• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RRETH ASAJ VOTER…

November 11, 2020 by dgreca

 Nga Fritz RADOVANI/

RRETH ASAJ VOTER…/

Don Lazer Jubani

   Don Simon Jubani/

35 VJET:Mund t’ju duket çudi sësi dy vllazën pa pasë asnjë të keqe njëni me tjetrin për 35 vjet nuk kanë folë kurr bashkë, tue kenë të një oxhaku. Ndokush mendon menjëherë se shkaktarë mund të jenë.., dikush tjetër fajson plakën, dikush kushrinjtë.., por, askush nuk mund të kuptojnë se këta dy vllazën janë dy Klerikë Katolik të nderuem..,dhe, nuk kanë aspak të bajnë me hipotezat e sipërmendueme. 

Sikur të lexonim një libër apo të kishim mundësi me pa një film me jetën e këtyne dy vllazënve, në fund do të thonim me vete: “Çfarë fantazije kanë artistat, apo çfarë ideje i ka lindë atij regjizori me sajue me këta dy vllazën, kjo asht fantazi, në jetë nuk ngjet kurr kështu!” 

Shqipnia asht shumë e vogël. Shkodra edhe shumëherë ma e vogël! Shtëpija ku asht zhvillue ngjarja as nuk krahasohët me asnjenën, prandej edhe asht e vështirë me u besue se. kjo asht ngjarje e vërtetë e ndodhun, madje, edhe në një Shqipni të izolueme nga Bota, ku njerzit me vështirsi qarkullonin nga një qytet në tjetrin.., se për jashta Shqipnie nuk bahej fjalë fare e, sidomos, për Klerikët as nuk mendohej. 

Shkodra dhe historia e saj janë kenë subjekt i shumë ngjarjeve tronditëse, prandej populli i saj me të drejtë krenohet për të kaluemen e lavdishme. Komunizmi sadist everian në Shkoder ka eksperimentue të gjitha thanjet e fantazitë e Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, Everit, Pali Miskës, Hekuran Isajt, Lenka Çukos apo Ramiz Efendisë me shokë.

Lenini në 1922, thonte: “…Të asgjësojmë qëndresën e priftënve dhe të murgeshave me një mizori të tillë që t’a mbajnë mend me dekada të tana!…” Çdo gja që nevojitëj me zbatue këte thanje e ke gjetë në Degën e Mbrendshme të qytetit Martirë të Shkodres, madje, edhe pak ma zi se i ka shkue mendja këtyne “klasikve” të marksizëm – leninizmit apo pasuesve të tyne kriminelë e gjakatarë të pashoq, se aty u grumbulluen sherbëtorët e shovenistëve sllav, fanatikët antikatolikë, të gjitha fundrritë e padijes dhe rrënuesit fshataresk të antiqytetnimit Evropjan Përendimor, që mbartë mbrenda vetës doktrina regresive komuniste, përballë Përparimit t’Atdheut të rujtuna në “Seksionin katolik”! 

Ja dhe fakti që vërteton titullin e këtij shkrimi aqsa rrënqethës aq edhe makabër me u mendue se ka ndodhë në një qytet me ma pak se 28.000 banorë në vitin 1946, ku kishte 26 burgje të diktaturës komuniste dhe disa dhjetra hetues terrorist e amoral e kriminel analfabet. 

Ngjarja zhvillohet në rrugën Ballabane të qytetit, në shtëpinë e Zef e Çile Jubanit. Nana Çile detyrohet me përballue jetesën tue rrah me orë tezgjahun, për me rritë tre djelmë jetima. Dy prej tyne zgjedhin rrugën e Meshtarisë, Lazri dhe Simoni. Lazri vazhdon Seminarin e Jezuitve dhe kur ishte endè aty, bie në sy pergatitja e Tij serioze si Meshtar dhe si studjues i mirë në lamën e historisë. 

Në vitin 1947, në moshen 22 vjeçare e marrin ushtar dhe, asht në pragun e zhdukjes, kur pushkatohet shoku i Tij Don Dedë Maçaj. Pra, Don Lazri atëherë fillon Kalvarin, tue u dënue me 15 vjet burg nga të cilat shumë vite i kalon në burgun famkeq të Burrelit. Mbas 10 vjetësh lirohet nga burgu dhe interrnohet në Gradishtë të Lushnjes, ku qendron edhe 5 vjet tjera aty, deri në vitin 1963.., vit në të cilin lirohet dhe vjen në Shkoder. Në periudhën e “Revolucionit Ideologjik dhe Kultural” të 1967 detyrohet me hy në punë në fermën “Perlat Rexhepi” të Shkodres, ku çdo ditë me biçikletë shkon me fitue “kafshatën e gojës”.., deri me datën  29 Korrik 1982, që vdes i helmatisun nga një shok i punës i quejtun Marleci, kur po hanin bashkë “bukë me djathë” atë mengjez, prej një domatës që i jep shoku i vet. Në spitalin civil të Shkodres, mjekët “nuk dinë me e mjekue”…kështu, në moshën 57 vjeçare Don Lazër Jubani mbyllë “dosjen” e hapun në vitin 1947…si shumë shokë të Tij.

Simoni i vllai, ishte tri vjet ma i ri, le me 5 Mars 1928. Në vitin 1946 kur mbyllet shkolla e Jezuitve nga komunistët nuk mërrinë me e përfundue, kështu punësohet si infermjer pranë dispenserisë qytetit. Aktivizohet me sportin dhe asht ndër futbollistët ma të mirë të klubit “Vllaznia” në Shkoder, por gjatë kësaj kohe ndryshon drejtimin e rrugës së jetës, edhe pse i vëllai asht i burgosun vetëm se ishte Meshtar, Simoni ndjekë mësheftas studimet e duhuna dhe me datën 4 Maji 1958, shugurohet Meshtar nga Imzot Errnesto Çoba. Shugurimi i Tij ishte një pranim me vetdije të plotë i një Martirizimi që do ta ndiqte gjithë jetën. Asnjë pikë mëshire nuk do të kishin terroristët komunist ndaj Klerit Katolik Shqiptar në asnjë periudhë të kenjes së tyne në pushtet, gja e cila ishte e kuptueshme për kedo që ia hynte asaj rrugë. Ndërsa, për Don Simon Jubanin ishte edhe e provueme me vëllain e Tij Don Lazrin, i cili asokohe kalbej burgjesh e kampesh së shfarosjes…

Kur Don Simoni ka lanë Shkodren e asht Meshtar në Mirditë në 1963, Don Simoni arrestohet, dhe kur vëllai i Tij Don Lazri, u lirue nga interrnimi, kështu, Don Simoni i akuzuem, i hetuem, i dënuem, i masakruem dhe i ridënuem, i spijunuem, i dënuem herë dhjetë e herë njëzet vjet, kalon jetën 26 vjet në një nga burgjet historike të komunizmit, në Burrel, ku, Ai aty tashti kishte edhe “birucën e Don Simonit”, e njohun nga të gjithë ata që kanë vuejtë në atë burg…

Lirohet me amnesti të imponueme nga jashtë në vitin 1989. Kishte 7 vjet që Don Lazri kishte vdekë…

Ishin plot 35 vjet që dy vëllaznit Meshtar të një oxhaku nuk ishin takue kurr me njenitjetrin, nuk kishin ngranë një drekë apo një darkë bashkë, nuk kishin asnjë mundësi komunikimi as konsultimi për hallet apo idhnimet e jetes  së Tyne, që filluen në vitin 1947 dhe vazhduen deri në vitin 1989…

Por historia e Don Simon Jubanit nuk mbyllet këtu! 

Meshtari “i pabindun” siç, e kanë quejtë komunistët, vazhdon me ecë shpejtë si gjithmonë edhe mbas atij burgu të tejzgjatun…gja e cila, krijon dyshime tek Sigurimi, i cili me 13 janar 1990, në pragun e Asaj ngjarje të madhe që do të lëkundin thëmelët e komunizmit edhe në Shqipni, pikërisht, atë natë Don Simoni do të arrestohet me shumë shkodranë tjerë, që me datën 14 Janar kishin organizue një Demostratë të heshtun në Sheshin e Dëshmorve të Shkodres, ku mendohej se “edhe mund të rrëzohej monumenti i Stalinit”, për këte arësye xhelati Zylyftar Ramizi me urdhën të diktatorit gjakatar Ramiz Alia, bani ata arrestime që u pasuen me masakra dhe tortura. Ata, që i provuen me ditë të tana nuk kanë muejtë me u çue në kambë. Por Don Simoni asht i pafaj. Lirohet, ndërsa, organizatorët e Asaj Demostrate dënohën. 

Vrasja e Djaloshit Pëllumb Pllumbaj në tentativë arratisje ishte prap një trathti e re mbi ligjin e aprovuem “me gjobitje” për ata që kapën në kufi. Sigurimi shtetit dhe UDB-ja jugosllave vazhdojnë së bashku, lojën e vjetër të mashtrimit dhe të dorzimit të atyne që mund të mendonin me u arratisë. Askujt nuk i shkon mendja se funerali i Pëllumbit të Ri do të jetë një revoltë e Atyne Heronjve që banin mbi sypet e tyne arkivolin e Atij Djali. Posa korteu mërrinë tek komiteti i partisë së Shkodres, shpërthen dufi i një Populli që ka ndrye në zemër për 45 vjet urrejtjën për komunizmin, Ramiz Alinë dhe Nexhmije….Hoxhën dhe, vazhdon thirrja e Atyne Burrave gjatë gjithë Fushës së Çelës, nga Rusi e deri tek vorret e Stom Golemit, ku me arkivol në krah bahën thirrje për rrëzimin e komunizmit… 

Mbas kësaj ngjarje në muejn korrik, duket sikur koha po ecën ma shpejtë. Afrohet muej i Purgatorve, Nandori i 1990. Zakonisht në Shkoder asht tregue shumë kujdes për rregullimin dhe zbukurimin e vorreve në këte muej. Siduket, kur i Ndjeri Gjon Kamsi pat mërrijtë me shpëtue nga shkatrrimi Vorrezat e Rëmajt, ka parandi dishka për Atë ngjarje aq të Madhe që do të ngjasin Aty me datën 4 dhe do të pasohet me datën 11 Nandor 1990, tue u ba Dita e Fitorës së Demokracisë në Shkoder, simbol i mbarë Shqipnisë. 

Nën një shi e fortunë vjeshte në mes Atyne selvijave të nalta Don Simon Jubani thotë Meshën e Parë, mbas 23 vjetësh të “Revolucionit Ideologjik e Kultural”, që e pat drejtue në Shkoder, “bilbili” i PPSH, Ramiz Alia. Ndonse, në vitin 1985, pak ditë mbas datës 11 Prill kur pat ardhë në Shkoder, pat lanë porosi: “…shoku Enver na la…armiqtë e partisë kanë për të kërkuar për të prishë unitetin tonë…do të kërkojnë për të gjetur mundësinë e realizimit të qellimeve të tyre të këqija ndaj partisë.., prandaj, të jemi vigjilent, sidomos me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë partinë. Ata në këte situatë kanë për të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të partisë sonë…por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël mos prisni, por sinjalizoni partinë, veni prangat dhe jepni plumbin ballit…”. 

Dhe, me të vërtetë nga data 4 Nandor e deri me 10 në darkë, mund të thohet se disa apartamente karrshi Vorrezave të Rëmajit kishin aq arsenale armësh në katët e sipërme, sa ndoshta po të përdoreshin, njerzit që do të vriteshin do t’ishin ma shumë sesa të varrosunit aty në 100 vjet që janë hapë Ata Vorre. Vagona të tanë me sampista e ushtarë..,gadishmeni nr.1 në të gjitha repartet ushtarake të Veriut. Telefoni i Ramiz Alisë për orë të tana të datës 10 të së shtunës, i jepte urdhna sekretarit të parë të PPSH Shkodres Xhemal Dymbyles, sesi me ba gjakderdhje e terror me datën 11 në Rrëmaj, nëse Don Simon Jubani do të guxonte me thanë Meshën e paralajmërueme nga Ai vetë, që me datën 4 Nandor ora 12.00… 

Aty nga ora 10.45’ jam nisë me shkue me të gjithë familjen ndër Vorre. Kur ishe tek dera e Vorreve, vërejta shumë Musliman jashta Vorreve të grumbulluem tek dera. Unë për një çast dyshova për ndonjë keqkuptim, përderisa ata ishin në rrugë jashta Vorreve. Njohta një ndër Ata dhe e pyeta se, pse keni ndejë përjashta? Ai më tha: “Ju hyni e shihni Meshë, nëse do të ndërhyjnë forcat speciale dhe ushtarët që janë ndër vagonat e trenit kundër jush, na do të futemi menjëherë mbas tyne dhe do të përdorim armët që kemi në trup dhe mbas këtyne apartamenteve ndër makina…Rrini të qetë se vëllau në ditë të ngushtë njihet, na nuk largohemi prej këtu pa përfundue Mesha..,jemi ma shumë se 500 vetë!”… 

Uniteti i Popullit të Shkodres në datën 11 Nandor 1990 dhe, tek Xhamija e Plumbit me datën 15 Nandor, asht Modeli i Vllaznimit të Muslimanve dhe Katolikve Shkodranë, që i bashkonte një Truell i Vetëm që quhët Shqipni, e lame me Gjakun e Martirve të Saj: Ndue Pali, Caf Meta, Paulin Pali, Muzafer Pipa, Kolë Prela, Qemal Draçini, Bardhosh Dani e Mark Cacaj e mija, mija të tjerë që lindën, luftuen dhe ranë Heroikisht të gjithë bashkë po, pranë Atyne Vorreve, ku ishin Betue mbi gurët e Tokës Nanë Shqipni. 

Rinia e sotme Shkodrane, duhet të përulet me Nderim para gurve të Zallit të Kirit dhe, të mundohet “vetëm” me rikujtue: “Pse vdiqën së bashku Këta Vëllazën Shqiptarë?!..”  

Kurr mos harroni thanjën e një filozofi të madh Shqiptar, At Anton Harapit: “Lumninë e jep deka, Kunorën e ven Vorri!..” 

Me 11 Nandor edhe Don Simon Jubani mbi Ata Vorre vuni një Kunorë dafinash! E.., unë e pashë tek dy Çinarët me sytë e mijë Atë Burrë me dorë të drejtueme nga një gropë e hapun që në 1945 në Rrëmaj, kur, i tha komunizmit: 

“Hi ke kenë e, hi ke me u ba!…” 

Po, po, Aty, bash Aty, ku lindi dhe u ruejt përjetësisht: “Liria, Vllaznia dhe Demokracia Shqiptare”…  

Melbourne, 11 Nandor 2020.

Filed Under: Histori Tagged With: Don Lazer jubani, Don Simon Jubani, Fritz radovani

Kthim në arsye

November 11, 2020 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI-Si harrohet e kaluara? Duke hequr lavdinë e saj, sigurisht; duke minimizuar përpjekjet e njerëzve për liri, duke i paraqitur ata të vegjël, keqbërës, kriminelë, ose veprimet e tyre të paqëllimshme. Kështu që të tjerët sot të thonë se atëherë nuk kishte kundërshtarë, as opozitë, as dhoma torturash, as burgje, as kampe e fshatra përqëndrimi. Por dy gjëra nuk kanë ndryshuar; natyra e njerëzve për t’u dukur sikur punojnë dhe shteti. Kur hynë në një institucion sheh punonjës që qëndrojnë përpara ekraneve kompjuterikë dhe luajnë gishtat mbi tastierë. Bëjnë sikur s’të shohin. Klienti i afrohet me një përshëndetje dhe duhet të presë që vemendja e tyre të shpërqëndrohet nga punët gjoja të mëdha. Lejo që njerëzit të mendojnë se qeverisin dhe do të qeverisen. Kjo mendësi sundon kur shteti është polici, i dukshëm i padukshëm i shtrirë në  çdo qelizë. Është arsyeja që duhet thirrur për ta nxjerrë njeriun nga kjo gjendje. Si do që ta quash, çfarëdo emri t’i japësh, Shteti Policor është diktaturë e maskuar e zbutur, përkohësisht, me të njëjtën ideologji e njerëz. Do të ishte më mirë që njeriu të ishte i pa shkollë sesa të edukohej nga sundimtarët e tij, sepse arsimimi i tyre nuk është tjetër veçse ndryshimi i drejtimit të zgjedhës, si disiplina e qenit, i cili mësohet për të hequr dorë nga impulsi më i fortë i natyrës së tij, dhe në vend që ta marrë gjahun për vete, shpejton  me ‘të në këmbët e zotërisë së tij. Ekspertët dhe elita e arsimuar kanë zëvendësuar atë që funksionon me atë që tingëllon mirë. Shoqëria ishte shumë më e civilizuar para se ata të merrnin përsipër kontrollin mbi gjithçka; shkollat, burgjet, programet e mirëqenies, ministritë, gjykatat, policinë. Është koha për t’i shtyrë këta lloj mashtruesish jashtë jetës sonë dhe ta mbushim atë me arsye.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Kthim në arsye

I HUAJ NË VËNDIN TËND

November 11, 2020 by dgreca

NJË  JETË  NË  DIKTATURË/

(Kujtime të një “armiku të klasës”)/

  “Ktu vaji e trishtimi/

Veç ndihet ndër shpija/

Ktu ndihet tingllimi /

I hekrave të mija/

E gjama e nji të shkreti/

Qi bjen vala e detit.”/

NDRE  MJEDA /

I HUAJ NË VËNDIN TËND/

Tani më duhej të ballafaqohesha me punën e krahut. Isha i dobët nga trupi, por vullneti nuk më mungonte. Babai punonte në ofiçinën e fermës si tornitor. Puna e tij e ndershme dhe cilësore vlerësohej nga eprorët e tij, nëpërmjet të cilëve munda të gjej një vend pune në Investimin e fermës si puntor ndërtimi, për të mos qenë puntor bujqësie. Aty kisha shokët e mij, moshatarë ose më të rritur, me të cilët na bashkonte rruga e gjatë e vuajtjeve të përbashkëta, privacionet, dëshirat e pasendërtuara, miqësia e sinqertë…

Mbas disa muajsh, së bashku me prindërit, un shkova përsëri në sektorin e Plukut, gjithmonë familjarisht në gjëndje interrnimi. Tashmë jeta kishte pak ndryshime; ditët, muajt, vitet kalonin të njëjtë. Format e luftës së klasave, që peshonin mbi ne, ishin nga më të ndryshmet. Ato shfaqeshin dhe në banesën e pamjaftueshme, gjë që nuk u zgjidh kurrë në jetën time dyzeteshtatë vjeçare. Kam jetuar gjithmonë në kasolle të ndërtuara vetë me kallama e baltë. Kam fjetur tre vjet në dhomën e beqarëve, mbasi kishim vetëm një dhomë, në të cilën flinin prindërit, hanim, rrinim, prisnim ndonjë mik të rrallë që kujtohej të vinte. Një tjetër formë ishte veçimi, trysnia mbi ata që na rrethonin për të mos marrë e dhënë me ne, një racizëm para të cilit Soveto nuk vlen për t’u përmendur. Sa e sa njerëz paguheshin për të “vigjëluar” jetën tonë, kush vinte, kush na fliste, kush na përshëndeste, kush na bënte ndonjë të mirë. 

T’a  ndjesh veten të huaj në Vëndin tënd, pa i bërë të keqe askujt, është një gjëndje që nuk ja uroj asnjërit në botë. E tillë ishte gjëndja jonë që zvarrisej kështu me dhjetra vite, me batica e zbatica, simbas tekave të “Zeusit”. Dallimi, urrejtja, pabesia mbilleshin e kultivoheshin në të gjitha drejtimet, kudo, në rrethin shoqëror, por dhe në farefisni, brenda familjes, deri në ndërhyrjet në marrëdhëniet dashurore. Ne nuk kishim të drejtën të dashuronim vajza  me tjetër origjinë shoqërore e as të mendonim të lidhnim jetën me to. “Aristokracia” komuniste e pushkës kishte huajtur nga simotrat e saj të shpatës  mendësinë e ruajtjes së kastës nga përzierja e gjakut. Rastet e pakta të thyerjes së këtij ligji “madhor” të Enver Hoxhës kishin pasojat e tyre me shkëputjen përgjithmonë të prindërve nga fëmijët. Sa tragjedi të heshtura ka shkaktuar në Vendin tonë kjo mënyrë veprimi, sa plagë ende të pambyllura në shpirtërat e djemve e vajzave që shihnin dhunën e regjimit të diktonte, nëpërmjet trysnisë së saj, ligjet e zemrës… 

Mbas dy vitesh interrnimi, papritmas, m’u hoq kjo masë. Kur m’u komunikua zyrtarisht kjo gjë, emrit tim i ishte shtuar një “i”mbrapa që i ndryshonte seksin. Ndofta ndonjë shpirtmirë në ata organe të dhunës, mund të ketë menduar t’i japë “liri” një vajze nëntëmbëdhjetë vjeçare, që i ka prindërit me masa interrnimi. Kështu un rastësisht u gjenda formalisht jashtë rrethit të shokëve të mij, të cilët masën e interrnimit e mbajtën dhe për disa pesëvjeçarë pa shkëputje, ndërsa un do të takohesha  përsëri me të, por për këtë do të flas më vonë.

Gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë solli acarime të mëtejshme të luftës së klasave. U kopjuan të gjitha marrëzirat e të ashtuquajturit Revolucion kultural kinez, si dalja para kolektivave për të paraqitur biografinë, fletë-rrufetë, dacibaot shqiptare, ku teorikisht ”cilido pa frikë e me shkronja të mëdha mund të shkruajë ç’mendon ai për punën dhe për njerëzit.”. U dha kushtrimi për prishjen e kishave e të xhamive, një veprim barbar, i pashembullt në shoqërinë moderne, me pasoja shkatërrimtare për botën shpirtërore të shqiptarëve e për prishjen  e vlerave kulturore e artistike që qëndronin në objektet e kultit. U fol me të madhe për luftën kundër Kanunit, duke i hequr kështu themelin e disa prej traditave e ligjeve morale, që kishin qeverisur këtë popull prej shekujsh të gjatë. U lakua shumë “emancipimi” i femrës shqiptare, për t’a futur plotësisht në ingranazhet marramendëse të një ideje, në dukje përparimtare, që e ngarkonte aqë shumë sa të meritonte përcaktimin “skllave e shoqërisë moderne “. “Heroizmi“ popullor, i mishëruar në figura qesharake si Fuat Çela, u propagandua me art, duke vënë në shërbim dhe artin zyrtar, për të krijuar një brez të tërë skllevërish,  të aftë vetëm të punonin si kafshë për shtetin, mbasi vetëm aty do të gjenin “lumturinë”. Kanalizimi i të gjitha dëshirave e interesave të rinisë tek puna përbënte thelbin e strategjisë së krijimit të “njeriut të ri” që duhej të ishte një robot në trurin e të cilit të ishin vetëm “veprat” e Enver Hoxhës. Përpjekja për të ndryshuar natyrën njerëzore nëpërmjet dhunës e ligjeve të saj, nuk mund të kishte tjetër përfundim veç dështimit, e nuk mund të vërtetonte më mirë marrëzinë e autorëve të saj.

Në bllokun Lindor lulëzonte teoria e “sovranitetit të kufizuar” të Brezhnjevit, më vonë u sulmua Çekosllovakia e Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Në Kinë vazhdonte anarkia e pasojat ndiheshin dhe këtu. U krijua një atmosferë e nderë, në të cilën u shtua puna e hafijeve, që përpiqeshin të kapnin copa bisedash për t’i regjistruar në dosjet vetiake të arkivave të Sigurimit, në pritje të proçeseve të panumurta për agjitacion e propagandë të viteve shtatëdhjetë.

Në këtë kohë, në vitet 1967-1969 kreva shërbimin ushtarak. U mobilizuam për të plotësuar porosinë e Partisë: “T’u qepemi kodrave e maleve t’i bëjmë ato pjellore si fushat”. U caktova me shërbim në efektivin e NBU së së Burrelit. Me uniformën e ushtarit kishim për detyrë të shpyllëzonim e të mbillnim patate në malet e Martaneshit, të Lurës, Steblevës etj. Un, me zanatin tim të muratorit, mbas pesë gjashtë muajsh fillova të punoj në repartin e ndërtimit të banesave të Korpusit, si pasojë e nismës së marrë në shkallë Vendi, për të ndërtuar banesa me kontribut vullnetar. E kreva shërbimin ushtarak pa bërë asnjë qitje, dhe sot e kësaj dite nuk kam shtënë asnjëherë me armë.

Pranvera e Pragës më 1968 ishte përkohësisht një “rreze drite” në mbretërinë e errësirës së kampit socialist. I gjithë brezi im kujton ende me shumë mall emrat e Dubçekut, të Smerkovskit, të Çernikut etj., që u bënë për ne të dashur, sinonime të një ere të re , që na ushqente shpresën se mund të vinte ora e ndryshimeve dhe në botën tonë. Por fatkeqësisht 21 gushti i përmbysi të gjitha iluzionet e brezit tim që vazhdon të nderojë kujtimin e gjestit heroik të Jan Palashit. Logjika e tankeve rivendosi atë rend gjërash që bazohej mbi dhunën dhe shtypjen e lirive vetiake e shoqërore.

Atje, gjatë shërbimit ushtarak u njoha me shokë të tjerë. Në kujtesën time mbetet imazhi i një poeti, të cilin un e quaja mjaft të talentuar. Talenti shoqërohej me një vështrim objektiv e të saktë të jetës  dhe një karakter të fortë e pozitiv .Ndoshta këto qenë arsyet  që nuk njohu podiumin e suksesit si shumë kolegë të tij. Më kujtohet se si një ditë të ftohtë dhjetori, në pyll, anës një zjarri  ku kishim pjekur patate, ai më lexoi dy poezi  që kishte shkruar për Shkurte Pal Vatën dhe për Skënderbeun. Nëntekstet e poezive ishin shumë të thella, të guximshme e të reja për kohën. Ato më pëlqyen shumë e mbas një bisede të hapur në lidhje me to, ai bëri ndonjë ndryshim të vogël dhe i çoi për botim. Me të më lidhi një miqësi e sinqertë, që nuk shihej me sy të mirë nga kolegët e tij ushtarakë, ca poetucë të dështuar, mbi të gjitha shpirtërisht. Ata në emër të artit dhe dëshirës për t’a “ruajtur” shokun tim nga “infeksioni” i mbushën mëndjen atij se un do të arrestohesha dhe e ndanë përkohësisht prej meje. Kjo shkaktoi një gjëndje tensioni tek un, por fatmirësisht ishin muajt e fundit të shërbimit ushtarak. Më vonë me shokun u spjeguam dhe mbetëm miq, por ka shumë vite që nuk dëgjoj më për të. Më vjen keq se ishte me talent e me zemër të madhe e parashikoja një të ardhme letrare të sigurtë për të.

Vitet e para të dhjetëvjetëshit të shtatë ishin më të qetat. Njerëzit nëpër plazhe dëgjonin së bashku Hit parejdin me këngët e Çelentanos, Milvës, Iva Xanikit, Massimo Ranierit e të tjerë këngëtarë italianë që, në përgjithësi, ishin ata që pëlqeheshin më shumë. Të rinjtë filluan të vishen më ndryshe, vajzat zbuluan minifundet e pantallonat, djemtë zgjasnin basetat e flokët. Diskutohej hapur për muzikën dhe sportin e huaj. Por më 1973, papritmas ,në skenën e shoqërisë shqiptare filloi tufani i luftës kundër”shfaqjeve të huaja”. Në fillim u kujtua se ishte thjesht një çështje e pamjes së jashtëme, por regjimi e kishte synimin shumë më thellë. Duhej përdorur shtypja për të shmangur në embrion çdo prirje shkëputjeje ose vënieje në diskutim të dogmave dhe ideologjisë zyrtare. Pasuan vite të tmerrshme ankthi, me goditje lart e poshtë. Fluturonin ministra e funksionarë të lartë, të akuzuar për tradhëti, por shpata binte e fortë edhe mbi ne që kishim në dorë vetëm mistrinë.

Grabian, qershor 1990

Vijon

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, I HUAJ, NË VËNDIN TËND

KRYETARI I VATRËS KA VEPRUAR NË MËNYRË INSTITUCIONALE

November 11, 2020 by dgreca

-SHËNIM MBI VIZITËN E PRESIDENTIT TË FEDERATËS VATRA NË SHQIPËRI DHE KOSOVË-

Nga Thanas L.GJIKA/ Të dashur miq, para disa javësh Presidenti i Federatës VATRA, Z. Elm Berisha, bëri një vizitë pune në Tiranë dhe Prishtinë. Disa shqiptarë, madje dhe vatranë, që e konsiderojnë veten demokratë të kulluar e kritikuan Presidentin e Vatrës për disa nga vizitat e tij, sidomos për vizitën te Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Gramoz Ruci. Thanë se nuk duhej të ishte kryer kjo vizitë me Z. Gromoz Ruci, sepse ai është një personalitet politik që ka qenë në shërbim të qeverisë komuniste, etj. Ata mendojnë se Federata Vatra, duke qenë një shoqatë demokratike që mbron interesat e së djathtës shqiptare dhe të të përndjekurve politikë të regjimit komunist, nuk duhet të krijojë lidhje pune me të tillë kundërshtarë të së djathtës.

Z. Elm Berisha, si person me përgatitje profesionale në fushën e politikës, ua dha përgjigjen pakënaqësive të tilla në intervistën që i dha gazetës Dielli, në numërin e botuar në letër për muajin tetor. Përgjigja e tij ishte shumë e matur dhe me vizion për politikën e ardhëshme të dy shteteve shqiptare dhe të diasporës sonë. Midis tjerash ai sqaroi se, për shkak të Coronavirusit shkoi i vetëm në Shqipëri e Kosovë, por vizita e tij nuk ishte vizitë private. Ai shkoi në Tiranë e Prishtinë si përfaqësues i një institucioni, si President i Federatës Vatra dhe bëri takime pune me kryetarë institucionesh si me Presidentin e Republikës, Z. Ilir Meta, me Kryetarin e Kuvendit Z. Gramoz Ruci, etj, të cilët i ka zgjedhur populli shqiptar dhe i ka njohur bota perëndimore euro-atlantike.

Vatra, shtoi Z. Elm Berisha, punon për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për të ecur drejt realizimit të një politike mbarëkombetare në unison.

Nga ana ime mendoj se të tillë mendime vizionarë nuk ka pse të mos i përqafojnë të gjithë ata që ia duan të mirën popullit shqiptar. Koha e sotme kërkon që të heqim dorë nga grindjet e percarjet për interesa partiakë, ose interesa personalë dhe të punojmë së bashku për krijimin në të ardhmen e afërt të një shteti kombëtar shqiptar.

Filed Under: Komente Tagged With: Gramoz Ruci, Kryetari i Vatres, Thanas L.Gjika

RREZIKU I VETËVRASJEVE GJATË PANDEMISË

November 11, 2020 by dgreca

Psikologe Valentina Telhaj (Kalemi) në një prononcim për gazetën Dielli të VATRËS – New York, dhënë gazetarit Sokol Paja, ka argumentuar arsyet se pse njerëzit e prekur me Covid-19 shkojnë drejtë flijimit ekstrem dhe si ka ndikuar në psikologjinë e njerëzve pandemia globale. 

Në Shqipëri u shënua viktima e pestë që u vetëvra duke u hedhur nga Spitali ndërsa luftonte dhe trajtohej nga ekipet mjekësore pas prekjes nga virusin Covid-19. Cfarë ndodh?! Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), ndikimet emocionale dhe psikologjike të pandemisë mund të çojnë në ndjenja të pashpresës dhe mendime rreth vetëvrasjes. Ankthi është një ndjenjë e papërcaktuar, e paqartë, tmerri ose frike, është një përgjigje ndaj stimujve të jashtëm ose të brendshëm (psh frika nga vdekja/çmendja). Më shpesh, mendimet vetëvrasëse janë rezultat i ndjenjës sikur nuk mund të përballeni ose të rikuperoheni kur përballeni me atë që duket të jetë një situatë dërrmuese e jetës. Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi) ka ende pak të dhëna për pandeminë COVID-19 dhe ndikimin e saj në nivelin e vetëvrasjeve. Por qartë është se pandemia ka shtuar stres të fortë emocional dhe mendor në jetën e njerëzve në të gjithë botën. Frika, ankthi dhe depresioni mund të burojnë nga një gamë e gjerë shqetësimesh dhe përvojash, nga çështjet personale dhe familjare te stresi i lidhur me punën. Rrethanat unike të pandemisë, duke përfshirë ndërveprimin e vogël shoqëror, mund ta bëjnë më sfiduese identifikimin e  atyre që rrezikojnë  të vetëvriten. Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), shenjat paralajmëruese nuk janë gjithmonë të dukshme dhe ato mund të ndryshojnë nga personi në person. Disa njerëz i bëjnë të qarta synimet e tyre, ndërsa të tjerët i mbajnë sekrete mendimet dhe ndjenjat vetëvrasëse. Çfarë është frika? Frikë do të thotë të ndihesh i trembur, ose i kërcënuar nga stimuj të jashtëm, qartësisht të identifikueshëm, që   përfaqësojnë   rrezik   ndaj   personit,   (psh   frika   nga   qeni).   Ankthi   problematik,   në   krahasim   me shqetësimin normal, është më intensiv dhe më i vështirë për t’u kontrolluar, ai bëhet gjymtues, ose thënë ndryshe  jo produktiv,   pengesë  në  aktivitetin   e përditshëm.  Si  e  përjetojnë   pacientet  me  COVID-19 ankthin? Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), duke qenë se ky virus është i ri për shkencëtaret, doktoret, për këdo nga ne, në çdo cep të globit, kjo na jep ankth dhe pasiguri dhe aktivizohet automatikisht zona e Amigdalas (që është përgjegjëse për emocionet, reagimet e vetëmbrojtjes, kur ka diçka kërcënuese, siç është në këtë rast COVID-19) na aktivizon reagimet fiziologjike/fizike, si lufto, arratisu, ngrije, humbje ndjenjash ose “manipulim”. Është shumë e rëndësishme të kuptohen këto reagime dhe sjellje dhe të punohet me këto simptoma ankthi apo atak-e paniku sepse jo çdo individ është resilient, apo me temperament të fortë përballues ndaj faktorëve të rrezikut t’i përballojnë të gjithë me reagime adaptive situatat kërcënuese. psh Disa lexojnë në ëebside të pasigurta apo media vizive apo auditive dhe i internalizojne, shokohen dhe kanë kriza paniku. Ose lexojnë komentet poshtë një shkrimi. Ku ndryshon lexuesi nga komentuesi? Simptomat mund të jenë vërtet identike të komentuesit dhe lexuesit, por janë një sërë faktoresh të tjere që ndikojnë dhe reagimet e secilit nga ne varet nga rezilienca jone, nga tempermenti që kemi fituar gjatë fazave tona të zvillimit, nga atashimi i sigurt me familjen etj. Sipas psikologes Valentina Telhaj (Kalemi), gjatë dhe pas pandemisë COVID-19, çështjet e shëndetit mendor kanë nevojë për më shumë vëmendje për të zvogëluar rrezikun e vetëvrasjes. Në përgjithësi, kjo do të thotë që shërbimet publike dhe  private   të shëndetit mendor dhe ofruesit individualë duhet të jenë krijues në gjetjen, vlerësimin dhe trajtimin e individëve në rrezik të vetëvrasjes. Kjo mund të përfshijë, për shembull, përmirësimin e kushteve të punës dhe ofrimin e më shumë shërbimeve të shëndetit mendor për punëtorët në vijat e frontit, inkurajimin e pushimeve të planifikuara dhe marrjen e pushimit, ofrimin e këshillimit telefonik, ose sigurimin e ndihmës ushqimore dhe ndihmë financiare për ata që kanë humbur punën. Sipas psikoterapistes Valentina Telhaj (Kalemi), këta pacientë si të hospitalizuarit, si ata me trajtim në kushtet e shtepisë duhet të bëjnë konsulenca psikologjike, on line, me whatsup, video call, telefon, mesazhe ajo që i përshtatet rastit. Kjo është një mas preventive e ruajtjes së distancës por nëse pacienti shërohet dhe testi i fundit del negativ mund të kryej me vonë konsulta live në zyre me psikologun për pasojat psikologjike (nëse ka të tilla) që mund të ketë shkaktuar COVID-19. Sipas psikoterapistes Valentina Telhaj (Kalemi), të mendosh që ata që shtrohen nuk kanë asnjë kontakt me askënd nga familja, shoqëria, puna, ambjenti social i përditshem, asnjë!!. Studimet tregojnë se: ngjarjet e rënda në jeten e njeriut kanë një ndikim   të madh në shëndetin mendor. Studimet thonë  gjithashtu se, rreth 80% e sëmundjeve fizike mund të përkeqësohen nga stresi dhe ankthi nëse nuk suportohen psikologjikisht me psikoterapi. Kështu, ne trajtojmë shëndetin mendor duke permirësuar edhe shëndetin fizik, mbyll prononcimin e saj për gazetën Dielli, psikoterapiste Valentina Telhaj (Kalemi). 

Filed Under: Featured Tagged With: Pandemia, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT