• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori Suksesi- Elidiana Abazi

November 27, 2015 by dgreca

Docente Doktore e Shkencave Elidiana Abazi: Babi më la vetem 5 vjeç, por imazhi i tij dhe kujdesi i nënës time më kanë shërber në të gjithe jetën time, jo thjesht si një kujtim,  por si  model e motiv i  fuqishëm për të cur përpara./

 Nga Liliana Pere.  Histori Suksesi/

Profili  i Docente Doktore e shkencave sociale Elidiana (Abazi) Canaj/

Dr. Elidiana Murat (Abazi) Canaj një grua e qetë, qytetare në mentalitet dhe në sjellje, me shumë bonsens, rritur ne qytetin e Korcës, me të dy prindërit nga Jugu i Shqipërise, përkatësisht nënën nga Grabocka e Korçës, ndërsa babain nga Selenica e Kolonjës.

Të dy këto njësi administrative përfshihen në Qarkun e Korçës. Janë dy rrethe e dy qytete shumë afër gjeografikisht, por dhe me të njëjtat tradita atdhetare, kulture, arsimdashëse, me kulturë qytetare, në mikpritje, bujari e dinamizëm, me contribute e vlera të çmuara në historinë e kombit tonë .

Elidiana më se e vlerësuar:

  • Diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike si “Punonjëse e Shkencave Politike” me 1977.
  • “Doktor” – Gradë shkencore e mbron  pranë Departamentit të Filozofi–Sociologji në fushën e Shkencave Sociologjike, po në Universitetin e Tiranës, me vlerësim “shumë mirë”.
  • “Docent”- Titull Pedagogjik Skencor, per studimet ne fushen e Sociologjise fituar në Fakultetin e Ekonomisë dhe të Agrobiznesit në Universitetin Bujqësor të Tiranës në vitin 2010.
  • Pedagoge e Filozofise në Shkollën e Lartë të Partisë prej 10 vjetësh dhe 10 vjet pedagoge e Sociologjisë Rurale në Universitetin Bujqësor të Tiranë.
  • Kryetare e këshillit të Qarkut të Tiranës në mandatin e parë të krijimit të Këshillave të Qarqeve në Shqipëri dhe kryetare e Shoqatës Kombëtare të Këshillave të Qarqeve, njëkohësisht.
  • Antare e Kongresit Evropian të Autoriteteve të Qeverisjes Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës dhe Sekretare e Delegacionit Shqiptar për organet e qeverisjes vendore në vitet 2000 – 2004.
  • Sekretare e Komisionit të Kualifikimit Shkencor Pasuniversitar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në vitet 1999 – 2000
  • Tashmë në nvitet e fundit vazhdon të punojë si pedagoge në Universitetin Bujqësor të Tiranës & pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT- dega Sociologji.

Studime & Botime të Elidianës:

  • Bashkautore në hartimin e programit, leksioneve dhe tekstit të Sociologjisë Rurale
  • Bashkeautore ne hartimin e programit të modulit “Parimet e Komunitetit dhe Zhvillimi i Zonave Rurale”, si edhe në përgatitjen e ciklit të leksioneve për studimet në Master Shkencor ne Ekonomi dhe Politika Agrare.
  • Studim sociologjik mbi ndikimin e mendësive fisnore në lidhjet martesore dhe familjare, si dhe në jetën e përditshme të njerëzve në zonat veri-lindore për vitet 1985 – 1990, pori edhe në vitet e para të tranzicionit.
  • “Këshilli i Qarkut-tre vjet-arritje dhe nevoja”, artikull i botuar në  revistë periodike “Pushteti Vendor”, botim i Ministrisë së Pushtetit Vendor, 2004
  • (Bashkautore) në hartimin dhe botimin e: „Sociologji Rurale“, tekst i ripunuar e i ribotuar, miratuar nga DEPA, 2008.
  • „Ndikimi i mendësive fisnore“, – Vështrim Sociologjik – Monografi, Tiranë, 2008 (miratuar nga DEPA).
  • (Bashkautore): Pergatitja dhe botimi  i librit “Sociologjia Rurale dhe Fshati Shqiptar” – përmbledhje materialesh studimore në ndihmë të studentëve për modulin “Sociologji Rurale”, Tiranë, 2006 (miratuar nga DEPA).
  • Konferenca Kombëtare: Referat me temë: “Roli i gruas në botën rurale, eksperienca dhe nga tranzicioni shqiptar”, organizuar më 5 qershor 2009 në UBT. Temë përgatitur dhe e referuar në konferencë nga E. Canaj:
    • „Gruaja rurale dhe disa probleme mbi statusin dhe rolin e saj social ekonomik”
  • “Murat Baki Abazi, Ditar, mbresa, kujtime, histori jete” – monografi – Tiranë – 2010.
  • Canaj (bashkautore) me Rezear Kola, Engjëll Skreli: “Veprimi kolektiv i munguar në bujqësinë shqiptare: Një përpjekje për të kuptuar faktorët që përcaktojnë veprimin kolektiv në një vend post komunist” – Konferenca kombëtare organizuar nga FEA: qershor 2010.
  • Referim në takimin VI të Institutit Alb – Shkenca në Prishtinë me temë: “Vlerat e ditareve personale” si metodologji studimi ne Sociologji, Prishtinë, 2011.
  • Botuar si ekstrakt tek permbledhja e Botimeve të Institutit të Alb-Shkencës për llogari të revistës “Aktet”: “Vlerat e ditareve personale”, 2011.

 

Elidiana u lind, u rrit dhe u formuan me historinë e patriotëve dhe rilindasve tanë:

Kur kujtojme Korçën dhe Kolonjën nuk mund te mos  përmendim me repekt të thellë  Patriotët e mëdhenj, dijetarët dhe mendimtarët  e Rilindjes sonë kombëtare, të penës dhe të pushkës në mbrojtje të interesave tona Kombëtare në arenën ndërkombëtare.

  • Kolonjarët që kanë bërë

Theofan Stilian Noli: Burrë shteti, ishte një dijetar, shkrimtar shqiptar, studiues, muzikolog, diplomat, politikan, historian, orator dhe themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, i cili shërbeu si kryeministër i Shqipërisë në vitin 1924 gjatë Revolucionit qershorit. Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare. pas Rilindjes.

  • Jani Vreto atdhetar dhe mendimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Dha ndihmesë të vyer për komisionin që miratoi më 1879 Alfabetin e Stambollit.
  • Parashqevi & Sevasi Qirjazi 1880-1970 të njohura edhe me emrin Paraskevi D. Kirias, 1909 botuese të abetares për shkollat fillore. Më pas organizouan arsimin në Shqipërinë e jugut dhe ndihmuan për të vënë bazat e një sistemi bibliotekar.
  • Papa Kristo Negovani (1875-1905), patriot dhe klerik shqiptar
  • Korçarët që bënë histori: Dhimitër Berati, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, Pandeli Cale, Spiro Ilo, Mihal Grameno, rilindas, gazetar dhe shkrimtar, Iliaz Bej Mirahori, themelues i qytetit të Korçës.etj,etj. Dy krahina te dyja djepe të Rilindjes etj. etj.

 

******************************************************************************

 

Bashkëbisedim me Elidianën ose Liden siç e therrasin shkurt:

**

E dashur Elidiana, Tashmë kanë kaluar shumë vite pune dhe nje karrierë e suksesshme e jetës tuaj, ndaj, besoj, keni shumë për të thënë. Kjo intervistë nuk do të mjaftonte për të përshkruar jetën tuaj, familjen, fëmijërinë, formimin tuaj, karrierrën profesionale dhe, të gjitha angazhimet e përgjegjësitë tuaja në disa fusha të jetës. Që jane vërtet për t’u admiruar dhe vlerësuar, kjo nuk vihet në dyshim, por a mund të sillni në vëmendjen e lexuesit disa nga momentet më pikante të jetës  tuaj, kuptohet, relativisht shkurt?

 

  • Elidiana Murat (Abazi) Canaj. Kam lindur më 4 shkurt 1952 në qytetin e Elbasanit. Kur isha 5 vjeç, babai im i dashur, Murat Abazi, u nda nga jeta. Ai ishte vetëm 35 vjeç. Jam fëmija i parë e dy prinderve të mij të shtrenjtë, Perparimes dhe Murat Abazit. Nëna ime është nga Grabocka e Korçës, ndërsa babai nga Selenica e Kolonjës. Doemos jam me fat për prindërit e mij. Ishin akoma vitet e para të jetës në liri, kur ata u martuan dhe u bënë prinder. Të dy ata kanë marrë pjesë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishin partizanë të njejtit formacion të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, Brigadës XV s. Ashtu si të gjithë luftëtarët e lirisë në të gjithë botën, ishin të vendosur për të bërë punë të mira në dobi të realizimit të ëndërrave të të gjithë shqiptarëve per demokraci e per ta parë vendin të zhvilluar e të begatë. Me këtë frymë na edukuan edhe ne të tri vajzave të tyre! Ishte fatkeqësia jonë që te mos rriteshim me babain tone pranë fizikisht! E gjithe barra e rritjes, edukimit, shkollimit tone ra mbi shpatullat e nënës sonë që mbeti e ve kur ishte vetëm 28 vjeç!

**

E dashur Lida, Ndjej dhimbje të thellë kur më kujtoni që ju keni qene vetem 5 vjeç kur babi juaj u nda nga jeta dhe ju, me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrave, por edhe ndaj trashëgimisë tuaj prindërore, ose ADN-se suaj (Genit) keni shkëlqyer që në fiilimet tuaja në bangat e shkollës dhe në vazhdim. Sa ështe ndjerë Lidae e mbeshtetur në  planin shpirtëror dhe kujdesin prindëror nga nena dhe të afërmit e saj?

  • Kemi jetuar në qytetin e Korçës gjatë te gjitha viteve të shkollimit tim parauniversitar. Kam pasur fatin të jem nxënëse e shkollave më të mira të qytetit dhe jo vetëm për Korçën! Shkolla e mesme e arsimit të përgjithshem “Raqi Qirinxhi” renditej në shkollat më të mira të vendit! Jo vetëm unë, por edhe motrat e mia kemi qëne nxënset më të mira të shkollve ku kemi qenë! Shpesh fotografia e jonë bashkë me nënën tonë vihej në qëndër të qytetit si prind e femijë të dalluar! Edhe sot krenohemi për nënën tone! U jemi gjithashtu mirënjohëse të gjithëve që kanë kontribuar në edukimin tone, na kanë qendruar pranë dhe na kanë vlerësuar! Pranë nesh kanë qenë kurdoherë prindërit e nënës. Nuk na lanë vetëm! Të gjithë të afërmit na janë gjendur e janë kujdesur per ne në një mënyrë ose tjetër me qellim që të mos na mungonte gë në rritjen e edukimin tonë! Ishte nje mrekulli e vertetë qe ne ndiheshim kurdoherë në gjirin e dashurisë e kujdesit të njerëzve tanë më të afert! Asnjeherë nuk u ndjemë “jetime”! Kam të drejtë të them që kujdesi e besimi i tyre tek ne, na “detyroi” të mësonim të mos i zhgënjenim njerëzit, nënen, te afërmit, shoqërinë! Personalisht kam qenë mjaft aktive në të gjitha nivelet e jetës: si nxënëse jam angazhuar me shumë përkushtim e kënaqësi në të gjitha detyrat e përvetësimit të mësimit. Krahas detyrës kryesore kam kryer edhe detyra shoqërore në organizata të ndryshme sin ë organizatën e pionierit, në organizatën e rinisë e më tej. Asnjë përgjegjesi nuk e kam konsideruar thjesht si “dhuratë” apo vlerësim për mua, por si detyrë! Asnjëherë nuk i kam neglizhuar detyrat shoqërore! I kam kryer pa u kursyer krahas detyrave shtetërore. Nuk kam cënuar asnjehere përgjegjësitë administrative apo juridike! Ndershmëria e korrektësia në të gjitha marrdheniet e sjelljet në shoqëri më kanë karakterizuar kurdoherë!

Studimet e larta i fillova në Fakultetin e Shkencave Politiko – Juridike, në degën e Filozofisë. Në fund të studimeve u diplomova si punonjëse e shekncave Politike. Para diplomimit punova si mësuese në stash në shkollën e mesme të bashkuar Miras – Devoll. Ishte prova ime e parë në jetë! U ndjeva mirë dhe nuk paragjykova aksënd që me emëruan në fshat, perkundrazi, m’u duk sikur kisha detyrimin ndaj xha Emin Kaçanit për të punuar si mësuese në fshatin e tij të lindjes! (Xha Emini ishte komshiu ynë që, edhe pse ishte moshatar me gjyshin tim, e konsideroja shok e më donte shumë si vajzën e vet. Ai kishte shume besim tek une se do ta nderoja edhe atë me punët e mia të mira!)

**

-Si e keni konceptuar në kuptimin filozofik, punën me rininë, ku disa gjenerata të rinjsh kanë patur fatin të ishin pranë jush, të edukoheshin me ndjenjën e punës, e solidaritetit, humanizmit dhe t’i orientonit drejt per formimin e tyre cilësor?

 

Mbas diplomimit fillova të punoja e emëruar si Drejtuese sociale administrative në aksionet kombëtare të rinisë. Fillova në Hekurudhën Prrenjas-Guri i Kuq (Pogradec). Edhe pse me pëlqente të isha në mësimdhënie e punën studimore kërkimore shkencore, iu përkushtova punës me rininë. Mësova shumë nga aksioni dhe karateristikat e rinisë. Mësova të njoh dallimet e grupeve të ndryshme të rinise së vendit në aksion. Vlerësoja tek të gjithë të rinjtë vullnetarizmin dhe seriozitetin e tyre në punë. Vleresoja mjaft aspektin social të sjelljes së tyre, shkembimin e vlerave mes grupimeve sociale të të rinjve të të gjitha kategroive dhe nga të gjitha krahinat e vendit, solidaritetin, humanizmin, shpirtin e garës dhe vrullin e rinise! Në këtë hekurudhë punova pothuaj në të gjithë sektoret: Pojskë, Guri i Kuq (Memlisht), Tuneli i Qafë Thanës. Mbas përfundimit të punimeve në këtë vepër të madhe dhe inagurimit të saj, u transferova në aksionin për ndërtimin e rrugës automobilistike Tepelene – Gusmar. Jetova e unova 3 muaj në Bënçë bashkë me rininë vullnetare në një lloj “fushimi”- sktor provizor e sezonal i sajuar me çadra. Pastaj punova në prodhim bujqësor për 6 muaj në NB – Korça. Më pas filluan punimet e hekurudhës Laç-Lezhë. U thirra të punoja në këte veper tjetër të rëndësishme përsëri me rininë. Punova e jetova 13 muaj në Tresh të Lezhës si komandante sektori. Aksionet më dhanë mjaft vlera e experiencë në jetë! Kam mjaft episode pikante nga kjo experiencë rreth 3 vite në punë të ndryshme kryesisht me rininë e aksioneve vullnetare! U njoha me rininë e të gjitha krahinave të vendit nga veriu në jugë, nga lindja në perëndim, në Shqipërinë e Mesme, u njoha me tërinj puntorë, kooperativistë, nxënës e student, me mësues e pedagogë, me puntorë të hekurudhës e specialist me emën në projektimin e ndertimin e atyre veprave të mëdha…

 

**

-Si keni mundur në nje moshë shume të re, të merrnit persipër detyra të vështira dhe t’i kryenit me aq sukses? Unë i joh vlerat e karakteristikat e tua: e mencur, shumë e qetë, e aresyeshme dhe mjaft e edukuar. A ka qene Babai juaj i ndjerë dhe nëna juaj në vizionin tuaj pranë me figuren e tij, jo thjesht si kujtim, por edhe si model sjelljeje, forcë e nje motiv i fuqishëm për të përballuar sakrificat që u ka servirur puna dhe jeta ?

 

  • Nuk e kam ndjerë se kam sakrifikuar, por kam punuar pa refuzuar asnjeherë detyrat! Ndoshta ka sakrifikuar mamaja e motrat e mia që isha larg tyre. Gjithsesi asnjeherë nuk jam ndjerë larg se kurdohere analizoja sjelljet, veprimet e qëdrimet e mia në raport me porositë e mamasë, me modelin e saj në jetë, me vlerat e karakterit të babait tim, që edhe pse nuk pata fatin ta kishta fizikisht pranë, mamaja na e kish sjellë kurdoherë figurën e tij pranë, jo thjesht si kujtim, por edhe si model të gjallë. Babai ështe shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Si babai ashtu edhe mamaja kanë disa vlerësime për kontributin e vet jo vetëm në luftën për liri, si ish partizanë e si veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare por edhe në punë! Si mund të sillesha ndryshe nga modeli e idealet e prindërve të mij?!

Edhe unë jam pasardhëse veterani jo vetëm si vajzë e dy prindërve veteranë, por edhe si anëtare e organizatës së Veteraneve te LANÇ. Në disa konferenca Kombëtare te Veteraneve me radhë jam zgjedhur antare e Kryesisë dhe n/kryetare e Kryesise se Komitetit Kombetar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar. Ndjehem e vlerësuar nga veteranët dhe u jam mirenjohëse atyre që më besuan të me zgjedhin edhe mua në krye të organizatës së tyre edhe pse jam pasardhëse! Doemos besimin e vlerësimin e tyre unë i përkthej në punë e angazhim me përkushtim në mbrojtje të idealeve dhe vlerave më të mira të Popullit Shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, luftë e cila e renditi vendin tonë në krahun e fitimtarëve mbi nazifashizmin botëror. Kjo luftë i kushtoi shtrenjtë popullit tonë të vogël në numër! Dhanë jetën mbi 28.000 dëshmorë! Kjo luftë u kurorëzua me lirine e pavarësinë! Nderkohe kam vazhduar studimet dhe kam shlyer detyrime të kualifikimit pasuniversitar. Kam vazhduar per 21 vjet studime të rregullta në nivele të ndryshme të arsimit.

**

E dashur Lida, Ju jeni sot pedagoge në Universitet për lëndën e Sociologjise Rurale. Rrezatoni sens pozitiv në punë, integritet të lartë social e professional, shkruani dhe botoni me dhjetra artikuj shkencorë & profesionale, apo divulgativë, si mundeni të kryeni dhe angazhime të tjera me karakter social? A eshte ky angazhimi juaj dashuri dhe detyrim juaj për profesionin apo një respekt  njerëzor?

  • Kam studjuar dhe jam kualifikuar nëpërmjet studimeve universitare e pasuniversitare dhe finalizova mbrojtjen e doktoratës në Sociologji. Kam realizuar edhe një studim të thelluar sociologjik në zonat verilindore të vendit, kryesisht në territoret rurale për ndikimin e mendësive fisnore në lidhjet martësore e familjare si edhe në zgjidhjen e problemeve të jetes së përditshme të njerëzve në Mat, Kukës, Has e Tropojë. Ndërkohe që isha emëruar pedagoge e Filozofise në një nga institucionet e arsimit të lartë te vendit. Punova aty për 10 vjet. Tani vazhdoj si pedagoge në UBT dhe jap me kenaqesi e përkushtim lëndën e formimit të përgjithshem Sociologji Rurale. Vitet e fundit jam pranuar si pedagoge e jashtme edhe në Fakultetin e Shkencave Sociale të UT për të dhëne lëndën Sociologji Rurale si lënde e formimit professional për studentët e degës së Sociologjisë.

Duke e dashuruar punën që bëj në mësimdhënie, kujdesem të vazhdoj të studjoj dhe të shkruaj. Kam botuar dhjetra shkrime e artikuj të ndryshem në organe teorike – shkencore dhe në organe divulgative.

Dua të nënvizoj veçanërisht përgatitjen dhe botimin e monografisë me titull: “Murat Baki Abas Selenica – Ditar, kujtime, histori jete”. Me këtë monografi theksoj se kam nxjerrë në dritë ditarin e babait tim mbajtur në vitet e LANÇ. Ky botim më ka “lehtesuar” disi mbasi arrita të kryej kësisoj një detyrim, respekt e mirenjohje në kujtim të babait tim.

Preferoj të shkruaj veçanësrisht për tema nga fusha e Sociologjise, historisë…

Edhe në këto vite kam kryer detyra të tjera me pergjegjësi. Kam qenë e zgjedhur në organe të qeverisjes vendore si antare e këshillit bashkiak të Tiranes  (për dy mandate radhë), si antare e këshillit të Qarkut të Tiranës (për dy mandate radhë) si edhe kryetare e Këshillit të Qarkut të Tiranës (në mandatin e pare 200-2004). Për shkak të detyrës jam zgjedhur kryetare e shoqatës së këshillave të qarqeve të Shqipërisë dhe kam përfaqësuar këshillat e qarqeve të Shqipërisë në Kongresin e Autoriteteve te Qeverisjes Lokale e Rajonale në Këshillin e Evropes si sekretare e delegacionit dhe si antare e Kongresit.

Kam qenë sekretare e Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë MASH si edhe drejtore e NTS 3 në territorin e ish kampusit universitar të Universitetit Bujqësor. Duke e dashuruar punën që bëj në mësimdhënie, kujdesem të vazhdoj të studjoj dhe të shkruaj.

*

Episod nga Elidiana ne mesimdhenje si pedagoge. Diskutonim në seminarin e Sociologjisë Rurale me studentët e Agrobiznesit mbi disa probleme sociale në marrdheniet në familje dhe njera nga pyetjet e mia për studentët ish: – “Cilin tip familjeje do t’u pëlqente të zgjidhnit në jetën tuaj sipas kriterit rezidencial: familjen patrilokale, matrilokale apo neolokale”. Në pergjithesi preferonin familjen neolokale. Disa vajza ishin më të prera: “Jo vetem dua të jem më vete me bashkëshortin tim, por prindërit e mij dhe të bashkeshortit tim do të doja t’i kisha sa më larg! Ata do të më prishnin punë po të jetoja bashkë me ta!” Ndërsa një djalë tha: “Doemos edhe unë nuk do t’ia imponoja bashkëshortes sime të jetonim bashkë me prindërit e mij! Zgjedhjen do ta vendosim bashkë! Por do të preferoja t’i kishim te dy familjet mëma afër nesh. Prindërit do të kenë nevojë gjithashtu për ne dhe ne kemi detyrime për ‘ta. Duke i pasur afër, për mua do të ishte shumë mirë që, së paku, t’u thoja në mëngjes “si u gëdhitë” dhe, në mbremje: “natën e mirë” e “gjumin e ëmbël”! Ne jemi fryt i dashurisë së prindërve tanë dhe jemi rritur me dashurinë e tyre!” Doemos, me pëlqeu. Studentët shpesh gjykojnë drejt! Janë të përgjegjshëm!

 

**

-Kush eshte familja e e Elidianës, a ndjehet ajo sot nje grua e realizuar në të gjitha këndveshtrimet, një nënë me dy vajza të shkëlqyera. Pozitivietin e ka përqafuar fort e gjithe familja dhe rjedha vazhdon më së miri. Sa punë dhe mendim pozitiv kërkon ky sukses i vazhdueshëm?

 

 

Jam e martuar me Shaban Canaj me origjine nga Batra e Vogel e Burrelit. Eshte shoku im më i mirë! Është shoku im i jetës! Këtë vit mbushëm 30 vjet martesë! Jemi njohur në kushte pune të përbashkët. Shohim tek njeri – tjetri tiparet më të mira tonat! Kemi 2 vajza që na japin kenaqësi e krenari. Vajza e madhe, Alba, ka studjuar dhe eshte diplomuar në Arkitekturë. Ka provuar në pune se ka bërë zgjedhjen e duhur në profesion. Tani vazhdon studime pasuniversitare në Itali. Vajza e vogël, Irisi është duke përfunduar studimet e MSC në Universitetin e Arteve këtu në Tiranë dhe diplomohet në Regji Teatri. Eshtë kërkuese ndaj vetes në profesion. Në te gjitha angazhimet deri tani ka njohur vetëm suksese! Të dyja vajzat guxojnë, kanë inisiativë dhe janë “me këmbë në tokë”. Familjarisht mendojmë pozitivisht e jemi optimistë! Të katërt gjykojmë se me punë të vazhdueshme me përkushtim e mirekuptim mund t’ia arrijmë, Liliana, ndryshe nuk bëhet.

**

-E dashur Elidiana.  Së fundmi dua të di a keni ju një mesazh për të gjitha gratë në Shqipëri?

Gratë dhe vajzat tona të mos tërhiqen para asnjë vështirësie për të arritur objektivat që i kanë venë vetë ato vetes apo për të bërë realitet të gjitha pritmënitë që shoqeria ka për ‘to! Gratë në asnjë mënyrë nuk duhet të tërhiqen para vështirësive për të  realizuar ambicjet e tyre në çdo aspect e sector të jetës për të bërë realitet ëndërrat e tyre më të mira si nëna për rritjen dhe edukimin e femijeve të tyre, si qytetare për t’ia përmirësuar faqen këtij vendi! Nuk duhet të tërhiqen nga kërkesat e larta të arsimimit, kualifikimit, përgatitjes profesionale, punës së palodhur e me përkushtim duke synuar kudo e kurdoherë suksesin!

*Falenderon  Elidiana

Të falenderoj përzëmërsisht, e dashur Liliana, për punën që bën me shumë këmbëngulje dhe idealizëm. Me përkushtimin tuaj ju keni mundur t’u jepni zë të gjitha grave shqiptare që punojnë me devocion për veten, familjen dhe shoqërinë. Kështu ju promovoni sukseset e tyre. Edhe njëherë u falenderoj që më dhatë mundësinë  për të biseduar me ju,si  dhe per  vlerësimin  qe më beni!

*Falenderon  Liliana

Jam tepër e lumtur qe kam shkruajtur per ju,e dashur Elidiana e suksesshme, gruaja me bonsens dhe maturi të pashembullt! Sinqerisht më transmeton qetësi dhe dashuri prania juaj. Cdo guaje shqiptare do t’i kujtoja se sa forcë, maturi, këmbëngulje dhe kapacitet intelektual ka një grua, edhe pse e rritur pa baba, çan në jetë me mënyrën më të ndershme dhe me punën e saj të madhe dhe intetgritetin moral dhe professional. Kur një grua e tillë ka vullnet, kur ajo dëshiron te ecë perpara dhe punon shumë për të arritur objektivat e vendosura në vetvete, nuk ka asnjë pengesë që nuk e kapërcen që të arrijë te jetë aq shëmbullore sa ju në çdo drejtim. Ju jeni një grua që kush e njeh do shprehej me superlativat më pozitive në dimesionin professional njerëzor dhe social.dhe kuah e lezon kete shkrim merr inspirim dhe mesazhet me positive per nje grua. Faleminderit!

Filed Under: Interviste Tagged With: Histori Suksesi- Elidiana Abazi, Liliana Pere

ÇLIRIMI I KOSOVËS

November 27, 2015 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Zyra për Informim e Universitetit Shtetëror të Tetovës  (USHT) njoftoi se fund javën e kaluar më 21 nëntor, në njërën prej hapësirava të këtij universiteti u promovua  versioni shqip i librit, “Çlirimi i Kosovës –Diplomacia këmbëngulëse dhe ndërhyrja e SHBA-ve”, e autorit amerikan David L. Phillips, përkthyer në gjuhën shqipe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku.  Njoftohet se në promovimin e librit mori pjesë edhe Profesori Phillips, Drejtor i Programit për Paqë dhe të Drejta të Njeriut në universitetin e njohur amerikan Columbia të New York-ut si dhe një numër personalitetesh vendase të botës politike dhe akademike, përfshirë  profesorë dhe studentë të universitetit.Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti paraqiti autorin David Phillips , “si një mik, koleg dhe intelektual me përmasa globale”, librin e të cilit përkthyer në gjuhën shqipe e përurojmë tha ai, me krenari, “Në ambientet tona, tashmë të shëndërruara në arenë të avancimit të vlerave të mirëfillta shkencore, kulturore dhe kombëtare.”  Rektori i USHT, Prof. Ameti, duke folur për jetën dhe veprimtarinë e autorit David Phillips, tha se ndonëse ai është amerikan, ai njëkohsisht, “është një shqiptar që ia kalon cdo shqiptari”, pasi për më shumë se dy dekada të jetës së tij, David Phillips ia ka kushtuar çështjes shqiptare, i cili me shkrimet e tija ka sensibilizuar opinionin amerikan dhe atë botëror, mbi padrejtësitë historike dhe shoqërore si dhe për shtypjet e pa para politike dhe ideologjike kundër shqiptarëve.  Sipas njoftimit të zyrës së informimit të USHT, me këtë rast folën edhe personalitete të tjera të botës akdemike dhe politike, përfshirë recensentin e vëllimit, Prof. Dr. Fehari Ramadani i cili theksoi se libri, “Çlirimi i Kosovës -diplomacia  këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”, i  autorit David L Phillips, e përkthyer në  gjuhën shqipe me një mjeshtri të madhe nga Mr.sc. Gjyla Çeliku, përmban të dhëna mjaft interesante dhe sjell dëshmi të rëndësishme për vorbullën e luftërave që çuan në shpërbërjen përfundimtare të Jugosllavisë.”  Në këtë libër, vazhdoi ai, “ne gjejmë shumë informacione dhe tema me interes, të cilat vazhdojnë të mbeten aktuale edhe në ditët e sotme”.   Autori, sipas Prof. Dr. Fehari Ramadani, është treguar shumë i kujdesshëm në paraqitjen e ngjarjeve dhe të fakteve.  Për më tepër, shtoi ai, ky libër bazohet në përvojën personale të autorit, i cili ka punuar për çështjen shqiptare për më shumë se njëzet vjet”, u shpreh Prof. Dr. Fehari Ramadani.

Në këtë promovim, njofton Zyra e Informimit e USHT, ishte i pranishëm edhe ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Arben Çejku, i cili duke folur për veprimtarinë e David Phillips, u shpreh se për kontributin e tij që ka dhënë gjatë gjithë jetës për çështjen shqiptare, David L. Phillips “meriton të jetë ambasador i popullit shqiptar në SHBA”.  Ai e cilësoi David L. Phillips, si një njeri i cili “nuk i le të zënë pluhur dosjet e çështjeve dhe të problemeve shqiptare”, theksoi ndër të tjera, ish ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, z. Arben Çejku.

Ndërsa përkthyesja e këtij vëllimi në gjuhën shqipe, Mr.Sc., Gjyla Çeliku tha gjatë promovimit se libri, i autorit David Phillips, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve”,  pasqyron në hollësi rolin e diplomacisë amerikane karshi zhvillimeve dhe ngjarjeve në Kosovë.  Të gjitha këto të dhëna të përfshira në libër, nënvijoi ajo, “dëshmojnë se autori ka qenë një nga aktorët kryesorë që ka realizuar një agjendë intensive me autoritetet politike të kohës, si në rajon ashtu edhe në arenën  ndërkombëtare”, tha përkthyesja e këtij libri, Mr.Sc. Gjyla Çeliku.

Ndërkaq, David L.Phillips më dërgoi kumtesën që kishte mbajtur me rastin e promovimit të versionit shqip të librit të tij mbi Kosovën në USHT.  Në fjalën e tij, profesori Phillips u ka thënë të pranishmëve tha se librin, “Çlirimi i Kosovës”, ai ia kishte dedikuar ish-ambasadorit amerikan, të ndjerit Richard Holdbrooke. Sipas David Phillips, roli i ambasadorit Holbrooke ka qenë aq i madh dhe aq vendimtar sa që pa ndihmën e tij, tha Phillips, Kosova nuk do ta arrinte kurrë pavarësinë e saj. Andaj, tha ai, vdekja e Riçard Holbrooke ishte një humbje e madhe për të gjithë botën dhe se librin “Çlirimi i Kosovës” ia kishte dedikuar ish-Ambasadorit Holbrooke për kontributin e tij ndaj lirisë dhe pavarësisë që gëzon sot Kosova.  “Holbrooke ishte i dedikuar për të mbrojtur viktimat e konflikteve me dhunë”, shtoi Phillips.

Libri “Çlirimi i Kosovës” është mbi të gjitha një histori e diplomacisë, pohoi autori, në të cilin pasqyrohen aktet terroriste të regjimit brutal të Millosheviçit, ndërhyrja e NATO-s më 1999, pavarësia e Kosovës dhe roli që kanë luajtur për Çlirimin e Kosovës, dyzina zyrtarë amerikanë dhe ndërkombëtarë, përfshirë edhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikanë gjatë asaj periudhe.  Autori Phillips u tha të pranishmëve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se përsa i përket atij, ai “Është shumë krenar që Shtetet e Bashkuara hynë në luftë kundër Serbisë për të mbrojtur Kosovarët. Ndërhyrja e NATO-s e udhëhequr  nga Shtetet e Bashkuara ishte një moment i madhërishëm si për Amerikën ashtu edhe për Kosovën”, nënvijoi ai.  Phillips foli në universitetin e Tetovës edhe për rolin obskurantist të Rusisë në lidhje me situatën në Kosovë atëherë, ashtu siç po luan edhe sot të njëjtin rol obskurantist në Siri në mbrojtje të regjimit kriminal të Bashar Al Assad-it. Phillips tha se, në fushën diplomatike dhe ushtarake, Kosova na ka dhënë mësime me rëndësi  se si fitohet paqa dhe foli mbi gjëndjen e tanishme dhe mbi sfidat me të cilat po përballet Kosova. Ai tha se, “Mungesat dhe dështimet e politikanëve të sotëm të Kosovës “Nuk duhet të përdoren nga disa qarqe kundër pavarësisë së Kosovës dhe as për të penguar Kosovën që të zëjë vendin që i takon në familjen e kombeve.”

“Megjithëse Kosova është një demokraci e re”, tha ai, “kjo nuk është arsye për të përdorur gazin lotësjellëssi protestë me qëllim që të pengohet mbledhja e Kuvendit të Kosovës. Në një demokraci, politikanët i zgjidhin ndryshimet midis tyre nepërmjet negociatave e dialogut dhe jo me dhunë”, u shpreh autori i librit, Çlirimi i Kosovës dhe njohës i mirë i problemeve të Kosovës. Gjatë fjalës së tij në Universitetin Shtetëror të Tetovës, David Phillips sikur fajësoi udhëheqsit e tanishëm të Kosovës, pozitë dhe opozitë, për problemet e atij vendi ndërsa u shpreh se “Kosova ka nevojë për udhëheqës të ri…të cilët janë të pastër, të pa korruptuar dhe të cilët i kushtohen shërbimit publik dhe atij kombëtar”.  Ai u shpreh se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm, por theksoi ndërkaq se marrveshja e prillit ishte një marrveshje e keqe për Kosovën prej të cilës ajo nuk përfitoi asgjë, madje as liberalizimin e vizave, tha David Phillips. Phillips tha se qëllimi i Millosheviqit ka qenë gjithmonë ndarja e Kosovës dhe ndarja e Kosovës në baza etnike mbetet gjithnjë objektivi i Serbisë. Prandaj, shtoi ai, është e rëndësishme që Kosova e tërë dhe e lirë të integrohet sa më pare në institucionet euro-atlantike dhe të bëhet anëtare Kombeve të Bashkuara.

Ai tha gjithashtu se është shqetsues fakti se shumë të rinjë e të reja po largohen nga Kosova dhe u shpreh se shfaqja e islamit radikal në radhë të shqiptarëve është tepër shqtesuese.  Llogaritet, shtoi ai, se 1200 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe  Shqipëria i janë bashkuar Shtetit Islamik në Siri. Rinia shqiptare ndihet e dëshpëruar dhe e pa përspektivë, tha Phillips. Ai u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të bëjnë më shumë për të përforcuar partneritetin me Kosovën dhe njëkohsisht t’i dërgojnë një mesazh popullit të Kosovës se Shtetet e Bashkuara janë pranë tij. Afrimi i shqiptarëve me Perendimin është mënyra më e mirë për të kundërshtuar ekstremizmin e dhunshëm, tha David Phillips, gjatë promovimit të versionit shqip të librit të tij , “Çlirimi i Kosovës.

Më në fund, autori i librit “Çlirimi i Kosovës” tha në Tetovë se sfida e ardhëshme për shqiptarët është krijimi i asaj që ai quajti, “një fqinjësi (neighborhood) më të afërt të shqiptarëve anë e mbanë Ballkanit Perëndimor”, duke shtuar se nuk po fliste për “Shqipërinë e Madhe”, por për një serë aktivitetesh, përfshirë ato tregtare, arsimore dhe ambientale, të cilat do të përbënin një solidarizim interesash të përbashkëta, theksoi David Phillips.“Është krejtë normale”, shtoi ai, “që Shqiptarët të krijojnë një komunitet të vërtetë mbarëkombëtar në Ballkanin Perëndimor.”  Duke përmendur përsëri emrin e Richard Holbrooke si historian dhe diplomat, të cilit ia dedikoi librin, “Çlirimi i Kosovës”, David Phillips, u tha të pranishëmve në Universitetin Shtetëror të Tetovës se, rasti i Kosovës nuk është as hera e parë as e fundit që Shtetet e Bashkuara futen në luftë për të ndaluar gjenocidin kundër njerëzimit. Ai u shpreh se shpreson që diplomatët e ardhëshëm amerikanë të mësojnë nga përvoja e Kosovës, një përvojë, hollësitë e së cilës janë të dokumentuara në librin, “Çlirimi i Kosovës – Diplomacia këmbëngulëse dhe intervenimi i SHBA-ve” —  tashti edhe në shqip – dhe promovimi i së cilës u bë fund javën e kaluar në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Clirimi i Kosoves, David L Philips, Frank shkreli

Përtej shkatërrimit të Shtetit Islamik

November 27, 2015 by dgreca

Koment/

Nga ofensiva e plotë në terren, tek afrimi i fiseve sunite në Irak kundrejt një shpërblimi të majmë, përpjekja për të bllokuar burimet e tij të të ardhurave apo mbase edhe diplomacia, mënyrat për mposhtjen e ISIS-it diskutohen prej kohësh. Por propozimi i fundit, ai i hedhur prej ish-ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në OKB, John Bolton, ka shkaktuar jo pak polemika. Diplomati veteran merr përsipër të shikojë përtej shkatërrimit të Shtetit Islamik, duke u shqetësuar edhe për atë që vjen më pas. Ta mundim, por të mos i kthehemi më kufijve të vjetër mes Sirisë e Irakut, arsyeton ai; më mirë të ndërtojmë një shtet të ri sunit në zonën që mban sot ISIS-i në kontroll dhe ato rajone të cilat “kalifi” po përpiqet t`i pushtojë. Ideja e ish zëvendës sekretarit të shtetit në administratën e Xhorxh W. Bushit, edhe pse e pazbatueshme, ka nxjerrë në pah një prej pikave të dobëta të perëndimit: mungesën e vizionit lidhur me atë çfarë do të ndodhë pas shkatërrimit të ISIS-it. Ndërkombëtarët janë kaq të fokusuar tek lufta kundër grupit terrorist nuk e kanë shtruar ndonjëherë në diskutim që zhdukja e tij, nuk do t`i fshinte aspak konfliktet e vjetra – pasojë e marrëveshjes Sykes-Picot, pakti mes dy fuqive koloniale, Britanisë dhe Francës që solli në 1916-tën përvijimin artificial të kufijve irakiane. Mjaft ekspertë besojnë se realiteti aktual i Lindjes së Mesme kërkon ndërhyrje rrënjësore për zgjidhjen e problemeve të kalcifikuara në kohë, e megjithatë, një inciativë politike të përmasave të tilla, nuk e ka përsipër askush. “Ja e shkatërruam dhe ISIS-in , po pastaj ç’do bëjmë. Do ia kthejmë Sirinë e çliruar Damaskut, domethënë atij Assadit që nuk po heqim dot qafe, pyet Bolton, ndërsa tokat e Irakut do t’i dorëzohen regjimit filo-iranian në Bagdad. Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara kujton se lindja e ISIS-it ka ndryshuar tashmë situatën me krijimin e premisave për një shtet të pavarur kurd në veri të Irakut, mobilizimin e sunitëve kundër regjimit të alavitit Assad në perëndim dhe një lëvizjeje shiite në lindje. Për këtë arsye, Bolton del me propozimin e krijimit të një shteti sunit, apo Sunnistan siç e quan ai, i cili gjeografikisht të jetë një variant i zgjeruar i Shtetit Islamik në terren e të mbulojë pjesë të mëdha territori të Sirisë dhe disa rajone perëndimore të Irakut.

 

Filed Under: Komente Tagged With: koment, Përtej shkatërrimit, të Shtetit Islamik

“TERRORIZMI – RREZIK APO KËRCËNIM”?

November 27, 2015 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA/
Pas sulmeve terroriste në Paris, me 23.11.2015, edhe në Shqipëri u vunë në lëvizje institucionet shtetërore dhe agjencitë ligjzbatuese për forcimin e punës dhe bashkërendimin e veprimeve me qëllim parandalimin e akteve terroriste, që mund të kryhen nga aktorë të brendshëm, apo të jashtëm.
Për t’u vlerësuar është mbledhja më 21 Nëntor 2011, e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nga ana e Presidentit Nishani.
Masa të kësaj natyre u morën edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, si në njoftimet zyrtare, ashtu edhe në “analizat” dhe “ekspertizat” që, këto ditë, kanë përmbytur mjetet e informimit masiv, bie në sy që nuk ka një koncept të qartë se çfarë është terrorizmi sot për botën, në përgjithësi dhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, në veçanti. A përbën ai rrezik apo kërcënim? Nëse rrezik, në çfarë shkalle? Nëse kërcënim, në çfarë niveli?
Jo vetëm kaq, por ka një ngatërrim, moskuptim dhe keqpërdorim të termave “rrezik” dhe “kërcënim”. Në të shumtën e rasteve, ato përdoren si terma me kuptim të njëjtë, por ka edhe jo pak raste që përdoren me kuptime të ndryshme, jo atë që kanë në të vërtetë, por duke i dhënë termit “rrezik” kuptimin e “kërcënimit” dhe anasjelltas.
Në emisionin “Opinion” të datës 16.11.2015, njëri prej të ftuarve, ish ministër i mbrojtjes së Shqipërisë, u shpreh se përshkallëzimi i së keqes, në këtë rast i terrorizmit, shkon gradualisht, nga kërcënim, në rrezik. Mendimin e tij e mbështetën edhe të ftuarit e tjerë, përfshirë edhe një ekspert i sigurisë.
E kundërta është e vërtetë. Përshkallëzimi i së keqes shkon nga rrezik në kërcënim. Në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos, në atë realiste, si dhe në doktrinat e sigurisë apo të mbrojtjes të shteteve, termi “rrezik” (danger) nënkupton situatën kur e keqja, fatkeqësia, dëmi mund të ndodhë, mund të ngjasë, por edhe mund të mos ndodhë, a të mos ngjasë. Në këtë kuptim, “rreziku” ka të bëjë më shumë me sigurinë kombëtare, në përgjithësi. Ndërsa “kërcënimi” është paralajmërim apo kanosje e drejtpërdrejtë e së keqes, në rastin tone, e terrorizmit. Në këtë kuptim, “kërcënimi”, jo se nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare, por më shumë lidhet me mbrojtjen kombëtare.
Atëherë, terrorizmi është rrezik apo kërcënim për ne shqiptarët?
Këshilli i Sigurimit të OKB-së, më 20.11.2015 miratoi Rezolutën nr 2249 kundër terrorizmit, në të cilën kjo dukuri klasifikohet si “kërcënim global” për paqen dhe sigurinë dhe u bëhet thirrje të gjitha shteteve që të mobilizojnë forcat dhe burimet e tyre kundër tij, t’i jepet fund dërgimit të luftëtarëve të huaj në Siri, të ndërpriten burimet e financimit të terrorizmit, etj.
Sa i takon vendit tonë, tashmë, dihet publikisht që shërbimet sekrete të partnerëve tanë kanë informuar që kryeqyteti ynë, Tirana, është një ndër objektivat e sulmeve terroriste. “Arsyet” përse Shqipëria është cak i terrorzmit janë komplekse. Një prej tyre, mund të jetë fakti që vendi ynë është anëtar aktiv i aleances antiterror, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një tjetër, mund të jetë miratimi i ligjeve që penalizojnë individët që shkojnë për të luftuar jashtë shtetit. Një tjetër “arsye”, mund të jetë arrestimi i një numri klerikësh apo individësh që akuzohen për rekrutim xhihadistësh.
Për të mos shkuar më tej, këto “arsye” janë të mjaftueshme për të nxitur hakmarrjen e terroristëve ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Republikës së Kosovës, që përafërsisht, ka të njëjtin qëndrim ndaj kësaj dukurie.
Përsëri vijmë tek pyetja themelore: terrorizmi përbën rrezik apo kërcënim për ne?
Nisur nga sa u tha më lart, duket se përgjigja është krejtësisht e qartë: terrorizmi sot përbën një kërcënim real, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën. Ai është kërcënim për interesat tona shtetërore dhe kombëtare.
Ҫështja duhet të shtrohet ndryshe, jo të vihet në pikëpyetje fakti, nëse terrorizmi përbën kërcënim, por të njihet si i tillë dhe të përcaktohet se i çfarë niveli është ky kërcënim. Në vende të ndryshme ekzistojnë klasifikime të ndryshme të nivelit të kërcënimit, por, përgjithësisht, njihen 5 nivele: i ulët, i moderuar, substancial, i lartë dhe kritik.
A është përcaktuar ky nivel nga institucionet shtetërore të Shqipërisë? Po nga ato të Kosovës? Nëse po, mirë ështe që ai të bëhet i njohur publikisht, si nga Tirana, ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Nëse jo, do të ishte mirë që të përcaktohet sa më shpejt. Sepse në varësi të nivelit të kërcënimit, merren edhe masat përkatëse nga institucionet shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.
Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, më datë 23.11.2015, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, S. Tahiri, jo vetëm që nuk foli për kërcënim, por edhe kur përdori termin “rrezik” deklaroi se “nuk ka rrezik të shtuar”. Përpjekja për të shmangur shfaqjet e panikut është për t’u marrë në konsideratë, por kjo nuk duhet bërë në dëm të së vërtetës. Pa diagnostifikim të saktë, nuk mund të ketë as kurë efikase.
Mesazhe “qetësie” po përcjellin, këto ditë, edhe udhëheqësit tanë më të lartë shtetërorë, Kryeparlamentari Meta, Kryeministri Rama dhe Presidenti Nishani, të cilët, njëherësh, kanë marrë rrugët e botës. Askush nuk thotë që zyrtarët e lartë shtetërorë të mos udhëtojnë jashtë shtetit, por përse të udhëtojnë të gjithë njëherësh dhe përse pikërisht tani? Nëse, mos e thashtë zoti, prishet kjo “qetësi”, kush do t’i marrë vendimet për t’u ballafaquar me rrezikun apo kërcënimin?
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë, lidhur me kërcënimet terroriste. Paralajmërimi përfshin periudhën nga tani, deri më 24 Shkurt 2016. Por ne mund të rrimë “të qetë”. Sepse ne nuk jemi amerikanë. Udhëtime të këndshme “të dashur” udhëheqës shqiptarë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Dr. Islam Lauka, rrezik apo kercenim, terrorizmi

Presidentja Jahjaga:Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet

November 27, 2015 by dgreca

-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga: Mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi. Shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës/

Nga Behlul Jashari/  PRISHTINË, 27 Nëntor 2015/ Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet, tha mbrëmë në Prishtinë Presidentja kosovare, Atifete Jahjaga, në pritjen e organizuar nga ambasadori shqiptar Qemal Minxhozi me rastin e shënimit të 103 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

 “Nuk ka një ditë më të veçantë në historinë e popullit shqiptar sesa kjo Ditë e Flamurit, që sublimon gjithë përpjekjet e sakrificën e popullit për pavarësinë e tij. Nuk ka një Ditë më të shënuar në historinë e popullit shqiptar se sa kjo Festë që bën bashkë të gjithë, që lirinë dhe pavarësinë e ndjejnë si vlerën më të lartë njerëzore”, theksoi ajo.

 Jahjaga tha se, kjo është Dita që ka mbajtur të gjallë frymën dhe ëndrrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të ecur papenguar në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit, në kohë të ndryshme – sa të vështira dhe sfiduese – por me një qëllim të vetëm për të qenë pjesë e pandashme e vlerave demokratike në botë.

“Dhe mëvetësia e Shqipërisë ka treguar se sa e rëndësishme është liria e një populli dhe përfshirja e tij në proceset e përparimit edhe për Evropën në tërësi”, vijoi Presidentja e Kosovës.

 Në vijim, Jahjaga tha se kjo është gjithashtu Dita që ka mbajtur përjetësisht të fuqishëm e të gjallë jo vetëm mishërimin por edhe synimin dhe aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, dhe për një të ardhme ndryshe dhe po aq të qartë – për t’u bërë bashkë pjesë e rëndësishme e familjes evropiane.

“Shqipëria e pavarur e bëri të mundur Kosovën shtet të pavarur e sovran – një realiteti të pandalshëm dhe të pakthyeshëm, një garanci e  paqes jo vetëm në rajon dhe një vend i barazisë dhe i lirisë si dhe shembull i diversitetit kulturor e fetar. Të dyja shtetet sot janë bërë pjesë të pandashme të arkitekturës globale të sigurisë dhe përpjekjeve të botës demokratike për t’i bërë ballë sfidimeve ekstremiste me qëllim të ruajtjes së vlerave njerëzore – besimit në njëri tjetrin dhe jetës së përbashkët”, theksoi Presidentja kosovare.

 Ajo u shpreh se, shekulli i kaluar filloi me pavarësinë e Shqipërisë dhe u përmbyll me lirinë e Kosovës.

“Ky shekull na gjen  të  rreshtuar së bashku në idenë, synimin dhe përpjekjen për integrimet evropiane, si demokraci që ndërtohen e maturohen për çdo ditë, pavarësisht sfidave, bazuar në themelet e sundimit të ligjit dhe të rendit, ku respektohet çdo liri e secilit qytetar, me përgjegjësi e obligime për shtetin, që garanton të ardhmen e tyre të përparuar”, tha  Jahjaga.

 Në përmbyllje, duke iu drejtuar ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përgëzoi: “Ambasador Minxhozi, për ju dhe gjithë ambasadën, urime! Urime Shqipëri! Zoti i bekoftë dy shtetet tona”.

Në pritjen me rastin e 103 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipësë, organizuar nga ambasadori shqiptar Minxhozi, në hotel Amazona, ishin edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ambasadorë, ministra e deputetë, të zgjedhur vendorë, njerëz të artit, kulturës, biznesit, etj.

Kontigjenti ushtarak i Shqipërisë në ambientet e KFOR-it parmbrëmë festoi 103 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Të ftuar ishin dhe përfaqësues të misioneve të tjera ushtarake. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Minxhozi mbajti një fjalë rasti.

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari, kosova, Mvetesia e Shqiperise, Presidentja Jahjaga

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3323
  • 3324
  • 3325
  • 3326
  • 3327
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT