• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJ NDUE PALIN

November 1, 2020 by dgreca

Nga Fritz Radovani/

JANAR 1945: 118 Burra të Malësisë pushkatohen e hidhen në lumejë…

2 NANDOR 1945: Dhunohen gropat e të vramëve në Zallin e Kirit…

Ky djalë hyni nder të parat gropa në Zallin e Kirit… Me 15 Gusht 1945…

Kushedi sa herë kam pyet veten: “A ka guralec të pa lamë me gjak Zalli i Kirit, pranë Vorreve të Rrëmajit në Shkoder?!”… – Nuk besoj !! Lindëm e u plakëm me krismat e automatikëve e rrëkajët e gjakut që derdheshin në lumin Kir… E nder kaçuba ferrash, qira të ndezun prej Nanave tona, që tash 75 vjetë lotët e lutjet e Tyne vazhdojnë pa Ua dijtë as Eshtnat… 

Ikën një brez i tanë tue vue shenja e tue daltue shkronja tek Penda e Kirit po, të gjithë me zemer të plasun pa mujtë me Ua la Eshtnat nga balta dhe plehu i derdhun mbi gropat e Tyne, per njëgjysë shekulli tirani enveriste e ramiziste që e sundoi Popullin Shqiptar, me terror e vrasje barbare! 

Kur në degët e Çinarve shekullor fillonin me ardhë  dallndyshat, asnjena prej tyne nuk mujte me perfundue vjerrshen e Filip Shirokës, “Dallnyshë shko!”… E tymi i armëve të pabesa komuniste vazhdonte me nxi Kryqat e Vorreve të Rrëmajit, që tash 75 vjetë nuk janë tha një çast nga lotët e mija Nanave e Motrave Shkodrane, që vazhdojnë me puthë guralecat pertokë. 

Sa ruba e zezë e degermia e bardhë asht qendisë me ferrat e atij Zalli… 

Veç kur çoheshim prej gjumit e kerkojshim “driten” me shue friken që na kishte pushtue zemren në piken e shperthimit armëve vrastare me një të pafund gëërrrrrr… Që, shpeshë, e shifshim nder andrrat tona fëminore!  

Nuk fshihej nga kujtesa ynë asnjëherë ardhja e kamjonit me ushtarë, tek Vorret e Ndue Palit e Caf Metit me vllazen, të vramë me 15 Gusht 1945… 

Thymja e Kryqave e Shenjave mbi vorre, shtjelmat mbi fotografia dhe mbi Nanat e Tyne e, njerzit per rreth, nuk mund të fshihen nga kujtesa! 

Ajo pamje e mnershme e 2 Nandorit 1945 asht “komunizmi” i vertetë!

E komunizmi i vertetë asht vetem ai që po provon prap Populli Shqiptar!

Melbourne, 1 Nandor 2020. 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, Kujtoj, Ndue Pali

IMAZHET DHE 77 DITËT QE NDËRRUAN KURSIN E HISTORISË SE KOSOVË

November 1, 2020 by dgreca

THE  POWER  OF  PHOTOGRAPHY, KOSOVO/

IMAZHET DHE 77 DITËT QE NDËRRUAN  KURSIN E HISTORISË SE KOSOVË/

NGA QEMAL AGAJ-Florida-USA-

Një vështrim panoramik i imazheve influencuese të shek. të 20-të do të ishte i pakompletuar pa evidentimin e ngjarjeve të mëdha historike, luftrave dhe tragjedive, që vazhduan deri në fund të shekullit. Aftësia e fotografisë për të kapur momente kyçe që nuk përsëriten, shtron pyetje për zgjidhje, për grupe popujsh, vende dhe nganjëherë për gjithë botën, dhe  sjell kthesa në histori.

Do të ishte e pamundur të thuash diçka më tepër nga mijëra tituj gazetash, revistash dhe libra, për përpjekjet dhe luftën e Shqiptarëve të Kosovës për shkëputjen nga Federata Jugosllave, më saktë – për një Kosovë të lirë e të Pavarur.

Si në disa shkrime të mëparëshme në Dielli edhe këtë herë po e lidh Luftën e Kosovës me influencën e fotografisë në vendimin e NATO-s me në krye SH.B.A., për bombardimin e Jugosllavisë.

I pari imazh botuar në shtypin botëror, ka lidhje me përpjekjen Shqiptarëve të Kosovës në protestën e Dhjetorit, 1989, kundër heqjes së Autonomisë së Kosovës nga Millosheviçi. Fotografia me titull, ‘’Nogovaç, Kosovë, Yugosllavi. Vajtuesit në vdekjen e 27 vjeçarit Nasim Elshanit, që u vra gjatë një proteste kundër vendimit të Qeverisë Yugosllave për heqjen e Autonomisë së Kosovës,’’ e fotografit  Frances, Georges Merillone, botuar një muaj më vonë, 28 Janar, 1990 në revistën Parisiane, L’EXPRES, ishte shkëndia e parë e një zjarri që nuk do të shuhej lehtë. Ky imazh, që për nga ngjashmëria e tablove mbi varrosjen e Krishtit, është quajtur nga stjudjuesit, ‘’Kosovo Pieta,’’ tërhoqi vëmendjen e opinionit në një kohë që Kosova nuk kishte hyrë në radarin e medias dhe politikës Europiane.

Presidenti François Mitterrand ishte i pari personaliteti politik, që kur pa fotografinë, shkruajti: ‘’Si ka mundësi të mos sjellësh ndërmend Mantegna apo Rembrandt? Zemërimi dhe dhimbja kanë gjithmonë të njejtën pamje. Një nga problemet që po ballafaqohet Europa në këtë fund-shekulli është ajo e minoriteteve. Ne duhet t’i kushtojmë vëmendje sa më shpejt.’’ ( Dielli, Mars, 2019.)

Në albumin fotografik, ‘’THE 100 PHOTOGRAPHS THAT CHANGED THE WORLD,’’ botuar në 2016, është përfshirë fotografia me titull, ‘’The Plight of Kosovo,’’ marrë nga fotografja Amerikane Carol Guzi në Maj, 1999, në kampin erefugjatëve në Kukës. Fotografia e djalit të vogël, Agim Shala, i dha autores Pulitzer Prize, 2000.   ( Dielli, Prill, 2019.)

Albumi fotografik, CENTURY, botim i Phaidon, 2002, që ilustron historinë e botës gjatë shek. të 20-të, mbyllet me gjashtë fotografi shoqëruar me komente nga Lufta e Kosovës, 1999.

_______   The New York Times.  September, 30, 1998. ____________

Masacres  by  Serbian  Forces in  Three  Kosovo  Villages.  __________________________________________________

990701-M-5696S-003 U.S. Marines provide security as members of the Royal Canadian Mounted Police Forensics Team investigate a grave site in a village in Kosovo on July 1, 1999. Elements of the 26th Marine Expeditionary Unit are deployed from ships of the USS Kearsarge Amphibious Ready Group as an enabling force for KFOR. KFOR is the NATO-led, international military force which will deploy into Kosovo on a peacekeeping mission known as Operation Joint Guardian. KFOR will ultimately consist of over 50,000 troops from more than 24 contributing nations, including NATO member-states, Partnership for Peace nations and others. DoD photo by Sgt. Craig J. Shell, U.S. Marine Corps. (Released)

‘’Trupat e 15 grave, fëmijëve dhe të moshuarëve, pjestarë të familjes Deliaj u gjendën të shtrirë nëpër gurë dhe rrëke të luginës poshtë fshatit të tyre në Provincën e Kosovës, qëlluar në kokë nga afër dhe në disa raste të sakatuar, në kohën që mundoheshin të shpëtonin nga ndjekja e forcave Sërbe. Në shtëpitë e fshatit, tre burra – inkluduar plakun  95 vjeçar të paralizuar, Faslli Deliaj – u dogjën kur Serbët u vunë zjarrin shtëpive.’’

Në 27 Shtator, 1998, International Observers, zbuluan trupat e 21 shqiptarëve civil të ekzekutuar në pyll pranë fshatit Gornje Obrinje. Të nesërmen pjesëtarë të Human Right Watch,gazetarë dhe fotografë  vizituan vendin dhe dokumentuan vrasjen e 15 shqiptarëve në fshati fqinjë, Golubovaç. Artikulli në New York Times, galvanizoi opinionin botëror dhe ndihmoi në një raund të ri bisedimesh diplomatike udhëhequr nga diplomati Amerikan, Richard Holbrook.

Në 15 Tetor, 1998 u vendos një armëpushim, që do të ndalonte sulmet e policisë dhe forcave paramilitare Sërbe dhe do të mundësonte kthimin në shtëpitë e tyre të  mijëra Kosovarëve të shpërngulur nga barbarizmat Sërbe.

Qeveria Sërbe e Millosheviçit, nuk e respektoi marrëveshjen e 15 Tetorit. Tre muaj më vonë, 15 Janar, 1999 në fshatin Racak, u vranë 45 Shqiptarë. Masakra në Racak provokoi një shpërthim të ri zëmërimi në  publik dhe Qeveritë Perëndimore filluan bisedimet për një diplomaci mbështetur në forcën ushtarake. NATO e rriti kërcënimin e përdorimit të forcës kur pa se Millosheviçi nuk po i ndalonte sulmet ndaj popullatës civile.

   ***

FOTOGRAFI  dhe  fotografia  e  botuar  në

  ___  The New York Times,  30 Shtator, 1998. ____

‘’Ne gjithmonë shpresojmë që këto lloj imazhesh krijojnë shqetësim në publik dhe mund të bëjnë presion në vendim – marrësit…Përveç sa e thellë ishte mizeria dhe sa e rëndë ishte situata, unë gjithmonë shihja një copë shprese në sytë e atij populli, që ishte mbërthyer nga tmerri i luftës. Unë e gjeta këtë atje.’’                                                                                                                                             

                                                      Wade  Goddard

Wade  GODDARD, fotografi 22 vjeçar nga Zelanda e Re, pa eksperiencë në fotografi, ishte nga të parët fotograf  që u ndodh në skenë në atë mëngjes të fund-Shtatorit, 1998.

Goddard kujton :‘’Unë kurrë nuk e mendoja se do të punoja në një fushë beteje. Unë takova një fotograf t’a pyesja si të shkoja atje. Unë erdha vetëm për një muaj, por qëndrova në Ballkan përgjithmonë.’’

Suksesi i tij si fotograf gjatë Luftës së Kosovës, bëri që gjatë dhjetë vjetëve të angazhohet si freelance photographer nga Reuters, The  New York Times, dhe Associated Press.

Me 60 fotografi të  marra gjatë luftës së Kosovës, Goddard – tani me banim në Dubrovnik, Kroaci – në vitin 2018, boton librin, ‘’ KOSOVO  WAR ’’

Në prezantimin e librit, Goddard shkruan:

‘’Mbulimi i shpërbërjes së ish Jugosllavisë u bë qëllimi i jetës time. Unë duhej të ishja atje, t’a shihja vehtë, t’a ndjeja atë, të mundohesha t’a kuptoj atë, brutalitetin, vdekjen, shkatërrimin. Çfarë e shtyn një popull të shkatërroj një tjetër dhe vehten e tij?

Nëqoftëse ne do të kuptonim pyetjen dhe konsekuencat e konflikteve të armatosura, ndoshta ne do të shtynim udhëheqësit tanë politik të tentonin pak më shumë t’a mënjanonin atë.

GORNJI OBRINJA:KOSOVO:29SEP98 – Ethnic Albanian men lift a dead villager onto a stretcher to be carried to the burial site in the village of Gornji Obrinja, Kosovo. 18 civilians mostly women and young children where executed by Serb forces on the morning of september 26 in and around the village of Gornji Obrinja./Photo by Wade Goddard

Mendoj dhe akoma shpresoj, që imazhet si këto do të influencojnë në rrjedhën e historisë njerëzore…

DONJA OBRINJA:KOSOVO:29SEP98 – Shehide Hysenaj 73 looks at her dead neighbour Ali Kolludra 62 who was executed in his garden by Serb police on the morning of September 26 in the village of Donja Obrinja./Photo by Wade Goddard

Një mëngjes në fund të Shtatorit unë shkova në  Kosovës, kur pash në një fshat kodrinor një vrasje masive civilash, inkluduar gra dhe fëmijë, që ishin qëlluar gjatë tentativës për t’u larguar. Ekzekutimi i fëmijëve – kujton Godard – ishte një nga skenat më të tmerrshme. 25 gra dhe fëmijë ishin ekzekutuar kur mundoheshin të fshiheshin nëpër shkurre. Një nga ata i posa-lindur. Ishte tronditëse, dhe një nga momentet më  rrënqethëse që unë jetova gjatë luftës në Kosovë.

Në një nga imazhet, një Shqiptar i quajtur Imer Deliaj ka shtrirë në një bord prej druri fëmijën e tij katër vjeçar, kur vetë qëndron i ngrirë si një gur. Gruaja e tij po ashtu ishte vrarë. 16 pjestarë të familjes së tij ishin vrarë në atë fund – Shtatori, 1998. Një fëmijë gjashtë muajsh nga familja e tij, u gjend shtrirë në krahët e nënës së tij të vrarë, por që dhe ai vdiq pak orë më vonë.

Të ndodheshe në skena si kjo ishte e tmerrshme fizikisht dhe e rrënueshme mëndërisht. Kjo atmosferë e rëndë akoma kumbon në jetën time dhe unë kurrë nuk do t’a harroj.

Ne gjithmonë shpresojmë që këto lloj imazhesh krijojnë shqetësime në publik dhe mund të bëjnë presion në vendime – marrësit. Të paktën ne bëmë atë që duhej të bënim. Ne fotografuam disa momente tronditëse dhe u munduam të hedhim dritë në të vërtetën. Përveç sa e thellë ishte mizeria dhe sa e rëndë ishte situata, unë gjithmonë shihja një copë shprese në sytë e atij populli, që ishte mbërthyer nga tmerri i luftës. Unë e gjeta këtë atje.’’

___________  Richard   HOLBROOKE  _____________                                                   

Pse  NATO  vendosi  të  sulmoj  Sërbinë  ushtarakisht

Richard  Holbrooke, diplomat i shquar dhe përfaqësues i SH.B.A. në Organizatën e Kombeve të Bashkuara . Suksesi i tij në bisedimet diplomatike në luftën e Bosnjes, bëri që administrata e SH.B.A t’a ngarkoj atë në konfliktin e Kosovës. Në 1998 Holbrooke arriti të ashtuquajturin, Marrëveshja e Tetorit. Kjo marrëveshje  midis Qeverisë Jugosllave dhe Shqiptarëve të Kosovës, do të lejonte kthimin e 250.000  Kosovarëve  në shtëpitë e tyre dhe stabilizimin e një armë –pushimi të kontrolluar.

                 ____________     I n t e r v i s t ë  ________

Çfarë lloj gjuhe diplomatike kuptonte Millosheviçi ?                                                                                                                                           Më vjen keq t’a them, por ishte e qartë, që Millosheviçi kuptonte vetëm forcën, një kërcënim me  forcë absolute. Kjo ishte e qartë në Kosovë.

 Pse për Millosheviçin  KOSOVA  ishte ndryshe nga BOSNIA ?  Si e shpjegoni ?

Kosova ishte ndryshe jo vetëm për Millosheviçin, por për Komunitetin Ndërkombëtar gjithashtu dhe ja pse ishte një problem shqetësues i veçantë. Komuniteti Ndërkombëtar gjithmonë mbështeti indipendencën e shteteve të Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe Bosnie – Hercegovinës.

Kosova ishte krejtësisht ndryshe. Kosova – me të drejtë apo gabim – ishte parë nga Komuniteti Ndërkombëtar si pjesë e Jugosllavisë. Nga këndvështrimi etnik, kultural dhe historik, ju mund t’a diskutoni këtë. Por në fakt Shqiptarët e Kosovës dhe Sërbët e Jugosllavisë, janë shumë më ndryshe si grupe  etnike. Në Bosnje, të gjithë flasin të njejtën gjuhë, kanë të njejtën kulturë, të njejtën prejardhje dhe martesa midis njëri – tjetrit. Në Kosovë asnjë nga këto nuk egziston. Ata flasin tjetër gjuhë, kanë tjetër kulturë, tjetër histori dhe një grindje tmerrësisht të papajtueshme me Sërbët. Në Bosnie urrejtja midis grupeve etnike ishte e fabrikuar nga racistë, demagogë  dhe mashtrues.

Për Millosheviçin Kosova ishte një çështje e brendëshme. Ne i thamë se e pranojmë faktin që Kosova është në kufijtë kombëtar të Jugosllavisë, por kjo nuk ju jep ju ( atij ) të drejtën të shtypësh popullin e saj.

Urrejtja mes Sërbëve dhe  Shqiptarëve në Kosovë ishte tepër, tepër e madhe nga çdo të ashtu-quajturat urrejtje etnike. Kjo urrejtje në Bosnie, ka qënë shumë e egzagjeruar. Midis Shqiptarëve dhe Serbëve ishte e vërtetë. Ja pse për ne ishte esenciale të kuptonim se situata mund të kërkonte një ndërhyrje nga jashtë.

Kur e kuptuat se duhej të bisedonit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ?

Ishte e qartë për mua që në fillim.Unë isha takuar me përfaqësues të U.Ç.K. në sekret. Dhe kam qënë në kontakte të vazhdueshme, sepse ata ishin një pjesë legjitime e procesit. Edhe nëse ata ekspozonin një zgjidhje violente, ose jo, nuk mund të injoroheshin, sepse ata ishin duke impozuar prezencën e tyre në marrëveshje. Por Rugova, udhëheqësi i njohur i shqiptarëve – burri që propagandonte jo violencë, që kishte fotografi të Gandhit dhe Martin Luther King Jr. në shtëpi – ishte personi që ne merreshim vesh publikisht.

Çfarë mundoheshit ju të arrinit në këto bisedime sekrete?

Ne mundoheshim t’i bënim ata të punonin me Rugovën në një front të bashkuar, që të bisedonin për një zgjidhje  jo violente. Kjo provoi të ishte e pamundur, sepse forcat e sigurimit sërb, papushim i provokonin ata me aksione. Në  fakt unë i thash Millosheviçit:

 ‘’ A e dini se ju jeni gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë U.Ç.K.-s ? Duke mos biseduar me të moderuarit, ju po bëni një gabim monumental.’’

Në 30 Shtator,  një masakër në fshatin Obrinje u  botua në faqe të parë të, The  NEW  YORK  TIMES.                                                   Çfarë  ishte e veçanta e saj ?

 Unë e kujtoj atë me kthjelltësi. Ishte një takim  kryetar komitetesh, që më duhej të merrja pjesë personalisht në Washington. The TIMES shtrihej në mes të tavolinës në Situation Room, si një dëshmitar i heshtur për çfarë po ndodhte. Ishte nga ato momente të rralla kur një fotografi… ( Pauz, moment emocional ) Fotografia drithëruese e atij personi të vdekur në atë fshat, ishte një lloj paralajmërimi, një realitet dhe pati shumë efekt në dialog.   Ky ishte takimi në të cilin u vendos se unë duhej të shkoja në Beograd për bisedime. Ishin 12 -13 ditë bisedimesh me grupin tim, inkluduar komandantin e N A T O-s, që do të ishte i ngarkuar për bombardimin. Chris Hill dhe Jim O’Brian nga grupi i Sekretares  Albright. Ne u mbyllëm  midis Beogradit, Prishtinës, Brukselit dhe Londrës pambarim.

Vendimi ishte të shkohej në N A T O dhe t’ju kërkohej të vinin aeroplanët në gatishmëri dhe të pregatiteshin të viheshin ndën komandën e Gjeneralit Clark , i ngarkuari  për bombardimin. Kërcënimi ishte i besueshëm. Unë ja bëra të qartë Millosheviçit, ashtu si dhe Gjeneralit  Short, që kjo ishte e vërtetë. Kur Gjenerali Short u bashkua me mua në mes të bisedimeve, ne u futëm në dhomë, dhe fjalët e para të Millosheviçit ishin:

’’Kështu, Gjeneral,  ju jeni i ngarkuar të bombardoni ne?                                                                                                                                                                                  

Përgjigja e Gjeneralit Short isht e shkurtër:                                                                                                                                    

– Mr. President. Unë kam B 52 në një dorë dhe U 2 në dorën tjetër. Varet nga ju se cilën unë do të përdor.’’                                

Fjalët e Gjeneralit patën  një efekt të dukshëm. Kombinuar kjo me unitetin e grupit dhe moskundërshtimin e Rusisë, bëri që kjo të ndodhte. Kërcënimi ishte i besueshëm, dhe rezultoi në një marrëveshje që mundësoi  mbi 100.000 shqiptarë të dilnin nga shkurret dhe pyjet përpara se të fillonte dimri, ku mund të kishte vdekje masive nga urija dhe të ftohtit.Millosheviçi asnjëherë nuk lejoi prezencën e Ndërkombëtarëve në Kosovë.

Në Tetor ne e bëmë  atë të pranonte rreth 2.000 njerës nga OSCE –Organization of Security and Cooperation in Europe,  të ishin  prezent në rajon. Kështu refugjatët  filluan të kthehen. Sidoqoftë,  një numër i konsiderueshëm  jetësh u shpëtuan nga marrëveshja e Tetorit.

Ç‘mund të na thoni për RAMBOUILLET, pasi Shqiptarët përfundimisht ranë dakord ? Ç’farë ndodhi në atë takim të Martën, pikërisht para bombardimit ?

Sekretaria  Albright dhe Presidenti Clinton më kërkuan të shkoja përsëri për një takim të fundit pas firmosjes në Paris. Ne i prezantuam ultimatumin Millosheviçit, se nëqoftëse nuk do të firmoste marrëveshjen, bombardimi do të fillonte. Ai tha, ‘’JO.’’ Ne kaluam natën në Beograd . Në mëngjes unë shkova përsëri, fare vetëm  t’a shihja atë, sepse unë isha shumë i ndërgjegjëshëm  për faktin se në Gusht 1914, në këtë pjesë të botës, nga një keqkuptim i evitueshëm, një luftë e tmerrëshme filloi. Lufta e Parë Botërore mund të evitohej.Unë nuk dëshiroja të kisha një përsëritje të saj , edhe në një nivel më të ulët.       

Kështu unë shkova përsëri vetëm dhe i thash  Millosheviçit:                                                                                                        –

‘’A e kuptoni se,  nëqoftëse unë largohem sot pa ndonjë marrëveshje, bombardimi do të filloj pothuajse menjëherë.’’                                 

Unë vazhdova me këto tre  fjalë :

‘’A e kuptoni se do të jetë, I SHPEJTË, I ASHPËR dhe ME PASOJA.’’                                                                                                        

I thashë këto fjalë me shumë kujdes, pasi u konsultova me Pentagon-in.                                                                                                 

– ‘’ Ju  jeni një shtet i madh,  një shtet i fuqishëm.  Ju mund të bëni çdo gjë që doni të bëni. Ne nuk mund t’ju ndalojmë ju.’’

Pas kësaj ishte një pamje dorëzimi nga ai dhe ne u ulëm vetëm në atë pallat të madh bosh, rrethuar nga piktura të Rembrandt, të lëna  nga  regjimet e mëparëshme . Unë e pyeta përsëri:

’’A e kuptoni ? A  jeni plotësisht  i qartë se çfarë do të ndodh pasi ne të largohemi ?’’                                                     

Ai tha me mjaftë qetësi, ’’ Po,  ju do të na bombardoni.’’

Unë i thashë që,  Shtëpia e Bardhë, dhe Departamenti i Shtetit janë duke pritur për një raport dhe unë duhet të shkoj     dhe  e pyeta për herë të  fundit:

 ‘’ Kjo është e gjitha ? Edhe një herë, a e kuptoni se çfarë po ndodh ?                                                                                      

Ai u përgjigj : ‘’ Po.’’                                                                                                                                                                        

Kështu ne u larguam dhe kjo ishte e gjitha. Dua të theksoj se nuk kishte keqkuptime në mendjen e tij. Ai e dinte se bombardimi do të  fillonte menjëherë  pasi ne të largoheshim, dhe ai  filloi, në më pak se 30 orë më vonë.

Nuk kishte altenativë tjetër.  Millosheviçi zgjodhi  fatin e tij. Ai përmbysi një marrëveshje shumë më të mirë nga çfarë mori pas 77 ditësh bombardim .

                                                                                                              Home interview, 1995.

      The   RAMBOUILLET    Conference.

 ________ February   6 – 22 ,  1999. ______

 Konferenca në Chateau of Rambuillet në afërsi të Parisit, ishte për një marrëveshje për Paqe  dhe Vetëqeverisje në Kosovë midis Republikës Federale të Yugosllavisë dhe delegacionit që përfaqësonte Shqiptarët e Kosovës, nxitur sidomos nga masakra në Racak, në Janar, 1999. U formulua nga North Atlantic Treaty Organization, ( NATO)  dhe mori emrin e kështjellës ku u zhvilluan bisedimet.

Sekretarja e Shtetit të Amerikës, Madeleine Albright, përpara bisedimeve, tërhoqi vëmendjen se, ‘’ Vetëm të paraqitesh në Konferencë, nuk do të jetë mjaftueshëm. Ne u kemi dërguar pjesëmarrësve një mesazh – MERRENI  SERIOZISHT.’’

Delegacioni i Shqiptarëve të Kosovës u përfaqësua nga  Hashim Thaçi. Millosheviçi refuzoi të  merrte pjesë dhe dërgoi  një delegacioni pa prestigj.

Qëllimi i takimit ishte që Sërbët dhe Shqiptarët të nënshkruanin një marrëveshje që do të njihte Autonominë e Kosovës, dhe që do të garantohej nga forcat Paqe-ruajtëse Internacionale.

Bisedimet dështuan pasi delegacioni Jugosllav nuk nënshkroi marrëveshjen. Për Millosheviçin, Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë. Ishte e papranueshme një Autonomi e Kosovës dhe për më tepër kjo Autonomi të garantohej nga prezenca e Forcave Ushtarake Ndërkombëtare.

Këshilltarët Perëndimor u tërhoqën vëmendjen Shqiptarëve se mos- firmosja e marrëveshjes, do të ishte një armë e fuqishme në duart e Millosheviçit për kundër –akuzë.Veprimi i mënçur nga ana Shqiptare për firmosjen e marrëveshjes, bindi Amerikanët dhe Aleatët se Millosheviçi njihte vetëm forcën.

Koha provoi se Millosheviçi ishte një udhëheqës komunist dritëshkurtër. I verbuar nga urrejtja, ai dështoi të mbante Federatën Jugosllave të bashkuar dhe të ngrinte një Sërbi  të fuqishme. Fundi i tij dihet.

   ________________        Madeleine   ALBRIGHT            _______________

      U.S.  SENATE   hearing.  –  ‘’ The  WAR  in  KOSOVO. ‘’ –  April  20, 1999.

‘’Me aleatët dhe partnerët, SH.B. u munduan t’i japin fund këtij cikli violence me mënyra diplomatike, dhe Tetorin e shkuar, Presidenti Millosheviç ra dakord për një armë – pushim, që do të mund lejonte shumë nga të shpërngulurit të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Shpejt u bë e qartë që Millosheviçi nuk kishte ndërmend të respektonte marrëveshjen. Në Janar, forcat e tij të sigurimit e pozicionuan vehten për një ofensivë të re dhe masakruan fshatarët në Racak.

Në Rambuillet, Beogradi refuzoi një plan për paqe, kur ndërkohë përgatitej për një plan barbarizmash, një plan për spastrim etnik të të gjithë komunitetit të Shqiptarëve të Kosovës.

Ne të gjithë kemi parë imazhet e familjeve të shpërngulura dhe hedhur nëpër trena, fëmijë që qajnë se nuk gjejnë dot prindrit, refugjatët që numërojnë të afërmit e tyre si u ndanë nga njeri-tjetri, dhe fotografi ogurzeza  banesash në flakë. Pas këtyre imazheve është realiteti i një populli jo ndryshe në të drejtat e tyre fondamentale nga unë dhe ju.

Nuk ka dyshim, se kjo fushatë terrori ishte shkaku, dhe jo aksionet e NATO-s. Është prodhim i Millosheviçit. Vendimi i NATO-s për përdorimin e forcës kundër regjimit të Millosheviçit ishte i nevojshëm dhe i drejtë, dhe kushtet që Aleanca vendosi për përfundimin e fushatës së tij, janë të qarta, të drejta dhe të rrepta. Duhet të ketë një proces të verifikuar për ndalimin e aksioneve ushtarake kundër popullit të Kosovës. Forcat policore të Beogradit dhe paramilitarët duhet të largohen, kështu refugjatët duhet të kthehen. Një prezencë ushtarake Internacionale duhet të lejohet të shkoj në Kosovë dhe popullit të Kosovës duhet t’i jepet vetëqeverisje Demokratike, që për një kohë të gjatë e ka merituar…’’

                                                                                         Madeleine  Albright  –

                                                                            Sekretare e Shtetitt të SH.B.A. 

GORNJI OBRINJA:KOSOVO:29SEP98 – An ethnic Albanian man covers a young girl from his village befor carring her to the burial site in Gornji Obrinja, Kosovo. 18 civilians mostly women and young children where executed by Serb forces on the morning of September 26 in and around the village of Gornji Obrinja./Photo by Wade Goddard

Wade Goddard for The New York Times
A villager in Gornji Obrinje in Kosovo covered the body of a girl Tuesday before carrying her to a burial site. Fifteen members of the Deliaj clan, including children and the elderly, were killed in a massacre on Saturday by Serbian forces. There was another massacre that day a few miles away.

GORNJI OBRINJA:KOSOVO:29SEP98 – Ethnic Albanian men lift a dead villager onto a stretcher to be carried to the burial site in the village of Gornji Obrinja, Kosovo. 18 civilians mostly women and young children where executed by Serb forces on the morning of september 26 in and around the village of Gornji Obrinja./Photo by Wade Goddard

Wade Goddard for The New York Times
Ethnic Albanian men lift a dead villager onto a stretcher to be carried to the burial site in the village of Gornji Obrinja, Kosovo.

Filed Under: Featured Tagged With: Imazhet e 77 diteve, Qemal Agaj

BREZI I HESHTUR

November 1, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit LULUSHI-

“..Jemi mësuar. Çdo gjë është e jona…”, shkruan Agron F. Çorati në romanin “Në kërkim të vetvetes”.  Mesazhi është i qartë: Çdo gjë që bëjmë ndikon mbi vetë ne – çdo hap, çdo veprim, çdo sjellje – prandaj mësohemi të durojmë edhe diktaturën më mizore dhe të mos shkëputemi lehtë prej saj. I kemi shkaktuar shumë të këqia vetes.
“…Jeta në qytetin e zymtë, ku njeriu ecën mendueshëm vetëm, si uji që rrjedh me presion prej rubinetit të prishur. Më poshtë uji i çezmës bashkohet me ujrat e shiut dhe shkon tatëpjetë si një lëndë e vetme. Njeriu qëndron një copë herë, duke vështruar rrëketë e vogla që bashkohen pa zhurmë e vazhdojnë rrugën në një shtrat të vetëm, dhe kapërcen në anën tjetër….”
Është historia 45 vjeçare në këtë fragment shkëpur nga ky libër shkruar në vitet 1960. Sigurimi ia gjeti në dorëshkrim dhe autori u dënua. Libri u botua 18 vjet pas vdekjes, më 1995. Autori Agron F. Çoratit, shkrimtar disident, ishte  Dostojevski ynë, shkruan publicisti Reshat Kripa, edhe ky ish i burgosur e përndjekur nga diktatura.
Por mos u mundoni ta gjeni emrin e Çoratit në historinë e letërsisë, as në shkolla; edhe kritika letrate ka thënë thuajse aspak për këtë autor, i cili me përshkrimet e tij të kujton të mëdhenjtë Balzak, Hugo, Dostojevsk e Kafka.
Në Shqipëri koha ecën shumë ngadalë. Librat e realizmit socialist ende mbushin libraritë; ka edhe kanale televizive vetëm për filmat-propagandë të asaj periudhe. Shqiptarët kanë sot Librarinë Agolli e Pallatin Kadare, ndërsa ndonjë prej librave të Çoratit shumë rrallë mund të gjendet në tezgat për rreth Pazarit të ri në Tiranë.
“Në kërkim të vetvetes” është libër autobiografik ose kështu ka dashur ta paraqesë autori. Është një libër jete për çdo njeri që kalon në errësirën pa shpresë të asaj periudhe. Zymtësia e pesazheve, mendimi përshkrues analitik, mundimet e përditëshme shoqërojnë personazhin në kërkim të vetvetes; dhe në fund e gjen atë në fshatin e të internuarve; lë Tiranën për rrugët plot baltë; dhe heq dorë për hir të dashurisë nga katedra e mësimdhënies. Çorati ishte intelektual. Kishte studiuar jashtë. Kishte qenë edhe përkrahës i Nacional Çlirimtares, por u tërhoq duke e denoncuar në opinion Partinë Komuniste si vegël të Partisë Komuniste jugosllave. (H. Çobani, Parathënie).
“Në kërkim të vetvetes” është rrëfim i njeriut, i cili pasi kalon nëpër vështirësi arrin në përfundimin se në komunizëm ka vetëm dy alternativa; ose t’i shërbesh ose t’a luftosh. Autori zgjedh të dytën; luftën e armatosur me heshtje stoike, larg “rrjedhës me shi e ujra të ndotur”. Dhe për këtë regjimi e ndëshkoi. Çorati përfundoi në burgje e kampe internimi dhe më pas punëtor ngarkim-shkarkimi, ku edhe ndërroi jetë në moshën 54 vjeçare. Lindur më 1922, Agron F. Çorati i përket brezit të lënë qëllimish në heshtje të inteligjencës shqiptare.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Brezi i heshtur

Darka e Lamës – Osmani: Kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit

October 31, 2020 by dgreca

-Kryeparlamentarja e Kosovës Dr. Vjosa Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar festën tradicionale të Darkën e Lamës, me synim të promovimit të prodhimeve vendore. Është një festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit. Në Kosovën e lirë – moderne, në vitin 2002,  Ditën e Falënderimit – Darkën e Lamës Presidenti historik  i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli festë shtetërore/ 

PRISHTINË, 31 Tetor 2020 – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Kryetarja e Kuvendit të Kosovës Dr. Vjosa Osmani së bashku me prodhuesit vendorë dhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora, ka organizuar të premten mbrëma Darkën e Lamës, një traditë e filluar nga presidenti Dr. Ibrahim Rugova.

Në të kanë marrë pjesë ambasadorë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të partive politike dhe bizneseve kosovare.

Kjo darkë është organizuar konform respektimit të masave anticovid, teksa qëllim kryesor ka promovimin e produkteve vendore dhe punën e prodhuesve vendor, të cilët kanë pësuar nga pandemia Covid-19.

Kryetarja Osmani ka thënë se kultivimi i traditës e mbanë të gjallë shpirtin e kombit.  

“Darka e sivjetme mbahet në rrethana të rënduara për shkak të pandemisë. Këto rrethana na mbajnë më larg njëri-tjetrit fizikisht, por me karakterin e saj, do të na e rikujtojë se sa i rëndësishëm është besimi në njëri-tjetrin, në miqtë tanë, të cilët na janë gjetur përkrah në ditë të vështira e në ditë të mira, kanë ndarë me ne gëzimin e hidhërimin dhe e kanë përcjellë bashkë me ne lutjen për të mirat e motmotit”, ka thënë kryetarja Osmani.

Ajo ka falënderuar kultivuesit dhe prodhuesit vendor për bereqetin e sivjetmë.

“Darka e sivjetme përveç tjerash synon promovimin e prodhimeve vendore. Prandaj, ne kemi shtruar sonte sofër pikërisht me këto prodhime nga duart e tyre të vyera dhe do t`i ndajmë miqësisht me ju, sepse kështu ndajmë edhe jetën tonë sociale me njëri-tjetrin”, është shprehur zonja Osmani, citon njoftimi i dërguar sot nga Kuvendi i Kosovës.

Më parë, në mbrëmjen e 23 Tetorit 2020, Darkën e Lamës e shtroi  kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ku të pranishëm ishin krerët e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër, ndërsa autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në Kosovën e lirë – moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.

Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit,  e cila  është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej vetëm në kryeqytet-Prishtinë, ndërsa nga nga viti 2014 edhe në qytete tjera, në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë e pastaj në Pejë…

Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në Sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë.

Në Prishtinë, në 23 Tetor 2003, në mjediset e një hoteli,  kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.

Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 Tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.


Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.

“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.

“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.

Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.

“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.

“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 17 viteve – në 23 Tetor 2003.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Belul JASHARI, Darka e Lamës, Vjosa Osmani

Në Kosovë Nëntori 2020 Muaji i Anton Çettës

October 31, 2020 by dgreca

-Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka shpallur Nëntorin 2020 Muaji i Anton Çettës dhe ka miratuar edhe Programin e aktiviteteve për këtë muaj/

-Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në 1 Maj 2020 shkruante se, Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë të filluar para 30 viteve i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm Dr. Ibrahim Rugova”/

PRISHTINË, 30 Tetor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Nëntori 2020 në Kosovë do jetë Muaji i Anton Çettës. Qeveria e Kosovës drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti në mbledhjen e sotme, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka shpallur muajin Nëntor 2020 Muaji i Anton Çettës. Me vendim është miratuar edhe Programi i aktiviteteve për këtë muaj që do të jenë në përkujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Anton Çettës:

Përurimi i veprave të Anton Çettës;   Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit në Raushiq, investim i Ministrisë se Kulturës, Rinisë dhe Sportit;   Këndi i Anton Çettës – ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;  Emisione Televizive- RTK, shfaqja e emisioneve dhe dokumentareve te vjetra dhe punimi i një dokumentari te ri;  Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë;   Ekspozitë e fotografive ne Prishtinë dhe Tiranë – Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Muzeu Kombëtar i Kosovës dhe Muzeu Historik në Tiranë;  Themelimi i Çmimit “Anton Çetta”.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi duke e prezantuar propozimin, i cili u miratua, theksoi se viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së Prof. Anton Çettës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve. Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit  të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve, tha ajo.

 Nga Arkivi i Gazetës DIELLI – 1 Maj 2020: KOSOVË-30 VJET FALJE DHE PAJTIM MES SHQIPTARËVE

-Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, filluar në 1 Maj 1990, i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”

-Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe pata 21 viteve, në pranverën 1999/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 1 Maj  2020/ Para  30 viteve, në 1 Maj 1990,  te Verrat e Llukës në rrethinën e Deçanit gjysëm milioni  shqiptarë u tubuan në Kuvendin e Pajtimit drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Verrat e Llukës, ku u mbajtën Kuvendet e Besëlidhjes shqiptare dhe të pajtimit të gjaqeve, janë vendi i vlerave universale kombëtare, i cili në rrethanat më të vështira ka bashkuar shqiptarët në rrugëtim për lirinë dhe pavarësinë, është theksuar gjatë viteve në përkujtim të ngjarjes historike.

Aksionit për pajtimin e gjaqeve në Kosovë i printe profesori Anton Çetta, i cili në 20 vjetorin e Kuvendit të Pajtimit te Verrat e Llukës është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm  Dr. Ibrahim Rugova”  për kontribut të veçantë dhënë gjatë gjithë jetës së tij për paqen, zhvillimin e demokracisë dhe kultivimin e vlerave humane.

Tubimi i njohur te Verrat e Llukës, në Deçan, i mbajtur më 1 Maj 1990, ku morën pjesë mbi 500 mijë njerëz, ishte nisma e parë e madhe për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave midis shqiptarëve…Kjo nismë më vonë u shndërrua në lëvizje të rëndësishmë mbarëkombëtare.

Në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” në Prishtinë ruhet një fotografi krejt e veçantë, e Anton Çettës me Presidentin Rugova, e cila e vetme i ka shpëtuar djegies nga zjarri i vënë në atë shtëpi nga forcat serbe para 21 viteve – në pranverën 1999.

 Në 4 Maj 2017 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka aprovuar kërkesën e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Pejës për përfshirjen e hapësirës Verrat e Llukës, në Fshatin Llukë të Epërme të Komunës së Deçanit, në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme.

Me atë rast, Ministria deklaroi se, mbrojtja e përkohshme pranohet me arsye se Verrat e Llukës karakterizohen për vlerat historike, shoqërore dhe shpirtërore, si vendndodhje historike në kuadër të kategorisë Peizazhe Kulturore.

Në këtë vend janë zhvilluar shumë ngjarje historike, që nga viti 1900 deri në vitin 1910 aty u mblodhën shqiptarët për të luftuar kundër pushtuesit osman.

Po ashtu, ky vend njihet për Kuvendin e Verrave të Llukës, Besëlidhjen e Madhe Shqiptare të Verrave të Llukës, ndërsa historiku i Verrave të Llukës kulmoi në 1 Maj 1990, ku mbi 500 mijë shqiptarë, nga të gjitha hapësirat etnike, u tubuan aty për t’u jetësuar iniciativa e rinisë shqiptare, e pasuar nga intelektualët të prirë nga Anton Çetta dhe Zekrija Cana, për Pajtimin e Gjaqeve, lëvizje kjo e cila ndikoi në bashkimin e shqiptarëve dhe lëvizjen e mëvonshme për liri, pavarësi dhe demokraci.Me këtë akt institucionet e Kosovës shtet nga 17 Shkurti historik 2008 i shpalljes së Pavarësisë, tregojnë e vijojnë kujdesin e shtuar ndaj trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilën e marrin në mbrojtje, e promovojnë dhe ua përcjellin brezave si vlerë e shtetit të Kosovës. 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Muaji i Anton Çettës, Nentori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 324
  • 325
  • 326
  • 327
  • 328
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT