritur deri këtu. Një Kosovë e lirë, një Shqipëri e lirë, i’u dedikohet atyre që luftuan për liri. Betejat nuk kanë mbaruar, betejat për liri duhet të vazhdojnë çdo ditë, për të siguruar atë për të cilën shumë dhanë jetën”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se lufta dhe sakrifica e të gjithë heronjve që kanë dhënë jetën për kombin shqiptar, duhet të jetë një detyrim për të gjithë shqiptarët sot, që të punojmë për zhvillimin e shteteve shqiptare në të dy anët e kufirit.

“Sot, Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për sakrifica të përditshme, për të shtyrë përpara amanetin e atyre që dhanë gjënë më të çmuar, për të parë ditë të bardha dhe për një komb më të begatë në të dy anët e kufirit”, theksoi Veliaj.

Nga e ana tij, ambasadori kosovar në vendin tonë, Ramiz Lladrovci ka falënderuar Shqipërinë për vlerësimin që i bënë heronjve të luftës së Kosovës. “Bashkë me kryetarin dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes jemi këtu për të respektuar kujtimin e veprës dhe jetës së komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari. Kështu që, unë i përgëzoj të gjithë qytetarët shqiptarë kudo ku janë, që këtë ditë ta kujtojmë për jetë e mot”, tha ambasadori Lladrovci.

Filed Under: Kronike Tagged With: Adem Jashari, ne Tirane, perkujtohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3023
  • 3024
  • 3025
  • 3026
  • 3027
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT